Dorëzohet në Prokurori peticioni “Drejtësi për Kujtimin”, kërkohet të dënohet vrasësi i 11-vjeçarit

Aktivistë të shoqërisë civile kanë dorëzuar në Prokurori peticionin bashkë me listën e nënshkruesve “Drejtësi për Kujtimin”.

Gazmend Qyqalla, aktivist i shoqërisë civile tha se në njëvjetorin e vrasjes dhe përdhunimit të 11-vjeçarit nga Fushë-Kosova, kishin nisur një peticion për të kërkuar drejtësi për Kujtimin.

Ai ka sqaruar se peticioni i dorëzuar është nënshkruar nga më shumë se 1.300 qytetarë dhe se përmban tri kërkesa.

“Policia dhe Prokuroria t’i kërkojnë falje publike familjes për shkelje të të drejtave të tij në jetë dhe neglizhim të rastit. Nga Kryeprokurori i Shtetit kërkojmë inicim të hetimeve të pavarura penale si dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për moskryerjen e detyrës zyrtare dhe shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve të Kosovës. Si dhe nga Qeveria e Kosovës kërkohet kompensim për shkeljen e të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim Veselit”.

Kurse Rina Kika, avokate e familjes Veseli tha se kanë bërë kërkesë për zgjerim të aktakuzës ndaj O.S i dyshuar për vrasjen e Kujtim Veselit, pasi që aty nuk përfshihet dhunimi, por vetëm vrasje e tij.

“Ne konsiderojmë që patjetër duhet të përfshihet edhe dhunimi, ngase aktakuza pa përfshirjen e kësaj vepre është e mangët dhe nuk e adreson në plotëni përgjegjësinë penale”.Ajo ka treguar se seanca e radhës për këtë rast është caktuar me 9 shtator, raporton EO.“Në këtë seancë ne do të kërkojmë nga gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor për vrasje, ngase këtë e dëshmojnë edhe të gjitha provat e prezantuar deri më tash”.

Më 11 korrik 2019, poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen “Xhemail Mustafa” të Fushë Kosovës, ishte gjetur i vdekur 11-vjeçari Kujtim Veseli./ Gazetaexpress / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës me konkurse ndërkombëtare arkitektonike për objekte kulturore dhe sportive

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur për hapjen e konkurseve gjatë muajit shtator.

Sipas Ahmetit, Prishtinës do ti shtohet Salla Koncertale, Salla e re Sportive, Shkolla e Muzikës dhe së shpejti edhe Spitali i Kryeqytetit e të cilat janë në pritje të arkitektëve e studiove projektuese.

KultPlus ua sjell të plotë njoftimin e Ahmetit:

Të nderuar arkitektë dhe studio projektuese, ju njoftojmë se gjatë muajit shtator Komuna e Prishtinës do të organizojë këto konkurse ndërkombëtare arkitektonike.

1. Salla Koncertale e Komunës së Prishtinës – adaptim duke ruajtur identitetin e ndërtesës.
2. Salla e re e Sporteve me dorë (kapacitet 3000 – 5000 ulëse)
3. Shkolla e Muzikës. Adaptimi dhe renovimi i pjesës së Pallatit të Rinisë ku do të jetë shkolla e Muzikës Po ashtu së shpejti pritet edhe konkursi për spitalin e kryeqytetit! #prishtina / KultPlus.com

“Lumturia është të mbash dikë në krahë dhe të mendosh se je duke mbajtur botën”

Disa nga thëniet më të mira nga Orhan Pamuk.

“Dikur lexova një libër dhe e gjithë jeta ime ndryshoi”.

“Lumturia është të mbash dikë në krahë dhe të mendosh se je duke mbajtur botën”.

“Unë s’dua të jem një pemë. Unë dua të jem kuptimi i saj”.

“Çdo person inteligjent e di se jeta është diçka e bukur dhe qëllimi i saj është të jesh i lumtur”.

“Njerëzit thonë gënjeshtra, vetëm atëherë kur ka diçka që tremben se mund ta humbasin”.

“Kur humbasim njerëzit që duam, nuk duhet t’i shqetësojmë shpirtrat e tyre, të gjallë apo të vdekur. Përkundrazi, duhet të gjejmë ngushëllim në një objekt që na kujton diçka për ta”.

“- Cila është gjëja që pëlqen më shumë tek unë? Çfarë duhet të bëj unë për të më dashur? – Ji vetvetja, – tha Ipeku”.

“Lumturi do të thotë të jesh pranë personit që dashuron”.

“Jeta nuk ka lidhje me parimet, por me lumturinë”.

“Përpiqu që në fund të jetës, t’i lësh të gjithëve të kuptojnë se jetove një jetë të lumtur”. / KultPlus.com

Plazhi i Fllakës, “sekreti” i pazbuluar i Adriatikut

Shqipëria ka ende shumë plazhe “sekrete” të cilat pritet të zbulohen nga turistët vendas dhe të huaj.

Një prej tyre është edhe plazhi i Fllkasë. Fllaka është një fshat i Durrësit, plazhi i të cilit shtrihet në hapësirën fill pas Bishtit të Pallës. Vetëm 11 kilometra nga Durrësi ky plazh po kthehet në një destinacion tursitik mjaft të preferuar, ku mund të pushosh në qetësi, në një plazh me rërë dhe ujë mjaft të pastër.

Rruga nga Durrësi deri në kurorën e gjelbëruar me pisha të këtij plazhi zgjat vetëm 11 kilometra. Me t’iu afruar brezit me pisha ndihet era e detit dhe shpaloset laguna.

Plazhi në këtë zonë është mjaft i preferuar për shkak të pozicionit shumë të mirë gjeografik, ujit të pastër, brezit të gjerë të rërës, kurorës së gjelbërt të pyllit me pisha, shërbimit me çmime të lira në restorante.

Ky plazh të ofron mundësinë e relaksit total në një zonë ende të pazbulur, megjithëse gjithnjë e më shumë qytetarë nga Tirana e Durrësi  kanë tashmë si destinacion për të kaluar fundjavën këtë plazh.

Megjithëse investimet janë ende minimale, ato janë shtuar vitet e fundit, duke të dhënë mundësinë të zgjedhësh mes plazhit publik dhe atij privat.

Investimet në lokale dhe bare megjithëse janë simbolike, sërish gjen disa vende mjaft të bukura ku mudn të konsumosh drekën. Lokalet janë thuajse të gjitha prej dërrase. Kuzhinat përgjithësisht ofrojnë ushqime tradicionale.

Mbrëmja në këtë plazh ofron supriza pasi perëndimi i diellit është magjepsës. Lokalet e pakta në këtë zonë kanë krijuar një ambient mjaft të bukur dhe relaksuese, ku mund të kalosh disa orë mjaft të bukura. Ndërsa në buzë mbrëmje për të pasionuarit e fotografive perëndimi të ofron mundësi të shkëlqyera për të bërë foto të bukura romantike./ atsh/ KultPlus.com

Dua Lipa u nderua me një çmim në ceremoninë “MTV Video Music Award 2020”

Ylli i muzikës, Lady Gaga ishte fituesja e madhe e ceremonisë së sivjetme “MTV VMAs 2020” e cila u mbajt të dielën mbrëma, duke i fituar gjithsej pesë trofe.

Tri prej këtyre çmimeve, Gaga i ndau me pop ylin Ariana Grande për bashkëpunimin e tyre të suksesshëm, “Rain On Me”, transmeton Koha. Kënga arriti të triumfojë në kategori të tilla si: “Kënga më e mirë e vitit”, “Bashkëpunimi më i mirë” dhe “Kinematografia më e mirë”.

Dy këngëtaret e famshme amerikane po ashtu e performuan live hitin e tyre, për herë të parë në ceremoninë shpërblyese e cila arriti t’i respektoj të gjitha rregullat e distancimit social.

Lady Gaga gjithashtu i fitoi çmimet “Artistja më e mirë e vitit” dhe çmimin special i cili u nda për herë të parë në historinë e kësaj ceremonie, “Tricon Award” që e nderon artin e saj dhe angazhimet e fushën e bamirësisë.

“BTS” i fitoi katër shpërblime gjatë mbrëmjes, “Grupi më i mirë”, “Kënga më e mirë pop”, “Best K-pop” dhe “Koreografia më e mirë” për hitin e tyre “On”. Grupi i njohur nga Korea Jugore po ashtu e solli një perfomancë live të këngës së tyre më të re me titull, “Dynamite”.

Çmimi “Videoklipi më i mirë i vitit” shkoi për këngëtarin The Weeknd dhe hitin e tij “Blinding Lights”. Gjatë mbrëmjes ai po ashtu u nderua me çmimin “Kënga më e mirë R&B”. Këngëtari i shfrytëzoi te dyja fjalimet e tij për të bërë thirrje për drejtësi, për rastet e vrasjes së Jacob Blakeut dhe Breonna Taylorit.

Ndër fituesit e tjerë të mbrëmjes ishin edhe, Dua Lipa e cila u nderua në kategorinë “Kënga më efektet më të mira vizuale”, për hitin e saj të padiskutueshëm “Physical”, Miley Cyrus triumfoi në dy kategori, Taylor Swift, Megan Thee Stallion, Doja Cat, Maluma, J Balvin dhe të tjerë.

Ceremonia e cila fillimisht ishte planifikuar të mbahej në qendrën “Barclays” në Brooklyn, por ishte zhvendosur në disa lokacione në ambient të hapur për shkak të pandemisë së koronavirusit, u drejtua nga aktorja dhe këngëtarja Keke Palmer. Prezantuesja e hapi shoun me një fjalim që e nderoi aktorin e ndjerë të filmit “Black Panther”, Chadwick Boseman, i cili vdiq të premten më 28 gusht pas një beteje katër vjeçare me kancerin. / KultPlus.com

Letra që sqaron momentet e fundit të Ali Pashës: fjalët që tha dhe gjuajta me pistoletë

Nga Aurenc Bebja 

“Le Constitutionnel” ka botuar, të hënën e 25 marsit 1822, në ballinë, një shkrim në lidhje me sqarimin e momenteve të fundit të Ali Pashës nëpërmjet letrave të dëshmitarëve okularë të Janinës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Ali Pasha ra më 5 shkurt, pas një mbrojtjeje me kokëfortësi prej më shumë se tetëmbëdhjetë muajve. Këtu po ju sjellim një përmbledhje të saktë të shkaqeve që i paraprinë katastrofës së tij, dhe ngjarjeve që e shoqëruan atë. Pas disa rrëfimeve kontradiktore të përhapura këtu në lidhje me këto ngjarjet e fundit, ne kemi marrë disa letra të dëshmitarëve okularë nga Janina, të cilat përputhen plotësisht mbi detajet e dhëna.

Rreth fundit të vjeshtës së kaluar, Thahir-Abbas (Tahir Abazi), një shqiptar mysliman dhe ish-oficer i Ali Pashës, ishte revoltuar me disa nga vëllezërit e tij të tjerë kundër Portës dhe u bashkua me suljotët në favor të zotit të tij. Agjentët e qeverisë lakmitare, dhe e cila, për fat të keq të Greqisë, është vendosur prej disa kohësh në rrethinat e saj, u shqetësuan mjaft për këtë ndryshim të shpejtë dhe të papritur.

Kur më vonë udhëheqësit shqiptarë të popujve myslimanë të Epirit dërguan disa deputetë në kongresin e Argos-it për të bashkuar përfundimisht fatin dhe interesat e tyre me ato të grekëve, këta agjentë u alarmuan aq shumë nga kjo rezolutë sa nuk mund të qëndronin, më gjatë, spektatorë, dhe pa u vonuar, bashkuan përpjekjet e politikës së tyre me armaturat myslimane. Ata arritën kështu të bindnin shqiptarët se projekti i grekëve ishte që të shkatërronin sa më shpejt që të mundnin Ali Pashën, të cilit ata kurrë nuk do t’i falnin bezdisjet e së kaluarës, dhe më pas të shfarosnin popujt shqiptarë, gjendja shpirtërore e të cilëve gjithmonë do t’u shkaktonte atyre hije.

Chouschrid Pasha (Hurshid ose Hurshit), më vete, këshillohej nga njëra anë nga këta agjentë, dhe duke parë nga ana tjetër pamundësinë e nënshtrimit të Ali Pashës me armë, përdori si mjet tradhtinë. Ai bëri disa lëshime ndaj Thahir-Abbas-it (Tahir Abazit) dhe kolegut të tij Hagos-Mouhourdar (Hagos Muhurdar), duke u premtuar atyre në emër të sulltanit se do t’i emëronte, të parin pasha të Janinës dhe të dytin pasha të Delvinës, duke emëruar kështu Omer Vrionin, pasha i këtij qyteti të fundit, në pashallikun e Beratit. Që ata t’i besonin, ai dërgoi nga Kostandinopoja një letër dënimi për Ismaïl-Pachobey-n (Ismail Pasho beun), pashain e Janinës, dhe Hysen Pashën, pashain e Beratit, të cilëve, të strehuar me sa duket në Selanik, u prenë kokat në Mezovon (Metsovo), një qytet dhjetë vende larg Janinës.

Kjo masë pati efektin e saj; Thahir-Abbas-i (Tahir Abazi) vuri re vënien në ekzekutim të premtimeve të serasqerit Chouschrid (Hurshid); dhe, pasi shkëmbeu disa pengje me të, ai arriti në Janinë. Duke qenë ndërmjetës midis turqve dhe ish-zotit (pronarit) të tij për të propozuar një marrëveshje, ai u prit me besim në fortesën e këtij të fundit, dhe pati disa takime me të. Ndërsa Ali Pasha i shtynte propozimet turke, ai përfitoi nga vizitat e tij në kala, dhe mori kontrollin e garnizonit që më parë kishte qenë nën urdhërat e tij, dhe tek i cili kishte ende një vetëbesim të madh; garnizoni kaloi në anë të tij dhe dorëzoi vendin.

Kështjella ra kështu në duart e turqve, Ali Pasha u tërhoq me rreth njëqind e dyzet burra në Esocastron (fortesë e brendshme), ku ai deklaroi se në fund të fundit do të hidhte në erë fortesën me të gjitha thesaret e saj. Turqit, të informuar për vendimin e tij, pas disa bisedimesh, i dërguan një konventë (kontratë) të mbuluar me firmat (nënshkrimet) e të gjithë pashallarëve, bejlerëve dhe oficerëve që gjendeshin në Janinë, dhe në të cilën, ata i betuan atij, mbi profetin, mbi kokën e Sulltanit dhe mbi besimin e tyre si myslimanë sunitë (ortodoksë), një tërheqje të ndershme, gëzimin e pasurisë së tij, dhe të gjithë sigurinë dhe mbrojtjen e Portës së Lartë.

Ali Pasha, duke parë këto nënshkrime të shumta, e la veten të tundohej për një moment. U ra dakord që vendi i tërheqjes së tij të ishte kalaja e Gjirokastrës. Kështu, pasi la oficerin e tij më besnik në krye të garnizonit të tij të vogël në fortesë, u nis, më 1 shkurt, bashkë me gjashtë bashkëpunëtorët e tij, për në kalanë e Ile du Lac (Ishullit të Liqenit), e cila ishte ende nën urdhërat e tij.

Atje, ai u ftua nga serasqeri të dorëzonte fortesën para se të nisej për në destinacionin e tij. Ndërsa ish-satrapi hezitonte ende, atij iu dërgua një konventë e dytë, e mbushur me një numër më të madh nënshkrimesh, dhe në të cilën i premtonin të njëjtin besim. Atëherë, ai nxorri nga xhepi një palë tespihe dhe i dërgoi në kalanë e tij. Pas kësaj shenje që kishin rënë dakord, oficeri shqiptar dorëzoi vendin, por kur turqit hynë i prenë kokën.

Në të njëjtën kohë, Hasan Pasha, i shoqëruar nga shpatëmbajtësi i Chouschrid Pashës (Hurshid Pashës), shkoi me 60 burra në ishull dhe i paraqiti Ali Pashës letrën e sulltanit. Kur ky i fundit vuri re se në vend të letrës së faljes që i ishte premtuar, i kishin sjellë atij vetëm një letër dënimi me vdekje, ai kapi një pistoletë : “Dhe ju që shkelni betimet tuaja në mënyrë tradhëtare, tha ai, kujtoni se Aliu është një grua ?” dhe duke folur kështu, ai qëlloi mbi Hasan Pashën dhe e plagosi. Me një të shtënë të dytë, ai vrau një oficer të pashait. Gjashtë oficerët e tij ndoqën shembullin e tij; ata vranë dymbëdhjetë turq, plagosën disa dhe humbën jetën ndërsa po luftonin. Koka e Ali Pashës u transportua më pas, e shfaqur në portën e kalasë së madhe, gjatë gjithë ditës së 6 shkurtit, dhe të nesërmen u dërgua në Kostandinopojë. I tillë ishte fundi i satrapit shqiptar, i cili u ther, por nuk u mund.

Letrat e fundit nga Janina na tregojnë se Chouschrid Pasha (Hurshid Pasha) u largua nga ky qytet më 13 shkurt me trupat e tij, duke u nisur për në Mezovon (Metsovo); ndoshta për të pushtuar paradat e Pindit, dhe për të favorizuar kalimin e thesareve të Ali Pashait. Ai ia dorëzoi Omer Vrionit komandën e Epirit, i cili është në krye të shqiptarëve.

Të njëjtat letra tregojnë se Chouschrid Pashën (Hurshid Pashën) e kanë larguar nga posti i tij i serasqerit, dhe duhet të shkojë në Kostandinopojë për të dhënë llogari për paratë e Ali Pashës. Nuk do të ishte e pamundur që ai të përjetojë fatin e paraardhësit të tij Pasho Beut, të cilit iu pre koka disa ditë para Ali Pashës, armikut të tij të betuar.

Disa njerëz vlerësojnë thesaret e Aliut të një shume prej 250 milionësh; disa të tjerë nuk mendojnë se arrijnë 100 milionëshin; por disa persona, që pretendojnë se janë më të arsimuar (ditur), sigurojnë që thesaret e tij të mëdha janë gruposur dhe fshehur, dhe se satrapi i mjerueshëm mbante vetëm një pjesë të vogël pranë tij. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-constitutionnel-1822-letrat-e-deshmitareve-okulare-nga-janina-na-sqarojne-momentet-e-fundit-te-ali-pashes-fjalet-qe-tha-gjuajtja-me-pistolete/

Gripi spanjoll: Si dukej bota pas pandemisë së vitit 1918

Nëse nuk keni dëgjuar për pandeminë e gripit spanjoll, kriza e koronavirusit ndoshta ka tërhequr vëmendjen tuaj për faktin se ky virus vdekjeprurës u përhap në të gjithë botën në fillim të shekullit 20.

Shpesh referuar si “nëna e të gjitha pandemive”, ajo shkaktoi vdekje midis 40 dhe 50 milionë brenda dy vjetësh, midis 1918 dhe 1920 – sipas Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC).

Shkencëtarët dhe historianët besojnë se një e treta e popullsisë së botës, e cila në atë kohë numëronte rreth 1.8 miliardë njerëz, ishte e infektuar.

Dhe gripi shkaktoi gjithsej më shumë vdekje sesa vetë Lufta e Parë Botërore, e cila u dha fund në një kohë kur sëmundja kishte filluar të përhapet.

Ndërsa e gjithë bota reagon ndaj krizës COVID-19, le të shohim nga afër pandeminë e fundit që e varrosi botën në vend – dhe si dukej kur përfundoi më në fund?

Në vitin 1918, mjekësia dhe shkenca ishin shumë më të kufizuara në luftën kundër sëmundjeve sesa sot.

Mjekët e dinin që kishte mikroorganizma prapa gripit spanjoll dhe se sëmundja mund të transmetohej nga personi në person, por ata ende menduan se ajo ishte shkaktuar nga bakteret dhe jo nga viruset.

Trajtimi ishte gjithashtu i kufizuar – antibiotiku i parë në botë, për shembull, nuk u zbulua deri në vitin 1928.

Vaksina e parë e gripit u bë e disponueshme për publikun në vitet 1940. Është e rëndësishme të përmendet se atë kohë nuk kishte sistem shëndetësor për të gjithë njerëzit. Edhe në vendet e pasura, sistemi i kanalizimeve publike ishte ende një luks.

“Në vendet e industrializuara, shumica e mjekëve ose kanë punuar vetë ose janë financuar nga bamirësitë ose institucione fetare, dhe shumë njerëz nuk kanë qasje në to,” tha Laura Spini, një gazetare e shkencës dhe autore e “The Pale Rider: The Spanish Flu”.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq, gripi spanjoll sulmoi në një mënyrë që nuk ishte parë më parë në pandemitë e gripit, të tilla si ajo në 1889-90, e cila vrau më shumë se një milion njerëz në të gjithë botën.

Shumica e viktimave ishin midis moshës 20 dhe 40-vjeç, dhe burrat u prekën në mënyrë disproporcionale – ndoshta pasi pandemia mendohet të ketë filluar në kampe ushtarake të mbipopulluara në Frontin Perëndimor dhe të përhapet ndërsa trupat u kthyen në shtëpi pas Luftës së Parë Botërore.

Një studim i vitit 2020 i udhëhequr nga studiuesi i Harvardit Robert Barrot vlerësoi se megjithëse rreth 0.5 për qind e popullsisë së atëhershme amerikane vdiqën nga gripi spanjoll (rreth 550,000 njerëz), 5.2 për qind e popullsisë në Indi u prek, ose rreth 17 milionë vdekje.

Pasojat për ekonominë ishin të mëdha. Barrot dhe ekipi i tij vlerësuan se pandemia çoi në një rënie mesatare prej 6 për qind të produktit të brendshëm bruto në të gjitha vendet.

“Viktimat e Luftës së Parë Botërore dhe gripit spanjoll çuan në një katastrofë të vërtetë ekonomike”, thotë shkrimtarja Katarina Arnold, autore e librit ‘Pandemic 1918’. / Gazetaexpress / KultPlus.com

Aristoteli: Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt

Aristoteli ishte student i Platonit dhe ishte i pari që e kritikoi atë. 47 nga punët e tij kanë mbijetuar.

Aristoteli është i fundit nga filozofët e mëdhenj të antikitetit dhe konsiderohet si biologu i parë.

Ai themeloi shkencën e logjikës, shtroi terrenin për metodën shkencore dhe shkroi rreth shumë subjekteve.

Aristoteli ishte gjithashtu mentori i Aleksandrit të Madh për disa kohë. Ai ka pasur influencë të madhe në mendimin e Tomas Akuinit dhe për rrjedhojë mbetet një ndër influencat kryesore në edukimin dhe teologjinë katolike.

Aristoteli, një nga mendjet më të ndritura dhe më të thella të të gjitha kohëve, shkroi mbi shumë probleme dhe nga më të ndryshmet.

Me përjashtim të matematikës, lëroi të gjitha fushat e dijes, si politika, shkencat e natyrës, artin etj.

Rreth 120 veprat e tij formojnë një lloj enciklopedie, ku përfshihen njohuri nga të gjitha fushat e diturisë. Në të gjitha veprat e Aristotelit të bie në sy dashuria për të mirën dhe të vërtetën. Megjithëse e adhuronte dhe e nderonte shumë mësuesin e tij, filozofin Platon, në mjaft pikëpamje filozofike dhe estetike nuk ishte në një mendje me të. Në një nga veprat e tij thotë se midis miqve dhe së vërtetës është gjë e shenjë të duash më shumë të vërtetën.

Aristoteli, besonte se gjithçka ndodh për një arsye, gjithmonë. Dhe se çdo eksperiencë në jetën tënde, vjen për të të formuar dhe për të të sjellë në versionin tënd më të mirë. E vetmja gjë që e pengon këtë, është të kesh zgjuarsinë për ta parë.

2- Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.

3- Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

4- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

5- Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.

6- Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.

7-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.

8- Një qytet i madh nuk duhet ngatërruar me një qytet të populluar.

9-Miku i vërtetë është një shpirt në dy trupa.

10- Të gjitha veprimet njerëzore kanë një ose më shumë prej këtyre shkaqeve: fati, natyra, detyrimi, zakoni, arsyeja, pasioni, dëshira.

11- Në më të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; po të mos ishin ligji dhe drejtësia ai do të ishte kafsha më e keqe.

12- Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.

13- Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.

14- Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut.

15- Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.

16- Mirë është që në jetë ashtu si në gosti, të mos dalësh as i etur as i dehur.

17- Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë

18- Droja është një stoli për të rinjtë, por një turp për të moçmit.

19- Trimëria është cilësia e parë njerëzore, sepse ajo është cilësia që i garanton të gjitha cilësitë e tjera.

20 -Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

21- Shkollimi është parapërgatitja më e mirë për pleqërinë.

22-  Ashtu si sytë e lakuriqëve janë të verbuar nga drita, për të njëjtën arsye edhe shpirtrat tanë janë të verbër përballë gjërave të cilat shihen më qartë se gjithçka.

23- Sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverë, sikurse si një ditë e vetme nuk sjell pranverë; ashtu një ditë, një kohë e shkurtër nuk e bën njeriun të bekuar e të lumtur.

24- Sikurse ne i duam sa të vërtetën aq edhe miqtë tanë, nderi na thotë që të parën ta respektojmë të vërtetën.

25- Lumturia varet nga ne.

26- Ai që ka shumë miq, nuk ka asnjë.

27- Ai që do të ishte një sundimtar i mirë, duhet së pari të ketë qenë i sunduar.

28- Ai që është i paaftë të jetojë në shoqëri, ose ai që nuk ka nevojë ngaqë i mjafton vetvetja, duhet të jetë ose një bishë, ose një perëndi.

29- Homeri i ka mësuar të gjithë poetët e tjerë artin e të treguarit të gënjeshtrave me zotësi.

30- Shpresa është një ëndërr që nuk fle.

31- E quaj më të zotin atë që i tejkalon dëshirat e tij se atë që i pushton armiqtë e tij; sepse fitorja më e vështirë është ndaj vetvetes.

32- Për të hartuar një fjalim njeriu duhet t’i studiojë tri pika: së pari, mjetet e arritjes së bindjes; së dyti, gjuha; së treti, organizimi i përshtatshëm i pjesëve të ndryshme të fjalimit.

33- Nga nëntë raste në dhjetë, gruaja shfaq më shumë dashuri sesa ndjen.

34- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

35- Është shenja e një mendje të ditur të jetë e aftë që ta mirëpresë një mendim pa u pajtuar me të.

36- Njeriu nga natyra është një kafshë politike.

37- Njerëzit veprojnë më shumë për shkak të frikës se për shkak të respektit.

38- Fatkeqësia i tregon ata që nuk janë miq të vërtetë.

39- Shumë njerëz parapëlqejnë të japin më shumë dashuri se të marrin.

40- Nënat janë më të dashura se etërit për fëmijët e tyre, sepse ato janë më të sigurta se ata janë të tyret.

41- Natyra nuk bën asgjë kot.

42- Asnjë shpirt i shkëlqyer nuk është i përjashtuar nga përzierja me çmendurinë. Nuk ka ekzistuar kurrë një gjeni i madh pa njëfarë çmendurie.

43- Bukuria vetjake është rekomandimi më i madh se çdo letër reference.

44- Qëllimi i të mençurve është jo për të sjellë kënaqësi, por për të shmangur dhimbjen.

45- I ditur ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri.

46 – Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por frutet janë të ëmbla.

47- Sekreti i humorit është befasia.

48- Shpirti nuk mendon kurrë pa një përfytyrim.

49- Ato që i di, bëji. Ato që nuk e kupton, mësoji.

50- Ne bëjmë luftë që të jetojmë në paqe.

Sikur s’jetoj në vendin tim

Poezi nga Dritëro Agolli

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim
Po në një vend të huaj dhe të largët
Në një qytet me buba dhe me minj
Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.
Çuditem pse kështu më duket shpesh

Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska flluska ma bën jetën
Më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm

Helmohemi çdo çast me njëri tjetrin
s’e di nga vjen ky helm se s’kam ç’të them
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin

Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet
Pastaj do tundet toka në termet
Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshët

I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetëra njerëz
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërrvish
më bën të qaj si nxënës prapa derës.

Përdoruesit në të gjithë botën raportojnë probleme me qasjen në internet

Përdoruesit e internetit në të gjithë botën kanë raportuar probleme të lidhjes në platforma.

Down Detector, i cili gjurmon statusin e faqeve të internetit, zbulon një rritje të ndërprerjeve në disa ueb faqe dhe shërbime në internet – përfshirë eBay, Twitter, Xbox Live dhe PlayStation Network. Në përgjithësi, çështjet raportoheshin nga ora 11 e mëngjesit deri në orën 14:00.

Në ThousandEyes.com, e cila gjurmon ndërprerjet në të gjithë botën, një raport i rëndësishëm u raportua pak para mesditës, me rajone të prekura përfshirë Shtetet e Bashkuara, Brazilin, Britaninë, Francën dhe Japoninë.

Gjigandi i performancës në internet dhe sigurisë Cloudflare raportoi se ata ishin të vetëdijshëm dhe po hetonin një çështje që potencialisht ndikoi në ‘klientë të shumtë’.

Më vonë ata postuan një azhurnim duke thënë: ‘Ne kemi identifikuar një problem me një ofrues të transitit i cili po shkakton gabime HTTP të klasës 5xx, të tilla si HTTP 522, 502, 503.

“Kjo po prek të gjitha qendrat e të dhënave që përdorin këtë ofrues transiti dhe ne jemi duke punuar për të zgjidhur këtë çështje.”

Një seri lojërash në internet, përfshirë Roblox, Fifa, Red Dead Redemption II, Runescape dhe Grand Theft Auto V, u raportua të kishin probleme më herët sot.

Qindra ndërprerje u raportuan gjithashtu për kartelat Visa, me PayPal gjithashtu duke parë pjesën e saj të ndërprerjeve të raportuara.

Ambasada e ShBA-së: Dole mbajti premtimin për lirinë e Kosovës

Ngritja e bustit të senatorit amerikan Bob Dole sot në Prishtinë, ka zgjuar reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

“30 vjet më parë senatori Dole erdhi në Kosovë dhe bëri një premtim: Liria po vjen. Demokracia po vjen. Ky premtim u mbajt dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë kësaj qysh prej atëherë”, thuhet në një postim në Facebook nga ana e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Busti i senatorit amerikan Bob Dole u vendos në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në rrugën që mban emrin e tij.

30 vjet më parë, më 29 gusht 1990, senatori Robert Dole, me gjashtë kolegë të tij, vizitoi Prishtinën, duke luajtur një rol të pakrahasueshëm në ndërkombëtarizimin e Kosovës.

Kjo vizitë shënon një moment historik në angazhimin amerikan në Kosovë dhe një nga arritjet më të mëdha në lobimin e komunitetit shqiptaro-amerikan për kauzën e Kosovës. 

Clinton i shkruan letër skulptorit kosovar që bëri bustin e Senatorit Bob Dole

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA’së), Bill Clinton, i ka dërguar letër skulptorit Luan Mulliqi, i cili sot ka bërë zbulimin e skultpurës së Senatorit Bob Dole në Prishtinë.

Në letrën e tij Bill Clinton, e quan Luan Mulliqin madhështor dhe e ka falënderuar atë për një skulpturë që ia ka dhuruar sa ishte në Kosovë në qershor të vitit të kaluar.

”I dashur Luan, para se të kalojnë shumë kohë, unë dua të falënderoj për skulpturën tuaj të bukur që ma dhatë, gjatë kohës sa isha në Kosovë në qershor.  Ishte një nder për mua që të ju takoj ju dhe djalin tuaj, derisa isha atje për të festuar 20 vjetorin e paqes dhe për të zbuluar skulpturën tuaj madhështore të Sekretare Albright”, ka shkruar Clinton në letrën e tij drejtuar Mulliqit.

Clinton dhe Mulliqi ishin takuar në Prishtinë, në qershorin e vitit të kaluar, ku edhe ashtu siç u tha në letër skulptori kosovar i kishte dhuruar presidentit amerikan një skulpturë.

Luan Mulliqi është skulptor dhe piktor i njohur nga Gjakova.

Portierja e Kosovës fiton Superkupën e Zvicrës

Portierja e Kosovës në hendboll, Kristina Ukaj, ka fituar të dielën Superkupën e Zvicrës. Ukaj luan për skuadrën Spono Eagles që në ndeshjen për Superkupë e mposhti Bruehlin me rezultat 28:27.

Ndeshja u luajt në Winterthur, para 998 shikuesve dhe duke respektuar masat në luftë ndaj COVID-19.

Edicioni në Zvicër ishte ndërprerë dhe për këtë arsye për Superkupë luajtën skuadrat që fituan trofetë e edicionit 2018/19, kampioni Bruehli dhe fituesja e Kupës, Spono Eagles.

Ukaj, që është në pritje të debutimit te Kosova, ndali gjuajtjen vendimtare të Bruehlit, në sekondat e fundit të ndeshjes. Ajo kishte katër pritje, por në momente kyçe. Dy portieret tjera të Spono Eagles nuk kishin asnjë pritje.

Pos në futboll, në sportet tjera kosovarët shumë rrallë fitojnë trofe në vendet evropiane.

FHK-ja pret që Ukaj të jetë përforcim i madh për sfidat e ardhshme.

Shyrete Tahiri Sulimani: Edhe neve duhet të na pyet dikush se si e ndjejmë veten edhe a dojmë negociata

Në prag të takimit në Washington mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Presidentit Donald Trump, kanë filluar rekomandimet që tema e të zhdukurve dhe viktimave të dhunës nga Serbia të jetë pjesë e negociatave, shkruan KultPlus

Shyrete Tahiri, një nga gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë  ka shkruar se Kosova nuk duhet të ulet në tavolinë me Serbinë nëse nuk diskutohet këto tema.

“Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi morale e juridike për gjithë ata viktima të luftës e ata qe kanë humb të afërmit e tyre e ata që janë ende të zhdukur që ende kanë trauma të luftës”, ka shkruar ndër të tjera Tahiri në Facebook.

Këtu keni statusin e saj të plotë:

“Edhe neve duhet të na pyet dikush se si e ndjejmë veten edhe a dojmë negociata e jo .

Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi morale e juridike për gjithë ata viktima të luftës e ata qe kanë humb të afërmit e tyre e ata që janë ende të zhdukur që ende kanë trauma të luftës . Si ata të dhunuarit që mbas 20 vjet kanë ëndrra “ Horore “ të kërkojnë përgjegjësi nga “serbia “ . Po se bënë këtë ne do të kërkojmë nga Qeveria e Kosovës pra te na përgjigjët të gjithve neve zyrtarisht .

Nuk ka me u ulë me një tavolinë me armikun deri sa ti marrin ata përgjegjësit . BE e USA nuk e kishte lanë këtë punë nëse të ishte çështje e popullatës  së tyre, kështu që apeloj Qeverinë e Kosovës mos të niset në Amerikë pa i diskutu këto çeshtje me gjithë ne që i permenda ma lartë .

Me respekt Shyretja”

Postimi për Chadwick Boseman bëhet më i pëlqyeri në Twitter

Postimi në Twitter përmes së cilit u lajmëruar se kishte vdekur aktori Chadwick Boseman, është postimi më i pëlqyer në gjithë historinë e Twitterit.

Twitter përmes llogarisë zyrtare të vetën e ka konfirmuar një gjë të tillë, duke shkruar: “Postimi më i pëlqyer ndonjëherë. Një përkujtim i përshtatshëm për një mbret”, raporton CNN.

Llogaria e Boseman shpërndau një fotografi bardh e zi të tij dhe një deklaratë e cila lajmëronte se ai kishte vdekur si pasojë e një beteje 4-vjeçare me kancer. Ai ishte 43-vjeç, transmeton KOHA.

Mesazhi u përhap shumë shpejt dhe tani qëndron në krye të tabelës së Twitterit me më shumë se 5.7 milionë pëlqime.

“Mendoj se ne duhet t’i lexojmë vetëm librat të cilët na lëndojnë ose na godasin”

Franz Kafka është njëri nga autorët më të njohur të letërsisë botërore i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërësi. Këtu kemi shkëputur një pjesë nga mendimi i tij rreth asaj se çfarë duhet lexuar.

“Mendoj se ne duhet t’i lexojmë vetëm librat të cilët na lëndojnë ose na godasin. Nëse librin të cilin jemi duke e lexuar nuk na zgjon neve me një shpërthim në kokën tonë, atëherë për çfarë po lexojmë? Për të na bërë të lumtur, do të thoshit ju?

Unë mendoj se ne mund të jemi të lumtur pikërisht nëse nuk do të kishim fare libra. Ne kemi nevojë për libra të cilat ndikojnë tek ne ashtu si një fatkeqësi, të cilat na brengosin neve thellësisht, ashtu sikur vdekja e dikujt të cilin e kemi dashur më shumë se veten, ashtu sikur dëbimi në një Pyll, larg prej të gjithëve, si një vetëvrasje.

Një libër duhet të jetë sëpatë për detin e ngrirë brenda nesh. Kështu besoj unë.” Filozofia.al / KultPlus.com

– Franz Kafka

Sevasti Qiriazi, një nga gratë me më shumë ndikim të botës shqiptare

Sevasti Qiriazi ndërroi jetë më 30 gusht 1949, kur emri i saj ishte vendosur në indeksin e kujtesës së ndaluar.

E cilësuar njëra prej femrave atdhetare shqiptare dhe nismëtare e organizimit të arsimit kombëtar për femra, Sevasti Qiriazi u përkujtua sot nga kryeministri Rama.

“Një nga gratë me më ndikim të botës shqiptare, në kapërcyell të shek. XIX dhe XX, ndërronte jetë pasi i pat mbijetuar dhjetra ndërrimesh të pushteteve dhe kalonte matanë në heshtje. Duke i mbyllur të famshmin Institut Kyrias, themeluar prej saj në vitet’ 20, e duke e zhveshur prej rolit në emancipimin kombëtar, diktatura komuniste synoi të zhbënte ndikimin moral dhe shpirtëror të kësaj gruaje të madhe”, shprehet Rama.

Sevastia, motër e Parashqevisë, Gjergjit e Gjerasimit, bashkëshorte e Kristo Dakos, atdhetarit me plot merita, iu bë Shqipërisë dhe shqiptarëve një lloj “mëme mëkuese” e parimeve të jetës kombëtare dhe e primatit të gjuhës shqipe. Naimi e trajtonte si të barabartë, rilindasit i puthnin dorën dhe i drejtoheshin me venerim në korrespondencat e tyre, vashat e Toskërisë e adhuronin si mësuese të shkollës së tyre të parë, komitët e mbronin sikur ta kishin motrën e madhe prej nëne.

“Nuk kishte asokohe zonjëza që merreshin aq seriozisht në konsideratë dhe që shquheshin me siluetën e tyre në debatin publik, në botën ultramashkullore të Shqipërisë së asaj kohe, si motrat Qiriazi. Fuqi kujdestare e nismave më të goditura në planin kombëtar, në atdhe e në diasporë, Sevastia i ndihu përparimit të fletores “Ylli i Mëngjesit” dhe formimit të Partisë Kombëtare. Bëri përçapje gjatë Konferencës së Paqes, me një mijë e një mënyra, për të shmangur cënimet territoriale, duke i dhënë një dorë të çmuar bashkëshortit, Kristo Dako, protagonist i përleshjeve diplomatike në Versajë”, tha ë tej Rama.

Kontributet e Sevastisë, u shpreh Kryeministri, janë të mahnitshme dhe nuk është më i parëndësishmi prej tyre ndikimi që arriti të ushtrojë mbi elitat shqiptare.

Ky ndikim përbashkoi edhe më shumë gjindjen, zbuti edhe më tej dasitë dhe tregoi se, siç thoshte një poet i madh francez, kudo e kurdoherë, “la femme est l’avenir de l’homme” – gruaja është e ardhmja e njeriut. Padyshim. atsh / KultPlus.com

1.643 persona janë ende të zhdukur në Kosovë

Kanë kaluar më shumë se 22 vite që nga lufta e armatosur në Kosovë, ndërsa familjarët e 1643 personave të zhdukur ende po presin përgjigje për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Familjarët e personave të zhdukur kanë vuajtur në përpjekje për t’u përballur me mungesën e të dashurve të tyre, ndërsa pandemia COVID-19 e ka bërë gjendjen e tyre edhe më të vështirë.

Rënia e përgjithshme e shkallës së zbardhjes së fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur dhe mungesa e një reagimi të duhur ndaj nevojave të familjarëve të tyre kanë mbetur shqetësimet kryesore të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) në Kosovë, viteve të fundit.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, shefi i misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi, tha autoritetet duhet t’i shtojnë përpjekjet e tyre për ta zgjedhur këtë problem humanitar që e ka rënduar shoqërinë kosovare qe më shumë se dy dekada.

I shqetësuar për tempin në rënie në të cilin janë zgjidhur rastet e personave të zhdukur viteve të fundit, Gashi pohoi se përderisa në vitin 2019 janë zgjidhur tetë raste, këtë vit është gjurmuar vendndodhja e vetëm tre personave.

“Pengesa kryesore ndaj një përparimi më të shpejtë është mungesa e informatave të reja që do të çonin në lokacionet e reja të varrezave,” tha ai.

“Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, familjarët kanë të drejtë të dinë se çfarë u ka ndodhur të dashurve të tyre. Si gjithmonë, KNKK-ja është e gatshme t’i mbështesë autoritetet në përmbushjen e përgjegjësive të tyre në këtë aspekt dhe i nxit ato që çështjen krejtësisht humanitare të personave të zhdukur ta vënë në plan të parë.Në anën tjetër, është momenti i fundit që njerëzit që mund të kenë informata që mund të shpijnë në zbardhjen e cilitdo rast të ndonjë personi të zhdukur të paraqiten dhe që të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë të përpiqen t’i nxjerrin familjarët nga ky terr që po i rrethon”, thuhet në një komunikatë të KNKK. Klan Kosova / KultPlus.com

Jeto dhe jetën time po e deshe

Poezi nga Zhuliana Jorganxhi

Jeto dhe jetën time po e deshe,
Eja dhe merre, veç jeto.

Ata që s’duan dashurinë,
Nuk dinë seç është mirësia.
Folenë e ngrenë në errësirë,
Edhe mbi ty lëshojnë stuhira.
Se jane mësuar të zvarriten,
Të të helmojnë, pastaj të vdesin.
Pa prekur trupin tënd të ngrohur,
Nga afshi i puthjesh, ledhatimit.
Dhe pena ime nis e shkruan,
Kaq e lodhur nga mundimi.
Kërkon nga ty dhe merr dy fjalë,
Dhe ndalet lumi i zemërimit.

Të dua, të dua, të dua,
Oh, këngë hyjnore e kësaj bote.
Që pëshpëritet nga buzët e dashuruara,
Që frymë ty të dhanë.

Shumë të kërkova gjersa të gjeta.
Dhe nëse vdes mos u trishto,
Por, ti jeto!

Nëpër rrugët e dashurisë,
Enden këngët dhe legjendat.
Nëpër vargjet e poetit,
Zemrën ta njoh.
Dhe në vija pentagramesh,
Derdhet shpirti i një artisti.
Por diçka pa thënë ka mbetur,
Le të tjeret ta tregojnë.

Dhe jetën time po e deshe,
Eja dhe merre,
Por, ti jeto… / KultPlus.com

Sot 532 vjetori i themelimit të ‘Horës Arbëreshe’

Sot shënohet dita e themelimit të ngulimit arbëresh në Siçili, “Piana degli Albanesi” ose siç thuhet në arbërisht “Hora e Arbëreshëvet”.

Kjo komunë u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup shqiptarësh nga viset shqiptare, kryesisht nga Himara, të cilët e braktisën vendlindjen për shkak të luftës. Në kërkim të lirisë, ata u vendosën përtej detit Adriatik, në Itali.

Çdo 30 gusht përkujtohet si një ngjarje e shënuar për këtë komunitet. Festimet e parashikuara për t’u zhvilluar sot, sipas njoftimit zyrtar në faqen e komunës “Piana degli Albanesi”, janë shtyrë për muajin nëntor, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pandemisë dhe duke vlerësuar shëndetin si elementin parësor të qytetarëve.

Sipas kryetarit të kësaj komune, Z. Rosario Petta, festimet e sotme do të kufizohen vetëm në liturgjinë hyjnore të së dielës, ndërsa në fund të muajit nëntor 2020 pritet të mbahen manifestime me rastin e 532-vjetorit të themelimit të kësaj vatre shqiptare në Itali. / KultPlus.com

Prishtina bëhet me bustin e senatorit Bob Dole

Sot me rastin e 30 vjetorit të vizitës së delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Bob Dole në Kosovë në vitin 1990, ky i fundit u nderua me një bust, shkruan KultPlus.

Busti është vendosur në Lagjen Dardania në Prishtinë, pikërisht në rrugën që mban edhe emrin e senatorit Dole.

Përmes një video-mesazhi, senatori Dole ka shprehur mirënjohje për inaugurimin e bustit në Prishtinë.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën para 30 vjetëve. Tridhjetë vite kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, tha Dole.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është nder i veçantë zbuli i bustit të një personi siç është senatori Bob Dole.
“Senatori Dole është i pari që ka vizituar Prishtinën dhe presidentin Ibrahim Rugova në kohët më të vështira”, u shpreh tutje Hoti.

Ndërtimi i bustit të senatorit Bob Dole u bë nga artisti i njohur Luan Mulliqi, ndërkaq projekti u financua nga Oda Amerikane në Prishtinë. / KultPlus.com

Ishte viti 1949 kur Sevasti Qiriazi si një ”armike” u përcoll për në banesën e fundit vetëm nga katër gra

Shkruan Niko Kotherja

1949. 30 gusht.

Ne nje banese tradicionale tiranase dha frymen e fundit pionerja e arsimit kombetar shqiptar per femra, Sevasti Qiriazi Dako.

Jeta e saj 70 vjecare kaloi peripeci te panumerta, te ndryshme, duke rrezikuar jeten dhe familjen per shkollen shqipe si dhe per ceshtjen kombetare.

Prej vitit 1941 do te fillonin fatkeqesite ne familjen e saj. Ate vit vdiq bashkeshorti, patrioti i shquar Kristo Dako. I balsamosur nga i biri, Gjergji, trupi i Dakos u vendos ne varrezen familjare ne Kamze. Pas dy vitesh, me 1943, krejt familja u internua ne Zemun, ku mrekullia beri qe te mos shuhej kjo familje. Te rraskapitur, Sevastia me motren e saj Parashqevi, dy djemte Gjergj dhe Skender dhe dy nuset e tyre me femijet, kthehen ne Tiranen e vitit 1945. Iu ishte sekuestruar gjithcka. Shtepia dhe shkolla ne Kamze nuk ishte me e tyre. Perdhosja qe filloi te mposhtte mesuesen veterane ishte makabre. Studentet e Kursit te Partise qe kishin uzurpuar godinat e tyre kishin thyer varrin e xhamte te Kristo Dakos, i kishin shkulur koken atij dhe me te kishin luajtur futboll…! Mesueseve te para te shqipes iu la si favor qe nese deshironin te banonin ne kotecin e pulave te shtepise se tyre. Pasi e lyen me gerqele te bardhe, si zemra e tyre, per pak kohe veteranet jetuan aty derisa u debuan edhe prej atje.

Te mbetura rrugeve, ato gjeten mbeshtetje dhe strehe ne ish kuzhinierja e “Institutit Kyrias”, Rukije Tafaj.

Helmi i fundit qe mori nga kjo jete ishte varja ne qeli e te birit, Gjergjit, kirurgut qe ishte akuzuar per spiunazh dhe gjendej i burgosur. Sevastia nuk mundi as te terhiqte trupin e te birit pasi ate e shkaterroi traktori qe punoi token.

Ne gjendje te vajtueshme, Sevasti Qiriazi Dako mbylli syte ne shtepine e Rukije Tafajt. Si “armike” u percoll per ne banesen e fundit vetem nga kater gra Parashqevia, nuset e dy djemve, ish kuzhinierja Tafaj dhe dy varremihes.

Ishte viti 1949. 30 gusht. 

(Teksti u publikua pa ndërhyrje) / KultPlus.com

‘Në Pritje’ (FOTO)

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve në Ballkan.

Dy vite më parë, fotografi Artan Korenica, publikoi një seri fotografishë të personave që akoma janë në pritje të më të dashurëve të tyre, që tashmë po shënojnë dy dekada në zhdukje, shkruan KultPlus.

Këto fotografi paraqesin shumë familjarë të cilët ende janë në pritje të më të dashurve të tyre, që nga dita kur forcat paramilitare serbe i morën ata për të mos i kthyer kurrë më në familjet e tyre.

Në Kosovë mbi 1600 persona vazhdojnë të mbesin të zhdukur nga lufta e fundit. / KultPlus.com

Kur senatori Bob Dole mbajti fjalim para mijëra shqiptarëve me moton ‘Liri dhe Pamvarësi për Kosovën (FOTO)

Fotografi Afrim Spahiu ka publikuar disa fotografi që paraqesin atmosferën e demostratës dhe fjalimin para Capitol Hill.

Me moton ‘Liri dhe Pamvarësi për Kosovën’, para mijë protestuesish shqiptarë, senatori Bob Dole, mbajti fjalimin emocionues dhe pas disa ditëve u nis drejt e në Kosovë.

”Përkundër gjithë dhunës nga regjimi i Millosheviqit , atë ditë para hotel Grand në Prishtinë, u mbajt demostratë e madhe dhe e përgjakshme ndaj demostrusve. Takimi i paraparë në Hotel Grand me dr. Ibrahim Rugovën dhe parinë politike kosovare u mbajt nën masa të tensionit dhe sigurisë të lartë të senatorit Doll!”, shprehet Spahiu në mbishkrimin e fotografive. / KultPlus.com