Kanë mbetur edhe dy ditë deri në mbylljen e konkursit “KultStrofa”

Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, ka hapur thirrjen për edicionin e tretë të këtij konkursi.

Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë dhe talentet e reja dhe poetët që nuk janë dëshmuar deri tash. Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.

Një mbrëmje poetike do të pasojë gjatë muajit dhjetor për të shpërblyer më të mirët dhe për të dëgjuar dhjetë poezitë më të mira të cilat do të interpretohen para publikut.

Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, ndërsa në edicionin e dytë triumfoi Arjola Zadrima.

“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art KULTPLUS – www.kultplus.com.

Thirrja do të jetë e hapur deri më datë 1 dhjetor 2019, dhe të gjithë ata që duan të aplikojnë, mund ti dërgojnë poezitë deri në ora 24:00 . / KultPlus.com


Hoti: Kultura arbëreshe është pasuria më e madhe që ka Italia dhe kombi shqiptar

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, ka takuar udhëheqës të bashkive si dhe prijës të kishave arbëreshe në Kalabri. Ata diskutuan për gjendjen tyre si dhe mundësitë për shpëtimin e gjuhës, kulturës e traditave arbëreshe.

Koordinatori Hoti vizitoi bashkinë e San Demetrio Corone, ku takoi kryetarin Lamirara Salvatore. Hoti tha se aq sa ndjen krenari kur sheh se ka ende vende që ruhet kultura e gjuha arbëreshe në Itali, aq ndjen dhimbje kur sheh se kjo po shkon duke u zbehur.

“Nga vizitat e takimet që kam pasur këto ditë në vende të ndryshe të Kalabrisë ku ka arbëresh, ka pasur vende që me të vërtetë më bëjnë krenar se si ende e ruajnë gjuhën dhe kulturën e Arbërisë. Mirëpo, e kundërta më ka ndodhur në ato vende kur pashë se kanë mbetur pak për të mos thënë asnjë arbëresh që i ka ruajtur traditat e të parëve të tyre. Ne duhet të shohim bashkërisht se çfarë mund të bëjmë që mos të zhduket kjo vlerë e madhe e Kalabrisë”, tha Koordinatori Hoti.

E kryetari Salvatore e falënderoi Koordinatorin Hoti për vizitën dhe e informoi për gjendjen e arbëreshëve në bashkinë që ai udhëheq. “Është kënaqësi të ju kemi këtu sot. Është kënaqësi të na dëshmoni se ne arbëreshët nuk jemi harruar nga Kosova. Më vjen mirë që ju jeni të interesuar të shpëtoni arbëreshët nga asimilimi, edhe pse tani është vështirë që gjuha të ruhet sepse tashmë të rinjtë nuk e flasin, ose e kuptojnë shumë pak” tha kryetari Salvatore.

Koordinatori Hoti vizitoi edhe bashkinë Santa Sofia d’Epiro ku u mirëprit nga kryetari Daniele Sisca. Sisca tha se “ne arbëreshët tashmë jemi lodhur. Nëse Kosova, Shqipëria mund të bëjnë diçka për ne, ne e mirëpresim, në të kundërtën ne nuk mund të bëjmë gjë”.

Përveç udhëheqësve të bashkive, Koordinatori Hoti takoi edhe prijësit fetar arbëresh, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kulturës. Në Cosenca ai takoi Vikarin e Përgjithshëm të Kalabrisë, Papas Pietro Lanza, ndërsa në Macchia Albaneze takoi Zotin Angelo Prestigiacomo. Nga të dy Hoti kërkoi që të meshat t’i bëjnë edhe në gjuhën arbëreshe në mënyrë që të kontribuojmë në ruajtjen e gjuhës.

Vikari Pietro tha se shtetet shqiptare duhet të ndërmarrin diçka për të shpëtuar arbëreshët nga zhdukja. “Është ora që të nisemi me fuqi të reja që të bëjmë diçka në mënyrë që të mos jemi ne të fundit arbëreshë. Mendoj se Kosova dhe Shqipëria duhet të bëjnë diçka në këtë drejtim. Do të ishte mirë që të bëhen edhe programe shkëmbimi për të rinjtë, në mënyrë që të dy palët të përfitojnë nga gjuha. Unë kam shpresë se arbëreshët nuk do të shuhen”, tha Pietro.

Koordinatori Hoti u takua edhe me banorë arbëreshë të secilës bashki që vizitoi. Ata e mirëpritën dhe falënderuan atë për vizitën si dhe bashkëbiseduan për jetën e arbëreshëve ndër vite në Kalabri. /eo/ KultPlus.com

Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë, udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë

Poezi nga Naim Frashëri

Bagëti e Bujqësi

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.

Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;
Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.

Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
– Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!

O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!

Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë,
Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,

Qielli sa ësht’ i kthiellt e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç’janë, që u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver’, o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë.

Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?

Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S’i ka mbetur gas në zemrë, se s’i la vënt idhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzëplasur,
Se përtimn’ e zi, q’e pruri të gjorën më këtë ditë,
Nuk’ e dimë vet’ e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s’thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.

Ah! edh’ atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul’e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm’ e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh’e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.

Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt’ e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
O malet’ e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm’e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn’ e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj’i ftoht’ e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë,
Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?

Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me vërtik si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj’ ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt’ e ballit t’i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap’ aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët’ e djalërisë, o moj kohëz’ e të rit tim?

O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër’i bagëtisë;
Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh’e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar’ e gjahëtorë, q’u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale…
Kec’i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez’i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell’i shterparit.

Shterpari s’i qaset stanit, po nër pyje bij’e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
S’i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë,
Nga ujku e nga kusari s’ka frik’, as nga lis’i gjatë,
As nga shkëmbënjt’ e nga pylli, as gogolëtë s’e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë;
Miqt’ e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
Që s’flenë, po rrin’ e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikun’ e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t’errët, del hëna, i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint’ dielli, i bije ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç’lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.
Mblidhen ret’ e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z’eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun’ e zë edh’e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir’ e mjergull kërkon,
Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet’ e veshur e oshëtijnë përrenjtë!

Esht’ e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
Dhe bij’e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
Esht’ e butëz’ edh’e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk’ është si malësorja, andaj i thonë bravare.

Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin’ e delen, i mjel plakëz’ e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht’ e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.

Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok’ e ndihmës Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s’rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t’ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit,
Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën’ e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s’e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën’ u qoftë.
Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t’i shohë, t’i ketë kujdes, t’i dojë.
Të mos t’i mundojmë kurrë, po si fëmijë t’i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.

Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q’është thier, bërë posi një pasqirë,
Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.

Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall’ Ylqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun’ e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir’ e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.

O fushazëtë pëllore, që m’ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.

Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
Unju posht’ e më ndih pakë, o motra im’e të gjorit!
Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë,
Ball’ e gush’ e faq’e llërë dhe këmb’ e duar dëborë;
Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat’ e bujqësinë,

Edhe ti, o mëmëz’ e dheut, q’i fale dheut aq’ uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s’mbetetë thatë,
I dhe lul’e bar e gjethe, bim’ e drith’ e pem’ e drurë,
Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.

Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt!
Si lulet’ e si bilbili edhe unë jam djali yt.

Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç’vent’i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
O bukuroshe, t’u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir’i Zotit,
Nga qielli, nga parajsa, nga prehër’ e plotë i motit?
Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri’ atje lulëzon!

Ti zbukuron faqen’ e dheut, ti do e ushqen njerinë,
Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë!
Vjen dimëri, t’i than lulet, ti me një frym’ i ngjall prapë,
Napënë q’u heth përsiprë, ua heq me ver’ e me vapë.

Bujkun e xgjuan me natë edhe vë përpara qetë,
Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë;
Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë…
Shërbëtor’i mëmës’ së dheut, q’e ka zëmrënë plot shpresë,
Del kur hapet trëndafili dhe bari ‘shtë gjithë vesë;
I falet Zotit t’vërtetë dhe zihet nga pun’ e mbarë,
Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.

Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime,
Si të punosh dit’ e natë e të bësh ç’duhenë gjithë,
Ahere kërko nga Zoti të t’apë bukëz’ e drithë.

Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija,
Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t’ep Perndija.

Puna ka duk e uratë, Zot’i math e ka bekuar,
Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.

Ver’ o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot
Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot,
Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.

Zot’i e i vërtetë për të ushqyer njerinë,
Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë,
I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dimërin e verën dhe zemrës san’ i dha shpresë.

Për të arriturë rrushnë ç’ka punuar Perëndija,
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S’është çudi pse na dëfren ver’ e bukur zemrën tënë;
Ç’ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë!
Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi,
Se përçmoni Perëndinë, q’i ka falur hardhisë rrush,
Edhe kërkon dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë,
Se në breng’ e në të keqe, në punë e në të pirë,
Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.

A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën’ e Kumtërit, Shënjën,
Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn’ e punojnë,
Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?

Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë
Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin’ e plotë të kërrusurë nga barra,
Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn’ e kashtën mënjanë,
U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë,
Kur e përmbush plot shtëpinë me drith’ e me gjë të gjallë,
Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.

Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë,
Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë,
Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
Q’e çpërblen punën e djersën e mundimn’ e njerëzisë.

Qysh rroit mblet’ e uruar dhe ven’ e vin e lëçijnë,
Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
O ç’punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn’ e mirë!
N’apin dyllëtë, q’ep dritë, dhe mjaltë fjesht’ ëmbëlsirë.
Dhe punëtorët’ e mirë m’atë mëndyrë punojnë,
Edhe gjithë njerëzija me mundimt t’atyre shkojnë;
Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit,
Kush t’harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,
Një bën pluar’ e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë,
Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë,
Kjo ësht’ udh’ e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë.
Edh’ ajo miza përdhese, ç’i duhetë për të ngrënë,
Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz’ e ka vënë.
Ka një punë të punonjë si çdo gjë q’është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot’i math e i vërtetë.

Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n’avlëmënt e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj’udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh’ e goj, e këmb’ e dorë;
Ngrihet i zot’i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh’e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën’ e të pirë.

Kështu të huajt’ e miqtë njeriu q’është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.

Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
Sbukurohetë faq’e dheut e merr mijëra fytyrë;
Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.

Shpest’ e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë,
Lulet’ e bukura m’erë si ar e si flori ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë,
Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë — puna mbarë —
Papo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar,
Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar;
Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër ment të ti i bije ca t’ëmbla shumë mejtime.
Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare,
Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar;
Përveshin llërët’ e bardha dhe të majm’e të perndijta,
Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët’ e kërthijta.
Dellëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë,
U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë,
Dhe mëshqer’ e përkëdhelur vjen në lumë të pij’ ujë,
A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.

Bari, bima vatur më bres e bujku shum’ i gëzuar,
Si bariu kur merr kërthinë edh’e përkëdhel ndër duar.

Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.

Veç një vashëz’ e mjerë qan të motrënë, q’e ka lënë,
O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë!
Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë,
Dhe shqerra manarez’ e saj, e përzieshmez’ e për lumë!
Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan,
Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!

Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt’i saj në qiej shkoi,
Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi;
Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit,
Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit,
Gjësendi s’humbetë kurrë e gjë s’vdes me të vërtetë,
Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë;
As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
Vdesën e ngjallenë prapë si gjith’ edhe njerëzija.
Këtu janë gjithë ç’janë e gjithë ç’gjë munt të jetë,
Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot’i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s’ka anë,
Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.

Perëndija njerin’ e parë e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet e dheut, q’ish me lulez’ e fletë,
Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin’ e dheut edhe kështu e porsiti:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit’ e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh’ e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s’ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
Bes’ e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s’gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
Ji i but’, i urt’, i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh’i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët’ e mija, do të jesh gjithënjë në gas.

Nga gjithë ç’pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr’i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër’ e vetëdijë, të mir’ e të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj’ e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s’nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell’ e më thellë,
C’do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t’i ket ënda!

Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!

Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!

Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.

Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë. / KultPlus.com

Syzana Aliu, një nga 21 gratë e titullit “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”

KultPlus deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Gala e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.

Syzana Aliu është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.

KultPlus, deri më  12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel. 

Syzanë Aliu

Ndërmarrëse, pronare e kompanisë “Magic Ice”

Syzana ka dëshirë të udhëheqë, të jetë e pavarur dhe të krijojë gjëra të reja. Ndërmarrësia i mundëson të bëj të tri këto gjëra. Posa u diplomua, punoi në profesionin e saj si avokate. Për të ndihmuar komunitetin, Syzana punoi si profesoreshë në lëndën “Bazat e së drejtës”. Në mënyrë që të arrinte potencialin e lartë dhe të krijonte diçka të re, që të punësonte dhe fuqizonte njerëzit, vendosi të kalojë në botën e biznesit. Kështu hapi “Magic Ice”, fabrikën e prodhimit të produkteve të qumështit, akulloreve dhe djathërave…

Ishte një prej grave të para pronare dhe drejtoreshë e një kompanie kaq të madhe në shtetin e ri e në zhvillim Kosovën. Ajo u bë inspirim për gratë e tjera në rajon, duke qenë udhëheqëse dhe duke punësuar sa gra aq edhe burra në kompaninë e  saj me paqe të barabartë. Në të njëjtën kohë një nënë e devotshme. Ajo rriti 4 fëmijë së bashku me bashkëshortin  dhe partnerin Lulëzimin,  me të cilin  ndan jetën dhe kompaninë. Për të cituar

Znj.Aliu me rastin e saj duket se ka ndryshuar pak thënien  e mirënjohur duke plotësuar “mbrapa çdo gruaje te suksesshme, ndodhet një burrë i suksesshëm”.

Pra, që të  jesh  e suksesshme në biznes nevojitet një familje në harmoni e cila  mbështet, motivon dhe fuqizon njëri-tjetrin./KultPlus.com

Besa Kokëdhima tërhiqet nga “Kënga Magjike”: Nuk jam në gjendje të këndoj

Pas tërmeteve të njëpasnjëshme që kanë goditur Shqipërinë, vendi po vazhdon të kaloj një periudhë mjaft të vështirë, shkruan KultPlus.

Shumë artistë e shumë fytyra publike u kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme viktimave të tërmetit.

Besa Kokëdhima, këngëtarja e njohur shqiptare, së fundi ka treguar të jetë tërhequr nga pjesëmarrja në Festivalin e Këngës Magjike.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja përmes një njoftimi në llogarinë e saj personale në Instagram.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të këngëtares.

“Te dashur miq, me keqardhje ju njoftoj se ne kete kohe tragjedie, pikellimi dhe paniku, e kam te pamundur te performoj dt 5 – 7 Dhjetor ne Kenga Magjike 2019. Zemra ime eshte e ngarkuar me deshperim dhe vuajtje per ata qe nuk jane me, dhe nuk jam ne gjendje te kendoj kur me bashkekombesit e mi ka ndodhur kaq shume; ndaj me duhet te terhiqem zyrtarisht nga Kenga Magjike 2019! Jam e bindur qe Kenga Magjike do beje nje pune te lavderueshme per te kontribuar ne menyren e saj per te ndihmuar te prekurit, une do jap ne heshtje ndihmen dhe kontributin tim per te lehtesuar sado pak dhimbjen e tyre, dhe respektuar humbjet e pashlyeshme te tyre. Kerkoj ndjese fansave te mi te cilet prisnin performimin tim dhe falenderoj organizatoret dhe @arditgjebrea per githcka kane bere per mua dhe koleget e mi!”. / KultPlus.com

Me të ardhurat e “Këngës Magjike” do të ndihmohet një familje në Thumanë

Tragjedia e fundit në Shqipëri, ka tronditur edhe botën e artit e të muzikës, duke bërë kështu që shumë artistë t’i bashkohen kauzës përmes donacioneve të ndryshme, shkruan KultPlus.

Së fundi, përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Instagram, Ardit Gjebrea, ka bërë të ditur se të ardhurat nga festivali i Këngës Magjike, do t’i dedikohen një familjeje në Thumanë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Ardit Gjebreas.

“#kendojpertendertuar Me të ardhurat e biletave të Festivalit Kënga Magjike, do të ndërtojmë shtëpinë e familjes Caci në Thumanë që sot është e pabanueshme dhe duhet hedhur në tokë. Ne këtë kemi në dorë, artistët do këndojnë dhe jo më për garë, por për art dhe kontribut! Secili nga ne mundet dhe jam krenar për artistët e @kengamagjikeofficial që janë bashkuar në këtë kauzë. #tegjithebashkemundemi dhe ndërtojmë shtëpi.” / KultPlus.com

Portreti i Moxartit kalon pritshmëritë, shitet me një çmim marramendës në ankand

Një prej portreteve të rralla të kompozitorit të njohur Wolfgang Amadeus Moxart, është shitur për 14 milion euro në një ankand në Paris, ku sipas mediave franceze kjo shifër ka kaluar të githa pritshmëritë, shkruan KultPlus.

Në këtë portret shfaqet kompoziori austriak, në moshën 13 vjeçare, duke luajtur në një instrument muzikor gjatë një turneu në Itali, në janar të vitit 1770. Në këtë periudhë kompozitori dhe babai i tij, kishin qëndruar në Verona, me Pietro Lugiatin, një zyrtar i lartë në Republikën e Venecias. Dhe thuhet se portretin e Moxartit e porositi një admirues i tij

Kjo pikturë i atribuohet një artisti nga Verona, emri i të cilet nuk dihet me siguri.

Për aq sa dihet, Moxarti gjatë gjithë jetës së tij ka pasur vetëm pesë portrete.
Përndryshe, Moxarti njihet si një nga të paktët që tregoi aftësi të jashtezakonshme nga fëmijëria e tij e hershme. Ai kompozoi nga mosha pesë vjeçare dhe performoi para familjes mbretërore Evropiane. / KultPlus.com

Petrit Çeku me koncert në Japoni, interpreton veprën e Rafet Rudit

Kitaristi Petrit Çeku, i cili tashmë ka qenë pjesë e shumë festivaleve e koncerteve ndërkombëtare, kësaj radhe pritet të performoj në Japoni, shkruan KultPlus.

Ndër të tjera, Petrit Çeku, pritet që në këtë koncert që mbahet në kuadër të festivalit ”Nagoya Guitar Festiva” të paraqitet edhe me muzikë shqipe, kryesisht me interpretimin e veprës së Rafet Rudit.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe vetë kitaristi me një postim në llogarinë e tij personale në Facebook, ku thotë se është shumë i lumtur që do të jetë pjesë e këtij koncerti.

Çeku ka interpretuar shumë recitale në të gjithë Evropën dhe Amerikën dhe ka qenë një solist me orkestra të tilla si Baltimore Symphony, Filharmonic of Chamber of Czech, Orkestra shtetërore e Hermitasit të Shën Petersburg dhe Filarmonia e Zagrebit. Ai gjithashtu paraqitet rregullisht me Solistët e famshëm të Zagrebit dhe është anëtar themelues i Guitar Trio Elogio.

Ai rregullisht performon në festivale muzikore si Festivali i Gjeneratës Tjetër, Samobor Festival, Panama Guitar Panama, Guitar Virtuosi në Moskë dhe Festivali Remusica i Prishtinës. Ai gjithashtu jep mësime rregullisht në Akademinë Polake të Kitarës dhe Festivalin e Mjeshtërve të Rinj Samobor. Petrit Çeku luan në një kitarë të bërë nga Ross Gutmeier. / KultPlus.com

Publikohen monedhat përkujtimore të vitit 1969

Banka e Shqipërisë, përmes monedhës 1 Lek të vitit 1969, përkujton 75 vjetorin e Çlirimit të Atdheut nga regjimi nazi-fashist.

Çlirimi i Shqipërisë, më 29 Nëntor 1944, i gjeti selitë e të gjitha degëve të Bankës Kombëtare të Shqipënisë me sportele të mbyllura. Sportelet e degëve u hapën pas themelimit të Bankës së Shtetit Shqiptar, e cila u përurua zyrtarisht më 22 janar 1945.

Monedha e përzgjedhur për të ilustruar këtë moment historik është pjesë e serisë së monedhave të emetuara në vitin 1969, përkujtimore dhe me kurs ligjor, me vlerë 1 Lek, 5, 10, 20 dhe 50 qindarka, shtypur në Kinë, me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

Pjesa e përparme e monedhës paraqet gdhendjen e imazhit të skulpturës “Partizani Fitimtar”, realizuar nga Odhise Paskali dhe e vendosur në Mathauzen, Austri, në vitin 1968. Ndërkohë, pjesa e pasme e monedhës mban stemën e Republikës së Shqipërisë të rrethuar nga yje dhe vitet 1944-1969. /atsh/ KultPlus.com

Të rinjtë kosovarë japin shfaqje me qëllim parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit

Bujar Meholli

Në skenën e Teatrit “Oda”, grupi i të rinjve anëtarë të klubit “Bonu burrë” dhanë shfaqjen me qëllim parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek si dhe promovimin e barazisë gjinore.

Fillimisht para të pranishmëve foli Njomza Berisha, zyrtare për komunikim në organizatën SIT që merret me parandalimin e dukurive negative dhe promovimin e jetës së shëndetshme, pa dhunë.

“Ky aktivitet është në kuadër të aktivizimit për parandalimin e dhunës në bazë gjinore dhe mbështetet nga Agjencioni Austriak për bashkëpunim si dhe ky projekt mbështetet nga Komuna e Prishtinës”, tha ajo.

Tutje foli Besnik Leka, koordinator nga CARE International i cili e prezantoi gjithë aktivitetin. Ai tha se i gjithë ky aktivitet i dedikohet ekskluzivisht të rinjve, dhe qëllimi kryesor është ngritja e vetëdijës së tyre.

“Jemi munduar sado pak që këtë dokumentar të shkurtër t’ia kushtojmë të rinjve që ata të jenë më të vetëdijshëm para se të lidhen me dikën”.

“Video paraqet një storie dhe pas saj janë disa reagime të të rinjve, i kemi marrë mendimet e tyre rreth pëlqimit dhe aprovimit”, potencoi ai.

Para shfaqjes u lëshua dokumentari, në të cilin u prezantua një ngjarje ku një djalosh i ri tërhiqet nga një vajzë të cilën dëshiron ta puthë, por kjo e fundit e refuzon pasi që paraprakisht s’kishin pasur komunikim mes tyre.

Subjekti i këtij dokumentari hapi debatin në sallë, u diskutua nëse është i nevojshëm komunikimi mes të rinjve në raste tërheqjeje apo para lidhjes romantike.

Shfaqja që u dha para audiencës kishte po të njëjtën tematikë sikurse edhe dokumentari, grupi i të rinjve aktruan një ngjarje në shkollë të mesme, periudhë ku fillojnë të ndihen simpatitë, dashuriçkat e flirtet e ndryshme.

E gjithë shfaqja u përshkua me debat pas secilës pjesë të luajtur në skenë, audienca e përbërë nga të rinjtë diskutuan për këto çështje mjaft delikate për secilin adoleshent.

Ndryshimet shoqërore ndër vite i kanë sjellë të rinjtë, forca e të cilëve del përballë secilës sfidë. Fatkeqësisht, dhuna në kohët tona është shtrirë në masë të madhe ndërsa barazia gjinore ende nuk është vënë në shoqërinë shqiptare, ku e ku ende patriarkale.

Ky edhe është qëllimi i këtyre të rinjve, të cilët përpiqen që përmes artit, përmes shfaqjeve të ndikojnë në komunitet, në promovimin e tolerancës dhe në zhdukjen e plotë të dhunës së çfarëdo forme. /KultPlus.com

Heroinat shqiptare me veshje kombëtare jetësohen në kartolina

Jeta Zymberi

Disa kartolina krejt të veçanta kanë dalë në treg falë punës dhe idesë së Granita Grezda Lila. Heroinat shqiptare me veshje tradicionale dhe me disa detaje të këndshme janë jetësuar në këto kartolina që kanë marrë vëmendje menjëherë pas lansimit të tyre në treg, shkruan KultPlus.

Rreth idesë për krijimin e tyre, Granita ka treguar më shumë për KultPlus. “Ideja më ka ardhë pasi që i kam parë ilustrimet e Kosovare Avdiut, një vajzë shumë e talentuar, andaj edhe e kam kontaktuar për bashkëpunim. I kam treguar rreth idesë time, që dua t’i bëj disa ilustrime të cilat do t’i përdor për kartolina e që këto ilustrime të jenë me gratë heroina shqiptare dhe të kenë elemente të veshjeve kombëtare. Ajo ka punuar pjesën e ilustrimit dhe jam ndarë shumë e kënaqur, duke i dërguar kështu menjëherë për shtyp”, ka treguar Granita e cila ka premtuar që në të ardhmen do të ketë edhe personazhe të tjera të grave që kanë bërë histori.

Sipas Granites, ideja është pritur jashtëzakonisht mirë dhe po ka kërkesa të vazhdueshme. Duke parë interesimin e madh, ajo këto ditë ka hapur edhe atelienë e saj ku do të zhvillojë edhe më tutje veprimtarinë. “Kjo atelie është hapur si rezultat i një procesi të hulumtimit dhe krijimit, me qëllim të zhvillimit tutje të praktikës sime si dhe pasurimit të saj me bashkëpunime të reja”.

“Përgjatë katër muajve, kemi punuar ngushtë me profesionistë të zejeve. Bashkëpunimi jonë ka rezultuar në krijimin e disa punimeve të reja të cilat ndërthurin aftësitë e punëdores me dizajne të reja të cilat do sjellin trashëgiminë e përbashkët kulturore në një formë tjetër. Është kënaqësi e veçantë që të prezantojmë krijimet unike që përfshijnë teknika, materiale dhe forma të ndryshme”, ka thënë tutje ajo.

Atelieja “DHÉ” përveç se do të përdoret si punëtori për krijim të punimeve dhe promovimin e tyre, do të ofrojë mundësi që këto punime të shiten e që rrjedhimisht bashkëpunimi mes profesionistëve të artizanatit të vazhdojë. Ky rrjetëzim do të mundësojë që zejtaria e pasur e Kosovës të gjejë forma alternative të futjes në treg. / KultPlus.com

Tërmetet me pasoja tragjike që janë regjistruar në historinë njerëzore

Sipas Sondazhit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, Enciklopedia Britannica, (11 mars 2011, tërmeti dhe tsumani që preku Japoninë lindore nuk janë përfshirë në këtë listë, sepse vdekjet e shkaktuara, rreth 15,000, janë më pak se ato që vijnë nga tërmetet e listuara më poshtë), tërmeti më shkatërrimtar ka ndodhur në Kinë, në vitin 1556, në të cilin humbën jetën 830 mijë njerëz. Një tëmret tjetër, po ashtu shumë i fuqishëm, që ndodhi në këtë vend më 1976, la të vdekur 655 mijë vetë.

Në vazhdim tërmetet më shkatërrimtare, të shënuara gjatë historisë.

1: Shensi, Kinë, 23 janar 1556

Madhësia rreth 8 ballë, 830,000 vdekje.

Ky tërmet ndodhi në provincën Shaanxi (dikur Shensi), Kinë, rreth 50 milje në lindje-verilindje të Xi’an, kryeqyteti i Shaanxi. Më shumë se 830,000 njerëz mendohet të jenë vrarë. Efektet gjeologjike të raportuara për këtë tërmet përfshinin çarje në tokë, ngritje në sipërfaqe, ulje, rrjedhje dhe rrëshqitje të dheut. Shumica e qyteteve në zonën e dëmtimit raportuan se muret e qytetit u rrënuan, shumica e shtëpive u rrënuan dhe shumë qytete u përmbytën.

2: Tangshan, Kinë, 27 korrik 1976

Madhësia 7.5 ballë. Shifra zyrtare e viktimave është 255,000 vdekje. Numri i vlerësuar i vdekjeve deri në 655,000.

Dëmi shtrihet deri në Pekin. Ky është ndoshta numri më i madh i vdekjeve nga një tërmet në katër shekujt e fundit, dhe i dyti më i madh në historinë e regjistruar.

3: Alepo, Siri, 9 gusht 1138

Madhësia nuk dihet, rreth 230,000 vdekje.

Llogaritë bashkëkohore thoshin se muret e qytetit të dytë më të madh të Sirisë u shkatërruan dhe shkëmbinjtë u kaskonduan në rrugë. Kështjella e Helebit u shemb, duke vrarë qindra banorë. Kryqtarët evropianë kishin ndërtuar një kështjellë në Harim afër, e cila u rrafshua nga tërmeti. Një kështjellë myslimane në Al-Atarib u shkatërrua gjithashtu, dhe disa qytete më të vogla dhe kështjella u kthyen në rrënoja. Tërmeti u tha se u ndje edhe larg Damaskut, rreth 220 milje në jug. Tërmeti i Alepos ishte i pari nga disa që ndodhën midis viteve 1138 dhe 1139 që shkatërruan zonat në veri të Sirisë dhe Turqinë perëndimore.

4: Sumatra, Indonezi, 26 Dhjetor 2004

Madhësia 9.1 ballë, 227,898 vdekje.

Ky ishte tërmeti i tretë më i madh në botë që nga viti 1900 dhe më i madhi që nga viti 1964 Prince Ëilliam Sound, tempulli i Alaskës. Në total, 227.898 njerëz u vranë ose u zhdukën dhe rreth 1.7 milion njerëz u zhvendosën nga tërmeti dhe tsunami pasues në 14 vende në Azinë e Jugut dhe Afrikën Lindore. (Në janar 2005, numri i të vdekurve ishte 286,000. Në prill 2005, Indonezia uli vlerësimin e saj për numrin e humbur me mbi 50,000.)

5: Haiti, 12 Jan 2010

Madhësia 7.0 ballë. Sipas vlerësimeve zyrtare, 222.570 njerëz të vrarë.

Sipas vlerësimeve zyrtare, 300,000 u plagosën gjithashtu, 1.3 milion të zhvendosur, 97.229 shtëpi të shkatërruara dhe 188.383 të dëmtuara në zonën Port-a-Prince dhe në pjesën më të madhe të Haitit jugor. Kjo përfshin të paktën 4 njerëz të vrarë nga një cunami vendas në zonën e Petit Paradis afër Leogane. Valët e Tsunamit u raportuan gjithashtu në Jacmel, Les Cayes, Petit Goave, Leogane, Luly dhe Anse a Galets.

6: Damghan, Iran, 22 Dhjetor 856

Madhësia nuk dihet, rreth 200,000 vdekje.

Ky tërmet goditi një shtrirje prej 200 milje të Iranit verilindor, me epiqendër direkt poshtë qytetit të Demghan. Shumica e qytetit u shkatërrua, si dhe zonat fqinje. Rreth 200,000 njerëz u vranë.

7: Haiyuan, Ningxia, Kinë, 16 dhjetor 1920

Me madhësi 7.8 ballë, rreth 200,000 vdekje.

Ky tërmet solli shkatërrim të plotë në zonën Lijunbu-Haiyuan-Ganyanchi. Mbi 73,000 njerëz u vranë në Qarkun Haiyuan. Një rrëshqitje në tokë shfarosi fshatin Sujiahe në Qarkun Xiji. Më shumë se 30,000 njerëz u vranë në Qarkun Guyuan. Pothuajse të gjitha shtëpitë u rrëzuan në qytetet Longde dhe Huining. Kishte një numër të madh rrëshqitjesh të dheut dhe çarje tokësore në të gjithë zonën epiqendrore. Disa lumenj u dëmtuan, të tjerë ndryshuan kursin.

8: Ardabil, Iran, Mars. 23, 893

Madhësia nuk dihet, rreth 150,000 vdekje

Kujtimet për tërmetin masiv Damghan (shih më lart) mezi ishin zbehur kur vetëm 37 vjet më vonë, Irani u godit përsëri nga një tërmet i madh. Këtë herë kushtoi 150,000 jetë dhe shkatërroi qytetin më të madh në pjesën veriperëndimore të vendit. Zona u godit përsëri nga një tërmet fatal në 1997.

9: Kanto, Japoni, 1 Shtator 1923

Magnituda 7.9 ballë, 142.800 vdekje.

Ky tërmet solli shkatërrim ekstrem në zonën Tokio-Yokohama, zjarret e mëpasme dogjën rreth 381,000 nga më shumë se 694,000 shtëpi që u shkatërruan pjesërisht ose plotësisht. Edhe pse shpesh njihet si Tërmeti i Madh i Tokios (ose Zjarri i Madh i Tokios), dëmi ishte më i rëndë në Yokohama.

10: Ashgabat, Turkmenistan, 5 tetor 1948

Magnituda 7.3 ballë, 110,000 vdekje.

Ky tërmet solli dëme ekstreme në Ashgabat (Ashkhabad) dhe fshatrat e afërta, ku u rrënuan pothuajse të gjitha ndërtesat me tulla, strukturat e betonit u dëmtuan rëndë dhe trenat u shmangen. Dëmtime dhe viktima kanë ndodhur edhe në zonën Darreh Gaz në Iranin fqinj. Këputja sipërfaqësore është vërejtur në veri-perëndim dhe juglindje të Ashgabat. Shumë burime rendisin gjithsej viktimat në 10,000, por një njoftim i lajmeve nga qeveria e sapo pavarur më 9 dhjetor 1988, tregoi se numri i saktë i vdekjeve ishte 110,000. (Turkmenistani kishte qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, i cili prirej të minimizojë numrat e vdekjeve nga katastrofat natyrore të bëra nga njeriu dhe nga ato natyrore.)/abcnews.al / KultPlus.com

Filmi “Bombshell” fiton çmimin “Stanely Kramer” të Shoqatës së Producentëve Amerikanë

Drama biografike “Bombshell”, për reporteret e Fox News, të cilat kanë bërë publikisht akuza për ngacmime seksuale kundër Roger Ailes, do ta marrë sivjet çmimin e veçantë nga Shoqata e producentëve amerikanë (Producers Guild of America), çmimin “Stanley Kramer”.

Çmimi në fjalë ndahet që nga viti 2002 dhe është krijuar për t’i dhënë mirënjohje produksionit, producentit ose ndonjë personi tjetër puna e të cilëve ka kontribuar në rritjen e vetëdijesimit të publikut për çështje të rëndësishme sociale, shkruan KOHA Ditore. “Bombshell” do ta marrë çmimin në ceremoninë e 31-të, e cila do të mbahet më 18 janar 2020 në Los Angeles.

Image

Kryetaret e shoqatës, Gail Berman dhe Lucy Fisher, sqaruan se u vendos për Bombshell, sepse filmi është dëshmi që kinemaja e ka fuqinë të na sjellë momente dhe lëvizje (mendohet në projektin #MeToo) në mënyrë pozitive, dhe të na i shpjegojë ato më mirë.

Regjinë e ka bërë Jay Roach, ndërsa në rolet kryesore luajnë: Charlize Theron si Megyn Kelly, Nicole Kidman si Gretchen Carlson, Margot Robbie si Kayla Pospisil, Allison Janney si Susan Ostrich dhe John Lithgow si Ailes. Lionsgate do ta lansojë filmin për herë të parë në distribuim të kufizuar më 13 dhjetor në New York dhe Los Angeles, ndërsa me distribuim të rregullt në mbarë botën fillon më 20 dhjetor.

Shumë adhurues parashikojnë që filmi do të jetë gjithashtu një pretendent serioz për “Oscar”, veçanërisht për shkak të ekipit të fortë të aktorëve, të cilët pothuajse me siguri do të mund të nominohen në kategorinë e aktores më të mirë dhe aktores më të mirë mbështetëse, por edhe në kategorinë e grimit dhe flokëve më të mirë, pasi që Kazuhiro Tsuji e bëri një punë fantastike të transformimit të Theron. Kidman dhe Lithgowa në Kelly, Carlson dhe Ailesa duke përdorur protetikë delikate e cila lëviz me fytyrat e tyre.

Vitin e kaluar këtë çmim e fitoi horrori Get Out, ndërsa disa nga filmat e tjerë fitues ndër vite janë: Loving, The Hunting Ground, The Normal Heart, Precious, Milk. Në vitin 2011, Sean Penn e fitoi çmimin dhe u bë personi i parë të cilit iu nda çmimi Stanley Kramer.

Sarkazmë mbi gërmadha

Nga Flutura Açka

30 sekonda tërmet na i shkokluan 30 vjet jetë dhe shpresë për shtet. Akullorja me duar të pastra që ndërtoi një Durrës të frikshëm, do të bëjë një jetë perandorësh mbi frymët e 50 vetëve nën rrënoja, dhe mbi germadhat e miliona e milionat e kursimeve të shqiptarëve të mbetur nën qiell të hapur. I njëjti njeri që ndërtoi një Tiranë po aq të frikshme, do të rindërtojë Durrësin, madje ka thirrur edhe Opozitën të bëjë pjesë në komitetin e rindërtimit, në një si “biçim” marrëveshje si e 17 majit, që do ta zgjasë edhe më agoninë e shqiptarëve. Si mund të presësh transparencë mbi rrënoja nga institucione që kurrë nuk e bënë në kushte normale?
Por kjo nuk mjafton, mbi gërmadha teatri i strehimit të të mjerëve në hotelet me 5 yje, është aq sarkastik, aq i përshtirë, sa tronditesh. Të varfër që do të ishin përzënë po të shfaqeshin atypari në hollet e hoteleve me 5 yje, pasi varfëria e veshjeve të tyre bënte konflikt me luksin e këtyre hoteleve – që më së shumti kanë orgjira pushtetarësh në historikun e tyre – sot më ne fund do të kenë fatin të shijojnë pak nga luksi i të tjerëve. Shih, çdo e keqe e ka një të mirë! Po i provoni më në fund hotelet me 5 yje që deri më sot vetëm i keni ëndërruar.
Këtë sarkamë njerëzit e pushtetit duhet t’ua kursejnë shqiptarëve, në emër të një sensi human në shpirtin e tyre, sot duhet të jenë më të kujdesshëm. Të pakten sot!
Jo vetëm ata, por edhe klerikët shqiptarë, që nuk po lënë ekran pa dalë. Zoti është aq modest, sa nuk mund të pranojë as qurravitjen e tyre nëpër ekane, as krekosjen e tyre plot bujë. Zoti nuk ka nevojë për kamera, se sheh vetë, ndaj respektojeni mjerimin dhe fatin e shqiptarëve të pastrehë e të pabukë sot, siç do të donte dhe siç ju mëson ai, me modesti! / KultPlus.com

Erdogan paralajmëron ndërtimin e 500 shtëpive në Shqipëri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se “ekipet e Turqisë do të kryejnë punimet në vendet e përshtatshme në Shqipëri dhe si vëllezër turq do të ndërtojnë 500 njësi banimi”.

Ndryshe, presidenti turk kishte thënë se kishte zhvilluar dy biseda telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama më 26 nëntor, pasi dëgjoi për tërmetin, për të ofruar ngushëllimet e tij.

Si rezultat, siç thuhet tutje, përcjell Telegrafi, Turqia i ka dërguar menjëherë ndihma Shqipërisë rreth menaxhimit të fatkeqësisë dhe emergjencave.

“Si një vend, i cili vuajti nga tërmete të mëdha në të kaluarën, ne e kuptojmë dhimbjen e Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Erdogan.

“Ne të gjithë duhet të qëndrojmë me Shqipërinë kur bëhet fjalë për trajtimin mjekësor të të dëmtuarve ose sigurimin e strehimoreve për ata që kanë humbur shtëpitë e tyre”, kishte shtuar ai.

Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, dy tërmete të fuqishme goditën Shqipërinë.

Tërmeti i parë është regjistruar në orën 04:00 me shkallë të Rihterit 6.4 në Durrës, ndërsa i dyti ishte me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit dhe u regjistrua në ora 07:10.

Si pasojë e këtyre tërmeteve, përcjell Telegrafi, numri i viktimave po vazhdon të rritet dhe bëhet e ditur se janë rreth 700 persona të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale. /Telegrafi/ KultPlus.com

Prekëse: Ky fëmijë nga Gjakova dhuron të gjitha lodrat për fëmijët në Shqipëri

Mobilizimi i shqiptarëve nga Kosova për t’u dalë në ndihmë bashkëkombësve të tyre të prekur nga tërmeti në Shqipëri ka qenë i madh.

Një akt simbolik të ndihmës e ka bërë edhe një fëmijë, nga Gjakova.

Ani Sadiku ka vendosur që të gjitha lodrat e tij t’i dhuronte për bashkëmoshatarët të prekur nga tërmeti, në Shqipëri.

Tërmeti prej 6.4 shkallë të Rihterit që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha.

Deri tani janë konfirmuar 49 viktima dhe 750 të lënduar. / KultPlus.com

“Ni zo i lirë”, ekspozita që shpalosi gjësendet personale të Adem Demaçit

Në mbrëmjen e 28 Nëntorit në Muzeun Kombëtar të Kosovës u hap ekspozita “Ni zo i lirë” e Adem Demaçit, përcjellë KultPlus.

Në hapjen e ekspozitës, Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci i përshëndeti të pranishmit, theksoi se hapja e kësaj ekspozite për Bacin Adem nuk është rastësisht në këtë datë, por 28 Nëntori është njëra ndër festat më të rëndësishme kombëtare, Muzeu Kombëtar i Kosovës si institucion është mjaft i nderuar që kjo ekspozitë organizohet në këtë shtëpi me vlera të mëdha kombëtare.

Gjatë përshkrimit të historikut të shkurtër për festat e nëntorit drejtori Ajet Leci pati një kërkesë për familjen Demaçi, duke kërkuar që një pjesë të ekspozitës ti dhurohet Muzeut që të mbetët në një kënd të Muzeut si pjesë e ekspozitës së përhershme.

Gjësendet personale, fotografitë e Adem Demaçit në periudha të ndryshme, mirënjohjet e dekoratat, letrat nga burgu e gjëra të tjera janë pjesë e ekspozitës që është organizuar nga familja. 

Ekspozita është organizuar në bashkëpunim me Muzeun nga Shqiptar Demaçi dhe Gurec Jashari, do të jetë e hapur deri me 8 dhjetor 2019. / KultPlus.com

‘Familja’ nga Durim Kryeziu fiton mbështetje nga Just Film Works in Progress në Tallinn

Just Film Works in Progress në Black Nights Film Festival i jep çmimin filmit debutan ‘Familja’ me skenar dhe regji nga Durim Kryeziu dhe me producent Bardhyl Bejtullahun, përcjellë KultPlus.

“Familja” përcjellë Lonën, një vajzë 16 vjeçare e rritur në një familje tradicionale, e cila vendos ta ndjek pasionin e ri të saj për muzikën rok. Filmi i trajton raportet kontradiktore familjare mes tradicionales dhe bashkëkohores.

Drejtor i fotografisë: Isak Duraku, Skenograf: Zeni Ballazhi, Kostumografe: Natyra Simnica, Grimi: Pranvera Metolli, Kompozitor: Leonard Canhasi, Zëri: Labinot Sponca, Producent i terenit: Butrint Lumi, Organizator: Arben Bajgora.

Rrolet i luajnë: Eli Gashi, Hazir Sh. Haziri, Arbnesha Nixha, Xhevat Qorraj, Elvir Tahiri, Lum Veseli, Lulzim Guhelli, Luan Daka, Avdi Gervalla, Labinot Lajçi, Urim Canhasi, Ideal Nrecaj, Rron Ukimeraj, Vjollcë Osmani.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike “2B studio”, dhe është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe sponzoret: Meridian, Petrol Company, Gegnia Film, Furra “Qerimi”, Kompania “Loti”, Ujë Pika.

Linku zyrtar i lajmit:

https://industry.poff.ee/award-winners-of-just-film-works-in-progress-and-script-pool-tv-revealed/

“Save the Children”: 9 mijë fëmijë janë në nevojë pas tërmetit në Shqipëri

Organizata “Save the Children” thotë se rreth 9 mijë fëmijë janë në nevojë pas tërmeti të së martës në Shqipëri.

Ata janë të trembur dhe të shqetësuar dhe përveç tendave, shtretërve, batanijeve dhe mjeteve të higjienës personale, kanë nevojë edhe për mbështetje emocionale dhe mendore, thonë nga “Save the Children”.

Të paktën 4 fëmijë janë mes viktimave të deritanishme të tërmetit.

Save the Children po veprojnë në Durrës, Tiranë, Shijak dhe Fushë Krujë, ku po i përgjigjet nevojave të fëmijëve dhe familjeve të tyre./tch / KultPlus.com

Çou, pra, e m’rrok, e ma hiq ket mall, mbas qi s’munda me t’puthë gjáll

Luigj Gurakuqi

O t’shkoj n’Vlorë, o t’shkoj n’Janinë,
O t’shkoj n’shpì t’Monastirlis
N’Elbasan e n’Prishtinë
O n’ vend tjetër t’Shqyptaris
Fare s’më pvesin “prej kah jé”
Urdhno, m’thonë; jé vlla me ne.
(…)
“Çou, pra çou; del vorrit jashtë
Ngrehu n’kambë, lê dhén e zi;
T’ka ardhë vllau qi aq fort ke dashtë,
Me ty sonde don m’ u -ngí;
Çou mos m’lên mâ shum me qâ;
As t’ka marrë malli me m’pá?!!
Çou, pra, e m’rrok, e ma hiq ket mall,
Mbas qi s’munda me t’puthë gjáll!”./KultPlus.com

Mbërrin filmi “The Maxx”

Për vite me radhë kemi pritur ta shikojmë Channing Tatumin në rolin e Gambitit, personazhit të njohur nga stripat X-Men. Kjo fatkeqësisht nuk është realizuar, por Tatum është i vendosur që të paktën ta personalizojë ndonjë personazh stripash në ekranet e mëdha, ndërsa kësaj here bëhet fjalë për stripin ikonik “The Maxx”.

Stripi “The Maxx” u krijua në vitin 1993 nga Sam Kieth për Image Comics, ndërsa i sjell dy ngjarje simultane.

Image

Në botën e vërtetë, personazhi i titullit është një i pastrehë për të cilin është përgjegjëse punonjësja sociale Julie Winters, shkruan KOHA Ditore. Por në “Outback” Maxx është një mbrojtës i fuqishëm dhe Julie është Jungle Queen e tij.

Seriali i stripit tashmë është transmetuar në ekranet e vogla në vitet ‘90 si seri e animuar me po të njëjtin emër. Atë e transmetoi MTV dhe shumë shpejt fitoi adhurues të shumtë falë stilit të tij të çuditshëm të animacionit.

Tatum dhe partneri i tij i produksionit Roy Lee do të duhej ta sillnin filmin në ekranet e mëdha, por detajet rreth produksionit nuk dihen ende. E vetmja gjë që e dimë është se filmi do të duhej ta ketë një ton më të errët, por të gjitha detajet do t’i zbulojmë me kalimin e kohës. Data e shfaqjes nuk është përcaktuar ende. /KultPlus.com

Psikologë, psikiatër, epidemilogë e mjekë nga Kosova do të nisen për në Shqipëri

Shoqata e Psikologëve të Kosovës, njofton se një grup prej 50 psikologësh, 4 psikatër, 1 epidemiolog dhe 1 mjek, të dielën do të nisen për në zonat e prekura nga kriza që u shkaktua pas tërmetit 6.4 shkallësh të Rihterit, në Thumane, Durrës dhe Tiranë.

Në njoftimin për media thonë se nisna bëhet të dielën në orën 5 të mëngjesit.

Në përbërje të ekipit janë:

2 mjekë psikiatër

2 mjekë neuropsikiatër

2 mjekë epidemiologë,

50 psikologë nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës në përbërje edhe nga SHBA (PhD), dhe

15 nga Shoqata e Psikologeve të Shqipërisë, që te gjithë profesionistë të shëndetit mendorë me përvojë.

“Aktiviteti ynë ka vazhduar edhe gjatë datës 26 dhe 27 nëntor, me grupe të vogla, por që ky aktivitet do jetë më i madhi i këtij lloji me ç’rast do të bëjmë edhe identifikimin dhe regjistrimin e personave të trajtuar, në data bazë në mënyrë që të ndjekim ecurinë e tyre pas periudhës 4 javore kur është periudha në të cilën personat e traumatizuar mund të shfaqin flash back,, apo ripërjetim të skenave, çka është shumë e rrezikshme dhe si diçka duhet të ndiqet në mënyrë kontinuele me qëllimin e vetëm që ato të mos kalojnë në çrregullime mendore, apo në PTSD”, thuhet në njoftim që e transmeton Koha.net.

Në njoftim theksohet se aktiviteti do të jetë i koordinuar me Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë. / KultPlus.com

Neritan Liçaj: Ka varfëri përtej tërmetit, policia po bllokon ndarjen e ndihmave

Qytetarë nga Tirana, rrethet por edhe gjitha trojet shqiptare kanë kontribuar në ndihma për banorët e prekur nga tërmeti.

Aktori, Neritan Liçaj, nga Aleanca për Mbrojtjen  e Teatrit për RTV Ora akuzoi policinë se nuk po lejon dërgimin e ndihmave te qytetarët.

Liçaj: Duhen falenderuar qytetarët e Tiranës, rretheve dhe nga të gjitha trojet shqiptare.Ne i paketojmë. Ndihmat shkojnë aty ku ka nevojë.Po hasim në rezistencë absurde të policisë së shtetit që për turp  përpiqet të bllokojë ndihmat për qytetarët. Nuk na lejojnë, thonë çojini në depot që ju themi ne. Është turp. Bëhet fjalë për jetë shqiptarësh.Njerëzit po vuajnë.Kryeministrti e sheh Shqipërinë nga xhamat e makinës së tij luksoze, mos t’ja fusë kot. Në terren jemi ne.Përveç faktit që gjithë ata njerëz janë në mjerim total se janë jashtë në dimër, ka edhe varfëri që nuk është vetëm prej tërmetit. Ne si Aleancë për Mbrojtjen e Teatrit kemi çuar ndihma në Durrës dhe Thumanë dy ditët e para, pastaj Lezhë, Fushë Krujë, Ishëm, Sukth, Manzë, Laç, Mamurraz, Fushë Mamurras, Pezë, Prezë, Marikaj, Kinostudio. /KultPlus.com

Haradinaj: Ushqimet dhe materialet tjera për ndihmë të dërgohen në Kazermën e FSK-së

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, që gjatë ditës pritet të niset në Shqipëri, përmes një postimi në facebook thotë se të gjitha veprimet ndër-institucionale që Kosova ka ndërmarrë pas tërmetit me pasoja tragjike në Shqipëri, kanë qenë të koordinuara dhe në bashkëveprim me të gjitha palët.

“Në këto momente, në Kosovë kanë arritur mijëra persona nga Shqipëria, të cilët po evidentohen dhe po strehohen qoftë në baza individuale, qoftë në mënyrë të organizuar institucionale. Përkitazi për këtë, ne kemi mobilizuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm për të menaxhuar situata të kësaj natyre”, shkruan Haradinaj, transmeton Koha.net.

Tashmë, thotë Haradinaj, Kampi Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren është mbushur në të gjitha kapacitetet që ka dhe po punohet duke u angazhuar në evidentimin e personave dhe ofrimin e strehimit.

“Andaj, për t’i evituar të gjitha konfuzionet për këtë mobilizim qytetar të ofrimit të ndihmës dhe grumbullimin e ushqimeve, ju bëjë apel të gjithëve që ushqimin dhe materialet e tjera të nevojshme, t’i dërgojnë në Kazermën e FSK-së në Prizren dhe pastaj ato do të delegohen në mënyrë të kujdesshme dhe të kontrolluara në vendet ku ka nevojë”, thotë Haradinaj.

“Edhe njëherë, angazhimi ynë që nga dita e parë pas kësaj fatkeqësie ka qenë institucional dhe i koordinuar dhe kësisoj duhet t’i menaxhojmë edhe veprimet vullnetmira të qytetarëve tanë!”, përfundon ai. /KultPlus.com