“Si s’pate pak mëshirë, me m’lanë në kohë ma t’mirë”

Nexhmije Pagarusha konsiderohet si legjenda e gjallë e muzikës shqiptare e cila ndër vite ka krijuar këngët më të njohura shqipe.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Izrael, Bosnje e plot shtete tjera. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Këtu po i sjellim disa nga këngët më të famshme të cilat ndër vite vazhdojnë të dëgjohen dhe të mbesin të pavdekshme për gjithë publikun. Sot Nexhmije Pagarusha mbetet ndër vokalet më të arritura shqipe, edhepse ka kohë që nuk është aktive në muzikë.

“Baresha” është kënga më e njohur që ka sjellur emocione të fuqishme dhe që vazhdon të dëgjohet me ndjenja krenarie. Zëri i jashtëzakonshëm i Bilbilit të Këngës Shqipe përcillet me pamjet me të bukura të natyrës së Kosovës.

Nexhmije Pagarusha është e njohur edhe për këngët e saj pa karakter patriotik. Njëra nga to është “E dehur jam”, një baladë dashurie e cila ka qenë dhe vazhdon të mbetet ndër më të preferuarat e publikut. E njëjta është ripërpunuar dhe kënduar nga shumë artistë.

Duhet përmendur se Nexhmija, kjo grua e rrallë dhe legjendë e artit e kulturës shqipe, pos si këngëtare është njohur edhe si aktore në disa filma dhe shfaqje teatrore. Megjithatë, ajo kulmoi në këngë dhe ishte e magjishme në notat e larta muzikore. /KultPlus.com

RrGK bën nderime te varri i Nexhmije Pagarushës për 17 shkurt

Anëtaret e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) sot më 17 shkurt me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, bëri homazhe te varri i ikonës kosovare Nexhmije Pagarusha.

Në shenjë nderimi dhe respekti për jetën dhe veprën e Pagarushës, si një grua e fuqishme, anëtaret e RrGK-së vendosën lule te varri i saj në fshatin Pagarushë.

Kujtojmë se në vitin 2015 RrGK për Pagarushën ndau mirënjohje për “Guximin dhe veprat të cilat kanë motivuar dhe fuqizuar vajzat dhe gratë në Kosovë”.

Vepra e saj mbetet frymëzuese sot e përgjithmonë. / KultPlus.com

Irma Libohova thotë se e parandjeu vdekjen e Nexhmije Pagarushës

Mbrëmjen e djeshme, puntata e emisionit “Soiree” me Jonida Shehun i është dedikuar bilbilit të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha. Një ndër të ftuarat në studio për ta kujtuar dhe nderuar ishte këngëtarja e njohur Irma Libohova.

Një ditë para se Pagarusha të ndërronte jetë, Irma kishte realizuar një video teksa këndonte këngën “Baresha” sikur ta kishte parandjerë. E ftuar në “Soiree” këngëtarja ka treguar më shumë rreth këtij momenti.

“Nuk e di çfarë vale, çfarë fuqie, çfarë energjie më çoi. E kam provuar disa herë për qejf këngën. Ndonjëherë kur rri nëpër shtëpi them të këndoj si soprano. Dola tek shkallët e shtëpisë. Çfarë këmbëngulje, çfarë dëshire pata që o do ta bëja o s’ka. Edhe e bëra shpejt e shpejt për 5 minuta edhe e hodha. Nuk e di çmë ndjeu zemra. Të nesërmen sapo hapa telefonin në mëngjes, shoh një DJ të Kosovës që unë e ndjek në Instagram dhe i shkruaj menjëherë në privat se çfarë ka ndodhur dhe më tha që po është e vërtetë. Çfarë parandjenje dhe pse pikërisht hitin e saj. E kam dashur shumë si artiste”, ka treguar Irma Libohova. /KultPlus.com

Seanca e Kuvendit sot nisi me këngën “Baresha” të Nexhmije Pagarushës

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur sot me “Baresha” të Nexhmije Pagarushës, kjo u bë në shenjë nderimi për këtë figurë të shquar që na la para pak ditësh.

Në sallë ku janë të pranishëm rreth 97 deputetë, pritet të bëhet shqyrtimi i propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.

Nexhmije Pagarusha do të mbetet një ndër figurat më të respektuara shqiptare. Muzika e saj do të shoqërojë edhe shumë breza e këngët e saj do të mbesin të pavdekshme. / KultPlus.com

Kompozitori Boshnjaku kërkon që incizimet e Nexhmie Pagarushës të jenë pronë shtetërore


Kompozitori Florent Boshnjaku, në një postim në rrjetin social “Facebook”, pasi që ka e ka konsideruar Nexhmie Pagarushën ikonë, ka kërkuar që incizimet e saj të jenë pronë e shtetit të Kosovës.

“Ai material është në adresa tjera: Beograd si dhe në Zagreb ( sikurse është një numër i konsiderueshëm i incizimeve të vjetra të artistëve Kosovar përfshirë Qamilin e Vogël etj.) Në ish-Jugosllavi ku edhe ne kemi qenë pjesë e sistemit incizimet janë publikuar në shumicën e rasteve nga PGP RTB (record label e asaj kohe si pronë e shtetit Jugosllav me seli në Beograd ) e cila e mban të drejtën si kompani producent -pronare e këtyre incizimeve, ka shkruar Boshnjaku. Sipas tij, përkundër bisedave me zyrtarë institucionalë nuk është marrë me shumë seriozitet kërkesa që këto materiale të diskutohen në takime me Serbinë si trashëgimi e jona kulturore dhe shpirtërore .

“Materiali i incizuar në ato dekada duhet ta ketë vendin aty prej nga ka ardhur dhe është krijuar pra në Kosovë. Kosova duhet të jetë pronare e materialeve të incizuara në kohë kurë është jetuar dhe vepruar në një bashkësi me republikat tjera në Jugosllavi, pra këtu hyjnë edhe këngët e znj. Nexhmie Pagarusha”, ka shkruar Boshnjaku. Më tej, ai ka kërkuar trajtim dinjitoz të artistëve të kalibrit të Nexhmie Pagarushës.

“Znj.Nexhmie në vitet e fundit nuk e shijoj të drejtën e autorit ku ajo pagesë ishte deshtë me ja kriju një bazë për një pleqëri dhe pension të dinjitetshëm pa pasur nevojë me kriju ligje dhe ide tjera që artisti i kalibrit të saj të ketë një pleqëri si duhet”, ka shkruar Boshnjaku.

Në fund të postimit të tij, kompozitori Boshnjaku ka kërkuar digjitalizimin e materialit të arkivit të ish- RTP-së.

“Ligji i cili e rregullon raportin e RTK-së si RTV publik në raport me materialet e RTP-së të cilat pas digjitalizimit duhet të jenë pronë e RTV publik ose të jenë pronë e shtetit të cilat arkivohen në ministri përkatëse si trashëgimi kulturore ose trashëgimi shpirtërore”, përfundon postimin e tij Boshnjaku. / KultPlus.com

A do të ketë Prishtina yje që ndrinë pa ty ?!

Poezi nga Hyrije Jusufi

(Kushtuar Nexhmije Pagarushës)

Kush tha se yjet shuhën qiellit të Dardanisë
Bilbili përhap kumtin e mirësisë memedheut
Tingujt prekin aortën e zemres së dlirë
Zëri që i buzëqeshi si zog pipthave të qershisë
Dashurisë plotë begati shpirti përtej resh…
Bebëza e rrezës së diellit këtë janar melodie
Ushqeu nota e fjalë në simfoni shpirti ndezur
Male e kodra të bukura mbush tinguj valësi
Në zërin tënd zgjohen ritmet e jetës universit
Legjend e gjallë mbetesh në trungun e lindjes!

Mos vallë të ftuan duartrokitjet e përherëshme
Melodia e bilbilit rrugëve t‘kombit u derdh
Ngjyrat e zërit tënd dhembja e gjyshit trojeve
Bareshë malëve imazh i gjallë përjetë qëndron
E shkrirë në lotin e dhembjes syri qerpikut…

A do të ketë Prishtina yje që ndrinë pa ty
Dhe t‘shkuarët e ardhjet e dallëndysheve …!

Zëri yt në gjerdan do prehet muzeve të poetit
Loti do pikoj nga qielli përtej diellit dritë Ikona
Për të freskuar ballin e bariut fushave të Pagarushës
E vallja e vajzave le të jetë trashegimi yt bilbil i këngë. / KultPlus.com

Bilbili i Kosovës u përcoll me duartrokitje si një perëndeshë

Xhemile Hysenaj

Sot në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, u mbajt ceremonia mortore për ikonën e muzikës shqipe, shkruan KultPlus.

Miqtë, familjarët e adhuruesit e këngëtarës ishin mbledhur në Teatrin Kombëtar ku mes lotësh, përqafimesh e përkuljesh para figurës së Nexhmijës, u përshëndetën për të fundit herë me të.

Ansambli ”Shota” për të nderuar jetën dhe veprën e Pagarushës, qëndruan deri në përfundim të homazheve pranë arkivolit të saj.

Pagarusha ka lënë gjurmë të mëdha te secili prej nesh, iku për të mos u harruar kurrë e për t’u përjetësuar çdoherë përmes këngëve të saj.

Politikanë, muzikantë, aktorë e personalitete të fushave të ndryshme, përkuleshin para arkivolit që prehej në hollin e Teatrit Kombëtar.

Pas homazheve që zgjatën për dy orë të tëra, miqtë, familjarët dhe dashamirësit e muzikës së Pagarushës, u mbledhën në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar për Akademinë Përkujtimore.

Akademia përkujtimore filloi me Himnin e Kosovës dhe pasoi nga një minutë heshtje në nderim të Nexhmije Pagarushës.

Fjalën në këtë Akademi Përkujtimore e mori e para e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shprehi ngushëllime familjes së të ndjerës dhe gjithë Kosovës.
‘Jam këtu para jush për ta ndarë dhimbjen e madhe për humbjen e Nexhmijes sonë, këngët e së cilës i kemi njohur e dashur qysh në fëmijëi e në rininë e hershme. Atëbotë ne nuk e dinim se zëri ynë mund të dëgjohej në institucione e në politikë, por mahniteshim me atë që këngës ia jepte vulën e përjetësisë. Nexhmija reflektonte një forcë shtytëse për mua dhe shoqet e mija, që të guxonin dhe të ëndërronim që një ditë të kapërcenim frikën e pasigurinë, të dëshmonim praninë tonë, ëndrrën tonë dhe dëshirën për të jetuar në një shoqëri të lirë e të barabartë”, u shpreh Osmani para të pranishmëve.

Menjëherë pas Vjosa Osmanit, fjalën e mori Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai e cilësonte vdekjen e Bilbilit të Kosovës një humbje të madhe për artin mbarëshqiptar.
”Jemi mbledhur sot këtu për t’i thënë lamtumirë një gruaje e cila ishte simbol i muzikës, i këngës, i teatrit dhe i filmit .. muzika dhe arti tash kanë humbur ikonën e tyre kurse kombi ynë ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar. Ata që kishin fatin ta njihnin prej së afërmi e kuptonin madhështinë e saj prej artisteje dhe thjeshtësinë e jetës së saj, ndërsa ata që kishin fatin të punonin me të tregonin për përkushtimin dhe diciplinën e saj në punë. Këngët e saj do të mbeten përjetë në skenë dhe do të këndohen nga secila gjeneratë. Me muzikën dhe artin e saj ajo lartësoi atdheun”, u shpreh Kurti.

E për të shprehur ngushëllimet dhe nderimet e tij, i pranishëm ishte edhe Ambasodori nga Shqipëria, Qemal Minxhozi, i cili e kosnideronte Nexhmijen të jetë si një urëidhëse e bashkimit midis shqiptarëve.

”Pagarusha jonë u rrit pa nënë por dashuria e saj për Kosovën, Shqipërinë e më gjerë e bënë nënën e këngës shqiptare. Bilbili Pagarusha u bë simbol i bashkimit midis shqiptarëve. Janë të paktë ata që nuk e kanë njohur shpirtin, karakterin, bujarinë, personalitetin e pamatshëm të saj”, tha ai.

‘Nexhmija pa përfaqësuar bukurinë e muzikës sonë popullore, ka qenë shenja përmes së cilës muzika jonë popullore është njohur në ish-Jugosllavi. Ajo ka pasuruar muikën kosovare, ajo e ka definuar muzikën shqipe’, u shpreh Rafet Rudi, i cili fjalën e mori si përfaqësues i komunitetit artistik.

E në fund të kësaj Akademi Përkujtimore, fjalën e mori mbesa e të ndjerës, Mirjeta Mulliqi. Ajo mes lotësh e me shumë emocione, tregoi se Nexhmija parasegjithash ka qenë një grua e fortë, një nënë, një hallë e një gjyshe e pashoq. Një grua që kishte inspiruar familjarët e tjerë, e veçanërisht gratë e asaj familjeje.
”Ka qenë një grua e fortë me shumë vlera, një grua modeste. Për të familja ishte çdoherë në rend të parë. Për ne mbesat dhe nipat ka treguar shumë durim, ka pasur çdoherë vesh dhe kohë për ne. Ka qenë gjithmonë e gëzuar dhe e buzëqeshur. Na ka mësuar të jemi të pavarurua, të luftojmë për pozitën tonë si gra në shoqëri”, u shpreh ajo për të pranishmit.

Pas përfundimit të ceremonisë, u bë nisja e kortezhit nga Teatri Kombëtar, e cila do vazhdoi përgjatë sheshit ‘Nëna Terezë” e deri tek Hotel ‘Grand’.

Nexhmije Pagarusha iku me duartrokitje, me muzikë e me lavdi, taman ashtu siç edhe kishte jetuar. Ajo pas vetes la më shumë se art e muzikë, la dashuri e jëtë, la madhështi e lavdi. / KultPlus.com

(Ballina: Profili i Vjosa Osmanit, Facebook)

Sot, Kosova në ditë zie pas vdekjes së Nexhmije Pagarushës

Hashim Thaqi, presidenti i Republikës së Kosovës, e ka shpallur ditë zie 9 shkurtin për të nderuar figurën e mbretëreshës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KulPlus.

Bëhet e ditur se Thaqi këtë vendime e ka marrë në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për këngëtaren e mirënjohur e cila ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare.

Sipas asaj që njofton Presidenca, në pajtim me legjislacionin në fuqi, sot në ditën e zisë, flamuri shtetëror do të ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq edhe varrimi i të ndjerës bëhet sot në Pagarushë të Malishevës. / KultPlus.com

Malisheva ndezi qirinj në shenjë nderimi për Nexhmije Pagarushën

Në shenjë nderimi për bilbilin e muzikës dhe kulturës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, sonte në Malishevë, pranë muzeut të qytetit, qytetarë të shumtë kanë ndezur qirinj.

Komuna e Malishevës, përmes një njoftimi për media, tha se ceremonia e ndezjes së qirinjve është shoqëruar me këngët e Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha, të kënduara ndër vite.

Në këtë aktivitet morën pjesë familjarë të Nexhmije Pagarushës, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të subjekteve politike që janë të përfaqësuar në Kuvendin e Komunës, si dhe qytetarë të tjerë, të të gjitha moshave.

Kujtojmë se Nexhmije Pagarusha, bilbili i Kosovës, ka vdekur dje në moshën 86 vjeçare.

Nexhmija u lind më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës. /KultPlus.com

Poezia që Din Mehmeti ia kushtoi Nexhmije Pagarushës

Kjo është një poezi të cilën Din Mehmeti e ka shkruar për Nexhmije Pagarushën. Edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, Din Mehmeti njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare Jeta e Re.

Këngës i dolën flatrat

Këndoi e këndoi
Derisa u shndërrua në këngë.

Dashuria për jetë
Ia mori zërin

Këndoi e këndoi
Derisa shkundi shkrumbin
E shpirtit të vet
Derisa bulëzuan pranverat
Në zemrat e njerëzve

Këngës i dolën flatrat
Ajo tash fluturon
Mbi të gjitha fatkeqësitë
E vdekja s’ka ç’t’i bëjë.

Kur Nexhmije Pagarusha mbulohej me lule në Shkodër

Shkruan: Isa Alibali

Personaliteti i parë artistik nga Kosova, që erdhi në Shqipëri në vitet ‘70, ishte Nexhmije Pagarusha, zëri brilant i së cilës dhe emri i saj i madh qarkullonin gojë më gojë.

Ishte prilli i vitit 1971

Ardhjen e saj në Shkodër e pritëm si një ngjarje me rëndësi. Jo vetëm thjeshtë se emri dhe kënga e saj ishin kthyer në simbol, por edhe pse vinte nga Kosova jonë. Në repertorin e saj të pasur, një vend të rëndësishëm zinin këngët që ishin krijuar ose krijoheshin e këndoheshin në Shqipëri.

Ylli i këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha (Nexhmije domethënë yll),është lindur në vitin 1933, në Pagarushë të Malishevës. Që në fëmijëri dhe më vonë u vu re një talent i jashtëzakonshëm dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, nga zëri i bukur i saj.

“A thua lindi një yll i këngës” pëshpëritnin njerëzit kur e dëgjonin duke kënduar. Dhe i admironin bukurinë e pamjes, të shpirtit dhe të zërit. E lindur artiste, në fillim u mor edhe me teatër dhe është ndër femrat e para në Kosovë në këtë gjini të artit,

krahas Meribane Shalës dhe Katerina Josipit, të dyja aktore të shquara kosovare. Por ndryshe prej tyre, ajo kishte edhe një aftësi tjetër: kishte zërin e mrekullueshëm. Kishte lindur për t’u bërë këngëtare dhe iu kushtua këngës, që ta këndonte e ta interpretonte atë me mjeshtri. Vetëm 15 vjeçe, me ndrojtje dhe e pasigurt në vetvete, ajo u fut në studion e Radio-Prishtinës.

Hyri në atë sallë të mbyllur e të vogël për t’u bërë e madhe, për të mbetur përjetësisht besnike e këngës. Me zërin e saj të ëmbël, të çiltër dhe kumbues, shpejt i bëri për vete të gjithë admiruesit e këngës shqiptare.

-Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut, se sa tek ajo.

-Ka zë të artë e të kristaltë…

-Kur këndon Nexhmija, heshtin edhe zogjtë këngëtarë.

Kjo jehonë e zërit të saj të veçantë bëri që të quhet me meritë “Bilbili i Kosovës”

Kënga e saj

Kënga e saj jehoi nëpër botë, në Izrael, SHBA, Gjermani, Austri, Itali, Bullgari, Tunizi, Francë, Çekosllovaki dhe, vonë, shumë vonë edhe në Shqipëri. U bë shpejt ambasadore e miqësisë midis popujve, ambasadore e këngës shqipe. Kudo sillte mallin e vendlindjes. Shqiptarët e Kosovës i përtërinte, i mallëngjente, i mbushte me jetë.

…Në hollin e Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore të Shkodrës, atë mbasdreke të prillit 1971, ishin mbledhur shumë artistë, për të pritur këngëtaren e madhe.

Nexhmije Pagarusha hyri qetë – qetë në tempullin e kulturës shkodrane, në atë institucion ku prej dekadash kishte ushtuar zëri i qindra artistëve të talentuar, aty ku ishin përgatitur dhe kishin ecur në hapat e tyre të para shumë nga artistët më të shquar të artit tonë kombëtar.

Gjatë përshëndetjes shihej në fytyrën e saj një buzëqeshje e ngrohtë, e çiltër, me lëvizje plot finesë, që shoqërohej me një zë të ëmbël. Edhe kur fliste, sikur këndonte. Ndoshta na dukej ne kështu, nga që e shikonim me adhurim dhe me kënaqësi të veçantë.

Ajo u ndal te secili në veçanti, duke i thënë nga ndonjë fjalë të ngrohtë e të ëmbël. Kaluan vetëm pak çaste dhe ajo na u bë më e afërt, sikur të kishte qenë prej kohësh mes nesh.

Atë natë të ardhjes së Nexhmije Pagarushës në Shkodër të gjithë përjetonim një gjendje të veçantë kënaqësie. Ajo fliste qetë, bukur, këndshëm, hareshëm. Dhe buzëqeshte. Ndiente kënaqësi edhe ajo se ndodhej mes artistëve shkodranë. Na foli, na tregoi shumë gjëra, për veten, por edhe për të tjerët.

– Mbeta jetime nga nëna që në moshën katër vjeçe. Babai im ishte ndër mësuesit e parë të zonës. Kishte dëshirë që edhe unë të bëhesha shembulli i femrës së shkolluar shqiptare…

Kënga e bukur kosovare, shqiptare dhe, në këtë vështrim edhe ajo shkodrane, vulosi fatin tim…. Në vitin 1950 shkova në Beograd, ku këndova këngën “Dashnor t’u bana”, këngën e bukur shkodrane. Kalova me sukses konkursin dhe hyra në rrugën e afirmimit.

Këndoja vetëm shqip, vetëm këngë shqiptare, ashtu si: Marije Kraja e Tefta Tashko Koço, ashtu si Vaçe Zela, Luçije Miloti, Naile Hoxha e Drita Papajani e sa e sa të tjera, ashtu si Bik Ndoja e Xhevdet Hafizi, që i dëgjonim me ëndje e me kënaqësi të veçantë.

Bëri një pauzë, hodhi një vështrim drejt nesh, me sa dukej për të verifikuar në se kishte tërhequr si duhej vëmendjen tonë. Në fakt ne ishim përqendruar aq shumë në fjalët e saj, sa që i përpinim ato me një ndjenjë ngazëllimi. Ajo vazhdoi:

– Dëgjoja këngën e bilbilit. Dëshiroja të bëhesha bilbil… Dëgjoja gurgullimën e përroit, zemrën dëshiroja ta gdhend për atë shushurimë, që vetëm natyra di të na dhurojë…Kur dëgjova zërin tim, nxënëse e gjimnazit, u befasova, u frikësova, këndova edhe një herë, edhe dhjetë herë.

Frika më pështillte, mos vallë është një burim i rastit, do të shteret shpejt? Dhe nisa të këndoj para shoqeve e shokëve, në shkollë e jashtë saj. Njerëzit pas këngës sime duartrokisnin dhe kërkonin të këndoja edhe më!…

Jam munduar ndonjëherë ta fikë atë zjarr vetë, në momente të vështira, që t’i ikë këngës, por thonë se kur e mëson bilbili këngën e tij, të vetmen, nuk i ndahet gjer në vde.kje, e njeriu di aq shumë këngë, të dashura, secila si kënga e bilbilit, si mund të ndahet prej këngëve, si?!… Këndoja sikur kisha në fyt dhjetë, një mijë bilbila…

Fjalë zemre

Ishin fjalë zemre, prandaj ne duartrokitëm fort, gjatë. Ishte një krahasim shumë i gjetur, që na pëlqeu e na bëri përshtypje të madhe.

– Kënga ime është e imja, deri sa gjendet në mua, në zemrën time. Kur niset në udhëtim, ajo është e secilit njeri. Unë humbas e ata fitojnë…Jam e kënaqur kur më falin një lule të vogël dhe një buzëqeshje të madhe. Jam e kënaqur kur dy e tri herë rresht sillet disku me këngën time.

Më pëlqen kur dëgjoj atë fjalën magjike: “Bis, bis, bis” dhe këndoj edhe aq sa nuk mundem. Kënga edhe më lodh edhe është pushim për mua. Kur është e bukur kënga, kur pështillet në zëmrën time, kur ma ndez fytin, dua një minutë e më parë ta hedh prej kraharorit, si një flakë që s’fiket dot, si zjarr e llavë vullkani.

E t’i ndez zemrat e njerëzve, sepse melhem është kënga.( Shih për më gjatë intervistën e bërë nga Maksut Shehu, botuar në Prishtinë në gazetën “RILINDJA”, 14.6.1970) Fliste me emocion, por bukur, qartë dhe kuptueshëm. Fjala e saj e këndshme dhe e ngrohtë të bindte se talenti nuk mësohet, ai është i lindur.

– Kështu ecëm ne, kështu u rritëm, me ju në zemër e në shpirt dhe u bëmë këta që jemi, së bashku me krijuesit tanë që sapo filluan të kompozonin. Ju keni mundësi të shprehni kënaqësinë tuaj, unë…jo, – dhe një lëmsh emocioni e pushtoi në grykë, kurse në sytë e saj të bukur u duken lot. Pastaj, duke e marrë disi veten, shtoi: – Bilbili duhet të këndojë i lirë, s’e duron kafazin…

Nënkuptimi ishte i qartë. Por ende nuk e njihte sa duhet mirë realitetin tonë.

– E ëndërroja ardhjen në Shqipëri. Dhe ja, erdha, së bashku me mikun tim Zef Tupeci. Jam e nderuar që më shoqëron në Shkodër artisti i madh Avni Mula, tek i cili edhe ne, shqiptarët e Kosovës kemi pjesën tonë…

Dhe qeshi, Ne duartrokitëm me entuziazëm.

-Kur isha në Tiranë, më ftuan në koncertin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, në një koncert të mrekullueshëm, ku e ndjeva veten të lumturuar. Këndova “Bareshën” time të preferuar për mua dhe dëgjuesit e shumtë të saj.

Kur këndova këngën “Unë ty, moj, të kam dashtë”, këngë e mirëfilltë dashurie, më dukej sikur shprehja dashurinë e madhe që kam për Shqipërinë tonë amë, të cilën e kemi të gjithë në mendje e në zemër. /KultPlus.com

Duartrokitjet në Shqipëri

Nga: Ibrahim Kadriu

Një paradoks: nuk mund të kuptohej kush kë e çmonte më shumë, këngëtarët e Kosovës kolegët dhe koleget e tyre në Shqipëri, apo e kundërta.

Vajtja e ansamblit “Shota”, me këngë dhe valle të “kombeve dhe kombësive” në Shqipëri, dhe paraqitja e këtij ansambli me koncerte në shumicën e qyteteve, ishte një, si i thoshin atje, surprizë, që në përkthim në gjuhën e thjeshtë tonën do të thotë – befasi. Ajo befasi, mbase, ishte e dyanshme: opinioni shqiptar bënte “hyxhym” drejt sallave të koncerteve ku do të paraqiteshin këngëtarët nga Kosova, bile në raste ai “hyxhym” nxiste edhe sjellje më të vrazhdë të policisë, sikur në Korçë, për shembull.

Ishte përmallja, apo vërtet pëlqeheshin këngët e interpretuara nga mysafirët e ardhur nga Kosova, nuk mund të kuptohej, por entuziazmi i publikut ishte tej mase, sidomos kur në skenë ishte Nexhmije Pagarusha. Edhe pa atë entuziazëm të tyre, Nexhmija ishte e pushtuar nga një ndjenjë malli për atë tokë shqiptare, për njerëzit e atjeshëm, për qytetet… prandaj, falë asaj ndjenje, Nexhmija krijonte afërsinë duke iu hedhur aderuesve në përqafim, herë-herë edhe duke qarë… por gjithnjë me këngën në prani të tyre, qoftë edhe jashtë skene, domethënë në ambient hoteli ku shtroheshin darkat, drekat… si në Berat, për shembull: në orët e mbrëmjes të asaj dite pranvere, që Berati e ka sharmin e veçantë, ndodhemi në hotel “Turizmi”, shkruan sot Koha Ditore.

Është mbrëmje për relaksim shpirtëror, për “muhabet” me Nexhmije Pagarushën në ballë. Ajo i dha vetes të drejtë të furnizohet me emocione edhe duke i ngre disa gota, për të qenë në elementin e saj, jo vetëm si këngëtare, por edhe si aktore. Këndim dhe aktrim, njëherësh: këndim i këngës “Hava Nagila”, që për mesin shqiptar ishte diçka e rrallë, për çka ata ndiheshin jashtëzakonisht të lumtur që iu kishte rastisur të gjendeshin në atë ambient ku Nexhmija ia thoshte asaj kënge me një përjetim të rrallë.

Shtytje ishte edhe mjeshtëria e Ferdinand Dedës, duke e përcjellë me harmonikën e tij, duke i dhënë shkas këngëtares të shprehej në mënyrën më të përshtatshme …Ishte kënaqësi e dyanshme, për opinionin shqiptar që e shihnin drejtpërdrejt Nexhmije Pagarushën për të cilën kishin dëgjuar aq shumë, por edhe për ne, si mysafirë, tek përballeshim me prezantimin mjeshtëror të Ferdinand Dedës për të cilin mësuam, me atë rast, se kishte studiuar në konservatorin e muzikës në Pragë (në vitin 1961) dhe se ishte i detyruar të ndërpriste atje, për të vazhduar në Tiranë dhe se, që kur kishte qenë student, kishte udhëhequr orkestrën e RTSH-së dhe, nga ajo kohë e tutje, kishte udhëhequr sa e sa koncerte jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, Turqi, Greqi… Atë mjeshtër muzike e kishim para vete, derisa i ndihmonte Nexhmijes ta bënte mbrëmjen aq të këndshme. /KultPlus.com

‘Ani mori nuse’ nga zëri hyjnor i Nexhmije Pagarushës (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha me këngët e saj do të mbetet ikonë e papërsëritshme e muzikës shqiptare.

Këngët dhe muzika e saj ndër vite i kanë rezistuar kohës, për shkak të veçantisë së interpretimit të saj e përjetimit të rrallë artistik. Ajo ishte dhe do të jetë Bilbil, dhe nuk ka epitet tjetër më të denjë për të.

“Ani mori nuse” është një këngë që pothuajse çdokush e ka dëgjuar dhe e di tekstin e saj pasi që është interpretuar në organizime të ndryshme gazmore e nga interpretues të ndryshëm.

Kur flitet për këngë të njohura në kulturën tonë, kush mund t’i sjellë më mirë se ajo që identifikohet me titullin “Bilbili i Kosovës”.

Sot KultPlus e sjellë këtë këngë me tekst dhe me interpretim nga Nexhmije Pagarausha. / KultPlus.com

Inva Mula: Në vitet e 70-ta, gra elegante kemi parë vetëm nga ekrani, Nexhmije Pagarusha ishte e tillë

Ardianë Pajaziti

Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula është e trishtuar me vdekjen e artistes së madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, e cila ishte e njohur si “Bilbili i Kosovës”.

Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula është e trishtuar me vdekjen e artistes së madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, e cila ishte e njohur si “Bilbili i Kosovës”.

Inva Mula do të niset në Prishtinë për ti dhënë lamtumirën e fundit mikes së saj, mikes së familjes Mula, dhe ajo tregon se në heshtje do ti thotë gjithë dashurinë që ka për figurën e madhe Nexhmije Pagarusha.

Në intervistën e dhënë për KultPlus, Inva Mula tregon për takimin e parë me Nexhmije Pagarushën, dhe aura e kësaj gruaje e ka përcjellë pothuajse gjatë gjithë jetës.

“Isha e vogël, në vitet e 70-ta kishte ardhur Nexhmije Pagarusha në Shqipëri, dhe ajo në atë kohë u shoqërua nga dy prindërit e mi”, tregon Inva Mula, e cila këtë takim e shpjegon sikur të ishte një përrallë, pasi që, përpos që e shijoi performancën e saj në skenë, po në atë kohë qëndroi afër asaj gruaje që ishte plot bukuri dhe elegancë.

Bukurinë, elegancën, interpretimin dhe aurën e Zonjës Pagarusha i shpjegon me shumë emocion, që sipas saj, atë emocion nuk e ka përjetuar nga asnjë grua tjetër.

“Erdhi në vitet e 70-ta në Shqipëri, dhe e shoqëruar edhe nga prindërit e mi shkuam në një shfaqje baleti, mbaj në mend se Nexhmije Pagarusha u ul në të njëjtin rresht ku isha unë, nuk e harroj kurrë atë emocion, u ul afër meje një grua e bukur, një grua elegante, dhe më befasoi shumë në atë Shqipëri të zymtë të viteve të 70-ta, ne jo që kishim parë një grua të tillë, por një elegancë si të Nexhmijes e kishim parë vetëm nga ekrani”, tregon Inva Mula për praninë e Nexhmije Pagarushës.

“Kjo ishte Nexhmija, gruaja që më dha goditjen me elegancën e saj, që nuk më ka ndodhur me asnjë grua tjetër”, tregon Inva Mula.

Por eleganca dhe bukuria e Nexhmije Pagarushës do të forcohej një mbrëmje më vonë, pas asaj të shfaqjes së baletit. Kishte ardhur koha që në mbrëmjen e radhës, Nexhmije Pagarusha të ngjitej në skenë dhe të paraqitej me një koncert recital.

“E mbaj në mend atë koncert, jo zëri, jo interpretimi, po aura, aura e saj më mbërtheu. Unë shoh Nexhmijen të dubluar nga një rreze që kishte përgjatë gjithë koncertit, unë i shikoja gjithë rrezet që i lëshonte, pra trupi i saj, qenia e saj ishte e mbushur dhe e rrethuar  me këtë aurë, që e kanë shumë pak artistë, dhe kjo është një ndër kujtimet më të bukura që kam për Nexhmijen”, ka kujtuar Inva Mula.

Artistja shqiptare Inva Mula, Nexhmije Pagarushën e vlerëson figurë artistike që do të mbetet në histori, njësoj si figurat historike. “Nexhmija do të jetë në piedestal të këtyre figurave, sepse tek ajo u grumbulluan elemente, të cilat vështirë mblidhen tok së bashku vetëm në një personalitet të fortë.

Duke e vlerësuar edhe vokalin dhe shtrirjen e saj, Inva Mula ka vlerësuar këngën “Baresha”, dhe duke iu referuar potencialit të saj artistik, Mula ka thënë se Nexhmije Pagarusha për kohën dhe rrethanat që veproi u bë ikonë.

“Ishte një figurë e kompletuar, me gjithë kompleksitetin që kishte, duhet kohë dhe studim për figurën e Nexhmije Pagarushës”, ka thënë Inva Mula, e cila vdekjen e saj e ka përjetuar me një trishtim të madh, sepse, ajo thotë se ka humbur miken, një shoqe të mirë të prindërve të saj, dhe një pjesë të jetës. Nexhmije Pagarusha ka vdekur më 7 shkurt në Prishtinë, dhe varrimi i artistes së madhe do të bëhet në një ceremoni të ngushtë familjare më 9 shkurt, në fshatin Pagarushë/KultPlus.com

Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula është e trishtuar me vdekjen e artistes së madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, e cila ishte e njohur si “Bilbili i Kosovës”.

Inva Mula do të niset në Prishtinë për ti dhënë lamtumirën e fundit mikes së saj, mikes së familjes Mula, dhe ajo tregon se në heshtje do ti thotë gjithë dashurinë që ka për figurën e madhe Nexhmije Pagarusha.

Në intervistën e dhënë për KultPlus, Inva Mula tregon për takimin e parë me Nexhmije Pagarushën, dhe aura e kësaj gruaje e ka përcjellë pothuajse gjatë gjithë jetës.

“Isha e vogël, në vitet e 70-ta kishte ardhur Nexhmije Pagarusha në Shqipëri, dhe ajo në atë kohë u shoqërua nga dy prindërit e mi”, tregon Inva Mula, e cila këtë takim e shpjegon sikur të ishte një përrallë, pasi qw, pwrpos qw e shijoi performancën e saj në skenë, po në atë kohë qëndroi afër asaj gruaje që ishte plot bukuri dhe elegancë.

Bukurinë, elegancën, interpretimin dhe aurën e Zonjës Pagarusha i shpjegon me shumë emocion, që sipas saj, atë emocion nuk e ka përjetuar nga asnjë grua tjetër.

“Erdhi në vitet e 70-ta në Shqipëri, dhe e shoqëruar edhe nga prindërit e mi shkuam në një shfaqje baleti, mbaj në mend se Nexhmije Pagarusha u ul në të njëjtin rresht ku isha unë, nuk e harroj kurrë atë emocion, u ul afër meje një grua e bukur, një grua elegante, dhe më befasoi shumë në atë Shqipëri të zymtë të viteve të 70-ta, ne jo që kishim parë një grua të tillë, por një elegancë si të Nexhmijes e kishim parë vetëm nga ekrani”, tregon Inva Mula për praninë e Nexhmije Pagarushës.

“Kjo ishte Nexhmija, gruaja që më dha goditjen me elegancën e saj, që nuk më ka ndodhur me asnjë grua tjetër”, tregon Inva Mula.

Por eleganca dhe bukuria e Nexhmije Pagarushës do të forcohej një mbrëmje më vonë, pas asaj të shfaqjes së baletit. Kishte ardhur koha që në mbrëmjen e radhës, Nexhmije Pagarusha të ngjitej në skenë dhe të paraqitej me një koncert recital.

“E mbaj në mend atë koncert, jo zëri, jo interpretimi, po aura, aura e saj më mbërtheu. Unë shoh Nexhmijen të dubluar nga një rreze që kishte përgjatë gjithë koncertit, unë i shikoja gjithë rrezet që i lëshonte, pra trupi i saj, qenia e saj ishte e mbushur dhe e rrethuar  me këtë aurë, që e kanë shumë pak artistë, dhe kjo është një ndër kujtimet më të bukura që kam për Nexhmijen”, ka kujtuar Inva Mula.

Artistja shqiptare Inva Mula, Nexhmije Pagarushën e vlerëson figurë artistike që do të mbetet në histori, njësoj si figurat historike. “Nexhmija do të jetë në piedestal të këtyre figurave, sepse tek ajo u grumbulluan elemente, të cilat vështirë mblidhen tok së bashku vetëm në një personalitet të fortë.

Duke e vlerësuar edhe vokalin dhe shtrirjen e saj, Inva Mula ka vlerësuar këngën “Baresha”, dhe duke iu referuar potencialit të saj artistik, Mula ka thënë se Nexhmije Pagarusha për kohën dhe rrethanat që veproi u bë ikonë.

“Ishte një figurë e kompletuar, me gjithë kompleksitetin që kishte, duhet kohë dhe studim për figurën e Nexhmije Pagarushës”, ka thënë Inva Mula, e cila vdekjen e saj e ka përjetuar me një trishtim të madh, sepse, ajo thotë se ka humbur miken, një shoqe të mirë të prindërve të saj, dhe një pjesë të jetës. Nexhmije Pagarusha ka vdekur më 7 shkurt në Prishtinë, dhe varrimi i artistes së madhe do të bëhet në një ceremoni të ngushtë familjare më 9 shkurt, në fshatin Pagarushë/KultPlus.com

Dua Lipa përkujton ikonën e muzikës shqiptare

Shumë personalitete të shquara kanë shprehur ngushëllime e keqardhjen e tyre për humbjen e ikonës së muzikës shqipe, shkruan KultPlus.

Pagarushën e ka përkujtuar edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

Ajo ka postuar një fotografi të Nexhmije Pagarushës në llogarinë e saj personale në InstaStory. / KultPlus.com

Nesër ditë zie në Kosovë në nderim të Nexhmije Pagarushës

Hashim Thaqi, presidenti i Republikës së Kosovës, e ka shpallur ditë zie 9 shkurtin për të nderuar figurën e mbretëreshës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KulPlus.

Bëhet e ditur se Thaqi këtë vendime e ka marrë në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për këngëtaren e mirënjohur e cila ndërroi jetë dje në moshën 86-vjeçare.

Sipas asaj që njofton Presidenca, në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë flamuri shtetëror do të ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq edhe varrimi i të ndjerës bëhet neser në Pagarushë të Malishevës. / KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha dhe Liliana Çavolli i këndonin perëndeshës së bukurisë (VIDEO)

Një figurë si ajo e Nexhmijes kurrë nuk është tepër të kujtohet, të dëgjohet e të përjetohet, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell serenatën korçare ”Perëndeshë e bukurisë”, nën interpretimin e dy zërave të fuqishëm të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha dhe Liliana Çavolli.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Perëndeshë e bukurisë je
un për tynë do t’pëlcas
dashurinë që kam shtënë për ty
u bu bu si do t’ia bëj

Se në ëndërr të shikoj
… e kurr stë’harroj
mos me mundo
o yll o xhan o zemër o

Jak o xhan e jak o shpirt
jak o zemra ime
eja të rrojmë që të dy
në këtë botë

Jak o ylli me shkëlqim
Fytyrë e dashurisë
me zënë e ëmbël ti që ke
më bëre të vdes

Ilaçet nuk më bëjnë gjë
s’më shërojnë plagëtë
përveçse syri yt i zi
që më dogji zemrënë

Dhe në ëndërr të shikoj
… e kurr stë’harroj
mos me mundo
o yll o xhan o zemër o

Jak o xhan e jak o shpirt
mjaft o zemra ime
eja të rrojmë që të dy
në këtë botë

Jak o ylli me shkëlqim
Fytyrë e dashurisë
me zënë e ëmbël ti që ke
më bërë të vdes. / KultPlus.com

‘Te varri im kur të vish mos qaj, nuk jam aty, unë gjumë nuk mbajë’

Poezi nga Mary Elizabeth Frye

Te varri im kur të vish mos qaj,
Nuk jam aty,
Unë gjumë nuk mbajë
Unë jam në puhitë që fërfëllojnë,
Jam në diamantet e fluskave të dëborës që verbojnë.
Më gjenë në shkëlqimin e artë të grurit,
Jam në piklat e shiut të shtatorit,

Kur mengjeset i nisë me nxitim,
Më gjen në vrapin që këndshëm përfshinë,
Zogjtë që melodinë e cicërrojnë,
Jam në qarqafin e yjeve që natën të mbulojnë
Te varri im vajit pse i je rrekur.
Unë nuk jam aty.
Unë nuk kam vdekur. / KultPlus.com

‘Ti moj bukuroshe, falma dashurinë, trashëgim prej të parëve e ke bujarinë’

Nexhmije Pagarusha la një bagazh të madh të këngëve të saj, këngë këto që i këndonin dashurisë, bukurisë e mallit, shkruan KultPlus.

Sot, figurën e këngëtares së madhe shqiptare, e kujtojmë më këngën ”Kosovarja e bukur”.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Si shkelqimi i hanës
Fytyra e saj ndriçon
Kosovarja e bukur
Djeg e përvëlon

Ref…x2
Ti moj bukuroshe
Falma dashurinë
Trashegim prej të parëve
E ke dhe bujarinë

Vasha kosovare
Plot gëzim lumni
Knaqet tuj punue
Në katundin e ri

Ref…x2
Ti moj bukuroshe
Falma dashurinë
Trashëgim prej të parëve
E ke dhe bujarinë

Me kreshni bujare
Buza në gaz i shkon
Emri i saj i bukur
Ditë për ditë lulëzon

Ref…x2
Ti moj bukuroshe
Falma dashurinë
Trashëgim prej të parëve
E ke dhe bujarinë. / KultPlus.com

Në të gjitha lokalet e kryeqytetit sot do të jehojë kënga e Nexhmije Pagarushës

Sot në të gjitha lokalet e Prishtinës, do të dëgjohet këngët e ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

Kjo marrëveshje u bë në mes të koordinimit të shoqatës së Gasttronomëve dhe ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, në mënyrqë të nderohet figura e bilbilit të Kosovës.

“Diva origjinale e trevave tona nesër do dëgjohet, në sinkron, në të gjitha lokalet e Prishtinës, në të njëjtën kohë, për të prodhuar një kontrast që bashkëvepron. Zëri i saj do shkrijë mërzinë tonë dhe në anën tjetër do ta ngrijë kujtimin për të në mendjet tona’, thuhet në njoftim e shoqatës së Gastronomëve.

Njoftimi i plotë i shoqatës së Gastronomëve

‘Shoqata e Gastronomve të Prishtinës, në kordinim me Ministrën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj.Vlora Dumoshi, janë dakorduar që të vendosin një vepër simbolike për ndër të vdekjës së ikonës shqiptare.

Përherë, do të jehojë zëri i saj në kujtimët e bukura që la tek ne.
Shprehim konsideratë të veçantë për Ministrën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj Dumoshi, për iniciativën e qëlluar.

Artistët jetojnë për të krijuar dhe madhështia e veprave të tyre matet përmes rrezes që përqon arti që ata i dedikojnë jetën. Prandaj amshimi i artistëve nuk është vdekje, meqë krijimtaria ua siguron përjetësinë tokësor që mundësohet nga kultivimi i përhershëm i artit të tyre.

Nexhmie Pagarusha është një krijuese e kësaj përmase dhe konsumimi i vazhdueshëm i artit të saj do ia sigurojë përjetësinë.

Diva origjinale e trevave tona nesër do dëgjohet, në sinkron, në të gjitha lokalet e Prishtinës, në të njejtën kohë, për të prodhuar një kontrast që bashkëvepron. Zëri i saj do shkrijë mërzinë tonë dhe në anën tjetër do ta ngrijë kujtimin për të në mendjet tona.

Me rrespekt,
Petrit Kllokoqi – Kryetar i Gastronomëve të Prishtinës.
LAVDI! / KultPlus.com

Kur mbretëresha e këngës shqiptare u dekorua nga presidenti Trump

Më 7 Maj të vitit 2018, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dekoroi me medaljen e ”Mirënjohjes”, ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

Çmimi i mirënjohjes iu akordua këngëtares Pagarusha përmes propozimit të një Akademie në Florida, i cili është çmim periodik vjetor që firmoset nga Presidenti amerikan për Personalitete që kanë impakt mbi njerëzit dhe shoqëritë e tyre, konkretisht në fushën e artit.

Ky çmim iu nda Pagarushës në ditëlindjen e saj të vitit 2018 si një ndër çmimet më të rëndësishme në karrieren e saj.

Në ceremoninë e organizuar për 85-vjetorin e artistes së madhe shqiptare në Akademinë e Arteve në Tiranë, nga Shoqata RessEgnatia dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova, familjarë, miq, artistë dhe artdashës.

“Mirë se ju gjeta. Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur, kaq e lumtur jam. Nuk di kush është më i kënaqur, unë që jam me ju, apo ju me mua”, ishte shprehur artistja e madhe. / KultPlus.com

Familja Pagarusha jep detajet e fundit për varrimin e artistes së madhe Nexhmije Pagarusha

Bilbili i muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha ka vdekur sot në moshën 86-vjecare. Familja e saj ka lëshuar një njoftim ku thonë se të gjithë ata që duan të ngushëllojnë familjen Pagarusha dhe Mulliqi, mund ti takojnë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, më 8 dhe 9 shkurt, ku edhe do të mbahen homazhe dhe mbledhje komemorative, shkruan KultPlus.

Poashtu, familja Pagarusha ka njoftuar edhe për ditën e varrimit, KultPlus ju sjell më poshtë komunikatën e plotë të lëshuar nga familja Pagarusha dhe Mulliqi.

 “Njoftim !

Njoftohen i gjithe populli Shqiptar qe me datë 08.02.2020 sipas protokolit familjar hapet e pamja në hollin e Teatrit Kombëtar në Prishtinë prej ores 08:00 deri 17:00. 

Me datë 09.02.2020 do të mbahen homazhe në hollin e Teatrit Kombëtar me ç’rast qytetarët do të mund ti japin nderimet e fundit.

Ne oren 11:00 fillon mbledhja komemorative në po të njejtin objekt-teatrin kombetar

4.

Ne ora 14:30 do të bëhet varrimi në fshatin Pagarushe,Malisheve me rrethin e ngusht familjar sipas amanetit të saj të fundit

E pamja me këtë rast vazhdon edhe per dy ditë dhe atë me datë 10-11.02.2020 poashtu ne hollin e Teatrit Kombetar ne Prishtine me fillim ne ora 08:00 – 17:00.

Kërkojmë mirekuptimin e te gjithë atyre që ndajnë dhembjen me ne , gjithe miqte dhe dashamiret e znj.Nexhmije per t’iu permbajtur protokolit familjar.

ME RESPEKT,

FAMILJA PAGARUSHA-Mulliqi”, njofton familja e të ndjerës./KultPlus.com

‘Falenderoj zotin që i takoj këtij populli me një kulturë të lashtë, të madhe e të mirë’

Sot ndërroi jetë një ikonë e muzikë shqipe, një ikonë gjurmët e së cilës janë ta palëkundura në historinë e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.

Nexhmije Pagarusha njihet për zërin e fuqishëm, për emocionet e ndjenjat e mëdha që përconte tek publiku shqiptar përmes këngëve e teksteve të saj.

Nexhmije përpos se një këngëtare e jashtëzakonshme, ka qenë edhe një aktore mjaft e mirë. Filmat në të cilët ka luajtur janë: “Dasma e përgjakur”, “Jugovizioni”, “Gëzuar viti i ri”, “E kafshoja terrin”, “I ikuri”, “Tre vetë kapërcejnë malin”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Fluturimi i Micakut” etj.

Nexhmija nuk ka harruar kurrë të tregojë për dashurinë e madhe që ka për kulturën e traditën e popullit tonë.

Prandaj, sot KultPlus ju sjell njërën nga thëniet më të njohura të saj.

Falenderoj zotin që i takoj këtij populli me një kulturë të lashtë, të madhe e të mirë’ / KultPlus.com

Ermonela Jaho: Nexhmija ka qenë idhulli im

Vdekja e Nexhmije Pagarushës, sigurisht se në veçanti ka prekur komunitetin e artistëve, prej të cilëve shumica e kanë njohur edhe personalisht, shkruan KultPlus.

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare me famë botërore, ka treguar për KultPlus se lajmin për humbjen e Nexhmijes e ka pranuar me shumë trishtim.

‘Nexhmija ka qenë idhulli im kur isha fëmijë, jam impresonar që e vogël kur e dëgjoja në radio këngën e Bareshës. Dhe zëri i saj më ka ndjekur gjatë rrugëtimit të ëndrrës sime si këngëtare”, ka thënë Jaho për KultPlus.

Jaho poashtu ka treguar se Nexhmijen e ka njohur në një koncert bamirësie në Prishtinë.

”Ka qenë një emocion i papërshkruar takimi dhe përqafimi i saj, që e ruaj si një ndër kujtimet më të shtrenjta të jetës sime si artiste. I paharruar kujtimi i saj”, është shprehur tutje ajo. / KultPlus.com