Kujtohet Demaçi, Berisha: Ademi ka marrë çmime, por asnjëherë nuk do të marrë çmimin që e meriton

Medina Pasoma

Një vit peshon rëndë në burg por 28 vitet e kaluara në çeli për veprimet atdhetare, ai s’i ndjeu fare karshi aspiratave të tij që e bëjnë të pavdekshëm. PEN Qendra e Kosovës, dje në KultPlus Caffe Gallery ka mbajtur takimin letrar për shkrimtarin dhe simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçin, shkruan KultPlus.

Familjarë, shkrimtarë, bashkëpunëtor e miq të tij kishin ardhur me kujtimet e fjalët e përzgjedhura për njeriun që frymoj rezistencë mirëpo, prapë çdo gjë e thënë për të mbeti pak. Për idealet e një djali të lindur në Prishtinë, i cili u kthye në burrin e gjithë Kosovës, burgjet e tij që janë mësim ekzistence, rezistencën e tij të paepur, krijimtarinë e bujshme letrare, fjalët e mëdha që kanë lënë gjurmë në mendjet e gjithësecilit dhe për shumë gjëra të tjera, fjalët vështirë se gjindeshin.

Për figurën dhe veprën e Demaçit, para publikut morën fjalën Avni Spahiu dhe Haqif Mulliqi, nën moderimin e Ibrahim Berishës, ku secili nga këta të tre shpalosën Ademin që secili e njihte.

Bashkëpunëtorëve të vet njëherë iu pati lindur dëshira për ta parë Ademin, e pastaj kur shumë vite të jetës i kishin kaluar bashkë, iu kishte lindur shpresa se një ditë në një shtet të lirë do të flitej për simbolin e lirisë.

“Gjithmonë kam menduar se a do të vij një ditë ta shoh, ta takoj këtë personalitet si frymëzues i madh i kohës. Na ka ra të gjithëve ta takojmë, ta njohim me atë thjeshtësinë dhe dinamikën e jetës por njëkohësisht e kemi menduar që ne do të kemi rast në një shoqëri të lirë, në një shtet të pavarur të flasim për Ademin”, me fjalët e Ibrahim Berishës nisi diskutimi, duke realizuar një dëshirë të tyren në liri.

Berisha vazhdoi tutje duke përmendur se Demaçi vet e kishte thënë se mësuesja e tij e parë, Vezirja kishte qenë frymëzim letrar e atdhetar për të. Ajo detyrohet të marrë rrugën për në Shqipëri, ndërkaq në shkuarjen e parë të tij, Ademi shkon dhe takohet me të.

Ibrahim Berisha vlerëson se as burgu, as torturat gati 3 dekada me kufizime shtypëse nuk e kishin lëkundur asnjë çast Adem Demaçin nga ideali dhe besimi i tij për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Mirëpo, pavarësisht kësaj kishte pasur persona të cilët nuk e kishin kuptuar drejtë mundin dhe sakrificën e tij.

“Figura, puna, personaliteti, vepra e Demaçit jo gjithmonë është kuptuar drejtë. Prizmi dhe shikimi i vepres së tij ështe parë nga dritare shumë të ngushta duke pasur parasysh pozitën personale të atyre që kanë gjykuar dhe jo kohën e rrethanat në të cilat ka vepruar dhe natyrisht ka bërë aq shumë për fitoren të cilën ne e kemi sot”, thotë Berisha.

Njeriu që sipas Berishës ka pasur në shpirt përherë lirinë dhe ishte guximi vet, kishte fituar çmime të ndryshme gjatë jetës së tij. Çmimi “Heroi i Kosovës”, “Çmimi Saharov”, çmimi për të drejtat e njeriut nga Universiteti i Osllos,  Çmimi i Rektorëve Evropianë, nominimi për Çmim Nobel nga 5 deputet norvegjez ishin vetëm disa nga to. Mirëpo, karshi guximit të idealit të tij në një kohë të fikur e të shtypur, për Berishën këto mbeten të pakëta.

“Ka marrë çmime por asnjëherë nuk do të marr çmimin që e meriton dhe punën që e ka bërë në kontekstin e asaj lëvizje, ngjallje te asaj në rrethana shume të vështira të idesë për liri”, u shpreh Ibrahim Berisha.

Për Ibrahim Berishën, ajo që kishte bërë Adem Demaçi ende nuk ka zënë vend të duhur në mendimin, jetën e njerëzve por as në tekstet themelore shkollore ku mësohet historia.

Kryetari i PEN Qendrës, Binak Kelmendi i cili ishte takuar për herë të parë në vitin 1990 me Demaçin, vlerësoj se këtij të fundit nuk iu dha merita e duhur.

“Adem Demaçi është Mandela e Kosovës në kuptimin e vuajtjeve të tij nëpër burgje por ne nuk e bëmë Ademin Mandel tonën, nuk ia dhamë rrethin asnjë institucioni shtetëror, e ai na e la institucionin e vet “Adem” ose “Demaç”, u shpreh Kelmendi.

Fjalën e mori Avni Spahiu me të cilin Demaçi edhe kishte punuar bashkë në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut duke e sjellur kështu vëmendjen ndërkombëtare në Kosovë, në kohën sa Demaçi ishte kryetar i Këshillit. Për Spahiun, të rrallë janë personalitetet në botën shqiptare që kanë nderin të kenë atribute siç ka pasur Ademi.

“Simbol i rezistencës shqiptare, personalitet i letrave shqipe, kampion i të drejtave të njeriut në Kosovë, pishtar i kauzës kombëtare shqiptare, Mandela i Kosovës, i burgosuri politik dhe disidenti më i shquar i Europës Juglindore, fitues i Çmimit Ndërkombëtar “Saharov”, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, mbrojtës i fjalës së lirë dhe i lirisë së popullit të vet dhe popujve të tjerë”, ishin ndër fjalët e lavdatat e Spahiut për figurën e Demaçit.

Për luftëtarin e lirisë dhe të drejtave të çdo njeriut ashtu siç thotë Spahiu, në mendjet e gjithësecilit do të ngjallej një pyetje: Çdo shqiptar pas takimit me të do të vihej përballë pyetjes: çfarë kam bërë unë për atdheun dhe ç’duhet të bëj? Bota shqiptare, më shumë se 60 vjet u ballafaqua me këtë fenomen të quajtur Demaçi”.

Në anën tjetër, Haqif Mulliqi panelisti tjetër e kishte pasur Demaçin redaktor në “Zëri” dhe “Forumi”. Ai kujton takimin e fundit me të, një muaj para se të ndërronte jetë, atëherë kur Demaçi e kishte thirr që ta takonte dhe Mulliqi kishte shkuar te ai me gruan e tij.

“Ishte hera e parë në jetë përkundër afërsisë të madhe që kishim që na puthi në dy faqet, ishte çudi për neve. Ndejtëm edhe 50 minuta aty dhe u cuam, ishte i lodhur baca Adem, kur u përshëndetëm përsëri na puthi në faqe. Pasi u nisëm ai burri tha “po dëshiron edhe një herë t’ju takoj”, pasi ishte futur në makinë na puthi edhe një herë. Kur u ktheva i thashë gruas: “Dëgjo, u pikëllova shumë, thashë sigurisht më nuk do ta takoj por, jam i lumtur që e takova”, kujton Hakif Mulliqi takimin e fundit me të madhin Demaçi.

Në kohën sa u mbyllën gazetat “Rilindja” dhe “Zëri” në vitin 93, Adem Demaçi si revoltë kishte filluar me grevën e tij të urisë. Duke parë reagimin e menjëhershëm të Demaçit dhe si respekt ndaj tij, grevës iu kishin bashkuar edhe Hakif Mulliqi, Milazim Krasniqi dhe Shaip Beqiri. Ndërkaq Mulliqi kujton që Demaçi pati propozuar që greva të quhej “Greva e veprimtarit Adem Demaçi dhe poetit Ali Podrimja”.

Tutje, Mulliqi kishte përgatitur një studim antropologjik për krijimtarinë e bujshme të Demaçit, specifikisht për veprën “Gjarpërinjtë e Gjakut”, për të cilën vlersoj se kjo prozë e tij është roje e besueshme e mitologjisë në një kulturë e shenjave, dokeve e zakoneve siç është kjo e jona. Ndërkaq aktuale në këtë vepër sipas tij mbetet kulti i gjarpërit.

“Adem Demaçi në këtë vepër i bën një introskenimi bashkëhohor mitit për gjarpërin duke e shpërfaqur një lloj legjende ndaj vlerave të traditës të cilat si gjejmë në këtë roman, thellon mitin por si një mit te situatave me temë tradhëtinë brenda një bashkësie”, vlerëson Haqif Mulliqi.

Demaçi sipas Mulliqit, përpiqet ta bëj përmbylljen e nje miti në mënyre introspektive t’i zhvilloj idetë e tija anti-mit ndërkaq simbolin e gjarpërit të shtëpisë si mbrojtes të saj ta shndërroj si rrezik për vetë shtëpinë dhe njerëzit aty, kështu duke krijuar nje kontekst të ri letrar.

Pas fjalës së panelistëve, radha ishte te publiku, të cilët të mallëngjyer për figurën e madhe nxorrën nga sirtari i kujtimeve të tyre momente me Demaçin. I pari i cili me një zë që iu dridhej dhe me lot në sy kujtoj bashkëpuntorin e 55 viteve u bë Shaip Beqiri.

Ai ndau jetën e Adem Demaçit në tri pjesë: veprimtaria e tij si i ri, deri në moshën 23 vjecare dhe 4 vitet ndërmjet burgosjeve të tij; vitet e burgut të cilat Beqiri e quan “shkallën më të lartë të vetëdijes kombëtare dhe universitetin e vërtetë”; dhe jeta e tij diku 28 vite pas burgjeve.

“Është e vërtetë që mua më ka habitur me një gjë, ku mund të mblidhet gjithë ajo energji në aq pak decimetra katror të një lëkure. Kam punuar shumë me njerëz që me të vërtetë kanë qenë dinamik, kanë bërë punë të mëdha por atë energji s’e kam parë të asnjë njeri”, u shpreh i mallëngjyer për të, Shaip Beqiri.

Beqiri e sheh Adem Demaçin si njeriun e vetëm që ka kaluar në botën e përtejme duke përmbushur gjithçka të veten. Por, pavarësisht figurës së tij, ai kritikon mënyrën e botimit të  kompletit të veprave të tij, parathënien e së cilës e ka shkruar akademiku Rexhep Qosja.

“Vepra e Adem Demaçit unë mendoj që është botuar në mënyrë shumë të shëmtuar, jo e plotë dhe në mënrë shumë inkompetente. Për fat të keq, unë kam qenë propozuesi që parathënien ta shkruaj një njeri që me të vërtetë meritonte ta shkruante dhe e kemi përzgjedhur Rexhep Qosjen. Në parathënien prej 52 faqeve asnjë gjë me vlerë për vlerat e letërsisë së Adem Demaçit nuk ekzistojnë . Më vlerë ka një fjalë që e ka mbajtur Ibrahim Rugova kur e ka pritur në Lidhjen e Shkrimtarëve që është krejt një faqe tekst se ato”, u shpreh Shaipi.

Po të njëjtat kritika për përmbledhjen i pati edhe profesori universitar, Begzad Baliu i cili Adem Demaçin e vlerësonte si “mësuesi i mësuesve”.

“E pashë atë dhe reagova fort, skuqem kur mendoj se përpara e kam pasur bacën Adem dhe fola shumë keq, në fund thashë “këto s’janë libra, janë fletore bugari”. Baca Adem më shikoj pak dhe qeshi sic qeshte ai, tha “kështu do të bëhet”, shumë u pikëllova”, tha Baliu.

Në anën tjetër, Begzad Baliu vlerëson se studimet e Demaçit kanë pasur një ndikim të madh në krijimin e pikëpamjeve, qëndrimeve dhe personalitetit të tij.

“Vepra e tij letrare, konceptet e tij politike nuk janë të rastit dhe nuk janë të lindura në Llap, as prej folklorit të Llapit e Drenicës, kanë bazën në mendimin e filozofisë evropiane, të shkollave gjermane, italiane, franceze, në mendimin e shquar intelektual, filzofoik, estetik e etik”, shtoj profesori Baliu.

Për Adem Demaçin u thanë shumë fjalë, mirëpo prapë secila prej tyre mbeti e vogël karshi veprimtarisë së tij të madhe. Anipse ai është ndarë nga jeta, kujtimi i sakrificave të bujshme të tij ia ka falur kurorën e pavdekësisë. Ndërkaq, PEN Qendra e Kosovës do të vazhdoj me prezantime të veprimtarisë letrare të shkrimtarëve të mëdhenj të cilët kanë hyrë në histori. / KultPlus.com

Teki Dervishi sonte në fokusin e aktivitetit të organizuar nga Pen Qendra e Kosovës

PEN Qendra e Kosovës në kuadër të aktiviteteve, ka filluar projektin kulturor për promovimin e vlerave elitiste të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Pas mbrëmjeve kushtuar Martin Camajt dhe Ali Podrimjes, sonte do të mbahet nata e tretë e cila i kushtohet Teki Dervishit.

Në ora 18:00 në KultPlus Caffe Gallery do të lexohen kumtesa të ndryshme që i dedikohen krejtësisht kësaj figure të shquar të letërsisë shqipe.
Aktivitetet e PEN Qendrës së Kosovës, po organizohen në bashkëpunim me portalin KultPlus.

Sonte në panel do të jenë: Haqif Mulliqi, Qibrije Demiri dhe Flamur Maloku. Kjo mbrëmje do të moderohet nga Ibrahim Kadriu.
Projekti Promovimi i letërsisë shqipe, është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Pen Qendra e Kosovës sonte me eventin e radhës që i dedikohet Ali Podrimjes

PEN Qendra e Kosovës në kuadër të aktiviteteve të saj mbrëmë ka filluar projektin kulturor për promovimin e vlerave elitiste të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Nata e mbrëmshme ju kushtua poetit Martin Camaj, ndërsa sonte gjithçka është rezervuar për poetin Ali Podrimja. Në ora 18:00 në KultPlus Caffe Gallery do të lexohen kumtesa të ndryshme që i dedikohen krejtësisht kësaj figure të shquar të letërsisë shqipe.

Aktivitetet e PEN Qendrës së Kosovës, po organizohen në bashkëpunim me portalin KultPlus, me ç’rast në vazhdim do të prezantohet krijimtaria letrare e Ali Podrimjes dhe Teki Dervishit.

Sonte në panel do të jenë: Ibrahim Berisha, Sali Bashota dhe Adil Olluri. Kjo mbrëmje do të moderohet nga Binak Kelmendi.

Projekti Promovimi i letërsisë shqipe, është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës mbrëmë mbajti mbrëmjen e parë, në fokus veprimtaria e Martin Camajt

Në vazhdën e aktiviteteve, në kuadër të projektit të saj kulturor, PEN Qendra Kulturore e Kosovës në bashkëpunim me KultPlus-in, mbrëmë ka mbajtur aktivitetin e radhës në promovimin e vlerave elitiste të letërsisë bashkëkohore shqipe, shkruan KultPlus.

Përveç netëve tjera në të cilat do të prezantohet krijimtaria letrare  e autorëve të njohur si: Ali Podrimja e Teki Dervishi, mbrëmjen e shkuar u prezantua dhe u fol për krijimtarinë letrare të  Martin Camajt.

Studiuesit, kritikët letrarë dhe shkrimtarë të njohur si Milazim Krasniqi, Osman Gashi, Blerina Rogova Gaxha dhe Anton Berishaj, prezantuan kontributet e tyre studimore, sa i përket veprimtarisë së Camajt.

Milazim Krasniqi para të pranishmëve prezantoi kumtesën titulluar “Një mbresë për Martin Camajn”.

Profesor Krasniqi rikujtoi njohjen me poetin dhe idenë se si përthyhej personaliteti dhe përvoja e tij në realitetin tonë letrar në vitet tetëdhjetë dhe rolin që ka sot, për t’i ndihmuar procesit të rekonvaleshencës letrare e kulturore.

Krasniqi rrëfeu për Camajn se si ishte arratisur nga Shqipëria enveriste dhe kishte qëndruar në Jugosllavinë titiste, ku më pas kishte botuar dy vëllime me poezi, të cilat i vlerësoi konfuze siç qe konfuze edhe veta jonë nga një botëvështrim ideologjik totalitar dhe johuman që kishte detyruar shkrimtarë si Camaj të arratiseshin nga atdheu mëmë, për të qëndruar në një shtet armiqësor, siç atëbotë qe Jugosllavia.

“Në procesin e dekomntaminimit të letërsisë sonë nga terrori dhe nga dogma ideologjike, ku Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, e drejtuar nga Ibrahim Rugova, ka dhënë një kontribut të madh në vitet 1988-1999, e njohëm Martinin në vitin 1990.“

Ndonëse Krasniqi e përshkruan atë takim si një tribunë të zhurmshme, entuziaste e folklorike, dhe të huaj për shijen e rafinuar të Camajt, megjithatë ai tregon se Camaj mbajti fjalën e tij mbresëlënëse, në të cilën kishte shpalosur se ky qe takimi i tij i parë me bashkatdhetarët, të cilët nuk kishte dashur t’i ekspozonte para se të binte diktatura komuniste. Më tutje ai tregon për takimet e radhës pas asaj njohjeje.

“Pas asaj njohjeje ne e patëm ftuar në Prishtinë dhe e patëm pranuar si anëtar nderi të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Mesazhet e tij gjatë qëndrimit në Prishtinë qenë pajtuese, integruese, vëllazërore, që në klimën e polarizimeve të reja që po shfaqeshin, ishin si mehlem për varrë.”

Më pas ai foli për dhimbjen kur Camaj u nda nga jeta, dhimbje kjo për humbjen e një shkrimtari dhe dijetari unik. Ai përmendi gjithashtu botuesit e parë të krijimtarisë së tij, të cilët ishin: Shtëpia Botuese “Buzuku’’ me tregimet ‘’Pishtarët e natës’’ (1991) dhe romanin ‘’Diella’’ (1994), ndërsa ‘’Jeta e Re’’, në vitin 1991 botoi vëllimin “Nën hijen e gjarprit’’.

Krasniqi, hapjen e këtij debati në kuadër të PEN Qendrës së Kosovës e vlerësoi si një xixë shprese për të dalur nga shtjella e dekolturimit dhe e deshqiptarizimit, duke e vlerësuar Camajn si frymëzim edhe sot.

Tutje u lexua kumtesa e Blerina Rogova Gaxhës me titull “Martin Camaj, udhëtimi nëpër jetë”.

Blerina Rogova Gaxha, udhëtimin e Camajt e cilësoi si një udhëtim jo për përmbushjen e jetës, por imponim i braktisjes së një jete të cilën ai e ndjeu se do të qe e egër.  Ajo përmendi largimin e tij nga origjina dhe realitetin  e një të mërguari të hedhur në shkrim.

‘’Letërsia e Martin Camajt është letërsi e krijuar jashtë kufijve shqiptarë – në mërgatë. Camaj apo letërsia e mërguar! Kjo është letërsia e dukagjinasit që u përndjek që herët nga regjimi komunist dhe iku në Itali e Gjermani, ku gjeti strehë të studionte e të shkruante letërsi, për ta bërë veprën e tij krejt të veçantë për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai është zë i vendit që shtegton nëpër botë dhe kthehet si jehonë nga bota – si zë i mërguar.’’

Rogova Gaxha përmendi se si Camaj ishte i edukuar si një frymë lirie e vetëdije refuzuese, me ç’rast refuzoi ta humbte lirinë shpirtërore, duke e refuzuar terrorin ideologjik, për ç ‘shkak iu desh të braktiste vendin. Poezinë  e Camajt ajo e cilësoi si ‘’mall për një kujtim e jetë të jetuar e të pajetuar’’. Në udhëtimin e Camajt, ajo vlerëson se poeti mbështetet në lirinë që i jep poezia si krijim, porse kjo liri si çdo tjetër ka sakrificën e vet, siç ligjëron te poezia ‘’Vrasja e poetit”:

Liria e fshehun mbas vargjeve

Të poezisë

Nuk ishte vetëm:

Para tyne rrishin galue roje

Shpend mishngranës

Me fytyrë njerëzore.

Për ta përmbyllur fjalën  e saj, Gaxha Rogova, e quan udhëtimin poetik të Camajt si “udhën e tij për të mbetur gjallë, në letra dhe në jetë.”

 “Kënga popullore si pikënisje dhe frymëzim ”ishte kumtesa e radhës të cilën e prezantoi profesori Osman Gashi.

Në fjalinë e tij mbi krijimtarinë letrare të Camajt, ai e vlerësoi si një ndër poetët më të veçantë të letërsisë shqipe.

“Temat e motivet më të shpeshta në poezinë dhe prozën e tij ishin: vendlindja, rrafshet, luginat e bjeshkët ku mrizonin zanat, mitet e legjendat, trolli i shpisë, votra, oborri, arat, Drini, pyjet, kullotat, pastaj simbolet si gjarpri, breshka, buelli, shiu, nana…”, tha Gashi.

Ai bëri gjetjen e lidhjeve mbi trashëgiminë letrare të paraardhësve të tij, me poetët shkodranë si Mjedën, Gurakuqin, Fishtën, madje edhe me Migjenin. Midis veprave të tij poetike, ai veçoi vëllimin poetik ‘’Legjenda’’, i botuar në Romë, në vitin 1964.

“E shkruar gjatë viteve të para të qëndrimit të Camajt në Itali, ‘’Legjenda’’ shënon jo vetëm një evolucion të natyrshëm, po edhe një ngritje të ndjeshme cilësore të shprehjes së tij poetike.” Këtij libri i prin parafjala e autorit, i cili vë në dukje lidhjen e pashkëputshme të letërsisë sonë të shkruar me atë popullore…

Ndër tjerash, Gashi foli për disa nga poezitë më karakteristike nga krijimtaria e tij, e që janë ‘’Ai që i bjen fyellit n’hanë” dhe “Beka i verbët”, “Për kaun e mbytun  në kohë të ujës” , “Buelli”, “Dranja” etj.

“Vështruar përgjithësisht Martin Camajn pa dyshim mund ta quajmë poet të gjuhës, për shkak të përdorimit brilant të saj. Po kështu Camaj nuk u përputh në asnjë element me letërsinë e realizmit socialist, por siç theksonte studiuesi Shaban Sinani “refuzimi i tij nuk mbaron vetëm në kontekstin e refuzimit teorik, estetik e ideologjik. Ai i ikën rregullisht llojeve të pastra letrare dhe i vetëpërkufizon veprat e tij me terma të huajtura nga muzika (madrigal), nga paleografia dhe arti kishtar, nga shkrimet e shenjta apo nga folklori… dukuri këto që e inkuadrojnë veprën e tij përbrenda kufijve të modernitetit letrar.”

Krejt për fund, fjalën e mori profesori Anton Berishaj i cili shpalosi kumtesën e tij me titull “Mimesisi dhe metafiksioni – Proza e Martin Camajt”.

Në fjalën studimore të tij Berishaj iu qas kësaj problematike, “duke pasur parasysh perspektivën teorike bashkëkohore lidhur me mimesisin dhe metafiksionin, po gjithnjë duke i mbajtur në horizont edhe fundamentet teorike të relacionit letërsia/bota, teksti/realiteti, fiksioni/fakti që nga paradigma aristoteliane e mimezës gjer te paradigma bashkëkohore  e botërave të mundshme/fiksionale/alternative/virtuale, të cilat përcaktojnë jo vetëm idenë filozofike të ontosit letrat, por edhe implikimet në afiliacionin poetik e zhanror te teksteve letrare.”

Mes krijimtarisë së Camajt, ai shkëputi veprën “Djella”, duke e përmbyllur me:

“Metafiksioni i Camajt te romani Djella shtron edhe probleme fundamentale të etikës diskursive letrare. Poezia – kjo rregulluese e kohës – (për Camajn e ka vlerën e nocionit Dichtung nga poetika gjermane) te Djella, në planin diskursiv gjithmonë e ka burimin te pasionet dhe ëndërrimet – tek ajo hapësira frojdiste  e lirisë dhe e mungesës së kontrollit diskursiv e kulturor. Pra, poezia sipas tij është gjithnjë në eksplorim të hapësirave të reja të lirisë – të hapësirave të reja performative dhe vetë-modeluese. Këtu duhet parë etikën diskursive të Camajt, e cila shkon edhe përtej parodisë (së zhanrit, të letërsisë së realizmit socialist, të letërsisë si të tillë) dhe vetë-parodisë. Me anë tjetër, duke ia nënshtruar procesin kreativ shqyrtimit racional kritik e vetë-reflektues, metanarracioni/metafiksioni i Camajt sikur do të tejkalojë/neutralizojë mallkimin platonist/sokratik të mimesisit, i cili sipas tyre sjell vetëm vuajtje në jetën e njeriut. Edhe ne këtë kontekst, metafiksioni i tij bart me vete një etikë diskursive të re në relacion me forma të tjera të fiksionalitetit narrativ.”

Gjithashtu, sonte dhe nesër, në orën 18:00 në KultPlus Caffe Gallery, aktivitetet e PEN Qendrës së Kosovës do të vazhdojnë me prezantimin e krijimtarisë letrare të Ali Podrimës dhe Teki Dervishit. /KultPlus.com