Kumbaro mesazh në ekspozitën Vox Machine

“Guxoni artistë! Ministria e Kulturës është këtu për t’ju mbështetur për çdo ide tuajën. Rrezikuam për këtë eksperiment të parë të këtyre përmasave, sepse donim të vlerësonim skenën alternative tek Turbina, e cila në këtë Vox Machine është më shumë se funksionale ”- tha mes të tjerash Kumbaro. Në datën 1 nëntor 2017 në mjediset e pambaruara të Skenës së Re- Turbina u hap ekspozita e veçantë e artistit Sadik Spahija, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të artistëve, artdashësve dhe kritikëve të artit.

Kjo ekspozitë mbështetet nga Ministria e Kulturës. Artisti, Sadik Spahija, tregon se ka disa vite që punon për këtë projekt. Materialet e përdorura prej tij për realizimin e veprës janë mbetje industriale të marra nga fabrikat e periudhës së diktaturës. Mesazhi i artistit lidhet me : “Me mënyrën sesi ne e ndërtojmë jetën tonë, sesi në periudha të caktuara sillemi karshi njëri-tjerit, sesi reagojmë karshi asaj që na rrethon, ndaj mjedisit. Ky vend ka qenë një laborator i rëndësishëm në disa muaj, ku së bashku me studentët kemi hulumtuar për të gjetur pikat e përbashkëta mes krijimit dhe ndërtimit”. “Vox Machine” është ideuar për këtë skenë nga artisti Sadik Spahija , kuruar nga Edi Muka në bashkëpunim me artistë të imazhit, lëvizjes, tingullit: Gjergj Prevazi, Hajg Zaharjan, Endri Sina, Ramazan Gurra, Akreoma Saliu, Robert Nuha, Fjorald Doci, Rosella Pellicciotti, Melissa Becovic.

“Një projekt i guximshëm, i cili mblodhi bashkë energjinë e krijimit dhe të ndërtimit, në këtë skenë të re, e cila vazhdon të njihet me emrin Turbina. Një ekspozitë e cila na mbledh në një skenë të pambaruar, por që artisti Sadik Spahija na konfimon se nuk kemi gabuar me këtë projekt ndërtimi”- u shpreh Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në hapjen e ekspozitës Vox Machine. Një thirrje për artistët drejtoi edhe artisti Klod Dedja duke u shprehur “Shembni mure dhe krijoni”, drejtues i Fondacionit M.A.M, një nga organizatorët e kësaj ngjarjeje me përmasa të veçanta artistike në kryeqytet.Turbina ka nisur “jetën artistike” akoma në ndërtim e sipër. E nisi me Mediterranea 18 – Young Artists Biennale, ku artistët shqiptarë e ndërkombëtarë u dashuruan me format e vëllimet e skenës së Turbinës, vazhdoi me forumin Forum Rebirth Tirana / Love Difference – i Mediterranei në idenë e Cittadellarte-Fondazione Pistoletto dhe tani ky kantier hyn në një bashkëjetesë artistike me një koncept nga artisti Sadik Spahija titulluar “Vox Machine”. Ekspozita qëndron e hapur nga data 1-10 nëntor 2017./KultPlus.com

Një nga artistet më të famshme bashkëkohore prezantohet në Tiranë

Në Galerinë Kombëtare të Arteve u hap ekspozita “Vizatime, Objekte dhe Video të Përzgjedhura” e artistes gjermane Rosemarie Trockel. Artistja bashkëkohore vjen për herë të parë në GKA. Bashkëpunimi më Ambasadën Gjermane në Tiranë dhe Institutin për Marrëdhëniet me Jashtë (ifa), realizohet në kuadër të Tetorit Gjerman dhe ekspozita është një nga aktivitet kulmore të këtij kalendari, shkruan KultPlus.

Në ceremoninë e përurimit të ekspozitës morën pjesë presidenti i Republikës Ilir Meta, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schutz, kuratorja e ekspozitës, An Paenhuysen.

Presidenti i Republikës Meta theksoi ndër të tjera se shkëmbimet kulturore midis dy vendeve Shqipërisë dhe Gjermanisë janë rritur.

Kurse, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se ekspozita e sjell këtë artiste në Shqipëri si pjesë e kalendarit të Tetorit Gjerman, i cili ka aktivitete shumë të mira. “Ky është bashkëpunimi i radhës mes dy vendeve. Pas hapjes së ekspozitës dy vite më parë në Dyseldorf, ja ku jemi përsëri me një tjetër bashkëpunim i cili ndihmon kulturën, artin dhe promovon artistët shqiptar dhe ata gjerman”, pohoi Kumbaro.

Rosemarie Trockel vlerësohet si një nga artistet më të famshme bashkëkohore sot në shkallë globale, e cila e shpreh vështrimin e saj krejtësisht vetjak për botën me anë të objekteve, skulpturave dhe instalacioneve. Kjo ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve i mundëson publikut shqiptar për herë të parë një udhëtim eksplorues në veprat e kësaj artisteje shumëdimensionale: duke nisur nga vizatimet, fotografitë, tablotë e famshme me thurje e deri tek “Malmaschine” dhe video-instalacionet.
Skena artistike, e dominuar për kohë të gjatë nga meshkujt, e ka nxitur Rosemarie Trockel-in qysh herët për kundërvënie ndaj saj. Ajo vazhdimisht formulon pozicione kundërshtie dhe pasqyron pikëpamjen e saj si një përfaqësuese e botës së theksuar artistike femërore, dhe nuk kursehet as me kritika parimore ndaj sistemit ekzistues të artit. Por, pavarësisht qëndrimit të saj kritik, veprat e Rosemarie Trockel-it shfaqen për vizitorin si projektime të vrullshme mendimesh plot fantazi dhe si skica artistike qartësisht bindëse. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 3 dhjetor./KultPlus.com

Ministrja shqiptare Mirela Kumbaro në Beograd, në hapjen e Muzeut të Artit Bashkëkohor

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Muzeut të Artit Bashkëkohor në Beograd, me ftesë të Ministrit të Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë Vladan Vukosavljević.

Ministrja Kumbaro u prit nga drejtori i Muzeut të Artit Bashkëkohor, Slobodan Nakarada dhe Dejan Sretenović, koncept ideuesi I MAB, të cilët e shoqëruar përgjatë vizitës në MAB, shkruan gazeta shqip.

Ministrja Kumbaro zhvilloi takime me homologun serb dhe atë maqedonas, Robert Alogjozovski, ku u diskutua për një bashkëpunim intensiv me vendet e rajonit në fushën e artit dhe kulturës. Në fjalën e tij Ministri Vukosavljević theksoi se kultura po lidh dhe po lejon njerëzit të kuptohen më mirë dhe ata, artistët, përfaqësojnë “një melodi që dëgjohet mbi zhurmën e jetës së përditshme”.

Kumbaro i tha agjencisë së lajmeve Tanjug se Muzeu i Artit Bashkëkohor “Nuk është vetëm një muze i ri, apo një muze i rinovuar, por një vend pa kufij. Arti dhe kultura janë hapësira që duhet të ndërtojnë ura, pavarësisht nga vendi apo ngjyra e pasaportës”./KultPlus.com

Mirela Kumbaro, sqaron se çfarë po ndodh me objektin në Butrint

E gjithë zhurma mediatike, por jo vetëm, që është zhvilluar gjatë këtyre ditëve për Butrintin, por edhe debatet që pasuan denoncimet e opozitës, kanë ngritur shumë pikëpyetje lidhur me atë çka po ndodh vërtet. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, thotë se dezinformimi i publikut për këtë projekt, është i qëllimshëm.

Ministrja Kumbaro, referuar raportit të dhënë në Komisionin e Medias, thotë se, nuk është shkelur ligji për trashëgiminë kulturore dhe janë respektuar të gjitha procedurat. Projekti ka një paketë shërbimesh, bëhet fjalë për një ndërtesë, objekt ekzistues disa metër katrorë, ndërtuar në vitin 1975.

“Lidhur me zhurmën apo me debatin, le të themi që unë kam gati 4 vjet që jap të njëjtën përgjigje. Fakti që kultura me gjërat që sjell, me iniciativat që merr, me ndryshimet që kërkon të bëjë, dhe pastaj me rezultatit që arrin nga iniciativat, ngjall debat, për mua ky është një kompliment që i bëhet ministrisë dhe gjithë atyre që punojnë në sektor. Kjo zhurmë shkaktohet shpesh si pasojë e një dezinformimi, apo një qëllimi të keq për të deformuar realitetin. Do ishte mirë që njerëzit mos merrnin parasysh këto zhurma por të shkonin në terren për të parë se çfarë po ndodh”, shprehet ministrja.
Duke komentuar projektin, ajo thotë se bëhet fjalë për një objekt ekzistues, i cili është kthyer në një magazinim objektesh të vjetra dhe arka. Ministrja thotë se ky objekt, që vazhdon të ekzistojnë prej dekadash, në këtë vend dhe nuk përdoret për asgjë, t’i jepet një funksion.

Nisur nga numri i lartë i vizitorëve në Butrint, ministrja thotë se shihet e nevojshme që atyre t’u ofrohen disa nga shërbimet që ata kërkojnë. Sakaq, Kumbaro ka sqaruar projektin me detaje, duke e ilustruar edhe me foto.

“Këtij objekti ekzistues nuk i shtohet asnjë centimetër volum, thjesht kjo ngrehinë do të rehabilitohet. Pra muret do të rregullohen, do pastrohet, dhe përpara objektit do të shtrohet një platformë druri, e cila zë një hapësirë rreth 60 metra katrorë. Të dyja, objekti ekzistues me platformën, shkon rreth 100 metra katrorë. Në fillim u vendos një platformë metalike, ku u vendos një shtresë zhavorri. Meqë u fol për tulla, ato janë për rehabilitimin e mureve të brendshme ekzistuese të ndërtesës. Për këtë projekt po punohet që prej muajit gusht. Për t’u mbajtur strukturat e verandës (me elementë druri dhe xhami) që i shtohet objektit, ka vetëm disa shtresa të holla betoni të varfëruar, (brenda të gjitha parametrave që parashikohen në sitet e objekteve të trashëgimisë kulturore që rikonstruktohen për struktura mbi sipërfaqe), të cilat shërbejnë për kolonat për të mbajtur strukturën mbuluese”, sqaroi ministrja.

E pyetur sesa beton po hidhet në projekt, ministrja thotë se sipas kartës së restaurimit thuhet se në zonat arkeologjike thuhet se nuk lejohen ndërtime te reja, apo gërmime, ndërsa lejohen restaurime, e sidomos në elementë të përkohshëm e të lëvizshëm si xham dru, apo beton i varfëruar, që mund të lëvizen lehtësisht”./ KultPlus.com

Përurohen biletaritë elektronike në 6 sitet e trashëgimisë

Është prezantuar të martën projekti biletaria elektronike e cila do të shërbejë 6 objekte të trashëgimisë kulturore.

Me anë të serverit që ndodhet në Ministrinë e Kulturës do të behet monitorimi në kohë reale i tyre por edhe mbikëqyrja direkte e numrit të vizitorëve në secilin prej tyre.

Ministria Kumbaro theksoi rëndësinë e projektit i cili është një hap drejtë respektimit të ligjit dhe ngritjen në një nivel të ri të shërbimit për vizitorët.

“Vijmë më 6 site të reja që pajisen më këtë sistem. Nuk është thjesht një makinë më shumë, është në radhë të parë një hap drejt respektimit të ligjit për sa i përket formalizmit, fiskalizimit të të ardhurave që vijnë nga trashëgimia kulturore, por është një hap shumë i rëndësishëm në atë që e kemi të qëllimshme; rritje të shërbimit të standardit të cilësisë që ne ofrojmë në sitet e trashëgimisë. Në site si Kalaja e Beratit, Kalaja e Shkodrës, apo Parku i Butrintit ku numri i vizitorëve po rritet në mënyrë befasuese, një sistem i tillë ndihmon në shpejtësinë e shërbimit, standardizon sitet tonë të trashëgimisë dhe e vendos kulturën në standardet evropiane”, ka thënë Kumbaro.

Ndërkohë kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, tha se projekte të tilla ndihmojnë gjithashtu brezat e rinj për njohjen e kulturës.
“ADN-ja e njeriut përmban informacionin gjenetik, ndërsa ADN-ja e historisë është trashëgimia kulturore”, u shpreh Granoff.

Ky projekt ka filluar me instalimin e biletarisë së parë elektronike në vitin 2012 në Butrint, shkruan oranews.
Projekti ka kushtuar 512.000$ dhe është një financim i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës./ KultPlus.com

Nisë rrjetëzimi i Zonës Historike në Vlorë (FOTO)

Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës në Shqipëri, mëngjesin e së dielës ka treguar se do të nis rrjetëzimi i Zonës Historike të Vlorës, shkruan KultPlus.

Ajo përmes një publikimi në rrjetin social Facbook, ka postuar disa fotografi se si do të duket Kantieri më i ri i Trashëgimisë Kulturore, duke treguar se sa e lumtur është për punën me të cilën do i bëjë krenarë fëmijët e saj për origjinën e tyre.

“Drejt Vlores per te nisur Kantierin me te ri te Trashegimise Kulturore, ate te rijetezimit te Zones historike te Vlores. E lumtur per punen me te cilen mund te bej krenare femijet e mi per origjinen e tyre. Pune e perbashket e Instituti i Monumenteve të Kulturës, Bashkia Vlorë, arkitektet e #Atelie4 me mbeshtetjen e The_AADF
#BashkePerTrashegimineKulturore
#TrashegimiaMotorZhvillimi”, ka shkruar Kumbaro./ KultPlus.com


Kumbaro për Robert Elsie: Ne lindëm shqiptarë, ty të bëri pasioni të tillë

Vdekja e Robert Elsie ka tronditë ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila nëpërmjet një statusi në facebook ka shkruar se Elsie ishte akademik i lindur jo i titulluar, shkruan KultPlus.

Nuk ta fal Bert! Nuk ta fal qe ike kaq pabesisht! Nuk ta fal se te duam shume!
Eshte e rende kjo qe bere Bert!

Sa ç’ishte e jashtezakonshme puna e shkencetarit albanolog Robert Elsie akademik i lindur jo i titulluar, sa ç’ishte elegant dhe i paperseritshem arti i perkthimit te mjeshtrit Robert Elsie, sa ç’ishte delikat zeri i interpretit ne kabinen e perkthimit, sa ç’ishte i madh ankthi i punes kur perjetonim dramat e gjyqeve te Hages, sa ç’ishte i bukur çdo çast i gjurmimit dhe hulumtimit te detajeve shqiptare prej teje qe krejt bujarisht i ndaje me te gjithe ne shqiptaret e tjere!
Ne lindem shqiptare, ty te beri pasioni te tille! Ç’te te them Bert! Na bëre gjëmën!/KultPlus.com

Kumbaro në Voskopojë: Shpëtuam kishat nga rrënimi

Projekti për rehabilitimin e Voskopojës ka bërë të mundur që përveç përmirësimeve infrastrukturore, 4 prej kishave të fshatit t’i nënshtrohen ndërhyrjeve për rikonstruksionin e tyre.

Pas një pune disamujore ka përfunduar restaurimi i strukturave në kishën e Shën Nikollës dhe Shën Marise, të cilat gjenden në qendër të fshatit turistik, ndersa puna po vazhdon edhe tek manastiri i Shën Prodhomit dhe kisha e Shën Ilisë, shkruan atsh.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, teksa ka parë nga afër ecurinë e punimeve ka theksuar se kjo ndërhyrje për restaurimin e objekteve te kultit është pjesë e programit të qeverisë për Rilindjen Rurale.

“Me një ndërhyrje me mbi 12 milionë lekë të reja kemi nxjerrë këto kisha nga rreziku. Korça është një nga hambarët e turizmit kulturor dhe itinerari i rrugës së besimit në Korçë e ka pikën fokale në Voskopojë”, deklaroi Kumbaro.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi këtë një prej investimeve më madhore në funksion të ruajtjes së vlerave, por edhe zhvillimit të turizmit.
“Është një projekt që veç përmirësimit të cilësisë së jetesës së banorëve të Voskopojës do t’i shërbejë padyshim edhe turizmit”, tha Filo.

Investimi për rehabilitimin e qendrës historike të Voskopojës kap vlerën 365 milionë lekë të reja dhe përveç rikonstruksionit të 4 kishave përfshin edhe investime në infrastrukturën rrugore të fshatit./ KultPlus.com

Mirela Kumbaro kujton vizitën e Papa Françeskut (FOTO)

Mirela Kumbaro-Ministre e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, ka rikujtuar sot 21 shtatorin e vitit 2014-të kur Papa Françeskut vizitoi Tiranën, shkruan KultPlus.

Kumbaro, përmes rrjetit social Facebook, ka publikuar disa fotografi nga kjo vizitë të cilave ua ka bashkangjitur edhe një mbishkrim ku tregon se ndjehet shumë e nderuar dhe me fat që ishte pjesë e asaj dite.

“21 shtator 2014
Një datë e paharruar që më bën të ndjehehem përunjësisht shumë e nderuar dhe me shumë fat”, ka shkruar Kumbaro./ KultPlus.com

Viti 2019-të sjellë një teatër të ri për publikun shqiptar

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e ka nisur këtë mandat të dytë nga mbikëqyrja e ambienteve të kulturës që i janë nënshtruar rikonstruksionit. Ajo është ndalur në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke theksuar se punimet po ecin sipas parashikimeve.

“Jemi në një ndër momentet e inspektimit të kantierit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Punimet kanë ecur shumë mirë deri tani. Është punuar në mënyrë shumë intensive dhe në kushte shpesh edhe të vështira për mungesë të hapësirave të brendshme, problem që vazhdon duke u hequr zvarrë problemi juridik me shoqërinë italiane, por problem që do ta zgjidhim shumë shpejt me masa të drejtpërdrejta, por pa dyshim ligjore”, u shpreh Kumbaro.

Ritmet intensive gjatë ndërhyrjeve pritet te sjellin përfundimin në kohë të projektit. Thënë ndryshe, në vitin 2019 publiku në TKOB do të mund t’i ndjekë shfaqjet në një teatër tërësisht të transformuar dhe modern.

“Kemi ecur me ritme të mira. Jemi brenda afateve të kontratës dhe me pak durim, besojmë që brenda limiteve të parashikuara do të kemi një Teatër të Operas dhe Baletit tërësisht të modernizuar, edhe pse gjithë pajisjet e vjetra mekanike të viteve 50-të ndryshohen dhe automatizohen krejtësisht në shërbim edhe të publikut edhe të artistëve”, theksoi ajo.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova, shkruan VP./ KultPlus.com

Mirela Kumbaro viziton vendvarrimin e Skënderbeut

Pas shumë kronikash dhe shqetësimesh publike në lidhje me degradimin e vendvarrimit të Skënderbeut, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e pa nga afër gjendjen në të cilën ka degraduar memoriali në Lezhë dhe zona muzeale që e rrethon atë.

Restaurimi i vendvarrimit të Skënderbeut, vendosja e shtatores së Skënderbeut pranë zonës muzeale dhe shpallja e 2 marsit feste kombëtare ishin kërkesa që i janë paraqitur ministres Kumbaro nga nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës Alfrida Marku e cila shoqëronte ministren.

“Unë ju bëj thirrje që ta mbështesni Lezhën në tre ide dhe projekte mjaft të rëndësishme të paraqitura pres saj. Shpalljen e datës 2 mars si ditë feste kombëtare, vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në sheshin që mbanë të njëjtin emër, si dhe miratimin e projektit të Bashkisë Lezhë për restaurimin vendvarrimit të Heroit Tonë Kombëtarë”, tha Marku.

Kërkeses së bashkisë Kumbaro iu përgjigj pozitivivisht, por duke kërkuar nga kjo njësi vendore që të depozitoje projekte konkrete në mënyre që të financohet edhe restaurimi i tij.

“Nuk kemi për momentin ndonjë projekt të dorëzuar nga Bashkia Lezhë për këtë çështje, dhe ky takim ishte mjaft i rëndësishëm me nënkryetaren e Bashkisë, për të diskutuar se si mund të bashkëpunojmë më mirë. Ne do të mirëpresim projektin për të bashkuar forcat jo vetëm se jemi në prag të Vitit të Skënderbeut, por edhe sepse kjo është mënyra se si mund të nxjerrim më të mirën nga bashkëpunimi mes pushtetit lokal dhe atij qendrorë” tha Kumbaro.

Rikonstruksioni i çatise, ndriçimi, vendosja e fonisë, si dhe rrethimi i zonës për ta mbrojtur atë nga dëmtimet apo keqërdorimi janë disa nga nevojat imediate që ka mazeolumi i heroit tonë kombëtar në Lezhë.

Por absurditeti më i madh është fakti se Bashkia e Lezhës nuk ka ende gati projektin e plotë në mënyre që ndërhyrja të nisë sa më shpejt.

Ndërkohë që me dhjetëra herë ky institucion ka kërkuar ndërhyrje për rikonstruksion të këtij memoriali, shkruan RT./ KultPlus.com

Kumbaro për Rondon: Dinte ta shihte jetën me ngjyra

Aktorja e madhe Hajrie Rondo, e cila ka ndërruar jetë sot në moshën 66 vjeçare, do të mbetët përherë në kujtesën e atyre që e deshën shpirtin e saj artistik dhe i duartrokitën përherë rolet e saj, shkruan KultPlus.

Pas ndarjes nga jeta e aktores Hajrie Rondo, ka reaguar edhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila shkruan se facebook se Hajrie Rondo ikën nga toka por jo nga kujtesa kolektive.

Ajo ka theksuar edhe fjalën e e njohur të Rondos e cila gjithmonë ka kërkuar që jetën ta shohin njerëzit me ngjyra.

“Iken nga toka por jo nga kujtesa kulturore aktorja qe dinte ta shihte jeten me ngjyra prandaj ia dha ate Artit. Lamtumire Hajrie Rondo”, shkruan Kumbaro në Facebook. / KultPlus.com

Vlora Dumoshi uron Mirela Kumbaron për riemërimin në pozitën e ministres

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministren e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaron, me ç’rast e ka uruar atë për riemërimin e saj në pozitën e ministres.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi shprehu përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin kulturor, si një mundësi e mirë në funksion të njohjes dhe afirmimit të mëtejmë të kulturës shqiptare, nëpërmjet bashkëpunimit konkret ndërmjet institucioneve kulturore të dyja vendeve.

Ministrja Dumoshi më tej u shpreh se Kosova dhe Shqipëria, tanimë kanë një bashkëpunim të shkëlqyer kulturor, me një Kalendar të Përbashkët Kulturor dhe me iniciativa tjera, që janë në dobi të kulturës shqiptare, dhe shtoi se thellimi i këtij bashkëpunimi është në të mirë të dyja shteteve. / KultPlus.com