“Shkatërrimi i patriarkatit përmes animacionit” diskutimi që solli rolin e animacionit në shoqëri

Festivali i Filmit të Animuar “Anibar”, mbajti mbrëmë panelin e tij të dytë me radhë. Me temë “Shkatërrimi i patriarkatit përmes animacionit” ky panel erdhi përmes platformës ZOOM dhe live në Facebook.

Në këtë diskutim morën pjesë Amanda Barbour – kritike filmi, Fabian Driehorst – producent dhe moderatore: Britt Raes – Animatore.

Gjatë këtij paneli u diskutua rreth rasteve të ndryshme kur animacioni ka shërbyer si mjet thumbues e i efektshëm në përpjekjen për ndryshime shoqërore e sidomos gjinore, por u diskutua se si ky lloj arti mund të adresojë dhe të ofroj zgjidhje për fenomenet e fundit që ka sjellur pandemia. Me pak fjalë, si mundet animacioni të shkatërroj patriarkatin?

Gjithashtu, u diskutua edhe se si pandemia ka sjellë në pah nevojën për diskutimin e punës së pabarabartë që ndodhë në mes burrave dhe grave dhe që kjo mund të shërbej si një ide për të prodhuar më shumë animacion në këtë fushë.

Poashtu, panelistët vunë në diskutim edhe efektin që pandemia COVID-19 ka pasur tek ta deri më tash, duke theksuar se pandemia mund të ketë impakt për të sjellur tema të reja në fushën e animacionit.

Njashtu, në këtë panel u diskutua edhe për projektet e Amandas edhe Fabianit që në një formë kanë kritikuar patriarkatin.

Ky panel po implementohet me mbështetjen “Fridrich Ebert Stiftung – Prishtina Office”, platformën “Kosovo We Want”, programin e “Human Rightivism” të SIDA  dhe Ambasada Gjermane në Prishtinë. / KultPlus.com

Diskutim në ‘Anibar’, Osmani: Investo në njerëz e jo në asfalt

Suada Qorraj

Edicioni i 11-të i “Anibarit” filloj në një formë ndryshe prej herëve tera. Tashmë kinematë, diskutimet e shumë çka tjetër shfaqet në platformën online të këtij festivali. Ky realitet i ri i botës së artit është krijuar si pasojë e vendimeve të njëpasnjëshme të qeverisë për menaxhimin e situatës me COVID-19, shkruan KultPlus.

Diskutimi “Are We Humans, Are We dancers?” solli pikëpyetjen se a jemi duke ndjekur lëvizjet e vullnetit tonë të lirë apo thjesht jemi duke ndjekur hapat e zakonshëm të vallëzimit, në fushën e politikës, jetën shoqërore por edhe cilën do sferë tjetër të veprimtarisë.

Pjesëmarrëset e këtij diskutimi Vjosa Osmani, Leonora Kryeziu dhe Donika Emini sollën para publikut perspektiven e tyre rreth asaj se si mund të ecim në një rrugë të pa trasuar, me mendime e ide tona. Të vallëzojmë nën tingujt e njëjtë, por secili prej nesh me vallen tonë unike.

Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës gjatë këtij diskutimi theksoi faktin se në vend që ne të krijojmë melodi të reja, kërcejmë me ritmin e melodive të orkestruar. Sipas saj e njëjta praktikë vlen edhe në shumicën e gjërave që ne bëjmë në jetë.

“E njëjta praktikë vlen pothuajse për shumë gjëra që ne i bëjmë në jetë pra sillemi në mënyra të caktuara sepse ashtu na kanë mësuar në familje dhe në shkollë, veprojmë në publik ashtu si veprojmë sepse ashtu është qoftë rregulli, ligji apo rendi publik. Gjykojmë dhe paragjykojmë nganjëherë sepse lejojmë të na merr përpara mendimi i masës dhe kjo natyrisht shpesh kritikohet mirëpo është deri diku ritmi i zakonshëm i jetës, duke jetuar me një ritëm çmendurisht të shpejtë në kohën tonë”, ka thënë Osmani e cila tutje tha  se çdo ditë është sfidë në vete sepse kur ndjek rrugën e trasuar nga dikush tjetër shtegu i jetës mund të duket më i lehtë.

Sipas Osmanit janë pikërisht valltarët që në një moment kanë kuptuar se jo çdo herë duhet të kërcesh sipas koreografisë sepse vallëzimi shijohet vërtetë vetëm kur dominon njerëzorja, kur shpërfaqet emocioni e kur ngadhënjejnë ndjenjat, e si të tillë ata kanë mundësuar të kemi çdo të mirë që e vlerësojmë lartë në shoqërinë tonë.

Ajo tutje tha se është e vështirë të ecësh me ritmin tënd të muzikës në vendin tonë, e sidomos kur je një grua në një profesion si politika. Sipas saj kur ti fillon të ndryshosh koreografinë e cila ka qenë pjesë e jotja deri sot atëherë lufta e të tjerëve kundër teje rritet shumë.

“Përderisa je në ritmin e njëjtë me të gjithë, ke vlerësime të larta por në momenti kur e kupton që koreografia ose idetë e reja në fakt mund të avancojnë shoqërinë shumë më shumë sesa ato pjesë e të cilave ke qenë më herët, dhe insiston në to, lufton në to atëherë edhe lufta e të tjerëve kundër teje rritet në një masë të madhe”, ka deklaruar Kryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq Donika Emini gjatë këtij diskutimi tha se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë promovuar lider që refuzojnë të ecin në rrugë të patrasuar, sipas saj përshtypjen më të madhe që e ka marrë gjatë kësaj kohe ka qenë nga ana e votuesve që kanë mbështetur këtë.

“Mendoj se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë promovuar lider të cilët kanë refuzuar me ecë në rrugë të patrasume, kanë sfidu sisteme të cilat janë konsolidua për 20 vite sisteme të kapura edhe megjithatë çka më ka lënë përshtypje është që edhe votuesi, qytetari e ka pa dhe e ka mbështetë këtë. Zakonisht në fillim të rrugëtimit shumë pak mbështetesh, në fillim të rrugëtimit kur fillon me e sfidu sistemin, sistemi është më i fortë edhe të mund. Mirëpo në momentin kur del me një fazë më të konsolidume, fillon me gjet mbështetje atëherë veç e sheh që ndryshimi ka filluar edhe ndryshimi ka fillu me u bë me ty”, ka deklaruar ajo.

Drejtuesja dhe panelistja e këtij diskutimi, Leonora Kryeziu u shpreh se ajo çka i bënë përshtypje e sidomos në shkollën politike që ajo udhëheq është fakti që të rinjtë që vijnë nga partitë politike, vijnë me ide të marra gatshëm. Mirëpo sipas saj qëllimi i një shkolle politike është që tu mundësoj këtyre të rinjve që të zhvillojnë individualitetin e tyre.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e pyetur për hapësirën që partitë politike ju ofrojnë të rinjve tha se pjesën më të madhe të të rinjve “hapësira” që u ofrohet në parti politike nuk është ajo e shprehjes së mendimit apo qëndrimit. Sipas saj të rinjtë angazhohen vetëm në kohë zgjedhjesh e më pas lihen anash.

“Pra problemi është që shumica dërrmuese e të rinjve edhe kur u epet “hapësire”, ajo hapësirë nuk nënkupton hapësirë për shprehjen e mendimit, hapësirë për shprehjen e qëndrimit e mbi të gjitha jo hapësirë ku të merret parasysh pastaj mendimi. Pra merren kryesisht si një grup të cilët angazhohen vetëm në kohë të zgjedhjeve dhe pastaj një numër i madh i tyre lihen anash. Pra shumë shpesh nëpër parti politike të rinjtë konsiderohen më shumë si numër sesa si potencial e kjo duhet të ndryshoj si mendësi”, ka deklaruar ajo.

Madje ajo tha që kur merren shembuj vende tjera dhe diskutohet se si kanë arritur të kenë zhvillim të madh ekonomik përgjigjja është e qartë “investo në njerëz e jo në asfalt”.

Gjatë këtij diskutimi edhe pjesëmarrësit patën mundësinë që të shtrojnë pyetje për panelistët dhe të bëhen pjesë e diskutimit. Njëra nga pjesëmarrëset të cilës ju bë i ditur vetëm emri gjatë këtij diskutimi, e pyet Vjosa Osmani se si ka mundësi që ajo ka qenë pjesë e një muzike për dy dekada, madje pjesë e një muzikë që e ka formësuar e tani nuk mund ta dëgjojë më atë muzikë.

Osmani tha: “Përkundrazi Valmira unë nuk e kam asnjë problem që ta dëgjoj atë muzikë, unë jam duke e mbrojtur atë muzikë e cila është ndërtuar për dy dekada, janë të tjerët që kanë filluar valle tjetër, madje kanë filluar valle të rrezikshme. E tash në valle të rrezikshme që janë të këqija edhe për vendin edhe për qytetarët tanë, natyrisht që unë nuk e kam ndërmend me hy”, deklaroi ajo.

Sipas Osmanit pjesa dërrmuese e keqkuptojnë faktin që ajo vetëm po mbanë fjalën dhe e quajnë dele që largohet nga kopeja.

‘Po e përmbyllë më këtë, shumica dërmuese e njerëzve që e keqkuptojnë faktin që unë thjesht po e mbajë fjalën, më thonë kështu, kështu më thonin edhe në vitin 2014 e 2015 e po e përsërisin edhe tash. Më thonin “Delja që ndahet nga kopeja e hanë ujku”, përgjigja ime është e thjeshtë “Unë nuk jam dele mos u bëni as ju dele”,  ka përfunduar Vjosa Osmani.

Gjatë këtij diskutimi u fol edhe për faktin se si gratë instrumentalizohen në politikë, si dhe pozitën që kanë gratë në politikë. Gjithashtu penalistët theksuan faktin se sfidimi i sistemit bëhet dyfish më i vështirë kur, sfiduesja është grua e jo burrë. / KultPlus.com

Nga 17 – 23 gusht festivali Anibar, shpallet programi artistik i festivalit

Festivali Anibar i filmit në Pejë ka publikuar programin artistik të tij për edicionin e 11-të, i cili do të mbahet nga 17 deri më 23 gusht, në Pejë. Bëhet e ditur se nga 1300 filma, 139 u zgjodhën nga ekipi përzgjedhës për t’u shfaqur gjatë 7 ditëve të festivalit.

Filmat janë ndarë në 7 kategori, ku 5 prej tyre do të jenë në garë: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Video Muzikës së Animuar dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut. Ndërsa 2 kategoritë e tjera do të jenë jashtë garës: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.

Në mesin e filmave të përzgjedhur nga Anibar, do të shfaqet premiera botërore e “All Those Sensations in my Belly” e regjisorit Marko Djeska, film ky që garon në Garën Ballkanike dhe në Kategorinë e të Drejtave të Njeriut.

Programi i larmishëm i filmave që do të shfaqen gjatë muajit gusht janë përzgjedhur, nominuar ose shfaqur në një numër festivalesh të tjera siç janë: “Annecy International Animation Film Festival”, “The Academy Awards”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Sarajevo Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm”, “Stuttgart Trickfilm International Animated Film Festival”, “Ottawa International Animation Festival”, dhe shumë tjerë.

Programi artistik i Anibar do të shfaqet përmes platformave dixhitale për mysafirë vendor dhe ndërkombëtar. Mundësia e organizimit të kinemave të hapura do të mbetet opsion vetëm nëse situata pandemike përmirësohet gjatë muajit gusht.

Në një mënyrë apo tjetër, programi i filmit do të përmbajë vepra të mrekullueshme dhe unike të animacionit nga e gjithë bota, që do të jenë në dispozicion për t’u parë nga 17 gushti deri më 23 gusht.

Edicioni i XI i Anibar mbahet në gusht të këtij viti

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit – Anibar, këtë vit do të festojë edicionin e tij të njëmbëdhjetë (XI), ndryshe nga çdo edicion tjetër, me data të reja dhe një format të adaptuar të festivalit për shkak të situatës me të cilën po përballemi të gjithë.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, kemi vendosur që festivalin ta mbajmë me datat: 17 deri më 23 gusht të këtij viti, e jo sikurse kemi paralajmëruar më herët në korrik.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit – Anibar, këtë vit do të ofrojë një program të përshtatur sipas parametrave mbrojtëse të paracaktuara nga institcuionet relevante në Kosovë për mbrojtjen nga COVID – 19. Anibar është përkujdesur që përvec shfaqjes së filmave, prezantimeve, programeve speciale, aktiviteteve edukative dhe profesionale, të ofroj edhe programin artistik per transmetim online nëpërmjet platformave digjitale.

Anibar fton të gjithë që të përcjellin faqen kryesore të Anibar: www.anibar.org si dhe profilet e Anibar në Facebook, Twitter dhe Instagram, në mënyrë që të informohen rreth të gjitha lajmeve rreth festivalit të sivjetëm.

Në ndërkohë, shumë shpejt pritet të dalin edhe me temën e festivalit dhe programin e dizajnuar. / KultPlus.com

Anibar hapi Qendrën Frankofone në Pejë


Organizata kulturore Anibar njofton për hapjen e Qendrës Frankofone, të parës në qytetin e Pejës, në kuadër të kinema “Jusuf Gërvalla”, respektivisht hapësirave të Akademisë së Animacionit. Si organizatë e cila në vazhdimësi ka punuar për intensifikimin e bashkëpunimeve kulturore me botën e jashtme dhe ofrimin e sa më shumë mundësive, sidomos për të rinjtë, jo vetëm nga Peja, por gjithë Kosova.

Hapja e kësaj qendre u mundësua me arritjen e një Marrëveshje të Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar, e cila u nënshkrua sot. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje prezent ishin edhe ambasadorja franceze, znj. Marie Christine Butel, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar – Anibar, Arba Hatashi. Përgjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, znj. Marie Christine Butel foli për historikun e bashkëpunimit të Ambasadës Franceze me Anibar, ndërsa Arba Hatashi, përveç prezentimit të tri animacioneve të shkurtra, të realizuara nga nxënësit e Akademisë së Animacionit Anibar, prezentoi edhe punën e Anibar, Kinema “Jusuf Gërvalla” dhe Akademisë së Animacionit.

Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar ka për qëllim ofrimin e programeve edukative dhe kulturore në qytetin e Pejës. Qendra Frankofone në Pejë do të shërbejë si urë lidhëse e organizatave të ndryshme që punojnë në Pejë e Kosovë, me organizata të ndryshme që fushën e veprimit ose prejardhjen e kanë në Francë. Kjo qendër, ndër tjera, do të promovojë kulturën franceze, duke ofruar kurse të gjuhës frënge si dhe aktivitete të tjera kulturore e edukative në Komunën e Pejës. Përmes Qendrës Frankofone në Pejë, të rinjtë dhe të rejat, por jo vetëm, do të kenë mundësi të shumta për të mësuar mbi kulturën e pasur franceze. Marrëveshja e sotme me Ambasadën Franceze është një hap tjetër në shtegun e gjatë të bashkëpunimit që Anibar ka realizuar në fusha të ndryshme.

Hapësira e Qendrës Frankofone është po ajo që përdoret edhe nga Akademia e Animacionit, e themeluar nga Anibar, dhe që është restauruar dhe rivitalizuar si pjesë e Kinema “Jusuf Gërvalla” në vitin e kaluar me financim të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. / KultPlus.com

Mbyllet edicioni i 10-të i Anibarit, këta janë fituesit

Edicioni i dhjetë i Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit të Animuar – “Anibar”, është mbyllur sonte. Ai është mbajtur nga 15 – 21 korrik në qytetin e Pejës.

Në këtë edicion jubilar, Anibar u bë nikoqir i mijëra mysafirëve nga mbarë bota dhe nga vendi, shfaqi 300 filma të animuar në pesë kinematë: Jusuf Gërvalla, Kinemaja për fëmijë e të ri në teatrin “Istref Begolli”, Kinemanë “Urban”, te Liqeni dhe te Kubat; po ashtu shfaqi 15 programe speciale, dy prezantime speciale nga regjisorët e serialit “Rick dhe Morty”, mbajti 5 punëtori për fëmijë dhe të rinj, si dhe dy masterklasa për studentë të artit dhe gazetarisë dhe katër panele diskutimi për rolin e artit në avancimin e të drejtave të njeriut dhe aktivizmit.

Anibar, po ashtu, shfaqi filmat që ishin në garë për filmin më të mirë të animuar të metrazhit të gjatë, ndërkombëtarë, nga Ballkani, filmin më të mirë të animuar me muzikë, dhe filmin më të mirë të animuar nga studentët.

Në vijim po ju sjellim fituesit e këtij festivali:

1. Në kategorinë e filmit më të mirë të animuar ndërkombëtarë fitues është:

Filmi “And then the bear” nga Agnès Patron;

Falënderim special për filmin “I’m going out for cigarettes”, nga Osman Cerfon dhe “Egg” nga Martina Scarpelli.

2. Garën për kategorinë e studentëve e fitoi filmi:

“Applesauce” nga Alexander Gratzer;

Falënderime speciale për “Hide N Seek” nga Barbora Halířová.

3. Nga kategoria e Filmit më të mirë të metrazhit të gjatë fitoi:

“The Tower”, nga Mats Grorud;

4. Nga gara për Filmin më të mirë të Ballkanit e fitoi:

“Imbued Life”, nga Thomas Johnson dhe Ivana Bosnjak;

Falënderime speciale për “N’korniz” nga Gëzim Ramizi.

5. Filmi muzikor i animuar më i mirë shpallet:

“Siamés – Mr. Fear”, nga Pablo Rafael Roldán dhe Ezequiel Torres;

6. Çmimi i Publikut iu dha:

“Toomas Beneath the Valley of the Wild Wolves”, nga Chintis Lundgren.

Juria kryesore e festivalit që përzgjodhi fituesit në katër kategori ishte në përbërje të: Koji Yamamura, Agotta Vegso, Annette Schinlder, Jeremiah Dickey, Lise Fearnley. Ndërsa filmin më të mire të studentëve e ka vlerësuar juria në përbërje të: Hana Arapit, Jon Mithi, Lum Radoniqi, Qëndrim Spahija, Rigon Kurteshi. / Koha.net / KultPlus.com

13 filmat më të mirë të ‘Animation Workshop’ u shfaqën në Anibar

13 filma të punuar nga studentët dhe të vlerësuar si filmat më të mirë të shkurtër të animuar nga shkolla e filmit “Animation Workshop”, u shfaqën dje në Kinemanë ‘’Jusuf Gërvalle”, në kuadër të edicionit të dhjetë të Anibar.

Filmat u prodhuan nga studentët e shkollës së filmit “The Animation Workshop/ VIA University Collage”, në Danimark. Përmes animacionit filmat preken tema aktuale në shoqërinë e sotme si racizmi, tabuja, riciklimi; mbrojtja e ambientit, etj.

Këta filma u pritën mirë edhe nga pjesëmarrës në festival që paten mundësi t’i shikojnë. Antik Doli, pjesëmarrës tha se filmat kanë qenë unik, dhe kanë shfaqur fuqi dhe ndikim.

“Secili prej filmave ka qenë unik në stil, mesazh dhe realizim. Gjithçka ka pas fuqi edhe ndikim tek shikuesit duke filluar nga animacioni tek audio”. Dafina Vokrri, një pjesëmarrëse tjetër për filmat tha se secili ka pasur rendësin dhe mesazhin e vet.   ‘Më pëlqeu idea e organizimit, tu e pas parasysh se secili film i shfaqur e pati rëndësinë dhe mesazhin e vet. “

Po ashtu, ajo shtoi se për të kuptuar filmat e animuar kërkon vëmendje të madhe, por megjithatë ajo japin kënaqësi të jashtëzakonshme. “Ndonëse nevojitet koncentrim për të zgjidhur enigmat e dhëna, këta filma sjellin kënaqësi të jashtëzakonshme dhe udhëzime mbi jetën, dëshirat, pengesat.”

“Best of Animation Workshop” po shfaqën në kuadër të Anibar, që u hap me 15 korrik dhe vazhdon deri më 21 korrik 2019, në Pejë

Sot fillon festivali Anibar

Festivali Anibar Animation sivjet mban edicionin jubilar prej 15 deri më 21 korrik në Pejë, me temë “Frika dhe Shpresa”.

Rreth 300 filma të animuar, me një llojllojshmëri te pasur artistike me temë kryesore shpresën dhe frikën, do të shfaqen në kuadër të festivalit.

Drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja, ka bërë të ditur më herët se në këtë vit jubilar të këtij festivali, do të kenë një përfshirje të aktiviteteve të ndryshme që do të shfaqen në 5 kinema të Pejës.

Në edicionin e 10-të të festivalit do të ketë edhe 15 programe speciale, 4 workshope për të ri, 3 master-klasa dhe mysafirë specialë.

Anibar “Line-up” ju fton të lironi frikën dhe shpresën!

Përkrah programit të jashtëzakonshëm të Anibarit të mbushur me shfaqje të filmave të animuar, punëtori për animacion, programe speciale, prezantime gjatë gjithë ditës, gjithçka do të kulmojë me netët muzikore që zënë një vend të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshme në aktivitetet e këtij edicioni të festivalit, që mbahet nga 15 deri me 21 korrik 2019, në Pejë.

Gjatë këtyre netëve prej orës 23:00, në një mjedis të hapur, në Parkun e qytetit të Pejës, si asnjëherë më parë, shumë artistë, bende dhe DJ, do të performojnë zhanret dhe këngët e tyre për të sjellë një atmosferë të gjallëruar dhe ritme të veçanta gjatë netëve të Anibar.

15 korrik – Nata që hap ndejat muzikore të Anibar është e dedikuar për muzikën Regge ku artisti Blend Mishkin bashkë më grupin Roots Evolution do të ju sjellin tinguj të afrobeats dhe muzikë reggae. Artisti i dytë do të jetë Natty Fiyah e cila tashmë njihet në zhanrin eksperimental të muzikës, e që mund të përshtatet në çdo rast, reggae, jungle apo drum’n’bass.

16 Korrik – Një natë që do të karakterizohet me muzikë Hip Hop Old School. Do të habiteni nga shpejtësia dhe tekstet e reperëve si Llumi & Blleki, që janë pjesë e grupit P.I.N.T. Të dytë sjellin tingujt e hip-hopit klasik dhe rap-it të viteve 2000 të përzier me elemente moderne. Ndërsa, DJ Goce, përfaqëson kohën e hershëm të hip hopit dhe e çon këtë zhanër në rrënjët e hershme të tij. Një mysafir i veçantë në këtë natë do të jetë Sticky, artisti i ri pejanë dhe një mik i Anibarit do të debutoj me muzikën e tij.

17 korrik – Janex po vjen drejt nga New York-u në Pejë, për të performuar për herë të parë në Anibar. Një interpretuese e shkëlqyer, me një zë të mahnitshëm dhe muzikën e saj indie-pop/dance, është bërë të njohur në të gjithë industrinë. DiziRadio artisti i ri nga Peja do të ketë njërën nga performancat e tij të para me paraqitjen në Anibar.

18 korrik – Kjo natë hapet me Reka Zallan e cila është gjithnjë në kërkim të atmosferave për të krijuar rritme impulsive. Muzika e Reka Zallanit karakterizohen kryesisht nga tinguj të errët me elemente psikodelike. Më pas Genti me Vargmal Records është një tjetër artistë që lidhjen me muzikën elektronike e ka formësuar që në fëmijëri, ai është një eksplorues i muzikës e veçanërisht në zhanrin tekno psychedelic.

19 korrik – është nata qe i dedikohet muzikës alternative. Performanca e parë do të jetë e grupit nga Prishtina, Asgjë sikur Dielli që përmes teksteve me metafora provokative, kryesisht me tema nga jeta sociale, gjithnjë kanë krijuar një atmosferë autentike, në muzikën alternative kosovare. Më pas vjen një DJ nga Kroacia, nën emrin DJ Shullio, ai rregullisht bënë dj-ing në festivalet e filmit të animuar dhe vende të tjera. Ai është edhe drejtori artistik I Festivalit Animafest Zagreb.

20 korrik – Me pasion të vërtetë, finesë teknike dhe shumë dashuri për detajet, Tereza udhëheq përmes tingujve të saj elektik që kapërcejnë kufijtë tradicional të zhanreve. Në një mënyrë emocionuese ajo kombinon stimulimin e saj muzikor për të eksploruar me një angazhim të sinqertë ndaj valëve “frenzy” për një natë të paharruar për publikun e Anibar. Më pas artisti nga Maqedonia Andrej Micajkov do t’ju bëjë të relaksoheni dhe të zhyteni në rrjedhën e muzikës së tij të “energjisë natyrore” që është e lehtë dhe e këndshme për t’u dëgjuar

21 korrik – Nata përmbyllëse e këtij edicion të Anibar do të rezervoj tinguj ritmik dhe plot gjallëri të orkestrës Gypsy Mambo këngët e tyre vijë nga një traditë e performancave argëtuese muzikore, ata kanë bërë muzikë në shumë festivale të mëdha të muzikës në të gjithë botën. /KultPlus.com

Në Festivalin ‘Anibar’ do të shfaqen rreth 300 filma të animuar

Rreth 300 filma të animuar, me një llojllojshmëri te pasur artistike me temë kryesore shpresën dhe frikën, do të shfaqen në kuadër të Festivalit ‘Anibar”, që mbahet në Pejë nga 15-21 korrik.

Kështu bënë të ditur zyrtarë të Anibar International Animation Festival, i cili fillon më 15 korrik dhe do të zgjasë deri më 21 korrik.

Drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja, tha se ka qenë shumë e rëndësishme që në këtë edicion të kenë laramani.

Ai bëri të ditur se në këtë vit jubilar të këtij festivali, do të kenë një përfshirje të aktiviteteve të ndryshme që do të shfaqen në 5 kinema të Pejës.

“Tema e këtij edicioni flet për shpresat dhe frikët. Kemi pasur një mijë aplikime, prej tyre janë përzgjedhur 300 filma. Edhe këtë vit kemi vazhduar t’i angazhojmë studentët nga Kosova në mënyrë që të rrisim kritikën e tyre”, tha ai.

Leonora Aliu, koordinatore për media, tha se edhe kësaj radhe janë përqendruar për një program sa më të pasur.

“Në edicionin e 10 të festivalit do të kemi 300 filma të animuar, 15 programe speciale, 4 workshope për te rinj, 3 masterklasa dhe mysafirë specialë, regjisorët e serialit ‘Rick and Morty'”, tha ajo. / KultPlus.com

Anibar sjellë në Kosovë të nominuarin për çmimin Oscar, Koji Yamamuran

Një ndër objektivat e Festivalit të Animacionit “Anibar”, është dhënia e kontributit në edukimin e brezave të rinj rreth animacionit, përmes prezantimeve nga profesionistë të fushave, artistë e profesorë të dëshmuar tashmë globalisht përmes punës së tyre.  Për këtë qëllim këtë edicion kemi ftuar një ndër emrat më të njohur të industrisë së filmit të animuar në Japoni, është animatori i shumënjohur Koji Yamamura.

Yamamura do të jetë prezent në ditën e fundit të festivalit, më 21 korrik 2019. Ai do të mbajë një prezantim në lidhje me “Shndërrimin e imagjinatës në realitet” përmes animacionit. Pas prezantimit të tij, pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të parashtrojnë pyetje dhe të bashkëbisedojnë me të lidhur me teknikat më profesionale të përdorura nga mjeshtri i animacionit. Duhet potencuar se në përgjithësi në industrinë e filmit të animuar, teknologjia e përdorur në prodhimin e filmave merr vëmendjen kryesore të kritikëve dhe artdashësve.

Për Koji Yamamura-n krijimi i filmave të animuar është si hyrje në një botë më të thellë shpirtërore, ku tejkalohet dualizmi në mes të mendjes dhe materies, dhe mund të realizohet bashkimi i ndërdijes me realitetin. Koji Yamamura gjatë prezantimit të tij do ta përqendrojë vëmendjen kryesisht mbi aspektet psikologjike të disa filmave të tij të animuar si: Mt. Head,
Fig, Franz Kafka, Country Doctor, Strings Muybridge, “Satie Parade”;. Ai do të flas ndër tjerash për rolin e ndërdijes në prodhimin e filmave të animuar, dhe mënyrat për të hyrë në ndërdije përmes teknikave të animacionit.

Përndryshe, Koji Yamamura është anëtar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, dhe profesor i Universitetit të Arteve në Tokyo. Ai gjatë vitit 1990 e rafinoi stilin e tij, duke shpenzuar shumë në krijimin e filmave për fëmijë. Filmi tij, “Mt Head”, është nominuar për Oscar në kategorinë e filmit më të mirë të animuar nga Akademia e Filmit në vitin 2003. Filmi i tij në thelb intepreton historinë tradicionale japoneze të Rakugos “Atama-yama”. Nominimi për Oscar shënoi një pikë kthese për Kojin. Pas këtij nominimi, filma te tij si: “Crocodile”; (2005), “Franz Kafka” “Country Doctor” (2007), dhe “Strings Muybridge”; (2011), morën më shumë se 90 çmime nëpër festivale të animacionit./Inajderi/KultPlus.com

Filmi i animuar “Away” shfaqet në Anibar

Away” është njëri nga tre filmat e animuar të metrazhit të gjatë që vijnë për herë të parë në Kosovë, përmes ekranit të Kinemasë “Jusuf Gërvalla”, në kuadër të edicionit të dhjetë të festivalit të animacionit Anibar, që mbahet nga data 15 deri më 21 korrik në Pëjë.

“Away” do të shfaqet në ditën e katërt të festivalit  Anibar, përkatësisht me datën 18 Korrik nga ora 16:00 në Kinemanë “Jusuf Gervalla”. Ky film, së bashku me filmin “The Tower” të regjisorit Norvegjez Mats Grorud dhe “Ruben Brendt, Colector” të regjisorit nga Sllovenia Milorad Krstic, garon për filmin më të mirë të animuar të metrazhit të gjatë ndërkombëtarë.

Filmi “Away”, është një histori klasike e rikthimit në shtëpi, duke përcjell aventurat e një djali në një motor, duke tejkaluar barriera të ndryshme fizike dhe metafizike me ndihmën e mikut të tij të vogël. Me pamjet mbresëlënëse të skenave të animuara që paraqiten në rrugëtimin e djaloshit,  pyjet, shkretëtira, shpella apo peisazhet detare, sjellin ndjesi mahnitëse gjatë shikimit të filmit.

Regjisori dhe animatori Gints Zilbalodis edhe pse vetëm 25 vjeçar është shumë i suksesshëm dhe me përvojë në realizimit e filmave të animuar, magjepsja e tij me filmat filloi që në moshë të re, filma klasikë dhe ata të shkurtë kishin ndikim në formësimin e tij. Ai ka realizuar shtatë filma të animuar në media të ndryshme duke përfshirë animacion me vizatime, animacion 3D dhe live-action animacion, shpesh duke përzier me karakteristikat e tyre. Dy filmat e tij që i kanë sjellë veçanërisht shumë vëmendje nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare janë: “Priorites” dhe “Inaudible”.

“Away”, është një projekt të cilin regjisori ka arritur të realizojë i vetëm, duke filluar nga regjia, skenari, animacioni, madje edhe për muzikën e filmit dhe gjithçka tjetër në të, është përkujdesur vet Zilbalodis. Arsyeja kryesore që e ka shtyrë të ndërmarrë një hap të tillë, jo pak të guximshëm dhe sfidues, sipas regjisorit është “dëshira të mësonte të gjitha aftësitë e kërkuara në krijimin e filmave”, kështu që sa herë të ketë mundësi për të bërë një film me një ekip më të madh, “do të kuptonte më të mirë rolin e gjithsecilit”.

Premiera botërore e filmit u shfaq në “Animafest Zagreb 2019”, ndërsa menjëherë më pas u shfaq edhe në “Annecy Animation Festival”, të Francës ku është shpërblyer me çmimin Contrechamp (2019).

“Anibar” sjell regjisorët e çmimeve “Emmy”

Edicioni jubilar i festivalit të parë të animacionit në Kosovë do të vazhdojë që të sjellë në Pejë regjisorë të njohur.

Takimi me filmbërësit dhe shkëmbimi i përvojave mbetet vizion i “Anibarit”. Për të dëshmuar këtë, organizatorët e Festivalit tashmë kanë bërë të ditur emrat e tre regjisorëve të ftuar. Që të tre për punën e tyre janë shpërblyer me çmime të rëndësishme të fushës së animacionit. Bryan Newton , Matt Taylor dhe Milorad Krstiq do të jenë pjesë e edicionit të 10-të, i cili do të mbahet nga 15 korrik deri më 21 korrik.

“Prej aventurave ndërdimensionale drejt e në Anibar”, kështu është vlerësuar ardhja e regjisorëve Bryan Newton dhe Matt Taylor. Mysafirët e Festivalit, i cili mbahet në Pejë, do të kenë mundësinë që të eksplorojnë më shumë botën e serisë më të guximshme të animuar “Rick and Morty”. Newton dhe Taylor do të flasin më shumë për përvojën e tyre në krijimtarinë artistike.

Gjatë ditëve të festivalit në Pejë do të jetë edhe regjisori Milorad Krstiq, i cili do të jetë pjesë e aktivitetit “Meet the Filmmakers “në kuadër të Festivalit. Krstiq, i cili do të jetë në Pejë për shfaqjen e filmit të tij, ka një kohë të gjatë që njihet në boten e animacionit.

“Rick and Morty” vjen në Anibar!

Festivali i filmit të animuar “Anibar”, i cili mbahet cdo vit në qytetin e Pejës këtë edicion ka dy mysafirë special Bryan Newton dhe Matt Taylor – dy regjisorët nga ekipa madhështore që ka krijuar një ndër seritë më të guximshme të animuara të kohërave tona “Rick dhe Morty”.

Newton dhe Taylor, do të na bashkohen këtë vit në Anibar përmes diskutimeve të hapura me ju dhe duke ndarë eksperiencën e tyre e të qenurit pjesë e ekipës që ka punuar në serinë që u shfaq për tre sezona me radhë në programin e mbrëmjes të Adult Swim në kuadër të rrjetit të kanalit për animacion Cartoon Netëork.

Anibar, këtë vit mbahet nga 15 deri më 21 korrik 2019. Ndërsa me datat 19 dhe 20 korrik 2019 (e premte dhe e shtunë) Matt Taylor dhe Bryan Newton do të mbajnë diskutimet e tyre në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, në Pejë./Insjaderi/KultPlus.com

Filmi i animuar kosovar “N’kornizë” shfaq premierën në Anibar

Në Festivalin e Animacionit Anibar që këtë vit organizon edicionin e tij të 10-të, do të shfaqet edhe premiera e filmit të animuar kosovar “N’Kornizë”.

Përveç që është njëri nga filmat e rrallë të animuar të prodhuar në Kosovë, veçantia e këtij filmi është realizimi me tekniken Stop-Motion Animation, pra nuk është një metodë tradicionale e animacionit të vizatimit, por është një teknik kinematografike ku aparati ndalet në mënyrë të përsëritur dhe fillon, për t’i dhënë figurave të animuara përshtypjen e lëvizjes.

Filmi “N’kornizë” i cili do të shfaqet për herë të parë gjatë Festivalit Anibarit është punuar me regji të Gëzim Ramizit, skenar nga Hana Zeqa dhe producent Rron Ismajlin, trajton historinë e një djali të ri që jeton në qytetin imagjinar të Prishtinës. Ai zotëron një dyqan të vogël ku bën korniza që njerëzit përdorin për të dekoruar kujtimet e tyre.

Festivali i Animacionit Anibar këtë edicion mbahet prej 15 deri më 21 korrik në qytetin e Pejës. Më shumë informata rreth filmave dhe programit që do të shfaqet mund ti gjeni në anibar.com.  /KultPlus.com

Anibar hap thirrjen për punëtorinë ‘Kuzhina tradicionale e Kosovës – Hyrje në një kulturë’

Anibar hap thirrjen për pjesmarrës në punëtorinë e animacionit: Kuzhina tradicionale e Kosovës – Hyrje në një kulturë!

Nëse keni interesim për animacion, kulturë dhe ushqimin tradicional, atëherë bashkohuni në punëtorinë pesë ditore në Kinema “Jusuf Gervalla”.

Kjo punëtori organizohet në kuadër të projektit të Anibar “Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe ngritja e dialogut ndërmjet komuniteteve” i cili projekt është i mbështetur nga UNDP Kosovo.

Për më shumë informata rreth aplikimit klikoni linkun e mëposhtëm!

http://anibar.org/sq/workshop-registration-traditional-cuisine-of-kosovo-a-gateway-into-a-culture/

Të gjithë të interesuarit e moshës 16-30 inkurajohen të aplikojnë!

Pjesëmarrësit jashtë Pejës do t’i kenë shpenzimet dhe akomodimin e mbuluar gjatë kohëzgjatjes së punëtorisë. Punëtoria do të fillojë më 25 janar dhe do të vazhdojë deri më 29 janar, 2019.

Për të plotësuar aplikacionin ju lutemi klikoni këtu.

Të gjitha aplikacionet duhet të plotësohen dhe të dorëzohen deri më 20 janar 2019 për t’u konsideruar si pjesmarrës i kësaj punëtorie./ KultPlus.com

Festivali ‘Anibar’ ka hapur thirrjen për filma të animuar

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar ka kënaqësinë të i shpalos datat e edicionit të dhjetë. Në vitin 2019, për herë të parë festivali do të organizohet në muajin korrik me datat 15 deri 21 korrik 2019 në Pejë, Kosovë.

Anibar ka hapur thirrjen për filma të animuar në tetor, dhe thirrja vazhdon të jetë e hapur deri me 30 Prill 2019 për të gjithë të interesuarit për të qenë pjesë e këtij edicioni të festivalit. Këtë vit do të jetë edicioni i dhjetë i festivalit, ku edhe do të festohet puna e një dekade dhe të gjitha zhvillimit në fushën e animacionit, filmit të animuar, kinematografisë dhe kulturës në Kosovë. Kjo thirrje e festivalit bëhet në nivel ndërkombëtar për kategori të ndryshme, ku Anibar do të ndajë gjashtë çmime në vlerë prej 3000 euro për filmat fitues dhe nga një kurorë (trofeu i Anibar).

Lista e plotë e kategorive të filmave:

– Gara Ndërkombëtare

– Gara Ballkanike

– Gara e Studentëve

– Gara për filma të animuar të metrazhit të gjatë

– Gara për videoklipe të animuara muzikore

– Programi Kids and Teen

Autorët mund të aplikojnë apo të informohen përmes platformës Film Freeway në linkun e mëposhtëm: https://filmfreeway.com/AnibarAnimationFestival

Anibar fillon udhëtimin e crowdfunding për Kinema ‘Jusuf Gërvalla’

Peja e ka quajtur Kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’ me shumë emra që nga ndërtimi i saj në vitin 1995: Filmi, Kino, Bioskop.

‘Jusuf Gërvalla’ ishte qendra e jetës kulturore në Pejë me shfaqje filmike, muzikore dhe shfaqje teatrale, po ashtu edhe si qendër sociale deri në braktisjen e saj të parakohshme, në vitin 1998. Në vitin 2001, me ndihmën e donacioneve të huaja kinemaja u riparua dhe u shtua në Listën e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare si një monument historik.

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar, i themeluar në vitin 2009, e bëri kinemanë shtëpi të tij në vitin 2015, pasi që veproi si festivali kyç i qytetit për gjysmë dekade. Komuna e Pejës e nderoi angazhimin e Anibar me dhënien në shfrytëzim të kinemasë për 15 vitet e ardhshme në dhjetor të 2016-tes. Në vitin 2017, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e vendosi ndërtesën në procesin e likuidimit, i cili në shumicën e rasteve përfundon në privatizimin dhe shkatërrimin. Qyteti i Pejës u mobilizua në një fushate të mbrojtjes dhe mblodhi 6 000 nënshkrime dhe siguroi mbështetjen e 70 organizatave jo-qeveritare në të gjithë Kosovën për ruajtjen e saj. Anibar dhe komuniteti lokal organizuan aktivitete për të informuar mediat, për të bashkuar qytetarët e Pejës, dhe bëri koordinimin e organizatave të shoqërisë civile, të cilat pezulluan procesin e privatizimit përmes një vendimi të gjykatës.

Anibar ka punuar në rivitalizimin dhe ruajtjen e Kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’ dhe rëndësisë së saj kulturore. Duke punuar me komunën dhe organizata të tjera për të siguruar që kinemaja të mbetet qendra kulturore e Pejës, duke organizuar ngjarje kulturore, koncerte dhe shfaqje të filmave.

Hapi i radhës në funksionalizimin e Kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’ është t’i rikthehet funksionit kinematografik dhe të vazhdojë të jetë qendër kulturore. Anibar kupton rëndësinë e kinemasë për komunitetin si dhe rëndësinë e ruajtjes së memories kolektive dhe identitetit të kinemasë. Kjo është arsyeja pse Anibar është duke e filluar udhëtimin e tij për crowdfunding nëpërmes Kosova Ideas. Shuma e mbledhur nga fushata do të ndihmojë në renovimin e kinemasë, të cilat do të përfshijnë intervenime infrastrukturale bazike dhe krijimin e një hapësire me përdorim më të mirë dhe funksional. Kjo fushatë mund të sigurojë asistencën e nevojshme që duhet për ta bërë kinemanë një hapësirë të filmit, artit, kulturës dhe shoqërisë civile duke përmirësuar jetën shoqërore dhe kulturore të qytetarëve.

Për më shumë informacion mbi fushatën, qëllimin e saj dhe si të kontribuoni, shikoni linkun:

https://kosovaideas.com/campaign/detail/465

“Carlotta’s Face” triumfon në “Anibar”

Filmi i animuar, i cili eksploron një lloj të dëmtimit të trurit, që pamundëson njohjen e fytyrave njerëzore, triumfoi në edicionin e nëntë të “Anibarit”.

“Carlotta’s Face” i Valentin Riedl dhe Frederic Schuld nga Gjermania në vetëm pesë minuta sjell rrëfimin e një vajze me emrin Carlotta, e cila mendon se njerëzit përreth saj nuk kanë fytyra.

Ajo madje nuk e njeh as fytyrën e vet. Por vite më vonë bëhet e vetëdijshme për këtë defekt të rrallë e të pashërueshëm në trurin e saj. Përmes artit ajo arrin ta njohë veten në një formë tjetër, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Carlotta’s Face” është fitues i garës ndërkombëtare në edicionin i cili përmes temës “50/50” këtë vit mëtoi të iniciojë diskutimin mbi barazinë gjinore, njëkohësisht duke u dhënë edhe hapësirë prezantimit dhe inkurajimit të vajzave dhe grave në botën e animacionit.

“Një film që prezanton një mesazh poetik, të fuqishëm dhe universal rreth mosgjykimit të njerëzve për dallimet e tyre. Filmi ka zë të fuqishëm personal me një stil minimal që rrit ndjenjën e tjetërsimit të protagonistes, duke inkurajuar mirëkuptim për ata rreth saj”, shkruhet në vlerësimin që i ka bërë juria këtij filmi fitues, e përbërë nga Anita Killi, Holger Lang, Kendra Haaland, Lana Tankosa Nikoliq dhe Joanna Rytel. E njëjta juri në këtë kategori ka ndarë edhe mirënjohjen e veçantë për filmin “Intimity”, të Elodie Dermange nga Zvicra.

Në njëfarë forme, në kërkim të vetes, është edhe personazhi i filmit fitues të garës ballkanike.

“Untravel” i Ana Nedelkoviqit dhe Nikola Majdak Jr nga Serbia sjell rrëfimin e një vajze e cila jeton në një shtet gri, të izoluar e të rrethuar nga një mur i madh. Ajo kurrë nuk ka udhëtuar më parë, por gjithë jetën e saj ëndërron të ikë përgjithmonë në një vend të quajtur “Jashtë vendit”.

Krahas “Untravel” në këtë garë juria ka ndarë edhe çmimin special, të cilin e ka marrë “The Monk”, nën regji të Zharko Ivanov nga Maqedonia.

Të dielën mbrëma në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e mbajtur në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, u nda edhe çmimi për filmin më të mirë në kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë, që në edicionin e sivjetmë janë përfshirë për herë të parë. Juria ia ndau çmimin filmit “Chris the Swiss” nën regji të Anja Komfel, i cili sjell rrëfimin vërtet të saj. Ngjarja zë vend në Kroacinë e vitit 1992, ku në mes të luftës trupi i një gazetari të ri u gjet i veshur me uniformën e grupit të mercenarëve ndërkombëtarë. 19 vjet më vonë, Kamfel gjen historinë e tij, të cilën e shtjellon në filmin e saj.

Një tjetër çmim i rëndësishëm i festivalit është ai i publikut, i cili këtë vit iu nda filmit “Irony” nën regji të Radheya Jegathevas. Ndërsa në kategorinë e studentëve juria e përbërë nga Donart Selimi, Filiz Telaku, Lorik Berisha, Yll Bylukbashi dhe Kaltrina Berisha ia ndau çmimin kryesor filmit “Flower Found” nën regji të Jorn Leeuwerink. Ndërsa dy mirënjohjet speciale iu ndanë filmave “Finkel” të Sanni Lahtinen dhe “Engine of Progress” të Sasha Svriskyt.

Prej datës 13 deri më 19 të muajit gusht, aq sa zgjati ky festival, “Anibari” pos animacioneve solli edhe aktivitete të ndryshme që u lidhën me temën e sivjetme të kësaj ngjarjeje./ KultPlus.com

Elina Duni, zëri që mori me vete publikun e Anibarit (FOTO)

Gili Hoxhaj
Fotografe: Elmedina Arapi

Që nga dita kur Anibari filloi rrugëtimin e tij në qytetin perëndimor të Kosovës, rrugët drejt kinemave janë më të shkelura se rëndom, ndërsa presin mysafirë të tjerë, përveç atyre të Pejës.

Një urë me çadra shumëngjyrëshe qëndron mbi Lumin “Bistrica” e i jep një ndjesi ndryshe rrugëve drejt pikave ku po zhvillohet edicioni i nëntë i festivalit të animacionit – Anibar. Brenda hapësirave të mbyllura dhe të hapura, ekranet e tyre ndizen për mbi 200 filma sa janë përzgjedhur të shfaqen në këtë festival, i cili këtë vit trajton temën e pabarazisë gjinore. Një gjallëri më ndryshe i kanë sjellë Pejës edhe mbrëmjet muzikore që janë zhvendosur në Parkun “Karagaq”. Rruga pak më e pjerrët deri atje, e freskia e Bjeshkëve pranë, ecjen e bën më të ngadaltë, derisa rrugës sheh grumbuj të rinjsh dhe jo vetëm. Ishte emri i Elina Dunit, ai që bënte të lexoje emocionin e publikut, derisa ajo ende nuk kishte prekur skenën.

Shumë pak pranë mesnatës, publiku vjen e zë gjithë hapësirën në fushën e gjelbër, pranë parkut “Karagaq” . Ngjyrat e ndezura që vijnë nga skena e bëjnë të dukshme praninë e publikut, i cili me duartrokitje të fuqishme e pret Elina Dunin, e cila para tyre dëshmoi fuqinë e saj artistike e vokale, që nga kënga e parë e deri në të fundit. Elina Duni mbrëmë eci fuqishëm nën tingujt e kitaristit Rob Luft, që vlerësohet si një prej yjeve në ngritje të skenës bashkëkohore të Jazzit Londinez, vendlindjen e të cilit Elina Duni e bëri shumë të pranishme në komunikimin e publikut, në anën tjetër edhe Italinë që përfaqesonte vendlindjen e bateristit italian Enzo Zirilli, që qëndronte më prapa Dunit e Luft.

Duni që dëgjohet jo dhe pak brenda dhe jashtë Kosovës, është bërë shumë e pranishme për stilin unik e gërshetimin e tradicionales e jazzit. Në programin e saj të mbrëmshëm dominuan këngët folklorike shqiptare të kombinuara me jazz, duke e kthyer nostalgjinë e shumëkujt në këto këngë që pak kush di t’u japë shpirt si Elina Duni.Me këngë të mërgimit e të dashurisë, ajo ngjalli emocionin e publikut në cdo zgjatje të zërit në fund të këngës, që përveçse depërtonte rrjedhshëm tek publiku, mes frymës vërehej emocioni që ngjallnin tekstet që kalojnë mbi realitetin shqiptarë.

Ritmi i këngëve që vjen si një përzierje e mahnitshme, me zërin e Dunit që e përcjellë interpretimin me saktësi, e plotëson me vallëzimin e saj plot stil brenda një hapësire të kufizuar të skenës. Në një skenë të dominuar nga instrumentet, Elina Dunit i mjaftonte zëri e prania për ta ndjerë shumë pranë publikun, të cilit i kërkoi që ta përcillte cdo kund.

“Jeni këngëtarë shumë të mirë, do të ju marrë me vete”, ishte reagimi i Elina Dunit teksa dëgjonte zërat e publikut të Anibarit, derisa i bashkoheshin zërit të saj.

Krahas këngëve të reportuarit të këngëtares Duni, ajo gjithashtu solli edhe këngë të reja që i përkasin repertorit te ri me kitaristin Rob Luft dhe që nuk janë vetem në shqip, këto këngë zunë vend në minutat e parë të saj në skenë ku filloi me “Vaj si kenka”, për të vazhduar me “Mallëngjimi”, “Gentle Rain”, “Couleur Café”, “N’atë Zaman”.

Elina mbrëmë i dëshmoi publikut të Anibarit, që nuk është vetëm një interpretuese e mahnitshme por dhe një krijuese e rrallë, që di të krijojë prej momentit, që e njeh publikun, që di të lexoj reagimin e tij, e ta dërgojë në një dimension tjetër praninë e tij. Për Elina Dunin kjo është hera e dytë që paraqitet para publikut të Pejës, ndërsa tha se të tre u ndjenë jashtëzakonisht mirë që interpretuan para një publiku kaq të ri dhe entuziastë.

“Përgëzoj organizatoret e Anibar të cilet sjellin një frymë artistike, humane nëpërmjet filmave dhe koncerteve. Sonte ndjesia ishte shumë e mirë. elektrike, rock.Të tre u ndjemë shumë të lumtur të luanim përpara një publiku kaq të ri, entuziast, dhe kaq të ngrohtë”, tregoi Elina Duni për KultPlus.

Këngë nga albumi i saj “Muza e zezë” e “Vishnje” erdhën si gërshetim muzikor mes dashurisë njerëzore e asaj ndaj vendit, “Delja rude”, “Bukuroshja e lalës”, “O ti n’at koder e unë këtë kodër”, me një interpretim që veçse bëhej edhe më i fuqishëm, bën që publiku të hidhej në kërkim të edhe një interpretimi tjetër, ndërsa Duni mes zërave të bashkuar e kërkues, u dakordua se do të qëndrojnë në skenë edhe për dy këngë të tjera. Pas lëvizjeve të gjalla, e interpretimit plot shpirt, ajo iku e përkulur duke iu falënderuar publikut të Anibarit që e përcolli me duartrokitje të forta deri në hapin e fundit të largimit nga skena.

Anibar do të vazhdoj rrugëtimin e tij deri në datën e 19 gushtit. / KultPlus.com

Sonte fillon rrugëtimin edicioni i nëntë i Anibar

Nga sot Peja do të jetë nikoqire edhe e edicionit të nëntë të Festivalit të Animacionit- Anibar që pritet të jetë i spikatur sa i përket aktiviteteve, ndërsa në fokus të tij këtë vit është tema e pabarazisë gjinore si një thirrje në kërkim të ngritjes së numrit të grave në animacion, shkruan KultPlus.

50/50 është slogani që do të shoqërojë Anibarin në pothuajse secilin aktivitet të tij, ku do të përfshihen edhe panele diskutimi të fokusuara në këtë temë.

Këtë vit janë përzgjedhur rreth 215 filma që do të shfaqen në ekranet e Kinemasë “Jusuf Gërvalla”, në Teatrin “Istref Begolli”, Kinemanë “Liqeni”, dhe në Kinemanë Kubat.

Thomas Johnson Volda, Ivana Bosnjak Volda, Lisa LaBracio, Tiziano Berber, Karine Miralles, Andrea Oberosler dhe Letizia Depedri janë disa nga emrat që do ligjërojnë në Anibar. Ky festival i cili do të mbahet nga sonte deri më 19 gusht në qytetin e Pejës dos sjellë edhe regjisorjen Amy Ëinfrey dhe animatorin Peter Merryman i cili është pjesë e serialit të Netflix – “BoJack Horseman”. E pranishme do të jetë edhe regjisorja Luce Grosejan nga Franca, e cila do të flas mbi temën “Vizioni i femrës për seksin në animacion”.

Pjesa argëtuese e festivalit është e vendosur në Parkun “Karagaq”, ku pritet të vijnë emra të muzikës si Dren Abazi e Elina Duni, Offchestra, Blla Blla Blla…, Ambasadi, Gamblemania, Monochrome, Geri, Ujë pa Gaz, Tomoyoshi, Gemza, Blerta Kosova, Nani, Florent V, Sapton. AMBASADI do të jetë bendi i parë që do ta hap mbrëmjen argëtuese, me Bledar Borakun në kitarë, Dritëro Nikqin në kitarë/sint, Liburn Jupolli në sint dhe Nesim Maxhuni në bateri. Nata do të vazhdoj me DJ Nanin i cili do të na mirëpres me tingujt e muzikës së tij.

Anibar do të ti bashkohet lëvizjes së Women in Animation duke nënshkruar zotimin për reprezentim të grave në animacion për të arritur 50/50 deri në vitin 2025.

Ky mesazh inkurajimi do të kurohet nga një ekip kreativ që do të prodhojë art në hapësira publike, do të ndërtoj kinema të hapura, shfaqje filmash, organizim të koncerteve dhe instalim të kinemave të hapura në parqe dhe në qendra të qyteteve. / KultPlus.com

“Gratë e harruara në animacion” vijnë në Anibar përmes prezantimit të Nancy Denny-Phelps

“Gratë e Harruara në Animacion” në kuadër të festivalit Anibar është prezantim i shkurtër i 10 grave që morën pjesë në historinë dhe zhvillimin e artit të animacionit duke u koncentruar në karrierën e animatores britanike Joy Batchelor, bashkë-themeluese e studios së famshme britanike të animacionit Halas & Batchelor.

Biseda do të shoqërohet me klipe dhe fotografi të shumta filmash, njofton Anibar.

Nancy Denney-Phelps është një gazetare që shkruan rreth animacioneve dhe festivaleve evropiane, si dhe një producente muzike për animacion. Së bashku me burrin e saj kompozitor / muzikant Nik Phelps, ajo bashkë-themeloi “Sprocket Ensemble” të dedikuar për prezantimin e shfaqjeve të drejtpërdrejta të muzikës origjinale me shfaqje të animacioneve bashkëkohore nga e gjithë bota.

Shkrimet e Nancy janë shfaqur në botime të tilla si CARTOON dhe ANIMATOON, si dhe në blogun e saj të rregullt për AËN (Animation World Network). Ajo është gjithashtu një korrespondente e rregullt për ASIFA / San Francisco dhe një anëtare e Bordit Ndërkombëtar të Drejtorëve të ASIFA.

Nancy ka shërbyer në juritë e shumta të Festivalit Ndërkombëtar të Animimit dhe ka mësuar menaxhimin e kohës për animatorët në Universitetin e Shkencave dhe Arteve të Luzernit, Shkollën e Artit dhe Dizajnit. Interesimi i saj i fuqishëm në historinë e animacioneve e ka çuar atë të paraqesë programe në historinë e animacionit të gjurmuar përmes muzikës në shumë festivale dhe konferenca të animacionit në mbarë botën. Ajo gjithashtu punon si këshilltare e disa festivaleve të animacionit.

Këtë prezantim mund ta shikoni me 18 gusht duke filluar nga ora 12:00 në kino Jusuf Gervalla./KultPlus.com

Edicioni i nëntë i Anibar vjen me një program të spikatur në kërkim të barazisë gjinore

Gili Hoxhaj

Së shpejti, Peja do të jetë nikoqire edhe e këtij edicioni të Festivalit të Animacionit- Anibar që pritet të jetë i spikatur sa i përket aktiviteteve, ndërsa në fokus të tij këtë vit është tema e pabarazisë gjinore si një thirrje në kërkim të ngritjes së numrit të grave në animacion. 50/50 është slogani që do të shoqërojë Anibarin në pothuajse secilin aktivitet të tij, ku do të përfshihen edhe panele diskutimi të fokusuara në këtë temë.

Vullnet Sanaja nga Anibar tha se këtë vit është një numër i madh i filmave që do të shfaqen në katër kinema. Filmat do te shfaqen në ekranet e kinemave Jusuf Gërvalla, Teatrin Istref Begolli, Kinema Liqeni, dhe Kinema Kubat.

“Këtë vit kemi një numër të madh të filmave që do të shfaqen në katër kinema, dy prej tyre të mbyllura dhe dy të hapura, këta filma janë përzgjedhur prej 1059 filmave që kanë aplikuar për të qenë pjesë e programit të këtij viti. Prej tyre janë përzgjedhur rreth 215 filma që do të shfaqen në kinema”, u shpreh Sanaja. Ai tutje tha se do të kemi një numër edhe të animatorëve nga Kosova që do të prezantohen këtë vit për herë të parë dhe do të mësojnë nga studentë të animacionit dhe profesionistë.

Popullariteti i animacionit vazhdon të rritet si në Kosovë dhe në të gjithë botën. Mirëpo, pjesëmarrja e grave në studime për animacion, animatore por edhe shikuese është rritur, por gjithashtu ka ekspozuar shumë pabarazi. Sipas organizatës Woman in Animation, “Gratë përbëjnë 60% të studentëve të animacionit, por vetëm 20% e animatoreve janë gra.” Kjo ka bërë që gratë të jenë të nënpërfaqësuara në industrinë e animacionit veçanërisht si skenariste, regjisore dhe producente.

Prandaj, Anibar përmes edicionit të nëntë të festivalit do të bëjë një ndryshim duke inspiruar gratë dhe burrat në botën e animacionit për ti adresuar çështjet gjinore. Një proces më gjithëpërfshirës, kreativ dhe teknik, do të përmirësojë punën e burrave dhe të grave duke krijuar mundësi për ta shpërndarë filmin e animuar në të gjithë botën.

Zana Cimili- kordinatore e këtij festivali u shpreh sot ne një konceferncë për media se Anibar ka vendosur ta nxjerrë në pah pabarazinë gjinore në industrinë e filmit, gjegjqësisht të animacionit dhe krejt kjo vjen për t’i inkurajuar ato që të merren me këtë industri.

“Pabarazia gjinore është shumë e shprehur në botë pasi që industria e filmit është shumë më e shprehur në botë se sa tek ne. Ideja është që nëse po fillojmë me industrinë e animacionit, të fillojmë sic duhet, t’i inkurajojmë gratë që të merren me animacion dhe të mos dekurajohen nga burrat të cilët e mbizotërojnë këtë fushë të filmit”, u shpreh Camili , duke shtuar se festivalet më të mëdha në botë kanë trajtuar tema të ngjashme të pabarazisë.

Këtë vit Anibar do të përfshijë edhe një program të ri pasi që do të hapë edhe akademitë e filmit në Pejë e Prishtinë, ku një pjesë e madhe e pjesëmarrësve do të jenë vajza, në mënyrë që ato të vazhdojnë këtë rrugëtim. Akademia e Animacionit Anibar ka për qëllim ofrimin e një programi të edukimit për ndërtimin e gjeneratës së re të animatorëve nga Kosova, duke i ekspozuar të rinjtë ndaj filmit të animuar si një formë e artit.

Thomas Johnson Volda, Ivana Bosnjak Volda, Lisa LaBracio, Tiziano Berber, Karine Miralles, Andrea Oberosler dhe Letizia Depedri janë disa nga emrat që do ligjërojnë në Anibar. Ky festival i cili do të mbahet më 13 deri 19 gusht në qytetin e Pejës dos sjellë edhe regjisorjen Amy Winfrey dhe animatorin Peter Merryman i cili është pjesë e serialit të Netflix – “BoJack Horseman”. E pranishme do të jetë edhe regjisorja Luce Grosejan nga Franca, e cila do të flas mbi temën “Vizioni i femrës për seksin në animacion”.

Pjesa argëtuese e festivalit është e vendosur në Parkun “Karagaq”, ku pritet të vijnë emra të muzikës si DrenAbazi e Elina Duni, për të krijuar mbrëmje të paharruara në Pejë.

Anibar do të ti bashkohet lëvizjes së Women in Animation duke nënshkruar zotimin për reprezentim të grave në animacion për të arritur 50/50 deri në vitin 2025.

Ky mesazh inkurajimi do të kurohet nga një ekip kreativ që do të prodhojë art në hapësira publike, do të ndërtoj kinema të hapura, shfaqje filmash, organizim të koncerteve dhe instalim të kinemave të hapura në parqe dhe në qendra të qyteteve. / KultPlus.com

Regjisorët e “BoJack Horseman” do të prezantojnë në Anibar

Në edicionin e nëntë të Anibar që mbahet prej 13 – 19 gusht në qytetin e Pejës do ligjërojnë regjisorja Amy Winfrey dhe animatori Peter Merryman i serialit të Netflix – “BoJack Horseman”.

Ata gjatë prezantimit, do të shpjegojnë procesin e krijimit të një episodi, prej vizualizimeve të para të skriptës, krijimit të storyboardit, dizajnit dhe animacionit final.

Amy Winfrey ka qenë e angazhuar si regjisore e “BoJack Horseman” në realizimin e 5 sezoneve të këtij seriali.

Fillimin e saj në industrinë e filmit të animuar Winfrey e kishte në realizimin e sezonit të parë të South Park dhe më pas South Park: Bigger, Longer and Uncut!

Amy Winfrey, diplomoi nga UCLA me Master në animacion. Aktualisht është e angazhuar në serialin Tuca and Bertie, ndërsa është regjisore e serialit të animuar, Making Friends të Nickelodeon.

Së bashku me Winfrey më 18 – 19 gusht do prezantojë edhe regjisori Peter Merryman i përfshirë si animator poashtu në projektin e serialit BoJack Horseman.

Merryman është përgjegjës kryesor për krijimin e 8 sezonave të serialit të famshëm amerikan të Comedy Central “South Park”.

Winfrey dhe Merryman përpos prezantimit, gjatë dy ditëve do të mbajnë masterklasë në storyboarding në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Gjatë masterklasës do të demonstrohet procesi i detajuar nga krijimi i një storyboard-i, pjesa e animacionit dhe poashtu teknika unike e serialit të Netflix BoJack Horseman.

Programi i prezantimeve dhe masterklasave: Netflix’s Bojack Horseman: Amy Winfrey dhe Peter Marryman 18 Gusht në ora 16:00 në Kinema Jusuf Gërvalla në Pejë

Storyboard Master Class: Amy Winfrey dhe Peter Marryman

19 Gusht në ora 14:00 në Kinema Jusuf Gërvalla në Pejë

Prezantimi i Amy dhe Peter në Festivalin e Filmit të Animuar Anibar u mbështet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë./KultPlus.com