Bebe Rexha feston 31 vjetorin e lindjes, vazhdon të na bëjë krenarë

Bebe Rexha, ndër artistet shqiptare që dita ditës po na bëjnë krenarë, sot feston 31 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

Bebe ka filluar karrierën në moshë shumë të re por vazhdon të mbetet ndër emrat më me ndikim në skenën ndërkombëtare të muzikës.

Ndonëse këtë vit këngëtarja nuk ka qenë shumë aktive në skenën muzikore, ajo ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e fansave duke qenë tejet aktive në rrjete sociale.

Bebe Rexha, emri i vërtetë i së cilës është Bleta Rexha, është lindur e rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga dy prindër shqiptarë.

Babai i saj, Flamur Rexha, është me prejardhje nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, kurse nëna e saj vjen nga Gostivari.

E njëjta ka filluar te merret me muzikë qysh herët, por famën më të madhe e arriti si kompozitore e “The Monster” të interpretuar nga Rihanna dhe Eminem, që më pas i hapën rrugë të madhe drejt një karriere të bujshme në tregun ndërkombëtar.

Ndër këngët më të njohura të saj, janë: “Meant to Be”, “I Got You”, “Say my my name”, “In the Name of Love”, “I’m a mess”, “Me, Myself & I”, “The Way I Are”, “I’m Gonna Show You Crazy”, “Last Hurrah”, “Harder”, “You Can’t Stop the Girl”, “Not 20 Anymore”.

Bebe poashtu ka qenë pjesë e evenimenteve të mëdha të muzikës dhe ka rrëmbyer çmime të shumta. / KultPlus.com

Hapet ekspozita e Hazir Rekës, shpalosen për herë të parë fotografi të delegacionit të Senatit amerikan

Sot në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, u hap zyrtarisht ekspozita e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit amerikan, që ndodhi në gusht të vitit 1990, shkruan KultPlus.

Pandemia ka bërë që secili aktivitet të zhvillohet në mënyra të ndryshme, duke respektuar masat AntiCovid, kështu ndodhi edhe me ekspozitën e Rekës e cila zuri vend në ambient të jashtëm.

Këto foto para publikut po paraqiteshin për herë të parë dhe për fotografin Reka kjo do të thoshte shumë, ai falenderoi të pranishmit për vizitën dhe e shpalli zyrtarisht të hapur ekspozitën. ”Për të gjithë ju që nuk keni qenë prezent në atë pritje madhështore dhe në atë dhunë të tmerrshme, sot keni rastin të shihni se çfarë ndodhi para 30 viteve”, deklaroi ai para të pranishmëve.

Kjo ekspozitë i parapriu inaugurimit të bustit të senatorit i cili do të bëhen në rrugën ‘Bob Dole’, sot në Lagjen Dardani, duke filluar nga ora 13:30.

Ekspozita e fotografit Reka, do të jetë e hapur gjatë gjithë ditës. / KultPlus.com

Bashkimi bëri fuqinë, Apple vendos Kosovën në hartë

Megi Cara është studentja shqiptare në Londër e cila nisi peticionin për vendosjen e Kosovës në hartën e kompanisë Apple.

Fushata e vendosjes së Kosovës në hartën e Apple e cila bëri bujë të madhe, më në fund e ka arritur qëllimin.

E pas 197,175 nënshkrimeve në platformën online “Change”, ku kërkohej vendosja e kufijve të Kosovës në hartat e kompanisë teknologjike Apple, erdhi edhe lajmi i mirë.

Është vet Megi ajo që njoftoi se kërkesa e arriti qëllimin.

“Bashkimi bën fuqinë! Jam e lumtur të them se Kosova është shtuar në Apple Maps! Faleminderit për mbështetjen tuaj”, shkroi Megi në “Change.org”.

Fushata për vendosjen e kufijve të Kosovës në hartat e Apple u përkrah nga shumë njerëz, ndër ta edhe nga yjet tona nëpër botë – nga Dua Lipa, Rita Ora e shumë të tjerë. / KultPlus.com

Letra emocionuese që Abraham Lincoln i dërgoi mësuesit të djalit të tij

Kjo është letra që presidenti amerikan Abraham Lincoln i drejtoi mësuesit të djalit të tij në fillim të shkollës. Një letër që duhet lexuar për të kuptuar jetën dhe mësimet që janë të rëndësishme tek fëmijët.

Letra e plotë:

Mësues i nderuar.
Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e re dhe e çuditshme, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht. Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet. Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Për këtë, i dashur mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë, por butësisht, nëse mundeni.
Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t’i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, dhe jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë, me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur, si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.
Mësojeni ti përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbëruar.

Mësojeni të ketë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do ti thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t’i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjonte në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij se si të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajo për të qenë i padurueshëm. Lejojeni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në ZOTIN. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni
më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mire DHE ËSHTË BIRI IM

Me respekt
Abraham Lincoln. / KultPlus.com

Të pagjetur, por jo të harruar

Për të nëntën herë, nesër shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve. Kjo është një ditë kur njerëzit në të gjithë botën duhet të ndalen dhe të mendojnë për ata që janë të pagjetur.

Të humbasësh ndonjë të dashur është e dhimbshme. Por, të humbasësh një të dashur dhe të mos e dish kurrë fatin ose vendin e prehjes së tij ta djegë zemrën. Ky është realiteti i mbushur plot me vrer për shumë familje në mbarë Ballkanin Perëndimor për më shumë se dy dekada.

Rreth 40.000 persona u zhdukën gjatë konflikteve të viteve 1990 në territorin e ish-Jugosllavisë. Diku 11.000 janë ende të pagjetur. Kjo mbetet një nga pasojat më të dhimbshme të këtyre konflikteve.

Ndërsa kujtojmë të pagjeturit, ne përkulemi me nderim para të gjithë atyre që kanë punuar pa pushim për t’i gjetur dhe identifikuar viktimat e konfliktit dhe për t’u sjellë sadopak ngushëllim familjeve të tyre që ende janë në zi.

Mes dhembjes dhe vuajtjes së zgjatur, qëndron një tregim i jashtëzakonshëm. Më shumë se 70 për qind e atyre që janë raportuar të humbur në fund të luftimeve janë gjetur. Asnjë rajon tjetër në botë nuk ka arritur një shkallë kaq të lartë të identifikimit pas konfliktit.

Një arsye për këtë është përdorimi i teknologjisë së re që ka bërë revolucion në procesin e identifikimit të mbetjeve mortore. Kjo teknologji përdor mostrat e ADN-së nga anëtarët e familjes së gjerë, si dhe nga familja e ngushtë, dhe do të bëjë të mundur përparimin e mëtutjeshëm në mbylljen e këtij kapitulli të dhimbshëm të trashëgimisë së konfliktit.

Mbretëria e Bashkuar ka pasur privilegjin të mbështesë dhe të punojë me institucionet qeveritare dhe organizatat vendase dhe ndërkombëtare. Këto përpiqen t’u japin familjeve shpresë se të dashurit e tyre do të gjenden dhe identifikohen, dhe t’u japin atyre prehje shpirtërore.

Familjet e të pagjeturve e kanë një tregim që të ngjallë ndjenja të forta. Zërat dhe veprimet e tyre kanë vazhduar të ndihmojnë dhe të ofrojnë mbështetje për të tjerët që merren me këtë çështje. Ne mbetemi të përulur nga guximi dhe vendosmëria e tyre. Siç tha Lartmadhëria e Tij, Princi i Uellsit, kur u takua me ta në Londër, “dinjiteti dhe njerëzia e tyre është një mësim për të gjithë ne dhe rikujtim se pajtimi nuk është thjesht një koncept abstrakt teorik”.

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, të mbajtur në korrik 2018, në një Deklaratë të Përbashkët, udhëheqësit rajonalë u zotuan të sigurojnë hetime të paanshme dhe efektive të rasteve të personave të pagjetur; të zgjidhin sa më shumë raste që të jetë e mundur; t’i angazhojnë në mënyrë aktive në këtë proces familjet e të të pagjeturve; dhe të përmbahen nga politizimi i çështjes. Sot, ne ua rikujtojmë të gjithëve këto zotime.

Ne mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar në intensifikimin e përpjekjeve për të gjetur dhe identifikuar ata që ende janë të zhdukur. Bashkëpunimi edhe më i ngushtë bilateral dhe rajonal do të jetë vendimtar për zbardhjen e rasteve të pazgjidhura. Një pjesë kyç e kësaj është Grupi për Personat e Zhdukur i krijuar nga Institutet për Personat e Zhdukur nga Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Plani i Grupit përcakton veprimet që do t’i ndërmarrin këto vende për të zbardhur rastet e mbetura të personave të zhdukur, përfshirë këtu edhe krijimin e një databaze referuese publike.

Ne përshëndesim vendosmërinë e Instituteve për Personat e Zhdukur për të punuar së bashku përtej kufijve dhe për t’i vendosur familjet në thelbin e procesit. Ne u bëjmë thirrje instituteve që të vazhdojnë të kultivojnë këtë qasje dhe të mbeten të orientuar drejt këtij qëllimi, për t’u sjellë ngushëllim familjeve që ende po i kërkojnë të dashurit e tyre.

Ndërsa po shënojmë këtë ditë përkujtimore, ne rishprehim zotimin për të mbështetur punën e rëndësishme që ende nuk ka marrë fund. Ne për asnjë moment nuk i shkëpusim sytë nga synimi për të zgjidhur ato mijëra raste që mbeten të pazgjidhura. Ne do të vazhdojmë të punojmë për drejtësi për viktimat e konfliktit, për t’u sjellë prehje mendore dhe shpirtërore familjeve të tyre dhe për arritjen e pajtimit të qëndrueshëm anekënd këtij rajoni të bukur.

(Bashkautorë të shkrimit janë: Nicholas Abbott, ambasador britanik në Kosovë, Steve Arrick, i ngarkuar me punë në Ambasadën britanike në Podgoricë, Matthew Field, ambasador britanik në Bosnjë-Hercegovinë, Sian MacLeod, ambasador britanik në Serbi, Karen Maddocks, ambasadore britanike në Mal të Zi dhe Helen WalkerFlemming, e ngarkuar me punë në Ambasadën britanike në Kroaci) / KultPlus.com

Amaneti i gjimnazistit shkodran që ia prenë këmbë e duar në burg: Zef nanës mi ço fjalë e i thuej se e kam dashtë shumë

Çastet e fundit dhe amaneti i Filip Logorecit, lënë bashkëvuajtësit të tij të qelisë, Zef Staku. Historia tronditëse e gjimnazistit shkodran, që humbi këmbë e duar nga torturat çnjerëzore në hetuesi e më pas dha shpirt në burgun e Shkodrës.

Kur në radio BBC dëgjohej zëri i Anton Logorecit, duke analizuar se si po shkeleshin të drejtat e njeriut në Shqipëri, i vëllai Filipi, po vuante të gjithë egërsinë e diktaturës komuniste nëpër birucat e burgut famëkeq të Shkodrës, të viteve të para të komunizmit.
Filip Logoreci ishte fëmija i shtatë i familjes Logoreci në Shkodër. Sapo kishte përfunduar gjimnazin. Natyrisht, kishte ëndrrat e tij për të vazhduar studimet e larta, si fëmijët e tjerë të Logorecëve. Është ndër familjet e spikatura në Shkodër e mbarë vendin, për traditën e dijes, kulturës e patriotizmit. Por Filipi nuk do të mund ta vazhdonte traditën, sepse regjimi kishte vendosur të lëshonte mbi të, të gjithë mllefin monstruoz për kundërshtarin e regjimit.

I vëllai i Filipit, Anton Logoreci, ishte në atë kohë drejtues i sektorit për Shqipërinë dhe Europën Lindore në radio BBC, në Londër. Anton Logoreci ishte një ndër analistët më në zë të BBC në atë kohë dhe mjaft aktiv për ngjarjet që po ndodhnin në vendet e kampit komunist. Natyrisht, Shqipëria dhe regjimi komunist zinin një vend të rëndësishëm në analizat e tij.
Sa më shumë fjalë lëshonte Anton Logoreci kundër regjimit komunist, aq më shumë ngushtoheshin hekurat nëpër kyçet e këmbëve dhe duarve të njoma të të vëllait gjimnazist, Filip Logorecit.

Janë katër vite të mundimshme nëpër birucat e burgut të Shkodrës, atje ku u torturuan e u vranë qindra kundërshtarë të regjimit komunist.
E ka rrëfyer historinë e Filipit, bashkëvuajtësi i tij i burgut, Zef Staku, dhe na vjen përmes një artikulli të botuar në Shkodranews, nga pinjolli i i kësaj familje, Pjetër Logoreci. Në këtë rrëfim, ka detaje shumë të dhimbshme të ditës së fundit të Filip Logorecit, në burgun e Shkodrës.

Vakti i fundit

Familja e Filipit kishte sjellë disa ushqime dhe veshmbathje sipas rregullores, pasi lejohej një herë në tre muaj që familjarët të mund të kujdeseshin për të burgosurin. Filipit nuk i lejohej takimi me familjen.
E ëma Maria nuk e kishte parë qysh ditën kur e arrestuan dhe nuk e dinte se çfarë po ndodhte me të birin. Ashtu në heshtje, e ëma e la atë çantë me ushqime e veshje për të birin dhe u largua zemërthyer.
Pas pak, gardiani i burgut u shfaq në qelinë ku ndodhej Filipi dhe shokët e tij… Me ulërima ai thirri në derën e qelisë: … Cili është Filipi?! … hajde të marrësh ushqimin që solli familja…!

Por Filipi nuk mund të çohej sepse ai nuk i kishte as duart, as njërën këmbë. Doktori i burgut kishte vendosur t’ia priste pasi nuk kishte zgjidhje tjetër. Për shkak të shtrëngimit të hekurave, gjymtyrët e Filipit ishin gangrenizuar. Filipi jetonte si në ferr me dhimbje e rënkime. Bashkëvuajtësi i tij, Zef Staku, kujdesej çdo ditë për të, duke u përpjekur ta ushqejë, ta lajë e ta ndërrojë me aq mundësi sa kishte.

“Filipi nuk mund të ngrihet, zotni komandant”, u dëgjua zëri i Zef Stakut përtej hekurave, “ai asht shumë i smurë e ka ra në kllapi prej ethesh…”. Kapteri hodhi mbi çimento tasat e ushqimit duke mallkuar Filipin, Zefin e gjithë të tjerët…

Zef Staku, e mori çantën me ushqime që nënë Marija kishte dërguar për Filipin dhe u përpoq t’i jepje një lugë me lëng mishi. Por Filipi ishte shumë i sëmurë e nuk mund të hante as të pinte. Në qeli ishin 13 veta.
Askush nuk bzante në respekt të orëve të fundit të jetës të shokut të vuajtjeve. Në qeli vazhdon heshtja… Filipi është në grahmat e fundit, por po përpiqej të belbëzojë disa fjalë.
Zefi arrin të kuptojë përmes belbëzimesh: … Zef, … nanës, mi ço fjalë nanës…, … i thuej që e kam dasht shumë… nanës…Zef”

Prej së largu u dëgjuan këmbanat e kishës, ndërsa Zefi përshpëriste lutjen e fundit për shpirtin e Filipit. Pas pak orësh, dëgjohet përtej hekurave edhe britma e nanës Mari…/kujto.al/ KultPlus.com

Besiana Kadare dhe ambasadorja Kim vizitojnë shtëpinë-muze të familjes në Gjirokastër

Besiana Kadare, zëvendëpresidente e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka vizituar shtëpinë e lindjes në Gjirokastër e shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim.

Vajza e shkrimtarit Ismail Kadare e njoftoi vetë vizitën në Gjirokastër, duke theksuar përshtypjet nga kjo vizitë.

“Udhëtim interesant në shiritin e kujtesës ndërsa vizitoja për herë të parë aprtamentin ku u rrita gjatë Shqipërisë komuniste, tani i kthyer në një muze Shtëpia Kadare”, tha Besiana Kadare.

Po ashtu, Kadare shtoi se “Jam e gëzuar për të ndarë përvojën me shoqen dhe kolegen time ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim për të rrëfyer këtë pjesë të së kaluarës sonë” /atsh/ KultPlus.com

Mal Safqiu nominohet për çmimin ‘Performanca Më e Mirë për Fëmijë’ në Festivalin e New York-ut

Filmi ‘Rruga’ nën regjinë e Besim Ugzmajlit që tashmë ka gëzuar mjaft suksese edhe jashtë kufijve, si protagonist kryesor ka Mal Safqiun, shkruan KultPlus.

Me performancën e tij në këtë film të shkurtër, Mali arriti të fitojë shumë zemra, duke u bërë kështu një aktor i ri që premton shumë.

Ndërkaq, është bërë e ditur se Mali, ylli i filmit ”Rruga”, është nominuar për çmimin e Performancës Më të Mirë për Fëmijë në New York True Venture Film Festival.

Ndër të tjera vlen të ceket se filmi ”Rruga”, ka qenë i nominuar edhe në shumë festivale të tjera, prej tyre edhe festivale të akredituara nga Akdemia Oscar.

“Rruga” është prodhim i Figurina Film’s. / KultPlus.com

Biri im, të kërkoj falje që nuk jam i pavdekshëm

Nga Edmond Tupja

“Ges, ti i ke dhënë një kuptim të ri jetës sime, unë mësova prej teje të kuptoj Tjetrin, të mposht vetveten, egon time, sa herë që kjo është e domosdoshme; mesova të heq dorë nga shumë gjëra në emër të dashurisë që ushqej për ty, të të dua edhe kur ti me godet, edhe kur ti më gërvisht, pra, edhe kur më dënon e ndëshkon me dhunë; mësova të luftoj ndryshe, edhe kur e di që nuk do të fitoj, mësova ta shoh, ta dëgjoj, ta nuhas e ta prek botën me syrin, veshin, hundën e dorën tënde dhe kështu, ta kuptoj duke e filtruar edhe përmes ndërgjegjes se tjetrit, aq më tepër kur tjetri je Ti!

Sigurisht, Ges, unë të kërkoj të falur që nuk kam arritur të t`i plotësoj të gjitha, që nuk po të shkëpus dot nga autizmi, të kërkoj të falur për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tënde, të kërkoj te falur që nuk jam i pavdekshem, por i përkohshëm ashtu si edhe nëna jote, sepse brenga jonë më e tmerrshme është mendimi që një ditë të frikshme, ti do të gjendesh vetëm, pa njeri pranë për t`u kujdesur për ty, për të të dhuruar të paktën një grimë mirëkuptim e dashuri. E di, ti nuk ke as motër e as vëlla, ke vetëm një gjysmë vëlla nga ana ime, por që jeton prej vitesh në Kanada dhe që atje e ka ndërtuar jetën e vet; sot kanë ardhur kohë të tilla që njerëzit vdesin të vetmuar, madje edhe prindër që kanë lindur, rritur e nxjerrë në jetë dy, tre, katër a më shumë fëmijë, sepse, siç thuhet, secili ka fatin e vet.

Po ty, po sivellezerit e simotrat e tua me autizëm, çfarë fati ju pret? Sikur të paktën të kishte institucione për të vetmuarit si ti, si të tjerët që të ngjajnë, në mënyrën që ne, prindërit e tu, prindërit e tyre t`i mbyllnim sytë të qetë deri diku duke menduar se ti, djali ynë, se femijët e tyre me autizëm, nuk do të ndiheni të braktisur, edhe më të vetmuar sesa jeni sot që ne jemi ende gjallë. Ges, unë nuk jam besimtar, megjithatë, një buzëmbrëmje dimri anonim, tek mendoja të tashmen tënde të trishtuar dhe të ardhmen tënde të zymtë, pasi ti më kishe dendur me grushta e flakur përtokë si një thes me kashtë të kalbur, rashë në gjunjë dhe i drejtova dëshpërimisht këtë lutje njerëzore Fatit, Rastësisë, Natyrës apo Zotit, pak rëndesi ka: “ O Ti, i Mistershmi, i Gjithpushtetshmi, i Pashmangshmi! Shëroje Gesin tim të pafajshëm! Nuk të kërkoj, nuk të përgjërohem ta bësh gjeni, apo talent, jo, bëje thjesht normal, a më dëgjon, a më kupton, thjesht N-O-R-M-A-L, si shumica e fëmijëve të kësaj bote, të kësaj jete! Bëje normal që ai të jetë të paktën i zoti i vetes, të arrije të mbijetoje edhe kur të gjendet përfundimisht vetëm pas vdekjes së prindërve te tij. Plotësoma këtë dëshirë dhe jam gati të ta fal jetën time!

Të ta fal jetën time? Kjo do të ishte fare e thjeshtë për mua, madje do te ishte diçka parajsore, sepse TI e di, për mua përtejvdekja, pra, pavdekësia, është zinxhiri i trashëgimtarëve: Gesi njeri normal, i biri ose e bija e Gesit, nipat e mbresat e Gesit e keshtu, nga hallka në hallkë, deri sa të ketë jetë mbi rruzullin tonë tokësor. Atëherë, bëmë që të vuaj tmerrësisht, që të gjitha sëmundjet më të llahtarshme të botës të bien mbi mua- sidë, lebër, Alzheimer, kancer, skizofreni, delirium tremens etj., etj. – njëra me e mynxyrshme se tjetra, dhe unë të jetoj duke vuajtur, duke lënguar, duke u përpëlitur njëkohësisht si në nëntë rrathët e Ferrit te Dantes dhe duke kaluar nga njëra torturë në tjetrën, vetëm e vetëm që Gesi të bëhet normal, a më dëgjon, NORMAL!”./KultPlus.com

Pse gratë në udhëheqje e kanë menaxhuar shumë më mirë pandeminë sesa burrat?

Provat janë më se të qarta: Të paktën gjatë valës së parë të Covid-19, vendet që kanë në krye udhëheqëse gra, kanë pasur një shkallë shumë më të ulët të vdekjeve, sesa vendet e tjera që drejtohen aktualisht nga burrat.

Kjo nuk do të thotë, se kjo prirje do të vazhdojë domosdoshmërisht edhe gjatë një vale të dytë apo të tretë të pandemisë. Dhe as nuk nënkupton se gratë janë gjithashtu udhëheqëse më të mira, kur është fjala për çfarëdolloj aspekti tjetër të qeverisjes, që nga reformimi i tregjeve të punës, e deri tek lufta.

Por gjithsesi ia vlen të meditohet mbi performancën e tyre dukshëm më pozitive, përballë krizës aktuale. Dhe në këtë mënyrë, është sigurisht joshëse të zbresësh në fushën e stereotipeve gjinore dhe skicimeve individuale. Donald Trump, presidenti i vendit me më shumë vdekje nga Covid-19 në botë, ka komunikuar përmes një maskilizmi arrogant, duke nxitur reagime të shumta, nga tronditja deri tek satirizimi i tij.

Zhair Bolsonaro, presidenti i Brazilit, vendi i dytë më botë me më shumë vdekje nga koronavirusi, e cilësoi në fillim sëmundjen si një “grip të vogël”. Në të kundërt, kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila në përgjithësi e ka menaxhuar mirë pandeminë, ka bërë përshtypje me shpjegimet publike që ka thënë mbi faktorin epidemiologjik R0, duke u bë “virale” për maturinë dhe qartësinë e shifrave që jep.

Siguruese dhe të besueshme

Xhakinda Ardern, kryeministrja e Zelandës së Re, vend që ka regjistruar deri tani vetëm 22 të vdekur nga Covid-19, ka komunikuar vazhdimisht me publikun përmes Facebook Live nga shtëpia e saj në një mënyrë të thjeshtë dhe ndërvepruese, por nga ana tjetër edhe siguruese dhe të besueshme.

Kryeministrja e Norvegjisë Erna Solberg, vend që ka deri tani 264 të vdekur nga pandemia, u ka thënë fëmijëve të vendit të saj se “është normale të frikësohesh, kur kaq shumë gjëra ndodhin në të njëjtën kohë”, duke pranuar cënueshmërinë, edhe kur sjellja e saj dominohet nga kompetenca.

Por në një analizë të re globale, Suprija Garikipati e Universitetit të Liverpilit dhe Uma Kambampati e Universitetit të Ridingut në Britaninë e Madhe, e shmang fokusimin në histori të veçanta. Duke përdorur të dhënat deri më 19 maj, ato krahasuan 19 vendet e udhëhequra nga gratë me “fqinjët e tyre më të afërt”, sipas një përzierje faktorësh duke përfshirë popullsinë, ekonominë, barazinë gjinore, hapjen ndaj udhëtimeve, shpenzimeve në shëndetësi dhe përqindjen e njerëzve të moshuar.

Ata nuk mundën të përdornin në këtë studim Tajvanin (me vetëm 7 vdekje nga Covid-19), që drejtohet nga një grua, pasi nuk është vend anëtar i Kombeve të Bashkuara. Përfundimi i tyre ishte i qartë:Mesatarisht, vendet e drejtuara nga gratë, parën 2 herë më pak vdekje nga Covid-19, sesa vendet e qeverisura nga burrat.

Dhe në krahasimet individuale, vendet e drejtuara nga gratë dolën më mirë sesa ato të drejtuara nga burrat. Po përse ky ndryshim? Një pjesë e përgjigjes, është se gratë udhëheqëse urdhëruan në përgjithësi vendosjen e masave bllokuese shumë më herët, duke “rrafshuar kurbat” e epidemive në vendet e tyre.

Marrja që herët e masave të ashpra kufizuese

Për shembull, Ardern e quan këtë qasje “të ashpër dhe herët në kohë”. Zelanda ka hyrë në një bllokim tjetër të përkohshëm, pas një morie rastesh të reja pas 100 ditësh pa asnjë rast të ri në mbarë vendin. Por kjo vetëm sa shtron pyetjen, se përse gratë kanë prirjen të marrin më shpejt vendimet e vështira se sa burrat.

Një arsye mund të jetë se gratë e durojnë më pak presionin nga rreziku, sikurse e vërtetojnë edhe shumica e studimeve. Por zgjedhja me të cilën u përballen udhëheqësit këtë pranverë, nuk ishte thjesht midis pak apo më shumë rreziku.

Ishte një lloj pazari midis një rreziku të madh, ai për jetën, dhe një tjetri, ai i rënies ekonomike. Pra, ndryshimi midis burrave dhe grave, siç theksojnë autorët e studimit, ishte që gratë rrezikuan më pak me jetën e njerëzve dhe më shumë me ekonominë kombëtare, ndërsa liderët burra bënë të kundërtën.

Natyrisht me kalimin e kohës, vdekja dhe rënia ekonomike ndërthuren me njëra-tjetrën.

Kjo ka qenë e vështirë që të provohet, por studiuesit ende po studiojnë nëse gratë sjellin në fakt më shumë ndjeshmëri në udhëheqje, apo ato përdorin më shumë informacionet emocionale në vendimmarrjen e tyre.

Një qasje ndër-personale, empatike dhe pjesëmarrëse, sigurisht që ndihmon në menaxhimin e një pandemie. Kjo kërkon ndërtimin dhe ruajtjen e një konsensusi, sipas të cilit kërcënimi është serioz, se sakrificat janë të nevojshme për të mbrojtur të tjerët, dhe se liritë individuale duhet të drejtpeshohen në raport me nga konsideratat e shëndetit publik.

Dhe ai lloj dialogu me qytetarët, duket të jetë veçanërisht i vështirë për udhëheqësit autoritarë, dhe relativisht më i lehtë për udhëheqësit e tjerë, gra apo bura qofshin. Krahasimet midis gjinive, bëhen gjithnjë e më frustruese apo degradojnë në stereotipe të njohura.

Nuk e kemi idenë se si e “Zonja e Hekurt”, e ndjera Margaret Theçër – apo Mbretëresha Britanike Budika, që mposhti dikur disa legjione romake – do ta kishte menaxhuar Covid-19. Në udhëheqje, karakteri dhe talenti individual dominojnë me siguri mbi gjininë dhe gjithçka tjetër.

Thënë këtë, modeli i deritanishëm gjatë kësaj pandemie, sugjeron se bota mund ta përdorë shumë më tepër udhëheqjen femërore. Me vetëm 19 vende nga 193 të OKB-së të drejtuara nga gratë, ka shumë hapësirë ​​për përmirësime. /insajder/ KultPlus.com

Simbolikat e pirjes së kafes tek shqiptarët

Shqiptarët kanë pasur simbolika të shumta në ritualin e pirjes së kafes. Ato shënjonin mesazhe pozitive dhe negative kur miqtë kishin marrëdhënie, takime apo situata të ndryshme. Po cilët janë këto mesazhe që shprehte rituali i shërbesës së kafes?

Nëse një malësor shkonte për shembull me kostumin e mikut në shtëpinë e një bashkëfshatari tjetër, qoftë ky i afërm ose thjeshtë i njohur, për të vazhduar një bisedë të nisur më parë, si të thuash, në një seancë të rastësishme ndërrim duhani që kishte të bënte me ndonjë fejesë, zbutjen ose tejkalimin e ndonjë konflikti me pajtim gjaku ose me çështje të tjera të rëndësishme, i zoti i shtëpisë nuk e pyeste mikun se si e dëshironte kafenë.
Nëpërmjet shkallës së ëmbëlsisë ose të idhëtisë së kafesë simbolikisht miku merrte mesazhin e duhur për ecurinë e çështjes që qëndronte në sfondin e një vizite të tillë.

Nëse i servirej kafja fare e ëmbël, miku merrte mesazhin se çështja ishte zgjidhur ose ishte në rrugë të mbarë dhe pa kthim prapa.

Për të përforcuar kuptimin e një mesazhi të tillë pozitiv miku, si rregull, në një formë tjetër vinte në dukje ëmbëlsinë tej mase të kafesë, duke përdorur përgjithësisht shprehje të tipizuara në motërzime të tilla: “E paskeni ngatërruar kafenë me mjaltin”, “kafesë i paskeni hedhur mjaltë, jo sheqer”, “një qyp me mjaltë i paskeni hedhur kafesë” etj.

I zoti i shtëpisë përgjithësisht i miratonte pohime të tilla, domethënë, në thelb tundjes së kokës lart-poshtë ose buzëqeshjes. Pas një miratimi të tillë, miku fliste me frymë optimiste dhe më shpenguar për zgjidhjen e çështjes në shqyrtim.

Nëse i servirej kafe e mesme, merrte mesazhe se çështja për të cilën ishte i interesuar kishte mbetur pezull, pra nuk mund të parashikohej ecuria e zgjidhjes së saj. Për të konfirmuar se kafeja e mesme, që nënkuptonte ngrirje të çështjes, miku gati me tone diplomatike shprehej: “Nuk di nëse ka pasur ose jo sheqer në anët tuaja”, “bora ka zënë rrugët e nuk ka ardhur sheqer nga shehri qysh kur nuk mbahet mend” etj. Në situata të tilla burrat e palës mikpritëse heshtnin.

Miku që kishte një mision në bisedë merrte mesazhin se duhej të ishte shumë i kujdesshëm në arsyetime, se duhej të përdorte me mençuri gjithë arsenalin e argumenteve, për ta lëvizur çështjen në kahun e zgjidhjes më të mirë.

Mikpritësit mund t’i servirnin mikut kafe pa sheqer. Në situata të tilla miku sillej në dy mënyra. Më rrallë e përforconte këtë fakt me shprehje disi diplomatike, si: “Ka qenë mot i keq dhe nuk kanë ardhur mallrat nga qyteti”, “bota ia ka zënë vendin sheqerit” etj.

Si rregull, mikpritësit heshtnin. Në shumicën e rasteve idhësia e kafesë nuk kishte nevojë për konfirmim. Heshtjes së mikpritësve miku i përgjigjej me heshtje, çka nënkuptonte se përgjigja negative për çështjen ishte e padiskutueshme.

Në rrethana të tilla shfaqej më qartë profili prej fermani ose dekreti mbretëror i mesazhit ngjizur nga idhtësia e kafesë. Prandaj miku nuk çelte fare bisedën, për të cilën ishte në rolin e ”nënpunësit” mik.

Përgjithësisht, miku ruante qetësinë shpirtërore ose, të paktën, paraqitej i tillë dhe niste biseda për çështje të tjera që kishin të bënin me ndikimet e motit në ecurinë e punëve të stinës në bujqësi, me mbarështrimin e blegtorisë e deri me problemet e luftës ruso-japoneze etj.

Në të shumtën e rasteve miku bënte kujdes që në biseda të tilla t’i largohej me zgjuarsi dhe sa më shumë çështjes për të cilën ishte i interesuar drejtpërdrejt.

Vlen të theksohet se përdorimi i idhtësisë së kafesë dhe i mjeteve të tjera simbolike për të përcjellë përgjigje negative, sidomos për çështje jetike që kishin të bënin me fatet e individëve, të familjeve ose të anëtarëve të bashkësive më të zgjuara, kishte rëndësi të veçantë në shumë”segmente” të shoqërisë tradicionale shqiptare, ndërkohë që fjala mohuese kishte peshë mjaft të rëndë, deri në nivelin e shpërfilljes ose të fyerjes për palën tjetër, pra jo vetëm për familjen e individin që prekte drejtpërdrejt hija e fjalës së keqe, por edhe për gjithë fisin e tij.

Gjithashtu, edhe shkalla e ëmbëlsisë ose e hidhësisë së kafesë që servirej në ceremoninë mortore në shumë krahina të Shqipërisë, shprehte simbolikisht shkallën e hidhërimit për të ndjerin, shprehte moshën e të ndjerit dhe mprehtësinë e shqetësimeve familjare, fisnore ose më gjerë që shkaktonte largimi i tij nga kjo jetë.

Nëse personi i vdekur ishte i moshuar dhe me fëmijë të rritur, të martuar dhe në gjendje ekonomike të stabilizuar, servirej kafe e ëmbël; nëse i ndjeri ishte në moshë mesatare dhe me fëmijë pjesërisht të martuar dhe të pamartuar, servirej kafe e mesme; dhe, nëse personi i vdekur ishte i ri ose e re, me fëmijë të vegjël ose i pamartuar servirej kafe fare e hidhur, pa sheqer.

Sipas paragjykimeve të përhapura gjerësisht në shoqërinë shqiptare paramoderne, në filxhanin e kafesë pasqyronin edhe mjaft element të personalitetit, të mënyrës së jetesës dhe të gjendjes shpirtërore të personave që pinin kafenë.

Për shembull, nëse burri e pinte kafenë e nxehtë, mendohej se ai sipas bestytnive ishte aq frikacak saqë kishte frikë edhe gruan. Gjithashtu, sipas bestytnive, nëse personi e pinte kafen e ëmbël, kishte jetë të hidhur dhe e kundërta, nëse pinte kafen e hidhur, kishte jetë të lumtur.

Si rregull, servirja e kafesë shënonte simbolikisht përfundimin pothuajse të çdo lloj ceremonie gëzimi dhe rrezatonte mesazhe simbolike kompleke dhe mjaft të nuancuara në ceremonitë mortore.

Përveçse në mjedise të tilla dhe në bar-kafe e restorante, kafeja ishte ndoshta e vetmja pije, e cila në një pjesë të konsiderueshme të trojeve shqiptare servirej edhe në varreza.

Por, çfarë mesazhi përcillte kafeja e servirur në vareza, fill pas varrosjes së të ndjerit?

Një kafe e tillë, sidomos në krahinat veriore të Shqipërisë, dëshmonte simbolikisht se i ndjeri kishte kryer funksione shoqërore të rëndësishme për anëtarët e fisit, banorët e fshatit, kraniës etj., pra ishte burrë i shquar.

Servirja e kafesë me dorën e majtë dhe sidomos nën gju konsiderohej një fyerje shumë e rëndë, veçanërisht për burrat që kishin vonuar marrjen e gjakut në emër të ndonjë anëtari të familjes ose të afërmi të vrarë. /Marrë nga “Lente të ndërveprimit simbolik” /Zyhdi Dervishi/ KultPlus.com

Kafe nё mёngjes, Krujë 1931.
Foto: Erich Andres

Vlashent Sata, mbyll festivalin “Jazz Fest Tetova 2020”

Shkruan: Jesir Hoxha – Muzikolog

Rrjedha e koncerteve në edicionin e pestë të festivalit JazzFest 2020, ka qenë e përfaqësuar me tre mbrëmje të cilat mbanin peshë të rëndësishme artistike. Duke filluar nga data 25 deri më 27 gusht, në skenën e festivalit janë paraqitur grupe të ndryshme artistësh të cilët veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

Në një kuadër të tillë, mbrëmja e fundit e festivalit ishte e para parë për këngëtarin, pianistin e talentuar shqiptar Vlashent Sata.
Artdashësit Tetovarë, por jo vetëm, mirëpriten në shkollën e mesme të muzikës “Todor Skallovski Tetoec” talentin shqiptar sëbashku me muzikantët e tij si: Gent Rushi në fizarmonikë, Ermal Rodin në saksofon-klarinetë, Roni Gjura në kontrabas dhe bas kitarë si dhe Emiljano Dhimo në bateri.

Një ambient i ngrohtë, por jo edhe mjaft i rehatshëm për muzikantët, duke pasur parasysh epideminë globale që po kalon njerëzimi ata duheshin t’ju përshtateshin edhe këtij momenti kaq të pazakont. Ishte hera e parë që këngëtari Vlashent Sata kishte koncertin e tij për shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Si rrjedhojë për këtë, ai ishte edhe i entusiazmuar që kishte ardhur në këtë qytet, duke treguar edhe dashurinë që kishte për qytetin, por edhe historinë e shqiptarëve që ai e kishte pikë të dobët.

Mbrëmja nisi me këngët dhe krijimet e vet këngëtarit Sata, që kryesisht janë krijime që ai i ka kompozuar dhe orkestruar për formacionin që përmendëm më sipër. Mënyra e këndimit që ky këngëtar shpreh në këngët e tij është nga ato mënyra që rrallë herë e shohim në skenat shqiptare. Me një timbër mjaft të butë dhe me një teknikë këndimi majft të avancuar, që kur vihen në bashkëveprim krijojnë korpusin e një këngëtari siç është Vlashent Sata. Prandaj, ai sot ka gjetur edhe shtegun e tij që ka depertuar aq shpejt, por edhe me aq cilësi të arrira artistike.

E vërteta është, që gjatë interpretimit të këngëve ai bën edhe improvizime të papritura, në disa raste të ndryshme edhe recitative duke shpreh ndjenjat në forma të tjera. Megjithatë, krijimet e tij gjithmonë janë të bazuara në historitë e tij intime, por edhe familjare që vet ai i shpjegonte gjatë rrjedhës së koncertit.

Ai ka kënduar majft këngë nga repertori i tij, por ndër to mund të theksojmë: “Copëzat”, “Me jetu”, “Erdhi Dita”, “Hana”, “Kaçurelat”, “Delja Rude” e shumë të tjera.

Mbrëmje të tilla, me artistë të tillë janë gjithmonë një hap i rëndësishëm për kulturën e vendit, por edhe rajonit duke krijuar miqësi artistike që këta këngëtarë mos ta harrojnë publikun jashtë trojeve të tyre.

JazzFest Tetova, tashmë ka krijuar identitetin si një festival që ka shije majft të theksuar artistike, që këtë më së miri e vërtetojnë artistët që ata ftojnë në skenën e tyre. / KultPlus.com

Dua Lipa bëhet sërish imazh i parfumit të “YSL Beauty” (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, duket se nuk e ka ndërmend të ndalet me sukseset e njëpasnjëshme, shkruan KultPlus.

Ndërkohë që po shijon suksesin e albumit të saj të fundit, Dua është bërë edhe imazhi i kompanisë së bukurisë ‘YSL Beauty’.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Dua përmes një postimi në llogarinë e saj personale në Instagram, duke iu referuar kompanisë si familje.

“Edhe një tjetër me familjen time YSL Beauty”, ka shkruar ajo në përshkrim. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CEexW-gnmXl/?utm_source=ig_embed

KYC për provimin e maturës: Nxënësit kopjuan dhe nuk respektuan masat AntiCovid

Këshilli Rinor Kosovar ka monitoruar sot procesin e Provimit të Maturës Shtetërore, në njëzet e pesë komuna të Kosovës, në gjithsej dyzet qendra të ndryshme testimi, ku ka gjetur se masat kundër pandemisë, të përcaktuara nga MASh dhe IKSHPK-ja, nuk janë respektuar në nivelin e kënaqshëm, njofton Insajderi.

Kurse, nxënësit edhe pse i janë nënshtruar kontrolleve nga personat përgjegjës, sërish kanë gjetur mënyra për të përdorur telefonin me qëllim kopjimin apo bashkëpunimin.

Për monitorim të Provimit Shtetëror të Maturës, KYC thotë se ka angazhuar dyzet monitorues, të cilët kanë vëzhguar me përpikëri mbarëvajtjen e procesit të testimit mbi bazën e rregullave të sjelljes karshi legjislacionit dhe kushteve të mbajtjes së procesit nën rekomandime të normave shëndetësore në situatë pandemie.

Sipas KYC, pas analizës së raporteve të pranuar nga monitoruesit në terren, kjo organizatë ka nxjerr informatat si rezultate pre-eleminare të monitorimit të Provimit Shtetëror të Maturës duke i paraqitur ato më poshtë të renditura që të pasqyrojnë monitorimin e aspektit teknik, administrativ dhe cilësor.

“Të gjeturat nga monitorimi i Provimit Shtetëror të Maturës: Masat kundër pandemisë, të përcaktuara nga MASh dhe IKSHPK-ja, nuk janë respektuar në nivelin e kënaqshëm. Intervenimi në shenjëzimin e vendeve për të krijuar dhe mbajtur distancë dhe vendosja për përdorim e dizenfektuesëve në hapësira të qendrës si në klasa të testimit dhe korridore, këto masa, duke përfshirë maskat dhe distancën fizike nuk janë respektuar nga të gjithë nxënësit/et dhe administruesit/et. Përkundër të rasteve të kërkesës së administruesve/eve the të Komisionit në fillim të testimit, maskat edhe kur kanë qenë prezentë nuk janë vendosur në formën e duhur përfshirë dhe rastet kur ato nuk janë mbajtur fare. Administruesit/et e përcaktuar/a nga MASh, nuk kanë ardhur me kohë në qendrat e testimit. Ani pse testi ka filluar me kohë në shumicën e qendrave të testimit, vonesa e disa administruesve/eve ka shkaktuar që përbrenda qendrave, klasat te mos fillojnë testimin në të njëjtën kohë por i është ofruar kohë shtesë në shumicën e rasteve. Nxënësit/et, edhe pse i janë nënshtruar kontrolleve nga personat përgjegjës sërish kanë gjetur mënyra për të përdorur telefonin me qëllim kopjimin apo bashkëpunimin. Si një problem kryesisht i përsëritshëm ndër vite, në momentin e fillimit të testimit, fotografi, pyetje dhe përgjigje të testit janë publikuar në grupe jo-formale të hapura në rrjete sociale ku KYC janë anëtarësuar për të përcjellë problemin. Ky fenomen ka rezonuar të tërë Kosovën dhe në të njëjtën kohë nga monitoruesit/et në terren është deklaruar për raste të përjashtimit të nxënësve/eve apo tërheqjes së vërejtjes për përdorim të telefonit”, thuhet në komunikatën e KYC.

Kjo organizatë është ndalur edhe te problemet teknik si ndikues i procesit të Provimit Shtetëror të Maturës, siç ishte dhe mungesa e testeve rezervë të lëndëve zgjedhore si dhe shpërndarja jo në kohë e fletë – përgjigjeve.

“Përveç ngatërresave në përzgjedhjen e lëndëve zgjedhore, problem teknik dhe me lista të emrave të kandidatëve/eve, ndër të tjera është deklaruar nga monitoruesit/et e terrenit që në raste të caktuar nuk ka pasur teste rezervë të lëndëve zgjedhore dhe kanë dëgjuar ankesën për gabime teknike të pyetjeve gjë që ka qenë çorientuese për nxënësit. Bashkëpunimi, kopjimi i nxënësve/eve dhe keq-administrimi janë vërejtur. Një dukuri tjetër e përsëritshme ndër vite duket të jetë sipas deklarimit nga monitoruesit/et në terren një numër i dukshëm i rasteve të bashkëpunimit dhe kopjimit të nxënësve/eve, disa raste të ndihmës së ofruar nga administruesit/et e testit, si dhe lejimit të bashkëpunimit të nxënësve. Shpesh janë deklaruar raste edhe mbi të gjeturën që administruesit/et nuk kanë qenë të përgatitur/a për t’u përgjigjur në pyetjet teknike mbi procedurën e testimit dhe plotësimit të fletë-përgjigjeve. Ndërsa, zhurma në klasë, ka qenë evidente përgjatë testimit, posaçërisht në periudhën afër përfundimit të testit, kur janë shpeshtuar lëvizjet më të shpeshta të nxënësve/e për në tualet, dhe lehtësimit të masave të administrimit në klasë dhe krijimit të një ambienti të qetë nga administruesit/et kanë filluar të lehtësohen. Këshilli Rinor Kosovar – KYC ka monitoruar dyzet (40) qendra të testimit në njëzet e pesë (25) komuna të Kosovës, të cilat janë: Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë, Shtime, Skenderaj, Suharekë, Vushtrri, Obiliq, Malishevë, Deçan, Dragash, Drenas, Fushë Kosovë, Lipjan, Kamenicë, Rahovec, Kaçanik, Podujevë, Klinë, Viti dhe Istog. Pas përpunimit të dhënave nga tereni Këshilli Rinor Kosovar- KYC do të publikoj raportin të Monitorimit të Provimit Shtetëror të Maturës”, thuhet në komunikatë.

KYC ka realizuar këtë monitorim me leje të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe në mbështetja nga Friedrich Ebert Stiftung – FES. / KultPlus.com

Kur Anita Take i këndonte dashurisë së bankave shkollore (VIDEO)

”Në bankat shkollore moj mike”, është një këngë që i këndon dashurisë së parë, asaj që fillon në moshën e adoloshencës, shkruan KultPlus.

Mirëpo, pak e dijnë se këtë këngë për herë të parë e këndoi këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Anita Take, ndërkaq kënga titullohej ”Kujtimet e studentit” dhe u realizua në vitin 1958.

”Në bankat shkollore moj mike”, vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite, duke përcjellur çdoherë emocione të mëdha tek dëgjuesit.

Një ditë në bankë o mike
dy emra i gdhëndëm dikur
po ti nuk e di si më ike
ndaj vura në zëmër një gur

dashuria e parë nuk harrohet
degjoje këtë fjalë që trondit
veç mali me mal nuk takohet
por njerëzit takohen një ditë

ne u ndamë në errësirë
jeta ndarje ka
por si zëmra lamtumirë
zëmrës nuk i tha

u ndamë nga shkolla, mban mënd
por ne nuk u ndamë përjetë
ndaj tjetër se zu vëndin tënd
të dytë dashuri s’mund të ketë. / KultPlus.com

Më në fund u plakëm grua

Poezi nga Ndoc Gjetja

Më në fund u plakëm grua,
siç e sheh dhe vetë
me thinja të bardha e rrudha
na mbushi kohë e sertë.

Dhe shëtitjet i rralluam
nëpër dhomë vijmë përqark,
dhe në vend të tyre shtuam
kollën dhe kafenë me pak.

Sa më ka marrë malli, grua
të zemërohem qoftë dhe kot,
si dikur atje tek udha
kur të shihja me një shok.

Ne kemi vite që pasqyrën
e përdorim shumë rrallë
se kemi sytë e njëri-tjetrit
fytyrat tona për t’i parë. / KultPlus.com

Xhevdet Gjonaj, shqiptari i stolive të shtrenjta, krijimet e tij edhe në pallate mbretërore

Gjonaj ekskluzivisht për KultPlus ka treguar për rrugëtimin e tij prej Pejës e deri në Tajlandë, për të perfeksionuar punën e një mjeshtri të madh të gurëve të çmuar. Tashti edhe me brendin e tij Dionid, ai prezanton stoli me çmime marramendëse, që arrijnë edhe në miliona. Stolitë e tij tashmë kanë pronarë të ndryshëm, prej pallateve mbretërore e deri te yjet e showbizit. Të punuara me gurët Jade dhe Grandidier, Gjonaj është në prag të bashkëpunimit të promovimit të stolive edhe me Rita Orën, sikurse që synon të ketë të njëjtin bashkëpunim edhe me yjet tjerë shqiptarë. Por Gjonaj, duke mos harruar rrënjët shqiptare, në këtë intervistë të dhënë për KultPlus ka treguar edhe për mënyrën se si do t’ia prezantojë botës, Kosovën dhe Shqipërinë.  

Ardianë Pajaziti

Në vitin 1985 kishte marr një vendim të madh, dashuria për gurët e çmuar ishte më e madhe se sa toka ku jetonte, dhe atë kohë, vendosi ta kapërcente edhe Evropën dhe të ndalej në Tajlandë, për të rrumbullakuar dëshirën e tij për stolitë.

Dhe suksesi i tij tash e për tridhjetë vjet nuk perceptohet vetëm me dashurinë e tij për gurët e çmuar, por edhe për përkushtimin dhe sakrificën që i ka kushtuar këtij profesioni, që ndërlidhë formimin e tij profesional në një lëvizje gjeografike: Pejë, Tajlandë, Çeki e Sllovaki.

Xhevdet Gjonaj konsiderohet të jetë një ndër shqiptarët e rrallë që merren me këtë profesion, i cili gurët e çmuar i formëson në stoli unike, në kuadër të brendit Dionid, e që mund të blihen vetëm nga një shtresë e caktuar e shoqërisë.  

Gurët Jade dhe Grandidier janë gurë identifikues të artistit Gjonaj, i cili tashmë ka sjellë shumë stoli për tregun ndërkombëtar, e që është duke punuar në vazhdimësi që të sjell edhe stoli të tjera.

I diplomuar në Tajlandë, gjeologu Gjonaj për herë të parë përgjatë karrierës së tij flet për një medium shqiptar, i cili për tridhjetë vite ishte zhytur në guacën e gurëve të çmuar, për të sjell këtë brend kaq të rëndësishëm.

“Dashuria ime për gurët e çmuar është zhvilluar gradualisht”, ka thënë fillimisht Gjonaj për KultPlus, i cili tregon se kur ka marr diplomën për gjeologji në Tajlandë, i është forcuar bindja se kjo është puna që duhet ta bëj në maksimum.

Gjonaj i cili konsiderohet si një ndër argjendarët më me përvojë, ka shpjeguar se pikërisht përvoja tridhjetëvjeçare ka bërë që këtë vit të kapërcejë në një tjetër nivel, duke prezantuar stolitë e tij nëpërmjet brendit Dionid.

“Marka e argjendarisë Dionid është rezultat i punës së ndershme të argjendarive, gurgdhendësve dhe gjeologëve nga vende të ndryshme të botës. Sot, ne e profilizojmë veten si një markë evropiane e stoli të larta, pra bizhuteri prestigjioze të artit dhe objekte që nuk janë për të gjithë. Ato janë vetëm për të zgjedhurit”, ka thënë Gjonaj për KultPlus, i cili ka shtuar se mu për faktin se çdo stoli e këtij brendi është unike, atëherë edhe secila prej tyre ka emrin përkatës.

Eros, Oliver, Iris, Helen, Morpheus, Andromeda…, janë disa nga emrat e stolive të brendit të Gjonaj, që të mahnitin me bukuritë e tyre, por që të njëjtën kohë kanë edhe çmime të larta. Stolitë e këtij brendi kapin vlerën e milionave, pasi në një stoli të tillë ke një gurë të çmueshëm, një gurgdhendje mjeshtërore dhe një stoli unike.

“Çdo copë bizhuterie nga DIONID Jewellery është unike. Të gjithë kanë historinë e tyre, dhe për këtë arsye të gjithë kanë emrin e tyre. Gurët e çmuar me të cilët punojmë janë më të vjetër se çdo vepër arti në Tokë”, ka thënë Gjonaj, i cili tregon se bizhuteritë që në të njëjtën kohë edhe promovuan brendin Dionid, u emëruan sipas perëndive dhe heronjve antikë.

“Këto figura mitike pasqyrojnë në mënyrë të përsosur hyjninë e bizhuterisë që krijojmë”, ka thënë Gjonaj, i cili nuk përjashton mundësinë që në një të ardhme të afërt të prezantojë stoli me gurë të çmuar me emra që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Kosovën dhe Shqipërinë.

“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim, dhe në muajt në vijim do të prezantojmë stolitë unike që do të kenë ndërlidhje me historinë e kombit dhe vendlindjes sime”, ka thënë Gjonaj.

Mjeshtri i gurëve të çmuar që stolitë e tij i ka prezantuar edhe nëpërmjet platformës Dionid dhe rrjeteve sociale tregon se brendi i tij është brendi i vetëm në Evropë që punon bizhuteri të shtrenjta me Jade dhe Grandidier,  sikurse edhe me objekte arti.

“Është një gur që është shumë i popullarizuar, sidomos në vendet aziatike, ku i atribuohet gjithashtu shërimi dhe vetitë shpirtërore. Përveç kësaj, ne bëjmë bizhuteri nga emeraldet, rubin, topaz, tanzanite dhe shumë gurë të tjerë, gjithashtu një nga gurët më të shtrenjtë dhe më të rrallë në botë, grandidierit. Të gjithë gurët tanë janë 100% natyralë dhe të certifikuar nga institutet prestigjioze gjeologjike, siç është Gübelin Gem Lab në Zvicër”, ka thënë Gjonaj.

Pejani që ka kapërcyer shumë kufij për të arrite majën e mjeshtërisë së këtij profesioni e pranon faktin se vlera e stolive të këtij brendi është mjaftë e lartë, pasi që vet gurët që përdoren në këto stoli kanë çmime të larta. Por ai shpjegon se vlera e vërtetë e gurit fitohet vetëm pas një përpunimi profesional, prerjes dhe lustrimit.

“Prerja dhe gravura e një guri te çmuar me një dorë të lirë është shumë e vështirë. Guri mund të prishet edhe me një hezitim të lehtë dhe një lëvizje të pasaktë të duarve, kështu që do të zhvlerësohet plotësisht. Është një artizanat profesional që kërkon shumë përvojë dhe sigurisht talent nga Zoti. Kjo është arsyeja pse çmimet e disa prej produkteve tona të artit janë në miliona euro”, ka thënë Gjonaj, i cili duke mos përmendur emra, ka thënë se stolitë e tij tashmë janë blerë nga familje mbretërore, përfaqësues të lartë të shteteve, por edhe yje të show bizit.

Gjonaj ka thënë se stolitë e tyre mund të shihen edhe në një ekspozitë, pasi që për këtë çështje janë në kontakt me njerëzit më profesionist të kësaj industrie.

Por duke pas parasysh rrënjët shqiptare të Xhevdet Gjonajt dhe shumë yjeve shqiptare anekënd botës, Gjonaj në pyetjen se nëse do të ketë një bashkëpunim të promovimit të brendit të tij me yjet shqiptare, ka thënë se tashmë është duke punuar në këtë drejtim.

“Sigurisht, do të dëshiroja shumë të krijoja një copë bizhuteri unike për të famshëm nga Shqipëria, Kosova apo diaspora. Ne jemi në kontakt direkt me këngëtaren e mirënjohur Rita Ora dhe besoj në bashkëpunimin tonë të mundshëm. Mund t’ju them se ne kemi folur tashmë për këtë temë së bashku”, ka thënë Gjonaj.

Dhe pikërisht ndjeshmërisë së krijimit të stolive unike, edhe shitja e këtyre bizhuterive ka një disiplinë shumë specifike. Gjonaj shpjegon se klientët e tyre janë jashtëzakonisht të kërkuar, dhe kjo është një arsye se pse i adaptojnë shërbimet në përputhje me rrethanat. “Shumica e tyre janë prezantime dhe shitje të produkteve personale, por disa prej bizhuterive tona mund të blihen edhe në internet. Ne aktualisht komunikojmë kryesisht në mjedisin digjital, ku përdorim pothuajse të gjitha rrjetet sociale. Nuk përjashtoj që ju të na shihni në të ardhmen off media. Sigurisht, nëse kjo ka kuptim”, ka thënë Gjonaj, i cili në përfundim e sipër të kësaj bisede me KultPlus, ka thënë se ai e themeloi markën Dionid,  si një lidhje që dëshiron ta lë pas. “Si trashëgimi arti dhe vlere mineralogjike me prejardhje nga Kosova. Uroj që Dionid të jetë në fuqi të plotë, sot e 200 vjet. Uroj që klientët dhe punonjësit të jenë të kënaqur. Uroj që rezultatet e punës sime të jetojnë përgjithmonë, sepse gurët e çmuar janë dhuratë nga Zoti, që i krijoi për ne që përfundimisht të kalojnë në duart e njerëzve si stoli”./ KultPlus.com

 

Forca e vërtetë e prindërve janë fëmijët

Forca që një fëmijë është në gjendje t’i transmetojë prindit kur kalon një kohë të vështirë, është diçka që nuk ka të ngjashme.

Ne e dimë që të bëhesh prind sot nuk është e lehtë, të shumta janë paqartësitë që jeta vendos para secilit prej nesh.

Fuqia e një fëmije, megjithatë, është karburanti më i rëndësishëm, ai me të vërtetë përfaqëson një burim themelor dhe të vështirë për t’ua shpjeguar, atyre që nuk e kanë provuar.

Nëse të jesh prind sot nuk është një zgjedhje e lehtë, është po aq e vërtetë që forca dhe vendosmëria që një fëmijë është në gjendje të transmetojë është e pashembullt.

Të dëgjosh një frazë si “eja mami, çohu” apo “mos u mërzit babi, gjithçka do të shkojë” është një tronditje dhe një nxitje me efekte të jashtëzakonshme.

Dhimbja e papritur, e shkaktuar ndoshta nga një humbje e papritur e një njeriu, humbja e një pune, janë vetëm disa shembuj që dobësojnë forcën dhe këmbënguljen e një prindi.

Eshtë në këto momente që një fjali e pafajshme dhe e papritur mund të ketë efekte të jashtëzakonshme.

Eshtë e aftë të japë forcë dhe shpresë për prindërit, që mund të ndodhen në një moment delikat në jetën e tyre.

Forca që një fëmijë i transmeton një prindi arrin jo vetëm të japë energji, por gjithashtu ndihmon në ripërcaktimin e shkallës së vlerave dhe përparësive.

Në fakt, kjo ju lejon të përqendroni energjitë dhe vëmendjen tuaj në atë që është themelore, dhe një fëmijë, veçanërisht në moshë të re, sigurisht që ka një vend të privilegjuar.

Forca që një fëmijë i transmeton një prindi shpesh fillon në momentin e lindjes së tij.

Të bëhesh prind është një ngjarje që ndryshon jetën e një personi.

Na mëson ta vëmë veten në plan të dytë, dhe t’i japim gjithmonë vendin kryesor jetës dhe nevojave të fëmijëve.

Për këtë arsye, kur diçka ndikon në forcën dhe shpresat e një prindi, ai zë i ëmbël i fëmijës merr një domethënie të veçantë.

“Nesër është ditë e re dhe diçka do të ndryshojë”. Nuk është vetëm shpresa e një fëmije të pafajshëm, por edhe shpresa pas të cilës prindi kapet për të rigjetur forcën.

Po, është e vërtetë. Fëmijët janë forca më e madhe e prindërve të tyre. / meb.al / KultPlus.com

Sopranoja shqiptare Migena Gjata hap shkollën e saj të kantos në Duseldorf

Për publikun shqiptar më shumë e njohur është motra e saj Elvana Gjata, por Migena Gjata ka një karrierë të suksesshme në skenat operistike gjermane.

E vendosur në Gjermani me shumë se një dekadë më parë Gjata ka njoftuar se pas një pune të gjatë më në fund ka bërë të mundur hapjen e një shkolle muzike në Duseldorf. Një vend ku sopranoja shqiptare shpreson të ndaje me nxënësit përvojën e saj si soprano.

“Kam punuar për këtë projekt gjatë 15 viteve të fundit. Në këtë rrugëtim artistik dhe arsimor, unë kam qenë i shoqëruar nga një grup njerëzish; mësues, muzikantë, kolegë, miq dhe familjarë, ndaj të cilëve dëshiroj të falënderoj.

Mirënjohje për të gjithë profesorët dhe mësuesit e mi në Universitetet e Muzikës shqiptare, italiane dhe gjermane, me të cilët pata privilegjin të punoja, ata më frymëzuan dhe inkurajuan; më mësuan parimet themelore të të kuptuarit të muzikës dhe të kënduarit” shkruan në rrjetete sociale Gjata.

Gjata e nisi rrugëtimin e saj në Tiranë në moshën 13 vjeçare kur filloi të merrte mësimet e para në muzikë. Më pas në liceun “Jordan Misja” e në Fakultetin e Arteve nën mentorimin e Prof. Suzana Frashërit, ajo u formësua më tej si artiste, ku puna e palodhur dhe talenti i hapën dyert për të studiuar në Universitetin e Arteve në Essen. Në klasën e Prof. Rachel Robins ajo u diplomua me rezultate maksimale dhe si rrjedhim fitoi bursën “Cläre und Alfred Pott Stiftung” që financoi studimet e saj. / KultPlus.com

Feministet përkrahin këngën e re të Dafinës, e konsiderojnë revoltë kundër sistemit patriarkal (VIDEO)

Dafina Zeqiri njihet për stilin e saj të veçantë dhe qasjen feministe që e bart në pothuajse secilën kangë, duke qenë kështu nëdër fytyrat publike që ka përkrahje të madhe për çështje të ndryshme që e shqetësojnë shoqërinë kosovare, shkruan KultPlus.

Sëfundi, Dafina ka publikuar këngën ‘Milion $’ që duket se është pritur shumë mirë nga fansat e saj. Dafina duket jashtëzakonisht bukur në videoklip, ku paraqitet me veshje tradicionale shqiptare, përmes të cilave përpos bukurisë së tyre, këngëtarja ka shprehur edhe revoltën kundër sistemit patriarkal.

Grupi feminist ‘Center for Equal Opportunities’, ka publikuar në Facebook, disa detaje të kësaj këngë që në shikim të parë mund edhe të mos i vërejmë.

”Mesazhi nga kjo video është se vajzat shqiptare martohen përshkak se ato ndjehen se janë të detyruara të martohen, dhe kështu nuk munden ta jetojnë jetën siç duan ato. Dafina mund të kishte zgjedhur ta bënte atë gjithashtu, por në vend të kësaj ajo zgjodhi paratë…

Ajo fshiu fotografitë e saj Instagram para se të publikonte këtë video, sepse kjo është ajo që shumica e vajzave shqiptare bëjnë para se të martohen.

Vajzat e veshura me kostum tradicional, tregon se si shoqëria pret një vajzë të sapomartuar të duket, dhe jo të avancohet në karrierë, e të fitojë para.

Në pjesën ku djepi është i mbushur me para, do të thotë se jo çdo vajzë dëshiron të ketë fëmijë, ndoshta dëshira e saj është të avancohet në profesionin e saj.

Veshja e saj në traktor tregon se ajo mundet t’i kundërvihet patriarkatit edhe nëse jeton në një vend rural (duke marr parasysh se vajzat e këtyre zonave hasin në më shumë paragjykime), dhe njëkohësisht të jetojë jetën në mënyrën e saj.

E në fund, afërimi i saj me një vajzë tjetër për t’u puthur tregon se çdo vajzë është e lirë të zgjedh se kë do të dashurojë.”, thuhet në postimin e grupit. / KultPlus.com

Vlen të ceket se Teksti i këngës është shkruar nga artisti Elinel, ndërsa për melodinë dhe muzikën është përkujdesur vetë këngëtarja.

Si hana me ba dritë

Poezi nga: Brikena Ceraja

Si hana me ba dritë, e me lanë mos m’u nalë
në sytë e tu m‘u futë nën dhe, pa e falë dashninë e premtueme
bardhësinë e lamë nëpër hapat e fëmijërisë
kur iu gëzojshim lojës në rrugët me baltë,
e si të çmendun qeshnim për sandalet
që e humbnin shkëlqimin në sytë e botës
lojën nuk e linim në gjysmë
iknim bashkë me diellin, nën çatinë e vjetër
me dashni shikonim yllin e parë
syhapur zhyteshim në andërr e përqafim
si hana me ba dritë e kurr ska me u nalë atëhër kur ka me ikë një ditë, ka me ra nata në sytë e tu ska me u futë në dhe
po dashninë e premtueme ka me ta sjellë.
Si të çmendun me qeshë, me u dukë se po dridhet toka.

28 gusht 2020. / KultPlus.com

Emina Çunmulaj rikthehet në vendlindje për të votuar Listën Shqiptare

Tashmë është zyrtare se në Mal të Zi, Zgjedhjet Parlamentare do të mbahen me 30 gusht. Ndërkaq partitë shqiptare do të dalin me dy lista zgjedhore pasi nuk kanë arritur t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet për t’u bashkuar në një listë të vetme.

Shumë shqiptarë nga diaspora kanë ardhur pikërisht për këtë ditë, që të përkrahin bashkëkombësit e tyre.

Ndër këta përkrahës është edhe modelja e njohur shqiptare, Emina Çunmulaj, e cila ka udhëtuar nga Amerika për në vendlindjen e saj duke treguar kështu mbështetjen për Listën Shqiptare.

“Shihemi së shpejti Malësi. Hajde, vëllezër e motra…koha është tani. Të gjithë së bashku në vota për numër 10”, ishte thirrja që Emina bëri pak ditë më parë në Instagram.

Ndërkohë, së fundmi ja ka ndarë me ndjekësit edhe disa imazhe tjera, duke treguar momentet e këndshme që po shijon në Malësi të Madhe. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CEak1JxnWz4/?utm_source=ig_embed

Fotografi Hazir Reka nesër me ekspozitë

Fotografi Hazir Reka nesër do të ketë një ekspozitë personale e cila do t’i paraprijë inagurimit të bustit të senatorit amerikan, Bob Doyle, shkruan KultPlus

Ky aktivitet artistik do të mbahet nesër në sheshin “Zahir Pajaziti” teksa Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje.

“Të dashur miq,

Ju ftoj nesër në orën 11:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”, me rastin e 30 vjetorit vizitës së delegacionit të senatit amerikan në Kosovë në hapjen ekspozitës së fotografit të shquar Hazir Reka e cila do t’i paraprijë inaugurimit të bustit të senatorit amerikan Bob Doyle që do të bëhet në orën 13:30 në Rrugën “Bob Doyle” – Lagjja Dardania, Prishtinë.

Jeni të mirë se ardhur”, ka shkruar Dumoshi në Facebook.

Hoti: Nxënësit ta kuptojnë si mision ruajtjen e shëndetit pas rikthimit në shkolla

Kryeministri Avdullah Hoti, është deklaruar rreth shtyrjes së fillimit të vitit shkollor deri më 14 shtator.

Hoti ka thënë se nuk ka qenë e lehtë të merret vendimi për shtyrjen e fillimit të mësimit por që shëndeti i gjithsecilit i ka detyruar të marrin një vendim të tillë.

Ai tha se para fillimit të vitit shkollor dhe rikthimit të nxënësve në shkolla duhet t’u bëhet me dije që të kujdesen për shëndetin gjatë periudhës pandemike, duke shtuar se nxënësit këtë “duhet ta kuptojnë si mision”.

Hoti shton se punonjësit e arsimit duhet ta shfrytëzojnë dy javëshin që ka mbetur, për të krijuar kushtet e nevojshme dhe të sigurta për nxënësit.

“Çdo mësimdhënës, punëtor shkolle e përgjegjës institucional duhet ta përdorë këtë periudhë dy javore për të bërë të gjitha përgatitjet që shëndeti i fëmijëve të mbrohet”, ka shkruar Hoti në Facebook, duke u shprehur optimist se nxënësit do të përballen me sukses në rikthimin në shkolla.

“Na duhet disiplinë e përgjegjësi individuale e kolektive për të tejkaluar së bashku këtë situatë”, ka shtuar Hoti.

????????????????????????????????????