Presidentja Osmani u prit në takim nga Emiri i Katarit, diskutojnë për trajtimin e invalidëve të luftës të UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, është pritur në takim nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani.

Në takim u diskutua për thellimin e mëtejshëm të raporteve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme siç janë: shëndetësia, turizmi malor, infrastruktura, si dhe projekte të tjera me rëndësi për Kosovën. Në veçanti u diskutuan një sërë projektesh investive në sektorë strategjik për të cilat do të vazhdojnë diskutimet përmes ekipeve përkatëse në ditët në vijim.

Presidentja Osmani gjatë takimit ka shtruar edhe çështjen e trajtimit të invalidëve të luftës nga radhët e UÇK-së, të cilët kanë nevojë për shërbime protetike.

Gjatë takimit u diskutua edhe për rritjen e mbështetjes në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja ka falënderuar Emirin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe popullit të saj./KultPlus.com

Presidentja Osmani në Katar: Kosova me potencial të jashtëzakonshëm për investime

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, ka marrë pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet  Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit që po mbahet në Doha ku po diskutohet për potencialin investues në vendin tonë.

Në këtë tryezë ekonomike me pjesëmarrje të Odës Ekonomike të Katarit dhe bizneseve anëtare katariane, kryetarit të Prishtinës z. Përparim Rama edhe disa nga bizneset më të suksesshme nga Kosova, u diskutua për mundësitë e shumta për parnteritete biznesore dhe investime në sektorë strategjik.

Duke folur për potencialin zhvillimor të Kosovës, Presidentja Osmani potencoi faktin se Kosova ka tashmë një infrastrukturë ligjore të përafruar me ligjet e BE-së, një sistem të standardizuar të taksave me standardet më të mira ndërkombëtare, një ambient miqësor për investitorët e huaj dhe potencial të jashtëzakonshëm për investim në fusha të ndryshme.

Presidentja Osmani ndër të tjera, veçoi mundësitë e shumta për bashkëpunim në industrinë e ushqimit dhe sigurisë ushqimore, energjisë, hotelerisë dhe turizmit malor, industrisë së drurit dhe asaj metalike.

Ndërkaq, Kryetari Rama prezantoi planin për zhvillimin e Prishtinës, me fokus te një sërë projektesh kapitale e infrastrukturore nga fusha e sportit, artit, transportit e më gjerë.

Kjo tryezë shërbeu edhe si platformë për bizneset kosovare për të promovuar bizneset e tyre dhe për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të drejtpërdrejt me bizneset katariane.

Gjatë tryezës ekonomike u vunë në pah mundësitë e shumta për parneritete e projekte të përbashkëta dhe pritet që së shpejti një delegacion i bizneseve të Katarit ta vizitojë Kosovën me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit.

Gjatë kësaj vizite në Katar, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë shtetëror të Katarit ku do të diskutohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve si dhe do të mbajë fjalim në Web Summit, i cili sivjet po mbahet në Doha./KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin  e vazhdueshëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve.

Në takim, Presidentja Osmani  vlerësoi lart angazhimin personal të ambasadorit Abott, i cili përveç rolit në promovimin e marrëdhënieve reciproke, mbështeti edhe shumë kauza të rëndësishme për shoqërinë kosovare.

“Ambasadori Abbott, për ne ju jeni më shumë se një përfaqësues diplomatik. Ju jeni një mik i vërtetë i Kosovës, një bashkëpunëtor i çmuar dhe një mbështetës i palëkundshëm i aspiratave tona për një shoqëri të lirë, të hapur dhe të drejtë. Përkrahja juaj e vazhdueshme për të drejtat e njeriut, paqen dhe integrimin e Kosovës në familjen euroatlantike, si dhe fuqizimin e përgjithshëm ndërkombëtar të saj tregon përkushtimin tuaj ndaj Kosovës”, është shprehur Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani i ka uruar ambasadorit Abbott sukses në angazhimet e mëtejme, duke e konsideruar një mik të Kosovës, i cili do të jetë gjithnjë i mirëseardhur në shtetin tonë.

Në takim, u shpreh gatishmëria e të dy bashkëbiseduesve që Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke përfshirë çështjet e sigurisë, zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën dhe përforcimin e lidhjeve njerëzore ndërmjet qytetarëve të dy shteteve./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takon ambasadorin gjerman, flasin edhe për zbatimin e rregullores së BQK-së

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë Jorn Rohde.

Temë e diskutimit në këtë takim ishte edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi më 1 shkurt dhe që e njeh Euron, si valutën e vetme me të cilën mund të bëhet pagesë, për hapat e institucioneve përkatëse ndërlidhur me planin e tranzicionit, për zbatimin e kësaj rregulloreje.

Në njoftimin e Presidencën, u fol edhe për vizitën produktive dhe të rëndësishme të Ministrit të mbrojtjes të Gjermanisë në Kosovë, me ç’rast u konfirmua përkushtimi i përbashkët për thellim të metejmë të raporteve bilaterale, transmeton Klankosova.tv

“Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në vend, për përgatitjet për shënimin e 16 vjetorit të pavarësisë”, thuhet në njoftim.

Presidenjta Osmani uron presidentin e ri të Finlandës: Pres me padurim të punojmë së bashku

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar presidentin e ri të Finlandës, Alexander Stubb.

Presidentja Osmani, përmes një postimi në platformën X, ka shkruar se pret me padurim që të bashkëpunojnë së bashku, për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të demokracisë.

“Pres me padurim të punojmë së bashku për të ndërtuar mbi lidhjet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, dhe për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë”, ka shkruar Presidentja Osmani në platformën X./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Ngjarjet e vitit 2000 në Mitrovicë, kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe mbrojtje të lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar ditët e tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, kur nga bandat kriminale serbe u vranë 10 civilë, 25 u plagosën, ndërkaq 1564 familje me 11364 anëtarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

Në kujtim të dy netëve të tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë, sot nderojmë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë, të cilët u vranë mizorisht nga bandat kriminale, të nxitura nga Serbia.

Respekt edhe për 25 të plagosur, të cilët mbijetuan dhe jetojnë ende me plagë fizike dhe emocionale nga nata e tmerrit.

1,564 familje me 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre janë dëshmi e tendencës për spastrim etnik të kësaj pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.

Ngjarjet e atyre dy netëve të tmerrit, shërbejnë si një kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë.

Vënia e autorëve të krimit para drejtësisë është domosdoshmëri në funksion të paqes afatgjate!

Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët më 3-4 shkurt 2000 në Mitrovicë!/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Rugova, simbol i rezistencës

Me rastin e 18 vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së tij, nën përkujdesjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Gjilan është mbajtur akademi për Rugovën.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Rugova është ati i shtetit të Kosovës. Ajo tha se ai e deshi Kosovën.

“Kosova ishte me fat që kishte njeriun e urtë dhe i cili i shndërruar shpejt në simbol të rezistencës në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë”, theksoi Osmani. E para e vendit vlerësoi se R|ugova është arkitekti i pavarësisë së Kosovës. “Presidenti Rugova do të mbete gjithherë në kujtesën tonë”, tha ajo.

“Ai qe vërtetë i biri i Kosovës. I shërbeu deri në frymën e fundit vendit. Ja kushtoi jetën Kosovës. Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit dhe të popullit. Duke e kërkuar atë, ai u shndërrua në model të prijësit”, ka thënë ajo.

Osmani  theksoi se në personalitetin e Rugovës është simbolizuar historia e një kombi të sprovuar ndër shekuj.

Sipas saj, Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës. “Rugova fliste shkurt por fjalët i kumbonin shumë. Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës. Trashëgimia e tij është e jashtëzakonshme. Ai e solli vëmendjen e botës demokratike në Kosovë. Sot ai është fanar që na udhëheqë”, ka thënë e para e vendit./rtk/KultPlus.com

Presidentja Osmani bën homazhe te vëllezërit Gërvalla: Të bëjmë çmos që liria jonë të shkëlqejë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, kanë bërë homazhe te varret e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në Dubovik, në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.

Në një prononcim për gazetarëve, ajo ka thënë se duhet të sigurohemi që nipat dhe mbesat e atyre që kanë rënë për Kosovën, të prosperojnë në liri, raporton Klan Kosova.

“Jemi këtu me familjen Konjufca dhe me familjen Gërvalla, me miq e dashamirë nga gjithë Kosova për të përkujtuar trimërinë, guximin dhe sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës që u shndërruan në simbol të përpjekjeve tona për liri”, ka thënë Osmani.

“E kujtojmë me pietet të gjithë kontributin e tyre dhe të mijëra djem e vajzave të Kosovës që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të punojmë për një Kosovë të pavarur, ta gëzojmë Kosovën e pavarur dhe lirinë e saj dhe të sigurohemi që nipat e mbesat e Jusuf Gëvallës e Kadri Zekës, por edhe të gjithë nipat dhe mbesat e atyre që ranë për Kosovën dhe për lirinë e saj, të prosperojnë në liri dhe njëkohësisht të bëjmë çmos që liria jonë, jo vetëm të mbijetojë, por të shkëlqejë në mesin e kombeve të lira dhe të pavarura”, është shprehur presidentja Vjosa Osmani./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani pret në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, me të cilin përpos zhvillimeve të fundit politike dhe ato të sigurisë u diskutua edhe nevoja për koordinimin e vazhdueshëm ndërshtetëror në politikën e jashtme.

Shqipëria, sipas Presidentes Osmani e ka mbështetur Kosovën përgjatë periudhave të rënda për popullin e saj, sikurse edhe në procesin e shteformimit dhe shtetndërtimit, ndaj ka falënderuar ministrin Hasani dhe shtetin shqiptar.

Në takim me ministrin Hasani, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka nevojë edhe më tej për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sidomos në organizatat në të cilat nuk është e përfaqësuar.

“Përtej lidhjes historike e partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë synime të përbashkëta dhe strategji të harmonizuara në interes të dy shteteve”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka potencuar se forcimi i shtetit të Kosovës dhe konsolidimi i pozicionit ndërkombëtar është synim i vazhdueshëm, i cili ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë.

“Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për kontribut të vazhdueshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë”, është shprehur Presidentja Osmani, duke theksuar se për Kosovën, Shqipëria është jo vetëm një partner strategjik, por edhe shtet me të cilin ka lidhje vëllazërore, kulturore e kombëtare.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani dhe ministri Hasani diskutuan edhe për koordinimin për çështjen e njohjeve të reja, përfshirjen në Partneritetin për Paqe si një hap paraprirës i anëtarësimit në NATO, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Në raport me zhvillimet e fundit me situatën politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë te përkushtuara për koordinim dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe vendet mike të rajonit në adresimin e sfidave të sigurisë.

Sipas Presidentes Osmani, zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës dhe veprimet armiqësore të Serbisë dhe lidershipit të saj, kërkojnë angazhim dhe vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar por edhe të vendeve të rajonit në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit./KultPlus.com

Presidentja Osmani viziton të vegjlit në Klinikën e Onkologjisë dhe Kirurgjinë e Fëmijëve

Me rastin e festave të fundvitit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka vizituar të vegjlit në Klinikën e Onkologjisë dhe Kirurgjinë e Fëmijëve.

Osmani tha se puna që stafi bën në këto dy klinika është e jashtëzakonshme.

“Jep shpresë e forcë për këta fëmijë dhe për prindërit e tyre që ndiejnë dhimbjen më të madhe të jetës së tyre”, tha Osmani.

Ajo shprehu mirënjohje për punën e gjithsecilit.

“Duke ofruar jo vetëm shërbime mjekësore, por edhe dashuri e përkrahje të pafund!”, theksoi ajo.

E para e shtetit aty bëri edhe shpërndarjen e dhuratave.

Presidentja Osmani uron Krishtlindjen: Në këtë ditë kremte, le t’i kujtojmë ata që mund të përballen me sfida

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një urimi për festën e Krishtlindjes, ka thënë se kjo kohë është një periudhë reflektimi e solidariteti.

Presidentja Osmani përmes një komunikate ka thënë se në këtë ditë kremte, duhet kujtuar ata që mund të përballen me sfida.

“Krishtlindja është një kohë reflektimi e solidariteti, teksa zemrat dhe shtëpitë janë të mbushura me shpresë e optimizëm. Në këtë ditë kremte, le t`i kujtojmë ata që mund të përballen me sfida dhe t’ua shtrijmë dorën e mirësisë e dhembshurisë. Qoftë kjo festë e mbushur me dashuri, paqe dhe gëzim për secilën familje”, thuhet në komunikatën e presidencës./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Serbia s’është e interesuar për përmbyllje të dialogut – politika e Vuçiqit si ajo e Millosheviqit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në adresimin e saj në kuvend, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit ishte tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale politike e saj nuk është e interesuar as për paqe, as për fqinjësi të mirë e as për përmbyllje të procesit të dialogut.

E para e shtetit të Kosovës tha se politika e sotme e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është politika e djeshme e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

“Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit. Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, e Serbia nuk do të heq dorë nga planet e saj të errëta”.

“Në esencë, Serbia me veprime të tilla, po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinjë që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n përmes destabilizimit të Ballkanit Perëndimor”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

Osmani tutje tha se pavarësisht nga synimet e Serbisë, Kosova do të jetë këtu siç ka qenë më 24 shtator “dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t’u bërë gardianë të Republikës sonte”./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja sot mban fjalimin vjetor para Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do të mbaj fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës.

Fjalimin e saj para kuvendit presidentja Osmani do ta mbajë, duke filluar nga ora 11:00.

Presidentja Osmani do të mbajë këtë fjalim para Kuvendit sipas një obligimi kushtetues, që e detyron presidentin të dalë para deputetëve të paktën një herë në vit./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Llogarisim në lidershipin e kryeministres Meloni

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, po merr pjesë në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në Bruksel, ajo e ka takuar kryeministren e Italisë Giorgia Meloni.

” Potencova rolin e rëndësishëm të Italisë në përkrahjen e vendit tonë në të gjitha etapat”, tha Osmani.

E para e shtetit të Kosovës, theksoi se llogarisin në lidershipin e kryeministres italiane.

“Në avancimin e rrugës së shtetit tonë drejt integrimit evropian”, theksoi ajo.

Në takim me Osmanin, Meloni ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia, shtensionim të situatës.

Po ashtu shefja e qeverisë italiane, ka kërkuar edhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit.

Qeveria kërkon dhënien e autorizimit nga Osmani për dy marrëveshje me BE-në

Qeveria e Kosovës ka miratuar dy vendime ku kërkohet dhënia e autorizimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, në lidhje me dy marrëveshje ndërkombëtare.

Nga qeveria u miratua vendimi për kërkesë ndaj Osmanit për dhënien e autorizimit për nënshkrimin e amendamentimit numër tre të marrëveshjes financiare në mes Kosovës dhe BE-së për programin “IPA 2015”.

“Qëllimi i këtij amendamenti është mundësimi i shtyrjes së afatit të parashikuar për zbatimin e projekteve të kësaj marrëveshjeje dhe kjo është e nevojshme në mënyrë që të mundësohet lansimi i sërishëm i tenderit për përkrahjen e procesit të de-komisionimit të pjesëve jo-operative të Termocentralit Kosova ‘A’”, tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se teksti për këtë marrëveshje është finalizuar më 24 nëntor, ndërsa tash duhet të vazhdohet me procedurat e marrjes së autorizimit për nënshkrim.

Po ashtu, qeveria kërkoi nga presidentja e vendit dhënien e autorizimit për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për nënshkrimin e marrëveshjes mes BE-së dhe Kosovës për pjesëmarrje në programin “Drejtësia”.

Në lidhje me këtë, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se programi “Drejtësia” ka për synim të forcojë demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

“Më këtë rast, ju njoftoj se pas miratimit të nismës, është formuar delegacioni teknik që e ka finalizuar tekstin e marrëveshjes me përfaqësuesit e BE-së”, tha Sallahu./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani ka udhëtuar për Bruksel për samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor

Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do të diskutojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Në kuadër të samitit, Presidentja Osmani poashtu do t’i informojë krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator./KultPlus.com

Presidentja Osmani mbërrin në Katar, merr pjesë në Forumin e Dohas

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Doha të Katarit.

Bëhet e ditur se Osmani nesër do të marrë pjesë në Forumin e Dohas, që do të mbahet më 10 dhe 11 dhjetor, shkruan “Thepeninsulaqatar”, transmeton Klankosova.tv.

Osmani do të jetë edhe folëse në Forumin e Dohas 2023, ku kishte marrë pjesë edhe në sesionin e vitit të kaluar.

vjosa osmani doha forum

E para e shtetit dje ishte për vizitë zyrtare në Turqi, ku u prit nga homologu i saj turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ndërsa, përpara Turqisë, Osmani ishte për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku mori pjesë në Samitin e Klimës – COP28. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me Mbretin dhe Mbretreshën e Lesotos në Dubai

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Mbretin dhe Mbretreshën e Lesotos në Dubai, në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, COP28.

Presidentja Osmani është shprehur se është e nderaur për takimin me Mbretin Letsie III dhe Mbretëreshën ‘Masenate Mohato Seeiso.

“Ne jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve midis vendeve tona, si dhe për të punuar së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta globale”, ka thënë Osmani në platformën X.

Presidentja Osmani takohet me Peach, diskutojnë për sfidat e sigurisë në rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat e sigurisë në rajon si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Në takim u diskutua edhe për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe anëtarësimin në NATO. Presidentja Osmani potencoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli, e të cilat do të shërbejnë si mekanizëm shtesë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.

Presidentja Osmani ritheksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se ky hap është i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.

Në takim, Lord Peach përgëzoi Presidenten Osmani për përpjekjet e saj të vazhdueshme në avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në këtë kohë sfiduese për paqen në botë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani nga Kulla e Isa Boletinit: Nëse është nevoja nga këtu do të mbrohet çdo cep i territorit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Kulla e Isa Boletinit në veri ka thënë se nga ky vend nëse është nevoja do të mbrohet çdo cep i territorit të Kosovës.

Osmani pasi bëri homazhe te varri i heroit Isa Boletini për nder të Ditës së Flamurit, tha se Kulla e Isa Boletinit dhe varri i tij dëshmojnë se shqiptarët kanë qenë në pjesën veriore ‘dem baba dem’ dhe do të vazhdojnë të jenë përgjithmonë.

“Sakrifica e shqiptarëve të Kosovës edhe në vitin 1912 ka qenë jashtëzakonisht e madhe. E nderojmë pikërisht këtu në kullën e tij, Kullën e Isa Boletinit ku është mbrojtur çdo cep i Republikës së Kosovës dhe nga ku nëse është nevoja do të mbrohet sërish çdo cep i Republikës së Kosovës. Pikërisht ky varri i Isa Boletinit në veri të vendit të vendit dhe kjo kullë dëshmon se shqiptarët kanë qenë këtu ‘dem baba dem’ dhe shqiptarët do të vazhdojnë të jenë këtu përgjithmonë”, tha ajo./rtv21/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kemi shumë arsye të krenohemi si shqiptarë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në Samitin e Diasporës në Tiranë, ka thënë se mërgata shqiptare ka kaluar në periudha të vështira, por sërish i kanë mbetur besnikë atdheut.

Përmes një shkrimi në X, Presidentja tha se janë shumë arsye që duhet të krenohemi që jemi shqiptarë.

“Shumë figura nga mërgata jonë janë shndërruar në referenca botërore. Nga Dua Lipa, krenaria e vendit tonë e deri të Rita Ora e artistë të tjerë të mëdhenj, na kanë bërë vazhdimisht krenarë. Nga zëri magjik i Elbenita Kajtazit e Ramë Lahajt e deri te futbollistët tanë në ekipe të ndryshme botërore si Xhaka, Shaqiri, Muriqi, e shumë e shumë të tjerë, futbollistja jonë kampione Kosovare Asllani e shumë  e shumë të tjerë në sporte të ndryshme…pavarësisht se ku kanë luajtur apo performuar, zemrat tona gjithnjë rrahin një me të tyret”, tha ajo në fjalimin e saj./KultPlus.com

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Kolumbisë  në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e jorezidente e Kolumbisë në Kosovë, Ligia Margarita Quessep Bitar, të cilën e uroi për detyrën dhe shfaqi shpresën se gjatë mandatit të saj do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.

Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e shkëmbimit të studentëve, por edhe në atë të tregtisë dhe ekonomisë.

Presidentja Osmani poashtu njoftoi nga afër ambasadoren lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë me datën 24 shtator./KultPlus.com

Presidentja Osmani: E kam analizuar propozimin për Asociacionin, vlerësimet do t’i jap kur kemi proces të nënshkrimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se e ka analizuar dhe lexuar draftstatutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili u propozua nga pesëshja evropiane.

“E kam analizuar gjerë e gjatë me vëmendje të gjatë, vlerësimit e mia do t’i jap më shkrim në momentin që kemi proces të nënshkrimit pastaj kur shkon ky draftstatut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës së Kosovës do t’i dërgoj të gjitha komentet me shkrim”, ka theksuar Osmani, njofton Klankosova.tv./KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani e përmend heroin Afrim Bunjaku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Presidentja Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ka përmendur vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator nga grupi i serbëve që kryen agresion në Banjskë të Zveçanit.

Ajo tha se i ndjeri Afrim Bunjaku e humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës./Klankosova.tv/KultPlus.com