Restaurohet fondi i Lasgush Poradecit, e bija: Së shpejti botoj ditarin e tij

Fondi i Lasgush Poradecit është restauruar edhe përpunuar. Vajza e poetit shprehet entuziaste për këtë arritje edhe rrëfen se shumë shpejt boton edhe ditarin e të atit.

Puna për restaurimin edhe përpunimin e fondit të Lasgush Poradeci, të cilin familja ia ka dhuruar drejtorisë së Arkivave të Përgjithshme, ka përfunduar, transmeton KultPlus.

Fondi i dhuruar nga vajzat e tij, Marie edhe Kostandina Poradeci përbëhet nga 369 njësi ruajte, që kategorizohen në nëntë dosje edhe në rubrika të ndryshme, si veprimtari krijuese, materiale të familjes, letërkëmbime me figura të njohura kombëtare, si Skënder Luarasin, Odhise Paskalin, Eqrem Çabejn e shumë personalitete të tjerë të kohës.

Vajza e poetit, Marie Lasgush Poradeci, shprehet entuziaste për iniciativën e ndërmarrë para një viti, për t’i dorëzuar arkivit të gjitha materialet e të atit në arkiv.

“Jam shumë e lumtur, sepse ky ishte një amanet i babait tim. E mira e këtij arkivi është se gjithçka është në dorëshkrim, sepse im atë nuk përdorte makinë shkrimi. Edhe kjo ka të mirat e veta për studiuesit. Këtu është e gjithë vepra e tij poetike edhe publicistika në dorëshkrim. Është edhe shkrimi se si u shkrua himni kombëtar, që dorëzohet në dokumente autentike të Bukureshtit. Ka shumë letërkëmbime me Çabejn, Paskali etj., . Babi ishte shumë skurpuloz. Ndoshta, modeli i parë që mbante kopje të korrespodencave, sepse thoshte se kur shkruante një letër, vendoste gjithë zemrën e tij prandaj donte që të më ruhej.

Marie Poradeci është duke punuar edhe për botimin e ditarit të Lasgush Poradecit, sepse në këtë mënyrë, sikundër ajo shpreson, do të kenë mundësi që lexuesin ta njohin të atin më mirë.

“Jemi në fazën përfundimtare. Ditari nis në vitin 1936 edhe përfundon në vitin 1982. Atje është gjithë letra e babit tim, titulli është mbështetur tek poezia “Trashëgimtari” edhe do të jetë: “Ju më lini që të flasë unë”.

Deri tani kanë folur shumë për tim atë, por le që ta lexojnë në vazhdim se çfarë ka thënë ai për jetën e tij. Ka shkruar çdo moment. Edhe pse ka vuajtur thoshte që “dua që të vdes, pasi të kem mbaruar destinin tim”.

“Ditari” i Lasgush Poradecit mendohet që të prezantohet gjatë muajit nëntor në Panairin e Librit. /shqiptarja.com/KultPlus.com

Pretendentët e çmimit Nobel për Paqe, nga Papa Francesku te Greta Tuhmberg e deri te Angela Merkel

Më 11 tetor në Oslo do të shpallet fituesi i Nobelit për Paqen 2019. Po kush janë kandidaturat që do të rivalizojnë për çmimin e madh?

Papa Francesku, Papa i parë jo europian, mund të shpallet fitues i ‘Nobel për Paqen 2019’. Papa Francesku karakterizohet për revolucionarizimin e kishës, luftën kundër varfërisë dhe heqjen dorë nga shumë privilegje

Greta Thunberg, suedezja 16 vjeçare është një tjetër kandidaturë mjaftë e fortë. Thunberg është bërë simbol i protestave anti qeveritare në mbrotje të klimës dhe për politika zhvillimi që reduktojne deri në eleminin, gazrat serë në atmosferë.

Emri i saj pushtoi faqet e para të shtypit mbarë botërorë pas fjalimit që ajo mbajti në Samitin e OKB për klimën, teksa akuzoi liderët botërorë me fjalët: ‘Si guxoni? Keni vjedhur ëndrrat e mia dhe fëmijërinë time me fjalët tuaja boshe’.

Ajo është fituese edhe e çmimit ‘Nobel Alternativ’ që nderon njerëzit të cilët angazhohen për problemet globale.

Kancelarja Angela Merkel është gjithashtu kandidate për Nobel përp Paqen 2019. Ky çmim ka shumë gjasa të fitohet prej saj për rolin vendimtar në krizat e refugjatëve dhe çështjen e Ukrainës.

“Kancelarja Angela Merkel ka perspektiva të mëdha për marrjen e çmimit Nobel për Paqen”, shprehet e përditshmja Indeksonline.

Në Oslo, Kristian Berg Harpviken, drejtues i Institutit të Kërkimeve për Paqen (PRIO) dhe prej ekspertëve më të dëgjuar për Nobelin e Paqes, e konfirmon fitoren e lideres gjermane, dhe parashikimet e tij jo rrallëherë kanë qenë të sakta.

“Angela Merkal do ta marrë çmimin Nobel për Paqen”, deklaroi ai gjatë një konference shtypi./konica.al/KultPlus.com

Tom Hanks nderohet me çmimin për arritje jetësore nga Golden Globe

Tom Hanksit, njërit prej aktorëve më të njohur të Hollywoodit, në janar të vitit 2020 organizatorët e Golden Globes do t’ia ndajnë çmimin për arritje njerëzore.

Shoqata e gazetarëve të huaj në Hollywood (HFPA) ditë më parë njoftoi se aktori dhe producenti do të nderohet me çmimin Cecil B. DeMille në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Golden Globe më 5 janar 2020, në Beverly Hills, transmeton KultPlus.

Aktori gjashtëdhjetetrevjeçar në industrinë e filmit depërtoi duke luajtur në filmin “Big” në vitin 1988, në të cilin e luan një djali të ri i cili zgjohet në trupin e një të rrituri. Karrierën e suksesshme ai e kurorëzoi me çmimet Oscar dhe Golden Globe për rolet e tij në filmat ‘Philadelphia’ dhe ‘Forrest Gump’.

“Shoqata e gazetarëve të huaj në Hollywood e ka nderin t’ia japë Tom Hanksit çmimin Cecil B. DeMille për vitin 2020”, – tha Lorenzo Soria, president i shoqatës.

“Për më shumë se tre dekada, Hanks e mahnit publikun me personazhe të pasura dhe të ndryshme të cilët i duam dhe i adhurojmë. Ai është po aq bindës si në ekranin e filmit, ashtu edhe prapa kamerave, si shkrimtar, producent dhe regjisor. E kemi nderin që do ta përfshijmë Tomin në mesin e personaliteteve si Oprah Winfrey, George Clooney, Meryl Streep, Martin Scorsese dhe Barbara Streisand”, shtoi ai.

Filmi më i ri i Hanks, “A Beautiful Day in the Neighborhood”, do ta ketë premierën në nëntor, shkruan KOHA Ditore. Në film ai do ta luajë njërin nga prezantuesit më të famshëm amerikanë të emisioneve për fëmijë, Fred Rogers.

Hanks gjatë karrierës ka luajtur në më shumë se 80 filma. Çmimi Cecil B. DeMille u jepet aktorëve dhe aktoreve, regjisorëve dhe regjisoreve, si dhe producentëve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në industrinë e filmit./koha.net/KultPlus.com

“Lumturia nuk është kur na duan, lumturia është kur duam ne”

KultPlus jua sjellë disa thënie nga Herman Hese:

Kush dashuron vërtet, bëhet hero e poet për një buzëqeshje, për një fjalë, për një shenjë të personit që dashuron.

Një ditë me lodhjen e fundit do të vijë paqja dhe toka mëmë do të më përqafojë.

Edhe një orë e ndalur shënon orën e saktë dy herë në ditë.

Vlera e tepërt që i japim minutave, ngutjes, që është në epiqendër të mënyrës sonë të jetesës, është padyshim armiku më i madh i lumturisë sonë.

Atë që natyra kërkon nga njeriu është e shkruar brenda secilit prej nesh.

Në natyrë nuk ka asgjë aq të pabesë, të egër dhe mizore, sa njeriu.

Dhimbjet, zhgënjimet dhe melankolia nuk shërbejnë për të na hequr vlerat dhe dinjitetin, por për të na rritur.

Lumturia nuk është kur na duan. Lumturia është kur duam ne.

Fati dhe karakteri janë dy emra të të njëjtit koncept. /KultPlus.com

Patër Anton Harapi : Mos harroni, unë jam shqiptar!

Më kujtohet, ishte viti 1943, Shkodër. Ajri vinte erë baruti. Vrasje në rrugë, në shtëpi, në kafene në mes të ditës. Ishim një rreth i vogël shqiptarësh dhe gjermanësh.

Patër Anton Harapi tregon se natën e kaluar tre drejtues të lëvizjes komuniste ilegale kishin qenë tek ai në manastir dhe kishin zhvilluar debat politik me të. Ata thanë se partia komuniste nuk lufton kundër kishës, se komunizmi është në një fazë të re zhvillimi dhe lufton për lirinë kombëtare e për demokraci të vërtetë. Çfarë kërkon Patër Anton Harapi në Këshillin e Regjencës, i cili bashkëpunon me okupatorin fashist?
Një oficer gjerman të Gestapos i pranishëm në bisedë e zunë ethet dhe tha: “Patër Antoni, sa interesante qenka kjo! A mund të na thoni se kush ishin këta të tre?”
Fytyra asketike, e prerë si prej druri, me hundën e madhe u nxi prej zemërimit: “Mos harroni që unë jam shqiptar!”
Tre burrat ishin në shtëpinë e tij edhe pse të paftuar, pra kishin të drejtën e mbrojtjes prej tij.

Por komunizmi në Shqipëri nuk njeh aspak pikëpamje të tilla. Pas tërheqjes së trupave gjermane atë e nxorën nga skuta e mikpritësit të tij dhe të tre këta burra ishin ndoshta midis gjyqtarëve ose spektatorëve kur e varën atë. /KultPlus.com

*Herman Nojbahër ose “diplomati fluturues“ ish kryetar i bashkisë së Vjenës “i plotfuqishmi i posaçëm i Ministrisë së Jashtme gjermane për Europën Juglindore” ne vitet 1943-1944.
Fragment nga libri “MISION I POSAÇËM NË EUROPËN JUGLINDORE“ – “SHQIPËRIA”, botim i Klubi i Poezise, pergatiti Shefqet Hoxha, sponsorizoi Flamur Hoxha, redaktor Izet Duraku.

Biri im, të kërkoj falje që nuk jam i pavdekshëm

Edmond Tupja

“Ges, ti i ke dhënë një kuptim të ri jetës sime, unë mësova prej teje të kuptoj Tjetrin, të mposht vetveten, egon time, sa herë që kjo është e domosdoshme; mesova të heq dorë nga shumë gjëra në emër të dashurisë që ushqej për ty, të të dua edhe kur ti me godet, edhe kur ti më gërvisht, pra, edhe kur më dënon e ndëshkon me dhunë; mësova të luftoj ndryshe, edhe kur e di që nuk do të fitoj, mësova ta shoh, ta dëgjoj, ta nuhas e ta prek botën me syrin, veshin, hundën e dorën tënde dhe kështu, ta kuptoj duke e filtruar edhe përmes ndërgjegjes se tjetrit, aq më tepër kur tjetri je Ti!

Sigurisht, Ges, unë të kërkoj të falur që nuk kam arritur të t`i plotësoj të gjitha, që nuk po të shkëpus dot nga autizmi, të kërkoj të falur për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tënde, të kërkoj te falur që nuk jam i pavdekshem, por i përkohshëm ashtu si edhe nëna jote, sepse brenga jonë më e tmerrshme është mendimi që një ditë të frikshme, ti do të gjendesh vetëm, pa njeri pranë për t`u kujdesur për ty, për të të dhuruar të paktën një grimë mirëkuptim e dashuri. E di, ti nuk ke as motër e as vëlla, ke vetëm një gjysmë vëlla nga ana ime, por që jeton prej vitesh në Kanada dhe që atje e ka ndërtuar jetën e vet; sot kanë ardhur kohë të tilla që njerëzit vdesin të vetmuar, madje edhe prindër që kanë lindur, rritur e nxjerrë në jetë dy, tre, katër a më shumë fëmijë, sepse, siç thuhet, secili ka fatin e vet.

Po ty, po sivellezerit e simotrat e tua me autizëm, çfarë fati ju pret? Sikur të paktën të kishte institucione për të vetmuarit si ti, si të tjerët që të ngjajnë, në mënyrën që ne, prindërit e tu, prindërit e tyre t`i mbyllnim sytë të qetë deri diku duke menduar se ti, djali ynë, se femijët e tyre me autizëm, nuk do të ndiheni të braktisur, edhe më të vetmuar sesa jeni sot që ne jemi ende gjallë. Ges, unë nuk jam besimtar, megjithatë, një buzëmbrëmje dimri anonim, tek mendoja të tashmen tënde të trishtuar dhe të ardhmen tënde të zymtë, pasi ti më kishe dendur me grushta e flakur përtokë si një thes me kashtë të kalbur, rashë në gjunjë dhe i drejtova dëshpërimisht këtë lutje njerëzore Fatit, Rastësisë, Natyrës apo Zotit, pak rëndesi ka: “ O Ti, i Mistershmi, i Gjithpushtetshmi, i Pashmangshmi! Shëroje Gesin tim të pafajshëm! Nuk të kërkoj, nuk të përgjërohem ta bësh gjeni, apo talent, jo, bëje thjesht normal, a më dëgjon, a më kupton, thjesht N-O-R-M-A-L, si shumica e fëmijëve të kësaj bote, të kësaj jete! Bëje normal që ai të jetë të paktën i zoti i vetes, të arrije të mbijetoje edhe kur të gjendet përfundimisht vetëm pas vdekjes së prindërve te tij. Plotësoma këtë dëshirë dhe jam gati të ta fal jetën time!

Të ta fal jetën time? Kjo do të ishte fare e thjeshtë për mua, madje do te ishte diçka parajsore, sepse TI e di, për mua përtejvdekja, pra, pavdekësia, është zinxhiri i trashëgimtarëve: Gesi njeri normal, i biri ose e bija e Gesit, nipat e mbresat e Gesit e keshtu, nga hallka në hallkë, deri sa të ketë jetë mbi rruzullin tonë tokësor. Atëherë, bëmë që të vuaj tmerrësisht, që të gjitha sëmundjet më të llahtarshme të botës të bien mbi mua- sidë, lebër, Alzheimer, kancer, skizofreni, delirium tremens etj., etj. – njëra me e mynxyrshme se tjetra, dhe unë të jetoj duke vuajtur, duke lënguar, duke u përpëlitur njëkohësisht si në nëntë rrathët e Ferrit te Dantes dhe duke kaluar nga njëra torturë në tjetrën, vetëm e vetëm që Gesi të bëhet normal, a më dëgjon, NORMAL!”.arratistje.al/KultPlus.com

“Metallica” ndërpret turneun botëror për shkak të problemeve me alkoolin të Hetfield

Grupi i famshëm “Metallica” ka njoftuar se do të ndërpresë turneun botëror për shkak të problemeve me alkoolin të këngëtarit James Hetfield.

Në një njoftim publik në faqen e grupit, të tre anëtaret shpjegojnë që vëllai i tyre James ka luftuar dhe lufton me varësinë e tij nga alkooli prej shumë vitesh.

Tani për fat të keq ai duhet të hyjë në një program trajtimi për të punuar sërish për shërimin e tij. Datat që janë shtyrë janë 17 tetor dhe 2 nëntor në Australi dhe Zelandën e re, ndërsa për tani mbetet e konfirmuar data 28 mars në Amerikë.

Njoftimi për shtrimin në spital të Hetfield vjen pikërisht në ditën e përvjetorit të vdekjes së Cliff Burton, kitarist i “Metallicas” nga 1982 në 1986. /KultPlus.com

Ma dhuro gjithë dashurinë tënde

Poezi nga David Coverdale
Përktheu: Bujar Meholli

Kur të pashë herën e parë, e dashur,
gati sa nuk m’u ndal fryma
e mendja më thoshte se emri yt
duhet të ishte Problema.
Por zemra ime veçse kishte bërë zgjedhjen,
veten nuk mund ta ndaloja,
të largohesha s’mundja assesi.

Vërtet, nuk e di emrin tënd.
Në kokë më vërtitet “S’mund të të lë vetëm”.
Jam duke vrapuar nëpër rrathë
porsi një qen që ka humbur kockën e tij.
Por e di lojën që je duke e lozur.

Dhe thjesht e dashur, s’mund të lë të shkosh.

Ma dhuro gjithë dashurinë tënde sonte
të gjithën ma dhuro.
Do të bëj gjithçka dëshiron
vetëm sonte tërë dashurinë të ma dhurosh.

Do të punoj shumë çdo ditë
të të dua dhe trajtoj ashtu siç e meriton.
Nga mëngjesi deri në mbrëmje
për ty do të çapitem.
Në cilëndo mënyrë që ti dëshiron
dashurinë që ndjej për ty do ta provoj.

Buzëqeshja jote sikur më ka gozhduar,
vdes të të shoh se si ecën
dhe dridhem nga kënaqësia e ëmbla ime,
teksa të dëgjoj si flet.
Unë jam një budalla që të do aq fort,
andaj ma dhuro gjithë dashurinë tënde…

Shkrimtari Agron Tufa kërcënohet me vdekje

Shkrimtari dhe drejtuesi i Institutit për krimet e komunizmit, Agron Tufa është kërcënuar me vdekje. Lajmin e ka bërë publik vetë Tufa, ku përmes një statusi në rrjetin social shkruan se kërcënimi ka ardhur në adresën e avokatit të tij dhe i drejtohet të gjithëve. Madje Agron Tufa e poston të plotë kërcënimin, të cilin e gjeni si më poshtë:

Postimi i shkrimtarit, Agron Tufa në Facebook

KËRCËNIM I RI ME VDEKJE

Miq e dashamirë, kolegë të nderuar të mediave, Në adresën e avokatit tim, shumë të nderuarit z. Kujtim Cakrani, është dërguan një kërcënim anonim për të, për mua dhe për Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Vini re gjuhën e vjetër të urrejtjes, të trashëguar, me sa duket, nga baballarët e tyre.

Mesazhi: Ju ballista e fashista, qe sot beheni avoketer dhe kerkoni te mbroni sojin tuaj qe nxin luften e hedh balte deshmoreve, jeni ata te djeshmit, qe duheshit vrare te mos mbinit ju e qe keni mar zemer sot. U genjen mendja per kete se skeni krahe. Ska avokat ne bote te fshije gjakun e tyre, dhe te mbroj ate institut kriminel me Agron Tufe e te tere se ju jeni me te poshter se armiqte qe mbroni. Po heronjte kan bere luften dhemb per dhemb, dhe Mhmet Shehun se fshine dot si emer dhe ata qe ishin me te medhenj se ai, do e fshini ju lepuj. Ai beri gabim me 70 vete qe thoni se ka vrare, sepse duhet tu kish vrare te tereve. Po me keto keni shkelur kete here ne derras te kalbur dhe ne qe jemi gjaku i tyre i pa thare nuk falim me. Ku keni qene fshehur qe kerkoni te kafshoni si qener, po dhe qente vriteshin neper kazane. Keshtu si qente do tu gjej dhe ju me kete qe po kerkoni ndaj atyre qe ben luften se bet hak. Kete popull e keta heronj qe doni te hiqni lavdine e tyre me ca rreshta gjykate te korruptuar, e kemi mbrojtur ne po me gjak per vite te tera dhe ju duke na quajtur sot kriminel betoheni se do te na kapni ku te jete. E dini sa esht ky popull qe e kemi me vete dhe betohet per gjakun e deshmorve karshi juve ndyresira qe doni te mbroni ata qe ndyne deshmoret dhe historine. Po kete tani do ta merrni vesh mire, si i gjeti te paret tuaj se e keni bere hak me gjith ata qe hedhin balt deshmoreve dhe ju i doni te hiqni emrat e heronjve dhe luften qe ben dhe fituan me ju te felliqur. Ju dhe familjet tuaj balliste e fashiste nuk do keni vend me tek ne, se e shkruat vete fundin tuaj. Si dolet avash nga llumi, si pa kuptuar, ashtu do tju heqim dhe ne avash te medhenj e te vegjel, se ka qen gabim i madh qe per ju pati meshir. Te gjitheve gropa ju pret. /KultPlus.com

20-vjeçari ndërpreu shkollën për shkak se nuk mund të dilte nga banesa

Leonard Mema 20 vjeç, ka braktisur shkollën që në klasë të pestë, pasi pallati i vjetër ku banonte nuk kishte ashensor dhe prindërit se ngrinin dot në krahë.  Katër vite më parë, bashkia e Durrësit i dha familjes Mema shtëpi në kompleksin e banesave sociale të ndërtuara në zonën që njihet si Ujësjellësi, por Leonardi sërish është “ngujuar” brenda mureve të apartamentit pasi nuk ka as rampë e as ashensor.

Leonardi është një djalosh 20 vjeçar nga Durrësi, por ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij është i detyruar të “ngujohet” brenda katër mureve të apartamentit modest të familjes së tij. I ndrojtur, por i etur për të lexuar libra, Leonardi refuzon çdo kontakt me botën e jashtme.

“Nuk ka qenë kështu, shkak është bërë ndërprerja e shkollës”, – na tregon Sokoli, babai i Leonardit. Leonardi, është detyruar të ngujohet në shtëpi, për shkak të mungesës së infrastrukturës në rrugët dhe institucionet arsimore në qytetin e Durrësit.

“Deri në klasë të pestë ishte e ëma që e çonte në shkolllë dhe e ngrinte edhe karrocën, por me rritjen e djalit, edhe ajo e kishtë vshtirë që ta lëvizte. Shto këtu që ne jetonim në një pallat, në katin e tretë dhe ishte e vështirë ta ngjisje dhe ta zbrisje çdo ditë pa ashensor, pasi pallati ku jetonim nuk kishte rampa”, rrëfen Sokoli.

“Edhe pjesa më e madhe e rrugëve në Durrës janë problematike, duhet patjetër të jetë një burrë që ta shtyjë karrocën se të dalësh në rrugë është tmerr i vërtetë, por une jam në pune” – thotë ai.

Të gjendur në këtë situatë, ata janë detyruar që Leonardin ta shkëpusin nga shkolla. “Kjo e ka vrarë shumë, është bërë tip i mbyllur, nuk pranon të dalë nga shtëpia, flet rrallë, por vazhdon të lexojë me qejf…Nëse do të kishim mundësi, dëshira më e madhe e tij mbetet shkolla, por ne jemi në kushte mbijetese”, – rrëfen jo pa brenga Sokoli.

Me tre fëmijë, dhe me bashkëshorten që duhet të jetë gjithmonë në shërbim të Leonardit, familja Mema e ka të vështirë të përballojë jetesën.  Ata marrin një ndihmë ekonomike për sëmundjen e të birit, por ato që marrin janë thuajse të pamjaftueshme për të përmbushur edhe nevojat më bazike që ai ka.

“Ai është një djalë 20 vjeçar dhe merr diku te 20 mijë lekë në muaj, e çfarë mund të bëjmë ne për të përmbushur nevojat e tij me kaq lekë? Se për dëshira, për argëtim…për një fundjavë në film, teatër apo kinema, apo piknik as që bëhet fjalë”, – ngre shqetësimin Sokoli.

Por problemet nuk morën zgjidhje për familjen Mema, as para 4 vitesh kur u futën në shtëpinë e re që e morën nga fondi i banesave sociale në lagjen nr 17, të njohur ndryshe si Ujësjellësi.

“Edhe pse jemi në katin e parë të banimit, sërish djali është izoluar, pasi për të arritur në katin e parë, ka thuajse 10 shkallë për tu ngjitur, gjë që e bën thuajse të pamundur që djali të ngjisë dhe të zbresë karrocën…Nuk e di se si e kanë menduar, kur i kanë ndërtuar. Ndërkohë që këto banesa janë të reja, vetëm 4-vjeçare, nuk janë të pajisura me rampë apo infrastrukturë ndihmëse për personat me aftësi të kufizuar”, – shpjegon ai.  “Si pasojë djali prapë i mbyllur në shtëpi qëndron”, – thotë i pashpresë Sokoli.

Altin Hazizaj, mbrojtës i të drejtave të fëmijëve, me profesion jurist e konsideron absurde “një ngujim” të tillë.  “Kjo është lehtësisht e zgjidhshme, nëse bashkia nuk ka planifikuar rampën kur e ka ndërtuar objektin, gjë që është krejtësisht faji i urbanistëve, të paktën ti vendosë një rampë provizore prej dërrase apo hekuri që djali të mos izolohet. Kaq është minimalja që mund të bëhet, jo vetëm për këtë rast, por për të gjithë ata që kanë kushtëzim vetëm mobiliteti”, – sqaron ai, duke marrë si shembull edhe ligjin për “urbanistikën” i ndryshur më 2010-ën, i cili përcakton se si duhet të jenë të gjtha ndërtimet, në mënyrë që të ofrojnë akses për të gjithë.

Ai madje konsederon absurde edhe faktin që persona që vujanë vetëm për çështje mobiliteti, të detyrohen në ngujohen në shtëpi gjithë jetë dhe të jetojnë me “lëmoshën” e ndihmës ekonomike, kur fare mirë mund të bëhet një individ aktiv për shoqëronë. “Djalit mund ti ofrohen kurse profesionale dhe ai fare mirë mund të jetë një sekretar në një institucion publik”- sugjeron Hazizaj.

Vetë bashkia e Durrësit sqaron se ka pasur ndërhyrje të konsiderueshme në infrastrukturë për të përmirësuar aksesueshmërinë, por problem mbeten godinat. “Mund të jemi ndër bashkitë më të mira në vend, sa i përket ndërhyrjes në infrastrukturën rrugore, por jemi të vetëdijshëm se problem mbeten godinat, sidomos ato që janë të vjetra.

Jemi njohur me problematikën në rastin konkret, por ky është një rast që kërkon zgjidhje të studiuar dhe në po bëjmë përpjekje që të mund të kemi një plan të gjërë masash për të ndërhyrë në të gjitha godinat, që kanë funksion publik”, – thonë burime zyrtare nga bashkia e Durrësit.

Pakënaqësive për mënyrën se si janë ndërtuar banesat sociale, kryefamiljari Mema i shton edhe dëmtimet e fundit që ata pësuan nga tërmeti. “Një pjesë e murit është çarë komplet! Ishim me fat që nuk i ranë djalit sipër”, – sqaron Sokoli.

Sa i përket këtij problemi bashkia Durrës thotë se qytetari duhet të shkojë në njësinë administrative të tij dhe të raportojë situatën. “Në këtë rast zgjidhja është e menjëhershme, por qytetari duhet të raportojë në njësinë administrative. Madje nëse ka nevojë ai mund të përfitojë edhe ndihma ushqimore apo veshje” – na thonë zyrtarisht nga bashkia e Durrësit.

Adivije Hoxha, kryetare e shpoqatës së para dhe tetraplegjikëve për Durrësin thotë se ndonëse çdo vit ata trokasin në çdo derë të mundshme, sërish kjo kategori vazhdojnë e vujanë nga probleme më minimale, siç është aksesueshmëria. “Vendparkimet, trotuaret, shkollat…janë vetëm një nga një milionë pengesa që kjo kategori haset çdo ditë. Ka përmirësime aty këtu, por nuk mund të thuash që kam bërë një trotuar, kur ai tjetri ngjitur nuk është i përshtatshëm, për karroca. Kemi marrë shumë premtime, por ne duam zgjidhje konkrete”, – na thotë Adivija. /Gazeta Shqip /KultPlus.com

Hillary dhe Chelsea Clinton sjellin një libër të përbashkët për gratë

Doli në shitje libri i ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe vajzës së saj, Chelsea me titullin ”The book of gutsy women” (”Libri i grave kurajoze”), i publikuar nga Simon & Schuster.

Libri mbledh historitë e grave që kanë bërë diferencën: nga aktivistet te figurat politike, nga shkrimtaret te kampionet olimpike.

Hillary dhe Chelsea do t’i bien kryq e tërthor Amerikës për të promovuar librin e tyre.

Dhe e bëjnë këtë në një moment delikat për politikën amerikane, me demokratët që kanë kërkuar një impeachment për presidentin Donald Trump. /KultPlus.com

Piktura “Majmunët në Parlament” del në ankand për 2.5 milion dollarë

Një pikturë e Bansky me disa majmunë në Parlamentin Britanik, pritet të shitet për një shifër prej rreth 2.5 milionë dollarësh.

Çmimi i lartë nuk është vetëm për mesazhin e fortë që kjo pikturë përcjell, por edhe për shkak të artistit.

Bansky është një artist rrugësh, aktivist politik, regjisor filmash, i cili punon në Mbretërinë e Bashkuar. Piktura që titullohet “Parlamenti i Transferuar” është 4 metra i lartë dhe është piktura më e madhe e artistit anoninim britanik.

Vepra ka marrë vëmendje mjaft të madhe gjatë kohëve të fundit, për shkak të problemeve që po has parlamenti me daljen nga Bashkimi Europian. Për këtë arsye, shtëpia e ankandeve ka vendosur që ta vlerësojë nga 1.84 deri në 2.46 milionë dollarë. /KultPlus.com

I dashur Atdhe

Poezi nga Asdreni

Me vite jam larguar,
i dashur Atdhe,
por nuk të kam harruar,
se shumë i ëmbël je.

Kjo zemra më këndon
për ty, o Shqipëri,
por prapë më lëngon,
se je në varfëri.

Të fala të dërgoj,
këndej ku jam Atdhe,
gjithnjë po të kujtoj,
se birin tënd më ke.

“SOFAT Festival”, panoramë e pasurisë kulturore dhe sharmit të jetës rurale

Ka nisur “SOFAT Festival” në fshatin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, ku banorët dhe vizitorët e shumtë kanë shijuar deri në mesnatë muzikë, filma dokumentarë dhe prodhime tipike të zonës.

Në këtë festival, i cili do të vijojë edhe sot, vizitorët kanë mundësi të shijojnë vjeljen e rrushit e fruta të ndryshme, të ziejnë raki, të shkojnë nëpër baxho e ferma kuajsh, të gatuajnë me njerëzit e zonës dhe mbi të gjitha, të argëtohen me njëri-tjetrin.

Gjithashtu vizitorët do të kenë mundësi të flenë dhe ushqehen në shtëpitë e vetë banorëve të zonës e të ndajnë me ta përvoja e histori të ndryshme.

Kjo festë do të vijojë dhe në datat 4 dhe 5 tetor në Libohovë nën kombinimin e tingujve bashkëkohorë dhe tradicionalë të të ftuarve Officina Zoe nga Italia, Fanafara Tirana dhe Hysni Zela, Linda Rukaj Band dhe grupeve e ansambleve folklorike të zonës.

“SOFAT Festival” është një festival kushtuar pasurisë kulturore dhe sharmit të jetës rurale, një dimension njerëzor kompleks, të cilin tashmë po e rizbulojmë e rivlerësojmë vazhdimisht nëpërmjet peizazheve, arkitekturës, veshjeve, muzikës e ushqimit. /KultPlus.com

Fëmijët me probleme shikimi prekën dhe njohën nga afër objektet origjinale në muze

Realizohet projekti “Udhëtim i Prekshëm”, që lejon fëmijët me probleme shikimi të prekin objektet e Muzeut Historik Kombëtar.

Aktiviteti i sotëm kishte të bënte me vizitën e planifikuar në Muzeun Historik Kombëtar nga ana e nxënësve më aftësi të kufizuar në shikim. Fëmijët e Institutit “Ramazan Kabashi”, mundën të prekin objekte origjinale të ekspozuara në muze. Objektet e paracaktuara për t’u prekur ishin të siguruara, fiksuara dhe të sigurta nga dëmtime të mundshme.

Moment tjetër i rëndësishëm në aktivitet ishte prezantimi fëmijëve me aftësi ndryshe të “Figurave të Prekshme” (varianti i prekshëm i figurave pamore). Nëpërmjet këtyre figurave me reliev, u prezantuan objekte muzeore të cilat nuk mund të prekeshin ose nuk janë të ekspozuara.

“Figurat e Prekshme” janë një nga metodat e suksesshme që muzetë kanë filluar të përdorin në drejtim të personave me aftësi të kufizuara në shikim. Muzeu Historik Kombëtar është mikpritës, i ngrohtë e gjithëpërfshirës, i arritshëm dhe pozitiv për njerëzit me aftësi të kufizuara, për ta vizituar dhe për të punuar në të.

Aktivitet i sotëm pati për qëllim prezantimin e vlerave të trashëgimisë të krijuar nga shqiptarët ndër shekuj. Këto vlera, unike dhe të shumëllojshme për nga mënyra e krijimit dhe realizimit të tyre, përbëjnë një nga shtyllat e identitetit kulturor të shqiptarëve.

Ky aktivitet u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Europiane.

Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore kanë objektiv për të rritur ndërgjegjësimin për pasurinë dhe diversitetin kulturor të Europës, të nxisin interesin për trashëgiminë kulturore dhe të inkurajojnë tolerancë më të madhe për kulturat e tjera në të gjithë Europën. /KultPlus.com

Laura Dern, Sam Neill dhe Jeff Goldblum rikthehen në vazhdimin e “Jurassic Park”

Adhuruesit e “Jurassic Park” me kënaqësi e pritën informacionin se të tre anëtarët e kastit origjinal të filmit Laura Dern, Sam Neill dhe Jeff Goldblum do të shfaqen së bashku për herë të parë në vazhdimin e tretë të filmit të quajtur “Jurassic World”.

Dern, Goldblum dhe Neill do t’i përsërisin rolet e tyre origjinale nga viti 1993, së bashku me yjet e “Jurassic World” Chris Pratt dhe Bryce Dallas Howard në filmin e ardhshëm regjinë e të cilit do ta bëjë Colin Trevorrow.

Image

Regjisori Trevorrow e shpalosi këtë lajm në një projeksion special të filmit “Jurassic World” në Hollywood. Dern me këtë rast e konfirmoi pjesëmarrjen e saj në Jurassic World.

Nga ana tjetër, Goldblum të mërkurën në Instagram e tregoi entuziazmin e tij për kthimin në franshizën e filmit “Jurassic”, përsëri në rolin e doktor Malcolm.

Image

Steven Spielberg dhe Trevorrow do të jenë producentët ekzekutivë në Jurassic World 3, ndërsa produksionin do ta bëjnë Frank Marshall dhe Pat Crowley.

Filmi u jep fansave një përmbledhje të njerëzve të cilët vetëm përpiqen të mbijetojnë nga invazioni i papritur dhe vdekjeprurës i dinosaurëve në terrenin e tyre.

Bashkimi i këtij kasti në filmin “Jurassic World 3” e entuziazmoi edhe Reese Witherspoon, e cila në Twitter tha se mezi po pret ta shikojë filmin. /KultPlus.com

Nëntoka e Durrësit vazhdon të befasojë me zbulimet arkeologjike

Gati 30 vjet pasi u hodhën themelet për ndërtimin e tij, Muzeu Arkeologjik i Durrësit synon të hapë eksponatet e mesjetës dhe arkeologjisë nënujore, ndërsa institucioni do të marrë statusin e ‘muzeut kombëtar’.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit kohët e fundit ka marrë statusin “Muze Kombëtar”, i pari i këtij lloji në shkallë vendi. Qytetit bregdetar i jepet mundësia jo vetëm të shtojë numrin e vizitorëve, por edhe të ruajë më mirë trashëgiminë kulturore.

Ndërkaq, konkretizimi i ligjit kërkon zgjidhjen e disa problematikave, që nisin nga mungesa e dokumenteve të pronësisë dhe platformës ideore fillestare të Muzeut, deri te ngritja e godinave ndihmëse dhe pavarësia financiare e tij. Më pas edhe vendosja e emrit të një arkeologu-simbol, siç e kërkojnë intelektualët dhe qytetarët e Durrësit.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Alban Ramohito tha për BIRN se “zbatimi i ligjit nr 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” ka përcaktuar një grup prej rreth 20 specialistësh që do të punojnë në Muzeun Kombëtar Arkeologjik të Durrësit.”

“Arkeologët, restauruesit, skicografët, guidat, etj. do të kryejnë veprimtarinë e tyre jashtë mjediseve të ekspozimit, në një godinë që do të ngrihet në oborrin e pasmë të Muzeut,” shton drejtori Ramohito, sipas të cilit Ministria e Kulturës do të përcaktojë së shpejti edhe të ardhmen e dy kateve të sipërm të Muzeut, të cilët aktualisht janë bosh.

“Kati i dytë, me një projekt thuajse të gatshëm do ti kushtohet ekspozimit të gjetjeve që i përkasin periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës në Durrës” nënvijëzoi Ramohito, i cili shtoi “në katin e tretë pritet të vendosen të gjitha objektet e zbuluara në pjesën nënujore detare pranë qytetit”.

Pronësia dhe platforma, mungesat që kërkojnë zgjidhje

Ndërtimi i ndërtesës së muzeut arkeologjik të Durrësit ka nisur në fund të viteve 1980 dhe ceremonia e përurimit i përket vitit 2002.

Megjithatë në hartat, kadastrën dhe në planimetritë e qytetit nuk ka asnjë shenjë të godinës me tre kate, që ndodhet në krahun e djathtë të shëtitores “Taulantia”, vetëm 300 metra larg godinës së ndërtesës së muzeut të vjetër. Bashkë me praktikën e hipotekimit të godinës në Kadastrën e Durrësit po punohet edhe për përcaktimin e sipërfaqes së pronës.

Drejtori i muzeut Alban Ramohito pranon se në pjesën periferike të oborrit ka një banesë abuzive. “Sidoqoftë, të gjitha pretendimet e mundshme janë bllokuar, deri në zyrtarizimin e pronësisë së Muzeut – vlerëson ai.

Risistemimi i katit të parë, si dhe plotësimi i dy kateve të tjerë të tij kanë gjithashtu një ngërç, për zgjidhjen e të cilit po punohet nga specialistët.

“Bashkë me dokumentet e ndërtimit, aktualisht mungon edhe platforma shkencore mbi të cilën në vitet 1990 është ngritur muzeu më i madh arkeologjik i vendit tonë,” shprehet Alban Ramohito.

Sipas Ramohitos, ky element do të lehtësonte edhe paraqitjen e projektit përfundimtar të eksponateve të Mesjetës dhe të Arkeologjisë nënujore.

Bashkë me pavijonet e mëdha në Muzeun Arkeologjik, është parashikuar edhe krijimi i një hapësire ekspozimi brenda dhe jashtë muzeut, dedikuar prezantimit të objekteve të zbuluara në Durrës gjatë viteve të fundit.

“Deri tani në muze janë paraqitur 2,700 objekte, ndërsa numri i tyre në fondet e muzeut është dhjetë herë më i madh,” shton drejtori Ramohito.

Kjo pjesë e re e Muzeut do të mundësojë njohjen me objektet e zbuluara nga arkeologët vendas, por edhe nga ekspeditat e përbashkëta me specialistë nga Italia, Franca, etj.

Më shumë vizitorë në muze dhe amfiteatër

Vetëm gjatë 8 muajve të parë të këtij viti Muzeu Arkeologjik dhe Amfiteatri I Durrësit kanë regjistruar mbi 29 mijë vizitorë, një numër në rritje turistësh vendas dhe të huaj. Por statusi i ri pritet ti japë Muzeut më shumë pavarësi financiare, në dobi të mirëmbajtjes dhe promocionit të vlerave arkeologjike.

Drejtori Ramohito zbulon gjithashtu se Muzeu do të jetë pjesa më e rëndësishme e Qendrës Muzeore Durrës, që siç e përcakton Ligji nr 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe Muzetë” është institucion me status “muze kombëtar”, në varësi të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, me seli në qytetin e Durrësit, e cila administron Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë dhe Parkun Arkeologjik Durrës, kufijtë e të cilit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.

“Vizitorët e Muzeut Arkeologjik mund ta shohin atë si stacionin kryesor të guidës, në të cilën bëjnë pjesë edhe amfiteatri, forumi rrethor, termat antike dhe muret mesjetare,” tha Ramohito.

Sipas Ligjit për trashëgiminë kulturore i gjithë territori i Durrësit, nga bregdeti deri në Porto Romano, përfshirë edhe zonën e ish-kënetës do të konsiderohen “Park Arkeologjik”.

“Kujdesi i institucioneve për to nuk do të jetë më sipas ndarjes së mëparshme “zona A” dhe “zona B” e riskut arkeologjik,” sqaroi Ramohito, sipas të cilit nëntoka e Durrësit do të trajtohet e gjitha me të njëjtin kujdes, pasi ajo “vazhdon të befasojë me gjetje të reja arkeologjike në të gjithë skajet e saj”.

Një VKM e muajit të kaluar ka vendosur ndryshimin e emërtesës së Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare DRKK në të gjithë vendin, të cilat në të ardhmen do të quhen Drejtori Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK).

Por në Durrës kjo sjell më shumë se sa një ndryshim i thjeshtë emërtese.

DRKK, që deri tani ka ushtruar kompetencat e saj në qytetin bregdetar, do të transferohet në Tiranë. Një vështirësi më shumë për të trajtuar dhe konservuar nga kryeqyteti zbulimet e shumta arkeologjike ndër vite të qytetit të lashtë të Durrësit. /Gëzim Kabashi /KultPlus.com

“The Guardian” shkruan për ringjalljen e verës shqiptare

Industria e verës, edhe në Shqipëri, ka probleme me imazhin. Megjithatë, një brez i ri prodhuesit vere po kërkojnë thellë në depozitat e tyre të rrushit duke na treguar rezultate mbresëlënëse, shkruan gazeta prestigjioze britanike ”The Guardian”.

”Vendi i vetëm në botë ku mund të pini një gotë të ftohtë ‘Ceruja’ është tek ferma Uka, një vreshtari dhe restorant biodinamik në afërsi të aeroportit të Tiranës. Afër liqenit të Ulëzës, në veri të Shqipërisë, vreshtat e pazakonta të rrushit kacavirren manave dhe vilen vetëm njëherë në disa vite”, thuhet në artikullin e Guardianit.

Shqipëria mund të mos jetë e njohur për verën, por kjo gjë po ndryshon dalëngadalë, pasi prodhues vere si Flori Uka, i cili ka blerë të gjithë sasinë e vjelë të rrushit ‘Ceruja’, filluan të bënin emër në këtë industri. Vendi i pozicionuar pranë detit Adriatik, ishte i pothuajse tërësisht i paarritshëm për të huajt deri ne vitin 1991 dhe kooperativat e detyruara nga shteti (që nga viti 1950) prodhonin vetëm dy lloje verërash, te kuqe dhe të bardhë. Ditët e sotme, vendi po sheh rilindje të vreshtave të shumtë në 30 punishte të verës.

Nën hijen e kështjellës së Beratit, të ngjashme me atë të Disney-it dhe e mbrojtur nga UNESCO, Muharrem Çobo, që nga viti 1994, po rrit rrush të rrallë shqiptar. Paraardhësit e Çobos, pavarësisht se ishin prodhues të vjetër të verës, gjatë periudhës së komunizmit e kishin të ndaluar të prodhonin verë. Ai po fiton kohën e humbur duke eksperimentuar me disa “mikro-fermentime” prej 100 shishesh çdo vit.

Nga një vresht i vetëm, Çobo ka rilindur një tjetër lloj rrushi kacavjerrës, të quajtur Puls i Bardhë. Ka shijen e fortë të agrumeve dhe aromën e zjarrit që kombinohet me ullinjtë e Beratit, të cilët ai i shërben gjatë degustimeve të verës në qilar. Pas marrjes së mostrës së rozesë së tij të gazuar 12 ditëshe, hapim një shishe ”Shendeverë”, me një shije shpërthyese të fermetuar si shampanja, që është më e mirë se çdo gjë që kam provuar.

Megjithatë këtu ende ekziston problemi i markës.

Flori Uka thotë: “Kur kam prezantuar verën e fermës Uka në restorantet e qytetit më thonin ‘aa, është prodhim shqiptar, do të paguajmë vetëm 2 euro për shishe’. Çdo vit Shqipëria prodhon vetëm një milion shishe verë në një vend me tre milionë banorë, teksa importojmë 50 milionë euro verë italiane”.

Por, me këtë brez të ri prodhuesish vere, kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë”, përfundon ”The Guardian”. /KultPlus.com

Historia e fantazmës së dhomës 311 brenda hotelit më të frikshëm në botë

Një hotel i pazakontë është inaguruar në Tenezi, SHBA. Ndërtesa e restauruar mban një histori të frikshme në themelet e saj pasi në vitin 1920 është vrarë një vajzë nga i dashuri i saj.

Nga historitë e trashëguara shumica e njerëzve tregojnë se shpirti i saj ende përndjek ambjentet e ndërtesës. Pikërisht dhoma ku ndodhi ngjarja ka marrë emrin e viktimës Annalisa Netherly ose siç njihet ndryshe dhoma 311 është restauruar sipas modelit të vitit 1920.

Ajo do të jetë e hapur për publikun në datë 31 tetor pikërisht në ditën e Halloween-it dhe çmimi për qendrimin do të jetë 666 dollarë për një natë.

Dhoma ka qenë e hapur për vizitorët gjatë ditës, por nuk është lejuar ende askush të qendrojë.

Sipas legjendës Annalisa ishte një prostitutë e cila u vra në vaskën e dhomës së saj nga i dashuri, i cili ishte xheloz për të.

Më pas shpirti i saj e përndoqi atë si dhe çdo person tjetër që kalonte natën aty, sidomos meshkujt. /KultPlus.com

Risultati immagini per Annalisa Netherly

Zanat në mitologjinë shqiptare

Zana e malit është krijesë mitologjike shqiptare, me veti tepër origjinale autoktone dhe e krahasueshme më tepër me figura të këtilla ballkanike dhe malore të popullsive në Gadishullin Ballkanik.

Ajo mund të krahasohet edhe me Artemidën e grekëve ose Dianën e romakëve. Vështirë mund të shkohet në një krahasim deri te Thana e ilirëve. Sipas traditës, ato kanë dy karaktere: i zbutur, i cili i ndihmon kreshnikët në betejat e tyre, dhe karakteri idhnak, i cili shiton (nguros), kur u prishet qetësia.

Brirët e dhive të egra janë mbrojtja dhe dobësia e zanave. Zanat i ruajnë territoret e veta me xhelozi. Ato i shitojnë ata që ua prishin qetësinë ose i befasojnë kur janë duke lozur nëpër livadhet e maleve. Prandaj, edhe kur shkohet në mal, është traditë të bëhet zhurmë për t’i njoftuar ato për afrimin e njeriut.

Zana është edhe simbol i pjellorisë.“Bariu i Shenjtë”, ky është emri popullor i Shën Martinit, mbrojtësi i ujqërve dhe, njëherësh, i bagëtisë. Në mendësinë popullore shqiptare, ai ushqente një nderim të veçantë, sepse për të ndizeshin qirinj në të kremte me karakter fisnor.

Bariu i Shenjtë ka disa ngjashmëri me Panin, hyjin-bari me brirë dhe me këmbë cjapi, por ka edhe veçoritë e tij, të cilat i gjejmë vetëm te shqiptarët.

Image result for mythology Pan

Sipas besimeve popullore, ai është hyji i maleve e i pyjeve, gjegjësi mashkullor i Zanës. Përfytyrohet si një njeri vigan që banon i vetëm në pyje. Ai është zotërues i ujqërve, të cilët i ushqen, i drejton, por edhe i dënon. Kur do t’i ushqejë, shenjti u hedh ca kokrra misterioze jeshile, me madhësinë e frutës së dëllinjës, ose i urdhëron që të venë të hanë aksh bagëti të aksh malësori. Por, po deshi, ai ua “lidh” gojën e ndonjëherë edhe i ndëshkon për prapësitë që bëjnë. Njihet edhe me emrat Bariu Hyjnor, Shën Marti, Shmarti, Shmartuku, Hazreti apo Hazëri (a Hezri),Njeriu i Mirë, Njeriu i Shenjtë apo Njeriu Jeshil. “Fatet “

Figura të besimeve popullore dhe të përrallave, që përfytyrohen si tri gra që vijnë natën e tretë te djepi i të posalindurit dhe i caktojnë fatin e jetës. Në veriun e Shqipërisë, këtë detyrë e kryejnë Orët. Çdo pësimi të njeriut i vishet vendimi i tyre, ndaj njerëzit ngushëllohen duke thënë: kështu e shkruan Fatet.

Natën e tretë bëhet edhe e kremtja e familjes, që quhet poganiqe. Për këtë rast piqet një bukë, e cila thyhet mbi djepin e fëmijës. Ndër të krishterë, pas kësaj ceremonie i vihet emri fëmijës. Thirren edhe Fati, Vitore, Mira, Mirushe, Orë etj. “Dordoleci” Edhe sot e kësaj dite, në kopshte e në ara shqiptarët vendosin një shëmbëlltyrë njeriu: me trup, krahë, këmbë dhe kokë, të veshur me rroba, më shpesh me rrecka.

Në zanafillë, dordoleci ka përfaqësuar një shëmbëlltyrë të hyjit të bujqësisë, i cili, edhe pse u shndërrua në brendësi, si trajtë u ruajt deri në ditët tona. Ai vihej për të pasur prodhime të mbara, por edhe për t’i trembur dëmtuesit e prodhimit. Quhet edhe Plaku i Kopshtit, Plaka e Kopshtit, Nusja e Kopshtit, Surrati i Arës, Coli, Hakubeti etj./shqip.info/KultPlus.com

Sartri: Fjalët janë pistoleta të mbushura

Zhan Pol Sartri lindi më 21 qershor të vitit 1905. Ai ishte filozof francez dhe autor, një nga figurat kryesore të filozofisë së ekzistencializmit, dhe filozofisë në përgjithësi, përfshi atë marksiste të shekullit XX.

Jean-Paul Sartre u lind dhe u rrit në Paris nga Jean-Baptiste Sartre, një oficer i Marinës Franceze, dhe Anne-Marie Schweitzer. Kur Sartri mbushi 15 muaj, babai i tij vdiq nga një sëmundje.

Mamaja e vet e rriti atë me ndihmën e babait të saj, Charles Schweitzer, një profesor gjimanzi i Gjermanishtes, i cili ia mësoi Sartrit metematikën dhe ia prezantoi atij literaturën klasike në një moshë shumë të re. Si adoleshent në vitet 1920, Sartri u interesua për filozofi pasi lexoi libra nga Henri Bergson.

Ai studio dhe u diplomua në filozofi në Paris në elitën École Normale Supérieure, një institucion i edukimit të lartë që kishte nxjerrë disa mendimtarë dhe intelektualë të rëndësishëm Francezë.

Sartri i ndikua nga shumë aspekte të Filozofisë perëndimore, duke marrë ide nga Kanti, Hegeli, Husserli dhe Heideggeri, ndër të tjerë. Sartri kreu shërbimin ushtarak në Ushtrinë Franceze nga viti 1929 deri më 1931. Më 1939 ai ishte në ushtrinë franceze, ku shërbente si meteorolog.

Ai u kap nga forcat gjermane më 1940 në Padoux, dhe kaloi nëntë muaj si i burgosur lufte. Sartri u lirua në prill 1941. Pasi iu dha statusi i civilit, ai rifilloi punën si mësues në Lycée Pasteur afër Parisit, i vendosur në Hotel Mistral afër Montparnasse tek Paris dhe iu dha një pozicion i ri tek Lycée Condorcet, duke zëvendësuar një mësues hebre të cilit i ishte ndaluar mësimdhënia nga i ashtuquajturi Vichy law apo Statuti mbi Hebrenjtë.

Pasi u kthye në Paris në maj 1941, mori pjesë në themelimin e grupit nëntokësor Socialisme et Liberté me shkrimtarët e tjerë Simone de Beauvoir, Merleau-Ponty, Jean-Toussaint, Dominique Desanti, Jean Kanapa, dhe studentët e École Normale. Sartri gjate jetës së vet mori pjesë edhe në politikë.

Sartri ndikoi edhe në sociologji, kritikë, studime letrare, dhe vazhdon të ndikojë. Ai mbeti i angazhuar deri në fund të jetës së tij (viti 1980). Në verë të vitit 1968 gjatë protestave në Paris Sartri u arrestua për mosbindje civile. Presidenti Charles de Gaulle ndërhyri dhe e liroi.

Në vitin 1964, Jean-Paul Sartre nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, “për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë”.

Shumë njerëz u çuditën, kur Sartri e refuzoi çmimin, duke thënë se ai gjithmonë i ka mohuar nderimet zyrtare dhe se “një shkrimtar nuk duhet ta lejojë veten që të shndërrohet në institucion”.

I urryer, i nderuar, dhe duke dërguar njerëzit në një shqetësim të madh ekzistencial që nga viti 1940, vepra e Zhan Pol Sartrit mbetet tepër e rëndësishme.

Me qëllim “sfidimin e çdo ideje dhe çdo personi”, pohimet e Sartrit kërkojnë që ne të pranojmë përgjegjësinë për zgjedhjet tona dhe botën tonë, duke përqafuar të panjohurën e pakonceptueshme. Filozofia e tij shkatërruese për qenien dhe asgjënë vazhdojnë të zhysin njerëzit në krizat e tyre më të thella ekzistenciale.

Satri vdiq më 15 prill 1980 në Paris nga një sëmundje në mushkëri. Ai prehet në Cimetière de Montparnassenë Paris. Shumë njerëz morën pjesë në varrimin e tij, numri i tyre gjatë marshimit dy-orësh vlerësohet të ketë qenë nga 15 000 deri te 50 000.

Disa nga aforizmat më të famshme të Sartrit janë:
– Jeta nuk ka kuptim në momentin që ju humbisni iluzionin e të qënit të përjetshëm.
– Çdo gjë, çdo gjë do të ishte më mirë se agonia e mendjes, kjo dhimbje që të gërryen, por që nuk dhemb kurrë mjaftueshëm.
– Ferri janë njerëzit e tjerë.
– Ne nuk dimë çfarë duam dhe përsëri jemi përgjegjës për atë që jemi.
– Çdo gjë është zbuluar përveç faktit se si jetojmë.
– Çdo gjë që ekziston është lindur pa arsye, përzgjatet në gjendje të dobët dhe vdes rastësisht.
-Ne duhet të zbulojmë pasionin tonë përpara se ta ndjejmë atë.
– Zoti është mungesa. Zoti është vetmia e njeriut.
– Njeriu është një pasion i kotë.
– Njeriu është i dënuar për të qenë i lirë, sepse sapo hidhet në botë, ai është përgjegjës për çdo gjë bën.
– Fjalët janë pistoleta të mbushura. /konica.al/KultPlus.com

Filmi ‘Drita’ me Arta Dobroshin shfaqet në Cyrih

Një tjetër film premtues që tregon një histori Kosove do të pushtojë së shpejti ekranet ndërkombëtare. Bëhet fjalë për filmin “Drita” me regji të Daniel Kruglikov ku luajnë aktorët e mirënjohur Arta Dobroshi, Genc Jakupi dhe Florist Bajgora, transmeton KultPlus.

Ky film, që e ka për producent Shkumbin Jakupin, do të shfaqet në edicionin e 15-të të “Zurich Film Festival”.  Ky edicion i sivjetmë mbahet në Zvicër mes datave 26 shtator dhe 6 tetor ndërsa filmi që është koproducion mes Kosovës e SHBA-ve do të shfaqet tri herë në kudër të tij.

Siç bëhet e ditur përmes programit të festivalit, filmi do të shfaqet të hënën më 30 shtator, të mërkurën më 2 tetor si dhe të dielën më 6 tetor.

Filmi “Drita” flet për një akt hakmarrjeje, ku Drita humbi jetën. Filmi ka në qendër një dashuri mes saj dhe Flamurit në një kohë kaotike. Drita futet në ciklin shkatërrues të hakmarrjes, ku rivalët bëhen një me dhunën dhe jeta bëhet një me vdekjen. Filmi mëton të tregoj se si mund të kapërcehet ky rreth vicioz. /zëri/KultPlus.com

“55 Shades of Gay” rrugëton për në Ludwigshafen të Gjermanisë

Nesër në mbrëmje shfaqja ‘55 Shades of Gay’ e Jeton Neziraj, do të shfaqet në Theater im Pfalzbau në Ludwigshafen të Gjermanisë.

Theater im Pfalzbau është një nga teatrot më unike të këtij rajoni, i cili përpos bashkëproduksionit vendor, përqendrohet që në programin e vet përgjatë vitit të ketë mysafire shfaqjet më unike të Evropës, transmeton KultPlus.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

 Në këtë trini [Manipulim. Abuzim. Nënshtrim], pyetja që shtron shfaqja është: a është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?

Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar simbas udhëzimeve të BE-së.

Në shfaqje luajnë aktorët: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj, Luan Durmishi (vokal).

Kjo shfaqje është financuar nga The Olof Palme International Center dhe Goethe Institut. Qendra Multimedia financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë. /KultPlus.com

Vetëm fëmijët na e mësojnë lumturinë e vërtetë (FOTO)

Fotografia, një dukuri që ka ndalur kohën, ka kapur momente të lumtura e të pikëlluara, e ka thënë ato që nuk thuhen.

Kush më shumë se fëmijët na e përkujton se të jesh i lumtur, ndonjëherë është gjëja më e thjeshtë në botë. Lumturia është e shenjt dhe nuk blihet dot, e atë nuk e gjejmë  as në rrjete sociale e as në të holla, shkruan KultPlus.

E në rastin e kësaj fotoje, me të vërtetë vlen thënia e famshme ‘’Një foto sa 1000 fjalë’’.

Fotoja është realizuar në një fshat të Indisë dhe paraqet disa fëmijë që lumturinë e gjejnë përmes lojës së tyre. / KultPlus.com