Hapet Qendra e Kulturës Shqiptare në Kroaci

Në qytetin Bjelovar u hap Qendra Kulturore për komunitetin shqiptar, e cila do të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore si dhe në fuqizimin e lidhjeve midis anëtarëve të komunitetit shqiptar. E pranishme në këtë ceremoni ishte dhe deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, transmeton albinfo.ch.

Lokalet e Qendrës Kulturore të Komunitetit të Shqiptarëve u hapën zyrtarisht sot në rrugën 3 Dimitrija Demetra në Bjelovar të Kroacisë. Në hapje morën pjesë kryetari i Bashkisë së qytetit të Bjelovar, Dario Hrebak, Përfaqësuesja Parlamentare për Pakicat Kombëtare, Ermine Lekaj Prljaskaj, një përfaqësues i Ambasadave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë Veriore dhe një delegacion nga Qarku Berat i Shqipërisë.

“Kjo është një ëndërr e kahershme e shqiptarëve tanë nga ky rajon. Tani do të kemi edhe më shumë mundësi për t’u socializuar, për të mbajtur programe kulturore dhe artistike, seanca dhe të tjera. Të gjithë ne që kemi emigruar në territorin e Republikës së Kroacisë kemi pranuar një atdhe tjetër. Kroacia është shtëpia jonë e dytë, por të gjithë ne i ndjejmë rrënjët tona. Shoqëria jonë kulturore dhe artistike funksionon që prej vitit 2007, me shumë anëtarë”, tha Martin Gojani, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Qarkut Bjelovar – Bilogora.

“Kjo është një iniciativë me të vërtetë e lavdërueshme dhe është një nder i madh të jesh sot në hapje. Këtu do të zhvillohet kultura, folklori, kënga e pakicës shqiptare, gjë që më bën jashtëzakonisht të lumtur dhe krenar. Jam i lirë të them që kjo është një iniciativë historike. Qendra do të luajë një rol të madh dhe të rëndësishëm në lidhjen e shqiptarëve dhe kroatëve. Zhvillimi kulturor, edukimi, pranimi i ndërsjellë dhe ndjenja e barazisë janë ajo për të cilën ne të gjithë përpiqemi, tha HE Riza Poda, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Në Kroaci hapet shkolla e mesme shqipe

Në qytetin Osijek të Kroacisë hapet shkolla e mesme shqipe, e cila do të jetë shkolla e dytë e tillë në Kroaci, pas shkollës së mesme shqipe në Zarë, njofton Qendra për Botimin e Diasporës, transmeton KultPlus.com

“Në Osijek funksionojnë disa shkolla fillore në gjuhën shqipe, të cilat ruhet identiteti kulturor dhe kombëtar i fëmijëve të bashkëkombësve tanë që jetojnë dhe punojnë atje”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën

Rita Ora me koncert spektakolar në Kroaci: E bukur ta përfaqësoj vendin tim këtu

Këngëtarja Rita Ora ka mbajtur një koncert madhështor në Kroaci. Dhe media Jutarnji.hr i ka kushtuar një artikull Ritës duke e konsideruar si një nga 10 këngëtaret më të njohura në botë.

Ylli i muzikës pop performoi para 5000 vetave hitet e saj më të mëdha.

Pavarësisht se koncerti u ndërpre për shkak të problemeve teknike raportohet se mijëra vetë kënduan njëzëri këngët e saj.

“Unë kam qenë në shumë vende të bukura, por ky është një nga më të bukurit. Kroacia është një vend i bukur me njerëz të mrekullueshëm dhe bujarë,”-tha Rita para se të ngrinte audiencën në këmbë me frazën e saj: “Kroacia bëni ca zhurmë”.

Gjithashtu këngëtarja nuk harroi të përmendte origjinën e saj shqiptare në koncert, transmeton fmimages.

Ajo u shpreh se ka shumë këngëtarë të mirë në Shqipëri dhe se është ndjesi e bukur të përfaqësosh vendin tënd.

“Unë nuk e di se çfarë të pres, por kjo është një nga shfaqjet e mia më të mira këtë verë . Kam lindur jo shumë larg nga këtu, në qytetin e Prishtinës, një pjesë e familjes sime jeton ende atje. Ka kaq shumë këngëtarë të mirë nga vendi im, dhe kam ardhur këtu, është gjë e bukur të përfaqësosh vendin tënd”, u shpreh ajo. / KultPlus.com

Prezantim mbresëlënës i Ansamblit “Zëri i Kosovës” në Kroaci

Ansambli “Zëri i Kosovës” është kthyer në Fushë-Kosovë me dy çmimet kryesore të fituara në Festivalin Internacional të Folklorit, i cili u mbajt në Velika Gorica të Kroacisë.

Çmimet për “Koreografinë më të mirë” dhe për “Interpretimin instrumental” ishin dy çmimet kryesore të këtij festivali që i rrëmbeu “Zëri i Kosovës” nga Fushë-Kosova, në mesin e shumë shteteve evropiane pjesëmarrëse në këtë festival prestigjioz.

AKV “Zëri i Kosovës”

Ansambli “Zëri i Kosovës”, edhe një herë dëshmoi se janë të denjë për festivale internacionale dhe botërore.

Investimet e DKRS-së në këta të rinj po kthehen në suksese dhe shpërblime të njëpasnjëshme, andaj urimet dhe përgëzimet shkojnë për këta artistë që me dinjitet po e përfaqësojnë jo vetëm Fushë-Kosovën, por edhe Republikën e Kosovës. /KultPlus.com

Rita Ora me koncert në Zarë të Kroacisë

Këngëtarja e njohur Rita Ora, do të performojë për herë të parë në Zarë të Kroacisë këtë verë.

Ora do të performojë në Qendrën Sportive “Visnjik” në Zarë më 30 gusht 2019, dhe biletat kanë dalë në shitje të mërkurën (3 korrik), njoftuan organizatorët e koncertit.

Që kur koncerti u njoftua në fundjavë, ka pasur interes të madh nga fansat e saj në Ballkan, marrë parasysh faktit që këngëtarja është me origjinë nga Kosova.

“Të gjithë fansat dhe ata që duan të dëgjojnë një nga yjet më të mëdhenj të muzikës pop dhe të kërcejnë me hitet si: “Let You Love Me”,”Your Song” ,”Anywhere” dhe një numër këngësh të tjera, ne ju këshillojmë ta siguroni biletën tuaj sa më shpejt të jetë e mundur me çmim të zbritur “, tha në një deklaratë Qendra Sportive “Visnjik”.

Ora do të performojë në Zarë si pjesë e turneut të saj “Phoenix”, për të promovuar albumin e saj të fundit me të njëjtin titull.

Turneu filloi në Australi në mars, duke vazhduar më pas në Azi dhe qytetet e mëdha të Evropës si: Paris, Milano, Londër, Oslo dhe Stokholm.

Ora kohët e fundit ka bërë histori në top listat në Mbretërinë e Bashkuar me hitin e saj “Let You Love Me”, duke u bërë këngëtarja femër me më së shumti këngë solo në Top 10, në Britaninë e Madhe.

Ardhja e saj për të performuar në Ballkan, me siguri do të zgjojë një interesim të madh edhe të fansave të saj shqiptarë, marrë parasysh faktin që ky koncert është shumë pranë Kosovës, Shqipërisë dhe trevave shqiptare në përgjithësi. /Telegrafi/ KultPlus.com

Katër qytetet më mbresëlënëse në Kroaci për pushime të shkurta

Kroacia shumë shpejt është shndërruar në një vend për t’i kaluar pushimet viteve të fundit, kjo pasi që u mundëson turistëve shumë gjëra për t’i parë dhe shumë gjëra për t’i bërë.

Ndër tjerash, Kroacia është shtëpi edhe e shumë plazheve të bukura të cilat ia vlen t’i vizitoni, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, nëse jeni duke kërkuar për një pushim të shkurtë, atëherë janë qytetet ato të cilat duhet t’i keni në radarin tuaj.

P.sh. Dubrovniku asnjëherë nuk dështon t’i befasojë turistët falë Qytetit të Vjetër dhe mureve historike, ndërkaq Spliti është po aq i mahnitshëm.

Jemi duke folur për arkitekturë magjepsëse, trashëgimi kulturore dhe objekte të cilat jua vjedhin vëmendjen – krejt këto me një çmim jo shumë të shtrenjtë.

Dubrovniku

Popullariteti i Dubrovnikut është rritur pasi ka shërbyer si një prej lokacioneve ku është xhiruar serial “Game of Thrones” dhe fansat e vizitojnë për ta parë Qytetin e Vjetër me muret piktoreske që i ka dhe me rrugët prej kalldrëmi.

Ju nevojiten dy deri në tri ditë për të eksploruar çdo gjë, por nëse keni hapësirë kohore, ia vlen ta bëni një vizitë edhe në plazhin Banje.

Spliti

Shpenzoni tri apo katër ditë në Split dhe do të gjeni shumë histori, kulturë dhe një jetë vibrante të natës.

Kalaja spektakulare e Pallatit Diolcetian është diçka që patjetër duhet ta vizitoni, megjithëse qyteti është i mbushur edhe me kisha dhe katedrale magjepsëse.

Shëtituni nëpër rrugët e ngushta dhe eksploroni dyqanet dhe restorantet vendore, ndërkaq në mbrëmje shkoni në anën e detit në Riva ku do t’i gjeni restorantet dhe kafenetë më të mira.

Zagrebi

Kryeqyteti kroat ka shumë atraksione, duke përfshirë katedralet e mahnitshme, St Mark dhe Ban Josip Jelacic, e gjithashtu edhe një prej muzeve më të çuditshëm në botë – Muzeun e Lidhjeve të Ndara.

Pula

Pula është shtëpi e shumë rrënojave romake, duke filluar nga amfiteatri i vet e deri te Tempulli i Augustusit.

Veç kësaj, adhuruesit e ushqimit këtu mund ta shijojnë udhëtimin duke shijuar ushqim të mahnitshëm dhe verëra të cilat gjenden në këtë qytet piktoresk me pamje kah deti. /Telegrafi/ KultPlus.com

“Copë Copë” u prezantua në Kroaci (FOTO)

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis me datë 26 nëntor, 2018 në Zagreb, Kroaci ka prezantuar shfaqjen teatrale “Copë Copë”, shkruan KultPlus.

“Copë Copë” është krijuar në vitin 2015 nga regjisorja Zana Hoxha Krasniqi dhe dramaturgia Blerta Zeqiraj që portretizon se sa thellë paradigma patriarkale është e rrënjosur në shoqërinë kosovare, si dhe procesimin e kujtimeve e transformimin e dhimbjes.

Viti 2018 shënon vitin e katërt të prezantimeve të kësaj shfaqje e që atëherë është prezantuar më shumë së 15 herë në Kosovë dhe regjion. Turneu regjional përfshin festivalin “Othello” në Gostivar – Maqedoni, festivali “Mirëdita, Dober Dan” në Beograd – Serbi, javën e kulturës shqiptare në Zagreb – Kroaci, si dhe me datë 11 dhjetor, 2018 do të prezantohet në Tiranë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Pjesë e performancës janë aktoret: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi dhe Bashkime Sulejmani.

Në kuadër të përfaqësimit të Artpolis në Zagreb me datë 25 nëntor, 2018 është organizuar ligjëratë “Suksesi i gruas shqiptare” me mysafire Melihate Qena dhe Zana Hoxha Krasniqi nga Shoqata e Grave Shqiptare të Zagrebit “Drita”, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci, me mbështetje nga deputetja shqiptare në Kroaci Ermina Lekaj Prljaskaj dhe Unioni Shqiptar.

Artpolis dhe ekipi i shfaqjes teatrale “Copë Copë” me datë 26 nëntor po ashtu janë takuar edhe me zyrën e ambasadorit kosovar në Kroaci Gëzim Kasapolli ku janë diskutuar sfidat dhe arritjet e kulturës dhe artit shqiptar në Kosovë e Kroaci, si dhe bashkëpunimin në mes tyre në të ardhmen./ KultPlus.com

Koncerti i radhës i korit të qytetit të Pejës “Siparantum” në Kroaci

Me datën 20 tetor, kësaj radhe kori i femrave nga qyteti i Pejës “Siparantum” do të udhëtojë përsëri në Kroaci me ç’rast do të paraqitet në sallën më të njohur të vendit “Hrvatski Glazbeni Zavod” – Zagreb, shkruan KultPlus.

“Ky koncert për neve është më ndryshe meqë kësaj radhe udhëtojmë vetëm me korin e femrave dhe programi është krejtësisht më ndryshe se herave të kaluara. Do të paraqitemi me një program të laramanishëm nga kompozitorë të njohur botëror dhe shqiptarë, dhe kjo dëshmon punën tonë të vazhdueshme dhe dita ditës repertori jonë po bëhet më i pasur, dëshmi e punës së korit Siparantum”. Puna nuk ka qenë punë aspak e lehtë meqë ne është dashur të ndërtojmë një program krejtësisht të ri, për këtë u jam mirënjohës gjithë anëtarëve të korit për sakrificën e tyre., u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i korit.

Koropetitor i programit është Agron Shujaku, pianist i njohur nga Prishtina. Koncerti organizohet nga këshilli i pakicës kombëtare shqiptare i qytetit të Zagrebit. Ky është koncerti tetë dhe udhëtimi i tretë në Kroaci me korin Siparantum.

Përgjatë këtyre tre viteteve me korin Siparantum janë zhvilluar koncerte të shumëta në vend dhe jashtë vendit, së fundi kori u paraqit në festivalin “Prishtina International Vocal Festival”.
Sot kori i qytetit të Pejës “Siparantum” posedon korin e fëmijëve, korin e meshkujve, korin e femrave, korin e përzier dhe orkestrën kamerale./ KultPlus.com

Shtatorja e Nënë Terezës vendoset në Rijekë të Kroacisë

Shtatorja e Nënë Terezës, me gjatësi 161 cm, është vendosur ditët e fundit në kishën e Shën Marisë në Trsat të Rijekës, në Kroaci.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. Në ceremoninë e përurimit të kësaj shtatoreje, të organizuar nën kujdesin e deputetes së Parlemantit të Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, ishin të pranishëm bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Duke e cilësuar këtë ditë shumë të veçantë, një fitore të madhe shpirtërore për gjithë kombin shqiptar, Prljaskaj u shpreh se ” këtë arritje e kemi të përbashkët. Së bashku e kemi arritur dhe do të jemi gjithmonë të fortë”.

Skulptori i statujës, Gëzim Muriqi tha se “e kam realizuar këtë shtatore me shumë përkushtim. Jam shumë i lumtur, që Nënë Tereza, do të jetë për jetë në këtë vend, sepse ky vend ka pasur e do të ketë veprimtar të dëshmuar të çështjes kombëtare”.

Kisha e Shën Marisë në Trsat të Rijekës është vizituar edhe nga Nënë Tereza para disa viteve, si dhe Gjon Pali i II-të.

Organizatorët e këtij aktiviteti janë: Bashkësia e pakicës shqiptare në PBM, Ipeshkëvija e Rijekës – Kisha e shenjtë e Shën Marijes në Trsat, Këshilli i pakicës shqiptare në PBM, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Rijekës, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Crickvenicës. /ata

Koncert për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Kroaci, performojnë Blerim Grubi e Arjana Kuriu Grubi

Bashkësia Shqiptare në Kroaci organizon koncert në sallën prestigjioze Hrvatski glazbeni zavod për nder të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert do të luajnë Blerim Grubi në violë dhe Arjana Kuriu Grubi në piano, ndërsa do të luhen vepra nga kompozitor shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria.

Programi përmban vepra të Maroshit, Harapit, Sokolit, Skënderit, Sulejmanit, Daijës, Paparistos, Beqirit, Dhomit dhe Tukiqit.

Koncerti vjen më 15 shkurt me fillim nga ora 17:00./ KultPlus.com

Shqiptarët në Kroaci me koncert e promovim libri për 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut

Këshilli Shqiptar në Zagreb dhe Shoqata Kroato-Shqiptare, më 17 janar organizojnë koncert në përkujtim të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut si dhe bëhet promovimi i librit “Figura e Skënderbeut në Kroaci”, shkruan KultPlus.

Promovimi i librit bëhet në shqip dhe kroatisht ndërsa koncerti sjellë fragmente të operës “Scanderbeg” të Antonio Vivaldit.

Pra më 17 janar me fillim nga ora 19:00 krejt kjo ngjarje e madhe për Skënderbeun mbahet në Mimara, Zagreb./ KultPlus.com

Reshat Ameti me ekspozitë në Kroaci

Në muzeun “Mimara” në Zagreb sot do të hapet ekspozita e artistit Reshat Ameti e titulluar “Në kërkim të dritës”, e cila në kryeqytetin kroat do të jetë e hapur deri më 22 tetor.

Ekspozita do të prezantojë tre cikle përmbledhëse të veprave të krijuara në dhjetë vitet e fundit: “Nga tradita”, “Gjeomteria lirike” dhe “Dialogu”.

Për pikturat e tij, historiania e artit, Iva Kerbler me rastin e ekspozitës, në katalog shkruan se Ameti është një nga ata piktorë të cilëve piktura u është aventurë, pasion dhe eksperiment, i cili kërkimin e vet e orienton drejt mundësive të reja të pikturës dhe këtë e bën me një lehtësi tipike të tij.

“Atë nuk e intereson efekti sipërfaqësor, dekortiv i pikturës, ai hyn thellë, në artikulimin e ndërlikuar të pikturës, duke ndërtuar kompozicionin i cili buron nga maniri i tij spontan i pikturimit, me ç’rast instalon një armaturë të fortë në pikturë, edhe atë pa dallim nëse ka të bëjë kur ai butë i fut pigmentet në pëlhurë. Në pikturat e tija shikuesi identifikon një peizazh imagjinar dhe ai njëkohësisht është edhe tokësor edhe qiellor…”, shkruan Kerbler.

Reshat Ameti (1964) ka diplomuar në Fakultetin e Artit Figurativ në Shkup, në klasën e Ana Temkovës. Tani ai punon si profesor i pikturës në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Ameti ka pasur shumë ekspozita personale, ka marrë pjesë në mbi 200 ekspozita grupore vendore dhe ndërkombëtare dhe është fitues i shumë çmimeve./ KultPlus.com

Dy artiste nga Kosova në ‘Ditët e Mbretëreshës Teuta’ në Kroaci (FOTO)

Përfaqësues nga e mbarë bota kanë marrë pjesë në organizimin e 12 të “Ditët e Mbretëreshës Teuta” në Zagreb të Kroacisë.

Ky aktivitet, i cili organizohet nga Klubi i Femrave Shqiptare të Kroacisë mbështetet nga kryetari i Zagrebit dhe ambasada e Kosovës dhe Shqipërisë në Kroaci. Në këtë aktivitet u prezantuan edhe dy artiste shqiptare të cilat prezantuan artin dhe kulturën shqiptare.

Ekspozita “Hyjnesha dhe Veshja” nga etnografja, Erodita Qorkadiu – Haxhiu dhe skulptorja, Arijetë Miftari është një nga sensacionet e këtij edicioni, shkruan rtv21.tv Përfaqësueset e Kosovës gjatë këtij evenimenti mbanin të veshura kostumet tradicionale, të cilat zgjuan kureshtje te të gjithë të ftuarit. Përndryshe, etnografja Erodita Qorkadiu – Haxhiu është anëtarja më e re e bordit mbarëkombëtar të “Mbretëreshës Teutë”.

Artistët nga Kosova u pritën në Kroaci nga ambasadori i Kosovës në këtë shtet, Gëzim Kasapolli. Në Zagreb, për ditët e “Mbretëreshës Teutë” morën pjesë edhe mysafirë nga Italia, Gjermania, Kanada dhe shumë vende të tjera të botës./ KultPlus.com