Ermonela Jaho vazhdon shkëlqimin e saj në Paris me rolin e Violetës

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho po vijon prezantimin në skenën e Parisit me operën ”La Traviata” të Verdit.

Vepra është shfaqur deri tani në skenën e operës në datat 11, 14, 17, 20, 23 dhe 26 dhjetor. Mbrëmja e fundit do të jetë më 29 dhjetor në Opera National de Paris. Sopranoja ka lajmëruar se kjo vepër këtë muaj në skenën e Parisit merr një rëndësi të veçantë.

”Duke festuar shfaqjen 255 të Traviatës në Opera National de Paris….”, shprehet sopranoja e njohur. Deri tani për këtë vepër sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ka marrë vlerësimin e publikut, por dhe të kritikës së huaj për interpretimin e saj. Për shtypin francez, Ermonela Jaho shkëlqeu në Traviatën e Verdit, duke marrë vlerësimet më të mëdha.

Ajo e mishëron aq mirë personazhin e Violetës sa mund të thuhet se së bashku me “Madame Butterfly”, janë absolutisht të preferuarat e saj. Zëri i Ermonelës përshkruhet si një përzierje force dhe brishtësie, që ka magjepsur të pranishmit, një interpretim që siç thotë shtypi francez, do t`i bënte dhe gurët të qanin.

“La Traviata” është një opera e tre akteve nga Xhuzepe Verdit e vendosur në një libret italian nga Francesco Maria Piave. “La Traviata” e Verdit  është bazuar në veprën “Zonja me kamelie” e Alexander Dyma. Opera bën pjesë tek e ashtuquajtura sipas historisë së muzikës triologji popullore, ku bëjnë pjesë tre veprat “Il Trovatore”, “Rigoletto” dhe “La Traviata”, të cilat janë më të shfaqurat në botë, shkruan ata.

Në qendër të veprës është kurtizania Violeta Valery, që për hir të dashurisë me fisnikun Alfredo Germont, braktis jetën prej kurtizaneje. Dashuria e tyre përçahet nga i ati i Alfredos Giorgio Germont, i cili donte një të ardhme më të mirë për të birin. Violeta mbyt dashurinë e saj, duke sakrifikuar veten, gjë e cila e sëmur atë shpirtërisht dhe fizikisht.

Dhe në këtë akt të tretë ajo është në fundin e jetës së saj. Në momentin kur Violeta mendon se ka marrë fund çdo gjë, Anina i jep lajmin e gëzueshëm për ardhjen e Alfredos. Takimi i tyre është pika kulmore e shfaqjes.

“Të vdesësh… të vdesësh në skenë! A është e mundur” – e pyeta Ermonela Jahon dy ditë më parë në Paris

Luan Rama

«Të vdesësh… të vdesësh në skenë! A është e mundur? – e pyeta Ermonelën dy ditë më parë në Paris duke folur për «Madame Batterfly» dhe «Traviatta». – Po, është, ose ndodh sikur të vdesësh në skenë, pasi në atë çast, kur trupi ka humbur të gjitha ndjesitë e duart i ndjen të mpira, akull, është shpirti që pulson!»…

Po, është shpirti që rijeton një lloj vdekjeje, ashtu siç mund të rijetojë dhe ndjesi të tjera në skenë. Dhe unë i fola për aktorin e «Komedisë Franceze» Rexhep Mitrovica kur dikur që luante në të njëjtën skenë në Teatrin e Bastijës «Ditarin e Nizhinskit», atë tekst madhështor midisë çmendurisë dhe gjenisë, në fund, pas duartrokitjeve ai nuk mundi të ngrihej dot nga ajo tavolinë në mes të skenës, pasi ai kishte «ngrirë», në atë shastisje të madhe të artit, nga ajo «goditje» artistike që të merr frymën dhe të lë në një gendje cerebrale të paimagjinueshme.

Të pashë tek «Batterfly» Ermonela… nesër ti do këndosh «Traviatta», për të dyqind e pesëdhjet e katër herë, për të interpretuar një heroinë aq të dashur për ty dhe për operan botërore. E di që përsëri do të «vdesësh» në skenë (ah, ç’vdekje e bukur), ashtu siç «vdesin» artistët e mëdhenj, pasi ti ke dy dhimbje të mëdha që bashkohen në atë zemër, në atë zë hyjnor: prindërit e tu që s’kthehen më dhe dhimbjen që kërkon vetë arti. E kështu të imagjinoj si ata peshkatarët e perlave të Oqeanisë, që në një gjendje «apné» dinë të zhyten në ujrat e kaltra dhe të harrohen për kohë të tëra, thua se organizmi funksionon ndryshe, ku njeriu harron një çast jetën dhe përjeton mrekullinë e botës tjetër.

Sa herë ti ngjitesh në skenë më ngjan se përjeton pikërisht këtë dyzim të vetvetes me jetën e skenës, rolin, artin në sublimitetin e vet, aq sa para duartrokitjeve të parreshtura të publikut jo rrallë ti nuk i dëgjon ata, ti je ende e mpirë, e rrëmbyer nga hyjnitë e artit, duke qëndruar për një kohë të gjatë nën pushtetin e tyre, për tu kthyer pastaj dalëngadalë në realitetin njerëzor, për të shijuar plotësisht atë admirim të jashtëzakonshëm që të jep publiku në teatrot e botës.

Dhe unë ende pyes veten: ku janë kufijtë e magjisë të këtij arti të madh?! Dhe duke menduar për ty kthej kokën pas për të pikasur nëpër rrugët e trishta shqiptare e pastaj ato të mërgimit, atë udhë sfidash, muresh, zhgënjimesh, deziluzionesh, e megjithatë, ti ecje, pasi ishte pasioni dhe kujtesa tënde, e jetës, e fëmijërisë, që të shtynte për të ardhur deri këtu, për të ngjitur ato mijra shkallë që ne të shijojmë mrekullinë. Ç’forcë, ç’botë, ç’poetikë dhe ngjyra, drithërime e vibrato mbart ai zëri yt që n’a pështjell, që n’a pushton dhe n’a çon në botra të tjera. Çfarë ndodh vallë në ato çaste që ti këndon, ç’dramë, ç’tragjedi tjetër, personale? Kujtesa dhe dashuritë e gjakut janë pikërisht aty… E kështu ti këndon nga një skenë në tjetër, me gjakun që vërshon ndryshe, me një mistikë gjaku dhe arti. E ndjej, që pas Violetës së «Traviatta»-s ka dhe një nënë, se para Baterflait që vdes para fëmijës së saj, ka gjithnjë një nënë, tëndja. Vajza e dikurshme timide për zë ka një frymë që do t’i këndojë asaj, pasi në qiellin e syve të tua është gjithnjë ajo nënë që kurrë nuk e pa vajzën e saj në skenë, as në Tiranë e as në Opera Garnier, La Scala, Metropolitan, Covent Garden apo Orange, etj. «E strano!» do të shtoja, si zëri i asaj gruaje që u shua dhe nuk është më…/KultPlus.com

Ermonela Jaho: Nuk mund ta duash atdheun pa dashur bashkatdhetarët

Sopranoja e njohur Ermonela Jaho përmes një postimi në Facebook iu ka uruar të gjithë shqiptarëve festën e 28 nëntorit.

Ajo përmes këtij postimi është shprehur se patriotizmi është dashuria për atdheun të cilin nuk mund ta duam nëse nuk i duam edhe bashkatdhetarët.

“Patriotizmi është dashuria për atdheun, por nuk mundesh të duash atdheun pa dashur bashkatdhetarët. Nuk do të merremi vesh gjithmonë, por duhet të mbështesim njëri-tjetrin, të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të ndërtojmë ura drejt diferencave tona për të përndjekur të mirën e përbashkët… “, ka shkruar sopranoja Ermonela Jaho në postimin e saj./ KultPlus.com

Ermonela Jaho: Shpirti im është i zhveshur kur këndoj

Londër, 23 nëntor – Si një vajzë që u rrit prapa perdes së hekurt, ekspozimi i sopranos shqiptare, Ermonela Jaho, ndaj operës ishte i limituar. Por në moshën 13-vjeçare, vëllai i saj e dërgoi ta shihte “La Traviatan” dhe shpirti i saj nisi të fluturonte.

“Gjithçka ishte aq e mbyllur në shtetin tim komunist saqë duhej të ndërtoje një botë brenda vetes”, ka thënë ajo. “Pasi dëgjova këtë muzikë më bëri të kuptoj se mund të udhëtoja me mendjen time. Fillova të shihja mundësi të reja”, shton ajo.

Padyshim, roli i kurtizanes Violetta në “La Traviata” ka qenë prezent në mënyrë konstante në karrierën e Jahos. Këtë rol ajo e ka kënduar në mbarë botën, duke u krahasuar me Maria Callasin në këtë proces, dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të kthehet në “Covent Garden” me këtë rol.

Lëvdatat për Jahon (44) gjithmonë duken aq të fuqishme sa edhe performancat e saj. “The Economist” e përshkroi atë si “sopranoja më e vlerësuar në botë” dhe niveli saj teknik – i dëshmuar nga zëri i saj i fuqishëm dhe kumbues – e ka bërë të parezistueshme për shumë kritikë. Ajo po ashtu thotë se është pasioni i dukshëm që shkon bashkë me muzikën.

“Secila notë, secili tingull që jap është një pjesë e emocionit nga zemra. Është sikur shpirti im zhvishet kur unë këndoj dhe këtë nuk mund ta fsheh. Është e dukshme, por në njëfarë forme edhe terapi”, ka thënë Jaho.

Fjalët “zemër” dhe “shpirt” janë të shpeshta në bisedën me Jahon dhe ajo thotë se melankolinë e ka diku thellë në rrënjë. Pjesërisht kjo rrjedh nga marrëdhënia e komplikuar që ka pasur me nënën e saj të ndjerë, e cila nuk i ka kuptuar ambiciet e saj për t’u bërë këngëtare e operës.

“Ajo ka qenë një grua tejet e fortë, por në fytyrën e saj gjithmonë i kam parë dhimbjen dhe pendimin”, ka thënë Jaho. “Ajo ka qenë e lumtur, por asnjëherë nuk ka pasur guxim të më shohë në skenë”, ka shtuar ajo. Jaho i kishte shkruar për ta pyetur përse, por ajo kishte vdekur para se t’i dërgohej letra.

Këngëtarja thotë se jeta nën komunizëm po ashtu pati ndikim në aspektin e “ndjeshmërisë” për të.

“Kur je fëmijë disi mendon se duhet të shohësh gjëra të bukura, jeta ishte dashur të ishte e mbushur me flutura”, ka thënë ajo. “Kam parë disa realitete që nuk doja t’i shihja dhe kjo më ka bërë të palumtur. Por tani mendoj se kjo mund të ketë qenë për të mirë. Secila përvojë dramatike më ka ndihmuar me artin tim”, ka thënë Jaho.

Pas moshës 19-vjeçare, pasi kishte fituar një garë në Shqipëri, ajo shkoi në Itali për të studiuar, fillimisht në Montova dhe më pas në Romë, ku kishte fituar gara të ndryshme, dhe aty ndërtoi një repertor të pasur me vepra të Verdit dhe Puccinit. Që nga fillimi, ajo e dinte se duhej ta gjente zërin e brendshëm kur vjen tek performanca – natyrisht Violetta, por edhe Manon, Mimi dhe Sour Angelica.

“Isha shumë e frikësuar kur fillova, sepse kritikët gjithmonë të krahasojnë me dikë tjetër. Kur e kuptova se është çështje e shijes dhe jo të gjithëve do t’u pëlqej, vetëbesimi m’u rrit. E dija se duhet të jepja diçka më njerëzore tek audienca. Këtë e kërkonin. Nuk mendoj se publiku kërkon perfeksionin”, ka thënë Jaho.

Para dy ditëve Jaho ishte në “Royal Festival Hall” në Londër në operën e parë të Puccinit, melodramën supernatyrale “Le villi”, në formën origjinale me një akt dhe u performua me ndihmën e Orkestrës së Filarmonisë së Londrës. Jaho ka thënë se në një mënyrë kjo është një vepër e papjekur.

“Mund të shohësh se Puccini ende mundohej ta gjente rrugën, por gjithashtu mund të shohësh se si do të shndërrohej – në mënyrë që ai nuk lundron rreth ndjenjave të tij, që ai pret emocionet e drejtpërdrejta”, ka thënë Jaho.

Ashtu siç është e zakonshme programi i saj është i mbushur deri në vitin 2022 dhe përfshin role të rëndësishme, si Anna Bolena e Bonizettit, vitin e ardhshëm në “Sydney Opera House”. Kur nuk është duke punuar, Jaho jeton në New York me burrin e saj, Ervin Stafa.

“Është shumë e vështirë, sepse ne gjithmonë jemi duke udhëtuar, por dashuria për njëri-tjetrin është aq e thellë, saqë nuk ka rëndësi ajo pjesë”, ka thënë Jaho, teksa ka bërë një pauzë të shkurtër. “Dhe e di se e gjithë kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë”.

E pyetur nëse brengoset për plakjen dhe për refuzim potencial të roleve kryesore, ajo përgjigjet.

“Shumë më brengos kjo dhe më vjen turp ta them këtë. E di se tingëllon si egoizëm, por nuk dua që kjo të marrë fund. Kur këndova në rolin e Antonias së fundmi isha në fustanin e një vajze të vogël, dhe më bëri të mendoja se sa me fat isha në fillim të karrierës. Por të gjithë ne jemi të pasigurt. Pavarësisht se sa e mirë je, gjithmonë je një fëmijë diku thellë në shpirt” (The Telegraph/Koha Ditore). /KultPlus.com

New York Times vlerëson sopranon shqiptare Ermonela Jaho

“Opera National de Paris” feston datëlindjen e 350 me sopranon shqiptare. New York Times shkruan me superlativa për shfaqjen që do të jepet deri në 24 tetor. Ky vit shënon edhe “rilindjen” e Meyerbeer, me të cilin skena franceze “ripërkufizon” operën.

Zëri i Ermonela Jahos kësaj here ka pushtuar “Opera National de Paris”. Ndaj performancës së saj në rolin e Valentinës në “Les Huguenots”, është shprehur me nota superlative edhe New York Times, duke i dedikuar një artikull rikthimit të kësaj opere në kuadër të datëlindjes së 350 kësaj skene gjigante parisiene. Në këtë shkrim i kushtohet vëmendje të veçantë rikthimit të kompozitorit Giacomo Meyerbeer, duke u ndalur tek ndikimi që kanë pasur veprat e tij edhe tek opera të tjera me famë. “Pas 350 vjetësh, opera franceze përkufizon përsëri operën”, thuhet në këtë shkrim, ku këngëtarja shqiptare veçohet për interpretimin e saj të zjarrtë që ndez konfliktin e veprës.

ZacharyWoolfe/New York Times

Injorimi i kompozitorëve të mëdhenj, Parisi shënon “rilindjen” e Meyerbeer

Opera Kombëtare e Parisit ka nisur celebrimin e datëlindjes së 350-të. Opera si një gjini e artit mund të jetë disa dekada më e vjetër se kaq, por as një formë tjetër moderne e artit nuk ka mundur ta kapërcejë historinë e saj deri më tani. Shpesh nëpër të gjithë botën i referohen thjesht si Opera, sikur ky të jetë definicioni real i zhanrit. Datëlindja e madhe e saj nuk fillon me nostalgji, por me dy përpjekje që e shikojnë të shkuarën e artë të kulturës franceze, “patrimoine” (trashëgiminë) e pasur të këtij vendi parë në një dritë bashkëkohore madje edhe futuriste. Një pasuri e tillë e lavdishme si “Les Huguenots” i Meyerbeer-it, që u vu në skenë të premten do të vazhdojë të shfaqet deri në 24 tetor. Kjo vepër nuk ishte performuar nga Opera qysh në vitin 1936, edhe pse ka qenë me shumë mundësi muzika dramatike më popullore e shekullit të XIV. E luajtur në të gjithë botën pasi debutoi në këtë Operë në vitin 1938, ishte titulli i parë që u luajt nga kjo kompani 1000 herë. “Bérénice” një vepër e re nga kompozitori suedez Michaek Jarrel që pati premierën e saj këtë të shtunë do të vazhdojë deri në 17 tetor. Kjo vepër është e bazuar në tragjedinë e Rasinit, të shkruar një vit pasi Opera u themelua në vitin 1669. ( Lugji i XIV-të e quajti atëherë “Académie d’Opéra”, por ajo do të emërtohej më vonë si Akademia Mbretërore e Muzikës, titull që do të trashëgohej nga dy teatro më të vegjël të firmës, ndërsa më vonë në fund të shekullit e XIV, do të quhej “Palais Garnier” ). Vepra e Rasinit është injoruar në mënyrë masive midis shekullit e shtatëmbëdhjetë dhe atij të njëzetë; “Les Huguenots”, ashtu si veprat e mëdha të njëpasnjëshme të Meyerbeer-it, nisën po ashtu të zhdukeshin pak a shumë nga repertori. Opera po jep një mesazh të rëndësishëm me këtë shfaqje të një profili të lartë, ndoshta një për operën në përgjithësi: Arti madhështor, format madhështore të artit, ndoshta mund të kenë ulje dhe ngritje përsa i përket popullaritetit, por cilësia është cilësi, siç është bërë e njohur në 1670, 1836 apo në vitin 2018. Të shikosh sot “Les Huguenots”, do të thotë të kuptosh eklipsin e gjatë të Meyrbeer-it, madje ta mohosh duke e çrrënjosur përzemërsisht për rilindjen e tij aktuale. Ai luan ndonjëherë një lojë në agonizëm dhe të duruar, duke krijuar me përpikëri tensionin që shpërthen vetëm në fund të një mbrëmje të mbushur me emocion. (Ky produksion parisienë bën shkurtime të konsiderueshme dhe përsëri vazhdon të ketë rreth katër orë muzikë).

New York Times: Ermonela Jaho, sopranoja e zjarrtë që ndez konfliktin

Një histori romance e pazgjidhur që i përket gushtit të vitit 1572 dhe që paraqitet bashkë me tensionet midis francezëve katolikë dhe protestantëve, apo huguenot-ëve. “Les Huguenots” merr kohën e saj për të definuar personazhet dhe mënyrën se si trazirat fetare kanë ndikuar në jetët dhe lidhjet e tyre. Mirëpo dirigjenti e shtyn këtë muzikë shpesh të egër përpara; edhe pasazhet e dinjitetit të shkëlqyer kishin një nënkalim të nxitur nga ankthi që kapnin skenat harmonike dhe të paparashikueshme të Meyerbeer-it. Ju e keni vrejtur ndikim në shumë vepra të mëvonshme, veçanërisht ato të Verdit. Bashkimi i Mezerbeer-it me melankolinë private dhe kanavacën historike do të shfaqet tek “Don Carlo” dhe “Otello”, përzierja e tij e melodramës dhe mendjemadhësisë do të rikthehet tek “Un Ballo in Maschera”. Koret e tij komplekse dhe të mprehta, që këndojnë me ritme të shpejta dhe me akte akute, shfaqen tek “ “Rigoletto” dhe “Les Vêpres Siciliennes”. Dhe dhimbja, dueti i trishtë i aktit të katërt për Raoul dhe Valentine, dy, jo mjaftueshëm të dashur të ngecur në faqen e një historie tragjike, qartazi të infuelncuar nga dhimbja dhe dueti i trishtë i Carlos dhe Elisabeth, dy, jo mjaftueshëm të dashur të ngecur në faqen e një historie tragjike në “Don Carlos”, e cila e pati premierën e saj në Opera në vitin 1867. Madhështia e Meyerbeer ka ndikuar në mënyrë thelbësore tek Berlioz dhe Wagne, të cilët fillimisht kanë pranuar pa hezitim mbështetjen e “zotërisë më të vjetër”, përpara se ta refuzonin atë me hidhërimin e fjalimeve të tyre të fryra. Personazhet e Meyerbeer duhet të luftojnë për të ardhur në jetë; ju e kuptoni se ndërveprimi i grupeve shoqërore, të mishëruara në duelet intensive të korit, e intriguan më së shumti atë. Por këngëtarët e apasionuara i bënë këto figura të marrin frymë. Në Paris, sopranoja e zjarrtë Ermonela Jaho kishte ndezur konfliktin në mënyre sensacionale si Valentine, bija e një fisniku katolik; sopranoja Lizete Orpesa me zërin e butë dhe të qartë, përhapte qëllimet pozitive si Marguerite de Valois, mbretëresha e ardhshme që përpiqet të qetësojë brutalitetin e brendshëm. Mexosopranoja Karine Deshayes këndoi me një plotësi të verbër si një faqe e gjallë e Urbain-ëve (francezëve katolikë). Tenori Kang bëri që portretizimi i Raoul, të jetë më bindës. Drejtori, Andreas Kriegenburg e vendos punën në fundin e shekullit të 20-të, duke e bërë të duket e ashpër edhe dekadente./KultPlus.com

Saimir Pirgu dhe Ermonela Jahu, dy shqipe në Paris

Tenori Saimir Pirgu dhe sopranoja Ermonela Jaho përbëjnë dy figurat më të rëndësishme të artit shqiptarë që me zërin e performancën e tyre po mahnitin publikun e skenave më prestigjioze.

Ata së fundmi janë takuar në Paris duke përshëndetur kështu të gjithë shqiptarët. Në një fotografi të shkrepur në Theatre des Chams-Elysees, ata kanë përçuar mesazhin e unitetit të shqiptarëve.

“A ka ma bukur dy shqipe në Paris. Dy shokë të shpirtit në Paris”, ka shkruar Pirgu në fotografinë e publikuar, ku ka vendosur edhe flamurin kombëtar./ KultPlus.com

Plácido Domingo dhe Ermonela Jaho magjepsin publikun në Peralada (VIDEO)

Tenori i njohur Plácido Domingo dhe sopranoja shqiptare Ermonela Jaho këtë të dielë kanë magjepsur publikun e Festivalit Castell de Peralada (Girona) me operën me intensitet të fuqishëm emocional, ‘Thais’ nga Jules Massenet, shkruan KultPlus.

Në shtjellimin e kësaj vepre operistike, artistët e njohur kanë magjepsur publikun e atjeshëm me zërat e tyre të fuqishëm, përcjellë nga kori i e Teatrit Real të Madridit. Sopranoja e njohur nga Shqipëria, Jaho bie fort në sy me fustanin e saj elegant të kuq, në mes artistëve të tjerë me veshje të zeza.

Ermonela Jaho tashmë njihet për role të mëdha dhe të rëndësishme, sikurse që është edhe roli i kësaj shfaqje ku Jaho do të prezantohet në rolin e Thais. Ajo deri më tashti është prezantuar në teatrot më prestigjioze të botës, duke u shpërblyer shumë herë edhe me çmime të rëndësishme./ KultPlus.com

Ermonela Jaho dhe Placido Domingo do të ngjiten në skenën e Teatro Real të Madridit

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho dhe tenori Placido Domingo janë dukë bërë provat e fundit për shfaqjen operistike “Thais”, që do të shfaqet në Madrid të Spanjës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje operistike do të prezantohet në skenën e Teatro Real të Madridit më 26 korrik dhe pritjet për këtë bashkëpunim janë mjaftë të mëdha.

Ermonela Jaho tashmë njihet për role të mëdha dhe të rëndësishme, sikurse që është edhe roli i kësaj shfaqje ku Jaho do të prezantohet në rolin e Thais. Ajo deri më tashti është prezantuar në teatrot më prestigjioze të botës, duke u shpërblyer shumë herë edhe me çmime të rëndësishme./KultPlus.com

Ermonela Jaho interpreton “Suor Angelica”, mahnit Mynihun (VIDEO)

Ermonela Jaho sjell një interpretim të jashtëzakonshëm në rolin e Anxhelikës, duke përcjellë një brishtësi të thellë përmes një toni plot dritë dhe më pas vërtetë shpërthyes, kur personazhi arrin pikën psikologjike të thyerjes.

Kështu e nis kritika gjermane përshkrimin e interpretimit të sopranos shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, duke iu referuar rolit të saj “Suor Angelica” (“Motër Anxhelika”) në operën me të njëjtin titull, vënë së fundmi në skenën e Mynihut.

Ermonela Jaho sjell një performancë të jashtëzakonshme si Motër Anxhelika, duke përcjellë emocione të jashtëzakonshme përmes timbrit të zërit dhe zbërthimit psikologjik që i bën personazhit të saj.

Motër Anxhelika kapet pas një vizioni qiellor: Pasi ka humbur prej dy vitesh djalin e saj të vetëm, ajo vendos të bëjë jetën e murgeshës si një shpagim, teksa beson se e dëgjon djalin e saj duke e thirrur që të takohen në parajsë.

Në tentativë për të kryer vetëvrasje, Motër Anxhelika pi helm, por shpejt kupton se ka kryer një mëkat të vdekshëm dhe mallkon veten për ndarjen e përjetshme nga i biri. Ky subjekt i operës së famshme, shkruar nga Giacomo Pucini, u vu për herë të parë në skenë në vitin 1918, por vijon të pëlqehet në mbarë botën edhe pas një shekulli, shkruan atsh.

Pas suksesit në “Bayerische Staatsoper Munchen”, 26 korriku do ta gjejë Ermonela Jahon sërisht krah Placido Domingos, në Operën e Madridit me një tjetër premierë. /KultPlus.com


Ermonela Jaho u ngjit në skenën e New York me “Madama Butterfly “, duartrokitjet nuk kishin të ndalur (VIDEO)

Në The Metropolitan Opera të New York, mbrëmë është prezantuar sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho , shkruan KultPlus.

Artistja shqiptare është ngjitur në këtë skenë më shfaqjen “Madama Butterfly “, pikërisht me rolin e Cio-Cio-San, e cila ka ngritur në këmbë audiencën e atjeshme. Për të parë emocionet që kanë shpërthyer në këtë sallë, mund ta ndiqni videon e prezantuar nga KultPlus./KultPlus.com


Ermonela Jaho bashkon shqiptarët e famshëm në New York

Opera “Madama Butterfly” e Puccinit solli në rolin e “Ço Ço Sanit” sopranon shqiptare Ermonela Jaho në ‘The Met Opera’ në New York.

Ky rol i cili erdhi nën interpretimin e sopranos shqiptare solli emocione të forta në skenë dhe u shoqëruar me ovacione të shumta nga audienca . Ermonela Jaho interpretoi rolin e “Ço Ço Sanit” me shprehje delikate të fytyrës, ecje të ndrojtur, gjestet e dorës dhe absolutisht me zërin brilant, dhe arriti të ”robërojnë” audiencën me vuajtjen e personazhit kryesor.

Për këtë performancë të mrekullueshme, për të gjithë kontributin e saj dhe prezantimit dinjitoz që i ka bërë Shqipërisë, ambasadorja e Shqipërisë në USA, Besiana Kadare ka organizuar një festë në nder të sopranos Ermonela Jaho, që bëri bashkë emra të njohur shqiptar si Shpëtim Saraçi dhe bashkëshortja e tij Mira Konçi, Fadil Berisha, etj.

Fotot janë shpërndarë në rrjetet sociale nga Shpëtim Saraçi, i cili prej pak kohësh është zhvendosur në Amerikë së bashku me familjen.

“Në festën e organizuar nga ambasadorja shqiptare në misionin pranë UNITED NATIONS Besiana Kadare dhe Fadil Berisha për nder të sopranos shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho. Kënaqësi e madhe dhe privilegj që u ndodhem në një ambient të tillë”, shkruan ai. / KultPlus.com

Ermonela Jaho në skenën e operas së New Yorkut

Sopranoja Ermonela Jaho po rrëmben duartrokitje në Metropolitan Opera në Nju Jork me rolin Ço Ço Sanit në operan “Madame Butterfly” të Puçinti.

Në datat 8, 13, 16 mars, Madame Butterfly ngjitet sërish në skenën e operës së New Yorkut si produksion i Antoni Mingelës, me regji e koreografi e Karolin Koa. Rolin e Ço Ço Sanit ia kanë besuar sopranos shqiptare Ermonela Jaho, një personazh i brishtë, i ndjeshëm me fund tragjik, të cilën Jaho e ka intepretuar edhe në skenën shqiptare.

Ermonela Jaho është rritur duke shpresuar se një ditë do të këndonte Cio Cio Sanin dhe tanimë që ajo e arriti duket se gjithmonë kur ngjitet në skenë përjeton ëndrrën e saj. Kështu e përshkruan kritika muzikore njujorkese.

“Madam Butterfly” tregon historinë e Butterflait, që beson verbërisht te dashuria e një oficeri detar, një amerikan cinik i quajtur Pinkerton. Por, pas martesës, Pinkerton shkon në shtëpi në Amerikë. Kur Butterfly e zbulon që njeriu që ajo donte është kthyer përsëri me gruan e tij amerikane dhe do të marrë përgjegjësinë e djalit që ajo lindi pas largimit të tij, ajo i jep fund ëndrrës së saj perëndimore dhe kryen harakiri.

The Metropolitan Opera: Roli, Cio-Cio-San rol identifikues për Ermonela Jahon

The Metropolitan Opera i ka dedikuar një shkrim sopranos Ermonela Jahos duke treguar se ajo është rritur më ëndrrën që një ditë të shfaqet në operë me rolin Cio-Cio-San për operën Madama Butterfly, përcjellë KultPlus.

Shkrimi tregon se sopranoja Ermonela Jaho jo vetëm që ka realizuar ëndrrën e saj por pikërisht ky rol është bërë dallues për të. Ajo operën Butterfly e ka konsideruar si një shfaqje operistikë të fuqishme, e cila bartë shpirtin e një gruaje të re një shpirt i torturuar por që mban shpresa.

“Ky ka qenë një rol që e kam ëndërruar që kur ka qenë fëmijë në Shqipëri, përkundër pamundësive për t’i kënduar, i kam dashuruar këto opera. Dhe po e jetojë këtë ëndërr çdo herë që po jam në skenë”, është shprehur ajo në intervistën e dhënë për The Metropolitan Opera.

Ajo tutje ka treguar se në këtë rol ajo është në luftë pasi që edhe pse audienca e di që historia ka një fund tragjik, Cio-Cio-San nuk ka dijeni dhe ka ëndrra të bukura.

“Unë duhet të luftojë me historinë sikur nuk e kam përjetuar asnjëherë më parë, sikur nuk e di që do të vdes. Prandaj fillimisht më duhet të besojë në vetën time”, është shprehu Jaho duke shtuar tutje se kur është në skenë nuk brengoset nëse ka kontroll mbi situatën apo jo. “Çdo herë është sikur dita e fundit e jetës sime”, ka përfunduar ajo.

Ermonela Jaho ka diskutuar në këtë shkrim edhe për rolin e saj si Violeta në La Traviate. Ajo këtë rol e ka konsideruar si një eksperiencë të mrekullueshme edhe pse nuk kishte pasur shumë kohë që të përgatitej. Madje daljen në këtë shfaqje ajo e ka konsideruar si një veprim gladiatori./KultPlus.com

Duartrokitje të gjata për Placido Domingon e Ermonela Jahon në Pekin

Sopranoja Ermonela Jaho është ngjitur në skenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin në rolin e Thaïs, personazhit kryesor të operës me të njëjtin titull. Ajo është paraqitur në krah të baritonit me famë botërore Placido Domingo, që në veprën e kompozitorit francez, Jules Massenet, u prezantua me rolin kryesor të murgut, Athanael, shkruan KultPlus.

Ngjarjet zhvillohen në Egjiptin bizantin të shekullit të IV para erës sonë. Murgu Athanael që jeton në Aleksandri, përpiqet të konvertojë kurtizanen e quajtur Thais në krishterim, por zbulon mëkatin trupor dhe e gjen veten të nënshtruar ndaj hijeshisë së saj.

Forca krijuese që fshihet pas prodhimit të ‘Thais’-it nga Qendra Kombëtare e Arteve e Pekinit, është regjisori argjentinas Hugo de Ana. Ai është gjithashtu skenografi dhe kostumografi i shfaqjes.
Opera ‘Thaïs’ është vepra e parë e Qendrës Kombëtare të Arteve të Pekinit për kalendarin e vitit 2018, kurse audienca e atjeshmë është mrekulluar me performancën e kësaj shfaqje, ku duartrokitjet e tyre shihen edhe nëpërmjet videos më poshtë./KultPlus.com

Ekskluzive: Ermonela Jaho nominohet për çmimin e madh botëror “International Opera Awards”

Sapo është bërë e ditur lista e të nominuarve për çmimin prestigjioz “International Opera Awards”, apo Oscar i operas, çmim të cilin e ëndërrojnë shumë artistë të operës, shkruan KultPlus.

Në mesin e të nominuarve, të cilët janë nëpër kategori të ndryshme është edhe artistja shqiptare Ermonela Jaho.

Ajo është e nominuar në kategorinë për këngëtaren më të mirë, kurse për Ermonela Jahon këto ethe nuk janë të panjohura, pasi që, artistja shqiptare Jaho tashmë ka një trofe nga ky instiucion, atë të Reader’s Award, ku Ermonela në vitin 2016 ishte shpallur fituese./KultPlus.com

Ermonela Jaho: Dramën shqiptare “Halili dhe Hajria” dua t’ia tregoj botës

Agjenda e sopranos shqiptare Ermonela Jaho është e rezervuar deri në vitin 2022. E kërkuar në shumë skena prestigjioze të botës, ajo nga viti në vit po shndërrohet si njëra nga artistet më të adhuruara të botës. Në një intervistë për KultPlus, Ermonela Jaho tregon për dhënien e shpirtit të saj në personazhin e Violetës për 240 herë, sikurse edhe në rolin e Cio-Cio- San, role që i ka tashmë shumë për zemër. Duke përfshirë edhe paraqitjen e saj me kolegë shqiptarë nëpër skena të mëdha të huaja, Ermonela Jaho ka shpalosë edhe një ëndërr. Që dramën e njohur shqiptare “Halili dhe Hajrija” t’ia tregojë botës.
Adianë Pajaziti

KultPlus: Ju po vazhdoni të mbërtheni audiencën me “Violetën” e me “Cio-Cio-San” performanca këto që po mirëpriten nëpër teatro të ndryshme prestigjioze, nëse mund të kujtoni performancën e parë të këtyre dy roleve, dhe tashti me gjithë këtë bagazh artistik, çfarë mund të na thoni?
Ermonela Jaho:
Janë dy role që kam kënduar më shumë deri tani. Më kujtohet shumë mirë hera e parë e të dyja roleve. Mund tu them që pasioni ka mbetur ai, por me një bagazh profesional dhe eksperiencë humane që i ka pasuruar akoma më shumë. Njohja dhe përgjegjshmëria teknike së bashku me atë jetësore i mban te freskëta ashtu siç është jeta jonë e përditshme, çdo ditë ndryshe nga njëra tjetra.

KultPlus: Duke pas parasysh që me Traviatën jeni prezantuar më shumë se sa me shfaqje tjera, sa herë jeni ngjitur në skenë me rolin e Violetës?
Ermonela Jaho:
Violeten e kam kënduar mbi 240 herë.

KultPlus: Vazhdoni të hulumtoni edhe më në karakterin e saj? Pse gjithë kjo dashuri me karakterin e saj, duke pas parasysh se performancat e tua me këtë rol kanë pasë edhe vëmendjen e medieve më prestigjioze në botë?
Ermonela Jaho:
Violeta është një figurë me plotë emocione për shpirtin, emocione të një gruaje dhe në të njëjtën kohë një ndër rolet më të vështira teknikisht. Unë këtë rol vazhdoj dhe do vazhdoj ta këndoj, sepse është një barometër vokal teknik për çdo këngëtar dhe nga ana emocionale është shumë pranë shpirtit të një gruaje ballkanase dhe mesdhetare. Është shpirti i torturuar i një femre që dashuron pa kushte dhe mendoj se ky përjetim me kaq pasion është diçka që e ndjej deri në palcë dhe rritet me mua në çdo etapë të rrugëtimit tim si artiste dhe qenie humane.

KultPlus: Pastaj,përgjatë performancave tua ka pasur raste kur ka reaguar edhe autoambulanca, për tu dalë ndihmë audiencës ku prej emocioneve kanë pasë edhe komplikime shëndetësore, për një artist një ngjarje e tillë do të thotë shumë?
Ermonela Jaho:
Fenomeni i ambulancës ka qenë në Londër me operën “Suor Angelica” të Puccinit. Historia e kësaj opere ka ekzistuar në të kaluarën dhe përjetimi im i këtij roli zgjoi atë dhimbje shpirtërore të personave qe e kanë jetuar këtë torturë dhe kanë qenë prezent në teatër. Kjo ka bërë qe emocioni i një dhimbjeje shpirtërore të jetuar u ka hapur një plagë të cilën nuk e kanë kontrolluar dot. Një reagim i tillë për mua si artiste me jep konfirmimin se jam duke punuar ne drejtimin e duhur.

KultPlus: Ermonelë, po ashtu janë shumë të veçanta performancat e tua të cilat po lidhen edhe me rrjetin e kinemave, shfaqje që po ndiqen në të njëjtën kohë në disa sheshe, lokacione dhe hapësira të tjera, një gjë e tillë ndodhi në Spanjë, çfarë emocioni keni nga këto performanca?
Ermonela Jaho:
Teknologjia ndihmon të sjellë këtë gjini muzikore kudo dhe konfirmon se Opera është për të gjithë dhe jo vetëm për një shtresë elitare të shoqërisë. Kur hyj në skenë nuk mendoj fare për jehonën që është duke ndodhur në momentin që unë jam duke kënduar direkt, sepse do me merrte energjinë e natyrshmërisë dhe të besueshmërisë. Kur mbaron shfaqja atëherë aty shohë nëse emocioni dhe vërtetësia kanë arritur apo jo në publikun mediatik. Përgjegjësia është e madhe, sepse janë miliona njerëz qe të ndjekin dhe fatkeqësisht lajmi i keq udhëton gjithmonë më shpejt dhe më lehtë se lajmi i mirë.

KultPlus: Ndërkohë, pikërisht mediet spanjolle ju krahasuan edhe me Maria Kallas, çfarë emocioni të ka përshkuar kur keni lexuar këtë krahasim?
Ermonela Jaho:
Krahasimin me Maria Kallas e kanë bërë edhe mediat e tjera dhe sinqerisht kjo gjë me ka pëlqyer edhe pse unë jap personalitetin e Ermonelës në skenë dhe nuk kam dashur asnjëherë të imitoj askënd qoftë edhe Maria Kallasin, pasi imitimi është një kopje e shëmtuar.

KultPlus: E kishit ëndërruar ndonjëherë një krahasim me atë artiste të madhe, apo as nuk keni guxuar të mendoni?
Ermonela Jaho:
Krahasimi me të bëhet për mënyrën pasionale e të përjetuarit të rolit në skenë. Nuk është krahasim zëri apo personaliteti. Është ekspresioni pasional me të cilin pellgu ballkanas karakterizohet,dhe mendoj se kjo është e përbashkëta. Kallas ka qenë ajo këngëtare qe ka ndryshuar këndimin e Operës, jo vetëm thjesht vokal por edhe atë interpretativ.

KultPlus: Para se të jeni kjo që jeni, kishit dëgjuar në rininë e hershme për Maria Kallas?
Ermonela Jaho:
Unë në të kaluarën kam dëgjuar patjetër për Maria Kallasin dhe pikërisht ajo qe më ka goditur nga dëgjimi i kësaj artisteje ishte përcjellja e emocionit përmes këndimit.

KultPlus: Tashmë keni përjetuar emocionin e audiencave të ndryshme, mund të bëni ndonjë krahasim të emocionit që të japin audiencat prej vendit në vend?
Ermonela Jaho:
Çdo audiencë ka karakteristiken e saj në mënyrën se si reagon. Në momentin që ti je e sinqertë dhe e vërtetë në skenë, emocioni godet çdo publik, sepse në fund të fundit po flet me gjuhën e shpirtit dhe në skenë shpirti yt është lakuriq dhe publiku ketë e percepton menjëherë.

KultPlus: Cilën audiencë e konsideroni si audiencë më kritike?
Ermonela Jaho:
Dua shume publikun francez , sepse janë objektiv me ty që në dëgjimin e parë. Për ta nuk ka shumë rëndësi nëse je emër i madh apo i vogël, në qoftë se i prek nga ana shpirtërore do të ta bëjnë të ditur.

KultPlus: Jeni aq të angazhuar me projekte të vazhdueshme, por megjithatë duhet të jetë ndonjë shfaqje që do të dëshironit ta rishikoni edhe nëpërmjet ndonjë incizimi, cilin prezantim tuajin e shikoni, apo do të dëshironit ta shikoni?
Ermonela Jaho:
Çdo shfaqje është ndryshe, sa herë ngjitem në skenë për mua është e para dhe e fundit ne atë moment. Asnjëherë nuk do mundesh të këndosh dy herë njësoj. Kjo është edhe e bukura e këtij profesioni. Njeriu përmirësohet gjithnjë. Për mua çdo shfaqje është unike dhe përsëritja e tyre është si përditshmëria jonë, rritet me ty.

KultPlus: Pothuajse i gjithë viti është i mbushur me shfaqje operistike në të cilat keni rolet kryesore, dhe shumë e vështirë që të ndaheni prej roleve edhe në jetën reale, sa je brenda personazheve edhe atëherë kur nuk je në skenë?
Ermonela Jaho:
Artisti është qenie që në skenë transmeton shumë ndjenja humane të idealizuara dhe pikërisht këto ndjenja na prekin, sepse duam t’i jetojmë edhe në përditshmërinë tonë dhe është e pamundur që të shkëputesh totalisht prej tyre. Shkëputesh fizikisht, sepse shtëpia nuk është skenë por ndjenjat humane qëndrojnë me ne dhe kjo të bën edhe më reflektues dhe më mirënjohës për atë që jeta na ka dhënë dhe na surprizon për ditë.

KultPlus: Është viti që bëri bashkë dy artistë shqiptarë në një skenë prestigjioze ndërkombëtare, sikurse ishte me atë të Argjentinës, e habitshme, dy artistë shqiptarë në rolet kryesore në një vend kaq të largët, sikurse ishte rasti me Saimir Pirgun?
Ermonela Jaho:
Viti 2017 na bëri bashkë në Madrid me Enkelejda Shkozën , një mexosoprano e mrekullueshme në operën Madama Butterfly , dhe në Argjentinë me Sajmir Pirgun në operën Traviata. Eksperienca me kolegët nga Mëmëdheu është gjithmonë e veçante, sepse duket sikur bën një rrugëtim aty në skenë përdore me një copë nga shpirti i vendit tënd. Është diçka shumë e bukur dhe tepër e veçantë.

KultPlus: Gjithë kjo artiste me përmasa ndërkombëtare, sikurse që keni edhe kolegë të tjerë shqiptarë, nëse jemi te kombi, cilin rrëfim do ta shndërronit në një shfaqje operistike që t’ia ofronit të huajve, që nëpërmjet atij rrëfimi të njohin më shumë kulturën tonë.
Ermonela Jaho:
Me modestinë e njohjes se rrëfimeve qe kam akoma në memorie mund të them rrëfimin e Rozafës, Argjiros, ose Halili dhe Hajrija etj…Mendoj se këto rrëfime karakterizojnë në mënyre tepër te sintetizuar atë çka ne shqiptarëve na bën të veçantë.

KultPlus: Tashme keni te siguruar edhe agjendën e vitit 2018, çfarë rrugëtimi e pret Ermonela Jahon?
Ermonela Jaho:
Agjenda ime është e plotësuar deri në vitin 2022 por për 2018-ën mund ta bëjë këtë renditje: 1 Janari 2018 më gjen në një skenë me Suor Angelica në Mynih Gjermani , më pas Thais në Kinë me Placido Domingon, shkurt -mars në Metropolitan Neë York me Madama Butterfly, Amsterdam me rrolin e Antonias në Tregimet e Hoffmann, Koncert në festen e muzikës për TV5 ne France, Thais përsëri në Madrid dhe Perelada (Spanjë )me Placido Domingon,Greqi – Athine koncert për përvjetorin e Maria Kallas me TVFrance dhe Eurovision si e ftuar speciale, në Paris hap sezonin me operën Les Hugonotes e cila transmetohet neper kinema dhe televizione, një rregjistrim me London Symphony Orchestra të operes Le Villi te Puccinit dhe e mbylli vitin me Violeten në Paris përsëri dhe e hap 2019-ën po me Traviaten në Londër. Këto sa për kronologji por siç thotë një proverb, njerëzit bëjnë plane Zoti qesh… Përpiqem të jetoj dhe shijoj çdo moment si të jetë i fundit, pa shumë pritshmëri.

KultPlus: Dhe krejt për fund, cilin projekt e synoni si projekt të plotësimit të ëndrrës?
Ermonela Jaho:
Çdo ngjitje në skenë është përjetimi dhe plotësimi i ëndrrës sime në kohë. Ai që nuk arrin dot të vlerësojë ato gjëra që ka, nuk do të arrijë të vlerësojë kurrë asgjë që do ti vijë në të ardhmen. /KultPlus.com

Barcelona 28 de junio de 2017 Ermonela Jaho soprano que interpreta a Cio-Cio-San Madama Butterfly en Peralada En el Hotel Petit Palace Boqueria Foto Ricard Fadrique

Ermonela Jaho dhe Placido Domingo, verën tjetër së bashku në Peralada

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është ndër të parat këngëtare klasike që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Festivalin Peralada.

Ermonela Jaho do të jetë krahas Placido Domingos në festivalin e madh spanjoll, duke performuar operën “Thais” nga Jules Massenet. Koncerti do të ndodhë verën e ardhshme, me 29 korrik.

Një ditë më parë, me 28 korrik, tenori Jonas Kaufmann do të shoqërohet nga Orkestra e Teatrit Mbretëror të Spanjës.
Ermonela Jaho, në anën tjetër, ka bashkëpunuar edhe në të kaluarën me Placido Domingon ndërsa në Spanjë do të sjellin operën më të mirë të francezit, e cila tani po kalon në një periudhë lulëzimi në disa skena të mëdha botërore, shkruan KultPlus.

Jaho vjen në rolin e kurtizanes, ndërsa Domingo në rolin e Athanael. Artistët do të shoqërohen nga Michele Angelini, Jean Teitgen, Lidia Curtis dhe Elena Copons. Performanca fillon në ora 22:00 në The Castle Gardens Auditorium në qytetin Peralada.

Libretoja e operës bazohet në novelën me të njëjtin titull nga Anatole France. Premiera e operës është dhënë në Paris me 16 mars 1894. / KultPlus.com

Shqiptarja Ermonela Jaho, në koncertin e karrierës së Placido Domingos (FOTO)

Sopranoja e njohur botërisht, Ermonela Jaho, ka qenë mbrëmë e pranishme krahas Placido Domingos në përvjetorin e këtij të fundit, për të festuar 50 vjetorin e karrierës së tenorit Placido Domingo.

Në këtë koncert nuk kishte si të mungonte sopranopja shqiptare Ermonela Jaho e cila e ka shprehur emocionin e mbrëmjes përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Jam shumë e lumtur dhe e nderuar të jem në festimin e 50 vjetorit të karrierës së të Madhit Maestro Placido Domingo në Los Angeles dhe të ndaj skenën me kolegët e mi të mrekullueshëm të dirizhuar nga Dirigjenti James Conlon”, ka shkruar ajo.

Hera e parë e Placido Domingos në Los Angeles ishte në nëntor të vitit 1967, ndërsa tenori ka thënë se asokohe nuk ka pritur se sot do të festonte me kaq lumturi e sukses jetën dhe suksesin e tij në skenë.
Arturo Chacón-Cruz, Ana María Martínez, Nino Machaidze, Nancy Fabiola Herrera, Janai Brugger, Michael Fabiano dhe Mario Chang i janë bashkuar poashtu tenorit, ndërsa ai njihet për bashkëpunimin me artistët shqiptarë, përfshirë këtu Ermonela Jahon dhe Ramë Lahajn.

Aktorja e “Orange is the Neë Black”, Uzo Aduba, ishte poashtu e pranishme në këtë koncert, duke performuar “I could have danced all night”, shkruan KultPlus.

Aktorja Helen Mirren poashtu ishte e pranishme në këtë festim të karrierës së Placido Domingos, i cili është edhe drejtor i Operës së Los Angelosit që nga viti 2003. / KultPlus.com

Ermonela Jaho me Madama Butterfly edhe në Paris (FOTO)

Në Shtëpinë Operistike të Parisit, sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho do të ngjitet me rolin e Cio-Cio-San, nëpërmjet shfaqjes operistike të Puccin “Madama Butterfly, shkruan KultPlus.

Po me këtë shfaqje, Ermonela Jaho ka bërë shumë paraqitje ndërkombëtare, për ti lënë vend tashmë audiencës parisiene. Shfaqja operistike do të prezantohet prej orës 19:30.

Ermonela Jaho shumë shpesh është vënë në fokus të medieve ndërkombëtare, duke lartësuar perforemancat e saja, të cilat shumë shpesh janë transmetuar edhe në linjë direkte, duke përfshirë rrjetin e kinemave./KultPlus.com

Ermonela Jaho shpërthen në lot (VIDEO)

“La Traviata”, që është duke u dhënë në Buenos Aires tash e disa mbrëmje është duke mrekulluar audiencën argjentinase, të cilët po shijojnë performancën e dy artistëve shqiptarë: Ermonela Jaho e Saimir Pirgu, shkruan KultPlus.

Në reprizën e fundit që është dhënë në Shtëpinë Operistike të Buenos Aires, ngrohtësinë që i dha publiku i atjeshëm, bëri që Ermonela Jaho të shpërthejë në lot.Duartrokitjet e gjata, brohoritjet bënë që Jaho të emocionohet shumë, por në të njëjtën kohë të shprehet edhe falënderuese për këtë mikpritje./KultPlus.com

Kështu dukej sheshi i Buenos Aires, argjentinasit të magjepsur me dy artistët shqiptarë

Më 12 shtator u dha premiera e shfaqjes operistike ‘La Traviata’ në Buenos Aires në Argjentinë nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho dhe tenori shqiptar Saimir Pirgu, shkruan KultPlus.

Kjo premierë e cila u mirëprit nga audienca që ishin në një numër goxha të madh në Shtëpinë Operistike të Buenos Aires, doli edhe përtej mureve të saj. ‘La Traviata’ u dha edhe në sheshin Vatikan të Buenos Aires në dy reprizat e radhës që kishte më 15 dhe 17 shtator ku u transmetua direkt.

Ermonela Jaho dhe Saimir Prigu bënë publikun argjentinas që të ngriten në këmbë përmes zërave të tyre. Ndërsa sot sopranoja Jaho, përmes rrjetit social Facebook, ka publikuar një album me fotografi nga kjo ngjarje e madhe me protagonistë kryesorë dy emra të njohur tashmë në botë e që kanë prejardhje shqiptare.

“Disa foto nga dy shfaqjet e fundit dhe transmetimi direkt…. nje kenaqesi e vecante te krijojme nje energji kaq frytedhenese me gjithe koleget dhe vecanerisht bashkeatdhetarin tim artist Saimir Pirgu”, ka shkruar Jaho.


Kjo shfaqje operistike do të ketë edhe një reprizë nesër më 19 shtator në Buenos Aires në Argjentinë./ KultPlus.com



Të dielën, sheshi i Buenos Aires do të kumbojë me zërin e Ermonela Jahos e Saimir Pirgut

Ermonela Jaho e Saimir Pirgu kanë shijuar ngohtësinë e publikut të Buenos Aires në Argjentinë, me rastin e prezantimit të premierës së shfaqjes operistike “La Traviata”, premierë që është dhënë më 12 shtator, por artistët shqiptarë nëpërmjet performancës së tyre artistike, emocionet e kësaj shfaqjeje do ti përcjellin përtej Shtëpisë Operistike të Buenos Aires, shkruan KultPlus.

Të dielën, atëherë kur edhe shënohet 160 vjetori i themelimit të Teatrit Colon, kjo shfaqje me protagonistë shqiptarë do të transmetohet direkt edhe në sheshin Vatikan të Buneso Aires.

Ndërkohë, pas dhënies së kësaj shfaqjeje direkt edhe në sheshin e Buenos Aires më 17 shtator do të ketë edhe një reprizë të radhës, atë të 19 shtatorit, shfaqje kjo që është duke u mirëpritë mjaftë shumë nga audienca argjentinase. /KultPlus.com

Publiku i Buenos Aires mrekullohet me paraqitjen e Ermonela Jahos e Saimir Pirgut, pesë minuta duartrokitje (VIDEO)

Mbrëmë është prezantuar shfaqja operistike “La Traviata”, ku rolet kryesore të kësaj shfaqjeje i janë besuar dy artistëve të mëdhenj shqiptarë: Ermonela Jahos e Saimir Pirgut, shkruan KultPlus.

Ermonela Jaho është shndërruar në rolin e Violetës në këtë shfaqje që është dhënë për publikun e Buenos Aires të Argjentinës, kurse Saimir Pirgu në atë të Alfredos, ku interpretimi i tyre ka bërë që publiku i Argjentinës të duartrokasë për pesë minuta në këmbë, për këta dy artistë shqiptarë dhe për pjesën tjetër të artistëve që kanë qenë pjesë e kësaj shfaqje.

Me një përkulje të thellë ka përshëndetur publikun Ermonela Jaho, dhe me emocione të njëjta është përshëndetë edhe Saimir Pirgu, të cilët emocionuan me këtë shfaqje që do të ketë reprizat e radhës më 15, 17 dhe 19 shtator.

Për më shumë emocionet mund tu ndiqni në videon më poshtë, video e cila është postuar nga Por Siempre Coloneros./KultPlus.com

Argjentina sonte merr frymë shqip me Ermonela Jahon dhe Saimir Pirgun

Sonte Argjentina do të frymojë më shqip se asnjëherë.

Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu do të ngjiten në skenë për shfaqjen “La Traviata”.

Kjo shfaqje operistike e Verdit që do të prezantohet në Shtëpinë Operistike në Buenos Aires sonte, vjen me rolet kryesore pikërisht nëpërmjet artistëve shqiptarë, ku Ermonela Jaho do të paraqitet në rolin e Violetës, kurse Saimir Pirgu në atë të Alfredos. Kjo shfaqje më pas do të ketë edhe reprizat më 15, 17 dhe 19 shtator.

Artistëve do tu bashkohet në skenë edhe Fabian Veloz në rolin e Germontit. Biletat për shfaqje shiten duke filluar nga 140 dollarë.

Koncerti i datës 17 shtator do të transmetohet edhe drejtpërdrejt në www.teatrocolon.org.ar / KultPlus.com