Kashelashe per atdheun

Poezi nga Azem Shkreli

Atdheu është dheu i birit e i atit e i shpirtit të shenjtë

Në vargun me krushq atdheu është krushku i parë
Në të tëra meshat shenjte ai është Meshari
Në kulm e në flamur është kumti e kremtja
Në kokën rënduar në mendime ai është mendimi

Është një krahë shqipe këtej,
një andej kufirit
Është flaka e Oso Kuka në kullën kallë të barotit
Është ara shtatë vjet djerrë e gruaja djerrë e fara

Në bukë e krypë e zemër atdheu është zemra
Në të parën pushkë për ujk atdheu është krisma
Në trupin tonë për vig atdheu është vigu
Në mishin tonë per krymb atdheu është ashti

Atdheu është treni në binarin nëntë,
buleta për nesër dhe trasta./KultPlus.com

128 vjet më parë, vëllezërit Lumiere për herë të parë shfaqen filmin e tyre, pa e ditur se do ta ndryshojnë botën

Më 28 dhjetor 1895, vëllezërit Lumière shfaqën publikisht disa filma të xhiruar prej tyre në një kafene në Paris. Kjo datë shënon edhe lindjen e kinemasë, e cila me kalimin e kohës u përsos, si nga pikëpamja teknike, ashtu edhe nga ajo artistike, duke zënë sot një vend të rëndësishëm në jetën e njeriut.

Auguste Lumiere bashkë me të vëllain Louis Jean ishin ndër kineastët e parë në histori. (Si për rastësi, Lumiere përkthehet ‘dritë’ në shqip). Për nder të tyre është pagëzuar edhe një asteroid.

Vëllezërit me vetëm dy vjet diferencë në moshë u shpërngulën në Lyon në vitin 1870, ku që të dy shkuan në shkollën “La Martine”, shkolla më e madhe teknike në qytet. I ati, Claude Antoine Lumiere ishte pronar i një firme fotografike dhe të dy vëllezërit punonin për të. U desh dalja në pension e të atit që vëllezërit të fillonin të krijonin filma. Ata u bënë zotërues të patentave të disa proceseve të rëndësishme që çuan në shpikjen e kameras.

Kinematografia u patentua më 13 shkurt 1895 dhe filmimi i parë i përket 19 marsit 1895. Ky filmim i parë shfaq punëtorët që dalin nga fabrika “Lumiere”.

Kinematografia e Louis Lumiere, e cila u patentua në vitin 1895, ishte një kombinim i kamerës filmike dhe projektorit që mund të shfaqte imazhe lëvizëse në një ekran për një audiencë. Kinematografia ishte gjithashtu më e vogël, më e lehtë dhe përdorte më pak film sesa teknologjia e Edisonit.

Lumierët hapën teatrot (të njohura si kinema) në vitin 1896 për të treguar punën e tyre dhe dërguan ekipe kameramanësh në mbarë botën për të shfaqur filma dhe për të xhiruar materiale të reja. Në Amerikë, industria e filmit u ngrit shpejt.

Në 1896, Vitascope Hall, besohet të jetë teatri i parë në SHBA i kushtuar shfaqjeve filmike, i cili u hap në New Orleans. Në vitin 1909, The New York Times publikoi rishikimin e parë të filmit të D.W. Griffith, “Pippa Passes”. Në vitin 1911, u hap studioja e parë e filmit hollivudian dhe në vitin 1914, Charlie Chaplin bëri debutimin e tij në ekranin e madh.

Përveç Kinematografes, Lumierët zhvilluan gjithashtu procesin e parë praktik të fotografisë me ngjyra, pjatën Autohrome, e cila debutoi në vitin 1907. / KultPlus.com

‘Ti ke një njeri që të do’ (VIDEO)

Një nga këngët e edicionit 34-të të Festivalit të Këngës në RTSH ishte edhe kënga ‘Nuk kërkoj tjetër njeri’ kënduar nga Elton Deda.

Kam kohë pa e parë, nuk di ku do jetë,
atë vjeshtë të brishtë dhe zërin e saj si kristal…
mes zërave të dimrit, mundohem ti flas.

As vet nuk e di pse lodhem ta gjej,
ende ndjejë ndonëse ka shume akull mes nesh,
kjo vjeshtë e heshtur dimrin se fsheh.

Se dielli ndriçon prapë dhe shiu pushon,
nuk di zemra e saj nga dhimbja rënkon,
gjithçka do të falja që hapat e saj të trokisnin prapë të unë (të unë),
ende sytë e tu kanë ca lot të pa tharë,
si fshin dot e dashur ndonëse jemi larg,
dhe kurrë mos mendo vetëm s’je në këtë botë
sepse ti ke një njeri që të do.

As vet nuk e di pse lodhem ta gjej,
ende ndjejë ndonëse ka shume akull mes nesh,
kjo vjeshtë e heshtur dimrin se fsheh./
 KultPlus.com

‘Shtëpiake të dëshpëruara’ inauguron Pallatin e Kulturës në Lezhë

Komedia “Shtëpiakë të Dëshpëruar” ndaloi këtë fundvit në Lezhë.

Artdashësit lezhianë ndoqën me interes historinë e tre shokëve të luajtur nga Gentian Zenelaj, Indrit Çobani dhe Artan Imami.

Vepra u prit mirë nga publiku dhe historia shkaktoi mjaft të qeshura.

Kjo ishte hera e dytë që kjo komedi luhej në Lezhë. Kjo vepër inaguroi edhe Pallatin e Kulturës në Lezhë që u restaurua pak javë më parë.

“Shtëpiakë të Dëshpëruara” ka udhëtuar edhe në qytete të tjera të vendit. Është ngjitur në skenë për herë të parë në Paris në vitin 2011 dhe që nga ajo kohë ka patur më shumë se 1400 shfaqje./tvklan/KultPlus.com

‘New York Times’ padit OpenAI dhe Microsoft për shkelje të të drejtave të autorit

Gazeta amerikane ”The New York Times” po padit Microsoft dhe OpenAI, kompania që qëndron pas chatbotit të njohur të inteligjencës artificiale (AI) ChatGPT, duke pretenduar shkelje të të drejtave të autorit, mbi atë që pretendon se është përdorimi i paautorizuar i punës së saj të publikuar për të trajnuar IA.

NYT paraqiti dje një padi në Nju Jork, duke pretenduar se kompanitë përdorën në mënyrë të paligjshme punën e gazetës për të krijuar produkte të inteligjencës artificiale që tani konkurrojnë me të.

“Nëpërmjet Bing Chat të Microsoft (i riemërtuar së fundmi si “Copilot”) dhe ChatGPT të OpenAI, të pandehurit kërkojnë të përdorin investimin masiv të The Times në gazetarinë e saj duke e përdorur atë për të ndërtuar produkte zëvendësuese pa leje apo pagesë”, thuhet në padi.

“Ky veprim synon të mbajë të pandehurit fajtorë për miliarda dollarë në dëmshpërblim ligjor dhe aktual që ata i detyrohen për kopjimin dhe përdorimin e paligjshëm të veprave me vlerë unike të The Times”, thuhet në dokument.

Faqja e internetit e lajmeve teknologjike ”The Verge” citoi zëdhënësen e OpenAI, Lindsey Held të thoshte në një deklaratë të dërguar me email se “bisedat e vazhdueshme me ‘New York Times’ kanë qenë produktive dhe kanë ecur përpara në mënyrë konstruktive, kështu që ne jemi të befasuar dhe të zhgënjyer me këtë zhvillim”.

“Ne shpresojmë se do të gjejmë një mënyrë reciproke të dobishme për të punuar së bashku, siç po bëjmë me shumë botues të tjerë”, vazhdoi Held, sipas ”The Verge”.

Start-up kalifornian OpenAI tërhoqi vëmendjen e botës me robotin e tij të tekstit ChatGPT – i zhvilluar me mbështetjen e Microsoft – i cili mund t’u përgjigjet kërkesave me ese, poezi, kode kompjuterike dhe përmbajtje të tjera.

Publikimi i tij në vitin 2022 hodhi në qendër të vëmendjes përparimet në AI dhe ndezi diskutimet rreth pasojave të mundshme./KultPlus.com

Kulla Eiffel mbyllet në 100-vjetorin e vdekjes së projektuesit të saj

Kulla Eiffel, simboli i Parisit, u mbyll për vizitorët të mërkurën në 100-vjetorin e vdekjes së projektuesit të saj, Gustave Eiffel.

Kompania përgjegjëse për funksionimin e Kullës Eiffel – SETE, në një deklaratë në faqen e internetit, tha se vendimi u mor për shkak se një pjesë e stafit të kullës hyri në grevë.

Deklarata vuri në dukje se rrethinat dhe kopshtet e kullës mund të vizitohen ende. Sipas raportimeve në mediat kombëtare, punonjësit e kullës hynë në grevë si reagim ndaj politikave financiare të SETE.

Gustave Eiffel, i lindur më 15 dhjetor 1832 në Dizhon të Francës, ndërroi jetë më 27 dhjetor të vitit 1923 në Paris në moshën 91-vjeçare.

Ai luajti rol të rëndësishëm në ndërtimin e Kullës Eiffel, e cila u ndërtua për Panairin Botëror të vitit 1889.

Arkitekti francez projektoi gjithashtu kornizën e hekurt të Statujës së famshme të Lirisë në SHBA./KultPlus.com

Nga Taylor Swift te The Weeknd, muzikantët më të njohur të vitit 2023

“Spotify Wrapped”, si çdo vit, ka zbuluar se cilët janë artistët më të dëgjuar në platformën e njohur të transmetimit muzikor.

Në krye është ylli mega-popullor i popit Taylor Swift, e cila ka grumbulluar 26.1 miliardë dëgjime në platformë që nga 1 janari.

Swift arriti të rrëzojë nga froni Bed Bunny, i cili dominoi si artisti më i transmetuar për tre vjet me radhë. Reperi portorikan doli në vendin e dytë këtë vit.

Ata ndiqen nga dy artistë kanadezë, The Weeknd dhe Drake dhe në vendin e 5-të është këngëtarja meksikane Peso Pluma.

Gjithashtu në top 10 ishin këngëtari kolumbian Feid, reperi Travis Scott, këngëtarja pop SZA, ylli kolumbian i popit Karol G dhe këngëtarja Lana Del Rey.

Swift ka festuar suksesin e saj duke plotësuar dëshirën e fansave të saj. Gjegjësisht, ajo ka publikuar në Spotify këngën “You’re Losing Me”, e cila deri më tani mund të dëgjohej vetëm në një nga versionet e albumit të saj “Midnights”, i cili mund të blihej vetëm në SHBA.

“Unë thjesht dua t’ju falënderoj të gjithëve që dëgjuan muzikën time këtë vit, kudo në botë. Të qenit artistja më e mirë e vitit 2023 nga Spotify globalisht është me të vërtetë dhurata më e mirë e ditëlindjes/festës që mund të më kishit bërë,” tha ajo. Swift, e cila festoi ditëlindjen më 13 dhjetor.

“Unë jam përpjekur të mendoj për një mënyrë për të thënë faleminderit… Meqenëse shumë prej jush më kanë kërkuar të transmetoj “You’re Losing Me (From The Vault)”… Tani më në fund mund të dëgjoni është KUDO,” shkroi Swift në Twitter./KultPlus.com

Digjet bredhi në oborrin e komunës në Han të Elezit, hasen mbishkrime kundër festimit të Vitit të Ri

Në orët e para të së enjtes është djegur bredhi i Vitit të Ri, që ishte vendosur në oborrin e komunës së Hanit të Elezit.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Me daten 28.12.2023 rreth ores 02:23 kemi pranuar një informatë se Bredhi i Vitit të Ri, i vendosur në oborrin e komunës së Hanit të Elezit ishte kapluar nga zjarri. Patrulla e policisë ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që edhe një ekipë e  zjarrëfikësve  ka lokalizuar zjarrin. Lidhur me rastin ështē njoftuar edhe prokurori kujdestarë dhe është inicuar një rast “Shkaktim i rrezikut të përgjithshem”. Ndërsa në rast janë kyçur edhe njësia e hetimeve, të cilët po e hetojnë rastin.”

Po ashtu, Veseli bëri të ditur se sot janë vërejtur disa mbishkrime “Viti i Ri nuk është e jona, mos festo festat e jomyslimanëve”.

Ai tha se është duke punuar për të identifikuar të dyshuarit.

“Me datën 28.12.2023 rreth orës 09:30 policia e stacionit në Han të Elezit , policët patrullues kanë vëretjur se në disa rrugë ishin vendosur disa afishe me mbishkim ,,Viti i ri nuk është e jona, mos festo festat e jo myslimanëve’’. Policia e stacionit i ka marrë veprimet e nevojshme dhe është duke punuar intenzivisht në identifikimin e personit/personave të dyshuar. Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj është inicuar rast për hetim ” Nxitje e përqarjea dhe mosdurimit””, tha Veseli për Express./KultPlus.com

Aktorja e njohur e “Harry Potter” feston 89-vjetorin e lindjes

Dame Maggie Smith ka qenë një aktore e preferuar për shumë breza dhe dy nga rolet e saj më ikonike janë Minerva McGonagall në ‘Harry Potter’ dhe Violet Crawley në ‘Downton Abbey’. Së fundmi, ajo u shfaq në fushatën e produkteve prej lëkure të Loewe, me një seri fotosh nga fotografi i njohur Juergen Teller. Një fotosesion që shkatërroi të gjithë racizmin e moshës pasi arriti të bëhej një ikonë e modës në dekadën e saj të 8-të të jetës: pa operacione plastike, pa grim, pa photoshop.

Megjithatë, nuk ishte hera e parë që ajo dha mësime përmes zgjedhjeve të saj. Me rastin e ditëlindjes së sotme, ajo mbush 89-vjeç, i hedhim një vështrim momenteve të jetës së saj.

Vlerësimet e saj në aktrim

Margaret Natalie Smith lindi më 28 dhjetor 1934 në një periferi lindore të Londrës. Përfshirja e saj në aktrim erdhi në një klimë dekurajimi nga mjedisi i saj familjar. Nëna e saj i kishte thënë se nuk do të mund të bëhej kurrë aktore. Megjithatë, ajo nuk u pengua dhe u diplomua në 1953 nga Shkolla e Playhouse në Oxford.

Sot, ajo është fituese e dy çmimeve Oscar, një çmimi Tony, shtatë çmime BAFTA, dy çmime Emmy, dy Golden Globes, dy Screen Actors Guild Awards dhe një çmim Laurence Olivier.

Megjithatë, dallimet e saj nuk erdhën vetëm përmes teatrit. Në vitin 1970 iu dha titulli “Komandant i Urdhrit të Perandorisë Britanike” nga Mbretëresha Elizabeth. Titulli i saj u përmirësua në 1989 në ‘Dame’ (ekuivalenti i Sir).

Dame Maggie Smith në 2014 përsëri mori një dallim nderi nga pallati dhe bëhet Anëtare e Urdhrit të Shoqëruesve të Nderit.

Betejat e saj personale

Në vitin 2009, gjatë xhirimeve të filmit të pestë të Harry Potter, u bë e ditur se ajo vuante nga kanceri i gjirit dhe po i nënshtrohej kimioterapisë. “Isha e mbështetur në hekura, duke menduar se nuk ia dalin dot”, ka pranuar për periudhën e vështirë që ka përjetuar atëherë, por nuk u dorëzua.

Dame Maggie Smith gjithashtu vuan nga sëmundja e syrit tiroidik: një sëmundje autoimune e lidhur drejtpërdrejt me tiroiden. Një nga simptomat karakteristike të sëmundjes është dalja e syve.

Ajo ka dy djem me aktorin Robert Stephens. Të dy u divorcuan në vitin 1974, pas 7 vitesh martesë. Chris Larkin dhe Toby Stephens ndoqën hapat e prindërve të tyre në aktrim, ndërsa i pari zgjodhi të ndryshojë mbiemrin./KultPlus.com

167 vjetori i lindjes së Thomas Woodrow Wilson

Më 28 dhjetor 1856 lindi Thomas Udru Uillson (Thomas Woodrow Wilson), presidenti i njëzet e tetë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Udru Uillson ishte anëtar i Partisë Demokratike të SHBA-ve dhe, përpara zgjedhjes në postin e presidentit, pati shërbyer si president i Universitetit të Prinstonit dhe si guvernator i shtetit të Nju Xhersit.

Më 1913 fitoi mandatin e parë të presidentit, të cilin e pasoi një i dytë. U largua nga detyra e presidentit më 1921. Në politikën amerikane të kohës Presidenti Uillson njihet si liberal dhe reformator, duke sjellë zhvillime pozitive në politikat e brendshme të vendit. Kurse në politikën ndërkombëtare, Uillsoni njihet si njëri prej politikanëve më të vendosur në dobi të paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në Konferencën e Paqes në Paris, si dhe propozuesi dhe hartuesi i projektit të Konventës së Lidhjes së Kombeve. Për shqiptarët figura e Presidentit Uillson lidhet mirëfilli me njohjen ndërkombëtare të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe të integritetit territorial të Shqipërisë.

Fjalët e tij “Albania ought to be independent”

(“Shqipëria duhet të jetë e pavarur”) ishin thelbësore në njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar dhe në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Mes dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror që lidhen me figurën e Presidentit Uillson veçojmë një letër të disa studentëve shqiptarë në Vjenë, të cilët kërkojnë mbështetjen e Presidentit në dobi të Shqipërisë. Letra mbyllet me këto fjalë:

Zotërië President!

Në qoftë se në vendimin e paqës nji komb lihet i pa njojtun edhe do të përdoret kaq pa-drejtësisht, a mundet kurrë n’atë anë të botës të sigurohet paqa? Shqipnia, sikundër Konferenca e Londonit e kufizoj, kurrë s’mundei të rronte, kishte farën e vdekjes në gjakun e saj që në lindien e vetë. Me këtë mënyrë, Zotërie, deri tash bota na ka përdorurar mizorisht, prandaj ngremë zërin tonë tek Ju, si mbrojtësi i njerëzimit, duke e ditur sigur se marria pjesë e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqien të drejtë e të ndershme të Zotërisë s’Uaj në Kongresin e Paqës, drejtësia do të përmbushet dhe shqiptarët duke pasur të drejtën e vetvotimit për formën e qeverimit të tyre do të kenë lejen, si një komb i lirë, të hyjn në Lidhien e Kombëve.

Në emër të studentëve shqiptarë në Wien, të përvujtunit, Jan Basho, Remzi Baçe, H. Hifzi, Nush Bushati, Djevat Korça, Luigj Kakariqi, Gjovalin Gjiadri, Raku Buda, Fuad Aslan.

Wien, Austrie, 15/12/918“.

Fotografitë: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave / KultPlus.com

Gjon Mili dhe Frank Sinatra

Nga: Kristaq Balli

Frank Sinatra (1915-1998) – këngëtar, aktor dhe producent amerikan, një nga muzikantët dhe artistët muzikorë më popullorë dhe me ndikim të madh në botë në shek. XX. Është një nga shpërndarësit më të mëdhenj muzikorë të të gjitha kohrave, me më shumë se 150 milion regjistrime në të gjithë botën. Ai e filloi karierën e tij muzikore në erën e muzikës “Swing” (ritmike). Fillimisht si amator e improvizues në disa klube e pastaj si profesionist i ri, por i paarsimuar dhe vetëm në sajë të talentit e veshit të tij muzikor. Gjatë viteve 1935-39 Frank Sinatra këndon si pjesëtar i disa grupeve dhe perfeksinon zërin etij, madje edhe regjistron me sukses disa këngë të mirëpritura si “My Buddy”, “It’s Funny to Every But Me, “Ciribiribin”, “Every Day of My Life”, etj.

Më pas (1939-1942) ai u bë këngëtari kryesor i grupit të Tommy Dorsey, me të cilin ai këndoi dhe regjistroi 40 këngë (vetëm vitin e parë) dhe dhjetra të tjera gjatë viteve pasues, si “I’ll Never Smile Again”, “Oh! Look at Me Now”, “Dolores”, “In the Blue of Evening”, “The Song Is You”, “Lamplighter’s Serenade”,etj., me të cilat fama e popullariteti i tij u rritën, duke shënuar një pikë kthese në karierën e tij…( Kelley 1986, p. 67). Kjo e nxiti atë të fillojë të këndojë e inçizohet solo.

U bë shumë i njohur në shoqërinë e lartë amerikane, u takua me Papën në Romë dhe publikoi këngët solo ”You’ll Never Know”, “Close to You”, “Sunday, Monday, or Always”, “People Will Say We’re in Love”, “Dream”, “Saturaday Night”, ”Nancy” etj. (Kelley 1986, p. 568). Ai u konsiderua si fenomeni “Sinatratics”,

“Sinatramania”, “Swoonatra”. Më1942 u quajt “Vokalisti mashkull më popullor në radio”.

Ai ka pasur një aktivitet të gjatë e të suksesshëm në emisionet muzikore të radios (1935) dhe më pas me show televizive (1950).

Albumin e parë “The Voice of Frank Sinatra” e ka realizuar më 1946 (Rojek 2004, p. 43), të dytin “Songs by Sinatra” një vit më vonë, të tretin më 1948 (Granata 2003, pp. 47–48) e kështu me radhë me shumë kompani diskografike botërore.

Vitet 1953-1962 konsiderohen për Frank Sinatrën si nga më produktivet, apo “një fazë e re dhe brilante” (Summers & Swan 2010, p. 188), e mbushur me këngë, koncerte, role në filma, albume e nominime për çmime dhe renditje artistike dhe si “pretendent i pozicionit të padronit (il padrone) në Hollywood. Suksesi i krijimtarisë së tij si këngëtar, showman e producent i siguron atij famën botërore të kontributeve të çmuara muzikore, sidomos për rininë, ndërkohë që revolucioni teknologjik kompjuterik dhe digjital i realizimeve ia shtonin dhe zgjeronin kufijtë e influencës së tij. Më 1970 ai realizoi albumin “Watertown”, më pas presidenti Nikson e angazhoi me këngë në fushatën e dytë presidenciale, më tej, në vitin 1973 botoi albumin “Ol’ Blue Eyes is Back” për të vazhduar turnetë në Amerikë, Europë, Lindjen e Afërt dhe Australi, Brazil, Egjipt, si dhe realizimin e albumit të famshëm “Trilogy: Past, Pesent, Future”.

Koncerti i tij i fundit publik u mbajt në Fukuoka Dome në Japoni, më 1994. Po këtë vit ai u vlerësua me çmimin “Legend Award”.

Angazhimi i Sinatrës në kinematografi i përket viteve 1941-1952, kur ai mori pjesë si aktor në role të ndryshëm kryesorë apo episodikë në filma muzikorë, të tillë si “Las Vegas Night”, 1941, “Higher and Higher”, “Anchors Aweigh, , 1949, “Double Dynamite” (1951), “Guys and Dolls” (me Marlon Brando), 1951, “From Here to Eternity, 1953”, “Young at Heart” , “The Man With The Golden Arm”, (1955), ”The Tender Trap”, ”The Pride and the Passion” (1957), etj., në disa prej të cilëve ai ka fituar apo është nominuar për çmime të rëndësishme kinematografike amerikane e ndërkombëtare. Filmi i fundit i përket vitit 1980, “The First Deadly Sin”, ku ai pati një nga rolet më të arritura të karierës së tij kinematografike.

Emisione e kontribute të vyera i atribuohen Frank Sinatrës si protagonist dhe showman në emisione të shumta televizive të stacioneve të mëdha e të njohura televizive amerikane, ku ai shpërfaqte jo vetëm kontributin e tij si këngëtar, por edhe kapacitetet e tjera artistike e humane në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me sudiot dhe publikun e gjerë të radios e ekranit të vogël.

Gjon Mili e ka shoqëruar karrierën artistike të Frank Sinatras që prej fillimeve të saj (kryesisht kinematografike) – edhe për llogari të revistës Life për të cilën punonte. Si përfaqësuese e fotove të tij për Sinatran konsiderohet një realizim i quajtur nga kritika si portret ekselent – i vitit 1963 gjatë realizimit filmin Come Blow Your Horn. Mili kujton se kur po e fotografonte këngëtarin gjatë një pushimi të kushtëzuar prej dhjetë minutave, “Sinatra më tha me buzagaz teksa pozonte: ‘Dhjetë minutat e tua po mbarojnë’. I thashë: ‘Mua m’u deshën njëmbëdhjetë ditë pritjeje për t’ju kapur … Pra, edhe një minutë të lutem’! Kjo e bëri të qeshte, ashtu siç e kapa në foton për të” (Gj. Mili, Photographs & Recollections, fq. 157)

Portreti artistik dallohet për bukurinë dhe gjuhën e shprehjes kompozicionale origjinale, si dhe për paraqitjen me elementët e ngrohtë e shumë ekspresivë komunikues të fytyrës idolatrike të kohës së artë të aktrimit të tij. Sinatra dallohej për shijen e stilit pamor. Vishej në mënyrë serioze, me veshje të shtrenjta e perfekt – edhe në jetën private edhe në atë profesionale – me egon për t’iu paraqitur audiencës sa më mirë e sa më dinjitoz. Kjo e bënte që të ndjehej i pasur dhe i rëndësishëm. Sytë e tij me ngjyrën blu të thellë i kishin ngjitur epitetin “Ol’ Blue Eyes”. Për kritikun Sanpietro, Sinatra ishte personifikim i Amerikës të viteve 1950 “… kryelartë … optimist”. “E zotëronte ‘forcën e brendshme të madhe’ dhe konsiderohej ‘vigan’” (Jo-Carroll Dennison). Sinatras i atribuohej referimi si “këngëtari më i madh i shek. XX dhe popullariteti i tij u barazua më vonë vetëm nga Elvis Presley, Bitëllsat dhe Michael Jackson.

Pikërisht këto atribute artistike e humane është përpjekur që të evidencojë edhe Gjon Mili në dhjetëra e dhjetëra foto për të, sidomos në fushën e kontributit filmografik, pse jo edhe në atë të veprimtarisë muzikore. /alb-spirit/ KultPlus.com

Portreti ekselent i Frank Sinatra i realizuar gjatë xhirimit të filmit “Come Blow Your Horn” (foto: Gjon Mili, Nju-Jork, 1962)
Fran Sinatra gjatë xhirimit të filmit “Come Blow Your Horn” (foto: Gjon Mili, Nju-Jork, 1962)
Frank Sinatra dhe Vivian Blaine në një skenë nga filmi “Guys and Dolls” (foto: Gjon Mili, 1955)
Marlon Brando, Jean Simmons, Frank Sinatra dhe Vivian Blaine në një skenë nga filmi “Guys and Dolls” (foto: Gjon Mili)
Frank Sinatra (foto: Gjon Mili, Gjermani, 1962)
Dean Martin, Sammy Davis Jr., Frank Sinatra dhe Jimmy Van Heusen (foto: Gjon Mili, 1962)

Për të qenë vetvetja

Nga Martin Heidegger

Secili mund ta arrijë potencialin e tij të plotë, të cilin ne mund ta kemi të paracaktuar, por shtegu që ndjekim drejt kësaj është gjithmonë zgjidhje e jona. Ne kurrë nuk duhet të lejojmë që frika dhe pritjet e të tjerëve t’i vendosin kufijtë e fatit tonë. Fati juaj nuk mund të ndryshohet, por ai mund të sfidohet. Secili njeri është i lindur si çdo njeri tjetër dhe vdes si një i vetëm.

Nëse e marr vdekjen brenda jetës time, e pranoj atë, përballem me të drejtpërdrejt, atëherë do ta liroj veten nga ankthi i vdekjes – dhe vetëm atëherë do të jem plotësisht i lirë për të qenë vetvetja. Secili është dikush tjetër dhe askush nuk është vetja./ Hejza / KultPlus.com

Statuja e madhe e Shakirës zbulohet në qytetin e saj të lindjes, Barranquilla

Kolumbianët e kanë përjetësuar këngëtarën e famshme Shakira në një bust gjigant. Statuja e bronztë është zbuluar të martën në qytetin e sja të lindjes në Barranquilla.

Bronzi raportohet të jetë 6.5 metra i gjatë dhe e portretizon Shakirën në këmbë duke vallëzuar, pjesë kjo e ndarë nga hiti i saj “Hips Don’t Lie”.

Shakira e ka shpërndarë statujën e saj edhe në Instagram.

“Jam shumë e emocionuar për këtë nderim për gruan kolumbiane në Barranquilleras”, ka shkruar Shakira.

Në zbulimin e kësaj statuje të martën në Kolumbi aty ishin edhe prindërit e Shakirës, raportuan mediat e huaja.

Me këtë rast Shakira ka falënderuar skulptorin, Yino Márquez, dhe studentët e tij për “talentin e jashtëzakonshëm artistik” që kishin demonstruar duke krijuar bronzin.

Viti 2023 ishte një vit i suksesshëm për këngëtaren, e cila fitoi tre çmime Latin Grammy , një prej tyre me artistin tjetër kolumbian Karol G. / KultPlus.com

“Luino Notizie”: Shqipëria një xhevahir turistik në zhvillim

Qoftë duke eksploruar rrugët e lashta të Krujës, duke pushuar në plazhet e Rivierës Shqiptare apo duke shijuar jetën e gjallë të qytetit të Tiranës, Shqipëria ofron një përvojë unike!

Shqipëria, shpesh e lënë në hije nga fqinjët e saj mesdhetarë, po shfaqet si një destinacion turistik magjepsës dhe i përballueshëm, shkruan e përditshmja italiane “Luino Notizie”.

Ky vend, me ndërthurjen e tij unike të historisë, kulturës dhe bukurisë natyrore, ofron një përvojë të paharrueshme për ata që dëshirojnë të eksplorojnë thesaret e tij të fshehura.

Historia e Shqipërisë është një ndërthurje e kulturave lindore dhe perëndimore, e dukshme në arkitekturën dhe traditat e saj.

Romakët e quajtën kështu për shkak të bardhësisë së maleve dhe flamurit, me një shqiponjë dykrenare, që simbolizon pozicionin e vendit midis Lindjes dhe Perëndimit.

Një nga avantazhet e mëdha të vizitës në Shqipëri është aksesueshmëria e saj.

Falë linjave ajrore me kosto të ulët, udhëtarët mund të mbërrijnë në Tiranë direkt nga qytete si Milano në më pak se dy orë.

Kjo lidhje e përmirësuar e bën Shqipërinë një destinacion tërheqës për qëndrime të shkurtra ose pushime të zgjatura.

Thesare kulturore dhe natyrore

Shqipëria është një sixhade eksperiencash kulturore dhe natyrore.

Kryeqyteti, Tirana, është një koshere aktivitetesh me rrugët e saj të gjalla, muzetë dhe kafenetë.

Mos humbisni sheshin Skënderbej, një nderim për heroin kombëtar shqiptar dhe një vend tubimi qendror.

Muzeu Historik Kombëtar, i vendosur në këtë shesh, ofron një pasqyrë magjepsëse të historisë së pasur të vendit, nga kohët e lashta deri në epokën moderne.

Një tjetër pikë turistike është Piramida e Tiranës, e ndërtuar fillimisht si një muze kushtuar diktatorit Enver Hoxha dhe tani një qendër e aktiviteteve kulturore dhe rekreative.

Për adhuruesit e historisë, qyteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Gjirokastra është një vend që duhet vizituar, me arkitekturën e tij otomane të ruajtur mirë.

Ky “qytet i gurtë” është i famshëm për ndërtesat e tij të veçanta prej guri dhe rrugët e pjerrëta me kalldrëm.

Kalaja e Gjirokastrës, e cila ka pamje nga qyteti, strehon një muze armësh dhe ofron pamje panoramike të rajonit përreth.

Shtëpia e Ismail Kadaresë, e kthyer në muze, është një tjetër vend me interes, duke u ofruar vizitorëve një pasqyrë të jetës së një prej shkrimtarëve më të famshëm të Shqipërisë.

Për më tepër, pazari i rinovuar së fundmi i Gjirokastrës ofron një eksperiencë autentike ku vizitorët mund të blejnë punime artizanale lokale dhe të shijojnë kuzhinën rajonale.

Eksplorimi i bregdetit shqiptar

Riviera Shqiptare është një parajsë për adhuruesit e plazhit. Vende si Saranda dhe Ksamili ofrojnë ujëra të kristalta dhe plazhe idilike.

Saranda, e njohur si “perla e Shqipërisë së Jugut”, është e famshme për bregdetin e saj të gjallë dhe pamjet e bukura të detit Jon.

Një nga atraksionet kryesore të saj është afërsia me rrënojat e Butrintit, një vend arkeologjik i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i cili ofron një dritare unike të qytetërimeve të lashta që banonin në rajon.

Nga ana tjetër, Ksamili është i njohur për ishujt e tij të vegjël të aksesueshëm me not ose me varkë, të cilët ofrojnë një eksperiencë pothuajse private në plazh.

Për më tepër, në Ksamil vizitorët mund të shijojnë ushqimet e freskëta të detit në restorantet e shumta përgjatë plazhit, ku mund të shijohen gatimet lokale me pamje nga deti i kristaltë.

Për më tepër, Riviera Shqiptare është shtëpia e plazhit të Dhërmiut, i cili shtrihet është i famshëm për ujërat e tij bruz dhe jetën e gjallë të natës gjatë verës.

Një tjetër destinacion i padiskutueshëm në Rivierë është Himara, një qytet i qetë bregdetar që ndërthur plazhet e bukura me një histori të pasur kulturore, duke përfshirë Kishën Ortodokse të Shën Theodhorit dhe Kalanë e Himarës, e cila ofron pamje mahnitëse të bregdetit.

Këto destinacione kombinojnë në mënyrë unike bukurinë natyrore me një trashëgimi të pasur kulturore, duke e bërë Rivierën Shqiptare një destinacion të paharrueshëm.

Aventurë në zemër të Ballkanit

Për aventurierët, Alpet Shqiptare ofrojnë shtigje malore që të lënë pa frymë dhe mundësi për të eksploruar fshatrat tradicionale.

Ky rajon malor, i njohur lokalisht si “Bjeshkët e Namuna”, është një parajsë për adhuruesit e ecjes dhe natyrës.

Shtegu i distancave të gjata i njohur si “Majat e Ballkanit” kalon nëpër Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri, duke ofruar një eksperiencë unike ecjeje në zemër të Ballkanit.

Fshatrat si Thethi dhe Valbona janë pikat kryesore të kësaj rruge, të njohura për mikpritjen vendase dhe peizazhet befasuese.

Thethi, në veçanti, është i famshëm për natyrën e tij dhe atraksionet si Kulla e Ngujimit dhe Ujëvara e Grunasit.

Liqeni i Ohrit, i përbashkët me Maqedoninë e Veriut, është një tjetër vend magjik që nuk mund të mungojë në itinerarin tuaj.

Një nga liqenet më të vjetër dhe më të thellë në Evropë, i njohur për biodiversitetin e tij unik dhe rëndësinë historike.

Qyteti i Pogradecit, i vendosur është një destinacion popullor, i famshëm për plazhet e qeta dhe shëtitoren buzë liqenit.

Vizitorët mund të eksplorojnë kishën e Shën Naumit aty pranë dhe të shijojnë pamje panoramike të liqenit nga Kalaja e Linit.

Për më tepër, zona përreth Ohrit është e njohur për troftën vendase, një pjatë tradicionale që duhet shijuar gjatë vizitës suaj.

Kombinimi i bukurisë natyrore, trashëgimisë kulturore dhe kuzhinës lokale e bën vizitën në Alpet Shqiptare dhe Liqenin e Ohrit një përvojë vërtet pasuruese. /atsh / KultPlus.com

Humbjet e një viti: Artistët që u ndanë nga jeta në vitin 2023

Viti që po lemë pas mori me vete edhe disa prej kolosëve të artit shqiptar, duke trishtuar familjarë, miq e dashamirës. Ndonëse të ikur fizikisht këta emra lanë pas vepra që do të jetojnë përgjithmonë.

Zef Deda

Humbjet e një viti: Artistët që ju bashkuan ëngjëjve

Aktori i mirënjohur shkodran Zef Deda, u nda nga jeta më 24 nëntor në moshën 73-vjeçare. Lajmi i trishtë u dha nga djali i tij Jul Deda me anë të një postimi në rrjetet sociale. Mësohet se aktori prej pak kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Zef Deda cilësohet si një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, ku ka spikatur për rolin Charlie Chaplin. Ka lindur në Shkodër më 27 korrik 1950.

Mirush Kabashi

Humbjet e një viti: Artistët që ju bashkuan ëngjëjve

Nuk mundi ta fitojë betejën me sëmundjen e rëndë dhe u nda nga jeta në moshën 75 vjeçare aktori Mirush Kabashi. Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij ka qenë nga Gjakova. Kabashi ka qenë aktor i rreth 100 roleve, në teatër, filma, dhe shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.

Mimica Luca

Humbjet e një viti: Artistët që ju bashkuan ëngjëjve

Aktorja e mirënjohur Mimica Luca u shua më 21 shkurt 2023 në moshën 84 vjeçare, pasi pësoi ishemi cerebrale. Luca ishte bashkëshortja e aktorit tjetër të mirënjohur shqiptar Ndrekë Luca dhe ka interpretuar në 12 filma artistikë shqiptarë.

Lutfi Hoxha

Humbjet e një viti: Artistët që ju bashkuan ëngjëjve

Aktori i mirënjohur Lutfi Hoxha u nda nga jeta në moshën 89 vjeçare. Ai mbehet një nga kolosët e roleve dytësore në kinematografinë shqiptare dhe një nga themeluesit e Teatrit profesionist të Durrësit. Hoxha numëroi rreth 7 dekada jetë skenike në kinematografi dhe mbi 100 role në teatër.

Ilmi Belshaku

Humbjet e një viti: Artistët që ju bashkuan ëngjëjve

Ka humbur jetën më 13 shtator 2023 në moshën 81-vjeçare aktori i mbi 300 roleve në teatrin “Skampa” Ilmi Belshaku. Ai e humbi betejën me jetën pas një sëmundje të rëndë që e mundoi deri në frymën e fundit.

Lekë Mosi

Humbjet e një viti: Artistët që ju bashkuan ëngjëjve

Është ndarë nga jeta në moshën 98-vjeçare, aktori Lekë Mosi, pjesë e trupës së Estradës Profesioniste të Sarandës.

Agim Rada

Humbjet e një viti: Artistët që ju bashkuan ëngjëjve

Nuk mundi ta fitojë betejën me një sëmundje në mushkëri dhe u nda nga jeta më 11 korrik 2023 në moshën 70 vjeçare skuptori Agim Rada. Agim Rada lindi më 24 maj 1953 në Tiranë. Punimet i tij përfshin statujat, skalitur në bronz të figurave të tilla si Marin Barleti, Gjergj Elez Alia, Onufrit, dhe Petro Marko. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike Rada ka preferuar të gdhendi figurat e personaliteteve kombëtare që nuk kanë patur lidhje me politikën.

Anastas Nika

Humbjet e një viti: Artistët që ju bashkuan ëngjëjve

Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar Anastas Nika ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare më 21 qershor 2023. Nika vuante nga një sëmundje e rëndë, betejën me të cilën nuk mundi dot ta fitojë. Nika ka realizuar rreth 130 role në skenë, kinema dhe televizion, si dhe ka shkruar e shfaqur në skenë mbi 70 vepra e shfaqje të gjinive të ndryshme letrare.

Evans Rama

Humbjet e një viti: Artistët që ju bashkuan ëngjëjve

Këngëtari Evans Rama u nda papritur nga jeta më 20 prill 2023. Këngëtari vuante nga një sëmundje e rëndë çka i mori jetën në moshën 50 vjecare. / KultPlus.com

Libri “Misioni i Shkrimtarit” i nobelistit Elias Canettit para lexuesve

Librin me ese të zgjedhura me titullin “Misioni i shkrimtarit” i nobelistit Elias Canetti, përkthyer nga gjermanishtja në shqip nga Naim Kryeziu, i cili këto ditë u promovua në KultPlus, bashkë me disa libra të tjerë që dolën në dritë nga Botimet REA, tashmë mund ta gjeni në librarinë “Artini”.

Në këtë libër janë përfshirë ese të zgjedhura: Misioni i shkrimtarit, Tolstoji, stërgjyshi i fundit, Georg Byhneri, Libri im i parë: “Verbimi” dhe Karl Krauzi i ri. 

Këto ese dëshmojnë për gjenialitetin e nobelistit Canetti, veçanërisht për misionin e shkrimtarit në realizimin e projekteve të ndryshme që lidhen me krijimtarinë letrare, por edhe me proceset sociale.

Botimi i këtij libri është përkrahur nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.

Pasthënie nga Sali Bashota

PESË ESETË E KANETIT

Pesë esetë e Elias Kanetit, siç janë: ”Misioni i shkrimtarit”, “Tolstoji, stërgjyshi i fundit”, “Georg Byhneri”, “Libri im i parë: ”Verbimi” dhe “Karl Krauzi i ri”, shquhen  me idetë, përmbajtjen, veçoritë, ligjërimin, por edhe me tipare të tjera që dëshmojnë për trajtimin e shumë temave themelore, të cilat karakterizohen përmes mendimeve universale në nivelin më të përkryer të domethënieve letrare, sociologjike dhe filozofike.

Nobelisti i Letërsisë, Kaneti pasionin e tij krijues e funksionalizon përbrenda shtresave kuptimore që e kanë madhështinë e vet, pikërisht me vlerësimin që iu bën fenomeneve dhe dukurive shoqërore, por edhe çështjeve dhe problemeve, të cilat ndërlidhen me kulturën, artin, letërsinë, qytetërimet , etj.

Përvoja e tij krijuese dhe jetësore e kodifikon misionin e intelektualit në rrethana të caktuara me realitetin ekzistues. Aty ku mbaron përballja me pushtetin, pikërisht aty fillon vetmia e krijuesit. Prandaj, në esetë e Kanetit shëmbëlltyra e Byhnerit, Tolstoit, Krauzit trajtohet përtej ndodhive historike, me gjithë dramaticitetin e jetës krijuese dhe formatin e fatit të intelektualit të kohës. Për më tepër, Kaneti i fuqizon etapat intelektuale përbrenda një diskursi specifik midis letërsisë, filozofisë dhe sociologjisë. Pikërisht këtu ngadhënjen realiteti artistik, duke e përcaktuar historinë e mendjes njerëzore, madje deri të mospërfillja e konkretes. Në esetë e Kanetit mbizotëron beteja e brendshme shpirtërore me mishërimin që frymëzohet nga jeta dhe nga veprat e personaliteteve të rëndësishme të kulturës botërore.

Eseja “Misioni i shkrimtarit”, është një ligjëratë e Kanetit, të cilën e ka mbajtur në Munih të Bavarisë, në vitin 1976. Në këtë ese, Kaneti paraqet mendime interesante për njeriun që shkruan, pra, për shkrimtarin dhe për misionin e tij jetësor dhe krijues. Trajtimi i fenomeneve dhe dukurive jetësore, të cilat ndërlidhen me misionin e shkrimtarit paraqiten përbrenda kontinuitetit të ideve dhe koncepteve të Kanetit, që e paraqet për shoqërinë njerëzore, veçanërisht për kulturën dhe për letërsinë në rrethana të caktuara politike e shoqërore. Ndër të tjera, Kaneti, thotë: ”Shkrimtari do të jetojë sipas një ligji që është i tij, por që s’është prerë sipas masës së tij”.

Duke iu referuar shkrimit të një autori anonim, Kaneti përmend arsyen e thjeshtë që   mbërrin deri tek absurdi për të penguar luftën edhe pse pikërisht shkrimtari do të mund të ishte një faktor i tillë. Prandaj, ironizimi me këtë paragjykim shkon përtej këtij konstatimi. Gjithashtu, në këtë ese trajtohen mjaft preokupime dhe shqetësime që ndërlidhen me botën krijuese dhe me misionin e shkrimtarit. Çështjet esenciale që shtrohen këtu kanë të bëjnë me fenomenin e luftës dhe me absurditetin e përfytyrimit të krijuar për të.

Në esenë “Misioni i shkrimtarit”, Elias Kaneti e paraqet shkrimtarin si “ruajtës të metamorfozave”. Për më tepër, dhuntia e metamorfozave i detyrohet shkallës së njohjes dhe të vetënjohjes, për të ndërtuar konceptin e qartë midis të vërtetës artistike dhe të vërtetës njerëzore. Shembujt karakterizues me veprat “Metamorfoza” e Ovidit, “Odiseja” e Homerit, “Epi i Gilgameshit”, e përforcojnë mendimin se nëpërmjet metamorfozës njeriu e ka përvetësuar botën, aty ku është hiçi, pikëllimi, dëshpërimi, lumturia. Në këtë ese, Kaneti e shqipton domethënien e krijimtarisë letrare, filozofike dhe intelektuale, profilin e shkrimtarit, pretendimin e tij të paarsyeshëm për të mbajtur përgjegjësinë dhe për të hapur rrugën e afrimit midis njerëzve, pastaj pushtetin e personazheve, gjallërinë e miteve, etj.

Në esenë “Misioni i shkrimtarit”, paraqitet detyra e mirëfilltë e shkrimtarëve. Kaneti e artikulon mishërimin e shpresës së shkrimtarit për të mbërritur efektin simbolik të ideve. Kërkesa e tij është e qartë: “shkrimtari mund të jetë ai që ndien përgjegjësi”. 

Në esenë “Tolstoi, stërgjyshi i fundit ” trajtohet vetëm jeta e Tolstoit deri në shndërrimin e saj në një legjendë. Pra, nuk është trajtuar vepra e tij. Është dhënë një evidentim i kronologjisë së disa etapave të biografisë së tij, të cilat ndërlidhen me përjetimet e Tolstoit. Është bërë një tipizim i shëmbëlltyrës së tij në raport me të tjerët.

Po kështu, edhe në esenë “Georg Byhneri”, substanca e ideve të Kanetit ndërlidhet me botën e shkrimtarit, duke konstatuar se Bynheri ia ka ndërruar jetën, më shumë se çdo shkrimtar tjetër. Në këtë ese më shumë flitet për veprën sesa për jetën e Byhnerit. Përmbajtja dhe veçoritë kryesore të krijimtarisë së tij letrare ndërlidhen edhe me doktrinat e ndryshme filozofike.

Kaneti vë në sprovë mjaft dukuri dhe fenomene që lidhen me letërsinë, me kulturën dhe me  shoqërinë, duke dhënë interpretime dhe vlerësime kritike.

Në esenë “Libri im i parë: ”Verbimi”, Kaneti flet për procesin krijues të veprës së tij, si dhe për aktin e leximit të veprave të ndryshme të letërsisë botërore, të cilat e kishin pëlqimin e tij, siç ishin, në radhë të parë “ E kuqja dhe e zeza” e Stendalit ose “Metamorfoza” e Kafkës.

Komunikimin e tij letrar Kaneti e fuqizon edhe përbrenda dimensionit të shoqërisë njerëzore, ku shkrimtarët duke e perceptuar vetveten, i shqiptojnë jo rrallë kundërthëniet me realitetin.

Në esenë “Karl Krauzi i ri”, e cila është një ligjëratë e mbajtur në Akademinë Berlineze të Arteve, Kaneti e portretizon figurën e Karl Krauzit, duke e cilësuar si satirikun më të madh të gjuhës gjermane, madje duke e krahasuar me autorë të mëdhenj, si: Aristofani, Juvenali, Suifti, Gogoli, etj.

Esetë sociologjike, filozofike dhe letrare të Elias Kanetit kanë një frymë të përhershme universale. Në thelb, në to përshkruhet jeta dhe vepra e shkrimtarëve ose trajtohen fenomene dhe dukuri të shoqërisë njerëzore si dhe të realitetit historik nëpër etapa dhe periudha të caktuara. Gjithsesi, janë mendime të vrullshme që e kanë frymëzimin e vet, madje me traditën shkrimore, duke mbetur trashëgimi të mendimit filozofik, letrar, sociologjik edhe sot. Esetë e Kanetit dëshmojnë se sa e fuqishme është fjala në jetën shpirtërore të njerëzimit ose sa të rëndësishëm janë personalitetet e mëdha krijuese që u paraprijnë proceseve të shoqërisë njerëzore.

Me përkthimin e eseve të Kanetit, pastaj të veprës me tregime “Shtatë legjendat” të Kellerit, romanit “Dyshimi” të Dyrrenmatit, si dhe të veprave të tjera, Naim Kryeziu, ka dëshmuar profilin e një ndër përkthyesit më të njohur nga gjermanishtja në gjuhën shqipe. Prandaj, vepra me ese të zgjedhura “Misioni i shkrimtarit” e Elias Kanetit, gjithsesi, e ka mjeshtërinë e shkrimit, pikërisht me shenjat e veta të përveçme.

Shënime për përkthyesin

Naim Kryeziu ka lindur më 1964 në Roganë të Kamenicës (Kosovë). Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në vendlindje. Ka kryer studimet për gjuhë e letërsi gjermane në Universitetin e Prishtinës dhe më vonë studimet pasuniversitare në shkencat e letërsisë. Në Zvicër është marrë dhe merret me përkthime në fusha të ndryshme. Në vitin 2006 magjistroi me temën “Poezia e Hajnrih Hajnes e përkthyer në gjuhën shqipe”. Ndërsa, në vitin 2012, me udhëheqës shkencor akademikun austriak Karl Wagner, mbron temën e disertacionit me titullin“Vepra letrare e Hajnrih Hajnes dhe recepcioni i saj te shqiptarët”.

Në vitin 2008 fillon punën e bashkëpunëtorit në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në vitin 2013zgjedhet profesor asistent në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, në Fakultetin e Filologjisë, ndërsa nga viti 2023 zgjedhet profesor i rregullt.

Ka përkthyer vepra letrare nga shqipja në gjermanisht dhe anasjelltas. Në vitin 2015 përktheu veprën eseistike me titullin “Vetëdija e fjalëve”të nobelistit Elias Canetti. Për përkthimin e kësaj vepre i është dhënë çmimi i dytë nga Kancelaria Federale e Austrisë. Gjithashtu ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore, si dhe ka botuar punime shkencore në fushën e letërsisë e të përkthimit letrar në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Është sekretar i përgjithshëm i PEN Qendrës së Kosovës.

Ka botuar veprat:

“Hajnrih Hajne, Poet i lirisë dhe i dashurisë”, Rozafa, Prishtinë, 2012

 “Hyrje në përkthim dhe në interpretim”, Artini, Prishtinë, 2023

Nga shqipja në gjermanishte përktheu veprat:

Sali Bashota, ”Ndiz dritën magjike” – ”Schalte das magische Licht ein”, Magic Verlag, Basel, 2004

Ali Podrimja, Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Basri Çapriqi, ”Atëherë poeti tha”- “Dann sagte der Dichter”,  Magic Verlag, Basel, 2007

Agim Vinca, “Zogj të plagosur” – “Verwundete Vögel”, Magic Verlag, Basel, 2007

Sylë Arifi, ”Shteti i Kosovës – Një realitet i ri ndërkombëtar” – “Der Staat Kosova – Eine internationale neue Realität ”, Verein der Intellektuellen “Jakova”, 2010

Nga gjermanishtja në shqip përktheu veprat:

Yvonne-Denise Köchli, “Gra, edhe sa vjet doni të prisni”, Shtëpia botuese Rozafa,   Prishtinë, 2008

Friedrich Dürrenmatt, “Dyshimi”, Shtëpia botuese Elena Gjika, Tiranë, 2011

Elias Canetti, “Vetëdija e fjalëve” Shtëpia botuese Santori, Tiranë, 2015

Elias Canett, Histori e një dashurie – Nga letrat e Franc Kafkës për Felicen, Shtëpia botuese Santori, Tiranë, 2016

Gottfried Keller, “Shtatë legjenda”, Kosova PEN Center, Prishtinë, 2022. / KultPlus.com

Ministrja Nagavci: Në qershor nis testimi i mësimdhënësve për pagë më të lartë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar se në qershor të vitit të ardhshëm do të nisë testimi i mësimdhënësve për pagë më të lartë.

Ajo të enjten në konferencën për media të fundvitit, ka thënë se po bashkëpunojnë me Shqipërinë për hartimin e udhëzuesit për realizim të këtij procesi.

“Jemi në proces të udhëzuesit që do të bëjë realizimin dhe jemi në bashkëpunim me Shqipërinë, synimi është që nga qershori ta fillojmë testimin e mësimdhënësve për licencë të avancuar”, është shprehur Nagavci.

Ajo ka thënë se beson që mësimdhënësit nuk janë kundër këtij testimi.

“Unë besoj që mësimdhënësit nuk janë kundër kësaj, e do të jenë të suksesshëm në këtë. E unë nuk besoj që është mirë që SBASHK-u të dalë në krahë të mësimdhënësve që mund të kenë probleme”, është shprehur Nagavci.

Ajo ka folur edhe për rezultatet e testit PISA si dhe kërkesat që i janë drejtuar për dorëheqje pas rezultateve të dobëta që tregoi Kosova në këtë test.

“Unë kam parë reagime për testin Pisa, e të gjithë e dinë që problemet në arsim nuk mund të ndryshohen për 10 muaj … dorëheqja do të ishte puna më e lehtë, por angazhimi maksimal për të përmirësuar këtë situatë është më i vështirë”, është shprehur Nagavci, përcjell gazeta express.

Ajo ka folur edhe për procesin e furnizimit me libra. “Jemi duke e bërë analizë financiare për koston që është shpenzuar por edhe duke bërë krahasime me shtete të tjera. Informatat këtë vit do të jenë të hershme, para verës do të ndahen informatat sesi do t’i furnizojmë me tekstet shkollore”, ka theksuar Nagavci.

Ajo ka thënë se nuk kanë informata për mungesë të mësimdhënësve.

“Nuk kemi pasur asnjë informatë nga SBASHK-u për çështjen e mësimdhënësve, që janë duke pasur mungesë. Ne e dimë që disa fusha ka mungesë por jo për shkak të liberalizimit të vizave, por se nuk kanë zgjedhur studentë këto drejtime. Unë besoj që Kosova nuk do të ketë probleme me mësimdhënësit. Ne jemi duke u siguruar që profesioni i mësimdhënësit, të jetë profesion i dëshiruar dhe i vlerësuar”, është shprehur Nagavci.

Ajo ka folur edhe për kërkesën për udhëzimin administrativ për lejim të bartjes së shamisë në shkolla. Ka thënë se votimi i ligjeve për fushën e arsimit në Kuvend nuk duhet të kushtëzohet me hartimin e lejimin e bartjes së shamisë në shkolla.

“Do të ishte shumë mirë që deputetët e LVV-së por edhe nga deputetët e partive tjera t’i votojnë ligjet e fushës së arsimit në Kuvend. Për ne nuk ka kushtëzime. Ne e kemi obligim ta respektojmë Kushtetutën, pra asnjë nxënës nuk do të mbetët jashtë bankave shkollore”, ka deklaruar Nagavci. / KultPlus.com

Miratohet vizionimi i Çarshisë së Madhe në Gjakovë

Çarshia e Madhe e Gjakovës është një tërësi e rëndësishme urbane që bart vlera të trashëgimisë kulturore në nivel shtetëror. Me karakteristikat e saj arkitekturore dhe organizimin specifik urban, kjo tërësi formon një ansambël monumental karakteristik dhe me interes për t’u mbrojtur dhe promovuar.

Duke qenë i tillë, restaurimi dhe revitalizimi i kësaj hapësire është trajtuar me shumë seriozitet.  Ministria e Kulturës së Kosovës tashmë ka miratuar vizionimin e Çarshisë.

Ky vizionim vjen si iniciativë e Ministrisë së Kulturës, respektivisht Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, në bashkëpunim më OJQ, Ec Ma Ndryshe, dhe me kontribut të Komunës së Gjakovës ndërsa bazohet në metodologjinë e planifikimit me pjesëmarrjen e qytetareve, bizneseve dhe profesionistëve të fushës.

Në bazë të këtij projekti të konceptuar, MKRS ka vazhduar procedurat e hartimit të projektit të “Trasesë së Çarshisë së Madhe”, për t’i hapur rrugë implementimit të tij gjatë vitit 2024./ atsh / KultPlus.com

Fatmir Haxhiu, piktori që skaliti me pasione zjarri si penelatat lirike ashtu edhe ato historike

Nga Albert Vataj

Fatmir Haxhiu, ishte ai identitet artkrijues, i cili sendërgjoi një panoramë realiteti artistik sfidues. “Piktor i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” në këto vite të ikjes ka lënë pas një emër që renditet në fondin e artë të traditës së pikturës shqiptare. Ai ka lënë gjithashtu një testament të çmuar të kumtit estetik që parakalon përmes tablove të shumta. Megjithëse karriera e tij artistike vëllimin më të madh të punës e ka të kohështrir në periudhën e realizmit socialist dhe tematikat në një pjesë të konsiderueshme ishin të imponuara, ai diti të ishte një artit i dimensioneve të mëdha. Fatmir Haxhiu dhe emra të tjerë të kësaj periudhë, me artin dhe aktin krijues ditën të përcjellin një shije estetike të konsoliduar, të denja për t’u ndeshur me artin e kohës.

Duket sikur gjithçka po merr flakë, ngjyra të ndezura, ngjyra të zhurmshme, ngjyra që flasin. Shkëmbinj të thepisur, në një tokë të zhuritur… Malësorë dhe trima shqiptarë që luftojnë e vriten për paqe kundër serbëve. Një tokë që dridhet, shpata që ngrihen e godasin fort, kuaj që ulërijnë, pemë që bien nën qiellin e kuq e që shkallmon ndoshta më shumë se çdo lëvizje, rebelim, agresivitet, apo kërcënim kokfortë.

Një luftë e ashpër, një thirrje çjerrëse, një sfilitje sa shkatërruese aq edhe e ëmbël që lind, merr jetë, zhvillohet në dimensione, por që nuk vdes në “Tokën e zhuritur”. Asgjë nuk mund të vdesë në tokën e zhuritur. Është kaq e gjallë dhe shprehëse kjo luftë e përshkruar plot ngjyra midis shqiptarëve dhe serbëve agresivë. Aty ku gjithçka duket sikur po merr fund, aty vendosmërisht rilind një frymëmarrje, një forcë e re, një zhurmë e paqtë një fitore e sigurt për ata që janë veçse shqiptarët.

Në malet më të thepisura, në shkëmbinjtë më të akullt, ata janë të vendosur, që në këtë “performancë” spektakolare të luajnë më mirë se kurrë, të bërtasin më shumë se kurrë fitoren e paqes të varrosin përjetësisht shpirtin dyshues të triumfit. Sepse vetëm ata mund të jenë triumfatorë, ashtu sikurse e tregojnë edhe vetë ngjyrat, dinamizmi që zhvillohet, apo më mirë se të gjitha këto vetë autori i kësaj pikture mbresëlënëse, që të lë pa fjalë Fatmir Haxhiu.

Kështu vjen dhe prezantohet një ndër perlat e pikturës dhe të artit të Fatmir Haxhiut me plot ekspresivitet, dinamizëm, pasion për jetën dhe shumë vendosmëri për një performancë të pathyeshme. Ai me të drejtë mund të cilësohet si një sfidues i kohës sepse në çdo pikturë ai është përcjellësi i një kohe të caktuar, e cila në vazhdimësi, me kalimin e një hapësirë të pafund kohore, bën që vepra e tij të mbetet një kohë në vetvete. Është një ndër piktorët më të suksesshëm të gjithë brezave të tij, duke realizuar kështu një arsenal të pafund me piktura të mrekullueshme apo peizazhe, portrete, tablo kompozicionale, afreske e shumë të tjera.

Fatmir Haxhiu lindi në 28 dhjetor 1927 në qytetin e Gjirokastrës. I prejardhur nga një familje e mesme qytetare nga qyteti i Përmetit. Studimet e mesme i kryen në liceun e Tiranës, ndërsa në Zagreb studimet e Larta. Në vitin 1930 familja e tij u vendos me banim në qytetin e Tiranës ku kaloi gjithë jetën deri në ditët e fundit më 10 mars 2001. Që i ri ai ishte i etur për të shprehur çdo lëvizje, ndjenjë apo përshtypje në pikturë. Me një energji pozitive me shumë ëndrra dhe pasione ai kthehet në atdhe për ta vazhduar më tej rrugën e tij të artit. Dhe pikërisht në vitet 50 ai bëhet promotori dhe krijuesi i studios së pare ushtarake në Shqipëri, ku u pasua nga piktorë e skulptorë të rinj të sapo diplomuar në Liceun Artistik.

Dëshira e tij e zjarrtë për pikturë e bëri që të përfundojë studimet e pikturës me rezultate të shkëlqyera. Por edhe pas diplomimit ai vazhdoi të punojë si kuadër ushtrie, duke kryer kështu detyra me përgjegjësi të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve dhe anëtar i këshillit artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Aktiviteti artistik i Fatmir Haxhiut është i ndërthurur edhe me atë pedagogjik, ku për vite me radhë ka investuar për diplomimin e brezave të rinj të piktorëve me emër. Biografia e Fatmir Haxhiut është e pasur me shumë aktivitete të ndryshme, ku statuset e tij përmbushen falë talentit dhe profesionalizmit artistik të cilin e shohim të reflektuar në të gjitha veprat e tij.

Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, krijuesit e fushave të ndryshme të artit apo shkencës, kanë një fat tjetër: atë të pavdekësisë dhe ringjalljes pas vdekjes. Jo vetëm pllaka me emrin “Rr. Fatmir Haxhiu” dhe tjetra, vendosur në hyrje të shkallës së pallatit, ku ai jetoi dhe punoi për një kohë të gjatë, por në radhë të parë mbi 100 tablotë kompozicionale e shumë të tjera të gjinisë së portretit, peizazhit e punimeve grafike, e bëjnë të pavdekshëm Fatmir Haxhiun.

Ai i përket atij brezi piktorësh, që bënë epokë në gjysmën e dytë të shek. 20. Fatmir Haxhiu i qëndroi besnik deri në fund parimeve të tij krijuese: realizmit dhe pasqyrimit me vërtetësi të momenteve kyçe të historisë sonë kombëtare. Nuk është i rastit fakti, që ai ju përkushtua me aq pathos tablosë kompozicionale, duke na lënë vepra të nivelit europian. Në këto tablo historia e shqiptarëve erdhi epike, dramatike, duke na kujtuar eposin tonë dhe tragjizmin, që e përshkon atë. Nuk e teproj, po të them se tabloja “Me shpatë në dorë”, një nga më të mirat e Haxhiut, mund të vendoset denjësisht në çdo galeri botërore. Përpara pikturave të Fatmir Haxhiut ndjen jo vetëm emocione, por edhe dinamizëm të brendshëm, lëvizje, nerv, “zhurmë”, hingëllima kuajsh, zëra njerëzorë, thirrje luftarake, grahmat e fundit të atyre që bien në fushëbeteja. Atje është bota e trazuar shqiptare e ballkanase, por dhe bota e trazuar e vetë piktorit.

Mbaj mend që miku im, shkruan Enver Kushi në një shkrim për oiktorin, kur poeti brilant Frederik Rrepshja, njeri me shije aristokratike për artin, kur binte fjala për pikturën shqiptare, më thonte se ashtu si në letërsinë shqipe kemi një kryevepër realiste, siç është “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, në pikturë kemi Fatmir Haxhiun, që të trondit me tablotë realiste dhe gjallërinë e figurave. Kam qenë me fat, që nga mesi i viteve ’80 dhe vitet ’90, kam ndjekur nga afër, gjatë procesit krijues, shumë nga punët e Fatmirit. Edhe në dy shkrime të tjera, “Hingëllima e ngrirë e kuajve”, botuar pasi piktori shkoi dhe “Këmbanat duhet të bien”, botuar në mars 2005, kam shprehur mendimet e mia modeste për artistin e papërsëritshëm, mikun tim, që më mungon nga 10 marsi i vitit 2001. Shënimet e mëposhtme në formë kujtimesh, janë një homazh për njeriun dhe piktorin Fatmir Haxhiu. Të ishe mik i Fatmir Haxhiut ishte privilegj, të cilin si shumë të tjerë, e kam patur edhe unë. Tek ai dhe familja e tij, kam ndjerë ngrohtësi njerëzore, veçanërisht në disa momente dhimbjesh, apo fatgoditje gri, që kanë qenë jo të pakta dhe bashkëshoqëruese prej vitesh e jetës time …

Pengu i piktorit

Fatmir Haxhiu shkoi në prag të Ditës së Verës, më 10 mars të vitit 2001. Them “shkoi”, sepse fjala vdekje ose ndërroi jetë, tingëllon keq para emrit të çdo krijuesi të fushës së artit, kulturës apo shkencës. Ai pati një goditje të beftë në zemër, jo në ndonjë fushëbetejë lufte, por në një fushëbetejë tjetër: atë të shahut. Vetëm kështu mund të shkonte ai si qindra luftëtarë të tablove, që kishte pikturuar gjatë gjithë jetës. Fatmir Haxhiu shkoi me një peng të madh, sepse nuk arriti të realizojë, ndoshta ëndrrën e tij të fundit, pikturën murale “Beteja e Fushë Kosovës”. Gjatë vitit 2000 dhe pak kohë para se të shkonte, piktori kishte rrugëtuar për në Kosovë, ku ishte njohur me vendin, ku më 1389 ishte zhvilluar beteja e ballkanasve të bashkuar me ushtrinë otomane. Në Tiranë ai punoi intensivisht dhe bëri gati bocetin, që do ta realizonte gjatë muajve prill ose maj në Muzeun e Prishtinës. Pikturën murale do t’ia dhuronte Kosovës. Boceti mbeti i parealizuar dhe është në dhomën studio të shtëpisë së piktorit ku ruhet me kujdes nga familja e tij. / KultPlus.com

Kushtetuta e 1976 shpalli Shqipërinë ateiste dhe i dha Byrosë Politike kontroll absolut mbi të gjitha pushtetet

Më 28 dhjetor 1976, u miratua Kushtetuta që e shpalli Shqipërinë ateiste. Duke përligjur ndalimin e besimit fetar, Republika Popullore Socialiste Shqiptare vendosi kontroll të plotë mbi të gjitha pushtetet.

“Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur të njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”, -citon DPA, nenin 37 të kësaj Kushtetute, në kreun I mbi rendin shoqëror.

Pjesëmarrja në ceremoni fetare dhe zotërimi i librave të karakterit fetar ishin të dënueshme. Shteti ndërmori fushatën e përndjekjes së klerit, në sajë të një sulmi sistemik në media dhe në kinematografi, me qëllim përdhosjen e figurave të besimit dhe propagandimin e linçimit të tyre. Objektet e kultit u shembën, librat e shenjtë u dogjën në sheshe, priftërinj dhe imamë u burgosën dhe u ekzekutuan.

Në këtë periudhë, Shqipëria po shkonte drejt izolimit të plotë, pas shkëputjes së marrëdhënieve me vendet kryesore të kampit komunist./ atsh / KultPlus.com

Google: 10 risitë që bënë histori në 2023

    

2023 ishte një vit plot risi për Google, i cili nisi shumë projekte, mjete dhe eksperimente të bazuara në inteligjencën artificiale. Përpara se të mirëpresë vitin 2024, kompania bën një bilanc të 23 inovacioneve që kanë shënuar një pikë kthese në historinë e saj.

Midis tyre, spikat Përvoja Gjeneruese e Kërkimit (SGE), një veçori e re që lejon përdoruesit të krijojnë përmbajtje origjinale dhe të personalizuar duke filluar nga kërkimet e tyre, duke shfrytëzuar fuqinë e AI gjeneruese. Kompania prezantoi edhe projekte të tjera interesante, të cilat kanë të bëjnë me fusha të tilla si celulari, ueb, cloud, dizajn etj.

1. Gemini: një zbulim i madh në AI

Gemini, modeli më i avancuar i AI i Google, u lançua në dhjetor 2023 dhe do të vazhdojë të zhvillohet gjatë vitit të ardhshëm. Mund të përpunojë dhe kombinojë tekst, audio, video dhe kod. Është i disponueshëm në tre versione (Ultra, Pro dhe Nano) dhe është i integruar në produkte të tilla si Google Bard.

2. Bard: asistenti i ri i AI nga Google
Google Bard zbarkoi në Itali në korrik 2023. Asistenti i AI, i lançuar pas Bing Chat të Microsoft, u ofron përdoruesve një përvojë interaktive dhe bisedore. Në vetëm pak muaj ai ka evoluar në mënyrë të konsiderueshme, me aftësi gjithnjë e më të sakta, analiza imazhesh dhe video, integrim në shumë shërbime të Google, etj.

3. SGE: Përgjigje të menjëhershme në kërkim
Si mund të mos flasim për Përvojën Gjeneruese të Kërkimit? Një eksperiment nga Search Labs, i cili përdor AI gjeneruese për të ndihmuar përdoruesit të marrin informacion më shpejt mbi një temë, direkt në motorin e kërkimit.

4. Google Maps: Zhytje më e madhe
Google Maps prezantoi shikimin gjithëpërfshirës në tetor 2023, duke i lejuar përdoruesit të shikojnë rrugët në një mënyrë tërheqëse. Kjo veçori i ndihmon përdoruesit të planifikojnë udhëtime në mënyrë më efikase duke vënë në pah automjetet elektrike. Përdoruesit do të kenë gjithashtu më shumë kontroll mbi të dhënat e vendndodhjes së tyre, siç u njoftua në dhjetor.

5. Prova e veshjes virtuale
Në qershor 2023, Google lançoi një mjet AI që lejon përdoruesit të provojnë praktikisht rrobat, drejtpërdrejt përmes Google Shopping. Duke përdorur një grup prej 80 modelesh të botës reale nga XXS në XL, mjeti mbulon një gamë të gjerë të toneve të lëkurës, formave, etnive dhe llojeve të flokëve, duke ofruar një përvojë më gjithëpërfshirëse dhe të personalizuar të blerjeve në internet.

6. Chrome: pamje e re dhe veçori të reja
Për ditëlindjen e tij të 15-të, Google Chrome mori një përditësim të madh, duke përfshirë një pamje të re për Dyqanin e Uebit të Chrome, përditësime në shiritin e adresave, sugjerime përkatëse kërkimi, kërkime në tendencë dhe “prek për të kërkuar”, duke përmirësuar përvojën e përgjithshme të përdoruesit.

7. Fact-checking dhe verifikimi i imazhit
Big G ka përforcuar mjetet e tij të verifikimit me Fact Check Explorer, i cili tani përfshin një veçori të verifikimit të imazhit. Për më tepër, veçoria “Rreth këtij imazhi” në kërkimin e Google ofron informacion në lidhje me historikun e uebit të një imazhi, përdorimin e tij në sajte të ndryshme dhe metadatat e tij, duke e bërë më të lehtë verifikimin e informacionit në internet.

8. 25 vjet kërkim në Google
2023 shënon gjithashtu 25 vjetorin e motorit të kërkimit! A është kjo arsyeja pse viti 2023 pa një risi kaq të madhe?

9. NotebookLM për kërkime
NotebookLM, i mundësuar nga inteligjenca artificiale e Google, ndryshon mënyrën se si lexoni, mbani shënime, bëni pyetje dhe organizoni ide duke ofruar udhëzime dhe burime. Për tregtarët, në të ardhmen mund të personalizohet për transkriptet e takimeve, citimet e librave, kapitujt e romanit ose dokumentet e biznesit, duke u bërë një burim i vlefshëm për kërkimin dhe gjenerimin e ideve.

10. Duet AI për Google Workspace
Duet AI për Google Workspace mundëson shkrimin, vizualizimin dhe organizimin bashkëpunues të ndihmuar nga AI, duke përmirësuar rrjedhat e punës krijuese. Ai funksionon për të thjeshtuar detyrat e zakonshme në Gmail, Docs, Sheets, Slides dhe Meet. Për të përdorur Duet AI, përdoruesit duhet të kenë një plan të përshtatshëm të Google Workspace. /zero1.al / KultPlus.com

Greva e punonjësve i vë “kyçin” Kullës Eifel

Kulla Eiffel është mbyllur për publikun këtë të mërkurë (27 dhjetor) pasi stafi hyri në grevë në 100 vjetorin e vdekjes së krijuesit të saj, Gustave Eiffel.

Turistëve të zhgënjyer që kishin rezervuar bileta për të hyrë në monumentin 134-vjeçar iu tha se do të kontaktoheshin me email.

Sindikata e fuqishme CGT tha se veprimi industrial që po zhvillohej përpara negociatave për kontratën me Bashkinë, e cila zotëron kullën, ishte në protestë ndaj “mënyrës aktuale të menaxhimit të saj”.

Udhëheqësit e sindikatës pohojnë se kompania operuese, SETE, po “shkon drejt katastrofës” sepse modeli i saj i biznesit është “shumë ambicioz dhe i paqëndrueshëm” dhe i bazuar në një vlerësim tepër optimist të të ardhurave të ardhshme nga shitja e biletave dhe një nënvlerësim të shpenzimeve spirale të mirëmbajtjes dhe riparimit.

Kulla Eifel, një nga atraksionet më të vizituara në botë, tërhoqi afro 7 milionë vizitorë në vit, tre të katërtat e tyre turistë të huaj, përpara pandemisë Covid. Pasi u hoqën mbylljet e detyrueshme dhe kufizimet e udhëtimit, numri u rrit në 5.9 milion vizitorë në 2022.

Gustave Eiffel ishte 91 vjeç kur vdiq më 27 dhjetor 1923./rtsh.al/ KultPlus.com

Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2022, “Një engjëll veshë me frak” i Stefan Çapalikut, romani më i mirë

Është mbajtur ceremonia e shpalljes së fituesve të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2022 nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Kjo ditë kulmoi dhe me 124 vjetorin e lindjes së poetit  të madh Lazgush Poradeci. Të pranishëm në këtë eveniment ishin Ministrja e Kulturës Elva Margariti, shkrimtarë, përkthyes dhe botues.  

Juria e ngritur, ka vlerësuar prurjet në disa zhanre duke shpallur fitues Stefan Çapaliku me librin “Një engjëll veshë me frak” si romani më i mirë i vitit”; Olimbi Velaj me librin “Lumturia e të tjerëve” fiton çmimin “Vëllimi më i mirë poetik i vitit”;  Xhemal Lloshi fiton çmimin “Vepra më e mirë studimore letrare e vitit”; Behar Jacaj me librin “Hoteli përbri Kishës” fiton Çmimin “Vëllimi më i mirë me tregime”; Mira Meksi me “Vjeshta e patriarkut” fiton Çmimin si “Përkthimi më i mirë”; autorja Edi Gogo fiton Çmimin “Libri më i mirë për fëmijë”

Çmimet Kombëtare të Letërsisë janë një traditë e hershme e krijuar ndër vite për të vlerësuar krijimet më të mira të një viti duke motivuar dhe duke shtyrë përpara autorët e veprave. / rtsh / KultPlus.com