Fotogaleri nga edicioni i dytë i KultStrofa

Arjola Zadrima doli të jetë fituese e edicionit të dytë të “KultStrofa”, të organizuar nga gazeta online për kulturë www.kultplus.com.

Me vendim të jurisë profesionale në përbërje të: Erenestina Halili, kryetare dhe Halil Matoshi e Adil Olluri, anëtarë, çmimi i dytë ka shkuar për Adem Gashin, kurse i treti për Sibel Halimin.

Emocionet e kësaj mbrëmje letrare ju sjellim nëpërmjet fotografive të realizuara nga fotografi Arben Llapashtica, ku të pranishëm ishin edhe finalistët e këtij edicioni, sikurse që kishte të pranishëm shumë figura të njohura të jetës kulturore në Kosovë, Shqipëri e më gjerë./ KultPlus.com

Sonte vjen edicioni i dytë i konkursit të poezisë KultStrofa

Më 7 SHKURT, e mërkurë, në ora 18:00 në Hamam Bar në Prishtinë, vjen edicioni i dytë i konkursit të poezisë, “KultStrofa”.

Ky edicion i cili mblodhi gjithsej 150 poezi nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora, nga juria profesionale Erenestina Gjergji Halili – kryetare e jurisë, Halil Matoshi – anëtar dhe Adil Olluri – anëtar, u zgjodhën 10 poezitë më të mira për këtë finale të madhe.

Emin Emini, Manjola Brahaj, Sibel Halimi, Erlind Sulko, Arjola Zadrima, Adem Gashi, Arlinda Guma, Liridon Mulaj, Brikenë Ceraja-Beka dhe Shkumbin Haxha janë dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Finalistët do të lexojnë poezitë e tyre, ndërsa do të jetë një mundësi tjetër e njohjes mes adhuruesve të poezisë dhe letërsisë. Të dhjetë finalistët por edhe të dashuruarit pas poezisë dhe të tjerët konkurrentë të këtij edicioni janë të ftuar të bashkohen në këtë natë leximi poezish në kryeqytet.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank, ndërsa sponsorë të tjerë janë Hamam Jazz Bar, Rockuzinë dhe Hotel Nartel.

Konkursin e organizon KULTPLUS – e para gazetë shqiptare online e dedikuar vetëm për art dhe kulturë./ KultPlus.com

Edhe dy ditë deri në mbyllje të konkursit të poezisë “KultStrofa”

Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, hapë thirrjen për edicionin e dytë të këtij konkursi. Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe të rinjtë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.
“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art www.kultplus.com, kurse sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank.

Thirrja do të jetë e hapur deri më 20 janar. /KultPlus.com

Hapet thirrja për konkursin e poezisë “KultStrofa”

Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, hapë thirrjen për edicionin e dytë të këtij konkursi.

Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe të rinjtë. Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.

“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art www.kultplus.com, kurse sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank.

Thirrja do të jetë e hapur deri më 20 janar. /KultPlus.com

Urime viti i ri 2018-të nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus

Viti 2017-të, ishte një vit shumë i suksesshëm për gazetën online për art dhe kulturë KultPlus.

Ky vit, numëroi disa të reja që erdhën përmes kësaj gazete e themeluar katër vite më parë si e vetmja në Kosovë dhe rajon, nga kryeredaktorja Ardianë Pajaziti. KultPlus, në vitin 2017-të bëri një ri-brendim të sajtit duke sjellë të reja për lexuesit e tij, të cilët vazhdojnë të motivojnë stafin e kësaj gazete përmes komenteve, kritikave dhe dashnisë që shprehin për KultPlus.

Përveq kësaj, KultPlus, në vitin 2017-të solli edhe ciklin e parë të rrëfimeve ‘Ta zbardhi ftyrën’, me dy artistë kosovarë me karrierë tashmë ndërkombëtare si Sislej Xhafa dhe Imer Kutllovci.

KultPlus, në vitin 2018-të premton se do të vazhdoj të sjellë intervista, rrëfime, ngjyrime nga ngjarjet e ndryshme në Kosovë dhe jo vetëm, video e padyshim edhe poezi të ndryshme. Kur jemi te poezia, KultPlus, shumë shpejtë sjellë edicionin e dytë të festivalit të poezisë “KultStrofa”.

Me gjithë këto të reja, e më këmbë të mbarë, KultPlus u uron të gjithë lexuesve të vetë, vitin 2018-të. Urojmë që ky vit të ju sjellë shëndet, suksese e mbi të gjitha më shumë dashni për artin dhe kulturën.

Me shumë dashni nga stafi i KultPlus: Ardianë Pajaziti, Arbër Selmani, Sarandë Selimi, Jeta Zymberi, Liridona Spahiu dhe Gili Hoxhaj./ KultPlus.com

Himn i qullun

Poezi e cila mori çmimin special në edicionin e parë të “KultStrofa”. Poezia është shkruar nga Rozafa Shpuza.

Skelete çadrash marshojnë mbi nudo resh
si taborre surreale që s’mund t’i rezistojnë
tundimit narcisist të pellgjeve.
Prej trumbetave të shiut
shprazet himni solemn i ardhmënive,
teksa vetima merr trajtën e dorës
që mbërthen kofshën kallkan të prostitutës.
Skeletet shushaten,
shamatohen,
shkyhen,
shtyhen ndërvedi për ndjesinë e qullun
që i kaplon marrisht e i len pa frymë…
Saora,
përpihen t’epshume prej orgazmës vjeshtake
e sosen të sfilituna ndër kosha dashnish virtuale.

Mos më shiko shtrembër!

Poezia e cila fitoi vendin e tretë në edicionin e parë të konkursit “KultStrofa”. Kjo poezi është shkruar nga Edis Galushi.

Ftohtësia tani është bërë arti i ri i dekoruar me vetmi.
Të ngrohtit ma morën, erën e keqe ma hedhën në fytyrë pa shikuar dy herë.
Dhimbja më zgjon çdo mëngjes në vend të melodisë së jetës.
Era më është bërë shok i pandarë, ndërsa jeta, për mua nuk ka nota.

Kisha një emër, por edhe atë ma morën.
Erdhën gjeneralët, gjykatësit, policët, ushtarët…
Më thirrën me emra të cilat as sot e kësaj dite nuk po i njoh.
Ma shlyen emrin dhe më detyruan që pa sy ta gjej mirësinë.

Mos me shiko shtrembër!
Vuajtja, urrejtja dhe lufta janë prodhim njerëzor,
lumturia, jeta dhe emri janë gjërat me të cilat ne lindim.
Per atë, mos më shiko shtrembër!
Ma kthe lumturinë, jetën dhe emrin tim
Mos më shiko shtrembër!

Ata ishin ngjarje! Vdekja e tyne vepër arti

Poezia fituese e çmimit të dytë të edicionit të parë të KultStrofa. Poezi e shkruar nga Halil Matoshi.

Për marsin dhe Jasharajt

Nëse liria e ka dimensionin e vet etik. Duhet me e mbrojtë me jetë.
Dhe nëse liria e ka edhe dimensionin e vet estetik. Duhet me e mbrojtë me vdekje!

“Shihni sa thmitë i kemi ktu. S’kemi ku i qojmë as kah shkojmë s’kemi
e s’luejm veni…”
Thotë Hamzë Jashar shqiptari

Atij i kërkohej ta lë shtëpinë e katandinë
E të humbet nga sytë e botës
Sepse kështu donte një tiran ballkanas…

Dhe ushtarët e tiranit demonët e shekullit 20
Nji ditë shkuen n’Prekaz dhe i mbuluen me terr arën, livadhet, shtëpitë
Dhe jetët e fëmijëve morren një nga një
Dhe Hamzës e Ademit ua vranë kangën

Në Europë u shue nji familje
Që kishte msue nder breza në tokë t’veten me jetue
Tuj lypë liri e truell me e bâ deken…

Me i përflakë andrrat në ‘i rreze mali
Kur njaj diell qe rrezon e nuk nxe nxjerr synin permi’ Kosovë
Ni dasmë me e bâ, tokën me trashigue

N’mars ata shikuen qiellin e vrant’ e i buzëqeshen vdekjes
“vdekjen këtu kemi me e bâ!”
po liria thanë erdhi dhe sërish dikush tha:
“shihni sa thmitë i kemi këtu…”

Shqiptarët nder breza jetën e qojnë posht, n’zore e skamje
E vdekjen e bâjnë si ni valle me ngé!
E bâjnë!
E masanej presin me ardhë si brumi n’magje

Kjo mjeshtri asht e ngjajshme si nji vepër arti me e bâ!

Letër engjëllit tim mbrojtës

Poezia fituese e edicionit të parë të konkursit “KultStrofa”. Poezia e autorit Ragip Sylaj, doli e para ndër 10 poezitë më të mira ndër 100 poezitë sa kishin aplikuar.

Gjeni e poezisë – buzëqesh
dhe sundoje tani kaosin!
Fatos Arapi

I.
Si t’ia nis letrës që nuk shkruhet me ngjyrë, gjak as penë
Si t’ia nis të panisshmës të lajmërohem nga gryka e ferrit
Ndoshta ai është vetëm brenda meje
Vetëm përbrenda meje vlon, djeg prush

Jam në kurth me veten me dashurinë me urrejtjen
Për faj të pafaj për faj të pafuqisë sime
Apo të ndonjë shkaku të pathënshëm kozmik
E s’kam kujt t’i ankohem pos teje

Vetja nuk më kupton nuk e di sa më do
Shpeshherë më braktis si jetimin si mëkatarin e madh
Të tjerët nuk më duan nuk e di a më urrejnë
Por një gjë e di se këtu ku jam, jam i tepërt

Prandaj marr vetëm dhurata dhembjesh
Që i bart si relikte të shenjta
I ruaj brenda vetes përderisa të më bluajnë të tërin
Deri atëherë mund t’i shkruaj memoaret e hidhura
Dhe përsiatjet e pakuptimta: përse erdha në jetë
Përse i rashë këndejpari dhe çka lashë e ç’bëra
Për të mos i ardhur Tokës rënd
Kësaj nëne të mirë që na krijon me gëzim
Që na rrit me hare e na merr në gjirin e amshimit të vet

Vetja nuk më zë Engjëlli im Mbrojtës
Pikëllimi ma ka ngjyrosur fytyrën përbrenda
Dhe ma ka nxirë kaltërinë përjashta
Dielli i hutuar është fshehur pas një reje të zezë
Dikur agonte i bukur e magjepsës në imagjinatën time
Yjet në qiellin virtual
Që s’e kanë ndriçuar kurrë errësirën brenda meje
Mund të shfaqen pas mijëra vitesh drite hyjnore
Hëna si e përdalë shpërfaq gëzimin e vet naiv
As ftohtësia nuk ngroh as ngrohtësia nuk freskon
Në këtë pafundësi apokaliptike

Eja e më nxirr së këndejmi Engjëlli im Mbrojtës
Nxirre këtë fëmijë të plakur e të pamësuar me jetën
Me jetën që nuk çel lule të bardha në këtë kohë traumatike

II.

Kurrë s’më ka përqafuar dashuria aq sa më ka kafshuar urrejtja
Kurrë nuk m’është qasur mirësia aq sa m’ka ledhatuar përbuzja
Kurrë nuk m’u shfaq përdëllesa aq sa m’mbuloi vala e talljes
Kurrë nuk më buzëqeshi dielli i gëzimit aq sa ylli i zhgënjimit
Kurrë nuk m’trokiti n’derë shpresa aq sa m’vërshoi brenga
Kurrë nuk m’ka përdëllyer gëzimi përveçse kur nuk kam qenë aty

Ndoshta kam jetuar më tepër se që është dashur
Ndoshta u harxhuan jeta galdimi, hareja, shpresa
Ndoshta ato janë me mua por unë jam në gjumë
Ndoshta ato janë afruar e unë s’i vërej symbyllur
Ndoshta i ka ndalur dikush në t’bujshëm
Rrugës kah vinin për tek unë
Ndoshta kanë ardhur të tërmekura e nuk më kanë parë
Ose m’kanë parë të mërrolur e janë tutur prej meje
Ndoshta është faji im se s’kam ditur t’i tërheq
T’i josh s’kam ditur të flirtoj me to
Ndoshta në një tjetër rrenë kanë banuar ato
Ndoshta në një rrenë tjetër të bukur kam mundur të banoj unë
Unë i kam kërkuar edhe kur nuk është ditur për to
Ato më kanë kërkuar edhe kur nuk është ditur për mua
Por çudia si çdo çudi tjetër është si nuk u takuam kurrë
Apo kur u takuam nuk u njohëm
Apo ishim krijesa me maska dhe pa fytyrat tona t’vërteta
Se këndej t’frikësuar ikëm nga njëri-tjetri
Në dy anë të planetit në dy skaje të mendimit
Në dy pole të ëndrrës në dy vorbulla imagjinare
Përderisa n’pafundësi t’na bëjë bashkë pafundësia
Atëherë do të dalim të rikrijuar si pas Luftës së Trojës
Atëherë do të shpërfaqemi si pas themelimit të Romës
Atëherë do të rilindemi si pas luftës së Kosovës
Në një çast orgazme kur s’do të ketë kohë e hapësirë
Vetëm lumturia do të trillohet n’qeliza
Nga e cila do të çelin pafundësisht lulet e jetës
Edhe përtej vdekjes

III.
Kanë me ardhur pranverat e kanë m’i gjetë veç vargjet
Kanë me ardhë verat e kanë m’e gjetë veç blerimin e kallur
Kanë me ardhur vjeshtat e kanë me gjetë zbrazëti këngësh
Kanë me ardhë dimrat e kanë m’e gjetë kapituj t’ftohtë jete
Ka me ardhë Stina e Pestë me virgjëri të humbur
Vajtimi i zanave ka me i shurdhu’ Lugjet e Verdha

S’kanë me ardhë pranverat për harrimin e çartur habie
S’kanë me ardhë verat për kallirin e shurdhër të mendimit
S’kanë me ardhur vjeshtat për frytet e papjekura t’pendimit
S’kanë me ardhur dimrat për shpresat e mërdhira
Por ka me na bartur fjala prej libri në libër
Ka me na bartur poleni prej lulesh në lule
Ka me na bartur era si ajrin e dobishëm për bimë
Ka me na bartur përroi si etjen e djegur për zogj
Ka me na bartur gjethi si kujtimin e zverdhur ndër mote

Dikush ka me u ba këngë e dikush pemë e pjekur
Dikush ka me u ba elegji e dikush dru i djegur
Dikush ka me u ba kujtim e dikush përmendore fjale
Dikush ka me u ba trishtim e dikush muranë kujtese
Dikush ka me u ba pëshpëritje e dikush lapidar pendese

IV.
Ndaj po të nis letër ankimi letër njohtimi
Siç niset kërkesa për punë a lutja për shpëtim
Siç niset lutja për pendesë a kërkesa për ankesë
Të më fashitet tronditja e gjakut e turbullimi i shpirtit
Të mos e vjell veten as helmin të mos e mbaj brenda
Të mos mërdhij në fushë as t’mos digjem përbrenda
Paqen ta gjej atje tek e ka humbur i trazuari
Harmoninë ta gjej tek e ka humbur i shthururi
Guximin ta gjej atje tek e ka humbur qyqari
Mençurinë ta gjej atje tek e ka humbur i marri
Forcën e qëndresës ta gjej atje tek e ka humbur i vdekuri
Vetveten ta gjej atje tek e ka humbur i humburi

Ndaj letër po të nis Engjëlli im Mbrojtës
Një letër që s’shkruhet si shkruhet letra
Një letër siç nuk lexohet letra në turmë
Një letër me nga pak vrer me nga pak helm e nga pak mllef
Një letër e mbarsur shqetësim që i ka humbur poetit
Një letër e dehur zbrazëtie mendimesh t’paardhura
Një letër e zverdhur dhembjesh dhe kohësh të harruara
Një letër e zhubrosur moskujdesjeje dhe e vruguar

A është letër që e shkruan i vdekuri apo i palinduri
A thua e shkruan pendestari apo i pabinduri
A thua e shkruan këngëtari apo shtegtari
Gojëkyçur nga heshtja mashtruar nga tregtari
M’ndjej sa herë që kjo letër nuk është letër
M’ndjej sa herë që kjo këngë sa duhet nuk është vepër
Më ndjej sa herë që kjo letër nuk e bind Providencën
Dhe sa herë i shqetëson gjakrat e nuk e zgjidh çështjen

Po atje lart është paqja dhe ju s’e keni vetëm për vete
Atje lart është dashuria që mjafton edhe për të tjerët
Atje lart është mirësia që varfërohet po u konservua
Atje lart rri bujaria që pakësohet po s’u dhurua
Atje lart rri gëzimi që gëzohet kur dikë gëzon
Atje lart rri ndriçimi që nuk përhapet po s’rrezaton
Atje lart rri mençuria që marrëzia s’e pranon
Atje lart ngjizet jeta shenjtëri që grafullon
E të ligat na i prapëson

V.
Vallë është letër e shkruar nga varri apo në varr dërgohet
Vallë është letër e shkruar nga ferri apo nga ferri prapësohet
Vallë është letër e shkruar nga shkretëtira apo n’shkretëtirë lexohet
Vallë është letër e shkruar në kënetë apo në kënetë arrin
Vallë është letër e shkruar në zgafellë apo zgafella e zhbin
Vallë është letër e shkruar pa kuptim e moskuptimi e përpin
Apo është letër e stisur vetëm për art e për lexim

Zjarrin e prushtë ia ndien ai nga i cili buroi
Zjarrin e akullt ia ndien ai tek i cili përfundoi
Ankthin e gulçimin ia ndien ai që e krijoi
I ankthshëm e i akullt ndihet edhe ai që e shijoi
I brengosur u ndi ai që i skaliti këto radhë
Pa brenga nuk mbeti as ai që e përjetoi si përrallë
I nemitur mbeti në fund ai që këndoi nga zori
I pa nemitur nuk mbeti as ai që e interpretoi si aktori

Kjo letër u nis nga një i vdekur
Apo te i vdekuri ka ardhur
Kjo letër u nis nga shpella
Apo në shpellë ka mbërri
Kjo letër është shkruar nga një yll rojtës
Për të përfunduar te Engjëlli im Mbrojtës
Është nisur nga krijesa e kallur prej etjes
Nga një njeri që s’ka mundur ta luajë rolin e vetvetes
Nga një njeri që ka frymuar brenda fjalës
Brenda dhembjes kopsht parajse
Por dije imzot që s’po më lënë bremjet…
Sa herë po m’lëshojnë andrrat po m’kaplojnë dhembjet*

VI.
Engjëlli im Mbrojtës më trego
Si ta vizatoj melankolinë
Si ta pikturojë mërzinë
Si ta fotografoj pikëllimin
Si ta kompozoj dëshpërimin
Si ta skanoj mllefin
Si ta bëj shfaqje zhgënjimin
Si ta filmoj pakënaqësinë
Si ta bëj këngë padurimin
Si ta fsheh pafuqinë
Si ta bëj operë varfërinë
Si ta xhiroj tingullin jo ndrojtës
Më trego Engjëlli im Mbrojtës

Thuamë Engjëlli im Mbrojtës
A shlyhet vizatimi i melankolisë
A griset pastaj piktura e mërzisë
Si mund ta djeg imazhin e pikëllimit
Më tej si ta dekompozoj dëshpërimin
Pamjen e shëmtuar të mllefit si ta hijeshoj
Shfaqjen e zhgënjimit si t’ia maskoj publikut
Këngën e padurimit si ta qetësoj
Pafuqinë si ta shpërfaq n’epos heroik
Xhirimin e tingullit t’shpresës si ta bluaj
Engjëlli im Mbrojtës më thuaj

Më mëso Engjëlli im Mbrojtës më trego
Si ta zhvendos imazhin e melankolisë
Si ta çrrënjos barin e mërzisë
Si ta shartoj pemën e pikëllimit
Si ta rrënoj murin e dëshpërimit
Si ta qetësoj lumin e mllefit
Si ta thaj kënetën e zhgënjimit
Si t’i pres ferrat e mosdurimit
Si ta forcoj qenien e pafuqisë
Si ta ndërtoj shtëpinë e shpresës
Por jo dosido
Më trego Engjëlli im Mbrojtës më mëso

VII.
Kur të arrij letra te ti ndoshta mund të vdesë vdekja
Dhembja mund të shafitet në parahistori
Djalli mund të dalë nga trupi të shkojë me ujërat e zeza
Hidhërimi mund avullohet si ujtë e valuar

Sëmundja mund të shërohet para se të lëshojë rrënjë
Makthi mund të çlirohet si në një ëndërr të bardhë
Kujtimet e zeza do të fundosen në pellgun e harrimit
Kaosi do të organizohet në fund të rrënimit
Verbimit do t’i vijë drita e paparë më parë
Engjëjt e zinj do të vajtojnë pse s’u ftuan në garë
Muret do të rrënohen për ta çmbyllur vetminë
Burgjet do të shemben për ta zhburgosur dashurinë
Kur të arrijë letra te ti mund të jetë harruar vdekja
Në luadhe të ëndrrës mund të ketë lulëzuar jeta
Vetëm atëherë do ta dimë saktë ku do të jetë pikëpjekja

Andaj të lutem ma prapëso pikëllimin
Të lutem shumë ma zhbëjë si t’mundesh dëshpërimin
Porosit marangoz që t’ia hap derën gëzimit
Deri atëherë do të kem mësuar t’i gjej ilaç shqetësimit
Ma mëso rregullin e harmonisë aty ku s’e gjej dot
Ma mëso qeshjen të lutem aty ku veç mund të derdh lot
Ma mëso magjinë e dashurisë aty ku vërshon urrejtja
Më mëso të flas bukur aty ku s’durohet heshtja
Më mëso ta urtoj marrëzinë ta mençuroj çmendurinë
Të bëj ilaç nga helmi që askush dot s’e përpin
Më mëso të bëj ar nga hekuri o alkimist i mirë
Më mundëso ta shndërroj përherë ujin në verë
T’i strehoj të pastrehët të uriturit t’i ushqej
Apatridët t’i bëj me atdhe të robëruarve lirinë t’ua kthej!

(Mars- prill, 2016)

*Fjalë e urtë tropojane