Së shpejti do të mbahen takimet ndёrkombёtare “Azem Shkreli”

Pёr tё shtatёmbёdhjetёn herё me radhё nё Pejё, mё 23 e 24 maj organizohen takimet ndёrkombёtare letrare “Azem Shkreli”.

Emra prominent autorёsh do tё jenё tё pranishёm nё kёto takime si:
Hemuth A Niederle, Sylvestre Clancier, Emmanuel Pierrat, Hava Pinas Cohen, Rafaël Newman , Antonio Della Rocca …

Pёrveç autorёve tё huaj, edhe autorё tё njohur nga Kosova , Shqipёria e Maqedonia do tё paraqiten me poezi. Nё sesionin tematik nё kuadёr tё takimeve do tё mbahet konferenca shkencore “Lidhja e Pejёs” , ku do tё referojnё studiuesit Elena Kocaqi e Muhamet Mala. Nё sesionin e studimeve letrare promovohet libri i Skender R.Hoxhёs. Anton Nikё Berisha do tё promovojё kompletin e librave “Nёna Tereze nё shtatё shpalime”, nё zhanrin e prozёs promovohet romani i Florin Kelmendit “Vrasje nё kornizё”, ndёrsa pёrmbledhje me poezi do tё promovojnё: Erenestina Gjergji -Halili , Adem Gashi, Sali Bashota e Nikolin Gurakuqi. Muzeu i Durrёsit do tё hap ekspozitёn nё Galerinё e Arteve nё Pejё. Juria profesionale do tё ndajё çmimet e takimeve: çmimin ndёrkombёtar “Azem Shkreli” pёr kontributin nё gjuhёn dhe letersinё shqipe, çmimin ndёrkombёtar “Lirikat e Azemit’. Çmimin “poezia mё e mirё” pёr poezinё mё tё mirё konkuruese , çmimin “Bulёzat” pёr krijuesit e rinj , si dhe çmimin “Lirisё” qё sivjet jepet pёr herё tё parё./KultPlus.com

Mbahet manifestimi letrar dhe konkursi letrar për mërgatë “Azem Shkreli 2019”

Lidhja Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë ne Gjermani për të trembëdhjetën herë me radhë organizon Manifestimin Letrar, si dhe Konkursin letrar për mërgatë “Azem Shkreli”.

“Ftojmë të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar shqipe nga mërgata të marrin pjesë në këtë manifestimin kulturor dhe letrar. Manifestimit tonë letrar i paraprinë fjalët përshëndetëse dhe konkurrimi me poezi përkushtuse për Azem Shkrelin qe do të shpërblehet poezia fituese. Prezantojmë tri vëllimet e fundit të veprës  “Kosova” dhe Dosja B të shkrimtarit dhe historianit tonë të njohur Jusuf Buxhovi”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.

Nga juria e zgjedhur do të shpërblehen dy librat më të mirë të botuar vitin e kaluar me poezi dhe prozë dhe që kanë konkurruar për Konkursin letrar për mërgatë “Azem Shkreli 2019”.

Promovohen edhe dy veprat e fundit të shkrimtarit dhe luftëtarit për liri, Martin Çuni “Universi i jetës” poezi dhe “Lulet e jetës” letra nga burgu, Sead Ramadani me veprën poetike “Malli për Tokën”, si dhe Mr. Sc. Murat Ajvazi me librin e tij “Skënderbeu në Historiografinë Zvicerane”.

Të ftuarit e nderit të këtij manifestimi janë: Përfaqësuesit e shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, gjegjësisht nga përfaqësuesit e ambasadave dhe konsullatave të tyre. Shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi, biznesmeni i suksesshëm shqiptar, Lazim Destani, si dhe Prof. Dr. i muzikës Bekim Ramadani nga Tetova.

Manifestimin tonë do ta zbukurojë ekspozita të artit pamor nga artisti ynë Ben Kamili, thuhet tutje në njoftim nga organizatorët.

Do të ketë edhe të ftuar të tjerë nga shtetet tjera evropiane dhe politikanë nga spektrat e ndryshme politike lokale dhe shtetërore gjermane.

Të pranishmit me disa pika muzikore do ti argëtojnë vëllezërit Kurtishi dhe nxënësit e shkollës shqipe me disa valle popullore shqiptare. Për të ftuarit do të kemi edhe drekë imbis.

Manifestimi mbahet me datën 26 maj 2019, duke filluar nga ora 12:30.

Adresa: “Haus Ennepetal” Gasstraße -10, 58256 – E n n e p e t a l


Koha e krymbave

Azem Shkreli

Dalin kryezezë, kryeverdhë, nga vullnet i vrimave 
Turren terr në sy, myshqeve, mendimeve, muranave 
Trup e tërthori u bien trupave të palendshëm 
Sa marrin trok lëngatave, sa kalirojnë ligësive 
Lakmojnë krymbas, zbirojnë, gropojnë, krymben 
Në kënaqësi të zeza, gëzohen zi, cimbojnë me të zezë 
Marshim i jargët i tyre zvarret tryezave, shikimive 
Bien në dy gjunjë, luten të marrë mot i lëmashekët 
Hipin shoq me shoq dhe shpallin kremten e krymbave 
Shih si levrijnë, si i shtyn me gisht të madh koha 
Shenjti i Shenkoll, po tallemi apo na mori krymbëria?! / KultPlus.com

Kafsha e zezë

Poezi nga Azem Shkreli

Heshtja det i lëkundur dhe vetimët 
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet 
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët 
Një langua leh e s’ik as lidhet 
Ulurin përmotshëm mbase së ligës 
Ja ndjen erën diku në gjakun tim 
Ai rrëmbimit të vet i turret digë 
Rreptas pastaj etur merr gufim 
Tej durimit dhimshëm. Të trazuara 
Ngrihen grevë të pabërat duan dëshmi 
Protestojnë. Gjithë gjërat e ndaluara 
Bredhin mëllefit të vet me zhauri 
Dhe leh kafshë e zezë e s’ik as lidhet 
Heshtja det i lëkundur dhe vetimët 
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet 
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët 
Ja që kështu na qenka kafshë e dehur 
Mëtimi. Pastaj vetëm cuklat kur të na mbeten 
Do thonë: Ai me fjalë e ajo me të lehur 
Të rrojnë se njerëzisht e hëngrën veten 
Të pastë ndjesë harrimi hero i herave tjera

Katër këshilla vetes

Azem Shkreli

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh 
me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë. 

ngrehu mbi veten në dot t’rrokësh frerët e erërave, 
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat 
e gjakut tënd. 

n’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë, 
jo në sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi. 

mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh 
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë. / KultPlus.com

Sot 81 vjet nga lindja e poetit Azem Shkreli

Azem Shkrelí ishte një poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Librat e tij me të njohur me poezi janë: Bulzat, Engjujt e rrugëve, E di një fjalë prej guri, Nga bibla e heshtjes, Pagëzimi i fjalës, Nata e papagajve , “Lirikë me shi, Zogj dhe gurë. Ndërsa në prozë ai shquhet sidomos me romanin e tij “Karvani i bardhë”.

Azem Shkreli u ngjit në maje të letrave shqipe dhe vazhdon të mbetet i tillë falë thesarit që ka lënë si pjesë e letërsisë shqipe. /KultPlus.com

Elegji për Azem Shkrelin

Poezi nga Din Mehmeti.

Mos e zgjoni!
Nuri i tij shndrit

Trupin e ka në të tashmen
Shpirtin në të ardhmen

Është duke përbiruar
Nëpër shkëmboren e mendimit
Për të arritur në anën tjetër të vetes

Rugovasit e mbështollën
Me shalla të bardhë
E vendosën në shpirtin e tyre
Për të jetuar gjithmonë me të

Drita i tha territ:
Nxima shikimin
Mos ta shoh të heshtur

Terri i tha dritës:
Më bëj edhe më të zi

O miku im më i miri mik
Zi zi zi – ajo ditë
Eh eh eh!…

Mos e zgjoni!

Çka mësova unë

Çka mësova unë – Azem Shkreli
(këngë gegërishte)

Me u ra tërthoreve n’trup
Me ndie andjet tue lehë
Me ra mbas xixave n’pup
Me u ndejtë dhimbjeve n’teh
Me shkel prajshëm n’për tokë
N’vene t’fjalëve mos me u deh
Me i ndreqë muret me kokë
Me thanë fat kobi kuje
Mos me dashtë ngushëllim
Me folë pa hile me mikun
M’u var n’çengelin tim
Me ndezë kandila të fikun
Me i venë vetimet n’sy
Me mat me dorë n’zemër
Me gjerbë e mos me pështy
Me prek Akilin n’themër
Ndër sqota mos me u mekë
Me dashtë si me vdekë
Me vdekë si me lujt.

“E sa herë vdes nënë, vdes nënëmira ime”

Poezia “Nënat” nga Azem Shkreli.

Ato lahen në gazin
tonë e në lotët e tyre.

Bëhen rojë murane
te krojet e shtera të gjirit.

Në ballin tonë për herë
u bëjnë dritë shejt gishtat.

Ditët na i prarojnë dhe rrugët
me nga një bekim më t’mirin.

Me rrëmetën e krrusur t’moteve
na ruajnë nga hijet e liga.

Një ditë shkojnë si të shkonin,
të mos vijë më vdekja.

E s’na kërkojnë asgjë,
pos një grusht dhe mbi krye.

Shkojmë. E sa herë vdes nënë,
vdes nënëmira ime.

Nënat sipas Azem Shkrelit

Azem Shkreli
(Shokut tim për nënën)

Ato lahen në gazin
tonë e në lotët e tyre.

Bëhen rojë murane
te krojet e shtera të gjirit.

Në ballin tonë për herë
u bëjnë dritë shejt gishtat.

Ditët na i prarojnë dhe rrugët
me nga një bekim më t’mirin.

Me rrëmetën e krrusur t’moteve
na ruajnë nga hijet e liga.

Një ditë shkojnë si të shkonin,
të mos vijë më vdekja.

E s’na kërkojnë asgjë,
pos një grusht dhe mbi krye.

Shkojmë. E sa herë vdes nënë,
vdes nënëmira ime.

“Kënga e turpshme” e Azem Shkrelit nën interpretimin brilant të Aurela Gaçes (VIDEO)

“Kënga e turpshme” e Azem Shkrelit është një nga poezitë e tij më të shkurtra por më kuptimplota, ku vargu të merr me dhimbjen e njeriut që bart në vete borxhin ndaj atdheut.

Kur këto vargje të një poeti të rrallë siç ishte Shkreli, bashkohen me zërin brilant të këngëtares Aurela Gaçes që dëgjohet çdo ditë e më shumë, bëjnë që vargjet të përjetohen në shumë dimensione artistike e të prekin shpirtin lehtë shpirtin e brendshëm. KultPlus sot ju përcjellë interpretimin e Aurela Gaçe.

Sonte
Qava sonte për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava.

Azem Shkreli, dorëshkrimin e fundit ia kishte dorëzuar këtij shkrimtari të njohur

Azemi , miku im
Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër . Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli , se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë. Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri ,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë , shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë , sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim . Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë . Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin .
Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin:
Nëna ime , e bukura Hatixhé,
Më e bukura nga gjithë fshatarkat,
Atje në minder mbi një dyshemé,
Më polli mua kur u kthye nga arat.
Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte , e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste:
-Dritëro!
-Hë, Azem?-përgjegjesha unë.
Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet:
Nëna ime , e bukura Hatixhé,
Më e bukura nga gjithë fshatarkat…
Pastaj qeshte dhe tundte kokën:
-E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë!…
Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë , kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij , një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare. Por më vonë , pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve , rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të , filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda . Megjithatë , në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë , duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi . Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut , që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam
edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij . Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi , edhe se Beharen e kishte të sëmurë.

Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun , që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën , dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë , për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës:
-E po, si nuk folëm për letërsinë!- tha ai dhe psherëtiu.
-Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine.
Vërtet , Azemin e shqetësonte letërsia : si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit. Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë , të matur e të lirë , po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës , që përbëjnë jetën. Edhe vëllimi i fundit poetik , i botuar pas vdekjes, në qendër ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi .Ai erdhi në shtëpi tek unë , si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë , dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash .
-Ky është libri im i fundit-tha ai.
-Jo i fundit , por i gjashtëmbëdhjeti !- thashë unë duke qeshur.
-Fjala që vjen !- tha ai i skuqur pakëz.
Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur. Folēm
për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij , që unë e çmoj shumë, e me radhē.
Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time . Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjetsha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti .
-E , Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë.
-Po të mos ishte poezia , do të kishim ngrënë njëri-tjetrin , siç ke thënë ti njëherë!- kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë.
Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor.
-Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes.
Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij .
20 Janar 1998
Dritëro Agolli

Në rrugë

Poezi nga Azem Shkreli.

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah më tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?

Jam ba përshëndetje e harrueme e kalimtarëve,
jam ba lot e kangë,
jam ba betim i rrugëve dhe rreze e shkrepun
majë gurit.

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë ku sosin
fijet e këputuna t’kësaj kange?

Jam ba pre shitimi i syve zjarr,
jam ba bekim e namë,
jam ba zog e re n’krah t’agsholeve t’bardha?

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah m’tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?!

Katër këshilla vetes

Poezi nga Azem Shkreli. Në kujtim të 21-vjetorit të vdekjes së tij.

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
me seicilin varg, të lindësh me seicilën fjalë.

ngrehu mbi veten në dot t’rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat
e gjakut tënd.

n’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.

mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë.

21 vite pa Azem Shkrelin

Sot mbushen plotë 21 vite nga vdekja e poetit të madh Azem Shkreli.

Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.

Azem Shkreli lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit. Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër.

Azem Shkreli vdiq në pranverën e vitit 1997./ KultPlus.com

“Azem Shkreli” e shndërron Pejën në pikëtakim letrarësh

Nën qiellin e hapur në parkun e qytetit “Ibrahim Rugova”, të mërkurën, ka nisur edicioni i 16-të i takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”, që ka bërë bashkë autorë nga vende të ndryshme të rajonit e të botës.

Ky manifestim letrar dyditor, që në këtë edicion i kushtohet heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është organizuar nga Ministria e Kulturës, Komuna e Pejës dhe nën mbikëqyrjen e kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, por i cili nuk ishte i pranishëm në hapjen e këtyre takimeve. Hapjen e bëri drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Engelbert Zefaj, që uroi pjesëmarrësit nga vendet e ndryshme të botës, si nga Shqiperia, ShBA-ja, Gjermania, Ukraina, Azerbajxhani, Turqia, Hungaria, Kroacia… që kanë ardhur për herë të parë në këtë qytet.

Në ceremoninë e hapjes së këtyre takimeve, në të cilat poezitë e veta i lexuan 15 poetë vendorë e të huaj, e në mesin e tyre edhe poet të rinj, u bë edhe ndarja e çmimit “Bulëzat”, që u jepet krijuesve të rinj. Këtë çmim e fitoi pejania 11-vjeçare Leonisa Ahmeti, nxënëse e shkollës fillore “Smajl Hajdaraj” në Pejë. Në orët e pasdites janë organizuare dhe dy tribuna letrare. Njëra me tematikën “Kulti i fjalës në poezinë e Azem Shkrelit”, që u ligjërua nga Dabahajdin Cena. Kurse në tribunën tjetër me tematikën “Roli i poetëve dhe shkrimtarëve në shtetndërtim”, që e mbajti studiuesi Ndue Ukaj, me poezitë e veta janë prezantuar 15 poetë, në mesin e të cilëve Nikollë Lokaj, Fatmire Duraku, Qazim Muska, Zhaneta Barzhaj, Erina Coku, Labinot Berisha, Marigonë Kelmendi… derisa jashtë konkurrencës për çmime në këto takime u paraqitën Esat Loshaj, Rrustem Gërguri dhe Shaqir Foniqi.

Në ditën e dytë të takimeve, ku përveç manifestimit qendror në të cilin do të ndahet çmimi kryesor i këtyre takimeve, “Azem Shkreli”, do të mbahet edhe takimi poetik me poezi dedikuar Skënderbeut. Meqenëse ky edicion i takimeve letrare “Azem Shkreli” i kushtohet Skënderbeut, në Galerinë e Arteve në Pejë në ditën e dytë të takimeve do të hapet edhe ekspozita me motive nga historia e Skënderbeut, në të cilën do të lexohet edhe një kumtesë nga Mira Tuci. Përveç çmimit kryesor, në këto takime do të ndahet edhe çmimi ndërkombëtar “Lirika e Azem Shkrelit”, çmimi për poezi më të mirë. Kurse vetëm për këtë edicion do të ndahen edhe çmimet “Skënderbeu’’ dhe “Pavarësia’’.

Këta janë poetët që do të lexojnë në Takimet Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli”

Edicioni i 16-të me radhë, Kosova përfaqësohet në një nga ngjarjet më të mëdha në rajon ku do zhvillohet eventi Takimet Ndërkombetare Letrare “Azem Shkreli” 2018, ku do jenë të pranishëm mysafirë special nga vende të ndryshme të botës, shkruan KultPlus.

Për këtë ngjarje kulturore që do të mbahet prej 23 deri më 24 maj, tashmë është publikuar edhe lista perfundimtare e poeteve pjesëmarrës në këtë konkurrim si edhe kronologjia e përcaktuar e leximeve:
Sipas organizatorëve, më 23 maj, në ceremoninë e ndarjes së cmimit “Bulëzat”, janë përzgjedhur poetët: Naxhije Kastrati “Spontanija”, Neki Lulaj “Beteje e fituar”, Ali Lajqi “Ne permendoren e vjeter”, Rasim Thaqi “Sikur edhe nje here” dhe Sabahete Kaliqani “Fanar lirie”.

Kurse po më datën 23, pas Tribunës Tematike të mbajtur nga studiuesi Ndue Ukaj, do të prezantohen poetët: Nikolle Lokaj “E kam pyetur veten”, Fatmire Duraku “Vasha me kike”, Qazim Muska “Mpakje”, Zhaneta Barzhaj “Bota ne tenxhere”, Erina Coku “ Kodi I Heshtjes”, Labinot Berisha “Keshillat e vetes”, Marigone Kelmendi “Ne Himalajet e perkrenares sime”, Esat Loshaj (Jashte Konkurrimit), Rustem Gerguri (Jashte Konkurrimit) dhe Shaqir Foniqi (Jashte Konkurrimit)

Kurse manifestimi qendror do të mbahet më 24 maj, ku poetët që do të lexojnë janë: Mira Tuci “Kanga e vjetit 7102”, Adriatike Lami “Liri ne levizje”, Alfons Zeneli “Portret ne drite”, Vjollca Dibra “Vetevritemi”, Irena Gjoni “Rrefimi I rrenojave te zeshme”, Dhimiter Pojanaku “Frika vyshk lulet e veres”, Shefqete Glosaci “Shtegetime”, Poet i huaj, Poet I huaj, Poet I huaj, Islam Cenga “Ne Peje nuk kam qene kurre”, Jeton Kelmendi (Jashte Konkurrimit), Ajete Pavata (Jashte Konkurrimit), Sare Gjergji (Jashte Konkurrimit) dhe Adem Shkreli (Jashte Konkurrimit)

Po më 24 maj do të mbahet edhe takimi poetik me poezi dedikuar Skënderbeut, ku poezitë e tyre do ti lexojnë: Fran Ukcama “Bese e zemer ne asht’ te kombit”, Nebi Bunjaku “Dielli i Arberise”, Agim Desku “Ma fal vdekjen, Gjergji im”, Elisabeta Gockaj “Liria”, Rame Oranca “Liria buron nga zemra”, Zymer Melhani “Dua”, Sami Velqani “Elegji per Dede Gjo Lulin”, Vera Bytyqi (Jashte Konkurrimit), Vladimir Muca “Ikje” dhe Farida Ramadani “Lavdi shekujsh”.

Tri poezitë fituese do të lexohen në ceremonialin e ndarjes se cmimeve në shesh./KultPlus.com

Kërcnimi

Poezi nga Azem Shkreli

Mbramë…
Ku thehen krahët e gëzimit
E diell’ i jetës tret mbas malit
Hijen tande e pashë
Ngadalë kah unë tue u matë.

Mbramë,
Në cakun e të gjitha caqeve
Ku fjala e kamba ngrihen,
Në përshpëritjen tande tinëzake
Heret, shumë heret e ndjeva
Emnin e vogël t’kurrkushit,
Edhe hijen time kah përpëlitet si gjet i vramë
E pashë ndër dhamb’ t’përgjakun…

Mbramë…

E tash
Shpeshherë po e ndjej
Shushuritjen e kambëve t’tua
Livadheve t’gjoksit tim,
Dhe e dij:
– Dikund…
– Ti po vjen
– Me hapa të mdhej sa vjeti.

Azem Shkreli: Mes nesh kanë hyrë shumë varre dhe gjak

(Bisedë me “Naša Borba”, marrë nga vepra “Zoti nuk është shqiptar”, 1996)

● Kohë më parë morët shpërblimin për libër të vitit. Ku ndodhet momentalisht, krijimtaria shqiptare, në ç’drejtim ecën dhe a ka sot kushte në kosovë për t’u marrë seriozisht me vlera të njëmendta artistike?
► Krijimtaria artistike shqiptare në Kosovë edhe në këto kushte të vështira po dëshmon vitalitetin e saj, jo vetëm të ekzistencës, po edhe të zhvillimit e të avancimit të vlerave. Krijimtaria, në veçanti letërsia, mund të vështirësohet, por është e papengueshme. Krijuesi i mirëfilltë, shkrimtari i mirëfilltë, në të gjitha kushtet dhe në të gjitha situatat është shkrimtar. Tekefundit, krijimtaria artistike shumë herë nuk është rezultat i ndjenjës së mirëqenies. Shkrimtari e prodhon vetë lirinë e vet krijuese, vetë akti krijues është çlirim dhe liri.
Është e vërtetë se klima krijuese te ne është e rënduar mjaft, e ngushtuar, e ngarkuar me pasoja të vrazhdta të gjendjes në të cilën ndodhemi. Vlerat që arrijnë të krijohen dhe të ngrihen mbi këto vështirësi e pengesa, japin apriori provë të qëndrueshmërisë së tyre. Autorë vlerash të tilla, si çdo kulturë tjetër, ka edhe krijimtaria jonë dhe ata janë të papushtueshëm Kjo kurrsesi nuk do të thotë se dhuna e represioni të cilat në esencë janë antikulturë dhe anticivilizim, nuk e kanë lënduar ndjeshëm edhe kulturën dhe krijimtarinë tonë artistike, se nuk i kanë dëmtuar ndjeshëm vlerat, sepse, ato atë punë e atë qëllim kanë kurdo që pushteti i njërit i përdor ndaj kulturës dhe identitetit të tjetrit.

● Sa është e kushtëzuar krijimtaria artistike shqiptare nga ngjarjet ditore politike dhe a është e mundur t’u shmanget atyre?
► Klima dhe hapësira krijuese shqiptare këtu janë të rënduara, të ngushtuara, të ngarkuara. Ç’raport tjetër mund të kenë arti e kultura me dhunën, represionin e terrorin policor që janë përherë antipodë të kulturës e të artit? Kushtëzimi është evident. Ky kushtëzim nuk ka se si të evitohet, pasojat s’ka se si të mos ndjehen. Shkrimtari ynë, sikundër edhe të tjerët, nuk mund të jetojë jashtë kohës dhe jashtë jetës së popullit të tij, pra jashtë brengave dhe shqetësimeve dramatike që jetojnë sot shqiptarët në Kosovë, por edhe në vise të tjera të ish Jugosllavisë. Politika këtu nuk është më sferë interesimi e aktiviteti shtresash të caktuara që të mund t’i rrish anash. Ajo mirret me të gjitha dhe me të gjithë duke pasur në shënjestër çdo gjë që bën jetën, identitetin dhe ekzistencën shqiptare. Jeta politike këtu ndodh e kondensuar, e tensionuar, e instrumentalizuar ekstremisht nga tendenca shpërbëijeje të një substrati etnik. Është krejtësisht e kuptueshme përse shqiptarët nuk duan të jenë më vetëm objekt i politikave që do të vendosnin pozitën dhe fatin historik të tyre, ata duan të jenë subjekt esencial dhe i pakapërcyeshëm i vendosjes për pozitën dhe ardhmërinë e vet. Është po ashtu e kuptueshme përse në këtë vorbull vlimesh dramatike dhe vendimtare, intelektualët, andaj edhe shkrimtarët, nuk mund të kundrojnë anash. Kjo, madje as nuk varet më nga ata, varet nga imperativa të cilat nuk i përcakton vokacioni dhe vullneti i tyre.

● Ju ishit njëri nga pjesëmarrësit e dialogut të dëgjuar që u zhvillua në Francuska 7. Ç’ndodhi, në të vërtetë, atëbotë, ku u shfaqën mospajtimet më të mëdha dhe a ishin ato të pakapërcyeshme?
► Konsideroj se ai takim i shkrimtarëve në Beograd ishte i pari dialog mes shqiptarëve e serbëve. Ai ishte fillim i një dialogu i cili nuk u zhvillua dhe nuk u krye. Ishte i drejtpërdrejtë dhe krejtësisht i hapur. Një dialog politik pa politikë, pa rrotulla e retorizma të demagogjisë politike. Ai dialog, ai fillim dialogu, nuk ishte kurrsesi shkak i konfliktit, ishte hapje dhe sheshim i shkaqeve të konfliktit dhe, në esencë, dëshirë që ato të evitohen. Mospajtimet dhe kundërshtitë u hapën. Mirëpo, ato nuk qe e mundur të zgjidhen aty për aty. Ato u thanë sy më sy, pa ngurim e konsiderata të rreme, pa dorëza e komplekse. Dhe nuk u fshehën kurrë më.
Ku e merr që ai dialog t’ishte ç’duhej t’ishte: fillim i një dialogu sigurisht të gjatë, të rëndë e të mundimshëm, por konstruktiv dhe qëllimmirë.
Megjithatë aty u tha esenca e pozicionimeve të të dyja palëve. Nuk kishim iluzion se me një dialog, me një filiim dialogu, do të zgjidheshin e do të rrafshoheshin mospajtimet të dlat janë të ashpia, të thella dhe të kahershme. Ato as nuk mund të kapërcehen ndonjëherë pa u kapërcyer më parë shkaqet e tyre. Aq romantikë naivë të politikës nuk ishim as ne shkrimtarët. Ne vetëm po fillonim diç të domosdoshme që duhej të gjente vendin, mënyrën dhe vullnetin e mirë të vazhdohej. Krahasoni tani rezultatet e asaj që është dashur të bëhej me këto të kësaj që është bërë tragjikisht mbrapsht!
Një gjë mund ta them me bindje të thellë: Mbyllja e dialogut që në fillim të tij ishte fatale. Sado që dialogu ynë atëherë filloi i ndezur e i elektrizuar nga kundërshti të ashpra të interesave e të argumenteve, nga paragjykime e emodone të hrinjuara gjatë kohë, në ffymën dhe në esencën e qëilimit të atij dialogu të rreptë përmes të dlit doemos që do të zbrazej në fillim tërë një akumulim i gjatë e i fshehur mllefesh e urrejtjesh, kishte më shumë kulturë e tolerancë, më shumë prirje për rezonim intelektual e njerëzor, se sa në të gjitha që pasuan. Mirëpo, dialogun e morën në dorë politika; polida, militarizmi. Gjuhën e argumenteve e zëvendësoi gjuha brutale e forcës, e represionit dhe dhunës. Dihet si i zgjidhin ato çështjet mes popujve. Ato thelluan ndarjen e mosbesimin, urrejtjen e egërsuan dhe e bënë patologjike. Mes nesh futën edhe mjaft gjak dhe varre. Tani jemi shumë më larg njëri-tjetrit. Jemi definitivisht të ndarë dhe të larguar. Në mënyrën më të egër, më primitive, më të papajtueshme.

● A ka sot çfarëdo komunikimi a bashkëpunimi të intelektualëve shqiptarë me kolegët e atyre nga ish-Jugosllavia dhe veçmas nga Serbia?
► Ndarja dhe largimi vazhduan të thellohen. Motivet që i shkaktuan dhe pasojat që lanë janë traumatizuese. Të rinjtë dhe një pjesë e madhe e inteligjencisë shqiptare njohën një realitet të hidhur raportesh të cilat nuk i mbanin mend nga golgotat e kaluara shqiptare dhe nuk mund t’i supozonin të mundshëm tani. Dëshprimi qe i madh posaçërisht tek ajo masë e shqiptarëve të cilët kishin investuar mjaft besim dhe bindje se ishte e mundur jo vetëm fqinjësia e mirë, po edhe bashkëjetesa dhe ardhmëria me serbët.
Besimi dhe iluzionet u rrënuan gjer në themel: Duke zhveshur shqiptarët nga çdo subjektivitet politik, duke ushtruar kolonizim e ndërrim të dhunshëm të strukturës etnike të Kosovës, duke përzënë nga puna, nga shkollat e nga fakultetet qindra mijëra punëtorë, kuadro, studentë e nxënës shqiptarë, duke serbizuar emra rrugësh, firmash, entesh, institucionesh e toponimesh, duke aplikuar ligje të posaçme diskriminuese si dhe përmes një sërë masash e veprimesh të tjera të dhunës, represionit, diskriminimit, aparteidit e gjenocidit të hapur, Serbia demonstroi në mënyrën më të vrazhdtë variantin dhe modelin e saj të kahershëm se si do ta zgjidhte ajo çështjen e Kosovës e të shqiptarëve, po t’i mbetej në dorë ta zgjidhi. Shqiptarët, të cilët nuk janë më çobanë, argatë dhe sharraxhinj, me sytë e tyre panë dhe njohën te ky model tërë monstruozitetin trishtues të elaboratit famëkeq të një Qubrilloviqi.
Një e keqe e posaçme qe fakti se përballë gjithë kësaj, mungoi të dëgjohet zëri i ndërgjegjes së inteligjencisë serbe. Ai zë qe i shurdhër ose i shurdhuar. Nuk ka rëndësi në i mungoi guximi qytetar apo vullneti të dëgjohet. Në mos për të mbrojtur shqiptarët, atëherë për të mbrojtur dinjitetin e vet njerëzor, intelektual dhe kombëtar para vetes dhe para botës. Ishte një fenomen befasues e i palakmueshëm, do të thonim i shëmtuar, një shkak i posaçëm dëshprimi dhe thellimi të mosbesimit e të largimit. Pasojat janë të ndjeshme e të rënda dhe nuk shërohen lehtë. Ato do të jetojnë të thadruara në kujtesë gjeneratash. Dhe, kuptohet, ato lënduan thellë dëshirën dhe vullnetin për komunikim, kuptimin e komunikimit.
Tani duhen durim, kohë dhe përpjekje të mëdha e të gjata për të rivënë urat e rrëzuara të çfarëdo kontakti a bashkëpunimi të cilit mund t’i besohet. Në Beograd kam pasur edhe vetë mjaft miq serbë nga fusha të ndryshme të artit e të kulturës. Nuk jemi parë e nuk jemi dëgjuar qëmoti. Nuk dua të besoj se janë bërë të tjerë njerëz, sepse njerëzorja mbetet te njeriu. Më dhimbset kushdo që, me vullnet e vetëdije apo pa to, misionin e vet të artistit e të intelektualit e viktimizion për shkaqe e motive të cilat nuk i bëjnë nder.

● Si i komentoni qëndrimet radikale të intelektualëve të shquar serbë e shqiptarë, me të cilat, krijohet përshtypja, këputen edhe ato pak fije bashkëjetese të serbëve e shqiptarëve në Kosovë, apo ndoshta konsideroni se bashkëjetesa është e pamundur?
► Do të jem krejtësisht i hapur dhe i sinqertë, ndryshe nuk ka kuptim biseda jonë. Pyetja juaj sikur i barazon pozicionimet [pa] dallim mes qëllimeve radikale të njërës dhe të palës tjetër. Ka, dhe dallimi është radikal, pothuaj i pakapërcycshëm: Ndërkohë që radikalistët shqiptarë nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa liri, vetvendosje dhe pavarësi për vete, pa i munguar kujt as qimet e flokut, radikalistët serbë kërkojnë zgjidhje militare, dhunë, represion e terror, përzënie të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, ndërrim të dhunshëm të strukturës etnike, kolonizim e serbizim të Kosovës, zhbërje nacionale të qenies së tjetrit. Ky pozicionim, që është manifestim brutal dhe i shëmtuar i errësimit dhe erozimit të ndërgjegjjes nga pasione patologjike të urrejtjes ndaj tjetrit, nuk i bën nder as individit, as artistit e intelektualit, dhe as popullit në emër të interesave “të larta” të të cilit prononcohet.

● A është e mundur bashkëjetesa?
► Kjo është kryepyetja. Kryepërgjegjjen nuk e jep dot individi, e jep populli. Të dy popujt. Mundësitë e bashkëjetesës i provuam bashkë kaq gjatë në histori dhe në të gjitha variantat na doli e padurueshme dhe e pamundur. Dëshmitë e fundit ishin fatale, ishin tragjike. Duket sikur me bashkëjetesën mes popujve dhe me bashkëshortësinë është njësoj. Kur thyhen, thyhen si kupa e qelqtë, nuk ngjiten dhe nuk amohen më. Tani ne shqiptarët duam që, nga bashkëjetesa e keqe, të bëjmë fqinjësi të mirë. Ndoshta të dyja palët jemi më të përshtatshme për të dytën.

● Pos ndonjë tentimi të zbehtë imitimi të dialogut, dialog të njëmendët serbo-shqiptar nuk kishte deri sot. Sa mund t’i kontribuojnë intelektualët e pavarur normalizimit të marrëdhënieve dhe vendosjes së dialogut serioz politik?
► Intelektualët, po qenë intelektualë seriozë, nuk mund të mos jenë të pavarur. Intelektualët, po qenë të pamanipuluar e të painstrumentalizuar nga pushteti e politika, të painfektuar nga sëmundje urrejtjesh nacionale, janë pa dyshim më të miratueshmit të shtrojnë udhën dhe klimën e arsyes e të vullnetit të mirë, të qetësojnë euforitë banale e pasionet nacionaliste, të zbusin e të humanizojnë raportet, të ndërtojnë besimin në nevojën, në domosdonë dhe në mundësitë e dialogut. Kush tjetër pos intelektualëve dhe para intelektualëve. Të dy popujve tanë u uroj që tani, në të hyrë në shekullin njëzetenjë, ta kenë më të mençur kokën sesa pushkën.
Artistët shqiptarë, disa vite të fundit, shumë rrallë kanë marrë pjesë në manifestime kulturore në Serbi. Edhe ato pak tentime që u bënë, është përshtypja se u instrumentalizuan nga garniturat politike. Në ca raste, artistët e tillë u shpallën “tradhëtarë” të interesave nacionale.
A nuk ju duket edhe kjo pyetje paksa e instmmentalizuar dhe a nuk është më mirë që përgjigjen ta lëmë për kohë më të mira?

● Pas rënies së komunizmit në vendet evro-lindore, ndihet nevoja e krijuesve të tyre për të pushtuar hapësira të reja në rrjedhat kulturore evropiane e botërore. Çfarë është depërtimi i krijuesve shqiptarë në këtë plan?
► Hapja e Shqipërisë ndaj botës, pas aq kohë mbylljeje e izolimi, pas aq kohë vetëmjaftimi që është vetvrasës për kulturën e çdo populli, është hapje e udhëve dhe e vlerave për komunikim kulturor me botën. Po sistemohen përpjekjet të depërtohet me vlerat më të mira. Vlera te tilla ka nga shumë fusha të krijimtarisë dhe rezultatet, jo vetëm me një Kadare, janë kurajuese. Kurajim, vetëvetiu, na përket edhe ne këtu sepse një është kultura shqiptare.

‘të lindin fëmijë të bukur si bari’

Poezi nga Azem Shkreli

Në katër e njëzet e pesë

Në katër e njëzet e pesë
mund të vijnë e të shkojne udhët, mund
të lindin fëmijë të bukur si bari.

Në katër e njëzet e pesë
të mbarojë lufta, të rrjedhë ujë ujrave
të shkruhet libër, asgjë të mos përsëritet.

Mund të jetë e shtune pas tërë një të premteje
vetmi e pritje, mallkim e pritje, një lumë
të heqë dorë nga bifurkacioni.

Mund të degjohet muzikë nate, mund të qash
Mund të dashurosh dhe të vdesësh
si asnjëherë tjetër.

Në katër e njëzet e pesë
flenë meteorët.