Darka e gabuar

Nga: Ismail Kadare

(Pjesë e shkëputur nga romani i ri i Ismail Kadaresë: Darka e gabuar)

Ja ç’kishte ndodhur. Atë pasdite të paharrueshme, kur tanket dhe autoblindat, pas shkarrangjitjes rënkuese hynë në qytet, prej njërës autoblindë, atje te sheshi i Bashkisë, kishte dalë komandanti i divizionit gjerman, koloneli Fritz von Schwabe, mbajtës i Kryqit të Hekurt.

Pa çmpirë ende këmbët, në kohën që shoqëruesit e tij prisnin urdhrat e para, ai ia nguli vështrimin pamjes në një mënyrë, që i habiti të tjerët. E si të mos mjaftonte kjo, po aq mungues, si të fliste me vete, shqiptoi fjalët: “Gjirokastër… kam një mik këtu…”
Shoqëruesit kujtuan se po bënte mahi, çka ishte dhe s’ishte e besueshme, pas një dite aq të gjatë e plot të papritura. Por koloneli vazhdoi me të njëjtin zë: një mik të madh, një shok universiteti… më të ngushtin e miqve… vëlla e shkuar vëllait…

Shoqëruesit pritën që, më në fund, t’ia shkrepte gazit, siç bëhet pas mahive të tilla e, pasi të thoshte “bëra shaka”, të shpjegonte shkakun e mahisë.

Asgjë e tillë s’ndodhi. Përkundrazi, duke vështruar shoqëruesit me ca sy të menduar, që nuk ia kishin parë kurrë, ai tha emrin e mikut, fakultetin ku kishin qenë bashkë në Mùnchen dhe adresën vendase të tij: Doktor Gurameto i madh, alias grosse doktor Gurameto, Rruga Varosh, 22, Gjirokastër. Albanien.
Pa e marrë veten nga kjo, shoqëruesit dëgjuan urdhrin e komandantit që të gjendej e të sillej menjëherë përpara tij shqiptari i çuditshëm. Katër ushtarë, hipur në dy trirrotësha, me mitraloza në duar dhe me adresën e të kërkuarit, u nisën me rrapëllimë të gjenin njeriun.
Ngaqë banorët ende nuk kishin dalë nga strehimet, askush nuk e pa atë që ndodhi, mbërritjen e ushtarëve te porta e doktor Gurametos, trokitjen, marrjen e tij me vete.
Te sheshi i Bashkisë, ndonëse i kishin besuar më në fund fjalët e kolonelit, kur vunë re nervozizmin me të cilin ai priste mikun e shpallur, shoqëruesve, kushedi pse, iu ngjall përsëri një fije dyshimi. Ishte vërtet mik i madh, vëlla e stërvëlla apo dikush që kërkohej për t’u dënuar? Pa e vrarë mendjen më tej, me njëfarë kureshtie, tani po prisnin nëse doktorit të famshëm do t’i jepej ndonjë medalje e lartë apo do të pushkatohej për ç’kushedi krim.
Trirrotëshat mbërrinë njëri pas tjetrit, me të njëjtën rrapëllimë të padëgjuar, por që tani nuk habiste kurrkënd, ngaqë mbërritja e doktorit enigmatik s’mund të mendohej veçse e tillë.
S’dukej të ishte fjala as për medalje e as për dënim. Ishte tjetër gjë ajo që pikërisht ishte dukur e pabesueshme, sentimentale, si nga shekulli i kaluar, më thellë, si nga koha e kalorësisë.
Në krye doktori u duk se shtangu, thua se nuk e njohu shokun e shkollës (kalimi i viteve, uniforma ushtarake e sidomos dy gjurmë plagësh mbi fytyrë, kishin qenë ndoshta shkaku i mosnjohjes), por pastaj çdo gjë shkoi siç duhej.
Përqafimet e natyrisht mallëngjimi dhe lotët ishin të tillë, saqë fije të tjera hamendjesh nisën të valaviteshin e sakaq të treteshin aty për aty… A ishte vizituar koloneli te mjeku kohët e fundit?.. Nga ana tjetër… një përdëllim i tillë… kaq… O, jo, jo… nuk mund të ishte kjo… As njëri e as tjetri s’dukeshin të atillë… Një diçka tjetër ishte megjithatë… Koloneli von Schwabe, ndonëse i ri e me gradë të paktë, kishte lidhje të forta atje në Berlin, në qendrën e Rajhut… Ai mund të dinte gjëra që s’i dinte kush… Ai mund të dinte, për shembull, se ky doktor shqiptar mund të emërohej befas… guvernator i Shqipërisë.
Ndërkaq, mallëngjimi vazhdonte. Gjetja e vëllait të humbur, si ato që tregoheshin në baladat e vjetra, nuk do të ishte më prekëse. Koloneli, si të ishte në mendjen e tyre, po i thoshte diçka të ngjashme doktorit.
Nibelungen, he? Kodi Lek Dukaxhin, he? Të kujtohet ç’më thoshe te “Taverna e vejushës Marthe”? Besa shqiptare, mikpritja.
Më kujtohet, si s’më kujtohet?, përgjigjej doktor Gurametoja i madh.
Ishte i mallëngjyer pa dyshim edhe ai, por një hije e pashpjegueshme i kalonte herë pas here në sy.
Fytyra e kolonelit, gjithashtu, herë pas here ngurosej.
Kaq shumë e ëndërroja këtë takim, thoshte mendueshëm. Kur qëllonte që dikujt i tregoja për ty dhe për Shqipërinë, siç e kisha lexuar te Karl Maye dhe siç ma kishe thënë ti, më merrnin ndoshta për të marrë… Sepse ata nuk e dinin lidhjen time me ty… Nuk e dinin se, kur kujtoja se po jepja shpirt, ty të kisha ndër mend. Aq shumë të kisha ndër mend, saqë befas m’u duk se jo mjeku ynë ushtarak, por ishte ti që po më operoje… Të kujtohet kur më kishe thënë se kishe parë njëherë një ëndërr të frikshme, ku të dukej se po operoje vetveten?.. Ja, ashtu m’u duk… Po më operoje ti… pavarësisht se veglat i kishte ndër duar tjetërkush… Pra, ti më shpëtove… më ngjalle, më thirre, më ktheve nga vdekja.
Në çast e preu të folurën dhe vuri dorën te balli, aty ku kishte njërën nga shenjat e plagëve. Kur nisi të fliste prapë, zërin e kishte të ngadaltë, gati-gati të pikëlluar.
Kështu pra… kur mora urdhrin… kur më thanë: merr divizionin e tankeve dhe shko të pushtosh Shqipërinë… mendimi i parë ishte për ty. Ishte fjala jo ta pushtoja, por ta shpëtoja Shqipërinë, ta bashkoja me Rajhun e përjetshëm dhe, natyrisht e në radhë të parë, të të gjeja ty, vëllain tim… Dhe kështu u nisa hareshëm në vendin e Besës, siç më kishe thënë ti…
Ai prapë pushoi së foluri, këtë herë për një kohë të gjatë.
Në qytetin tënd, doktor Gurameto, më qëlluan.
Zëri i tij ishte tani i ngjirur dhe fytyra i nxinte.
Shoqëruesit ndiqnin të zymtë të folurën e kolonelit. I ngrirë, pa thënë asgjë, dëgjonte doktor Gurametoja i madh.
Më goditën pabesisht… Kur pararoja, me shpirt ndër dhëmbë, arriti të jepte lajmin: na goditën! mendimi im i parë ishte prapë për ty. Për fajin tim, ngaqë të besova ty, i shtyrë nga mallëngjimi, mendjelehtësisht i kisha nisur drejt vdekjes. Nuk e fsheh, me pezëm të tmerrshëm thirra: Gurameto, tradhtar, ku e ke besën tënde shqiptare, ku?!
Ja ku doli, gati sa nuk thirrën me zë shoqëruesit e kolonelit… Kishte dalë atje, ku ata kishin dyshuar. Doktor Gurametoja i madh ishte i humbur.
Ai vetë rrinte shtang, pa u përgjigjur. Zëri i kolonelit sa vente bëhej më i mbytur. Të dërgova lajm. Mijëra fletushka të hodha me avion. Po vij si mik. A pret miq, o i zoti i shtëpisë? Pastaj, si përgjigje, u duk pararoja që po kthehej me shpirt ndër dhëmbë. Kur pashë ushtarët e mi, me kokat që u vareshin anash motoçiletave, nuk e fsheh, më erdhi të ulërija. Ku janë fjalët që kemi folur te “Taverna e vejushës Marthe”, ku është besa jote, Gurameto? Përse nuk flet?
Doktori, më në fund, arriti të fliste:
S’të godita unë, Fritz.
Ah, ashtu?! S’më godite ti? Aq më keq. Vendi yt më goditi.
Unë përgjigjem për portën time, jo për atë të shtetit.
Është njëlloj.
S’është njëlloj. Unë s’jam Shqipëria, ashtu si ti s’je Gjermania, Fritz.
Ah, ashtu?
Ne jemi tjetër gjë.
Koloneli uli sytë dhe qëndroi një grimë kohë mendueshëm.
Tjetër gjë, murmuriti. Thënie e bukur. Ti je i çuditshëm, Gurameto. Kështu ke qenë përherë, i veçantë. Ti je Mbinjeri, apo jo? Domethënë, ti s’je i kësaj bote.
As ti, Fritz.
Do të thuash, ndaj s’merremi vesh me të tjerët?
Ndoshta. Unë kam mbetur ai që isha.
E unë jo? Ti mendon se uniforma që mbaj, plagët që kam marrë, lufta, Kryqi i Hekurt më kanë ndryshuar? Ja ku ta them, aspak.
Në qoftë ashtu, Fritz… Në qofsh ai që ke qenë, unë të ftoj për darkë në shtëpinë time, sipas kodit që kemi folur. Sonte.
Koloneli vuri dorën te balli, si ta kishin goditur. Vështrimin e kishte të akullt, thua se ai vështrim thoshte: të shkoj për darkë, në vendin ku më qëlluan pas krahësh?
Përpara se të përgjigjej e përqafoi Gurameton, por këtë herë ftohtësisht. Ky i fundit, duke e marrë atë përqafim si mospranim të ftesës, tendosi qafën. Përgjigja, për habi, ishte e kundërt.
Të jap fjalën se do të vij. Pastaj, duke ia afruar kryet te veshi, pëshpëriti: s’besoj se ke me më pre në besë.
Fjalët e fundit i tha gjysmë shqip e gjysmë në gjermanishte të vjetër.
Kur mbrëmja ra mbi qytet, doktor Gurametoja i madh ndjeu ta kaplonte një pikëllim i madh, i panjohur. Tek dëgjonte zhurmat e përgatitjes së darkës, që nga tremja e katit të dytë, vështronte portën e shtëpisë, ku i ftuari do të trokiste.

……………………………………………………………………………………………………………………..

Ai erdhi përpiktas në orën që kishte premtuar, çuditërisht, pa zhurmë e rrapëllimë, si të kishte flatruar mbi qytet, për të mos e marrë vesh askush. Pikërisht kështu e kuptoi atë heshtim i zoti i shtëpisë, ndaj pyetja e parë që i bëri ishte nëse duhej të ulte perdet e të fikte gramafonin.
Për habinë e tij, tjetri u përgjigj: kurrsesi. Kur koloneli Fritz von Schwabe shkonte për darkë e sidomos në Shqipëri, le të ndizeshin llambat e të gjëmonte muzika, siç e kërkonin doket.
Ti më thirre për darkë, unë erdha!, tha me zë të bujshëm.
I qeshur e plor gjallëri ngjiti shkallët, ndjekur nga shoqëruesit, pas të cilëve vinte ushtari me një arkë me shampanjë. Ashtu hynë në sallonin e madh, i puthën dorën zonjës së shtëpisë dhe vajzës, pa harruar të përshëndesnin prerazi dhëndrin.
Zënia e vendeve në sallon, hapja e shampanjës dhe zgjedhja e muzikës për gramafon vazhdoi një copë herë. Njëfarë mpirjeje, e shkaktuar ndoshta nga ajo që asnjë shtëpi shqiptare ende nuk kishte pritur ushtarakë gjermanë, ashtu si këta të fundit s’kishin pasur të tillë rast, u kapërcye kur të ftuarit zunë vend në tryezën e darkës.
Qysh në krye u duk se ajo kishte marrë për mbarë. Hareshëm ngriheshin dollitë dhe zhurmëria e tryezës i shkonte shkumbëzimit të shampanjës, e kjo e fundit kryqëzimit të bisedave, që nuk kishin as vazhdimësinë e mërzitshme e as ndërprerjen e shthurur. Koloneli me të zotin e shtëpisë disa herë folën vesh më vesh, pa e fshehur se ngacmoheshin për kujtimet studenteske, të cilat kurrsesi nuk mund të përfytyroheshin pa emra pijesh e zonjushash, në kohën që zonja Gurameto, me sytë e saj të qeshur, jepte të kuptonte se nuk bezdisej aspak prej tyre.
O Zot, psherëtiu koloneli pas pak. Zëri nuk ishte aq i lartë, megjithatë një heshtje u krijua aty për aty. O Zot, tha prapë ai, kaq javë, kaq muaj kam ëndërruar të gjendem në një shtëpi të tillë…
Sytë iu mjegulluan prapë. Zëri iu zbut, ashtu si pasdite te sheshi i Bashkisë.
Kaq javë e kaq muaj, vazhdoi me zë të ulët, midis Europës së shkretuar, rrethuar nga morti e urrejtja, nuk ëndërroja veç një darkë të tillë… Gurameto, miku im, kur pak më parë të thashë se ditë të tëra mendjen e kisha tek ty, kjo t’u duk ndoshta e tepruar. Por më beso, kam qenë i sinqertë… Nga të gjitha shtëpitë e mundshme, ku ëndërroja të bujtja, në krejt këtë kontinent të trishtuar, e para e mbi të gjitha ishte shtëpia jote.
Të besoj, u përgjigj i qetë Gurametoja.
Të faleminderit, vëlla… Ishte dyfish joshëse.
Ngaqë ishte jotja dhe ngaqë ishte shqiptare. Ashtu siç ma ke thënë ti. Lek Dukaxhin… A më jep besën, o i zoti i shtëpisë! Formula madhështore. Gjithë kohën mendoja se, jo më kot, doket tona të lashta gjermanike ngjajnë me tuajat… Ato kode që bota i ka harruar, por që ne do t’i ringjallim… Këto thosha me vete, tek rrugëtoja mespërmes Europës së kallkanosur nga dimri… Të gjitha i kishim, të gjitha po i fitonim, veç diçka mungonte…
Një nga oficerët deshi të përfitonte nga heshtja, për të ngritur një dolli, por vështrimi i kolonelit e bëri ta linte gotën në vend.
E folura e tij sa vente e bëhej e vështirë.
Dhe, siç të thashë, kur mora urdhrin ta pushtoj… domethënë ta… bashkoj Shqipërinë, mendimi i parë ishte, do shkoj te vëllai i em. Do ta gjej kudo që të jetë. Dhe ja, erdha… por ti…
Ti…
Darkëtarët vështronin njëri-tjetrin, pastaj sytë e të zotit të shtëpisë, si të kërkonin ndihmë se si të shmangej kjo bisedë. Doktor Gurametoja ishte zymtuar përsëri.
Ti më godite, Gurameto… Pas krahësh, pabesisht.
Jo unë, tha dokori qetësisht.
E di. Por ti e di më mirë se unë se Lek Dukaxhin… se kodi juaj kërkon gjak për gjak… Gjak gjerman u derdh… gjaku nuk hup kurrë…
Me sy të mbyllur doktor Gurametoja priste vendimin.
Tetëdhjetë pengje do ta lajnë atë gjak… ndërsa ne hamë darkë, ata mblidhen… portë më portë…
Fytyra e të zotit të shtëpisë mbeti e ngurosur. Kishte dëgjuar diçka, por kishte kujtuar se urdhri do të sprapsej.
Të gjithë prisnin se ç’do të përgjigjej. Ndihej që diçka do të dilte nga ai gur. Të thoshte, për shembull, përse m’i thua mua këto? Ose: të thirra si mik, nderomë siç të nderoj. Ose thjesht të shqiptonte formulën e vjetër për druvezën e turpnueme. Pas së cilës, siç e kërkonte Kodi, të dilte në dritare për me lajmërue gjindjen se miku gjerman i kishte turpnue druvezën.
Doktor Gurametoja i madh nuk tha asgjë të tillë. Ajo që do të thoshte ishte tjetër gjë, këtë e ndiente, por edhe më e ndryshme ishte ajo që mendonte.
Në të vërtetë, s’ishte mendim. Ishte thjesht diçka e beftë, e pavend, shi në kohën që s’duhej, një ndërhyrje në trurin e tij, që ngjante se lidhej me ëndrrën e çuditshme, që ia kishte kujtuar koloneli disa orë më parë, te sheshi i Bashkisë. Vetëtimshëm, me qartësi verbuese, si asnjëherë tjetër e kujtoi ëndrrën kur, i shtrirë në tryezën e operacionit, befas kishte vënë re se mjeku që po e operonte ishte ai vetë. Ishte habitur disi, aq sa mund të habitej njeriu në ëndërr, madje, më fort se kjo i kishte bërë përshtypje shprehja e fytyrës së tjetrit. Prej saj nuk kuptohej nëse e kishte njohur a jo, madje, kishte patur dëshirën t’i thoshte: jam unë, a s’më njeh? Ndërkaq, kirurgu me thikat në duar e dha një shenjë njohjeje, por tepër të zbehtë, siç ndodh kur njeriu takon dikë të bezdisshëm, dhe ai prapë deshi t’i thoshte: kujdes, ki mëshirë, a nuk e sheh që jam unë, domethënë, ti vetë? Por mjeku kishte vënë maskën mbrojtëse ndërkaq, dhe tani atij i duhej të zbërthente shprehjen e maskës. Ajo ndryshonte. Herë i dukej se i jepte të kuptonte se, natyrisht, do të kishte mëshirë për të, si për të vetin, e herë e kundërta, për gjithkënd mund të kishte dhimbsuri, veç për të jo.
Deshi t’i thoshte: pse? Por narkoza nuk e linte. Shprehja e maskës sa vente bëhej më e rreptë. Tani që më re në dorë, do ta shohç ç’do të të punoj.
Dhe tortura vazhdonte. Bëra shaka, ti je unë, si mund të të bëj keq? E fill pas kësaj, idiot, si nuk e paske mësuar se armiku më i madh i njeriut është vetvetja? Si s’e ditke ti se nga tjetri ka gjasë të shpëtosh, por nga vetvetja kurrë? Dhe maska ishte përkulur mbi të për t’i ngulur thikën e parë, shi atëherë kur ai, nga klithma e vet, ishte zgjuar.
Në tryezën e darkës koloneli po i thoshte diçka, por zëri vinte si nga jashtë dhe ai s’ishte i sigurt se ia shkoqiste fjalët. Ti më ngjalle, Gurameto. Zëri ishte i ulët, fare i ulët: më ngjalle për të zezën tënde.
Natyrisht, për të zezën e vet ishte kjo që po ndodhte. Qysh tani, me siguri, anekënd qytetit po përgojohej si tradhtar. Dhe më pas, në ditët që do të vinin, në stinët, vitet, madje pas vdekjes, me siguri që ashtu do të përmendej.
Ai donte të klithte, si atëherë në shtratin studentesk në gjumë, për të shpëtuar nga ky makth. E hapi më në fund gojën, por në vend të klithmës, nxori vetëm dy fjalë, madje edhe ato qetësisht:
“Liroji pengjet, Fritz!” /KultPlus.com

“Nëpërmjet himnit, shqiptarët i kishin bërë një pyetje dhe një premtim Zotit”

“Harmonia me Europën e Bashkuar do të ishte pjesë e harmonisë ndërshqiptare. E për t’iu kthyer motivit nismëtar të kësaj sprove, mosmarrëveshja e mundshme mes Europës dhe Shqipërisë, do të ishte në thelb mosmarrëveshje me vetveten. Shqipëria me shenjat e saj, flamurin dhe himnin, do të avitej me drojë te sheshi i kombeve, përballë flamurit dhe himnit të Europës, muzikës së Bethovenit dhe fjalëve të Schiller-it për vëllazërimin e popujve, me tagrin për të dhënë zërin dhe arsyet e Shqipërisë.

Nëpërmjet himnit, shqiptarët i kishin bërë një pyetje dhe një premtim Zotit, në të vërtetë ndërgjegjes së tyre, dhe kishin më shumë se një shekull që prisnin përgjigje për të. Se Zoti vetë e kishte thënë me gojë… Se çfarë kishte thënë Zoti dhe, sidomos, si ishte kuptuar ai, ky kishte qenë dhe ende mbetej thelbi i dramës shqiptare.” Filozofia.al / KultPlus.com

– Ismail Kadare, “Mosmarrëveshja”

Çfarë ka shkruar Kadare për Peter Handken njëzet vjet më parë, në ditarin e tij për Kosovën

“Ra ky mort e u pamë”

Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.

Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.

E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadoja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme.

Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.

Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet.

Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”.

A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo.

20 Prill, 1999 /KultPlus.com

Nobeli për letërsi më 10 tetor, bastet preferojnë Kadarenë para Kunderës

Shkrimtari dhe gazetari irlandez Dan Sheehan: A do të marrë fund një ditë pritja e padurueshme e Milan Kunderas? A do të bëhet Salla e Koncerteve të Stokholmit një “pallat ëndrrash” për Ismail Kadarénë?

Ismail Kadare me romanin e tij “Pallati i ëndrrave”, është sërish një nga emrat më të diskutuar në listën e ngushtë të çmimeve Nobel për Letërsinë. Ky roman që shpreh sintezën e instalimit të diktaturës me një stil të përsosur metaforik, u botua për herë të parë më 1981-shin me titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”.

Edhe këtë vit, siç ka ndodhur gjithmonë, të pasionuarit bastexhinj të letërsisë, nuk e humbasin shpresën për fitoren e Ismail Kadaresë, duke e renditur herë në krye të listës e herë më mesin e saj, po kurrë në fund, dhe të bashkërenditur me emra të mëdhenj, që ende s’e kanë prekur Nobelin, ndërsa kanë qëndruar me vite të tëra në pritje.

Shpresat e bastexhinjve për fituesin e Nobelit qëndrojnë vazhdimisht tek shkrimtari japonez Haruki Murakami, Milan Kundera, Adonis, Ismail Kadare, etj, ndërsa kësaj liste i janë shtuar tashmë edhe emrat e reklamuar muajve të fundit, së shumti në disa media britanike dhe norvegjeze, siç janë Margaret Atwood, Olga Tokarczuk apo Anne Carson, ku kjo e fundit qëndron në krye të listës së basteve pas një publiciteti të ditëve të fundit që i është bërë në mediat suedeze.

“Dashamirës të letërsisë të pasionuar pas lojërave të fatit kudo në botë, gëzohuni! Shanset tuaja për të prekur fituesin e çmimit më prestigjioz në letërsi janë dyfishuar vetëm për këtë vit.”, shkruan jo pa njëfarë ironie shkrimtari dh gazetari irlandez, Dan Sheehan. Ai i referohet faktit se këtë vit për herë të parë pritet të ketë dy fitues të Nobelit që do të jepen përkatësisht për vitin 2018 dhe 2019 pas pezullimit të lauerimit një vit më parë me shkak skandalin seksual. Çfarë ndodh në të vërtetë me parashikimet e të pasionuarëve të letërsisë në lojërat e fatit dhe çfarë supozohet të ndodhë brenda mureve enigmatike të Akademisë Suedeze të Nobelit.

Pasi publikon listën e ngushtë të pikëve që janë marrë nga bastet, mes tyre edhe shkrimtarin shqiptar Ismal Kadare, Ed Sheehan shkruan për historinë e pritjeve të gjata nga autorët e shquar të Nobelit në Literary Hub, një uebfaqe e përditshme letrare që përqendrohet në letërsinë fiction dhe jo-fiction.

Ndërsa vë theksin mbi dy autorë të njohur si Milan Kundera dhe Ismail Kadare, shkrimtari dhe gazetari Ed Sheehan, shprehet se Nobeli është i paparishikueshëm dhe satirizon sajesat publicitare të shtëpive botuese ose qëndrimet nacionaliste në reklamimin paraparak që iu bëhet autorëve si me gjasë janë shumw afër Nobelit. Një nga kriteret e përzgjedhjes së Nobelit pas listës së ngushtë është se përveç jurisë caktohen (telefonohen) edhe 6 anëtarë të orëve të fundit për votim, gjë që e bën të rrëshqitshëm këtë çmim kundrejt pritshmërisë së publikut apo edhe atyre që kapen pas etheve të lojërave të fatit. Dihet që Akademia suedeze e Nobelit nuk zbardh në faqen e saj zyrtare asnjë fazë paraprake të procesit të votimit. Pritet vetëm data 10 tetor, kur të mësojmë se cilët janë dy autorët fitues të çmimeve Nobel për letërsinë për 2018 dhe 2019-n.

Komenti i Dan Sheehan në Literary Hub

“Dashamirës të letërsisë të pasionuar pas lojërave të fatit kudo në botë, gëzohuni!! Shanset tuaja për të prekur fituesin e çmimit më prestigjioz në letërsi janë dyfishuar vetëm për këtë vit. Po, siç e dimë të gjithë tani, për shkak të vendimit të Akademisë Suedeze në fillim të vitit të kaluar, si pasojë e një skandali të sjelljes seksuale, ku u mësua se burri i një anëtareje të akademisë u burgos për përdhunim, u ndalua të shpallej laureati i Çmimi Nobel për 2018-n, dhe do të shpallen sëbashku si për vitin 2018 ashtu edhe për 2019-n, ky tymnaja që po lëshohet në Stokholm do të shpërndahet pas kësaj jave.

Megjithëse Çmimi Nobel për Letërsi ka qenë prej kohësh tepër i vështirë për t’u parashikuar – akademia rregullisht kurorëzon kuajt e zinj (bëj thirrje për ta rilindur njeriun Robert Zimmerman) (-emri i lindjes së Bob Dylan-dh.h.)- në kurriz të atyre që prisnin me durim përmes telefonit belbëzimet (thuajeni një për Filipin “mbase vitin tjetër” Roth) – e kjo kurrë nuk i ka ndaluar librashitësit të përpilojnë llogaritë e tyre vjetore. Sipas uebfaqes britanike me famë të njohur Nicer Odds, poeti dhe eseistja kanadeze Anne Carson është fara më e mirë e këtij viti, ndërsa pozicioni i shansit e merr s’e merr, është i zënë nga injoruesi i kohës së preferuar prej të gjithëve, George R. R. Martin.

A do të marrë fund një ditë pritja e padurueshme e Milan Kunderas? A do të bëhet Salla e Koncerteve e Stokholmit një “pallat ëndrrash” për Ismail Kadaré? A do të zgjatet atje llëra e Olga Tokarczuk, duke mposhtur kockat e forta të bashkëkohësve të saj ? Do ta zbulojmë të premten//Shqiptarja.com / KultPlus.com

Nobeli për letërsi, ja çfarë thotë kritiku letrar gjerman për Kadarenë

Më 10 tetor 2019 do të shpallen fituesit e Çmimeve Nobel në Letërsi, për vitet 2018 dhe 2019 – kësaj herë do të ketë dy çmime.

Kritiku letrar gjerman Martin Ebel, ka disa fjalë për kolosin e letrave shqipe, Ismail Kadarenë.

“Të merituar do ta kishte Kadare vlerësimin me çmim, ndër të tjera për romanin e jashtëzakonshëm, “Pasardhësi”.

Ky libër ngre portretin e një diktatori në lartësinë e parablesë, roman, i cili mund të matet me romanet e mëdhenj të Amerikës Latine. /KultPlus.com

Rikonstruktohet gjimnazi ku studiuan Kadare e Agolli

“I rilindur pas vitesh të tëra degradimi deri në pikën që nuk njihej më, gjimnazi “Asim Zeneli”, ku mësuan edhe Ismail Kadareja e Dritëro Agolli, do të presë nxënësit në kushte optimale falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane dhe bashkëfinancimit të Bashkisë Gjirokastër”.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përcolli pamje nga kushtet e reja ku do të mësojnë gjimnazistët e “Asim Zenelit” në Gjirokastër, në prag të nisjes së vitit të ri akademik.

Po ashtu, kryeministri tha se gati janë edhe të tjera shkolla të reja në Kukës, Malësi e Madhe, Kavajë, Pogradec, Mallakastër, falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane dhe bashkëfinancimit të bashkive përkatëse. /KultPlus.com

Ti qave

Poezi nga Ismail Kadare

Ti qave dhe më the me zë të ulët
Se unë të trajtoja si prostitutë.
Aherë lotëve të tu s’ua vura veshin
Të desha, pa ditur se të desha.

Veç një mëngjes të beftë kur u gdhiva
Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk,
Aherë e kuptova ç’kisha humbur,
Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.

Më rrëzëllinte si smerald mërzitja,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re…
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja
Sepse seicila m’e bukur se tjetra qe.

Se ish i tillë ky koleksion bizhush
Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht,
Që njëqindfish etjen për jetën shtonte,
Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish. /KultPlus.com

Vuajtja e bukur e grave të shkrimtarëve

Shkrimtari i njohur amerikan Egdar L. Doctorow shkruan diku për një emision në radio, me titull “Jeta me shkrimtarin”, ku në një bisedë me bashkëshortet e shkrimtarëve ishte edhe gruaja e tij. “Moderatorja e filloi emisionin me fjalët: Ne shpesh dëgjojmë se shkrimtarët janë egoistë, arrogantë, interesohen vetëm për kokën e tyre, ua vështirësojnë jetën njerëzve që kanë pranë – ah, sa të tmerrshëm janë. Dhe në këtë çast, gruaja ime, të cilën ajo ende nuk e kishte prezantuar, e ndërpret: Zonjë, nuk e dija që e njihnit burrin tim!”


M’u kujtua kjo bisedë kur mora vesh për lajmin e trishtuar të ikjes nga jeta të bashkëshortes së shkrimtarit Dritëro Agolli. Për një botues që merret me letërsinë shqipe, sidomos me majat e saj, kjo është situatë krejt e kuptueshme. Ndryshe nga publiku i gjerë, i cili komunikon me shkrimtarin nëpërmjet krijimeve të tij, gëzohet, lumturohet, trishtohet me personazhet e tij, shkrimtari i duket pak a shumë si një qenie që s’është e kësaj bote, sepse nuk ka rast ta shohë si fle, si zgjohet, si vishet, si ushqehet, si i pi ilaçet apo kur grindet, kur bërtet, kur është i padrejtë dhe ngulmon pamëshirshëm në të tijën. Dhe bëhet tjetër njeri, që kur bie celulari dhe fjala e parë, gjithë seriozitet, është: Alo. Një mobilizim i atypëratyshëm për njerëzit jashtë rrethit të tij.


E ndjeva këtë vuajtje të bukur të grave të shkrimtarëve te portreti dhe fjala e Sadijes në një rast kur po xhirohej një film nga TCH për Kadarenë. Ishte parashikuar që të dy shkrimtarët të takoheshin vetëm për vetëm, si dy miq të hershëm, te Bar Juvenilja. Ishte një ditë tetori, por ngaqë kishte rënë shi, bënte ca ftohtë. Po shfletonim shtypin e ditës, kur pamë të afrohej Dritëroi, i mbajtur për krahu nga Sadija. U ndjeva në siklet sepse duhej të ishte edhe Helena, nuk ishte menduar se do të vinin si çift. Dritëroi ende s’i kishte mbushur të tetëdhjetat dhe Sadija nuk i ndahej asnjëherë, në asnjë rast. Kur u afruan, vura re që të dy ishin të emocionuar dhe i ftohti sikur ua shtonte më shumë këtë ndjesi. Madje Kadareja, në vend të përshëndetjes, e pyeti Sadijen: “Pse je kaq e mallëngjyer?” Dhe përgjigjja e saj: “Ti më ke njohur me kët’ burrë. Jemi takuar në shtëpinë tande. Faleminers.” Dhe Kadareja që ia ktheu menjëherë: “Ohu sa gjëra kemi bërë ne me Dritëroin.

E kishte harruar vërtet Kadareja këtë fakt? Me siguri, po. Sepse për ata vetëm letërsia e tyre ekziston, vetëm ajo është më e rëndësishme dhe gjithçka tjetër, s’ka të bëjë me ta. Sepse shkrimtarët, qëkurse kanë lindur dhe janë në këtë botë, kanë vetëm një dashuri të padyshimtë, të përjetshme, pas së cilës vijnë dashuritë e tjera. Kjo është dashuria e shkrimtarit për letërsinë, një dashuri gati hyjnore. “Për veten dhe artin (që ish pjesë e vetes së tij) ai do të sakrifikonte, në fund të fundit, Emën”, – thotë Bardhyli te romani i parë i Kadaresë “Mjegullat e Tiranës”. Bardhyli është alter egoja e autorit dhe ky pohim duket tepër i sinqertë për moshën kur është shkruar. Por ata mbeten po të njëjtët, rreth tyre rrotullohet bota.


Po si e kanë përballuar gratë e shkrimtarëve gjithë jetën këtë rivalitet në dashuri, si e kanë përjetuar ato dashurinë që mijërat e lexuesve kanë pasur në faza të ndryshme të jetës për bashkëshortët e tyre? Sepse edhe ato janë shpërblyer me një lumturi, pothuaj hyjnore: kanë pasur fatin e bukur dhe të rrallë në botë, që të përjetojnë të parat gëzimin e leximit të krijimit të sapolindur!


Apartamentet e Kadaresë dhe Agollit, dy shkrim-tarëve që kanë sunduar gjysmën e shekullit XX në lehtësinë shqipe, tashmë janë destinuar të bëhen muze. Por asgjë nuk mund të krahasohet me bashkëshortet e tyre, të cilat ruajnë në kujtesën, mendjen dhe shpirtin e tyre gjithçka që ka të bëjë me jetën e shkrimtarit. Ndaj, ikja e Sadije Agollit është humbja e një ure që na lidhte me shpirtin e Dritëroit. Pjesa tjetër, kryesorja, sigurisht, sikundër thotë vetë poeti, me fjalët e tij: “Do të më gjeni në raftin e librave.” /BujarHudhri/ KultPlus.com

Nëna

Poezi nga Ismail Kadare

Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi 
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji. 

Mesnatës së shurdhër, së errët, së shkret’ 
do ngjisë ai traktet kudo në qytet. 

-Mesnatës ti sonte, o nënëë, me zgjo! 
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo. 

Ai si i vdekur në gjumë ra pastaj 
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj. 

Shikon ajo traktet dhe lutet për të 
“Fli, biri i nënës, se ora s’është një”. 

Akrepi lëviz, me ngadale lëviz 
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis. 

Në ëndërr ai buzëqesh e po sheh, 
një fushë të bukur, një qiell pa re. 

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon, 
në fushë të sahatit me dorë tregon. 

Akoma akrepi s’ka shkuar në një, 
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po fle. 

Por befas në fushë u dëgjua që larg 
një krismë përreth: trak a trak, trak a trak! 

Dhe nëna u zhduk si ne mjegull atje, 
sahati i thyer seç ra përmbi dhe. 

I mbytur në djersë u zgjua ai 
“O nënë”, dhe dorën e vuri në gji. 

Atje trakte s’ka. “O nënë ku je?” 
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re. 

“O nënë!”, por nëna nuk është më përqark 
diku mitralozi troket: trak a trak! 

Diçka nëpër mendtë atij shpejt i erdh’ 
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh. 

Në dor’ revolverin, në rrugën e shkret’ 
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet. 

“O nënë, o nënë, o nënë, ku je?!”
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje. 

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo, 
“Ndal!” ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo! 

N’agim afër pyllit, ëe an’ të një përroi 
pas drurëve ai u mbështet e vajtoi. 

…Që biri të flinte i qetë gjer n’agim, 
mesnata për nënën s’do ketë mbarim. /KultPlus.com

Mexhit Prençi: Drama “Natë me hënë” sipas novelës së Kadaresë

Mariana e bukur gris maskën e shëmtuar të sekretares së partisë dhe të të tjerëve…

-Në fokus: Spektakli “Natë me hënë” i regjisorit Edmond Budina, sipas novelës së Kadaresë –

NgaMexhit Prençi

01

Fillimviti 1990, fill pas përmbysjes së diktaturës enveristo-staliniste shfaqet spektakli “Natë me hënë” i Budinës në Teatrin Kombëtar, sfidues i realizmit socialist që u prit me duartrokitje entuziaste si asnjëherë tjetër në këtë skenë. Është një prurje e re regjisoriale, moderne e postmoderne. Regjisori aplikoi mjete të larmishme figurative që nga teatri i hijeve, maskave, vodevilit & gjer te teatri performatist. Larmia e formave të artit skenik realizuar bukur, ngjizen me larminë e fushës së formave të natyrës, siç do të thoshte Hegeli.

02

Shestimi dhe formësimi i spektaklit “Natë me hënë” është sprovë e suksesshme eksperimentale dhe alternative që solli risi në regjisurë duke sfiduar regjisurën e politizuar të soc-realizmit e në të njëjtën kohë ishte promovuese e talentit të regjisorit. Leximi i vëmendshëm dhe i mprehte i tekstit të autorit nga Budina, (Fatos Arapi thoshte: “Lexues i mirë nuk është ai që lexon shumë, por ai që bluam mirë) – e ka orientuar regjisorin në qasjen kritike, për të fshikulluar e stigmatizuar dukuritë negative që përshkojnë ngjarjet, situatat, rrethanat personazhet ‘alibistë’ dhe sekretaren e partisë në një ndërmarrje, e cila terrorizon Marianën e bukur, me akuza për qëndrime liberale ndikuar nga bota borgjezo-revizioniste dhe për lirinë e saj të dashurisë që e konsideron imoralitet.

03

Në gjithë përbërësit e spektaklit aplikimi i GROTESKUT si mjet modern për t’i bërë më të dukshme dukuritë negative dhe për të stigmatizuar botën e shëmtuar të personazheve, është këndvështrim i kthjellët i realizuar mrekullisht.

FRIDRIH DYRENMAT do të thoshte: “Forma mbizotëruese e letërsisë moderne dhe artit modern, është GROTESKU, i cili paraqet pasqyrën e fytyrës se botës personale dhe të shëmtuar”

04

Siç dihet nga njerëzit e teatrit, m i z a n s k e n a, është gjuha e regjisorit ashtu si teksti i veprës – gjuhë e autorit. Tekstin me vlera te larta e gjallëron regjisura profesionale cilësore, e cila krijon hapësira për lëvizjet psiko-vizive të personazheve që ta ndjejnë veten si në shtëpi të tyre ku lirshmëria e natyrshme është çelës për shpërfaqjen emocionale të botës së personazhit.. Mënyra si e ka konceptuar dhe realizuar Budina tregon pjekuri që në krijimin e platformës regjisoriale që e konsideroj te nivelit të klasit të parë. (Më lejoni të bëj një paranteze). Ndër regjisorët më të shquar para 1990-s, Serafin Fanko është mjeshtër i madh i pakrahasueshëm në krijimin e platformës regjisoriale. As dje, as sot, asnjë regjisor nuk ka arritur ta kalojë.

05

Komponenti tjetër kryesor është a k t r i mi, në spektaklin “Natë me hënë”. sipas gjykimit tim kemi dy nivele aktrimi te aktorëve në rolet respektive: Nivel të larte dhe te mesëm. Aktrimi në nivel të lartë është i barasvlershëm me nivelin e lartë të regjisurës siç e analizova më sipër. Vlerat e larta janë mbizotëruese në të gjithë komponentët e tij.

Qasja ime në analizën e spektaklit dhe aktrimit është sipas kritikës moderne, e gjykoj spektaklin ashtu si e ka menduar dhe realizuar regjisori, e në të njëjtën kohë sfidoj ata kritikë që marrin rolin e dhaskalit dhe japin këshilla si duhej të ishte realizuar shfaqja, kështu apo ashtu, si mendonin ata duke cenuar individualitetin e regjisorit.

06

Spektakli “Natë më hënë është kompleks, kërkon një studim të thelluar vertikal e horizontal, për të gjithë komponentët, që nuk është objekt i këtij shkrimi të shkurtër, ndaj do të përqendrohem në aktrim tek tre figura kryesore të spektaklit: Yllka Mujo – Sekretarja e partisë, Ema Andrea -Mariana e bukur dhe Shlëlqim Basha -Drejtori i ndërmarrjes.

Po para se të artikuloj mendimet e mija për vlerat e aktrimit të tyre e shoh të nevojshme të jap një informacion nëpërmjet përshkrimit për të vërtetën e asaj nate me hënë: ç’ndodhi me Marianën dhe Gazmendin, burrin e martuar, çka e bën analizën time më të kuptueshme për lexuesin që të formulojë mendimet dhe qëndrimin e tij për personazhet dhe për analizën sipas optikes sime.

07

Pas akuzave të rënda në gjyqin e kolektivit të ndërmarrjes Mariana largohet e tronditur. Në kokën e saj buçisnin thirrjet në kor të personazheve të depersonalizuar e nënshtruar, egoiste e cmirëzi…: “Imorale, imorale imorale”. Pastaj zëri i frikshëm i sekretares: Vajza e bukur me biografi të keqe, është ndikuar nga shfaqjet e huaja bogjezo-revizioniste, lexon libra të ndaluar, që propagandojnë lirinë e dashurisë, e të tjera e ë tjera … Gazmendi, sapo u largua Mariana e ndoqi pas. Rrugës, në një moment, ajo i lexon një poezi, që indirekt provokonte dashuri. Ai e donte Marianën e bukur dhe fisnike, por besnikëria bashkëshortore e frenoi, sa as një puthje nuk i dha, ndonëse e përqafoi. Këtë skenë ia tregoi te shoqes, e cila u trondit kaq shumë, sa me imagjinatë sajoi puthjen e tyre, në atë natë me hënë dhe dha berihanë… Pjesa m

ë e madhe e personazheve filluan fushatën e trillimeve, sajimeve, kurdisjeve e thashethemnajave me lojë lloj-lloj variantesh për ta diskredituar e poshtëruar atë.. Një pjesë tjetër e kolektivit e mbështetën Marianën e bukur, madje nuk ishin dakord as me kërkesën e keqdashësve, që kërkonin të paraqiste raport mjekësor për virgjërinë. Pas një grindjeje e dylyftimi me veten, Mariana e bëri vizitën, e mori ”certifikatën”e virgjërisë… por e grisi letrën përpara kolektivit dhe sekretares së partisë e në të njëjtën kohë grisi maskat e shëmtuara të tyre dhe alibitë e të pavërtetës që e paraqitnin si të vërtetë duke promovuar shëmtimin shpirtëror të botës së tyre të pistë e të ndyrë.

08

Yllka Mujo– Sekretare e partisë.

Sapo ngrihet sipari, një mjedis i errët me perso

nazhe hije e maska dhe portreti i saj i frikshëm, fantazmagorik si i një shtrige e keqe. Aktrimi fantastik. Më pastaj shfaqet sekretarja e dhunshme e partisë, me autoritet te fortë, personazh i fryrë i realizmit socialist Kur deklamon togfjalësh që thoshte Diktatori i Madh, imitonte bukur intonacionet e zërit tij, deklamon e reciton me ngritje e ulje të zërit dhe intonacione me ngjyrime koloristike duke ironizuar e satirizuar me aktrim mjeshtëror. Portreti i saj ndryshon sipas situatave dhe rrethanave;: Xheloze e smirëzezë për Marianën e bukur nxjerr ligësitë brenda vetes për ta përbaltur dhe kurdis e menaxhon akuzat alib

iste duke nxitur kolektivin që të hidhen ne sulm me çdo mënyrë e mjet. Veprimet psikofizike të saj janë të klasit të parë. Sipas meje në interpretimin tërësor të saj në këtë spektakël shfaqet e mrekullueshmja, e çuditshmja dhe fantastikja, siç do të thoshte kritiku dhe esteti, Todorovski.

09

Ema Andrea- Mariana e bukur

Aktron bukur. Lëvizjet psikofizike të Emës-Marianë realizohen me shije estetike dhe vërtetësi jetësore. Emeson do të thoshte: “E bukura vetë e arsyeton ekzistencën e saj”. Ema e shpirtëzon figurën e Marianës duke i dhënë frymë e shpirt nga të sajat, siç do të thoshte Aleksandër Moisiu. Në aktrimin e saj spikatin, konkretësia dhe thjeshtësia pa rënë në thjeshtëzim. Me interpretim sipas realizmit në zhvillim & me elemente moderne, shpreh bukur shqetësimet e Marianës, tronditjet e saj, përballimin dhe kundërshtimin e akuzave poshtëruese, të rrezikshme e të frikshme duke zotëruar durimin dhe frenuar zemërimin në situata të vështira e të rënda.

10

Shkëlqim Basha- Drejtori

Personazhi i drejtorit është një figurës ndryshe nga drejtorët e fryrë si personazh pozitiv i socrealizmit. Basha- drejtor nuk është i divorcuar nga ideologjia komuniste, ai më shumë luan vetveten se figurën. Basha është i natyrshëm në aktrim. Si figurë artistike është antipod me atë të sekretares se partisë.. Shqetësimin që ka përbrenda e shpreh duke ruajtur sensin e masës në të gjitha veprimet psikofizike, çka sipas meje aktrimi i tij arrin nivelin mesatar ndonëse stili i interpretimit nuk është në unison me stilin e përgjithshëm të aktorëve të tjerë dhe komponentëve të spektaklit. Këtu ka munguar orientimi i regjisorit. Megjithatë kjo nuk ka ndikuar në imazhin e spektaklit modern, postmodern dhe performatist të Budinës.

Konkluzë

Spektakli i regjisorit Edmond Budina “Natë me hënë” padyshim është dhe do mbetet si spektakli i parë që sfidoi teatrin e socrealizmit. Prurjet e reja të një regjisure eksperimentale, moderne, postmoderne dhe performatiste, jo vetëm pasurojnë fushën e larmishme të formave artistike skenike, por sjellin risi në qëndrimin kritik ndaj këtij realiteti ku zhvillohen ngjarjet e dhunohet liria, dashuria e lirë dhe denigrohet njeriu. Alibia e të vërtetë vret të vërtetën. Ema Andrea-Mariana e bukur, gris maskat e shëmtuara të botës personale të shëmtuar ku del në dritë e vërteta.

Mesazhi kryesor ne formulimin tim do të ishte: Revolta për të vërtetën dhe guximi për ta mbrojtur atë e në të njejtën kohë lirinë e dashurisë dhe lirinë në tërësi shkëlqen bukur në interpretim brilant të Emës-Marianë. Emererson do të thoshte: E bukura vetë e aryston ekzistencën e saj.”

Ndërsa Umberto Ecco do të shoshte: “Kritika e vërtetë, është ajo, që qesh e fundit, sepse e lë secilin të shijojë, por u tregon të gjithëve, arsyen përse pëlqehet një vepër”

“Gjenerali …” i Kadaresë ndër 100 librat e shekullit

‘100 librat e shekullit’ është një renditje e librave që konsiderohen si librat më të mirë të shekullit realizuar përmes një sondazhi nga Fédération Nationale d’Achats des Cadres dhe gazeta pariziene Le Monde.

Duke filluar me një listë paraprake me 200 tituj të përpiluar nga librashitësit dhe gazetarët, 17,000 francezë votuan duke iu përgjigjur pyetjes, “Cili libër ka mbetur në kujtesën tuaj?” (« Quels livres sont restés dans votre mémoire ? »).

Lista e titujt e pretenduar përmban romane, poezi, drama të mirënjohura si dhe libra me figura komike. Pesëdhjetë titujt e parë të listës ishin subjekt i një eseje nga Frédéric Beigbeder, Iventari i fundit para shkatërrimit, në të cilën ai bujshëm tërhoqi vëmendje me karakterin e tij francez të përqendruar.

Në këtë listë gjendet ne vendin 81-të romani i famshëm i Ismail Kadare, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’.

Image

Shpallen pesë finalistët e Çmimit Kadare, me vlerë 10 mijë euro

Çmimi Kadare, një nga eventet më të rëndësishme letrare të vitit, tashmë ka hyrë në fazën finale ku dhe ethet e garës janë shtuar.

Të martën juria ka bërë takimin e radhës, për të përzgjedhur 5 veprat që do të mund të garojnë për çmimin e madh prej 10.000 eurosh, që do të ndahet këtë fundjavë në Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj).

“Nuk ka qenë një zgjedhje e lehtë nga e jurisë, duke qenë se këtë vit prurjet ishin të një niveli të lartë, çka tregon se vazhdimësia e traditës në prozën shqipe do të jetë e mirë, por nga ana tjetër veprat e përzgjedhura kanë ardhur pas një diskutimi të gjatë nga ana e pjesëtarëve të jurisë, si dorëshkrimet që mbartin gjithë elementët e duhur të një teksti të mirëfilltë letrar”, thotë Alda Bardhyli, koordinatore e këtij çmimi.

Mes finalistëve janë emra të njohur në letrat bashkëkohore shqipe por dhe dy autorë të rinj përsa i përket njohjes së tyre me lexuesin.

Juria e çmimit Kadare këtë vit kryesohet nga Kim Mehmeti një emër i njohur i letrave shqipe dhe në përbërje janë emra të njohur të letrave si Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili.

Finalistët:

Vera Bekteshi- Një rrugë e gjatë pa krye-roman

Virgjil Muçi-Piramida e shpirtrave-roman

Gazmend Krasniqi-Triologjia e Shkodrës-roman

Rudina Çupi-Shenjat e pikësimit-roman

Thanas Dino-Prishja ose Ndërrimi dhe ndalimi-roman

Thaçi uron Kadarenë për 82 vjetorin e lindjes

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka uruar shkrimtarin Ismail Kadare për 82 vjetorin e lindjes.

Ai thotë se Kadare me veprimtarinë e tij emrin e letërsisë shqipe e ngriti në nivel botëror.

“Me rastin e 82 vjetorit të lindjes shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare, i shprehim urimet më të mira. Me veprimtarinë e tij të gjerë artistike, Ismail Kadare emrin e letërsisë shqipe e ngriti në përmasa të letërsisë së përbotshme. Duke i uruar shëndet, nga Ismail Kadare presim edhe më tutje rrumbullakime të krijimtarisë së tij të nobelueshme”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Washington Post: Ismail Kadare favorit kryesor për çmimin Nobel

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, është në mesin e favoritëve kryesorë për ta fituar Çmimin Nobel për Letërsi, shkruan Washington Post.

Industrialisti suedez Alfred Nobel e themeloi çmimin për letërsi në emrin e vet dhe pati thënë në atë kohë se do të dëshironte që çmimi ta njohë “personin i cili do të prodhojë në fushën e letërsisë veprën më të shquar në një drejtim ideal”.

Ndërkohë, nesër, Akademia e Suedeze do ta shpallë fitues atë që e konsideron se e ka plotësuar kriterin e “idealit” për laureat 2017.

Romancieri, dramaturgu dhe eseisti kenian, Ngugi wa Thiong’o është favoriti kryesor, sipas shumë bastorëve, ndërsa menjëherë pas tij radhitet favoriti shumëvjeçar Haruki Murakami, transmeton Express.

Në mesin e favoritëve tjerë të fortë është edhe Ismail Kadare, Amos Oz, Adonis and Don de Lillo./ KultPlus.com

“Romanet e Kadaresë lexohen nga 20 milionë lexues’

Publicisti Edison Ypi reagoi ndaj sulmeve që po i bëhen shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare.

Me një status në FB, ai shkruan se librat e Kadaresë kanë miliona lexues.

“Spiunat e fëlliqur, sigurimsat vrasës, çunat e oficerave me duar të gjakosura, arrivistat ziliqarë, katunarët pa perspektivë, dështakët e pashpresë, delirantët e sëmurë, rrëshqanorët e bodrumeve, gjarpërinjtë e kënetave, nëpërkat e moçaleve, skilet e skutave, minjtë e vrimave, kriptoislamikët buxhetorë gjoja opozitarë që paguhen nga qeveria për ta mbajtur opozitën në nivele mjerane, të gjithë këta bëjnë postime në Fejsbuk që marrin nga 20 lajka.

Ismail Kadarea ka shkruar romane që lexohen nga 20 milionë lexuesa,” shkruan Ypi. / KultPlus.com

Kadare: Shqiptarët gjithmonë i kanë pranuar të gjitha fetë

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është aktivizuar së fundmi me intervistat e ndryshme dhe me deklarata mbi zhvillime të ndryshme në Shqipëri e Kosovë.

WELT-i gjerman e ka intervistuar shkrimtarin shqiptar rreth çështjeve të ndryshme, përfshirë këtu edhe tolerancën fetare e cila tek shqiptarët gjithmonë është shumë e pranishme.

“Po, harmonia fetare ndër shqiptarë ka ekzistuar gjithmonë. Gjatë periudhave të ndryshme historike: në sundimin osman, në fashizëm, në mbretëri, në komunizëm madje, kur toleranca fetare dukej e largët, në Shqipëri gjithmonë ka qenë e pranishme. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, hebrenjtë gjetën tek ne strehimin dhe shpëtimin” tregon mes tjerash në këtë intervistë shkrimtari Kadare.

Kur është pyetur se pse iku në Francë, ai tha se nuk mund ta duronte regjimin e Ramiz Alisë dhe se asokohe ka pasur njerëz që mendonin se Ramiz Alia ishe një Gorbachev shqiptar.

“Në regjime totalitare, letërsia lulëzon dhe merr formë. Njëjtë ka ndodhur edhe me mua. Sa i përket çmimit Nobel, unë nuk ndihem keq. Bota letrare merret me kritikën dhe me vëmendjen ndaj autorëve në çdo periudhë të vitit kur ndahet çmimi. Më duket si kohë e Krishtlindjeve” tregon Kadare kur pyetet për Nobelin dhe kur intervistuesi aludon se ai nuk e ka marrë Nobelin për Letërsi për faktin se nuk e ka kundërshtuar aq sa duhet sistemin komunist.

Helena Kadare, gruaja e tij, për të ka qenë shoqëruesja më e mirë.

“Pa ndihmën e saj, cdo ditë e jetës sime do të ishte e vështirë. Ajo gjithmonë është lexuesja ime e parë dhe kjo ka rëndësi të madhe për shkrimtarin. Ajo më ka ndihmuar edhe në draftet finale të veprave të mia” tregon Kadare për WELT, në një intervistë voluminoze ku ai flet edhe për dosjet që kërkoi të hapeshin pas komunizmit por edhe ku flet mbi Erdoganin dhe deklaratën e tij se Kosova është Turqi.
“Nuk i kam besuar vetes dhe as syve të mi kur lexova se ai ka thënë diçka të tillë” shton Kadare për fund. / KultPlus.com