Një këndvështrim brenda “Ombrellës”, historisë përplot shi e lot

Alberina Haxhijaj

Projekti filmik “Ombrella”, gjendet në mesin e kategorisë së projekteve të filmit të metrazhit të shkurtë artistik, të cilët janë subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë vit.

Duke pasur parasysh se Qendra Kinematografike e Kosovës është institucioni më i rëndësishëm i filmit në Kosovës, të kesh mbështetjen e tyre sigurisht që është nderë për një regjisor. Kjo përkrahje ka një kuptim edhe më të madh kur të mundëson që të vësh në jetë një film, të tregosh një histori për të cilën beson që do rrëmbej zemrat e publikut.

“Ombrella” është shkruar nga Ag Apolloni ndërsa do të vijë në jetë përmes regjisë së Ben Apollonit. Në një rrëfim për KultPlus, Ben Apolloni ka zbuluar detaje rreth këtij filmi dhe asaj se çfarë fshehët prapa emrit “Ombrella”, i cili rezulton ende vetëm në letër.

“Ne, regjisorët, ëndërrojmë gjithë kohën por kënaqësinë e vërtetë e arrijmë kur ëndrrat tona i shfaqim në kinema dhe i shohim bashkë me të tjerët, me publikun”, thekson që në fillim Ben Apolloni.

Ben Apolloni është ne mesin e regjisorëve të cilët e konsiderojnë shumë të rëndësishëm trajtimin e temave që kanë lidhshmëri me luftën e fundit në Kosovës përmes kinematografisë. Ai thekson se nuk është e rëndësishme vetëm që këto tema të vihen nëpër ekranet e kinemave por edhe të hulumtohet më thellë për to.

“Skenari ka derivu nga një kapitull i romanit të Ag Apollonit, ‘Ulurima e ujkut’ dhe ne shpesh kemi biseduar se ai roman do të mund të bëhej film, është brumë shumë i mirë, por këtë herë kemi marr vetëm një kapitull të tij për ta krijuar filmin e shkurtër “Ombrella”. Besojmë që mënyra se si ky skenar e trajton temën e të zhdukurve të luftës dhe familjarëve që i presin ata, është shumë e veçantë dhe ne duhet të bëjmë filma që jo veç prekin temat por “gropojnë” thellë në to”, thotë ai.

“Ombrella” është një histori përplot shi e lot. Është një histori për gruan që pret burrin e për vajzën që pret babanë e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Qëllimi im por edhe i vëllait tim, Ag Apollonit, që ka shkruar skenarin, ka qenë dhe është që të bëjmë një film për këtë temë që ndoshta edhe është trajtuar por jo në formën dhe në thellësinë që po mundohemi ne ta prekim”, thotë ai dhe shton me gjithë bindje se filmi ka një qasje tërësisht origjinale ndaj kësaj teme dhe është shumë provokative.

Regjisori, Ben Apolloni gjersa flet për filmin të krijon përshtypjen se po e sheh atë në mendjen e tij. Aftësia e tij prej regjisori i ka mundësuar që duke pasur në dorë draftin e parë të skenarit, të zgjedh edhe aktorët të cilët do e shpalosin këtë histori.

“Aktorët e kanë marr skenarin kohë më parë, para se të konkurrojmë për subvencion në QKK. Pra, audicion për këtë film nuk do të ketë”, tregon ai.

Aktorët që do të kenë rolet kryesore në “Ombrella” janë: Aurita Agushi, Mentor Zymberaj dhe Hera Gashi.

Në anën tjetër producenti Xhemajl Avdyli po e vazhdon punën e tij rreth krijimit të ekipit të filmit dhe së shpejti do të fillojnë edhe gjetjen e lokacioneve, të cilat mund të jenë kudo përveç në Prishtinë. Kryeqendra nuk është pjesë e lokacioneve të cilat po mendohen dhe po rrjedhin nëpër mendimet e ekipit punues.

“Synim i yni është që filmi të xhirohet në vjeshtë, kah fundi i tetorit, besoj”, tregon regjisori.

Filmi “Ombrella” para se të fitojë mbështetjen nga QKK-ja ka fituar edhe mbështetjen nga Ministria e Kulturës. Në janar të këtij viti ai ka fituar me një projekt për film të shkurtër në Fondin e Filmit në Maqedoni dhe bashkë me producentin Halim Luta po punojnë që edhe atë film ta finalizojnë brenda këtij viti.

“Është hera e parë që kemi aplikuar për subvencion në QKK dhe më vjen mirë që me të parën u përkrahëm. Kemi shumë projekte që presin të realizohen dhe “Ombrella” veç po ua hapë rrugën projekteve tjera që po presin në radhë”, përfundon regjisori për KultPlus.

Rikujtojmë se “Ombrella” është në mesin e 19-të filmave të subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë vit./ KultPlus.com

“The Baby” fton aktorët në audicion

KODRA Film Production fton të gjithë të interesuarit që të paraqiten në audicionin për filmin e metrazhit të shkurtër “The Baby” me skenar dhe regji nga Ben Apolloni dhe producent Halim Luta.

Mosha e kërkuar e aktorëve për dy rolet kryesore:

1 aktor i moshës 30 – 35 vjeç
1 aktore e moshës 25-30 vjeçe
4 aktorë meshkuj për rolet e ushtarëve

Të interesuarit duhet të dërgojnë CV-në e tyre në shqip, ku përveç të dhënave personale kërkohen edhe dy fotografi portret, numri i telefonit, email adresa, web me punët e juaja dhe video shtesë të punëve tuaja si aktorë.
Aplikantët duhet t’i dërgojnë dokumentet deri në datën 20 mars 2018 në emailin: [email protected]
Për vendin dhe kohën e mbajtjes së audicionit, produksioni do të ju njoftoje përmes emailit./ KultPlus.com

Tallja e regjisorëve kosovarë me figurat e mëdha kombëtare

Shkruan Sarandë Selimi.

Produksionet e mëdha botërore bëjnë gara se cili nga ta do ta prodhojë një film që flet për figurat e mëdha botërore e kombëtare. Ata, bashkë me regjisorët mundohen të gjejnë një nga aktorët më adekuat për të nxjerrë, nëse jo 100%, të paktën 90% të figurës për të cilën bëhet fjalë. Kjo gjë së fundmi po diskutohet edhe në Kosovë.

Një tentativë interesante ishte kjo e fundit që prodhoi një debat kulturor, ku rëndësi iu dha edhe nga mediet e tjera që kulturën e kanë të fundit në kronikat e tyre ose hiq.

Film për Adem Jasharin, tha që do të bëjë regjisori kosovar Luan Kryeziu. Ky nuk ishte lajmi. Lajmi ishte se kinse aktori kroat Rade Serbedzija, ka pranuar ta jetësojë përmes filmit, figurën e madhe historike të Kosovës, Adem Jasharin.

Në këtë mes, regjisori Kryeziu kishte thënë se ai nuk e pranon Serbedzijan për ta luajtur rolin e Adem Jasharit, dhe se ky i fundit , sipas Luan Kryeziut ka kërkuar nëpërmjet Enver Petrovcit, që të luaj në këtë film. Por, edhe pse pat zhurmë në mediet kosovare dhe në ato serbe, vet Enver Petrovci nuk ka dalë me një deklaratë që të qartësonte, se ku ka ngelë e vërteta.

I pari, doli Rade Serbedzija me një reagim ku e quajti Kryeziun një gënjeshtar. Pas kësaj i menjëhershëm ishte reagimi i Kryeziut, duke e porositur aktorin që të bëhej njëherë njeri, sepse, sipas tij qenka mbet edhe më tutje serb, edhe përkundër karrierës së tij ndërkombëtare.

Më tha e të thash. Projektet filmike me figura të mëdha të vendit janë kthyer në debate të mëdha, duke përdorë më shumë emrat për marketingun e filmave të tyre, se sa koncentrimin në vet bërjen e filmit.

Në anën tjetër, kultura në Kosovë vazhdon të mbetet në birën e fundit të kavallit, dhe ende nuk ka një buxhet të kënaqshëm për ta bërë një film të mirë, e aq më pak, një film për Adem Jasharin – një figurë e madhe jo vetëm për kosovarët, po për gjithë kombin shqiptarë.

Nuk vonoi shumë dhe pas Adem Jasharit, nisën fjalët edhe për një film të radhës për shkrimtarin e letrave shqipe, i cili është shkrimtari i vetëm shqiptar që i lakohet emri edhe për çmimin Nobel, Ismail Kadarenë. U tha se do të bëhet film për rininë e Kadaresë, përmes një fotografie të publikuar nga regjisori Ben Apolloni. Apolloni tha se aktorin e ka tashmë. Ibër Deari është aktori që do të duhej ta luante këtë rol, por sa mjafton ta gjesh një aktor që vetëm i ngjason Ismail Kadaresë, apo do të duhet të merren parasysh se janë edhe shumë faktorë, deri në realizimin e filmave me figura të mëdha.

Është e dhimbshme që në secilin cep të Kosovës ka një rrëfim për tu treguar për botën, e kjo nuk po bëhet. Po ashtu është edhe më shumë e dhimbshme që ende nuk kemi një projekt filmik me të cilin do të mburreshim e t’i tregojmë botës për vlerat tona.

Them lirshëm që me dhjetëra projekte kanë kaluar për tu subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, dhe ende rezultojnë në letër. Filmi nuk bëhet nëpër kafeteritë e Prishtinës, Tiranës e Shkupit. Filmi bëhet në sheshxhirim. Është e vërtetë që nuk ka mjete të mjaftueshme të ndara nga Qeveria e Kosovës, por, ato që i keni shfrytëzoni që të paktën një film i mirë në vit të del nga kjo Kosovë e cila ka shumë për të thënë.

E ju regjisorë të dashur që pretendoni filma me këto figura të mëdha, do të duhej që të kishit punuar në sigurimin e produksioneve të mëdha, në sigurimin e fondeve të mëdha, në thirrjen për një konkurs të pranimit të dhjetëra skenarëve po për temat që do të donit t’i trajtoni, e krejt në fund të fillonit të bëni promocionin, edhe atë me një modesti të thellë, në mënyrë që krejt këto projekte mos të tingëllojnë si promovim i vetvetes, por si një qëllim i juaji që njëmend po dëshironi të lëni gjurmë të kinematografisë kosovare.

Tash e shumë vite, jemi dëshmitarë të një fenomeni shumë të çuditshëm të kinematografisë kosovare, më shumë bëhet zhurmë para fillimit të bërjes së filmit, se sa kur fillon, dhe aq më pak kur përfundon filmi.

Sikur kam përshtypjen, se kur filmi fillon të qarkullojë nëpër festivale, e ndjej se mbylleni në guaskën tuaj, që nuk ngjan fare me krekosjen e fillimit.

Natyrisht, në këtë gjykim ka përjashtime, por të gjithë e dimë, se zhurma të mëdha rreth një projekti, vetëm sa e dëmtojnë projektin.

Andaj, nëse njëmend e keni për të bërë film me figura të mëdha, do të besojmë vetëm kur të na vërtetoni që keni një produksioni gjigant pas vetës, një organizim super të mirë, dhe e fundit fare, po më e rëndësishmja, kur e argumentoni se keni pas vetës dhjetëra filma të suksesshëm që i kanë qarë festivalet botërore, mirëpo festivalet e mirëfillta, e jo ato që ndajnë çmime pa asnjë kriter./ KultPlus.com

Film për Ismail Kadarenë, Ibër Deari në rolin e shkrimtarit të madh

Regjisori Ben Apolloni është duke punuar në realizimin e një filmi artistik të metrazhit të shkurtë, që ka për bosht jetën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, por duke përfshirë vetëm periudhën kur ishte i ri shkrimtari më i njohur shqiptar, shkruan KultPlus.

Apolloni ka thënë për KultPlus se skenarin për këtë film tashmë e ka të përfunduar, sikurse që ka përzgjedhur edhe aktorin, që në këtë film do të shndërrohet në një Kadare.

“Faktikisht, figura e aktorit më ka dhënë idenë për të bërë këtë film. Ai i ngjanë shumë, dhe më pas e kam zhvilluar edhe skenarin”, ka thënë Apolloni për KultPlus.

Bëhet fjalë për Ibër Dearin që do ti besohet ky rol në këtë film, që sipas Apollonit ka për synim që ta realizojë brenda këtij viti. Ai ka njoftuar se fondin për këtë film ende nuk e ka të siguruar, por sipas tij, është në kërkim e sipër./KultPlus.com

“Plaçkitësit” sonte në Kumanovë

Është një komedi e zezë në plot kuptimin e fjalës, sepse ndodhë në një ditë funerali, në një ditë kur familjarët e të vdekurës do të duhej të ishin duke mbajtur zi, por ata në atë ditë ata bëjnë gjëra të prapta, duke mos pasur pikë respekti për të vdekurën.

“Plaçkitësit”, është komedi e shkruar nga Joe Orton ndërsa me regji të regjisorit kosovar Ben Apolloni ajo jepet premierë sonte në Teatrin e Kumanovës, shkruan KultPlus.

Shfaqja jetësohet nga aktorët: Sefedin Shabani, Rabije Alilovska, Shkëlqim Islami, Ismail Kasumi, Qazmedin Nuredini dhe Beqir Nuredini.

Kjo komedi e mbushur përplot situata e batuta komike, në fakt është shumë e hidhur dhe fshikulluese për njeriun e kohës tonë i cili ka humbur të gjitha vlerat humane, vlera për të cilat gjithmonë është folur, por duket se kurrë nuk kanë ekzistuar në të vërtetë.

Asistent regjie i kësaj shfaqje është Ibër Deari kurse teksti është përkthyer nga Artu Lena. Skenografia nga Armend Ademi, kostumet Bjondina Abduli kurse për muzikën është përkujdesur Orhan Shaqiri.

Sonte më 16 janar me fillim nga ora 20:00, në Teatrin e Kumanovës, ju presin “Plaçkitësit”./ KultPlus.com

“Plaçkitësit” në Kumanovë

Sot, në Teatrin e Qytetit të Kumanovës kanë filluar provat për shfaqjen “Plaçkitësit” sipas Joe Orton e me regjisor Ben Apolloni, shkruan KultPlus.

“Plaçkitësit” është një komedi e zezë me plot kuptimin e fjalës, sepse ndodhë në një ditë funerali, në një ditë kur familjarët e të vdekurës do të duhej të ishin duke mbajtur zi, por ata në atë ditë i bëjnë tana të zezat, duke mos pasur pikë respekti për të vdekurën.
Kjo komedi e mbushur përplotë situata e batuta komike, në fakt është shumë e hidhur dhe fshikulluese për njeriun e kohës tonë i cili ka humbur të gjitha vlerat njerëzore. Vlera për të cilat gjithmonë është folur, por duket se kurrë nuk kanë ekzistuar.

Personazhet e kësaj shfaqje do të vijnë në skenë nën intepretimin e aktorëve rezidentë të Teatrit të Kumanovës: Sefedin Shabani, Shkëlqim Islami, Ismail Kasumi, Qazmedin Nuredini, Mirsad Abazi, dhe aktores mysafire nga Shkupi, Rabije Alilovska ndërsa asistent regjie është Ibër Deari. Kjo vepër e Joe Orton është konsideruar shumë provokuese dhe ka shaktuar shumë debatë në kohën kur është shfaqë për herë të parë (1965). Dhe edhe në trajtimin regjisorial kjo shfaqje do të jetë provokuese, por jo vetëm më përmbajtjen por edhe si realizim skenik./KultPlus.com

Publiku në St. Gallen u duartroket artistëve të “arratisur” nga Kosova

Kështu u paraqitën në skenë për dy ditë radhazi grupi i teatrit “Aktrimi” në qytetin St. Gallen: Të arratisur, e rrugëve ilegale, në kërkim të një perspektive më të mirë në Zvicër.

Nën regjinë e producentit Ben Apolloni, aktorët kosovarë kanë sjellë para audiencës vendase një komedi dygjuhëshe me skena interkative, të skenografit Arsim Berisha, përgjatë një ore duke futur publikun në “vallen” e tyre aktruese.

Pas një rruge të gjatë e të frikshme, tre të arratisurit kosovarë, të rraskapitur nga rruga ilegale e të zhytur në borxhe për t`i paguar kontrabanduesit, arrestohen nga policia zvicerane në kilometrin e gjashtë të St. Gallenit, ku si pasojë e një keqkuptimi, përfundojnë në një repart të psikiatrisë, të quajtur “Station 17B”.

Për të dëshmuar para organeve të drejtësisë se ata nuk janë të çmendur, ”të arratisurit” kërkojnë që të sprovojnë veten në profesionin e tyre, duke kërkuar mundësinë që të kenë një audicion për të zbuluar talentin e tyre që ta ndërtonin “shfaqjen e ëndrrave”, me të cilën do të dëshmonin se janë artistë të vërtetë.

Në stacionin 17b nis shfaqjen komedia kosovare me aktorët: Fikrim Morina, Avdi Amidi, Adnan Ismaili, Yllka Zuzaku dhe Dan Morina, të cilët shfaqin talentin e tyre për aktrim herë me një gjermanishte të çalë, e herë në një shqipe të zhargonit popullor, duke krijuar kështu një atmosferë mjaft të këndshme për publikun e Sankt Gallenit, shkruan albinfo.ch.

Në fund fare ata e kuptojnë se “shfaqja e ëndrrave”, të jesh a mos të jesh pjesë skenës zvicerane, nuk ishte përgatitur për të zbuluar talentin, por për të përcaktuar fatin e aktorëve nga Kosova, në psikiatrinë me emrin e çuditshëm “Stacioni 17B”./ KultPlus.com

“Natë misterioze” nga Ben Apolloni sonte premierë në teatër

Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës sonte do të mirëpres një shfaqje të re dhe shumë të veçantë, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për shfaqjen “Natë misterioze” të autorit Ferdinand Hysi, e të cilën në skenë do ta sjellë regjisor nga Kosova Ben Apolloni.

Me role në këtë shfaqje paraqiten: Suela Bako, Xhejni Fama, Gjergj Doçi, Marvin Tafaj, Mimoza Marjanaku dhe Amos Muji Zaharia.

Shfaqja ka të bëjë me katër persona nga vende të ndryshme të botës të cilët takohen për herë të parë në një stacion treni dhe aty e kuptojnë se janë të ftuar nga i njëjti person dhe do të shkojnë në të njëjtën adresë. Në shtëpinë misterioze ku hyjnë, nuk i pret askush pos territ. Ngadalë fillon të ndriçohet shtëpia dhe historia e secilit personazh dhe dikur shfaqet edhe zonja e cila i ka ftuar në ditëlindjen e djalit të saj. Zonja, një grua e çmendur nga dhembja për humbjen e djalit i terrorizon katër mysafirët e ftuar duke u kërkuar organet e djalit të saj të vdekur në një aksident, organet e të cilit ajo e di se janë transplantuar në katër trupat e mysafirëve.

“Natë misterioze” shfaqet sonte nga ora 19:00, ndërsa repriza e parë vjen të mërkurën pra më 25 tetor./ KultPlus.com