Muzeu arkeologjik i Durrësit magjeps turistët e huaj

Muzeu arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, gjatë muajve janar-qershor të këtij viti është vizituar nga 5386 turistë vendas e të huaj.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve sidomos atyre të huaj, ku në 6 muajt e parë të vitit është vizituar nga 2414 të huaj dhe 936 nga vendi.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bën të ditur për ATSH-në se “vizitorët e huaj kanë qenë nga shtete të ndryshme si USA, Gjermania, Anglia, Polonia, Suedia, Franca, Italia, Kina, etj”.

“Falë një bashkëpunim të ngushtë me agjencitë turistike vendase dhe të huaja, kemi bërë të mundur mirë koordinimin për një mbarëvajtje sa më të mirë të vizitës në objektet e trashëgimisë kulturore të Durrësit”, shprehet DRKK, Durrës.

Guidës së qytetit të Durrësit këtë vit i është shtuar dhe monumenti Banka Kombëtare Tregtare (Durrës), si dhe është dërguar për propozim për shpallje monument kulture Katedralja e Shën Luçisë në qytetin e Durrësit.

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë, përcjell ata.

Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani.

Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë.

Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit tonë. Një shembull për tu admiruar.

Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.

Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës. / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës së shpejti hapë Muzeun Ibrahim Kodra

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Fonacionin “Ibrahim Kodra”, me qëllim të themelimit, zhvillimit dhe promovimit të muzeut të artistit Ibrahim Kodra.

“Komuna do të angazhohet për ta kthyer objektin e ish-Bibliotekës Hivzi Sulejmani në hapësirë kulturore për shfrytëzim si ekspozitë afatgjatë e koleksionit të artistit në fjalë. Do të bëhet projektimi dhe do të kryhen punimet e nevojshme ashtu që objekti të jetë i përshtatshëm për nevoja të muzeut. Gjithashtu, Komuna do të caktojë kryesuesin e bordit nismëtar për themelimin e muzeut (bord që do të ketë edhe nga 2 anëtarë nga të dyja palët), si dhe do të ndihmojnë organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike”, thuhet në njoftim.

Fondacioni “Ibrahim Kodra” do t’i ofrojë për shfrytëzim pikturat origjinale të autorit për 30 vite, me mundësi vazhdimi, si dhe do të krijojë program edukativ për artin figurativ për fëmijët dhe të rinjtë të cilin do ta ketë në dispozicion muzeu.

Palët në këtë memorandum janë pajtuar që muzeu “Ibrahim Kodra” të menaxhohet nga Muzeu i Prishtinës./ KultPlus.com

Berati me një muze të ri për kujtesën e hebrenjve, hapet muzeu “Solomoni”

Erjola Azizolli

Qyteti me vlera i Beratit që prej ditës së sotme ka një institucion të ri kulture, një muze që sjell në vëmendje një memorie shekullore të bashkëjetesës, bashkëpunimit dhe solidaritetit mes beratasve dhe komunitetit hebre në këtë qytet. Studiuesi beratas, Simon Vrusho nëpërmjet fotove, dokumenteve, evidentimit të familjeve beratase, sjellë për herë të parë për publikun dhe vizitorët një muze që rrëfen një hapësirë kohore 500 vjeçare, nga viti 1520, kur në këtë qytet u vendosën 25 familjet e para hebreje që përbënin një lagje të quajtur “Mëhalla e Çifutëve”.

I hapur nga studiuesi Vrusho në rrugën që të çon për në Kalanë e qytetit, muzeu nëpërmjet fotove, dokumenteve të kohës ndalet tek shpëtimi dhe strehimi i mbi 600 hebrenjëve në kohën e Holokausit.

Ditën e sotme drejtues institucionesh vendore, pasardhës të familjeve që strehuan hebrenjtë, mësues dhe nxënës shkollash ishin pjesë e hapjes zyrtare të kësaj foto galerie muzeu me përmbajtje hebraike, ku ishte prezent dhe Rabini i Shqipërisë Yisorel Finman, drejtor Ekzekutiv i Rabinatit të Shqipërisë.

“Ky Muze, i pari i llojit të vet, është i pari në Berat dhe në hapësirën mbarëshqiptare që evokon praninë hebraike 500-vjeçare, me fokus të veçantë Luftën II Botërore, Kohën e Holokaustit, kur në Berat u strehuan dhe u shpëtuan mbi 600 hebrenj, një pasaportë bese dhe humanizmi shqiptar, me të cilën i kemi të hapura të gjitha rrugët e ndjeshmërisë njerëzore, duke qenë në harmoni me njeriun dhe Zotin”, tha në fjalën e tij studiuesi Vrusho.

Ndërsa, duke e konsideruar si mjaft të rëndësishëm kontributin e familjeve beratase në shpëtimin e Hebrenjëve, Rabini Yisroel Finman, u shpreh në fjalën e tij se “Ju keni një vlerë të madhe, besën që duhet ta promovoni”, ndërkohë që kujtoj fjalën e dhënë nga kryeministri Rama për ndërtimin e Qendrës Hebraike në Tiranë.

Përshëndetje për hapjen e këtij muzeu solli dhe nënkryetarja e bashkisë, Teuta Muçogllava./ KultPlus.com

Rugova: Prishtina brenda vitit bëhet me Muzeun “Ibrahim Kodra”

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, përmes një njoftimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se Prishtina brenda këtij viti do të bëhet me Muzeun që do të mbajë emrin e artistit të njohur “Ibrahim Kodra”.

“Është kënaqësi që sot në 100 vjetorin e lindjes së mjeshtrit të artit Ibrahim Kodra, mund të jap njoftimin në emër të Komunës së Prishtinës se brenda vitit do ta kemi të gatshëm Muzeun Ibrahim Kodra në Prishtinë”, ka shkruar Rugova.

“Brenda javëve e nënshkruajmë marrëveshjen për nisjen e punimeve të Muzeut Ibrahim Kodra në Prishtinë. Tashmë jemi dakorduar me planin edhe me Fondacionin Kodra në Lugano, për bartjen e koleksionit të tyre në ekspozim permanent në Prishtinë”, ka thënë ai.

Ibrahim Kodra (1918-2006) është ndër piktorët më të njohur shqiptar të viteve 50, 60 dhe 70. Kubist dhe post-kubist që ka ekspozuar edhe me Picasson në Paris.

(Në foto piktura me titull “Konformistët”, vaj në pëlhurë, 50 x 60 cm, 1968).

Era e fuqishme hoqi kulmin e muzeut në Malishevë

Si pasojë e erërave të fuqishme në territorin e Komunës së Malishevës, janë shkaktuar disa dëme, sidomos në kulme. Më së keqi e ka pësuar muzeu i qytetit, ku rreth orës 10:10, era e fortë e hequr komplet kulmin e ndërtesës, njofton kumtesa komunale.

Për fat, nuk ka të lënduar, edhe pse në atë moment ka pasur kalimtarë të rastit përreth muzeut.

Të gjitha ekipet e sigurisë dhe të emergjencave, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me eliminimin e këtij dëmi dhe krijimin e sigurisë për qytetarë. Dëmi është i konsiderueshëm. Masa të menjëhershme ka marrë edhe komuna.

Dëme më të vogla mund të shihen edhe në kulmet e ndërtesave tjera në qytet./ KultPlus.com

Heldion Haliti ekspozon pikturat e tij në Muzeun e Kinës

Ngjyrat e ngrohta dhe penelat e freskët në teknikën e akaurelit të piktorit të famshëm shqiptar, Helidon Haliti, janë duke u shfaqur në një ekspozitë në Kinë. Së bashku me një prej akuarelistëve të famshëm kinez, Xiaocheng Li, piktori shqiptar ka ekspozuar punët në Muzeun e Shantosë, një nga më të famshmit në Kinë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 20 shtator.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite, Helidon Haliti shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes dhe theksoi se akuareli është një gjuhë ndërkombëtare. “Unë vizitova qytetin e bukur të Shantosë ku kam takuar artistë të mëdhenj dhe shokë të mirë, duke prekur nga afër në këtë mënyrë një kulturë të madhe. Shpresoj që kjo ekspozitë mund t’i shtojë ngjyra marrëdhënies kulturore dhe shkëmbimit midis dy shteteve. Ndihem shumë i emocionuar. Faleminderit Zhou Tianya dhe Li Xiaocheng për këtë ekspozitë të mrekullueshme. Arti i akuarelit është një gjuhë ndërkombëtare. Faleminderit për mikpritjen dhe organizimin e shkëlqyer. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që do të jeni së shpejti edhe në Shqipëri”, tha Haliti gjatë ceremonisë së hapjes.

Artisti i njohur shqiptar ka ekspozuar punët e tij së bashku me mjeshtrin e akuarelit Li Xiaocheng , i cili është anëtar i Artistëve të Kinës, zëvendës drejtor i Këshillit Artistik të Akuarelit në Guangdong dhe dekani i Akademisë së Akuarelit të Chaoshan. Kjo është një ekspozitë, e cila pas ekspozimit në Kinë do të jetë e hapur në Shqipëri, në kryeqytetin e saj Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar, nga data 20 deri 25 tetor 2017.

Ekspozita do të kurohet nga mjeshtri i madh i akuarelit, Zhou Tainya, i cili është një kurator dhe autor i mirënjohur, botues librash dhe i cili ka organizuar me sukses shumë evente ndërkombëtare në Kinë, duke përfshirë Bienalen Ndërkombëtare të Akuarelit në Shenzhen dhe Sallonin Ndërkombëtar të Akuarelit në Qingdao./ KultPlus.com