Kolegët me lot në sy: Komedia do të jetë më e varfër pa Adem Mikullovcin

Suada Qorraj

Përpara teatrit kombëtar tashmë ishte vendosur fotoja e Adem Mikullovcit, por ndryshe nga herë të tjera ai ishte vetëm, për të dhënë shfaqjen e tij të fundit, lamtumirën me skenën ku për aq sa jetoj i dha jetë. Krahas fotos para së cilës ishin vendosur lule, qëndronte edhe tavolina e veshur me të zeza, e së bashku me të libri i kujtimeve ku dalë nga dalë filluan të shënoheshin fjalët, kujtimet e ditëve të mira e të këqija, që miqtë, kolegët e artdashësit kishin përjetuar me të, shkruan KultPlus.

Homazhet për të nderuar veprën, jetën, talentin e madhështinë e Mikullovcit, filluan dalë nga dalë, në ditën kur dielli nuk kishte harruar të lindë, por që artit i kishte marrë dritën. Ishte kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ajo që vendosi shkronjat e para në librin e kujtimeve të ikonës së artit kosovar.

Osmani tha se sot kemi humbur një njeri të madh, e jo vetëm të komunitetit artistik, por një njeri të madh të zemrës të secilit qytetar të Kosovës. Ajo theksoi se ishte pikërisht Adem Mikullovci, ai prej të cilit mësuan shumë çka e mbi të gjitha ai prej të cilit, përmes humorit ju bëri më të lehtë tejkalimin e situatave të vështira.

“Sot kemi humbur një njeri të madh jo vetëm të komunitetit artistik. Adem Mikullovci aktroj për publikun, por në të njëjtën kohë e mbrojti interesin publik deri në frymën e fundit. Ishte një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm në Kuvendin e Kosovës, një njeri nga i cili kemi mësuar shumëçka , i cili edhe në kohërat më të rënda e dinte përmes humorit të tejkalohen ato situata të vështira për të gjithë ne”, tha Osmani për tashmë të ndjerin Adem Mikullovci.

Në homazhe ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi. Ajo theksoi se ky vit ka sjellë një shprazëti të madhe, ka marrë me vete një gjeneratë e emra kulminant të artit të Kosovës. Dumoshi tha se Mikullovci në kohët më të vështira në familjet e secilit ka sjellë humorin dhe gëzimin.

“Do të ketë një shprazëti shumë të madhe, ka ik një gjeneratë këtë vit disa emra kulminantë të artit të Kosovës, ne do t’i kujtojmë dhe detyra jonë është që këta njerëz të cilët dhanë kontributin e vet për artin e Kosovës, për teatrin dhe fushat e tjera t’i përcjellim te gjeneratat e reja. Në kohët më të vështira ai nëpër familjet tona na ka sjellë shumë herë me rolet e tij të humorit edhe gëzimin, sidomos vitet e 90ta e këndej, kur nuk kishim televizione të cilat punonin por me video kaseta ka qenë prezent në çdo shtëpi”, është deklaruar ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Përgjatë karrierës së tij të madhe e të bujshme si aktor, Mikullovci la pas vete personazhet që sollën hare, gëzim madje edhe pikëllim. Por, krahas këtyre personazheve ai ju la kujtimet më të bukura, kolegëve me të cilët pati fatin të bashkëpunoi. Homazheve për Adem Mikullovcin nuk kishte si t’ju mungonte Shkumbin Istrefi dhe Fatmir Spahiu, artistët që për vite të tëra punuan së bashku me të ndjerin.

Teksa sytë i kishte të mbushur lot, Istrefi deklaroi se humbja e Adem Mikullovcit ishte e madhe për të githë popullin e Kosovës. Ai nuk la pa përmendur faktin që ai ishte rritur me praninë e Ademit në skenën e teatrit. Aktori pohoi se Adem Mikullovci përpos bashkëpunëtor, ka qenë edhe prind që ka përcjellë rritjen e tij artistike.

“Ademi na la dhe kjo është humbje e madhe jo vetëm për komunitetin artistik por edhe për gjithë popullin e Kosovës. Me Ademin jo vetëm unë por edhe gjeneratat më të vjetra jemi rrit, me praninë e Ademit në skenën e teatrit dhe sidomos në programe televizive. Për mua Ademi ka qenë përveç një bashkëpunëtor i ngushtë, ka qenë edhe prind i cili e ka përcjell rritjen time artistike. Hapat e parë në ekranin televiziv i kam marrë në projekte të Ademit dhe e falënderoj shumë për ndihmën që ma ka dhanë  jo vetëm mua por krejt gjeneratave të reja të aktorëve të Kosovës”, tha gjatë homazheve Shkumbin Istrefi.

Ai ka shtuar se veprat që la pas Adem Mikullovci janë vulë e kohës, ngase ai ka qenë një opozitë e së keqes. Sipas tij ishte pikërisht Ademi ai që në momentet më të vështira mbajti popullin me humorin e tij të hollë duke ju dhënë në të njejtën kohë edhe forcë.

“Veprat e Ademit mendoj që kanë qenë vulë e kohës, në çdo kohë që ka punuar. Ka qenë opozitë e të keqes. Në momentet e vështira e ka mbajtur popullin me humorin e tij të hollë. Pushoftë në paqe dhe shpresoj që vepra e tij do të jetë pishtar për punën tonë të mëtutjeshme”, ka përfunduar Istrefi.

Kurse Fatmir Spahiu tha se Kosova sot ka humbur Çaplinin e saj, figurën komike e tragjike. Ai ka shtuar se ka humbur një nga bashkëpunëtorët e tij më të mirë dhe se ikja e Ademit ka shënuar varfërimin e komedisë.

“Kosova ka humbur Charlie Chaplinin e vet, figurën e vet edhe komike edhe tragjike. Personalisht kam humbur njërin prej bashkëpunëtorëve më të mirë të atij brezi. Adem Mikullovci ka qenë ndër profesionistët e parë, me të cilin unë kam pasur mundësi të bashkëpunoj qysh në moshën time 18 vjeçare, si aktor shumë i ri dhe student i aktrimit. Kosova dhe skena filmike, televizive dhe teatrove nuk do të jetë më e njëjtë. Komedia do të jetë më e varfër pa Adem Mikullovcin”, ka deklaruar Spahiu.

Edhe për artisten Arbnesha Grabovci -Nixha, humbja e ikonë së artit ka qenë një lajm i hidhur. Sipas saj humbja e kolegëve e rëndoi edhe më shumë pandeminë, por pasuria që ata lanë pas është ngushëllimi më i madh.

“Sot u zgjuam me një lajm të hidhur, me humbjen e bacës Adem. Mirëpo pasuria të cilën e ka lënë na bën të ngjitemi pas asaj dhe të gjejmë një ngushëllim. Baca Adem ka qenë një tekstshkrues, regjisor, filmbërës i njohur, mbi të gjitha ka qenë një patriot i cili ka kontribuar shumë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por me plotë kuptimin e fjalës mund të them që ka qenë një trim, intelektual i kohës së tij i cili është ballafaquar me sistemin”, deklaroi ajo teksa bënte homazhe pranë fotografisë së Mikullovcit.

Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në mëngjesin e sotëm në moshën 82-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani. Aktori Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri, kurse përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike. Varrimi i tij do të bëhet sot në varrezat e qytetit në Dragodan/Arbëri në orën 16:00./ KultPlus.com

“Ikjes tande Adem”

Vdekjes së Adem Mikullovcit iu thurën  fjalë, përkujtime dhe homazhe. Kolegu i tij, artisti Çun Lajçi shkroi poezi për vdekjen e Mikullovcit.

KultPlus ua sjell poezinë e Çun Lajçit kushtuar Adem Mikullovcit:

Ikjes tande Adem

Mos i zbritni atit

As ernave mos u zbritni

Rrini diku mes qiellit e tokës

T’mos marrin erë t’keqe emnat tonë

Ne jemi me ujin me zjarrmin me dheun

Me shpirtin plot nesh pa ju

Mos i zbritni atit

Se ne ikëm n’kuferin e ardhjes

Si Godo nën pemën e thatë

Do t’ikni edhe ju nesër

Veç pa emna./KultPlus.com

Kurti për Mikullovcin: Lamtumirë Çaplini ynë!

Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në mëngjesin e sotëm në moshën 82-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani.

Aktori Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri, kurse përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike.

Për Mikullovcin, me anë një statusi në Facebook, ka shprehur dhimbjen e tij edhe Albin Kurti i cili ka shkruar se Mikullovci ka kohë që ka bashkëjetuar me vdekjen, por për shkak të gjallëri që posedonte nuk kishte si të vdiste ndryshe, përpos papritmas.

“Moti është ballafaquar me vdekjen, ka kohë që ka bashkëjetuar me vdekjen. Njeri mendërisht më aktiv nuk kam takuar. Ai nuk mund të mos mendonte vazhdimisht. Aq i gjallë ishte saqë vetëm papritmas mund të vdiste”, ka shkruar Kurti.

Ai nuk ka lënë pa përmendur faktin që Mikullovci u shua në ditën ndërkombëtare të  Demokracisë. Kurti ka shkruar se ai ishte deputet i dy republikave të Kosovës, asaj të 2 korrikut 1990 dhe 17 të 2008-ës.

“Sot, në ditën ndërkombëtare të demokracisë, u nda prej nesh Adem Mikullovci, deputeti i të dy republikave të Kosovës: i asaj të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, pra përfaqësues i republikës-për-rezistencë; dhe, i asaj të 17 shkurtit 2008, në legjislaturën e gjashtë të pasluftës në Kosovë”, ka shkruar ai tashmë për të ndjerin Adem Mikullovci.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Lamtumirë Çaplini ynë!

Moti është ballafaquar me vdekjen, ka kohë që ka bashkëjetuar me vdekjen. Njeri mendërisht më aktiv nuk kam takuar. Ai nuk mund të mos mendonte vazhdimisht. Aq i gjallë ishte saqë vetëm papritmas mund të vdiste. Sot, në ditën ndërkombëtare të demokracisë, u nda prej nesh Adem Mikullovci, deputeti i të dy republikave të Kosovës: i asaj të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, pra përfaqësues i republikës-për-rezistencë; dhe, i asaj të 17 shkurtit 2008, në legjislaturën e gjashtë të pasluftës në Kosovë.

Para së gjithash, Adem Mikullovci ishte artist i angazhuar. Regjisor, skenarist, aktor, të gjitha dhe gjithçka në skenë e në film. Shumë herë i arrestuar e i maltretuar nga policia serbe gjatë viteve ’90. Për mua është i paharrueshëm me filmin “Një pallto për babain tim në burg” dhe vështirësitë për xhirimin e atij filmi nën okupim. Mbase për secilin film, dramë a komedi të Adem Mikullovcit mund të bëhet edhe një film, dramë a komedi tjetër mbi peripecitë e realizimit.

Vitin e kaluar m’i dha veprat e tij tejet të vlefshme “Oda e Junikut”, “Qëndresa” si dhe burleskat fantastike nga vitet 2005 dhe 2006.

Adem Mikullovcin në Lëvizje e kishim shok e gjysh, koleg e prind. Entuziazmi i tij për neve ishte inspirues. Kujtimi ynë për të është i pashlyeshëm.

Jetoi sipas vetes, për të tjerët. Prehu i qetë Baca Adem. Nderime përjetë Çaplini ynë./ KultPlus.com

“Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

Ka vdekur sot aktori dhe regjisori i shquar, Adem Mikullovci. Mosha 82 vjeçare mbylli “perdet” për Mikullovcin por jo për veprën e tij, shkruan KultPlus.

Përveç nga familjarët, miqtë e kolegët, Mikullovci po kujtohet sot edhe nga politikanët kolegë. Kujtojmë që Adem Mikullovci ishte prezent edhe në skenën politike, duke qenë deputeti më i vjetër para dy vitesh në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti Lumir Abdixhiku e ka kujtuar momentin kur Mikullovci kishte hapur seancën konstituive në gusht të 2017-ës me një thënie të Azem Shkrelit: “Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

Kjo padyshim i kishte lënë mbresë deputetit të ri në atë kohë, duke e konsideruar si një thënie të thellë. Ai tutje ka shkruar se Mikullovci ishte deputeti më i dashur që ka pasur Kuvendi i Kosovës ndonjëherë.

Ky është postimi i plotë i Abdixhikut:

“Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

Me këto rreshta të Shkrelit, Adem Mikullovci si më i moshuari në Kuvend, kishte hapur seancën konstituive në gusht të 2017-ës; kur për herë të parë bëhesha deputet. Vështirë të gjeje diçka më të thellë, u thash kolegëve përreth.

Adem Mikullovcin e kujtoj si njërin nga deputetët më të dashur që ka patur Kuvendi i Kosovës ndonjëherë. Përveç se ishte i afërt, e i dashur, e i drejtë – ishte “jack”. Vinte në zyrën time prej deputeti shpesh. Me të mund të flisje për art, për letërsi, për shkencë e muzikë, për shah, për shah shumë – ishte enciklopedi.

Perdja e Adem Mikullovcit ra. Por dilemën e takimit me veten e ka të zgjidhur lehtë. Sot humbëm një aktor, intelektual e politikan të rrallë. Ngushëllime familjes e bashkëpunëtorëve. / KultPlus.com

Batuta e Adem Mikullovcit në Kuvend që bëri të gjithë deputetët të qeshnin (VIDEO)

Në publikun e gjerë ai njihet kryesisht për kontributin e tij në fushën e teatrit dhe filmit. Mirëpo, Adem Mikullovci ishte prezent edhe në skenën politike, duke qenë deputeti më i vjetër para dy vitesh në Kuvendin e Kosovës, shkruan KultPlus.

Edhe aty, sigurohej që të krijonte një atmosferë të këndshme me kreativitetin e tij. I tillë është momenti kur ai shtrembëron kryetarin e atëhershëm të Kuvendit, Kadri Veselin për shpejtësinë e të folurit të tij. Pas shqetësimit të Veselit, Mikullovci e bën të ditur se kjo ishte forma që fliste Veseli dhe i kërkoj atij të fliste më ngadalë. Kuvendi i Kosovës shpërtheu në të qeshura në ato momente. /KultPlus.com

TKK për vdekjen e Mikullovcit: Aureola e tij prej aktori dhe regjisori do të ngelet thesar për kulturën kosovare

Teatri Kombëtar i Kosovës, aty ku aktori tashmë i ndjerë Adem Mikullovci kaloi një pjesë të mirë të jetës duke jetësuar role nga më të ndryshmet, kanë ndarë dhimbjen e tyre për vdekjen e aktorit.

Në telegram ngushëllimin nga Teatri Kombëtar i Kosovës është shkruar se krijimtaria  Mikullovcit do të mbetet adresë e përhershme dhe e pa kapërcyer për komunitetin artistik, por jo vetëm. Aureola e tij prej aktori dhe regjisori do të ngelet thesar kulturor për Teatrin Kombëtar në veçanti, për filmin dhe për kulturën kosovare në përgjithësi.

Tutje në fjalë e shkruara në këtë telegram, është theksuar fakti se Mikullovci ishte njëri nga artistët më të vyeshëm dhe më në zë i përmasave popullore. Ishte i dashur, i këndshëm, çelës edukativ për breza të rinj, mbase, ishte model rrënjësor për lidhjen, komunikimin dhe thjeshtësinë e tij në relacion me bashkëpunëtorët dhe shikuesit.

Letra e plotë nga Teatri Kombëtar i Kosovës:

NË VEND TË NEKROLOGUT

Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i shquar shqiptar, Adem Mikullovci!

Mikullovci u nda nga kjo jetë për të lënë pas vetes vepra të shumta dhe të qëndrueshme artistike, në teatër, film dhe në televizion.

Krijimtaria e tij artistike do të mbetet adresë e përhershme dhe e pa kapërcyer për komunitetin artistik, por jo vetëm.

Aureola e tij prej aktori dhe regjisori do të ngelet thesar kulturor për Teatrin Kombëtar në veçanti, për filmin dhe për kulturën kosovare në përgjithësi.

Ai tashmë ka fituar respektin e të gjithëve.

Ishte njëri nga artistët më të vyeshëm dhe më në zë i përmasave popullore.

Ishte i dashur, i këndshëm, çelës edukativ për breza të rinj, mbase, ishte model rrënjësor për lidhjen, komunikimin dhe thjeshtësinë e tij në relacion me bashkëpunëtorët dhe shikuesit.

Mikullovci shquhej për mënyrën e tij kreative në punë, për humorin dhe afërsinë të cilën e manifestonte në secilën rrethanë, kështu, ia arriti që kultin e tij prej aktori ta shndërroj në figurë ikonike.

Mikullovci në kohën e okupimit të Kosovës, vitet e ’90 -ta, me vigjilencën e tij prej një artisti të vyer, e gjeti mënyrën e të vepruarit, duke punuar si autor dhe regjisor i projeksioneve të shumta televizive, me karakter tradicional, kanunor, komik, popullor, me të cilat, arriti rekord shikueshmërie, njëherësh, e fitoj epitetin e aktorit të adhuruar nga të gjitha moshat, këtu dhe në mërgatën shqiptare para dhe pas luftës.

Teatri Kombëtar i Kosovës përkatësisht brezi i tij dhe brezat tjerë në vijimësi, sot e për mot, do ta kujtojnë me respekt të veçantë veprën dhe artin e tij, e cila mbetet fjalëkalim për dritaret kulturo-artistike.

Ngushëllimet tona i adresohen familjes së tij, kolegëve të tij, miqëve dhe adhuruesve të shumtë.

…………………………….

Adem Mikullovci ka lindur me; 21. 12. 1937 në Vushtrri,

Bënë pjesë në plejadën e aktorëve të ish – Teatrit Popullor Krahinor tashmë Teatrit Kombëtar i Kosovës.

Studimet Universitare për Teatër dhe Film, i ka ndjekur në Akademinë e Beogradit.

Ka filluar punën në Teatrin Popullor të Kosovës si aktor në fillimet e viteve të ’70 – ta.

Ka interpretuar rreth 45 role kryesore njëherësh rreth 70 role dytësore në teatër.

Është vlerësuar nga kritika për rolet e tij në shfaqjet:

• “Duke pritur Godonë”

• “Po shkoj për gjah”

• “Njeriu që pa vdekjen me sy”

• “Dashuria”

• “Hotel Kashta” (që kishte rekord shikueshmërie)

• “Fundi i botës”

• “Miza në vesh”

• “Erveheja” etj.

Mikullovci, regjisor i shfaqjeve:

• “Pas vdekjës” (Çajupi),

• “Mosha e bardhë “(Agolli),

• “Dan Shejtani”

• “Engjulli i stacionit”

• Monodrama “Bihorasit” (dramatizim i veprës Q. Sijariq)

• Komedia ‘’Shtrati’’

• Stend up komedia “Përgjuesi” etj.

Mikullovci, aktor filmi:

• ”Proka”

• ”Kur pranvera vonohet”

• ”Era dhe Lisi” etj.

Teatri Kombëtar i Kosovës, shpreh mirënjohje të thellë për kontributin e tij, për dashurinë e madhe që ai e kishte për skenën, për lidhjen e tij me krijuesit e rinj, posaqërisht për filozofinë e të bërit jetë në teatër.

Adem Mikullovci ka ndërruar jetë në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 shtator 2020. / KultPlus.com

Matoshi: Ademi kësaj herë u bë serioz, doli nga skena me vdekjen e tij krahaqafe

Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në mëngjesin e sotëm në moshën 82-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani.

Aktori Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri, kurse përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike.

Për Mikullovcin, me anë një statusi në Facebook, ka shprehur dhimbjen e tij, profesori Halil Matoshi i cili ka shkruar se Ademi iku qetë dhe pa bujë, në kohën kur njerëzve ka nisur tu mungojë vdekja e dijnitetshme.

“Ademi kësaj herë u bë serioz, doli nga skena me vdekjën e tij krahaqafe.
Qetë e pa bujë, ai la Teatrin e komedisë njerëzore për me lypë azil në ndonjerën nga shtresat e Komedisë Hyjnore të Dantes.
Mukullovci iku në kohë Pandemie kur njerëzve ka nisë t’u mungojë vdekja e dinjitetshme, ajo “festë” e çmendur nga serioziteti i rastit, me miq, që ta hedhin një grusht dhé përmbi…” ka shkruar ai.

KultPlus ju sjellë më poshtë statusin e tij të plotë:

Ikja e njeriut që lozte me furtunën

(Adem Mikullovci 1939-2020)

1.
Doli nga skena e quajtur rrnesë, aktori Adem Mikullovci, (i lindur në Vushtrri më 1939) i cili shekullin e tij jetësor e ka kaluar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku ka jetësu 45 role dhe rreth 70 performime.
Pati një karrierë prej shoumeni dhe komediani. Ka luajtur edhe në film.

2.
Në dy raste ishte rreshtu me politikën: Më 1990 kur ishte delegat i Kuvendit të Kosovës që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Kaçanikut (7 shtator) për t’iu rikthy asaj, sëfundi, kur mori një mandat në Kuvendin e Republikës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në Kuvend (ishte më i vjetri) kur nuk i jepte vetës zorin të bënte ndonjë kritikë ndaj pushtetit, vizatonte ose hante keksa!?

3.
Mukullovci mbahet mend për mishërimin e tij me komiken, përbrendësimin e anës së idhtë të realitetit, porse shquhej edhe për depërtime me ndonjë nga rolet e tij psikologjike.
Në thelb, ai përmes karaktereve të tij i fliste anës komike të tragjedisë.

3.
Sipas Aristotelit, komedia antike filloi me
një spektakël, si “rutinë e ngritjës” në një rrafsh etik, ku në fund aktorët dalin të gjallë nga skena, ndonëse me lotë e të qaraveshur.
Si rregull, tragjeditë ndodhin në fushën e betejës ose në sallën e madhe të një pallati; Si pasojë kemi të bëjmë me një shthurrje shakespeare dramatike, me helm, shpata e vrasje makabré, ndërsa mjedisi më i mundshëm për komedi është dhoma e gjumit, një mejhane ose banjo.
Pse jo. një fshat i humbur ose edhe një vend i tërë në situata delirante!?
Porse komedia brenda tragjedisë ndodhë në një shpirt të trazuar, të vetmuar.
Një fund i lumtur është gjithçka që kërkohet.
Apo shthurrja dramatike Chehoviane.

4.
Ademi kësaj herë u bë serioz, doli nga skena me vdekjën e tij krahaqafe.
Qetë e pa bujë, ai la Teatrin e komedisë njerëzore për me lypë azil në ndonjerën nga shtresat e Komedisë Hyjnore të Dantes.
Mukullovci iku në kohë Pandemie kur njerëzve ka nisë t’u mungojë vdekja e dinjitetshme, ajo “festë” e çmendur nga serioziteti i rastit, me miq, që ta hedhin një grusht dhé përmbi…

5.
Më pati ftuar pas lufte në emisionin e tij “Pa dorëza” nga i cili më mbetët në kujtesë një hyrje e tij prej shoumenk, që ishte një burleskë e vërtetë.
Pasi u kullundris para kamerave, m’u drejtua: “Pashë Zotin Halil Matoshi, kush dreqin je ti, asgjë nuk di për ty, e hallku shumë po flasin…”!???
…isha shtangur. Këtë e mbaj mend.
Nemitjën si mimezis.
Asgjë fare nuk di as unë për dramen e njeriut që sëbashku me Plejaden e aktorëve ‘60-‘70, i dha identitet e emër kësaj Republike.

6.
Pusho në paqen e pasosun dhe numëro plagët e trupit e vrragët e shpirtit Adem. Do të vijnë pas teje plot aktorë që tallen me jetën e qajnë me dënesje përbrenda./ KulPlus.com

Aktori Adem Mikullovci varroset sot në Prishtinë

Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në mëngjesin e sotëm në moshën 82-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani, shkruan KultPlus.

Tashmë është bërë e ditur se varrimi i të ndjerit Adem Mikullovci do të bëhet sot në varrezat e qytetit në Dragodan/ Arbëri në ora 16:00.

Ndërsa pranë Teatrit Kombëtar në Prishtinë është vendosur fotografia ku mund të bëhen homazhe nga ora 10:00.

Ky është njoftimi i plotë i Lumnije Mikullovcit:

Të nderuar,

Varrimi i të dashurit tonë Adem Mikullovci do të bëhet në varrezat e qytetit në Dragodan/Arbëri me Ikindi në ora 16:00.

Pranë Teatrit Kombëtar në Prishtinë është vendosur fotografia ku mund të bëhen Homazhe nga ora 10:00! / KultPlus.com

Istrefi: Në kohët kur popullit i duhej disponim, Ademi ishte pranë tij me fjalë e me vepra që të nxirrnin lotët duke qeshur

Në mëngjesin e ditës së sotme ka vdekur në moshën 82-vjecare aktori i njohur Adem Mikullovci. Vdekja e tij ka pikëlluar gjithë Kosovën sepse ai ishte gjithmonë pranë popullit me veprat e tij e humorin e mirëfilltë. Por dhimbje të thellë po ndajnë edhe familjarët, miqtë e bashkëpunëtorët.

Një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Mikullovcit ishte edhe aktori Shkumbin Istrefi. Duke qenë se kanë ndarë shumë kohë bashkë duke qenë pjesë e projekteve të përbashkëta, lidhja padyshim që forcohet e dashuria shtohet. Andaj vdekja e Mikullovcit e ka prekur thellë aktorin Shkumbin Istrefi i cili e vlerësuar atë si ikonë të artit kosovar dhe njërin prej kolosëve të artit në Kosovë.

“Nje nga nje, po na lene te gjithe ikonat e Artit Kosovar. Ata qe krijuan dhe shtruan rrugen e Artit per te gjithe ne qe po ecim pas tyre e mundohemi te ndjekim rrugen e tyre.

Ademi ishte njeri prej koloseve te Artit ne Kosove. La pas vetes qindra role te shkelqyeshme ne Teater, Film e Televizion. Qindra vepra qe ishin vule e kohës”, ka shkruar Istrefi duke kujtuar se në kohët kur popullit i duhej disponi, Ademi ishte pranë me fjalë e vepra që të nxirrnin lotët duke qeshur.

“Ne kohet kur popullit i duhej disponim, Ademi ishte prane tij me fjale e me vepra qe te nxirrnin lotet duke qeshur. Ne kohet kur popullit i duhej mobilizim, Ademi poashtu ishte aty me fjale e me vepra qe te nxirrnin lotet nga dhimbja e hidherimi.

Ndiej dhimbje per faktin qe na la, por edhe krenari qe pata fatin te nis me te hapat e pare ne art dhe ndava me te momente te bukura e te veshtira.

Paste qetesi shpirti i tij”, shkruan istrefi. / KultPlus.com

SHSPTKK: Mikullovci siç ishte origjinal në skenë, i tillë ishte edhe në jetë

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës nëpërmjet një telegram ngushëlimi ka thënë se Adem Mikullovci do të kujtohet ashtu siç ishte origjinal në skenë dhe në jetë, shkruan KultPlus.

“Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me pikëllim të thellë mori lajmin e ndarjes nga jeta, të doajenit të skenës dhe ekranit, aktorit, skenaristit dhe regjisorit të shquar Adem Mikullovci.

Adem Mikullovci do të kujtohet për interpretimet e tij unike, të prezentuara aq bindëshëm dhe më përkushtim, si në teater ashtu dhe film, si dhe për kreativitetin e pashoq që përshkuan rolet e tij, për gjatë gjithë karrieres së tij skenike.

Larmia e interpretimeve, që përfshihej nga përsonazhet komike e deri tek ato të përmasave tragjike, buronte nga përsonaliteti i tij i larmishëm artistik, i cili asnjëher nuk u identifikua me klishetë dhe stereotipet e kohës.

Adem Mikullovci, ashtu siç ishte origjinal në skenë, i tillë ishte edhe në jetë, kreativ në mendime, i drejt në gjykime dhe i palëkundur në qëndrime.

Me largimin e tij nga jeta, komuniteti artistik humbi një artist unik, politika një kuadër me moral të lartë dhe familja një kryefamiljar të dashur dhe të përkushtuar”, thuhet në telegramin e ngushëllimit./ KultPlus.com

Dumoshi: Baca Adem më nuk do të jetë i pranishëm me trupin e tij, por do të jetë i paharruar në mesin tonë

Me rastin e vdekjes së aktorit Adem Mikullovci, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka shkruar telegram ngushëllimi familjes së tij. Ajo ka thënë se Mikullovci do të mbetet i paharruar dhe se humbja e tij lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës.

“E nderuar familja Mikullovci,

Me pikëllim dhe me mërzi të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, krenarisë tonë artistike, aktorit, skenaristit e regjisorit tonë të madh, bacës Adem.

Baca Adem më nuk do të jetë i pranishëm me trupin e tij, por do të jetë i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas.

Ai do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme që ka lënë pas, si një rrugë të shtruar fort për brezat që vijnë.

Numri i roleve dhe veprave artistike e të papërsëritshme të bacës Adem do të mbesin xhevahire të çmuara dhe do të jenë gjurmë të skalitura e të pashlyera në botën e artit e të aktrimit.

Me praninë e tij, ai e ka pasuruar dhe e ka bërë madhështore çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që i ka marrë mbi supe t’u japë shpirt.

Me korpusin e roleve të tij në teatër, film e televizion, baca Adem ka tejkaluar çdo barrierë dhe pa dyshim ai konsiderohet krenaria dhe një prej ikonave të artit shqiptar.

Adem Mikullovci ka qenë dhe do të mbetet shembull dhe pikë orientuese në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, i cili me angazhimin e tij ka qenë edhe frymëzim jo vetëm për kolegët e tij të gjeneratës dhe për aktorët e rinj, por edhe një frymëzim edhe për popullin e Kosovës në kohët më të vështira nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës.

Ndarja e bacës Adem nuk është humbje e rëndë dhe e dhimbshme vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por ikja e tij pa dyshim se lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën dhe kontributin e tij të çmuar e të paçmim që ka dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Adem Mikullovcit”./ KutlPlus.com

“Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat… Teatri i jonë Leze-u mbyll”

Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në mëngjesin e sotëm në moshën 82-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani.

Mikullovci në vdekjen e mikes dhe koleges së tij, Leze Qena kishte thënë se bashkë me të ishte mbyllur një teatër, kurse kishte theksuar se ata të dy ishin mohikanët e fundit të gjeneratës së artë të teatrit të Kosovës.

“Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat….Teatri i jonë Leze-u mbyll”, kishte shkruar Mikullovci pas vdekjes së Leze Qenës.

Ai madje kishte shtuar se e atë e lan të fundit dhe s’kishte si të mos shkonte edhe ai tek ata.

“Mua më lat të fundit dhe unë s’kam qare pa ardhë te ju”, kishte shkruar Mikullovci në marsin e këtij viti.

ELIZABETE- Më shkove edhe ti..! A të kujtohet Leze kur ndejtëm bashkë herën e fundit qesheshim me fatin që ne të dy mbetëm Mohikanët e fundit dhe pyeteshim se a thua cili nga ne do të shkon i pari te Xhevati: Unë thash:”Leze unë do të shkoj para teje”…Ti ma kape veshin dhe më bërtite: “Përkundrazi unë shkoj para teje, mua më ka grua e ty vetëm shok”.. Dhe ja! Ashtu edhe ndodhi Elizabett..Mua më lat të fundit dhe unë s’kam qare pa ardhë te ju. Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat….Teatri i jonë Leze-u mbyll”, kishte shkruar aktori Mukullovci për Qenën./ KultPlus.com

Ka vdekur Adem Mikullovci, aktori i njohur shqiptar

Ka vdekur aktori i njohur shqiptar Adem Mikullovci. Familjarët e Mikullovcit kanë njoftuar për këtë humbje të madhe, shkruan KultPlus.

Poashtu ata kanë njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale, se për informata të tjera rreth ceremonisë së varrimit do të lajmërojnë me kohë.

Aktori Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri, kurse përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike./ KultPlus.com

Mikullovci, njëri nga protagonistët kryesor të 2 Korrikut: Deklarata ishte dhe mbetet gurëthemel i shtetësisë së Kosovës

Më 2 korrik 1990, duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës jugosllave.

Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Në këtë 30 vjetor të deklaratës së 2 Korrikut, ka reaguar edhe njëri ndër protagonistët e atëhershëm, Adem Mikullovci, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka falenderuar të gjithë ata që sot e kanë përkujtuar këtë ditë të madhe për historinë e Kosovës.

‘Në emër të të gjithë Deputetëve të 2 Korrikut dhe Deklaratës Kushtetuese-falënderoj gjithë qytetarët që po e përkujtojnë dhe po e festojnë këtë vendim legjitim të kuvendit.
Deklarata ishte, është dhe mbetet gurëthemel i SHTETËSISË së KOSOVËS.
2 Korrik 2020′, ka shkruar Mikullovci në Facebook.
/ KultPlus.com

Kur Leze Qena dhe Adem Mikullovci luanin bashkë në skeçe humori (VIDEO)

Aktorja e madhe shqiptare Leze Qena, iku në amshim ditë më parë duke lënë të pikëlluar gjithë komunitetin artisitk, si dhe mbarë shqiptarët kudo që janë, shkruan KultPlus.

Pas ikjes së saj, aktori i njohur Adem Mikullovci mallëngjeu të gjithë me një shkrim në rrjetin social Facebook, për dhimbjen dhe pikëllimin e madh me t’u ndarë nga mikja dhe kolegia e tij.

Kjo dyshe është e njohur për shumë bashkëpunime, qoftë në teatër apo serial. Ata kanë marrë pjesë disa seriale të njohura si “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”, “Katundarë dhe shehërli”, “Mahalla jonë”, etj.

Më poshtë po sjellim një nga skeçet e shumta të kësaj dysheje shumë të frytshme në arin shqiptar. /KultPlus.com

Adem Mikullovci: Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat, Teatri i jonë Leze-u mbyll

Aktorja e njohur, Leze Qena vdiq në mëngjesin e djeshëm në moshën 85-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani, shkruan KultPlus.

Komuniteti artistik janë shprehur tejet të pikëlluar për ikjen e Lezës, duke e cilësuar si aktoren me energjinë më të madhe e që ka qenë edhe inspirim për ta.

Por, gjatë gjithë karrierës së saj, si një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë në skenë, e ka pasur aktorin Adem Mikullovcin. Shumë skena ata i kanë ndarë bashkë, e kjo ka bërë që të kenë edhe një miqësi shumë të mirë. Ikja e Lezës e ka prekur thellë edhe aktorin Mikullovci i cili përmes një statusi në Facebook ka ndarë edhe bisedën e fundit që e ka bërë me Lezën.

Postimi i plotë i aktorit Adem Mikullovcit:

ELIZABETE- Më shkove edhe ti..! A të kujtohet Leze kur ndejtëm bashk herën e fundit qesheshim me fatin që ne të dy mbetëm Mohikanët e fundit dhe pyeteshim se a thua cili nga ne do të shkon i pari te Xhevati: Une thash:”Leze unë do të shkoj para teje”…Ti ma kape veshin dhe më bêrtite:”Përkundrazi unë shkoj para teje,mua më ka grua e ty vetëm shok”..
Dhe ja ! Ashtu edhe ndodhi Elizabett..
Mua më lat të fundit dhe unë s’kam qare pa ardhë te ju.
Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat….
Teatri i jonë Leze-u mbyll. / KultPlus.com

Pamje nga shfaqja ‘Hamalli’ me regji të Adem Mikullovcit, e shfaqur në vitin 1964 në Mitrovicë

“Hamalli” është quajtur drama e cila është luajtur para më shumë se pesë dekadave në Teatrin e Mitrovicës, shkruan KultPlus.

Regjinë e kësaj shfaqje e kishte punuar Adem Mikullovci, i cili është shfaqur edhe në rolin kryesor duke e luajtur rolin e Hamallit të rrejshëm kurse krah tij në rol kryesor kishte luajtur Nazmije Hoxhaj- Raifi. Aktorët e tjerë të shfaqjes ishin Ami Emra Emra, Dibran Tahiri, Ali Ahmeti, Sadedin Prekazi e shumë të tjerë.

KultPlus sot ju sjellë tri fotografi nga kjo shfaqje, e prezantuar në vitin 1964 për publikun e Mitrovicës.

Shfaqja ka trajtuar kohën e Luftës së Dytë Botërore. / KultPlus.com

Adem Mikullovci kërkon që Kodi i Ri Penal të bazohet në Kanunin e Lekë Dukagjinit (VIDEO)

Sot në seancën e radhës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është diskutuar për Kodin e Ri Penal, shkruan KultPlus.

Sa i përket kësaj, në këtë seancë fjalën e mori edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci, i cili tregoi se është i pakënaqur me ligjin dhe ai kërkoi që të merren parasysh edhe Kanuni e edhe Pleqnarët. Sipas tij, ligjit nuk po i vije era shqip, dhe kësisoj siç e tha ai: “po bëhemi më Papë se Papa”.

Adem Mikullovci në këtë deklaratë skandaloze, thotë edhe: “Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rrahë fëmijën, fëmija nuk bëhet terrbije, dijeni”.

Ai po ashtu merr një shembull dhe i pyet deputetët se çfarë mendojnë: “Ta marrë veç një shembull, sipas këtij Kanuni, sipas këtij Ligji sipas këtij Kodi, nëse gruaja e padit burrin e burri shkon në burg, më tregoni a e prit ajo grua burrin në shtëpi, hajt më tregoni”.

Po sjellim të plotë deklaratën e aktorit, e tash edhe deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Adem Mikullovcit:

“Unë dua të them, ju e dini që nuk jam jurist, por e shfletova materialin dhe u mundova të kuptoj ca gjëra. Por e vërejta dhe nuk më pëlqeu që këtij kodi nuk po i vije era shqip. Mendoj që është dashtë të mbështetën ata ekspertët e juaj pak edhe në tradita e edhe në pleqnarë. Pleqnia jonë ka ditur të zgjidhë konfliktet që nuk kanë ditur as juristët t’i zgjidhin. Por unë u ndala edhe në dhunën familjare. Të kuptohemi që dhuna familjare nuk mund të aplikohet si në Amerikë e Angli e ata tjetër atje, ne jemi tjerë dhe duhet të iu tregojmë që jemi tjetër. Ta marrë veç një shembull, sipas këtij Kanuni, sipas këtij Ligji sipas këtij Kodi, nëse gruaja e padit burrin e burri shkon në burg, më tregoni a e prit ajo grua burrin në shtëpi, hajt më tregoni. Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rrahë fëmijën, fëmija nuk bëhet terrbije, dijeni. Mandej këtu e përkrahi plotësisht Mialim Zekën, dhe mendoj që pak tepër po mundohemi të bëhemi anglez, si thotë ajo fjala popullore më papë se Papa, nuk po vjen era shqip, e kjo më ka penguar”, ka thënë ai./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/GOInsajderi/videos/2520407978185017/UzpfSTEyNzE0OTY2NzI6MTAyMTU4NTUxNDE1OTI3NDA/

Adem Mikullovci, artisti që do të jetë përfaqësues i popullit në Parlament

Aktori Adem Mikullovci do të jetë një prej përfaqësuesve të popullit.

Ai ka fituar votat për të qenë pjesë e Parlamentit të Kosovës, në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Mikullovci ka marrë mbi 12 mijë vota ndërsa është në mesin e 12-të më të votuarve në këtë parti.
Aktori viteve të fundit ka treguar dëshirë të madhe për tu bërë politikan dhe duket se ka triumfuar në zgjedhjet e fundit. Madje gjatë fushatës elektorale ai ka qenë goxha i zëshëm. Ai partinë e tij e ka quajtur “Dielli i Kosovës”, ndërsa kjo e arsyeton pasi ai ka marrë votat për tu ulur në një nga ulëset e Parlamentit.

Mikullovci bën pjesë në plejadën e aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës. Pas ndërprerjes së studimeve në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd në vitin 1968 kthehet në Prishtinë dhe fillon punën në teatër, shkruan KultPlus.

Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”,”Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta”, “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” etj.
Në vitin 1990 ishte në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut. / KultPlus.com