50 vite nga vdekja e Katarina Josipit, magjia e saj akoma ndjehet në skenën e TKK-së

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës u mbajt eveniment kulturor në  përkujtim të  aktores së  njohur shqiptare Katarina Josip, shkruan KultPlus.

Për të  kujtuar Katin, fillimisht në  skenë  zuri vend  kori “Nexhmije Pagarusha” ku kënduan një këngë të Nexhmije Pagarushës. Por aty nuk munguan edhe aktorët të cilët kishin interpretuar së bashku me Katarina Josipin. Selman Lokaj, Safete Rugova dhe Igballe Qena ishin mbledhur sot me të  vetmin qëllim, kujtimin e shoqes dhe koleges së  tyre Katit.

Aktorja Igballe Qena ishte ajo e cila foli fillimisht për Katin. Ajo tregoj se me të  ishte takuar në skenë dhe se nga loja e saj ajo ishte magjepsur. Po ashtu ajo shtoi se Kati është “bashkëfajtore” për rrugën e saj si aktore.

“Është vështirë të flas për të, por edhe ashtu ma lehtësojnë ato takimet tona shumë të shkurtra, fatkeqësisht ajo nuk kishte jetë të gjatë në kuptimin fizik, por ajo do të  jetojë gjatë  në kujtimet dhe shkrimet tona. Me Katin jam njoftuar shumë herët, shfaqjen e parë në jetën time që e kam shikuar është shfaqja “Borëbardha”, ku luajtëm mes aktorëve të tjerë, Katarinën e kam njoftuar  në skenë dhe më ka magjepsë me lojën, figurën dhe interpretimin e saj, me atë zë magjik, dhe ajo është ‘bashkëfajtore’ për rrugëtimin tim artistik, aty më është zgjuar imagjinata dhe dëshira për skenën”, u shpreh aktorja Igballe Qena. 

Në  kujtim të Katarina Josipit, fjalën e mori dhe aktorja Safete Rugova ku tregoi për shoqërinë, jetën dhe personalitetit që kishte Kati. 

“Fama e aktores Katarina Josip, jeton me ne dhe me skenën. Emrat e mëdhenj lënë pas vetës vlerat dhe kujtesën, e quajtur me gjuhën e përkëdhelisë Kati, me aktrimin, me zërin dhe me shpirtin e saj e skaliti emrin e aktores së madhe kombëtare të Teatrit tonë që të kujtohet e të mos harrohet. Kati ishte mëshiruar me jetën e vetë në  skenë, e donte e afronte dhe e fuqizonte atë me interpretimin e rolit në skenë, ishte një kohë e shkurtër për mua e miqësimit por ishin dy gjëra shumë të çmueshme e të rëndësishme që mua më zgjonin mendjen, e ato ishin qartësia në të folur dhe fuqia e interpretimit. Me 1969 u shua një meteor dhe u shua një shpirt i trazuar”, tregoi aktorja Safete Rugova. 

Në këtë eveniment kulturor u bë edhe prezantimi i dy poezive të shkurtra për Katarinën të shoqëruar me flautistin Shaqir Hoti, të cilat poezi ishin të shkruara nga Safete Rugova dhe Sejdullah Martina.

Gjatë këtij tubimi përkujtimor u bë edhe promovimi i librit monografik, ku për këtë monografi fjalën e mori shkrimtari Pren Buzhala, që tregoi për jetën dhe veprën e Katit, ku autor i këtij libri ishte Frrok Kristaj.

Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptari i cili mbështeti këtë aktivitet, aktorëve që  kanë  luajtur me Katin, ju ka shpërndarë edhe disa plaketa me emrin e aktores Katarina Josip. /Frosina Byqmeti / KultPlus.com

“Prapa syve të kaltër”

Nga: Pete Townshend (kënga “Behind Blue Eyes”, albumi “Who’s Next” i vitit 1971 i grupit The Who)
Përktheu: Besnik Hamiti

Askush s’e di çfarë ndjenje është
Të jesh njeri i keq, njeri i pikëlluar
I fshehur prapa syve të kaltër

Askush s’e di çfarë ndjenje është
Të jesh i urryer, të kesh fatin
Vetëm të gënjesh

Por ëndërrat e mia nuk janë aq boshe
Siç është mbase ndërgjegjja ime
Kaloj orë të tëra krejt i vetëm
Dashuria ime është hakmarrja që s’lirohet kurrë

Askush s’e di çfarë ndjenje është
T’i kesh këto ndjenja që kam unë
E fajin ta lë ty

Askush s’e përpin zemërimin e vet
Siç bëj unë, dhembjen e mjerimin
S’e shfaq kurrë

Por ëndërrat e mia nuk janë aq boshe
Siç është mbase ndërgjegjja ime
Kaloj orë të tëra krejt i vetëm
Dashuria ime është hakmarrja që s’lirohet kurrë

Kur dora më mblidhet grusht, hapmani
Para se ta përdor e ta humb qetësinë
Kur buzëqesh, më jepni lajm të keq
Para se të qesh e të sillem si i marrë

E nëse përpij diçka mëkatare
Futmani gishtin thellë në fyt
E nëse ngjethem, ju lus të më jepni një plaf
Më mbani ngrohtë, lermëni të vesh pallton tuaj

Askush s’e di çfarë ndjenje është
Të jesh njeri i keq, njeri i pikëlluar
I fshehur prapa syve të kaltër. / KultPlus.com

Jonida Maliqi në Eurovision do të duket si mbretëreshë ilire

Këngëtarja Jonida Maliqi, ka zbuluar pak nga veshja që do ta ketë në natën kur do të ngjitet në skenën e Eurovisionit.

Në një intervistë për emsionin “N’Za”, Jonida ka zbuluar disa detaje nga përfaqësimi i saj në skenën e Eurovisionit, ku mes tjerash ka treguar se fustani i saj, i cili është punuar nga disenjatori Ardi Asllani, do të jetë me filigran ari dhe do të ketë elemente etnike ilire, transmeton Magazina.al

“Në fustan do të ketë filigran ari, ku do të përfaqësohet më së miri etnika shqiptare, iliriane, jo folklorike, e modernizuar, diçka unike, fustani do të jetë një vepër arti”, ka thënë Jonida.

Nga kjo lë të kuptohet se këngëtarja shqiptare në natën e 16 majit në skenën e Eurovisionit, do të duket si një mbretëreshë ilire.

Kujtojmë që kënga “Ktheju Tokës”, po vlerësohet nga publiku evropian duke u radhitur në maja të sondazheve si kënga më e mirë e këtij viti në Eurovision./Magazina.al/KultPlus.com

“Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, nesër shpaloset në Kongresin amerikan

Ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” e cila në muajin shkurt zuri vend në hollin e Kuvendit të Kosovës, tashmë ka udhëtuar për në Washington, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e realizuar me foto të fotografit Atdhe Mulla dhe kuruar nga Eliza Hoxha, ndërtohet në baza të një hulumtimi të thukët, historive gojore dhe fotografive të realizuara me familjarë të personave të pagjetur. 

Ekspozita ka në fokus 1653 persona të cilët akoma figurojnë të pagjetur në Kosovë që nga lufta e fundit.

Ekspozita do të hapet nesër, më datë 30 prill, në Kongresin amerikan, si dhe më datë 1 maj në National Press Club.

Ekspozita organizohet nga Integra në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur, me Kuvendin e Kosovës, Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe Fondacionin “Rockefeller Brothers”./KultPlus.com

Revista amerikane: Shqiptarja Eva Belishova, piktorja e vitit

“Destig 5”, revista e njohur amerikane e ka shpallur piktoren shqiptare, Eva Belishova “Top Artist“ për vitin 2019. Tepër e njohur në shtetin e Kalifornisë, Belishova ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe disa nga pikturat e saj janë pjesë e një interviste të gjatë në “Destig 5”, transmeton Koha jonë.

Kur ishte vetëm 10 vjeç, babain e saj, një ndër mjekët më të mirë të vendit, e arrestuan. “Kështu që, në moshën më të re kuptova se ç’do të thotë të jetosh nën një regjim diktatorial dhe mësova sesi t’u bëj ballë poshtërimeve, gënjeshtrave dhe korrupsionit të një shteti të degraduar”, shprehet ajo për revistën. E larguar që në vitin ’90 nga Shqipëria, tashmë ajo ka 18 vite që pikturon, duke i dhënë mençurinë për të kuptuar se artisti kurrë nuk pushon së mësuari.

Kur ishte vetëm 10 vjeç, babain e saj, një ndër mjekët më të mirë të vendit, e arrestuan. “Kështu që, në moshën më të re kuptova se ç’do të thotë të jetosh nën një regjim diktatorial dhe mësova sesi t’u bëj ballë poshtërimeve, gënjeshtrave dhe korrupsionit të një shteti të degraduar”, shprehet ajo për revistën. E larguar që në vitin ’90 nga Shqipëria, tashmë ajo ka 18 vite që pikturon, duke i dhënë mençurinë për të kuptuar se artisti kurrë nuk pushon së mësuari.

Krijimtaria e saj është kësisoj shpirtërorja. E pyetur të tregojë për veprën e saj, artistja shprehet se pjesa më e madhe shumështresore e ngjyrave shtrihen në telajo, ku ngadhënjimi i fushave koloristike shkrihet me imazhet krejt të papajtueshme. Me të gjitha forcat, ajo beson se jeta e saj mbetet një telajo e papërfunduar. Pikturat e saj prezantojnë ndershmëri, përulësi dhe përkujdesje ndaj sojit njerëzor, për të cilin, artistja shprehet se ka një dashuri të dhimbshme. Ajo e përfundon intervistën duke u shprehur se beson me gjithë shpirt, se arti është firma e vetme autentike e qenies njerëzore. / KultPlus.com

Samiti i Berlinit, shpërfaqje e çoroditjes sonë

Nga Nezir Kraki

Fatkeqësisht, sot në Berlin shqiptarët përfaqësohen nga ajka e injorancës dhe e banditizmit në politikë. Thaqi dhe Rama janë në anën e strategjisë serbe për shpërfytyrimin e jashtëm të Kosovës dhe invalidimin e saj të brendshëm, derisa argatët e tyre janë aty veç për foto, për bartje të çantave dhe për komplimente të stilit “bravo shef, shumë mirë ke folë”.

Nga paria jonë e gërditshme në Berlin duhet të veçohet kryeministri i Kosovës i cili, edhe pse me një dreq e gjysë gabime n’Prishtinë, vazhdon t’i rezistojë dyshes Thaqi-Rama dhe ta pengojë me aq sa mundet pazarin e tyre me vëllain tashmë paqësor Vuçiq.

Berlini e di që pasagjerët e ‘AirPacolli’ nuk kanë as strategji as synim për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje në favor të popujve tanë. Berlini e Parisi e dinë mirë që Shqipëria nuk po bëhet nga politika-krim dhe bandat me kravata që orbitojnë rreth Edi Rames. Berlini e Parisi e dinë fort mirë poashtu që Thaqi ynë të vetmin hall e ka faktorizimin e tij personal dhe evitimin e qelisë.

Në këtë konfiguaracion, aleatët tanë janë në hall se si ta bindin Thaqin që Kosova është çështje e kryer dhe si ta bindin Ramen që të merret me sigurinë e Rinasit dhe të qëndrojë larg ideve megalo-erdoganiste të pushtetit me përjetësi.

Merreni me mend një sekondë se si duhet të ndihen Merkel dhe Macron kur ta konstatojnë sot se Thaqi, Rama e Vuçiqi janë në një vijë ndërsa R. Haradinaj në një vijë tjetër. Merkel dhe Macron tash duhet të ballafaqohen edhe me Mogherinin dhe funksionarët tjerë të sklerozuar të Brukselit të cilët kanë 20 vite që s’e kuptojnë Kosovën.

Fati ynë është se Gjermania e Franca e dinë shumë mirë kush janë këta pazarxhinj të kapur nga bandat dhe të prekur nga virusi i « figurës historike ».

Le të dihet e të thuhet se Kosova sot në Samitin e Berlinit ka më shumë armiq se miq dhe armiqtë më të fortë të saj janë shqiptarë. / KultPlus.com

Krijohet opera e parë bashkëkohore kosovare, bazohet në dramën ‘Gof’ të Anton Pashkut

Opera e parë bashkëkohore kosovare është gati për tu shpalosur para publikut të gjerë, shkruan KultPlus.

Kjo operë vjen e punuar nga kompozitori postmodern kosovar Liburn Jupolli dhe është e bazuar në dramën ‘Gof’ të shkrimtarit tonë modern, Anton Pashku.

Organizuar nga OJQ – “Rexho Mulliqi” në bashkëpunim me Festivalin Flute Sounds, përkrahur nga Culture for Change dhe Komuna e Prishtinës, Opera e parë bashkëkohore kosovare do të jetësohet në skenë më datë 15 maj, në Kino Armata duke filluar nga ora 20:00.

Ky projekt, në vazhdën e shumë projekteve të rëndësishme kulturore, që kanë ndodhur gjatë këtyre gati dy dekadave, në Kosovën e pas luftës, mund të themi se shënon një rast historik në kulturë, duke sjellur për herë të parë një operë bashkëkohore, tërësisht të paketuar më një kastë emrash nga arti dhe letërsia kosovare, në bashkëpunim edhe me artistë nga Shqipëria, në këtë rast me baritonin e njohur të operës dhe baletit në Tiranë Armando Likaj.

Për më tepër drama moderne GOF e Pashkut me personazhet e saj Lulashin, Lulanin dhe Luluan, pasqyron një realitet të hidhur politik i cili fatkeqësisht vazhdon të jetë aktual edhe në ditët e sotme. Opera “GOF” është një rrugëtim fizik dhe virtual i tri personazheve që paraqet gjendjen e vetëdijes njerëzore në rrethana të izolimit, ku shpërfaqen 3 forma te konceptimit te lirisë në shoqërinë bashkëkohore ne Kosovë. 
Njëri e gjen lirinë në “sëmundje”, i dyti duke i dalë në ndihmë vendit duke qëndruar brenda, kurse i treti e kërkon atë përmes ikjes nga vendi.

Personazhet: Lulani / Luan Durmishi – tenor, Lulua / Armando Likaj– bariton, Lulashi – këngëtar virtual në botën e filmit. Ansambli: Liburn Jupolli – synthesizer, efekte, elektronikë, okto, Erëmira Çitaku – flaut, okarinë. Lum Çitaku – Botë Filmi, Flutura Dedinja – kostumet, Ylber Cërvadiku – dizajni, Nik Rudari – fotografia e posterit.

/Fotografi e Liburn Jupollit e shfrytezuar për këtë artikull është realizuar nga Atdhe Mulla./ KultPlus.com

Chopin Piano Fest me një koncert madhështor me Filharmoninë e Kosovës, përmbylli edicionin e 10-të

Fotografitë: Arben Llapashtica

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës në bashkëpunim me dirigjentin dhe pianistin Stefan Vladar nga Austria dhe tenorin Josif Gjipali nga Shqipëria, mbajtën mbrëmë koncert në Prishtinë ku me këtë rast edhe u përmbyll edicioni i 10-të i festivalit Chopin Piano Fest, shkruan KultPlus.

Mbrëmë publiku kosovarë pati rastin të përjetojë një koncert të shkëlqyeshëm nga Filarmonia e Kosovës në bashkëpunim me  dy artistë të skenave botërore. Koncerti u mbajte në Sallën e Kuqe, tek Pallati i Rinisë në Prishtinë. Filarmonia e Kosovës në bashkëpunim me këta dy artistë të rangut botëror performuan  para një publiku i cili ishte i madh në numër.

Edhe publiku e priti shumë  mirë këtë performancë, kjo u kuptua nga duartrokitjet e tyre  të cilat nuk u ndalën për disa minuta. Gjatë mbrëmjes u  luajtën vepra që rrallë herë janë luajtur në skenat e Kosovës. Veprat të cilat u interpretuan ishin veprat e V. Beethoven , G. Puccini që u interpretua nga tenori shqiptar Josif Gjipali dhe veprat e P.I Tchaikovsky që u dirigjuan nga dirigjenti austriak  Stefan Valdar e që vlen të theksohet që Simfonin e Tchaikovskyt e ka dirigjuar përmendësh.

E tenori shqiptar Josif Gjipali tha që është i kënaqur me entuziazmin e publikut dhe pritjen që i është bërë. Ai po ashtu shtoi se nuk do të kishte besuar që në Prishtinë është organizuar një Festival i tillë po mos të kishte qenë vetë i pranishëm.

“Nëse sonte nuk do ta isha vetë në Prishtinë, nuk do ta besoja që ka pasur një organizim të tilla, andaj dua t’i përgëzoj  jashtëzakonisht shumë të dyja zonjat që janë marr me organizimin e Chopin Piano Fest. Ishte një kënaqësi, kam ngelur jashtëzakonisht i kënaqur nga korrektësia nga mikpritja e respekti. Niveli i orkestrës ishte shumë i mirë. Zgjodha materiale të një vështirësie të lartë për një koncert por ja ka vlejtur, pasi entuziazmi dhe mikpritja e publikut ishte vërtet e jashtëzakonshme”, tha Gjipali për KultPlus.

E shumë i kënaqur, si nga bashkëpunimi poashtu dhe përkrahja nga publikut u nda edhe pianisti dhe dirigjenti austriak, Stefan Valdar, i cila po ashtu tha që ata kanë bërë një punë shumë të mirë dhe se ai sonte ka dhënë  më të mirën nga vetja.

“Është hera e dytë për mua në Kosovë, unë kam qenë këtu vitin e kaluar. Mendoj që kemi bërë një punë të mirë, publiku është ndarë shumë i lumtur, ne kemi dhënë më të mirën nga vetja. Ishte përvojë e mirë edhe me muzikantët dhe jam shume i lumtur me rezultatin që kemi dhënë sonte”, u shpreh Valdar për KultPlus.

Drejtoresha e këtij festivali Lejla Hxhiu Pula tha që përkundër vështirësive që kanë pasur dhe punës së lodhshme si gjatë procesit të përgatitjes edhe gjatë festivalit, ajo është ndarë shumë e kënaqur me suksesin e festivalit. Ajo po ashtu shtoi se koncerti i mbrëmshëm  i ka dhënë ndjenjën si të ishte në ndonjë shtete të Evropës dhe jo në Prishtinë.

“Siç po shini 16 mbrëmje sivjet në edicioni e 10-të, ishte vërtet një punë shumë e madhe jo vetëm procesi i negocimit, bisedimet me artistët që i kemi planifikuar për ardhje por pastaj edhe realizimi i këtij festivali. Sonte kishim kënaqësinë të dëgjojmë një koncert të jashtëzakonshëm maestral, me një energji të tingujve. Orkestra e Filarmonisë së Kosovës ka tingëlluar si Filharmoni e ndonjë shteti të Evropës, mund të them se sonte jemi ndie si me qenë në Evrope e jo në Prishtine”, tha Lejla për KultPlus.

Ajo po ashtu shtoj që është shumë e kënaqur me bashkëpunimin e Filharmonisë së Kosovës, si dhe me tenorin shqiptar Josif Gjipali dhe pianistin dhe dirigjentin austriak, Stefan Valdar, e cila shtoi se është e mrekulluar me performancën e tyre.

“Sonte jemi shumë të kënaqur që edicioni i 10-të i festivalit ka mbaruar me sukses me një dirigjent i cili dirigjon në orkestrat më të mëdha në botë, dhe mund t’ju themi që jam mrekulluar me muzikimin e anëtarëve të Filharmonisë së Kosovës, ishte një mrekulli e vërtet. Jam shumë e lumtur që tenori Josif Gjipali ka pranuar të vij dhe ka kënduar vepra madhështore me zërin e tij të jashtëzakonshëm. Shpresojmë që do të mund ta zhvillojmë këtë festival edhe më tutje, jam falënderuese për çdo ndihmë që na është afruar dhe jam shumë mirënjohëse e atyre që na kanë nderuar me prezencën e tyre”, u shpreh krejt për fund Lejla Pula.

Me këtë koncert madhështor, Chopin Piano Fest Prishtina e përmbylli suksesshëm këtë edicion me plot 16-të koncerte duke zbritur në skenë emra të njohur botërorë e vendorë të cilët kanë mrekulluar me interpretimin e tyre publikun kosovar për plot 16 net. / Gzim Mujaj / KultPlus.com

Borges: Pse dashurojmë gjithnjë gabim



Nga Jorge Luis Borges

Nuk jam i sigurt nëse ekzistoj. Në të vërtetë, unë jam gjithë shkrimtarët që kam lexuar, gjithë njerëzit që kam njohur, gjithë gratë që kam dashur dhe gjithë qytetet që kam vizituar.
Unë nuk flas për hakmarrje, as për falje. Harresa është e vetmja hakmarrje dhe e vetmja falje. Nga tërë mjetet e shpikura prej njeriut, pa dyshim, më i mrekullueshmi është libri. Gjithë mjetet e tjerë janë shtojca të trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë shtojcë e të parit të tij; telefoni është shtojcë e zërit të tij; pastaj kemi parmendën dhe shpatën që janë shtojca të krahut.
Por libri është tjetër gjë: libri është një shtojcë e memories dhe e imagjinatës së njeriut. E kaluara është argjila që e tashmja gdhend sipas trillit të tij, pambarimisht. Të gjithë udhëtojmë drejt anonimatit, por mediokrit mbërrijnë atje pak më përpara. Njeriu është i dashuruar me dikë tjetër, kur ka bindjen se ai tjetri është i veçantë. / KultPlus.com

Dhurata dhe mesazhi i Ali Pashë Tepelenës për Napoleon Bonapartin

Nga Aurenc Bebja

“Excelsior” ka botuar, të mërkurën e 7 qershorit 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me armët shqiptare dhe domethënien e tyre tek populli ynë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Armët shqiptare

  “Shqiptarët, racë luftëtarësh, kanë pasur gjithmonë shijen e armëve të bukura. Dikur, ishte një dhuratë e madhe për një pasha nga Shqipëria nëse ju ofronte një palë pistoleta. Ju ishit shoku i tij më i mirë nëse ju kishte dhuruar një shpatë. Ali Pashë Janina (Tepelena), nëse kujtohemi mirë, zotëronte atë të Khanit të madh të Krimesë, Selim Surajit (Souraï).

 Ai ia dërgoi atë Napoleonit, më 1806, me këto fjalë : “Ajo nuk mundi të ruajë nga rusët shtetet e zotërisë së saj të parë : Unë po ia dërgoi njeriut që mori hak aq mirë për Austerlitzin.”

 Ne nuk e dimë se çfarë është bërë me shpatën. Por shpata të tjera që ai kishte sjellë vitin në vijim në Tilsitt gjenden në familjet e disa gjeneralëve apo marshallëve të Perandorisë.

Një nga koleksionet më të bukura parizianë të armëve shqiptare është ajo e senatorit Justin Godard.” / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/excelsior-1939-dhurata-dhe-mesazhi-i-ali-pashe-janines-tepelenes-me-1806-per-napoleon-bonapartin/

Kisha e Engjëjve, thesari i fshehur në liqenin e Prespës

Kisha eremite e Engjëjve është një tjetër thesar i liqenit të Prespës. Për të vizituar këtë kishë e vetmja rrugë është ajo përmes liqenit me varkë.

Udhëtimi drejt kësaj kishe është i mrekullueshëm ku përmes liqenit ke mundësi të shijosh peizazhin mahnitës që ky vend ofron e ku natyra gjatë kësaj periudhe nuk i ka kursyer ngjyrat e saj.

Itinerari drejt kishës nis nga fshati Pustec, një udhëtim me varkë prej 30 minutash ku liqeni të shoqëron me madhështinë dhe ujërat e tij të kristalta.

Malet dhe brigjet me shkëmbinj të thepisur që rrethojnë këtë liqen te japin ndjesinë e një bukurie të egër e cila pasqyrohet dhe zbutet nën qetësinë e liqenit.

Gjatë këtij rrugëtim pelikanët kaçurrel të urojnë mirëseardhjen ku duket se të përshëndesin kur bëjnë lojën e tyre lozonjare në ujërat e kristalta të liqenit.

Teksa i afrohesh  bregut të liqenit të Prespës në anën e malit Kallogjer në juglindje të fshatit Pustec shfaqet madhështore kisha eremite e Engjëjve. Gjëja e parë që të bën përshtypje të kjo kishë është pozicioni i saj mjaft i veçantë në të cilin ndërthuret uji, qielli dhe madhështia e besimit.

Gjithashtu një tjetër e veçantë e kësaj kishe para se ta prekësh nga afër është ikona e Marisë me të birin Jezus e cila me ngjyrat e saj të forta ku dominon e kuqja duket si mrekulli dhe të jep ndjesinë mistike teksa ndriçohet nga rrezet e diellit.

Kisha e Engjëjve e shek të XIV përbëhet nga dy kate ku për të arritur drejt ikonave dhe brendësisë së saj të çojnë disa shkallë hekuri. Kjo kishë duket si një pikturë pasi është në brendësi të shkëmbinjve në liqenin e Prespës dhe pjesa e sipërme e kësaj kishe ku ndodhet dhe ikona e Marisë gjendet në 30 metra lartësi.

Teksa ngjitesh përmes shkallëve të hekurta për në brendësi të kishës peizazhi përreth duket sikur ka ndalur në kohë e të jep idenë e kohëve më parë kur murgjit përshkonin në këmbë vendet e kultit.

Në pjesën e poshtme të kishës ndodhej qelia ku kishte jetuar një murg, ndërsa pjesa e sipërme ku ndodhet dhe ikona e Marisë ka në brendësi piktura murale të cilat kanë të gdhendura dhe iniciale nga banorët e zonës që e shohin këtë kishë si vend pelegrinazhi dhe mrekullish. Afresket në brendësi të kësaj kishe janë tipike të shek të XIV pra të periudhës bizantine.

Dritaret e kishës të cilat kishin pamje përballë liqenit janë i vetmi burim drite ku mund të shikosh afresket që ndodhen në brendësi. Teksa largohesh nga kjo kishë për t’u nisur drejt fshatit Pustec, gjithçka mbetet është një ndjesi qetësie dhe paqeje. /j.p/ KultPlus.com

Në partneritet me UNESCO-n, Hamam Jazz Bar organizon event në Ditën Ndërkombëtare të Jazz-it

Hamam Jazz Bar është partner zyrtar i Ditës Ndërkombëtare të Jazz-it në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ambasadori Herbie Hancock, një ambasador i vullnetit të mirë në UNESCO, përmes një emaili të dërguar Hamam Jazz Bar-it ka shprehur nderimet e tij për këtë partneritet dhe ka kërkuar që edhe këtë vit, si çdo vit tjetër, Hamam Jazz Bar të organizoj diçka për këtë ditë.

Përmes eventeve që organizohen në këtë ditë përhapet edhe mesazhi global i paqes përmes jazz-it dhe muzikës.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Jazz-it, Hamama Jazz Bar ka organizuar një event të veçantë ku bendi “Gesundheit Quartet” dhe Visar Kuçi do të shpalosin tinguj të muzikës jazz. Ndërsa i ftuar special do të jetë pianisti dhe kompozitori i muzikës jazz, Ilir Bajri. I njohur ndryshe edhe si ‘veterani’ i muzikës jazz, Bajri do të flas  rreth kësaj muzike të cilës ja kushtoi gjithë jetën.

Eventi do të mbahet më datë 30 prill, në ora 20:00 në Hamam Jazz Bar. / KultPlus.com

Familjet shqiptare nuk kanë para, por pasuri të patundshme

Në një vrojtim mbi pasurinë e familjeve shqiptare, Banka e Shqipërisë gjeti se, 95% e tyre kanë 1-2 prona, por 43% e tyre deklarojnë se nuk zotërojnë asnjë lloj kursimi apo pasurie financiare

Shqipëria i ka të ardhurat për frymë në nivelet më të ulëta europiane, por zotërimet në pasuri ta paluajtshme janë befasuese. 95% e familjeve shqiptare zotërojnë më shumë se 1-2 prona të patundshme, kryesisht shtëpi banimi. Banka e Shqipërisë anketoi në lidhje me gjendjen e pasurisë 1118 familje dhe gjeti se sipas deklarimeve të tyre, ata zotërojnë 1645 prona të patundshme të llojeve të ndryshme. Rezultatet kanë treguar se 95% prej tyre ose 1064 familje zotërojnë 1-2 prona të patundshme, kryesishtshtëpi banimi ose kombinim i një banese dhe një prone tjetër si tokë, dyqan, godinë, etj.
Përafërsisht 3% e familjeve deklaruan se zotërojnëmë shumë se 2 prona të patundshme dhe 2% e të përgjigjurve kanë deklaruar se “nuk zotërojnë” asnjë pronë të patundshme.
Pasuri të patundshme në nivele të kënaqshme kanë edhe familjet huamarrëse. 94% e tyre zotërojnë 1-2 prona të patundshme në momentin eintervistimit dhe kjo peshë është rritur në gjysmën e dytë të vitit 2018. Në shumicën e rasteve, këto prona janë një shtëpi banimi ose kombinimi i një shtëpie dhe një sipërfaqe toke. 4% e familjeve e tyre deklarojnë se zotërojnë “më shumë se dy prona” dhe 2% deklarojnë se “nuk kanë asnjë pronë të patundshme”.

Gjysma e familjeve nuk zotërojnë kursime

Teksa zotërimi i pasurive është në nivele tëadmirueshme, pothuajse nga të gjitha familjet, gati gjysma e tyre nuk zotëron asnjë pasuri financiare si llogari bankare apo depozita.
Nga përgjigjet e dhëna, rezulton se 43% e totalit të familjeve të kampionit të vrojtuar deklaruan se nuk zotërojnë asnjë lloj pasurie financiare dhe kjo ështërritur me 14 pikë përqindje krahasuar me vrojtimin e kaluar.
Duke analizuar vetëm pjesën e familjeve që kanë deklaruar pasuri financiare të formave të ndryshme (duke përjashtuar rastet që nuk kanë asnjë llojpasurie financiare), rezulton se depozitat dheose llogaritë bankare vijojnë të mbeten lloji kryesor i investimit financiar, si në rastin e totalit të kampionit të familjeve,64% e rasteve të raportuara.

Nga ana tjetër, duket se familjetu janë drejtuar formave të tjera të investimit të pasurisë financiare brenda sistemit (në total), pasi pesha totale e tyre ka shënuar rritje krahasuar me 6-mujorin e kaluar, përkatësisht me 5 pikë përqindje të totalit të familjeve. Kontributin kryesor në këtë rritje e ka pasur rritja e rasteve të investimit në fonde private tëpensionit.
Në përgjithësi, pesha e rasteve të mbajtjes së pasurisë financiare brenda sistemit depozita/llogari bankare, investime të tjera), ka shënuar rënie si për grupin e familjeve huamarrësve dhe për totalin e familjeve, e ardhur kryesisht nga rënia e peshës së depozitave/llogarive bankare në strukturën e pasurisë financiare të familjeve.

Të ardhurat nga vijnë dhe shpenzimet ku shkojnë

Gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2018, struktura e shpërndarjes së familjeve sipas nivelit të të ardhurave, duket se është zhvendosur pak drejt niveleve mesatare të të ardhurave krahasuar me 6-mujorin e kaluar.
Kështu, pjesa më e madhe e familjeve (rreth 53% e tyre) vijojnë të mbeten në nivelin “17-50 mijë lekë”, ndërsa rreth 28% e tyre i përkasin nivelit të të ardhurave mujore “50-100 mijë lekë”. Krahasuar me vrojtimin e kaluar, të dyja këto pesha janë rritur respektivisht me 1 pikë përqindje.
Në shpërndarjen e familjeve, sipas nivelit të shpenzimeve të domosdoshme të jetesës, pjesa më e madhe (rreth 52% e të përgjigjurve) vijojnë të deklarojnë shpenzime mujore në nivelin “20-50 mijë lekë”, dhe kjo peshë është rritur me 2 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar, dhe me 1.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, pesha e familjeve që deklarojnë shpenzime në nivele të larta (mbi 50 mijë lekë në muaj) ka shënuar rënie të lehtë në terma 6-mujorë, por është rritur në terma vjetorë.

Prirja e kundërt vihet re në rastin e dy grupeve me nivelet më të ulëta të shpenzimeve. Si rezultat, struktura e shpërndarjes së familjeve sipas nivelit të shpenzimeve, duket disi e zhvendosur drejt një niveli më të lartë shpenzimesh mujore.

Indeksi i të ardhurave dhe indeksi i shpenzimeve kanë shënuar rritje gjatë periudhës së vrojtuar, duke rezultuar në vlera të përafërta. Gjithsesi, rritja e indeksit të të ardhurave ka qenë pak më e lartë se ajo e indeksit të shpenzimeve, duke rezultuar në një përmirësim të lehtë të balancës midis të ardhurave dhe shpenzime të familjeve.
Euroizimi i të ardhurave të familjeve shqiptare vijon të mbetet i ulët, ku vetëm 14% e të përgjigjurve deklarojnë se kanë të ardhura në valutë (kryesisht në euro) në raporte të ndryshme ndaj totalit të ardhurave mujore. Kjo peshë ka mbetur e pandryshuar në dy vitet e fundit.

Burimet e të ardhurave

Numri total i anëtarëve të familjeve që sigurojnë të ardhura nga punësimi apo vetëpunësimi në sektorët shtetërorë, privatë ose burime të tjera, ka shënuar rritje në terma 6-mujorë (me 2.2%) dhe në terma vjetorë (me 1.8%).
Në vitin gjashtëmujorine dytë 2018, rritja në terma vjetorë ka ardhur nga rritja e të punësuarve në sektorin privat (me 3.9%) dhe rritja e numrit të tëvetëpunësuarve (me 7.6%), ndërkohë që numri i të punësuarve në sektorin shtetëror ka rezultuar në rënie me 11.7% gjatë vitit.
Numri i familjeve që kanë deklaruar dhe burime të tjera të qëndrueshme të ardhurash (si qira, interesa bankare etj.) është rritur lehtësisht, duke arritur në 11% të tëpërgjigjurve ose gjithsej 118 familje. Në këtë grup familjesh, rreth 59% e tyre deklarojnë si burime alternative të ardhurash “interesat nga kursimet (depozita, bono thesari etj.)”, 25% deklarojnë të ardhura nga “qiradhënia e pronave” dhe 4% nga ‘interesa të fituara nga para të dhëna hua të tretëve’. Pjesa tjetër e familjeve deklarojnë kombinim burimesh, kryesisht nga qiradhënia dhe interesat nga kursimet.
Niveli i përgjithshëm i të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve në tërësi, është rritur gjatë periudhës së vrojtuar. Rritja e të ardhurave ka qenë disi më e lartë në krahasim me shpenzimet, gjë që ka sjellë një përmirësim të lehtë të balancës financiare (të ardhura – shpenzime) të familjeve.

26% e familjeve me borxhe

Rreth 26% e familjeve deklaruan se 6-mujorin e dytë të vitit 2018 kanë hua për të paguarpavarësisht llojit, burimit apo vlerës së kësaj huaje. Kjo peshë ka rënë me 2 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë, duke mbetur nën mesataren historike të vrojtuar. Te këto familje, indekset e të ardhurave dhe të shpenzimeve kanë shënuar rënie gjatë periudhës.
Rreth 70% e vlerës së huasë është siguruar nga burime formale dhe 30% nga burime joformale. Kjo strukturë reflekton rënien e ndjeshme të huamarrjes formale krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe krahasuar m

e një vit më parë. Në përbërjen e tepricës sëhuasësipas monedhës, rezulton se rreth 86% e saj deklarohet në lekë, ndërsa 14% në euro.
Sipas qëllimit të përdorimit, rreth 27% e tepricës së huasë deklarohet për blerjen/riparimin e një prone, 44% për zhvillimin e një biznesi dhe vetëm 9% për konsum. Gjatë periudhës së vrojtuar, pesha e huamarrjes për “blerje/riparim prone” ka shënuar rënie, ndërkohë që pesha e huamarrjes për “zhvillim biznesi” dhe për “konsum” është rritur.

Sa është i përballueshëm borxhi

Shumica e familjeve huamarrëse (82%) deklarojnë që kësti ihuasë nuk ka ndryshuar gjatë 6-mujorit të dytë 2018. Balanca neto e pjesës tjetër të përgjigjeve tregon për një rënie të këstit të kredisë gjatëperiudhës, por me një ritëm më të ulët krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Rreth 59% e familjevehuamarrëse deklarojnë se aftësia e tyre paguese nuk ka ndryshuar, ndërsa balanca neto e pjesës tjetër të përgjigjeve rezulton në përmirësim të aftësisë së tyre paguese, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, rreth 80% e familjeve nuk presin ndryshim të aftësisë së tyre paguese, ndërsa balanca neto e pjesës tjetër të tëpërgjigjurve tregon për pritje më të dobëta. Mundësia për të marrë hua gjatë pjesës së parë të vitit 2019, vlerësohet disi në rënie krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë, gjë që dëshmon për një kërkesë ende të paqëndrueshme të familjeve për huamarrje.

Në rreth 31% të rasteve të raportuara, huamarrja e familjeve rezulton në formën e kredisë nga institucione financiare, ku 27% e rasteve janë në trajtë kredie dhe 4% janë në trajtë kartash krediti dhe overdraft. Kjo peshë ka shënuar rënie me rreth 7 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe me 4 pikëpërqindje krahasuar me një vit më parë. Në rreth 44% të rasteve, huamarrja deklarohet në formën e prasë në dorë, duke shënuar rritje me 6 pikëpërqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe rritje me 3 pikë %. Peshë të konsiderueshme vijon të ketë zëri “mall i papaguar” (22% e rasteve të huamarrjes), por në rënie gjatë periudhës së vrojtuar. /Monitor / KultPlus.com

Vlora Çitaku krahason “Game of Thrones” me Kosovën dhe Serbinë

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e ka krahasuar serialin më të ndjekur në botë “Game of Thrones” me Kosovën dhe Serbinë.

“Game of Thrones! Pra, fitohet lufta e madhe…dhe ajo është fituar nga shtëpia Stark. Tani, për ta vënë atë në termin e Kosovës, Serbia është jashtë. Kush ulet në fron…me të vërtetë nuk ka rëndësi. Lufta e madhe është fituar. Sa për pjesën tjetër, mirë nëse nuk na pëlqen, ne do t’i mundim ata”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Game of Thrones” është aktualisht seriali më i ndjekur dhe episodet e sezonit të fundit veç kanë nisur të dalin.

Image result for vlora citaku

Zbulohet dorëshkrimi i rrallë në arkivin personal të Burgessit

Mediat angleze bëjnë me dije se dorëshkrimi i një libri që do të pasonte veprën më tipike postmoderniste Clockwork Orange (Portokalli me kurdisje), u gjet në arkivën personale të shkrimtarit Anthony Burgess.

Sipas tyre, dorëshkrimi titullohet A clockwork condition (Një situatë me kurdisje) dhe është rreth 200 faqe.

Në të Burgess shpreh idetë e tij mbi situatën njerëzore dhe vazhdon të shtjellojë temat e Clockwork Orange, që fokusohej në metodat e përdorura nga shteti për kurimin e një krimineli adoleshent – shkruan Dita.

Ndryshe nga paraardhësi i tij letrar, dorëshkrimi nuk është roman.

Ai përbëhet nga shënime në formën e esesë dhe është pjesërisht filozofik dhe pjesërisht autobiografik. Vetë Burgess e ka konsideruar dorëshkrimin e pabotuar si “një qasje filozofike mbi situatën e njeriut në ditët tona”, duke përmendur shqetësimet e tij rreth ndikimit të teknologjisë, sidomos medias, filmit dhe televizionit mbi njeriun modern.

Duhet shtuar se dorëshkrmi komenton edhe polemikat shkaktuar nga shfaqja e filmit të Stanley Kubrick A Clockwork Orange në vitin 1971, adaptimi nga romani me të njëjtin titull.

Sipas prof. Andrew Biswell, drejtor i fondacionit ndërkombëtar Anthony Burgess, “Clockwork Condition shpreh idetë e Burgess mbi krimin, ndëshkimin dhe ndikimin manipulues që mund të ketë kultura vizuale”.

Po sipas tij, Burgess hoqi dorë nga përfundimi dhe botimi i dorëshkrimit pasi ai e konsideronte veten romanicier dhe jo filozof.

Kjo ishte arsyeja edhe pse ai në vitin 1974 botoi romanin The Clockwork Testament (Testamenti me kurdisje) ku prek edhe disa nga temat e lartpërmendura. / KultPlus.com

Dua Lipa në studio me Action Bronson

Kjo nuk është hera e parë që ata dy takohen. Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa është takuar me reperin shqiptar të njohur botërisht, Action Bronson, shkruan KultPlus.

Dua ka postuar disa fotografi në Instagram ku ka treguar që ajo ndodhet në studion e Action Bronson, në New York.

Action Bronson vitin e kaluar e kishte performancën e parë në Kosovë në kuadër të festivalit ‘Sunny Hill’. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/Bw0-6mQFZ67/

Përzgjidhet dhjetëshja e finalistëve për çmimin “Kadare”

Për çmimin letrar “Kadare” tashmë janë përzgjedhur dhjetë finalistët. Juria e përbërë nga shkrimtari dhe publicisti Mehmet Kraja, përkthyesja dhe profesoresha Diana Kastrati, studiuesja Genciana Egro, shkrimtari, dramaturgu e gazetari shqiptar Bashkim Hoxha, dhe drejtoresha e “UET PRESS”, njëherësh edhe koordinatore e këtij çmimi, Alda Bardhyli, pas një diskutimi katërorësh kanë përzgjedhur finalistët.

Bardhyli ka thënë se mes të përzgjedhurve spikasin autorë të rinj, ndër të cilët edhe një nga Kosova. Bëhet fjalë për shkrimtarin Imer Topanica, i cili konkurron me veprën “Lavdi marrëzive”. Finalistë janë edhe Fate Velaj me veprën “Itaka”, Fasil Haliti me “Për një gjysmë dielli”, Gaverina Muzhaqi me “Velloja e Majës”, Loer Kume me “Tregime”, Mimoza Hysa me veprën “Bijat e gjeneralit”, Majlinda Rama me “Lulet e bardha të janarit”, Roland Gjoza me “Te Deum”, Saimir Muhaka me “Mart Kajani” dhe Ylljet Aliçka me “Metamorfoza e një kryeqyteti”.

“Ka qenë një mbledhje e gjatë, ku u shqyrtuan me seriozitet më shumë se 50 dorëshkrime që u dorëzuan këtë vit pranë këtij çmimi. Dhjetë autorët e përzgjedhur kishin dakortësinë e jurisë, bazuar në vlerat që mbarte secili dorëshkrim”, ka thënë Bardhyli.

Juria do ta mbajë mbledhjen e radhës në mes të muajit maj, për ta ngushtuar listën në pesë finalistët e këtij edicioni. Ndërkaq fituesi i çmimit të madh shpallet në Ditët Letrare të Razmës, që do të mbahen të premten e parë të qershorit në fshatin që ndodhet rreth 41 kilometra në veri të Shkodrës dhe cilësohet si porta hyrëse e Alpeve shqiptare.

Ky është edicioni i pestë i çmimit letrar “Kadare”. Themeluesit e çmimit konsiderojnë se në katër vjet ky konkurs ka arritur të kthehet në një institucion të rëndësishëm besimi mbi gjykimin e letërsisë, dhe të kthejë debatin e munguar mbi letërsinë shqipe. Fakti që konkursi është për vepra në dorëshkrim ka nxitur dhe nxit shkrimin e prozës shqipe, gjë që vihet re dhe në numrin e madh të dorëshkrimeve pjesëmarrëse në këtë edicion.

Fituesit e deritanishëm kanë qenë: Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani dhe Virgjil Muçi. / koha.net/ KultPlus.com

Në Gjenevë, mbrëmje letrare me Mimoza Kuchly dhe Arbër Ahmetaj

Një mbrëmje letrare miqësore është mbajtur në Gjenevë ku morën pjesë dashamirës të librit dhe shijuan mirëpritjen e Albana Krasniqi në ambientet e UPAUPSH dhe me iniciativën e Enriketa Kalldremxhiu e cila moderoi këtë mbrëmje.

Dy autorët shqiptarë, Mimoza Kuchly ardhur apostafat nga Parisi dhe Arbër Ahmetaj nga Sion i Zvicrës, ndan me miqtë e letërsisë në një ambjent me harmoni tepër të këndshme mes elemementeve: fjalë-muzikë xhaz-pjesë muzikore me flaut dhe më në fund bashkëbisedimi miqësor rreth vatrës.

Në vazhdim të mbrëmjes, një bufe me produkte shqiptare, nën tingujt e muzikës të rapsodëve dhe disa këngë nga vet publiku.

“Ne patëm shans të takohemi me njerëz që iu intereson letërsia, e bukura! Ata na dëshmuan ne se shkrimi është i dobishëm, se cilësia e tekstit letrar i bën miq autorit! Mimoza Kuchly dhe unë u jemi mirënjohës organizatorëve Enriketa Kalldremxhiu dhe Albana Krasniqi, për mjeshtërinë e organizimit! Të pranishmit ishin shumë të kënaqur, ne si autorë, u ndjemë të nderuar! Tashmë librat tanë, si pjesë e shpirtit tonë, janë në duart e lexuesve”, është shprehur Arbër Ahmetaj për albinfo.ch.

“Sofra Gjenoveze që në të vërtetë ishte sofra shqiptare në Universitetin Popullor Shqiptar Gjenevë, mendoj se transmetoi emocione që të paktën për mua si një autore e re, mbeten të veçanta. Përkrah Arbër Ahmetaj, nuk ishte një duel rreth gruas, duke qenë se librat tanë e kishin në epiqendër, por ishte një shpalosje vlerash, meditime femërore që mbeten manual i bukur për burrat…”, deklaroi Mimoza Kuchly për albinfo.ch.

Në mbyllje të mbrëmjes të gjithë të pranishmit uruan të bëhen sa më shpesh organizime të tilla për komunitetin.

Por, kush janë dy autorët e kësaj mbrëmje?

Arbër Ahmetaj shkrimtar shqiptar, u lind në Tropojë në vitin 1965, është diplomuar në farmaci nga universiteti i Tiranës dhe ai i Gjenevës. Që nga viti 1986 bashkëpunon me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punon si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në 1993 ndërkohë që specializohej për diplomaci në Oksford, Washington Gjenevë dhe Maltë punon në Ministrinë e Punëve të jashtme në Tiranë. Pas detyrash të ndryshme në këtë ministri emërohet sekretar i parë ne ambasadën shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 vendoset në Sion të Zvicrës duke ushtruar dashurinë e tij të vjetër, punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë “Fletëhyrje për në varr” “Varri i braktisur” si dhe libri me poezi “Më mori malli e dashur” etj.

Vjen me librin e fundit ” 69 Gra”.

Mimoza Kuchly

Që prej vitit 2002 jeton ne Francë. E martuar nënë me 2 fëmijë. Ka lindur me 12 Tetor 1972 në qytetin e Beratit ku mbaron shkollën e mesme të përgjithshme. Në 1995 diplomohet në Fakultetin Filologjik në Tiranë, dega Gjuhë Letërsi.

Më pas punon si gazetare e shtypit të pavarur .

Në vitin 2002 largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Paris , ku vazhdon studimet në Insitutin Katolik të Parisit dhe Universitetin e Sorbonës, në degën e sociologjisë dhe shkencave pedagogjike, duke  u diplomuar në 2004.

Që prej asaj kohe ka punuar vullnetare si mësuese e gjuhës franceze për të huajt, mësuese e gjuhës shqipe për shqiptarët ne Francë, përkthyese e liçensuar në institucionet administrative në Versajë.

Ajo vjen me librin e saj të par ” Rrëfej unë, gruaja”.

Sot Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit

29 Prilli festohet si ditë ndërkombëtare e vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 u lind veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.

Që nga viti 1982, çdo vit gjithkund nëpër botë luhen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t’i afrojë dhe miqësojë njerëzit.

Vallëzimi është disiplinë, punë, mësim, komunikim. Me të kursejmë fjalë të cilat ndoshta disa njerëz nuk do t’i kuptonin, ndërsa si kthim krijojmë gjuhë universale, të kuptueshme për të gjithë.

Vallëzimi na jep kënaqësi dhe mbështetje, na bën të jemi të lirë për pamundësinë të fluturojmë si zogjtë dhe të afrohemi nga qielli, bota, pafundësia. Ky përshkrim është pjesë e mesazhit ndërkombëtar që përcillet këtë ditë.

Më 29 prill shfaqjet e vallëzimit në mënyrë tradicionale fillojnë me leximin e mesazhit ndërkombëtar.

Deri tash nuk ka njoftim për ndonjë aktivitet në Kosovë për shënimin e kësaj dite. / KultPlus.com

Po ua marr të dyve pak kohë, ty e vetes

Aulonë Kadriu

Po ua mar të dyve pak kohë,
Ty e vetes.

Veten e ndava nga kujtimi yt,
E ty, kushedi cilën kohë ta okupova.

Të të them se s’ke shku t’rrej,
Të më thush se je këtu s’e bën dot
Se muret kanë vesh,
E ne druhemi prej t’vertetës kur të tjerët e marrin vesh,
Se veten e trullosim lehtë, apo jo?

U bëmë t’i kemi frikë muret që iu dhamë jetë dikur,
Po, se a s’jetonte gjithçka kur jetonim unë e ti? 
Muret, lulet edhe therrat merrnin frymë.

Ta zaptova kohën e vdekjes,
Sepse ti s’je më, apo je? 
Ke vdekur, apo unë s’të njoh më?

Me egoizëm te ngjyrosa me jetë,
Ne kanvasin e pikturës sonë,
hodha pak dritë që e gjeta 
në një vullkan aktiv që gulçon në mua,

Habia për vullkanin e shuar në mashtrim më la të jetoj,
Përbrenda kornizave të.. normales,
e llava që pa marre dul,
ma rroku kryet për murit të pajetë,
më zhuriti,
me të verteten me dogji,
që prej atëhere s’e trullosa dot veten…

Ti je,
Vullkani aktiv që rren se është shuar,
Llava që pabesisht më shuan./ KultPlus.com

“Rini, thuaja këngës ma të bukur që di”

KultPlus sonte po ju sjellë një këngën të vjetër shqipe të këngëtarit të njohur Sabri Fejzullahu, kënga titullohet “Kënga e Rinisë”.

Rini, thuaja kangës ma të bukur që di!

Thuaja këngës sate që të vlon në gji.

Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…

Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thuaja kangës, rini, pash sytë e tu…

Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu

me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga

prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.

Rini, thuaja këngës dhe qeshu si fëmijë

Kumbi i zanit të përplaset për qiell

dhe të kthejë prapë te na, se hyjt ta kanë zili

e na të duem fort si të duem një diell.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!

Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote. / KultPlus

https://www.youtube.com/ëatch?v=DmbhX97E30Q

Me 28 prill 1961 lindi Ana Oxa, këngëtarja e shquar me origjinë shqiptare

Anna Oxa e lindur (me emrin Iliriana Hoxha) me (28 prill 1961 në Bari), është këngëtare italiane me origjinë shqiptare, e bërë e njohur me shfaqjet e saja në festivalin Sanremo, prej vitit 1987. Këngët e saj janë “Ti lascerò”, “Storie” dhe “Senza pietà”, kjo e fundit ka fituar në vitin 1999.

Karriera

Me ndihmën e Ivano Fossati-t mori pjesë për herë të parë në festivalin e San Remos në vitin 1978 (ku u paraqit me një pamje interesante : “punk look”) me këngën “Un’emozione da poco”. Kënga mori vendin e dyte, dhe fitoi ne seksionin “giovani” (çmim për të rinj). Ajo fitoi dy herë në festivalin e San Remos : në vitin 1999 me këngën “Senza pietà” dhe në vitin 1989 me “Ti lascerò” (duet me Fausto Leali). Me Fausto Leali-n në vitin 1989 mori pjesë në Eurovision, ku ata përfaqësuan Italinë me këngën “Avrei voluto” dhe morën vendin e nëntë.

Ajo ishte prezantuese e festivalit të San Remos së bashku me Pippo Baudo në vitin 1994. Ishte po ashtu ndër të tjera edhe moderatore e shfaqjes së njohur italiane “Fantastico” në vitet 1988 dhe 1989. Në vitin 1979 mori pjesë në filmin “Maschio, femmina, fiore, frutto” nën regjinë e Ruggero Miti-t.

Pjesëmarrjet në San Remo

anaoo

Në San Remo mori pjesë deri tash 13 herë. Këngët e saj pjesëmarrëse :

  • 1978, Un’emozione da poco – vendi i parë në seksionin “giovani”, vendi e dytë në seksionin “big”
  • 1982, Io no
  • 1984, Non scendo
  • 1985, A lei
  • 1986, È tutto un attimo
  • 1988, Quando nasce un amore
  • 1989, Ti lascerò – vendi i parë (duet me Fausto Leali)
  • 1990, Donna con te
  • 1997, Storie – vendi i dytë
  • 1999, Senza pietà – vendi i parë
  • 2001, L’eterno movimento
  • 2003, Cambierò
  • 2006, Processo a me stessa./Voal.ch/ KultPlus.com

“Bini” i Erblin Nushit fiton çmim në garën rajonale të Emmy Awards

Filmi “Bini” nga Erblin Nushi është shpërblyer për arritje të jashtëzakonshme në produksion në kategorinë e studentëve në garën rajonale të Emmy Awards, The National Capitol Chesapeake Bay, shkruan KultPlus.

Nushi pas pranimit të çmimit është shprehur së nuk do të ndalet së treguari historitë e Kosovës.

“Ky udhëtim ka qenë një udhëtim që do e kujtojë gjithmonë. Falënderimi im shkon për ekipin punues që më ka ndihmuar që ta kthej këtë pjesë të jetës sime dhe historinë tmerruese të vendit tonë në një film. E dashur ime, Kosovë, unë nuk do të ndalem së treguari historinë tonë pasi që ne jemi të rëndësishëm”, është shprehur Nushi.

“Bini” bazohet në ngjarje të vërtetë. Erblin Nushi ka qenë 6-vjeçar kur shpërtheu lufta në Kosovë. Filmin “Bini” e ka realizuar si punim diplome. Ai ka kryer studimet bazike për film “George Mason University” në Fairfax të Virginias në ShBA, ku është zhvendosur bashkë me familjen më 2010.

Në filmin “Bini”, pos Lurni Krasniqit, në rolin e kryepersonazhit luajnë edhe Artiola Hamdija, Fjolla Nushi, Eshref Durmishi, Armond Morina, Florentina Ademi dhe Elena Shoshi. Xhirimet e këtij filmi ishin bërë në Pejë./ KultPlus.com

Pianistja Almira Emiri do të mbajë koncert në Prishtinë

Pjesë izraelite, shqiptare dhe hungareze do të vijnë në koncertin recital të pianistes së njohur Almira Emiri, më 2 maj në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në program do të ketë vepra të kompozitorëve si: Kodaly, Schubert, Pigovat, Liszt, B.Pigovat, S.Gjoni, Zombola, Marzocchi e tëq tjerë.

Koncerti do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com