Aktori George Clooney paditë fotografin e një reviste

Paparacët mund të ndihmojnë në rrugën drejt famës, por ndonjëherë i kalojnë caqet dhe këtë George Clooney e provoi mbi shpatulla, kur revista franceze “Voici” publikoi fotot e para të binjakëve të tij, pa e marrë pëlqimin e aktorit.

I acaruar, ylli i “Ocean’s Eleven” ka vendosur ta çojë çështjen në gjykatë. Clooney thotë se fotografi i ‘Voici’ kaloi murin rrethues të rezidencës së tij, është ngjitur në një pemë të oborrit dhe ka shkrepur aparatin, duke i bërë në mënyrë të paligjshme foto fëmijëve, ndërkohë që ndodheshin brenda perimetrit të shtëpisë. Revista, sipas tij, do të japë llogari deri në një, përpara gjykatës.

“Është siguria e fëmijëve të mi në lojë”, shprehet 56 vjeçari. Aktori i famshëm dhe bashkëshortja e tij, avokate e njohur dhe njëkohësisht mbështetëse e të drejtave të njeriut, Amal, e njoftuan në muajin qershor ardhjen në jetë të dy fëmijëve të tyre, një djalë dhe një vajzë, Alexandër dhe Ella.
Por deri më tani nuk kanë dhënë asnjë detaj tjetër mbi të miturit, e as kanë publikuar ndonjë foto të tyren.

‘Voici’ i kishte të premten në kopertinë fotografitë e çiftit të veshur me rroba plazhi, duke mbajtur secili në krah nga një foshnjë. Ata duket se po ecin në kopshtin e Vilës së Clooneyt, pranë liqenit Como, në Itali.

Binjakët janë fëmijët e parë të bashkëshorteve Clooney, që lidhën kurorë tre vjet më parë në Venecia, në një ceremoni madhështore, të mbushur me emra të famshëm të ekranit, por që prej atëherë janë përpjekur ta mbajnë jetën e tyre private sa më larg syve të publikut. / KultPlus.com

Kasti i aktorëve të ‘Titanic’ ribashkohen pas 20 vitesh (FOTO)

Filmi i tyre ‘Titanic’ mund të ketë përfunduar me një tragjedi. Por aktorët Leonardo DiCaprio, Kate Winslet dhe Billy Zane ishin të gjithë të buzëqeshur pasi u bashkuan të martën në një natë gala për Fondacionin Mjedisor të Leonardos në Sant Tropez, 20 vite pas publikimit të filmit.

Aktori 51 vjeçar, Zane ka postuar një foto në Instagram me një shkrim ironik: “Grupi është i gjithi këtu. Tani ne do të shpëtojmë ajsbergët”.

Tre aktorët, pavarësisht se ka kaluar shumë kohë dhe vitet kanë ikur, ruajnë shoqërinë midis tyre si edhe duken të mrekullueshëm në krah të njëri-tjetrit. / KultPlus.com


Katy Perry do të prezantojë ‘MTV Video Music Awards’

Këngëtarja Katy Perry do të drejtojë “MTV Video Music Awards”, eventin në të cilën është edhe në garë me shumë nominime.

Ylli i padiskutueshëm i këtij edicioni e bëri të ditur lajmin në rrjetin social Instagram, ku i jep takim fansave në 27 gusht nga Fabulous Forum i Inglewood, në Kaliforni. Katy do të ndriçojë skenën si performuesja e parë dhe më pas do të prezantojë mbrëmjen.

Perry ka siguruar gjithashtu një vend mes yjeve me më shumë nominime, duke mbajtur pesë të tilla: Best Pop, Best Direction dhe Best Visual Effects për ‘Chained to the Rhythm’, Best Art Direction për ‘Bon Appetit’ dhe Best Collaboration për këngën e Calvin Harris ‘Feels’, të kënduar nga Pharrell Williams, Perry dhe Big Sean.

Është një periudhë e artë për yllin e popit. Albumi i ri “Witness” është renditur në vendin e parë të klasifikimit Billboard 200, duke u bërë albumi i tretë që renditet në vendin e parë.

Ka fituar gjithashtu çmimin e artistes femërore në 2017, si dhe vendin e parë në Billboard’s Top Current Albums dhe në klasifikimin e Current Pop Albums. Në nivel botëror disku ka dominuar në klasifikimin e iTunes Albums në 46 vende. Videoja zyrtare e ‘Bon Appétit’ ka shënuar një rekord të ri për yllin e popit , duke tejkaluar 100 milionë shikime në vetëm 18 ditë.

Videoja e “Firework”, ka tejkaluar 1 miliardin dhe “Roar” 2 miliardë shikime. Këtë vit, videoja e “Roar” ka marrë diskun e Diamantit, duke tejkaluar 10 milionë albumesh të shitura në SHBA.

Jo vetëm kaq. Katy është artistja e parë që ka 100 milionë ndjekës në Twitter, dhe është më e ndjekura në Twitter nga 2013. / KultPlus.com

‘Dokufest’ vjen në ‘Soma’, pastaj nisë në Prizren

Festivali i filmit dhe dokumentarit “Dokufest”, festivali më i madh në Kosovë, këtë vit do të filloj më datë 4 gusht ndërsa do të përmbyllet më 12 gusht, shkruan KultPlus.

Duke filluar nga data 31 korrik, Dokufest do të zbarkojë fillimisht në Prishtinë për të vazhduar rrugëtimin e tij aty ku tashmë jemi mësuar ta shohim, në qytetin e bukur të Prizrenit.

Stafi i ‘Dokufest’ ka përzgjedhur disa filma të metrazhit të shkurtër të cilët do të shfaqen në oborrin e ‘Soma’ posaçërisht për publikun e Prishtinës.

“Ju mirëpresim në këtë pre-film screening vetëm disa ditë para se gjithçka të fillojë në Prizren.

Filmat do të shfaqen më datë 31 korrik duke filluar nga orës 21:00 në ‘Soma’ në Prishtinë.

Filmat që do të shfaqen gjatë këtyre mbrëmjeve janë: Best of luck with the Wall – USA 7min, Soft – Simon Ellis, UK 14min, Import – Ena Sendijarevic, Nederland 17min, 200000 Phantoms – Jean Gabriel Periot, France 10min, A mass of Man – Gabriel Gauchet, UK 16min, A night in Tokoriki – Roxana Stroe, Romania 18min. / KultPlus.com

Ledri dhe Buta publikojnë këngën ‘Mbi re’ (VIDEO)

Ledri Vula dhe Buta sapo kanë lansuar këngën e tyre “Mbi re”, shkruan KultPlus.

Këngë ishte paralajmëruar të publikohej dje por për shkak të aksidentit në Prishtinë dhe zjarrit në Velipojë, në shenjë solidarizimi me viktimat, kënga u publiku sot.

Video e këngës është realizuar nga Supercut.

Buta është pjesë e kompanisë menaxhuese ‘Nesër’, Kompani kjo nën udhëheqjen e Faton Shoshit, ku pjesë e saj është edhe Ledri Vula e Era Istrefi. / KultPlus.com

Nënë Tereza: Dashuria e vërtetë është të duash derisa të dhemb

Shën Nënë Tereza është thesar i papërsëritshëm, si në mësim e porosi ashtu edhe në veprimtarinë e saj të dashurisë, bamirësisë dhe humanizmit. Për të shpjeguar konceptin e dashurisë së vërtetë, atë dashuri e cila arrin deri në fund, derisa sa dhemb. Shën Nënë Tereza tregon dy ngjarje të bukura dhe unike që i ka përjetuar në jetën e saj, si dëshmi, provë e gjallë si realizohet ajo.

Ngjarja e parë
Unë nuk do ta harroj kurrë, se si dy të rinj para shumë kohësh erdhën në shtëpinë tonë dhe më dhanë një shumë të madhe parash. Unë i pyeta: ‘Ku i keni marrë të gjitha këto para?’. Ata thanë: ‘Ne jemi martuar para dy ditësh. Para se të martohemi, kishim vendosur, që mos të blejmë rroba martese. Ne nuk bëmë dasmë. Paratë e dasmës jua japim Juve.’ Dhe unë e di saktësisht, se ç’do të thotë në vendin tonë, në një familje hindu, të mos blesh rroba martese dhe të mos bësh dasmë. Prandaj i pyeta përsëri: ‘Po, përse? Përse vepruat kështu?’ Ata thanë: ‘Ne e duami njëri-tjetrin aq shumë, sa që gëzimin e dashurisë duami ta ndajmë me njerëzit, të cilëve ju u shërbeni.’ Si e përjetojmë ne gëzimin e dashurisë? Si e përjetojmë ne këtë? Tek japim, derisa dhemb.

Ngjarje e dytë
Para se unë të shkoja në Etiopi, në Kalkutë erdhën disa fëmijë të vegjël tek unë. Ata kishin dëgjuar, se unë do të shkoja atje. Ata kishin ardhur, sepse kishin dëgjuar nga motrat, që fëmijët në Etiopi vuanin shumë. Ata vinin, dhe secili prej tyre jepte diçka, disa edhe ato pak para që kishin. Një djalosh i vogël erdhi tek un dhe më tha: ‘Unë nuk kam asgjë, nuk kam para, thjeshtë nuk kam asgjë. Por, e kam këtë copë çokollate. Dhe ti merre me vete dhe jepua fëmijëve në Etiopi!’
Ky djalosh i vogël dashuronte me shumë dashuri, sepse ai mbase për herë të parë në jetën e vet, mbante një copë çokollate në dorë. Dhe e dha atë. E dha plot gëzim, për ta ndarë me të tjerët, për ta zbutur sadopak dhimbjen e dikujt tjetri në Etiopinë e largët. Kjo do të thotë gëzim i dashurisë: të japësh, derisa të dhemb. I dhembte Krishtit, që na donte neve, sepse ai vdiq në kryq, për të na mësuar neve se si duhet të duami. Kjo është rruga, se si duhet të duami edhe ne: derisa të dhemb.
(Pjesë nga libri: Leo Maasburg, Nënë Tereza. Histori Magjepsëse, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, Shkup 2010, f. 88-89.) / KultPlus.com

Fotografia që autorin e saj e çoi në vetëvrasje (FOTO)

Në vitin 1994, një nga fotoreporterët më të famshëm të Afrikës së Jugut, Kevin Carter ka kryer vetëvrasje, dy muaj pasi iu dha Çmimi prestigjioz Pulitzer për një foto të një vajze të uritur nga marsi i vitit 1993, në kohën kur Sudanin e kishte goditur kriza e urisë.

Carter së bashku me disa shokë të tjerë fotoreporterë ishin pjesë e kolektivit, që u bë i njohur si “klubi Beng Beng”, për shkak të burrërisë së tyre në kohën e trazuar të aparteidit në Afrikën e Jugut, para zgjedhjeve të para demokratike në atë vend.

Karrierën e tij si fotograf e filloi në një dyqan të aparateve, prej ku edhe e tërhoqi puna e fotoreporterit.

Punën e parë në këtë fushë e filloi në “Johanesburg Sunday Express”. Ishte i indinjuar me situatën në Afrikën e Jugut, dhe pas vitit 1984 u zhvendos në Afrikën e Jugut ku u takua me të tillë që njëjtë sikur ai dëshironin ti paraqitnin botës brutalitetin e aparteidit, transmeton InfoPress.

“Ata ishin të gatshëm për të vënë veten në front përballë rrezikut, shumë herë ishin arrestuar, por kurrë nuk hiqnin dorë. Ata ishin me të vërtetë të gatshëm të sakrifikojnë për atë që ata besonin”, kështu i kishte përshkruar dikur fotografi i famshëm luftës James Nahtvej.

Fotografitë e tij kanë udhëtuar nëpër botë. Carter, megjithatë, ishte shumë fatkeq, kishte shumë romanca, nga një prej të cilave kishte një vajzë. Ashtu si shumë nga kolegët e tij, Carter pinte marihuanë për shpëtuar nga skenat e përditshme të dhunës që e torturonin çdo ditë.

Varësia e tij nga konsumimi i drogave narkotike, në fund të fundit e çuan në dorëheqje nga “Star” në vitin 1993. Menjëherë pas kësaj udhëtoi për në Sudan. Huazoi disa para për aeroplan dhe udhëtoi për në Sudan, i cili u godit më pas nga një grevë masive.

Shkretëtira e mjeruar e gjeti veten në qendër të opinionit botëror, pasi imazhit që Karter i bëri një vajze të vogël, jo më të vjetër se tetë vjet dhe shqiponjës e cila me padurim priste frymëmarrjen e saj të fundit. Ai nga disa dhjetëra metra bëri foton që përshkroi katastrofën humanitare nëpër të cilën po kalonte Sudani.

Me kujdes dhe maturi, Carter shkrepi foton për mos ta trembur grabitqarin. Pas 20 minutave dëboi grabitqarin duke shikuar si vajza në agoni vazhdon rrugën e saj drejt një qendre të të ushqyerit. Me urdhër të paqeruajtësve vendor, nuk i lejohej të prekë vajzën për shkak të rrezikut të sëmundjes. Pas përfundimit të fotografisë, u ul nën një pemë, ndezi një cigare, duke folur me Perëndinë dhe duke qarë. Kolegu i tij Silva kujton se pasi kësaj ra në depresion duke dëshiruar ta përqafojë vajzën e tij.
Në të njëjtën kohë, gazeta e “New York Times” kërkonte fotografi nga Sudani, dhe pas imazhit të Carter të publikuar, qindra njerëz thirrën për të pyetur për fatin e vajzave, pas së cilës gazeta publikoi edhe një koment në të cilën thuhej se nuk dihej nëse vajza kishte arritur deri te qendra për ushqim. Së shpejti, gazetat në mbarë botën publikuan fotografinë.

Fotoja është përzgjedhur për çmimin prestigjioz Pulitzer, i cili Carter i siguroi famë në korridoret fotografike në mbarë botën. Megjithatë, jeta e tij ishte një rrëmujë.
Në ditën e fundit të jetës së tij, Carter thuhet të ketë qenë i lumtur gjersa në letrën e tij lamtumirëse kishte shkruar se po shkon për tu bashkuar me fëmijët e pafat imazhet e të cilëve e kishin prekur thellë në zemër./ KultPlus.com

‘Fitimtari i Beogradit’ është shqiptar

Ilir Muharremi

“Fitimitari i Beogradit”, i krijuar nga skulptori kroat Ivan Mestrovic, 14 metra i lartë i punuar në bronz nuk është serb, por shqiptar me plis në kokë, dhe u vendos më 7 tetor 1928 në një lartësi të caktuar në tarracën e Kalemegdanit. Skulptura në vete përmbante një qëllim si simbol i Beogradit dedikuar çlirimit përfundimtar të Serbisë nga Turqia.

A qe kjo një mashtrim me popullin serb? Natyrisht, masa gëlltit si delet dhe anashkalon pa e vërejtur skulpturën dhe ja një ditë kritikët e artit zgjohen nga gjumi i rrejshëm dhe vërejnë një shqiptar në mes të Beogradit me fizionomi të pabesueshme: ngjashmëri me hundën, tiparet e fytyrës derisa në kokë stoikisht i rri plisi shqiptar.

Gjesti, shprehja e fytyrës, qëndrimi i tij mashkullor, trupi muskuloz, plot forcë me muskulaturë sikurse skulpturat e Mikellanxhellos, me shpat të kthyer teposhtë, shpreh mbrojtjen dhe rezistimin ndaj armikut, i cili në të njëjtën kohë mbron vendin. Çfarë mbanë në dorën tjetër? Shqiponjën ngjyrë hiri derisa populli serb mendonte se ai mbante pëllumbin. Sqepin në maje e ka të kthyer, kurse qëndrimin e ka të shqiponjës. Vetë në tekstet e skulptorit Mestrovic përmendet shqiponja dhe luftëtari në kohë të paqes si simbol trimërisë.

Cili është qëllimi i skulpturës? Shprehja e gjestit, fytyrës, shikimit i cili arrin të rezymojë të gjitha gjestet dhe shikimet e botës. E fitimtari shqiptar këtë e ka në mimikë dhe pas syve. Ky luftëtar imiton (skulptori inspirohet nga shikimi, pjesët e fytyrës që janë shqiptare), pastaj pjesët e trupit, duart, gjoksi dhe këmbët, në fillim fytyra është imazh i renesancës ngjanë më Skënderbeun, ka edhe nga traditat shqiptare, që na kthen më shumë në kohë te ilirët. Gjoksin e ka të fryrë, patetik në raport me pjesën e qafës (skulptorët komunist i frynin figurat), pjesa e këmbëve duket si afshore (play boy modern.) Herë na jep imazh si dashnor i frutuar nga dashuria që na vërtit tek kohërat greke (skulptura me trup muskulor të realizuar në shkallë perfekt si simbol i estetikës, ngjashëm me shtatoren e cila anon një përqindje tek ky imazh.)

Pjesa proporcionale lidhet ngushtë me anën historike të kaluar nga antika, renesanca, komunizmi dhe bashkëkohorja. Skulptori si duket gërshetoj historinë dhe estetikën.
Ky luftëtar në fillim mendohet të shfaqej në qendër, ndërsa masa veçanërisht femrat reaguan për shkak se skulptura është nudo dhe vërehet mirë organi i vogël gjenital. Njëherë donin ta futnin në pishinë, por e panë të arsyeshme ta çvendosin në Kalemegdan dhe poshtë tij qëndron një tub i gjatë me qëllim që të mos vëreheshin organet gjenitale.

Mendja ju shkonte te nudizmi derisa fitimtari në kokë mban plisin, ndoshta kjo qe një lojë e skulptorit i cili e parashihte që kjo pjesë do ngjiste debat derisa pjesa tjetër do vulos historinë. Kjo dëshmon qartë që Beogradin nga Turqit e çliruan Shqiptarët dhe çfarë do të ndodh më tutje me shtatoren? A do qëndrojë ende në Beograd, apo shqiptari do të kthehet në trojet shqiptare? Nëse serbet rrejshëm i përvetësojnë heronjtë, artistët më së miri shprehin realitetin, andaj edhe historia duhet të lihet në dorën e artit, sepse arti është arkeologji e së vërtetës. Andaj, shtatorja nuk duhet të quhet vetëm “Fitimtari i Beogradit”, por “Shqiptari fitimtar i Beogradit”. / KultPlus.com

Arilena Ara vlerësohet në Rusi (FOTO)

Katër këngëtare shqiptare ishin të ftuara për të kënduar live në njërin prej festivaleve më moderne të muzikës “Evropa Plus” në Moskë, por vetëm tri prej tyre kanë arritur të udhëtojnë atje, shkruan KultPlus.

Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi e Arilena Ara, janë emrat e përzgjedhur për të performuar në këtë festival. Por, jo gjithçka shkoi ashtu siç ishte planifikuar.

Meqë shumica e këngëve të Erës janë në gjuhën shqipe, si dhe ajo përfaqëson shtetin e Kosovës, kjo gjë ka nxitur kërcënime ndaj këngëtares. Andaj, Era nuk ka udhëtuar fare për në Rusi pas rekomandimeve të
institucioneve të sigurisë.

Ndryshe nga Era, Bebe Rexha dhe Dua Lipa, tashmë gjinden në Moskë dhe kanë pasur një pritje të mrekullueshme nga fansat atje. Madje edhe ato kane ngelur të befasuara nga pritja që ju është bërë.

Por, dilemat ishin nëse këngëtarja nga Shqipëria Arilena Ara, do arrinte të kalonte për në Moskë apo edhe ajo do të haste në probleme të tilla si Era. Por, si duket Arilena në këtë rast është më me fat. Ajo tashmë ka arritur në Moskë nga ku edhe ka postuar fotografi. Madje ajo ka marrë një vlerësim nga në Rusi. Këngëtarja është certifikuar me Platinium.

Nga katër, në tri. Pritet ti shohim sonte performancat e artisteve shqiptare në Rusi. / KultPlus.com

104 vjet nga Konferenca e Londrës

104 vjet më parë përfundoi punimet Konferenca e Londrës, në të cilën u vendos përgjysmimi i trojeve shqiptare dhe fati i saj.

Konferenca e Ambasadorëve i filloi punimet në dhjetor të 1912-s, duke vazhduar deri më 29 korrik 1913.
Ajo mund të ketë qenë përcaktuese e të ardhmes së Shqipërisë mbi pavarësinë e vendit, por siç dihet nga ajo konferencë Shqipëria doli e përgjysmuar në kufijtë e saj.

Konferencë u diktua prej shpërthimit të luftës së parë ballkanike. Morën pjesë fuqitë e mëdha të Evropës, përfaqësuesi i perandorisë osmane dhe përfaqësues të fuqive ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë (që nuk njihej) dhe të Greqisë (që nuk e kishte nënshkruar armëpushimin). Nga kjo konferencë doli Traktati i Londrës, mbi ndarjen e territoreve që dolën jashtë perandorisë osmane prej fuqive të mëdha dhe aleatëve të tyre.

Ky Traktat mbeti i fshehtë deri në Konferencën e Versajës (1918). Të gjitha fuqitë e mëdha paraqitën versionin e tyre të hartës së Shqipërisë. Harta më e favorshme për shqiptarët ishte ajo e propozuar nga Austro-Hungaria. Në këtë konferencë Shqipëria u njoh si principatë, që do të thoshte se forma e qeverisjes do të ishte monarkike, pushteti i trashëgueshëm, ndërsa pavarësia e kushtëzuar, sepse principata nuk arrin deri tek e drejta e shtetësisë. / KultPlus.com

Lasgushi për shtatoren e Skënderbeut

Ky fragment është botuar në veprën e Lasgush Poradecit, Vep III “Shqipja, ditar, korespondence”, ndërsa e ka shpërndarë ne Facebook vajza e Lasgush Poradecit, Marie Poradeci, shkruan KultPlus.

Më 1937, me rastin e Kremtimeve të 25-vjetorit të pavarësisë, ishte bërë (në shkollën e vizatimit) ekspozita e skulpturës dhe e dokumentave të Rilindjes. Vinin shqiptarë dhe të huaj për t’a vizituar. Komisioni pregatitës i kremtimeve (në të cilin bënja pjesë edhe unë) kishte ftuar dhe albanologun e famshëm, profesor Norbert Jokl-in. Një ditë shpinim (me Eqerem Çabej-në) profesor Jokl-in në shkollën e vizatimit, për t’a udhëhequr Joklin nëpër ekspozitë. Shkolla ishte me dy kate. Në parter ishin ekspozuar skulpturat e konkursit ndërkombëtar (për skulpturën e Gjergj Kastriotit), në katin e dytë dokumentat e Lirisë shqiptare (libra, gazeta, fotografira robe, dokumenta). Sapo hymë ne të tre (Jokl-i, Çabej dhe unë) në sallën e hyrjes së shkollës dhe ishim dyke u ngjitur në katin e dytë (sepse dokumentat i interesonin Jokl-it), mua më ndalë vajzat e Institutit “Nëna Mbretëreshë” të Tiranës. Profesor Jonus Blakçori kishte sjellë në ekspozitë klasën e VII dhe të VIII të nxënëseve të Institutit, me gjith kujdestaren zonjushën Ella Dishnica. Kur hyra unë në sallën e hyrjes, ato ishin në një sallon majtas, disa prej tyre më panë dhe më njojtnë dhe përnjëheresh u vërsulë drejt meje bashkë me shumë shoqe të tyre. Më panë sepse dyert e salloneve të parterit ishin të hapura. Disa thirrë; “Lasgushi!”, të tjerat vazhduan: “Lasgush! Lasgush!” Dhe gjith dyke thirrur u vërsulë në atë sekondë drejt nesh (Jokl, Çabej, dhe unë) më rrethuan mua me një kuxim shumë të math. Pa dashur u ndava prej Jokl-it dhe Çabeut, dhe i thashë Jokl-it të më ndjejë, Eqrem Çabeu do t’a udhëheqë më mirë se unë, sepse unë – ja se ku gjindem “in dieser peinlichen Lage”** me vashat, siç i thashë gjermanisht (Jokli fliste dhe shqip, po ne flisnim gjithnjë gjermanisht. Kur u prit prej mbretit Zog I në pallat bashkë me filoshiptarët dhe shkencëtarët e shqipes të huaj të tjerë, Jokl-i na tha që foli me Zogun shqip, kurse ata të tjerët flisnin në gjuhë të huaj). Vajzat pra si më ndanë ashtu prej Jokl-it, m’u lutnë me përkëdhelje dhe këmbëngulje t’i-u shpjegoj bustet dhe shtatoret e Gjergj Kastriotit të ekspozuara prej artistëve të huaj, hymë prapë në sallonin prej ku kishin rendur dhe zumë të fjalosemi mi art e poezi. Skulpturat e huaja i-a-u shpjegova në kuptim të keq për artistët e huaj, sepse ata nuk e kishin interpretuar Gjergj Kastriotin në kuptimin shqiptar, në frymën e një Luftëtari shqiptar zotëronjës, dyke shprehur traditën e rrallë shqiptare rreth Gjergj Kastriotit, d.m.th. dyke i dhënë madhësinë dhe madhështinë që e karakterizon. Artistët e huaj vërtetonin me veprat e tyre se nuk e njihnin ndjenjën shqiptare dhe as natyrën e fatosit që përfytyronin. Në vënd që Gjergj Kastrioti të kishte pamjen e një Fatosi zotëronjës të Fatit të atdheut të vet dhe zotërimtar të rezikut armik, ishte, nër të gjithë (dyke përjashtuar një ballkanik) një tip indiferent (siç ishte indiferent shpirti i artistit të huaj ndaj trimërive, fitimeve, vojtjeve dhe shpresave shqiptare). Kjo mizerje interpretimi dukej jo vetëm në atitudën e përgjithëshme por dhe në gjestet, në shprehjet, në veshjet por dhe në çdo element tjetër interpretimi. Njëri e kish bërë Gjergj Kastriotin si një mumí egjyptiane (të ngurosur), tjetri si një qiri të drejtë (me rasë priftërije), tjetri si një dervish (me gojë të hapur dhe mustaqe rodhe-rodhe), tjetri si një lodërtar (si karagjos me syçka të vogla dhe qesharake), tjetri si një evgjit (me një qeleshe konike dhe mikroskopike mi kokë dhe një trastë të varrur me spango në anën e mëngjër të trupit), dhe kështu të gjithë skulptorët e huaj kishin bërë një karikaturë në vënd të një heroj dhe të një sundonjësi të fatit të një Kombi kundrejt më të madhit armik rezikonjës të botës së asaj kohe. Ay artisti balkanik e kishte interpretuar shumë mirë gjestin e një kreshniku (Gjergj Kastrioti më kalë dyke i rënë me shpatë armikut përposh), po ky gjest, me gjith që absolutisht pa të sharë si gjest, ishte interpretimi i forcës fizike individuale të një njeriu të zoti në shpatë dhe në luftë, po nuk ishte interpretimi i fuqisë shpirtërore të një populli të tërë të përfaqësuar në mprojtësin vigan të fatit të vet (Gjergj Kastriotin). Interpretimi duhej të shprente fuqinë e gjith një Kombi, potencialin e rezistencës kolektive (të përmbledhur në një individ), po jo forcën edhe zotësinë e një individi (pa lidhje me popullin shprehje historike e të cilit është një individ, siç është rasti me Gjergj Kastriotin). Që ky artist – shumë i zoti si artist – paraqitte një individ shpatar dhe jo një personalitet përfaqësimtar të një Kombi të tërë, dukej dhe prej mustaqeve të Gjergj Kastriotit, të cilat as nuk i kishte studjuar ç’trajtë kishin patur (prej pikturave ekzistonjëse): ay mustaqet i-a kishte bërë Gjergj Kastriotit si presh, me qime të drejta dhe të forta, dhe përveç kësaj të prera (të gjitha qimet) përmi buzën e sipërme, dyke lënë që të duket gjithë buza e sipërme, e cila nga shkaku i mustaqeve kësisoj të prera, dukej si buzë arapi – jipte dhe përshtypjen se ish buzë e trashe po dhe e zezë. Nuk e shaj këtë artist – një artist, si artist, me tërë kuptimin e fjalës po ay kish një të metë koncepsioni në interpretimin e Gjergj Kastriotit: ay kishte punuar nga ideja e paraqitjes së fortë të një fatosi individual, dhe jo nga ajo e simbolizimit të vullnetit heroik të një populli përmjet Fatosit të vet kombëtar: (kishte sakrifikuar kombësinë për hir të individit). Përgjithërisht interpretimet e huaja mi Gjergj Kastriotin ishin të dobëta – sepse një i huaj është shumë vështirë të interpretojë shpirtin e një kombi tjetër. Kjo ishte ideja ime në gjirin e Komisonit, kur u mblodh Komisioni për të shpallur një konkurs për bërjen e një shtatoreje të Gjergj Kastriotit. Unë thesha t’a shpallin konkursin midis artistëve shqiptarë, me një anë për prestigjin kombëtar dyke patur më mes të sheshit të Tiranës një shtatore të bërë prej një artisti shqiptar, dhe më tjetër anë se vetëm një shqiptar mund t’a interpretonte Fatosin Kombëtar brënda frymës kombëtare shqiptare. Unë desha kështu, po shumica deshin konkurs të huajsh – dhe kësisoj artistët e huaj e qesharakëzuan Gjergj Kastriotin me shëmtitë artistike dhe psikollogjike, që kishin sjellë në Ekspozitë. Në këtë kuptim, me këtë koncepcion i-a-u shpjegova vashave të Institutit ekspozitën nëpër të trija sallonet e parterit. Pastaj vajtmë prapë në sallonin e parë, që ku kishin rendur drejt meje kur më shkëputnë prej Jokl-it. Aty qëndrova i rrethuar prej shumë vajzave, midis të cilave ishin disa që bënin vjersha. Sepse më thanë disa vasha të tjera që “kjo, e kjo, e kjo, bëjnë vjersha”. Një nër to ish dhe Nafije Mema*…1)
** = in dieser peinlichen Lage” = Në këtë gjendje të dhimbshme.
* = Nafije Mema = Gruaja e Lasgushit
Lasgush Poradeci
1) Ky fragment është botuar: Lasgush Poradeci, Vep III “Shqipja, ditar, korespondence”. / KultPlus.com

Përmes kampanjës #LexoKudo po synohet promovimi i leximit në hapësira publike

Organizata joqeveritare ETEA, ka realizuar kampanjën #LexoKudo. Qëllimi i kësaj kampanje është promovimi i leximit në hapësira publike dhe gjatë kohës së pritjes, njëkohësisht promovimi i rëndësisë së leximit përmes mesazheve motivuese nga lexuesit pjesëmarrës në këtë kampanjë, shkruan KultPlus.

Poashtu ETEA është duke punuar edhe me video promovuese për kampanjën #lexokudo, në bashkëpunim me regjisorin Ardi Mejzini dhe skenaristin Florent Kurtalani.

“Shpeshherë njerëzit irritohen gjatë kohës sa presin në vende të ndryshme, e ne mendojmë që mënyra më e mirë është që kjo kohë të kalohet duke lexuar, pa marrë parasysh se ku ndodhesh”, shprehen organizatorët.

Përmes kësaj kampanje, ju bëhet thirrje lexuesve që të dërgojnë fotografi duke lexuar në hapësira publike, në mënyrë që t’i motivojnë edhe të tjerët, jo vetëm për të lexuar libra, po që të lexojnë kudo që ndodhen.

Përmes aktiviteteve të organizuara, ETEA synon edukimin publik nëpërmjet kultivimit të kulturës së leximit tek të rinjtë dhe përmirësimit të gjendjes së arsimit në Kosovë. / KultPlus.com

Në Prishtinë mbahet festivali poetiko-letrar me krijues nga diaspora

Mbështetur nga Ministria e Diasporës, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me moton “Ti je pjesë e atdheut”, u mbajt festivali poetiko-letrar “Promenadë mërgimtare 2017”.

Ky aktivitet po organizohet në kuadër të takimeve tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora, bëhet e ditur përmes një komunikate për media. Festivalin e poezisë e hapi shkrimtari Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i cili, ndër të tjera tha se niveli i kulturës së një kombi matet me dy komponentë: e para konsumimi, leximi i krijimeve letrare artistike dhe promovimi i vlerave artistike.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, i pranishëm në këtë ngjarje kulturore,tha se ky aktivitet është vazhdimësi e përpjekjeve për ta mbajtur gjallë frymën, atdhedashurinë dhe letërsinë shqipe edhe në mërgatë.

“Përmes aktivitetit artistik letrar, ju ndihmoni në mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, promovimin e identitetit tonë kombëtar, shpërfaqjen e vlerave tona edhe në raport me vendet ku jetoni”, theksoi Murati.

Ndër veprat e shumta që sot u promovuan ishin edhe: “Në ëndrra digjet nata”, e autorit Hasan Qyqalla, “Kthimi”, i autores Majlinda Nana-Rama etj. Po ashtu, u promovua edhe revista “Mirdita”, e shoqërisë kulturore-artistike “Mirdita”.

Festivali poetiko-letrar “Promenadë mërgimtare 2017” do të vazhdojë me orën letrare, e cila do të ketë karakter garues. / KultPlus.com

‘Loyalty’ nga Kendrick Lamar e Rihanna me videoklip të jashtëzakonshëm (VIDEO)

Pas këngëve “Element”, “DNA” dhe “Humble”, reperi i mirënjohur amerikan, Kendrick Lamar ka publikuar edhe një këngë me videoklip nga albumi i tij “Damn”.

“Loyalty” është kënga e tij e re në bashkëpunim me Rihannan.
Complex shkruan se me regji të Dave Meyersit dhe Little Homies kanë ardhur në jetë idetë gjeniale për “Loyalty”.

Lamar tani është duke kryer me shumë sukses turneun “Damn Tour” në Amerikë, në të cilën befason publikun edhe me yje të tjerë të muzikës. / KultPlus.com

Jam ilaç qetësues

Poezi nga Wislawa Szymborska, fituese e çmimit “Nobel”. Me gjithë popullaritetin e saj, Szymborska u largua nga sytë e publikut, u shpreh për “Gardian”-in në vitin 2000: “ka thjesht shumë vëmendje rreth meje”.

Jam ilaç qetësues.
Veproj në shtëpi,
funksionoj në zyrë,
përballoj provime,
prezantohem në procese gjyqësore,
ngjis me kujdes filxhanët e thyer.
Duhet vetëm të më pishë,
të më shkrish poshtë gjuhës,
pastaj të më dërgosh poshtë
me një gllënjkë ujë.

Di si të sillem me trishtimin,
si përballohet një lajm i keq,
tkurr padrejtësitë,
zbardh mosegzistencën e Zotit,
di të zgjedh një kapele të bukur për varrim.
Çfarë pret?
Ki besim te mëshira kimike!

Je burrë (apo grua) akoma i ri?
Duhet të sistemohesh në një farë mënyre?
Kush ka thënë se jeta përballohet me kurajë?

Dorëzomë thellësitë e tua.
Do t’i ngjesh me gjumë.
Ke për të më falënderuar,
kur të biesh në këmbë pas rrëzimit.

Shitma shpirtin.
Blerës tjetër nuk do të gjesh.

Një djall tjetër nuk egziston.

Skënderbeu në Hungari, më shumë si hungarez apo serb (FOTO)

Dekani i Universitetit të Arteve, Ardian Isufi përmes një postimi në profilin e tij në ‘Facebook’ ka reaguar në lidhje me bustin e Skënderbeut që do të vendoset në Hungari.
Ai shprehet i shqetësuar, pasi sipas tij, skulptori ka bërë një Skënderbe serb, bullgar apo hungarez, por kurrsesi shqiptar.

“…Do i beja me dije ketyre injoranteve me portofol nga Ministria e Jashtme qe t’pakten ti sygjeronin Arkivat e Vatikanit ketij skulptorit hungarez per te analizuar fizionomine e Skenderbeut sepse aty ka me dhjetra gravura ku mund te interpretohej figura e Skenederbeut si Prinjes dhe Diplomat i Shqiptareve!”, -shkruan ai.

Postimi i tij në Facebook

UAUUUUU:(

…nuk kam pare ndonjehere Skenderbe me “impresionues ambig” por jo Shqiptar… padyshim, mund te jete Hungarez, Bullgar apo Serb, por kurresesi Shqiptar!… fundi i fundit, sipas shprehjes se urte popullore edhe kjo “menxyre artistike dhe historike nuk do zgjase me shume se tre dite” dhe do ta ngulin aty ku e kane paravendosur duke vazhduar te shtremberojne ne menyre konstante historine dhe kulturen tone, por ajo cfar me vjen keq eshte se pale ne kete rast behet edhe injoranca jone institucionale e zyrtareve tane “par excellence” qe i kemi derguar me taksat tona per te promovuar Shqiperine dhe po e “Ç’meritojne” me sukses te papare Shqiperine ne arenen nderkombetare!

…Do i beja me dije ketyre injoranteve me portofol nga Ministria e Jashtme qe t’pakten ti sygjeronin Arkivat e Vatikanit ketij skulptorit hungarez per te analizuar fizionomine e Skenderbeut sepse aty ka me dhjetra gravura ku mund te interpretohej figura e Skenederbeut si Prinjes dhe Diplomat i Shqiptareve!

UNESCO falënderon Eda Zarin për kontributin e saj në Ditën Ndërkombëtare të Jazz-it (FOTO)

Ambasadori i UNESCO-s për dialog ndërkulturor, Herbie Hancock, në emër të UNESCO-s, Institutit të Xhazit ‘Thelonius Monk’ dhe Ditës Ndërkombëtare të Xhazit, i ka dërguar artistes shqiptare Eda Zari një letër falënderimi për kontributin e saj në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Xhazit në vitin 2017.

‘Falë përpjekjeve në të cilat edhe ju keni marrë pjesë shënimi dhe festimi i kësaj dite me 30 prill ishte një sukses i jashtëzakonshëm’, thuhet në letrën e falënderimit.

Ambasadori i UNESCO-s për dialog ndërkulturor ka falënderuar artisten shqiptare Eda Zari edhe për kontributin e saj në mbështetje të edukimit dhe ngritjes së vetëdijes për bamirësi, qëllime këto të cilat që ky vit janë pjesë e programit të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Muzikës Xhaz.

‘Ne do të vazhdojmë të inkurajojmë partnerë si ju për të përdorur Ditën e Xhazit për të promovuar aktivitete bamirëse dhe të bazuara në shërbime që ndihmojnë të bëjnë një ndryshim pozitiv në botë. Është me të vërtetë e përshtatshme që muzika e xhazit, veçanërisht më 30 prill, duhet të përdoret si një mjet për të bashkuar dhe fuqizuar të prekurit në shoqërinë tonë’, ka shkruar Herbie Hancock.

Artistja ftohet sërish të marrë pjesë në organizimin e kësaj dite, vitin 2018.
‘Dita Ndërkombëtare e Xhazit, nuk mund të ndodhte pa partnerë si ju. Ne ju kemi borxh për mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe presim me kënaqësi të punojmë sërish me ju edhe vitin tjetër, thuhet krejt në fund të letrës falënderuese drejtuar artistes shqiptare të muzikës xhaz, Eda Zari.

Në nëntor të vitit 2011, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO zyrtarisht caktoi 30 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Xhazit, për të promovuar muzikën xhaz dhe rolin diplomatik që ka në bashkimin të njerëzve në të gjitha anët e globit.

Dita Ndërkombëtare e Xhazit, udhëhiqet nga Irina Bokova, Drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s.

Dita Ndërkombëtare e Xhazit bashkon, shkollat, artistët, historianët, akademikët dhe të gjithë atë që pëlqejnë muzikën xhaz, në të gjithë botën për të festuar dhe mësuar rreth xhazit dhe ndikimit të kësaj muzike.
Aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Xhazit organizohen në 190 shtetet anëtare të UNESCO-s. / KultPlus.com

‘Ditët e Shenjtës Nënë Tereza’ fillojnë me 26 gusht

Sivjet mbushen plotë 10 vjet qëkur kanë filluar punimet e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

Këtë vit, Ipeshkvia e Kosovës, synon të përfundojë punimet e parapara, me qëllim që në njëvjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës të shugurohet Katedralja kushturar bijës sonë më të ndritur, që do të jetë më 5 shtator 2017.

Me moton e Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit, VJET NË ROMË – SIVJET NË PRISHTINË”, Fondacioni “DRITA” dhe Famullitari i Katedrales janë pajtuar që të fillojnë Aksionin “Miqtë e Katedrales për Katedralen” për të regjistruar miqtë e Katedrales, me qëllim që të ketë përfshirje më të gjërë në përfundimin e saj dhe për të krijuar miqësi shën-tereziane në Vendin tonë, e cila do të vazhdojë edhe pasi të kenë përfunduar punimet. Kjo nismë vjen edhe pas kërkesave të njerëzve vullnetmirë gjithandej trojeve shqiptare, që edhe ata të mund të jenë pjesë e ndërtimit të Katedrales, që është “Përmendorja e Përmendoreve” kushtuar Nënë Terezës.

Katedralja Nënë Tereza, qysh para se të fillojë të ndërtohet ka krijuar miq e simpatizantë. Miqtë e parë ishin ata që e mbështetën idenë dhe vullnetin e Imzot Mark Sopit, Presidentit Ibrahim Rugovës, Don Shan Zefit e shumë e shumë të tjerëve, që e kanë dëshiruar një Katedrale në Kryeqytetin tonë, kushtuar bijës së popullit tonë Nënë Terezës, sikur i gjejmë në qytetet evropiane.

Tani, në fazën finale të ndërtimit, Katedralja dhe udhëheqësit e saj, dëshirojnë ta shtrijnë rrjetin e miqve me qëllim të krijimit të miqësisë tereziane në Vendin tonë, e cila do të jetë e vazhdueshme edhe pasi të kryen punët e ndërtimit. Kjo lidhje miqësie do të bashkëpunojë në vazhdimësi për të krijuar një kulturë tereziane, e cila do të kontribuojë për një të ardhme më të mirë të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim. Udhëheqësit e Katedrales dëshirojnë të krijojnë mundësinë e vazhdueshme, që sa herë që do të shihet e nevojshme të ndërhyhet për veprat e mëdha të dashurisë për njeriun, shoqërinë dhe popullin tonë, të mund t’iu drejtohen miqve të vet për bashkëpunim dhe përkrahje.

Me këtë qëllim, çdo 26 gusht, që është ditëlindja e Gonxhes sonë dhe Dita e Bekimit të Gurthemelit të Katedrales, do të ftohen miqtë për të festuar së bashku dhe për të filluar aktivitetet e përvjetshme për nder të Nënë Terezës – “Ditët e Shenjtës Nënë Tereza” – që do të zgjasin deri me 5 shtator, në festën liturgjike të saj.

Bledar Kola: Ruajtja e identitetit është arsyeja pse ne jemi renditur në mesin e 10 restauranteve më të mira në Evropë

Fotografitë: Ilir Rizaj

“Hollywood World Magazine” para disa ditëve ka bërë përzgjedhjen e dhjetë restoranteve më të mira për momentin në Evropë. Kjo renditje është bërë në bazë të restoranteve më të vizituara, cilësisë, mikpritjes e shumëllojshmërisë së kuzhinës. Në këtë listë ndodhen restorantet në Paris, Londër, Berlin, Athinë, por nuk mungojnë edhe në Prishtinë e Tiranë. Në vendin e tretë është renditur restauranti “Mullixhiu” në Tiranë, vend ky ku ju pret kuzhinieri i talentuar shqiptar, Bledar Kola. Ky restorant i cili është hapur në mars të vitit 2016, është njëri ndër më të mirët në vend, duke ofruar ushqim shumë të mirë. Bledar Kola, kryekuzhinieri i talentuar i restaurantit ‘Mullinxhiu’ ka shpalosur në një intervistë për KultPlus shumë gjëra rreth restaurantit të tij dhe veçantisë së gatimit. Ai ka folur rreth rëndësisë së ushqimit tradicional i cili sipas tij ka filluar të pakohet, sepse në trend ka hyrë kuzhina evropian. Ky restaurant është një koncept unik që integron mullinj të vërtetë, enët novatore që riinterpretojnë kuzhinën shqiptare me dashuri dhe respekt të madh.

Restauranti i juaj është renditur në mesin e dhjetë restauranteve më të mira në Evropë, çfarë ndjesie ju sjellë ky vlerësim?
Bledar Kola: Renditja në atë listë, për ne si Mullixhi është një përgjegjësi shumë e madhe dhe ne duhet të punojmë më shumë seç kemi punuar dhe të perfeksionohemi në çdo lloj forme për të arritur pritshmërinë e miqve tanë.

Emri i restaurantit që e udhëhiqni, është “Mullinxhiu”, na përshkruani fillimisht emërtimin e këtij restauranti?Bledar Kola: Mullixhiu është një rest i vogël i cila ka 10 tavolina, kemi 3 mullinj guri me korent ku bluajmë 5 lloje drithërash si elb, grurë, tërshërë, thekër dhe misër dhe me këto miellra bëjmë bukën, domethënë një pjesë e vogël e hapësirës është dyqan ku shërbejmë prodhimet e bukëve dhe lakrorëve.

Edhe interieri i këtij restauranti qëndron shumë afër emërtimit, sa të përmbushë krejt kjo ndërlidhje, duke pas parasysh se ky restaurant nuk gjendet në ndonjë vend më të thellë të Shqipërisë, por pikërisht në mes të Tiranës?
Bledar Kola: Traditat tona janë një vlerë e cila duhet vënë në qendër të vëmendjes dhe ruajtur me dinjitetin më të madh dhe prandaj e kemi vendosur Mullixhiun pikërisht tek zona më e pasur e Tiranës. Dashuria thonë se vjen nga stomaku, kjo është e vetmja mënyrë për të rregulluar imazhin e Shqipërisë në rangun ndërkombëtar dhe për të fituar dashurinë për këtë vend kaq të bukur dhe me vlera. Kartëvizita që kemi formuar në rangun ndërkombëtar është mikpritja.

Dhe çfarë nga ushqimi tradicional ofrohet në këtë restaurant?
Bledar Kola: Tek ‘Mullixhiu’ shërbejmë një kuzhinë tradicionale të azhurnuar le të themi, duke sjellë receta të vjetra në kohë me produkte të stinës dhe lokale. Duke filluar nga brumërat deri tek mishi, rosnicat, petkat, dromsat, mishi i kecit e shumëçka tjetër.

Po ndonjë ushqim që karakterizon punën e juaj, dhe që nuk mund të shijohet në ndonjë lokal tjetër?
Bledar Kola: Ne kemi një karakter në përgatitjen e gjërave dhe tre mullinjtë na bëjnë unik, por nuk mund të themi që nuk munden t’i gjeni në ndonjë restaurant tjetër.

Në mesin e dhjetë restauranteve më të mira në Evropë, është përfshirë edhe një restaurant i Prishtinës, e keni vizituar ndonjëherë?
Bledar Kola: Fatkeqësisht nuk kam qenë por e kam në plan për ta vizituar dhe ju uroj edhe atyre shumë suksese dhe përgëzime për këtë arritje.

Po dallimet në mes restauranteve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, në çfarë pika i vlerësoni?
Bledar Kola: Akoma nuk jam në gjendje të bëjë vlerësim ngaqë nuk i kam vizituar ato në Kosovë. Jam i sigurt që restaurantet atje po bëjnë një punë të përkryer. Kosovarët janë një popull shumë punëtorë dhe kur i futen punës i shkojnë vertikalisht e jo horizontalisht.

Kur jemi te ushqimet, mendoni se jemi një popull që jemi të pasur me menu tradicionale, nëse po, çfarë do të veçoje?
Bledar Kola: Ne jemi një popull që kemi shumë vlera, ca të huazuara ca të inspiruar dhe shumë shumë të tjera të konservuara. Flija është një që më vjen në mend tani që është një teknik shumë e veçantë dhe shumë e vjetër.

Mendoni se ushqimi tradicional nëpër restaurantet shqiptare është duke e humbë kuptimin, duke iu lënë vend kuzhinës evropiane?
Bledar Kola: Për fat të keq po dhe kjo është arsyeja pse njerëzit duhet të marrin një shembull nga ‘Mullixhiu’ dhe ‘Mrizi Zanave’ në Fishtë të Lezhës. Vlerat e një vendi tregohen nga ushqimi dhe nëse ne i humbim këto jemi drejt globalizmit dhe zhdukjes së identitetit dhe kjo është arsyeja pse ne jemi tek kjo listë sepse jemi krenar për vlerat tona dhe u japim vëmendjen e duhur.

Dhe për fund, ju sapo keni marrë një shtytje nga kjo renditje, ku padyshim që do të reflektojë në investim të mëtutjeshëm në biznesin e juaj, a ka diçka më konkrete që do të mund të ndaje me lexuesin?
Bledar Kola: Ne jemi restaurant motër i ‘Mrizit të Zanave’ në Fishtë, ata e kanë dhënë shembullin më të mirë të mundshëm të një restauranti në zhvillim por gjithmonë edhe në përmirësim. Kështu që e kemi një model për të ndjekur. / KultPlus.com

Dy artistë përfaqësojnë Kosovën në ekspozitën ‘Lojërat e Frankofonisë’

Në Muzeu nacional në Abixhan – Bregu i Fildishtë, sot do të hapet ekspozita e artistëve pjesëmarrës në Lojërat e Frankofonisë, përcjellë KultPlus.

Pjesëmarrja në këtë ekspozitë është e nivelit garues, kurse Republika e Kosovës, në këtë ekspozitë, përfaqësohet në dy kategori , në kategorinë e pikturës nga artistja Jeta Kalaveshi, dhe artisti Armend Nimani në kategorinë e fotografisë.

Në garën për pikturë janë seleksionuar 20 artistë, ndërsa në garën për fotografi janë seleksionuar 30 artistë.

Organizimi i të gjitha procedurave të përfaqësimit të Republikës së Kosovës në këtë ngjarje kulturore dhe sportive, është bërë nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Hapet klasa e gjuhës shqipe në Priazovski të Ukrainës

Në Priazovski të Ukrainës është hapur një klasë në gjuhën shqipe, pasi që aty jeton një pjesë e komunitetit shqiptar.

Ambasadorja e Shqipërisë në Ukrainë, Shpresa Kureta ka marrë pjesë në përurimin e kësaj klase duke iu dhuruar nxënësve libra për mësimin e gjuhës shqipe.

Për hapjen e kësaj klase ka shkruar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në rrjetin social Twitter. / KultPlus.com

Aktori Tom Hanks në nëntor sjellë librin e tij të parë

Fituesi i çmimit ‘Oscar’ Tom Hanks, së shpejti do të botojë librin e tij të parë i cili përmban disa tregime të shkurtra, përcjellë KultPlus.

‘Uncommon Type’, titullohet libri i shkruar nga aktori dhe filmbërsi i njohur amerikan, Tom Hanks. Libri, do të promovohet në vjeshtën e këtij viti, në ‘London Literature Festival’, shkruan ‘The Independent’, përcjellë KultPlus.

‘Unë jam i kënaqur të prezantoj koleksionin tim të parë të tregimeve të shkurtra në Festivalin e Letërsisë në Londër. Është një privilegj i madh për mua, të jem pjesë e një festivali që përmban kaq shumë madhështi letrare të gjalla dhe është kënaqësi të jem në Londër, një qytet ku unë gjej frymëzim në historinë e tij të pasur të tregimeve’, ka thënë Tom Hanks.

Festivali i Letërsisë në Londër, fillon më datë 13 tetor dhe zgjatë deri më 1 nëntor. Në këtë edicion të festivalit do të shfaqen një numër i madh autorësh si: Tracy Chevalier, Claudia Rankine, Philip Pullman dhe David Mitchell, ndërsa Tom Hanks do të shfaqet me librin e tij në ditën e fundit të festivalit, më 1 nëntor.

‘The Independent’ poashtu raportoi se libri i Tom Hanks, përfshinë tregime të cilat sjellin disa histori të njerëzve të ndryshëm. Një nga tregimet flet për një burrë, i cili ikë nga lufta civile dhe imigron në New York, një tjetër flet për një grua e cila mundohet të përshtatet me jetën pas divorcit. Në librin e Tom Hanks, gjejmë një tregim edhe për jetën e një aktori, një tjetër për jetën e një milioneri i cili lidhet me asistenten e tij etj. /KultPlus.com

Bebe Rexha dhe Dua Lipa mirëpriten nga fansat në Rusi (FOTO/VIDEO)

Këngëtaret shqiptare, tashmë me famë botërore, Bebe Rexha dhe Dua Lipa, kanë udhëtuar për në Moskë ku do të marrin pjesë në një ndër festivalet më moderne të muzikës,‘Evropa Plus’. Ato janë pritur jashtëzakonisht mirë nga fansat atje, shkruan KultPlus.

Bebe, është shprehur shumë e lumtur për udhëtimin e saj në kryeqytetin Rus edhe më e lumtur për pritjen që i kanë bërë fansat e saj, të njohur si ‘rexhars’.

Bebe Rexha, e cila është shumë aktive në rrjetet sociale, ka publikuar në profilin e saj në Instagram disa fotografi dhe video, që nga nisja e saj për në Moskë, deri te pritja që i kanë bërë fansat atje. Në video shihen një numër i madh i fansave, të cilët presin Beben, duke brohoritur emrin e saj, duke kënduar pjesë nga këngët e saj, dhe me mbishkrime si ‘We got u Bebe’, ata kanë shprehur dashurinë për këngëtaren shqiptare. Madje Bebe nga fansat e saj në rusi, ka marrë si dhuratë edhe një portret të sajin.

‘Rusia I love u’, ‘I love my rexhars’, ‘Back in Rusia’, ‘Evropa Plus for to days’, janë disa nga përshkimet e Bebes në postimet e saj në Instagram.

Në Moskë gjendet edhe Dua Lipa, ku do të performojë sonte në ‘Europa Plus’.

Edhe Dua, ka shfrytëzuar rrjetin social Instagram për të treguar pritjen që i është bërë nga fansat rus në Moskë. Ajo ka postuar një video ku shihet pritja që i është bërë në aeroport nga fansat, të cilët kanë brohoritur emrin e Duas. Dua shihet duke folur me fansat, duke bërë fotografi dhe duke u dhënë nënshkrimin e saj.

Dashuria ruse është këtu, duke treguar dashuri për mua. Ju faleminderit!’ ka shkruar Dua pranë videos.

Në Festivalin ‘Evropa Plus’ është paralajmëruar që do të marrin pjesë edhe dy këngëtare të tjera shqiptare, bëhet fjalë për Era Istrefin dhe Arilena Ara, por këto të dyja nuk kanë postuar ende asgjë, madje thuhet se Era Istrefi është kërcënuar nga Rusët dhe për shkaqe siguria ajo e ka anuluar pjesëmarrjen në këtë festival. Pritet të shihet nëse Arilena do të jetë prezente apo jo. /KultPlus.com

Russian loves really out here showing me love! Thank you! ❤️✨

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on