Rugova në nëntorin e 1968-ës: Kuçedra e Anadollit s’mund ta merrte fuqinë trimëruese që çoi në këmbë shqiptarët

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka publikuar një shkrim të botuar të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Sipas Hotit, botimi është bërë më 28 nëntor të 1968-ës, nga ish-presidenti Rugova.

Në tekstin në fjalë, Rugova trajton përpjekjet e Ismail Qemajlit për pavarësimin e Shqipërisë, si dhe largimin nga pushteti Osman.

“Mirë që u mashtruam të gjithë. Mirë që kujtuam se nuk kemi asgjë se kuçedra e Anadollit na gëltiti ç’patëm, por s’mundi të mare atë më të vlefshmenë, më madhështoren – fuqinë trimëruese që çoi në këmbë prore shpirtërat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve”, shkruhet në tekstin e botuar në “Bota e Re”.

Kujtojmë se një ditë përpara këtij shkrimi, më  27 Nëntor 1968, studentët shqiptar në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan e Podujevë, demonstruan masivisht kundër pushtetit Jugosllav./ KultPlus.com

Avdullah Hoti bëri homazhe te monumenti i Skënderbeut dhe Ibrahim Rugovës

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti për nder të ditës së 28 Nëntorit ka bërë homazhe te monumentet e dy figurave të mëdha kombëtare, shkruan KultPlus.

Ai është përkulur për homazhe te monumenti i Skënderbeut dhe pastaj ka kaluar edhe te ai i Ibrahim Rugovës.

Përgjatë ditës së sotme, kryeministri do të bëj homazhe edhe te kompleksi memorial i familjes Jashari në Prekaz.

Hoti do të jetë pjesëmarrës edhe në ekspozitën “Rrëfim biografik” për jetën dhe veprën e Anton Çettës. / KultPlus.com

Besian Mustafa: Mos-dënimi i vrasësve mbetet dështimi themeltar i sistemit të drejtësisë në Kosovë

Teksa janë bërë 20 vite nga vrasja e gazetarit Xhemail Mustafa në hyrje të apartamentit të tij, djali i tij Besiani ka reaguar nëpërmjet një postimi në facebook, duke e quajtur të dështuar sistemin e drejtësisë në Kosovë, shkruan KultPlus.

Besian Mustafa, i cili tanimë është edhe Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar për mos vënien e drejtësisë për vrasjet e atdhetarëve pas luftës, duke shpërndarë një fotografi të babait të tij, Xhemail Mustafës bashkë më Ibrahim Rugovën.

KultPlus ua sjell reagimin e plotë:

Mos-zbardhja e vrasjeve të atdhetarëve pasluftës dhe mos-dënimi i vrasësve dhe, mbi të gjitha, urdhërdhënësve mbetet dështimi themeltar i sistemit të drejtësisë në Kosovë, që nga UNMIK-u e deri sot. Pa zbardhjen e këtyre vrasjeve dhe atentateve të panumërta, nuk mund të ketë drejtësi në këtë vend, e pa drejtësi, as liri të plotë. / KultPlus.com

Nga arkivi i Clintonit del deklarata e Rugovës në SHBA: Si e njoftoi botën në vitin 1993 me terrorin e Serbisë

Presidenti Rugova kishte deklaruar se atë javë në Amerikë do të njoftonte liderët e Kombeve të Bashkuara dhe liderët e Amerikës për terrorin që po bënte Serbi ndaj shqiptarëve. Për t’u treguar mirë amerikanëve, ai kishte marrë shembuj se si po keqtrajtohen sistematikisht shqiptarët. Deklarata është e vitit 1993.

Rugova kishte shkuar në Amerikë me një plan dhjetëpikësh, përmes së cilit kërkonte nga Kombet e Bashkuara dhe SHBA’ja, ndihmë për zgjidhjen e krizës së Kosovës.

“Delegacioni ynë ka ardhur në Amerikë këtë javë, me qëllim që t’i informojë udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe nëpërmjet mjeteve të informimit edhe popullin amerikan, për shtypjen dhe dhunën në rritje, të të gjitha të drejtave civile, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Republikën e Kosovës. Ne jemi këtu për të shpallur një Kartë të Drejtash të Kosovës dhe të propozojmë një plan veprimi dhjetëpikësh për ta zgjidhur krizën e Kosovës dhe për t’i dhënë fund padrejtësisë”, kishte thënë Rugova.

“Republika e vuajtur e Kosovës është në fakt problem bosht në krizën aktuale në ish-Jugosllavi. Ekspertët ndërkombëtarë parashohin se nëse Serbia vazhdon fushatën e saj të gjenocidit në Kosovë, ka shumë të ngjarë që konflikti në Ballkan të përhapet edhe në Maqedoni, Shqipëri, Bullgari, Greqi dhe mbase edhe në Turqi. Një luftë tinëzare më e gjerë do të pasonte në Ballkan”, kishte deklaruar Rugova në Amerikë.

Rugova ua kishte bërë me dije amerikanëve se populli i Kosovës është i vendosur për të bërë një fushatë të rezistencës paqësore kundrejt ligjit të imponuar serb të luftës.

“Pasojat do të ishin të dimensioneve globale. Me dy milionë shqiptarë të pambrojtur nën mëshirën e makinerisë serbe të armatosur mirë, një masakër e përmasave të mëdha do të ndodhte brenda një kohe të shkurtër. Qeveria ime po punon pareshtur për të parandaluar dhe për ta shmangur këtë mundësi. Populli i Kosovës është i përkushtuar për të bërë një fushatë të rezistencës paqësore kundrejt ligjit të imponuar serb të luftës”, thuhej në fjalimin e Rugovës, transmeton Express.

Rugova po ashtu kishte shkruar se në Kosovë mungojnë të drejtat elementare të njeriut, si liria e arsimimit, liria e shtypit, liria për të punuar e liria për të marrë shërbime shëndetësore.

Ai kishte bërë të ditur se të gjitha liritë themelore të kosovarëve ishin shfuqizuar nga Serbia.

“Populli ynë jeton nën pushtetin e terrorit, të frikësimeve, keqtrajtimit dhe rrahjeve nga regjimi i Beogradit, i cili ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në vendin tonë. Liria e shtypit, liria e tubimit paqësor, liria e arsimimit, liria për të punuar, liria e qasjes në kujdesin shëndetësor, liria e shprehjes politike, liria e lëvizjes, liria fetare, liria nga të gjitha format e diskriminimit etnik dhe liria nga kontrolli dhe arrestimi, të gjitha janë shfuqizuar nga Serbia derisa Kosova mbetet pre e peshës gati të papërballueshme të një shteti policor”, kishte deklaruar Presidenti Rugova.

Rugova kishte kërkuar nga Kombet e Bashkuara dhe SHBA’ja që ta përkrahnin Kosovën në planin dhjetëpikësh të cilin e kishte prezantuar.

“1. Vënien e menjëhershme të një numri domethënës të trupave të OKB-së apo të NATO-s në Kosovë; 2. Vënien e Kosovës nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara; 3. Vënien e shumë më tepër vëzhguesve të OSBE-së në vendin tonë; 4. Zgjerimin e zonës së ndalim-fluturimit mbi Kosovë; 5. Ndalimin e “spastrimit etnik” të heshtur të Kosovës, i cili po kryhet nëpërmjet kërcënimeve të serbëve; 6. Çarmatimin dhe shpërndarjen e njësive paramilitare serbe, vënien e artilerisë së rëndë serbe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare; 7. Rihapjen e Aeroportit të Prishtinës për fluturime të ndihmës humanitare; 8. Ndalimin e kolonizimit të Kosovës nga Serbia; 9. Lejimin që të mblidhet Kuvendi i zgjedhur me vota të lira; 10. Përjashtimin e Kosovës nga sanksionet ndërkombëtare të vëna mbi Serbinë dhe Malin e Zi”, thuhej në pikat e kërkuara nga Rugova.

Ndërkohë, këtë fjalim të vitit 1993 të Presidentit Rugova e ka sjellë në kujstesë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

“Deklaratë nga Dr. IbrahimRugova, Presidenti i Parë dhe Historik i Republikës së Kosovës në 16 Shkurt 1993 ndërsa ishte në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara. (Nga dokumentet e deklasifikuara së fundmi nga BillClinton Biblioteka Presidenciale)”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Twitter./ KultPlus.com

Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë

Ishte artist, intelektual dhe politikan.

Ibrahim Rugova udhëhoqi popullin e Kosovës në momentet e rënda para dhe pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.

Gjatë studimeve postdiplomike në Francë, ka qenë student i një prej filozofëve më të mëdhenj të shekullit XX, Roland Barthes.

Shquhej jo vetëm për rezistencën paqësore kundër Serbisë po edhe për diskurs paqësor politik.

Pas vetes Rugova la shumë thënie, ku shumica prej tyre qëndrojnë edhe sot.

Më poshtë ju sjellim disa prej thënieve të tij:

– Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e tij për vete.

– Kosova është një vend i vogël, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri që janë dhënë për ne nga Perëndia.

– Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë.

– Pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor.

– Nuk mund të merrem me letërsi, kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.

– Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE, në NATO dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA-të.

– Unë dua të theksoj faktin se pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet.

– Kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mund të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve.

– Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.”

– Si president i Kosovës, unë jam shumë i shqetësuar në lidhje me situatën aktuale të punësimit, në rreth 70 për qind të popullsisë, e cila është e re, me potencial të madh, flet shumë gjuhë të huaja dhe që janë ekspertë në shumë fusha.

– Ministritë e ndryshme duhet të punojnë më shumë në promovimin e vendit, për të ndërtuar imazhin publik të Kosovës. Projekte konkrete duhet të shpalosen, në mënyrë që të aktivizoni biznesmenët tanë të kenë më shumë kontakte. Ne na duhet të krijojmë një imazh pozitiv për veten.

– Vizioni im është që vendi të integrohet në BE, për të transferuar një pjesë të pavarësisë sonë atje. Është gjithashtu detyra jonë për ta bërë këtë, nëse dëshirojmë të krijojmë një tregti dhe një ekonomi të shëndoshë. Ky është vizioni për të cilin po punoj dhe do të vazhdoj të punoj në të ardhmen.

– Kishim ndihmë ndërkombëtare sidomos nga BE dhe SHBA-t[, të cilat na ndihmuan të dilnim nga kjo fazë e emergjencës, për t’i dhënë dinamizëm Kosovës.

– Problemet politike lidhen ngushtë me problemet ekonomike. Me ndihmën e politikës, ne do të hapim rrugën për ekonominë. / KultPlus.com

“Mbetëm pa një emër të shquar të kulturës kombëtare”…

SPECIALE – Para 25 viteve u shua Anton Çetta, Ditë Zie e shpallur nga Presidenti Rugova

-Në Kosovë Nëntori 2020 Muaji i Anton Çettës, Qeveria e Program aktivitetetesh, disa mbahen edhe në Shqipëri.

-Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë  zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike.

-Nga raportimet e gazetës së rezistencës Bujku para 25 viteve – Presidenti Rugova: Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare…Ishte institucion i urtisë shqiptare…

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari.

PRISHTINË, 3  Nëntor 2020/ Në Kosovë ky Nëntor 2020 është Muaji i Anton Çettës, i shpallur nga Qeveria në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e shuarjes, që është sot, si dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve – pajtimit të gjaqeve, të cilit i printe.

Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë  zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike. “Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çetta” është një nga dekoratat që ndante Presidenti Rugova që nga 24 Dhjetori 2003, kur nënshkroi Rregulloren për dekoratat që i jep institucioni i Presidentit të Kosovës.

Anton Çetta është dekoruar edhe nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu  me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm-Dr. Ibrahim Rugova” , në  30 Prill 2010 – 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit të Verrat e Llukës. Para  30 viteve, në 1 Maj 1990,  te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni  shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Besëlidhjes shqiptare dhe të nisjes së aksionit të pajtimit të gjaqeve, i cili në rrethanat më të vështira të okupimit i ka bashkuar drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Profesor Anton Cetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare. Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të…Profesori Anton  kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira. Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik”, shprehej Presidenti Rugova para 25 viteve në mbledhje komemorative.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin historik Ibrahim Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 21 viteve – në pranverën 1999.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Programin e aktiviteteve gjatë nëntorit në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Anton Çettës, disa prej të cilave do mbahen edhe në Shqipëri:

Përurimi i veprave të Anton Çettës;   Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq, investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit;  Këndi i Anton Çettës – ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës;  Emisione Televizive- RTK, shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i një dokumentari të ri;  Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë; Ekspozitë e fotografive ne Prishtinë dhe Tiranë – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik në Tiranë;  Themelimi i Çmimit “Anton Çetta”.

Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje.

Me atë rast u theksua se, me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës. 

Gazeta Bujku, e përditëshme e rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës, me orientim e përcaktim të fuqishëm propërëndimor euroatlantik që nisi të dalë  nga 18 Janari 1991, kryeredaktori i parë-themelusi i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga regjimi okupator serb të gazetës Rilindja – të vetmes të përditshme shqipe në Kosovë, në numrin e  6 Nëntorit 2005 – ditë e hënë, në ballinë e në dy faqe tjera të brendshme shkruante gjerësisht, duke nisur me mbititullin “Të premtën kah mesnata vdiq Profesor Anton Çetta” dhe me kryetitullin “Mbetëm pa një emër të shquar të kulturës shqiptare”.

“Kumti i rëndë dhe i dhembshëm se të premtën në mbrëmje, në Prishtinë, në moshën 75 vjeçare, vdiq intelektuali ynë i shquar Anton Çetta, jehoi pikëllueshëm ndër të gjitha mjediset shqiptare”, shkruante gazeta Bujku, e cila lart në ballinë kishte kryelajmin.

ME RASTIN E VDEKJES SË ANTON ÇETTËS

Sot ditë zie në Republikën e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e vdekjes së deputetit më të vjetër – Anton Çetta, të zgjedhur në zgjedhjet shumëpartiake dhe të lira për Parlamentin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 24 maj 1992, shpalli ditë zie 6 nëntorin e vitit 1995.

Në ballinë Gazeta Bujku shkruante edhe për ngushëllimet nga Shqipëria me titullin “Presidenti Berisha ngushëlloi Rugovën dhe Familjen Çetta”, ndërsa duke raportuar nga mbledhja komemorative në Prishtinë të plotë e të veçantë botonte:

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Anton Çetta ishte institucion i urtisë shqiptare

Familje e Nderuar, Zonja dhe Zotërinj, përfaqësues të institucioneve shtetërore e kulturore të Kosovës, Miq të Anton Çettës, në emër të Republikës së Kosovës, dhe timin, më lejoni t’i them disa fjalë me rastin e vdekjes së Profesor Anton Çettës.

Profesor Anton Çetta, siç e quan populli i Kosovës, arriti për të gjallë të bëhet Institucion i urtisë shqiptare, duke zbuluar thesarin dhe shpirtin e tij dhe duke punuar për të.

Profesor Çetta është shembulli më i mirë se si pasuria intelektuale lidhet mirë me aksionin praktik në momente të vështira e të rënda për një popull. Gjatë 50 vjetëve veprimtarie, ai nuk u ndal kurrë dhe nuk u dorëzua kurrë.

Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare.

Sot Profesori s’ndërroi jetë, sepse Institucioni i personalitetit të tij i mendjes dhe aksionit, formulë e urtisë shqiptare, do të jetojë në brezat që vijnë dhe do të hyjë në analet shqiptare dhe ndërkombëtare.

Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të.  Vetëm njeriu që e njeh mirë  shpirtin e popullit dhe të këtyre trojeve, siç ishte Çetta, kishte mundësi të shëronte shoqërinë shqiptare, të paqetonte njerëzit, edhe në këto vite okupimi.

Profesori Anton  kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira.

Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik.

I falem kujtimit të tij.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës./gazetadiell/ KultPlus.com

Osmani propozon ngritjen e shtatores së Çettës në Kuvendin e Kosovës

Në 25 vjetorin e vdekjes së veprimtarit të pajtimit shqiptar, Anton Çettës, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e kujtoj veprimtarinë e tij, duke propozuar që shtatorja e tij të vendoset në oborrin e institucionit ku ajo e drejton, shkruan KultPlus.

Në një postim në profilin e saj, Osmani ka theksuar se ne ende nuk kemi një shtatore të tij në një vend të denjë, ku mund të pëkrulemi e ta falenderojmë, pavarësisht pse ai la 1200 gjaqe të falura. Andaj, shtatorja për “Plakun e urtë” sipas saj do të ishte nder për gjithë Kosovën.

“Si Kryetare e Kuvendit, do t’i propozojë Kryesisë së institucionit më të lartë përfaqësues e legjislativ, që shtatorja e Anton Çettës të vendoset në oborrin e Kuvendit, pra në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit, si figurë frymëzimi e pajtimi”, ka shkruar Osmani.

Tutje, kryetarja e Kuvendit të Kosovës është shprehur se ai e ka bërë ta pamundërën në një kohë të pamundshme, duke mbledhur dhe pajtuar shqiptarët.

“Ideja e tij për pajtimin nuk ka marrë fund. Ëndrra vazhdon, teksa nevoja për pajtim e unifikim vjen e rritet në këto kohë të zorshme për vendin”, ka thënë Vjosa Osmani.

Anton Çetta mbahet mend për urtësinë e tij që kishte, për punë e madhe që ka bërë në mbledhjen e folklorit shqiptar. / KultPlus.com

PEN Qendra përkujton Rugovën, Kelmendi: Vepra e tij është vepër kombëtare

Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u jetësua figura e Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili për publikun erdhi në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës. Për të nderuar figurën e Rugovës, në panel ishin të ftuar Lindita Tahiri dhe Avni Spahiu nën udhëheqjen e Binak Kelmendit, të cilët me lavdatat më të larta shpalosën figurën letrare e politike të Rugovës, shkruan KultPlus.

Mbrëmja filloi me fjalimin e Binak Kelmendit, i cili duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve, i njofti ata ndër të tjera se në këtë mbrëmje kanë tentuar të paraqesin veprën letrare e politike të Ibrahim Rugovës.

Kelmendi cilësonte se Ibrahim Rugovën, është letërsia ajo që e ka ndihmuar të merret me politikë. ‘Ai ka vepruar ashtu, sipas meje, që kur ishte në krye të gazetës ‘Bota e Re’, asaj rebeles dy javore të shkruar të rinisë (qysh e quaj unë) të Universitetit të Prishtinës, ku shkruante për plakun me mjekër të bardhë që e kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë’, theksoi ai

Kelmendi poashtu konsideronte se kthesa vendimtare drejt politikës te Rugova vërhet tek libri i tij ‘Refuzimi estetik’. Ku sipas tij, ky liëbr i Rugovës ka filluar të shkruhej pak para demostratave të vitit 81, ndërsa është botuar në vitin 87. Qëllimi dhe porosia e librit, siç theksonte ai, është e qartë -Refuzimi. Dhe, më i miri e më i përqafuari është ‘Refuzimi estetik’.

‘Aludimi i Refuzimit në këtë libër është i qartë, refuzimi i shtetit dhe i pushtetit pushtues së Serbisë që copë copë vazhdonte ta zhvishte Kosovën edhe nga ato pak atribute shtetërore që i kishin mbetur në ish-Jugosllavi’, potencoi tutje Kelmendi.

Kelmendi ndër të tjera tregoi për Rugovën, se si ky i fundit shpesh kishte pasur edhe ballafaqime verbale me disa kolegë, me shkrimtar serb të, konfrontime këto që siç tregonte Kelmendi, për pak sa nuk ishin shndërruar edhe në konfrontime fizike.

Dje ndërroi jetë gazetari dhe studiuesi i njohur i letërsisë Ramadan Musliu, për të cilin të gjithë të pranishmit mbajtën një minutë heshtje, duke nderuar kështu figurën dhe kontributin e të ndjerit.

Fjalën e mori më pas Lindita Tahiri, e cila e lartësonte veprën letrare të Rugovës, e cila cilësonte se Rugova përmes shkrimit synonte lirinë. Ajo ndër të tjerat tregonte se si vitet e 70-ta kur Ibrahm Rugova u mor me teori dhe kritikë letrare sollën ndryshime të mëdha në këto fusha, duke i ndërthurur studimet letrare me gjuhësinë, filozofinë, sociologjinë, psikologjinë, antropologjinë etj, drejt ndërdisiplinaritetit nganjëherë vështirë të pranueshëm për studimet klasike letrare që aso kohe dominonin në mjedisin tonë.

‘Edhe pse kur flitet për figurën e Rugovës, rëndom flitet për ndikimin e tij në mendimin politik të shqiptarëve, dua të theksoj se ai bëri një ndikim po aq të fuqishëm dhe një orientim vendimtar në zhvillimin e kritikës letrare shqipe’, theksoi Tahiri

‘Rugova e synoi lirinë përmes shkrimit. Si e bëri këtë? Duke u përfshirë përmes çështjeve kombëtare, që kanë qenë dukuri në kulturën tonë, ku shkrimtari tradicionalisht tek ne shfaqet si figurë me rëndësi publike, meqenëse ishte pikërisht liria artistike ajo që pritej t’i rezistoi cenzurës ideologjike dhe ta përmbushë përgjegjësine morale, kulturore e kombëtare, pra rezistenca estetike’, potencoi tutje Tahiri.

Tahiri poashtu konsideronte se koncepti i angazhimit te Rugova dhe koncepti i intelektualit shfaqet i riartikuluar duke mos u lënë i thjeshtsuar, pra është me rëndësi se këtë liri ai e artikulon në kohën e realizmit socialist, pasi sipas saj, kjo periudhë i kishte klishetizuar metodat e krijimit dhe i ka shabllonizuar pikëpamjet teorike.

Në fund krejt, fjalën e mori Avni Spahiu, prezantimi i të cilit ishte më personal. Ai shpalosi pikëpamjen subjektive, se si ishte Rugova në sytë e tij, se si ai e kishte përceptuar personalitetin e figurën e tij si intelektual në rend të parë por edhe si lider e të tjera.

‘Imazhi i përhershëm i ngulitur në mbamendjen time është ai i Rugovës jo në shtatin e politikanit, të liderit në krye të një lëvizjeje paqësore për pavarësi me përgjegjësi historike për kombin, sa në shtatin e një intelektuali humanist dhe mendimtari jo të zakonshëm që doli nga ky truall me rrënjët e shkëputura të kontinetit duke sjell ndërmend se rrënjët duhet përtritur dhe se vendi shqiptar dhe si një ndër popujt më të vjetër të Evropës duhet rikthyer aty ku përket’, shprehej Spahiu.

Spahiu konsideronte se Ibrahim Rugova është një emër që do të qëndrojë gjatë në mbamendjen kolektive, duke treguar kështu para publikut se sa e rëndësishme kishte qenë për Rugovën që t’i bënte me dije botës e me theks të veçantë Evropës se sa të rëndësishme e të vjetra ishin rrënjët e popullit shqiptar. Ai tregoi se si Rugova në çdo takim e bisedë me evropianët, Rugova vinte në pah lidhjet e lashta të shqiptarëve me qytetërimin evropian.

”Obsesioni i Rugovës me rrënjët evropiane përtheyj në takimin e tij në metropolet evorpiane, mbi fatin e praptë të Shqipërisë ideologjike dhe të pjesës së pushtuar të kombit në mungesë shumëshekullore të pranisë shqiptare aty ku pritej fati historik i tyre. Londra, Parisi, Berlini, Brukseli e Roma pa shqiptarët të shkëputur nga pjesa e së cilës i përkisnin, pa njerëz, pa miq e pa mirëkuptim. Kishte aq shumë për të bërë dhe duhej zënë shekuj e pushtuar hapësira, duhej krijuar miq dhe ripërtërirë miqësi dhe ne ishim vonë, tepër vonë e të paktë dhe akoma në betejë për mbijetim. Megjithatë Evropa duhej të hapte dyert për popullin më të vjetër të saj, duhej njohur vlerat dhe ta pranonte në gjirin e vetë, për më tepër të mos lejonte rrezikimin e tij në zhdukjen’, theksoi Spahiu.

As Spahiu, nuk kishte si të mos ndalej te veprimtaria letrare e Rugovës e cila zë një vend shumë të madh në jetën dhe veprën e ish presidentit tonë. Ai tregoi se si nuk e kishte krejtësisht të qartë atëherë, në vitet që po bëheshin gjithnjë e më sfiduese për fatin e shqiptarëve se ç’e shtyente këtë intelektual dhe kritik të letrave shqipe të dalë nga një mes i përvuajtur me gjakimin për liri dhe bagazhin e mbledhur nga edukimi në Francë, të këmbëngulte që të njihte sa më mirë krijuesit e artit dhe të letërsisë evropiane dhe insistimi i tij që të bëhej një përpjekje që të sillej tek lexuesi shqiptar një shije të veprës së papërkthyeshme të Joyce-t nga anglishtja në gjuhën shqipe.

‘Tek i pasionuari pas letrave shqipe, Rugova ishte një mishërim kërkimor edhe në tekstin e politikës aktuale, ai nuk ndalej së kërkuari fije dëshmishë në lidhje me Evropën, duke kritikuar shpesh vetë shqiptarët për mangësitë evidente’, deklaroi Spahiu.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe shtatë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Projekti i PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit”, është nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot mban mbrëmje letrare për Ibrahim Rugovën

Në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë vazhdon përkujtimi i shkrimtareve të ndjerë të Kosovës.

Përkujtimi i radhës i kushtohet Ibrahim Rugovës, ish-presidentit të vendit, shkrimtar dhe kritik letrar.

Aktiviteti në kujtim të Rugovës zhvillohet sot, më 23 tetor, me fillim në orën 17.00 dhe atë e organizon PEN Qendra e Kosovës.

Për veprën e Rugovës do të flasin Lindita Tahiri dhe Avni Spahiu. Mbrëmjen e udhëheq Binak Kelmendi.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe shtatë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Projektin e PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit” e përkrah Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës me mbrëmje letrare për Ibrahim Rugovën

Në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë vazhdon përkujtimi i shkrimtareve të ndjerë të Kosovës.

Përkujtimi i radhës i kushtohet Ibrahim Rugovës, ish-presidentit të vendit, shkrimtar dhe kritik letrar.

Aktiviteti në kujtim të Rugovës zhvillohet të premten që vjen, më 23 tetor, me fillim në orën 17.00 dhe atë e organizon PEN Qendra e Kosovës.

Për veprën e Rugovës do të flasin Lindita Tahiri dhe Avni Spahiu. Mbrëmjen e udhëheq Binak Kelmendi.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe shtatë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Projektin e PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit” e përkrah Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Gjenerali grek në vitin 1992 ia dhuroi Ibrahim Rugovës një pistoletë me 200 fishekë

Adnan Merovci, një ndër njerëzit më të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka treguar se si gjenerali grek, Nikollae Girallakis, ia kishte dhuruar presidentit Rugova një pistoletë me 200 fishekë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Merovci ka thënë se kjo revole i ishte dhuruar në një takim përshëndetës më 19 korrik të atij viti.

Sipas Merovcit, Rugova ia kishte dhënë atij revolen, duke i thënë “Merre, o Adnan, se na duhet. Shtet po ndërtojmë”.

“Në përfundim të vizitës së Presidentit RUGOVA në Greqi më 19 korrik të vitit 1992, organizatori i saj, gjenerali Nikollae GIRILLAKIS, kishte organizuar një takim përshëndetës, ku nuk munguan dhuratat. Asgjë e pazakontë derisa ushtaraku GIRILAKIS nuk ia dhuroi Kryetarit një revole “Beretta” 9 mm në një kuti me 200 fishekë. Ishte kjo befasia më e madhe e vizitës. U stepëm të gjithë. Unë u drejtova miqve grekë: “Me të vërtetë keni menduar këtë dhuratë për RUGOVËN?” “Po pikërisht për RUGOVËN”, thanë. Kryetari vetëm qeshte dhe më tha: “Merre, o Adnan, se na duhet. Shtet po ndërtojmë””, ka shkruar Merovci./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/adnan.merovci/posts/3539244236119034

Rugova i kishte thënë Bill Clinton-it: Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët

Bill Clinton do të mbetet përgjithmonë në historinë e popullit tonë, për ndihmën dhe kontributin e madh të tij në luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi, shkruan KultPlus.

Në vitin 2009, kur ish-presidenti i Amerikës, erdhi në Kosovë, mbajti një fjalim të fuqishëm në Parlamentin e Kosovës, duke e nisur fjalimin e tij me një kujtim që kishte me Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

‘Dua ta përkujtoj ish-presidentin Rugova, i cili ishte një njeri i shkëlqyeshëm. Kuj­toj dhuratën që ai më ofroi, një gur unik, gjysmë kristali. Ishte ky gur që u bë i njohur edhe në Shtëpinë e Bardhë, si “Guri i Rugov­ës” në kohën që merreshim me problemet e Kosovës… Presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur. Unë ia shpjegova atij se jam rritur në një vend që në aspektin gjeologjik ngjan me Kosovën. Meqë vendlindja ime, Arkanzasi, ishte burimi më i madh i krista­leve të papërpunuara. Kur ia tregova presidentit Rugova, atëherë ai tha se: – Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët, sepse është fati i tillë’, kishte treguar Clinton. / KultPlus.com

Zef Pllumi për Rugovën: Nji ndër burrat e rallë të kombit shqiptar, ma i dijtuni e ma i urti i të gjithëve

Për presidentin historik të Republikës së Kosovës janë thënë fjalë nga më të mëdhat nga figura të ndryshme kombëtare e ndër kombëtare, shkruan KultPlus.

Sot KultPlus ju sjell disa nga fjalët që shkrimtari i shquar shqiptar, At Zef Pllumi kishte thënë për Rugovën.

”Nji ndër burrat e rrallë të kômbit shqiptár. Ndoshta mâ i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilësohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatërrimtar.

Ai u përpoq m’e spjegue shkrimtarin e madh kosovár Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpírtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i përbashktë: Liria e popullit kosovár. Caktoi m’e ndjekë rrugën e tij si mâ të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamvarun prej gjithkujt.
Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së Bashkueme. Atjé mendonte me e shtî edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkathë vuajtje as gjak kurrkujt, prandej edhe kjè thirrë “Gandi kosovár”.

U shá e u luftue nga serbët, u shá e u luftue nga shqiptarët, u shá e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kjè trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të sháme, sepse ai ishte mâ i dijtuni, e mâ i urti i të gjithve.

Vazhdimisht pat kritika në shtypin kosovár për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nânë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të Dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet, sepse Gjon Pali i Dytë kjè luftari mâ paqsór mbi tokë, i cili ia duel me i shkatrrue dy ideologjitë mâ kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nâna Terezë, shqiptarja që mori çmimin “Nobel për Paqe”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhânë njerëzimit, në nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa m’e nderue vorrin e nânës së vet.

Mjerisht Ibrahim Rugova nuk arriti me i pá të realizueme idealet e veta për Kosovën.
Vdekja e parakohshme ia mungoi veprimtarinë n’at kohë qi ai duhej t’ishte për Kosovën si drejtues jo vetëm politik, por edhe shpirtnór, tue drejtue me shêmullin e vet personal.

Kujtimi i tij kjoftë i përhershëm”, shprehet At Zef Pllumi. / KultPlus.com

Gëzim Muriqi realizon shtatoren e Ibrahim Rugovës, pritet të vendoset në Istog

Xhemile Hysenaj

Skulptori i njohur, Gëzim Muriqi, i cili njihet për realizimin e shtatoreve të figurave të njohura historike shqiptare, ka paralajmëruar se është në përfundim e sipër të skulpturës së tij të fundit të presidentit historik, Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.

Gëzim Muriqi tregoi për KultPlus se modelimi i skulpturës ka zgjatur pak më shumë se një muaj, duke pasur pastaj parasysh përgatitjet që skulptori duhet t’i bëjë në mënyrë që të njihet më shumë me karakterin e figurës të cilës i dedikohet shtatorja.

Një figurë si ajo e Ibrahim Rugovës kur vie para publikut në cfarëdo formë e sidomos përmes artit, kërkon shumë përgjegjësi. Për Muriqin kjo është skulptura e dytë e Rugovës, e para gjendet në Malaj të Rugovës, dhe, edhe pse tashmë një profesionist në punën e vet, ai e konsideron një përgjegjësi të madhe realizimin e kësaj skulpture.

‘Përgjegjësi profesionale vazhdon të përcjellë artistin në vazhdimësi’, shprehet tutje ai për KultPlus.

Duke pasur parasysh situatën pandemike nëpër të cilën po kalon edhe Kosova, data e zbulimit të shtatores nuk është zbuluar akoma. Muriqi tregon se kjo situatë imponon edhe datën, mirëpo shpreson dhe beson se brenda këtij viti do të realizohet edhe promovimi i shtatores.

Shtatorja, dimensionet e së cilës janë 305 cm, pritet të vendoset në Istog, në memorialin ‘Ibrahim Rugova’. / KultPlus.com

Clinton: Rugova ka qenë njeri dhe patriot shumë i madh

Të gjithë e dijmë për miqësinë e fort në mes të dy presidentëve, atij të Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Historik të Kosovës.

Kur Rugova ka qenë i shtrirë në spital, ishte Clinton ndër figurat e shquara që e vizitoi atë, ku më pas doli me një deklaratë përmes së cilës shprehi fjalët më të mira për Rugovën.

“Presidentin Rugova e kam konsideruar mik shumë të afërt. Ai ka qenë njeri shumë i madh. E kam pasur për zemër dhe e kam vizituar edhe kur ishte i shtrirë në spital. Ai ishte njeri shumë i mirë dhe patriot i madh. Jam i lumtur dhe krenar që e kam pasur mik”, ishin fjalët e Clinton-it. / KultPlus.com

Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova e Idriz Ajeti në një fotografi të vetme

Në këtë fotografi, të shpalosur me rastin e 50-vjetorit të rithemelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, i shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.

“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.

Sipas tij, viti 2017 ishte tejet i begatshëm për Institutin Albanologjik, meqë nga punonjësit e tij shkencorë u botuan një sërë veprash.

“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar Olluri. / KultPlus.com

Napolitano: Nëse Rugova do të kishte qenë amerikan, do të kishte pushtuar botën me diplomaci

Ish Presidenti italian, Giorgio Napolitano gjatë kohës sa ishte në pozitën e presidentit, bëhet e ditur se gëzonte respekt shumë të madh për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Nëse Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi,
do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë,
ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci,
por për fat të keq këto dy figura
i përkasin një popullit shumë të vogël…
”, ishte shprehur Napolitano. / KultPlus.com

Rugova i kishte thënë Bill Clinton-it: Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët

Bill Clinton do të mbetet përgjithmonë në historinë e popullit tonë, për ndihmën dhe kontributin e madh të tij në luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi, shkruan KultPlus.

Në vitin 2009, kur ish-presidenti i Amerikës, erdhi në Kosovë, mbajti një fjalim të fuqishëm në Parlamentin e Kosovës, duke e nisur fjalimin e tij me një kujtim që kishte me Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

‘Dua ta përkujtoj ish-presidentin Rugova, i cili ishte një njeri i shkëlqyeshëm. Kuj­toj dhuratën që ai më ofroi, një gur unik, gjysmë kristali. Ishte ky gur që u bë i njohur edhe në Shtëpinë e Bardhë, si “Guri i Rugov­ës” në kohën që merreshim me problemet e Kosovës… Presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur. Unë ia shpjegova atij se jam rritur në një vend që në aspektin gjeologjik ngjan me Kosovën. Meqë vendlindja ime, Arkanzasi, ishte burimi më i madh i krista­leve të papërpunuara. Kur ia tregova presidentit Rugova, atëherë ai tha se: – Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët, sepse është fati i tillë’, kishte treguar Clinton. / KultPlus.com

Flutra Zymi u mbyllë sytë dijetarëve dhe heronjve: Nuk dua të shohin çka po ndodh (FOTO)

Regjisorja kosovare Flutra Zymi ka ndërmarrë një iniciativë pasditen e së martës, e cila u ka mbyllë sytë shtatoreve të shumta në sheshet e Prishtinës, duke nisë nga shtatorja e Gjergj Kastriotit, presidentit Ibrahim Rugova dhe shumë shtatoreve të tjera, e cila ka dhënë sqarimin, se këtë iniciativë e ka marë që simbolikisht u ka mbyllë sytë këtyre figurave, në mënyrë që mos të shohin se çfarë po ndodhë në këtë vend, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e saj, dhe fotografitë që janë realizuar nga Fikret Ahmeti.

Sot një vepër artistike e artit bashkëkohor u bë realitet.
E DREJTA E MENDIMIT
Të gjithë këta dijetarë dhe luftëtarë kishin një mendim ndryshe, e ai mendim u bë ideali i tyre, e ne të gjithë ju bashkuam këtij ideali.
Për mendimin ndryshe këta dijetarë dhe heronjtë tanë u maltretuan u abuzuan në mënyrën më mizore dhe brutale e po ashtu edhe u vranë. Përmendoret e tyre në sheshin e Prishtinës i ndërtuam ti nderojmë dhe sa herë ti shohim të kujtohemi për ato mendime dhe atë ideal që sakrifikuan, që unë sot të kem të drejtën absolute të lirisë.

Nuk dua të shohin çka po ndodh, më vjen turp nga vetja.

Arti bashkëkohor është një art që sfidon pyetje me veten, me realitetin, reflektimin dhe vetëdijesim.

Por kjo ide, nuk ishte e imja por e disa të rinjve që i dëgjova rastësisht, nuk di kush janë ata ndoshta një ditë do të na tregojnë, për hir te tyre dhe të gjithë të rinjve në Kosovë e shndërrova në realitet.

Falënderoj te gjithë qe me ndihmuat edhe pse nuk e kishit idenë çka po ndodh.

Komunën e Prishtinës, MPB dhe ISHPK për leje.
Si dhe policet qe ishin aq te sjellshëm deri sa u verifikua leja./KultPlus.com


Ismail Kadare për Ibrahim Rugovën: Në urtësinë e tij kishte çelik



Ismail Kadare dhe Ibrahim Rugova janë dy njerëz të mëdhenj për shqiptarët. Të dytë edhe kanë shkruar dhe i janë future me zell e me xhelozi studimit dhe letërsisë. Rugova më shumë si studiues ndërsa Kadare më shumë si shkrimtar, ata i bashkon, nëse jo asgjë, Franca, si një shtet ku të dytë kanë pëlqyer të jetojnë e punojnë për një kohë, shkruan KultPlus.

Ndonëse shpesh kishin mospajtime, ata sërish ishin miq.

Po ju sjellim sot fjalët e Kadaresë mbi këtë figurë të njohur për shqiptarët:

“Ibrahim Rugova, kolosi i brishtë i Kosovës” (frele), siç është quajtur shpesh, është një president “sui generis”. President të tillë, pa armë, pa zyre, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ata që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtet serbëve u pëlqen të tallen ashtu.

E megjithatë, ky president pritet ndërkaq prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota dika ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit… Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, botës shqiptare.
Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet”, ka thënë mes tjerash Kadare.

“Rruga e Kosovës drejt pavarësisë ende është e shtruar me gurë, por me disa përjashtime të pakëndshme ajo nuk ka qenë e hapur me terrorizëm, dhunë dhe bombahedhës vetëvrasës. Populli i tij dhe bota duhet t’i falënderohen Ibrahim Rugovës për këtë: në butësinë e tij kishte çelik”, ka thënë Kadare për Presidentin Historik të Kosovës – Ibrahim Rugovën.

Ndërsa në një pritje në Köln në vitin 2013, Ismail Kadare ndër të tjera theksoi: “Është e vërtetë që e kam kritikuar Rugovën në vitin 1999. Ju tani mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritikën që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi se, e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq.”

Ibrahim Rugova ka vdekur në janar të vitit 2006. Ka udhëhequr Kosovën dhe LDK’në prej viteve të 90’ta. / KultPlus.com

Zbulohet dokumenti: Rugova në Shqipëri konsiderohej “armik” në regjimin enverist

Presidenti Ibrahim Rugova konsiderohej “armik” në regjimi enverist.

Kështu thotë Kastriot Dervishi, i cili ka zbuluar një dokument të rrallë të vitit 1980.

Sipas Dervishit, Rugova u ndoq si objekti “Zdrukthi”.

Ja shkrimi i plotë nga Kastriot Dervishi:

Ky është formulari i kërkesës për vizë hyrje në Shqipëri, i plotësuar nga Ibrahim Rugova në vitin 1980. Ai kishte zhvilluar në Shqipëri, dy vizita të mëparshme:

-24 maj deri 4 qershor 1971

-26 maj 1974 deri 7 korrik 1974

Herën e parë ai kish ardhur së bashku me Rexhep Ismaijlin, duke qenë student i vitit të katërt dhe redaktor i revistës “Bota e re”. Herën e dytë u ftua nga Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë në Tiranë. Herën e tretë u ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve.

Hyri në Shqipëri më 15 mars 1980 nga Qafa e Thanës dhe u largua më 13 prill 1980 nga Hani i Hotit. Pikërisht kjo vizitë shënoi edhe armiqësimin me regjimin komunist. Bashkëpunëtorë të regjimit si “Dragoi”, raportonin se ai fliste keq për Shqipërinë socialiste.

Rugova u ndoq si objekti “Zdrukthi”. Citohej të kish thënë: “Tani u binda përfundimisht se në Shqipëri nuk ka liri krijuese. Shkrimtarët janë shndërruar në burokratë. Krijuesve u jepen klishetë ku ata punojnë”. “Ndaj letërsisë së realizmit socialist flet me përçmim e përbuzje”.

Në mars 1981, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, u urdhërua përpunimi i tij (ndjekja) duke e konsideruar “armik”. / KultPlus.com

Intervista e vitit 1994: Si e mendonte Rugova këmbimin e territoreve me Serbinë

Në një intervistë në vitin 1994 Rugova shpalos mendimet e tij rreth shkëmbimit të territoreve me Serbinë, shkruan KultPlus.

Ai ndër të tjera ishte shprehur se ndarja e Kosovës është e papranueshme.

“Edhe ne mund të bëjmë kësi lloj ‘pazari’. Aq më tepër kur kemi legjitimitetin historik, etnik, juridik dhe politik mbi Kosovën. Nuk duhet harruar se Kosova ka qenë njësi konstituive e Federatës jugosllave. Megjithatë, po e përsëris, për ne është e papranueshme ndarja e Kosovës. Mund të bëjmë vetëm këmbim territoresh, ashtu që Leposaviqi dhe disa territore në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, të fitojmë Preshevën dhe viset tjera në Serbinë jugore, të banuara me shumicën shqiptare”, kishte deklaruar Rugova. / KultPlus.com

Kurti për herë të parë bën homazhe te varri i Rugovës, vlerëson përpjekjet e tij për liri dhe pavarësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se e vlerëson përpjekjet profesionale dhe insistuese të ish-presidentit Ibrahim Rugova për pavarësinë e Kosovës.

“Sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Kosovës të zgjedhur me votë popullore me 24 maj. Një dekadë më vonë në Kuvendin e Kosovës Rugova zgjidhet president i Kosovës kësaj radhë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe profesionale, angazhimin politik për lirinë dhe pavarësinë”, ka thënë ai.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se ishin për të bërë nderime te varri i ish-presidentit Rugova dhe për të ndërruar kontributin e tij.

Është kjo hera e parë që kryeministri Kurti bën homazhe të varri i Rugovës. Refuzimin e Kurtit për të shkuar të varri i Rugovës, eksponentë të LDK-së e kishin përmendur si një prej arsyeve për dështimin e negociatave për koalicion parazgjedhor. / KultPlus.com