Gjarpri e grueja

Poezi nga Martin Camaj

Ajo mbramë harroi trupin e vet
Zbuluet
E në mëngjes e gjeti pikturë të varun
Në murin e gjanë dhetë pashë:
E kqyri dhe e kqyri e u zhduk.

Petkat e saj teren buzë detit
Me këmishën e gjarpnit mbi gurë.
Shtërpia tha se vjen prap,ajo, po
Deri mbasdite.

Mbasdite vonë, gjarpni i rrejtun
Doli prej nëngurit
E iu zgërdhesh vetmisë ndërsy,
Veshi këmishën e vjetër e shkoi
Me fjetë. / KultPlus.com

Martin Camaj, ngadhnjyesi shërbestar vullnetmirë i gjuhës shqipes

Njëzet vjet më parë do të shuhej një prej pishtarëve më kulmues të shqipshkrimit. Një zemër e tretun tuj shndrit u ndal për me lan mbasvedi, vullnesën e mirë të endun me përkujdesin që diti vetëm ai për me e dëshmu. Martin Camaj me mbylljen e syve, ndal kandën për me shkel në tokën amë, por kurrkush dhe kurrqysh nuk e vuni nën fre dritimin që feksi ai ndër shqiptarë dhe yshtja e pashoq që u ngas për njëmendësimin e njohjes dhe pranimit të veprës së tij dhe dialektit geg, që ai lëvroi me parmendën e rand të mërgimtarit.

Camaj, megjithëse në të gjallët e tij nuk i’u dha e drejta të shkelte në tokën amë, për kurrnji moment nuk u shqit shpirtit të lënduem dhe plagëve lënguese të shqiptarëve. Në dheun e marrun borxh, ku dhe u tret mishi dhe prehen kockat e tij, ai si një Sizif u ngjit majës së përfaqësimit të shqipes. Një prej mëtimeve ngadhënjyese dhe vetëmohuese, pamëdyshje mbetet lëvrimi i gegnishtes, dhe arbërishtes. S’andejmi ai mundi me dëshmu botnisht mbi atë që vete ka të mbrujtun shqipja dhe shqiptarët. Shërbesa që i bani gegnishtes, e pse jo dhe arbërishtes, mbeten në kryeradhën e tana përpjekjeve të mahershme dhe të tashembasshme. Ngritja dhe trajtimi i tyne në rrafshin shkencor, e dëshmon masmiri këtë. Ngulmi i papramun për të mëtu gjithseçka të mirë, e për me i shtru në një sofër larushinë e dialekteve si vlerë gjuhësore e dallon atë dhe e rrjeshton në rendin e etërve të shqipshkrimit.Camaj edhe pse u përndoq, u përjashtu, u anatemua, dhe e gjitha kjo, jo dhe aq se ai ishte arratisun, apo kishte blasfemuar ndaj kujt, por prej tekstshkrimit gegnisht. Megjitjkëtë ai nuk e flligu gojën dhe shërbesës ogurmirë nuk i’a vuni damkën, e cila mund të gjehej e përligjun te ndokush tjetër por kurrqysh jo tek ai.

Tuj dëshmua mendimtarin e epërm, merr ndonjiherë rol atnor dhe këshillues për tana ata që kanë në dorë shqipen dhe i’a duan t’mirën asaj. Ai nuk bani dallime e dasi, nuk e kqyri shqipen vetëm të toskëve dhe të gegëve, por të shqiptarëve dhe për këtë ai mëton: “Besoj se duke ecë krahas gegnishtja dhe tosknishtja e shkrueme apo letrare, si dy mortra të mira, pa ja pré rrugën njana-tjetrës, kanë me viju mâ me fryt të gjêjnë pikat e përbashkta, si mbas një zhvillimi normal. Kjo rrugë âsht e domosdoshme të ndiqet poqese dëshirojmë që novela e romani shqiptar të mbërrijnë në sferat e një stili të kulluet artistik”. Ai kur shton kësisoj, ka parasysh dhe naltësimin që ka një komb që pranon diversitete dhe nuk priret prej qëllesave anatemuese, me nda dhe me veçu. Kinse, kqyrim shpërthimet greke të patëdyta në letërsi, që lejuan ngritjen e kreshtave, anipse u endën në avelmenin e dialektores. Për me ardh masanej te trualli ynë, dhe veçmas te shkrimtaria e Fishtës, Mjedës, Koliqit, Shantojës, Prenushit, Haxhiademit, Konicës, Nolit, Poradecit, Kutelit, Asllanit, e shumë të tjerëve, që lindën e u naltësuan, pa hyqmin e shqipes së njësuar, standartit. Duke mos pas tavan mbi krye, ata krijuan atë thesar, të cilin me krenari munena me e pagzu si testament të vlerave të njimendta të letërsisë shqipshkruese. Camaj rendi tuj shkru e lëvru gegnishten, pa e ndal turrin, e pa kqyr përsipër nëse kishte qiell për kreninë e tij, apo jo, nëse kishte kresht për me e majt këtë naltësim. Gjithë sa bani ai e rriti brenda vetes me tagrin një besimi dhe mëvetësie që kishte si zanafillë, si vazhdë dhe si mbramësi. Vepra u rrit me të, dhe ai e gjalloj përbrenda vetes çdo faqe të saj në një marrëdhënie njësimi. Ata i dhanë dhe morrën prej njani-tjetrit shumëçka, por në kryerend, motivin e ngulmit për me u ngjit në ma t’naltat kjartësina, prejnga nuk do të mund t’i zdrypte ndokush.

Mveshun prej kësaj magjie dhe ngadhnjimi, ai ban me dije se: “Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten, një luftë për mbijetesën, frymën e qenies, të dikurshmen dhe ardhmninë, një luftë jo me mbetë gjallë, por me ruejt të pastër fillin e amës së gjuhës dhe artit, mbi të gjitha me shpëtue shpirtin krenar të shqiptarit”. Bash njikshtu i bzani zemra dhe ia ligjëroi penda, këtij kolosi të mendimit dhe letrave shqipe. Ma shumë se një perifrazë, një urti e nxjerr prej lëmit të tij letrar, kjo është një sentencë e gjithë asaj përpjekje të pashoq që ai bani për shqipen dhe kandën artshkruese të saj. Ai me këtë dëshmoi njëmëndësinë e asaj që e udhërrëfeu atë dhe duhet të ysht tankënd që don me lan mbas të gjallëve të tij, një vepër të patëdytë, një kreni për tankush e njohu dhe e përcolli asohere dhe tashembas. Gjithqysh, në kryeherë, gegnoshtja dukej se do të ishte për të një sfidë, një apogje ku ai ngulmonte të ngjiste kreaturën që shfaqet tetan çka ai la, që nga poezia, proza, drama, pa i lan mënjanë edhe në ngulmime të tjera që prekim punë të tij studimore dhe shkencore. Poetët dhe narratorët që skaliten letrat shqipe në këtë dialekt, siç mund të përmendim, Ndre Mjedën, At Gjergj Fishtën, Filip Shiroka, Ernest Koliqi, Migjeni, etj fillëruan rrugën e tij shtegngushtë dhe përplot me hendeqe. E ai nën vullnesën shndritëse të këtyre titanëve të gegnishtes rendi, për të sosur të gjallët e tij, 20 vjet më parë, dhe për të lënë një vepër me vlera të njëmendta. Një meritim të veçtë, Martin Camaj mvesh kontributit dhe emrit të tij dhe teksti arbërisht. Mbamendjen e ketillë dhe shkrimtaria e tij, ka ngucatun studiuesi Behar Gjoka, i cili e ka qëmtuar këtë ngarendje të shkrimtarit, poetit dhe dramaturgut, dhe jo vetëm. Sipas tij, romani “Karpa”, novelat “Shkundëllima”, dhe “Fshati me shtatë gjuhë”, që e marrin motivin nga jeta e arbëreshëve, shpërfaqin përkujdesin e Camajt për arbërishten. Studiuesi “guxon” ta rëndisë Camajn të parin që ka lëvruar këtë copëz të vyer të shqipshkrimit.

Sipas tij, Camaj është rilindasi i fundit që mori gjithçka të ligjërimit letrar në gegnisht dhe arbërisht, që ishte prodhuar përpara tij dhe në kushtet e ndalimit të këtyre dy varianteve. Nën barrën e vetmisë, ai arriti të vërtetojë se këto dy variante vazhdojnë të jenë funksionalë, vazhdojnë të jenë pjesë e diversitetit gjuhësor, saktëson studjuese. Tekstet e tij letrare, dëshmojnë se bashkë me ikjen, Camaj mori me vete zhguallin e gjuhës, pra dialektin e gegnishtes, por edh jo pak dromca të variantit të arbënishtes, të cilët edhe në vetmi të plotë, edhe në kundërshtim me normat e 1972, i mbajti gjallë, si me thënë e mbajti të ndezur kandilin e ligjërimit letrar, gjithnjë si gjuhë e autorit dhe e letërsisë. Nga ana tjetër, me vlerë jetike janë edhe udhështegtimet e shkrimtarit në Prishtinë, Beograd, Romë dhe Mynih, që i shërbeu si një dritare e madhe për ta rreshtuar ligjëratën letrare në rezonim me ngjyresat bashkëkohore evropiane. Si ligjërues letrat, si qëmtues dialekti dhe si yshtës i vlerave të nëpërkëmbura në vendin e amës, Camaj dallon edhe për një frymë moderniteti, duke u bërë sakaq dorzan i një letërsie ndryshe, që po lindte. Poezia, gjithashtu mbart një trajtesë të atillë që ndeshet ndër përkimet e mjeshtërve të ligjërimit të asj kohe. Camaj me krjimtarinë e tij, mbajti shqipen dhe shqiptarët në radhën e atyre letërsive dhe kombeve që zotonin universin e letrave. Siç asht përshkru edhe në enciklopeditë, Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit, Shkodër, më 21 korrik të vitit 1925 dhe vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih, bash 20 vjet më parë. U dha me mish e me shpirt shkrimtarisë, të cilën e endi me dialektet që ai gaditi me ëndje dhe kreni. Edhe si albanolog, mbetet një dimension i pamatshëm. Në Shkodër, në Kolegjin Jezuit ai mori edukatë klasike dhe më tej studjoi në Beograd romanistikën, mori gjithëpoaq mësime edhe nga teoria e letërsisë dhe gjuhët sllave. Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali për studime pasuniversitare. Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më përseafërmi me botën arbëreshe, dhe nis e mëson shqip. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku bëhet profesor i studimeve albanologjike. Atje ai ligjëron letërsinë shqiptare deri në fund të të gjallëve të tij. Emri dhe krijimtarinë e Camajt e kudogjejmë në gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Qëmtimet akademike të Camajt u ngulmuan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë Jugore. Mëtimi letrar i Camajt në 45 vjet kumton disa hope të njimbasnjishme zhvillimi. Ai e pikënisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik përgjatë gjithë jetës. Anipse vitet e fundit të përkushtimit i’u dha ma s’shumti prozës. Galeria e tij krijuese asht e bollshme e plot larushi. Varganin e gjatë të asaj pene e pikënis: “Nji fyell ndër male” -Prishtinë 1953, për me vazhdu me “Kanga e vërrinit” -Prishtinë 1954, “Djella” (novelë) – Romë 1958, “Legjenda” – Romë 1964, “Lirika mes dy moteve” – Munih 1967, “Poezi” (1953-1967)- Munih 1967, “Njeriu më vete dhe me të tjerë” -1978, “Poezi 1981, “Drandja” (proza poetike)- Munih 1981, “Rrathë (novelë) – 1981, “Shkundullima” – 1985, “Karpa” (novelë) -1987. Vijon kjo kolanë krijimtarie e Camaj me botimet dygjuhëshe, “Poezi” (shqip-italisht)- 1985, “Me pendlat e korbit të bardhë” (shqip-gjermanisht). Për me vazhdu me një syshikim në lëmet e tjera të letrave, përpjekjet e tij albanologjike, gjuhësore, estetike, studimore, eseisike: “Meshari i Gjon Buzukut” – Romë, 1960, “Tekst mësimor i gjuhës shqipe” – Wiesbaden 1969, “E folmja shqipe në provincën e Avelinos” – Firence 1971, “Antologjia: Këngë shqiptare” – Dusseldorf 1974, Gramatika shqipe – Wiesbaden 1984. Tankjo mëvetësi krijuese, ndryshe ngase priret prej shumë emnash dhe penash që kanden duke mbete brenda vetes dhe duke mbushin zgafellën e vetmisë së tyne, Camaj e bani gjithseçka, ngriti deri në zenit ngulmin e vlerës dhe mëtimit, vetëm dhe veçmas për shqipen dhe shqiptarët, për vendlindjen dhe gjakun e t’parve. Megjithëse ai gjithë veprën e tij e shkroi jashtë Shqipërisë, në Beograd, Romë, Mynih, s’mundi me ken tjetërkush vetëm biri i Temalit, anda e një trolli të ashpër dhe ora e një djepi të mirë. Tançka bani e gjithçka la, kjartazi dhe dashtazi e kishte për bashkëkombasit e tij, të cilët edhe tash nuk asht se e njohin dhe aq edhe pse ai tashma asht riatdhesu si kijimtari, si botkuptim dhe si gjënezë, përkundër një dasie të stërgjatë që mbolli komunizmi ndër shqiptarë. Ky shërbestari vullnetmirë i shqipes, diti me shkru fort mirë emrin e tij në historinë e letrave shqipe dhe me mbet aty, ndoshta jo me hatrin e shumëkujt, qi u mundun me e mbajt larg këtë kolos të mendimit. Tash, shumëçka ka mbetun mbrapa, kujtimet e zehërta të një anateme, shija e helmët e do gojëve të liga, e kanda e vrame e një armate ngrehaluce mediokrish, të cilët tuj dasht me ndalu Camajn, guxun me besu se po e mbanin të përjashtume, gegnishten. Por ky dalzotës i këtij dialekti, diti dhe mundi me qëndru, me besimin se dokurdo do të lindte ajo ditë përplot me dritë pranie, pranimi dhe mëvetësimi të shqipshkrimit. /Albert Vataj /KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës mbrëmë mbajti mbrëmjen e parë, në fokus veprimtaria e Martin Camajt

Në vazhdën e aktiviteteve, në kuadër të projektit të saj kulturor, PEN Qendra Kulturore e Kosovës në bashkëpunim me KultPlus-in, mbrëmë ka mbajtur aktivitetin e radhës në promovimin e vlerave elitiste të letërsisë bashkëkohore shqipe, shkruan KultPlus.

Përveç netëve tjera në të cilat do të prezantohet krijimtaria letrare  e autorëve të njohur si: Ali Podrimja e Teki Dervishi, mbrëmjen e shkuar u prezantua dhe u fol për krijimtarinë letrare të  Martin Camajt.

Studiuesit, kritikët letrarë dhe shkrimtarë të njohur si Milazim Krasniqi, Osman Gashi, Blerina Rogova Gaxha dhe Anton Berishaj, prezantuan kontributet e tyre studimore, sa i përket veprimtarisë së Camajt.

Milazim Krasniqi para të pranishmëve prezantoi kumtesën titulluar “Një mbresë për Martin Camajn”.

Profesor Krasniqi rikujtoi njohjen me poetin dhe idenë se si përthyhej personaliteti dhe përvoja e tij në realitetin tonë letrar në vitet tetëdhjetë dhe rolin që ka sot, për t’i ndihmuar procesit të rekonvaleshencës letrare e kulturore.

Krasniqi rrëfeu për Camajn se si ishte arratisur nga Shqipëria enveriste dhe kishte qëndruar në Jugosllavinë titiste, ku më pas kishte botuar dy vëllime me poezi, të cilat i vlerësoi konfuze siç qe konfuze edhe veta jonë nga një botëvështrim ideologjik totalitar dhe johuman që kishte detyruar shkrimtarë si Camaj të arratiseshin nga atdheu mëmë, për të qëndruar në një shtet armiqësor, siç atëbotë qe Jugosllavia.

“Në procesin e dekomntaminimit të letërsisë sonë nga terrori dhe nga dogma ideologjike, ku Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, e drejtuar nga Ibrahim Rugova, ka dhënë një kontribut të madh në vitet 1988-1999, e njohëm Martinin në vitin 1990.“

Ndonëse Krasniqi e përshkruan atë takim si një tribunë të zhurmshme, entuziaste e folklorike, dhe të huaj për shijen e rafinuar të Camajt, megjithatë ai tregon se Camaj mbajti fjalën e tij mbresëlënëse, në të cilën kishte shpalosur se ky qe takimi i tij i parë me bashkatdhetarët, të cilët nuk kishte dashur t’i ekspozonte para se të binte diktatura komuniste. Më tutje ai tregon për takimet e radhës pas asaj njohjeje.

“Pas asaj njohjeje ne e patëm ftuar në Prishtinë dhe e patëm pranuar si anëtar nderi të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Mesazhet e tij gjatë qëndrimit në Prishtinë qenë pajtuese, integruese, vëllazërore, që në klimën e polarizimeve të reja që po shfaqeshin, ishin si mehlem për varrë.”

Më pas ai foli për dhimbjen kur Camaj u nda nga jeta, dhimbje kjo për humbjen e një shkrimtari dhe dijetari unik. Ai përmendi gjithashtu botuesit e parë të krijimtarisë së tij, të cilët ishin: Shtëpia Botuese “Buzuku’’ me tregimet ‘’Pishtarët e natës’’ (1991) dhe romanin ‘’Diella’’ (1994), ndërsa ‘’Jeta e Re’’, në vitin 1991 botoi vëllimin “Nën hijen e gjarprit’’.

Krasniqi, hapjen e këtij debati në kuadër të PEN Qendrës së Kosovës e vlerësoi si një xixë shprese për të dalur nga shtjella e dekolturimit dhe e deshqiptarizimit, duke e vlerësuar Camajn si frymëzim edhe sot.

Tutje u lexua kumtesa e Blerina Rogova Gaxhës me titull “Martin Camaj, udhëtimi nëpër jetë”.

Blerina Rogova Gaxha, udhëtimin e Camajt e cilësoi si një udhëtim jo për përmbushjen e jetës, por imponim i braktisjes së një jete të cilën ai e ndjeu se do të qe e egër.  Ajo përmendi largimin e tij nga origjina dhe realitetin  e një të mërguari të hedhur në shkrim.

‘’Letërsia e Martin Camajt është letërsi e krijuar jashtë kufijve shqiptarë – në mërgatë. Camaj apo letërsia e mërguar! Kjo është letërsia e dukagjinasit që u përndjek që herët nga regjimi komunist dhe iku në Itali e Gjermani, ku gjeti strehë të studionte e të shkruante letërsi, për ta bërë veprën e tij krejt të veçantë për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai është zë i vendit që shtegton nëpër botë dhe kthehet si jehonë nga bota – si zë i mërguar.’’

Rogova Gaxha përmendi se si Camaj ishte i edukuar si një frymë lirie e vetëdije refuzuese, me ç’rast refuzoi ta humbte lirinë shpirtërore, duke e refuzuar terrorin ideologjik, për ç ‘shkak iu desh të braktiste vendin. Poezinë  e Camajt ajo e cilësoi si ‘’mall për një kujtim e jetë të jetuar e të pajetuar’’. Në udhëtimin e Camajt, ajo vlerëson se poeti mbështetet në lirinë që i jep poezia si krijim, porse kjo liri si çdo tjetër ka sakrificën e vet, siç ligjëron te poezia ‘’Vrasja e poetit”:

Liria e fshehun mbas vargjeve

Të poezisë

Nuk ishte vetëm:

Para tyne rrishin galue roje

Shpend mishngranës

Me fytyrë njerëzore.

Për ta përmbyllur fjalën  e saj, Gaxha Rogova, e quan udhëtimin poetik të Camajt si “udhën e tij për të mbetur gjallë, në letra dhe në jetë.”

 “Kënga popullore si pikënisje dhe frymëzim ”ishte kumtesa e radhës të cilën e prezantoi profesori Osman Gashi.

Në fjalinë e tij mbi krijimtarinë letrare të Camajt, ai e vlerësoi si një ndër poetët më të veçantë të letërsisë shqipe.

“Temat e motivet më të shpeshta në poezinë dhe prozën e tij ishin: vendlindja, rrafshet, luginat e bjeshkët ku mrizonin zanat, mitet e legjendat, trolli i shpisë, votra, oborri, arat, Drini, pyjet, kullotat, pastaj simbolet si gjarpri, breshka, buelli, shiu, nana…”, tha Gashi.

Ai bëri gjetjen e lidhjeve mbi trashëgiminë letrare të paraardhësve të tij, me poetët shkodranë si Mjedën, Gurakuqin, Fishtën, madje edhe me Migjenin. Midis veprave të tij poetike, ai veçoi vëllimin poetik ‘’Legjenda’’, i botuar në Romë, në vitin 1964.

“E shkruar gjatë viteve të para të qëndrimit të Camajt në Itali, ‘’Legjenda’’ shënon jo vetëm një evolucion të natyrshëm, po edhe një ngritje të ndjeshme cilësore të shprehjes së tij poetike.” Këtij libri i prin parafjala e autorit, i cili vë në dukje lidhjen e pashkëputshme të letërsisë sonë të shkruar me atë popullore…

Ndër tjerash, Gashi foli për disa nga poezitë më karakteristike nga krijimtaria e tij, e që janë ‘’Ai që i bjen fyellit n’hanë” dhe “Beka i verbët”, “Për kaun e mbytun  në kohë të ujës” , “Buelli”, “Dranja” etj.

“Vështruar përgjithësisht Martin Camajn pa dyshim mund ta quajmë poet të gjuhës, për shkak të përdorimit brilant të saj. Po kështu Camaj nuk u përputh në asnjë element me letërsinë e realizmit socialist, por siç theksonte studiuesi Shaban Sinani “refuzimi i tij nuk mbaron vetëm në kontekstin e refuzimit teorik, estetik e ideologjik. Ai i ikën rregullisht llojeve të pastra letrare dhe i vetëpërkufizon veprat e tij me terma të huajtura nga muzika (madrigal), nga paleografia dhe arti kishtar, nga shkrimet e shenjta apo nga folklori… dukuri këto që e inkuadrojnë veprën e tij përbrenda kufijve të modernitetit letrar.”

Krejt për fund, fjalën e mori profesori Anton Berishaj i cili shpalosi kumtesën e tij me titull “Mimesisi dhe metafiksioni – Proza e Martin Camajt”.

Në fjalën studimore të tij Berishaj iu qas kësaj problematike, “duke pasur parasysh perspektivën teorike bashkëkohore lidhur me mimesisin dhe metafiksionin, po gjithnjë duke i mbajtur në horizont edhe fundamentet teorike të relacionit letërsia/bota, teksti/realiteti, fiksioni/fakti që nga paradigma aristoteliane e mimezës gjer te paradigma bashkëkohore  e botërave të mundshme/fiksionale/alternative/virtuale, të cilat përcaktojnë jo vetëm idenë filozofike të ontosit letrat, por edhe implikimet në afiliacionin poetik e zhanror te teksteve letrare.”

Mes krijimtarisë së Camajt, ai shkëputi veprën “Djella”, duke e përmbyllur me:

“Metafiksioni i Camajt te romani Djella shtron edhe probleme fundamentale të etikës diskursive letrare. Poezia – kjo rregulluese e kohës – (për Camajn e ka vlerën e nocionit Dichtung nga poetika gjermane) te Djella, në planin diskursiv gjithmonë e ka burimin te pasionet dhe ëndërrimet – tek ajo hapësira frojdiste  e lirisë dhe e mungesës së kontrollit diskursiv e kulturor. Pra, poezia sipas tij është gjithnjë në eksplorim të hapësirave të reja të lirisë – të hapësirave të reja performative dhe vetë-modeluese. Këtu duhet parë etikën diskursive të Camajt, e cila shkon edhe përtej parodisë (së zhanrit, të letërsisë së realizmit socialist, të letërsisë si të tillë) dhe vetë-parodisë. Me anë tjetër, duke ia nënshtruar procesin kreativ shqyrtimit racional kritik e vetë-reflektues, metanarracioni/metafiksioni i Camajt sikur do të tejkalojë/neutralizojë mallkimin platonist/sokratik të mimesisit, i cili sipas tyre sjell vetëm vuajtje në jetën e njeriut. Edhe ne këtë kontekst, metafiksioni i tij bart me vete një etikë diskursive të re në relacion me forma të tjera të fiksionalitetit narrativ.”

Gjithashtu, sonte dhe nesër, në orën 18:00 në KultPlus Caffe Gallery, aktivitetet e PEN Qendrës së Kosovës do të vazhdojnë me prezantimin e krijimtarisë letrare të Ali Podrimës dhe Teki Dervishit. /KultPlus.com

Promovimi i Letërsisë shqipe nga Pen Qendra e Kosovës në KultPlus Caffe Gallery

PEN Qendra e Kosovës në kuadër të aktiviteteve të saj ka filluar projektin kulturor për promovimin e vlerave elitiste të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Ditë më parë në Ulqin, në shenjë të 60- vjetorit të lindjes dhe 2- vjetorit të vdekjes së poetit, Basri Çapriqi, në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” të Ulqinit, për dy ditë me radhë, u organizua ora letrare ” Dritaren lëre hapur” dhe sesioni shkencor “Poeti i detit”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë letrare e shkencore të poetit dhe studiuesit Basri Çapriqi.

Në këtë manifestim kontributet dhe kumtesat e tyre i paraqitën: Zuvdija Hoxhiq, Bashkim Kuçuku, Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Sali Bashota, Entela Kasi, Arben Prendi, Binak Kelmendi, Nail Draga, Eljon Doçe, Liridona Sinishtaj, Sazana Çapriqi, Ismet Kallaba, Haxhi Shabani, Anton Gojçaj, Rrok Gjolaj, etj.

Gjithashtu, më 11, 12 dhe 13 shkurt 2020, në orën 18:00, aktivitetet e PEN Qendrës së Kosovës, do organizohen në bashkëpunim me portalin Kultplus, me ç’rast për tri net me radhë, do të prezantohet krijimtaria letrare e Martin Camajt, Ali Podrimjes dhe Teki Dervishit.

Kështu, studiuesit, kritikët letrarë dhe shkrimtarët: Milazim Krasniqi, Osman Gashi, Anton Berishaj, Blerina Gaxha, Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Adil Olluri, Binak Kelmendi, Ibrahim Kadriu, Haqif Mulliqi, Qibrije Demiri, Flamur Maloku, etj., do t’i paraqesin kumtesat dhe kontributet e tyre studimore.

Projekti Promovimi i letërsisë shqipe, është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

‘Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri, prandej jam i trishtueshëm’

Poezi nga Martin Camaj

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri. / KultPlus.com

‘Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri, prandej jam i trishtueshëm’

Poezi nga Martin Camaj

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.
Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta

Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri. / KultPlus.com

Joachim Lanksh, admirues i gegnishtes së Camajt

Përshtati: Hera Lera

“Fjala shqip t’është detorëse për gjithë motin e jetës! Na vorfnove”– Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943, në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji.

Dashnori i gegnishtes së Camajt: studiues, përkthyes e albanolog, mik i poetit të njohur Martin Camaj, që e fliste aq bukur shqipen, gegnishten.

I njohur si studiues, përkthyes dhe mbështetës i letërsisë dhe kulturës shqipe në Gjermani dhe Europë, Lankshi ka përkthyer në gjermanisht, shkrimtarë e poetë të spikatur si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti, por edhe autorë të tjerë si Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Primo Shllaku, Ledia Dushi, etj. Lankshi konsiderohet si një ambasador i rrallë i kulturës dhe letërsisë shqipe. Pas viteve ’90-të, studiuesi gjerman u përfshi në problemet e zhvillimit të kulturës shqiptare, kur sa e sa herë u bë mjeshtër i replikave kundrejt problemeve të mëdha të trashëgimisë kulturore dhe problemeve të aktualitetit.

Lanksh ka nisur të përkthejë letërsi shqipe në gjermanisht, në vitet ’80-të, ku përveç Camajt që jetonte në Gjermani, ai kishte pasur takuar poetët e mëdhenj të Kosovës, si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj, etj. Vetë Lanksch, është shprehur se pas viteve ’90-të ka “gjetur” e klasën e poetëve të viktimizuar nga diktatura. Për gjuhën shqipe, ai shprehej, se e pëlqente më tepër gegnishten letrare, “por më pëlqen po kaq idiomi jugor, gjuha e Lasgushit, Kutelit, Trebeshinës etj. Duke shkruar në gjuhën standarde, më vjen keq se nuk mund ta përdor e-në trema para bashkëtingëlloreve hundore (përmënd, zëmëra etj).” – ka rrëfyer vetë, gjatë intervistave.

Po ashtu, ai nuk ka qenë pasiv as për kritikën letrare në Shqipëri, duke theksuar mungesën e plotë të saj: “Kritika letrare shqiptare pothuaj nuk ekziston. Zëvendësohet nga puna klanore. Kritika u televizionit. Çështje supërfaqësore. (Flas për Shqipërinë). Përmenden dhe laureohen penda të një karuseli gjithnjë e më shumë emrash të njëjtë. Kritika e përkthimit letrar mungon totalisht (ngjashëm me gjendjen në Gjermani). Mungojnë kritikët që njohin mjaftueshëm të dyja gjuhët. “Kritika” shterret me klishetë qesharake se përkthyesi përdor “një shqipe të rrjedhshme”, – ka vërejtur albanologu.

Në të njëjtën kohë, Lankshi nuk reshti së përkrahuri vlerat e rralla, duke thirrur për më shumë vëmendje karshi poetit Martin Camaj, i padëshiruar në Shqipërinë komuniste të kohës. Ai ishte i mendimit, me të drejtë, se pavarësisht se Camaj jetonte në Gjermani, ai shkruante letërsi shqipe dhe ishte pjesë e saj. 

“Shkrimtarin Martin Camaj nuk e nxori diaspora, mërgata a ekzili, por tradita e letërsisë shqipe dhe thesari i traditave gojore të Shqipërisë së Veriut. Në krijimtarinë e Martin Camajt, nuk gjenden elementet tipike të shkrimtarëve të mërgatës a ekzilit. Ata zakonisht merren qoftë me letërsi sentimentale patriotike, që e idilizon dhe glorifikon atdheun, qoftë me letërsi të politizuar që e akuzon vendlindjen dhe rrethanat politike në të. Autorë të tillë, zakonisht merren edhe me shkrime gazetareske që e damkosin sistemin diktatorial në vendlindje. Ndryshe nga ata, shkrimtari Camaj shkroi me këmbëngulje letërsi, letërsi të mirëfilltë dhe asgjë tjetër. Ai është një autor i letërsisë shqiptare në kohën e diktaturës komuniste, një nonkonformist për nga stili e estetika dhe për nga përmbajtja e veprës së tij, një shkrimtar jashtë kornizave të letërsisë zyrtare të kohës, por jo jashtë kornizave të letërsisë së Shqipërisë.”, – ka shkruar përkthyesi dhe albanologu gjerman.

“Puna e tij është laureuar me çmimet “Nikolaus Lenau“ i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); “Penda e Argjendtë“ (Tiranë 2002) dhe “Azem Shkreli“ (2018).” Duke shprehur hidhërimin për ikjen e albanologut Lanksh, Demiraj kujton fjalët e tij: “…Der Tod gehört zum Leben“ (Vdekja i takon jetës) mbaj mend të përmendte Përkthyesi, kur mësonte për largimin e përjetshëm të kolegëve dhe miqve. Është rasti ta përsërisim këtë maksimë edhe ne miqtë dhe kolegët tij në këto momente zije dhe ngushëllimi në kulturën shqiptare”. Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqipe u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atë botë degën e albanologjisë në universitetin elitar „Ludwig-Maximilian“ të Mynihut. Falë kësaj kësaj njohjeje, zoti Lanksh nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse.” – shkruan Demiraj ./KultPlus.com

Dita e sotme shënon 94-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Martin Camaj

Martin Camaj, u lind më 21 korrik 1925 në një zonë malore, në Temal të Shllakut. Ky mjedis i egër malor do të lërë mbresa dhe do të ndikojë te shkrimtari dhe gjuhëtari i ardhshëm. Që në fëmijëri u dallua për një zgjuarsi të veçantë, gjë që u ra në sy prindërve të Camajt. Kështu atyre u lindi dëshira që Martini të mos ndiqte rrugën e disa bashkëmoshatarëve për t‘u bërë çoban në ato zona, por të arsimohej më tej. La Temalin e largët dhe erdhi në Shkodër për të ndjekur mësimet në kolegjin Saverian, një kolegj me emër në të cilin kishin studiuar patriotë, shkrimtarë, gjuhëtarë dhe mësues të afirmuar në profesionin e tyre. Pasi mbaroi studimet në këtë kolegj, filloi të ushtrojë detyrën e mësuesit në fshatin Prekal të zonës ku lindi, 25 km larg Shkodrës. Bindjet e tij nuk pajtoheshin me regjimin e kohës, prandaj në vitin 1948, në moshën 23-vjeçare arratiset për në Jugosllavi. Pas disa peripecish, ai filloi studimet e larta në Universitetin e Beogradit, në degën Gjuhë-Letërsi Sllave dhe latine, pranë profesorit të dëgjuar kroat, Henrik Bariç. Menjëherë prirjet e tij letrare i konkretizoi me botimin e dy vëllimeve poetike “Nji fyell ndër male” (Prishtinë, 1953) dhe “Kanga e vërrinit” (Prishtinë, 1954). Nuk i dimë rrethanat se si u krijuan, por Martin Camaj, 8 vjet pasi ishte arratisur dhe pasi kishte mbaruar Universitetin e Beogradit, në vitin 1956, posa i kishte mbushur 31 vjetët, shkoi për studime pasuniversitare në Romë, duke lënë përfundimisht Beogradin dhe duke u bashkuar me shokët e një ideali E. Koliqin, K. Gurakuqin, M. Krujën etj. Në Universitetin e Romës u specializua për gjuhësi, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë formimin e tij filologjik. Ai zgjodhi si temë disertacioni veprën e parë të gjuhës shqipe “Mesharin” e Gjon Buzukut, një studim mjaft interesant dhe i rëndësishëm për kohën kur u shkrua. Fillimisht Martin Camaj do të jetë lektor në Universitetin e Romës pranë katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe që drejtohej nga shkrimtari E. Koliqi, por njëkohësisht që për disa vjet qe edhe kryeredaktor i revistës prestigjioze “Shêjzat”(Le Pleiadi) (1957-1978) që dilte në Romë.

Por jeta e këtij intelektuali ishte në lëvizje. Pas një qëndrimi prej afro 10 vjetësh në Romë, do të lerë kryeqytetin italian dhe do të vendoset në Mynih të Gjermanisë, ku do të merret kryesisht me studime gjuhësore. Në Universitetin e atij qyteti do të mbrojë me sukses një temë nga fusha e formimit të fjalëve të shqipes, të titulluar “Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër.” Në Mynih jo vetëm do të mbajë leksione për studimet albanologjike, por pas disa vjetësh do të themelojë katedrën e gjuhës shqipe në atë universitet që do ta drejtojë gjatë 20 vjetëve, prej vitit 1971-1990, vit në të cilin doli në pension.

Veprimtaria Gjuhësore 

Dyzet vjet më parë Martin Camaj botoi në gjermanisht “Libri i mësimit të gjuhës shqipe”(Lehrbuch der albanischen Sprache, Otto Wiesbaden, 1969, 136 f.) (ribotuar, më 1991 dhe1997). Ky botim do t‘u shërbente të huajve për të mësuar gjuhën shqipe, krahas edhe të librave të tjerë të botuar në atë kohë me të njëjtin qëllim. 15 vjet nga botimi i parë, më 1984 Martin Camaj doli me një botim tjetër me titull “Gramatika shqipe” (Albanian Grammar with eksercises, chrestomathy and glossaries, Wiesbaden, 337 f.) Botimi në anglisht është më i plotë, më i hollësishëm e më i gjerë si vëllim se “Libri i mësimit të gjuhës shqipe”. Me të drejtë mund ta konsiderojmë vepër të re të autorit. Botimi i vitit 1984 njohu edhe një ribotim të saj, të përkthyer në italisht nga studiuesi Ardian Vehbiu dhe të botuar në Kozencë, më 1995. Këtë vepër përkthyesi e shoqëron me një parathënie të shkurtër, ku vlerëson punën e veçantë të autorit në rrafshin gjuhësor, por njëkohësisht Martin Camaj vlerësohet si një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare të pasluftës.


Martin Camaj ka një veprimtari të pasur shkencore dhe botuese. Janë me dhjetëra studimet dhe veprat me karakter gjuhësor nga fusha të ndryshme të gjuhës shqipe që përgjithësisht i përkasin historisë së gjuhës shqipe, veçanërisht studimit të autorëve të vjetër, dialektologjisë, përqendruar te të folmet arbëreshe të Italisë, hartimit të teksteve etj., të cilat autori i botoi, përveç Romës dhe Mynihut, edhe në Firencë, Palermo, Sofie, Wiesbaden, Dysendolf, Gutemberg, Nju York etj. Ata u botuan në disa gjuhë, si në italisht, gjermanisht, anglisht, serbo-kroatisht etj. Duke qenë se krijimtaria e tij gjuhësore është në gjuhë të huaj, lind nevoja e përkthimit në gjuhën amtare të veprës gjuhësore të Camajt, gjë që do të ishte një shërbim i mirë për studiuesit e lexuesit. 

Studimet për fjalëformimin

Një ndër shkrimet e para me karakter gjuhësor është artikulli prej 9 faqesh, shkruar në serbokroatisht me titull “Kontribut për njohjen e grafisë së Gjon Buzukut”. Është një punim i shkurtër, por me interes për shpjegimet që ka dhënë Martin Camaj për disa shkronja të veprës së Gjon Buzukut. Por monografia e parë gjuhësore, që ka qenë tezë e doktoraturës, ka si titull “Meshari” i Gjon Buzukut. Kontribute linguistike me një studim për origjinën e tyre”, shkruar në italisht. Ky studim i M.Camajt do të botohej në revistën “Shejzat” në vitin 1960. Nuk është një botim i gjatë, ka rreth 89 faqe. Ka vlerë për historinë e gjuhës shqipe dhe veçanti për disa probleme të diskutueshme për veprën dhe autorin e “Mesharit” në atë vit dhe më vonë. Në veçanti kontributet për studimet buzukjane të M.Camajt i ka analizuar akademiku kosovar, Rexhep Ismajli. Që në fi llim të veprimtarisë së tij shkencore M.Camajn e kanë tërhequr autorët e vjetër. Kështu, duke punuar edhe me studiuesin gjerman, Rudolf Trofenikun, i cili në vitin 1977 botoi veprën e Pjetër Bogdanit “Cuneus prophetarum” të shoqëruar me një parathënie nga vetë Trofeniku dhe me një paraqitje të shkurtër nga Zef Valentini në italisht, Martin Camaj në pesë faqe në shqip jep një pasqyrë të hollësishme të alfabetit të P.Bogdanit që e titullon “Çelës për leximin e veprës”. Interesi për veprën e Pjetër Bogdanit vazhdoi edhe më pas, kur në vitin 1990, në prag të daljes në pension botoi një artikull për këtë autor në revistën “Albania”, nr.1 që dilte në ShBA. Të gjitha planet e tij nuk u realizuan, pasi vdekja e rrëmbeu shumë shpejt. Ai së bashku me studiuesin Valter Braun dhe dr. Elvira Graser kishin piketuar platformën e një botimi të plotë për veprën “Çeta e profetëve”, në tri vëllime, që do t‘u kushtoheshin veçorive gjuhësore të veprës, si: grafia, fonologjia, morfologjia, sintaksa dhe fjalori. Në vitin 1966, Martin Camaj botoi monografi në gjermanisht “Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër.” 1966, 175 f.) Është një vepër që paraqet interes edhe sot në disa çështje të fonetikës historike dhe të studimeve etimologjike, ndonëse disa probleme të trajtuara këtu janë kapërcyer nga gjuhësia jonë gjatë 40 vjetëve nga koha e botimit. Sidoqoftë, në disa anë ruan edhe sot vlerat e saj.

Studimet dialektore

Autori, duke jetuar larg atdheut-mëmë, në disa raste, duke mos u njohur edhe me të gjitha botimet dialektore, të kryera në Shqipëri, edhe nga vetë mundësitë që kishte, u mor me studimet dialektore arbëreshe të provincës së Avelinos, të Falkonares, të Bariles, të Vila Badesës etj. Camaj nuk kishte si qëllim më vete që të paraqiste vetëm veçoritë gjuhësore të këtyre të folmeve. Në mënyrë të veçantë, duke ndjekur metodat bashkëkohore, donte të paraqiste edhe historinë e tyre, por edhe aftësinë që kanë pasur këto të folme për të ruajtur traditën, duke pasqyruar përmes gjuhës, zakoneve, riteve identitetin, ndonëse kishte disa shekuj që kishin lënë atdheun e të parëve. Dy dialektologë të afirmuar, J.Gjinari e Gj.Shkurtaj kanë vërejtur se Martin Camaj që nga fillimi i viteve ‘60 të shekullit të kaluar deri në fund të viteve ‘80 kreu një hetim sistematik rreth të folmeve të ndryshme arbëreshe dhe arriti të përshkruante tipin më përfaqësimtar të zonave të ndryshme dialektore, sidomos të atyre më anësore (periferike) dhe më të ekspozuara ndaj ndikimit asimilues të italishtes. Me interes janë tri monografitë e hartuara nga Martin Camaj me karakter dialektologjik, si: “E folmja shqipe e Grecit në krahinën e Avelinos”, Firenze, 1971, 120 f. italisht. Është një ndër monografitë e para të shkruara për një të folme arbëreshe. Gjashtë vjet më vonë botoi në gjermanisht monografinë e dytë me karakter dialektologjik të titulluar” “E folmja shqipe e Falkonares në krahinën e Kozencës”, në gjermanisht 1977, 148 f. dhe më 1991 botoi monografinë e tretë “E folmja arbëreshe e Shën Kostandinit në krahinën e Potenzës”, në italisht. Gjithashtu, Camaj ka shkruar edhe artikuj të tjerë me karakter dialektologjik. Gjithashtu, nga kjo fushë janë me interes shkrimet për probleme të bilinguizmit dhe të plurilinguizmit gjuhësor.

Ninulla e Ujes

Poezi nga Martin Camaj

Me fjalët e psalmit po i ndjell

foshnjës gjumin: flej flej, kërthi

nëmos vjen qeni e ta ha bukën

vjen macja e ta pi qumshtin.

Bie zogu fluturim e ta merr lulen në kaptell

Flej o flej, flej, nëmos,

vjen libri në dy kambë

e ta lyp zanin e sat’ amë.

Një libër në pergamenë

Martin Camaj

Mendimet ranë shkokrrueshëm
prej pergamenës mes gishtave
për tokë e u banë copë-copë.

Gjithkund ish natë e dola
sy-hapë n’dritare
a mos u trand nga krizma dheu.

Qyteti milionësh shtrihej në gjumë
i mbështjellun në mjegull.
Në mjedis shndriste tempulli
i librit n’pergamenë – biblioteka –
me fekse idesh madhështore
në ballin e gjanë të shekullit./KultPlus.com

Shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum

“SHIU MBI LUM”

Mjegulla nga bjeshka ulet kadalë
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
në qiellin e vrantë lëviz nji halë
shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.

Ujë â bâ gjethi e teshat e blegës
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
dëshira e pjekun po bjen prej degës
shpirti s’don dhimba e shtati lyp gjum.

Në votër flaka po del krandeve
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
veshët e mij janë lodhë prej zânave
Shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.

Martin Camaj

27 vjet nga vdekja e Martin Camajt

Sot bëhen 27 vjet që nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologur shqiptar, Martin Camaj në Munih.

Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.

Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.

Martini lindi në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegj. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.

Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kap. Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetuar në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Át Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”.

Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2 korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç. Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.

Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.

Po atë vit, duke parë shëndetin në rënje të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të 1956) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.

Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.

Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987.

Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emërtuar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.

Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.

Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.

Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991. / KultPlus.com

Nesër promovohet numri i pestë i zinës “Lirindja”

Nesër më 31 korrik, promovohet numri i pestë i zinës “Lirindja”, shkruan KultPlus.

Numri i pestë sipas njoftimit në rrjetin social Facebook, është një koleksion i letërsisë bashkëkohore, prozë e poezi dhe kritikës së artit.

“Lirindja” në numrin e pestë vjen me dizajnin homazh vizuel i veprës së poetit dhe shkrimtarit Martin Camaj.

‘Turra e tyne jan’ miq, jan’ shokë
Që ecin e ecin e ecin…
Nata i mbulon e bâhen hija,
Por ecin e ecin e ecin….’

– Martin Camaj

“Lirindja”, promovohet të martën e 31 korrikut, me fillim nga ora 19:00 në Soma./ KultPlus.com

‘Lirindja’, homazh ndaj veprës së shkrimtarit Martin Camaj

Më 31 korrik, promovohet numri i pestë i zinës “Lirindja”, shkruan KultPlus.

Numri i pestë sipas njoftimit në rrjetin social Facebook, është një koleksion i letërsisë bashkëkohore, prozë e poezi dhe kritikës së artit.

“Lirindja” në numrin e pestë vjen me dizajnin homazh vizuel i veprës së poetit dhe shkrimtarit Martin Camaj.

‘Turra e tyne jan’ miq, jan’ shokë
Që ecin e ecin e ecin…
Nata i mbulon e bâhen hija,
Por ecin e ecin e ecin….’

– Martin Camaj

“Lirindja”, promovohet të martën e 31 korrikut, me fillim nga ora 19:00 në Soma./ KultPlus.com

‘Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri, prandej jam i trishtueshëm’

Martin Camaj

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.
Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.
Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri.

Nata e koncertit

Poezi nga Martin Camaj.

As bora nuk asht e bardhë në këtë muzg.
Gjindja me kambë të randa vrapon
kah dritaret e tingullit.

Në sallën e koncertit edhe diktatorët
marrin vesh masën e instrumentave.

Ndëgjuesit veshë-imët mbyllën sytë
e kapën currila pullazesh të lashta,
djegie qytetesh e drush të thata.
Në tempon e dytë gzhatshëm era
përkuli grurin deri në tokë.

Në sallën e koncertit edhe dirigjenti
symbyllë s’pau tjetër pos tingujsh
të ndezun mbrenda nji rrotulle terri./KultPlus.com

Vendlindja, muzë e përjetimeve poetike

Martin Camaj – “Nji fyell ndër male”

Shkruan Shkurta Konjusha.

Me librin e parë poetik të botuar në Prishtinë më 1953, me titullin “Nji fyell ndër male” Camaj hedh hapin e parë, drejt një bote të pafundme, zot i të cilës bëhet me këmbëngulje e pa fije mëdyshje. Poezia e kësaj përmbledhje ashtu siҫ na sugjeron edhe vetë titulli është poezi e prejardhjes, është poezi e malit, e këngës, e ëndrrës, e dashurisë, e dhimbjes, e urisë, e nemës, e krejt në fund e përjetësisë. Ҫdo poezi është reflektim i reve, është kushtëzim nga hija e maleve, është klithmë e mbrame e kodeve kanunore, që shoqërohet në ҫdo varg, në ҫdo frymëmarrje me imazhe të kthjellta, të papërsëritura në vargjet e poezisë shqipe. Libri fund e krye shpalos ndjesitë e brendshme të poetit në raport me vendlindjen e shndërruar tashmë në muzën e përjetimeve poetike pa të cilën nuk gjen qetësinë shpirtërore e me të cilën tundohet deri në pafundësi. Duke pasur epiqendër të trajtimeve poetike përjetimet e kaluara ky libër lirisht mund të identifikohet si një libër i kujtimeve ku natyrshëm funksionojnë trimëria e ligështia, si ndjesi të brendshme të pashkëputura nga njëra tjetra. Dashuria mbi vendin e frymëzimit që ngadalë merr trajtën e një frymëzimi të nemun, thellohet posaҫërisht kur poeti detyrohet të mërgojë drejt një bote të panjohur, nxitur nga shteti komunist, mbi të gjitha nga mungesa e fjalës së lirë. Vendlindja nën pëlhurën e trishtimit, melankolisë, mallit që të mbyt, bëhet dashuria platonike e poetit, ajo e paarritshjma e cila e shoqëron në ҫdo vëllim poezie veҫ se ҫdo herë e më i përsosur, ҫdo herë e më i mbyllur, duke kaluar kështu në trajtën e një obsesioni poetik. Malli, ky shoqërues i përhershëm i poetit është ndjenja fillestare e kësaj mrekullie artistike që nis me poezinë “Fyellit”. Fyelli bëhet dëshmitari kryesor i një jete që nis e mbaron në mal, ai bëhet mallëngjim i një jete të tërë që ҫdo ҫast të shpie te i vetmi shteg – vendlindja:

“ Gishtat më dridhen e me t’ҫue te goja
Nuk kam guxim, tingllimin tand mos t’prishi,
Por nji dashni m’përvlon ma e fort’ se droja
Për ty, për bjeshkën, që ndër valle m’grishi.”
“At jet’ këndoje, që ti e njef aq thellë:
Dashnin ngadhnjyese, bjeshkë verë e dimën,
Dokjet e rrebta dhe shpirtin e kthiellë
Vuajtjet e mdhaja, vdekjen n’skam e dhimbën.”

E gjithë krijimtaria e Camajt, posaҫërisht shkrimet e para kanë lidhje të pashkëputur me folklorin. Largimi nga atdheu nuk e largon nga lidhjet shpirtërore me mitet e historinë e vendit të tij, përkundrazi ajo veҫ sa i forcon dëshirën për rikthimin e vlerave e traditave të lashta. Kush i di lojërat e fatit, ndoshta mërgimi i tij është fitorja e tij e madhe, ajo mbase u bë rruga e artë e një materiali të përhershëm që ҫdo herë e më tepër kalon në stadin e përsosmërisë. Kjo përmbledhje me poezi pasurohet me tituj të thjeshtë pa ndonjë ngarkesë të rëndë emocionale apo pa pëlhurën e famshme metaforike e simbolike të Camajt që më vonë bëhet veҫoria poetike e tij për kah karakteri i ashpër e shpesh i pathyeshëm.

Protagonisti kryesor i dramës jetësore të vendosur në Malësinë e Veriut, bëhet Luli i shoqëruar përherë me Zanën si simbol e motiv jete. Futja e Lulit në lojën poetike bëhet qysh në fazat e para të jetës së tij, atë e shohim të sapolindur, e shohim fëmijë të rritur i përqafuar nga një trimëri e rrallë , pastaj në vrullin e rinisë, nën zjarmin e dashurisë të shoqëruar me lot e skamje për të përfunduar me ikjen. Ikja vie në fakt atëherë kur duhej të fillonte gjithҫka, atëherë kur duhej të lindte një jetë e re, një jetë e projektuar në ëndrrat fëmijërore. Fazat jetësore të Lulit mund të prezentohen me pak vargje të cilat shërbejnë si dëshmitare direkte të një vërtetësie konkrete:

Luli
“Bjeshka e naltë flente n’terr,
Kund në qiell nuk dukej hana;
K’ndojshin bujqit nëpër djerr
N’koh’ kur djali leu ndër tbana
N’heshtim krisi zani i ti
Dhe njerzija krejt u zgjue:
“Djal’!” nji za në gzim u ndi
Sa dhe tuba n’kambë u ҫue.”
Fëmija e Malit
“Kshtu Luli u rrit me shokë,
Lojnat u a njef cdo bigë,
Kambën e zdath’ cdo bokë,
Gjarpijt nën dhe i kan’ frigë
E grethi i idh’t në zgur.”
Për të vazhduar me fazën më të rëndësishme jetësore aty ku si thamë mbaron ҫdo gjë ende pa filluar mirë:
“Si grue, un Zanën e shikjoj , o Loke
E njeri i huej kurr nuk guxon me e prekë,
E emja asht tue shkel’ zakone e doke!
Mjaft ndër dyshime deri sot jam rrekë.”

Luli është figura e të riut malësor por me vizione të mëdha për jetën, është figura e të riut simbol që nuk kënaqet me pak, ai është gjithmonë në kërkim të së resë, në kërkim të lirisë fizike e psikologjike e cila si pasojë sjellë fjalën e lirë, e artikuluar mjeshtërisht në nivel të tillë që shumëçka vret e shumëçka lartëson. Dashuria poashtu kalon në tri faza: të lindjes, realizimit, ndarjes si përfundim aspak i dëshiruar por tepër i pritur për një ndjenjë të mëndafshtë në një rreth të hekurt të ashpërsisë së maleve nga hija e të cilave nuk shpëton dot askush. Këto faza Camaj i identifikon me stinët e vitit : “Në dimën”, “Në pranverë” për të vazhduar deklarativ krejtësisht identifikues si “Zana”, “Moj e mira”, “Amaneti i dashnorit” e për të përfunduar me “Ikjen” si opsion i detyrueshëm. “Ikja” si poezia e fundit e kësaj përmbledhje shënon thyerjën e kodit tradicional në dy kuptime: ikje nga zakonet shkatërruese dhe ikje nga formulimi klasik i vargjeve, ashtu si është ndërtuar i tërë ky vëllim me poezi i shoqëruar përherë me prirje kah lirika moderne. Zana ndërkaq shpesh kalon në nivelin e shoqërueses imagjinative të poetit, me pretendimin e kujtimit të përjetshëm të saj. Mungesa e saj nxit dimrin e parakohëshëm në zemrën e Lulit, e atëherë kur mërzia kapërthen ҫdo skut, kalon ҫdo limit, nën ethet e pritjes së pafund ai klith: “Pse s’din t’mbaroj kurr ky dimën i gjatë”. Zotërojnë strofat me katër vargje që të shumtën e herëve janë njëmbëdhjetë dhe tetë rrokëshe tipike popullore ashtu si gjuha e poetit, të pasura përherë me pamje të gjalla të paartikuluara më parë në gjuhën shqipe. I ndikuar në suaza të së natyrshmes nga autorët më pikantë të kohës, poetika e tij përherë bëhet më e errët, më enigmë, kështu “Ikja” shënon hapin e madh drejt kësaj fushe, duke e thyer tradicionalitetin por duke mos e nënvlerësuar asnjëherë atë. Mali i Cukalit mbetet përherë brumi i ҫdo vargu, me të cilin gaditet një art madhështor si ky i Camajt, është po ky mal që e shoqëron edhe në shkrimet e tjera që në disa raste vie si mall ndaj të dashurës, në disa si kujtim që të ҫmend e nuk të lë të qetë , në disa si forcë për të vazhduar kërkimin e një diҫkaje tashmë të humbur. Specifike në përmbledhjet tjera poetike posaҫërisht bëhet ndenja e vetmisë, që di ta trazojë botën e mistershme të poetit. Shkrimet e fundit japin vulën e një enigme e një pakënaqësie që merr trajtën e një neme (Nema). Përderisa në përmbledhjen e dytë me titull “Kanga e Vërrinit” kemi po të njejtin vrull melankolie po të njejtin tip deklarativ veҫ se me ndryshim pozite e strukturim vargjesh që ҫdoherë shkojnë drejt ikjes nga klasikja dhe përthithjes së modernës. Ky vëllim poetik detajizohet me atë llojin e dashurisë që nuk shuhet, dhe me frikën e harrimit të vlerave të vërteta, që thuhet prerë në vargjet e poezisë “Lahuta e vjetër”. Për të vazhduar me shumë përmbledhje tjera poetike në të cilat realizon paralajmërimet mbi braktisjën e modelit shkrimor të mëparshëm, e në të cilat ҫdo herë kemi pasurim motivesh, shprehjesh që ndonjëherë janë disi më konkrete si ndodh me vëllimin poetik “Lirika mes dy moteve” e ndonjëherë më vështirë të arritshme si ndodh me dy vëllimet e fundit “Nema” dhe “Palimsest”. Përsosmëria e një arti madhështor si ky i Martin Camajt do lexuesin e vëmendshëm dhe aktiv si element i nevojshëm për të shijuar lartësinë e alpeve që reflekton poezia e tij./ KultPlus.com

Hans Joackim Lanksch rrëfen për “Martin Camajn ende i pazbuluem”

Libri “Martin Camaj ende i pazbuluem” i Hans Joackim Lanksch, bashkudhëtari i shkrimtarit në disa vite, përkthyesi i poezisë moderne, përçon dy përmasa: Me Camajn, për Camajn!, shkruan në “Panorama” Behar Gjoka.

Fatlumnia me qenë ish-student i Martinit, mik dhe bashkëbisedues, ia ra shorti me pa ngat, fare pranë, si pak të tjerë. Me qenë në shoqënim me vlimet dhe përmallimet njerëzore, që prej dashnie u ngujua në gegnishten, në copën e dheut që mori me vete, ka qenë një shans unik.

Me dasht me ditun për Martin Camajn njeri, shkrimtar dhe albanolog, për mjeshtrin e fjalës shqipe, ky libër, nëpërmjet faktesh dhe këndvështrimesh të befta, hedh dritë mbi aspektet jetësore dhe natyrën e shkrimit letrar dhe shkencor të Camajt. Po kaq, autori i librit ka ndjek pa ndërpremje fatin e krijimtarisë, si është pritur pas botimit të saj në Shqipëri, mënyrat se si është interpretuar dhe sërish me të drejtë sugjeron se, ende vepra e gjerë letrare dhe shkencore e Martin Camajt vijon të mbetet e pazbuleume në vatrat ligjërimore artistike dhe albanologjike.

Rrethana e marrëdhanieve, njerë- zore dhe intelektuale, projekton figurën e Martin Camajt, më përtej legjendarizimit dhe nihilizmit. Pa mëtuar një biografi, ndonëse përmes fakteve dhe kujtimeve, sjell në vë- mendje travëlimet dhe të mbërrimet ma qenësore të Camajt. Qartësimi i rrethanave të ikjes prej atdheut, që kishte ra në komunizëm, daljes në Mal të Zi, Prishtinë e Beograd, i shpërnguljes në Romë në vjetin 1956, i vendosjes në Mynih më 1961, japin udhështegtimet e shkrimtarit.

Faktologjia e shoqëruar me dëshmi kujtimesh dhe bisedash e zbulojnë Camajn të gdhendur në copën e udhës së bame bashkërisht. Udhëtimi kontekstual përkon me kohëzgjatjen dhe interesimet e përbashkëta, për letërsinë dhe gjuhën shqipe. Megjithëse, libri përfshin shkrime, kujtime dhe intervista, realizuar kohë mbas kohe, endet në shqiptimin e të dy anëve. Në përvijimin e linjave të portretizimit të Camajt, por edhe të argumenteve për praninë e vlerave, që sendërgjon vepra gjuhësore, letrare dhe shkencore e Martin Camajt.

Kjo atmosferë, e pranisë së papranishme, një term i U. Eco-s, që e simblimon fatin e Camajt, përcillet përmes titullit që rimerr idenë e Camajt për Kutelin, gjë që e përforcon fatin e mjeshtërve të letrave shqipe, që letnohen në gjallje dhe amshim. Bartja e titullit tregon ecjen në fashën e dritës që pati çelur Camaj, në gjurmim të vlerave letrare të mbetuna në hije. “Martin Camaj ende i pazbuluem”, dëshmi bashkëpërjetimit, është klithëm dhe thirrje për t’u ndalur ma vëmendshëm në tekstet e Camajt.

Larmia e qasjeve me shkrime, kujtime dhe intervista, të cilat paraqesin shestimet e autorit, për të hulumtuar në shtrirje kohore, mbi figurën dhe vlerat shkrimore të Camajt. Përcaktimi: Ai âsht njeni i ma të mëdhejve të letrave shqipe, një klasik i modernes. (2017: 9), shqipton thelbin e veprës si lajmëtim me shiju vatrat e shkrimit letrar. Në mesin e përfundimeve të Lanksch-it, të bën përshtypje theksimi i dikotomisë, kur thekson: “Dysia e të kenët më vete e me të tjerë ishte njiherësh karakteristikë për personin dhe veprën e Camajt. Ai ka kenë edhe shkrimtar, edhe shkencëtar. Si shkrimtar ka kenë edhe poet, edhe prozator…”, e cila skalit dimensionet dhe vlerën e veprës shkrimore, ndërkohë që studimet letrare iu sillen përqark. Njëra prej prurjeve në libër është toni argumentues, në lidhje me mënyrat si është trajtuar vepra nga ana e studimeve letrare dhe gjuhësore.

Shpesh, në faqet e librit, krahas kundërshtisë, ndesh formulime që të japin dorë për të depërtuar prapa magjisë shkrimore të Martin Camajt. Për vlerat e poezisë, shprehet: “Gjuha poetike e Camajt merr hir të shtuem dhe nji element hermetik me përdorimin e leksemave të rralla nga thesari i letërsisë së vjetër shqipe dhe nga idioma shqipe e arbëreshëve t’Italisë”. (2017: 11), që zbulon kodet e ligjërimit të Camajt, por edhe burimet e poetikës së poetit.

Toni polemizues vjen në pohimin: “Martin Camaj nuk ishte shkrimtar i tipit “mërgimtar””. (2017: 25), që nuk lë asnjë mëdyshje, se vepra e shkrimtarit nuk ka lidhje me përpjekjen për ta rreshtuar te mërgata. Me sqimë dhe ironi vjen edhe situata: “Thania se poezia e Martin Camajt asht idilike dhe ruraliste, duket qesharake sapo lexojmë poezitë e tij”(2017: 37), e cila shoqërohet me sjelljen e poezive, që nuk kanë lidhje me keqkuptimin. Theksimi logjik i natyrës së poezisë: “Martin Camaj nuk ngec në botën e kulturës blegtorale malësore, por lëvron botën e psikës njerëzore, temat psikologjike dhe filozofike që s’kanë me ba me nji si poezi ambientale”(2017: 38). Po kaq interes zgjon pohimi: “As në poezi e as në prozë nuk ka shfaqë ndonji orientim që mundet të quhet “katolik” pa lëre që do të kishte përfshi ndonji tematikë katolike”(2017: 42), që thekson pamundësinë për ta keqpërdorur, nëpër qarkëzimet fetare.

Një nga momentet që ka tërhequr interesin e autorit ka qenë gjuha, ku përvijohet vetëdija unike e shkrimit: “…gjuha ka kenë jo vetëm hallka në mes artit letrar dhe shkencës gjuhësore, por edhe hallka ndërlidhëse me vendlindjen”(2017: 48), që pasohet nga argumenti: “Po të bahej asi përkthimi, do të ishte nji zhveshje, një zvetënim sikur këndoheshin kangë popullore shqiptare…”(2017: 70). Libri “Martin Camaj ende i pazbuluem”, një dialogim me shkrimtarin, kohën e dyzuar, e sidomos me larushinë shkrimore, që tashmë është e shpalosur në tekste, ka vlera të shumëfishta:

Së pari: Për gërshetimin e të dhënave jetëshkrimore me etapat e shkrimit letrar të Camajt, duke argumentuar tiparet moderne, vatrat që e mundësojnë poetikën e autorit.

Së dyti: Të shkrimit të librit në dy prani, ku fillimisht ka gjalluar në median e shkruar. Fakti që libri ka mbërritur te lexuesi në bazë të parimit kronologjik, të shtrirë në vite, si dhe në formën e përmbledhjes së shkrimeve, kujtimeve dhe intervistave, pra në formën përfundimtare, dëshmon kontributin e vyer për mënyrën se si është trajtuar në kohë.

Së treti: Të përzgjedhjes së poezive, mbi dhjetë të tilla, të cilat përcjellin vatra antologjike, që shenjëzon poetin e veçantë dhe magjinë e poezive. Libri “Martin Camaj ende i pazbuluem”, shkruar me një shqipe të shlirët, që të përkujton gegnishten tingullore të Camajt, kryen funksionin e kodeksit për të shijuar artin e shkrimtarit. Vlerat e bashkëlidhuna të jetës dhe veprës, të verifikimit dhe mungesës së receptimit të shenjave estetike, mishëruar në faqet e librit, tashmë pjesë e fondit të librave të rëndësishëm, shkruara gjatë kësaj periudhe, që ka në qendër figurën, krijimtarinë shumë përmasore të Martin Camajt./ KultPlus.com

‘Pasqyra e t’rrëfyemit’ i kushtohet Martin Camajt

U bë gati për shtyp numri 6-7 i revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit”, një numër special që i kushtohet poetit, prozatorit dhe dramaturgut Martin Camaj.

Me një vëllim prej mbi 400 faqesh, në të do të gjeni studime të natyrave të ndryshme, gjuhësore e letrare, të para nën optikën e një kategorie të gjerë studiuesish të fushave përkatëse.

Mbi të gjitha, për herë të parë botohet edhe një letërkëmbim ndërmjet Martin Camajt dhe Prof. dr. Anton Nikë Berishës. Janë plot 17 letra, të shkruara në kohë të ndryshme, nëpërmjet të cilave shpërfaqen disa të dhëna të qenësishme për vetë Martinin dhe veprën e tij, për konceptimin letrar poetik, për shkrimtarët tanë të ndryshëm, për vlerat e letërsisë sonë bashkëkohore, për botën tonë në përgjithësi.

Ndër të tjera, aty përligjet edhe dija e gjerë, informacioni i shumtë, nevoja për komunikim letrar poetik brendakombëtar dhe ndërkombëtar, shpirtgjerësia, fisnikëria dhe mirësjellja që zotëronte Martin Camaj.

Së shpejti, ky numër do të jetë në libraritë kryesore të Tiranës. / KultlPlus.com

Zëri i Martin Camajt, pesë ditë para se të vdiste

MARTIN CAMAJ: UN JAM I JUEJI E JU JENI TE MIJT

Fjalët e fundit që shkroi Martin Camaj pesë ditë para se të shuhej, më 12 mars të vitit 1992 në moshën 67-vjeçare.

Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve.
Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: Ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.
Martin Camaj

7 Mars 1992

26 vjet nga vdekja e shkrimtarit Martin Camajt

Sot bëhen 26 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar, Martin Camaj në Munih. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas së cilës mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë te proza. Martini u lind në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë.

Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.

Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nisi të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atëbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u futë në kolegj.

Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Ai themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapiten Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetuar në ilegalitet derisa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me At Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetash.

Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”.

Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2 korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviq.

Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë. Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956. Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56s) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.

Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoratës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nëntor të vitit 1987. Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor.

Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i merituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Munih. Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.

Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer. Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij u përkthye në gjuhën angleze nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991./ KultPlus.com

Martin Camaj: Dy duer na jemi e nji krye, po i ndajmë na punët: unë shpatën – ti pendën

Tregim i thjeshtë

Poezi nga Martin Camaj

Due me fluturue mbi bjeshkë me pëllumba,
i thashë tim vëllau gjak-nxehtë.
“S’asht ajo punë për ne!”
S’kuptove, i thashë, due me shkue ndër këndime.
“Latinishtja – tha s’asht punë për ne:
mëso gjuhën e gjarpnit ma parë!”

Im vëlla gjak-nxehtë,
gjashtë vjec dinte me e ngulë fluturimthi
bizin në dhé,
dhetësh – tri pëllambë mbi krye thikën
ne drunin e njomë. Si ma njofti menden
befas nisi të pleqnojë e tha:
“Dy duer na jemi e nji krye, po i ndajmë na punët:
unë shpatën – ti pendën!”/KultPlus.com

Drekë Malësore

Poezi e shkruar nga Martin Camaj.

Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.

Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)

Sot ashtë marrë një gjak.

Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë

Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.