Përse më shkrove sërish letër

Shkruan Iliaz Bombaj

Përse më shkrove sërish letër,
Kur koha jonë flinte në hi ?
E di ç’më bëre ? Më ke ndezur,
për të më shuar përgjithnji.

E mbaj në duar, më djeg dorën,
E hedh matanë, shpirtin më djeg,
në zjarrin që më ke dërguar,
më thuaj ku ta gjej një shteg ?

Përse s’më le në punën time,
të flija lirshëm në harresë ?
Ç’t’u desh t’i dilje kohës kundër,
të fshije pluhur në kujtesë ?

Nëse tek ti lashë disa borxhe,
mos mi përmend, të lutem, kot,
më thuaj, pra, kush dashurisë iu dha,
dhe nuk i mbeti borxh ?

Përse më shkrove sërish letër,
kur koha jonë flinte në hi ?
E di ç’më bëre ? Më ke ndezur,
për të më shuar përgjithnji/ KultPlus.com

Shkencëtarët zbulojnë mbi një miliard galaktika

Harta më e madhe 2D e universit e krijuar ndonjëherë sapo u bë gjigande pasi shkencëtarët shtuan edhe më shumë të dhëna. Rezultati është i dukshëm pasi gati një miliard galaktika tani përshkruhen në hartë.

Falë një përditësimi “kolosal”, projekti ambicioz për të hartuar qiellin e madh të natës mbi kokat tona, tani përfshin më shumë se një miliard galaktika.

Siç shkruan Daily Mail qëllimi i hartës së përditësuar është të ndihmojë astronomët të kuptojnë më mirë përbërjen e universit, gjë që mund t’i ndihmojë ata të zbulojnë vetitë misterioze të materies së errët dhe energjisë së errët, dhe zgjerimin e përshpejtuar të universit.

Astronomët nga çdo cep i botës duan të hartojnë me saktësi historinë e zgjerimit të universit gjatë 12 miliardë viteve të fundit. Në fakt, sondazhi i quajtur “DESI” ka arritur të fotografojë 14 mijë gradë katrore të qiellit nga hemisfera veriore, duke përdorur teleskopë gjigantë në Arizona dhe Kili.

Një nga qëllimet kryesore të hartës është të identifikojë rreth 40 milionë galaktika për Anketën Spektroskopike pesëvjeçare DESI për të ndihmuar të kuptojnë më mirë energjinë misterioze të errët. Energjia e errët përbën pothuajse 70% të universit, por ende mbetet një formë e panjohur e energjisë për shkencëtarët. /abcnews.al/ KultPlus.com

Kurti letër Zelenskit: Rusia e Serbia kanë dëshirë të madhe ta zgjerojnë konfliktin nga rajoni juaj te ne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e shënimit të njëvjetorit të rezistencës së Ukrainës nga invazioni dhe agresioni rus, i ka dërguar një letër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duke shprehur përmes saj simpatinë tonë më të thellë dhe empatinë tonë më të sinqertë si popull.

“Në komunikimet e përditshme mes përfaqësuesve të shteteve, janë të shumta letrat e urimit që shënojnë jubile të pavarësisë dhe çlirimeve. Por është e rrallë në histori t’i drejtosh një Presidenti një letër urimi në përvjetorin e rezistencës në vazhdim të vendit të tij”, ka nisur letrën për presidentin Zelenskyy, kryeministri Kurti.

Ne, vazhdon më tej ai, jemi dy popuj që kanë humbur shumë nga qytetarët tanë më të mirë për shkak të planeve imperialiste dhe tokëgrabitëse të shteteve fqinje. Kryeministri shtoi se edhe pse gjeografikisht të largët, me popuj me madhësi shumë të ndryshme, historitë tona përkatëse të shekullit të shkuar dhe të sotmit, kanë një ngjashmëri të dukshme.

Kryeministri kujtoi rezistencën shqiptare të Kosovës para 23 viteve dhe se si 19 shtete demokratike u bënë bashkë për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër popullit tonë. “Tani ju jeni në frontin e një lufte të re që duhet t’i japë fund gjenocidit të Rusisë kundër popullit tuaj, si dhe t’u japë fund përpjekjeve të saj imperialiste për të marrë territorin tuaj. Dhe përsëri demokracitë, shtete anëtare të NATO-s, po ju mbështetin ju, ashtu siç na mbështetën ne”, thuhet në letrën e kryeministrit.

Letra e plotë e kryeministrit Kurti drejtuar presidentin të Ukrainës, Zelenskyy:

I nderuar z. President,

Në komunikimet e përditshmme në mes përfaqësuesve të shteteve, janë të shumta letrat e urimit që shënojnë jubile të pavarësisë dhe çlirimeve. Por është e rrallë në histori t’i drejtosh një Presidenti një letër urimi në përvjetorin e rezistencës në vazhdim të vendit të tij.

Z. President, ju jeni në luftë, një luftë rezistence për Ukrainën, për Evropën dhe për demokracinë. Ju mbani shkallën më të lartë të historisë të së ardhmes dhe sakrificës së popullit. Nuk mund t’ju urojmë më shumë në rrafshin e ndërgjegjes morale dhe politike se ajo që ju po bëni tashmë prej një viti. Ju e keni mishëruar popullin tuaj dhe ndjenjën e tij të lirisë.

Nga zemrat tona ne ju shprehim simpatinë tonë më të thellë dhe empatinë tonë më të sinqertë. Ne jemi dy popuj që kanë humbur shumë nga qytetarët tanë më të mirë për shkak të planeve imperialiste dhe tokëgrabitëse të shteteve fqinje. Edhe pse jemi gjeografikisht të largët, me popuj me madhësi shumë të ndryshme, historitë tona përkatëse të shekullit të shkuar dhe të sotmit, kanë një ngjashmëri të dukshme. Në këtë ngjashmëri historike rrugët tona kryqëzohen.

Para 23 vitesh ne bëmë rezistencën tonë dhe NATO na ndihmoi për të mbyllur ciklin gjenocidal të Serbisë. 19 shtete demokratike u bënë bashkë për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër popullit tonë. Tani ju jeni në frontin e një lufte të re që duhet t’i japë fund gjenocidit të Rusisë kundër popullit tuaj, si dhe t’u japë fund përpjekjeve të saj imperialiste për të marrë territorin tuaj. Dhe përsëri demokracitë, shtete anëtare të NATOs, po ju mbështetin ju, ashtu siç na mbështetën ne.

Ju po luftoni për të mbrojtur demokracinë, integritetin territorial, të drejtat dhe liritë e njeriut, të drejtën e një populli dhe sovranitetin e një shteti. Këto vlera janë po ashtu në rrezik në rajonin tonë: Aleati kryesor i Rusisë në Ballkan, fqinja jonë veri-verilindore Serbia, mban ende një dëshirë të mbuluar hollë për të minuar sovranitetin tonë dhe për të marrë shtëpitë tona. Prandaj, në një kuptim shumë real, qëllimi juaj është qëllimi ynë; beteja juaj është beteja jonë.

I nderuar z. President, ju keni mbështetjen e plotë të shtetit dhe popullit të Kosovës. Nga gazetarët ukrainas që kemi strehuar në Kosovë, ne jemi informuar edhe më mirë për realitetin e përditshme në vendin tuaj. Historitë e guximit dhe sakrificës së ushtarëve, përkushtimit të tyre ndaj vendit dhe kauzës, të cilat i kanë mposhtur shanset kundër tyre dhe kanë frymëzuar botën — historitë e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së njerëzve përballë pushtimit brutal — kanë mobilizuar botën e lirë për t’i bërë ballë agresionit të Rusisë.

I nderuar z. Zelenskyy, me respektin më të lartë për ju dhe popullin ukrainas, ne ju urojmë një fitore vendimtare. Ne do të jemi me ju për rindërtimin e qyteteve tuaja, kthimin e njerëzve tuaj, rehabilitimin mendor dhe fizik të shoqërisë suaj dhe anëtarësimin tuaj sa më të shpejtë në NATO dhe në BE.

Lavdi Ukrainës,

Slava Ukraini!/ KultPlus.com

‘Ishte me të vërtetë koha e dashurisë dhe e lumturisë’

…Më kujtoheshin shpesh fjalët e poetit vlonjat Ali Asllanit, mikut tim të shtrenjtë, që më thoshte plot gaz: ”Amore, felicita!”.

Ishte me të vërtetë koha e dashurisë dhe e lumturisë! Të nesërmen u nisëm për në Romë, ku ramë po në atë hotel ku kishim fjetur një natë bashkë si motër e vëlla. Ramë të flemë në orën dhjetë dhe u ngritëm nga shtrati të nesërmen mbrëma! –

Meqë Romën e njihnim mirë, si ajo, ashtu edhe unë, u nisëm për në Firence, ku qëndruam dy ditë dhe soditëm thesaret e këtij qyteti të lashtë dhe të famshëm për veprat e artit, si edhe bukurinë e Fiesolës. Nga Firencja në Bolonjë dhe andej në Venecie, që s’e kishim parë as ajo, as unë.

Sa zbritëm nga treni, hipëm në një gondolë dhe i thamë gondolierit të na shpinte në një hotel. Pas një vozitjeje të shkurtër në Kanal Grande, ai na shpuri në Albergon “Luna” që ishte, me sa duket, një nga hotelet më të mira të Kanal Grandes.

Ishte hera e parë që do të flinim në një hotel të tillë, mjaft të shtrenjtë për ne. Tiranasja, shumë më dorëlëshuar nga natyra se gjirokastriti, u tregua më e matur këtë radhë, duke thënë se një luks i tillë ishte i tepërt për ne, por ku i shpjegova se gjithë ai udhëtim nëpër Itali me tren të klasës së parë, na kishte rënë shumë lirë dhe se një pjesë e këtij fitimi, mund ta shtinim në punë për të kaluar tri a katër net në këtë hotel luksoz, ajo u ngushëllua dhe më dha të drejtë.

Kur hymë në dhomë me atë shtrat të gjerë të ngritur një pëllëmbë mbi dysheme e shtruar me qilim dhe të mbuluar me xhiblikun e madh rozë që binte me palë të gjëra dhe kur hapëm pastaj dritaren që na shpalosi para syve ujërat e Kanal Grandes, që shkreptinin në diell dhe ku vozitnin gondolat, sodisnim të habitur atë bukuri që kishin ëndërruar dhe shijuar, para nesh, shumë njerëz të dëgjuar të kësaj bote. Mos kish fjetur vallë këtu Bajroni, apo Zhorzh Sandi me Alfred de Mysenë?

P.S.
Çifti i ri do të shkojë edhe në Milano për të soditur bukurinë e Duomos, pastaj në Torino për të shëtitur në parkun Valentino dhe andej në Liqenin e bukur të Komos, për t’i dhënë fund në këtë qytet udhëtimit që do të mbante gjallë ëndrrat e tyre për më shumë se pesëdhjetë në Shqipërinë komuniste. Vetëm pesëdhjetë vjet më pas, ata do të udhëtonin sërish bashkë, për të mbërritur përmes detit në Bari.

Vedat Kokona / KultPlus.com

Rama: Berati i rilinduar, pas dekadash degradimi

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamjet e reja, pas ndërhyrjeve në zonën nga Porta e Pashait e deri tek sheshi Selamllëkut të Vrionasve në Berat.

Rama u shpreh se, falë ndërhyrjes më të fundit, Berati ka rilindur pas dekadash e dekadash në harresë, degradim dhe errësirë.

“Një pamje e re nga Porta e Pashait e deri tek sheshi Selamllëkut të Vrionasve në Berat, falë ndërhyrjes më të fundit në qytetin e magjishëm që ka rilindur pas dekadash e dekadash në harresë, degradim, errësirë”, shkroi Rama teksa ndau një video nga pamja e re e zonës.

Në bashkinë e Beratit është bërë i mundur rehabilitimi urban i Sheshit “ Iljaz Vrioni’’, restaurim dhe përdorim me përshtatje i ish- Selamllëkut të Vrionasve dhe zonës rrotull. Kjo ndërhyrje krijon potencial turistik për vizitorët e shumtë që vizitojnë qytetin e Beratit./KultPlus.com

NASA planifikon të eksplorojë planetin më të panjohur në sistemin diellor

Një pyetje kyçe është ngritur në komunitetin shkencor, pasi NASA ka kohë deri në vitin 2024 për të vendosur se cili do të jetë misioni i saj i ardhshëm i madh hapësinor. Komunitetet shkencore tashmë kanë filluar të dorëzojnë propozimet e tyre. Zgjedhja e parë për momentin është planeti Uran, planeti më i “panjohur” në sistemin diellor.

Kjo për shkak se shkencëtarët dinë shumë pak për këtë planet, i cili është katër herë më i madh se Toka. Në fund të fundit, kanë kaluar 30 vjet që kur anija kozmike Voyager 2 bëri foto të saj.

Urani përfundon orbitën e tij rreth Diellit çdo 84 vjet Tokë. Dhe dimri në planet zgjat 21 vjet, temperatura arrijnë -371 gradë Celsius.

Në fakt, shkencëtarët besojnë se në sipërfaqen e tij mund të ketë një oqean nën akull dhe për rrjedhojë mundësi për ekzistencën e jetës.

Buxheti 2 miliardë

Komuniteti shkencor arriti në përfundimin se ky duhet të jetë misioni tjetër i madh që NASA do të duhet të miratojë deri në vitin 2024.

Në veçanti, ai i propozon NASA-s që të dërgojë një sondë në Uran, e cila do të depërtojë në atmosferën e tij të panjohur dhe një anije tjetër kozmike që mund të vihet në orbitë rreth planetit për të paktën pesë vjet (Tokë).

Buxheti për misionin do të kalonte 2 miliardë dollarë.

Më 16 shkurt, Kathleen Mandt nga Laboratori i Fizikës së Aplikuar Johns Hopkins shpjegoi në një artikull në revistën Science se misioni “mund të çojë në përfundime rreth origjinës dhe evolucionit të sistemit diellor, si dhe shumë fenomeneve të tjera rreth planetit misterioz”.

Me teknologjinë aktuale, një anijeje kozmike do t’i duheshin 12 deri në 15 vjet për të udhëtuar 1.8 miliardë milje për të arritur Uranin.

Propozime të tjera

Sipas astrofizikanit Fabio Favata, NASA ka ende shumë opsione në tryezë. Vendimet përfundimtare duhet të merren deri në vitin 2024, në mënyrë që nisja të bëhet brenda dekadës së ardhshme.

Megjithatë, përveç Uranit, ndoshta misioni tjetër i madh (në dy dekada) do të jetë Neptuni, “gjiganti” tjetër i ngrirë që mbetet i paeksploruar.

Nga ana tjetër, Plutoni i cili është edhe më larg dhe nuk konsiderohet më një planet është studiuar mjaft nga ekspertët, falë një vizite të anijes kozmike New Horizons të NASA-s. /abcnews.al/ KultPlus.com

AIDSSH përkujton masakrën e 26 shkurtit 1951

Në kujtim të viktimave të komunizmit, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, përkujtoi sot 72-vjetorin e ekzekutimit të 22 intelektualëve, të akuzuar për shpërthimin e lëndës eksplozive në ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë.

Sot, më 26 shkurt 2023, mbushen 72 vjet nga ekzekutimi i intelektualëve Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjerin Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorraliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç.

Pasdreken e 19 shkurtit 1951 u hodh një sasi e vogël dinamiti në oborrin e ndërtesës së ambasadës sovjetike. Pati alarm në Ministrinë e Brendshme dhe qarqet e larta politike të Tiranës. Byroja Politike e KQ të PPSH u mblodh urgjentisht për të marrë në shqyrtim incidentin në ambasadë.

Ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë, disa qindra persona, pa bërë hetime për ngjarjen dhe pa gjetur provat për personat e pandehur. Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit përpiluan listën e vdekjes, arrestimin dhe pushkatimin e 22 vetave (nga datat 19-26 shkurt 1951).

Secili prej emrave të përzgjedhur, të arrestuar me ngut dhe të dënuar politikisht, kishte një histori të pasur individuale dhe familjare, në fusha të ndryshme dhe përfaqësonte më së miri shtresën intelektuale e properëndimore të Shqipërisë së asaj kohe.

Të arrestuarit u pushkatuan pas pesë ditëve, mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit. Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti me gjashtë nene, për “veprimtaritë terroriste” që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme Mehmet Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kish marrë fund. Ministri i Drejtësisë nuk mori pjesë në këtë farsë.

Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan me mangësi. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, u mor vesh se më datën 27 shkurt 1951, një trupë gjyqtarësh kishte dhënë vendim për dënimin me vdekje të 22 të vdekurve.

Familjet e të ekzekutuarve u përndoqën brutalisht për vite me radhë. Në korrik të vitit 1991 ata kërkuan pafajësinë e familjarëve të pushkatuar pa gjyq. Vendimi i Gjykatës së Lartë i shpalli të pafajshëm 22 intelektualët e dënuar.

Në vitin 1993, të sinjalizuar nga banorë të zonës dhe të orientuar nga dëshmitarë okularë, familjarët arritën të gjenin vendekzekutimin dhe vendvarrimin e përfolur pranë Urës së Beshirit. Me identifikimin e vendit u krye edhe zhvarrimi i tyre dhe më pas rivarrimi me të gjitha nderimet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Presidenti i Republikës ka nderuar me medalje 22 intelektualët e ekzekutuar, po ashtu familjarët e tyre për vlerat dhe dinjitetin njerëzor të treguar në vite./atsh/ KultPlus.com

Poezia e Xhemajl Mustafës për Adem Demaçin

Në vitin 1972, Xhemajl Mustafa kishte shkruar një poezi për figurën e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin.

Sot, KultPlus e sjell këtë poezi në 87-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit.

MES GRILASH – FENIKS

Akrostik
Agimin e zi po e ngjyros me lotë kujtimi
Derisa këngën po e thyej nëpër fytyrën tënde
E në heshtje po tretem e fikem si jetimi
Me ndezë dëshirat e fjetura si krande
Dhe prore po zbres në sytë e rrugëve kah ti
E ëmbël është vdekja në qëllim –
Me e puthë atë dritë në horizonte që rri
Akoma i etur jam në këtë varg, i humbur në trishtim
Qetësi e natës kridhet në grila e mbërthyer
I lodhur një zog diku me krahë të thyer
Tash këngës ia thotë me afsh në gji –
I amshuar balsam në varg qëndron
Këngë ngadhënjimi lyrë e poetit shënon
Rrugët ndrit qëllimi në këtë natë plot vetmi.

(Jeta e re, nr.2/1972, f.332)./ KultPlus.com

Letra dashurie: Juliette Drouet për Victor Hugo

Victor Hugo dhe dashnorja e tij Juliette Drouet nisën një lidhje plot pasion në vitin 1833, pas vënies në skenë të “Lucrezia Borgia”, ku Drouet luajti rolin e princeshës vrasëse Negroni. Hugo po kalonte një periudhë të rëndë emocionale pas zbulimit të tradhëtisë së gruas, Adele. Aktorja duket se ish shpëtimtarja e duhur për shkrimtarin e ndjeshëm e melankonik.
Dashuria e tyre vazhdoi deri në vdekjen e Drouet, më 1883.

1 nëntor 1839
Mirëmëngjes, i dashuri im i vogël, i pakti burri im i dashur. Dje më the me plot bindje se kaligrafia ime ishte aq e shëmtuar dhe llomotitja që shkruaja veç një labirinth i tmerrshëm, ku ti humbet durimin dhe dashurinë, aq sa mezi guxoj të të shkruaj sot dhe do duhet veç pak të më bëjë ta lë përgjithnjë letërkëmbimin tonë.
Na duhet ta shpjegojmë këtë që po ndodh, sepse ndryshe je i pashpirt që më detyron të bëhem qesharake ditë e natë, thjesht se të dua dhe jam veç një grua e vetmuar plot trishtim. Nëse dashuria ime është pasojë e padijes dhe mendjelehtësisë, të paktën mos më detyro të hidhem vetë në shkatërrim.
Ka qenë një kohë që ti nuk e vije re shëmtinë e shkrimit tim; thjesht lexoje atë që shkruaja, i lumtur e i kënaqur. Tani ti qesh dhe kjo është e padrejtë, e ligë. Ky duket se është fati i gjithë Kuazimodove në këtë botë, shpirtërorë apo fizikë; me ta tallen: forma duket se është gjithçka e shpirti asgjë.
Edhe sikur të të thosha me shkrimin tim të shëmtuar se “Shpiti im është i bukur”, ti prapë do qeshje. Ndaj, i dashuri, burri im i vogël, duke pritur ditën që edhe unë të të bashkohem e të qesh me veten, mendoj se është mirë të pushoj së shkruari përditë. Për më tepër, ka ardhur koha që unë të përqendroj gjithë energjitë në përmirësimin dhe sigurimin e gjendjes dhe pozicionit tim. Asgjë në këtë botë nuk më largon dot nga pikësynimi, sepse për mua është një çëshje për jetë a vdekje…
Shpresoj te ndihma jote, i dashuri im. Po të kërkoj më shumë se jetën; moralisht të përjetojmë martesën e dashurisë sonë.
Lermë të vij me ty kudo ku kërcënohet dashuria ime; lejomë të jem gruaja jote e mendjes dhe zemrës, nëse nuk mundem e jotja të jem ligjërisht. Nëse sheh se keq po shprehem, mos u tall, por kupto se kam të drejtë të shkruaj ato që edhe ti ke ndjerë, të këmbëngul të mbroj veten kundër gjithë atyre grave që të përkulen me preteksin se duan të të shërbejnë. Por do vijë dhe rradha ime, sepse të dua dhe jam xheloze.
J.

Pak më vonë atë ditë:

Ti je mirë, i adhuruari im, ndërsa unë e pafat. Megjithatë të dua, kurse ti veç lejon të të duan; kjo të lejon të jesh kaq i qetë e mua më bën të hidhur. Zemra më është rënduar sonte nga xhelozia dhe asgjë përveç prezencës tënde nuk do më qetësojë dot. Brenda shpirtit kam gjithë furtunën e zjarrin e ferrit. Do desha të më qepnin te astari i xhaketës tënde sonte. Më duket sikur do të përballem me rreziqe të mëdha, që mund t’i zmbraps vetëm po të ndenja pranë. Nëse frika ime është e vërtetë, me siguri nuk do mund të bëj asgjë të shmang shkatërrimin, sepse ti nuk do mund të rrish me mua gjithë mbrëmjen. Përgëzimet dhe komplimentet që do marrësh do të të largojnë prej meje. Nuk e mohoj dot që jam e trishtuar dhe do desha më shumë të isha me ty në Fontainebleau, në “Hotel de France”, sesa në lozhen C, edhe sikur të luhej “Marion de Lorme”.
Puthmë, burri im i vogël. Dukeshe shumë bukur në pallton e re, por nuk më the se shkove të rrobaqepësi. Do barazohem me ty, duke thirrur për vizitë fustanbërësin tim.
Nuk të lëshoj pe aspak kur vjen puna për hijeshi dhe sqimë…
Juliette /KultPlus.com

Shkrimtarja nga Maqedonia e Veriut, Nurie Emrullai, shpallet fituese e Çmimit Kadare për vitin 2023

Nurie Emrullai është shkrimtarja e re nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, që mori këtë vit Çmimin Letrar Kadare për vitin 2023. – “Është një emër surprizë, por plotësisht i merituar për këtë zonjë nga bashkëkombësit tanë në Maqedoninë e Veriut, edhe për të  provuar se letërsia e mirë shqipe shkruhet kudo dhe jo vetëm në Tiranë” – tha kryetarja e jurisë, shkrimtarja Natasha Lako. Emerllai konkurroi me romanin “Duhet të jetë dashuria” dhe ishte fituese mes 27 dorëshkrimeve në prozë nga 27 autorë të këtij edicioni, të vitit 2023, që përkoi me edicionin e nëntë të këtij çmimi, themeluar në vitin 2014.

Motivacioni i veprës fituese të këtij çmimi, sipas votimit unanim të jurisë, është si më poshtë: Dorëshkrimi i romanit “Duhet të jetë dashuria” i shkrimtares Nurie Emrullai nga Maqedonia e Veriut dalloi për gjetjet stilistikore dhe talentin, për t’i dhënë mikrokozmosit të saj, një frymë letërsie universale.

Çmimi Kadare është themeluar në vitin 2014 me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës dhe ka si mision ‘inkurajimin e të shkruarit të letërsisë shqipe, përmes botimit dhe promovimit të veprës fituese si dhe nxitjen e debatit për letërsinë shqipe. Tashmë ky çmim ka një gjeografi dhe listë impresionuese, duke filluar nga shkrimtarë që jetojnë dhe krijojnë në emigracion si Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku, shkrimtarët nga Kosova si Musa Ramadani dhe Gani Mehmetaj, apo shkrimtarë të rinj si Loer Kume nga Durrësi sikurse shkrimtarja e parë grua që e fitoi këtë çmim vitin e kaluar 2022, Vera Bekteshi.

Gjeografia e çmimit plotësohet edhe me krijuesit nga Maqedonia e Veriut, ku jeton dhe krijon Nurie Emrullai. Lauretja e këtij viti është shkrimtare e re, e cila ka botuar disa libra ku spikatin librat me poezi botuar në shtëpinë botuese “Onufri”.

Dy vëllimet e saj me poezi “Vargmale nën dhe”, si dhe “Në orën moderne të perëndive” spikatin dhe romani që tashmë fitoi Çmimin “Kadare” e kompleton profilin letrar të autores. Nurie Emrullai është aktualisht asistent lektore në universitetin e Tetovës dhe doktorante për Letërsi, në universitetin e Shkupit. /Liberale.al/ KultPlus.com

Sidheri prezanton gjetjen ilire të vitit 1930: Shkupi duhet të mbetet në qendër të vëmendjes së arkeologjisë shqiptare

Elvi Sidheri

Ndërkohë që vlojnë lajmet për gjetjen e mbishkrimit Dardanus në Shkup, sakaq në kryeqytetin e sotëm të Maqedonisë bashkëkohore, dhe kryeqytetin e dikurshëm të Dardanisë së lashtë, është gjetur qysh në vitin e largët 1930, pranë lagjes Nerez dhe malit të Vodnos, më saktësisht në Gorno Sonje, një mbishkrim ku flitet saktësisht për qytetin ilir të Albanopolisit, epiqendrën e gjenezës së ilirëve sipas historianëve të lashtë me në krye Ptolemeun (arsyeja përse sot të huajt na quajnë akoma Albanians). Në këtë mbishkrim të gjetur në një çezmë të braktisur, shkruhet: “POSIS MESTYLU F(ILIUS) FL(AVIA) DELUS MUCATI F(ILIA) DOM(O) ALBANOP(OLI) IPSA DELUS”, që në shqip domethënë: “Posis Mestylu, i biri i Flavias, të bijës së Delus Mukatit, me vendbanim në Albanopolis”. Në këtë mbishkrim të datuar mes viteve 71-130 pas Krishtit, me rëndësi thelbësore për gjurmët ilire në trevat shqiptare, kemi njëherësh përmendjen e disa emrave dhe mbiemrave ilirë, krahas theksit të veçantë mbi prejardhjen nga Albanopolisi, diçka rrallëherë të hasur tjetërkund.

Për këtë arsye, Shkup nevojitet të mbetet në qendër të vëmendjes së arkeologjisë shqiptare, përkundër pengesave dhe vështirësive, që gjurmët ilire mos të humbasin përgjithmonë./ KultPlus.com

A e dini historinë “Po shkunden plakat”?

Sipas rrëfimeve nga brezi në brez, ndryshimet e motit në fillim apo në fund të muajit mars lidhen me “mitin e plakave”.

Në disa krahina të vendit ky mit kujtohet në fillim të muajit kur marsi i mori ditë borxh shkurtit ç’ka shpjegon edhe arsyen se përse shkurti është muaji më i shkurtër.

Ndërsa për krahina të tjera, ajo kujtohet në dy ditët e fundit të marsit.

“Plakat” përdoren edhe në ditët e sotme, pasi shpesh dëgjojmë të thuhet se “bën ftohtë ngaqë janë plakat”.

Sipas gojëdhënave shqiptare, plaka kishte shkuar në mal për të kullotur bagëtitë dhe duke parë motin e ngrohtë e me diell tha: Tani unë do t’i kullos për qejf bagëtitë, të dh’…fsha dimrin”.

Në këtë moment, marsi tha: “Shkurt o im vëlla, me jep tri ditë hua ta ngrij plakën me gjithçka.

Menjëherë pas kësaj, u bë aq ftohtë saqë plaka ngriu me gjithë bagëtitë në mal, duke u kthyer në shkëmb.

Mali Tomorr është vendi ku plaka u ngri me bagëtinë e saj, nga ditët qe mori hua muaji mars.

Madje gojëdhëna thotë se në atë vend sot gjendet një gur si në formën e një Plake, ku edhe sot e kësaj dite, aty buron ujë, që thuhet se janë lotët e Plakës.

Kështu lindi legjenda e të ashtuquajturave ”Plakat e Marsit”, e cila sot përdoret si një metafor për të ndarë stinën e dimrit me atë të pranverës, përkatësisht mes 14 marsit dhe 14 prillit, ku 14 prilli sipas legjendës shënon 1 marsin, ardhjen e stinës së luleve.

Kjo gojëdhënë është e njohur thuajse ne gjithë Ballkanin apo dhe vende te tjera te botes.

Pavarësisht se sa e vërtetë është, “miti i Plakave” përdoret edhe sot dhe metereolgoët pranojnë se tre ditët përmbyllëse të marsit sipas kalendarit “alla turka” kanë sjellë mot të ftohtë dhe me reshje.

Ndërsa prilli si gjithmonë vjen me mot të mirë.

4 VERSIONE TË LEGJENDËS
Gjithsesi, gojëdhëna e ditëve të ftohta të marsit ka disa versione dhe më poshtë janë disa më kryesoret, në version të shkurtuar…

1. Vjen marsi.
Ngrohet koha. Një plakë merr bagëtinë për ta kullotur në mal. E kënaqur nga koha e ngrohtë, plaka thotë: “Dimër, ma more të keqen, ta hodha dhe këtë vit.”
Dimri e dëgjoi dhe dërgon borë dhe tufan, dhe e ngrin plakën në majë të malit.

2. Plakat e marsit janë shtatë.
Shtatë plaka morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë (ftilluar).

Duke bërë muhabet me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit Mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe ai (Marsi) i merrte të keqen. Këngën e kënduan të gjitha plakat me rradhë. Marsi i dëgjoi dhe i ngriu të shtata.

Thonë se plakat janë ngurtësuar, dhe cdo vit në muajin mars bie shumë shi shtatë ditë me rradhë, dhe në male bie borë.

3. Nga veriu thonë se mullizeza (lloj shpendi) celi zogjtë që në mars.
E lumtur nga koha e ngrohtë, edhe ajo filloi ta shante marsin: Mullizeza zogjt i çeli, na marsh të keqen Mars kaçeli…

Edhe këtë muaji Mars e ngriu me gjithë zogj në fole. Numri i mullizezës më zogjtë e saj është shtatë, që korrespondon me numrin e plakave.

Kjo tregon për një binjakëzim të gojëdhanes. Po ashtu edhe plakat edhe mullizeza ishin në të zeza. Plakat me roba të zeza ndërsa mullizeza me pupla të zeza.

4. Kur plakat i thanë marsit, “na marrsh të keqen”, marsi u zemerua aq shumë sa tha “shkurt (apo prill?) o im vëlla, më jep dy dite hua, t’i thaj plakat me gjith ç’kanë… ”/ KultPlus.com

“Rrallë kam pa kso bukurie”, kënga më e dashur e Ibrahim Rugovës (VIDEO)

Presidenti Historik i Kosovës Ibrahim Rugova, kujtohet gjithmonë nga të gjithë qytetarët e Kosovës e poashtu edhe nga familja e tij.

“Rrallë kam pa kso bukurie”, është kënga që ish-presidenti Ibrahim Rugova, thuhet ta ketë dashur më së shumti dhe ta ketë dëgjuar me ëndje.

“Për një natë të qetë dhe të këndshme, larg viber-it dhe përgjimeve, ju ftoj të dëgjoni një nga këngët më të dashura të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova “Rrallë kam pa kso bukurie”, pati shkruar Blerta Kllokoqi Rugova, në rrjetin e saj social Facebook./ KultPlus.com

“Vajtimi”, poezia e trishtë e Viktor Hygosë

“Vajtimi” është një ndër poezitë më të bukura të Viktor Hygosë, kushtuar boshllëkut që lë pas humbja e një personi të dashur. Që nga mungesa fizike, e deri tek ajo shpirtërore më së shumti në rrethin familjar, autori ka shkruar një elegji për vdekjen, e cila përjetohet si një ngulja e një thike të ftohtë drejt e në shpirt. Padyshim kjo elegji ndihet më shumë e dhimbshme nga ata që e kanë përjetuar një humbje aq të madhe, sa ajo e një familjari apo miku mjaft të dashur. Nga vargu në varg, dhimbja bëhet edhe më e fortë, teksa autori mundohet të  kalojë nga e përgjithshmja (mungesa në natyrë) tek e veçanta (mungesa më e madhe që ndihet në familje).

“Vajtimi”

O shtigje ku lirshëm valëvitet bari,
Lugina, kodra e ti pyll që oshëtin!
Çfarë është me ju e gjithë kjo heshtje varri?!
Për atë që iku e jo më nuk ka kthim!

Po pse kjo dritare tash vonë rri e mbyllur?
Dhe pse ky kopsht rri i heshtur e i shkretë?
O shtëpi, ku është i zoti që gjithmonë miqtë i ka pritur?
“Di vetëm që s’është e kurrë më s’do të jetë”.

E ti qen besnik, kush për ty do kujdeset?
S’ka dorë të të ushqejë më, këtu njeri s’ka.
Fëmija i gjorë qan e kërkon të atin
e vejushë e zezë e qan e mallkon fatin.

Si iku ai kështu në errësirë?
O dhimbje që godet pareshtur pamëshirë!
Ku shkoi vallë? S’përgjigjet asnjëri,
Veç zërit tim të trishtuar, një dhimbje, elegji… / KultPlus.com

Djali i Adem Demaçit, Shqiptari: Ja si e mora këtë emër me simbolikë të veçantë

Nuk e kishte fatin të lindte si shumica e fëmijëve të tjerë. Kur u lind e ndjeu vetëm përqafimin e ngrohtë të nënës së tij, por jo edhe të babait. Ani pse e kishte gjallë, mungonte prezenca e tij. Kjo për shkak që ishte në burg dhe ishte burgosur nga serbët për vendosjen e 99 flamujve shqiptarë nëpër rrugët kryesore të qyteteve të Kosovës.

Ishte pikërisht viti 1965 kur Adem Demaçi u bë baba i një djali. Lajmin arriti ta marrë vetëm prapa grilave.

Por, pavarësisht kësaj ai edhe pse ishte në burg gruas së tij ia kishte lënë një porosi.

Kishte vendosur që emri i fëmijës së tij të jetë i veçantë nga të tjerët. Krejt kjo për t’u lidhur me barazinë kombëtare, pasi që një gjë e tillë në atë kohë mungonte.

Djalë apo vajzë, ai do të lindte me emrin Shqiptar ose Shqiptare. Dhe, këtë tashmë Adem Demaçi e kishte ngulitur në kokë.

Pikërisht sot për festën e shqiptarëve, Festën e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit në një rrëfim të veçantë djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi tregon gjithë ngjarjen e emrit të tij.

Thotë se emri i tij është gjakim për barazi kombëtare.

“Babai, atë kohë(viti 1965)  në vuajtje të dënimit me burg politik, e ka porositur nënën që ‘nëse len djalë t’i lihet emri ‘Shqiptar’, e nëse len vajzë : emrin ‘Shqiptare’. Emri ishte synim, gjakim për barazi  kombëtare , që në atë kohë qe tejet e mangët, sepse qe kohë që shqiptarët e Kosovës shpërnguleshin me dhunë në Turqi dhe diskriminoheshin kombëtarisht”, është shprehur Demaçi për FrontOnline.

Demaçi tregon se cili ishte pseudonimi i tij dhe kush ishin personat që nuk e thërrisnin në emër

Ani pse e ka emrin Shqiptar, jo të gjithë e thërrisnin kështu.

Shqiptar Demaçi, kishte pseudonime të ndryshme.

Familjarët dhe disa të afërm e thërrisnin në emra të tjerë, e disa të afërm të tjerë edhe më ndryshe.

Kishte gjithsej pesë pseudonime.

Demaçi tregon edhe emrat e tij të tjerë me të cilët njihej.

“Si fëmijë familja e të afërmit me thirrnin shkurt ‘Shipi’ , më vonë ‘Shqipi’, dikush ‘Shqype’, ca të afërm ‘Type’ , ca shokë ‘Demaç’ etj”, shprehet ai, derisa thotë se me kalimin e kohës është mësuar me emrin e tij dhe se më nuk i ka ardhur çudi.

Shqiptar Demaçi, djali i Adem Demaçit ka thënë se asnjëherë nuk ka menduar që ta ndërrojë emrin, ani pse emri i tij kishte një simbolikë të veçantë.

Teksa e shpjegon domethënien e emrit të tij, Demaçi deklaron se emri është shenjë dhe nuk bën të ndërrohet.

“Natyrisht që jo. Është një fjalë latine: “Nomen est omen” (Emri yt është shenjë, fatum, se çdo të jeshë)”, ka thënë ai.

I, pyetur se me cilat vështirësi është përballur gjatë kohës së okupimit serb kur bëhet fjalë për nxjerrjen e dokumenteve dhe mohimin e të drejtave të tjera Demaçi, pa dashur të jep detaje thotë se ajo kohë ka qenë e vështirë për të gjithë shqiptarët.

“Ajo kohë qe kohë e rëndë për popullatën në krejt ish Jugosllavinë e veçanërisht për boshnjakët e shqiptarët e Kosovës. Por, regjimi okupues serb nuk ka pas kohë me u marrë me detaje”, është shprehur Demaçi.

Por, tregon se çfarë kishte ndodhur kur nëna e tij kishte shkuar për ta regjistruar në zyrën e gjendjes civile.

“Natyrisht që e patën pyetur nënën se  ç’është ky emër kështu dhe emrin tim atëherë e patën regjistruar me germa cirilike( e kam certifikatën origjinale)”, ka thënë ai.

Shqiptar Demaçi, është djali i veprimtarit Adem Demaçi, ndërsa me profesion është kirurg torakal.

Përndryshe, prindi i tij, Adem Demaçi, ka vdekur në vitin 2018 dhe është simbol i rezistencës kombëtare. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta. / KultPlus.com

Tirana regjistron 8.5 milionë turistë, pikë turistike edhe shtëpia e Kadaresë dhe e Agollit

Turizmi ishte tema e videomesazhit të javës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Duke sjellë në vëmendje faktin se industria e turizmit në Tiranë sot po kalon ditët më të mira, Veliaj tha se shifra e mbi 4 milionë turistëve që vizituan vitin e shkuar Kryeqytetin, erdhi falë investimeve të 8 viteve të fundit dhe qasjes për të pasur një qytet të pastër, mikpritës dhe me kushtet e nevojshme të hotelerisë.

“Pavarësisht bindjeve, shumica prej nesh biem dakord se, vitet e fundit, Tirana është kthyer realisht në një qytet që gëlon nga turistët, thuajse në çdo muaj të vitit kalendarik, nga festat e dhjetorit, gjatë verës, e deri në fund të vitit, me Festat e Pavarësisë. Unë ju ftoj të zgjidhni një orë të ditës, kaloni në Sheshin Skënderbej dhe grupet e turistëve në gjuhë të ndryshme do t’ju vërtetojnë se këto janë ditët më të mira edhe për turizmin në Tiranë,” tha ai, duke theksuar se ky është një lajm fantastik, jo vetëm për ekonominë e qytetit, por edhe për ekonominë e Shqipërisë.

“Pyetja është, si kemi arritur deri këtu dhe si kemi bërë të mundur që nga viti 2015-2016, kur Tirana regjistronte jo më shumë se 100 mijë turistë në vit, 8 vjet më pas shifra e tyre të shkojë në 4.5 milion? Përqasja jonë për të zhvilluar turizmin ka qenë e trefishtë: të ruajmë identitetin historik, duke konservuar ndërtesa dhe hapësira të rëndësishme që realisht janë shpallur monumente të kulturës, t’i japim jetë ndërtesave dhe hapësirave historike dhe e treta të investojmë për shekullin e dytë të Tiranës kryeqytet,” shpjegoi Veliaj.

Ai përmendi disa nga projektet e mëdha që e kthyen Tiranën në kryeqendër të rajonit dhe një pol turistik, por që shpesh janë anatemuar dhe janë bllokuar nga një pjesë e politikës.

“Sheshi Skënderbej nuk është më një rrethrrotullim, por një hapësirë fantastike për turistët dhe për aktivitetet. Pazari i Ri, Kalaja, Sarajet e Toptanasve, që Bashkia i ka blerë, Shtëpia Kadare, Shtëpia Dritëro Agolli, që gjithashtu janë blerë nga Bashkia, Bunk’Art, Shtëpia me Gjethe, stadiumi Arena Kombëtare, janë histori suksesesh, të cilat nuk i kemi pasur, por janë bërë falë punës në këto 8 vitet e fundit. Kanë sjellë më shumë punë dhe zhvillim për qytetin, për gjithë Tiranën tonë dhe kanë ndikuar që qyteti ynë të vizitohet nga këta miliona turistë,” u shpreh Veliaj.

Ai u ndal edhe te kullat e Tiranës, të cilat janë sulmuar shpesh nga politika. “Kullat e Tiranës, sidomos të qendrës, janë mundësia e artë për të sjellë investime të klasit botëror në fushën e turizmit. Fatkeqësisht, ndërtimi i tyre është sulmuar shumë nga njerëz që nuk e kuptojnë potencialin që ato kanë për turizmin. Histeria se këto ndërtime po bëhen në prona publike është po ashtu e rreme. Janë në pronat e tyre private. Kush investon në sektorin e turizmit është guximtar, duhet t’i jemi mirënjohës, t’i themi bravo të qoftë, sepse janë përfaqësuesit e parë të Tiranës dhe Shqipërisë me turistin e huaj, me atë që na viziton,” deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se ndërtimi i kullave ka sjellë në Kryeqytet disa nga brandet më të njohura ndërkombëtare të hotelerisë dhe turizmit. “8 vjet më parë nuk kishim asnjë brand ndërkombëtar hotelerie në Tiranë. Asokohe, gjithollogët thoshin se Tirana s’ka turizëm, se nuk ka mundësi për turizëm. Ndoshta, me të drejtë, sepse si mund të ketë turizëm kur nuk kemi ku t’i strehojmë turistët? Turizëm në shtëpi qerpiçi nuk mund të ketë. Sot kemi hotelet me emrat më të mëdhenj të botës, që po instalohen ose janë instaluar në Tiranë: Hilton, Hayat, Melia, Marriot, Maritim Plaza, InterContinental, që jo vetëm e kanë plotësuar mungesën e shtretërve të Tiranës, por kanë sjellë punësim, kanë sjellë edhe dije për sektorin vendas,” u shpreh ai.

Tirana sot shkëlqen, shtoi kryebashkiaku, dhe është shumë herë më e pastër, më e gjelbër, por edhe më mikpritëse./ KultPlus.com

Distria Krasniqi dhe Shpejtim Bajoku “Laureatët e vitit 2022”

Viti 2022 ishte vit i politikave sportive dhe i arritjeve kulminante në garat ndërkombëtare. Sportistët tanë na kanë bërë krenarë me paraqitjet e tyre në Kosovë dhe jashtë vendit.

Për të përzgjedhur më të mirët në fushën e sportit për vitin 2022, të shtunën u mbajt ceremonia e çmimeve “Laureatët e vitit 2022”, organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, përkrahur nga Ministria e Sportit.

Aty morën pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, ambasadorë të vendeve mike, përfaqësues të federatave, sportistë dhe sportdashës.

Xhudistja Distria Krasniqi dhe boksieri Shpejtim Bajoku kanë fituar çmimet kryesore, sportistja dhe sportisti i vitit. Çmimi “Trajneri i vitit” sërish shkoi për trajnerin e xhudos Driton Kuka.

Në këtë ceremoni u ndanë edhe çmime të tjera për sportistët të cilët kanë arritur suksese në garat ndërkombëtare. Skitaristja Kiana Kryeziu fitoi çmimin “Shpresa Olimpike 2022” në konkurrencën e femrave, ndërsa në konkurrencën e meshkujve “Shpresa Olimpike 2022” iu dha xhudistit Dardan Cena. “Çmimin Special” për meshkuj e mori futbollisti Vedat Muriqi, ndërsa për femra ky çmim shkoi për boksieren Donjeta Sadiku.

Kombëtarja e Hendbollit, konkurrenca e femrave u shpërbly me çmimin “Kombëtarja e vitit”, ndërsa i njëjti çmimi i takoi edhe Kombëtares së Kosovës në futboll, konkurrenca e meshkujve.

Për kontributin e dhënë në gazetarinë sportive janë ndarë mirënjohje për Agim Kasapollin, Xhavit Kajtazin dhe Azem Brovinën. Mirënjohje janë ndarë edhe për Federatën e Mundjes së Kosovës, dhe për Shoqatën e Kosovës për Kërkim-Shpëtim që operoi në ndihmë të autoriteteve turke në operacione të kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues./ KultPlus.com

Këmisha e qëndisur nga Sabiha Kasimati në Muzeun Historik Kombëtar

Një këmishë e qëndisur nga duart e Sabiha Kasimatit është ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Nazizmit e të Stalinizimit, 23 gushtit, shpallur si dita që dënon çdo formë të totalitarizmit nga Parlamenti Evropian.

Me këtë rast Muzeu Historik Kombëtar ka çelur një ekspozitë ku përveç këmishës së shkencëtares Sabiha Kasmiatit janë ekspozuar edhe disa objekte të tjera të viktimave të terrorit nazistit e komunizmit stalinist shqiptar. Të bëjnë përshtypje veshjet e shpuara nga plumbat të masakrës gjermane të Borovës në vitin 1943, ku nazistët gjermanë i mblodhën në një shtëpi e i pushkatuan pothuajse të gjithë burrat e djemtë e kij fshati.

Veshjet e arnuara me flokët e nënës

Jo më pak gjurmë të dhimbshme ruajnë edhe objekte e ekspozuara nga viktimat në kampet e internimit komunist, ku duket këto pantallona të armuar të të internuarit Gjon Vutnikaj, ta arnuara me flokët e nënës së tij. Një pamje që transmeton shumë dhimbje.

Njollat e gjakut të djemve të rinj të pushkatuar në kufi në vitet ‘90, nga sigurimi i shtetit janë një detaj edhe me ekstrem i dhimbjes kur sheh këtë ekspozitë.

Këtu janë bluza me njolla gjaku e Pëllumb Pëllumbit dhe këmisha e një të riu tjetër që ka tentuar të kalojë kufirin.

Ndërsa këmisha e Sabiha Kasimatit e qëndisur me mjeshtëri nga duart e saj, na sjell një copëz nga jeta e saj. Ko është një këmishë tradicionale që vajzat e merrnin në pajën e martesës. Duart e Sabihasë kanë lënë këto gjurmë jete e dashurie në këtë këmishë. Diktatura komuniste ka kryer një nga aktet kriminale me vrasjen e shkencëtares së njohur Sabiha Kasimati.

Ajo u pushkatua në natën e 26 shkurtit 1951, e lidhur me tela me gjemba me 22 burra të tjerë, dorë më dorë. U pushkatuan një nga një diku pranë urës së Beshirit dhe trupat e tyre u hodhën të gjithë në një gropë të madhe, shkruan shqiptarja.com.

Fatkeqësisht Sabiha Kasimati ishte e vetmja që nuk e kapi plumbi direkt në zemër dhe u varros mizorisht e gjallë bashkë me viktimat e tjera duke vuajtur orë të tëra tmerri derisa dha frymën e fundit./ KultPlus.com

87 vjet nga lindja e simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi

Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi ka ndërruar jetë më 26 korrik të vitit 2018, ndërsa sot është përvjetori i lindjes së tij, shkruan KultPlus.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi, u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ai ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta./ KultPlus.com

Sabiha Kasimati, shoqja e klasës së Enver Hoxhës që u pushkatua me urdhër të tij

Sabiha Kasimati mbaroi Liceun e Korçës (në të njëjtën klasë me diktatorin E. Hoxha). Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30′/30′, me lavdërim (trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoratën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe. Mbas disa vitesh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kura shëndetësore në një sanatorium të Torinos.

Pas shërimit, aty nga viti 1945 u kthye në atdhe. Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto. Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj.

Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.

Sabihaja u arrestua më 20.02.1951. Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpiluesi i listave të zeza rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zëvendësministrat e tij – Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti. Them për këta të fundit, se këta mbulonin Sigurimin. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe Byroja ia miratoi, pra, i kishte duart e lira. Por, jo pa komandantin. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave që kishte përzgjedhur. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht.

Për pushkatimin e saj dhe 22 intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!

Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste: “Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”
Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë europiane. Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, derisa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme. /KultPlus.com

Hygo: Kur një grua është duke të folur, dëgjo atë që po thotë me sytë e saj

“Muzika shpreh atë që nuk mund të thuhet, dhe për të cilën nuk mund të heshtësh.”

“Kur një grua është duke të folur, dëgjo atë që po thotë me sytë e saj.”

“Djalë, vëlla, baba, i dashur, shok. Ka hapësirë në zemër për të gjitha dashuritë, ashtu sikurse ka hapësirë në qiell për të gjithë yjet.”

“Jeta është lulja, për të cilën dashuria është mjalti.”

“Iniciativa është të bësh gjënë e duhur, pa ta thënë kush.”

“Kur diktatura është fakt, atëherë revolucioni bëhet një e drejtë.”

“Një ferr inteligjent, do të ishte më mirë se sa një parajsë idiote.”

“Ndrysho mendimet, por mbaju parimeve; ndrysho gjethet, por lëri të paprekura rrënjët.”

“Buzëqeshja e gëzimit është më pranë lotëve, se sa të qeshurës.”

“40 është mosha e vjetër e rinisë; 50 është mosha e re e pleqërisë.”

“Shpirti ka iluzione, ashtu si zogu që ka krahë; ai mbahet pas tyre.”

“Reagimi – një varkë që shkon kundër rrymës, por që nuk e pengon rrymën të vazhdojë të rrjedhë.”

“Ka baballarë që nuk i duan fëmijët e tyre. Por nuk ka asnjë gjysh që nuk e adhuron nipin e tij.”

“Qëndresa – sekreti i të gjithë triumfeve.”

“Kurioziteti është një prej formave të guximit femëror.”

“Ka një spektakël më të madh se sa deti, dhe ai është qielli; ka një spektakël më të madh se sa qielli, dhe ai është brendia e shpirtit të njeriut.

“Për të krijuar të ardhmen, nuk ka asgjë më të mirë se sa një ëndërr.”

“Kafsha është injorante për faktin që di. Njeriu është i vetëdijshëm për faktin që është injorant.”

“Njerëzimi nuk është një rreth me një qendër, por një elips me dy pika qendrore, nga të cilat faktet janë njëra dhe idetë tjetra.”

“Shpresa është fjala që Zoti e ka shkruajtur në ballin e çdo njeriu.”

“Trishtimi është një frut; Zoti nuk e vendos atë mbi degë që janë shumë të brishta për ta mbajtur.”

“E qeshura është Dielli që dëbon dimrin nga fytyra e njeriut.”

“Shoqëria është një republikë. Kur një individ përpiqet të ngrihet mbi të tjerët, ai ulet poshtë prej masës, ose përmes talljes, ose përmes shpifjes.”

“Sa herë që një mik të thotë që dukesh i ri, të jesh i sigurtë se po plakesh.”

“Askush më mirë se një grua, nuk di të thotë gjëra që janë njëkohësisht të buta dhe të thella.”

“Ai që hap një shkollë, mbyll një burg.”

“Çfarë është historia? Një jehonë e të kaluarës në të ardhmen; një refleks i të ardhmes në të kaluarën.”

“Asgjë tjetër në botë… as edhe të gjithë ushtritë, nuk janë më të fuqishme se sa një ide, të cilës i ka ardhur koha.”

– Victor Hugo / KultPlus.com

Sot në ditëlindjen e shkrimtarit

Viktor Hygo, pena tragjike që predikoi humanizmin si besim

Më 26 shkurt të vitit 1802, Franca dhe bota, do të priste të vinte në jetë, atë që do të prekte zenitin si poet, dramaturg, novelist, eseist, artist vizual, burrë shteti, atë… Viktor Hygoin, aktivistin e zellshëm të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Përpos të gjithash mëtoi kunguesin e patëdytë të poetit dhe vazhduesin e spikatun të romantizmit. Ishte dhe mbeti një shëmbëllesë e një penelate tragjike me sharm humaniteti.

Në galerinë e veprës, përcjellim kjartësisht si figurë qendrore njeriun e mitizuar në Sizif. Ngarëndja për të rrëmuar mes rrënojave të kohës, e për të ç’burgosur së andejmi gologotën e mundimshme të njeriut që gjen tek sekush vetveten, e beh atë gjithnjë mes rrëfimtarëve ngadhnjyes. Tipat, karakteret, figura, episode, etapat, datimet dhe rendiet historike, janë jo vetëm lënda e parë e asaj përmendore shtatlartë, por edhe brumi i një doktrine që me romantizmin dhe me emrin e Viktor Hygoit, kërkuan dhe përftuan përjetësinë.

Edhe sot ndërsa matim kohësinë tone, në këtë turravrap të çmendur përnga zdiseku, përgjojmë pa shumë qëmtesë, praninë mes nesh të personazheve që skaliti mendja, zemra dhe pena e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shkullit XIX, këtij dishepulli të njimendtë të romantizmit.

Gjatë kësaj kohërendie pakkush ka mbetur jashtë asaj bote ngjethëse që sendërtoi ai me landën e një vullkani. Kurrkush nuk bitisi atë realitet cingëritës, atë univers ku hovtë një mllef dhe si një llavë flatëron gjithëkohësinë e gjëmimeve të brenshme të çdo shpirti. E gjithë kjo për ti dhënë përmasat e qiellit vullnesës për të drejtë dhe liri, dinjitet dhe dashuri. Vepra, personazhet dhe trillet e një ngulmi reagues, u bënë udhërrëfyes të rendjes së gjatë të një kreature letrare të tjetërqyshtë, që do ta ngjiste shumë shpejt të zotin e saj në fronin e famës. Gjithëkjo ka në thelb njeriun, atë brenda dhe jashtë nesh, atë më fatkeqin në kohësinë e vet.

Gjithëçfarë na lidh me Viktor Hygoin, këtë personalitet të letërsisë botërore, është ajo afri delikate e një shpirti rrapëllitës, i një pene tragjike që predikoi humanizmin si fe e gjithëkohësisë. Akti i krijimit, u shugurua prej tij si shërbesa e perëndishme e romantizmit.

Hygo e trajton njeriun në një mënyrë të tjetërsojtë nga sa e kishin mëtuar dhë qenë rrekur mbamëndjet kohore letrare. Veçmas kur gjen shteg dhe depërton në brendinë e tij të mistershme, mëdyshjet që ka njeriu rreth zgjedhjeve në jetë, konfliktin që gjallon në vetëdije, dhe metamorfoza që e përndjek në të gjithë hapat në të gjallë. Ai sheh anën vlertë të qënies, qëllimshëm për të nxjerrë që andej të virtytshmin. Nuk resht së lartësuari shpirtin dhe dhimbjen, ndërgjegjes i jep kahje hyjnore duke e naltësuar dhe himnizuar këtë krijesë si gjithnjë të njëmendtë në mirësi. Sipas shkrimtarit njeri mund të bëhet i madh, i urtë, i dobishëm për shoqërinë, pavarësisht sesi ka qenë ai më parë. Ai depërton më në thellësi, ndoshta shumë më shumë se kishte mbërritur tjetërkush më heret.

Viktor Hygo krijoi novela dhe poema, të cilat përfshinin çështje të nalta dhe vorbulluese, ato politike dhe filozofike të historisë së asokohëshme. I trajtoi ato me një stil të lartë dhe finesë, dritëpamësi dhe fundament, nuk është aspak i mërzitshëm edhe pse shpesh ndalet në detaje që dlirin dyshimin në trill dhe mishërojnë çdo çast me shkëlqimin e vet të ngrysët dhe trishtimin pikëllues. Gjithmonë në këtë lojë ligjëruese, ka ndopak andje dhe hir për tu përfshirë, gjithëpoaq, ke diçka për të reflektuar mbi atë që trajton me aq mjeshteri Viktor Hygoi. Mjafton vetem një sentencë që ka fuqinë e një bërthame shpërthimi brendie, që të ngas me forcën dhe magjinë e një Circe dhe të përfshijë në vorbullën e përjetimit. Për formësimin e një botëkuptimi letrar, përvoja me kryeveprat e shkrimtarit të madh, “Njeriu që qesh”, “Katedralja e Parisit” dhe “Të mjerët”, është kryekëput një ndikesë për nga përfundimet dalldisëse, të cilat lënë në gjurmën e kohës dhe në përcjelljen kundruese, gjurmë që drithërojnë. Gjithsesi këto tre vepra, dhe jo vetëm, ishin njëkohësisht dhe pasaporta ndërkombëtare e Hygoit. Mbeten sakaq emblematike për galerinë e shkrimtarit. Njëherash janë realitete letrare që paraprijnë në yshtjen e stuhishme drejt kreut këtë penë. Kohësia e këtyre veprave mëtoi në sentimentet e një qëmtesë kushtruese. Pas personazheve të skalitur me daltën e këtij dimensioni të gjithmonshëm letrar, asohere kur u botuan, sefte, në të tashmen e kohës, kur erdhën në shqip dhe u bënë yshtje e netëve pagjumë, në të sotmen e përgjithkohë, mbeten të jashtëzakonshëm. Kuazimodo, Guinpleni dhe Gavroshi janë të gjithëkohshëm. Kumti i tyre ishte, është dhe mbetet në kohësinë e gjithë shtresime shoqërore, një shkundje nga themelet, një ndërmëndje që udhëton dhe jeton me elemnetin thelbësor të jetësores, njeriun, asohere, tash e në të përgjithmonshmen. Manteli që veshi këto personazhe është reja e zezë që noton edhe në qiejt modern, duke gërmushur me nervin e hakërrisë paqen e rrejshme sociale, patosin dhe shtrirjen jargavitëse ndjesore.

Ai diti dhe ia doli t’i ikte modeleve pështira dhe melankolike që mëkoi shpirtin kumtues të asokohjes së tekstshkruesve. Nuk hezitoi të hidhej në rrapëllimën e kohës, të përballet fyta-fytas me peripecitë, me jetësoren gjithnjë në zgrip të personazheve, për ti shndrruar ato hove në shkëndija të qenësishme të ndryshesave epokale historike.

Kreatura shkrimore dhe padyshim thellësisht ndjesore, arritën të mbulonin të gjitha gjinitë letrare, nga lirika tek tragjedia, nga zakonet tek satira politike, nga romani historik e social tek thmelimi i një doktrine, duke ngjallur kësisoj një lloj njëmendësie të patjetërt evropiane.

Albert Vataj

May be an image of 1 person and beard

Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare që u pushkatua nga regjimi komunist

Historia shqiptare numëron qindra gra të cilat lanë gjurmë të mëdha në fusha të ndryshme të shkencës, artit dhe jo vetëm. Shumë prej tyre ranë pre e regjimeve të ndryshme fashiste e komuniste, mirëpo veprat e tyre jetuan e vazhdojnë të jetojnë për të mos u harruar kurrë, shkruan KultPlus.

Njëra ndër gratë që lanë gjurmë në fushën e shkencës. Kassimati u pushkatua pas ngjarjes së shpërthimit të bombës në ambasadën sovjetike. Ajo u arrestua më 20 shkurt të vitit 1951 dhe u pushkatua dy ditë më pasë pa iu dhënë rasti as të dal para gjyqit. Ndërsa akuzohej se ishe kundër regjimit komunist dhe se mbante lidhje me armiqtë e vendit.

Sabiha e vijoi kërkimin shkencor edhe gjatë viteve të para të regjimit komunist. Në mbledhjen e Institutit të Studimeve gjatë 13 prillit 1946, Sabiha mori pjesë së bashku me figura të tjera të shquara akademike sikurse ishin: Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Selahydin Toto, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, Jonus Tafilaj, Hasan Ceka dhe Nikolla Lako. Mbledhja u drejtua nga Sejfulla Malëshova, ministri i Arsimit. Mbledhja kishte për qëllim analizimin e veprimtarisë së kryer gjatë vitit 1945, prezantimin e planit të ri të punës dhe paraqiti ekipin e ri që do të drejtonte Institutin e Studimeve.

Sipas procesverbalit të mbledhjes, nga viti 1945 deri më 1946, Sabiha Kasimati punoi së bashku me Gjergj Komninon në grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës.

Më 28 janar të vitin 1947, Këshilli i Ministrave me vendimin numër 16, vendosi “riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në një ent autonom të lidhur drejtë për së drejti me Këshillin Ministror”. Instituti do të funksiononte me një rregullore të përkohshme.

Përgjatë vitit 1947 anëtarë të Institutit ishin vetëm 23 pjesëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të tij, pjesë e së cilës nuk ishte Kasimati. Në qershor të 1948, mbledhja e radhës e Asamblesë së Institutit të Studimeve, krahas ndryshimit të emrit në Institut të Shkencave, propozoi anëtarë dhe bashkëpunëtorë të rinj, në radhët e të cilëve ishte edhe Sabiha Kasimati. Gjatë vitit 1950 në listën e “anëtarëve të rregullt” të Institutit nuk figuron emri i Sabiha Kasimatit.

Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës dhe faunës së Shqipërisë u botuan në vitin 1955 nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakoëa, si dhe të studiuesve shqiptarë Ndoc Filipi dhe Ndoc Raka. Në regjimin komunist përvetësimi i punës intelektuale ishte një fenomen që ndodhte. Sabiha dha kontributin e saj për shkencën shqiptare me punën për Muzeun e Shkencave dhe monografinë “Peshqit e Shqipërisë”.

Në 60 vjetorin e vdekjes së saj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi e nderoi me medaljen Nderi i Kombit. / KultPlus.com

Mjalti i egër ka shije lirie

Ana Ahmatova

Mjalti i egër ka shije lirie,
Pluhuri, shije rrezesh dielli,
Buzët e virgjëra, shije manushaqe,
dhe ari s’ka shije.
Luledjegësi ka shije uji
dhe dashuria, shije molle.
Por njëherë e mirë e kemi mësuar
Që gjaku veç shije gjaku ka…

Më kot prokurori romak,
Mes britmave ogurzeza të plebejve
lau përpara popullit duart,
e më kot mbretëresha e Skocisë
fshinte stërpikjet e kuqe
nga pëllëmbët hollake, në terrin
mbytës të pallatit mbretëror…

Perktheu: Aida Baro

*Ana Ahmatova, poetja nga Ukraina, është njëra ndër penat më të fuqishmet të poezisë botërore. U lind me 23 qershor 1889 afër Odesës (Balshoi Fontan) dhe jetoi deri ne vitin 1966./ KultPlus.com