Reportazh: Ulqini, perla 2.500 vjeçare e turizmit shqiptar

Era Berisha

Perla e vendosur në bregdetin e Mesdheut ngërthen në vete një kulturë, histori dhe traditë mjaft të veçantë duke filluar nga plazhet mahnitëse, ullinjtë mijëvjeçarë, fushat pjellore, liqenet, lumenjtë, monumentet kulturo-historike, klimën e butë e deri tek ngrohtësia shpirtërore e ulqinakëve që plotësojnë tërësisht këtë destinacion turistik të qytetit të Ulqinit në Mal të Zi, shkruan KultPlus.

Gjëja e parë që tërheq vëmendjen në hyrje të këtij qyteti është peizazhi antik i modernizuar i cili tërheq pas vete një numër të madh të vizitorëve duke i futur ata në magnetin e jashtëzakonshëm të ngjyrave verbuese, gjelbërimit diversiv dhe ujit të kristaltë që frymon në çdo cep të vendit.

Pylli i pishave i cili shtrihet prej plazhit të vogël në një gjatësi prej dy kilometrash shpalos një panoramë gërshetuese mes shkëmbinjve përreth që janë të vendosura buzë detit duke u bërë kështu copëza të pandashme të tij dhe së bashku me pishat të cilat herë të lejojnë të vështrosh pamjen e qetë të detit e herë të tjera të mbështjellin në një hije të domosdoshme duke i’u larguar kështu për pak sekonda rrezeve të diellit të cilat vendosen pingul mbi pamjen e bukur të këtij parku.

Ndërthurja e aromës freskuese të detit dhe zhurmës karakteristike të valëve krijuan një iluzion se edhe natyra gjallërohet në një mbizotërim ndjenjash që derdhen afër brigjeve të detit duke u përplasur me njëra-tjetrën dhe njëkohësisht duke ofruar një qëndisje emocioni të pakrahasueshëm në kujtimet e secilit njeri.

Interpretimi i valëve dinake përhapnin një melodi joshëse për udhëtarët të cilët dëgjonin tingujt tundues që portretizonin një peshë të veçantë të elementeve atraktive dhe jo vetëm. Në këtë shëtitore të bukur është e bashkangjitur edhe ‘’Plazhi i grave’’, me një përmbajtje mjaft të pasur të burimeve sulfurike dhe funksioneve shëndetësore. Pra, këto hapësira rekreative posedojnë një thesar për shpirtin e dashamirëve të heshtjes dhe qetësisë.

Ndërsa pjesa kyçe e qytetit të Ulqinit e titulluar si ‘Kalaja e Ulqinit’ dhe e njohur si ‘Qyteti i vjetër i Ulqinit’, e shtrirë përgjatë bregdetit Adriatik daton qysh nga shekulli V dhe zotëron një mbijetesë unike nga një numër i madh i pushtuesve të cilët kanë ndikuar në shndërrimin e mureve të kësaj kalaje por asnjëherë në vlerat kulturore të cilat nisin qysh nga periudha parahistorike.

Monumentet më të rëndësishme të historisë së Ulqinit si: Kulla e Balshajve, Tregu i Robërve, Pallati, Oborri mbretërorë dhe Kisha-Xhami e Ulqinit janë një pjesë mjaft e njohur për vendasit si dhe turistët ndërkombëtarë. Po ashtu, fragmentet e enëve të vogla dhe të mëdha nga dheu i pjekur mirë, mbeturinat e ornamenteve, elementet dekorative, guroret, sëpatat e tipit shkodrano-dalmatin të epokës së bronzit, mbishkrimet antike, kame antike, kapitele jonike, koleksionet arkeologjike, qeramika nga enët ilire, vajzat greke me figura të kuqe, skulpturat, pikturat, përmendoret e vjetra të cilat janë të shfaqura në Muzeun e Ulqinit i themeluar në vitin 1975, janë vulë e rëndësishme e rrugëtimit drejt urbanizimit.

Këto dëshmi interesante rrethojnë muret e gdhendura të këtij qyteti historik i cili hap dritaret e shumta por të veçanta, nëpërmjet të cilave shihet pamja e detit që depërton në vizualen e ngjyrës së gjelbër dhe të kaltër duke krijuar një skulpturë lëvizëse e cila asnjëherë nuk mund të pikturohet njëlloj nën vëzhgimin e shkëndijave të vogla të dritës që vijnë nga brendësia e syve tonë.

Kurse, gjurma e vazhdueshme që dallohet në çdo anë është edhe vetë Plazhi i Vogël i Ulqinit që njësoj sikurse dallgët e detit përputhet me imazhin piktoresk të një vëllimi të papritur dhe i cili përmban një dominancë bardhësore që vie direkt nga shtëpitë e rregulluara bukur në një arkitekturë që ngjason me atë të ‘Cinque Terre’, në Itali, shtëpi këto që njihen si një varg fshatrash bregdetarë dhe të cilat dallohen për shtëpitë shumëngjyrëshe por që në këtë rast shtëpitë përballë plazhit të vogël janë të vendosura në një vijë çoroditëse dhe ato komandohen nga bardhësia reale e cila ofron pamje gjithëpërfshirëse të detit dhe përfundon në një fantazi hyjnore me takimin abstrakt të pafundësisë së rrjedhës valore dhe ekzistencës së përjetshme të qiellit, të cilat vallëzojnë së bashku herë në një tango pasioni e herë në një vals të ëmbël.

Portet janë të mbushura me anije të ndryshme të cilat mundësojnë një xhiro përmes së cilës mund të adhurohet fluturimi i zogjve të veçantë që shquhen për madhështinë e lirisë absolute e cila dërgon vizitorin në një gjendje të paqes, në një vendngjarje ku shpirti bie të flejë dhe zemra goditet nga bubullima e emocioneve të llojllojshme.

Ndërsa, plazhi kryesor i prodhimit të ullirit në Komunën e Ulqinit është gjiri i Valdanos, i vendosur në bregun e Jugut të Malit të Zi dhe i njohur për bregdetin e tij me guralecë të rrumbullakët. Forma gjysmëhëne e tij përkon me një bukuri të ujit të kristaltë dhe gjelbërimit masiv të pishave stërmadhore që rrënjët e tyre vështirë se vjetërsohen nga dashuria që pikon për këto pjesë natyrore. Prandaj,  duke e parë atë nga lart duket se gjiri izolohet nga njëra anë dhe pothuajse dëshiron të frymojë i vetëm në një vijë bregdetare shkëmbore që dhuron një performancë të lezetshme e cila pason nga lëkundjet e vogla të cilat rrëqethet e shpirtit dhe trupit i zgjon nga balanca stabile.

Pas gjirit të Valdanosit, pak metra më poshtë ndodhet Ullishtja e Valdanosit që konsiderohet si monumenti më i madh i ullinjve në Mal të Zi, ka një vlerë të jashtëzakonshme ekonomike dhe ekologjike. Duke ecur përgjatë këtij vendi dallojmë një rrugë kalldrëmi që këndshëm vie në pah edhe në mesin e 18 mijë pemëve ulliri prej rreth 800 vjetësh dhe drunjëve më të vjetër se dy mijë vjet, të cilët janë të rritura në një zhvillim interesant dhe sjellin një përshtypje se dëshirojnë ti afrohen tokës duke i’u ‘përulur’ me shtrembërimin e veçantë rrotullues dhe të vrazhdë të tyre, me ç’rast kthehen edhe në një burim individual të frymëzimit për krijime artistike apo edhe vetëm për një soditje të momentit.

Si zakonisht në qytetin e Ulqinit, përjetimi i kënaqësisë verore nga të rinjtë ndodh në ‘Bamboo May Fest’, në hotelin Otrant, por që në këtë vit ky organizim është i pamundur për shkak të rrethanave pandemike. Këtë e ka bërë të ditur artisti vendor i njohur si ‘’Mr.Cool’’, në një prononcim për të gjitha mediat kosovare të pranishme.

Prandaj, në vend të këtij festivali i cili organizohet nga Bamboo Bar dhe Hotel Otrant, u zhvillua ‘Vikend i Kënaqësisë’, i cili shënoi fillimin e verës nën muzikën e tingujve dhe melodive shqiptare për të vazhduar me rrymat e ndryshme të cilat pasuan në një natë të çmendur të botës magjike muzikore.

Reflektimi i skenës gjigande boshe dhe dritave rozë po i vinin në pah pemët e vendosura mbi barin e hotelit që ndodhej buzë detit dhe valëve të cilat kryeveprën e tyre e mbyllën në një guacë të vogël për ta zëvendësuar atë me kulminacionin e këngëve që mizorisht po goditnin atmosferën e gjallë që pasonte me kërcime e buzëqeshje të shumta por krejtësisht të shkujdesura nën aromën dhe jehonën e detit.

Po ashtu, përgjatë qëndrimit në qytetin e Ulqinit, si trashëgimi kulturore e këtij vendi janë edhe muzika, hotelet, restorantet, kafenetë dhe diskotekat që përkojnë qytetin dhe të cilat gjatë verës janë gjithmonë të mbushura plot duke kaluar edhe kapacitetin e menduar. Netët e gjata nën shoqërimin e pijeve dhe ushqimeve tradicionale të cilat e karakterizojnë Ulqinin si vend bregdetar dhe mesdhetar janë mjaft të dalluara e sidomos me kulturën mesdhetare diversive. Pra, kuzhina e shëndetshme mediterane ka sjellë një laramani karakteristike mesdhetare.

Kështu, krejt në fund, pas ecjes përgjatë shtigjeve të ngushta në male të thepisura, tufave të kafshëve të cilat tashmë janë të zakonshme në Ulqin, maleve të larta dhe peizazheve të mrekullueshme kemi arritur të përjetojmë një përzierje të kulturës tradicionale dhe moderne që tërheq udhëtarë të shumtë në një ndjenjë të thellë që pasqyron botën e brendshme dhe të jashtme të këtij vendi përmes së cilit përjetohet përplasja melankolike dhe sentimentale e cila shpalos një burim kreativiteti ku misticizmi dhe imagjinata gdhenden si një daltë në kujtimet e çdo kujt.

Perëndimi mbresëlënës i diellit që u përhap afër kufirit të Ulqinit, ka hedhur krahët në një mbizotërim të përhershëm të kujtimeve me pamjen e shkëlqyer të gërshetimit mes ngjyrës së kuqe dhe portokalli, një ndezje e papritur spektakolare e cila vulosi fundin e këtij udhëtimi.

Gjatë qëndrimit në qytetin e Ulqinit, ne patëm rastin të lëvizim nëpër hotele, restorante dhe plazhe të ndryshme si: Hotel Cruzer, Hotel Albatros, Hotel Palata Venezia, Hotel Mediteran, Eneida Apartments, Hotel Platinium, Hotel Lajka, Hotel MonteFila, Hotel Otrant, Hotel Llolla, Restoranti Higo, Taphana, Teuta dhe Barakuda, Plazhi Copacabana dhe Cabo.

Ndërsa, në fund të këtij udhëtimi, kryetari i Komunës së Ulqinit Aleksander Daboviq, në një prononcim për media ka falënderuar dhe uruar mirëseardhjen e gazetarëve, kameramanëve, redaktorëve dhe të pranishmëve nga Kosova.

“Ju jeni mysafirët e parë që vini në Ulqin në një numër kaq të madh pas një viti të vështirë për të gjithë globin. Populli ynë thotë se dita e mirë duket në mëngjes, e nisur nga mysafirë që kanë ardhur gjatë këtyre ditëve duke e llogaritur si një sezon të suksesshme për të gjithë”, thotë Daboviq.

Sipas tij, nuk ka dyshim se Kosova është dhe do të jetë një nga tregjet më të rëndësishme për shkak të lidhjeve vëllazërore, farefisnore, shoqërore e të tjera. Po ashtu, është e ditur se një numër i madh i kosovarëve tashmë janë banorë të Ulqinit, me shtëpitë dhe banesat e tyre, jo vetëm gjatë stinës së verës por edhe gjatë dimrit.

Aktivitet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga ’’Trip to Albania’’, Asociaconi i Gazetarëve të Kosovës dhe Organizata Turistike e Ulqinit, në veçanti drejtori Gëzim Hajdinaga, i cili ishte bashkudhëtar dhe i pranishëm gjatë gjithë kohës të këtij rrugëtimi duke ofruar të dhëna dhe fakte interesante për secilin vend të vizituar.

Qyteti i Ulqinit është një qytet 2500 vjeçar dhe konsiderohet si më i vjetri i Mesdheut, një thesar i Malit të Zi dhe një bërthamë multikulturore që posedon një pasuri të madhe historike dhe natyrore. / KultPlus.com

Pandemia si muze i artistëve

Lee Cartledge, një poçar në veri të qytetit Yorkshire, ka kaluar një kohë të madhe të karantinës duke bërë vazo në formën e virusit COVID-19.

Atij i kishte ardhur kjo ide në shkurt të vitit të kaluar, pasi që pa formën e virusit në lajme. “Vazhdimisht dilnin imazhe të lavdishëm të këtij virusi të përgjakshëm, i cili po kërkonte të bëhej në argjilë, për mendimin tim”, thotë ai.

Cikli i kufizuar i vazove me COVID-19 ka çmim 90 funte dhe 10 funte nga çdo shitje shkojnë për bamirësi për njerëzit e prekur nga pandemia. Deri më tani, Cartledge ka shitur 107 vazo. Mjekët dhe infermierët e kanë blerë atë si një kujtim, thotë ai, dhe një person që humbi një mik të ngushtë nga virusi bleu tre – një për vete, një për të dhuruar në spitalin ku shoku i tij vdiq dhe një për ta marrë me vete në një mbledhje fondesh për turne me motor.

Kjo është pjesë e një vale arti frymëzuar nga pandemia dhe disa prej veprave shiten për mijëra funte. Një galeri arti në internet, “Singulart”, po shfaq koleksione të veprave të frymëzuara nga koronavirusi, me 300 nga artistë pjesëmarrës nga e gjithë bota. Veprat kanë çmime deri në 21 mijë e 190. Bashkëthemeluesi Véra Kempf thotë se ata fillimisht morën 1 mijë e 500 vepra arti të frymëzuara nga koronavirusi të realizuara nga artistët profesionistë.

Robert Süess, një artist zviceran, i cili është paraqitur në këtë faqe, ka prodhuar një seri prej 24 pjesësh, nga të cilat ai ua ka shitur rreth 14 miqve dhe klientëve, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër. Një vepër u shit për 418 funte te një blerës në Arabinë Saudite.

Derisa Cartledge dhe Süess kanë marrë reagime kryesisht pozitive për punën e tyre, disa njerëz kanë reaguar negativisht duke përdorur virusin, i cili ka shkaktuar kaq shumë mjerim dhe vdekje, për përfitime personale.

Süess ka thënë: “Në fillim disa kolegë pyetën pse po bëja art në këtë situatë. Ku qëndron problemi? Unë jam një artist. Nuk mund të bëj ekspozita, nuk mund të jap mësime, gjithçka është e mbyllur. Unë duhet të bëj diçka”.

Cartledge pranon se, po të mendonte prapa ai ndoshta nuk do të kishte bërë vazon COVID-19. “Unë u shqetësova disi me faktin se do të realizoja një version në shkallë më të madhe të virusit që ndoshta do të vriste shumë prej nesh. Dukej një gjë e pamend për të bërë kur Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë u pushtua dhe unë isha ulur duke punuar në argjilë një version të vetë asaj që ne të gjithë po luftonim”. Por ai shton: “Është thjesht art. Ju jeni i detyruar të bëni objekte që pasqyrojnë kohën në të cilën jeni, dhe kjo është ajo që po bëja”.

Banksy, një artist i njohur për artin në rrugë, prodhoi një homazh për Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë duke shfaqur një djalë me pelerinë, duke luajtur me një lodër ku si superhero shfaqet një infermiere. Ai gjithashtu krijoi një vepër në një metro të Londrës që tregon një numër minjsh të veshur me maska ​​dhe me xhel antibakterial.

Edhe fotografët janë frymëzuar nga pandemia. Joanna Vestey ka krijuar një seri portretesh të aktorëve, artistëve dhe shkrimtarëve të njohur të veshur me maska ​​për të mbledhur para për “AT The Bus”, një organizatë bamirësie që mbështet fëmijët dhe të rinjtë.

Naz Syed, një artiste që vepron në Newport, mori fonde nga Këshilli i Arteve të Uellsit dhe ka mbledhur më shumë se 100 vepra të njerëzve të të gjitha moshave në komunitetin e saj. Në fund të marsit, një film digjital i serisë “Lidhjet e Humbura” do të lansohet dhe teatri “Riverfront” do të shfaqë veprat e artit në dritaret e tyre dhe në internet, e në korrik do të ketë një ekspozitë në qendrën “Llantarnam Grange Arts”.

Akademia Mbretërore e Arteve së shpejti do të hapë thirrjen për Ekspozitën Verore 2021. Ekspozita, thirrja më e madhe e artit bashkëkohor në botë, do të përbëhet nga vepra të krijuara gjatë vitit të kaluar, të cilat, sipas një zëdhënësi, ka të ngjarë t’i pasqyrojnë përvojat e artistëve profesionistë dhe amatorë me koronavirusin dhe karantinimin. /theguardian/ KultPlus.com

Muzeumet e Gjirokastrës mirëpresin vizitorët edhe në dimër

Muzeumet në qytetin e Gjirokastrës edhe gjatë stinës së dimrit, po mirëpresin vizitorë vendas dhe të huaj.

Tashmë Muzeu i Armëve, Etnografik apo “Shtëpia Kadare” janë qendra të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit.

Përgjatë vitit 2020 muzeumet u vizituan nga rreth 8 mijë turistë, kryesisht vendas, por edhe nga shtete të ndryshme.

Bashkia Gjirokastër ka në fokusin e saj, rivitalizimin e katër muzeve në shërbim të zhvillimit të turizmit.

“Sistemi i muzeve në Gjirokastër”, projekt i cili po zbatohet së fundmi në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit synon rikonceptimin e katër muzeve, për të qenë koherent me standardet bashkëkohore të zhvillimit turistik.

Ky sistem i ri novativ do të jetë në shërbimin e turistëve duke krijuar lehtësira prej marrjes së informacionit paraprak nga website, deri në përjetimin e eksperiencës së plotë të qytetit të Gjirokastrës, të kulturës dhe historisë të mbrojtur në muze dhe shtigje e rrugë me kalldrëm.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës. /atsh/ KultPlus.com

‘Marubi’, i vetmi muze i fotografisë në Ballkan

Në  mesin e 50 muzeve nga vende si Britania e Madhe, Franca, Holanda etj, Muzeu Kombëtar I Fotografisë “Marubi”, në Shkodër, është vlerësuar si një nga më të rëndësishmit në Evropë.

Ekspertët e muzeologjisë kanë vlerësuar se “Marubi” ka sjellë inovacion, për nga trashëgimia dhe cilësia e ofertës kulturore përgjatë 40 viteve të fundit.

I gjithë Ballkani përfaqësohet me “Marubin” me muzeun e Greqisë dhe atë të Kroacisë, por tashmë objektivi është ngjitja më lart në klasifikim.

Drejt finalizimit është edhe dosja me të cilën muzeu do të kërkojë të regjistrohet si thesar i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Fototeka Kombëtare “Marubi” është i vetmi muze i fotografisë në Shqipëri dhe Ballkan. /tch/ KultPlus.com

Muzeu i famshëm ‘Madame Tussauds’ në Londër ia ndërron stilin Trumpit

Muzeu i njohur i figurave prej dylli, Madame Tussauds në Londër ia ka ndërruar veshjet figurës së Donald Trumpit pas fitores së demokratit Joe Biden.

Muzeu i njohur ia ka kthyer Trumpit rrobat e një golfisti për të reflektuar se tani ai do të ketë shumë kohë të lirë.

Deri të shtunën ai kishte të veshur kostume, po tani do të ketë stilin e një golfisti.

Ai ka zënë një qoshe në pjesën e Liderëve të Botës në muze.

Trumpi njihet si merakli i golfit që prej kohës së zgjedhjes së tij si president në vitin 2016. / KultPlus.com

Ndërtesa e ish-burgut në Prishtinë, së shpejti shndërrohet në muze

Nga sot edhe zyrtarisht nis projekti i shndërrimit të ndërtesës së ish-burgut në Prishtinë në muze.

Si hap të parë, Ministrja Vlora Dumoshi nënshkroi vendimin për formimin e grupit punues që do të hartojë Konceptin për Projektin e Ndërtesës së ish Burgut të Prishtinës me destinim muze, të cilin koncept do t’ia paraqesë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.Grupi punues me vendim të ministres do të ketë këtë përbërje: Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në rolin e kryesueses;Ndërkaq në rolin e anëtarëve:Profesor Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë; Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së; Xhavit Loshaj, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë;Hydajet Hyseni, Kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politik të Kosovës;Meriman Braha, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës;Fikrije Berisha, zyrtare e Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe Dr. Hagji Ademi, Instituti i Historisë dheAjshe Kamberi, MPB.

Ky vendim shënon hapin e parë konkret drejt shndërrimit të objektit të ish Burgut të Prishtinës në muze dhe është një akt i ndërmarrë nga ministrja Dumoshi konform programit të Qeverisë Hoti. Ndërtesa në të ardhmen dotë menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze.

Ministrja Dumoshi tha se ky vendim është marrë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, duke përfshirë edhe aspektin shoqëror dhe historik.

“Shndërrimi i ndërtesës së ish Burgut të Prishtinës me destinim Muze shënon një hap të rëndësishëm për dokumentimin e së kaluarës tonë, krijimin e një hapësire të përshtatshme dhe të nevojshme për të institucionalizuar përjetimet e të burgosurve shqiptarë të Kosovës nën regjimin jugosllav e më pas atë serb. Muzeu i cili do të jetë si rezultat final nga vendimi i sotëm, do të shërbejë si një kujtesë e sakrificës që kanë bërë shqiptarët e Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë”, u shpreh ministrja Dumoshi. / KultPlus.com

Muzeu Louvre përgatitet të rihapet me 6 qershor

Drejtuesit e muzeut të Louvre në Paris deklaruan të premten se ishin duke planifikuar të rihapnin dyert e muzeut më 6 korrik pas hapave të rinj të njoftuar nga kryeministri francez Oudouard Philippe për të lehtësuar bllokimin e vendit nga Covid-19.

Në një deklaratë nga Louvre, i cili është muzeu më i vizituar në Francë, u tha se një rihapje progresive do të thoshte një sistem rezervimi dhe sinjalizim të ri që do të mundësonte “kushte maksimale të sigurisë” për vizitorët përveç vendosjes së maskave dhe rekomandoi masa distancuese sociale. Deklarata erdhi një ditë pasi Kryeministri Philippe njoftoi detaje të fazës së dytë në heqjen graduale të bllokimit të rreptë të koronavirusit të Francës, i cili përfshinte një rihapje mbarëkombëtar të bareve dhe restoranteve nga 2 qershori. Por në Paris, ku rreziku i përhapjes së koronavirusit mbetet më i lartë sesa në pjesën tjetër të kontinentit, vetëm ambjentet e jashtme të institucioneve të ngrënies dhe pirjes mund të rihapen për klientët.

Ministri Francez i Kulturës Franck Riester zhvilloi të tremten një takim me presidentët e institucioneve më të mëdha kulturore dhe pas kësaj u vendos një orar i përkohshëm për rihapjen. Muzeu i Luvrit, kopshtet e Tuileries, “Jardin du Carrousel” dhe Muzeu Kombëtar Eugène Delacroix, të gjithë pjesë e të njëjtit institucion publik, të gjithë po përgatiteshin për një rihapje me faza, theksohej në deklaratë. “Jardin du Carrousel” do të hapet të Shtunën, me 30 maj, ndërsa kopshti Tuileries do të hapet të dielën, me 31 maj. Mbledhjet e njerëzve do të vazhdojnë të kufizohen akoma në grupe në jo më shumë se 10 vetë.

Louvre, i cili kishte 9.6 milion vizitorë vitin e kaluar, u mbyll në mars, vetëm disa ditë para se Franca të hynte në një bllokim të rreptë mbarëkombëtar për të frenuar përhapjen e virusit.  /bota.al /KultPlus.com

Pas 30 vitesh mungesë, krijohet Muzeu i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Përmet

Pas restaurimit të pjesshëm të sallës së Kongresit të Përmetit nga Ministria e Kulturës në mjediset e brendshme të saj, bashkia e Përmetit krijoi Muzeun e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që i ka munguar prej 30 vitesh historisë së Përmetit.

“Lufta antifashiste është pjesë e rëndësishme e historisë së shqiptarëve.  Me këtë luftë shqiptarët u bënë pjesë e aleancës së madhe antifashiste, prandaj vlen të respektohet e t’i jepet vendi që i takon”, thekson bashkia.

Bashkia e Përmetit bën të ditur se “jemi munduar të grumbullojmë e të ekspozojmë gjithçka nga lufta partizane si: foto , dosje ,armë dhe sende të përdorura gjatë luftës. Dosjet e dëshmorëve ekspozohen pas shume vitesh harrese. Ato do të pasurohen në vijimësi me informacione te reja”.

“Besojmë se me këtë muze modest i shtojmë një vlerë turistike Përmetit si dhe një kujtesë historike brezave. Vazhdojmë me Muzeumin Etnografik dhe Arkeologjik si dhe me dhomën e “Artizanëve përmetarë”, tha bashkia./ ATSH/ KultPlus.com

Nisin procedurat që të shpallet muze ish-burgu në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë

Në mbledhjen e 34-të të Qeverisë së Kosovës është vendosur që të nisin procedurat për shpalljen muze të ish-burgut në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë shumë detaje për këtë vendim veçse ka njoftuar që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit obligohet që të zhvillojë procedurat e nevojshme dhe t’ia propozojë Qeverisë themelimin e këtij muzeu.

“Në mbledhjen e sotme, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar edhe vendimin për shprehje të vullnetit dhe interesit që Ndërtesa e ish-burgut në Prishtinë, në rrugën “Luan Haradinaj”, të shpallet muze. Me këtë vendim është obliguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që, në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Ministrinë e Financave dhe Transfereve, dhe në pajtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Ligjin për Institucionet e Kulturës dhe me legjislacionin tjetër në fuqi, të zhvillojë të gjitha procedurat e nevojshme dhe t’i propozojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës themelimin e këtij Muzeu”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

Momenti kur hajduti vodhi pikturën 3 milionë eurosh të Van Gohgut nga muzeu

Pamjet e sigurisë kanë treguar momentin kur një hajdut ka thyer xhamat për të hyrë në muzeun holandez Singer Laren dhe ka vjedhur një pikturë të çmuar të Vincent van Gogh.

Hajduti ka qenë i armatosur dhe mesa duket ka përfituar nga izolimi i vendit, masë e marrë për parandalimin e koronavirusit, raportojnë mediat e huaja.

Ai vodhi “Kopshtin Parsonage në Nuenen në pranverën e 1884” nga Muzeu i Singer Laren në orët e para të 30 marsit, vlera e të cilës është 3 milionë euro.

Në kamera hajduti shihet me pikturën në krahë dhe duke vrapuar.

Askush nuk është arrestuar për vjedhjen e pikturës, e cila ishte marrë hua nga një muze tjetër Holandez, Muzeu Groninger.

Policia nuk ka publikuar videon e plotë kur hajduti u largua nga muzeu për të mbrojtur hetimet e tyre. / KultPlus.com

“Muzeu im”, ftesë për të paraqitur trashëgiminë kulturore familjare

Janë të shumta familjet shqiptare që ruajnë me fanatizëm objekte të trashëgimisë materiale, si veshje popullore, qëndisma, bizhuteri, orendi shtëpiake, vegla pune etj.

Duke u nisur nga ky fakt, Muzeu Historik Kombëtar fton të gjithë zotëruesit që t’i prezantojnë këto objekte tek faqja e institucionit duke u bërë kështu pjesë e projektit “Muzeu im”.

“A keni ndonjë unazë që jua ka lënë pas gjyshi apo gjyshja? Ndonjë vazo të vjetër në shtëpi? Apo çdo objekt tjetër që posedoni dhe vjen nga e shkuara e largët? Kushdo që dëshiron të bëhet pjesë e këtij aktiviteti tërheqës është i ftuar që ta prezantojë objektin e tij duke na dërguar me mesazh ose duke komentuar në këtë postim foto dhe historinë e objektit”, është ftesa që vjen nga Muzeu Historik Kombëtar, në këto ditë vetizolimi prej koronavirusit, për të ndarë me bashkëkombasit historinë e objekteve më të veçanta që kushdo mund të ruajë në shtëpi. /KultPlus.com

Dëshmi antike e përpunimit të anijeve në portin e Durrësit

Në muzeun arkeologjik të Durrësit kohët e fundit është restauruar një enë me përmasa të mëdha krejtësisht e veçantë për transportin detar të verës.

Bashkë me rëndësinë historike të trashëgimisë kulturore “dolium”, siç emërtohet ena në latinisht, dëshmon për herë të parë se në portin e Durrësit 1800 vjet më parë përpunoheshin anije për tregtinë e verës së hapur, që lundronin në itinerarin mes Durrësit dhe porteve të tjerë në Francë, Spanjë dhe Itali.

Grupi i restauratorëve nën drejtimin e arkeologut nënujor Adrian Anastasi, i cili zbuloi reliktin e anijes së mbytur jo shumë larg brigjeve të qytetit, punoi më shumë se një vit, fillimisht për shkripëzimin dhe më pas për konsolidimin e 296 pjesëve të enës, që u gjet e copëtuar nën det.

Anijet e specializuara të këtij lloji për transportin e verës së hapur janë quajtur edhe  “anije çisterna” – tha Dr. Adrian Anastasi për Autoritetin Portual Durrës. Në pjesën qendrore të hambareve të tyre ato kishin të sistemuara enë të përmasave të mëdha, “doli”, me një kapacitet mbajtës prej 2.000 litra secila. Bashkë me to, në pjesët e lira të hambarit, kryesisht në kiç dhe në bash sistemoheshin edhe amfora të zakonshme. Këto tipologji anijesh kërkonin edhe porte të specializuar për ngarkimin dhe shkarkimin e tyre.

“Relikti i zbuluar dëshmon që porti i Dyrrahut i kishte këto struktura përpunuese, pra ishte në kuptimin e plotë një port i rëndësishëm”, -thekson dr. Adrian Anastasi, punonjës shkencor në Institutin e Arkeologjisë. /KultPlus.com

“Nga muzeu komunist në qendër të teknologjisë”, Piramida, projekti i Veliajt jehonë në SHBA

Dikur simboli i një regjimi totalitar shtypës, godinës që i ngjan një piramide në qendër të kryeqytetit shqiptar, Tiranë, është duke iu dhënë një jetë e re si qendër e teknologjisë, shkruan ZDNet, faqja e njohur amerikane e informimit për teknologjinë e biznesit, që botohet nga CBS Interactive dhe ka të paktën 36 milionë klikime në muaj.

”Historia e Piramidës së Tiranës fillon në vitin 1980 kur godina u dizajnua për të kujtuar jetën e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha. Lideri komunist drejtoi vendin nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985 duke futur vendin në një izolim të thellë nga pjesa tjetër e botës. Shumë shpejt, pas vdekjes së tij, një grup arkitektësh, të drejtuar nga vajza e Hoxhës, Pranvera dhe bashkëshorti i saj Klement Kolaneci, dizajnuan strukturën e Piramidës.

Godina u hap në vitin 1988 si muzeu ”Enver Hoxha”. Në atë kohë përshkruhej si struktura më e shtrenjtë e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Megjithatë, qëllimi i saj për të nderuar diktatorin e Shqipërisë pati një jetë të shkurtër. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, Piramida u shndërrua në një qendër kulturore duke nderuar Pjetër Arbnorin, një i mbijetuar nga kampet shqiptare dhe viktimë e regjimit. Gjatë viteve ’90, Piramida u bë gjithashtu pika më e nxehtë në Tiranë për jetën e natës dhe një vend ku të rinjtë shqiptarë mblidheshin dhe luanin gjatë verës.

”Ajo është një godinë ikonike në Tiranë, që më kujton fëmijërinë. Ngjiteshim dhe luanim atje”, thotë Oliana Sula, studiuese në universitetin ”Aleksandër Moisiu” në Durrës. ”Dikur atje kishte disa klube nate gjithashtu, veçanërisht kur isha adoleshente. Ekziston një farë nostalgjie për këtë godinë dhe kjo nuk vjen domosdoshmërish për shkak të qëllimeve të saj origjinale”, vazhdon ajo. Në vitin 2011, qeveria shqiptare, që në atë kohë drejtohej nga ish-kryeministri Sali Berisha, donte ta shkatërronte godinën dhe të ngrinte godinën e re të Parlamentit.

Megjithatë, plani i Berishës dështoi në vitin 2013, kur nuk mori miratimin nga qeveria e re, e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama. Gjatë 11 viteve si kryebashkiak i Tiranës, Rama, që ka gjithashtu një formim në arte, rigjallëroi fasadat e qytet me punime artistike dhe duke pikturuar godinat gri të epokës komuniste. Tani, Rama dhe kryebashkiaku aktual i Tiranës, Erion Veliaj, janë mbështetësit kryesorë të transformimit të Piramidës, që do të shndërrohet në një qendër të teknologjisë dixhitale dhe informatikës. Projekti zbatohet nga kompania me seli në Holandë, MVRDV, që parashikon të përfundojë transformimin e ndërtesës këtë vit. “Projekti ka për qëllim t’ia kthejë ndërtesën publikut. Kati i parë është hapur në të gjitha anët duke ftuar publikun të marrë pjesë në programet e tij të ndryshme arsimore”, thotë kompania në përshkrimin për projektin.

Me funksionin e saj të ri, Piramida gjithashtu mishëron tranzicionin që shoqëria shqiptare ka kaluar që nga rënia e komunizmit. Me zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe arsimit në këtë fushë autoritetet shqiptare janë fokusuar në zhvillimin e vërtetë ekonomik dhe social. “Ndoshta Piramida është një simbol i tranzicionit. Fillimisht, ajo lartësoi një diktator, më pas u shndërrua në një vend për aktivitete gjatë kohës së lire. Tani, po ecim drejt zhvillimit real, ekonomik dhe social”, thotë Sula. Piramida gjithashtu do të ketë një qendër për teknologjitë krijuese (TUMO), e cila do të ofrojë një lloj të ri të arsimit falas për rininë shqiptare bazuar në teknologjinë dhe dizajnin. Sipas TUMO-s, një qendër edukative për median dixhitale me qendër në Armeni, dega e saj në Tiranë synon të ofrojë për mijëra fëmijë shqiptarë kurse dhe leksione në fusha të ndryshme digjitale, si zhvillimi i lojërave dhe web design./kohajone/ KultPlus.com

Restaurohet ikona “Krishti Pantokrator”

Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare, si pjesë e trashëgimisë kulturore e cila tregon dhe njëherë në sytë e turistëve se fetë në Shqipëri jetojnë në harmoni, po merr vëmendje çdo ditë e më shumë.

Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin.

Së fundmi ka filluar procesi i konsolidimit dhe restaurimit të ikonës “Krishti Pantokrator” në laboratorin e restaurimit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

Ikona e shek. XVII me vlera të rralla artistike, ka qenë pjesë e ansamblit të ikonostasit të kishës “Shën Kristofori” në Polenë të Korçës.

Elementët stilistikë që dolën në pah pas restaurimit tregojnë se ikona duhet t’i përkasë shek. XVII. Ajo duhet të jetë punuar në një nga atelietë e rëndësishme të zonës së Korçës./ATSH/KultPlus.com

Tingujt e mzuikës baroke ndëthuren me trashëgiminë kulturore në muzeun Etnografik në Berat

Festivali i Muzikës së Vjetër “Vox Baroque” i cili i kushtohet tërësisht repertorit barok rikthehet në edicionin e 6-të në oborrin e muzeut Etnografik në Berat.

Koncerti “Vox Baroque” vjen për publikun beratas në datat 6 – 15 korrik me repertor tërësisht të kompozitorëve më përfaqësues të barokut europian, luajtur me instrument origjinalë të kohës nga Jonatans Montero, Jung Kim dhe Jusuf Beshiri.

Synimi i këtij festivali është të përhapë muzikën baroke të luajtur me instrumente origjinalë, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe.

I konceptuar të ndikojë njëherësh në zhvillimin rajonal, nëpërmjet edukimit muzikor, por edhe të kthehet në një nxitës të politikave drejt zhvillimit të turizmit kulturor, duke kthyer vëmendjen dhe interesin në disa nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në edicionin e parë, ky festival solli risi në zhanrin e muzikës, duke trajtuar muzikën e vjetër dhe stilin barok në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, konsideruar si qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. /a.a/

Në Muzeun Etnografik të Gjakovës u reflektua mbi “Gjendjen aktuale të muzeve në Kosovë”

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, në Muzeun Etnografik të Gjakovës u mbajt takimi i parë ndërmuzeal ku u reflektua mbi “Gjendjen aktuale të muzeve në Kosovë”.

Roli i muzeve në shoqëri po ndryshon. Muzetë vazhdojnë të reinventojnë veten në kërkimin e tyre për t’u bërë më interaktiv, me fokus në audiencë dhe me orientim nga komuniteti.  Në kuadër të kësaj feste muzetë lokale të Kosovës morën një iniciativë tjetër duke e mbajtur takimin e parë ndërmuzeal në Kosovë që u organizua nga Muzeu Etnografik i Gjakovës së bashku me Muzeun e Qytetit të Mitrovicës, si hapë i parë i  komunikimit të ndërsjellë të kësaj veprimtarie në Kosovë.

Në këtë takim morën pjesë: Muzeu i Pejës, Muzeu i Ferizajit, Muzeu i Vushtrrisë, Muzeu i Istogut, Muzeu i Dragashit, Muzeu i Qytetit të Mitrovicës dhe si nikoqir Muzetë e Gjakovës,  po ashtu këtë iniciativë e përkrahën Muzeu i Prizrenit, Muzeu i Gjilanit, Muzeu i Deçanit dhe Muzeu i Skenderajit.

Pas një përshëndetje mirëseardhjeje nga nikoqiri Drejtori i Muzeut Etnografik të Gjakovës, Besmir Hasi i cili shtoj se “Është pritë një iniciativë e tillë të organizohet nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, ose edhe nga vet Ministria për Kulturë, Rini e Sport e Kosovës, por duke u konfrontuar më vështirësi të ndryshme në veprimtarinë tonë muzeale, e kemi pa të udhës të fillojmë një takim ndërmuzealë si reflektim i gjendjes muzeale të Kosovës si dhe mundësi për të shqyrtuar hapat e mëtutjeshëm të krijimi të një bashkëpunimi më të thuktë e produktiv ndërmuzeal”  Në fjalimin hyrës i përshëndeti të pranishmit edhe bashkorganizatorja Etnologe nga Muzeu i Qyteti të Mitrovicës Nora Prekazi Hoti, e cila elaboroi për  iniciativën e këtij takimi që  filloi kur dy institucionet në fjalë u takuan në Selanik të Greqisë në konferencën e Rrjetit të Muzeve Ballkanik “Meet See Do”  ajo shtoi se “ Ky takim erdhi si nevojë që ti njohim muzetë tona, me shpresë që në takimet në vijim të kemi mundësi për shkëmbim përvojash, për agjenda të përbashkëta si dhe komunikim të ndërsjellët ndërmuzeal”.

Debati u vazhdua për dy orë ku u trajtuan tematika muzeale si vështirësitë e punës, mungesa e ligjit për muze, mungesa e objekteve adekuate për muze, mungesa e stafeve profesionale, mungesa e promocionit si dhe agjendave të përbashkëta muzeale. Po ashtu u elaborua vullneti dhe gatishmëria për të zhvilluar tutje këtë veprimtari si dhe zhvillimin e mëtejmë të lidhjes ndërmuzeale në Kosovë.

Drejtori i Muzeut të Mitrovicës Hajrullah Mustafa shtoi se “Muzetë duhet të trajtohen sipas territori të kompetencave dhe që mund të jenë: Muze Nacional, Regjional dhe Komunal, ai po ashtu sugjeroi se Muzeu i Qytetit të Mitrovicës i cili tanimë feston 67 vjetori e veprimtarisë dhe si muze i dytë me i pasuri në Kosovë,  se ligjërisht nuk do të duhet të trajtohej njëjtë me muzetë e krijuar rishtazi”

Drejtuesi i Muzeut të Ferizajit Ilir Bytyqi “ Sa i përket problematikave të veprimtarisë muzeale, pothuajse të gjithë muzetë prezentë ballafaqohen me sfida të njëjta, Muzeu i Ferizajit është muze i ri, i cili u themelua në vitin 2011. Si muze një ndër sfidat më të mëdha i kemi mungesën e objektit adekuat si dhe mungesa e stafit profesional, promocionin etj. Duhet të shtoi se me sa po e shoh, vullneti i mirë kolegial dhe profesional e mbanë të gjallë veprimtarinë muzeale në Kosovë”.  Si rrjedhë e bisedës u pasua nga Drejtoresha e Muzeut të Vushtrrisë Shkurane Begu që tregoj rreth historikut të themelimit të Muzeut të Vushtrrisë dhe ajo theksoi se “Një ndër sfidat kryesore të muzeve të ri në Kosovë, është mungesa e ligjit që do e specifikonte blerjen e eksponateve, si fokus akut i krijimit të koleksioneve të muzeve të reja, theksoj Begu, duke e pasur parasysh se kemi konkurrencë të me veprimtaritë komerciale si hoteleritë të cilët kanë mundësi të blejë artefakte që u mungojnë muzeve për shkak të mos fondeve”. Kjo iniciativë  u prit me shumë kërshëri nga udhëheqësit muzeal si dhe u pa si takim i domosdoshëm. Nga ky takim dolën disa rekomandime, me ç’rast u përcaktua takimi i radhës që do të mbahet në javën e fundit të shtatorit të viti 2019 në Muzeun e Qyteti të Mitrovicës. Si dhe u pa shumë e  nevojshme të kërkohet takim me Mistrinë për Kulturë, Rini e Sport për ti kumtuar rekomandimet e dala nga ky takim, thuhet në komunikatë / KultPlus.com

Linda Spahiu: Kemi pasurinë më të madhe në Europë për etnografinë, por s’kemi muze

Koleksionistja e kostumeve popullore shqiptare Linda Spahiu e sheh si shqetësim mungesën e një muzeu etnografik në Tiranë. Spahiu thotë se pasuria e kostumeve popullore shqiptare është e jashtëzakonshme, ndaj kjo pasuri ka nevojë të ruhet e transmetohet ndër breza.

Bukuria e kostumeve popullore shqiptare prej vitesh e ka rrëmbyer pediatren Linda Spahiu. Përmes  një mini ekspozite ajo prezantoi disa artefakte të pakonestueshme në muzeun Historik Kombëtar.

Për koleksionisten rikthimi tek rrënjet është po aq i domosdoshëm sa edhe shëndeti. Ruajtja e kësaj trashëgimie të çmuar ndër breza është mision më vete dhe domosdoshmëri për vijimësi.

Mungesa e një muzeu etnografik prej vitesh është një problem i madh sipas saj, pasi as turistët nuk  kanë mundësi që të njihen me këtë pasuri të paçmuar të popullit tonë.

Linda Spahiu rendit si kryeartefaktin me të veçantë xhubletën, e cila daton rreth 4000 mijë vjetë më parë.  Sipas saj  ky artefakt i rrallë duhet të jetë pjesë e trashëgimisë nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Disa prej kostumeve popullore shqiptare u prezantuan për disa orë në Muzeun Historik Kombëtar. /ABC News Albania/KultPlus.com

Shtëpia e Ismail Kadaresë në Tiranë do të kthehet në muze

Muzeu do të prezantojë për publikun vendas e të huaj një pjesë të historisë së Kadaresë apartamenti ku punoi dhe jetoi njeriu i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare shumë shpejt do të hapet si muze për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.

Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni ka restauruar të gjithë apartamentin për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh në Rrugën e Dibrës. Me vendimin e sotëm në Këshillin Bashkiak i hapet rruga kthimit në muze.

“I shërben përveç tërheqjes së sa më shumë turistëve dhe zgjatjes  së qëndrimit të tyre. Ismalili është produkti më i njohur “Made in Albania”. Krijohet një stacion tjetër në Tiranë jo vetëm Sheshi, liqeni, pazairi i ri, kalaja, galeria, tani shtohet edhe Shtëpia Kadare dhe më vjen shumë mirë që disa ditë më pas do kemi mundësi që dhe ta hapim”, tha Veliaj.

Muzeu do të prezantojë për publikun vendës e të huaj një pjesë të historisë dhe kulturës materiale dhe shpirtërore të periudhës totalitare përmes pasqyrimit të mënyrës së jetesës së shkrimtarit. Brenda apartamentit ekspozimi ndahet në mënyrë të qartë midis studios me dokumente origjinale, objekte, libra dhe mobilie dhe pjesës tjetër të banesës, ku merren njohuri për veprën e shkrimtarit dhe përfshihet këndi i leximit dhe ai SAL (suvenire, art dhe libra).

Me hapjen e një destinacioni me interes letrar e kulturor në krah të sheshit “Skënderbej”, bashkia synon të tërheqë tregun ndërkombëtar turistik, krijon një vlerë të shtuar për kryeqytetin, rrit numrin e turistëve si dhe edukon të rinjtë me veprat letrare të autorit me famë ndërkombëtare. Pjesë e projektit të bashkisë është edhe shtëpia e Dritëro Agollit, që gjendet një kat më lart në ndërtesën e famshme të para viteve ’90, të njohur edhe si “pallati me kube” dhe që mbart një histori më vete. /oranews

Hip-hopi me muzeun e vet në New York

Hip-hopi do të ketë muzeun e vet në New York. Lajmin e bëri të ditur reperi amerikan Kurtis Blow, i cili theksoi se do të hapet në Bronx, aty dhe ku lindi ky zhanër muzikor. “Universal Hip-Hop Museum” pritet të hapet në vitin 2023.

“Do të jetë një pjesë fantastike e historisë për këtë kulturë. Pasuria ime do të ketë një seli ku të gjithë mund të vijnë ta shikojnë nga afër”, -tha Blow.

Blow ka qenë i pari reper që pati një sukses komercial dhe i pari që ka firmosur një kontratë diskografike me një kompani ndërkombëtare. “The Breaks”, pjesë e albumit të vitit 1980 “Kurtis Blow”, u bë e para këngë rep e certifikuar me disk të artë në muzikën hip hop.

Rrënjët e hip-hopit mund të jenë në vitin 1973 dhe prej atëherë hip-hop e repi janë një industri miliardere dhe tërësisht të pranuara në kulturën tradicionale, si amerikane dhe në atë botërore. / KultPlus.com

Brenda Muzeut të parë të Jezusit në Izrael

Më shumë se 100 vjet pas hapjes së tij, muzeu “Terra Sancta” është rihapur në Jerusalem, me eksponate të reja dhe moderne, që i rrëfejnë jetën dhe periudhën në të cilën jetoi Jezusi.

Është mbase befasuese që kjo paraqet herën e parë që një Muze izraelit ka ndërmarrë një ekspozitë moderne për jetën në Tokën e Shenjtë, në Jerusalemin e periudhës së Tempullit të dytë, shkruan sot Koha Ditore. Muzeu, që ishte hapur për herë të parë më 1902, ka një vendndodhje fantastike.

Ai është vendosur brenda Kishës Françeskane të Fshikullimit, në cepin lindor të Qytetit të Vjetër, shumë afër Portës së Luanit.Në bazë të traditës së krishterë, ky vend është quajtur ashtu, pasi që thuhet se pikërisht aty ushtarët romakë e kishin fshikulluar Jezusin. Është kjo vendndalja e dytë në Via Dolorosa, shtegun që besohet ta ketë marrë Jezusi derisa po e bartte kryqin në vendin e kryqëzimit të tij./ KultPlus.com

Muzeu Kombëtar “Marubi”, atraksioni më tërheqës për të huajt

Me fillimin e sezonit të verës, turizmi lëviz me hapa shumë më të shpejtë. Kështu, në Shkodër shumë turist nga anë e kënd botës kanë ardhur për të vizituar qytetin dhe për t’u njohur me historinë e tij. Vitet e fundit, forma më e pëlqyer e kësaj njohjeje është nëpërmjet fotografisë.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, i vendosur në qendër të Shkodrës aty ku dikur ishte Banka, është kthyer në atraksionin kryesor për turistët e huaj dhe vendas. Nëpërmjet fotografive, ata shohin se Shqipëria nuk ishte vërtetë aq e prapambetur sa thuhet dhe se në të ekzistonte një kulturë e dëshmuar prej asaj fotografike.

Në ndarje të ndryshme të muzeut ka vajtime çka tregon një kulturë gjamash me baza pagane; ka dasma çka tregon një kulturë dashmash; ka pagëzime, meshë dhe falje të namazit.

Martesë, fotografi nga Gegë Marubi. Mungojnë të dhënat për këtë foto.

Funerali i Ferit Frashërit

Gjithashtu ka edhe familje të fisshme, fisshmëria dhe aristokracia e të cilëve shfaqet në gjithë aparencësn, duke nisur me veshjen, mënyrën e rregullimit të flokëve apo të kapeles e duke përfunduar me mënyrën se si i qëndrojnë, plot elegancë.

Lin Luka me grua, ditën e dasmës… Sikruse shihet, burri është në këmbë, ndërsa gruaja, ulur. Diçka e rrallë për kohën…

Edhe fotografitë e objekteve të dikurshme dëshmojnë për një arkitekturë unike të qytetit të Shkodrës, me ndikime të forta nga ajo italiane dhe austro – hungareze.

Katedralja e Shën Shtjefnit “në profil”.

Marubët qenë ato që ndoqën çdo ngjarje historike, prandaj fotografitë e tyre tregojnë pavarësinë, monarkinë, ardhjen e nazizmit, fashizmit, komunizmit dhe manifestimet e tyre.

Festime me rastin e Shpalljes së Pavarësisë, Shkodër.

Leximi i dekretit të shpalljes së Monarkisë në ballkonin e prefekturës së Shkodrës.

Dhe të huajt, në këtë muze, me anë të fotove që mbushin muret e tij njihen shumë mirë me gjithçka duan të dinë e të njohin për Shkodrën dhe Shqipërinë./KultPlus.com

Muzeu arkeologjik i Durrësit magjeps turistët e huaj

Muzeu arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, gjatë muajve janar-qershor të këtij viti është vizituar nga 5386 turistë vendas e të huaj.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve sidomos atyre të huaj, ku në 6 muajt e parë të vitit është vizituar nga 2414 të huaj dhe 936 nga vendi.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bën të ditur për ATSH-në se “vizitorët e huaj kanë qenë nga shtete të ndryshme si USA, Gjermania, Anglia, Polonia, Suedia, Franca, Italia, Kina, etj”.

“Falë një bashkëpunim të ngushtë me agjencitë turistike vendase dhe të huaja, kemi bërë të mundur mirë koordinimin për një mbarëvajtje sa më të mirë të vizitës në objektet e trashëgimisë kulturore të Durrësit”, shprehet DRKK, Durrës.

Guidës së qytetit të Durrësit këtë vit i është shtuar dhe monumenti Banka Kombëtare Tregtare (Durrës), si dhe është dërguar për propozim për shpallje monument kulture Katedralja e Shën Luçisë në qytetin e Durrësit.

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë, përcjell ata.

Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani.

Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë.

Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit tonë. Një shembull për tu admiruar.

Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.

Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës. / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës së shpejti hapë Muzeun Ibrahim Kodra

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Fonacionin “Ibrahim Kodra”, me qëllim të themelimit, zhvillimit dhe promovimit të muzeut të artistit Ibrahim Kodra.

“Komuna do të angazhohet për ta kthyer objektin e ish-Bibliotekës Hivzi Sulejmani në hapësirë kulturore për shfrytëzim si ekspozitë afatgjatë e koleksionit të artistit në fjalë. Do të bëhet projektimi dhe do të kryhen punimet e nevojshme ashtu që objekti të jetë i përshtatshëm për nevoja të muzeut. Gjithashtu, Komuna do të caktojë kryesuesin e bordit nismëtar për themelimin e muzeut (bord që do të ketë edhe nga 2 anëtarë nga të dyja palët), si dhe do të ndihmojnë organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike”, thuhet në njoftim.

Fondacioni “Ibrahim Kodra” do t’i ofrojë për shfrytëzim pikturat origjinale të autorit për 30 vite, me mundësi vazhdimi, si dhe do të krijojë program edukativ për artin figurativ për fëmijët dhe të rinjtë të cilin do ta ketë në dispozicion muzeu.

Palët në këtë memorandum janë pajtuar që muzeu “Ibrahim Kodra” të menaxhohet nga Muzeu i Prishtinës./ KultPlus.com

Berati me një muze të ri për kujtesën e hebrenjve, hapet muzeu “Solomoni”

Erjola Azizolli

Qyteti me vlera i Beratit që prej ditës së sotme ka një institucion të ri kulture, një muze që sjell në vëmendje një memorie shekullore të bashkëjetesës, bashkëpunimit dhe solidaritetit mes beratasve dhe komunitetit hebre në këtë qytet. Studiuesi beratas, Simon Vrusho nëpërmjet fotove, dokumenteve, evidentimit të familjeve beratase, sjellë për herë të parë për publikun dhe vizitorët një muze që rrëfen një hapësirë kohore 500 vjeçare, nga viti 1520, kur në këtë qytet u vendosën 25 familjet e para hebreje që përbënin një lagje të quajtur “Mëhalla e Çifutëve”.

I hapur nga studiuesi Vrusho në rrugën që të çon për në Kalanë e qytetit, muzeu nëpërmjet fotove, dokumenteve të kohës ndalet tek shpëtimi dhe strehimi i mbi 600 hebrenjëve në kohën e Holokausit.

Ditën e sotme drejtues institucionesh vendore, pasardhës të familjeve që strehuan hebrenjtë, mësues dhe nxënës shkollash ishin pjesë e hapjes zyrtare të kësaj foto galerie muzeu me përmbajtje hebraike, ku ishte prezent dhe Rabini i Shqipërisë Yisorel Finman, drejtor Ekzekutiv i Rabinatit të Shqipërisë.

“Ky Muze, i pari i llojit të vet, është i pari në Berat dhe në hapësirën mbarëshqiptare që evokon praninë hebraike 500-vjeçare, me fokus të veçantë Luftën II Botërore, Kohën e Holokaustit, kur në Berat u strehuan dhe u shpëtuan mbi 600 hebrenj, një pasaportë bese dhe humanizmi shqiptar, me të cilën i kemi të hapura të gjitha rrugët e ndjeshmërisë njerëzore, duke qenë në harmoni me njeriun dhe Zotin”, tha në fjalën e tij studiuesi Vrusho.

Ndërsa, duke e konsideruar si mjaft të rëndësishëm kontributin e familjeve beratase në shpëtimin e Hebrenjëve, Rabini Yisroel Finman, u shpreh në fjalën e tij se “Ju keni një vlerë të madhe, besën që duhet ta promovoni”, ndërkohë që kujtoj fjalën e dhënë nga kryeministri Rama për ndërtimin e Qendrës Hebraike në Tiranë.

Përshëndetje për hapjen e këtij muzeu solli dhe nënkryetarja e bashkisë, Teuta Muçogllava./ KultPlus.com