Poema e Ismail Kadaresë kundër sistemit komunist të Enver Hoxhës

Në tetor të 1975- s, Ismail Kadare do të sfidonte një regjim të tërë më vjershën reaksionare “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç njihet ndryshe “Pashallarët e kuq”, përcjellë KultPlus.

Asokohe, shkrimtari tentoi ta botonte por korrigjuesit dhe kritikët në redaksinë e gazetës “Drita” ngritën alarmin.

Poema denonconte hapur dështimin dhe përlyerjen me gjak të sistemit diktatorial.

Ju kujtojmë se në 2016- n, 41 vite pas zbulimit të ditarit sekret të udhëheqësit komunist u gjetën shënime të vetë Hoxhës mbi Kadarenë dhe poemën e tij.

“Ky poet i lig e përgjithëson për të atakuar Partinë, bazën, socializmin, që janë të fortë si çeliku dhe zbatojnë një rrugë të drejtë të palëkundshme marksiste- leniniste të bazuar në luftën e klasave”, shkruan Enver Hoxha në ditarin e tij.

Për Kadarenë thotë se mendoi se kësaj here vërtet do ta pësonte dhe se “lart e poshtë thuhej gojë më gojë që arrestimi i Kadaresë ishte çështje ditësh”.

Në mesditë Byroja Politike u mblodh

Në mesditë Byroja Politike u mblodh.
Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë.
Në kufijtë e jugut vallë ç’ndodh.
Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë.
Mos lëvizën klasat e përmbysura,
Mos ka katastrofë në prodhim.
Vallë ambasadorët mos kanë nisur
Radiograme plot shqetësim.
Jo. Kufijtë e shtetit janë të qetë.
Nga ambasadat lajme me alarm nuk ka.
Dhe nën diktaturë të proletariatit,
Dimërojnë kokëulur ish kastat e mëdha.
Dhe prodhimi është normal dhe ditët
Rrjedhin të zakonshme në dhjetor…
Po ahere pse kështu papritur
Në mesditë Byroja Politike umblodh?

2.
Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë.
Shumë shumë mund të pikojnë diku.
Nga themelet ata prishen
Këtij ligji
Shteti socialist i bindet gjithashtu.
Mund që lart çdo gjë të duket bukur,
Gara socialiste, merrja këngës, haj.
Dhe pankartat dhe heronjtë e punës
Në gazetë lokale në Një Maj.
Telegrame urimi, diell i ndritur
Në mitingje e vjersha letrarësh të rinj
Kurse poshtë
pikërisht në themelitë
Rritet ngadalë tumor i zi.
Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet.
Ambasadat që rrëfejnë diçka për ta.
Për burokratizmin ç’kemi vallë?
Topat s’pijnë ujë
dhe konsuj atje s’ka.

3.
Midis shkresash, telefonash,
letërthithësesh
Ata skenat mbushin gjithnjë
Mjaft me këtë qeshje dashamirëse
Burokratët janë tjetër gjë.
Jo me bojë pelikan përjargur,
Si tuafë të këndshëm ho, ho, ho,
Por të kobshëm
me duar të përgjakura
Gjer në bryle unë ata i shoh.
I shoh atje thellë tek rrëmojnë.
Në themelet e revolucionit pikërisht.
Ç’bëjnë ashtu
pse trupat e dëshmorëve
Kthejnë djathtas, majtas dhe
përmbys?
Pa shiko,
trupat sikur i lajnë.
Nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt.
Dhe pas gjakut amanetet q’ata lanë,
Idealet dhe parimet krejt.
Dhe vulën e gjakut si ta zhdukin,
Oh, e dijnë se është lehtë pastaj
Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën
E punëtorëve
thelbin e saj.
Ja kështu, atje në gjunjë të ulur
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim
Po ç’patën papritur
Pse u ndalën
Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë.
Këtu janë varrosur të përmbysurit:
Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha
Ata sulen, trupat kthejnë përmbys e nisin
Që t’i zhveshin me një vrull hata.
Rrobe sundimtarësh të përgjakta
Me nishane e grada veshin shpejt.
Dhe me to mbi supe nëpër natë
Ikin drejt mëngjezit si rrebesh.

4.
Dhe mëngjezi erdh,
Të zbetë, të ngrirë,
Nën mantelet me nishane e me kurorë
Ata shkojnë në zyra, ministrira,
Madje ngjiten gjer në Komitet Qendror.
Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partije
Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg.
Në kortezh të zymte, nën himne liturgjie
Çojnë tabutin e revolucionit për në varr…

5.
Kurse pamja e jashtme ishte ndryshe
Buzëqeshje, tundje grushti në miting
Thjeshtësi tek xha Kamberi, tek X gjyshe,
Dhe fjalët “Enver” “parti”, “autokritikë”.
Kështu ishte ditën, kurse natën
Zbrisnin në themel ata sërish.
Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit
Që duronte ditën ngre e ngre e natën prish.

6.
Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve
Tek ndanin mantelet seç i pa.
“Ja, ku qenkeni!”
Ata u ngrinë.
– Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!-
Por ai i mvrejtur me dhembjen në çdo thinjë
Si një mal në dimër bubulloi.
Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte
Nga pushteti me kamçik dhe stap.
Ai klasën ngriti të punëtorëve.
Për ta bërë burokratizmin zap.

7.
Si dikur patrullat partizane
Shtegëtojnë ekipet e kontrollit punëtor.
Që të mos i marrin ministritë me topa Nesër.
Sot i marrim me kontroll.
Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha
Dhe në ditlindjen e veteranit tornitor.
Je për socializmin?
Vrapo në rrjeshta
Shpall kudo dhe mbi këdo
kontroll punëtor.
Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.
Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur tek Bulevardi i Madh.

8.
Ditët ikin.
Vorbullat e ngjarjeve
Nëpër stinë e vite shtjellen me furi
Vijnë plenumet e partisë porsi ushtarët
E revolucionit
në stuhi.
Ecën klasa pas partisë në ditë epike,
Populli pas klasës derdhet oqean
Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja Politike
Mesditë a mesnatë
gati të gjithë janë. / KultPlus.com

Publikohet kopja e dorëshkrimit të romanit të parë nga Kadare, “Qyteti pa reklama”

Më 28 janar të vitit 1936 u lind në lagjen Palorto të Gjirokastrës së gurtë, shkrimtari Ismail Kadare.

Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme, kohë kur djalosharit Kadare do t’i linte mbresë të pashlyeshme leximi i tragjedisë “Makbethi” të autorit anglez, William Shekspir. Në vendlindje do të qendronte deri në përfundimin e arsimit të mesëm, kur përgatiti për botim ciklin e tij të parë me poezi “Frymëzimet djaloshare” (1954). Mandej, u vendos në Tiranë, ku kreu studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe u diplomua për “Mësuesi”.

Në harkun e vjetëve 1958-1960, Kadare thelloi studimet e tij në domenin e letërsisë në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitin 1960, i detyruar t’i braktiste studimet për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, u kthye në atdhe dhe nisi angazhimin në gazetari.

Në vitin 1963, pas një retushimi të herëpashershëm, u botua romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Tematika e natyrës liridashëse të shqiptarëve që vërehet në këtë vepër, do të ishte kryefjalë edhe e romanit “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës.

Megjithatë, pena e Kadaresë nuk do t’i kursente as kritikat ndaj traditave prapanike të shoqërisë, siç rrok romani “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërpera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.
Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlërësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri më tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Më poshtë, bashkëlidhur gjendet kopja e dorëshkrimit të romanit të tij të parë, “Qyteti pa reklama” (u shkrua që në vitin 1959, por mbeti në dorëshkrim dhe u botua pas viteve ’90), dhuruar DPA-së nga autori më 24 maj, 2002. / KultPlus.com

Kryeministri Rama uron shkrimtarin Ismail Kadare për 86 vjetorin e lindjes

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot shkrimtarin me famë botërore, Ismail Kadare, me rastin e 86-vjetorit të lindjes.

“Edhe 100”, u shpreh Rama.

Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.

Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës. / KultPlus.com

Poezia madhështore e Ismail Kadare për Kosovën

Një nga vjershat e rralla të Kadaresë ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.

E hidhur vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zez mbi të ia mbërritën,
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartolemeu.

U ngritët ju viganë, fisnikë
Me korrektesë e madhështi.
Ngaqë kërkuat Republikë,
U shtypët si në monarki.

Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veg ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.

Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument,
Ju që e prekët historinë,
Dhe n’histori u kthyet vetë. / KultPlus.com

Gjinushi: Kadare, shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi e cilësoi sot Ismail Kadarenë si shkrimtarin më të  rëndësishëm të pesë shekujve të historisë së letërsisë shqipe, prej fillimeve të saj deri më sot.

Në fjalën e tij në një veprimtari shkencore-promovuese me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare, e cila u drejtua nga akad. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Saverina Pasho, dr. Ylljet Aliçka, Gjinushi tha se “Ismail Kadare është personaliteti shqiptar më i certifikuar me tituj shkencorë, intelektualë e moralë në Evropë e në shkallë globale në kohën e sotme”.

“Meritat letrare të Ismail Kadaresë janë të shpallura edhe në kryeqendra të tjera të letërsisë dhe kulturës botërore, që nga Franca deri në Korenë e Veriut, që nga SHBA e Spanja deri në Jeruzalem”, tha Gjinushi.

Kryetari i Akademisë e vlerësoi figurën e Ismail Kadresë si përfaqësim ndërkombëtar të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve në shkallë botërore.

“Sot vepra letrare e Ismail Kadaresë shërben si një pasaportë identiteti dhe si një histori alternative e popullit shqiptar përgjatë shekujve dhe sidomos në kohërat e reja. Kjo vepër ka qenë dhe mbetet një projekt me karakter evropian dhe një program i shkëlqyer i përurimit të vlerave të identitetit të shqiptarëve kundrejt botës”, tha akad Gjinushi.

Studiuesi francez Jean-Paul Champseix kujtoi periudhën kur jetonte në Shqipëri ku nisi kërkimin për elementët e veçantë të krijimtarisë së veprës së Ismail Kadaresë.

“Ideja për të parë mënyrën se si pritej vepra më erdhi kur punoja në Universitetin e Tiranës dhe në të njëjtën kohë lexoja Kadarenë. E pyesja veten se çfarë mund të mendonte vallë lexuesi shqiptar. Dhe natyrisht nuk kisha se si ta dija”, tha ai.

Ndërsa theksoi sesi e prezantoi librin në Francë duke e lexuar më parë në kontekstin letrar dhe historik në të tashmen e regjimit të Enver Hoxhës dhe egërsinë e tij totalitare, studiuesi francez e cilësoi veprën e Kadaresë, duke iu referuar “Pallatit të ëndrrave” si një bombë për diktaturën.

“Për Kadarenë, rreziku nuk është shumë i madh, sepse megjithëse unë jam munduar ta kontekstualizoj atë në periudhën e vet historike, vepra del nga kjo kornizë në sajë të cilësive të saj”, u shpreh ndër të tjera studiuesi francez Jean-Paul.

Shkrimtari i madh Ismail Kadare feston sot 86-vjetorin e lindjes./ KultPlus.com

Për të harruar një grua

Prozë nga Ismail Kadare

Po tani ç’të bëj, thashë me vete, duke vështruar me radhë flegrat e lagura, të mbufatura nga shiu. Pastaj qilimin, derën, prej nga pak kohë më parë ajo kishte dalë, hirnoren e cigareve, me fjalët “Hotel Turizmi” anash.

Një copë herë u vërtita nëpër dhomë, gjersa këmbët më çuan pranë derës. Qëndrova pikërisht te vendi ku ajo më kishte përqafuar ndërsa dilte, me një përqafim që s’ishte as ndarje dhe as premtim për diçka më të mirë. Një përqafim i tillë te dera, pas një pasditeje të stuhishme, përfytyrohej, zakonisht, në sfond të dënesës, të pendimit për fjalët e ashpra dhe me buzë që synojnë drejt njëra-tjetrës për të falur gjithçka. Por asgjë e tillë s’kishte ndodhur. Unë i kisha mbajtur duart në xhepa, madje i kisha rrasur më thellë dhe, i ngrirë si dru, ndjeva buzët e saj te qafa dhe pastaj te cepi i gojës dhe prekjen e furishme të flokëve. Mundimshëm ndjeva nevojën ta përqafoja, sipas ritualit mijëvjeçar të mbarimit të grindjeve, por një gips mortor, i ikur nga kushedi ç’shtatore, s’më la të lëvizja.

S’isha penduar për asgjë. Isha vetëm i lodhur.

Në hirnore, dhjetëra bishtat e cigareve, të rënë njëri mbi tjetrin, si në një masakër (të sajtë si të vrarët e njërës palë, asaj pale që për t’u njohur mbante një rrip të kuq, dalloheshin vërtet nga shenja e të kuqit të buzëve), jepnin më mirë se çdo gjë atë që kishte ndodhur: furinë, shpjegimin e vështirë, fajësimet e ndërsjella që i kishim bërë njëri-tjetrit, lotët e pafund të saj. Sikur të kishte gjëkund një muze të hidhërimit, do ta kisha çuar atë hirnore.

Isha i lodhur. Gojën e kisha të hidhur. Doja të pushoja me çdo kusht. Me mosbesim vështrova shtratin, velenxën sipër tij dhe nënkresën. Vërtet shpresoja se mund të flija? Më erdhi të qeshja, kaq e pamundur m’u duk kjo.

Shushurima e shiut vinte që jashtë zbutëse. Duhej ta harroja me çdo kusht, ta nxirrja nga vetja ime atë grua. Por, së pari, duhej të nxirrja atë mbrëmje. Ishte gjëja më e ngutshme.

Duhej ta nxirrja atë grua, sepse gëzimet që më jepte ishin përherë më të pakta se mërzia.

E gjeta veten duke lëvizur nëpër ato pjesë të dhomës ku kishim lëvizur dhe ishim zhvendosur të dy gjatë atyre orëve të çmendura. Dhe përsëri hirnorja me bishtat e cigareve më mbajti në vend. E mora, e ktheva në pëllëmbë të dorës atë grusht bishtash, si të kisha përpara syve një gjë të pabesueshme. Të ftohura, të shkrumbuara vende-vende, ishin tani ato që pak më parë kishin qenë më afër se çdo gjë tjetër pranë fjalëve tona, frymëmarrjes së furishme, pendimit, dënesës.

Iu afrova dritares, shtyva flegrën dhe i flaka përjashta, në terr. Kështu hidhet hiri i të vdekurve, kur e lënë me testament, mendova. Duhej ta harroja patjetër atë grua.

Të përdorja gjithë mekanizmin e trurit tim për ta zhvlerë-suar. Ta godisja nga pika të ndryshme, në mënyrë që, kur të vinte ora e harrimit, ta kisha të lehtë rrënimin e saj.

Kisha ende një keqardhje të fundit për këtë, por isha i bindur se s’kishte rrugë tjetër. Do të shtrihesha pas pak horizontalisht (e kisha vënë re se në atë qëndrim mendoja gjërat më shkatërruese) dhe do të filloja… Do t’i ndiente vallë buldozerët që larg, në shtratin ku, ashtu si unë, me siguri, nuk flinte?

Dhe, papritur, më shkrepi në kokë një mendim: e sikur ta shkruaja gjithë këtë? E shkruar, ndoshta kjo mbrëmje mund të nxirrej më lehtë nga vetja. Ta trupëzoja për ta vrarë më lehtësisht.

Ashtu do të bëja.

Për çudi, siç më ndodhte përherë në kësi rastesh, mendimi i të shkruarit më dha qetësi. Si avioni që e nxjerr trupin e vet nga zona e stuhisë, ajo ide, më shpejt se ç’e mendoja, më nxori nga gjendja delirante në një shtresë më të qetë, sipër furtunës.

Dhe më parë se ç’e prisja, fjeta.

E njoha Polin e Jugut që larg (dallohej shtypja, ashtu siç e kisha mësuar në gjeografinë e tetëvjeçares). Dëgjohej një goditje e mbytur veglash. Kur iu afrova edhe më, pashë se atë zhurmë e shkaktonin tre njerëz me shtat të shkurtër. Diçka po bënin me boshtin e tokës. Nuk u bezdisën aspak nga prania ime dhe vazhduan punën e tyre. Dukej si një riparim.

Nuk e di nëse i pyeta ç’bënin ashtu apo vetvetiu m’u bë e qartë: po bënin një ndreqje në bosht. Një ndryshim, me sa dukej, në shpejtësinë e rrotullimit. Prej kësaj do të sajoheshin ditë të ndryshme, jo njëzetekatërorëshe, si më parë, por tridhjetetet-orëshe. Kurse netët do të ishin njëzetedyorëshe. Sipas studimeve dhe pyetësorëve të ndryshëm, paskësh qenë më mirë kështu. Kisha përshtypjen se diku kisha lexuar në shtyp për këtë gjë.

Desha t’i pyes: e kur do të fillonte ky kalendar i ri, por, s’di se pse, i pyeta për tjetër gjë: meqenëse merreshin me gjëra të tilla, me siguri, mund të zbërthenin nga bota copa të kohës.

Posi, u përgjigjën ata. Pra, e bënin edhe këtë dhe ndihej që s’e kishin të vështirë.

O Zot, sa e thjeshtë paskësh qenë ajo që dukej e pamundur: të shkulja nga vetja gjithë atë hidhërim.

U mundova t’ua shpjegoja, doja të hiqja nga vetja ime një ditë ose, më saktë, një mbrëmje të hidhur.

Ata qeshën.

Një mbrëmje? Po ne punojmë me copa të mëdha. Gjysma shekujsh, dekada, shumë-shumë, me vite. Kurse ditët janë vocërrima. Megjithatë (vështruan veglat e tyre), ndoshta me ato më të imëtat mund të kapim edhe ditët.

– Ku është ajo ditë? – pyeti njëri prej tyre.

– Si? – ia bëra unë.

– Dita që doni të shkëputni, në ju kuptova drejt. Ju doni ta hiqni atë dhe të lidhni prapë fijet, apo jo?

– Pikërisht.

– Atëherë, ku është ajo?

O Perëndi, s’më kujtohej asgjë. U mbyta në djersë, por koka sa vinte më bëhej më e turbullt.

– Në mos viti, së paku, koha, – tha ai.

Por mua s’më kujtohej asgjë. Dija vetëm që ishte e hidhur, tepër e hidhur.

– Po çka ndodhi atë ditë? Ndoshta, kjo ju kujtohet, – tha ai. – Ç’perandori është përmbysur, ç’tërmet ka rënë?

Vështruan njëri-tjetrin, kur e panë që s’përgjigjesha. Pastaj sytë e tyre të lodhur u kthyen diku anash, atje ku në një shtjellë të largët vërtiteshin, me sa dukej, ngadalshëm perandoritë e rrëzuara, themelitë e tërmeteve dhe skelete shekujsh. Vërtite-shin zymtas, të përshkuar nga vetëtima të ftohta.

Asgjë s’më kujtohej. Vetëm shija e hidhërimit, e pazbut-shme, e patretshme.

Pastaj m’u duk se pashë diçka, një si trajtë fustani që e merrte era në një luhatje mortore.

– Një grua, – thashë. – Ishte aty, në atë ditë, një grua…

Ata qeshën, por ftohtë. Pastaj vështruan prapë veglat e tyre.

– Po të jetë ashtu, është e pamundur. Këto vegla s’bëjnë për atë gjë.

– Ma hiqni atë mbrëmje me atë grua, – ulërita.

U zgjova.

Zhurmërimi i shiut më kujtoi më parë se çdo gjë tjetër se ku ndodhesha.

Hotel. Dhe jashtë gjethnaja e rënë dhe kufomat e cigareve të masakruara, ku njëra palë mund të dallohej prej tjetrës nga rripi i kuq…

Ajo ishte aty pranë, disa hapa larg dhe, me siguri, ishte e paqetë dhe kishte makth, ngaqë, në një mënyrë ose në një tjetër, duhej të ndiente që unë përpiqesha ta varrosja.

1981./ KultPlus.com

‘Më vjen turp që jam shoqëruar me ty’, letrat që Ismail Kadare shkëmbente me rusen Ljuba

Një ndër librat e Ismail Kadaresë perceptuar nga vetë autori, si njëfarë bashkëbisedimi mes miqsh është “Ftesë në studio”.

Libri pasqyron disa copëza letrash që ai kishte shkëmbyer me vajzat ruse, me të cilat ishte shoqëruar gjatë kohës si student, në Moskë.

Ljuba, ishte njëra prej tyre. Një mikeshë të cilën autori, në kohën kur e ka shkruar letrën, kishte vetëm dy javë që e kishte njohur.

Ja çfarë i shkruan Kadare asaj, duke pasur në mendje letrën që Pushkini ia kishte dërguar Anne Kern:

“Ljuba ime e shtrenjtë. Një javë më parë kur me ndihmën e Zotit të shtiva në dorë (pa guxuar ta shkruaj krejt fjalën e ndyrë ruse, shënova vetëm shkronjën e parë j…. me tri pika), ishte vërtet një gjë e mrekullueshme, një ‘cudnoje mgnovjenje’, siç e shkruan Pushkini i madh.

Veç në mos më ke ngjitur triperin (në gjuhën tonë ai emërtohet me një fjalë me tingëllim madhështor skullamendo, e huajtur nga italishtja dhe që të kujton termat e muzikës, andando moderator, apo jo?), pra veç në mos ma ke ngjitur triperin, ndonëse një shkrimtar, Heminguej më duket, ka thënë se kur e marr prej teje edhe triperi më duket i mrekullueshëm.Kështu, pra, as ai s’ma zbeh dot dashurinë për ty, veç në mos e ke marrë prej ndonjë çifuti uzbek, se pavarësisht nga simpatia që kam për çifutet, kam dëgjuar se çifutet e Uzbekistanit e kanë triperin më të keq se sifilizin”.

Ja përgjigja që i kthen Ljuba:

“Që kishte në natyrën tënde diçka anormale, madje prej krimineli këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime, kur erdhe për të pirë çaj tek ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç kur i tregova letrën tënde të ndyrë, më tha se ti ishe më i keq se ç’e kishte menduar. Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë i shkretë sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije çaj me ty, ishte njësoj si të pije çaj me djallin. Edhe këto janë fjalë të nënës sime, e cila njësoj si unë e ndjen veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu duke asaj dhe tani më dukesh edhe mua, si mishërimi i së keqes…

Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e sidomos ndaj muzikës veneriane për të kuptuar se ç’përbindësh je. I poshtër gjer në fund, duke e parë se me prindët e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha “Zoti e ndjeftë”.

Më vjen shumë turp që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer shumë, shumë. Ljuba”

Të njëjtin zemërim shpreh edhe Llora, në një tjetër letër. Vetë shkrimtari e shpjegon kështu këtë kohë, në libër “Nga vinte kjo ndjenjë shkatërrimi, që kishte kohë që më kishte kapur? I prishja të gjitha lidhjet, i zëvendësoja me të përkohshme, të cilat ngutesha t’i prishja gjithashtu. Ishte pa dyshim, një sëmundje që zotëronte rreth e rrotull, por që mua më kishte zënë rëndshëm”.

Kadareja e shpjegon këtë krizë studentore, në romanin “Muzgu”. Por, pavarësisht zemërimit të Ljubës, ai është ndër të parët shkrimtarë që e ka cekur hapur këtë anë kaq njerëzore në jetën e një shkrimtari, duke treguar kohët e bukura të jetës studentore në Moskë dhe vajzat që takoi, të cilat ndikuan që ai të shkruante poezitë më të bukura për dashurinë. / KultPlus.com

‘Ti dhe hëna’, ndër poezitë me romantike nga Ismail Kadare

Poezi nga Ismail Kadare

“Ti dhe hëna”

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.

Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhem ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi./KultPlus.com

Si u dashurua Helena me Ismail Kadarenë

Ishte gjimnaziste kur botoi tregimin, i cili do të ishte filli i padukshëm i fatit me të cilin do të lidhej jeta e saj dhe e bashkëshortit të ardhshëm, që atëkohë që student pasuniversitar në Moskë dhe një prej yjeve të rinj të letërsisë shqipe.

“Pasi kishte lexuar këtë tregim, më shkroi katër rreshta: “Lexova tregimin tuaj të mrekullueshëm…”, do të kujtonte, ndërsa shtonte “Dhimitër Xhuvani, një shkrimtar nga Elbasani, i cili ndodhej edhe ai në Moskë, i kishte thënë Ismailit, që “e njoh unë këtë vajzë”. Kur erdhi në verë në Shqipëri, Ismaili më tha “nuk është se më pëlqeu vërtet ai tregim por kisha tjetër qëllim.” Kështu do të ndante shkrimtarja Helena Kadare me lexuesit nga Prishtina zanafillën e historisë së saj të gjatë të dashurisë me shkrimtarin.“Atë letrën nga Moska e mori vesh i gjithë gjimnazi në Elbasan. Unë iu përgjigja menjëherë, me disa faqe letër, por nuk më erdhi ndonjë përgjigje, ” ka thënë ajo për gazetaret Alda Bardhyli e Beti Njuma, ndërsa e pyesnin mbi detajet e dashurisë së saj me Ismail Kadarenë. Takimi i parë me shkrimtarin, ka kujtuar Helena Kadare, do të ndodhte në Tiranë pasi ai ishte kthyer nga studimet e tij në Moskë.“Rastësisht në Bulevard përballem me Ismailin i cili ishte me Nasho Jorgaqin. “Ja, kjo është Helena Gusho, siç kisha mbiemrin e vajzërisë”, i thotë Nasho. Ai aty për aty shënoi numrin e telefonit dhe më tha: “Më merr në telefon, se kam sjellë edhe disa filma dhe unë i shoh në tavan”, më tha. U mahnita shumë! Ma tha troç: “Hajde të shohim filma në tavan”.

“Atë letrën nga Moska e mori vesh i gjithë gjimnazi në Elbasan. Unë iu përgjigja menjëherë, me disa faqe letër, por nuk më erdhi ndonjë përgjigje ”.

Gjimnazistja dhe më vonë studentja e letërsisë nisi karrierën si shkrimtare duke botuar romanin e parë “Një lindje e vështirë” në vitet ’70, e shoqëruar nga syri kritik i të shoqit, i cili kishte në atëkohë famën si një prej shkrimtarëve më të mirë të vendit. “Kam shkruar shumë herët, por lidhja me Ismailin më bëri të mendoja se, çfarë do të thoshte ai, për ato që unë shkruaja. Ma lexoi fillimisht ai atë roman. “Mirë, nuk është i keq. Por jo kush e di se çfarë. Mos kujto se çfarë ke bërë”, më tha”, ka kujtuar më tej ajo, ndërsa pas romanit të parë erdhën “Bashkëshortët”, “Një grua nga Tirana”, “Kohë e pamjaftueshme”. E pyetur e çfarë mendonte ajo kur shkrimtari e shndërronte marrëdhënien e tyre dhe atë vetë në personazhe të romaneve të tij, siç ishte Ana tek “Përbindëshi”, Helena Kadare do të thoshte “Po, por ai vetë nuk ka qenë koshient, sepse ia kanë bërë këtë pyetje edhe shumë herë të tjera. “Pse ashtu është?! Jo nuk është ashtu”. Anën, e ka një personazh shumë të dashur, e ka përdorur shpesh.

Megjithatë, Helena Kadare, nuk e mendonte se ishte ajo personazhi. “Ky është një nder shumë i madh. Dhe i thosha vetes se është dikush tjetër, jo unë.”Por nuk ishte vetëm ajo personazh i romaneve të Ismail Kadaresë, ishin edhe historitë e dashurisë nga koha e studimeve në Moskë.“Në fakt me historitë por edhe jetën e tij në Moskë u njoha më herët, nga poezitë e tij, por edhe nga ditarët, që ia gjeja e lexoja te shtëpia e tij. Dhe si të thuash, u vaksinova për këtë pjesë.” Ditari, kujtonte shkrimtarja ishte i mbushur me Juba, Tanja e shumë të tjera. “Ai ma përsëriste shpesh: “Ti po të duash edhe ik, se unë nuk kam ndër mend të martohem”. Unë ia ktheja: “Kush ka ndërmend të martohet me ty?!” Përpiqesha të dukesha sa më origjinale.”Jetën në krah të shkrimtarit të madh, Helena Kadare e ka sjellë të rrëfyer në “Kohë e pamjaftueshme”, librin autobiografik që nisi ta shkruante në vitin 1996, në Dubrovnik, edhe pse e dinte se do të ndeshej me kundërshtitë e shkrimtarit që nuk i parapëlqente librat autobiografikë.

“Në fakt me historitë por edhe jetën e tij në Moskë u njoha më herët, nga poezitë e tij, por edhe nga ditarët, që ia gjeja e lexoja te shtëpia e tij. Dhe si të thuash, u vaksinova për këtë pjesë.”

“Ai thoshte se nëse duhet të shkruash diçka, duhet ta shkruash në mënyrë të tillë që ta pëlqejnë ballkanasit, sepse ata vetë, i shpërdorojnë këto gjëra dhe më tepër janë narrativë, në mënyrë gojore.”Këshilla e Ismail Kadaresë për të shoqen ishte që t’i rrëfente me saktësi ngjarjet, ashtu si kishin ndodhur. “Duhet t’i thuash pa tabu. Mos u ndiko, as nga unë as nga ndokush tjetër!”Shkrimtarja ka rrëfyer se kjo i shërbeu t’i shkruante kujtimet pa drojë dhe se Ismail Kadare e mësoi t’i shkruante ato që mendonte pa bërë dredhi, “sepse lexuesi ka ndjeshmëri të jashtëzakonshme, që e kap menjëherë, kur përpiqesh të rrotullosh historinë, për të fshehur diçka.”Në rrëfimin retrospektiv Helena Kadare u ndal edhe tek jeta jo fort e lehtë gjatë komunizmit, ndërsa ka veçuar në disa momente që i kanë lënë shenjë edhe sot, një prej të cilëve ishte nga koha kur u botua poema “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, e njohur si “Pashallarët e kuq”.

“Ti po të duash edhe ik, se unë nuk kam ndër mend të martohem”. Unë ia ktheja: “Kush ka ndërmend të martohet me ty?!” Përpiqesha të dukesha sa më origjinale.”

“Ai ka qenë një moment shumë-shumë i vështirë sepse ndodhi që ai kishte çuar një cikël me poezi te gazeta “Drita” dhe priste botimin në numrin e të dielës së radhës. Ishte një e diel me shi dhe unë, për habinë time, ndjehesha edhe pak euforike. Të dielave ne na thërrisnin aktivistet e lagjes, për të pastruar shkallët e pallatit dhe oborrin. Nga që binte shi unë mendoja “O sa mirë ajo gruaja nuk do na thërrasë sot”. Erdhi gazeta “Drita” poshtë derës. Unë e pashë dhe i thash Ismailit, “nuk është botuar cikli yt”. “Ashtu”, tha ai dhe u pre.”

Helena Kadare ka rrëfyer se poemën për të cilën e kishin kritikuar nuk e kishte lexuar më parë. “Pas kësaj filloi një histori, që ishte më e rënda nga të gjitha sepse u mblodh edhe Komitetit Qendror, u angazhua vetë Ramiz Alia dhe u thanë gjërat më të llahtarshme që mund të thuheshin, “Ti je armik”, “I hap rrugën imperializmit”. Ai ishte shumë i dëshpëruar, e dinte shumë mirë se çfarë kishte bërë. Pasuan ditë shumë të rënda…”Frika ishte ajo që i shoqëronte pas çdo botimi të ri. “Por ai nuk ligështohej”, ka thënë ajo Asnjëherë nuk pati kufizim brenda vetes, për të mos thënë diçka. Mënyrat dhe marifetet e tij, ishin të atilla që ajo që shkruante të kalonte por gjithsesi.”

“Unë do iki, por ti dhe vajzat do të internoheni”. “Nuk ka gjë”, thosha “unë jam e fuqishme dhe do të punoj në internim, por ti bëje atë që mendon dhe që e do”.

Helena Kadare në rrëfimin e saj është ndalur edhe tek marrëdhënia e çiftit me familjen e diktatorit Hoxha. “Ne kemi qenë te familja Hoxha në vitin 1971.”Kohë kur Ismail Kadare do të shkruante Dimrin e Madh “dhe kishte kërkuar nga Arkivi, dokumentacionin e mbledhjes së 81 partive në Moskë. Ne shkuam dhe ishim në një ankth të madh sepse Enveri dukej një figurë e paarritshme. Ndërsa ishim duke biseduar me Nexhmijen, në mes të bisedës erdhi Enveri. Biseda ishte shumë interesante sepse ai tregoi shumë gjëra, jo vetëm për atë mbledhje, por edhe nga Gjirokastra, sepse ata ishin banorë të së njëjtës rrugicë. Ankthi, ishte i madh, për kohën që qëndruam atje.”

Shkrimtarja ka kujtuar edhe frikën pas çdo udhëtimi jashtë Shqipërisë të bashkëshortit. “ E kemi diskutuar disa herë bashkërisht, ikjen e tij në vitin 1983. “Unë do iki, por ti dhe vajzat do të internoheni”. “Nuk ka gjë”, thosha “unë jam e fuqishme dhe do të punoj në internim, por ti bëje atë që mendon dhe që e do”. “Ai -Enver Hoxha- do të vdesë nga dëshpërimi nga ky gjest që unë do të bëj”. Ramë dakord të dy. Për gjatë një nate bëmë gati valixhet. i hapa astarin, futi dorëshkrimet dhe ia qepa, me mendimin se nuk do të kthehej…”

E ndalur në kohët e sotme, ku jeta e çiftit Kadare është e vendosur mes Tiranës dhe Parisit, Helena Kadare thotë se përditshmëria vijon të mbetet e njëjta. “Ai është “Princi” që nuk di të bëjë asnjë punë që e do çdo gjë gati dhe unë që vazhdoj t’i bëj njëlloj si të gjitha gratë shqiptare.”, ka thënë ajo, ndërsa çdo ardhje në Tiranë e sheh si gëzim të vazhdueshëm. “Madje, i kërkoj Ismailit që të rrimë në Tiranë, por kam vënë re se klima në Tiranë e lodh dhe e dëshpëron, sepse, për hir të së vërtetës ka edhe shumë agresivitet, të cilin ai e ndjen më thellë, sesa unë.”Nga libri i saj me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”, zbulon se nuk ka harruar asgjë, por ishte Ismail Kadare që i hoqi rreth njëqind fare. “Ka hequr ca kujtime të mikeshave, shoqeve të mia. “Po çfarë i ke këto, kot?!”, ka përfunduar shkrimtarja, ndërsa është ndalur në etapat e një historie të gjatë dashurie e cila zuri fill me atë tregim të shkruar nga një gjimnaziste. / KultPlus.com

Sot, Ismail Kadare sot feston 86 vjetorin e lindjes

Më 28 janar të vitit 1936, 86 vite më parë, lindi poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Kadare lindi në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike, transmeton kp.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013./ KultPlus.com

‘Shqiptarët janë vrarë me njëri tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë’

Fragment nga ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare.

Shqiptarët janë një popull i ashpër e i prapambetur. Atyre që kur janë foshnja, u vënë në djep pushkën, kështu që pushka bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre. Duke u bërë që në vogëli një pjesë e qenies së tyre, si një element bazë i jetës së tyre, pushka ndikon drejtpërdrejtë në krijimin e psikikës së shqiptarit.

-Por një gjë që njeriu e do dhe e adhuron me gjithë shpirt, natyrisht që ka qef edhe ta përdorë. Po përse mund të përdoret më mirë pushka?
-Për të vrarë njerëz. -tha gjenerali.

-Ashtu është. Shqiptarët gjithmonë kanë pasur dëshirë të vrasin ose të vriten. Ata janë vrarë me njëri-tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë. Ata në luftë i shtynë instikti i vjetër. Keni dëgjuar për gjakmarrjen? Kjo është një nevojë e diktuar nga natyra e tyre.

Në paqe ata trullosen si gjarpëri në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre. Lufta është gjendja normale e këtij vendi. Prandaj ata në luftë janë të egër, të rrezikshëm dhe të bëjnë dëm më shumë seç duhet./ KultPlus.com

‘Që biri të flinte i qetë gjer n’agim, mesnata për nënën s’do ketë mbarim’

Poezi nga Ismail Kadare

Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi 
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji. 

Mesnatës së shurdhër, së errët, së shkret’ 
do ngjisë ai traktet kudo në qytet. 

-Mesnatës ti sonte, o nënëë, me zgjo! 
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo. 

Ai si i vdekur në gjumë ra pastaj 
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj. 

Shikon ajo traktet dhe lutet për të 
“Fli, biri i nënës, se ora s’është një”. 

Akrepi lëviz, me ngadale lëviz 
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis. 

Në ëndërr ai buzëqesh e po sheh, 
një fushë të bukur, një qiell pa re. 

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon, 
në fushë të sahatit me dorë tregon. 

Akoma akrepi s’ka shkuar në një, 
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po fle. 

Por befas në fushë u dëgjua që larg 
një krismë përreth: trak a trak, trak a trak! 

Dhe nëna u zhduk si ne mjegull atje, 
sahati i thyer seç ra përmbi dhe. 

I mbytur në djersë u zgjua ai 
“O nënë”, dhe dorën e vuri në gji. 

Atje trakte s’ka. “O nënë ku je?” 
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re. 

“O nënë!”, por nëna nuk është më përqark 
diku mitralozi troket: trak a trak! 

Diçka nëpër mendtë atij shpejt i erdh’ 
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh. 

Në dor’ revolverin, në rrugën e shkret’ 
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet. 

“O nënë, o nënë, o nënë, ku je?!”
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje. 

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo, 
“Ndal!” ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo! 

N’agim afër pyllit, ëe an’ të një përroi 
pas drurëve ai u mbështet e vajtoi. 

…Që biri të flinte i qetë gjer n’agim, 
mesnata për nënën s’do ketë mbarim. /KultPlus.com

”Le Monde” analizon veprën e Ismail Kadaresë

Kadare vjen i përkthyer në gjuhën frënge, nga violinisti i njohur, Tedi Papavrami. 

Me botimin në frëngjisht të kësaj vepre të shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, prestigjiozja ”Le Monde” i bën një analizë veprës së tij, që zë fill me ngjarjen e vitit 1934, me telefonatën e famshme të udhëheqësit sovjetik Josif Vissarionovich Stalin me shkrimtarin nobelist, Boris Pastërnak.

Telefonata ka në qendër poetin rus Ossip Mandelstam, i cili, Stalini e konsideronte si ‘malokun e Kremlinit’.

Stalini e di, se Pastërnaku dhe Ossip Mandelstam janë miq dhe për këtë arsye, ai kërkon një lloj aprovimi prej tij, teksa ky i fundit i përgjigjet se, thjesht, janë të ndryshëm. Një përgjigje sa diplomatike, aq edhe lloj ‘tradhtie’ e tij, Pastërnakut, ndaj mikut të tij. Megjithë qëndrimin nga ana e tij, gjatë kohës që Stalini fliste me Pastërnakun, miku i tij poet, Ossip Mandelstam ishte dënuar.

”Le Monde” shtron pyetjen sesi do të ishte sjellë Kadareja në një situatë të tillë, nëse do të ishte në vendin e Pastërnakut dhe çfarë e tërhoqi shkrimtarin shqiptar ndaj këtij episodi, për të shkruar “Kur sunduesit grinden”.

”Le Monde” shkruan:

Së pari, faktet ose sa pak dimë rreth tyre.

Skena zhvillohet në Moskë, në vitin 1934. Pasditen e 23 qershorit, shkrimtari Boris Pasternak (1890-1960) – autori i ardhshëm i romanit të famshëm ”Doktor Zhivago” (1957) dhe Nobelist në Letërsinë më 1958 – merr një telefonatë të papritur, nga shoku Stalin.

Udhëheqësi suprem i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dëshiron të flasë me të, për poetin rus, Ossip Mandelstam (1891-1938). Ai e di se dyshja, Mandelstam dhe Pastërnaku, janë miq. Disa muaj më parë, në vjeshtën e vitit 1933, Mandelstam kompozoi Epigramin e tij të famshëm kundër Stalinit, me titullin “Xhelat dhe vrasës i muzhikëve”.

Poeti rus Ossip Mandelstam, e konsideronte dhe e përshkruante Stalinin, si “malokun e Kremlinit”. Madje, ai gjeti fjalë të tilla, si: Gishtat e tij janë të yndyrshëm si krimbat/ Fjalët e plumbave i bien nga buzët./ Mustaqet e kacabunjtë që përqeshin/ Dhe lëkura e çizmeve që i shkëlqen.”

Kur Stalini telefonon Pastërnakun, Mandelstam sapo është arrestuar dhe dënuar. Poeti do të vdesë katër vjet më vonë, në një kamp tranzit, gjatë rrugës për në Kolyma.

Por, le të kthehemi në vitin 1934, te kjo telefonatë mitike – që e hasim trajtuar nga pena e shumë autorëve sovjetikë që shkruan për epokën e Stalinit.

Kësa here është shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, ai që shkruan për këtë temë, gati nëntëdhjetë vjet pas ngjarjes. Autori i romanit ”Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” (1963) i shpjegon mosmarrëveshjet që në krye. Kadare ishte vetë student në Moskë, në vitet 1950. Aty, në Institutin Gorki, dëgjoi për herë të parë për këtë telefonatë, mes Stalinit dhe Pastërnakut. Prej atëherë, ai nuk ka reshtur së menduari për të. A e vulosën fatin e poetit, ato tre-katër minuta komunikim në telefon? Pse e telefonoi Stalini, Boris Pastërnakun? A kishte ai dyshime për fatin që do t’i rezervohej Mandelstamit, në një kohë kur “emri i poetit lakohej dhe përgojohej nga të gjithë”? A donte ta vinte në provë Pastërnakun? A e kishte tradhtuar ai, mikun e tij? Pastërnaku, ishte i befasuar nga telefonata?

Thuhet se kur Stalini e pyet Pastërnakun, se: “Çfarë mendon për Mandelstamin?”, ai supozohet të jetë përgjigjur: “Thjesht, ne jemi të ndryshëm, shoku Stalin.” Të ishte kjo, provë e mospranimit nga ana e tij? Çfarë do të kishte bërë Kadare në vend të tij? Dhe çfarë e tërhoqi kaq shumë, Kadarenë, në ato pak minuta që e ndoqën edhe në ëndrrat e tij?

Trembëdhjetë versione:

Apriori, struktura e tregimit është e thjeshtë; në fillim të librit, e shohim autorin në pleqëri, duke tentuar të shkruajë romanin e këtij episodi.

Duke ia përshkruar botuesit që ka plot mëdyshje: “Poeti dhe tirani, nuk duhet të gjendeshin kurrë në të njëjtën anë. Pastaj, Kadare e lë mënjanë dhe zbërthen versionet e ndryshme që ai mundi t’i bashkonte kësaj telefonate. Jo më pak se trembëdhjetë: KGB-ja, zonja dhe miqtë e Pastërnakut dhe shkrimtarë të tjerë… Çdo herë, nuk është as i njëjti version dhe as krejt i ndryshëm. Asnjë prej tyre, nuk duket as krejtësisht i rremë, as plotësisht i besueshëm. Më i çuditshmëm, apo më ironik është fakti se, Stalini ia mbylli telefonin Pastërnakut si të ishte dikush që mishëronte një lloj “rreptësie morale”: “Je një shok shumë i keq, shoku Pastërnak! /KultPlus.com

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i pafund

Poezi nga Ismail Kadare

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i pafund.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
I mpirë është gëzimi, thua s’ngjallet dot.
Apo si ai q’u dergj nga një lëngatë e gjatë.
S’do mëkëmbet kurrë ashtu siç qe?

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i ftohtë ish.
Në pusin e ndërgjegjes mezi ndihen
Tinguj kambanash si rënkim të mbyturish.
Ato gjithashtu vdiqën, dot s’i ngjall,
Sa gjëra u vyshken, më e keqe se vetë vdekja
Ish vyshkja e tyre e ngadaltë, o zot.

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i pashpresë ish.
Kinezët që s’duken më në udhëkryqe rrugësh
Por vetë ata s’kanë vdekur: qelqe dritaresh
Të stilit q’ata sollën vezullojnë ngriraz
Duke dërguar ftohtësinë e tyre
Mbi mijëra fytyra si prej maske kalimtarësh

Sa kohë vallë do t’i duhet
Genit të rracës atë maskë ta shpëlajë?
Apo në luftën e maskës me lëkurën
Maska do të fitojë më në fund?

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i acartë ish,
Mbi varrin e tiranit monoton
Shiu po bie. Ka gjumë a s’ka nën dhè?

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i vrerosur ish.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
Nën pluhur tempujsh, i lodhur shpirti im./ KultPlus.com

Ismael Kadaré author 2005

‘Dimri si perandor kinez ngjyrën e verdhë kudo e ndjek’

Poezi nga: Ismail Kadare

DIMRI

Dhe vjeshta i shkoi ‘fletët e saj’
i vërtit era, i perpjek
dimri si perandor kinez
ngjyrën e verdhë kudo e ndjek.

Dhe këto re qe tani vijnë
ndryshe nga retë e gjertanishme
të shkretat janë pa vetëtima
porsi djerina te mërzitshme.

Veçse nën to qyteti zien
me drita,zhurma dhe trafik
dhe flokët e tymta të uzinave
mbi supe i bien madhërisht.

Ja horizonti i bardhë i dimrit
përballë peisazhit që leviz
harxhon të fundmen vetëtimë
si reporteri të fundit blic. /KultPlus.com

Akademia e Shkencave organizon takimin “Ismail Kadare, një disidencë letrare”

“Ismail Kadare, një disidencë letrare” do të jetë tema e veprimtarinë shkencore-promovuese që do të mbahet nga Akademia e Shkencave në ditëlindjen e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare.

Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2022, ora 11:00 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në sallën “Aleks Buda” me pjesëmarrjen e studiuesit Jean-Paul Champseix, autor i librit Ismaïl Kadaré – une dissidence littéraire (nominuar për çmimin “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”), shqipëruar nga Irena Rambi e Bashkim Shehu.

Fjala e hapjes do të mbahet nga akad.Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave.

Veprimtaria do të drejtohet nga akad. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Saverina Pasho e dr. Ylljet Aliçka. Në këtë aktivitet do të kumtojnë: studiuesi Jean-Paul Champseix, akad. Matteo Mandalà, Bashkim Shehu, Ilia Lëngu, Irena Rambi, Ilir Yzeiri. Pas kumtesave do të bëhet Shpallja e Vitit të akademizmit shqiptar nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.

Do të prezantohet ekspozita e botimeve të Ismail Kadaresë (një bashkëpunim midis Bibliotekës së Akademisë së Shkencave, Bibliotekës Kombëtare, Shtëpisë botuese “Onufri” dhe Shtëpisë botuese “Fan Noli”).

Veprimtaria do të zhvillohet me pjesëmarrje fizike dhe online në linkun: https://us02web.zoom.us/j/89230235815…Meeting ID: 892 3023 5815Passcode: 889000 / KultPlus.com

Kur Kadare pyeste Pjetër Arbnorin: A dashurohet i burgosuri me qelinë?

Nga Edison Ypi

Zoti Pjetër, iu drejtua Ismail Kadareja, Pjetër Arbnorit gjatë një vizite në shtëpinë e Kadaresë ku veç Arbnorit ndodhesha dhe unë e ca të tjerë, a është e vërtetë se pas një kohe të gjatë në burg, i burgosuri dashurohet me qelinë?

-Po udhëtoj nëpër botë, tha Arbnori, po shoh qytete të kristalta, grataçiela marramendës, autostrada si gjarpërinj të zinj kilometrikë, ura të varura të bukura si nëpër ëndrra. Po vizitoj ekspozita dhe muzeume të arteve figurative me vepra madhështore me tu mbush trupi me mornica. Por rrëqethja estetike që nuk më shqitet asnjë çast nga mendja; betoni i mureve të qelisë me pllanga gjaku të tharë, fije flokësh të ngjitur, copa lëkure ngecur nëpër plasatitje, gërvishtje nga prangat dhe goditjet, është kryevepra e kryeveprave. Po, i burgosuri dashurohet me qelinë. / KultPlus.com

Poezia e Ismail Kadaresë për Skënderbeun

Në kujtim të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, KultPlus iu sjellë një poezi të shkruar nga poeti Ismail Kadare.

Portreti i Skënderbeut

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë./KultPlus.com

Ismail Kadare: Një nga të këqijat e shqiptarëve është se e duan më pak se të tjerët kombin

Ismail Kadare, ka dhënë një nga shpjegimet më të mira për largimin e shqiptarëve nga vendi dhe për detyrat që ka shteti shqiptar, për të mos lejuar që kjo të ndodhë.

Ai e ka dhënë këtë intervistë, nga ku po shkëpusim këtë fragment, për gazetaren Rudina Xhunga, në Jeruzalem, ku nënvizoi krahasimin mes një vendi të vogël si Izraeli, që nuk i mbyll sytë për hebrenjtë kudo janë, gjë që duhet ta bëjë Tirana për shqiptarët kudo ndodhen.

Kadare, shprehet:

“Popujt nuk jetojnë me filozofira, me ide që të bëjnë kalkulime a ka gjë që më mban në këtë vend, apo nuk ka. Ngulitja e qenies njerëzore është e natyrshme, kështu ka lindur qytetërimi. Qytetërim do të thotë ngulitje, dmth në fillim ka qenë rryma që janë ndeshur; nomadizmi ata që donin të ecnin vazhdimisht, të mos nguleshin askund dhe ata që papritur iu lindte në kokë ideja që të mos lëvizim, të rrimë në një vend. Një rol të madh në ngulitjen, kane luajtur grate dhe sidomos gratë shtatzëna pasi një grua shtatzënë nuk ecën dot dhe mesa duket ato miliona gra anonime në botë, në miliona mënyra kanë krijuar trysni te burrat që te mos lëvizin. Kështu që lindën dy rryma, nomadët dhe sedentarët, u bënë armiq për vdekje, ata që kishin atdhe dhe ata që nuk kishin atdhe.

Kështu lindi qytetërimi, dmth u rrethua “vendi ku do rrimë”, ta mbrojmë atë vend ku do rrimë, të kemi varret dhe kujtimet dhe kështu u krijuan gjuhët, kujtimet historike, ai vullnet i përbashkët që njerëzit të rrinë bashkë, të jenë të afërt për njëri-tjetrin.

Unë mendoj se një nga të këqijat e shqiptarëve është se e duan më pak se të tjerët kombin, kur them si të tjerët, them si evropianët e tjerë. Kombi është një strukturë e verifikuar nga historia sot, e pranuar nga historia moderne, nuk është e përsosur si strukturë dhe në emër të tij janë bërë spekulime, por spekulime ka me çdo koncept të shenjtë

Çfarë jemi ne? Unë nuk di se si pas asaj Rilindje të ndritur shqiptare kombëtare, e cila u ndërtua e gjitha për dashurinë e Shqipërisë ndaj kontinentit të vet që e kishte humbur dhe e rigjeti, filloi një proces i kundërt pas rënies së komunizmit dhe nisi vënia në pikëpyetje: çfarë janë shqiptarët, çfarë identiteti kanë? A janë europianë, apo nuk janë europianë? Kjo është një tezë thellësisht armiqësore për Shqipërinë, nuk dua të abuzoj se fjala armik abuzohet shumë , por kjo është teza bazë e Cubriloviçit, qe shqiptarët nuk janë evropianë dhe duhet të ikin nga Europa. Ai e thoshte hapur duhet të shpërngulen, të shpëtojë Europa nga një rrezik i ardhshëm, e ka thënë fare hapur t’i bëjmë thirrje hoxhallarëve që të bindin familjet shqiptare të shkojnë në Turqi se atje është më mirë se këtu, me nëntekstin se shqiptaret, i përkasin Turqisë, ata nuk janë evropianë.

Mendoj që është urgjent botimi i draftit të tij, rreth 50 faqe, është botuar në kohën e Zogut, është botuar nga një patriot i madh shqiptar, pikërisht për të parë shqiptarët se çfarë i kërcënon.

T’i sjellim Hoxhë, thotë nga Turqia, që t’i bindim shqiptarët sesa mirë është në Turqi dhe t’u bëhen lehtësitë e nevojshme me trena, me leje dhe madje lë të kuptohet që jepet edhe shpërblim për të ikur. Këtu është edhe ajo që ne nuk flasim i fshehim, marrëveshjet e fshehta turko-serbe, Turqia të fitojë disa miliona shqiptarë që i fitoi dhe Serbia për t’i shkulur nga Ballkani dhe është e hidhur kjo që po them dhe s’do doja ta them, ky është një projekt i vjetër për zbrazjen e trojeve shqiptare nga shqiptarët.

Nuk ka si ta shpjegoj ndryshe, është e njëjta gjë që vazhdon prej vitesh.

Sigurisht që i japin dorë edhe vetë shqiptarët, nuk bëhet asgjë pa shqiptarët, sigurisht Shqipëria ka gjithmonë pjesën e saj të përgjegjësisë ne braktisjen e Shqipërisë nga shqiptarët.

Ne po e bëjmë këtë intervistë në Izrael, jemi këtu në Jeruzalem, ky qytet relativisht i vogël merret me tërë botën, ky preokupohet, “nuk e zë gjumi” për hebrenjtë në gjithë botën.

Edhe pse ne të mos bëjmë si ta, pse Shqipëria të mbylle sytë, siç ndodh. Ne nuk dimë shumë gjëra, por së paku të dimë atë që me duart tona të mos e prishim atë çka kemi.

Shpesh, dëgjoj që ka 5 milionë shqiptarë në Turqi. Ku kanë shkuar këtë 5 milionë shqiptarë? Pse nuk është marrë vesh si këta 5 milionë shqiptarë, nuk paskan një shkollë në Turqi, nuk paskan një gazetë, nuk paskan një rreth kulturor, nuk paskan 5 mijë veta që dinë gjuhën shqipe?

Ka vend në botë që ndodhe kjo? Si kanë ikur nga kontinenti europian në një kontinent tjetër midis një komploti të heshtjes të çuditshme. Edhe ne Greqi, kur flitet problemi i çamëve, unë nuk e di sesa sqarohet vërtetë, kjo shpërngulja e çamëve si u bë? Çamëria është katandisur një gjë e vogël fare, ne krahasim me çfarë ka qenë. Kjo nuk është kaq e thjeshtë. Asgjë nuk është aq e thjeshtë sa kujtojmë.”- e mbyll Ismail Kadare, intervistën për gazetaren Rudina Xhunga. /KultPlus.com

Letra e Mehmetit, për Enverin: Ismail Kadare mund të shërohet!

Pas kritikës së Enver Hoxhës për Ismail Kadarenë dhe poemën e tij “Pashallarët e kuq”, Mehmet Shehu, në një letër drejtuar Hoxhës shkruan se shkrimtari mund të shërohet. Pjesë të kësaj letre, të 20 tetorit 1975, mund të lexoni më poshtë:

“…ideologjike, te marksizëmleninizmit, të vijës së partisë sonë, të luftës së klasave e ligjeve të saj, veçmas nuk njeh praktikën e luftës së klasave gjigandeske e të pëshëmbullt që ka bërë dhe bën partia. Mund edhe të gaboj kur them se Ismail Kadareja mund të shërohet, por unë e kam akoma vetë bindje, sepse Ismaili i ka kënduar Partisë, Luftës nacionalçlirimtare, popullit jo njëherë, dhe ka bërë vepra të mëdha në këtë drejtim. Poema e tij “Përse mendohen këto male”, është me partishmëri të lartë. ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, ‘Kështjella’, ‘Qyteti i gurtë’, janë nga romanet më të mira, si nga përmbajtja dhe nga ana artistike.

‘Dimri i vetmisë së madhe’, megjithë boshllëqet ideologjike, është një vepër e madhe që ngre shumë lart luftën e partisë dhe është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i Partisë dhe i popullit… Dhe, mesa di unë, Ismaili e ka ripunuar këtë roman për të ndrequr gabimet e bëra. Edhe me mua ka biseduar për këtë e ka bërë autokritikë. Romanin ‘Dasma’ ai e ka dënuar vetë si dështim etj. Për nga origjina, dihet se Ismailin s’e lidh gjë me armikun. Ai ndoshta ka dashur të fus në vjershë luftën kundër grupit të kompllotistëve e kundër burokratizmit. Por, në këtë orvatje, dështoi.

Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do t’i kuptojë gabimet e rënda. Përsa i përket konfuzionit që kanë dhe disa nga shkrimtarët e tjerë më të mirë në lidhje me luftën e klasave, luftës kundër burokratizmit etj., mjafton të përmëndim dy vepra të gabuara, për mendimin tim, të Dritëro Agollit: a) Romani ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se rendi ynë është kalbur me burokratë të pandreqshëm si Zylua etj.; b) Drama ‘Fytyra e dytë’, në fillim ishte një dramë që e nxinte situatën e rendit tonë sepse këtu sundonin burokratët. Pastaj pas disa kritikave kjo dramë ka vjet që jepet. Por, romani mbi burokratin Zylo është në qarkullim. Dhe, megjithatë, më vonë siç duhet, Dritëroi shkroi poemën e mrekullueshme ‘Nëna Shqipëri’.

Ju e dini vetë më mirë se puna me shkrimtarët është delikate, ata duhen edukuar vazhdimisht. Dhe, vetëm kur kalojnë krejtësisht në anën e kundërt, ndonjëri, si p.sh. Fadil Paçrami, duhen fikur e dënuar. Mendoj se Ismaili nuk ka shkuar gjer në atë shkallë. Këtyre njerëzve ne duhet t’u ndihmojmë duke u vënë në dukje gabimet e të metat, t’i edukojmë e të përpiqemi t’i shpëtojmë gjer në funt. Pastaj po e kaluan barrikadën për m’atanë, më qafë paçin vehten. Kështu mendoj unë. Por mund edhe të gaboj në mendimin tim. Sidoqoftë unë jam dakort si të vendosni ju”. 

Përgatiti: Dashnor Kaloçi / KultPlus.com

‘Ti dhe Hëna’

Poezi nga: Ismail Kadare

Ti dhe Hëna

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu
Retë shtuhen me vrap pa reshtur
Hëna duket aty-këtu

Porsi retë mendimet e mia
Po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të kurse ti
në ëndërrimet e mia përjetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi. /KultPlus.com

50 vjet nga botimi i romanit “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë

“Kronikë në gur”, ndër romanet e para të shkrimtarit Ismail Kadare shënon 50 vite nga koha e botimit të parë.

50 vjetori i botimit të një prej veprave thelbësore në krijmatarinë e Kadaresë u kujtua me një aktivitet artistik në shtëpinë e autorit në Tiranë, e hapur tashmë për publikun. Mes dhjetra të pranishmëve performuan kuarteti i harqeve Archidea dhe sopranoja, Simona Karafili.

Romani sjellë Gjirokastrën, vendlindjen e Kadaresë dhe ngjarjet që shoqëruan autorin në vitet e fëmijërisë. Ndërsa atmosfera e ngrohtë e krijuar në shtëpinë studio Kadare, të kujton fragmente të përshkruara aq mjeshtërisht në romanin, ku Kadare ripa me sytë e një fëmije vitet e para të jetës së tij.

Më poshtë KultPlus ju sjell një fragment nga romani:

“E merrja me mend se si pikat e panumërta rrokulliseshin tani në faqet e pjerrëta të çatisë sonë, duke shpejtuar të binin sa më parë në tokë, që pastaj të avulloheshin dhe të ngjiteshin prapë atje lart, në qiellin e bardhë. Ato nuk e dinin se në strehët e çatisë i priste një grackë e panjohur, qyngji prej llamarine.

Tamam në çastin kur bëheshin gati të kërcenin nga çatia në tokë, pikat e shiut gjendeshin befas në qyngjin e ngushtë, bashkë me mijëra e mijëra shoqe të tjera, që pyesnin të frikësuara: ‘Ku po shkojmë kështu, ku po na çojnë?’ Dhe, pa e mbledhur veten mirë nga ky vrap i çmendur nëpër qyngj, binin papritur në një burg të thellë e të errët, në sternën e madhe të shtëpisë sonë.

Kështu merrte fund jeta e lirë dhe e gëzuar e pikave të shiut. Atje, në sternën e errët e të shurdhër, ato do të kujtonin pastaj me pikëllim hapësirat qiellore, që nuk do t’i shihnin më kurrë, qytetet e habitshme poshtë tyre dhe horizontet plot me vetëtima.

Vetëm unë ndonjëherë, duke luajtur, do t’u dërgoja me anë të pasqyrës një copë qiell të vogël sa një pëllëmbë, që do të lodronte mbi gjirin e ujit, si një kujtim i shkurtër i qiellit të madh.

Ato do të kalonin shumë ditë e muaj të mërzitshëm atje poshtë, derisa nëna ime t’i nxirrte me kovë, pas shumë kohe, të hutuara e të shushatura nga terri, për të larë pastaj me to rrobat tona, shkallët dhe dyshemetë e shtëpisë.

Por tani për tani ato nuk dinin asgjë. Tani ato vraponin tërë gaz e bujë nëpër pllakat e gurta të çatisë dhe, duke dëgjuar zhurmën e tyre, unë u qaja hallin.

Kur shirat vazhdonin tri-katër ditë rresht, babai e shkëpuste qyngjin në një vend, që sterna të mos mbushej më tepër se ç’duhej. Sterna ishte shumë e madhe. Ajo shtrihej pothuaj nën gjithë sipërfaqen që zinte shtëpia jonë dhe në qoftë se shpërthente mund të përmbyste në fillim kubenë dhe pastaj të shkatërronte krejt themelet e shtëpisë, sepse qyteti ynë ishte i pjerrët, dhe në këtë qytet mund të ndodhte çdo gjë.

Ndërsa po vrisja mendjen se cili e kishte më vështirë të duronte burgimin, njeriu apo uji, dëgjova hapat e gjyshes dhe pastaj zërin e saj nga dhoma tjetër:

– ‘Ngrehuni, ngrehuni, kemi harruar të heqim qyngjin’.

Babai dhe nëna u ngritën menjëherë të alarmuar. Babai vrapoi në errësirë nëpër korridor, me mbathjet e gjata të bardha, hapi dritaren e vogël të qoshkut dhe me një shkop të gjatë e mënjanoi qyngjin. U dëgjua zhurma e ujit që filloi të binte në oborr.

Ndërkaq, nëna ndezi llambën me vajguri dhe bashkë me babanë e me gjyshen zbriti shkallët. Unë u afrova te dritarja dhe u mundova të vështroja përjashta. Era e përplaste shiun me furi pas xhamave dhe mazgallat e vjetra të shtëpisë rënkonin.

Nuk m’u durua dhe zbrita shkallët të shikoja se ç’bëhej poshtë. Ata të tre ishin të shqetësuar dhe nuk më vunë re. Kishin hequr kapakun e grykës së sternës dhe po mundoheshin të vështronin ç’ndodhte atje brenda. Nëna mbante llambën dhe babai vështronte.

Ndjeva një rrëqethje në trup dhe u kapa pas rrobave të gjyshes. Ajo më vuri dorën në kokë. Porta e jashtme dhe e brendshme dridheshin nga era.

– Ç’është ky kiamet! – tha gjyshja.
Babai, i përkulur i tëri, po mundohej të shikonte brenda në sternë.

– Bjer një copë gazetë, – i tha nënës.

Ajo e solli. Babai e mblodhi shuk gazetën, e ndezi dhe e lëshoi në sternë. Nëna lëshoi një klithmë të vogël.

– Ujët është ngjitur gjer te gryka, – tha babai.

Gjyshja filloi murmuriste një lutje.

– Shpejt, – thirri babai, – ndiz fenerin.

Nëna, dyllë e verdhë, me duart që i dridheshin ndezi fenerin, ndërsa babai hodhi në kokë mushamanë e zezë, ia mori fenerin dhe shkoi të hapte portën. Edhe nëna hodhi një rrobë të vjetër mbi kokë dhe i shkoi pas.

– Gjyshe, ku vanë ata? – pyeta i trembur.
– Të thërresin fqinjët, – tha gjyshja.
– Pse?
– Të na ndihmojnë të pakësojmë ujët e sternës.

Jashtë, midis zhurmës së shiut, u dëgjua mbyturazi një trokëllimë porte. Pastaj një tjetër, një tjetër.

– Gjyshe, si do ta pakësojnë ujët?
– Me kova, bir.

Unë iu afrova grykës dhe vështrova poshtë. Errësirë. Errësirë dhe frikë. / KultPlus.com

Ismael Kadaré author 2005

‘Mosmarrëveshja’: Shqipëria në pasqyrën e enigmave dhe konfrontimit

Ideja e konceptimit të çështjeve që lidhen me Shqipërinë dhe reprezentimin kulturor e psikik të popullit shqiptar nga një mori sferash e rrafshesh jetësore, është bërë pjesë e kulturës dhe artit shqiptar që në periudhën rilindase me autorë si Sami Frashëri duke u intensifikuar më tutje me autorë si Konica. Duke ndjekur një rend e traditë të tillë, Ismail Kadare, që rëndom si strumbullar lëndor e tematik të krijimtarisë së vet letrare ka selektuar botën kulturore e psikën shqiptare, këtë   herë do t’i shtrohet vëzhgimit të kësaj bote prej prizmit të syrit kritik. Në veprën, të cilën në rrafshin teorik e koncepton si sprovë letrare, Kadare artikulon mendimin e vet për botën shqiptare dhe një sërë problemesh e përspektivash të kësaj bote përmes një qasjeje të re të mendimit – shpërfaqjes së pikëpamjeve dhe qëndrimeve nëpërmjet zbërthimit të enigmave, që derivojnë nga kultura dhe letrarësia shqiptare. Kësisoj, “Mosmarrëveshja”, mund të cilësohet si një sprovë letrare, brenda së cilës gërshetohet tradita, identiteti, qytetërimi, gjuha, politika e arti i popullit shqiptar si një rrafsh ne vete dhe në relacion me Ballkanin dhe Evropën më gjerë.

Motivin e kësaj vepre ani pse do ta përforcojë dhe shfaqë brenda veprës si ilustrim të moskuptimit, esenca e këtij motivi e shpalosë vetveten që në titull: mosmarrëveshja, përplasja, dyanësia, gati gjatë gjithë veprës do të artikulohen si binom, ambiguitet i një opozitarizmi, i dy anëve kontrastive të manifestuara si përbërje e Shqipërisë e shqiptarëve. Evokimi i momentumeve infantile në fillim të veprës që lidhet me pullat postare dhe simbolika e kundërt që shpërfaqin ato, ndryshe prej imazhit real të shteteve, bëhet finesa e parë e hipokrizisë, e përballjes dhe funksionalizimi drejt hyrjes për në botën e enigmave. Ky kontrast, përpara së cilës vendoset Kadareja-fëmijë, amplifikohet duke depërtuar nëpër elementet simbolike dhe përmbajtësore të botës shqiptare si entitet i vetëm dhe raportit të saj me Ballkanin e Evropën.

Shqipëria si entitet i vetëm dhe natyra antitetike e shqiptarit

Duke e konceptuar si një entitet të vetëm, Shqipëria që artikulon Kadare i referohet shtrirjes dhe gërshetimit të rrafshit historik e politik. Këto dy rrafshe bëhen korniza brenda të cilave Kadare shtreson figura historike e kontradikta politike. Duke i ikur kronologjisë, Kadare mundëson ndërfutjen e momentumeve sa kritike e sa kruciale që plotësojnë historinë e Shqipërisë që prej origjinës pellazgo-ilire, periudhës së Mesjetës e gjer në modernitetin e vonë dhe bashkëkohësinë, për ta krijuar një hartë panshqiptare, brenda së cilës trajtohen edhe problemet e fati i historisë moderne të Kosovës. Integrohet tërësia historike e luftërave, migrimeve, shkatërrimeve dhe tërësia politike e konferencave e kongreseve ndërkombëtare.

Pavarësisht një portreti të plotë historik të Shqipërisë e shqiptarëve, Kadare, piketimin kyç të problemeve e bart në dy momente kruciale: epoka e Skënderbeut dhe shekulli  XX, të interpretuara në mënyrë kontrastive si Moti i Madh (me në qendër figurën e Skënderbeut) dhe Moti i Keq (ku shkrihet konglomerati i propagandave anti-shqiptare dhe rreziku i riorientimit drejt botës turke).  

Shestimin e problemeve që lidhen me Shqipërinë, Kadare e fillon që në konceptimin e elementeve emblematike: flamurit e himnit.

Gjatë trajtimit të flamurit, Kadare nuk krijon refleksione kritike, mirëpo nëpërmjet një neutraliteti ruan vlerën sublime të flamurit të trashëguar ndër breza. Por, raporti aksiologjik i Kadaresë intensifikohet kur kalohet te himni.

I fokusuar në vargjet e ndaluara: “Se Zoti vetë e tha me gojë…”, Kadare arrin t’i gjenerojë dy situime thelbësore. Ndërsa situimi i parë, që i referohet promovimit të racizmit karshi shteteve tjera e që e kundërshton Kadare në emër të një kërkese etike e humane, situimi i dytë do të shndërrohet në kuptimin krucial të ekzistencës së Shqipërisë e shqiptarëve. Përmes deshifrimit të kësaj strofe Kadare shpalos kuptimin e enigmës e që e ndërlidhë me jostabilitetin e shqiptarit, vulën e fatin tragjik të Shqipërisë që i vjen pikërisht prej elementit hipokrit shqiptar. Në këtë pjesë Kadare zbulon tragjiken: Shqipëria është tragjike se të tillë e do shqiptari, është enigma e zbuluar, kuptimi i vërtetë i himnit. E si për ta vërtetuar saktësinë e zbulimit të vet, në vepër evokohet periudha rilindase, poezia e Naimit, drama e Fishtës e më vonë formula e Faik Konicës, që si të përbashkëta provojnë të njëjtën ide reale: shqiptarin si faktor të qenies apo mosqenies së Shqipërisë.

Duke depërtuar në psikën e popullit shqiptar, për më tepër të një shqiptari të lirë, vepra ndërton një imazh të trefishtë të shqiptarit që ka për bazë tri veçori kryesore: besnikërinë totale ndaj atdheut, hipokrizinë totale ndaj binomit atdhe-armik dhe servilizmin total ndaj armikut. Midis këtyre tri veçorive, Kadare spikat dy prototipe të shqiptarit: shqiptarin hero që vjen si përfaqësim përmes figurës së Skënderbeut dhe shqiptarin tradhtar që përfaqësohet nëpërmjet Haxhi Qamilit si simbolikë e gjithë konglomeratit të mohësve dhe albanologëve të rinj. Nëpërmjet këtyre dy figurave artikulohet edhe esenca e dy epokave të lartpërmendura: Motit të Madh që për kundërvënie do të ketë Motin e Keq.

Skënderbeida, që përbën dominancën në tekst dhe ndërtohet si simbolika përfaqësuese e Motit të Madh e rilindasve, brenda kësaj vepre kalon nëpër rrafshe, gjendje e raporte: rrafshi i parë është paraqitja prej prizmit të heroit të dyfishtë: shqiptar e evropian, por pikërisht këtu, Kadare, duke analizuar historikun e përmasave të kësaj figure në atdhe e Evropë, ndërton raportin Shqipëri-Skënderbe, prej nga ekzistenca e të parës del e varur prej të dytit, ndërkohë që mbijetesa e Skënderbeut si figurë funksionon edhe si e vetme, madje duke e vënë në krahasim me dy figurat e tjera të fuqishme të kohës kontin Vlad e Janosh Huniadin, Skënderbeu i mbijeton kohës pikërisht për shkak të receptimit si figurë evropiane, që mbron identitetin evropian. Duke proklamuar sidomos figurën e Skënderbeut në kushtet e një transformimi gjer te spanjollizimi total i kësaj figure, paralel me përmasat sublime të lavdisë spanjolle, Kadare ia kundërvë harrimin shqiptar. Edhe këtu, Kadare vë në thumb harresën e Skënderbeut nga populli shqiptar si formë të nëpërkëmbjes së kësaj figure, që do ta marrë formën e lartë nëpërmjet dukurisë së çmitizimit.

Në vepër, Kadare do të ofrojë dy forma të çmitizimit të figurës së Skënderbeut me dy prapavija tërësisht antitetike. Tipi i parë i çmitizimit me prapavijë pseudo-patriotike, ka në thelb reduktimin maksimal të kombëtarizimit të kësaj figure: jo vetëm se pengohet si emërtimi i sheshit të Skënderbeut në Paris, mirëpo vihet në skepticizëm origjina shqiptare e Skënderbeut nëpërmjet tezave sllave për ta përvetësuar këtë si figurë. Në këtë mes, Kadare nuk kursen as faktorin ndërkombëtar të përfaqësuar prej paragjykimesh të zviceranit Oliver Shmit dhe studimit të tij mbi të cilin i bëhet jehonë luftës së Skënderbeut të motivuar nga hakmarrja personale për familjen dhe jo nga motivimi atdhetar, religjioz e evropian.

Përpara një çmitizimi të mohësve, që në thelb ka mohimin e vlerave shqiptare, Kadare praktikon vetë një çmitizim të figurës emblematike. Parashtesat mitike me intencë glorifikuese të Skënderbeut dhe të fakteve historike, eleminohen nëpërmjet një neutralizimi dhe gjykimi racional të Kadaresë. Me argumente krejtësisht logjike, Kadare përpiqet ta relativizojë dhe ta afrojë me realitetin figurën e Skënderbeut duke e parë jo si dëmtim një çmitizim të tillë, mirëpo si një faktor të koekzistencës së përhershme të kësaj figure, ekzistenca e së cilës është parë nga Kadare si mjet shpëtimi i Shqipërisë.

Në kundërpeshë me Skënderbeidën si shpëtim të atdheut, Kadare shpërfaqë faktorin e rrezikimit të qenies shqiptare, të personifikuar në të quajturën Haxhiqamiloida që prej vetë Kadaresë është përceptuar si një nga kujtimet më të turpshme të rrugëtimit historik shqiptar, që ka bartur ne vete të keqen e rrezikun njëkohësisht. Brenda Haxhi Qamilit përmblidhet korpusi i pseudoshqiptarëve, mohësve, albanologëve të rinj veprimtaria e të cilëve në thelb ka tjetërsimin e gjithë asaj që është shqiptare. Për ta konkretizuar rolin dhe natyrën e tyre, Kadare argumenton një varg çmitizimesh që prekin palcën e popullit shqiptar që nga çmitizimi i prejardhjes ilire, i gjuhës shqipe, i rilindasve e i pavarësisë në Shqipëri e Kosovë e gjer në çmitizimin e figurave si Skënderbeu e nëna Terezë. Siç thekson Kadareja, gjithcka që u përket shqiptarëve çmitizohet, sepse propagandohet orientimi drejt orientit – ribashkimit me Turqinë në Shqipëri e me Serbinë në Kosovë.

Si zgjatim i veçantë i veprës, integrohet edhe fryma komuniste si përfaqësim i një historie “moderne” të Shqipërisë edhe në vetë kuptimin e komunizmit si promovuese e një fryme të re. Duke e konceptuar komunizmin si fantazmë të dyfishtë në nismë dhe pas rënies, Kadare konsideron se ka zbuluar enigmën marksiste. Në fakt, përgjatë trajtimit të komunizmit dhe disidentit të rrejshëm – Kasëm Trebeshinës, kritika e Kadaresë arrin kulmin e vet, ngaqë ajo që i bashkon disidentin e komunizmin qëndron në tendencën për të ndërtuar mite të rrejshme, hipokrizi dhe për ta fshehur të vërtetën nëpërmjet komploteve. Për realitetin e zhveshur të tmerrit komunist dhe Kasëm Trebeshinës, Kadare mjaftohet me argumentimin vetëm përmes dy vrasjeve ashtu që liria dhe fryma e re e jetës që premtojnë, s’bëhen tjetër veçse një formë e manipulimit dhe komplotit përmes të cilit krijohen në vazhdimësi viktima

Në vepër ndihet edhe karakterizimi i figurave më dytësore të veprës, të cilat gjithashtu i nënshtrohen një qasjeje binare të Kadaresë: si neutralitet dhe si kritikë e Kadaresë ndaj këtyre figurave. Grupit të parë u përkasin figura e Ismail Qemalit dhe mbretëreshës Geraldinë, ndaj të cilëve hetohet një prirje më subtile dhe emocionale në frymën e pranimit prej autorit e prej popullit; gjersa te Ismail Qemali, Kadare ngre lart durimin, erudicionin e mendjehollësinë, të mbretëresha Geraldinë flet me zërin e popullit dhe interpreton dashurinë e popullit për të – nëpërmjet po kësaj figure, Kadare i bën njëfarë jehone edhe pozitës së femrës, lirinë që e karakterizon në epokën e Skënderbeut.

Paralel me mbretëreshën Geraldinë, figura e mbretit Zog, që siç e thotë Kadare përbaltej e urrehej prej popullit, nuk pëlqehet as prej vetë Kadaresë, madje, duke u motivuar nga gjendja e një situate të tensionuar politike, Kadare vë në kritikë dyshen kontrastive Zog – Nol e bashkë me ta edhe Konicën, këtë të fundit mbi bazën e një hipokrizie politike.

Portreti politik e historik i Shqipërisë përplotësohet edhe me portretin religjioz, i cili, duke iu përshtatur logjikës kontrastive të Kadaresë, manifestohet si virtyt dhe si negacion për kombin. Ngarkesën pozitive në portretin religjioz, Kadare e interpreton nëpërmjet harmonisë fetare, të cilën arrin ta argumentojë përmes multipërkatësisë religjioze të udhëheqësve të shtetit që nga Ismail Qemali e gjer te Ahmet Zogu. Si kontrapunkt të ngarkesës pozitive shenjohet propaganda religjioze e hoxhallarëve që ngrihet jo vetëm ndaj figurave kombëtare – Skënderbeut, mirëpo shndërrohet edhe në katalizatorin kryesor të planeve shoviniste për shpërnguljen e shqiptarëve.

Shqipëria dhe Ballkani

Duke e shtrirë pikëpamjen për Shqipërinë më gjerë, pra në relacion me Ballkanin, Kadare shpërfaq dy tipe të këtij relacioni: relacionin si bashkëpunim hipokrit/i kamufluar dhe relacionin armiqësor. Në mendimin kadarean, në thelb vetë Ballkani ndërtohet nëpërmjet një paradoksaliteti, sepse pavarësisht simbolikës si djep i kulturës dhe civilizimit evropian, elementi karakterizues dhe emërtuesi i përbashkët i gjithë ballkanasve mbetet dhuna, dëshira për dhunë, shkatërrim. Duke karakterizuar si shqiptarin ashtu edhe ballkanasin, konsideron se ajo çka i bashkon këto figura është dëshira për lavdi, ndaj edhe vë pikëpyetje në çështjen e Janosh Huniadit në luftë kundër osmanëve, se vepron i vetëm pikërisht në kërkim të lavdisë.

Kur heton relacionin midis shqiptarëve e ballkanasve, Kadare ngre anën konfliktuoze të këtij rajoni. Shqiptarët, serbët dhe grekët dalin tri nacionalitetet brenda të cilave Kadare paraqet natyrën tensionuese, jo vetëm nëpërmjet Luftës Ballkanike, por edhe përmes programeve shoviniste serbe e greke mbi asgjësimin e shqiptarëve në Shqipëri e në Kosovë, Naçertania serbe, libri i kryeministrit serb Gjorgjeviç, projekti i Vasa Çubrilloviçit dalin si argumentet konkrete përmes të cilave Kadare ilustron gjendjen politike të popullit shqiptar në raport me atë sllav.

Brenda këtij relacioni, nëpërmjet një fryme kritike, Kadare shtron dy probleme tjera që lidhen me Kosovën: miti i Kosovës dhe propaganda manipuluese serbe për ta kthyer luftën ndëraleancore në luftë nacionale serbe e turke – Kadare këtu ndërton një kritikë të dyfishtë, jo vetëm ndaj propagandës serbe, mirëpo edhe ndaj pasivitetit shqiptar në shpërfaqjen e së vërtetës.

Problemi i dytë lidhet me vetë Kosovën, prej nga Kadare, nga një përspektivë subjektive, ndërton tablo të terrorit dhe dhunës. Për ta argumentuar qasjen agresive, të cilën e konsideron si racizëm ndaj shqiptarëve, Kadare citon shkrimtarin kroat Mirosllav Kërlezha, vepra e të cilit bëhet dëshmi e politikave paragjykuese ndaj shqiptarit e mbi të cilat ndërtohet sistemi politik sllav. Për më tepër, më indinjuese për autorin del jo vetëm paragjykimi mbi baza raciste, por mospërfillja dhe pasiviteti evropian ndaj kësaj mendësie.

Triada Shqipëri – Ballkan – Evropë

Vendosja e relacioneve midis Shqipërisë dhe ballkanasve me Evropën, parimisht siç edhe thekson Kadare konceptohet midis një skepticizmi dhe mëdyshjeje reciproke mbi faktin se sa është utilitar dhe simbiotik ndërtimi i këtij relacioni. Megjithatë, nën prizmin kadarean ky relacion shquhet me një kritikë të dyfishtë: kritikë ndaj ballkanasve e kritikë ndaj Evropës.

Aspekti i parë i kritikës që shenjon egërsinë dhe agresionin ballkanas, ka si derivim kërkesën thelbësore të metamorfozës së shteteve ballkanase drejt arritjes së konkordancave dhe harmonisë. Duke kritikuar sidomos Shqipërinë për hipokrizi përmes imazheve të gënjeshtërta rozë, Kadare paraqet çelësin e bashkimit me Evropën, që në themel të vetin ka sinqeritetin, dashurinë e sinqertë atdhetare e promovimin e sinqertë nacional.

Aspekti i dytë i kritikës ka në shënjestër vetë Evropën dhe shfaq indinjatën në raportet e kësaj të fundit ndaj ballkanasve. Brenda kësaj vepre, Kadare ruan portretizimin kapricioz dhe narcist të Evropës dhe midis këtij portretizimi ironizon mospërfilljen e thellë sidomos ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, që si të tillë e argumenton jo vetëm përmes listës së 450 personaliteteve shqiptare (që në thelb është burim skepticizmi evropian), por për më tepër pozita superiore e Evropës arrin gjer në krijimin e paragjykimeve dhe përtrirjen e ideve sllave për primitivizmin shqiptar.

Pavaresisht kapriciozitetit, lidhjen dhe orientimin drejt Evropës, Kadare e sheh si të nevojshëm në katalizimin e përparimit dhe shkëputjes prej propagandave pro-orientale; veç tjerash këtë marrëdhenie Kadare, vënë në kontekstin historik të kohës së Skënderbeut, e interpreton edhe si të drejtë të plotë morale të shqiptarëve.

Mbi një konglomerat formash dhe referencash

Pavarësisht se Kadare e konsideron këtë vepër sprovë letrare, pikëpamjet dhe mendimet e Kadaresë janë të organizuara në formën e esesë letrare. Konkretisht gjithë konglomerati i çështjeve dhe vëzhgimeve mbi botën shqiptare përmblidhet në 13 ese sa ka pjesa e parë, në shënime plotësuese të autorit si elemente të pjesës së dytë dhe një shtojcë e re vëzhgimi politik si pjesë e tretë. Natyra diverse e ngjarjeve dhe dispersiviteti i gjerë historik mbulon një dimension të gjerë kohor, që megjithatë nuk derivon si i gatshëm, por përplotësohet nëpërmjet teknikave narrative. Kjo do të thotë se, ani pse përfill një rend logjik duke ndërlidhur një çështje me një tjetër, Kadare i ikën renditjes kronologjike të historisë shqiptare. Periudha, ngjarje e epoka mbivendosen njëra mbi tjetrën duke vënë në funksion analepsën e prolepsën. Por, pavarësisht këtij çrregullimi kronologjik, rrafshi historik përplotësohet, episode historike përmbushin tërësinë, ashtu që Kadare eviton mungesat. Humbjen e lidhjes kronologjike, Kadare e zëvendëson nëpërmjet përsëritjes dyfunksionëshe, qoftë si rikujtim a si përplotësim të një segmenti paraprak historik.

Tërësisë së problemeve që i përkasin botës shqiptare, Kadare i shton edhe informacione periferike që manifestohen si digresione, në të cilat Kadare evokon episode të jetës së figurave shqiptare (informacione mbi jetën familjare të Ismail Qemalit; episodi i përvojave të Isa Boletinit në Kongresin e Versajës) dhe fakte historike botërore (pushtimi i osmanëve prej Mongolisë).

Ajo që ia shton kompleksitetin veprës është prezenca e referencave dhe intertekstualitetit, çka i japin kësaj vepre një karakter shumë modern. Këto referenca, që variojnë prej atyre publicistike, poetike, historike e politike, shfaqen si gërshetim prej botës shqiptare dhe të huaj në përmbushjen e funksioneve specifike: referencat me origjinë autorët ballkanas e evropianë (Marlou, Louis de Gongora, Oliver Shmit, Jacob Fallmerayer, Kerlezha, Vasa Çubrilloviç, Dobriça Qosiq) ndërfuten si përmbushje e rolit argumentues të informacioneve historike e politike që shfaq Kadare; ndryshe prej tyre, referencat me origjinë autorët shqiptarë (Noli, Konica, Asdreni, Naimi, Fishta, Branko Merxhani, Migjeni) i nënshtrohen një rifunksionalizimi e modifikimi për t’iu përshtatur mendimeve e fenomeneve shqiptare, konkretisht frymës përkatëse të kohës.

Një prani e tillë e referencave, por edhe gjerësia e informacionit doemos do të marrë më shumë se një formë brenda eseve, kështu mendimi i artikuluar kadarean do ta gjejë mbështetjen në format e tilla si ditari, vargje poetike, kronika telegrafike e kujtime, që do të shfaqen duke ruajtur stilin e vet specifik.

Varieteti i tonit kadarean midis faktit dhe fiksionit 

Diversiteti dhe koloriti kadarean do të shtrihen përtej rrafshit strukturor, për t’u zgjeruar edhe drejt atij stilistik që përkufizohet në ngjyrimin e zërit kadarean dhe një varieteti figurash stilistike. Natyra thelbësore e veprës si konfrontim kontradiktash e kontrastesh doemos ka përcaktuar dominimin e tonit ironik dhe atij kritik të Kadaresë. Efektet ironike, sidomos, artikulohen përmes epiteteve eufematike dhe ngarkesave negative: Çmitizuesi i vockël, Lubonja, thotë Kadare, duke ironizuar me pozitën e Lubonjës dhe për më tepër me veprimet e tij anti-shqiptare. Ky ton kritik, me raste neutralizohet drejt një toni të rëndomtë – objektiv, të zhveshur plotësisht prej euforisë kombëtare, prej nga Kadare funksionalizon gjykimin racional dhe qetësinë objektive pa u rrëmbyer gati asnjëherë nga një emocionalitet i tërësishëm qoftë ndaj kauzave apo figurave shqiptare. Megjithatë, disa finesa më emocionale dhe melankolike nuk përjashtohen, finesa të tilla ndihen përgjatë paraqitjes së fatit tragjik të Ismail Qemalit; melankolike deri në një masë paraqiten edhe tablot e dhunës serbe mbi popullin e Kosovës.

Krahas këtij ngjyrimi të zërit, në thelb brenda kësaj vepre gërshetohet Kadareja-faktograf e finesat e Kadaresë si shkrimtar, pra në suaza të interaksionit fakt/fiksion. Në vepër këto dy tërësi të mëdha janë të dukshme dhe lehtë të interferueshme. Fakti është i shtrirë thuajse përgjatë tekstit dhe manifestohet si një paraqitje e gjerë e informacioneve e dokumentimeve konkrete të historisë nacionale e ndërkombëtare të shprehur përmes datave, kongreseve, mbledhjeve e viteve të përshkruara në vepër. Konkretë në të shumtën e rasteve, gati përherë janë edhe personazhet që frymëzohen nga historia e letërsia. Megjithatë, ngjizur me historiken, me Kadarenë që saktëson, shpërfaqet Kadareja që krijon fiksion dhe këtë e bën të ditur edhe brenda veprës përmes gërshetimit histori e mit, e konkretisht dimensioni fiksional del më së miri në pjesën ku ndërtohet miti për Kosovën. Episodi i vrasjes së Sulltanit e më vonë edhe episodi i vrasjes së Ramonës brenda sistemit komunist, me mënyrën e ndërtimit narrativ, shkëputen tërësisht nga pjesa faktografike dhe marrin finesat e një proze të mirëfilltë letrare që mban shenjat e një narracioni kadarean. Edhe ato pjesë të veshura me faktografi, nëpërmjet figurave letrare si metaforës, personifikimit të shpeshtë të Shqipërisë dhe epiteteve, e krijojnë një afri me fiktiven duke dëshmuar përfundimisht natyrën e esesë letrare që përdor Kadare.

Enigma e zgjidhur   

Përgjithësisht, kjo vepër është një konglomerat faktografik që, i sintetizuar me fiksionalitetin letrar, kapërcen në kohën e hapësirën shqiptare dhe merr një karakter gati të një enciklopedie në miniaturë mbi Shqipërinë, shqiptarin dhe relacionet e tyre me të tjerët.

Përmes kësaj vepre, nëpër sprovat historike, politike, sociale, poetike, Kadare paraqet të dukshmen, ndërkohë që përballë saj zbulon dhe vë të padukshmen, enigmën, për ta shkaktuar mosmarrëveshjen.

Përfundimisht, sintetizimi i të gjitha enigmave në vepër prodhon idenë e fuqishme që lidhet me shqiptarin, ideimin e artikulimin e tij si kontradiktë e brendshme: shqiptari puthadorës e vrasës, servil e besnik sipas mitit të Milloshit dhe verbëria kolektive shqiptare karshi të metave, sipas mitit të vajzës që verbohet e që potencialisht përmes tyre Kadare e argumenton një fat, fakt e fatkeqësi të realitet shqiptar dhe ripohon kredon themelore të kësaj vepre se stisësi e konstruktuesi i fatit dhe i së ardhmes së Shqipërisë mbetet vetë shqiptari.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Publicistikë letrare”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Rrezartë Morina / KultPlus.com

“Mosmarrëveshja” si shpërfaqje e sfidave të Shqipërisë dhe shqiptarëve

Shkrimtari Ismail Kadare, i lindur në Gjirokastër më 28 janar 1936, është ndër shkrimtarët më të mëdhënj dhe më të njohur bashkëkohor. Kontributi i tij në letërsi është gjithandej pasi ai është prozator, poet, dramaturg, skenarist, madje edhe publicist. Njëra ndër veprat e tij të shumta është edhe “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetvetes”, ku autori trajton shumë çështje e problematika shoqërore, kryesisht shqiptare ose të huaja por që direkt a indirekt lidhen me Shqipërinë dhe shqiptarët. Historia e Shqipërisë, e kaluara dhe e tashmja, në njërën anë trajtohen si rrjedhë e njëra – tjetrës, kurse në anën tjetër ballafaqohen mes vete në këtë vepër të Kadaresë, të cilin autori e ndërton me një stil të hollë dhe me një gjuhë sa të thellë, poaq të qartë, element ky i rrallë në letërsinë tonë shqipe. Kadare, gjithashtu, sjell një version të ri të mendimit shqiptar nëpërmjet kësaj vepre pasi që ai nuk lidhet shumë me traditën letrare dhe me traditën publicistike shqiptare. Pra, autori nuk i ka model publicistët e tjerë pararendës si Konica, Mithat Frashëri, Gjergj Fishta e të tjerë. Por, pavarësisht që Kadare nuk ka ngjashmëri në stil dhe në qasje me ta, përsëri në vepren e tij hasim shumë fenomene që i kanë disa nga pararendësit e tij, sidomos tek Konica me librin e tij “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”.

     Karakteristikë e kësaj vepre është se deri me tani është botuar e ribotuar plot tri herë, ku nga botimi në ribotim ka pasur ndërhyrje dhe ndryshime nga ana e autorit. Por, që të tri variantet e veprës i karakterizon e njëjta veçori: ajo që janë të veçanta si në stil, në qasje, tematikë, por edhe në strukturë, elemente këto që e veçojnë dhe e dallojnë Kadarenë nga paraardhësit e tij letrar.

Struktura

     Libri “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetvetes” ndahet në trembëdhjetë pjesë. Pra, qysh tek numri i pjesëve lexuesi has në një numër simbolik. Në një numër që shihet dhe përceptohet nga populli si numër i pafat, si numër që lidhet më të keqen dhe e sjellë atë. Trembëdhjetë pjesët e veprës mund të qëndrojnë si të veçanta në vepër, por ato përsëri përbashkohen si një tërësi e vetme pasi që kanë edhe një rend kronologjik që e ndjekin rrjedhshëm deri në kohën bashkëkohore.

     Veçantia tjetër e Ismail Kadaresë tek kjo vepër janë edhe referencat, të cilat janë të shumta, të gjata dhe tejet të qarta njëkohësisht. Pra, ato janë thuajse pjesë e veçantë në vetvete, tipar ky krejt i veçantë dhe i pahasur më parë në letërsinë tonë.

Stili

     Kadare veprën e shkruan me një stil dhe qasje krejtësisht ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim më parë. Ai e thyen tradicionalen. Në shikim të parë vepra duket të jetë e shkruar në prozë të mirëfilltë letrare, pasi i ka thuajse të gjitha elementet e saj, veçanërisht elementin e përshkrimit dhe të rrëfimit. Por, këtu Kadare e shkruan prozën eseistike, ku për këtë mund të themi lirisht se ai është ndër të parët dhe me të veçantit në tërë letërsinë shqipe.

     Autori në veprën e tij gërsheton dokumentaritetin me fiksionalen pasi që i gërsheton faktet dhe të njohurat kolektive me përvojat personale, siç është rasti i recitimit të himnit në Rusi dhe strofës problematike ku thuhej se të gjitha kombet do të zhduken e vetëm kombi shqiptar do të rrojë. Këtu kemi ndërlidhjen e strofës si fakt historik e shoqëror dhe ngjarjen personale të autorit lidhur me atë strofë, që e recitoi në mesin e studentëve që kishin kombësi të huaj e që strofa parashikonte pikërisht zhdukjen e tyre. Në këtë rast autori shkruan nga pikëpamja e adoleshentit, e jo nga këndvështrimi i autorit të pjekur siç bën në pjesë të tjera. Kësisoji, mund të pohojmë se, stili i tij është tërësisht i veçantë, që nuk ngjason me asnjë pararendës. Mund të theksojmë se me Faik Konicën autori pajtohet në shumë ide, padyshim shumë më shumë se me autorët e tjerë, por edhe me Konicën dallojnë në stil. Pra, të dy kritikojnë, të dy janë të ashpër, por stili është veçoria e tyre dalluese.

     Element tjetër është, ta themi kushtimisht, përzierja e zhanrit e cila edhe pse s’del tipikisht, përsëri është e pranishme. Përzirja zhanrore paraqitet kur Kadare trajton Shqipërinë Mbretërore të kohës së Ahmet Zogut, pasi aty paraqitet ditari i mbretëreshës Geraldinë. Kjo del edhe më vonë, kur autori thotë se hera e parë dhe e fundit që ai ka mbajtur ditar në baza ditore ka qenë koha e Luftës së Kosovës. Këtu kemi interferime të shkrimit të ditarit, andaj shkrimi publicistik i esesë kalon tek ditari.

Gjuha

     Gjuha e Kadaresë është gjuhë sarkastike, e rrjedhshme dhe tejet e qartë. Qartësinë e hasim qysh në titullin e veprës që është titull shpjegues dhe orientues. Titulli “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetvetes”, tregon se më kë e nga kush po sfidohet Shqipëria. Titulli është shpjegues pasi tregon se Shqipëria mbi të gjitha sfidohet nga vet Shqipëria dhe shqiptarët, dhe pa e kaluar sfidën me veten është e vështirë të kalohen sfida të tjera jashtë. Ndërsa, gjuha sarkastike, shpeshherë e mveshur edhe me ironi, haset nga fillimi e deri në fund, kurse shpërthyese është tek himni, ku autori përmes sarkazmës, çdo fatkeqësi të popullit e lidhë me strofën problematike të himnit.

Mbi ato që autori trajton në vepër

    Autori në të trembëdhjetë pjesët e veprës trajton tematika e probleme të ndryshme, çështje e fenomene të shumta, personalitete të njohura e të panjohura për publikun, ku e thotë mendimin e tij për secilin e çdo gjë pa u ndrojtur dhe pa frikë të keqkuptimit nga lexuesi. Autori tregohet shumë direkt në secilin objekt trajtimi që e ka në vepër. Ai fillon me himnin, ku potencon se në botë ka himn kushtuar shtetit, ka himn kushtuar kombit, ka himn mbretëror, por nuk ka himn kushtuar flamurit si në rastin tonë. Për këtë himni ynë, i cili edhe emërtohet “Himni i Flamurit”, është i veçantë e unik. Përveç himnit në vetvete që i kushtohet flamurit, unikaliteti i tij qëndron edhe në strofën që Kadare quan problematike, që e kishte shkruar Asdreni kohë më parë.

     Kadare në këtë vepër gjykon historinë, politikën, sunduesit, pushtuesit, pushtetët, shqiptare e jo shqiptare, pushtetarët, por edhe letërsinë e veprat letrare: vepra kryesore për Skënderbeun thotë ai është një poemë e Naim Frashërit, që më shumë se vepër e mirëfilltë letrare, ka qenë një vepër misionare e Rilindjes. Pra, ai gjykon, kritikon dhe jep konkluza edhe mbi veprat letrare në veçanti, si tek ky rast.

     Autori shkruan edhe për komunistët shqiptarë, ku ai niset nga formula e famshme e Marksit se komunistët nuk kanë atdhe, dhe mbi bazën e kësaj formule komunistët tanë shkatërruan gjithçka shqiptare: traditën, zakonin, kodet, veshjet, fetë, etj.

     Autori trajton edhe figura të shumta në vepër si Skënderbeu, Nënë Tereza, Kasëm Trebëshina e të tjerë. Skënderbeun e harron komunizmi në fillet e tij, por ai rikujtohet me 17 janar 1918, në pesëqind vjetorin e vdekjes së tij, kur edhe vendoset busti i tij në Tiranë. Atëherë u hoq Stalini dhe erdhi Skënderbeu, më pastaj krahas Skënderbeut vjen Enver Hoxha, e që hipotetikisht është zëvendësues i Skënderbeut në Sheshin e Tiranës, por që populli nuk e lejon këtë. Reagimi i autorit ndaj këtyre fenomeneve dhe personaliteteve nuk është i rastësishëm e as i momentit, ai së pari cakton gjërat që ishin të paprekshme sipas tij në Shqipëri e që më vonë ato sulmohen, siç janë: flamuri, himni, Skënderbeu, rilindasit, etj. Sulmi ndaj tyre është shkak që kjo vepër është shkruar. Kësisoji vepra është pasojë e sulmit ndaj gjërave të paprekshme siç u thotë Kadare. Por, ky nuk është motivi i vetëm i autorit, pasi disa nga këto çështje dhe problematika Kadare i ka trajtuar në esenë e tij, në polemikën e tij të gjatë që e ka pasur me Rexhep Qosjen, ku mospajtimet kryesore ishin me çështjet që lidhen me religjionin dhe historinë. Ajo polemikë mund të jetë motiv tjetër që Kadare shprehu interesim t’i zgjerojë idetë e tij në librin e tij që sot e kemi në dorë. Problemi i identitetit është problemi fundamental i Kadaresë, qoftë në polemikën e tij me Qosjen, qoftë në veprën “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetvetes”.  

     Hapësirë të madhe në vepër zë edhe Perandoria Osmane, ku autori e potencon që gjithçka lidhet me atë periudhë dhe se shumë problematika zanafillën e kanë atje. Autori nuk e ka hall vetëm Shqipërinë. Hall i ka shqiptarët. Si të tillë, ai e trajton edhe Kosovën dhe problemin e saj. Në suaza të problemeve të Kosovës, ai e trajton edhe shovinizmit serb, i cili mbi të gjitha është i bazuar në themelet e gënjeshtrës së shpërndarë si e vërtetë. Shqipëria dhe Kosova për autorin janë shqiptare, por mbi të gjitha Shqipëri natyrale e ndarë detyrimisht nga jashtë. Për këtë arsye autori dy shteteve u vendosi mbiemra: Shqipëria Londineze dhe Kosova Atlantike. Shqipërinë e quan londineze për shkak të konferencës së Londrës, kurse Kosovën e quan atlantike për shkak të ndërhyrjes së Amerikës në luftën e Kosovës me Serbinë.

     Temë tjetër që zë vend në veprën e tij është edhe Lufta e Kosovës e vitit 1999, ku autori thotë se është hera e tij e parë dhe e vetme kur ka mbajtur shënime thuajse në baza ditore. Ai merret me ata që ishin pro e kundër luftës, lexon, trajton dhe godet ose pajtohet me personalitete që shkruanin kolumne në gazeta të njohura jovendore.

Paralelizmat në vepër

     Autori idetë që i shfaq në vepër, shumë nga to, i paralelizon me ide të tjera kundërshtuese. Kësisoji i ballafaqon ato. Përveç ndërhyrjes së vet që nga fillimi, ku me raste pajtohet e me raste i kundërshton ato, kjo për të s’mjafton pasi ai ballafaqon idetë e të tjerëve me idetë tjerëve pa u përfshirë vet. Kushtimisht, autori gjindet në rolin e arbitrit. Përshembull, strofën problematike të Asdrenit e paralelizon me të Migjenit, i cili këtë strofë e quante “Kanga që s’kuptohej”. Në një rast tjetër, pikërisht këtë strofë (pra strofën: Se Zoti vetë e tha me gojë/ Se kombet shuhen përmbi dhe/ Por Shqipëria do të rrojë/ Për të, për të luftojmë ne) e ballafaqon me vargun e Naim Frashërit, ku ai thotë “Të gjitha kombet gëzojnë, ti Shqipëri pse s’gëzon”.

Kontrasti

     Përveç figurash tjera, i pranishëm në tekst është edhe kontrasti, me të cilin autori rrëfen shpeshherë ngjarje të vërtetuara historikisht, por që kur i vë në kontrast atëherë më shumë se interesante e ironike, duken edhe qesharake për lexuesin. Këtë e bën qëllimisht autori, në njërën anë për ta goditur popullin e tij, kurse në anën tjetër që ta bëjë tekstin më tërheqës për lexuesin. Kontrasti në vepër haset në shumë vende, por një rast ku del tipikisht është kur autori trajton Shqipërinë Mbretërore të kohës së Zogut. Atëbotë, Ahmet Zogu po bëhej me djalë, përveç tij, gëzohej edhe populli shqiptar që po bëhej me princ, ndërsa në anën tjetër është lufta që po e kërcenonte Shqipërinë. Këtu del figura e kontrastit, ku topos janë toka dhe qielli. Në të parën kishte gëzim për ardhjen e trashëgimtarit mbretëror, kurse njëkohësisht në të dytën paraqitet ardhja e avionëve ushtarak për ta sulmuar pikërisht atë pjesë toke që kishte gëzim.

Fakti dhe fiksioni

     Vepra e Kadaresë është e tillë, pra e njohur gjerësisht dhe e suksesshme edhe për arsyen se ajo gërsheton faktin dhe fiksionin në vetvete. Fakti është i pranishëm në vepër kur autori bën ndërlidhje me të vërtetat historike, më të njohurat shoqërore, me personalitetet publike e politike. Kurse, fiksioni është aty ku autori e interferon mitin e elemente tjera joreale që shkojnë kah letrarja, të cilat i përvesh me figura stilistike letrare e më gjuhë konotative.

Ballafaqimi dhe përballja

     Kjo vepër ka hapësirë edhe për ballafaqim e përballje. Autori ballafaqon idetë, temat e personalitetet që janë të njohura botërisht për publikun. Kadare këtu vjen me qasje të re pasi vet ai është i pazakonshëm në trajtimin e tyre, pra e thyen atë që është përseritur aq gjatë sa që është shndërruar në zakon. Ai guxon ta thotë mendimin e tij lirshëm. Flet kundër një strofe të himnit duke e ditur lidhjen e popullit me të. Flet kundër një njeriu që nga shumica dërrmuese njihej si disident. Kadare e godet Kasëm Trebëshinën. Këtë e bën duke filluar nga vepra letrare e për të kaluar më pas tek personaliteti i tij. Kadare për veprën “Mekami” thotë se Skënderbeu trajtohet si hajdut kuajsh e agjent i Italisë, kurse vet autori e shpallë veten turk. Për të vazhdon e shkruan, e sulmon aq shumë sa që mendja e lexuesit mund të shkojë se mos ka diçka personale Kadare me Trebeshinën. Por, për këtë nuk mërzitet Kadare. Ai thotë se pas zbritjes së disave në arkiva, ata u tronditën pasi zbuluan se Kasëm Trebeshina ishte pjesë e sistemit, ishte pjesmarrës në gjyqet komuniste, madje sipas Kadaresë, i cili i referohet arkivave, ai del të jetë urdhërdhënës i vrasjeve, madje ai del të jetë edhe vrasës direkt, madje – madje ai del të jetë edhe themelues i Sigurimit të Shtetit. Pra, Kadare sjellë risi me qasjen e tij direkte, e cila i kalon edhe përmasat e Konicës.

     Vepra e Kadaresë është vendpërballje edhe për Orientin e Oksidentin, ku dy topikat e ndryshme bëjnë ballafaqim tipik e specifik në tekst. Kadare këto dy vende, që më shumë se vende përfaqësojnë kultura të ndryshme, i vë në ballafaqim përmes dy përfaqësuesve: Skënderbeut, i cili e përfaqëson Oksidentin, kurse otomanët, të cilët e përfaqësojnë Orientin, kurse vet Kadare e çmon Skënderbeun, i cili sipas tij përveç hero kombëtar shqiptar është edhe hero evropian. Ai në këtë vepër e paraqet idenë se merita që ne jemi sot pjesë e Evropës i takon Skënderbeut, pasi ai e kishte vetëdijen se Shqipëria duhet të jetë pjesë e pashkëputshme e kësaj bashkësie.

Karakteri dhe qëllimi

     Veprat letrare e joletrare kanë karakter të ndryshëm, por jo çdo vepër letrare e joletrare ka qëllim. Madje, në letërsi pyetja “Për çfarë qëllimi është botuar ky libër” është pyetja shumë e rrallë, nëse jo e papërdorshme. Kjo për arsye se veprat letrare janë të liruara nga qëllimi. Madje kur ato kanë qëllim kjo ia zbeh vlerën letrare. Por, këtu përjashtim bëjnë veprat publicistike, sidomos vepra të cilën po e trajtojmë.

     Sa i përket karakterit, vepra ka karakter informues, polemizues e revoltues. Na informon për gjëra të njohura e të panjohura. Autori polemizon me figura e grupe njerëzish të cilët edhe i emërton si mohsa, strehsa, albanologë të rinj e të tjerë. Kadare revoltohet ndaj ideologjive e sistemeve, ndaj personave që e përfaqësojnë vetëm veten e tyre, si dhe atyre që përfaqësojnë më shumë se aq, ndaj fenomeneve e planeve famëkeqe.

     Sa i përket qëllimit, vepra vërehet se është thirrje e thirrja patjetër që bëhet për qëllime të ndryshme. Qëllimi i Kadaresë përmes kësaj vepre është të vë në pah një element: ndëgjegjësimin e shqiptarëve ndaj shtetit, të drejtës, të vërtetës, mendimit të lirë e kështu me radhë. Pra, është një vepër me gradacione kritike e cila bën dekompozimin e shpirtit shqiptar. Kombi ka qenë e është, shteti s’ka qenë – është bërë, por jo siç duhet sipas autorit. Për këtë arsye ai e fillon me Himnin e Flamurit e me Skënderbeun dhe vazhdon deri tek konstituimi i shtetit.

     Pra, vepra “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetvetes”, e cila fillon me këtë titull sugjestiv, përfaqëson një sprovë letrare, siç e potencon edhe Kadare, e cila trajton çështje që lidhen me nocionin, historinë, kulturën dhe gjuhën tonë.                 

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Publicistikë letrare”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Ardit Mehmetaj / KultPlus.com