Presidentja Osmani në Luksemburg: E domosdoshme përballja me drejtësinë e grupeve kriminale që e sulmuan Policinë, KFOR-in dhe EULEX-in

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, shkruan KultPlus.

Në këtë takim temë e diskutimit ishte edhe situata aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor të Kosovës nga ana e Serbisë. 

Presidentja Osmani në takimin e saj me kryeministrin Bettel ka thënë se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se sfidat do t`i tejkalojë me partnerë dhe aleatë.

“Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në veri, Presidentja Osmani ka theksuar se është e domosdoshme përballja më drejtësinë e grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia, të cilat e sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Më tej thuhet gjithashtu se Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e shtimit të angazhimit të ndërmjetësuesit të dialogut, Bashkimit Evropian, drejt zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura sivjet në Bruksel dhe Ohër.

Presidentja e falënderoi kryeministrin Bettel për mbështetjen zhvillimore ofruar Kosovës, sikurse për liberalizimin e vizave. Njëkohësisht, Presidentja Osmani shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes në rrugën evropiane të Kosovës./KultPlus.com

Presidentja i reagon Ramës për anulimin e mbledhjes: Eshtë detyrim kombëtar të punojmë bashkë edhe kur kemi sfida

Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media është pyetur për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahet sot në Gjakovë.

Ajo tha se është detyrim kombëtar që Kosova e Shqipëria të bëhen bashkë kur kanë sfida.

“Sa i përket mbledhjes së dy qeverive, kjo është çështje mes dy qeverive, besoj se mund t’i merrni përgjigjet më konkrete prej tyre se pse ka ardhur deri te kjo. Jam e bindur se Kosova e Shqipëria do të ulen bashkë, duhet të ulen bashkë. Jo vetëm që e kemi detyrim si dy vende që janë fqinj, por si dy motra. Është detyrim kombëtar që të punojmë me njëra-tjetrën edhe kur nuk kemi sfida, por sidomos kur kemi sfida”, tha presidentja Osmani. / Express / KultPlus.com

Fjalimi i plotë i presidentes Osmani në Parlamentin Evropian: Kosova është Evropë, dhe të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian

Liri, Pavarësi, Demokraci

Freedom, Independence, Democracy

Liberté, Indépendance, Démocratie

E nderuar Presidente Metsola,

Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian,

Këto tri fjalë të fuqishme, nuk ishin vetëm fjalë të shqiptuara me pasion dhe në vazhdimësi nga Ati themeltar i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Këto në fakt kanë qenë vizion i popullit të Kosovës.

Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet.

Kosova sot është e lirë.

Kosova sot është e pavarur.

Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë.

25 vjet më parë, këtu në Strasburg, lideri ynë vizionar, Presidenti Rugova u nderua me çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian. Atë ditë ai u prezantua nga Presidenti i atëhershëm i Parlamentit si “një njeri që është zëri i popullit të tij, një popull zëri i të cilit rrallë mund të dëgjohet”.

Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union (Bashkimi Evropian) i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur.

Në mes të luftës, teksa tanket hynin në vendlindjen time në Mitrovicë, unë isha vetëm 15 vjeçe në atë kohë dhe mbaj mend se si ai moment, ai fjalim, na dha aq shumë shpresë. Më në fund po dëgjoheshim. Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht.

Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem Presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë.

Ndërsa Presidenti Rugova po e përmbyllte fjalimin e tij, ai përmendi fjalën e urtë të vjetër shqiptare, duke thënë: “Shtëpia nuk mbahet pa miq”. Kjo ishte e vërtetë për ne gjatë viteve ’90, por është po aq e vërtetë edhe sot, ndërsa ne kërkojmë të forcojmë aleancat tona dhe një ditë t’ju bashkohemi këtu në këtë familje kombesh.

Sot jam këtu për të shprehur mirënjohjen më të thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen tuaj të palëkundur dhe në këtë moment kritik, t’ju bëj thirrje që të qëndroni të palëkundur pranë nesh. Jo vetëm se jemi pjesë e familjes së kombeve që formojnë kontinentin tonë, por sepse vlerat që përfaqëson ky Union janë pjesë themelore e historisë sonë. Vlerat evropiane janë thurur thellë brenda indeve të shoqërisë sonë.

Ne, populli i Kosovës, kemi ecur krah për krah me institucionet evropiane, të lidhur nga një trashëgimi e pasur. Ne vazhdojmë të ecim krah për krah ndërsa luftojmë për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta. Dhe ne do të qëndrojmë krah për krah gjersa e udhëheqim kontinentin tonë drejt arritjes së një Evrope të bashkuar, të lirë dhe në paqe.

Sot, unë qëndroj para jush jo vetëm si Presidente e një populli të përbetuar evropian dhe e një vendi të orientuar kah BE-ja, por edhe si Presidentja e evropianëve më të rinj. Vendi ynë është vatër e energjisë së pashterrur, talentit të jashtëzakonshëm dhe entuziazmit të zjarrtë evropian.

Kosova është Evropë, dhe të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian. Republika jonë e re lindi nën ritmin dhe tingujt e Evropës. Kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, në mungesë të himnit shtetëor, himni evropian jehoi në institucionet, sheshet dhe rrugët e vendit tim.

Ashtu si shpirti i patrembur i një Republike të sapolindur, himni “Ode of Joy” rezononte me ndjenjat që mbartnim në zemrat dhe shpirtrat tanë, duke adhuruar dhe përqafuar idealet e lirisë, paqes dhe solidaritetit. Të vendosur për t’iu bashkuar familjes evropiane të kombeve dhe të frymëzuar nga Bashkimi Evropian, gjetëm prehë dhe unitet në gjuhën universale të muzikës.

Ky akt shkoi përtej simbolizmit; ishte deklarata jonë për botën se Bashkimi Evropian ishte destinacioni ynë i drejtë dhe një thirrje për institucionet evropiane që të përqafojnë aspiratat tona të palëkundura.

Në moshën 15 vjeçare, Republika e Kosovës mbetet vendi më pro BE-së në rajon dhe më gjerë. Mbi 90% e njerëzve tanë shprehin dëshirën e tyre të pakompromis për t’iu bashkuar këtyre institucioneve, që përmbledhë orientimin tonë strategjik historik.

I gdhendur edhe në kushtetutën tonë, integrimi euroatlantik mbetet destinacioni ynë i parë dhe i vetëm. Integrimi euroatlantik nuk është vetëm ambicie e jona; jam e bindur se së shpejti do të jetë e ardhmja jonë.

Vlerat evropiane dhe fryma e BE-së janë të ngulitura thellë në ADN-në tonë. Janë këto vlera që formësuan të kaluarën tonë, që e frymëzojnë të tashmen dhe na udhëheqin drejt një të ardhmeje ku Kosova lulëzon si fener i idealeve evropiane.

Zonja dhe zoterinj,

Të nderuar anëtarë të Parlamentit Evropian,

Republika e Kosovës qëndron si testament i qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe shpirtit të palëkundur të qytetarëve të saj, të luftës sonë çlirimtare, si dhe mbështetjes së aleatëve dhe partnerëve, siç është ky institucion i rëndësishëm.

Vetë ekzistenca e vendit tonë dëshmon se çfarë mund të arrijnë demokracitë kur qëndrojnë në krah të të shtypurve; kur qëndrojnë pranë atyre që luftojnë për drejtësi dhe barazi dhe kur të gjithë së bashku qëndrojmë kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit.

Kur qëndrojmë së bashku si evropianë, liria triumfon, demokracitë forcohen, barazia vihet në jetë, prosperiteti rritet dhe aleanca të pathyeshme krijohen. Jam e bindur se i njëjti unitet dhe vendosmëria për të ardhmen euroatlantike do të vazhdojë ta udhëheqë Ukrainën deri në fitore.

Në kohë pasigurishë dhe trazirash të mëdha në Evropë, veprimet që ne ndërmarrim tani – së bashku – do ta përcaktojnë të ardhmen tonë në mënyra thelbësore. Mbase më e rëndësishme do të jetë mënyra se si ne përgjigjemi sesa vetë sfida.

Sfidat morale si ajo me të cilën përballemi sot në tokën evropiane, me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, nuk duhet të kenë nevojë për debate të gjata filozofike apo politike, sepse përgjigja duhet të jetë e mënjëhershme dhe e qartë. Nuk ka rrugë gjysmake drejt demokracisë dhe lirisë. Nuk duhet të ketë zonë gri në qëndrimet tona ndaj autokracive dhe tiranive.

Uniteti evropian deri më tani ka qenë i paprecedentë dhe ndoshta historik, por ne duhet të shkojmë një hap më tej për të siguruar fitoren e Ukrainës dhe një paqe të drejtë. Ky moment, pikërisht tani, kërkon që liderët e Evropës dhe të botës të bashkohen, të imagjinojnë një botë më premtuese dhe të marrin vendime edhe më të guximshme. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Do të duhet guxim, vizion dhe më e rëndësishmja, një bashkëpunim edhe më i madh. Pa marrë parasysh se a flasim për kombe të mëdha apo të vogla, neve duhet të na bashkojnë vlerat në të cilat besojmë. Çdo vend, secili prej jush, secili prej nesh, mund dhe duhet të luajë një rol.

Fjalët ‘kurrë më’ nuk ishin vetëm një moto për popullin e Kosovës. Këto fjalë nuk duhet të jenë thjesht një sllogan për askënd. Por vetëm dy dekada më vonë, ne edhe një herë jemi dëshmitarë të një shkatërrimi të plotë në tokën evropiane ndërsa Putini zhvillon luftën e tij të paligjshme dhe të pamëshirshme.

Populli i Kosovës nuk ka nevojë ta imagjinojë dhimbjen dhe vuajtjen e Ukrainës, ne tashmë e kemi përjetuar atë.

Ne nuk kemi nevojë ta imagjinojmë humbjen e tyre, sepse edhe sot e kësaj dite zemrat tona gjakosin për miqtë dhe anëtarët e familjes që humbëm gjatë luftës, shumë prej të cilëve ende janë të zhdukur me dhunë.

Ne nuk kemi nevojë ta imagjinojmë pikëllimin dhe zhgënjimin e tyre përballë padrejtësive të rënda sepse e ndjejmë edhe ne.

Pra, kur ne, populli i Kosovës themi se ne qëndrojmë me Ukrainën, ne jo vetëm që e themi, por ne e ndjejmë me çdo qelizë të qenies sonë. 24 shkurti 2022 ishte një ditë e zezë për Evropën dhe një ditë e paimagjinueshme dhe e dhimbshme për popullin e Ukrainës. Për ne, ishte një kujtim i rijetuar. Një gjë që shpresonim të mos e përjetojmë kurrë më.

Në ditët tona më të errëta, ju qëndruat pranë nesh. Sot, ndërsa qëndrojmë krah për krah me Ukrainën, bashkërisht po forcojmë vetë themelet e Evropës. Kjo është dëshmi e unitetit tonë të palëkundur, solidaritetit tonë të pathyeshëm dhe përkushtimit tonë të qartë për paqen dhe demokracinë. I detyrohemi Ukrainës, i detyrohemi Evropës – kjo është koha jonë për të dëshmuar unitet, solidaritet dhe mbështetje të cilën ju ia dhuruat me dashamirësi popullit tim në kohën kur ne kishim nevojë. Kosova mund të jetë një vend i vogël, por ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që duhet për të mbështetur miqtë tanë ukrainas.

Ne ishim vendi i parë në rajon që vendosëm sanksione ndaj Rusisë dhe vazhdimisht kemi kërkuar mënyra efektive dhe përmbajtësore se si të ndihmojmë: nga trajnimi i ukrainasve në fushën e deminimit, në mënyrë që të sigurohemi që të shpëtojmë sa më shumë jetë nga gjurmët e tmerrshme të luftës që Rusia po lë pas, deri tek puna për të mbështetur të mbijetuarat e dhunës seksuale, si dhe themelimi i një programi të dedikuar për të mbështetur gazetarët ukrainas që të vazhdojnë të raportojnë të vërtetën. Jemi gati të bëjmë edhe më shumë.

Zonja Presidente,

Të nderuar anëtarë të Parlamentit Evropian,

Të dashur miq,

Gjatë gjithë historisë sonë, ne jemi përballur me sfida të panumërta dhe kemi tejkaluar situata të pakapërcyeshme për të qëndruar me krenari si një shtet i pavarur. Në të vërtetë, vetë rrugëtimi ynë drejt lirisë, pavarësisë dhe lufta jonë për vetëvendosje, rezonon me vetë themelin mbi të cilin u ndërtua Bashkimi Evropian – një Union i ndërtuar mbi parimet e paqes, demokracisë, të drejtave të njeriut, si dhe njohjës së sovranitetit të njëri tjetrit. Po kështu, edhe mbi parimet e rëndësishme të drejtësisë tranzicionale dhe të ballafaqimit me të kaluarën.

Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, njerëzit dhe institucionet e Kosovës kanë nisur një rrugëtim të jashtëzakonshëm të transformimit, rritjes dhe prosperitetit të vazhdueshëm. Ne kemi punuar pa u ndalur për të forcuar institucionet tona, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të konsoliduar demokracinë tonë.

Popullsia jonë e re dhe dinamike, së bashku me një fuqi punëtore të mirëarsimuar, jo vetëm që e bën vendin tonë një nga vendet më vibrante në Evropë, por gjithashtu formon një bazë solide për rritje të qëndrueshme dhe prosperitet.

Sundimi i ligjit qëndron si themel i çdo demokracie funksionale dhe angazhimi ynë ndaj drejtësisë është i palëkundur. Ne mbetemi të vendosur në angazhimin tonë për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe për të rritur transparencën, si dhe jemi absolutisht të vendosur në përpjekjet tona për të siguruar që drejtësia të vihet në vend dhe që të gjithë individët, pavarësisht nga pozicioni apo ndikimi i tyre, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.

Si një popull që ka përjetuar mizori të dorës së parë dhe shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut, ne kemi dalë më të fortë, më të qëndrueshëm dhe thellësisht të përkushtuar ndaj kauzës së drejtësisë. Sot, ne nuk flasim vetëm për të drejtat e njeriut, ne veprojmë sipas tyre. Ne qëndrojmë si kampionë të palëkundur, të vendosur për të mbrojtur dhe promovuar këto të drejta për çdo qytetar të Republikës sonë të re, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare apo përkatësi tjetër.

Në këtë frymë të gjithëpërfshirjes, u bëj thirrje të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtat e avancuara që ua garanton Kushtetuta e Kosovës. Republika e Kosovës është shtëpia juaj. Dhe ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t’u siguruar që ju të ndiheni të përfshirë, të barabartë dhe të dëgjuar.

Ndërtimi i një shoqërie gjithnjë e më diverse mbetet angazhimi ynë i përditshëm. Këto përpjekje qëndrojnë në themelet e kushtetutës sonë, e cila është një nga kushtetutat më progresive në tokën evropiane.

Por, përpjekjet tona në këtë drejtim do të ishin të kota nëse nuk do të përqendroheshin gjithashtu në avancimin e barazisë gjinore dhe promovimin e fuqizimit të grave në të gjitha sferat e jetës. Bindja dhe angazhimi im i përhershëm, e sidomos prej se jam në krye të Zyrës së Presidentes është të krijoj mundësi të barabarta për vajzat dhe gratë dhe ta transformoj Kosovën një vend më të barabartë dhe më të mirë për të gjithë. Të pandalshme në luftën e tyre për të ndjekur drejtësinë, të vendosura për të krijuar një të ardhme më të mirë për të gjithë, të vendosura në angazhimin e tyre për t’i udhëhequr shoqëritë tona drejt lartësive të reja dhe të përkushtuara për të thyer tavanet e qelqit historikisht këmbëngulëse, vajzat dhe gratë e Kosovës, janë një përkujtues e fortë dhe një motivimi i përditshëm për të mos u ndalur kurrë së luftuari për atë që është e drejtë.

Dhe, ndërsa navigojmë në këto kohë të trazuara dhe nëpër kapituj modernë të historisë së karakterizuar nga paqartësi të mëdha, duhet të mos harrojmë rolin përcaktues të grave në proceset e paqes dhe sigurisë. Duhet të kujtojmë se paqja e qëndrueshme kërkon gjithëpërfshirje dhe se paqja dhe siguria lulëzojnë në themelet e demokracive gjithëpërfshirëse.

Të dashur anëtarë të këtij institucioni të nderuar,

Historinë e Kosovës e dini të gjithë. Disa prej jush e kanë vizituar, disa e kanë studiuar, disa prej jush kanë luajtur rol në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Por historia e vërtetë e Kosovës, siç them gjithmonë, është historia e njerëzve të saj.

Një vend dhe një demokraci nuk është më e fortë për shkak të ndonjë individi apo lideri, apo ndonjë reforme të caktuar. Forca e një vendi vjen nga forca kolektive e popullit të tij.

Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot.

Me mua sot është një delegacion që është përfaqësimi i vërtetë i Republikës sonë të dashur – përfaqëson historinë e saj të rëndë dhe sfiduese, si dhe frymën e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe vendosmërisë që është një premtim për një të ardhme më të mirë.

Sot me mua është Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo ishte vetëm 16 vjeçe, kur forcat e Millosheviqit e hoqën nga krahët e nënës së saj në shtëpinë e saj për ta çuar në një vend që do të shënonte momentin më të errët dhe orën më të errët të jetës së saj. Atë ditë, ajo u mbajt nën kërcënimin e armëve dhe u përdhunua. Dhe më pas, u përdhunua përsëri.

Por ishte Vasfija ajo që e kuptoi se plagët thellohen në heshtje. Kështu që ajo e ngriti zërin. Ajo e ngriti zërin për drejtësi dhe kundër stigmës dhe arriti të mbledhë një popull të tërë pas vetes. Ajo jo vetëm që ia kushtoi jetën drejtësisë, por sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë.

Ajo është një heroinë e vërtetë e gjallë, do të thoni. Dhe, nuk mund të pajtohesha më shumë. Por, atëherë më duhet t’ju them se ne jemi të rrethuar nga heroina të panumërta në baza të përditshme në vendin tim, përfshirë Fahrije Hotin. Ajo vjen nga fshati Krushë, ku pothuajse të gjithë burrat u vranë gjatë luftës, duke përfshirë edhe shumë të zhdukur me dhunë. Në mesin e tyre edhe sot e kësaj dite është edhe bashkëshorti i Fahrijes.

E mbetur vetëm, e pandihmë dhe në kërkim të bashkëshortit të saj të dashur, Fahrija mund të kishte zgjedhur të dorëzohej, por ajo zgjodhi të luftonte. Ajo e ktheu pikëllimin në motivim; ajo e ktheu dhimbjen në vendosmëri. Sot, Fahrije Hoti zotëron Kooperativa Krusha, një vend fuqizimi që nisi zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e grave përmes angazhimit të tyre aktiv në fuqinë punëtore në një fshat në Kosovë. Por, më e rëndësishmja, Kooperativa Krusha u kthye në një vend shprese, duke eksportuar tashmë ajvarin e saj të famshëm dhe produkte të tjera në të gjithë Evropën.

Veprimet e saj jo vetëm që shpëtuan jetën e qindra grave në fshatin e saj, por historia e saj frymëzoi edhe filmin debutues të regjisores sonë brilante Blerta Basholli, filmi ‘Hive’. Blerta, e cila është poashtu sot me mua, në vitin 2021 në festivalin Sundanc u bë artistja e preferuar e të gjitha kohërave. Filmi që përshkruan me mjeshtëri jetën e Fahrijes dhe grave të Krushës së Madhe, u bë filmi i parë që fitoi të tre çmimet kryesore në një nga garat më të njohura kinematografike botërore. Ajo ka përshkruar në mënyrë të përsosur se si pjesët më të errëta të historisë mund të shndërrohen në një burim të përjetshëm të qëndrueshmërisë, forcës dhe shpresës për të ardhmen.

Dhe teksa flas për një të ardhme më të mirë, nuk mund të mos mendoj për Hana Qerimin, e cila po më shoqëron në këtë vizitë. Ajo është bashkëthemeluese e Digital School dhe StarLabs, të cilat filluan si dy kompani të vogla në kryeqytetin tonë Prishtinë, fillimisht me vetëm dy punonjës – atë dhe bashkëshortin e saj. Sot, startup-et e tyre janë rritur e shndërruar në marka globale me 500 vendndodhje në mbarë botën. Si shumë biznese të tjera në këtë sektor, ata po e bëjnë Kosovën lider në rajon si qendër teknologjike.

Ndërsa suksesi i kompanisë filloi të kapërcejë kufijtë dhe oqeanet, Hanës i është dashur të kapërcejë sfida pothuajse të pamundura gjatë rrugës. Për shkak të proceseve të vështira dhe burokratike, ajo shpesh do të humbiste mundësinë të gëzonte suksesin e saj e po kështu do të humbiste mundësinë e saj të ardhshme për zhvillimin e biznesit, pasi vizat e saj të lëshuara nga BE-ja do t’i skadonin para se të mund të udhëtonte. Ajo duhej të aplikonte dhe riaplikonte disa herë në vit.

Jeni ju, ky Parlament, që prej vitesh luftoni bashkë me ne për kauzën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Dua të falënderoj secilin prej jush për mbështetjen tuaj të zëshme dhe për votën më të fundit përmes së cilës i dhatë Hanës dhe të rinjve të tjerë të shkëlqyer dhe ambiciozë në vendin tim mundësinë për të lulëzuar ashtu si bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë Bashkimin Evropian.

Jam e sigurt që, si të gjithë ne, do të jeni të lumtur të mos dëgjoni më kurrë fjalët liberalizimi i vizave dhe Kosovë në të njëjtën fjali.

Në të vërtetë, historitë e këtyre njerëzve janë mishërimi i asaj që ne e quajmë qëndrueshmëri. Ata përqafuan të kaluarën dhe e kthyen atë në një forcë shtytëse për të ndihmuar vendin dhe shoqërinë tonë të lulëzojë. Por, duke e bërë këtë, ata gjithmonë kujtojnë rëndësinë e kthimit të së mirës me të mirë. Kjo është mënyra jonë modeste për t’u thënë ‘faleminderit’ aleatëve dhe miqve tanë që na qëndruan pranë në kohët më të errëta dhe na mbështetën gjatë gjithë rrugës teksa po e rindërtonim vendin.

Egzon Syla, nga kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit në FSK e di më së miri se çfarë do të thotë të kesh mundësi ta kthesh të mirën me të mirë. Egzoni, i cili është me mua sot, ka udhëhequr ekipin në përpjekjet e shpëtimit nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqi. Sot, një 2-vjeçare si dhe shumë të tjerë janë ende gjallë për shkak të Egzonit dhe ekipit të tij. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre tregon shpirtin e vërtetë të popullit të Kosovës: atë që nuk dorëzohet kurrë dhe që jep gjithmonë.

Ndërsa flas për rëndësinë e kthimit, shikoj Liudmyla-n. Liudmyla Makei ishte gazetarja e parë ukrainase që u prit në Kosovë si pjesë e Programit të Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë të nisur nga institucionet tona në mbështetje të kauzës së tyre për të mbrojtur të vërtetën.

Kur mbërriti për herë të parë, Liudmyla tha se zgjodhi Kosovën si destinacion sepse donte ta shihte me sytë e saj jetën në një vend të pasluftës. Ajo e dinte se populli i Kosovës do ta kuptonte më së miri për shkak të përvojave tona të përbashkëta. Por, populli im e njeh edhe ndjenjën e pakrahasueshme të lirisë dhe paqes. Dhe, shpresoj se populli i Ukrainës së shpejti do t’i përjetojë këto ndjenja ndërsa e fiton luftën ndaj agresionit të Rusisë.

Kur e përjeton shkatërrimin e plotë, fitorja është e çmuar, paqja është qenësore, jeta është e shtrenjtë dhe mundësitë që të ofrohen shfrytëzohen në maksimum. Kjo ndoshta shpjegon përse si pjesëmarrëse dy herë në olimpiada verore, xhudistet tona – Majlinda, Distria dhe Nora – na kanë kanë nderuar me privilegjin e pashoq të së qenurit një vend me 3 medalje të arta; ose ndoshta pse Dua Lipa dhe Rita Ora janë jo vetëm emra të njohur në Kosovë; por edhe në mbarë botën që kryesojnë top listat muzikore botërore; ose pse futbollistët e jashtëzakonshëm kosovarë, burra dhe gra, shkëlqejnë si lojtarë të shquar për shumë nga klubet dhe ekipet kombëtare në vendet tuaja; dhe pse matematikanët tanë të rinj dhe shkencëtarë të tjerë të rinj të shkëlqyer vazhdojnë të na bëjnë krenarë me sukseset e tyre në mbarë botën.

Sa herë që njerëzve tanë u jepen mundësi të barabarta, ne jo vetëm që i tejkalojmë pritshmëritë, ne bëjmë histori dhe vendosim rekorde botërore. Mos harroni këtë, të nderuar deputetë të këtij parlamenti: ne nuk jemi vetëm një vend i atyre që besojnë, ne jemi një vend i atyre që edhe e arrijnë suksesin.

Dhe të gjithë anëtarëve të delegacionit tim, dua t’u them faleminderit. Faleminderit për atë që jeni dhe që e keni bërë Kosovën një vend më të mirë secilën ditë e më shumë. Një vend më të mirë për njerëzit e saj, një vend më të mirë për miqtë tanë, një aleat dhe partner më të mirë për të gjithë.

Për shkak të këtyre individëve të jashtëzakonshëm dhe shumë të tjerëve në vendin tim kam besim se një ditë do të jemi pjesë e këtyre institucioneve.

Sot këtu është edhe një delegacion nga Lugina e Preshevës. Atyre dua t’u them: ne do të qëndrojmë me ju! Ju nuk jeni vetëm! Ju nuk jeni vetëm gjersa ballafaqoheni me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, siç është njohur nga ky Parlament me rezolutën e fundit.

Të nderuar deputetë,

Përkundër mungesës së drejtësisë dhe vuajtjeve të mëdha ndër vite, Republika e Kosovës dhe populli i saj vazhdojnë të shikojnë nga e ardhmja – e ardhmja evropiane. Ne ua kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithë fqinjëve tanë dhe këtë e kemi bërë në masë të madhe sepse njerëzit tanë meritojnë një të ardhme më të ndritur, që do të thotë gjithashtu bashkëpunim më të fortë brenda rajonit tonë.

Dhe për aq sa na takon neve, mund të them me besim të plotë se njerëzit dhe institucionet e Kosovës duan paqe të bazuar në drejtësi dhe stabilitet. Paqe të qëndrueshme duke e pas drejtësinë në themel të saj dhe stabilitet të përqëndruar në respektim të sovranitetit, integritetit territorial dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Por sigurisht, në këtë proces, ne kemi nevojë për një lidership të fortë evropian – i cila dëshmohet kaq shpesh në këtë Parlament – në çdo institucion. Kjo do të kërkojë një udhërrëfyes proaktiv, të besueshëm dhe të drejtpërdrejtë drejt së ardhmes së rajonit tonë në familjen evropiane.

Përparimi ynë në rrugëtimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të shërbente si një katalizator për paqen dhe pajtimin në një rajon ku forcat keqdashëse, siç kanë bërë historikisht, vazhdojnë të mbjellin përçarje.

Edhe pse vendi im përballet me sfida të vazhdueshme të sigurisë, jam i sigurt se e vetmja mënyrë për t’i kapërcyer ato është përmes partneriteteve dhe aleancave.

Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por këto vlera në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, rrezikojnë të zbehen.

Mungesa e integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në BE përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur nga kërcënimet dhe aktorët keqdashës. Integrimi i rajonit tonë nuk është vetëm i një rëndësie të madhe, por është edhe i një rëndësie strategjike.

Jam e sigurt se të gjithë do të pajtoheni se anëtarësimi i Sllovenisë dhe Kroacisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së, nuk e dobësoi atë. Anëtarësimi i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë.

Unë e di se për shumë prej jush, siç e thotë një shprehje, unë tashmë po u predikoj të konvertuarve. Por, Parlamenti Evropian, si organ vërtet demokratik i këtyre institucioneve, si mbrojtës i vullnetit të evropianëve në të gjithë këtë Union, jam e bindur se do të vazhdojë të ketë një rol jetik drejt nxitjes së integrimit tonë.

Kosova nuk është një vend i largët. Është pjesë integrale e Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është thjesht një “lagje”, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse vitin e kaluar aplikuam për anëtarësim në BE dhe shpresojmë që institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së do ta mbështesin aplikimin tonë.

Ne llogarisim në lidershipin dhe vendosmërinë që tregon kaq shpesh ky Parlament. Dhe në këmbim, dua t’ju siguroj se durimi ynë nuk do të shuhet. Nuk do të largohemi kurrë nga rruga jonë euroatlantike. Ne kurrë nuk kemi parë në ndonjë drejtim tjetër dhe as nuk do ta bëjmë kurrë.

Ka ardhur koha që Kosova të bëjë hapa domethënës përpara në rrugën e saj drejt BE-së. Udhëtimi ynë është shënuar nga sakrifica, vendosmëria dhe një besim i palëkundur në vlerat që lidhin kombet tona së bashku.

Është koha për vendime të guximshme, jo për masa gjysmake, në aspektin e integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu pranë jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje, sepse një Evropë e tërë, e lirë dhe në paqe është e mundur vetëm kur jemi të gjithë këtu, në këtë Parlament, si të barabartë, duke promovuar dhe mbrojtur Evropën kolektivisht.

Ne i njohim sfidat që na presin në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Por Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë t’i bie rrugës së shkurtër. Ne besojmë në një proces të bazuar në merita, për vendet që me të vërtetë respektojnë dhe veprojnë sipas asaj që përfaqëson BE-ja. Sepse, ne nuk mund të kemi unitet evropian, pa vlera evropiane.

Ne nuk mund të kemi paqe, stabilitet dhe prosperitet, pa anëtarë që janë të gatshëm t’i promovojnë këto vlera brenda vendeve të tyre dhe t’i mbrojnë ato kolektivisht kur ato sulmohen.

Ne jemi të gatshëm t’i bashkojmë forcat me ju, për të kontribuar për një Evropë më të fortë, më të begatë dhe të bashkuar.

Na lejoni të kemi mundësinë të shfaqim atë që kemi arritur; na lejoni të kemi mundësinë të begatojmë jetën e qytetarëve tanë ndërsa ndërmarrim reforma në rrugëtimin tonë drejt BE-së; na lejoni të japim edhe ne kontributin tonë për anëtarët e kësaj familjeje kombesh e cila na ka dhënë kaq shumë.

Le ta shfrytëzojmë të gjithë së bashku këtë mundësi historike dhe duke e bërë këtë, të riafirmojmë përkushtimin për një Bashkimi Evropian të drejtë, të barabartë dhe solidar. Vendi i merituar i Kosovës në familjen e BE-së jo vetëm që do t’i fuqizoj qytetarët tanë, por gjithashtu do të forcojë vetë themelet mbi të cilat u ndërtua Bashkimi Evropian dhe do të forcojë kontinentin tonë përmes unitetit gjithnjë e më të madh.

E nderuara Presidente Metsola,

Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian,

Të dashur miq të Kosovës,

Fjalimin tim sot e nisa me Presidentin Rugova dhe dua ta përfundoj me një tjetër fitues të çmimit Saharov nga Kosova, Adem Demaçin, i cili kaloi gati 3 dekada të jetës së tij në burg për shkak të luftës së tij për një Kosovë të lirë ku respektohen të drejtat e njeriut, për të gjithë. Duke folur me rastin e marrjes së çmimit në vitin 1991, ai tha: “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqedashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të mëdha”.

Sot, zonja Presidente, të nderuar deputetë, dua t’ju falënderoj që më keni dhënë nderin e madh të jem zëri i popullit të Kosovës para këtij institucioni të çmuar.

Shpresoj që kjo seancë plenare të ketë shërbyer si një takim mendjesh, një ribashkim miqsh dhe një testament për atë që ne përpiqemi të bëhemi. Ndërsa synojmë për një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë, nuk duhet të harrojmë kurrë se nga kemi ardhur. Duhet të kujtojmë gjithmonë se si arritëm këtu dhe kush na qëndroi pranë në kohë gëzimi dhe pikëllimi.

Zgjodha të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të tashmen tonë dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë.

Zgjodha të flas për vlerat e BE-së, sepse janë këto vlera që shërbejnë si busullë morale e jona dhe na udhëheqin ne dhe njerëzit tanë drejt majave më të larta të arritjeve njerëzore.

Unë kam folur sot se sa shumë ndajmë me BE-në – si Kosova ashtu edhe Ukraina – sepse dy vendet tona, pavarësisht distancës, ndajnë një histori pikëllimi në tokën e përbashkët evropiane, por një të ardhme me potencial dhe mundësi të mëdha në familjen e përbashkët evropiane.

Asgjë nuk e ilustron këtë më fuqishëm sesa ngjyrat e përbashkëta të flamujve tanë – e kaltërta dhe e verdha. Dy ngjyra që tregojnë një histori.

Qielli blu dhe dielli i verdhë.

Së bashku, këto ngjyra përfaqësojnë shpresën për një agim të ri.

Për Ukrainën dhe për Kosovën, ai agim i ri është një paqe e drejtë dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Për Evropën, është forca e shtuar nga aleancat e reja dhe uniteti.

E kaltra dhe e verdha, ngjyrat e Kosovës, ngjyrat e Ukrainës, ngjyrat e Evropës, ngjyrat e lirisë.

Faleminderit./ KultPlus.com

EP Plenary session – Formal Sitting – Address by Vjosa OSMANI-SADRIU, President of Kosovo

Presidentja Osmani me figura emblematike në Parlamentin Evropian, mes tyre edhe Vasfije Krasniqi, Fahrije Hoti e Blerta Basholli

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian ka rrëfyer historinë e Kosovës nëpërmjet fateve personale të: Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit, Blerta Bashollit, Egzon Sylës, Hana Qerimit dhe gazetares ukrainase Liudmyla Makei, të cilët janë pjesë e delegacionit të Presidentes në këtë adresim.

“Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian ka rrëfyer historinë e Kosovës nëpërmjet fateve personale të: Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit, Blerta Bashollit, Egzon Sylës, Hana Qerimit dhe gazetares ukrainase Liudmyla Makei, të cilët janë pjesë e delegacionit të Presidentes në këtë adresim.

“Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot”, ka theksuar Presidentja Osmani. Gjatë prezantimit të delegacionit, Presidentja Osmani, spikati të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës nëpërmjet rrëfimeve jetësore të anëtarëve të delegacionit.

“Ky është përfaqësimi i vërtetë i Republikës sonë të dashur – që përfaqëson historinë e trishtë dhe sfiduese të Kosovës, si dhe frymën e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe vendosmërisë që është një premtim për një të ardhme më të madhe”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani. Presientja Osmani tha se Vasfije Krasniqi Goodman ishte ajo që e kuptoi se plagët thellohen në heshtje.

“Sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, tha ndër të tjera Presidentja Osmani. Më tej, në adresimin e saj, Presidentja Osmani shpalosi edhe fatin jetësor të znj.Fahrie Hoti.

“Ajo e ktheu pikëllimin në motivim, ajo e ktheu dhimbjen në vendosmëri”, shtoi presidentja Osmani. Veprimet e saj, sipas Presidentes Osmani, jo vetëm që shpëtuan jetën e qindra grave në fshatin e saj, por historia e saj frymëzoi edhe filmin “Zgjoi”, të regjisores Blerta Basholli.

Duke folur për një të ardhme më të mirë, Presidentja veçoi rrëfimin e suksesshëm të Hana Qerimit, bashkëthemeluese e Digital School dhe StarLabs, dy kompani, të cilat janë etabluar në tregun evropian me punën që bëhet në Kosovë. Historitë e këtyre njerëzve, sipas Presidentes Osmani janë mishërimi i qëndrueshmërisë.

Në këtë kontekst, Presidentja përmendi angazhimin e Egzon Sylës, nga kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit në FSK, i cili ka udhëhequr ekipin në përpjekjet e shpëtimit nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqi. “Sot, një 2-vjeçar si dhe të tjerë janë ende gjallë për shkak të Egzonit dhe ekipit të tij. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre tregon shpirtin e vërtetë të popullit të Kosovës: atë që nuk dorëzohet kurrë dhe që jep gjithmonë”, tha Presidentja Osmani.

Në fjalimin e saj, Presidentja prezantoi edhe rrëfimin e Liudmyla-n. Liudmyla Makei, gazetarja e parë ukrainase që u prit në Kosovë si pjesë e Programit të Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë të nisur nga institucionet kosovare në mbështetje të kauzës së tyre për të mbrojtur të vërtetën. “Populli im e njeh edhe ndjenjën e pakrahasueshme të lirisë dhe paqes. Dhe, shpresoj se populli i Ukrainës së shpejti do t’i përjetojë këto ndjenja ndërsa e fiton luftën ndaj agresionit të Rusisë”, ka thesuar ndër të tjera Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Osmani: Lidhja e Prizrenit thirrje për bashkim kombëtar kur po rrezikohej ekzistenca e kombit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit ka thënë se kjo lidhje ishte thirrje për bashkim kombëtar atëherë kur po rrezikohej ekzistenca e kombit shqiptar.

“Lidhja e Prizrenit ishte thirrje për zgjim e bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi të lashtë. Ajo e shprehu qartë qëndrimin e shqiptarëve për shtet të pavarur. Tregoi vetëdije të lartë politike e shtetërore dhe u shndërrua në platformë të fuqishme nacionale”, ka thënë Osmani në manifestimin qendror të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Lidhja e Prizrenit, sipas Osmanit, i bashkoi shqiptarët e katër vilajeteve të atëhershme dhe i artikuloi kumbueshëm qëndrimet politike të komit shqiptar në një moment të rëndë të historisë sonë, ndërkohë që tokat shqiptareve rrezikoheshin të copëtoheshin në mes fqinjësh ballkanik si pasojë e Traktatit të Shën Stefanit dhe atij të Berlinit.

Osmani tha se kjo lidhje ka shërbyer si model për projektet e tjera kombëtare, njofton Klankosova.tv

“Ka shërbyer si model i përhershëm nga ku janë frymëzuar intelektualë, patriotë, dijetarëh e politikanë ku kanë vijuar projekte të tjera përbashkuese të tipit nacional kulturor si ai i viteve 90 për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, vetëdija që e kishte krijuar kjo lidhje janë shndërruar në premisa të përhershme që shërbejnë si burmë frymëzimi./KultPlus.com

Osmani shtrëngon duart me Zelenskyn: Askush nuk e kupton dhimbjen tuaj më mirë se ne

Presidentja Vjosa Osmani po merr pjesë në samitin e dytë të Komunitetit Politik Europian në Moldavi.

Derisa u realizua fotografia familjare e liderëve pjesëmarrës, presidentja Osmani shtrëngoi duart dhe shkëmbeu disa biseda me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili po ashtu është duke marrë pjesë në këtë samit.

Për këtë takim të shkurtë që pati, Osmani ka shkruar edhe në Twitter.

“Në kohërat kur është e rëndësishme se ku qëndroni, unë i shpreha solidaritetin tonë të plotë Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Askush nuk e kupton dhimbjen, luftën dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës më mirë se populli i Kosovës. Asgjë nuk mund të pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë”.

Presidentja Osmani në Podgoricë takon të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit së saj në Mal të Zi, pasi mori pjesë në inaugurimin presidentit të ri të këtij shteti, z.Jakov Milatović, ka takuar edhe  të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan KultPlus.

Në njoftimin e presidencës thuhet se  në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon, me fokus të veçantë për zbatimin  e marrëveshjeve me Serbinë të arritura në Bruksel dhe Ohër.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova përbën palë konstruktive dhe ka potencuar se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë, ndërkohë që duhen parandaluar përpjekjet e Serbisë për ta minuar zbatimin e tyre.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, si tërësi dhe pa parakushte të cilat synojnë përqendrimin vetëm në një nen apo në një pjesë të marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Në njoftim gjithashtu thuhet se Presidentja Osmani ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe garancën e tyre që i gjithë procesi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në funksion të ruajtjes se funksionalitetit të shtetit dhe përshpejtimit të integrimit ndërkombëtar të vendit tonë./KultPlus.com

Presidentja Osmani në konferencën e Germin: Mërgata jonë është katalizator i ndryshimit pozitiv në Kosovë (VIDEO)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në hapjen zyrtare të konferencës “Diaspora flet” të organizuar nga Germin adresoi pjesëmarrësit në një fjalim rasti ku ndër të tjera theksoi se mërgata jonë është dëshmi e vlerave që na karakterizon si shtet.

Vjosa Osmani në prezantimin e saj ka përmendë edhe përfaqësimin e denjë të sportistëve tanë nëpër botë, sikurse edhe të yjeve botërore: Dua Lipa e Rita Ora.

Ngjarja vazhdoi me një seri fjalimesh kryesore që patën në fokus tematika të rëndësishme që prekin mërgatën dhe vendet amë, nga: Joshua Mike, Drejtor i Zyrës për Rritje Ekonomike të USAID; Anila Hyka-Smørgrav, Bashkë-kryetare e Bordit të GERMIN; Avni Mustafaj, Bashkë-kryetar i Bordit të GERMIN dhe Mike Bailey, Ekspert Ndërkombëtar për Angazhimi e Diasporës nga Izraeli.

Ndërkohë, kjo konferencë është hapë nga Kori i Fëmijëvë “Okarina”, të udhëhequr nga Elikona Hysaj Shala, e cila bashkë me fëmijët ka prezantuar disa pika muzikore.

Kjo konferencë që filloi të enjeten, punimet është duke i vazhduar edhe sot, sikurse që do të prezantojë shumë folës edhe gjatë ditës së shtunë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Meja është plaga jonë e përhershme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka kujtuar masakrën e Mejës.

“Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:

Sot kujtojmë njërën ndër masakrat më të tmerrshme të regjimit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës, atë të Mejës, në të cilën 376 burra të moshës 15 deri në 75 vjeç, 36 nga të cilët nën 18-vjeç, u ekzekutuan nga polica dhe ushtria serbe. Meja është plaga jonë e përhershme, por edhe gurë që duhet të peshojë rëndë në ndërgjegjen e regjimit serb, të djeshmit, i cili në mënyrë të planifikuar i ndau e i vrau bijtë tanë, i fshehu ose i zhduku përjetësisht kufomat e tyre, sikur edhe i këtij të sotmit, i cili vazhdon të jetojë mbi krimet e kryera nga shteti i tyre, pa e vrarë ndërgjegjen dhe pa u kërkuar falje viktimave. Prandaj, e themi zëshëm, këtu e përditë: të vrarët e Mejës janë viktima të gjenocidit serb të kryer në Kosovë. Ky gjenocid duhet të njihet me emrin e vërtetë. Meja është dëshmia e pamohueshme e një synimi të tmerrshëm të një shteti për vrasjen kolektive të një populli, por edhe thirrja e përhershme e jona për ta artikuluar kumbueshëm thirrjen tonë për drejtësi. Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës. / KultPlus.com

Presidentja Osmani uron festën e Fitër Bajramit: Le të shërbejë kjo festë për t`u ofruar me njëri-tjetrin

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka uruar Festën e Fitër Bajramit me mesazhin për t’u afruar me njëri tjetrin, dhe për të mbështetur njerëzit tjerë që janë në nevojë, shkruan Kult Plus.

“Uroj që Fitër Bajrami të kalojë në atmosferë  dashurie, shprese, solidariteti e humanizmi.

Kjo festë që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor, një trashëgimi e jona e bartur ndër  breza.

Le të shërbejë kjo ditë feste për t`u ofruar me njëri-tjetrin, sikurse edhe për t`i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë.”, thuhet në urimin e Presidentes Osmani./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Liberalizimi i vizave është meritë e popullit të Kosovës

Përmes një seance plenare, Parlamenti Evropian ka miratuar sot vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Për këtë vendim ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila është shprehur se ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme.

Postimi i plotë i presidentes Osmani:

Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme.

Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha.  / KultPlus.com

24 vjet nga masakra, Osmani bën homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të bëjë homazhe në kompleksin memorial në Poklek dhe në Çikatovë të Vjetër, Komuna e Drenasit, më 24 vjetorin e masakrës në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër.

E para e vendit, fillimisht do të bëj homazhe në kompleksin memorial në Poklek, e më pas do të vizitojë edhe shtëpinë e familjes Muçolli, në Poklek.

Qëndrimi i saj në këtë fshat është paralajmëruar për në ora 11:00.

Ndërsa më pas, në ora 12:00, presidentja Osmani bën homazhe në kompleksin memorial në Çikatovë të Vjetër, në Komunën e Drenasit.

​24 vjet nga Masakra e Poklekut dhe Çikatovë të Vjetër

Sot bëhen 24 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu do të bëjë sot homazhe në kompleksin memorial në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.

Vetëm në fshatin Poklek i Vjetër, ushtria barbare serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 53 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Sipas dëshmitarëve të shumtë, masakra e Poklekut ka patur këtë rrjedhë:

-Me 17 prill, diku rreth orës pesë të mëngjesit, familjet Muqolli, Caraku e Elshani, janë nisur të shkojnë prej Poklekut të Vjetër për në Drenas, ku ishte e tubuar dhe po mbahej peng popullata e fshatrave përreth Drenasit. Diku 1,5 Km larg fshatit, ka ardhur një picgauer me policë serb dhe i ka urdhëruar ata të kthehen nëpër shtëpia. Ata janë kthyer sepse janë kërcënuar, madje përanash është gjuajtur edhe me armë. Kur familjarët janë kthyer nëpër shtëpi, aty kanë ardhur, dy policë me shirita të zi në kokë. Në oborr e kanë vrarë qenin, pastaj e kanë thirrur Sinanin jashtë dhe me të kanë folur diç në gjuhën serbe. Pas kësaj këta dy policë kanë shkuar në oborrin e shkollës së fshatit, tek policët e tjerë që ndodheshin atje.

Në ndërkohë Sinani është kthyer dhe u ka treguar familjeve se atë e kanë pyetur, “a ka këtu terroristë “?Në këtë gjendje ankthi e terrori, familjarët janë mbajtur tërë ditën deri rreth orës 17 e 30, atëherë ka ardhur njëri nga ata policët dhe në dhomën e shtëpisë së Sinanit, ku kanë qenë të grumbulluar të gjitha familjet, fëmijë, gra e pleq, polici e ka hedhur një bombë e cila nuk ka eksploduar. Pas kësaj polici ka hedhur edhe bombën tjetër, e cila ka rënë dhe ka eksploduar në prehrin e Miradije Rifat Muqollit (55).

Menjëherë pas kësaj polici ka zbrazur mbi të gjithë ata që kanë qëlluar në dhomë, shtatë karikator të automatikut. Krimineli që kishte kryer masakrën, kishte hyrë në dhomë dhe me këmbë i kishte rrotulluar kufomat, se mos rastësisht dikush kishte mbetur i gjallë. Në ndërkohë, Elhemja e plagosur ka kërcyer nga dritarja e dhomës së masakrës dhe ka ikur. Pas dy orë e gjysmë të masakrës ka ikur edhe Lumnija me vajzën e vogël katër vjeçe, duke lënë të plagosur lehtë Eminen me Fatosin e vogël dy vjeçar.

Më vonë sakoja e Emines është gjetur në bunarin e shtëpisë. Pas tri orësh, që kur është kryer masakra, policia është kthyer dhe e ka djegur dhomën me të gjitha kufomat që ishin në të. Natën e dytë të masakrës, kemi shkuar në shtëpi dhe aty kemi gjetur eshtrat e të masakruarve, kur kemi shkuar një ditë më vonë, më nuk kemi mundur të shohim as eshtra njerëzish. Tashmë nuk ishte djegur vetëm dhoma e koridori, por e tërë shtëpia.

Lista e plotë e masakrës në Poklekut të Vjetër më 17 prill 1999

1.Sinan Rexhep Muqolli (52), Poklek i Vjetër

2.Elheme Rifat Muqolli (50), Poklek i Vjetër

3.Emine Sinan Muqolli (22), Poklek i Vjetër

4.Elife Sinan Muqolli (18), Poklek i Vjetër

5.Sherife Sinan Muqolli (17), Poklek i Vjetër

6.Hafije Sinan Muqolli (10), Poklek i Vjetër

7.Feride Selman Muqolli (33), Poklek i Vjetër

8.Shehide Fadil Muqolli (13), Poklek i Vjetër

9.Naser Fadil Muqolli (12), Poklek i Vjetër

10.. Ylber Fadil Muqolli (10), Poklek i Vjetër

11.. Egzon Fadil Muqolli (4), Poklek i Vjetër

12.. Hyle Selman Muqolli (22), Poklek i Vjetër

13.. Florentina Qamil Muqolli (3), Poklek i Vjetër

14.. Lirie Qamil Muqolli (gjashtëmuajshe), Poklek i Vjetër

15.. Mehreme Muqolli (58), Poklek i Vjetër

16.. Bahrije Halil Muqolli (24), Poklek i Vjetër

17.. Naime Halil Muqolli (22), Poklek i Vjetër

18.. Hidajete Nebih Muqolli (33), Poklek i Vjetër

19.. Menduhie Liman Muqolli (11), Poklek i Vjetër

20.. Mirsad Liman Muqolli ( Poklek i Vjetër

21.. Mergim Liman Muqolli (5), Poklek i Vjetër

22.. Bahtije Halil Caraku (34), nga Dobrosheci

23.. Besart Ejup Caraku (13), nga Dobrosheci

24.. Hasan Ejup Caraku (12), nga Dobrosheci

25.. Kunata e Bahtije Halil Carakut- nuk i dihet emri (45),

26.. Miradije Rifat Muqolli (55), Poklek i Vjetër

27.. Zarife Rrahman Muqolli (23), Poklek i Vjetër

28.. Arife Rrahman Muqolli (20), Poklek i Vjetër

29.. Florije Salih Muqolli (23), Poklek i Vjetër

30.. Eronita Xhavit Muqolli (4), Poklek i Vjetër

31.. Fatos Xhavit Muqolli (1,5), Poklek i Vjetër

32.. Shemsije Muqolli (42), Poklek i Vjetër

33.. Vezire Ilmi Muqolli (20), Poklek i Vjetër

34.. Fatmire Ilmi Muqolli (17), Poklek i Vjetër

35.. Rexhep Ilmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër

36.. Agron Ilmi Muqolli (10), Poklek i Vjetër

37.. Albulena Ilmi Muqolli (5), Poklek i Vjetër

38.. Nexhmije Ramadan Muqolli (25), Poklek i Vjetër

39.. Hasime Ramadan Muqolli (37), Poklek i Vjetër

40.. Avdullah Fehmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër

41.. Shehrije Xhemail Muqolli (27), Poklek i Vjetër

42.. Vahide Mehdi Muqolli (4), Poklek i Vjetër

43.. Dy djem të Mehdiut, njëri 10 muj, Tjetri dy vjeçar, Poklek i Vjetër

44.. Ymer Elshani (55), Poklek i Vjetër

45.. Nafije Elshani (50), Poklek i Vjetër

46.. Shukrije Elshani (37), dhe katër djemët e Ymer Elshanit, prej 22 vjeç e më të rinjë

47.. Kimete Fadil Muqolli (20), Poklek i Vjetër

48.. Lindita Skender Hoxha (25), nga Korrotica e Epërme

(…)

Të zhdukur konsiderohen edhe tre persona

1.Halim Kluna (75),

2.Nëna e Ymer Elshanit (75). / Express / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Ruajtja e identitetit arbëresh ka rëndësi jetike për kombin shqiptar (FOTO)

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka thënë se i identiteti kulturor e gjuhësor arbëresh, është pjesë e çmueshme e identitetit dhe e kulturës shqiptare, shkruan KultPlus.

Këto fjalë, Presidentja Osmani i ka thënë gjatë qëndrimit të saj në Itali, ku në komunat arbëreshe Çift dhe Frasnitë u shënua ‘Festa e Valleve’ që i përketë traditave shekullore të këtij vendi.

Osmani më tutje ka thënë se ruajtja e identitetit arbëresh është me rëndësi jetike për vendin tonë./KultPlus.com

Imazhe nga takimi i Presidentes Osmani me arbëreshët e Italisë

Presidentja Vjosa Osmani, po qëndron në një vizitë në Kalabri, me ftesë të arbëreshëve të Italisë, shkruan KultPlus.

Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani e pranoi çmimin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe mori pjesë në inaugurimin e sheshit “Kosova”.

Në një ceremoni të veçantë, të organizuar sot në komunën arbëreshe të Italisë, Frasnitë, Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, iu nda çmimi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, nga kryetari i kësaj komune, z. Angelo Catapano.

Ndërsa, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj kryetarit Catapano dhe komunës së Frasnitës për çmimin dhe kujdesin e vazhdueshëm për ruajtjen dhe kultivimin e lidhjeve kulturore me hapësirat shqiptare. Ajo e vlerësoi atë si çmim që u ndahet përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar./KultPlus.com

Dy vite si presidente, Osmani: I vetmi udhërrëfyes në çdo punë timen është vullneti qytetar

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot shënon dyvjetorin që nga marrja e detyrës si e para e shtetit. Kjo ndodhi pasi më datë 2 prill të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës me një seancë të jashtëzakonshme zgjodhi presidente, Vjosa Osmanin, me 71 vota për, përcjell KultPlus.

Në këtë dy vjetor, presidentja Osmani është shprehur se i vetmi udhërrëfyes në çdo punë e veprim të sajin është vullneti qytetar dhe interesi i Republikës së Kosovës.

“Dy vite si Presidente e juaja!
Si gjithnjë, i vetmi udhërrëfyes në çdo punë e veprim timin është vullneti qytetar dhe interesi i Republikës së Kosovës.
Kështu do të jetë deri në fund të mandatit!
Faleminderit përjetësisht për besimin!”, shkruan Osmani. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Vjenë flet për momentumin e ri për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani flet sot për momentumin e ri të integrimit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe për zhvillimet e fundit në vend, rajon dhe Evropë, në një ligjeratë dhe bashkëbisedim të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës (Shkolla e Vjenës për Studime Ndërkombëtare), Instituti Austriak për Politikat Evropiane dhe të Sigurisë, si dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri.

Paneli fillon në orën 18:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në këtë link: https://www.youtube.com/watch?v=_yli0s3P5A8. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Samitin e Dytë për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Samitin e Dytë për Demokraci, të organizuar sot virtualisht nga Shtëpia e Bardhë.

Në një seancë plenare, e cila do të zhvillohet në orën 15:00, Presidentja Osmani do të jetë folëse krahas liderëve botërorë: presidenti të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson, kryeministres së Islandës, Katrín Jakobsdóttir, presidenti të Kolumbisë, Gustavo Petro, si dhe krerëve të  shtetesh e qeverive nga Zambia dhe Bahamas.

Samiti për Demokraci do të hapet nga Presidenti Joe Biden në orën 12:00 dhe do të bashkojë vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.

Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.

Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë “Vitit të Veprimit”, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit./ KultPlus.com

Kurti: Në Izbicë të Skenderajt, përkujtuam të vrarët në një nga masakrat më të mëdha gjatë luftës në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani kanë përkujtuar të vrarët në Izbicë të Skenderajt, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës ka ndarë më ndjekësit e tij edhe pamje nga kjo vizitë, njoftim që KultPlus e sjell të plotë.

Në Izbicë të Skenderajit, bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, përkujtuam të vrarët në një nga masakrat më të mëdha gjatë luftës në Kosovë.

Pas rrethimit të fshatit, forcat e Serbisë masakruan 147 burra, pleq dhe fëmijë. Të masakruarit u zhvarrosën nga Izbica, u varrosën në varreza masive. Disa prej të vrarëve u gjetën në Petrovo Selo në Serbi. 24 vite pas, ka ende varre të zbrazëta të atyre që ende janë të zhdukur.

U përkulëm para pllakës përkujtimore e para qendresës së familjarëve. Mirënjohës për forcën e familjarëve që dëshmuan në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në proceset kundër Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë të Serbisë.

Në këtë përvjetor të parë pa të, na mungoi plaku me plis të bardhë, z. Mustafë Dragaj, i mbijetuar dhe dëshmitar i kësaj masakre./ KultPlus.com

Osmani kujton viktimat e lagjes “Dardania” të Pejës që u vranë barbarisht nga forcat serbe

Marsi dhe Prilli i vitit 1999, ishin muaj tragjik për shumë qytetarë të komunës së Pejës, ngase pikërisht në këto ditë ndodhën masakra të tmerrshme nga forcat paramilitare serbe.

Pikërisht në këtë 24 vjetor sot kujtohen dhe nderohen viktimat e lagjes Dardania 1,2 dhe 3.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar këtë krim që Serbia e ushtroi në lagjen ”Dardania“ të Pejës duke vrarë barbarisht 40 shqiptarë.

“Më 27 mars të vitit 1999, 40 burra, gra e fëmijë të lagjes ‘Dardania’ në Pejë, u vranë barbarisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë.

Sot i nderojmë të gjithë ata që u vranë në këtë ditë të trishtë dhe bashkëndjejmë me familjet e tyre. Ne jemi të vendosur që kujtimin për ta dhe betejën për drejtësi të mos i ndalojmë asnjëherë!”, ka thënë Osmani. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim Edona Thaçin, kosovaren e vetme në ligën elitare të basketbollit NBA

Presidentja e Republikës Vjosa Osmani ka pritur në takim basketbollisten kosovare, Edona Thaqi, e cila po zhvillon karrierë të suksesshme në ligën elitare të basketbollit NBA, në ShBA.

Presidentja Osmani e ka përgëzuar basketbollisten Thaqi për arritjet e saj në basketboll dhe ka theksuar se afirmimi i saj është edhe afirmim i Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku vajzat kosovare po dëshmojnë paraqitje kulminante në shumë diciplina sportive.

Thaqi ka bërë të ditur se gjatë verës do ta mbajë një kamp trajnimi me vajzat e reja basketbolliste me trajnerë të huaj.

Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. 

Presidentja Osmani ka vlerësuar angazhimin proaktiv të Greqisë në rajonin tonë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit grek për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Në këtë frymë, Presidentja Osmani, duke u thirrur në vlerat e përbashkëta euroatlantike, ka kërkuar që mbështetja greke për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike të vazhdojë. Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka theksuar se integrimi i plotë ndërkombëtar i Kosovës, përfshirë Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Këshillin e Evropës, do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme në rajon.  

Tutje, Presidentja Osmani ka falënderuar ministrin Dendias për mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në votimin e fundi të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe për avokimin e vazhdueshëm për t’i dhënë fund këtij procesi. 

Në takim është diskutuar edhe për raportet Kosovë-Greqi, me ç’rast Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të mëtutjeshëm të  marrëdhënieve dyanëshe, duke përmendur nevojën e rritjes së shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimit në sfera të ndryshme të interesit të përbashkët.  

Në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Ditën e Gruas: Gratë kanë dëshmuar se janë të afta t’i arrijnë majat e suksesit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka uruar sot Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke kujtuar forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave shqiptare.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, le ta kujtojmë forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave tona. Në arsim, sport, kulturë, biznes, shkencë ose politikë, gratë kanë dëshmuar se janë të afta t’i arrijnë majat e suksesit. Ato munden, sepse kanë potencial”, shkruan Osmani e cila tutje kërkon që të gjithë të zotohemi që ta bëjmë pjesën tonë të punës për t’u siguruar që zëri i çdo gruaje të dëgjohet,

“Le të zotohemi të gjithë që ta bëjmë secili pjesën tonë të punës për t’u siguruar që zëri i çdo gruaje të dëgjohet, që potenciali i çdo gruaje të vie në shprehje maksimalisht. Së bashku, ne mund të krijojmë një botë ku gratë janë të barabarta e të lira për t’i përmbushur synimet e tyre.

Të gjitha grave dhe vajzave të Republikës, sot e çdo ditë: Mos ndaloni kurrë së ëndërruari, por në veçanti, mos ndaloni kurrë së besuari”, shkruan Osmani. / KultPlus.com

Presidentja Osmani ndan për Rifat Jasharin “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja Vjosa Osmani i ka ndarë Rifat Jasharit “Urdhrin e Lirisë”.

Këtë e ka bërë në një vizitë në shtëpinë e Jasharëve në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.

Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe te varret e familjes Jashari në Prekaz.

Manifestimi “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” vazhdon në ditën e dytë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti së bashku me ministra e bashkëpunëtorë nga Qeveria e parlamenti nisin homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Sot dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, Kuvendi mban seancë solemne

Aktivitetet për shënimin e përvjetorit të 25-të të kësaj ngjarjeje historike që nisi dje më 5 mars do të vazhdojnë më sot dhe nesër kur edhe përfundojnë me atë që quhet `Nata e Zjarreve`.

Sot, me 6 mars do të mbahet seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, do të bëhen Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz si dhe do të mbahet një akademi përkujtimore.

Në ditën e tretë të Epopesë, dhe e fundit, me 7 mars, duke filluar nga ora 18:00, fillon ndezja e flakadanëve në shtatë rajone të Kosovë, duke vazhduar me manifestimin “Nata e Zjarreve” në Prekaz që shënon edhe përmbylljen e manifestimit gjithëpopullor, Epopesë së UÇK-së.

Dje u shënuat 25 vjetori i rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij. Në përvjetorin të 25-të të kësaj ngjarjeje historike, u mbajt parada e FSK-së, ku Kuadratet e Ushtrisë së Kosovës u rreshtuan në nderim të ,,Epopesë së UÇK-së”. Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UÇK-Së, nderime pranë Obeliskut të Lirisë, si simbol i nderimit të epopesë së UÇK-së, bënë ushtarakët, komandantja supreme, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Ngjarjet e fillim-marsit të vitit 1998 do të mbeten një dëshmi e gjallë për botën perëndimorë dhe për vetë historinë e Kosovës. Më 5 mars të vitit 1998, forcat paramilitare e ushtarake serbe rrethuan Jasharajt dhe Prekazin duke hasur në rezistencë nga familja Jashari të cilët nuk kursyen asgjë në mbrojtje të vendit.

Në ditën e dytë të sulmit mbi familjen Jashari, gjegjësisht me 6 mars 1998, luftimet po ashpërsoheshin, derisa dita e tretë e sulmit, me 7 mars 1998, konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij, dita e lavdishme e Epopesë së UÇK-së.

Nga këto luftime të ashpra që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me Komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, atdheut dhe kombit, 55 persona, shumica anëtarë të familjes Jashari. / KultPlus.com

Osmani: Sot e përgjithmonë, nderojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari

Kosova përkujton sot nisjen e betejës së serbëve ndaj familjes Jashari, betejë e cila i mori jetën familjes Jashari në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari.

Beteja treditore nisi në mëngjesin e 5 marsit 1998, kur serbët mësynë në shtëpinë e Adem Jasharit në Prekaz.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  ka përkujtuar e nderuar sot sakrificën e familjes Jashari.

“Sot e përgjithmonë, nderojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, vajzave e djemve të UÇK-së dhe të gjithë atyre që sakrifikuan që ëndrra jonë shekullore për liri e për shtet të bëhet realitet.” ka shkruar Osmani në Facebook./ KultPlus.com