I bana gati valixhet

Poezi nga Liridon Mulaj

I bana gati valixhet!
Pasaportat i rrasa me nerv
ne xhepin e pasëm,
atë që mbyllet me zingjir.
Frigohem se më humbin,
e më merr lumi,
mbetem këtu mandej në vendin
tem.
Këmishat e bardha i palosa në fund,
pantollonat terital sipër tyne e në krye ,
rrobat e punës,
se po shkoj për punë a kupton ?
Qejfi në fund,
atje i zhytun mes harrimeve
se qejfi nuk vyen rrugëve të botës.
Bana gati valixhen e ikjes,
përfundi teshave,
nana , eh nana
më kishte shti dy thelba hudra
e nji grush krypë për sy.
Kesha vetmeti e po vetit i thashë:
-Kush asht ai sy i plasun qi mbet në emigrantë?!

Po po sonte i bana gati valixhet,
e pasaportën e shtina thellë
se tutem mos më hup,
e mbes këtu…në vendin tem. / KultPlus.com

Më pyet baba

Më sheh në nji tavolinë
t’vetmuem,
e më pyet baba:
-Çka po mendon?
Retë e bardha
shtegtare babë,
qi enden mbi ne.
Ikjet pa kthim,
tuj qesh atdheut në
surrat e mandej
lumtuninë ngërthye
në nji dritare avioni.
Po mendoj për rakinë
e re që ka mbetë vozgave
të drunjta,
mbetë pa pi edhe sivjet
se Elisi nuk erdh babë.
As Xeni nuk mujti.
Iliri iku e unë e Besi,
s’jena aq të zotë sa me e tha
vozgën.
Më pyet baba kajherë,
i shkujdesun pa fort vemendje
në mue,
pleqni hesapi, pyet e harron.
Çka po mendon more qyq?
Asgja bab asgja!
Vec kaj here shtellunga boshe
ma përshkojnë shtatin,
e mungesat ma marrin frymën.
Babë, a të tves unë diçka tash ?
Pse babë, mbetem vetull e lakueme,
e vranët?
Pse…?/ KultPlus.com

‘Në të vërtetë nuk ka femër të zakonshme pasi të gjitha janë të jashtëzakonshme’

Linda

Tregim nga Liridon Mulaj

Rruga e qumështit është çatia e udhëtimeve tona, – më tha dhe u ngrit me vrull duke hedhur përreth kokrrizat e vogla të rërës. Hoqi fundin e verdhë me pala nga ku poshtë tij zbuloi vithet e rrumbullakta në ngjyrë bronxi, nxirë nga dielli i lëbyrët i Qershorit dhe u nis drejt detit duke hequr reçipetat të cilat i hodhi në prag ku bashkohet toka me ujin, bash aty ku dallgët lëpijnë buzët e ngurta të bregut. E vështroja Lindë n që zhytej ngadalë në ujë,nga ku herë pas here kthente kokën nga unë, dhe me sytë e saj të zjarrtë si dy yje të shkëputura nga qielli më vështronte me një shikim ndjellës.

Lëvizte krahët lart e poshtë dhe më thërriste t’i bashkohesha, pa pyetur për shtangien time dhe ndiesitë e mia të turbullta kundrejt saj. Ishte natë e freskët, nga ato netë ku ende stinët nuk janë ndarë nga njëra tjetra dhe era e ngrohtë e verës mbështillet me freskinë e pranverës dhe bashkë, gënjejnë lëkurën që herë shtriqet e hap poret e saj e herë mbushet me morrnica. Nuk arrija ta kuptoja në fakt nëse shkaku i morrnicave ishte vetëm era e freskët apo diçka tjetër. Linda lahej në detin e errët të natës, dhe unë herë pas herë i buzëqeshja asaj, gjithmonë duke nënkuptuar se në atë largësi, ajo do e shquante mimikën time.

E kisha njohur prej pothuajse pesë vitesh Lindën, në një galeri arti ku të rinj nga fusha të ndryshme të artit mblidheshin dhe lexonin poezi nën dritat e ethshme të një projektori të vjetër. Atë natë që takova Lindën, nuk e mbaj mend se çfarë i thashë përveçse një lëmshi fjalësh të pashpjegueshme në formë komplimenti dhe përgjigjen e saj pothuajse identike me lëmshin tim. Të dehur, ne qeshëm njësoj dhe pas disa bisedave shkel e shko me belbëzime dhe klithma kënaqësie e gjetëm veten të shembur në një kolltuk me krahë prej druri dhe të përqafuar si dy dashnorë të moçëm. Linda ishte e gjatë, e imët me flokë te verdha si të lyera me një lloj lëngu shkëlqyes. Dhe në tërë shtatin e saj, këmbët kishte pikën më të fortë.

Fliste pak me droje por kjo mënyrë të foluri nuk ishte aspak një drojë e zakonshme prej një femre që kishte turp, por të flisje pak dhe me zë të ulët për Lindën ishte si të haje pa u mbllaçitur apo të urinoje brenda vrimës së bidesë pa lagur anash pllakat, pra ishte pjesa themelore e sjelljes së saj të cilën ajo e quante herë pas here etikë e domosdoshme e qenies njerëzore. Dhe ajo drojë kaq origjinale i jepte portretit saj prej bronxi të larë në shkëlqim, një pamje fisnike. Të ngjallte respekt teksa filste dhe më vështronte në sy dhe për çdo fjalë apo temë fare pa rëndësi ajo përtypej dhe nën gushë i shquhej një si një dallgë e fshehur që lundronte brenda gurmazit. Fliste ngadalë deri sa lodhej dhe më pas, mes gishtash mbërthente gotën e konjakut dhe e pinte me epsh burrëror. Mandej rehatohej, ndizte cigaren dhe m’i ngulte sytë e zjarrtë si egërsirë, këmbët e gjata i hidhte njëra mbi tjetrën, largonte paksa baluket si fije ari dhe teksa të gjitha këto i aktivizonte si pjesët e një ingranazhi, ia riniste bisedës me po atë qetësi dhe drojë të beftë, të sajën, vetëm të sajën.

Nuk e doja ose më saktë nuk e dashuroja Lindën ose saktë fare e doja shumë por jo siç mund të duhet një femër e zakonshme. Në të vërtetë nuk ka femër të zakonshme pasi të gjitha janë të jashtëzakonshme por Linda, përtej kësaj ishte një krijesë krejt e rrallë. Ose së paku kështu e shikoja unë. Ne kishim udhëtuar kaq herë bashkë. Në male, dete, me çadrën e kampingun mbi shpinë dhe me çantat tona të rrobave. Linda përherë merrte me vete dy bluza, ndërkohë unë merrja tre dhe sapo rehatoheshim në vendet tona të fushimit, ajo rrëmonte brenda çantës sime, dhe merrte një nga trikot e mija për ta veshur. E çuditshme vërtetë por unë përherë merrja një rrobë më shumë se ajo dhe ajo gjithmonë përfundonte duke veshur rrobën time, si në një marrëveshje të fshehtë, të pazakontë.

Pra kjo ishte ajo çka e bënte Lindën mbi-femërore si një qenie metafizike ku mes saj dhe meje ekzistonte vetëm një lidhje e largët transhendentale përmes një filli të padukshëm që rrinte gjithnjë i tendosur dhe ruante saktësisht mes nesh distancën e nevojshme që shndërronte Lindën në një muzë, dhe mua në një jo-dashnor. Ishte ky fill i padukshëm që ngërthente në të si pas një trungu këtë lojë veprimesh të koordinuara saktësisht nga telepatia jonë, nga një parandjenjë e kthyer në zakon apo si një bashkëveprim i mirëkordinuar jo nga ne të dy, jo teknikisht por nga forca e mbinatyrshme e cila qëndronte pezull dhe e padukshme mbi Lindën dhe që efekti i saj mbërrinte der tek unë. Ajo forcë që nuk donte t’ia dinte për joshjet, për lidhjet dhe dashuritë e rralla dhe të lodhshme. Që më kthente mua në një krijesë mizore dhe stoike, që s’pyeste për lëkurën e saj të bronxtë, këmbët e gjata e të lëmuara dhe se përtej të qenit joshëse e egër dhe krejtësisht e rrallë, ajo ishte muza e përjetshme e lidhur me shpirtin dhe ekzistencën time dhe jo me epshet e mija të rëndomta.

Ajo po kridhej në detin e errët dhe hera herës kthehej dhe më thërriste t’i bashkohesha asaj duke përplasur duart mbi kokë. Nata ishte e thellë, me ca yje të zbehura tej e tej dhe vetëm në mesin e qiellit mbi kokën time, udha e qumështit ndrinte si një autostradë ajrore mbushur me automjete të cilat qëndronin në vënd. Toka më ngjante e kthyer së prapthi dhe mendoja se ishim ne që vështronim qiellin nga lart, si në një përmbysje të imagjinuar. Dhe vërtetë Linda nuk gënjente. Në të gjitha udhëtimet tona pothuajse, qielli kishte qënë i kthjellët dhe udha e qumështit e mbërthyer në qendër të tij si një harnë gjigande, ia shtonte hijeshinë atij qielli të zymtë . Edhe atë natë kur me Lindën përfunduam duke fjetur në stolat e lulishtes para shtëpisë muze të një shkrimtari të madh.

Ishte dita e ekzspozitës sime. Kisha këmbëngulur prej kohësh që ekspozita të mos mbahej në Galerinë e Arteve siç ndodhte rëndom por në një ambient më të ngrohtë dhe paksa kontemporan dhe në fund ramë dakord me kuratorin tim që ta mbanim në një shtëpi të vjetër dy katëshe të pabanuar prej kohësh. Po vishesha në studion time. Kur po tentoja të lidhja kravatën, hyri Linda. Në dorë mbante një shishe verë të kuqe. Flokët e kapura bisht i jepnin një pamje prej çupeline, pamje të cilën e përforconte herë pas here me çamçakizin që e frynte dhe e plaste duke shkaktuar një poterë aspak të këndshme. Më puthi në faqe dhe pasi u hodh në kolltuk si e rënë nga qielli, më tha se kishte ardhur të festonte me mua ekspozitën e parë. I thashë që s’kishte asnjë shans sepse për pak në vendin ku do mbahej ekspozita do ia behnin ministri i kulturës dhe drejtori i Galerisë, por ajo duke më parë vengër, shtrembëroi paksa buzët dhe pasi hoqi shikimin nga unë duke e ngulur në parketin e ngjyrosur me pikla boje, ia plasi të qarës si fëmijë. Më kot u mundova ta qetësoj.

E mora pranë vetes dhe e mbërtheva fort siç mbërthen një ushtar në luftë mikun e tij të plagosur dhe pasi ndenjëm ashtu për disa minuta, ajo u tërhoq mënjanë dhe duke fshirë lotët, me një zë të përvajshëm më kërkoi t’i bëja një pikture nudo, ashtu dhe aty ku ishte, në atë kolltuk të pistë dhe të shpëlare nga dielli i kushedi sa viteve që derdhej në studio nga dritaret e mëdha të tavanit. Linda u ngrit dhe me lëvizje të shkathëta prej maceje, hoqi rrobat duke zbuluar para meje gjinjtë e saj me majë në formë dardhe. Hoqi mbathjet dhe me njërën dorë mbuloi pubisin ndërkohë me tjetrën përdridhte ca fije flokësh të bëra shtëllungë anë faqes. Zuri vend në kolltuk në një pozicion si e vdekur, duke zbuluar para meje gjithë trupin e saj të mrekullueshëm.

Pikturova tërë pasditen ndërkohë të dy pinim verën e kuqe që kishte sjellë me vete nën tingujt cingërues të ziles së telefonit që binte pa ndërprerë. Në djall ekspozita thashë me vete. Linda është muza ime dhe vetëm në sajë të Lindës unë mund të pikturoj sërish, dhe në të vërtetë ajo ishte ekspozita dhe piktura ime më e shtrenjtë e cila nuk mbërthehej në asnjë telajo dhe kornizë. Ishte shpirti i gjallë i artit të cilin kërkoja të zbuloja dhe të aplikoja pa reshtur përgjatë gjithë jetës sime. Vetëm unë dhe qënia e saj, të veçuar nga bota. Të dehur në atë marrëdhënie aq sublime dhe të paqartë. Të mbetur përjetësisht peng të njëri tjetrit, pa njëri tjetrin plotësisht. Ajo më shërbente mua dhe muzës sime ndërkohë unë, isha rishtar i shpirtit të saj të cilin ditë pas dite, si në një jetë që rifillonte çdo ditë nga e para, rrekesha ta zbuloja dhe ta dashuroja pa e përvetësuar, pa e lënduar. Të dy si Lysieni dhe Esteri të Balzakut të cilët krejt pa dëshirë zgjodhën të mos ishin bashkë po dhe të mos ndaheshin kurrë, duke i shërbyer dashurisë dhe asaj ndjenje të zjarrtë që i tundonte e njëkohësisht i ndante. Pimë shishen e verës dhe pas saj një gjysëm shishe raki të mbetur prej kohësh në raftin e studios. Qeshëm atë ditë si të marrë, me atë që bëmë, me mesazhet dhe sharjet që pareshtur e tërbonin telefonin tim.

Qeshëm me lotët e saj dhe me gjithçka atje përjashtë që kërkonte të gjymtonte qenien dhe ta shkatërronte pa reshtur magjinë që krijonte filli i padukshëm mes një muze si Linda dhe një piktori si unë. Në djall ekspzozita, dhe drejtori, madje dhe ministri. Dolëm në ajrin e fresëkt të natës të dy , duke u mbajtur pas njëri tjetrit dhe përfunduam të shtrirë në stolat pranë shtëpisë së shkrimtarit. Dhe atë natë udha e qumështit rrinte varur mbi kokat tona dhe vishte me magji shtresat e bardha të atmosferës që shtriheshin si kuvertë mbi botë.

Gjatë kohës që Linda po lahej, ndeza një zjarr pranë çadrës, dhe pasi ndjeva zjarrin tek brambullinte, u shtriva sërish në rërë dhe hodha shikimin atje në pikën e errët të detit ku lahej Linda. S’kishim pak që kishim mbërritur në këtë skaj të humbur të botës dhe Linda nuk kishte duruar pa u zhytur në det. Nxora një peshqir nga çanta ime dhe i vara në një litar të shkurtër brenda çadrës të dyja çantat. Peshqirin e vendosa ndanë zjarrit dhe po e ngrohja. S’doja që Linda te ftohej. Pashë që po vinte drejt bregut dhe teksa trupi i zbulohej ngadalë, pas ajo linte si kufomë gjigante atë det të errët dhe të paanë që kutërbonte aromë kripe.

E kundrova trupin e saj që kullonte ujë dhe befas m’u zgjua dëshira ta shtrëngoja në gji deri sa të humbiste brenda meje dhe ashtu e tretur brënda organeve të mija, të mos dilte më prej aty. Të mbetej përjetësisht brënda shpirtit tim, siç mbeten ngjarjet e pakta dhe të rralla që i japin kuptim jetës sonë dhe që të fshehura nga bota me dhimbje dhe xhelozi, i marrim me vete në botën e përtejme. Ashtu i kredhur në mendime, më zgjoi nga kllapia zëri i Lindës, e cila po dilte nga çadra me trikon time mbi supe. Si dhjetëra herë të tjera, me zërin e saj druajtës, më tha: – Hej, ta mora pak këtë trikon, – dhe unë si dhjetëra herë sërish i buzëqesha asaj, muzës sime me lumturinë e përkohshme të njeriut jo-dashnor.

 Qershor 2020. / KultPlus.com

(Foto nga profili i Liridon Mulajt)

‘Jam një parazit i diplomuar, parazitoj çdo ditë dyerve të punëdhenësve, për një vend pune’

 Nga Liridon Mulaj

Unë jam kurbani!

Unë jam parazit!
Ja ashtu siç e lexuat, unë jam një parazit i diplomuar i cili parazitoj çdo ditë dyerve të punëdhenësve, për një vend pune. Jam i varfër, biri i një pastruesje dhe i një roje pa “dinjitet” në shoqëri. Kam dy vite me nje palë atlete të cilat më janë kthyer në simbol të sakrificēs , teksa bredh rrugëve të Tiranës me gazetë në dorë dhe nga lodhja ul kokën duke numëruar hapat në asfalt. Qetësinë e gjej tek librat, tek historitë , ngjarjet, rrëfimet sepse si ëndërrimtar i lindur e përfshij veten në situata dhe shpesh më merr rrjedha.

Une jam demode!
Nuk kam rroba firmato, as makinë luksoze por as nuk jam kundër atyre që i kanë, në çfarëdo lloj mënyre që mund t’i kenë blerë. Jam ai tipi “pa lidhje” që nuk ndjehet kur ecën rrugës, nuk bie në sy. Eci kryeulur gjithmonë, sepse mendoj që çdo njeri, e sheh brënda meje që jam dështak.
Fundjavat e mija gjithmonë i kaloj në tarracën e pallatit me një shishe në dorë, raki fshati ose ndonjë birrë familjare, dhe disa cigare të hapura. Ndryshe nga moshatarët e mi që një shishe ndoshta mund t’u kushtojë sa një rrogë mujore e babait dhe mamasë, marrë së bashku.
Po prapë nuk i kam zili, jetët i kemi të ndara dhe si rrjedhojë i jetojmë ndryshe. Unë fle në një divan në kuzhinën e shtëpisë 1+1 ku jetoj. Jam i vetmuar, i mërzitur, nuk po gjej punë dhe…diplomës çdo ditë e më tepër po i pi ujin në plot kuptimin e fjalës, po pi djersët që nga balli më përfundojnë në faqe e në buzë. Nuk e kam inatin me botën, as me qeveritarët, me askënd. E kam veten time, që edhe pse kisha mundësi të shisja drogë, zgjodha të lexoj. Kisha njëmijë mundësi të bëhesha kriminel “pasur” por zgjodha të studioj. Prindërit e mi kishin vuajtur gjithmonë dhe isha i sigurtë që këtë nuk mund ta përballonin, një djalë kriminel. Do ishte për nënën një turp edhe më i madh se pastrimi i tualeteve, apo për babain, bërtitjet e sharjet e pronarit kur e gjente ulur në karrige.

Unë jam një i dënuar!
I dënuar nga fati të jem kurban i një sistemi jo të drejtë. Ku respekti paguhet me para, ku një diplomë e një djaloshi të vetmuar si unë nuk vlen as sa letrat e bythes së një pasaniku.

Ky jam unë!
Mos bëni sikur s ‘më njihni. Më keni kudo në përditshmërinë tuaj. Jam ai kamarieri që ju shërben kafen çdo ditë. Jam lavazhieri që ju lan makinën kur mbytet në pluhur. Jam portieri që ju mban valixhet në hyrje të hotelit për një bakshish. E nësë doni të më njihni më mirë, shikoni djersët që më rrjedhin çurkë. Aty do kuptoni që s’jam asgjë tjetër, veçse një kurban i këtij sistemi të padrejtë, e që ato djersë janë uji që i pi diplomës sime të pavlerë, për një rrogë që s’shkon më shumë sesa çmimi i dy librave në fakultet.

( shkrim i para dy viteve dedikuar studentëve) / KultPlus.com

Prishtinë motër, Kosovë o nanë

Poezi nga Liridon Mulaj

Prishtinë,
sa herë ajrit tand u enda,
kambësor i vonë , në rruginat
me shenja lufte ,
e vraga t’ndukta nën harresë
Mbrujtun andrrat n’sy vocërrakësh
qi rrëfimet e babës nuk i besojnë
madje kjeshin me to
siç kjesh nana me t’ritë e saj
t’harruem ,
me gazin e saj
me dashninë e saj
t’cilat lufta i fshiu prej qënies gjallë.
Kosovë ( Dardani a nanë, çka due vetë
i thirri )
Në sa rranjë lisash shënjove
kryqa e hana gjysmake?
Vijëzime kujtese përmbi eshna pa
Zot,
N’tokë pa Zot
n’dheun e TenZot.
Prishtinë zemër e trandun
Sa kthime odiseje t’duhen drejt
vetes?
E sa Uliksa me shpresa djerrun
kanë me mujt nji ditë me
ia mbrri Itakës
t’etun si unë për ty ,
si biri për nanë , Prishtinë motër
Kosovë o nanë… / KultPlus.com

Të dashtuna gra, mos u mburrni kur djemtë tuaj adoloshentë ndërrojnë dashnoret çdo javë, është përçmim ndaj seksit tjetër

Nga Liridon Mulaj

Të dashtuna gra!

Mos t’u vijë mirë e as për të qeshur kur çuni juaj i vogël shkon dhe puthë vajzën e shoqes tuaj në buzë, as për lojë dhe mos ua merrni për të madhe dhe as mos u mburrni kur djemtë tuaj adoloshentë, u thonë se i ndërrojnë dashnoret çdo javë. është fillimi i përçmimit ndaj seksit tjetër. / KultPlus.com

Diku në vrimat e vogla të tantellës që rrethon vellon, kanë mbetur prekjet e mija

Poezi nga Liridon Mulaj

Ti sot po martohesh!

Diku në vrimat e vogla të tantellës
që rrethon vellon,
kanë mbetur prekjet e mija.
Fijet e flokëve,
dhe pse të ngjyera tashmë,
i kanë puthur gishtat e mi .

Dhe shpatullat, që ti shkundja sa herë
grindeshim për çështje të vogla,
fare të vogla.

Është dita jote sot ,
lumturia e përjetshme e stampuar
në buzëqëshjen tënde prej mermeri
Dhe e shtrenja vetmi
më përqafon
kushedi për të satën herë.
Lulet e tua të verdha ,
kundërmojnë aromë aq të fortë
sa e ndjej dhe unë kaq larg
fshehur në cepin tim.

Ti sot po martohesh e dashur
çfarë kisha për ti thënë , ti kam thënë
vetëm diçka të fundit.

Mos harro, kur të kthesh shpinën
të hedhësh fort pas krahëve tufën e luleve
ashtu si të kaluarën tënde,
Ma hidh mua atë buqetë ,
dua dhe unë të martohem sa më shpejt
vetmia, mbështjellë me vello
po me pret…atje në altarin e përjetshëm.

KultPlus.com

Ti n’daç m’thuej pijanec

Liridon Mulaj

Une sonte do pi,
e ti n’daç m’thuej pijanec
N’daç thujem i mjerë
Çka zemra të dojë , thuema me urrejtje,
veç dije se unë do pi, 
deri sa mos t’muej ma

Tash ti nisja e
m’shaj,
m’truej
m’padit
m’përbuz
m’duej
a m’braktis

Se sonte mrenda meje
bota asht veç mllef,
mërzi e përulje
e rrazë kësaj rrokopuje ,
zani yt asht veç nji zukatje
Prandaj sonte, unë do pi
e ti m’picko
veç dije se
ke me vdek n’mue
si bleta pa thumb…/KultPlus.com

“Rri sonte me mu!”

Poezi nga Liridon Mulaj

Rri sonte me mu!
Banu streha jeme e qetësisë në këtë natë pus.
Në këtë natë ku zemra hedh përreth trupit krejt
mërzitë e kësaj jete të lodht
Ku shpirti shpërndahet në mijëra copa ajri të rand
E vetminë e përqafon si ma të shtrenjtën gja…

T’lutna rri sonte me mu!
Edhe në u tallsh me këto lutje fminore
Ma ban qejfin sonte….rri me mu…
Ndezma nji fije shprese në këtë gjoks të tretun
Mbështetma faqen në rrashtën e kryetit tem…
e mi derdh andrrat e tua mbi të mijat

Ta kthej këtë natë në pikë nisje të lumtunisë teme
Ti jap krahë shpirtit, e ta hedhi në fluturim
Të më qeshin i herë buza edhe mu, ngjit buzës tande
E mos ti mbyllim sytë në këtë natë.

Banu andrra jeme sonte
Dritë e vetmisë seme të kahershme
E ti lshojmë trupat në vallëzim të valēve të shpirtit
E andrrën me sy hapun ta jetojmë bashkë…

T’lutna, vetëm sonte, rri me mu…/KultPlus.com

Po iki !

Liridon Mulaj.

Lamtumirë 
Nga ky vend që nuk më deshi kurrë 
E as unë nuk është se e desha 
Erdha fëmijë po iki burrë 
Pallto trishtimi në trup vesha 
Po iki!
Nga njerëzit që kurrë nuk më kuptuan 
E as unë nuk është se i kuptova
Që pak më dhanë e shumë kërkuan
Që sa herë më zhgënjyen , prapë i besova
Nga rrugët e gjera me pluhur 
Nga ndërtesat e vjetra , plot shëmti 
Nga lypsarët në të ftohtë strukur 
Nga zagarët që kemi përmbi 
Nga hienat kryelartë plot inat 
Nga servilë të poshtër pa dinjitet 
Largë nga ju do më gjej kjo natë 
Po iki nga ti or mik
Që si unë askush nuk të deshi
E di do më thuash “po deshe ik”
E unë po u them mir’mbetshi
Nga ti që të qesh në fytyrë , nga pas të vret 
Mirëmbetsh o vend , që biri yt nuk u bëra kurrë
Shtrenjtë të pagova , më shite lirë 
Unë fëmija i përjetshëm ,që s’u bë burrë 
Sonte po iki , lamtumirë! / KultPlus.com

“S’asht kollaj me kanë malsuer”

Poezi nga Liridon Mulaj.

M’beso!
Asht e randë me kanë malsuer!
Gjamën e kangën
i kie varun mbi qerpik tanë jetën,
po loti nuk të falet.

M’beso, s’asht kollaj me kanë malsuer.
Kie me shkue krushk edhe në paç mort’
Kie me i ra çiftelisë, edhe në paç gjamë
Kie me qit pushkë, edhe pa gjaksor
Se malsueri, lahutën e pushkën,
i var në t’njajtën gozhdë.
E rand, fort e randë me kanë malsuer…

Vdes çdo ditë

Liridon Mulaj

Unë çdo ditë vdes nga pak.
Në malle zemrash të thyera.
Në arkivole pa kapak,
i pa shpirt sa herë unë hyra.

Çdo ditë të Zotit humbas dinjitet.
Këmbët më shpien në mungesë
E siç një lumë në det humbet.
Trupi im pa lindur, vdes.

Ankthi shok, më vret çdo ditë.
Dy-tre herë brënda një ore.
Një demon që më zë pritë.
Bashkë me engjejt dorê për dore.

Siç mëngjesi më pret me gjëmë.
Sot në të gdhirë nuk ndjeva më.
E mu kujtua, unë që mbremë.
Kisha vdekur, s’dija gjë./KultPlus.com

Sikur të isha vajzë

Një përgjigje për Dijen, personazhin e librit emblëmatik “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit. Një himn krijuar nga unë në mbështetje të çdo femre në jetën tonë.

Liridon Mulaj

Sikur të isha vajzë
Nuk do rrija duke mermeritur në pëshpërima dëshpëruese,
fatin tim të keq, paracaktuar
nga paraardhës dogmatikë.
Zhytur në vorbulla dokesh absurde.

Sikur të isha vajzë!
Nuk do strukesha në cepin e kuzhinës.
Me shkopin e petave në duar , e fytyrën me miell.
Për të treguar se është e vetmja gjë që di te bëj më mirë,
post bindjes për seks edhe pa epsh e dëshirë.
Nësë do të isha vajzë!
Do i buzëqeshja në fytyrë babait.
Me sytë e ngrirë akull
Për ti thënë se unë , mallkimi yt
Do jem bekimi yt
nëse do më shohësh si të tillë.
E përsëri do e vështroja me sytë akull
Çdo ditë, çdo javë , muaj e vite të tëra
Deri sa ndjenja e fajit, t’ja kërruste ndërgjegjen
Kur ta shikoja të dorëzuar, ta përqafoja e ta falja
Se jam vajzë !

Nëse do të isha vajzë!
Do zgjidhja fustanin më të bukur nga garderoba.
Atë të verdhin me lule të kuqe
që nëna ma bleu ditën kur mbusha vitin e tetëmbëdhjetë në jetë.
Do pluskoja me palët e tij mbi pluhurin e rrugëve gri.
E në çdo hap, të më ndiqnin xixëllonjat
për të marrë dritë nga unë.

Nësë Zoti do vendoste që unë të kisha lindur vajzë.
Do përbuzja çdo përbuzje!
Do ja ftohja ballin me peshqirin e lagur,
atij që vjell alkolin e pirë me të tjerë meshkuj të paskrupullt.
Do e gdhija mbi kokën e tij duke i lëmuar flokët.
Edhe pse do isha ndezur e flakë nga temperatura e lartë.
Nga gjunjët e këputur në lodhje sfilitëse.
Për ti treguar , se e vetmja forcë e madhe në botë
Jemi ne…

Sikur të isha vajzë!
Do ja bëja të ditur botës se shtatë mrekullitë janë thjesht masive të ngurta.
E se unë jam mrekullia e vërtetë
prej mishi e gjaku.
Që mbijetoj ditë pas dite, që ec , rrëzohem e ngrihem prapë në pangopje dashurie.
Edhe kur jam e degdisur kapanonëve të fasonerisë.
Si një robot në të ftohtë.
Prapë jam mrekullia e parë dhe e vetme e botës.

Ah sikur të isha vajzë!
Mbi këtë masë gjigande dheu e njerëzish
Do qëndroja krenare…/ KultPlus.com

Liridon Mulaj në mesin e dhjetë finalistëve të “KultStrofa”

Juria profesionale e edicionit të dytë të konkursit të poezisë “KultStrofa”, të organizuar nga KultPlus, nga 150 poezitë sa kanë konkurruar për këtë edicion, tashmë ka përzgjedhë edhe dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Në mesin e dhjetë finalistëve është edhe Liridon Mulaj, i cili në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë “Në natën e qytetit”

KultPlus do të shpalosë një nga një dhjetë finalistët, sikurse që do të bëjë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank. Kurse tre çmimet e para nga dhjetë finalistët do të kumtohen në orën letrare që do të organizohet së shpejti nga KultPlus./KultPlus.com