“This Barbie is the President”, fraza e Osmanit iu bie në sy edhe mediave ndërkombëtare

Fraza e fundit me të cilën përmbylli fjalimin para gazetarëve në fundvit presidentja Vjosa Osmani ishte një e shkëputur nga filmi i famshëm i këtij viti “Barbie”.

Për këtë Osmani mori vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

Një artikull për këtë e ka shkruar media amerikane, Politico.

Me një xhaketë sportive rozë të ndezur, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kishte një mesazh për të mbyllur një konferencë për shtyp për gazetarët, shkruan ky medium.

“This Barbie is the President”, tha ajo, duke bërë shenjë me veten ndërsa dhoma shpërtheu në duartrokitje.

Osmani – e cila u zgjodh si presidentja e dytë grua e Kosovës në vitin – ka qenë një avokate dhë mbështetëse e barazisë gjinore në vendin e vogël ballkanik, duke folur kundër dhunës ndaj grave dhe duke kryesuar kabinetin më të barabartë gjinor në historinë e Kosovës.

“Në arsim, sport, kulturë, biznes, shkencë apo politikë, gratë kanë treguar se janë të afta të arrijnë majat e suksesit… Për të gjitha gratë dhe vajzat e republikës, sot dhe çdo ditë: Mos ndaloni kurrë së ëndërruari, por më e rëndësishmja, kurrë mos ndaloni së besuari”, tha Osmani në një deklaratë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas këtë vit.

Barbie, filmi kryesor i Hollywoodit i verës 2023, ka një tjetër lidhje befasuese me Prishtinën. Filmi përfshin një skenë të këngëtares angleze dhe shqiptare Dua Lipa, e cila u emërua Ambasadore Barbie — më falni, ambasadore nderi — e Kosovës në vitin 2022.

Aktualisht nuk ka ndonjë të dhënë nëse Barbieland e njeh Kosovën, përmbyll artikullin Politico. /KultPlus.com

Pulitzer, gazetari emrin e të cilit e mban një çmim i veçantë

Joseph Pulitzer ishte një gazetar, editor dhe politikan hungaroamerikan. Lindur në Makó, në Hungari, dhe emigruar në Shtetet e Bashkuara, Pulitzer u bë një reporter dhe editor i famshëm. Një shpërblim i tij, Pulitzer, më i rëndësishmi në fushën e gazetarisë, që u caktua për herë të parë në vitin 1917, sipas dëshirës së lënë nga gazetari.

Fillimet

Pulitzer emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 1864, gjatë luftës së secessionit amerikan. Pas përfundimit të konfliktit u vendos në St. Louis, në Missouri, filloi të punojë për një gazetë në gjuhën gjermane, Westliche Post, më 1868. Në zgjedhjet parlamentare në Missouri, më 1869, Partia Republikane e paraqitën si kandidat të saj në një kolegj që demokratët e konsideronin të blinduar. Befas ai u zgjodh duke mundur kandidatin demokrat.

Vazhdoi një periudhë të shkurtër me republikanët për të kaluar tek Partia Demokratike, deputet i së ciës u bë më 1885. Më 1872, Pulitzer bleu The Post për 3.000 dollarë. Pastaj, në vitin 1878, bleu edhe St. Louis Dispatch për 2.700 dollarë, si dhe dy gazeta, të cilat e shndërruan The St. Louis Post-Dispatch, e cila mbetet ende sot e përditshmja kryesore e qytetit.

New York World

Në vitin 1883, Pulitzer bleu edhe The New York World (një gazetë që po qëndronte me humbje prej rreth 40.000 dollarë në vit) për 346.000 dollarë nga Jay Gould. Pulitzer e ktheu vëmendjen tek lajmet me interes njerëzor, skandalet dhe sensazionalizmi. Pulitzer ishte bërë një urë ndërmjet shoqërisë amerikane dhe emigrantëve që e popullonin Nju Jorkun në vitet e fundit të shekullit XIX. Në brendësi të gazetës së tij vendosi rubrika të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në gjithë shtypin botëror, përfshiu reklama tregtare.

Emigrantët e shohin gazetën e Pulitzerit si një pikëtakim ku ata grumbullohen në një vend që nuk ishte (ende) i tyre. Në vitin 1885, një vit më vonë, kur do të zgjidhej në Dhomën e Përfaqësuesve, punësoi Richard F. Outcaultin për të sjellë ilustrime bazuar në jetën e përditshme në rrethinat më të varfëra; kështu gazeta arriti në 600.000 kopje – kundrejt 15.000 sa ishte kur e bleu gazetën – duke e bërë The New York World të parën të përditshme të Shteteve të Bashkuara. Atë vit u bë protagonist i mbledhjes së fondeve për ndërtimin e bazamentit për Statujën e Lirisë, i cili u përurua më 26 tetor 1886. Falë kësaj iniciative u grumbulluan 100.000 dollarë.

Në vitin 1887, filloi të punojë në The New York World gazetarja Elizabeth Cochran, e cila do të bëhej e famshme me pseudonimin Nellie Bly, së cilës Pulitzer ia beson disa hetime të bëra më vonë të famshme si, si keqtrajtimet ndaj pacienteve femra në spitalin psikiatrik të qytetit me titull “Ten Days in a Mad-House” ( “Dhjetë Ditë në një shtëpi të çmendur “). Ky hetim pati jeohnë tejet të madhe në publik dhe i deturoi autoritetet të marrin masa të posaçme.

Udhëtimi rreth botës

Më 1888 Pulitzer kishte idenë e realizimit të asaj që shkrimtari francez Jules Verne kishte imagjinuar në një nga librat më të famshëm të tij, Udhëtim rrotull botës për 80 ditë. Pulitzer ia ngarkoi këtë mision gazetares Nellie Bly dhe ajo e sfidoi duke realizuar udhëtimin në më pak se 80 ditë. Më 14 nëntor 1889 ajo u nis nga Hoboken, në Nju Xhersi, për udhëtimin e saj prej 40 000 kilometrash. Më 25 janar 1890 Nellie arriti në New York, pas shtatëdhjetë ditësh, një rekord absolut (edhe pse u përmirësua pak muaj pas nga George Francis Train, i cili përfundoi udhëtimin në 60 ditë). Ditari i saj Around the World in Seventy-two Days (Rrotull botës në shtatëdhjetë e dy ditë) ishte një sukses i madh.

Sulmi

Po më 1890, botuesi i revistës “New York Sun”, e sulmoi Pulitzerin në gazetën e tij, duke e definuar “hebreu që ka braktisur fenë e tij” (babai i Pulitzerit ishte hebre, nëna katolike, ndërsa gruaja, Kate Davis, ungjillore). Ky veprim, që kishte për qëllim t’ia largonte Pulitzerit lexuesit e besimit të krishterë, e përkeqësoi shëndetin e gazetarit, tashmë jo në gjendje të mirë, dhe e detyroi atë të largohet nga drejtimi i gazetës, duke mbajtur, megjithatë, kontrollin financiar.

Në vitin 1895, William Randolph Hearst bleu The New York Jurnal, duke filluar një betejë gazetareske kundër The New York World të Pulitzerit. Kjo garë me Hearstin, sidomos para dhe pas Luftës Spanjollo-Amerikane, e lidhi emrin e Pulitzerit me gazetarinë e karakterizuar nga sensacionizmi apo spekulimet skandaloze. Më 1896, The New York World inauguroi një shtojcë me ngjyra, një inovacion absolut për atë kohë.

The New York World denoncoi një skandal që përfshinte një pagesë mashtruese prej 40 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara në kompaninë franceze të French Panama Canal Company në vitin 1909, dhe Pulitzer u hodh në gjyq nga Theodore Roosevelt dhe John Pierpont Morgan. Gjykata hodhi poshtë akuzat duke vendosur një fitore të rëndësishme për lirinë e shtypit. Më 1892, Pulitzer i propozoi presidentit të Universitetit të Kolumbias, Seth Low, të krijonte një shkollë të gazetarisë dhe ofroi veten si huadhënës i kursit.

Do të ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë. Universiteti fillimisht nuk pranoi propozimin dhe paratë, por në vitin 1902 presidenti i ri i Universitetit, Nicholas Murray Butler, pranoi kërkesën. Por projekti u realizua vetëm pas vdekjes së Pulitzerit, i cili nuk mund të admirojnë ëndrrën e tij të realizuar. Me vullnetin e tij, Pulitzer dhuroi 2 milionë dollarë në universitet, gjë që çoi në krijimin e Shkollës së Studimeve të Avancuara të Gazetarisë në vitin 1912; megjithatë, nuk ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë, pasi u parapri nga Universiteti i Misurit.

Çmimi i parë

Më 1917 u dha Çmimi i parë Pulitzer, në përputhje me dëshirat e Pulitzerit; shkolla e gazetarisë që ai donte mbetet më prestigjiozja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot. Joseph Pulitzer vdiq ndërsa ishte në bordin e jahtit të tij në portin e Charleston, Karolina e Jugut, në vitin 1911. Ai është varrosur në Varrezat e Woodlawn në Nju Jork (në rrethin e Bronksit)./ KultPlus.com

Elez Isufi – patriot dhe udhëheqës popullor i shquar

Elez Isufi vdiq më 29 dhjetor të vitit 1924 pas plagëve të marra në betejën e Peshkopisë.

Ai njihet si patriot dhe udhëheqës popullor i shquar i mbrojtjes së Pavarsisë Kombëtare dhe integritetit territorial të Shqipërisë.

Isufi udhëhoqi luftën kundër serbëve në vitin 1912 dhe mbështeti Qeverinë e Vlorës duke kundërshtuar veprimet e Esat Pashë Toptanit.

Në gusht të vitit 1920, ai udhëhoqi Luftën e Dibrës kundër pushtuesve serbë dhe ishte midis organizatorëve të lëvizjes së marsit të vitit 1922, e cila shpërtheu në Dibër dhe u përhap në Tiranë. / KultPlus.com

Përvjetori i “Karnavaleve”, Arkivi Qendror i Filmit kujton premierën e komedisë muzikore

43 vjet më parë, më 29 dhjetor të vitit 1980, mbahej premiera e filmit “Karnavalet”, me regji të Ismail Zhabjakut (1932-1992).

Filmi i zhanrit kino-komedi muzikore(musical) u xhirua në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit. Aktori Mirush Kabashi (1948-2023) u nderua me medalionin për rolin e Nikollaqit, në Festivalin IV të Filmit Shqiptar.

Ekranizim i komedisë “Karnavalet e Korçës” shkruar nga Spiro Çomora. Në ditët e karnavaleve shërbyesja Nasta dhe Loni vënë në lojë tregtarin Nikollaq Jorganxhi dhe bashkëshorten e tij Olimbinë, të cilët i konsiderojnë si të zbrazët, materialistë dhe injorantë.

Filmi “Karnavalet” është komedia e parë muzikore shqiptare./ atsh / KultPlus.com

Raporti i Gallup: Kosova e Shqipëria, mbesin ndër vendet më optimiste në botë

Raporti i fundit i Gallup International shpalos një pamje alarmuese për frikën globale nga konfliktet ushtarake dhe vështirësitë ekonomike, gjersa në këtë kontekst të ndërlikuar të zhvillimeve globale, Kosova dhe Shqipëria shkëlqejnë si ndër vendet më optimiste në botë duke treguar një frymë pozitive dhe shpresë për një të ardhme më të ndritshme nën kushtet e vështira të kohës së sotme.

Gallup International, në vazhdën e studimit më të gjatë në botë, i cili filloi në vitin 1979, ka vazhduar dhe këtë vit me matjen e indeksit të Shpresës, Lumturisë dhe pritjet për situatën ekonomike.

Përmes Kantar (Index Kosova), Kosova është pjesë e studimit të Gallup International që nga viti 2000. Studimi zhvillohet çdo fund-vit, transmeton Telegrafi.

Këto janë disa nga gjetjet e studimit global nga Asociacioni Gallup International.

Rreth 26% të qytetarëve anembanë globit presin vit më paqësor në vitin 2024, por 39% presin të kundërtën – vit më të trazuar.

Para disa vitesh, Indeksi i optimizmit global të paqes zbuloi përqindje të njëjta të optimistëve dhe pesimistëve. Tani, si duket lufta e Ukrainës ka zgjuar frikën anembanë globit.

Përderisa në Kosovë 33% presin vit më paqësor dhe 42% vit më të trazuar, në Shqipëri qytetarët duken më pak të brengosur – 45% presin vit më paqësor dhe vetëm 20% vit më të trazuar.

Në Ukrainë 26% presin vit më paqësor dhe 33% vit më të trazuar, ndërsa në Rusi vetëm 12% presin vit më paqësor dhe 35% vit më të trazuar.

Perëndimi në tërësi duket i brengosur. Në anën tjetër të globit ka vende të jugut dhe të lindjes me shembuj si Afganistani dhe Indonezia, ku deri në 68% kanë pritje pozitive për paqen.

Fatkeqësisht, nuk ka rënie domethënëse sa i përket frikës nga lufta bërthamore në krahasim me vitin e kaluar. Rreth 40% e qytetarëve të botës shohin rrezik të lartë nga lufta bërthamore, rreth 37% shohin rrezik mesatar dhe vetëm 14% nuk shohin fare rrezik nga një luftë e tillë. Në Kosovë, 53% shohin rrezik të lartë dhe 19% rrezik mesatar, ndërsa në Shqipëri 42% shohin rrezik të lartë dhe 40% rrezik mesatar nga lufta bërthamore.

Shumica e qytetarëve në SHBA e shohin rrezikun mesatar, ndërsa në Rusi 20% shohin rrezik të lartë dhe 40% rrezik mesatar.

Rreth 39% e të intervistuarve në botë presin që viti 2024 do të jetë më i mirë sesa viti 2023 dhe 26% presin që viti i ardhshëm do të jetë më i keq.

Afër 30% presin që viti i ardhshëm do të jetë i njëjtë sikur viti 2023. Rezultatet duken pak më optimiste sesa ato të vitit të kaluar.

Vendet si Gjermania, SHBA-ja dhe Rusia tregojnë përmirësim në pritjet për vitin e ardhshëm në krahasim me fundin e vitit 2022, por megjithatë mbesin të brengosura.

Vendet si Irani, për shembull, nuk janë pesimiste, ndërsa India është pozitive dhe vendet e jugut janë tradicionalisht optimiste.

Përkundrazi, Evropa mbetet jo aq pozitive, me përjashtim të Kosovës dhe Shqipërisë.

Arabia Saudite është vendi më optimist në botë, ndërsa pas saj radhiten Indonezia, Kosova, Afganistani, India dhe Shqipëria.

Pritjet për ekonominë duken pak më të mira sesa vitin e kaluar, por jo edhe aq shumë.

Rreth 39% presin vit me vështirësi ekonomike – rreth 9% më pak se vitin e kaluar. Pritjet për prosperitet ekonomik ose së paku vit pa ndryshime tregojnë rritje të lehtë, megjithatë pritjet negative mbizotërojnë. Bashkimi Evropian mbetet ndër vendet më pesimiste.

Në Kosovë 46% presin që viti i ardhshëm do të jetë vit me prosperitet ekonomik, 31% presin që do të jetë vit me vështirësi ekonomike dhe 18% presin vit të njëjtë me vitin 2023.

Në Shqipëri qytetarët janë shumë më optimistë për ekonominë, ku 54% presin prosperitet, vetëm 12% presin vështirësi dhe 34% presin një vit të njëjtë ekonomikisht sikur viti 2023. /KultPlus.com

Pas pjesëmarrjes në Festivalin e Këngës, reagon Elsa Lila: Të papriturat e bëjnë më të bukur udhëtimin

Këngëtarja e njohur Elsa Lila ishte një ndër artistet që konkurroi në edicionin e 62-të të “Festivalit të Këngës” në “RTSH”.

Ndonëse u përfol gjerë e gjatë në rrjet se ajo është përcaktuar si fituese, Elsa nuk arriti që të rrëmbejë asnjë çmim në këtë konkurs.

Këngëtarja ka reaguar ditën e sotme, përmes një postimi në rrjetet sociale duke i falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe dashurinë që i kanë dhënë në këtë eksperiencë.

“Faleminderit të gjithëve për dashurinë, mbështetjen dhe dëshirën për të dëgjuar muzikë të mirë! Kaluam së bashku një tjetër aventurë muzikore plot e përplot me emocione dhe të papritura! Por të papriturat, kur ke miq e dashamirës pranë, e bëjnë më të bukur udhëtimin, cilido qoftë ai! Duke ju uruar një vit plot dritë, ju përqafoj një e nga një e ju falënderoj çdo sekondë! Ju dua, Elsa”- ka shkruar ajo krahas fotos së saj duke buzëqeshur. / KultPlus.com

“Nottingham Post”: Shqipëria destinacioni i preferuar për ata që kërkojnë një pjesë të parajsës

Ekziston një destinacion i pushimeve “parajsë” pak i njohur në të cilin turistët britanikë mund të udhëtojnë vetëm me një fluturim tre orësh, shkruan Liam Doyle në një artikull të botuar në revistën britanike “Nottingham Post”.

Udhëtarët që kërkojnë një vend idilik për të pushuar, ndoshta duhet të marrin në konsideratë Shqipërinë.

Fshati i Ksamilit është cilësuar si “Maldivet e Europës”. Destinacioni ka ujëra të pastër blu dhe rërë të bardhë dhe shtrihet në lumin Shqiptar në Parkun Kombëtar të Butrintit, Sarandë, në një arkipelag me të njëjtin emër.

Siç raporton “Express”, fshati në të kaluarën është quajtur “parajsë”. Ai ka një distancë të largët nga ishulli grek i Korfuzit, të cilin vizitorët mund ta shohin nga plazhet e vendbanimit në një ditë të kthjellët.

Vizitorët kanë një sërë opsionesh nga dhjetëra hotele, apartamente dhe bujtina për t’u akomoduar, me shumë plazhe mahnitëse aty pranë.

Plazhi më ikonë i arkipelagut është Plazhi i Ksamilit, i cili krenohet me ujërat e thellë blu, rërën e bardhë dhe pemët e gjelbra të gjalla.

Aktivitetet e njohura në plazhe përfshijnë notin, snorkeling dhe relaksin në një nga karriget e vendosura përreth për turistët.

Guidat turistike e kanë cilësuar plazhin e Ksamilit plazhin më të bukur në Shqipëri.

Ata që nuk janë të interesuar për pushime në plazh mund të shijojnë veçoritë e tjera të arkipelagut, duke përfshirë Lagunën e Kripur në liqenin e Butrintit, Shpellën e Kreshmoit dhe qytetin e Gjirokastrës të mbrojtur nga UNESCO.

Vizitorët kanë dhënë vlerësime për Ksamilin, ku dhjetëra prej tyre i kanë dhënë fshatit pesë yje në “TripAdvisor”.

Turistët theksuan se plazhi të bën të “ndihesh si mbret edhe nëse nuk je”.

“Vend i mrekullueshëm, ushqimi është i mrekullueshëm, njerëzit janë të sjellshëm dhe deti është i pastër”, shkruan ata.

“Është bukur të kesh krevat ne diell për një çmim shumë të drejtë nga 5 në 10 euro për gjithë ditën”, thanë turistët.

“Plazhi ishte plot jetë dhe muzikë. Uji ishte i pastër”, tha një tjetër vizitor.

Fluturimi në Ksamil është afërsisht tre orë nga Londra.

Por, kjo kohë i referohet kohës që duhet për të arritur në aeroportet më të afërt në Tiranë ose Korfuz, pasi kërkon pak më shumë kohë për të udhëtuar në fshat nga secili vend.

Udhëtimi nga Tirana me autobus ose makinë zgjat pesë orë e gjysmë, ndërsa vizitorët duhet të marrin një traget 30 deri në 70 minuta për në Shqipëri, dhe më pas një taksi ose autobus 10 deri në 30 minuta. /atsh / KultPlus.com

Përgatituni për festat e fundvitit me trajtime estetike në ASA Medical Aesthetics

Me afrimin e sezonit të festave të fundvitit, tani është një kohë e mirë për të marrë në konsideratë çdo trajtim estetik për t’ju ndihmuar të dukeni sa më bukur.

Por çfarë lloj trajtimesh estetike duhet të keni parasysh këtë vit? Moti i dimrit i ftohtë dhe i lagësht, temperaturat e ulëta dhe cilësia e dritës mund të ju shkaktojnë disa ndryshime në lëkurë.

Këto mund të përfshijnë:

• Lëkurë e thatë pa shkëlqim

• Lëkurë e lodhur

• Rrathë të errët nën sy

Por ka një sërë trajtimesh estetike që mund të luftojnë këto efekte negative të dimrit dhe ta lënë lëkurën tuaj të shkëlqejë në kohë për ngjarje dhe festa si asnjëherë më parë.

1.Hydrafacial

2.Mesoterapi

3.Mesoterapi për pjesën poshtë syve

4.Injektimet me Acid Hialuronik

5.Lumecca

Hydrafacial është trajtim i cili përveç që pastron thellësisht lëkurën tuaj, largon qelizat e vdekura, ai e hidraton atë me serume ushqyese. Lëkura nga Hydrafacial përfiton një shkëlqim të mrekullueshëm që zgjat me ditë të tëra.

Mesoterapia përfshin injektimet e vitaminave, mineraleve dhe aminoacideve direkt në lëkurën tuaj. Është si t’i jepni lëkurës tuaj një sasi të personalizuar të ushqyesve për ta bërë atë më të shëndetshme, më të butë dhe më rrezatuese.

Struktura e fytyrës mund të theksohet dhe ndryshohet kryesisht përmes përdorimit të mbushësve me Acid Hilauronik. Mbushësit dermal shtojnë vëllim në zonën e injektuar, qoftë edhe pak, ndihmojnë në përmirësimin e strukturës së lëkurës dhe parandalimin e ndikimeve negative që lidhen me humbjen e volumit të lëkurës që ndodh si pjesë e procesit natyror të plakjes.

Lumecca është një trajtim me dritë pulsuese intensive (IPL) që përmirëson tonin e lëkurës, zvogëlon dëmtimet nga dielli dhe stimulon prodhimin e kolagjenit. Trajtimi bëhet para festave, pasi kërkon kohë minimale joproduktive dhe trajton çështje si njollat e moshës dhe skuqjen, duke ofruar një mënyrë të shpejtë dhe efektive për të përmirësuar pamjen e lëkurës dhe për të rritur besimin për ngjarje të veçanta.

Zbuloni sekretin e një lëkure të shkëlqyeshme dhe përgatituni për festa me një pamje të jashtëzakonshme!

Digjitalizohet arkivi fotografik i Vangjush Mios

Shpëton arkiva fotografike e piktorit Vangjush Mio. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila përmes rrjeteve sociale njoftoi finalizimin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe “Fototekës”.

Për herë të parë është digjitalizuar dhe publikuar arkiva e panjohur fotografike e Vangjush Mios. Ky arkiv përmban rreth 450 negativë të viteve 1930-1940 të cilat sjellin atmosferën e qyteteve shqiptare, banesat karakteristike, objektet e humbura të kultit, skena baritore dhe fshatrat e Juglindjes.

Bëhet fjalë për shkrepje të rralla, të kapura me syrin e piktorit, peizazhe magjepsëse të Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Krujës, Durrësit e Vlorës./ atsh / KultPlus.com

Përkujtohet Elez Isuf Ndreu, bashkëluftëtari i Bajram Currit, në mbrojtjen e trojeve shqiptare

Më 29 dhjetor 1924, u nda nga jeta Elez Isuf Ndreu, i cili për 16 vjet radhë ishte pjesë e të gjitha lëvizjeve politike të shqiptarëve.

Kulla e tij u kthye në një nga qendrat kryesore të lëvizjes atdhetare në trojet verilindore të Shqipërisë, duke qenë pjesë e të gjitha kryengritjeve (1909-1912).

Në Kongresin e Manastirit, mundësoi së bashku me 200 luftëtarë sigurinë e zhvillimit të punimeve.

Qëndrimi kundër xhonturqve solli arrestimin e tij në Gostivar, në vitin 1910, burgosjen në Manastir dhe në Selanik. Për shkak të aktivitetit të tij atdhetar, u vu edhe nën shenjestrën e forcave serbe, të cilat i dogjën tre herë kullat e familjes Ndreu.

Në revoltën e vitit 1922, mori pjesë përkrah Bajram Currit, Abaz Kupit, Mustafa Krujës, por me ndërhyrjen e ambasadorit anglez H. Ayres, pas takimit që pati me Ahmet Zogun, Elezi u largua bashkë me trupat e tij për në Sllovë. Në një përleshje në Peshkopi në vitin 1924, Elez Isuf Ndreu mbeti i plagosur dhe pas dy javësh ndërroi jetë./ atsh / KultPlus.com

“All I Want for Christmas is You” thyen prapë rekord botëror

A do të ishte e plotë periudha e Krishtlindjeve pa meloditë që shoqërojnë festat? E sidomos pa hitin e Krishtlindjeve të Mariah Carey “All I Want for Christmas Is You”.

Ndonse ky hit është shndërruar në himin e dhjetorit të çdo viti, këtë vit dëgjuesit kanë thyer rekordet e mëparshme të dëgjimit.

Nuk është e pazakontë që kjo këngë të kryesojë të gjitha listat e Spotify gjatë sezonit të Krishtlindjeve, por ky vit ka qenë veçanërisht i suksesshëm për melodinë klasike të Carey, pasi është bërë kënga më e transmetuar në Spotify brenda një dite të vetme, transmeton rtv21.tv.

Kjo këngë arriti të grumbullojë rreth 23.7 milionë transmetimesh vetëm brenda 24 orëve, që thyen çdo rekord të transmetimit.

Edhe pse kënga “All I Want for Christmas Is You” u publikua në vitin 1994 si pjesë e albumit të Krishtlindjeve ‘Gëzuar Krishtlindjet’, popullariteti i saj duket se rritet nga viti në vit.

Ndërsa edhe përfitimiet e artistes nga hiti i saj nuk janë të pakta, sipas mediave të huaja, Carey ka fituar rreth 60 milionë dollarë që nga viti 1994 nga kjo këngë./21Media / KultPlus.com

Botohet kompleti i veprave të poetit dhe studiuesit Basri Çapriqi

Shtëpia Botuese Kosova PEN Center këto ditë botoi kompletin veprave të poetit, studiuesit, profesorit universitar, Basri Çapriqi (1960-2018).

Botimi është përgatitur nga Sali Bashota me redaksinë në përbërje: Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Binak Kelmendi dhe Osman Gashi, ndërkaq veprat janë dizajnuar nga Arben Grajqevci.

Botimi i veprës komplete të Basri Çapriqit në katër vëllime përfshin poezinë, studimin letrar, esenë dhe publicistikën. Veprat botohen pa ndryshime, pra ashtu siç i ka shkruar autori. Gjithashtu, në këtë botim janë përfshirë shumica e shkrimeve të Çapriqit, të cilat janë paraqitur në konferenca të ndryshme shkencore apo janë botuar në gazeta dhe revista brenda dhe jashtë vendit.

Në vëllimin e parë përfshihen veprat me poezi: “Ulli me dy mijë unaza” (1986), “Në fund të verës” (1986), “Ma qet gjuhën” (1989), “Frutat bizare” (1996), “Zbutja e gjarprit” (2006), si dhe poezi të tjera të cilat janë botuar në vëllimet e zgjedhura “Përkryerja e shiut” (2013) dhe “Perëndim dielli” (2019).

Në parathënien e vëllimit të parë të kompletit, studiuesi Milazimi Krasniqi, ndër të tjera, konstaton se “Botimi i veprës komplete të një autori, pas vdekjes së tij, hap një mundësi të re të komunikimit edhe më të shpenguar me atë vepër, kësaj here pa ngarkesën psikologjike që vetvetiu e prodhon prezenca fizike e autorit në publik. Kështu është edhe me botimin e veprës komplete të autorit të ndjerë Basri Çapriqi, e cila po i vihet në dispozicion publikut, si botim i PEN Qendrës së Kosovës. Poezia e Basri Çapriqit në kuadër të këtij botimi të veprës komplete, me siguri që do të marrë pjesën më të madhe të shkëlqimit të veprës së tij, përballë studimeve dhe publicistikës, sepse Basriu në rend të parë ishte poet e vetëm pas kësaj edhe studiues letërsie dhe publicist”.

Në vëllimin e dytë përfshihet vepra me studime letrare “Mikrostruktura e tekstit” (1990), për të cilën studiuesi Osman Gashi, thotë: “Mikrostruktura e tekstit” është vepra e parë diskursive e Basri Çapriqit e botuar në edicionin e Rilindjes, më 1990. Vepra trajton në mënyrë krejtësisht të veçantë poezinë e sotme shqipe, sidomos atë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Mund ta konsiderojmë si një monografi të fokusuar, në radhë të parë, në krijimtarinë poetike të një domeni specifik që studiuesit e kanë emërtuar si poezi e sferës së mbyllur subjektive e që më pas është emërtuar edhe si poezi e komunikativitetit të ulët, poezi e kulluar apo poezi hermetike”.

Për monografinë letrare të Basri Çapriqit “Simboli dhe rivalët e tij” (2005), e cila përfshihet në vëllimin e tretë të kompletit, studiuesi Sali Bashota, ndër të tjera, konstaton: “Studimet letrare të Basri Çapriqit shquhen për temat dhe përmbajtjen që trajtojnë, por edhe për metodën kërkimore e studiuese, e cila e konkretizon autorin që nga fillimet e tij krijuese. Në fakt, interesimi për poezinë e përbën thelbin e kritikës letrare të Basri Çapriqit. Është sfondi nga buron pikëshikimi emocional, teorik dhe estetik përbrenda sistemit të nocioneve kritike, gjithsesi, në përpjekjen për të zbuluar kuptimin dhe domethënien e figurave, sidomos të metaforës, simbolit, mitit dhe paradoksit. Këtu figura, pos që janë të pranishme në analizat dhe në interpretimet e poezisë së poetëve të ndryshëm shqiptarë, po kështu janë shumë të pranishme edhe në vetë poezinë e Basri Çapriqit”.

Vëllimi i katërt i kompletit përbëhet kryesisht nga shkrime publicistike dhe eseistike, të përfshira në veprat “Aksidenti i orës shqiptare” (1993) dhe “Përmasat e kontekstit” (1998), si dhe shkrimeve të tjera të paraqitura në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Në parathënie të këtij vëllimi, studiuesi Ibrahim Berisha thekson: “Aksidenti i orës shqiptare” i Basri Çapriqit është faqja referuese e mendimit modern social, kulturor dhe politik për shqiptarët. Është botuar nga revista “Fjala” më 1993 në Prishtinë. Janë 33 ese, në 156 faqe. Duket qartësia e eseistit të thellë, kritik, kreativ, edhe për tema socio-kulturore. Këtë ia mundësonte mendja e tij e hapur, prandaj lexohej me kurreshtje, se tregonte me saktësi nga duhej të orientoheshin proceset shoqërore, politike dhe kulturore, madje jo vetëm në Kosovë, po në gjithë botën shqiptare.

Botimi i kompletit të veprave të Basri Çapriqit është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Hovenier uron vitin e ri 2024: Normalizimi Kosovë-Serbi mbyllet me njohje reciproke, zbatimi i Ohrit është hap i madh drejt atij synimi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka publikuar një video adresim në prag të Vitit të Ri duke thënë se gjatë vitit 2023 ka pasur momente të vështira dhe është arritur shumë përparim, gjë që duhet pranuar dhe festuar.

Hovenier ka thënë se mbi të gjitha, partneriteti dhe miqësia në mes të SHBA-së dhe Kosovës mbetet e fortë.  Ai ka numëruar edhe arritjet e përbashkëta në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

Ambasadori amerikan ka thënë disa fjalë edhe për dialogun Kosovë-Serbi si një prej çështjeve që ka marrë shumë kohë dhe energji. Ai ka thënë se SHBA pret përparim të njëmend gjatë vitit 2024, duke kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit dhe gjithashtu ka kërkuar nga Kosova që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Gazeta Express.

Ambasadori amerikan ka thënë se procesi i normalizimit Kosovë-Serbi përmbyllet me njohje reciproke dhe ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të Implementimit është hap i madh drejt këtij synimi.

Hovenier ka uruar lumturi, shëndet e begati në vitin 2024./KultPlus.com

“TOB On Tour”, artistët e TKOB sonte ndalen në Vlorë

Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të çojnë në Vlorë atmosferë festive përmes një koncerti me pjesë të zgjedhura nga autorë të ndryshëm. TKOB bëri të ditur se sonte skena lëvizëse do të çelet në ora 18:00 me Orkestrën Simfonike nën dirigjimin e Edmond Dokos, si dhe solistët Dorina Selimaj, Nina Muho, Denis Skura dhe Artur Vera.

Në program janë vendosur arie, zarzuela, valset e Shtrausit, arie nga Bizet etj.

“Lungomarja e Vlorës do të mikpresë “Grand Galanë” e TKOB-së, siç asnjëherë nuk ishte menduar”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në faqen e tij në rrjete sociale.

Koncerti që do të zhvillohet mbrëmjen e 29 dhjetorit në qytetin e Vlorës vjen në vijim dhe të atyre që kanë zhvilluar më parë artistët në kuadër të projektit TOB on Tour. Pas koncertit në qytetin e Durrësit artistët shkuar edhe në Fier. Në këtë qytet Orkestra Simfonike dhe Solistët e TKOB-së sollën ariet, valset e zarzuelat më të njohura të repertorit klasik, pjese nga opereta “Die Fledermaus”, arien “Meine lippen” të “Giuditta” e muzikën më të bukur të Strauss-it, Bizet-it e shumë kompozitorëve të tjerë të mirënjohur./ atsh / KultPlus.com

Publikohet dokumentari “Esat Bicurri në përjetësi”, sjell portretin jetësor të tij (VIDEO)

Në dimensionin e tingujve shqiptarë, një emër i veçantë, si një melodi e paharrueshme, vazhdon të mbetët gjallë në zemrat e publikut.

Ky është Esat Bicurri, një prej zërave më të mirë shqiptar, një zbulim për festivalin “Akordet e Kosovës” i cili shquhej jo vetëm për zërin por edhe për formimin e tij si njeri me vlera të rralla, shkruan KultPlus.

Për jetën dhe veprën e tij, tashmë me shumë meritë është përgatitur një dokumentar i titulluar “Esat Bicurri në përjetësi” i cili është dhënë mbrëmë premierë në Radio Televizionin e Kosovës.

Ky dokumentar shpërfaq një portret të shkëlqyeshëm të këngëtarit, dhe krijon një udhëtim të ndjeshëm në karrierën e tij muzikore.

Përgatitur nga pikëpamja e etnomuzikologut Krenar Doli, dhe drejtuar nga regjisori Robert Bacaj, ky projekt është vizualizuar nga sytë e operatorit Blerim Kokolli.

Në këtë dokumentar, zërat e miqve, kolegëve dhe të afërmve të Esat Bicurrit përshkruajnë këtë personalitet të veçantë. Ndër ta, këngëtari i njohur Sedat Kuçi dhe Pranvera Badiviku.

Esat Bicurri vazhdon të mbetët një ndër këngëtarët më të dashur për publikun dhe këngët e tij konsiderohen perla të muzikës popullore shqiptare dhe vazhdojnë të dëgjohen e vlerësohen ende.
Kujt nuk i kujtohet kënga fituese në “Akordet e Kosovës” – “E kujtoj atë takim?”, por edhe këngët e tjera, si: “Eja e bardha verë”, “Një lulishte me trëndafila”, “S’ka më të bukur se pranvera”, e shumë të tjera.
Fatkeqësisht, ai është ekzekutuar nga forcat paramilitare serbe më 7 maj të 1999 së bashku me shumë bashkëqytetarë të tjerë, ndërsa kufoma e tij u gjet dhe u rivendos vetëm në vitin 2004.

Ministria e Kulturës së Kosovës krijoi edhe një çmim kombëtar të quajtur Esat Bicurri për përsosmëri në muzikë popullore dhe urbane.

Ai gjithashtu botoi dy libra të cilat quheshin: “Një këllëf me ar ta çova” dhe tjera, “Ahengjet Gjakovare në shekuj”.

Por përmes këtij dokumentari, ju do të mësonin shumë më shumë për jetën dhe veprën e kësaj figure të shquar të muzikës shqiptare. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=PyrJyG90XQo

Kori Siparantum ngjiten në skenën madhështore për provat gjenerale të koncertit të fundvitit në Wiener Konzerthaus

Kori Siparantum është ftuar të marrë pjesë në festën e fundvitit me Wiener Singakademie në koncertet e Wiener Konzherthaus dhe tashmë ata janë ngjitur në skenën madhështore për provën gjenerale bashkë me Orkestren Simfonike të Vienës dhe Korin Wiener Singakademie.

Lajmin e ka bërë të ditur dirigjenti Memli Kelmendi, i cili ka thënë se kjo është një ëndërr që po bëhet realitet.

“Kori Siparantum tashmë është ngjitur në skenën #Wiener #Konzerthaus në proven gjenerale për koncertin e Vitit të Ri, së bashku me #WienerSingakademiedhe #WienerSymphoniker / Wellber nën drejtimin e Maestro Omer Meir Wellber.
Ludwig van Beethoven
Symphonie Nr. 9 d-moll op. 125 (1822–1824)
Çfarë emocioni!”, ka shkruar Memli.

Performanca tradicionale e Simfonisë së 9-të të Beethoven-it (në d-mol, e kompozuar në mes 1822-1824) është pjesë e festave të Vitit të Ri në Wiener Konzerthaus për 26 vjet. Këtë vit, kënaqësia jonë është e dyfishtë, pasi Kori Siparantum do të jetë pjesë e këtyre koncerteve.

Koncertet do të drejtohen nga Omer Meir Wellber dhe janë planifikuar për datat 30 dhe 31 dhjetor 2023, si dhe 1 janar 2024, në orën 19:00. / KultPlus.com

Shot with OldRoll Nostal.

Kori Siparantum sonte me koncert në Vjenë, ju pret një udhëtim i jashtëzakonshëm në muzikën klasike

Një ngjarje kulturore shumë e veçantë pritet të ndodhë sonte në Vjenë, shkruan KultPlus.

Sot, datë 29 Dhjetor, ora 20:00, Kori Siparantum, ndër më të njohurit dhe të respektuarit, do të mbajë një koncert shumë të veçantë në Votivkirche, që ndryshe nga ky vend kanë dalur shumë vepra të kompozitorit të madh Anton Bruckner, si ‘Locus iste’ dhe shumë të tjera.

Organo historike në Kishën Votive u ndërtua në 1878 nga kompania e njohur e ndërtimit të organove E. F. Walcker dhe u inspektua nga Anton Bruckner, ky vend është një thesar i padiskutueshëm i artit dhe performimi në këtë ambient është një kënaqësi e rrallë.

Hyrja në këtë koncert është pa pagesë, duke bërë këtë ngjarje akoma më të arritshme për të gjithë dashamirët e muzikës klasike. Për Korin Siparantum, ky nuk është vetëm një koncert, por një ëndërr që po bëhet realitet.

Kori Siparantum ka një traditë të gjatë dhe të pasur në interpretimin e muzikës klasike, dhe kjo është arsyeja pse ky koncert në Votivkirche po pritet me shumë entuziazëm.

Për rezervimin e vendit tuaj në këtë koncert ju mund të kontaktoni [email protected]. / KultPlus.com

Kryeministri Rama ndan tingujt e këngës “Thuaja rini”, e realizuar nga të rinjtë korçarë (VIDEO)

“Thuaja rini”, një prej këngëve më të bukura shqiptare, vjen këtë herë e realizuar ndryshe nga një grup të rinjsh korçarë.

Talente në art, teknologji, sport, media e fusha të tjera, ata janë bashkuar për të sjellë një version ndryshe të kësaj kënge.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky interpretim, i realizuar me mjeshtëri nga të rinjtë e Korçës.

Me muzikë të Agim Krajkës dhe tekst të Xhuliana Jorganxhi, kënga “Thuaja rini” është interpretuar fillimisht nga Parashqevi Simaku, duke përcjellë një mesazh të fortë edhe për ditët e sotme. /atsh / KultPlus.com

Kjo është gruaja e parë në botë që arrin pasuri 100-miliardëshe

Trashëgimtarja e gjigantit të kozmetikës “L’Oreal”, Françoise Bettencourt Meyer, është bërë gruaja e parë që grumbullon pasuri prej 100 miliardë dollarësh, sipas një liste të personave më të pasur në botë.

Perandoria franceze e bukurisë, e themeluar nga gjyshi i saj, është rrugës për performancën më të mirë në tregun e aksioneve në disa dekada, raporton televizioni BBC.

Të enjten, vlera e aksioneve të kompanisë “L’Oreal” në Paris shkoi në nivel rekord.

Kompanisë së famshme i janë rimëkëmbur shitjet pas pandemisë, kur njerëzit në izolim përdornin më pak produkte të kozmetikës.

Sipas Indeksit të Miliarderëve në “Bloomberg”, zonja Meyers, 70 vjeçe, tashmë ka më shumë se 100 miliardë dollarë pasuri, duke u renditur e dymbëdhjeta në botë në listën e njerëzve më të pasur.

Zonja Meyers e ka poztën e nënkryetares së bordit në kompaninë “L’Oreal”. Ajo dhe familja e saj janë aksionarët më të mëdhenj në kompani, me rreth 35 për qind.

Ajo ishte bërë trashëgimtare e kompanisë pas vdekjes së nënës, Liliane Bettencourt, në vitin 2017. / KultPlus.com

“Daily Star”: Skiatorët e huaj zgjedhin “Bjeshkët e Nemuna” për pushimet dimërore

“Bjeshkët e Nemuna” të Evropës mund të duken të rrezikshme, por kjo nuk po i ndalon skiatorët e guximshëm që të shkojnë në shpatet gjatë dimrit për të pushuar në resortet pa turma.

Nëse jeni një fillestar i skijimit, vendpushimi i quajtur “Bjeshkët e Nemuna” vështirë se do t’iu tërheqë. Megjithatë, disa skiatorë të guximshëm me përvojë, po shkojnë pikërisht këtu për pushimet dimërore, , shkruan në një artikull Julie Delahaye të botuar në të përditshmen britanike “Daily Star”.

Prokletije ose “Bjeshkët e Nemuna” në Shqipëri, një vargmal në gadishullin e Ballkanit perëndimor, ofrojnë disa nga skitë më të mira në Evropë.

Pavarësisht se nuk ka akses në ashensor dhe shtigje kryesisht jashtë pistave, skiatorët vazhdojnë të shkojnë në Alpet Shqiptare, që shtrihen në të gjithë Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi.

Duke marrë parasysh pyjet e gjelbërta, luginat e mëdha, fshatrat e gurta dhe peizazhet e pacënuara, nuk është për t’u habitur që 1 500 kilometra katrorë të terrenit janë kaq tërheqës.

Pika më e lartë e alpeve është Maja e Jezercës e cila qëndron afërsisht 8838 metra e lartë.

Dhjetori deri në shkurt ka tendencë të jetë koha më e mirë për të vizituar “Bjeshkët e Nemuna” pasi kushtet e borës janë më të mira dhe moti priret të jetë i kthjellët.

Meqenëse ka harta të kufizuara dhe shtigje të shënuara, mund të gjeni shumë guida lokale dhe turne në grup të shoqëruar për të eksploruar dhe për të përfituar sa më shumë nga një udhëtim në resortin e mrekullueshëm.

Ndërsa pseudonimi “Bjeshkët e Nemuna” tingëllon keq, nuk dihet saktësisht pse u është dhënë një titull famëkeq.

Ka teori dhe legjenda të ndryshme se një nënë që po largohej nga armiqtë me fëmijët e saj mallkoi malet pasi nuk mundi të gjente ujë për fëmijët e saj ndërsa ata bënin udhëtimin në një ditë të nxehtë vere.

Të tjerë thonë se ushtarët sllavë u vendosën alpeve emrin kur iu desh të kalonin majat me borë.

Megjithatë, cilado qoftë arsyeja, nuk mund të mohohet se Alpet Shqiptare ofrojnë pushime unike të skive.

Në fakt, “Wowtickets” i ka cilësuar ato si vendi më i pazakontë në Evropë për t’u vizituar në 2024, dhe jo vetëm për dimër.

“Shqipëria ka shumë më tepër për të ofruar sesa plazhet e saj të mrekullueshme. Ajo është gjithashtu shtëpia e Alpeve spektakolare. Për ata që kërkojnë një arratisje në natyrë larg zonave turistike të ngarkuara, kjo është një vizitë e domosdoshme”, tha ekipi i ekspertëve të udhëtimit.

Duke arritur lartësitë deri në 2694 metra, këto male, pjesë e shtegut ballkanik, shtrihen në të gjithë Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi dhe shfaqin disa nga peizazhet më befasuese në vend.

Alpet shqiptare nuk janë aq të larta sa Himalajet, megjithatë ato kanë një bukuri magjepsëse, e cila karakterizohet nga lugina të gjelbëruara, pyje të dendura me ujqër, formacione shkëmbore të akullta dhe fshatra tradicionalë prej guri, ku zakonet e vjetra lulëzojnë ende.

Në dukje e shkëputur nga Evropa bashkëkohore, kjo zonë është shtëpia e barinjve, gjakmarrjes historike dhe një sërë kafshësh të egra, si arinjtë e murrmë dhe rrëqebulli në zhdukje i Ballkanit.Zona ofron mundësi të shkëlqyera ecjeje dhe një pamje të një prej zonave të fundit të egra të mbetura në Ballkan. /atsh / KultPlus.com

Atmosfera festive ‘pushton’ Shkodrën

Drita të shumëllojshme, dekor festiv, zëra gazmorë fëmijësh dhe muzikë.

Kjo është atmosfera që ka pushtuar këto ditë festash Shkodrën. Sheshi përpara bashkisë ka marrë një tjetër pamje në këtë periudhë. Qytetarët mund të kalojnë orë të këndshme ndërsa kudo ka gjallëri.

Atmosfera ka tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve. Nuk janë vetëm qytetarë shkodranë, por edhe të ardhur nga qytete të tjera të vendit, nga rajoni, por edhe turistë të huaj.

“Atmosfera ndihet në çdo cep të Shkodrës, sidomos në sheshin para bashkisë ku zbukurimet janë dukshëm ndryshe nga çdo vit tjetër. Ka turistë të shumtë dhe ne po vërejmë se turistët po vijn nga çdo cep i Shqipërisë, por përveç Shqipërisë kemi turistë edhe nga Mali i Zi e Maqedonia. Aktivitetet janë të pafundme.”

Ata që i gëzohen më shumë atmosfera në këtë periudhë janë të vegjlit.

Qytetarë dhe vizitorë thonë se nuk kanë parë ndonjëherë kështu Shkodrën.

“Nuk e kishim parë Shkodrën më parë kështu. Pse mos të bëhet atraksion turistik për të gjitha qytetet e Shqipërisë.”

Të gjithë urojnë njëri-tjetrin ndërsa ka edhe nga ata që përcjellin urime të veçanta.

“Unë me bejta kam dermanin, këtë e them me siguri, e respektoj si kanal Klanin, përshumvjet Vitin e Ri!”

Bashkia e Shkodrës i ndezi dritat e festave që më 1 Dhjetor. Që nga ajo datë në qytet nuk kanë munguar aktivitetet. Kalendari është i pasur edhe në këto ditë të mbetura të vitit./KultPlus.com

Mbi një miliard celularë do të kenë IA ​

Në tre vitet e ardhshme, nga 2024 deri në 2027, mbi një miliard telefona celularë do të jenë në treg me teknologjinë e inteligjencës artificiale gjeneruese në stilin e ChatGpt në bord.

Këto janë parashikimet e kompanisë së analizave ”Counterpoint Research”, e cila parashikon shpërndarjen e mbi 100 milionë njësive të pajisjeve GenAI, siç quhen, deri në vitin 2024, ndërsa në vitin 2027 parashikimet shkojnë në 522 milionë, me një rritje vjetore prej 83%.

Analistët i përcaktojnë këta telefona si një nëngrup pajisjesh që përdorin inteligjencën artificiale gjeneruese për të krijuar përmbajtje origjinale, në vend që thjesht të japin përgjigje të paraprogramuara ose të kryejnë detyra të paracaktuara.

Për shembull, ata do të jenë në gjendje të krijojnë përmbajtje të personalizuar, imazhe, të përkthejnë në kohë reale dhe të kenë në bord ”asistentë” dixhitalë më smart me këshilla dhe stile bisedash jo të paracaktuara.

Sipas ”Counterpoint”, ”Samsung” dhe ”Qualcomm” fillimisht do të jenë dy kompanitë kryesore në këtë sektor./KultPlus.com

Woodrow Wilson: Nëse më jepet mundësia në të ardhmen, do t’i ndihmoj sërish shqiptarët

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Janar 2023

“The Chicago Tribune” ka botuar, të enjten e 23 shkurtit 1922, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me telegramin e veçantë që Woodrow Wilson i ka dërguar asokohe Ambrose Kelly-t, botuesit të vetëm të një gazete amerikanë në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Wilson vlerëson Shqipërinë 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ambrose Kelly nga Mechanicsville, N.Y., i cili gëzon dallimin si botuesi i vetëm i një gazete amerikane në Shqipëri dhe një nga gazetat e pakta të çdo lloji në atë vend, sapo ka marrë një telegram nga Woodrow Wilson, duke i uruar mbarësi në botimin e tij.

Gazeta, e përjavshme, i kushtohet punës së Kryqit të Kuq të të Rinjve në Shqipëri dhe botohet në shtypshkronjën e qendrës së trajnimit manual për fëmijët shqiptarë nga organizata amerikane e fëmijëve. Ajo mban emrin “Yuniatieta – Tungjatjeta”, që në shqip do të thotë “How do you do – Si je”.

“Interesimi im dhe simpatitë e mia kanë qenë thellësisht të angazhuar në fatet politike të Shqipërisë dhe asgjë nuk do të më ofronte kënaqësi më të madhe sesa t’u bëja atyre një shërbim shtesë nëse do të kisha fatin të kem këtë mundësi në të ardhmen.”

Në kabllogramin e z. Wilson nuk mungojnë gjithashtu përshëndetjet për punonjësit e Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri./KultPlus.com

‘Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuri, rëndësi ka që dashuroni’

Bota e humbi John Lennon që në 1980-ën, por muzika dhe poezia e tij jetojnë ende në zemrat tona. Fjalët e tij për dashurinë, jetën, dhe paqen që dekada më parë i la për ne, tingëllojnë ende kuptimplota dhe na nxisin drejt një versioni më të mirë të vetes dhe të së ardhmes tonë.

Ne duam t’u kujtojmë ndjekësve tanë për këtë muzikant gjenial dhe ëndërrimtar madhështor thëniet më të fuqishme të tij:

“Jetojmë në një botë ku duhet të strukemi që të bëjmë dashuri, ndërkohë që dhuna praktikohet ditën për diell.”

“Kur shkoja në shkollë, ata më pyesnin çfarë dëshiroja të bëhesh kur të rritesha. Unë shkrujta “i lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën, dhe unë u thashë se ju s’keni kuptuar jetën.”

“Duke qenë i ndershëm nuk ke për të pasur shokë të shumtë, por gjithmonë do të kesh shokët e saktë.”

“Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuri, rëndësi ka që dashuroni.”

“Nëse të gjithë do ta dëshironin paqen aq as dëshirojnë një set të ri televiziv, atëherë paqja do mbretëronte.”

“Të përpiqesh t’u pëlqesh të gjithëve është e pamundur – nëse e bën, do përfundosh në një midis ku asnjërit s’i pëlqen. Duhet të marrësh vendimin për atë që mendon se është më e mira për ty, dhe bëjë atë.”

“Si zakonisht, qëndron një grua madhështore, prapa çdo idioti.”

“Vetëm duke provuar rrobat e të tjerëve e kuptojmë përmasën tonë.”

“Kur bën diçka fisnike dhe të bukur e askush nuk e vëren, mos u trishto. Për diellin, çdo mëngjes është i bukur, edhe pse audienca fle gjumë ende.”

“Gjithçka do të shkojë në vendin e vet në fund. Nëse gjërat nuk janë në vendin e tyre, atëherë s’ka ardhur fundi.”

“Një ëndërr që e ëndërron i vetëm, është vetëm një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërrojmë së bashku, është realitet.”

“Paqja nuk është diçka për të cilën ne lutemi dhe urojmë; është diçka që bëhet, diçka që je, dhe diçka që jepet.”/KultPlus.com