Europarlamentarët mirëpresin heqjen e taksës, presin nga BE-ja heqjen e vizave për Kosovën

Pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të hequr tërësisht taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina nga 1 prilli, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon-Taubadel dhe Kryesuesi i Delegacionit për marrëdhëniet Bosnje-Kosovë, Romeo Franz, thanë se shpresojnë që me këtë hap do të rinis dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, ata shpresojnë që me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, edhe BE-ja do ta mbajë premtimin e dhënë për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Jemi shumë të lumtur me vendimin e marrë nga Qeveria në detyrë e Kosovës për të hequr tarifat 100 për qind. Është një sinjal shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit politik në rajon dhe hap vendimtar, i cili shpresojmë se do të çojë në vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës të normalizohen”, tha Viola Von Cramon-Taubadel, raporton KOHA.

Ndërkaq, Romeo Franz, tha se presin nga shtetet anëtare të BE-së “të realizojnë premtimin e tyre për t’iu dhënë qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur, pavarësisht krizës aktuale politike”.

“Kjo mund të jetë një shenjë e rëndësishme e solidaritetit, veçanërisht për të rinjtë e Kosovës dhe për përkushtimin e vendit për të ardhmen e tij evropiane”, theksoi Franz.

Nëntorin e vitit 2018, qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, vendosi taksë 100% për të gjitha produktet nga Serbia dhe Bosnja ed Hercegovina.

Kurse më 1 prill, qeveria në detyrë e Kurtit, vendosi që kjo masë të hiqet dhe në vend të saj, Serbisë t’i vihet reciprocitet. Koha.net / KultPlus.com

BE ndihmon Shqipërinë me 50 milionë euro në luftën ndaj koronavirusit

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiraë, Luigi Soreca njofton ndihmën për Shqipërinë në luftën ndaj koronavirusit.

Ai shprehet se në total BE do të japë 50 milionë Euro, 4 milionë për pajisje shëndetësore, 11 për mbrojtjen sociale dhe 35 për rimëkëmbjen ekonomikë.

“I lumtur të njoftoj ndihmën konkrete të BE-së për Shipërinë në luftën kundër #COVID19.

4 mln€ për pajisje dhe mbështetje shëndetësore

11 mln€ për mbrojtjen sociale, deri në 35 mln€ për rimëkëmbjen ekonomike.

BE-ja është gjithmonë me në kohë nevoje. Jemi gjithmonë me Shqipërinë”, shkruan ambasdori i BE-së Luigi Soreca./Express/ KultPlus.com

Gjermanishtja pritet të jetë gjuha kryesore e punës në BE

 Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë austriake, Herbert Kickl, vlerësoi se gjuha gjermane duhet të jetë gjuha kryesore e punës në BE.

Ai e vlerësoi këtë për shkak të tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE, transmeton KosovaPress.

Kickl tha se pas Brexit, BE duhet të konsiderojë një rend të ri të gjuhëve të punës.

“Anglishtja aktualisht është gjuha më e rëndësishme e punës në BE. Frëngjishtja dhe gjermanishtja janë zyrtarisht të lidhura, por në realitet ato nuk përdoren aq shumë, as në të folur, as në dokumente të shkruara “, tha Kickle.

Ai tha se pas Brexit, vetëm një për qind e qytetarëve të BE-së kanë anglishten si gjuhën e tyre amtare – Irlanda dhe Malta.

“Prandaj është logjike për mua që gjuha gjermane të vendoset të paktën në të njëjtin nivel përdorimi në negociatat dhe dokumentet e BE-së sikurse gjuha angleze. Pas një zgjidhjeje kalimtare për Brexit, bazuar në përfaqësimin e gjuhës amtare, gjermanishtja duhet të marrë një rol udhëheqës në familjen e gjuhëve të punës të BE-së”, tha Kickl. / KultPlus.com

BE: Në Ditën e Pavarësisë, mendimet tona janë për popullin shqiptar

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, është shprehur se do të qëndrojë pranë popullit shqiptar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ndër të tjera delegacioni i BE-së është shprehur se vëmendja më e madhe në ditë të tilla do të fokusohet tek ata që janë goditur nga fatkeqësia dhe familjet e tyre.

“Sot, në Ditën e Pavarësisë, mendimet tona janë për popullin shqiptar, dhe në veçanti për ata që janë goditur nga fatkeqësia dhe familjet e tyre. Bashkimi Evropian, më shumë së kurrë, i qëndron pranë popullit shqiptar”, thuhet në shkrimin e tyre. / KultPlus.com

Thyhet zyra informative e Qendrës Kulturore të BE-së në veri

Persona të panjohur kanë thyer derën e zyrës informative të Qendrës Kulturore të BE-së.

Rasti është lajmëruar nga ankuesja dje rreth orës 02:45 në rr. “Kral Petri” në Mitrovicën Veriore.

Sipas ankueses, nga zyra nuk është vjedhur asgjë.

Rasti po trajtohet si asgjësim apo dëmtim i pronës./ KultPlus.com

BE: Po presim caktimin e lokacionit nga Komuna për Sallën Koncertale

Në lidhje me prononcimin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës se Zyra e Bashkimit Evropian mund të financojë ndërtimin e Sallës Koncertale, kjo e fundit ka dalë me një qëndrim, shkruan KultPlus.

Përmes postimit në Facebook, Zyra e Bashkimit Evropian ka treguar se financimi i projektit është një lloj konfirmim nga Komisioni Evropian. Mirëpo, fillimisht sipas tyre duhet që të caktohet një lokacion.

“Në lidhje me atë se BE mund të financojë ndërtimin e sallës koncertale, fillimisht duhet që të caktohet një lokacion i duhur nga ana e Komunës. Ne jemi momentalisht duke pritur që Kryetari i Komunës të sigurojë një lokacion të tillë, pa pengesa ligjore apo teknike. Pasi që kjo të bëhet, hapat e tjerë dhe thirrja për të dizajnuar sallën koncertale mund të vazhdojnë”, është shkruar në reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian.

Tutje në postim thuhet se Bashkimi Evropian punon vazhdimisht për të përmirësuar jetën e njerëzve në Kosovë ku shumë e rëndësishme është edhe kultura.

Projekti për Sallën Koncertale do të mbështetet me vlerën prej 15.4 milionë euro, nga fondet e Bashkimit Evropian, ndërsa projekti fitues pritet të përzgjidhet deri në fund të vitit. /KutlPlus.com

BE mbështetje turizmit kulturor si një nga shtyllat e promovimit të vendit

Turizmi kulturor por edhe ai i aventurës kanë rritur vitet e fundit numrin e turistëve të huaj që zgjedhin të vizitojnë vendin tonë.

Agjencia Kombëtare e Turizmit organizoi ditën e sotme në Tiranë një takim informues me operator turistik mbi projektin e mbështetur nga Bashkimi Europian për projekte investuese dhe promovuese në turizëm.

Konkretisht, Bashkimi Europian financon këtë projekt për pesë vende të Ballkanit Perëndimor, një projekt i cili do të ketë një kohëzgjatje tre vjeçare duke dhuruar grante për turizmin, pra duke e shndërruar në një shtyllë të fortë në ekonominë e vendit por dhe të promovimit të Shqipërisë si një aset me vlerë në sytë e turistëve.

Projekti konsiston në dy shtylla kryesore, në turizmin kulturor dhe në turizmin e aventurës si dy nga polet më të rëndësishme në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e vendit dhe si një nga risitë e viteve të fundit dhe që po tërheq vëmendjen e turistëve të huaj.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare zv/ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku u shpreh se ” në takimin e sotëm u prezantua një skemë e granteve nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC) i cili ka të bëj me projekte të bashkëpunimit rajonal në turizëm kryesisht në atë kulturor dhe në turizmin e aventurës si dy nga shtyllat kryesore të cilat kanë një rritje këto vitet e fundit në rajon”.

”Qëllimi është ti nxisë operatorët dhe organizatat të cilat merren me turizmin të bashkohemi për të promovuar rajonin si një destinacion të përbashkët turistik përmes kulturës dhe aventurës”, u shpreh Çeku.

Ai shtoi se ”ky takim i sotëm kishte një interes të madh nga njerëzit të cilët merren me turizëm në Shqipëri dhe ku vitet e fundit po shohim një bashkëpunim të madh të operatorëve turistik në Shqipëri me vendet e rajonit”.

”Turizmi rajonal do të jetë plotësues me përpjekjet tona për ta zhvilluar në Shqipëri i cili do të sjellë impakt në shtrirjen gjithë vjetore të turizmit, shtim të numri të turistëve si dhe një zhvillim ekonomik të vendit. Në këtë mënyrë turizmi na shërben si një kontribues i rëndësishëm i ekonomisë së vendit dhe rritjes së punësimit”, përfundoi zv/ministri Hajrulla Çeku.

Bukurosh Reçi një operator turistik në vend u shpreh se ”kjo nisëm ishte fantastike sepse turizmi kulturor ka një boom të gjerë në gjithë botën dhe veçanërisht në Europë pasi Europa është e pasur shumë me histori dhe trashëgimi kulturore. Nisma e marr nga Bashkimi Europian i shërben Shqipërisë për të krijuar tregun ballanik për turistët e huaj që vizitojnë vende të vogla si Shqipëria për t’i njohur ata me trashëgiminë”. /KultPlus.com

Les Echos shkruan për lobimin kulturor të Shqipërisë në BE

Gazetarja franceze Martine Robert vizitoi Tiranën disa javë më parë dhe bisedoi me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro drejtues të institucioneve artistike, publike dhe private, artistë, etj. “Në publik e në privat luhet karta e kulturës europiane”, është shkrimi i botuar në të përditshmen Les Echos nga gazetarja Martine Robert, shkruan KultPlus.

Ndërkohë që Bashkimi Europian do të shprehet në fund të qershorit për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vendi përshpejton lobimin e tij kulturor, nis shkrimi i gazetares.

Galeria Kombëtare e Arteve, që i dedikohej Realizmit Socialist, do të zgjerohet së shpejti, ndërkohë që Muzeu Historik Kombëtar ka hapur një tender ndërkombëtar me qëllim rinovimin e tij. Shqipëria dëshiron të afirmojë dimensionin e saj kulturor kozmopolit në prag të një përgjigjeje vendimtare në fund të qershorit mbi hapjen e negociatave që synojnë pranimin në Bashkimin Europian.

“Shqipëria është një vend i ri në moshë, ku 28% e 3 milionë banorëve janë më pak se 18 vjeç, dhe ku demokracia nuk është më shumë se një çerek shekulli. Ne kemi kaluar pesë shekuj nën sundimin otoman, fituam pavarësinë jo më parë se 1912-a, dhe pesëdhjetë vjet në diktaturë, një nga më të egrat e kontinentit europian, e cila e izoloi vendin dhe ndrydhi sektorin privat. Familja jonë është Europa”, – thekson Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Muzeu më i ri “Shtëpia me Gjethe” gjendet në selinë qëndrore të Shërbimit Sekret për të denoncuar tmerret e diktaturës komuniste. “Gjithë elita intelektuale e vendit u eleminua gjatë asaj periudhe”, sqaron drejtoresha e këtij muzeu, Etleva Demollari.

Në udhëkryq të ndikimeve të shumta kulturore (romake, helene, sllave etj.) dhe fetare (gjatë historisë së tij vendi njohu me ligj ateizmin, çka shpjegon dhe bashkëjetesën paqësore të katolikëve, ortodoksëve, myslymanëve…), Tirana do të përfitojë nga këto ndërthurje : këtë gjë e dëshmon dhe xhamia e Et’hem Beut, në rinovim e sipër, përballë Operas me një arkitekturë sovjetike.

Ndërkohë që qeveria mendon për vendosjen e ligjit të mecenatit bazuar në modelin francez, shfaqen nisma private si Bazement, një qendër arti e menaxhuar nga disa artistë. “Ka ardhur koha të vendosim një skenë artistike këtu”, – thekson piktori Genti Korini.

Ndërsa Përparim Kalo ka hapur një nga galeritë e rralla në Tiranë.

“Numërohen rreth dhjetë koleksionistë në vend, por tregu është ende embrional. Organizoj ekspozita jashtë vendit në mënyrë që artistët tanë të njihen edhe andej, ashtu siç bëra në Këshillin e Evropës në Strasburg, apo nëpër panaire. Po ashtu, po mendoj të hap një sallon dedikuar artistëve të Ballkanit”, – shpjegon ai.

Themeluesi i qendrës kulturore Tulla, Rubin Beqja organizon ekspozita, konferenca, mbrëmje DJ… “Ne tërheqim një publik të ndryshëm dhe një komunitet krijuesish. Është e rëndësishme të kontribuosh që ta bësh Tiranën sa më të dëshirueshme”, thekson ai.

Bashkëpunimi me Francën

“Ne përpiqemi me të gjitha forcat që të rigjenerojmë ekosistemin, ndërkohë që shumë artistë janë larguar jashtë vendit, si Anri Sala për shembull. Institucionet duhet të luajnë një rol të rëndësishëm nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në evente si Bienalja e Venecias”, – shton drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli. Pas fillimit të punimeve për modernizimin e saj, me mbështetjen e mundshme të diasporës, ai shpreson të arrijë në 300.000-400.000 vizitorë në vit kundrejt 125.000 që vijnë aktualisht.

Vetë Kryeministri Edi Rama, edhe ai artist, e ka dhënë shembullin tashmë. Kati i parë i Kryeministrisë është transformuar në një qendër kulturore.

“Qëllimi kryesor është që arti bashkëkohor të jetë i aksesueshëm për të gjithë, me pesë ekspozita në vit pa pagesë”, – komenton Genti Gjikola.

Po ashtu, vila e ish-diktatorit Enver Hoxha sapo është kthyer në qendrën e një ekspozite për të prezantuar dorëshkrimet bizantine, otomane, persiane, veneciane, të nxjerra nga Arkiva e Shtetit. Për arkivistin Sokol Cunga, “këto thesare janë prova e mozaikut kulturor që është vetë Shqipëria”.

Franca, e cila hapi që në vitin 1912 Liceun e Korçës, shoqëron edhe tani këtë nismë të re.

“Shqipëria ka nevojë të njihet. Bashkëpunimi ynë universitar, gjuhësor, artistik, arkeologjik është i rëndësishëm sepse Shqipëria vuan nga imazhi i keq që lidhet me të kaluarën e saj, me korrupsionin, me numrin e madh të azilkërkuesve”, – thekson Rose-Anne Bisiaux, këshilltare për veprimtarinë kulturore në Ambasadën e Francës./ KultPlus.com

https://www.lesechos.fr/industrie-services/services-conseils/0301725884386-albanie-public-et-prive-jouent-la-carte-de-la-culture-europeenne-2180286.php