“Fjalët e qiririt” nën tingujt e fuqishëm të muzikës rok

Poezia e famshme e Naim Frashërit, “Fjalët e Qiririt” të cilën Ilir Shaqiri e ka kthyer në këngë, së fundmi ka ardhur në versionin cover, shkruan Kultplus.

Nën prodhimin e Radio Televizionit të Kosovës, vokalistët Teuta Kurti, Florent Abrashi, Altin Kuçi sjellën magjishëm nëpërmjet zërave të tyre një formë ndryshe të kësaj kënge.

Mesazhin e poezisë e fuqizuan edhe më shumë basistët e Tony Drums Studio, të cilët tanimë janë të njohur për interpretimet fantastike të tyre, si dhe Bendi i RTK-së.

Përndryshe, versioni nën moton “Bashkë bëjmë dritë” ka të realizuar edhe një videoklip, e cila sjell performancën e drejtpërdrejtë të këngëtarve dhe bendeve.

Përveç kësaj, videoklipi nis me performancë artistike nga aktorët Bislim Muçaj dhe Zana Berisha, të cilët recitojnë poezinë e famshme të Frashërit.

Në disa sekuenca shfaqet edhe  sheshi plotë drita i Prishtinës, por që ka mbetur pa njeri për shkak të kufizimit të lëvizjes, e që këto pamje i zbukurojnë balerinët Behije Murtezi, Driton Saqipi  me artin e tyre.

“Fjalët e qiririt” përherë do të mbetet një perlë për letësinë dhe muzikën shqiptare. / KultPlus.com

Promovohet në Tiranë monografia e Sabri Hamitit për Naim Frashërin

Një jetë e tërë e mbushur me krijime letrare të cilat përfaqësojnë denjësisht kulturën tonë, kanë zënë fill në monografinë e Sabri Hamitit. Në përvjetorin e 120-të të shkuarjes në amshim të rilindasit Naim Frashëri, u promovua vepra kushtuar tij, shkruan KultPlus.

Në këtë përvjetor, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Albas” ka promovuar monografinë e Hamitit të quajtur “Naim Frashëri”.

Në promovimin i cili u mbajt në hapësirë të jashtme, ishin prezentë shkrimtarë, studiues e kritikë letrar, përfaqësues fetarë të bektashizmit dhe të afërm të Hamitit. Një ndër të pranishmit ishte edhe poeti Xhevahir Spahiu.

Përgjatë promovimit, fjalë për librin foli studiuesja dhe ligjëruesja e letërsisë Perida Asllani.

Duke përvijuar ngulmimin e autorit Hamiti në leximin sistematik e të vijueshëm, vit mbas viti teksteve poetike të Naim Frashërit, studiuesja Asllani thekson se “Prej këndej buron këmbëngulja e skajshme për ta sjellë tekstin në lexim sa më pranë botimit të parë, për t’iu kthyer atij me lexime të vijueshme dhe pasuruese sa herë që ia dikton shqisa e vet. Atëherë takohemi përnjëmend me Naimin që himnizon përjetësisht gjuhën, atdheun, heroiken, dashurinë e bukurinë, Naimin e lirikës personale e mistike, Naimin që vajton, Naimin që mrekullohet, Naimin e utopisë dhe ëndrrës, mirësisë e melankolisë, Naimin e Skënderbeut, Naimin e bektashizmës së frymëzuar e sidomos Naimin e zemrës, atë të lexuar për herë të parë e që mbetet thelbi i çdo rileximi, sado i shtyrë në kohë qoftë ai.”

Vetë autori Hamiti theksoi se Naim Frashëri të gjithë librat e tij në shqip i shkroi brenda një dekade (1886-1895), ndërsa lëngoi nga sëmundja në 5 vjetët e fundit të jetës.

“Ai është i lindur si poet lirik. Në këtë vështrim, logjikisht, të menduarit të çon te ‘Lulet e verës’ si libri më i mirë lirik i tij”, vlerësoi Hamiti.

Libri është botuar në edicion të shtëpisë botuese “Albas” nga Tirana./KultPlus.com

–“Vdiq Naimi, po kush mbeti? Si Naimi s’ka të tjerë”

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Naim Frasheri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqiperi!

Mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni

shqipetarka, shqipetare!

Naimne kur ta kujtoni,

mos pushoni duke qare!

…………………………….

Vdiq Naimi, gjithè thone,

qani turq, qani kaure!

Bilbil’ i gjuhese tone

s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi

trimërinë, Skënderbenë,

vdiq Naimi, qe lëvdoi

dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

o moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,

pse more të tillë burrë?

I ndritë shpirti për jetë,

mos i vdektë nami kurrë! / KultPlus.com

Fjalët e Qiririt

Poezi nga Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t’u ap pakëzë dritë,
Natënë t’ua bënj ditë.
Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.
Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s’e duronj dot.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s’dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t’u ndrinj më mirë.
Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,
Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M’është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Se ma k’ënda t’u bënj mirë,
Të mos mbeti n’errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,
Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,
Dua ta djek trupn’ e shkretë
Për atë zotn’ e vërtetë.
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,
Bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
Unë dua njerëzinë,
Mirësin’ e urtësinë,
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.
O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t’i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.
Unë duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar.
Kam qënë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë.
Gjithë tuajt’ i kam parë,
Mëm’ e at’ e fis e farë,
Si tani gjithë i kam ndër mënt,
Që rrininë më këtë vënt.
Edhe sot nër ju ata shoh,
Se shpirtin e tyre ua njoh,
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer’ e ndryshuar,
Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj’ e balt’ e erë.
Jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.
Edhe ndër qiej fluturonj,
Edhe brënda në det qëndronj,
Shumë herë fle në baltë,
Diku ndodhem dhe në mjaltë
Bënem qëngj e kec i pirë,
Lul’ e bar e gjeth i mbirë.
Dua shumë fjalë t’u them,
Po trëmbem mos i bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?

Përmes kësaj poezie kujtojmë sot 120 vjetorin e vdekjes së poetit të madh shqiptarë, Naim Frashërit. / KultPlus.com

Sabri Hamiti publikon monografi për Naim Frashërin

Autori Sabri Hamiti ka botuar monografinë për njërin nga emrat kryesorë të Rilindjes, Naim Frashërin në 120 vjetorin e ndarjes së tij nga kjo botë, shkruan KultPlus.

Vepra “Naim Frashëri” shpalos jetën dhe veprën e atdhetarit e shkrimtarit shqiptar dhe do t’iu shërbej studiuesve dhe kritikëve letrarë si një vepër referuese për një kohë të gjatë.

“Në librin 170 faqesh thuret profili i shkrimtarit të dashur e të adhuruar të letërsisë shqipe, i cili kishte arritur statusin e pakontestueshëm të poetit kombëtar, por që për vite kishte qenë edhe i censuruar nga diktatura”, thuhet në njoftimin e Sabri Hamitit për librin.

Monografia e cila nis me “Poezia e Naimit është gjuha shqipe e shpirtëruar me pamje të dashurisë”, vazhdon duke theksuar se anipse ekziston një ndarje kohore të autorit Hamiti dhe të Frashërit, gjuha e poezisë së tij ka qenë dhe mbetet frymëzim.

Në anën tjetër, studiuesja e letërsisë Persida Asllani e ka vlerësuar veprën si “Naim jete” sepse ajo është prodhim i një leximi të gjatë bashkë me përvojat jetësore e letrare, duke u gërshetuar bashkë me metodologjitë studimore e kritike.

“Sepse këtu synon të na kthejë ky libër i autorit, te zanafilla e Naimit, te gjuha e tij e zjarrtë, aty ku më parë Poradeci pat ndjerë poetikisht shenjtërinë e kombit, mendimin e frymëzuar, pasionet e jetës, poezinë e mirëfilltë dhe hyjninë”, ka vlerësuar Asllani. /KultPlus.com

Branko Merxhani kur vizitoi varrin e Naimit në Turqi

Më 17 të qershorit që shkoi, një grup shqiptarësh nga Kolonija e Istambullit kanë vizituar varrin e Naim Frashërit, që gjendet në Merdiven Köj. Me këtë rast Branko Merxhani ka dërguar përshkrimin e trishtuar që po e botojmë këtu.

Sikur të mirni tatëpjetën e të zbrisni poshtë nga çdo nonjëra’ prej të shtatë kodrave të Istambulit, duke shkuar nga rrugët e gushta e të brengosura që, posi krahë të përqafosurë me njëri tjatrin, janë me zikzake, gjënden në Qopry bashë. Atje merni pozë në kuvertën e hapët dhe me tëndë të një vapori të bukur dhe elegant, i cili, si një trup prej hekuri të gjërë, është shtrirë në gjirin e kaltërtë t’ujrave të qeta të Bosforit. Po të bini me not për disa minuta mbi dallgat e voçkëla me shkumë që lindin nga përpjekjet e repta të erërave të lindjes e të perëndimit nëpër gryka dhe që ju mbushin shpirtin me ajër të pastër poezije, dilni në Hajdar pasha, në këtë breg të parë të tokave të larkta t’Azisë, që del përpara dhe ju shëkon si e humbur me sytë mahmurë posa të çelurë pas gjumit të natës së gjatë të një vëndi të vjetër përrallor. Brëndësirën tuaj e kanë pushtuar vilanit’ e kuqe dhe shtypëse të zjarrit të një mallëngjimi të çuditshëm. N’anë të një rruge betoni pakëz të gjatë, hypni në një tren që është duke pritur me nervozitet mbi çenberet e hekurtë të folesë së ngushtë të tij. Pas një çerek ore, herë duke shkelur barra të zymta, herë duke çarë rrugët e fshatrave të ngrehura me dërrasa, herë duke prekur në toka bojë rëre që janë posi tyle të holla të mëndafshta, ngriheni në këmbë përpara stasjonit Gjoz Tepe. Këtu është një koridor nënëtokëse. Merni rugën. Një rugë krejt e drejtë dhe e stolisur në të dy anët me drunj akaciash. Pastaj një copë Xhade me pluhur që ju del befas përpara e që s’dihet ku e ka kryen dhe mbarimin. Dielli zemër-hapët i orientit fillon, posi një hekur i kuq, t’ju djegë majën e kresë. Nga një anë e pa-njohur dhe pa vijzë të rugës, hyni në arrat që janë në të djathtë. Nëpër mes të kulluzmave prej gjëmbash të rrepta këmbët t’uaja ju hapin rugë. Pak më tutje nga ky vënd i shkretë, ja rrapi shekullor të cilit u dëgjohen prej së largu fëshfërimet. Këtu gjeni një copë gur të thyer për të mbështetur mbi ‘të trupin t’uaj të kapitur që ka etje tani për freskësi hieje dhe i lani buzët t’uaja me ujin e ftohtë që pikon nga kroi i vjetër, i cili mbulon rënjët me brinj t’ajturë të drurit plak. / Konica.al

Pranë këtij rapi, gërmadhat e një teqeje të madhe bektashinjsh, e cila nëpërmes mureve të gremisurë të saj mezi ruan kujtimet e zbetë të pamjes impozante që ka pasur dikur. Ku janë baballarët me mjekër të dëndur, të cilët në sarajet me kube t’arta të prrallës së jetës flisnin në gjumë shekuj me radhë rrëfenjat e dëfrimeve e të volupteteve? Kur grushti heroik i kryengritjes u-ngrit n’ajr për t’i futur në shtretet e ëndërave të thella të së shkuarës përrallat narkotike t’udhëtimeve të shpirtit, kur ay grusht u ngrit n’ajr për t’i futur në shtretet e ëndërave të thella të së shkuarës përrallat narkotike t’udhëtimeve të shpirtit, kur ay grusht u-ngrit n’agimin e orës së rilindjes, natën e asaj dite ata duallën nga vëra e ngusht e derës së atij pallati mysterioz dhe u zhdukën n’errësirat e përhershme të botës së largët të disfavorit, si nga ndonjë qahja Perëndije të shkëputurë nga anët e froneve të gremisurë. Tani në shkretirën e trishtuar të gërmadhave të teqes së madhe ka mbetur vetëm një plakë shtrigë. Në qoftë se ndonjë që shkon andej rastësisht dhe ka humbur rrugën, drejtohet nga gërmadhat, hapet për gjysëm vetëm njëra fletë e derës së rrëzuar dhe prapa kësaj flete të mbështetur në togje gurësh dëgjohet zëri i mbytur i asaj shtrige të kapitur me dhëmbë të rënë. As-gjë më tepër…

Filloni të përparoni duke ndjekur gjyrmat e mureve të teqes. Ngjiteni në një të përpjet të vogël me gropa të mbushura me uj të qelbur shiu. Në të djathtën t’uaj një varr që flê nënë degat e rudhura e të pa-kujdesura të selvive e të repeve. Pak më tej nga ruga e ngushtë që shkon nëpër mes ferrash, duken, të shpërndara një këtu e një atje, mbi një kodër, disa shtëpi fshati. Këtu, po të zbresni nga një shkallë e gjërë prej gurësh që kanë luajtur nga vëndi, hyni në një muze të shdukur vdekjeje të mbuluar me bar dhe plot varre me mbishkrime e me taxhe. Edhe ky vënd është një kodër e vogël. Fërfëllimet e ashpëra t’erëravet edhe këtu ju këndojnë freskësi nëpër mes të degave, të përkulura e të zgjatura gjer në tokë të selvive e të repeve të mëdha.

Katër a pesë kalamaqër emigrantësh lozin më tutje mbi barin që i ka thëthitur në gji gurët e varrëve. Këta, sikur patën një sulm të pa-pandehur, i hapin syt krejt mbi ju dhe ju shëkojnë, të habitur dhe të heshtur. U është zënë zëri këtyre rugacëve që, pak më parë, bërtitnin si të marrë brënda në lirin’ e sigurtë të varresës! U marrin prapa dhe ju ndjekin me këmbët e tyre të holla që dridhen msheftazi nga frika nga tmerri. Këndoni mbishkrimet e fërtikura dhe të meta të gurëve të varrëve që janë shtruar copa copa në shesh. Përkuleni atje këtu mbi grumbuj tokash të fryra që u përgjAzin varreve të haruarë e të lënë. Kërkoni. As-një gjurmë, as-një shënjë. Atje tutje, në rëzë të sypërfaqes ku bashkohen ca repe, një varr të mermertë. Ky është varri i Abdul-it. Ka dhe një gur të stolisur me një mbishkrim turçe me mjaft hollësira. Njëri prej gurëve të varrit ka ikur nga vëndi dhe nga njëra anë’ e tij po bijen copa dheu të djegur e të nxirë nga thatësira. Kur i aviteni këtij varri ndjeni në brëndësirën t’uaj një dhëmbje, pse këtu është dhe një varr tjatër. Dhe sikur zëri i ngjyrur i një gruaje plakë, lajmëtare e vdekjes, ju bërtet nëpër mes të drujve të varresës ku kini hyrë:

-Djelma! Varri që kërkoni është pranë atij varri dhe tamam nënë këmbët t’uaja!

Oh! Tokat që kini përpara, që shkelim me këmbë ne, janë varre, ja kështu të pa-dukurë, pa-gjurmë, pa gurë, pa mbishkrim. Në njërin nga këta vënde flenë kockat e Naimit që brezi ynë e njeh si poet kombëtar. Ky njeri i math që është krijonjësi i parë i shqiptarismës s’onë të re, është bërë flija e mos-mirnjohësisë më të madhe të Shqipërisë së krijuar. Në këto balta të shkreta të një vëndi të huaj, ç’punë ka akoma Naimi? Këtu s’ka asnjeri që ja di varrin e tij. Për veç një gruaje plakë, e aratisura e teqes… /Konica.al / KultPlus.com

Naim Frashëri për Skënderbeun: Lum ti, moj Shqipëri thashë, armët e tij kur i pashë

Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbetet ndër figurat më të rëndësishme të historisë mbarëshqiptare, ndërkaq në anën tjetër edhe Naim Frashëri la gjurmët e veta të fuqishme në historinë e letërsisë shqipe dhe kombit shqiptar.

Naim Frashëri njihet si shkrimtari që gjithë jetën e tij ia kushtoi kombit shqiptar, artin e tij e karakterizoi dashuria e madhe që kishte për kombin.

Sonte, KultPlus ju sjell një thënie të njohur nga Naim Frashëri dedikuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

“Lum ti, moj Shqipëri! thashë, armët e Tij kur i pashë…” / KultPlus.com

Meta: Djepi që përkundi simbolet e përkryera të Rilindjes Kombëtare, vezullon dritë patriotike

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është ndalur sot në Frashër të Përmetit, në vendlindjen e Addyl, Naim e Sami Frashërit.

Meta thotë se pikërisht ky fshat dhe familja Frashëri përkundi me dije dhe atdhedashur simbolet e përkryera të Rilindjes Kombëtare.

Meta thotë se edhe sot Frashëri vezullon dritë kombëtare patriotike dhe qytetare. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/3274760489236868

Nata e fundit e jetës së poetit kombëtar Naim Frashëri

Letra origjinale e Mit’hat Frashërit

Profesori dhe studiuesi i letërsisë Sadik Bejko, sjell për lexuesit shqiptarë një shkrim monografik për Naim Frashërin nga nipi i tij, Mithat Frashëri. 

Ai shkruan: “Ky tekst ështe i Lumo Skëndos, Mit’hat Frashërit, nipit të Naimit. Është shkëputur nga monografia e Mit’hatit, bërë një vit pas vdekjes së Naimit 1901. Sipas gjithë studiusëve të sotëm, mendimet vlerësuese të nipit për veprën e N.H.F i qëndrojnë kohës. Gjuha e Naimit dhe e nipit, pas 115 vjetësh vjen si më poshtë. Është si e origjinalit.

E rimarr këtë fragment vepre edhe me një qëllim tjetër: të gjithë biografët e pasmë të Naim beut, Shuteriqi, Qosja etje kanë vjelë këtë vepër të M F, por asnjëherë nuk e kanë cituar burimin, emrin e M F, emrin, e armikut politik të regjimit komunist të Tiranës. Shihni ç”bukuri gjuhe dhe stili vjen prej më shumë se një shekulli nga pena e një pinjolli te frashëllinjve. …dhe sot kjo vepër mbetet burim i dorës së parë për jetën e N. H. F. Më poshtë, shkrimi i Mithat Frashërit për Naim Frashërin në versionin origjinal.

Nata e fundit e jetës së Naim Frashërit

Mithat Frashëri, 1901

O shqipëtarë, në doni të nderoni kujtimin e këtij njeriu të math që po e qan sot e tërë Shqipërija, mbani mënt fjalët e tij: Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhënë tuaj!

Akoma s’ish zbardhëlluarë kur u hap dera; sa pa marrë përgjigje, pritnja të më thoshin të ren’ e ligë: Naim beu është fare keq! – këto të pesë fjalë më dredhin mishtë. Naim beu është keq! – kishin katër vjet e gjysmë q’e qanim këtë njeri të math; e dinim që sëmundja s’i kish shpëtim! Po kujt i vente goja? E dinim, po s’donim ta besonim…

E shtuna në familjen tonë është dit’ e nëmurë, dit’ e zezë. Ashtu u shua të shtunë në më dy orë të mëngjesit, 7 vjesht’ e dytë 1900, një jetë që kish nisurë më 1 të natës duke gdhir’ e hënë, më 13 të majit 1846 në Frashër.

Ja ku është ky njeri i dashur! Ja ku rri shtrirë! Më vjen ta pyes si je… Shiko, po më përgjigjet… po më thotë, pas zakonit që kish, me zë t’unjët e t’ëmbëlë “prapë ashtu jam”… “Ah, ç’them unë! Ato buzë më nukë lëvizin, ata sy më s’shohin!

S’i kemi për të dëgjuarë më zënë! Kur të kemi ndonjë hall, më s’kemi kë të pyesim, s’ka kush të na japë këshilla! S’ka kush të na japë kurajo dhe shpresë! Këtu fillozofia dhe mëndja s’hyjnë në punë; nj’e tillë mynxyrë s’ka ngushullim; këtu njeriu le ç’ka mësuarë, le stërvitjenë, le mendjenë dhe bëhetë foshnjë; zemra zbulohetë nga pëlhurët’ e njerëzisë dhe bëhetë siç është te foshnja, ashtu si e bëri Perëndia! Buzët janë pa zë, po zëmra qan! Njerëzit e shtëpisë janë të gurrosur, vetëm lotët u rrjedhin, krahërorët po psherëtijnë!

Sa zi, la mi këtë familje! Me Naim Benë nuk humbasim një njeri të dashur, një të madhin e fëmijës, por një mësonjës, një mpronjës, një këshillonjës, një atë! Edhe jo ne vetëm, por gjithë Shqipërija. Tërë dita, tërë nata shkon në helm e në mejtime; s’duamë të flemë, duamë t’i rrimë pranë se… kjo është nat’ e fundit! Paskëtaj syt’ e trupit më s’kanë për të parë atë Naim! Vetëm mendja e ka për të kujtuar dhe për të qarë. Një nga miqtë nxjerr nga xhepi “Lulet e verësë” dhe na thotë: Pas këtaj për ne këto fletë janë Naim; ay shkoj, vate te e vërteta, po këto mbenë! Këndon “Të vdekuritë”.

Në këto vjersha zemra dhe helmi na gjen nj’ushqim: Po vallë ku vanë? Për jet’ u mërguan? Apo u ndryshuan? E djela gdhihet, kjo ëshë dit’ e fundit; sot do vihetë në gji të dheut, të këtij dheu tek i cili venë gjithë njerëzit, të mir’ a të liq. Sot po fshihetë për jetë nga bota fytyr’ e këtij njeriu të dashur e të rrallë! Sot do lihetë të kalbetë më pak kohë ky njeri që natyra ia ka të rrallë shokët dhe s’i pjellë veçse më ca qint vjet njëherë!

Shikoni këta njerëz, sa helm ka mbi fytyrë të tyre! Shihni sa janë të shumë: ka nga çdo fe, nga çdo vërsë, e nga çdo radhë. Këta e njihnin në gjallëri: vinin e kërkonin këshilla, vinin e pyesnin për çdo punë. “I varfërë vinja te Naim beu, i pasur shkonja; i urët vinja, i nginjët shkonja, pa shpresë vinia, plot shpresë shkonja; nie shpirt të sëmurë vinja, kur shkonja ndjenja vetëhenë të gjall’ e me shpirt; fjalët që na thoshte na shëronin zemrën!” – thotë një ng’ata.

Këta njerës që kanë sytë me lotë, këta janë ng’ata që kanë parë të mira: kush kërkonte ndihmë, kush kish punë, kush kish djal’ a çupë për në shkollë: kushdo që kërkonte ndihmë, s’kish ndihmës më të math e më të mirë se ky shqiptar i math që po varrohetë sot!

Këta të tjerë mi fytyrët e të cilëve është shkruarë helmi dhe zia, këta të gjorë s’kanë pasurë fatin ta shohin në gjallëri Naimnë: Po i kanë kënduarë librat shqip, i kanë mbajtur në zemrë vjershatë; ato vjersha u kanë dhënë dashuri për mëmëdhe e për njerëzi, ato libra u kanë rrëfyerë ç’është mirësija, dashurija, puna dhe jeta. Këta të gjorë janë të helmuarë që s’e panë dot sa ish gjallë, po kjo nuk’ i ndalon të kenë nderim dhe dashuri të madhe për Shqptar’ e math që po shpihetë në varr.

Këta të tjerë s’janë shqipëtarë, po nga komb tjatrë: turq, grekë, etj; kan’ ardhurë me nder të math se kanë pasur fatnë të kuvendojnë me Naimnë dhejanë çuditur me diturinë, me mendjen, me sjelljen e bukurë të tij!

Ja se ku po ecin me krye t’unjët gjithë këta njerëz; nga nderi arkën e mbahnë mi kokë më të lartë; ecin me ngadale, se trëmbenë të vënë në dhet këtë njeri të dashurë: duanë ta majnë! Dhe sikur të munt t’i epësh shpirt përsëri, cilido do kursente të tinë?

Ora 7. Arritmë në varr. Këtu na pret një helm i ri: Jemi përpara varrit t’Abdyl beut; kështu, pra, këta të dy vëllezërë që kanë rojtur bashkë, kanë punuarë bashkë, kanë pasurë një qëllim e një mendim, ë janë përpjekurë tërë jetën e tyre për Shqipërinë, janë dhe pas vdekjes ngjitur në varr!

Shikoni, o njerës, ja se ku vihetë në varr Naimi! Naimi – babaj i shqipëtarëve, Naimi – babaj ynë, Naimi – mësonjësi ynë! Dy kut dhe arrijnë për këtë njeri të math e të dashurë! Ja, na humbi trupi, dheu po e mbulon, më s’e kemi për ta parë, më s’e kemi për ta dëgjuarë’.

0 njerës, gjithë kështu do vdesim’. Do vijë dita që të mbulohemi në një gropë, që të na kalbenë e të na bëhenë hi dhe eshtërat! Ahere s’na ka për të mbeturë gjë nga këto poshtësitë e dheut! Alierë nga lakmin-ii, nga ligësitë, nga poshtësitë, nga djallëzitë, nga marrëzitë, s’do të na mbesë fare gjësend; vetëm një kujtim do të mbesë te njerëzit: si lum ata që do të kujtohenë për të mirë, si mjerë ata që do të zihen ngoje për të 1igë! Si mjer’ ata që kanë qenë të liq, si lum ata që kanë qenë të mirë! Perëndija do të na njohë gjithë punëtë.

0 njerës. Mirrni pjesë nga ky vend që po mbulohet para syvet: Naimi shkoj për jetë! Shkoj për ne, po vate te Perëndija. Neve na mësoj të bëhemi të mirë, të duhemi, të punojmë, të duam Shqipërinë. Mirrni pjesë nga ky njeri përpara varrit të të cilit po rrimë me sytë të lotuar! Mbani mënt fjalëtë që na thosh, këshillatë që na jepte’. Kijeni për shëmbllë se ish i mirë, i virtutshëm, vetijëmirë, shpirtrmirë, i ëmbël! Tek ai çdo njeri gjente një ndihmës, një këshillonjës, një baba.

0 shqipëtarë, në doni të nderoni kujtimin e këtij njeriu të math që po e qan sot e tërë Shqipërija, mbani mënt fjalët e tij: Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhënë tuaj!

U mbarua dhe shërbim’i fundit q’i bëmë këtij shqipëtari, të cilit i kemi detyrime të mëdha e të paharura sa të rrojë Shqipërija dhe gjuha shqipe.

Tani, gjithkush ng’ata që kish ardhurë të vërë në gji të dheut trupn’ e Naimit, merr nj’udhë për të kthyerë, po me kokë t’unjur e i mejtuarë. Nga një breg kthejmë dhe një tjatër kokënë: ja se ku, atje tej, n’atë fshat më tej Ysqydarët, dy orë larg nga Stambolli, në Merdiven – Qoj, mbi një breg, atje janë të dy varret: Njëri i ri, tjatri bërë më 11-të të Vjeshtës të dytë 1892; n’ata varre janë mbuluar trupat e vdirshëm të dy vëllezërvet; atje në atë fshat të vogël, larg nga Shqipërija. larg nga er’ e Shqipërisë flenë përjetë dy njerës të shtrenjtë për ne; larg nga ajo Shqipëri për të cilën rojtnë!

Po do të vijë dita – oh, – kemi shpresë të fortë – që do të lirohetë dhe do të lulëzojë Shqipëria, dhe ahere, do të shpihen eshtrat e këtyre dy vëllezërve në Shqipëri dhe t’u gëzohetë shpirti duke parë – qoftë pas vdekjes – prodhimin e farësë që mbuallë me aqë dëshirë. /KultPlus.com

Dritëro Agolli: Naim Frashëri është fëminia e poezisë sonë

Naimi është fëminia e poezisë sonë. Koha kalon, poezia rritet e maturohet, por për të mbetet e bukur fëminia. Dhe megjithatë Naimi nuk është vetëm fëminia e poezisë sonë, ai ishte nga ustallarët e vërtetë që vuri gurin e parë të sigurt në themelet e saj. Për këtë gjithë brezat poetikë i kanë hequr dhe i heqin kapelën, se nga ai kanë patur ç’të mësojnë.

Ai ka qenë, ndofta, punëtori zemërgjerë më i madh i gjithë poetëve shqiptarë. Me punën e tij të rëndë krijoi në Shqipërinë e kohës së vet poezinë moderne, vjershërimin modern që gjer atëherë mungonte. Hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia mernin frymën gjuhës së gjallë. Fjalën perlë e nxori nga pluhuri i kohës, e bëri të shkëlqejë me tërë bukurinë e saj dhe tregoi se ç’mundësi të pafundme kishte shqipja për të shprehur në art mendime të mëdha.  Fjalën ai nuk e mbajti për të qëndisur stolira më vete, por e nxori në udhë të gjërë për t’i shërbyer idealit të tij të lartë, idealit të Shqipërisë së lirë. E çfarë s’bëri ai me atë fjalë! Shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse! Naimi është një det i gjerë. Ky det ka ujra të kulluara e të turbullta, ka valë të mëdha e valë të vogla, ka shkumë të bardhë e shkumë të murrme. Te Naimi mund të futesh si në një labirinth, në të cilin  mund të ngatërrohesh po mos njohe kohën naimjane. Krahas vargjeve të shkëlqyera, do gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime qe nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut. Kësaj lufte ai i fali gjithçka: krijimin, mendjen, trupin. Unë gjithnjë e kam përfytyruar Naimin si një qiri që digjet për t’u ndritur të tjerëve. Shqipëria i thërriste: “ndrit”! dhe ai digjej e ndriste. Nuk kish kohë as të ruante veten, as të ruante përsosmërinë e artit të tij. Nuk kish kohë as të ruante veten. Shumë herë nga ky nxitim i madh, nga ky nxitim nën dorën e fuqishme të Shqipërisë që e shkundëte dhe i thoshte me ngut: “shkruaj”, Naimi sakrifikoi artin, gjënë më të shtrenjtë të tij. Ai ndofta linte përgjysmë një vjershë, që mund të bëhej e mrekullueshme, dhe shkruante një këndim për çunat analfabetë të Shqipërisë së robëruar. Vjershën e linte dhembje të madhe, por nuk kishte ç’të bënte. Vallë Naimi që ka bërë aq gjëra të mrekullueshme, nuk ishte i zoti të bënte lirika initme e peizazhe, e vjersha dashurie të përsosura, puro-art? Edhe këtë e bënte, por ai ishte militant dhe si militant kish një mision të lartë historik. Këtë militantizëm kanë mësuar poetët shqiptarë nga mësuesi i tyre  i nderuar. Brez pas brezi kështu e kanë quajtur krijimtarinë poetike poetët tanë: punë militante. Ata që e kanë shkëputur krijimtarinë poetike nga nga misioni militant, nga shërbimi ndaj popullit, kanë dështuar si poetë edhe në se kanë patur talent. Në kohën kur jetonte ai, krijonte në Francë edhe Sharl Bodleri. Njëmbëdhjetë vjeç ishte Naimi, kur Bodleri botonte “Lulet e së keqes”. Mund t’i shkruante edhe ai “ Lulet e së keqes”, por këtë s’e bëri, shkroi “Lulet e Verës”, se kjo i duhej Shqipërisë. Ne poetët kemi mësuar e mësojmë nga militantizmi i Naimit, po edhe nga ëmbëlsia e gjuhës së tij, nga tingulli i fjalës së pastër. Fjalën naimjane të duket sikur e prek me dorë, të duket sikur dëgjon jehonën e saj tek ecën nëpër male. Dhe ti duke vërshëllyer e përsërit me vete. Kudo të ndjek ajo fjalë, se ai me punën e tij, do të thosha prej bualli, e pastroi nga ndryshku i huaj, e pastroi siç pastrojnë ustallarët mermerin për të shkëlqyer. Më kujtohet një shprehje e Rafaelit, afërsisht kështu: “kur gjithë bota qan, ti nuk duhet të qeshësh”. Kur Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe bëlbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë. Prandaj ne i heqim kapelën dhe themi: “punove mirë, usta”! /KultPlus.com

Naim Frashëri dhe Uollt Uitman

Ese nga Natasha Lako

Në hyrjet kryesore të stacionit të metrosë së Dupont Circle në Washington D.C., nga punëtorët nëpër skela të lartësive që kushedisekur, kanë mbetur të gdhendur vargje të Uollt Uitmanit që flasin për lumturinë dhe dhimbjen. Ndoshta në nderim të kujtimeve, kur si vullnetar, ky poet botëror shërbeu për të plagosurit e Luftës Civile në një spital, mundet aty pranë.

Në Shqipëri nuk gjendet ndonjë varg naimian i gdhendur diku, thua se mund të shkruhet dhe të fshihet nëpër tabelat e dërrasave të zeza shkollore ose në ekranet e tabloideve fëminore… Sepse poezia e Naimit ngulitet në kokë në vegjëli. Dhe kaq.

Të dy i takojnë një shekulli. Atij të trenit, makinës me avull, shtypshkronjave, vështrimit nga Europa, shpërbërjeve të pazakonta të periferive të pushteteve dhe betejave kundër skllavërimit që nuk shter.

Të dy përcaktohen si burra të një force epike. Të dy punojnë përkohësisht në administratën shtetërore dhe të dy, në një formë apo në një tjetër, konsiderohen për kohën mjaft ofensivë.

Ati, vëllai, xhaxhai, si quhet deri më sot Uitmani prej poetëve amerikanë dhe aleati me çdo njeri të botës, i lindur në 31 Maj të vitit 1819, është ndarë nga jeta në vitin 1892.

Naim Frashëri, burri i një lëngate të gjatë tuberkulare, po aq aleat me dhimbjen, me bukurinë dhe i paepur; njeriu që brenda Perandorisë Otomane i dha Kristoforidhit lejen e parë të botimit ku shfaqej gjuha shqipe, ka lindur më 25 Maj të vitit 1846. Është ndarë nga jeta në vitin 1900.

Libri “Fije bari” i Uollt Uitmanit, u botua në vitin 1955 dhe hyri në histori, megjithëse 1000 kopjet e tij të para as nuk u shitën dhe emri i tij mbeti për një kohë të gjatë i pashkruar, deri sa u shfaq poezia për vdekjen e Linkolnit:

O kapiten, kapiten…”

Uollt Uitman

Emri i Naimit as nuk mund të guxohej të shkruhej në botimin që tronditi shqiptarët si “Historia e Skënderbeut”. Emri i tij nuk u shfaq as te revista “Dituria” e Stambollit në botimin e poezive “Fjalët e qiririt” dhe “Manushaqes” së vitit 1884, që e bëjnë të famshëm deri sot.

Dhe dihet që brenda kësaj fshehtësie shpërthyese, botimi i librit “Lulet e verës” në vitin 1890, i dha emrin e tij përfundimtar. Si krijues i madh.

Të dy sfidojnë gjithë mekanizmat e ngritur, gjithnjë, qoftë në favor të një njeriu të vetëm.

Të dy me vargjet e tyre e rrëmbejnë lexuesin si në rrymat dhe gurgullimat e lumenjve shtratgjerë, që marrin me vete kumbime njerëzore. Aq sa poema “Bagëti dhe Bujqësi”, në dëshirën ngazëllyese të njerëzve, lë herë pas here të pashfaqur plotësisht në botime, revoltën e madhe të poetit për vuajtjen, padrejtësinë, varfërinë dhe pabarazinë, fije këto të lidhjeve të forta shoqërore të poetit me çdo njeri…

Të dy kanë numeracione të pafundme, në një shkallëzim të një shpirti me një frymëmarrje të thellë.

Naimi flet për çukat, kodrat, brigjet, gërxhet dhe lumenjtë e tij të kulluar, që thellojnë shtratin dhe herë krijojnë përmbytje të mëdha.

O kënaqësi që japin lisat, kopshti, korija, dushku, qitrat, pisha, pekani.

O të kuptosh hapësirën”, këndon Uollt Uitmani.

Të dy në enumeracione të drejtpërdrejta lidhen me çdo frymë krahine, njëri duke jetuar në botën më të vjetër, tjetri duke jetuar në botën më të re.

Me Naimin arrihen dimensione largësie, si në poezinë: “Hëna” kur ai e pyet:

Sa Sokratë na ke parë të helmuar,

Sa Josefë pre për ujqër të tërbuar.

Dhe Uollt UItmani në poezinë: “Themeli i gjithë metafizikës”, këndon:

Pasi studiova e shpjegova Kantin, Fichte, Shilling, Hegelin,

Shpjegova dijen e Platonit e të Sokratit, më i madh se Platoni.”

Dhe më pas Naimi thotë:

Mendja ime, që s’gjen prehje, bën kërkime,

Dhe rropatet me aq pyetje e mërmërime

Kush? Pse? Çfarë? Ku e kur? E si e sa?

Por më kot se nga çdo anë tallje ka.”

Dhe lexuesit i duket se përsëri po flitet për ditët e sotme.

Dhe nëse Naim Frashëri mbetet demokrati i parë i shqiptarëve, Uollt Uitmani mbetet demokrati i paparashikuar i gjithë botës.

Uollt Uitmani mund të përgjigjet, sikur të ketë parë edhe emigranten e sotme shqiptare, që sa i ka rënë lotaria amerikane.

“Eja muzë kalo prej Greqisë dhe Jonisë,

Të lutem fshiji ato llogaritë e vjetra të paguara shtrenjtë.”

Edhe në qoftë se ju miqtë e mi nuk e shihni, unë e shoh emigranten e shkëlqyer,

E pamërzitur nga ujësjellësit dhe gazometat e plehërat kimike,

Buzëqeshur e kënaqur me dëshirën që të rrijë,

Ja tek është e vendosur në mes enëve të kuzhinës.

Dhe ai e vë, si asnjeri tjetër, në një pozitë të re lirie shoqërore, edhe gruan që lëpin zemrën e një burri me kraharor të zbuluar.

E ndërsa Uollt Uitmani, ky i pashtershëm në zgjerimin e një vëllimi të vetëm, thotë: “Dielli im ka një diell dhe dielli im vërtitet me bindje rreth tij”, ai punon njësoj si ata piktorët që e shpërthejnë temën e tyre, duke krijuar një gjithësi të papërseritshme dhe duke krijuar një leksik jashtëzakonisht të pasur dhe përtëritës.

Ndërsa, Naimi, diejt e tij të vegjël i shpërndan deri në tekstet shkollore, me misionin e madh të një gjuhe të pauzurpuar.

Të dy panteistë sa më s’ka dhe transcedentalë sa më s’ka, vetëm në raste të rralla mund ta përqendrojnë figuracionin në një objekt të përcaktuar, pasi ai niset të shtrijë krahët për të përmbledhur gjithë botën. Dhe Naimi është gati të bëhet natyrë çdo çast, së bashku me Uollt Uitmanin.

Dhe kështu dy poetë që nuk u njohën kurrë, takohen me njëri-tjetrin në këtë pambarimësi. Dhe dimensionet e kësaj dashurie për njeriun dhe jetën janë aq të beftë dhe të freskët në poezinë e Uollt Uitmanit, njësoj si gaforret e tij poetike të saponxjerra prej detit.

Dhe Naim Frashëri te poezia “Deti”, këndon.

O ti det që t’ep flladitje e gëzim!

Te ti gazin më gjen zemra shpirti im.

Pika jote është e ujërave moria,

Ato Krishti, kurse ti je Shën Mëri.”

Nuk ka poet tjetër që mund ta shihte detin si një bark mëmësor dhe morinë e ujërave si një Krisht i porsalindur dhe ndoshta njëkohësisht i porsakryqëzuar.

Si mund t’i përgjigjet poeti Uollt Uitman, pjesëmarrës nëpër ngjarje, së bashku me breshkën dhe pelën qimekuqe, nuk dihet.

Por ne mund të lexojmë së bashku disa vargje nga “Këngë për veten time”.

Në procesin falik, kërcej rrugëve, jam gjysmë sofist i përmbajtur,

I ashpër në gjirin e pyjeve,

Me kafkë unë pi mjaltë t’egër, nderoj Shastat dhe Vedat, mbaj Kuranin,

Hipi në teokallet të lyera me gjak nga gurët dhe thikat,

trokas me daulle me lëkurë gjarpri.”

Romantizmi ka krijuar gati një oqean me kryevepra, prej të cilit duket sikur për herë të parë, nuk derdhen po burojne dy lumenjtë poetikë realë, që fillojnë të kërkojnë njeriun që deri atëherë as nuk është vënë re. Dhe kjo sjell një pranim të pafund.

Aq sa deri te “Këngë e vdekjes”, Uollt Uitman këndon.

O nënë e zymtë që gjithnjë na afrohesh me çap të butë,

S’të ka kënduar kush një këngë miradije të përzemërt.”

Dhe ja, lozonjar deri edhe me vdekjen është Naimi te poezia “Zonja e fatit kur thotë”:

Qesh njëherë moj leshra krënde,

Me të qarë nuk u dënde.”

Deri tani për Naimin është thënë shumë pak.

Madje janë rrekur ta vënë përballë madhështisë së zhbirimeve, humbjes së shpresës dhe demontimeve estetike të poetëve të tjerë të atij fundshekulli, që ndryshe nga Uitmani dhe ai vetë, jetonin në shoqëri me organizime të pjekura, të lëna si dhurata që të velnin.

Dhe mendoni sikur bota të fillonte të velej nga poezia e Uollt Uitmanit, vetëm e vetëm për hir të dashurisë së pakufishme për veten. Dhe mendoni sikur në SHBA-në e pafund të Uollt Uitmanit, të gjithë ata njerëz që kanë parë fluturimet kozmike dhe jetojnë para ëndrrës për të shkuar në Mars, të mendonin se mund të vjetërohej poezia e Uollt Uitmanit madje edhe vetë himni i amerikanëve, njësoj si kujtohemi ne për të bërë kapërcime të Naimit, për hir të një moderniteti dhe postmoderniteti të kohës së instalacioneve kolektive.

Por është e pamundur të kapërcesh në çdo krijimtari të sotme, pa befasinë e vargut shpërthyes dhe të brendshëm, qoftë te Uitmani qoftë te Frasheri, pa atë zgjerim të pafundmë në marrëdhënien me botën dhe historinë e njeriut, në të tillë plotëri, që ta sjell vetëm e ardhmja dhe besimi te liria njerëzore.

Ndoshta Naim Frashëri dhe Uollt Uitmani mbeten dy poetët më zemërgjerë të botës, të cilët nuk bashkohen vetëm nëpërmjet periudhave historike dhe idealeve të barazisë, por edhe nëpërmjet artit të madh.

Për shqiptarët, të pamësuar edhe me fjalën demokraci, ndonjëherë mbeten edhe të pakuptueshëm.

Dhe vargjet e tyre bëhen edhe më çlirues.

Dhe takimi i tyre është më se tronditës.

Sepse edhe sikur të mos ekzistonte i gjithë korpusi, gati i pafund i secilit, ata i kanë lënë përjetësisht botës, qoftë edhe dy poezi të vogla, ku ata mund të shohin njëri-tjetrin si në një pasqyrë.

Dhe ja ç’thotë Uitmani në poezinë: “E para lule radhiqe”:

E freskët e thjeshtë dhe e bukur,

E çliruar prej robërisë së dimrit,

Sikur të mos kishte në botë modë,

As politikanë, as punë paresh,

Nga një skaj i ngrohur nga dielli në bar,

E rimë, e qetë, e artë si agimi,

E para luleradhiqe e pranverës,

Shfaq fytyrën e saj miturake.

Dhe ja ç’thotë Naimi, mes kataklizmave e trazirave të mëdha… me poezinë: “Lulja”:

N’atë kohë kur ky diell si fener, si dhe toka edhe hëna ish eter,

Dhe kur toka, hëna dielli shkëlqimtar,

U bën avull dhe u mbushën plot me zjarr,

Dhe nga dielli na u ndanë tokë dhe hënë,

Pa u nda dhe hëna shpejt nga toka nënë.

Dhe çdo njeri na u bë në hapësirë,

Yll i zjarrtë që ndriçoi në errësirë,

gjatë kohës, pra, që ndodhën kaq çudi,

O moj lule, ku qe fshehur vallë ti.”

Naimi i dashur më lejon të rrëmbej për këtë poezi të gjitha pasthirrmat e Uollt Uitmanit.

Të them se po flas për dy nga poezitë më të bukura të botës, ku përmblidhet e thjeshta, e vërteta, e pashmangshmja për të jetuar me të gjithë forcën e vet.

Por nuk mund të flas para Uollt Uitmanit, që duket sikur flet vetë me një poet, të cilin, po të mos e thonë shqiptarët, nuk mund ta thotë bota.

Por Uollt Uitmani duket sikur e ka ditur, kur shkruan:

Shok po të jap dorën!

Po të jap dashurinë q’është më e shtrenjtë se floriri,

Po të jap veten time, në vend të predkut dhe ligjit.

A ma jep ti veten tënde? A vjen të udhëtosh me mua?

A do që të qëndrojmë bashkë tërë jetën?”

Më bukur që nuk diheshin këta dy poetë. Sepse bota duket edhe më e madhe.

25 Maj, 2020 Marrë nga gazeta “Mapo”. /KultPlus.com

Tradhëtorët

Poezi nga Naim Frashëri

Shokë, kemi në mest tënë
Shum` armik` e trathëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s`kanë gjë në dorë.

Harruanë mëmëdhenë
Dh` e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qoftë thënë!

Lanë zonjën e lëvduar
E zunë një kurvë shtrigë,
Të ndyr` e të mallëkuar,
Të fëlliqur e të ligë.

Lanë mëmën të xhveshur
Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota duke qeshur
U thotë: mundohi kotë!

Qysh u bënë Efialtë
E nuk e njohin të mirën,
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!

Buk` e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë!
Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!

Miqt` armiq i kanë bërë,
Armikëtë miq i zunë,
Qysh janë fyell të tërë!
Ç`është kjo e madhe punë!

Fajn` e math kur do ta njohin
Njerëzit e mallëkuar?
Dritënë pse nuk e shohin,
Apo janë të verbuar?

Janë së gjithash të marrë
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë,

Se mbretëron e vërteta,
S`del kurrë gënjeshtr` e shkretë
T`ish ashtu, qe prishur jeta,
S`kish mbetur gjë e vërtetë.

Ata turpinë fitojnë,
Nder` e tyre posht` e hedhin
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.

Nuk është kurrë haruar
Dh`e mira dh`e lig` e shkretë,
Të gjitha janë paguar,
S`ka mbeturë gjë në jetë.

Lerini, pa do ta gjejnë,
Të vërtetën do ta njohin,
Se tani s`e dinë ç`bëjnë,
Janë të verbër e s`shohin.

O, popo ç`turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë
Dhe s`janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë.

Me të huajnë u bënë,
Me armikn` e Shqipërisë,
S`duanë gjuhënë tënë
Armikët` e Perëndisë!

Ndjej, o Zot, se nukë dinë
Se ç`bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë
Pun` e lig` edh` e mërzitur.

Të gjorët janë në gjumë,
Të vërtetënë s`e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pasdaj mënttë do t`u vinë.

Vëllazërin` e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë,
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s`dinë se ku venë.

Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt` e tupërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pasdaj do të pendohi.

Pema e rrallë, që Naim Frashëri mbolli në Sarandë, sot kërkon shpëtim

Dëshmia e Moikom Zeqos: “…Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit.

Pema e madhe e piperit është aty, në zemër të Sarandës, në vendin e braktisur që është ende në një ankand shtetëror të bërë e të anuluar. Mund të këtë sot 145 vjeç dhe mezi mbahet në këmbë. Kushedi kush e dëshiron këtë vend në kërthizë të qytetit e shpresojmë që një njëri i mirë ta marrë e ta vlerësojë. Apo ndonjë që as nuk do t’ia dijë për pemën e piperit?

Pakkush e di që Rilindasi ynë Kombëtar, Naim Frashëri, ka jetuar e punuar në Sarandë për pak vite në të largëtin 1874-76. Ishte nëpunës i doganës së qytetit jugor dhe në këtë kohë mik i çmuar i Hasan Tahsinit. Me disa ditë pushime në qytetin tonë në breg të detit Jon, edhe unë duke shijuar bukuritë, mikëpritjen, ushqimin, kërkova me ngulm të gjeja ndonjë gjurmë të Naimit. Librin e Moikom Zeqos mbi Naim Frashërin e Bektashizmin “Syri i Tretë” e kisha lexuar, por një rilexim pas ikjes së tij nga kjo jetë, më erdhi natyrshëm ta bëja. Dhe aty, në faqen 281 ka një dëshmi befasuese, një sinjal, një shenjë: “… Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit. Naim Frashëri tani nuk është më, por drurët e piperit janë, të cuditëshme si dy qënie jashtëtokësorësh në këto brigje jonike, si dy emigrantë të habitshëm dhe të pa shpërbëshëm në klimën dhe peizazhin jonik…”, shkruante Moikom Zeqo në 2001, 19 vite më parë.

Në Sarandë pak e dinë këtë histori. Disa nuk e kanë dëgjuar asnjëherë, por gazetari i Report Tv Limos Didani e gjeti pemën e vjetër të piperit. Ishte këtu. Në qendër të qytetit bregdetar, në një vend të braktisur e ndoshta më të lënin pasdore se kudo.

Këtu jam edhe unë. Pema është e vuajtur, e gërryer, e vjetër, është vetëm 1, ndryshe nga dëshmia në libër. Ndoshta ka qenë dhe një tjetër më parë, tani nuk është më. Të jetë kjo pemë piperi vallë e mbjellë me duart e Naimit, siç dëshmon agronomi e shkencëtari i bujqësisë,(për fat të keq edhe ai nuk jeton më), Ahmet Osja? Ekspertët mund të llogarisin kollaj moshën e saj për të kuptuar nëse është pema që mbolli Naim Frashëri, apo një rimbjellje në kohë? Nëse do të ishte pema e piperit gati 145 vjeçare do të kishte një vlerë të jashtëzakonshme natyrore, nëse do të ishte vërtetë pema e Naimit, vlera dhe misioni për ta shpëtuar e rivlerësuar është e shumëfishtë, e jashtëzakonshme për Sarandën e Shqipërinë mbarë.

Nuk e di sa e rastësishme është ardhja ime këtë vit këtu, nuk e di nëse dy burra të nderuar si Moikom Zeqo dhe Ahmet Osja kanë të drejtë, por unë dua shumë ta besoj që këtë pemë të bukur, të vjetër, plot plagë e dhimbje, këtë pemë të piperit ta ketë mbjellë Naim Frashëri siç thonë, më i miri dhe më i madhi nga poetët tanë. Kanë shkruar dhe e kanë admiruar të gjithë Naimin: Lasgush Poradeci e kishte idhull, Kadareja “vdiste” për të, Dritëro Agolli e kishtë në zemër, Rexhep Qosja e Dhimitër Shuteriqi janë ndër më të mëdhenjtë studiues të tij. Që Naim Frashëri punoi në Doganë, është pak e sikletshme ta thuash sot, sidomos në ditët kur doganierët nuk mund të jenë kurrësesi naimë, e megjithatë, Dogana, Saranda, pema e piperit janë dëshmi të një Shqipëria të mirë, të pastër, të drejtë, të bukur e njerëzore. Moikom Zeqo fliste shumë me gazetarët, i donte shumë si lajmës të të vërtetave, të fakteve. Sigurisht fliste me ata gazetarë që dinë të dëgjojnë, jo me kë vetëm flet e flet papushim. Kërkonte gjithmonë t’i ngacmonte, t’i inkurajonte për të gjetur lajmin e mirë, lajmin që do t’i shërbejë më shumë Shqipërisë.

Saranda është kthyer në këto ditë të nxehta në një kantier ndërtimi: Pikërisht Bulevardi “Naim Frashëri” do të bëhet më i bukur se kurrë. Dy shqiptarë të nderuar dëshmuan dhe na e lënë amanet se atë pemë të rrallë piperi, vetëm Naimi e ka mbjellë me duart e tij. Ndërsa ne shqiptarët modernë po mbjellim pemë në çdo cep, sa bukur dhe mirë do të ishte të ruanim dhe shpëtonim pemën e tij. Pema e rrallë dhe e e bukur dhe me vlerë e Naim Frashërit në Sarandë/Shqiptarja / KultPlus.com

1 qershori i solli në jetë vëllezërit Abdyl dhe Sami Frashëri

Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi, Samiu përbëjnë trinomin e veçantë të historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Kontributi që këta tre frashëriotë i kanë dhënë kombit e Atdheut pa dyshim se është kontributi më i çmuar dhe më i rëndësishëm i kohës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Abdyl Frashëri lindi në vitin 1839 në fshatin Frashër  të Shqipërisë, në një familje të gjendjes së mesme ekonomike.  Ishte djali i Halit dhe Emine Mirahorit-Frashëri. Vdiq më 23 tetor të vitit 1892 në Stamboll, të Turqisë.  Avdyli ka qenë atdhetar i përkushtuar e çështjes kombëtare shqiptare një nga ideologët përparimtarë të Rilindjes Kombëtare dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qeveria dhe shteti shqiptar e ka shpallur Hero të Popullit.

Lindi në Frashër të Përmetit në familjen e një  vëllai i madh i Naim Frashërit dhe Sami Frashërit, fis Dakollarësh nga Dera e madhe Frashëri. Abdyl Frashëri e kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane. Por shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e Perandorisë Ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane dështuan gjithashtu mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të Pavarur në kufijtë e saj etnikë.

Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri (atëherë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman), u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stamboilit). Si kryetar i tij ai dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane dhe sidomos pas nënshkrimit të Traktatif të Shën Stefanit. Sipas tezës së Abdyl Frashëri në kushtet e krijuara nga prirjet ekspansioniste të Rusisë cariste, nga interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur më këmbë Perandorinë Osmane dhe nga synimet e monarkive ballkanike fqinjë për ta copëtuar Shqipërinë, zgjidhja më e përshtatshme (një zgjidhje kjo e përkohshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suverenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.

Si një nga autorët kryesorë të platformës politike të Komitetit Qendror të Stambollit, të cilën Abdyl Frashëri e parashtroi publikisht edhe me anën e artikujve që botoi në disa organe të shtypit evropian gjatë pranverës së vitit 1878, ai mori pjesë aktivisht në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas themelimit të Lidhjes, e cila e adoptoi këtë platformë, Abdyl Frashëri. u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Nuk e shkëputi asnjëherë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare ose nga komitetet ndërkrahinore të saj. Kudo udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i koinisionit të punëve të jashtme të saj. Ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës (1 nëntor 1878), ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i vilajetit të bashkuar autonom të Shqipërisë. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Në pranverën e vitit 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. Abdyl Frashëri, ishte promotori i projektit që miratoi Kuvendi i Dytë i Frashërit për të formuar qeverinë e përkohshme. Ai udhëhoqi gjithashtu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës që u shpreh për krijimin e shtetit autonom shqiptar me anën e lëvizjes së armatosur.

Abdyl Frashëri, e mbrojti programin e Gjirokastrës në Kuvendin e Dytë të Dibrës ku udhëhoqi si gjithnjë krahun radikal të lëvizjes. Edhe pse programi i autonomisë nuk u pranua nga përfaqësuesit e rrymës së moderuar, ai kaloi në Kosovë dhe aty së bashku me bashkëluftëtarët e vet kosovarë, vuri në jetë vendimet e Gjirokastrës. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren në fillim të vint 1881 dhe dha një kontribut të rëndësishëm né përgatitjet politike dhe ushtarake që u morën për mbrojtjen e autonomisë kundër ekspeditës ushtarake osmane.

Pas shtypjes së Lidhjes, u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm. Megjithatë, pasi qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj, për arsye shëndetësore u lirua, por me kusht që të hiqte dorë nga veprimtaria politike patriotike. Edhe pse i sëmurë dhe i izoluar, ai e vazhdoi veprimtarinë patriotike derisa vdiq në Stamboll më 23 tetor të vitit 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978. (Vikipidia)

Kastriot Bezati: Vëllezërit Frashëri

Frashëri, vendlindja e Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, ka qenë dhe është kryeqendra e Dangëllisë. Emrin e tij, fshati, Frashëri, e ka marrë nga pema pyjore “Frashër”, ndërsa krahina, Dangëllia, e ka marër emrin nga fjala turke “Dag-ili”, që do të thotë “Malësi”, – ka shkruar Sami Frashëri. Emrin krahinës  ia dhanë osmanët në fillim të shekullit XVII. Më parë, në shekullin XIV, krahina quhej “Malakas” dhe qendra e saj ishte fshati “Malakas”, i cili ndodhej jo shumë larg Frashërit, në shpatin perëndimor të malit Radomir, – thotë Kristo Frashëri. Emërtimi turqisht “Dangëlli” është një përkthim i emrit  “Malakas”, që në rrënjë ka fjalën shqipe “Mal” në kuptimin “Malësi”.

Dangëllia, si hapësirë gjeografike, në ecurinë historike ka ndryshuar, herë ka pasur më shumë dhe herë ka pasur më pak fshatra, si përshembull: më 1850 përfshinte 48 fshatra, më 1896–28, në vitet ’40 të shekullit XX kishte 22, ndërsa sot Komuna e Frashërit ka 12 fshatra: Frashëri, Miçani, Zavalani, Gostivishti, Ogreni, Kreshova, Vërçishti, Gostomicka, Suropulli, Koblara, Kostreci dhe Selenica.

Frashëri ngrihet rrëzë malit të Kokojkës, 1030 metra mbi nivelin e detit, me hapësirë relievi 15.5 km2. Frashëri, përmendet për herë të parë si vendbanim në Regjistrin ixhmal të Vilajetit të Përmetit dhe të Korçës, hartuar në vitet 1431-1432, me emrin Fraxhili, ndërsa ashtu si e shqiptojmë sot, Frashëri,  del për herë të parë në vitin 1506, në Defterin mufasal të Vlorës. Popullsia: më 1431 – 12 shtëpi, më 1506 – 41, më 1583 – 58 shtëpi. Në mesin e shekullit XX kishte 22 lagje dhe një treg prej 20 dyqanesh. Në këto vite kishte jo më pak se 300 shtëpi, sipas historianit Kristo Frashëri, dhe jo më shumë se 350 shtëpi sipas shtetarit Medi Frashëri. Ishte “një qytet i vogël malor”, – shkruan Sami Frashëri në veprën e tij Kamus-ul-Alam. Lagjet: Sulejmanbellinjtë, Dukollarët ose Dulellarët, Skënderajt, Lahçenjtë ose Haxhillarët, Velibellarët, Kasollarët, Dhamellarët, Karafilbejtë, Cërrasit, Bakasit, Vilakët, Lopësit, Begmeçasit apo Begasit, Qyrasit, Arapasit, Aliçkasit apo Çokllarët, Liçollarët, Rasetasit, Kisha apo Ninkat, Panollarët, Çobenët dhe Beçllarët. Më 1912 ishte rreth 1180 banorë. U dogj tërësisht më 6 maj 1914 nga okupacioni i Greqisë. Më 1923 kishte 302 banorë, më 1990 – 91 familje me 432 banorë dhe më 2009 kishte 53 familje me 186 banorë. Më 2008 si komunë kishte 1555 banorë. Sot, më 22.07. 2012, fshati ka realisht 7 shtëpi me  32  banorë, shumë më pak seç kishte në shekullin XV.

 Dulellarët  apo Dukollaret

Dukollarët apo Dulellaret janë vendas apo të ardhur në Frashër? Të dy këto mendime  janë të ngritura dhe të parashtruara në punimet e botuara historike si dhe në publicistikë e masmedia. Idea se janë të ardhur është sjellë nga Mit’hat Frashëri në jetëshkrimin e Naim Frashërit, Sofie, 1901, botuar me emrin Mali Kokojka, ndërsa ideja se janë autoktonë është mbrojtur më 1982 nga Dhimitër Shuteriqi në librin “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982, dhe, sidomos, nga Kristo Frashëri në librin “Abdyl Frashëri”, Tiranë, 1984.

“Bejlerët e Frashërit rrjedhin nga një i quajtur Ajaz Bej dhe tani përbëhen nga 40 – 50 shtëpi”, – shkruan Sami Frashëri në veprën “Kamus ul Alam”, Vëll. V, Istanbul, 1896.  Ajaz Beu,- vazhdon më tej Sami Frashëri, – është nga  Tomorica, të cilin  Porta e Lartë e internoi familjarisht nga Tomorica në Stanimakë, sot Asenovgradi i Bullgarisë. Kur u bë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane  Mehmet Pashë Qypriliu nga Roshniku i Beratit, i cili qeverisi në hapësirën e viteve 1656 – 1661, familja e Ajaz Beut u lejua të kthehej ne Shqipëri duke iu dhënë si timar Frashëri në Dangëlli dhe disa fshatra në Myzeqe dhe, fëmijët e Ajazit, zgjodhën si vëndbanim Frashërin e Përmetit. Këto thotë Sami Frashëri dhe nuk thotë që familja e Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, e ka prejardhjen nga Ajaz Beu i Tomoricës. Edhe në autobiografinë e vet, botuar në “Serveti Funun”, Istanbul, 19.06.1896, edhe kur trajtoi biografinë e vëllait të madh, të Abdyl Frashërit, Kamus ul Alam, Istanbul, Vell.V, 1896, Sami Frashëri nuk thotë se familja e tij rridhte nga Ajaz Beu i Tomoricës, – thotë Kristo Frashëri.

Mit’hat Frashëri, në jetëshkrimin mbi Naim Frashërin, Sofie, 1901,  shkruan: “Më 1570 Hamza Beu, i pari i Tomoricës, desh të shtojë urdhërin e tij dhe të marrë në mproje Skraparin, Oparin, Vërçën …U zu i gjallë dhe me gjithë fëmijë u dërgua në Stanimakë, ku ndenji 70 vjet. Më 1656 në kohën e Mehmet Pashë Qypriliut, kushëri i tyre, u fal Ajaz Beu, i nipi i Hamzait dhe ju dha në mprojë Frashëri, Mërtinja, Xhanjani, Topojani dhe në Vlorë Kudhësi, Armeja dhe ca fshatra në Myzeqe, po Ajazi pëlqeu Frashërin për të ndënjur se është vënd i fortë. Kur erdhi Ajazi në Frashër atje gjeti fëmijë parësie: Aliçkajt, Cërasit, Bregasit dhe Bakasit”. Më tej Mit’hat Frashëri shkruan se nga fisi i Ajaz Beut e kane prejardhjen edhe Dulellarët e Frashërit.

“Ky pohim, i cili është marrë në fakt nga mjaft studimtarë, nuk është i saktë”, – shkruan Kristo Frashëri në librin “Abdyl Frashëri”. “Nuk del që Dakollarët , siç quhen Vëllezërit Frashëri të jenë pasardhës të Ajaz Beut … Një bej i shek XIX, ndofta i frashëriotit Tahir Nasibiu, që jetoi përpara Naimit, me Ajazin lidh vetëm dy familje të Frashërit, Sulejmanbellinjtë e Vilakët”, – thotë Dhimitër Shuteriqi në librin “Naim Frashëri”. Tahir Skënderasit i referohet ndër të tjera edhe Kristo Frashëri, i cili shkruan: “Në një poemë shqipe kushtuar Frashërit prej 82 katrorësh (328 vargje) që la në dorshkrim Tahir Skënderi apo Tahir Dedej, një frashërlli i kulturuar nga lagjja Skënderas, i cili vdiq më 1834, … poema që ne sot kemi në dorë katër katrorë, në njërin nga të cilët trajtohen si familje të ardhura nga Stanimaka vetëm Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët”. Vite më vonë, në librin “Frashëri – Shkëlqimi dhe rrënimi i tij”, Tiranë, 2010, Kristo Frashëri shkruan: ”Emrin e Ajaz Beut nga Frasheri … e ndeshim në Kodeksin e Manastirit të Shën Prodhomit në Voskopojë. Aty thuhet tekstualisht se: “1728: në kohën e igumenit Niqifor, Bondua, biri i Ajaz Beut nga Frashëri, vrau Theodor Paskalin nga Voskopoja në çifligun e tij në Barç” dhe, ndër të tjera, po në këtë kodik, thuhet ”1731: sulltan Mahmuti .. vrau Ajaz Beun nga Frashëri dhe Bondon”. Të dhënat e këtij kodiku flasin se nuk është viti 1650 viti  i largimit të Ajaz Beut nga Stanimaka e vendosja e tij në Frashër, nuk është koha e Mehmet Pashë Qypriliut por koha e Veziratit të Qyprilinjëve, e cila vazhdoi deri më 1735: pas Mehmet Qypriliut, i cili e mori mbiemrin “Qyprili” nga qyteza “Qypry” në zëmër të Anadollit, kemi: Fazil Ahmet Pasha (1661-1676), Kara Mustafa Pasha (1676-1683), Fazil Mustafa Qypriliu (1689-1691), Hysen Qypriliu (1697-1702), Numan Qypriliu (1710-1711) dhe Abdullah Qypriliu (1723-1735).

Kristo Frashëri dhe Dhimitër Shuteriqi, nisur kryesisht nga shkrimet e Sami Frashërit në “Kamus ul Alam” dhe “Serveti Funun”, nga vargjet e poemës së Tahir Nasibiut kushtuar Frashërit dhe nga të dhënat e Kodikut të Manastirit të Shën Prodhomit në Voskopojë, konkludojnë se Vëllezërit Frashëri nuk janë me prejardhje nga Ajaz Beu i Tomoricës por  bij të mëdhenj të familjes autoktone të Dukollarëve apo Dulellarëve të Frashërit të Përmetit.

Prindërit e Vëllezërve Frashëri

Shënimet gjenealogjike të famijes së Dulellarëve, të cilat  të mikrofilmuara ndodhen në Institutin e Historisë në Tiranë, shkojnë deri te Beqiri, katragjyshi i Vëllezërve Frashëri, i cili ka jetuar në shekullin XVIII. Studiuesi turk A.S.Levend, në librin “Semsettin Sami”, Ankara, 1969, thotë se ai ka qenë spahi, por nuk thotë se ku ndodhej timari i Beqirit. Djali i parë i Beqirit ishte  Fejzullahu, i cili në fshat thirrej shkurtimisht Duko, ndaj dhe fëmijët e tij u quajtën Dukollarë. Djali i tij i dyte ishte  Muhtari, i cili  thirrej në fshat me emrin Tare dhe fëmijët e tij u quajtën Tarenj. Studiuesi, Alfred Frashëri, në librin  “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007, thotë se Beqiri kishte edhe tre djem të tjerë, që ishin: Kajmaku, Jakupi dhe Mahmuti. Fejzullahu, sipas traditës gojore, kishte një djalë, që u quajt Abdullah Hysni, shkurtimisht Dule, i cili pati dy djem, Halitin dhe Durmishin, –  shkruan  Kristo Frashëri. Familja që krijoi Halit Frashëri u njoh në Frashër me emrin e Dules – familja e Dulellarëve, kurse pasardhesit e Durmish Frashërit ruajtën emrin e mëparshëm, vazhduan të thëriteshin familja e Dukollarëve, ashtu si thirreshin më parë edhe fëmijët e pasardhësit e Fejzullahut.

Në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Abdulla Hysni, Dulja, u vendos me familje në Janinë, ku më 1797 lindi Haliti dhe më 1801 Durmishi. Dy vëllezërit pas disa vitesh u kthyen në Frashër. Haliti në vitet ’20 të shekullit XIX hyri në shërbim të Mehmed Reshid Pashës me detyrën e serçeshmes, intedentit, ndihmës i serqedes, komandant i reparteve bashibozuke, – shkruan Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Istanbul, Vëll. III, 1891. Me këtë detyrë ai mori pjesë, nën urdhërat e Mehmd Reshidit, më 1824, në luftimet që u zhvilluan në territorin grek ku edhe u plagos, – vazhdon  Sami Frashëri dhe më tej, Sami Frashëri, thotë se i ati, Halidi, tregoi simpati për reformat centralizuese osmane dhe përkrahu Mehmed Reshid Pashën për t’i zbatuar këto reforma në Shqipëri. Halidi nuk u bë oficer i karrierës por mbeti i lidhur pas ofiqit të serçeshmes, që e detyronte të shkonte në luftë me harxhe sa herë e thërriste Porta e Lartë. Më 1854, ai shkoi me harxhe në Thesali, ku mori me vete edhe djalin e madh, Abdylin, dhe, tre vjet më vonë, më 1857, Halidi u nis së bashku me Abdylin në Janinë, ku dhe u nda nga jeta më 19 janar 1859.

Halitit, gruaja e parë nuk i dha asnjë fëmijë dhe, me vdekjen e saj, u martua me Eminenë nga familja përmetare e Mirahorëve që banonte në  Korçë. Emineja lindi në Korçë më 3 maj 1814. I ati i saj, Islam Mirahori, ishte biri i Hysen Mirahorit,  i cili i takonte brezit te dhjete   pasardhës te  Iljaz Bej Mirahorit, dhëndrit të Sulltan Mehmetit I, themeluesit  të qytetit të Korçës. E ëma e Eminese,  Zymbylja, ishte e bija e Mehmet Pashë Plasës, edhe ky pesonalitet i trevës së Korçës, në shek. XIX. Iljazi u lind në hapësirën e viteve 1408 – 1420 në fshatin Panarit, i cili  në atë kohë bënte pjesë në Kazanë e Përmetit. U muar peng nga Murati II, sulltan në vitet 1421 – 1451. U martua si cilësuam me të bijën e sulltan Mehmetit II, 1430-1481, i cili hipi në fron më 1451 pas vdekjes së të atit Muratit II. Iljaz Mirahori luftoi për marrjen nga turqit të Konstandinopojës më 29 maj 1453. Në kohën e mbretërimit të Bajazitit II, 1481 – 1512, u emërua sanxhakbej i Janinës. U kthye në Korçe më 1484 dhe, në periudhën midis viteve 1484 – 1495, iu dhanë si pronë private nga Sulltan Bajaziti II disa fshatra, si: Panariti, Trebicka, Treska, Vodica, Stratobërdha të Kazasë së Përmetit dhe Leshnja, Vithkuqi, Boboshtica të Kazasë së Korçës, shkruan historiani Ferid Duka, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëll.II, 2008. Më pas në vënd të Treskës dhe Panaritit iu dha nga sulltani fshati Peskopje dhe, me marrjen në pronësi të këtij fshati, si dhe te fshatit më të vogël Gjoricë, të cilët ndaheshin nga ujërat e lumit të Moravës, në relievin e këtyre fshatrave, sidomos të fshatit Peskopje, në vitet 1494 – 1496, hodhi themelet dhe filloi ndërtimin e qytetit te Korçës. Iljaz bej Mirahori ndërtoi xhaminë, tyrben, hane, hamame, imaretin, pazarin dhe hapi institucionin arsimor me veprimtari fetare e shkencore – Medresenë e Korçës. Qyteti i Korçës është themeluar dhe ndërtuar nga Iljaz Bej Mirahori në periudhën e Sulltan Bajazitit II, – shkruan Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Istanbul, Vëll. V, 1896. Iljaz bej Mirahori vdiq më 1512, ndërsa stërmbersa e tij, Emine Mirahori, gruaja e Halid Frashërit, u nda nga jeta në Frasher më  28  prill 1861.

Emine dhe Halit Frashëri patën tetë fëmijë: gjashtë djem e dy vajza dhe të gjithë lindën në Frashër.  Djali i parë lindi më 29 gusht 1839 dhe i vunë emrin e gjyshit,  Abdullah  Hysni, por në fshat  u thir shkurtimisht Abdyl, kurse në familje akoma më shkurtimisht Dule. U nda nga jeta më 23 tetor 1892 në Stamboll. Dy vjet më vonë, më 1841,  lindi fëmija e dytë, një vajzë, të cilën e quajtën Nefise. Më 13 dhjetor 1843 lindi Sherifi, i cili u nda shpej nga jeta, më 8 maj 1874 në Janinë. Më 25  maj 1846, Emineja lindi dy binjakë, njëri nga të cilët vdiq në shpergënj, ndërsa tjetri, që ishte gjithashtu i dobët, i vunë një emër ogurmirë, e quajtën Naim, që në arabisht do të thotë i fuqishëm, i cili u nda nga jeta më 20 tetor 1900 në Stamboll. Fëmija i pestë lindi më 1848, ishte vajzë dhe i vunë emrin Shahnisha, e cila jetoi vetëm 23 vjet, u nda nga jeta më 1871. Samiu ishte fëmija i gjashtë,  lindi më 1 qershor 1850 dhe u nda nga jeta në Stamboll më 18 qershor 1904. Tre vjet më vonë, më 27 janar 1853 lindi Tahsini, i cili jetoi sa Shanishaja, 23 vjet, u nda nga jeta  në Janinë më 23 prill 1876. Fëmija i fundit, djali i gjashtë, ishte Mehmeti, u lind më 26 tetor 1856 dhe u nda nga jeta në Tiranë  më 21 dhjetor 1918.

Shtëpia e Halit Frashërit ndodhej në shpatin e Kokojkës, në mes të fshatit, në lagjen Dulellarë. U rënua më 1892. U ringrit mbi themelet sipas  projektit të hartuar nga Xhovalin Kroqi dhe u kthye në muze memorial kushtuar vëllezërve Frashëri më 16 qershor 1974. Ishin te pranishëm në këtë ditë të përurimit, ndër shumë të tjerë, edhe mbesa e Naimit, Naime Rusi, si dhe nipi i Samiut, Emin Ereri.  Shtëpia është  me dy kate, ndërtuar me gurë të zinj dhe çati me rasa guri. Ka dhjetë dhoma. Përbëhet nga dy korridore me përmasa të mëdha, në çdo kat janë nga tre dhoma të rreshtuara në vijë të drejtë në të majtë kur hyn në ndërtesë, nga një dhomë si poshtë e lart përballë hyrjes e në tërë gjerësinë e korridorit dhe e pesta e katit të parë dhe e dhjeta e katit të dytë, ndodhen në të djathtë kur hyn në shtëpi  e ngjitur me fasadën e ndërtesës. Nga kati i parë në të dytin ngjitesh nëpërmjet shkallëve të drunjta me parmak. Përballë shtëpisë, mbi podiume, lartësohen pranë njëri tjetrit ashtu si kanë qënë në jetë, me vështrim nga fshati e lindja e diellit dhe me shpinë nga mali i Kokojkës, bustet e tre vëllezërve Frashëri,  Abdylit, Naimit dhe Samiut, punime të skulptorit të madh, përmetarit Odise Paskali. /KultPlus.com

Fjalët e qiririt

Poezi nga Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?

174 vjet nga lindja e Naim Frashërit, bilbilit të gjuhës shqipe

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.

Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.

Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj..

Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë. / KultPlus.com

Kur Faik Konica tallej me Naim Frashërin

Ka një tërheqje kur flitet për figurën e Faik Konicës dhe kjo lidhet me fuqinë e tij polemike në të gjallë, por edhe gjuhën e ashpër, me ata që ai i konsideronte si kundërshtarë. Dhe, realisht shkrimi dhe gjuha e tij nuk kursente askënd. Nuk e kurseu Ahmet Zogun dhe madje edhe Fan Nolin, mikun e tij, që do ti besonte amanetin e trupit në pasjetë. Do të shprehej hidhur kundër Naim Frashërit në një nga shkrimet më demaskuese të jetës së vet, ndërsa në të gjallë nuk do linte gjë pa thënë dhe pa vepruar kundër Luigj Gurakuqit.

Njerëzit e monografive dhe historive të tij shmangen me kujdes dhe hapësira ku notojnë është e gatshme. Janë shkrimet e tij publicistike por mbi të gjitha shkrime të tëra kushtuar gjuhësisë që na shpalosin një figurë realisht të vyer në aspekte të veçanta.
Falë tij kemi revistën “Albania”, një revistë politiko-kulturore dhe letrare, e cila u bë organ vërtet flamur në vitet e Rilindjes sonë. Vitet më pas dhe angazhimi i tij në jetën shqiptare e bën një figurë shumë kontroverse.

Më 1909 Konica, pak pasi u mbyll revista “Albania” në Londër, u ftua të shkojë në SHBA nga bashkatdhetarët, ku drejton “Diellin”. Pak vite më vonë, më 1912, personaliteti i tij do e vendosë në krye të organizatës së sapo themeluar, që njihet me emrin Federata “Vatra”. Ka shumë boshllëqe në jetën e tij, por që panegjirikët i mbyllin me kontributin dhe erudicionin e tij, që gjithsesi nuk mund të krahasohet me paqësinë dhe staturën e të vëllait të vet Mehmetit. Gjithsesi, personaliteti i njohur, do jetë në jetën shqiptare më vitet 20 dhe në një periudhë që meriton hulumtime të thella. Pranon ofertën e një njeriu që e kishte ofenduar deri më atëherë dhe vite më vonë do e lavdëronte sërish. Kështu, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua Ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Këtu do mbyllë jetën personaliteti i njohur, por që do rehabilitohet shumë vonë në vendin e tij, të cilit i nxori ujin e zi me kritikat therëse dhe shpesh tepër domethënëse…Një e tillë i është bërë Naim Frashërit, dhe publiku duhet ta njohë për të kuptuar mënyrën sesi e perceptonin poetin në të gjallë, disa nga bashkëkohësit e tij…

Nga: Faik Konica
Të prurët e eshtrave të Naim Frashërit në Shqipëri është një çap i duhur dhe i hieshëm. Nuk është vetëm një drejtësi për shqiptarin e vdekur; është dhe një mësim për shqiptarët e gjallë; se nderimi për shërbime të shkuara stërvit dhe lartëson shpirtin. Naim Frashëri, i ritur në mes të një turme shqiptare të fjetur nga mëndia dhe nga zemra, me shëmbëllin dhe fjalën e tij zuri të zgjojë ndjenja kombësie në mes njerëzish të mpirë. Kushdo që hynte në shtëpi të tij, dilte andej I ndruar; ca bëheshin nxënës dhe përhapës të mëndimit të ri-që kombi shqiptar duhej ngjallur. Vepr e ngadalshme, plot me pengime dhe rreziqe, po vepre lëronjëse, madhësia e së cilës munt të matet vetëm kur të marrim në sy gjersin e fushës së lënë pesqint vjet ugar. Pas disa vjet, qarku i dëgjonjësve u rrit aq sa munt t’ arriheshin vetëm me shkrime. Ahere filloi një lumë i paqëndruar fjalësh të shtypura, në formë vjershe. Të gjitha këto “vjersha” kishin një karakter; qenë siç thonë inglisht, doggerd rhymes, frëngjisht, vers de militon, gjermanisht, Knuettelverse; shqip, hepërhë, gjer sa të na paraqitet një fjal’ e mirë, munt t’i quajmë vjersha me tototo e tatat. Është lajthim të mohojmë dobinë zgjonjëse të atyre pallavrave. Totototë dhe tatatatë e Naim Frashërit, sikundër këngët e Mihal Gramenos, zenë një vënt me rëndësi në historin’ e lëvizjes kombëtare. Po vetëm padija, a mungesa e nderit të mëndjes, munt t’i quajë letretyrë. Janë dokumenta propagande politike të vlefshmem, dhe asgjë tjatër. Kio ësht aq e vërtetë, sa udhëheqësit e lëvizjes kombëtare i kanë përdorur në kohët e shkuara si vegla politike të shëndosha. Mbaj mënt njeherë një të thënë të Shqiptarit të math, Nikolla Naços, në Bukuresht ku kisha vajtur të piqem me të. Naçua kish thirrurr një mbledhje, ku kish ftuar dhe disa Rumunë, për nder të të cilëve foli dhe rumanisht, Nga gjërat e paka që mora vesh, ishte titulli “Homerul Albanesilor”, d.m.th. “Homeri i Shqiptarëve”, që i dha Naim Frashërit. Kur duallmë jashtë, Naçua më tha të shkojmë të hamë bukë, po j’u-luta të vejim më parë në shtëpi të tij: “Nuk munt të ha”, i thashë , “para se të më tregoni Illiadhën e re të “Homerit të Shqipëtarëve”.

Më vjen turp që , nxënës i palodhur i letrave, një ngjarje aq e madhe sa të dalët në botë të një Homeri të ri të më ketë shpëtuar”. Naçua nënqeshi. “Mos ma trazo!” tha; “nuk ua dhashë me senët Rumunëve. As ua dhashë as e muarën fjalën time si senet. Rumunët janë si ne; i shtojnë fjalët; dhe për të gjetur të vërtetën, i bëjnë skontë ato që dëgjojnë. Kur u thashë se kemi një Homer, kuptuan se kemi një poet të mesme. Dhe aq na arrin, se bota na kujtojnë njerëz të egër”. Shqipëtari është shumë duar-gjerë me lëvdatat; por kur quajmë vjershëtor të math, një bërës tototosh e tatatash, ç’fjalë do të na mbetesh për Gjergj Fishtë? Pastaj, për fat të zi, kemi njerëz pa gjykim që i marrin për senet fjalët e tepera. U poqa në Korfuz, nj’a tridhjet vjet më parë, me një meemur shqiptar, t’ikur nga Turqia, i cili ish I bindur se Naim Frashëri ish më I madhi vjershëtor i gjith kohëve. “Vallahi”, bërtiste, “kur të bëhet mahi qyre-i-arzi, ahere do të shuhen vjershat e Naim Beut!” Këto fjalë më çuditnë si ishin një karikaturë miaft besnike e një fjalë të poetit roman Ovidius mi Lukretin: “Vjershat e Lukuretit të lartë do të shuhen ahere kur të vij dita që të shuhet bota!”:Carina sublimis tyne funt pritura Lucreti, Exitio terras cum dabit una dies. Ku munt ky lolo huqumeti të kish dëgjuar vjershat e Ovidit dhe pallavra e Lolos të Korfuzit u përpoqnë ndothtazi. Naimi jo vetëm nuk është vjershëtor a shkrimtar i math, po nuk ish as I vogël. Nuk dinte të shkruajë fare. Çdo njeri i kthiellët, që kupton se ç’është stili, munt të gjykojë vetë, shumë lehtë, në u mundoftë gjysëm ore të këndojë tatatatë dhe totototë e Naimit. Vjersha është një mjeshtëri e bukur, një art. Si piktura dhe të gdhendurit e mermerit, mjeshtëria e vjershës dhe përgjithësisht e shkrimit ka ligjet e saja, të cilat munt të përmblidhen në pakë fjalë. 1) Vjershësia është sheshi i cilësis jo i sasisë. Shumësia këtu i lë bukurisë vëndin. Historia e letrave nderon vjershëtorët që kanë lënë vetëm dy a tri vjersha, edhe nuk zë në gojë të tjerë që kanë shkruarë me qindra. Ka patur vjershëtorë që janë pranuar në gji t’ Akademisë Frenge vetëm se patën shkruar një vjershë katërmbëdhjet vargjesh, një sonet, po të mbaruar. 2) Shkrimi i vërtetë i kursen fjalët. Merni, përshembëll, Bossuet-in edhe Jonathan Sëift-in, të dy shkrimtarë më të mbëdhenj, i pari në gjuhën frenge, i dyti në inglishten.Në një copë nga penda e tyre kini për të kërkuar më kotë një fjalë të tepërt, një fjalë që munt të hiqet pa dobësuar kuptimin. 3) Shkrimi I vërtetë i zgjedh fjalët. Nuk pranon fjalën që i shket e para nga penda; kujton dhe të tjera fjalë, edhe veçon atë, të vetmën, që duhet. Pata rastin njëherë në Librarinë Kombëtare të Parisit, të kqyr me mallëngjim dorëshkrimin e një vjershe të Fontaine- it, një vjershë aq e lehtë dhe e ëmbël në të kënduar sa duket sikur vjershëtori e kish shkruar duke u fjalosur me miq me të cilët po shijonte një gotë verë. Po dorëshkrimi zbulon një mësim të ndryshme; i mbushur me të ndrequra, me shtime, me heqje, me çfarëdo ndrimesh, duket posi një shoshë e prishur-një shembull i gjallë I punës së stilit, “le travail du style”- 4) Shkrimi i vërtetë, në varg a në frazë, ka muzikën e veçantë të tij, t’I pëlqej veshit. Flaubert-i, stilisti frenk i math, shkronte nga nonjëherë shumë orë duke ndrequr një paragraf, shpesh gjer në thellësi të natës; këto mundime, këto ethe t’artistit në shkrim, i qunate “les affres du style”. Naimi ynë i pafajshëm s’dinte të tilla gjëra. Pasqyra e “stilitt” të tij ishin këngët e lipseve maleshovite me gjuhën e tyre të çqjepur dhe xvarranike që duket si të folurit e një çilimiu të dehur. Naim Frashëri lipsit maleshovitë i kanë lënë një gjurmë aq të thellë në mëndje, sa shumë herë kopion ca fjalë të tyre pa ndonjë ndryshim; Për shembull, “O njeri të qofsha falë, -A e mer vesh ketë fjalë?” Që të bashtingëllojë bishti i dy vargjeve, s’ve re as gjuhën as arsyen. Për të thënë, “Ish një ditë që pellazget,” ish-in e bën ishte, që nuk është faj, edhe “Pellasgët” i bën- “Pellasgjite”: “Ishte një ditë / Qe Pellasgjite”. Shtylla kuptohet prej çdo njeriu si shenja e një gjeje që qëndron me këmbë; po Naimi e bën si shenjën e shtrirjes kur i duhet në funt të një vargu: “Ishte shtriqure si shtyllë”. Plepi me degët e tij të holla, që lëviznin nat’ e dit n’erë, përfaqëson tundjen e paqëndruar. Naimi thotë: “Ebuxhehli dhe Lehepi / Të patundur si plepi”. Derri nuk varroset gjëkundi, veç ndoshta në ca fe aziatike të çdukura kur derri adhurohej si një perëndi. Naimi shkruan: “Vdiq e vate skëterrë, / E kalle në dhe si derrë”. Naimi s’di as të zgjedhur as të kursyer fjalësh. Një gjë e thotë, e përsërit, e le, e mer prapë. Harron themën e tij, hidhet në një tjatër. Bagëtia e Bujqësia nis me të përshkruar bukurit’ e maleve dhe të fushave; befas Naimi harron ku ndodhej, edhe bërtet një këshillë të papritur: “Ju shokë kur pini verë / mos dehi, mos zemrohi / Mos uzini, mos u shuani / mos lëvdohi, mos qërtohi”. Ata që duan të zbaviten duke hyrë në një shtëpi të marësh, ku mendimet dhe fjalët s’kanë as lidhje as kuptim, duhet të këndojnë një vjershë të gjatë të qojtur Parrajsa. Një nga gjërat e çuditshme këtu është lajmi se Shqipëtarët kanë qenë krijuar jo vetëm më parë se Adami, por edhe më pare se hëna: “Ademi dhe s’kishte lerë / Kërthiza s’i ishte prerë / Ay ishte uj’ e baltë / Ne ishim njerës të naltë / Hëna dhe s’ishte në jetë / Dheu kish vetëm bar’ e fletë / Kur ka lindur Shqipëtari / Është nga të gjithë m’i pari! / U vu emër perëndive / Edhe gjithë bagëtive / Ay tekdo mbretëronte, etj” Më kanë qortuar disa herë që jam tallur me Naim Frashërin. Përkundrazi. Tallen me të, pa dashur, ata që e nderojnë për ç’nuk ish, edhe nuk e nderojnë për ç’ka ka qenë me të vërtetë,-një dashes i thellë i Shqipërisë, i cili si zgjonjës i Kombit, bëri shërbime të thella, edhe ka pakë shokë në historin e rilindjes s’onë.

FAIK KONITZA (Gazeta “DIELLI” Boston Mass, e Mërkurë 28 Korrik 1937) /KultPlus.com

Atdheu

Poezi nga Naim Frashëri

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi! /KultPlus.com

Naim Frashëri, rilindas i përjetshëm, përfaqësues i shquar i lëvizjes kombëtare

Naim Frashëri është figura qendrore e letërsisë së Rilindjes dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes kombëtare, njeriu që u pagëzua për së gjalli si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbili i gjuhës shqipe”. Lindi në Frashër të Dangëllisë, ku mori mësimet e para nga hoxha i fshatit. Me shpërnguljen e familjes në Janinë, pranë vëllait të madh Abdylit, që shërbente si nëpunës atje, Naimi hyri në gjimnazin Zosimea të qytetit, ku mori një kulturë të gjerë për kohën.

Përveç njohjes me kulturat klasike, përveç se përsosi njohuritë në persisht dhe mësoi edhe gjuhë të tjera, si greqishten, frëngjishten etj. Naimi atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng, që i hapi udhën Revolucionit të vitit 1789: lexoi Rusonë e Volterin, për të cilët ruajti një admirim të veçantë gjatë gjithë jetës, ashtu si e ruajti edhe për shkrimtarët e mëdhenj të shkollës së romantizmit francez, Hygonë, Lamartinin e të tjerë. Naimi u ndodh kështu në kryqëzimin e dy kulturave, të kulturës lindore e të kulturës perëndimore, të cilat lanë gjurmë në formimin dhe në veprën e tij, pa mundur të shtypin natyrën e saj vendase.
Pasi kreu më 1870 gjimnazin, Naimi shkoi në Stamboll për të gjetur punë, por klima nuk i shkoi shëndetit të tij të dobët dhe u kthye në Shqipëri, ku punoi për dhjetë vjet si nëpunës dogane në Janinë, në Sarandë e në Berat. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll pranë vëllait, Samiut, ku edhe mbylli sytë më 20 tetor 1900. Atje ai u bë shpirti i Shoqërisë së Stambollit që e kryesonte Samiu.
Por në vitet e Lidhjes së Prizrenit Naimi u ndodh në Shqipëri dhe mori pjesë aktive në ngjarjet e saj, sidomos në organizimin e mbledhjeve që u bënë në Frashër e në Janinë për mbështetjen e përkrahjen e Lidhjes. Më 1880 shkroi të parën vepër shqip me përmbajtje atdhetare, poemthin “Shqipëria”, e cila u prit me entuziazëm në rrethet patriotike. Në këtë poemë ai shpalli poetikisht të gjitha idetë që do të formonin më tej trungun e veprës së tij atdhetare dhe të gjithë poezisë atdhetare të Rilindjes.
Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti një rol të dorës së parë për zgjimin e vetëdijes atdhetare te bashkëkombësit. Ai u bë themeluesi i një letërsie të re me përmbajtje atdhetare e njerëzore, me forcë artistike dhe me vlera të shquara stili, duke zgjeruar jo vetëm tematikën dhe problematikën e saj, por duke i kthyer fjalës shqipe forcën e saj estetike, duke i dhënë shqipes fytyrën e një gjuhe të lëvruar të kulturës moderne të shqiptarëve. Me poemat e vjershat e tij lirike Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Por ai zbuloi edhe të fshehtat e shpirtit njerëzor duke medituar për jetën dhe vdekjen, bukurinë dhe dashurinë, qenien dhe mosqenien, perëndinë dhe gjithësinë, në frymën e panteizmit poetik e filozofik që karakterizon mendimin e tij.

Një himn të pashoq i thur Naimi dashurisë për atdhe e mallit për të, bukurive të natyrës shqiptare e krenarisë kombëtare në poemën “Bagëti e Bujqësija”. Me këtë vepër Naimi krijoi poezinë e madhe të atdheut dhe me një gjuhë magjepse poetike shprehu ndjenja e emocione që s’kishte mundur t’i krijonte para tij poezia shqipe. Ai shpalli mbi të gjitha ndjenjën e krenarisë kombëtare, përmes vargjeve: “Ti Shqipëri më ep nderë, / Më ep emërin shqipëtar; / Zemërnë ti ma gatove / Plot me dëshirë dhe me zjarr”.
Naimi pohoi me gjuhën e artit qenien e atdheut e të atdhetarizmit shqiptar, duke krijuar imazhin poetik të mëmëdheut që u mungonte shqiptarëve, që e kishin dhe nuk e shikonin ose nuk e ndienin se e kishin ashtu të bukur e madhështor, ashtu si e përshkruan poeti, të ringjallur së vdekuri me një dashuri të përgjëruar prej fjalës poetike. Ky imazh i ftonte shqiptarët të ktheheshin në atdhe. Metafora e madhe e kthimit, e pranishme jo vetëm në këtë poemë të Naimit, por në gjithë letërsinë romantike të Rilindjes, nuk është e njëjtë me ëndrrën romantike për t’u kthyer në viset ekzotike, ose në gjirin e jetës së lirë e të papërlyer nga sëmundjet e qytetërimit modern; nuk është thjesht një arratisje romantike larg rrëmujës e rrëmetit të jetës urbane, por një mall për atdheun e humbur dhe një thirrje qytetare për t’iu kthyer vlerave të vendlindjes, për t’i ringjallur ato e bashkë me to për të ringjallur kombin. Ky ishte misioni i poezisë së Naimit, i cili u njëjtësua në vetëdijen e kombit me qiririn që digjet për njeriun dhe për lirinë.
Historia, sidomos epoka e Skënderbeut, përbënte për rilindësit një trashëgim të çmuar dhe një dëshmi të identitetit e të së drejtës së shqiptarëve për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Me vetëdijen e ndikimit të madh të së kaluarës për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për zgjimin e ndjenjave liridashëse, Naim Frashëri krijoi poemën epike “Istori e Skënderbeut.

Naim Frashëri ishte njeri i Rilindjes dhe Rilindja Shqiptare bashkonte në vetvete idealet politike qytetare të rilindjes së kombit dhe idealet humane të rilindjes së njeriut. Rilindja e kombit dhe liria e kombit në mendimin e Naimit është e lidhur me rilindjen e njeriut e me lirinë e njeriut, me zgjimin e pasurimin e tij mendor e shpirtëror, me përsosjen e tij morale. Në këtë vështrim përjetimet lirike të Naimit të shprehura në vjershat e “Luleve të verës” synojnë të afirmojnë një botë të re ndjenjash njerëzore, aspiratën e poetit për emancipimin e njeriut dhe për pohimin e individualitetit e të personalitetit të tij.
Këto motive i sollën një risi e një pasuri artistike të panjohur më parë poezisë shqipe; me to Naim Frashëri themeloi stilin e mirëfilltë lirik në letrat shqipe dhe ngriti fjalën shqipe në rrafshin e poezisë e të artit të vërtetë.
Vepra e Naim Frashërit sintetizoi prirjet më të mbara të zhvillimit historik e kulturor kombëtar të shqiptarëve dhe bëri epokë duke e nxjerrë në një udhë të re letërsinë e tyre.

Duke vënë në bazë te gjuhës së poezisë gjuhën popullore, Naim Frashëri e emancipoi shprehjen poetike nga konvencionalizmi dhe i çliroi fjalët nga inercia e një tradite të ngurtësuar prej gjuhës së konsakruar të librave të dogmës, ose prej trysnisë së modeleve të huaja poetike. Me veprën e Naimit letërsia shqiptare mohoi në thelb traditën e zhvillimit të saj të varur nga ndikimi i letërsive dhe i kulturave të tjera; ajo nisi të zhvillohej në mënyrë të pavarur si letërsi e kombit shqiptar, me tiparet e veta. Naimi e afroi kështu letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bëri shprehëse të njëmendtë të ndërgjegjes së tyre morale e estetike. /KultPlus.com

Atdheu

Poezi nga Naim Frashëri

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.

Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.

Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.

Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!

Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!

Korça

Hapja e shkollës së parë shqipe, ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare, të cilës edhe Naim Frashëri i ka shkruar.

Korça

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq’ e mir’e kaq’e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit’e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q’e bekoi zot’i vërtetë
Dh’e dërgoi me shumë dritë,
T’i mbes’emëri përjetë.

Sot e vumë gurr’e parë,
Sa’sht’e bekuar kjo ditë!
Zot’i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh’e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht’e shtije,
Mbretëron fjal’e vërtetë,
Dhe të mirat gjith’i bije.

Zot’i math qoft’i lëvduar,
Q’e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo sij ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj korç’o lule,
Q’i le pas shoqet’ e tua!
Si trimi në ball’u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s’i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo ‘shtë mëm’ e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gasthin e vëllazërisë,
Njerëzin’ e miqësinë.

S’jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Në kët’emër nderr’e kemi.

Ky emr’ është shum’ i mirë,
Se më s’jemi të gënjyer,
Nukë jemi n’errësirë,
E njohëmë gjën’ e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun’e keq’e shum’e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh’e gjenë më perëndinë.

Nga gjithë ç’kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s’mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt’ e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft’ e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë. / KultPlus.com

Një libër ndryshe për veprën e Naim Frashërit

Kontaktet e shqiptarëve me letërsinë perse janë të hershme dhe datojnë nga shekulli XV, kur shqiptarët u futën nën administrim të Perandorisë Osmane.

Dihet se edhe letërsia klasike turke gjatë periudhës së Perandorisë Osmane ishte zhvilluar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të letërsisë perse, ku klasikët e njohur persianë, si Hajami, Hafizi, Attari, Rumiu e të tjerë, merreshin për model e imitoheshin, transmeton Koha Ditore.

Në këtë mënyrë, edhe intelektualët shqiptarë të kohës që merreshin me krijimtari letrare ishin njohës të letërsisë klasike perse. Ndër ta ishte dhe Naim Frashëri, i cili intelektualisht qe formuar edhe në frymën e kulturës dhe letërsisë perse, që nga ambienti në vendlindje në Frashër, në Janinë e në Stamboll. Madje edhe shpërthimin e parë të talentit të tij poetik e bën në gjuhën perse me veprën “Tehajylet” (Ëndërrime).

Kundërpërgjigje de

Edhe pse Naimi është njëra nga figurat më të studiuara të letrave shqipe, libri “Naim Frashëri dhe letërsia perse” provon se deri më tani nuk i kemi njohur sa duhet të gjitha dimensionet letrare e kulturore të veprës së poetit tonë kombëtar.

Dhe pikërisht këtu qëndron vlera e këtij studimi të Abdulla Rexhepit, i cili veprën e Naimit e lexon dhe e interpreton nga një këndvështrim më ndryshe, që për shumë studiues dhe lexues ka qenë i panjohur dhe mbase dhe i heshtur.

Autori analizon poezinë, filozofinë, mitologjinë e teologjinë e Naimit në përqasje me letërsinë perse, duke vënë në pah raportet letrare e kulturore të Naimit me letërsinë dhe kulturën perse.

Se kishte nevojë për një qasje të tillë do të bindemi sapo të lexojmë kapitullin e librit, ku shkurtimisht përvijohet rreth disa trajtesave të studiuesve shqiptarë për veprën e Naimit.

Këtu shohim se studiuesit e para Luftës së Dytë Botërore kundrejt veprës së Naimit qenë shumë më objektiv në krahasim me ata të pas Luftës së Dytë Botërore, të periudhës së realizmit socialist.

Të parët në vlerësimet e tyre të veprës së Naimit iu përmbajtën kritereve të njohura formë, stil e përmbajtje, duke u munduar të nxjerrin në pah të gjitha dimensionet e tij intelektuale, qofshin ato me prejardhje lindore apo me prejardhje perëndimore. /Koha.net /KultPlus.com

“Naim bej Frashëri ish njeri zemërqëruar, mendjehollë e fjalëkripur”

Nga: Faik Konica

Naim Frashëri
(25 maj 1846 – 20 tetor 1900)

Të tjerë, që patnë lumturinë ta shohin, t´i qasen e ta dëgjojnë, do të thotë se ç´njeri, zemërqëruar, mendjehollë e fjalëkripur ish Naim bej Frashëri. Të tjerë, në të bukura e të përmallshëme vjersha, do të qajnë për shojtjen e një yllit aq të ndritshëm – aq të rrallë – në qiell të Shqipërisë. Unë dua vetëm, në pak fjalë, të them se ç´punë të fortë e të pa lodhur bëri, ky burrë me fletë, për kombësinë tonë.
Naim beu, dihet prej kujtdo, u vu që pesëmbëdhjetë vjet e më tepër në shërbim të djelmërisë shqiptare. Kuptoi që ditën e parë se një punë nuk fortësohet mirë, përveç në rrënjë, në themele të saj. Andaj me gjithë zemër shkruajti gjithë ata libra të nevojshëm që u përndanë me mijëra nëpër gjithë Toskëri. Gjuhëtar i shëndoshë, i ditur, i mbaruar në greqishte të vjetër e në persishte e në shumë gjuhë tjera, mendjelëruar e ndjesëhollë, do të kish mundur e dëshironte të shkruajë gjëra më pak të nevojshme e më shumë të bukura. Po nevoja e vendit tonë, detyra t´u hapin sytë botës, e shtrëngonin të mos ngjitej më sipër se kuptim i popullit të Shqipërisë. U kufizua, pra, gjithnji në qark të ndershëm e të shkëlqyer të mësimit kombëtar. Jo se nuk ndodhen në libra të Naimi beut faqe të hieshme e të mbaruara; janë, përkundër, të dendura; po rrëfejnë të gjitha veç dëshirën të mësohet kombi. E mësoi, e ngjalli, e rriti pak kombin shqipëtar, – e gatiti udhën për një propagandë kombëtare më përparimtare.
Naim bej Frashëri pati edhe një tjatër nder: kuptoi dobinë që mund të nxjerrë kombësia jonë nga bektashizmi. Iu qas, pra, kësaj feje me gjithë zemër; shkruajti libra e vjersha, që baballarët i kanë në nder të madh, e meritoi të quhet si një nër themeluesit e kësaj feje në Shqipëri. Me atë mënyrë, gjithë bektashizmin e solli e e mbajti, në qark të kombësisë, të dashur.
Po ky është nder i madh i Naim beut, që gjithë këto punë të mëdha i bëri në Stamboll, një mjedis armiqsh, i rrethuar prej spiunësh e spicetarësh. Po s´e kish për pesë. As frikësimet, as vobësia – rroi e vdiq i vobek, e nuk kish me se të mbulohej trupi i tij! – as pabesia e shqiptarëve nuk e turbulluan një herë. Gjer në firomë të fundmë, mendoi e foli për Shqipërinë.
Treqind shqiptarë të anës kombëtare, ndër të cilët edhe të krishterë, e shpunë në vend të fundmë. Treqind veta e përcuallnë, e armiqtë, duke parë këta burra të latshm që shkonin, muarrnë vesh se ky njeri diç gjë të re kish bërë në Shqipëri.
Edhe ne i falemi me mall e me nder këtij atdhetari të pavdekur. Thamë se e shpunë në Stamboll “në vend të fundëm”; po kjo nuk është përveç një mënyrë foljeje. Kemi shpresë, kemi besë të rrënjuar se, një ditë, do të vijë që shqiptarët do t´i sjellin të mbeturat e Naim beut në atë Shqipëri, që deshi e shërbenj aq miri. Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, po do ta presë një komb i tërë.
1901 /KultPlus.com

Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë, udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë

Poezi nga Naim Frashëri

Bagëti e Bujqësi

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.

Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;
Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.

Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
– Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!

O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!

Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë,
Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,

Qielli sa ësht’ i kthiellt e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç’janë, që u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver’, o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë.

Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?

Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S’i ka mbetur gas në zemrë, se s’i la vënt idhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzëplasur,
Se përtimn’ e zi, q’e pruri të gjorën më këtë ditë,
Nuk’ e dimë vet’ e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s’thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.

Ah! edh’ atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul’e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm’ e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh’e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.

Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt’ e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
O malet’ e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm’e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn’ e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj’i ftoht’ e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë,
Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?

Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me vërtik si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj’ ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt’ e ballit t’i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap’ aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët’ e djalërisë, o moj kohëz’ e të rit tim?

O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër’i bagëtisë;
Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh’e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar’ e gjahëtorë, q’u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale…
Kec’i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez’i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell’i shterparit.

Shterpari s’i qaset stanit, po nër pyje bij’e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
S’i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë,
Nga ujku e nga kusari s’ka frik’, as nga lis’i gjatë,
As nga shkëmbënjt’ e nga pylli, as gogolëtë s’e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë;
Miqt’ e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
Që s’flenë, po rrin’ e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikun’ e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t’errët, del hëna, i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint’ dielli, i bije ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç’lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.
Mblidhen ret’ e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z’eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun’ e zë edh’e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir’ e mjergull kërkon,
Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet’ e veshur e oshëtijnë përrenjtë!

Esht’ e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
Dhe bij’e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
Esht’ e butëz’ edh’e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk’ është si malësorja, andaj i thonë bravare.

Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin’ e delen, i mjel plakëz’ e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht’ e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.

Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok’ e ndihmës Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s’rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t’ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit,
Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën’ e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s’e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën’ u qoftë.
Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t’i shohë, t’i ketë kujdes, t’i dojë.
Të mos t’i mundojmë kurrë, po si fëmijë t’i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.

Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q’është thier, bërë posi një pasqirë,
Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.

Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall’ Ylqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun’ e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir’ e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.

O fushazëtë pëllore, që m’ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.

Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
Unju posht’ e më ndih pakë, o motra im’e të gjorit!
Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë,
Ball’ e gush’ e faq’e llërë dhe këmb’ e duar dëborë;
Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat’ e bujqësinë,

Edhe ti, o mëmëz’ e dheut, q’i fale dheut aq’ uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s’mbetetë thatë,
I dhe lul’e bar e gjethe, bim’ e drith’ e pem’ e drurë,
Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.

Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt!
Si lulet’ e si bilbili edhe unë jam djali yt.

Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç’vent’i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
O bukuroshe, t’u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir’i Zotit,
Nga qielli, nga parajsa, nga prehër’ e plotë i motit?
Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri’ atje lulëzon!

Ti zbukuron faqen’ e dheut, ti do e ushqen njerinë,
Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë!
Vjen dimëri, t’i than lulet, ti me një frym’ i ngjall prapë,
Napënë q’u heth përsiprë, ua heq me ver’ e me vapë.

Bujkun e xgjuan me natë edhe vë përpara qetë,
Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë;
Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë…
Shërbëtor’i mëmës’ së dheut, q’e ka zëmrënë plot shpresë,
Del kur hapet trëndafili dhe bari ‘shtë gjithë vesë;
I falet Zotit t’vërtetë dhe zihet nga pun’ e mbarë,
Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.

Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime,
Si të punosh dit’ e natë e të bësh ç’duhenë gjithë,
Ahere kërko nga Zoti të t’apë bukëz’ e drithë.

Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija,
Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t’ep Perndija.

Puna ka duk e uratë, Zot’i math e ka bekuar,
Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.

Ver’ o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot
Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot,
Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.

Zot’i e i vërtetë për të ushqyer njerinë,
Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë,
I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dimërin e verën dhe zemrës san’ i dha shpresë.

Për të arriturë rrushnë ç’ka punuar Perëndija,
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S’është çudi pse na dëfren ver’ e bukur zemrën tënë;
Ç’ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë!
Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi,
Se përçmoni Perëndinë, q’i ka falur hardhisë rrush,
Edhe kërkon dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë,
Se në breng’ e në të keqe, në punë e në të pirë,
Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.

A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën’ e Kumtërit, Shënjën,
Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn’ e punojnë,
Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?

Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë
Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin’ e plotë të kërrusurë nga barra,
Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn’ e kashtën mënjanë,
U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë,
Kur e përmbush plot shtëpinë me drith’ e me gjë të gjallë,
Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.

Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë,
Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë,
Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
Q’e çpërblen punën e djersën e mundimn’ e njerëzisë.

Qysh rroit mblet’ e uruar dhe ven’ e vin e lëçijnë,
Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
O ç’punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn’ e mirë!
N’apin dyllëtë, q’ep dritë, dhe mjaltë fjesht’ ëmbëlsirë.
Dhe punëtorët’ e mirë m’atë mëndyrë punojnë,
Edhe gjithë njerëzija me mundimt t’atyre shkojnë;
Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit,
Kush t’harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,
Një bën pluar’ e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë,
Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë,
Kjo ësht’ udh’ e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë.
Edh’ ajo miza përdhese, ç’i duhetë për të ngrënë,
Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz’ e ka vënë.
Ka një punë të punonjë si çdo gjë q’është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot’i math e i vërtetë.

Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n’avlëmënt e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj’udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh’ e goj, e këmb’ e dorë;
Ngrihet i zot’i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh’e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën’ e të pirë.

Kështu të huajt’ e miqtë njeriu q’është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.

Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
Sbukurohetë faq’e dheut e merr mijëra fytyrë;
Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.

Shpest’ e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë,
Lulet’ e bukura m’erë si ar e si flori ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë,
Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë — puna mbarë —
Papo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar,
Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar;
Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër ment të ti i bije ca t’ëmbla shumë mejtime.
Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare,
Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar;
Përveshin llërët’ e bardha dhe të majm’e të perndijta,
Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët’ e kërthijta.
Dellëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë,
U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë,
Dhe mëshqer’ e përkëdhelur vjen në lumë të pij’ ujë,
A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.

Bari, bima vatur më bres e bujku shum’ i gëzuar,
Si bariu kur merr kërthinë edh’e përkëdhel ndër duar.

Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.

Veç një vashëz’ e mjerë qan të motrënë, q’e ka lënë,
O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë!
Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë,
Dhe shqerra manarez’ e saj, e përzieshmez’ e për lumë!
Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan,
Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!

Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt’i saj në qiej shkoi,
Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi;
Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit,
Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit,
Gjësendi s’humbetë kurrë e gjë s’vdes me të vërtetë,
Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë;
As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
Vdesën e ngjallenë prapë si gjith’ edhe njerëzija.
Këtu janë gjithë ç’janë e gjithë ç’gjë munt të jetë,
Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot’i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s’ka anë,
Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.

Perëndija njerin’ e parë e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet e dheut, q’ish me lulez’ e fletë,
Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin’ e dheut edhe kështu e porsiti:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit’ e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh’ e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s’ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
Bes’ e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s’gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
Ji i but’, i urt’, i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh’i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët’ e mija, do të jesh gjithënjë në gas.

Nga gjithë ç’pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr’i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër’ e vetëdijë, të mir’ e të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj’ e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s’nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell’ e më thellë,
C’do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t’i ket ënda!

Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!

Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!

Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.

Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë. / KultPlus.com