Arsyet pse nanat që ‘rrijnë’ në shtëpi e ndjejnë se po çmenden

Duhet ta pranojmë, me qenë nanë në shtëpi nuk është aspak e lehtë. Duket se njerëzit mendojnë se ti veç rri me fëmijët gjithë ditën, apo? Pastaj nuk e kuptojnë pse e humb kontrollin ndonjëherë. Kështu që, herën tjetër kur tezja Hamdije nis me të tregu sa lehtë e ke, etiketoje në këtë postim.

Qe 18 arsye pse nanat që rrijnë në shtëpi e humbin kontrollin çdo ditë:

1 E humbim kontrollin sepse pastrojmë jashtëqitje gjithë ditën. Kur të pastrosh jashtëqitje në prapanicat e vogla, në mure, në gishta, gjithë ditën, atëherë mundemi me bisedu.

2 E humbim kontrollin sepse nuk mundemi me shku në toalet rehat. Seriozisht, jo vetëm që fëmijët të bombardojnë me piskama çdo herë që ulesh në toalet, por Zoti na ruajt, me mund burri me i rehatu për disa minuta deri sa ti ta kryesh nevojën në qetësi.

3 Asnjëherë nuk shpëtojmë prej piskamës së vazhdueshme të një fëmije që i është prishur qejfi. Sot, këtij fëmije i është prishur qejfi 1,678 herë. Kjo mjafton për ta çmendur këdo.

4 E humbim kontrollin sepse 90% e ditës na shkon duke i ruajtur fëmijët të mos e mbysin veten. E keni parasysh.. njëri fëmijë mendon se është supernjeri që mund me fluturu nga dollapi i rrobave, e tjetri mendon se është argëtuese ta fusësh pirunin në prizë.

5 E humbim kontrollin sepse kur i kërkojmë 5 minuta për me marrë frymë, na pyesin pse? Pse? A po tallesh me mua? A e pyet edukatoren në çerdhe pse ka nevojë për 5 minuta pushim, ose edhe për pauzën e saj 30-minutëshe për me hangër bukë rehat?

6 E humbim kontrollin sepse po vdesim për gjumë. Përderisa ti i bën 8 orët e gjumit, nanat në shtëpi çdohen çdo orë nga të qarat e fëmijës, i përzënë përbinëshat në ora 3 të mëngjesit, dhe luten që fëmijët me flejt pa kërku ujë 50 herë.

7 E humbim kontrollin sepse niveli i sheqerit në gjak na ka rënë përtokë. Ne nuk kemi as gjysëm ore për drekë, madje as 5 minuta për me hangër diçka. Kur fëmijët hanë bukë, ne vëmë rroba në lavatriçe, lajmë enë, ose endemi nëpër dhomë duke u mundu me e qetësu një foshnje që nuk ndalet tu qajt.

8 E humbim kontrollin sepse vrapojmë gjithë ditën si pula pa krye. Edhe dikush mendon se kemi edhe kohë të lirë. Po qysh jo, meqë unë nuk bëj asgjë gjithë ditën, mundem me ardh edhe me ta pastru shtëpinë tënde për mysafirët, edhe me ardh në ndejat me nuse e bija që i bëni çdo javë.

9 E humbim kontrollin sepse nuk largohemi nga puna kurrë. Me qenë nanë në shtëpi është punë me orar të plotë e që nuk mbaron asnjëherë, gjithë ditën, edhe pjesën më të madhe të natës.

10 E humbim kontrollin sepse askush nuk na ofron ndihmë. E pse me i ndihmu dikujt që gjithë ditën rri në shtëpi? Ndoshta sepse nuk jemi supernjerëz që munden me jetu veç me ajër.

11 E humbim kontrollin sepse jetojmë në zonë lufte gjithë kohën. Asnjëherë nuk mundesh me parashiku kur ka me kris diçka, kur fëmijët kanë me u zanë mes vete, kur njëri ka me u lëndu për urgjencë, kur kanë me ikë në rrugë pa i vërejtur.

12 E humbim kontrollin sepse çdoherë kur i vëmë fëmijët në gjumë, dikush vendos me pre ndonjë pemë, a me rrënu ndonjë ndërtesë. Sikur e presin tamam kohën e gjumit dhe vendosin me e zgju çdo fëmijë të lagjes. Si duket, edhe sot mbeta pa drekë për ditën e tretë me radhë.

13 E humbim kontrollin kur burri vjen në shtëpi dhe thotë: “Çfarë ke bërë gjithë ditën?” Më mirë hesht se mundem me përfundu në burg për vrasje. I kam ruajt të gjallë fëmijët, ty si të ka kalu dita?

14 E humbim kontrollin kur dikush na thotë nuk është aq e vështirë, thjesht gjej pak kohë për veten. Seriozisht? E qysh ke qejf ta bëj këtë? A do të vish të kujdesesh për fëmijët e mi? A do të kujdesesh për ta përderisa ngjiten nëpër mure dhe bërtasin aq sa nuk mundesh me mendu prej zhurmës?

15 Shoqet pa fëmijë nuk e kuptojnë se tani nuk mundesh me qenë për çdo thua që e thejnë. Po, tani që kam fëmijë kam ndryshu. Nuk mundem me qenë shoqe shumë e mirë, sepse jam shumë e zënë duke u mundu me qenë nanë e mirë.

16 E humbim kontrollin sepse fëmijëve u ndryshojnë receptorët e shijes çdo ditë. Një ditë çmenden pas orizit, ditën tjetër e urrejnë. Kërkon supë, kur i bëj, i haet bukë e vezë. E kur i bëj bukë e vezë, do bukë me marmeladë. Kjo na çmend secilën ditë.

17 E humbim kontrollin sepse nuk mundemi të pijmë as një filxhan kafe. Është rutina e përditëshme. Kafeja ose na bjen prej dore duke vrapu pas fëmijëve, ose na e derdh ndonjë top, ose na përvëlon gjatë një përqafimi të papritur.. e nëse u shpëton këtyre, ftohet dhe sidoqoftë mbesim pa e pi.

18 Njerëzit mendojnë se jeta jonë është e lehtë. Besoni, me qenë nënë në shtëpi është si me punu për një shef që asnjëherë nuk e di çfarë do, edhe ju kritikon pastaj kur nuk e keni bërë si duhet.

Nëse je nënë në shtëpi, dhe e humb kontrollin shpesh, nuk je e vetme. Është punë me orar të plotë, dhe jashta orarit. Mos u brengos, do ta mbijetosh edhe sot, ashtu si çdo ditë.

Autore: Ashley Winters

Përshtatja: supergratë ©

‘Shtëpia e Shqipërisë’ hapet në Paris të Francës

Për herë të parë në kryeqytetin francez çelet “Shtëpia e Shqipërisë”, një institucion tërësisht në shërbim të njohjes dhe përhapjes së vlerave kombëtare.

Ceremonia e çeljes u mbajt në Paris në prani të dhjetëra personaliteteve të kulturës dhe komunitetit shqiptar që jeton në Francë.

Mes të pranishmëve nderonte pjesëmarrja e ambasadorit shqiptar Dritan Tola dhe punonjës të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, raporton ATSH.

Kjo është një iniciativë e intelektualëve shqiptarë që jetojnë prej dekadash në Francë, Gjergji Themeli, Armanda Gegprifti, Zamir Mati, Agron Hasku. / KultPlus.com

Sulmohen 50 milionë adresa, Facebook ka një këshillë me rëndësi për ju

50 milionë llogari të rrjetit social Facebook janë hakeruar. Këtë e kanë bërë me dije drejtuesit e kompanisë, teksa bëjnë thirrje se mbi 90 milionë të tjera duhen të ndryshojnë fjalëkalimet për arsye sigurie.

Facebook informon se mbi 50 milionë përdorues të tij janë lënë të ekspozuar pas një gabimi të sigurisë. Kompania tha se sulmuesit ishin në gjendje të shfrytëzonin një cenueshmëri në një tipar të njohur si “View As” (Shikoni si) për të fituar kontrollin e llogarive të njerëzve. Përdoruesit që janë prekur nga sulmi janë detyruar që të rihapin llogaritë këtë të premte.

“Gabimi është rregulluar”, ka bërë me dije kreu i sigurisë së firmës, Guy Rosen.

“Sapo kemi filluar hetimet tona, duhet ende të përcaktojmë nëse këto llogari janë keqpërdorur apo çfarë informacioni është marrë. Ne gjithashtu nuk e dimë kush është prapa këtyre sulmeve, apo ku janë bazat e tyre”, tha Guy Rosen, duke shtuar se “Privatësia dhe siguria e njerëzve janë tepër të rëndësishme dhe na vjen keq që kjo ndodhi”./bota.al/ KultPlus.com

Gabime drejtshkrimore në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” (FOTO)

Sarandë Selimi

Në hyrje të Parkut Arkeologjik “Ulpiana”, vizitorët gjenden përballë një kabine të bardhë aty ku qëndrojnë disa mirëmbajtës, por jo gjithmonë mund të takohen me ‘ciceronin’ e këtij parku. Ky nuk është problemi i vetëm i projektit që Kosovës i ka kushtuar qindra mijëra euro.

Në tabelat që informojnë qytetarët për përmbajtjen arkeologjike të parkut të vetëm arkeologjik, ka gabime të tmerrshme drejtshkrimore. Ndër to është edhe tabela informuese në të cilën në vend që të jetë e shënuar “Gjurmët e tempullit pagan me portiko” është shënuar “Gjumët”, shkruan KultPlus.

Po ashtu në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” akoma mungon ndriçimi. Ndërsa si ciceron atëherë kur është aty shërben udhëheqësi i projektit Milot Berisha. Parku Arkeologjik “Ulpiana“ shtrihet në komunën e Graçanicës, zona kadastrale Graçanicë, ka perimetër 161.10 Ha dhe zonë rrethuese 96.23 Ha.

Ky park është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës dhe është nën administrimin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamentit të Trashëgimisë Kulturore. Themelimi i Parkut Arkeologjik “Ulpiana” ka për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë arkeologjike të tij, si dhe krijimin e kushteve më të mira të shfrytëzimit për qëllime shkencore, sociale, ekonomike dhe turistike./ KultPlus.com

Thënie për nënën: Ne jemi lindur nga dashuria, dashuria jonë është nëna

Dashuria e nënës është karburanti që lejon një person të thjeshtë për të arritur të pamundurën.
~ Marion C. Garretty

Nënë: fjala më e bukur në buzët e njerëzimit.
~ Kahlil Gibran

Kur isha fëmijë, nëna më tha:” Nëse bëhesh ushtar, do të arrish të bëhesh gjeneral. Nëse bëhesh murg, do të arrish të bëhesh prift. ”
Përfundimisht u bëra piktor dhe arrita të bëhem Picasso.
~ Pablo Picasso

Në fund, vetëm unë mund t’u jap fëmijëve të mi një nënë të lumtur që e do jetën.
~ Janene Wolsey Baadsgaard

Të jesh nënë do të thotë të mësosh forcat që nuk i njihje dhe të përballosh frikën që nuk e dinit se ekzistonte.
~ Linda Voótin

Në veshët e një fëmije, fjala “nënë” është magjike në të gjitha gjuhët.
~ Arlene Benedikti

Nuk ka mënyrë për t’u bërë një nënë e përsosur, por miliona mënyra për t’u bërë një e mirë.
~ Jill Churchill

Kur je nënë, nuk je kurrë vetëm në mendimet e tua. Një nënë gjithmonë duhet të mendojë dy herë. Një për vete dhe një për fëmijën e saj.
~ Sophia Loren

Do të ketë kaq shumë herë që ju do të ndiheni sikur keni dështuar, por në sytë, zemrën dhe mendjen e fëmijës jeni një Super Mami.
~ Stephanie Precourt

Në momentin që lind një fëmijë, lind edhe nëna. Ajo nuk ekzistonte më parë – gruaja ekzistonte por kurrë nëna. Nëna është një qenie e re.
~ Osho Rajneesh

Kur bëhesh nënë, bëhesh nënë e të gjithë fëmijëve. Nga aty dhe tutje, çdo i lënduar, i braktisur, i frikësuar është fëmija juaj. Jetoni bashkë me nënat e torturuara të çdo race dhe besoni me ta dhe mbani zi me ta. Dëshironi të ngushëlloni të gjithë të dëshpëruarit.
~ Charlotte Gray

Nëna: çdo dashuri fillon dhe përfundon atje.
~ Robert Browning

Fati i ardhshëm i një fëmije, është gjithmonë rezultat i punës së nënës së tij.
~ Napoleon B.

Perëndia nuk mund të jetë i kudondodhur, kështu që krijoi nënat.
~ Joseph R.
Zemra e nënës është një humnerë e thellë, në fund të së cilës gjithmonë do të gjesh falje.
~ Honore de Balzac

Nuk ka strehim më të mirë për fëmijët sesa krahët e nënës.
~ G. Sandi

Mjekët më thanë se kurrë nuk do të mund të ecja përsëri, por nëna ime ishte e sigurtë se do të ecja përsëri. E, dhe unë besova nënën time!
~ Willma Rudolph

“Disa nëna puthin, të tjera janë më të rrepta, por dashuria është gjithmonë e njëjtë. Përveç kësaj, shumica e nënave puthin dhe qortojnë në të njëjtën kohë.
~ Perl S. Back

Nuk e kuptoni se sa ju do nëna juaj , derisa të zbuloni në sirtar të gjitha pikturat dhe kartat që i keni dhënë.
~ Pam Brown

Nëna: banka që depozituam të gjitha dhimbjet dhe shqetësimet tona.
~ T. DeWitt Talmage

Mashkulli ka të sigurt vetëm një dashuri – dashurinë e nënës.
~ Berne

Nëna është personi i vetëm në botë i cili të do para se të të shohë.
~ Johann Heinrich Pestalozzi

Ne jemi lindur nga dashuria. Dashuria jonë është nëna jonë.
~ Rumi

Dora që përkund djepin është ajo që rrotullon fatin e njerëzve, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndritura ose të errëta.
~ Haki Stërmilli./ KultPlus.com

Ode për librat e bibliotekës sime

Poezi nga Bajram Kosumi.

Kur më arrestuan,
Librave të bibliotekës sime
Në gjoks automatikun ua vunë,
I futën me dashakeqësi në thes
Si paratë e vjedhura në bankë.

Atje poshtë, në ferr,
E ndjeja veten më të qetë para vdekjes
Kur dija që aty afër në një qeli
Qëndronin burrërisht Brehti, Koperniku,
Marksi, Hikmeti
Odiseja që e kisha lexuar gjashtë herë
Krejt kompleti i Kadaresë
Khajami, Hamleti …
Dhe kushedi
Sa e sa shekuj të tjerë!

(1989)./ KultPlus.com

Dashuria është një sëmundje

Eduardo Galeano – Dashuria është një sëmundje, sjellë në shqip nga Erion dhe Bajram Karabolli.

Dashuria është një sëmundje nga më të rrezikshmet dhe më ngjitëset. Ne të sëmurëve nga dashuria, na dallon kushdo.
Sy, thellësisht të mavijosur, kallëzojnë se kurrë nuk flemë, të pagjumë natë pas nate prej përqafimeve, ose prej mungesës së tyre, vuajmë prej ethesh dërrmuese dhe ndiejmë një nevojë të papërmbajtshme për të thënë marrëzira.
Dashuria mund të shfaqet, kur, ashtu rastësisht, tek supa apo tek pija, lëshon nga dora një grusht me pluhur “dashuromë”.
Dashuria mund të të zërë, ama nuk mund të parandalohet dot.
Nuk e parandalon dot uji i bekuar, nuk e parandalon as gjaku i kurbanit; as kokrra e hudhrës që s’vlen për asgjë.
Dashuria është e shurdhër ndaj Fjalës se shenjtë dhe përbetimit të shtrigave.
Nuk ka dekret qeveritar që mund ta ndalojë, as bar mjekësor që ta evitojë, edhe pse shitëset vënë tellallin, nëpër tezga, për barëra shëruese, të garantuara e gjithçka tjetër./KultPlus.com

Ministri Gashi: Dresniku do të shndërrohet në parkun e dytë arkeologjik në Kosovë

Në Lokalitetin Arkeologjik në Dresnik, sot, u shënuan Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane dhe Viti Evropian i Trashëgimisë Kulturore. Me këtë rast, në këtë lokalitet, qëndroi për vizitë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili në fjalën e tij të rastit u shpreh i kënaqur që gjendet në këtë lokalitet.

“Ditën e Trashëgimisë Evropiane në të gjithë Evropën dhe Republikën e Kosovës janë kthyer në një ngjarje të rëndësishme kulturore, edukative, sensibilizuese dhe dijetare jo vetëm për institucionet tona por edhe për qytetarët tanë”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu njoftoi se për nderë të kësaj dite, në Kosovë tashmë janë zhvilluar shumë aktivitete, ku përfshihen të gjitha institucionet që merren me Trashëgimin Kulturore.

“Me organizime të shumta, siç është edhe ky i sotmi, synojmë ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e trashëgimisë tonë të përbashkët kulturore evropiane, duke e trashëguar atë për brezat e ardhshme”, tha ministri Gashi.

“E veçanta e kësaj ngjarje është fakti që për herë të parë kjo ngjarje ka ndodhur në lokalitetin e Dresnikut si njëra nga vendbanimet më të rëndësishme në Dardaninë Antike, në të cilën janë duke u zhvilluar punët intensive nga Institucionet tona dhe punëtorët profesionalë të fushës së Trashëgimisë Kulturore”, theksoi ministri Gashi.

Ai, ndër të tjera tha se rëndësia e këtyre gjetjeve është që ky lokalitet të bëhet prioritet dhe të ndryshohet në një pikë turistike në kuadër të zhvillimit të kulturës turistike në vendin tonë.

“Më lejoni të rikonfirmoj për përkushtimin tim dhe të Ministrisë që drejtoj, në mbështetje të plotë institucionale për fushën e Trashëgimit Kulturore”, përfundoi ministri Gashi./KultPlus.com

“Trekandshi” solli gërshetimin e teknologjisë së re muzikore me elemente tradicionale

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë, Kino ARMATA mirëpriti “Trekandshin” ku u prezantua puna e tri projekteve muzikore të zhvilluara nga Erëmira Çitaku.

Mbrëmë në Kino ARMATA publiku i cili ishte i pranishëm u gjend brenda një Hiper-realiteti. Një gjendje në mes të reales dhe jo reales, që u krijua nga Erëmira Çitaku, Liburn Jupolli, Luan Durmishi dhe Dren Suldashi. Ata përmes efekteve elektronike, natyrës origjinale të flautës, zërit, instrumenteve të ndryshme dhe teksteve të përzgjedhura, arritën që të krijonin një realiteti audio-teatral e muzikor.

Mbrëmja filloi duke tentuar për të dhënë përgjigje ndaj pyetjes: A është reale apo imagjinare dashuria? Për të vazhduar me elemente të marra nga melosi etno shqiptar, i cili përmbante përpunimin e këngëve “Hajredin Pasha” si dhe “Ohooja” dhe “Ritmaza”.Këto këngë përmes përdorimit të zërit e teknologjisë u bashkëdyzuan edhe me tingujt e çiftelisë e okarinës. Këto elemente të muzikës tradicionale të cilat erdhën në një frymë bashkëkohore e me efekte elektronike, kanë rrjedhur shumë natyrshme është shprehur vokalisti, Luan Durmishi.

“Trekandshi ka ardhur si projekt i Ermirës me koncept dhe me ide të saj dhe për mua ka qenë një prurje krejt ndryshe prej projekteve që kemi pasur edhe pse janë të një linjë të njëjtë. Ky projekt për mendimin tim duhet që të plasohet edhe jashtë, sepse ka shumë vlera brenda tij. Jam shumë i lidhur me melosin tonë edhe me kulturën tonë autoktone kështu që gjithë interpretimi ka ardhur shumë natyrshëm. Ne kemi jashtëzakonisht vlera të mëdha dhe ka potencial me plasu brenda edhe jashtë”, u shpreh ai për KultPlus.

Muzika e Ermirës është duke u zhvilluar që një kohë të gjatë duke sjellë çdo herë e më shumë influenca dhe elemente të reja. Këtë natë publiku i pranishëm arriti që të vërejë më shumë elemente të etnosit, tradicionales së Kosovës, vendeve të tjera si në Azi por edhe elemente të muzikës elektronike. Kompozitori Liburn Jupolli, strukturat kompozicionale të të cilit rrëmbyen publikun këtë natë, u shpreh për KultPlus se ka qenë një sfidë orkestrimi i gjithë kësaj dhe sjellja e saj para publikut.

“Jam i lumtur që kemi arrit me e realizu projektin pasi që është goxha kompleks për me e përgatit, sidomos për një skenë dhe për një ansambël kaq të vogël. Për mua ka qenë një sfidë interesante dhe më ka ardhur mirë që Ermira akoma po vazhdon me u zhvillu, shpresoj që më tutje këto versione kanë me u bo me orkestër edhe me animacion live”, u shpreh ai.

Tutje ai tregoi se Kosova është një vend i cili është i ndikuar nga influenca të ndryshme dhe brenda ka shumë laramani dhe ide të ndryshme.

“Edhe përkundër faktit se mundemi me mendu që nuk ka trende të reja apo nuk është dikush që po bënë eksperimente kjo nuk është e vërtetë pasi që na vazhdimisht jemi duke kërkuar që me e gjet gjuhën tonë, identitetin tonë muzikorë në një botë ku ka shumë muzikë sot. Si vend sidomos në këto 10 vitet e fundit është duke u punuar shumë dhe mendoj që keni me pas gjenerata të reja akoma më të mira dhe më të bujshme”, tregoi ai.

Më tutje duke u bazuar në besimin e komunikimit ndërnjerëzor në raport mes muzikës dhe gjuhës, konstituon edhe pjesa e fundit e albumit të përmbledhur me emrin Trekandshi i cili përfshin gjithashtu materialet e përpunuara nga projekti “Shtëpia e Qenies”; frymëzuar nga filozofi gjerman Martin Heidegger, i cili thotë se “Gjuha është shtëpia e qenies”. Kjo e intrigoi artisten që ta bëj një ndërtim muzikor duke e ri-formuluar titullimin e mësipërm dhe nga kjo doli konstatimi që “Muzika është shtëpia e qenies”. Bredhje me tingull, matematik, gjuhë, kaos dhe në fund heshtje që paraqiten në pjesët “With us”, “Being” dhe “Ready to”.

Mirëpo sipas artistes e përbashkëta e këtyre tri pjesëve është përdorimi i teknologjisë por edhe shprehja e ndjenjave të saj duke përdorur çdoherë elementet të cilat e rrethojnë atë. Këtu nuk hyjnë vetëm instrumentet natyrale por edhe inkuadrimi i teknologjisë muzikore, elektronikës pastaj edhe kombinimi me video, instalacion e të tjera.

“Për mua si muzikante që merrem me muzikë klasike dhe punoj në Universitetin e Prishtinës është shumë interesante me eksperimentu në këtë lami pasi që më intrigon që ti shfrytëzoj të gjitha mundësit që sot jepen në muzikë, në mënyrën që unë e shoh që është më interesante, apo në atë mënyrë që të mundem me e shpreh botën time të brendshme. Unë nuk dëshiroj që të punoj me këngë të plota por me motive të shkurtra që të mos jetë kënga e ri-interpretuar. Për mua nuk është interesante që të jetë një këngë e ri-interpretuar edhe nëse ja ndërron stilin, për mua është interesante nëse e merr një copëz të vogël edhe punon me të”, tregoi ajo për KultPlus.

Kjo natë shënoi edhe publikim e CD-së e cila përmban albumin e “Trekandshit” i cili u shpërnda gjatë koncertit. /KultPlus.com

Tingujt folklorikë ndezin nesër skenën e Amfiteatrit të Tiranës

Larmi motivesh e tingujsh folklorikë do të ndezin skenën e Amfiteatrit të Liqenit të Tiranës për të festuar Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

QKVF me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Agjensisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Amfiteatrit të Liqenit të Tiranës do sjellin për publikun kryeqytetas Ansamblin e Mirditës, Grupin e Valleve nga qyteti i Lezhës nën drejtimin e Mjeshtrit të Madh, Gazmend Golemit, Grupin e Burrave të Kavajës, Orkestrinën e Matit, Grupin e Iso Polifonisë nga Vlora dhe me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Ansamblit Kombëtar Popullor të Këngëve dhe Valleve me një program të zgjedhur enkas për këtë event.

Koncert totullohet “Etno Spirit”, sepse janë mbledhur elementët më përfaqësues të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale ose siç e kemi quajtur ndryshe shpirëtrore.

Koncerti do të zhvillohet në datë 29 shtator në orën 18.30 në skenën e re të Amfiteatrit të Liqenit, Tiranë./ ATSH/ KultPlus.com

Kanë nisur punimet për rehabilitimin e Qafës së Pazarit në Gjirokastër

Ndërhyrjet po kryhen në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” dhe parashikojnë rehabilitimin e të gjitha rrjeteve infrastrukturore nëntokësore, si dhe vendosjen e stolave, paneleve informuese, çezmave publike, vendeve për biçikleta, gjelbërim etj.

Programi zbatohet që prej vitit 2017 në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Turizmit, bashkitë Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë, si dhe aktorë të tjerë interesi.

Sipërfaqja që do të trajtohet është 5,290 m2 dhe ndërhyrja do të prekë të gjitha rrjetet infrastrukturore nëntokësore.
Po ashtu për 8 sheshe projekti parashikon mobilim urban me stola druri, panele informuese, çezma publike, vende për biçikleta, etj., si dhe gjelbërim me lule dhe bimë dekorative. / KultPlus.com

Fotoja nga Biblioteka e Kongresit, kur në Elbasan mësohej anglisht

Ambasada e Shteteve të bashkuara të Amerikës ka publikuar një foto nga një orë mësimi e gjuhës angleze në një klasë në mjedis të hapur në Elbasan.

Fotoja e marrë nga Biblioteka e kongresit tregon Zonjushën Marion Echternach nga Strasburg, Pennsylvania, e cila u mësonte anglisht këtij grupi fëmijësh.

“Ora e gjuhës angleze zhvillohet në një klasë në ambient të hapur, në Elbasan, Shqipëri. Zonjusha Marion Echternach nga Strasburg, Pennsylvania u mësonte anglisht këtij grupi fëmijësh. Ata ishin aq të interesuar sa nuk kishte asnjë prapësi gjatë orës së mësimit”, thekson ambasada e SHBA në tekstin që shoqëron foton./ATSH./ KultPlus.com

Artur Zheji: E vetmja zgjidhje na ka mbetur largimi nga Shqipëria, po na përdhunojnë e poshtërojnë publikisht

Artur Zheji shkruan se situata në vend është dramatike, duke iu referuar ngjarjes së fundit të Krujës.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje ka mbetur largimi nga Shqipëria.

“Një jetime e keqtrajtuar, del nga askush – landi shqiptar dhe vendos gishtin mbi plagën e madhe të re, të shoqërisë shqiptare: Arroganca e vrazhdë e njerëzve të veshur me superpushtet lokal.

Ndoshta e keqtrajtuar deri në pikën sa ti drejtohet disa herë Policisë, e cila është e stepur, dhe prokuroria gjithashtu, vetëm sepse djaloshi është djalë i një deputeti të fuqishëm të zonës, që sjell vota dhe ushtron influencën e vet në favor të partisë në pushtet.

Kocka e durimit njerëzor është thyer. Askush nuk mund t’ja ngjisë brinjët e thyera të durimit kafshëror.

Xhisiela është një viktimë e bukurisë së saj, por ndoshta edhe viktimë e vetmisë dhe përdorjes së gjithëanshme, por mbi të gjitha është viktimë e një sistemi që kërkon të mbijetojë mbi gënjeshtrat gjithmonë e më të trasha dhe justifikuse mëkatesh gjithmonë e më poshtruese, ndaj fëmijve të popullit.

http://www.mapo.al/flet-xhisiela-maloku-djali-i-deputetit-me-dogji-me-cigare-humba-ndjenjat/

Por fëmijët e popullit, janë pa një shtet, që sëpaku të respektojë minimumin e integritetit njerëzor të një pothuajse fëmije të pambrojtur.

Ky është një turp që bie mbi të gjithë ne.

Herët a vonë ky turp, mund të bjerë mbi kokën e çdo familjeje, që nuk ka meshkuj të fortë në përbërjen e saj, ashtu si qindra vite më parë në familjet fisnore, pra shteti, ose nuk është fare ose është në anën e të fortit, dhe pra, nuk mund të quhet në mënyrë të gënjeshtërt shtet, por thjesht një parti-shtet, që mbron në mënyrë abuzive vetëm njërin grup shoqëror.

E pra, kjo sjell reagimin e vetëm:

Largimin nga Shqipëria, si e vetmja zgjidhje e dëshpëruar, për të shpëtuar nga ky rreth vicioz, ku më të dobëtit shkelen me këmbë dhe poshtërohen edhe publikisht.

Përdhunuesit janë ende të lirë, ndërsa të përdhunuarit në bankën e dyshimit dhe të akuzës për dëshmi të rreme…

Ky është një ekstrem i papranueshëm, të cilin duhet ta jetojmë ditë pas dite dhe madje sipas dëshirës së superpushtetit, mundësisht me kokën ulur.

A ka fuqi KM-ja të shkundë zgjedhën që i kanë vendosur mbi qafë, bashkëpunëtorët e vet më të afërt?

Duket tejet e vështirë, shpejt vijnë zgjedhjet dhe votat janë të domosdoshme, votaprurësit, kushdoqofshin, ai apo jo, apo ata, të pistë apo të pastërt, janë të nevojshëm si ingranazhe në makinerinë e pushtetit…”, shkruan Zheji./ Korrieri.org./ KultPlus.com

“Muzeu lëvizës” udhëtoi pranë nxënësve në Baldushk

“Muzeu lëvizës” udhëtoi sot pranë nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Feti Vogli” në Njësinë Administrative Baldushk.

Një autobus i zakonshëm u kthye në një ekspozitë ku nxënësit u njohën me historikun e disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore. Ekspozita e “Muzeut Lëvizës” përmbante riprodhime nga koleksionet muzeore të ruajtura në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme historike.

Midis tyre nxënësit mundën të gjejnë vazo nga antikiteti, vegla muzikore, kostume popullore etj. Drejtoresha e shkollës e përshëndeti këtë nismë duke thënë se kjo ishte një mundësi e mirë për nxënësit që banojnë larg qendrës së kryeqytetit për t’u njohur me objekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore.

Nxënësit vizituan ekspozitën e improvizuar brenda autobusit dhe u shprehën se kjo mënyrë organizimi ishte ora mësimore që ata do të parapëlqenin. Gjithashtu, ata u bënë pjesë e një prej aktiviteteve edukative të Muzeut Historik Kombëtar me titull “Arkeologu i vogël”.

Ky aktivitet synoi përfshirjen e komuniteteve në zhvillimin e politikave kulturore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës kulturore në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

Nёpёrmjet këtij projekti synohet që, koleksioni tё bёhet i njohur pёr njё publik mё tё gjerё, pёr tё bёrë njё lidhje mё domethёnёse me objektin, nё tё njёjtёn kohё duke kontribuar nё forcimin e identitetit tё muzeut, duke përfshirë bashkëpunimin me qytetarët, komunitetin e shoqërinë në ndërgjegjësimin e të rinjve për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore./ATSH/KultPlus.com

Urrejtja

Wislava Szymborska

Shikoni, sa e aftë është përherë,
sa mirë mbahet
urrejtja në shekullin tonë.
Sa lehtë i merr pengesat e mëdha.
Sa lehtë është për të, të hidhet, të rrëzohet.

Nuk është si ndjenjat e tjera
më e vjetra dhe më e reja prej tyre njëkohësisht.
Ajo vetë i lind shkaqet,
që e nxisin të jetojë.
Nëse e zë gjumi, asnjëherë me gjumë të përjetshëm.
Pagjumësia nuk ia merr fuqinë, por ia shton.
Feja jo feja –
veç të ulesh në gjunjë për t’u nisur.
Atdheu jo atdheu –
veç të shkëputesh për të rendur.
Edhe drejtësia nuk është keq në fillim.
Mandej ajo rend vetëm.
Urrejtja. Urrejtja.
Fytyrën asaj ia shpërfytyron ngërdheshja
e ekstazës së dashurisë.

Ah, këto ndjenjat e tjera –
mjerane dhe të ngathëta.
Që kur kjo vëllazëri
mund t’i besojë turmës?
Vallë keqardhja
ka arritur ndonjëherë e para në pikëmbërritje?
Dyshimi sa të dëshiruar tërheq pas vetes?
Vetëm ajo tërheq që e di të vetën.

E aftë, e zgjuar, shumë punëtore.
A duhet thënë sa këngë ka kompozuar.
Sa faqe në librat e historisë ka numëruar.
Sa divane të njerëzve ka shtruar
në aq sheshe, stadiume.

Mos të mashtrohemi:
ajo është në gjendje të krijojë bukuri.
Të shkëlqyera janë vezullimet e saj natën e errët.
Për bukuri shtëllungat nga shpërthime në agim të trëndafiltë.
Vështirë t’u mohosh patosin rrënojave
dhe humorin e shpenguar
kolonës që ngrihet fuqishëm mbi to.

Ajo është mjeshtre e kontrastit
mes rropamës dhe qetësisë,
mes gjakut të kuq dhe dëborës së bardhë.
Veç para së gjithash atë kurrë nuk e mërzit
motivi i xhelatit të pastër
mbi viktimën e njollosur.

E gatshme në çdo çast për detyra të reja.
Nëse duhet të presë, ajo pret.
Thonë se është e verbër. E verbër?
Ajo ka sy të mprehtë snajperi
dhe me guxim sheh drejt të ardhmes
– vetëm ajo.

Veprimtaria e Dedë Gjo Lulit erdhi në Muzeun Historik Kombëtar

Me rastin e 103-vjetorit të vdekjes së Dedë Gjo Lulit, Muzeu Historik Kombëtar, organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Veprimtaria e Dedë Gjo Lulit në kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës në vitin 1911”.

Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në bashkëpunim me sektorë të tjerë organizon këtë takim shkencor, ku referuan dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe dr. Paulin Marku, Instituti i Historisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, tha se, nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit korrën suksese të rëndësishme kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta.

“Shtypi i kohës vinte në fokus se, megjithëse kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 zhvillohej në një trevë të ngushtë, kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare, ku kërkuan autonominë e Shqipërisë. Dedë Gjo Luli është simboli i rezistencës shqiptare, i cili luftoi deri në fund të jetës së tij për bashkimin e trojeve shqiptare” vijoi dr. Koçi. Ndërsa, dr. Paulin Marku tha se, programi i memorandumit të Greçës dhe kryengritja e vitit 1911 jo vetëm uli në tryezën e bisedimeve krerët shqiptar, por edhe hapi rrugën e sendërtimit të autonomisë së Shqipërisë që u finalizua më 28 nëntor 1912, me shpalljen e pavarësisë. “Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte një prelud i shpalljes së pavarësisë. Dedë Gjo Luli nuk kishte luftuar për lavdi por për Shqipëri. Lavdinë, zërin e mirë ja sjellin veprat e tij me kontribut të madh për atdhe, që i sigurojnë përjetësinë e pavdekësinë. Heronjtë jetojnë përjetësisht, sepse e tillë është vepra e tyre, Nderi i Kombit Dedë Gjo Luli”, u shpreh mes të tjerave dr. Paulin Marku.

Në vitet e fundit të shekullit XIX Dedë Gjo Luli u aktivizua përsëri në lëvizjen për autonominë e Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Shkodrës që vendosi bashkimin me Lidhjen e Pejës. Aftësitë e tij si organizator, si prijës luftarak dhe si udhëheqës popullor, u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjes antiosmane të 1911. Nën udhëheqjen e tij malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit korrën suksese të rëndësishme kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta. / KultPlus.com

‘Shko zbathur para derës së Ramushit e lyp kundra, shko zhveshur para presidencës e lyp tesha nga Hashim Thaçi’

29 arsye për të protestuar vajzat e djemtë / Kimete Berisha

1. Migjenin nuk e njihni besoj, dhe s’keni kohë deri nesër m’u njoftu me të, në mënyrë që ai me ju frymëzu me dalë në protesta.
Edhe ashtu kalu koha kur ka qenë në modë me ditë vjersha, budallaki e atij zamani, i përshkllijshim librat me pasul, aq të flaktë kemi qenë me nxan dije, sa as pasuli nuk na ndante nga librat, po hangshim pasul me libër në prehër, dhe veç naj ngelaç se s’ka pas nxanës i mirë që nuk e ka pas librën edhe si një lloj sofrabezi.
Ajo kohë ka kalu.

2. Jeni nguju në instagrama e chata, tuj lyp dashni e shoqni, por kur e hapni frigoriferin me lyp me hongër, gjeni tegllën e turshisë së vitit të kaluar (se sivjet veç Pacolli se s’ka kush mundësi materiale me shti turshi).
Nuk lypni punë e bukë, po lypni online lumturi, e cila nuk ekziston, ju garantoj se nuk ekziston lumturia, e edhe sikur të ekzistonte, nuk do të mund të mbijetonte pa bukë.
S’mundesh me qenë i lumtur dhe i uritur;
i lumtur dhe i shkelur; i lumtur dhe i nënçmuar. Fshije atë ide.
Dashnia dhe lumturia si koncepte letrare nuk janë strehë ku fshihet realiteti që për njerëzit e ndershëm gjithmonë është realitet i poshtër.
(Në protesta mund të lind edhe dashuria. Si vajzë e vogël i mbajë mend tregimet e plakave, dever dynjaja, që thonin se filanja e fistekja kanë dalë në protesta të 81′ e 89′ me lyp burrë, demek kur i kanë pa meshkujt patriote janë nxe n’to. Tybe s’besoj që ka bash këso tregimesh të poshtra te popujt tjerë).

3. Më lehtë është me protestu kundër njerëzve të poshtër sesa m’u bë vetë i poshtër.
Nëse nuk bëhesh ‘si ata’, ti bëhesh viktimë e tyre. As drutë nuk i ke ble.
Shtrejtë. U mërdhive. Pranoje, se edhe ti, si unë, po rrin në shpi i mbulum me çebe, i veshur me mont e me tlina.
Pranoje dhe mos t’vjen marre.

4. Çu, mbroje shtëpinë tënde nga i zoti i saj zullumçar.
Çka është gjithë ky ‘lezet’ i Hashim Thaçit dhe i qeverisë me Vuçiçin e Millosheviçit.
S’ka mëkat më i madh se me qenë zullumçar dhe s’ka fatkeqësi më të madhe se me pas punë me zullumçar.
Mos ia blejë Serbisë qumshtin, bukën, kosin, o aman le të vjen inati, mos ia blej bile pasulin e drutë, bojkotoje se askush nuk ta ndalon.

5. Çu prishjau rehatinë, qysh ta kanë prishë ata ty, të kanë lënë të varfër, garib e të mjerë.
Çu pasoje mjerimin te ta.

6. Menzi i gjen dikund 50 centë për një kafe në ditë. Ose ti çon naj vëlla prej gurbeti. A është kjo jetë!

7. Menzi i bën dy çorapë bashkë, herë ta mbath njërën vëllai e herë motra;

8. Edhe në kohë tonën, e pritshim njëri-tjetrin vëllezërit e motrat derisa te përfundon mësimin njëri, që me na lëshu rendin e jaknes tjetri, kqyrshim nga ballkoni derisa çelet dera e oborrit o Zot e na vjen rendi me vesh jaknën që me nxan mësimin.

9. Sikur të kishte drejtësi, të kishte njerëzi dhe rend në këtë vend, ju nuk do të kishit qenë të varfër dhe të pafuqishëm për t’i bërë duart grusht.
Nuk do të kishit qenë të varfër sikur të mos ju kishte vjedhur qeveria.

10. Ata i kanë punësu varg e vijë farë e fisin e tyre, shoqninë e bandat e tyre, gratë e dashoret e tyre; ata ju japin rroga kurvave e kurvarëve të tyre që kurrë nuk dalin në punë.

11. Është zor ta çosh në këmbë një njeri depresiv. Çfarë poezie çfarë bakraçi bën punë.
Ju (edhe ne më të moçmit) gati të gjithë ne jemi të mërzitur dhe gati-gati të dorëzuar.
Për të dalë në protestë duhet të shërohemi më parë nga trishtimi e pikëllimi. Jemi të dorëzuar.
Zoti s’ka thënë kështu.

12. Nuk ka tmerr më të madh që i ndodh një vendi sesa kur i sëmuret populli shpirtërisht;
Çu protesto pse po turpërohet veterani i shkretë dhe po përlyhet lufta e UÇK-së!

13. Çu në këmbë kundër njëfarë Rashitit (Zoti e marroftë) që sillet si Enver Hoxha dhe ua ndalon policëve Zotin.
Çoje te shpija atë manjak. Po ku guxon halli i tij me ia ndalu dikujt me shku në shpi të Zotit.
Po mundohen m’i hy në prapanicë Amerikës me ateizëm, Amerika e ateizmi nuk shkojnë o bal, Amerika moto të veten zyrtare nacionale e ka thënien ‘In God We Trust’ (që e mban edhe në krye të ndërtesës së senatit).
Prandaj, është e para në botë për gjithçka, sepse beson në Zot, para se ta konsiderojë si ‘Rashiti’ veten ‘Zot’.

14. Çu kundër profesorit që të zhagit e ta humb afatin e provimeve veç për shkak se i pëlqen me t’pa edhe në një afat, e edhe në një tjetër. Çu ndala turrin, tharbja hundën.

15. Çu kundër atij që ta nxin jetën; ti numëron të metat dhe gabimet, të fajëson për dembeli dhe s’të lë kurrë me dhënë mendim.
Sa herë i tregon hallet e tua, ti minimizon, e ti bën si ‘kurrgjë’ hiç.
Kurrgjë hiç qenka mërzia jote.
Çu hiqe nga vetja mërzinë e përplasja hundëve mërzinë tënde Ramushit për shembull.

16. Çu kundër atij që s’të thërret me emër, po të ngjet nofka e të thërret me emra të njerëzve të dështuar;

17. Çu kundër elementeve kriminale në sistemin e drejtësisë.
Pyet se si bën që Maqedonci të bëhet cinik, o Zot more çfarë darvilli, përdorë gjuhë sugjestive, dhe luan me mesele, kur nga ai pritet të flas me gjuhë juridike.
Kush ja ka dhënë atij gjithë atë fuqi sa me ba humor me arrestime, me hakmarrje e me Kanun!
Dhe pyeti hetuesitë se sa raste ‘i heshtin’ ata me urdhërin e prokurorëve dhe bandave kriminale që i kanë rrasë hundtë gjithkah në institucionet e drejtësisë.

18. Çu për fëmiun që nuk ka siguri në vendin e punës; që nuk ka të drejtë m’u pëshurr sa herë i pshton shurra, se dugojtë e kriminelëve formojnë komision për me ja jap punëtorit lejen me shku në WC.
Shumë djem kanë treguar se kur kanë kryer punë fizike te disa komandantë dhe i kanë lyp paret për punën e tyre, kanë hëngër dajak ‘qysh guxon ti komandantit m’i lyp pare’!

19. Mos lejo mos me ta kthy kusurin.
Çu çartu për centat që çdo ditë t’i vjedhin të gjitha dyqanet pa përjashtim.
Pse haptas na vjedhin e qeveria s’i ndal. Pse i lejojmë të pasurohen me varfërinë tonë.
A jemi normal?!

20. Kujtoje Zotin dhe beso e krenohu me veten dhe me rriskun tënd, kujtoje se qysh vjen dita e ua bën Zoti haram hajnave bukën e gojës.
Kur i tubojnë milionat, vjen puna e nuk i gëzojnë, sepse u del sheqeri, kripa, yndyra që ua mtrash gjakun dhe ua ndalon me hëngër e me gëzu ‘hajninë’ e tyre.

21. Protesto pse për me ble një pallto me astar duhet me hy në kredi, dhe pse krejt jetën ke punuar e nuk ke pare një nevojtore me maru.

22. Bëhu vetjak, duaje veten, dashurohu në vetveten, se nuk e ke askend më të ngatë, mos prit që ta bjen dikush te dera drejtësinë, ti je njësh, beso, si ti nuk është kurrkush, je i veçantë, askush mbi këtë tokë nuk është, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë si ti.

23. Si shtëpinë tënde nga hajnat, mbroje Kosovën nga qeveria e saj.
Shteti është i joti, jo i Ramush Haradinajt.
Jo i Hashim Thaçit. Fëmijët e tyre hanë me lugë të dukatit.
Pyet pse! Bërtitë. Refuzo. Rrotulloje.

24. Erdh vjeshta.
Shko zbathur para derës së Ramushit e lyp kundra të reja.
Shko zhveshur para presidencës e lyp tesha nga Hashim Thaçi;
Bëhu i gjallë.
Protesto për çfarëdo padrejtësie që të bjen në mend.
Protesto për naj padrejtësi ‘100 vjeçare’. Protesto thjesht veç pse nuk ndjehesh mirë.

25. Protesto pse pleqve t’u krejt pensioni u shkon në ilaçe, kurse pleqtë e qeveritarëve shërohen nëpër spitalet më të shtrejta.
Pse gjithë kjo padrejtësi;
A ka thënë Zoti kështu, i keqi mos me pas kufi!
Vëja kufirin qafirit!
Qitja gurin.

26. Protesto për vajzat e nuset që i kushtëzojnë me seks për një vend pune dhe lyp m’u depolitizu administrata.

27. Shko prekja dorën Pacollit dhe tregoji rrastë çka është prekja e vërtetë, le ta kupton a më e rëndësishme është prekja e popullit tënd a e Donald Trump.
Kur t’ia prek dorën, mundesh edhe me ja picku.

28. Çoji në rr.s. këta kriminela, këta hajna, këta dhunues.
Këta s’janë kurrkushi. Mos ua rras se s’kanë çka me të marrë tjetër, ti kanë marrë të gjitha.

29. Çu, kfillu, mos e rrej veten me fotografi, mos i këqyr nëpër rrjete sociale njërëzit e smutë psikikisht, ‘këngëtare’, manikene e turli idioti kah e jetonë jetën e tyre të pasur (që nuk u dihet donatori), po ndërtoje tënden, së pari shëroje veten nga mërzia, çu në këmbë dil nga shtëpia dhe mbroje shtëpinë tënde, mbroje veten, bukurinë tënde, trupin tënd, shpirtin dhe rininë tënde.
Zoti është me ata që i thonë të keqes Jo.

P.S. Kimeten, nesër kismet e keni mbas vetes.

Istrefi: Do të dal në protestë, për të treguar një qëndrim qytetar timin

Aktori Shkumbin Istrefi do t’i bashkohet nesër protestës së paralajmëruar në Prishtinë. Në Facebook sot ai ka shprehur mendimin e tij rreth protestës dhe ndryshimeve që mund të vijnë nga atjo.

Pjesemarrja ne protesten e neserme nuk duhet te perceptohet si perkrahje e nje partie politike por si qendrim qytetar ndaj nje fenomeni qe po quhet “korrigjim i kufirit”, dhe per te cilin nuk ka asgje transparente. Ka vetem thashetheme te mjegullta.
Prandaj, mendoj, se pavaresisht qe protesta eshte e thirrur nga VV (heren tjeter mund te thirret nga dikush tjeter), duhet te mesohemi te reagojme per ceshtje te caktuara dhe mos ta kemi prioritet faktin kush po therret dhe te mirremi dhe hipotezojme me motivet se pse dikush po therret proteste.
Eshte e qarte qe partite politike tentojne te perfitojne nga aktivitetet, dhe s’ka asgje te keqe ketu. Keshtu eshte ne te gjithe boten. Por, une mendoj, se per ne qyetaret (e sidomos per ata qe konsiderojne veten te pavarur politikisht) eshte me e rendesishme ceshtja per te cilen protestohet se sa kush e organizon.
Prandaj, une, si qytetar i pavarur, neser do te dal ne proteste, per te treguar nje qendrim qytetar timin per nje ceshtje, dhe jo per t’i dhene vote nje partie.
Ne fund, voten do t’ia jap asaj partie qe mendoj qe do te kontribuoje me shume ne permiresimin e jetes sone dhe zhvillimin e vendit.
Me vone mund te organizoje proteste edhe ndonje parti tjeter, dhe nese qendrimet e mia lidhur me ate ceshtje perputhen, do te dal edhe aty.
Vendi dhe ardhmeria jone jane me te rendesishme se perkatesia politike dhe intereset partiake.

‘Të gjitha dhomat janë të zëna’ tha recepsionisti, të nesërmen dolën duke qeshur me të madhe

Shumë vite më parë në një natë të stuhishme, një burrë i moshuar dhe gruaja e tij, hyjnë në sallonin e një hoteli të vogël në Filadelfia, SH.B.A.

Duke u përpjekur që t’i largoheshin shiut, çifti iu afrua tavolinës së recepsion me shpresën se do të gjenin një strehë për të kaluar natën.

“A është e mundur të na jepni një dhomë?” – pyeti burri.

Punonjësi, një djalosh miqësor, dhe me një buzëqeshje të çiltër, vështroi çiftin dhe u shpjegoi se atë ditë ishin mbajtur tre konventa në qytet.

“Të gjitha dhomat tona janë të zëna,” u tha punonjësi.

“Por nuk ma bën zemra të dëboj një çift të moshës tuaj jashtë në shi në ora 1 të mëngjesit. A do të donit mbase të merrnit dhomën time? Nuk është taman një suitë, por do të jetë e mjaftueshme për t’iu mbajtur komod për natën.”

Kur çifti refuzoi, djaloshi insistoi.

“Mos u shqetsoni për mua, do të jem për mrekulli,” u tha punonjësi.

Ndërsa po paguante faturën mëngjesin e nesërm, burri i moshuar i tha punonjësit, “Ti je ai lloj menaxheri që duhet të jetë shefi i hotelit më të mirë në botë…

ndoshta një ditë do ta ndërtoj një për ty.”

Punonjësi e shikoi dhe buzëqeshi. Të tre qeshën me të madhe…

Ndërkohë që, çifti i moshuar po largohej ata ranë dakort se punonjësi ishte i jashtëzakonshëm, sepse të gjesh njerëz që janë si miqësorë dhe të dobishëm nuk është e lehtë.

Dy vjet më vonë. Punonjësi pothuajse e kishte harruar ndodhinë kur ai mori një letër nga i moshuari.

Zotëria e takoi në Nju Jork, dhe e ftoi tek cepi i Bulevardi të V-të në rrugën 34.

Më pas ai drejtoi gishtin tek një ndërtesë e re e madhe, me kulla dhe qiellgërvishtëse që dukeshin sikur preknin qiellin…

“Ai,” tha burri i moshuar, “është hoteli që të kam ndërtuar që ta menaxhosh.”

“Duhet të jesh duke u talluar.” – tha djaloshi.

“Të siguroj që jo.” – i tha plaku, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë.

Emri i zotërisë së moshuar ishte William Waldorf-Aster, dhe ajo strukturë madhështore është Hoteli Waldorf Astoria.

Punonjësi i ri që u bë menaxheri i tij i parë ishte George C. Boldt.

Ai djaloshi i sinqertë, i sjellshëm dhe me pamjen e çiltër kurrë nuk e kishte parashikuar se si do të rridhte situata që e bëri menaxherin i një prej hoteleve më të mira dhe më me emër të botës.

Rasti Zeqir Veselaj, doktoratura me shumë përshkrime dhe kopjime

Rasti Zeqir Veselaj / ADMOVERE

Në vitin 2006 Zeqir Veselaj kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) që t’ia nostrifikojë doktoraturën e mbrojtur më 2005 në Universitetin e Tiranës me titull «Mycoflora në disa masive pyjore të Kosovës». MAShT-i kërkon vlerësimin e një komisioni për këtë doktoraturë. Komisioni i krijuar nga profesorë të Departamentit të Biologjisë të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në UP konstaton në raportin e lëshuar se doktoratura e Veselajt, «përmban gjëra që nuk janë rezultat i punës së kandidatit», «ka shumë përshkrime dhe kopjime» dhe se «kapitujt ku bëhet fjalë mbi […] njohuri për vegjetacionin, kandidati i merr tërësisht nga dr. Ferat Rexhepi». Megjithëkëtë, MAShT-i e nostrifikon diplomën e Veselajt. Gjetjet për plagjiaturë të këtij raporti bëhen publike nga «Zëri» vetëm më 2015, kur Veselaj emërohet anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së. Veselaj i paraqet ankesë Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) kundër raportimit mediatik me pretendimin se i është dëmtuar rëndë personaliteti. KMShK, pasi siguron një kopje të raportit të ekspertëve të FShMN-së, vendos se nuk ka shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara. Veselaj ligjëron në Fakultetin e Edukimit në UP që nga viti 2007, madje më 2011 avancohet në profesor të asocuar dhe ligjëron në nivelet Bachelor dhe Master.

—–
ADMOVERE ka përmbledhë të gjitha rastet e plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, për të cilat është raportuar në media përgjatë viteve, që nga vetë themelimi i UP-së. Nga gjithsejt 16 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së të cilëve u janë shpalosur plagjiaturat në media, shumica nuk kanë reaguar asnjëherë ndaj akuzave. Prej këtyre 16 rasteve, vetëm tre janë suspenduar nga procesi mësimor, mirëpo që të tre më pas janë kthyer. Vetëm njërit – që nuk ka qenë mësimdhënës i rregullt, por i angazhuar – i është ndërprerë kontrata e punës. Pra, edhe kur zbulimet e plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik janë publikuar nëpër media, plagjiatorët jo veç që nuk kanë dhënë dorëheqje, por në shumicën dërrmuese të rasteve, as që u janë nënshtruar masave. Në ato pak raste kur ndonjë masë është ndërmarrë, ajo është shfuqizuar më pas.

Uta Ibrahimi nuk ndalet, pushton majën Cho Oyu në Himalaje

Uta Ibrahimi, alpinistja e parë dhe e deri tash e vetmja shqiptare që po ngjitet majave më të larta të botës, pas ngjitjes së më të lartë në botë – Majës së Everestit, pas ngjitjes së dy majeve tjera – Manaslu (e 8-ta më e larta) dhe Lhotce (e 4-ta më e larta) – më 26 shtator, në ora 11.06 (China Time) e ngjiti me sukses edhe Majën Cho Oyu (maja e 6-ta më e lartë) 8,201 metra lartësi mbidetare, Tibet- Kinë. Këtë ngjitje ajo e bëri pa sasi shtesë të oksigjenit, edhe shënon edhe një rekord të ri për alpinistën shqiptare Uta Ibrahim.

“Kjo ngjitje ka qenë më sfiduese nga të gjithat deri me tani. Rotacionet e aklimatizimit kryesisht i kam bërë vet dhe të gjitha paisjet personale i kam bajt vet, pra pa ndihmën e Sherpave, deri në ditën e majës kur ju kam bashku ekipeve të tjera. Këtu kam pas pak ndihmë nga sherpat e ngjitjes, por kryesisht jam ngjitur me shumë peshë shtesë.” – thotë Uta.

Uta kishte planifikuar që të ngjitet pa sasi shtesë të oksigjenit, mirë në natën e majës, dikun në 7,800 metra, kanë filluar ti ngrihen gishtat e dorës, që e ka shtyer atë të përdor oksigjen vetëm deri në lindjen e diellit (afërsisht deri te maja e Cho Oyu-së).

“Këto ngjitje të harxhojnë shumë nga vetja. Të duhet forcë dhe motiv i bollshëm për me arritë drejt majës. Motivi dhe shtyrësi i ngjitjeve të mia është populli im dhe ndjenja e krenarisë kur valvoj flamurin e shtetit dhe të kombit. Për popullin tim, malet e mia” – shprehet Uta, e emocionuar.

Uta Ibrahimi tani gjindet në kampin bazë dhe së shpejti do të zbret në Kathmandu, Nepal. Pastaj me 7 tetor fillon ngjitjen në Amadablam, maje mjaft teknike, por jo e lartësisë 8,000m+.

Brenda 18 muajve, Uta Ibrahimi ka ngjitur 4 nga gjithsej 14 majeve më të larta në botë, që njihen si majet 8,000-jëshe (sepse të gjitha janë mbi 8,000m lartësi mbidetare).

Ekspedita është përkrahur nga: Qeveria e Kosovës, e në vecanti nga zv. Kryeministri Enver Hoxhaj, Federatën Bjeshkatare të Kosovës, Shba Pashtriku, Shba Dajti, Turkish Airlines, Familja Begeja dhe Birra Puka, UN Kosovo, UN Woman, UNICEF, UNFPA Kosovo.

Ekspedita “14 majet e Himalajeve” e ndërmarrë nga vet Uta Ibrahimi, ka për qëllim që të pushtojë të gjitha 14 majet më të larta në botë, që gjinden në malet e Himalajeve. Këtë e kanë bërë shumë pak njerëz në botë, dhe Uta synon që të jetë shqiptarja e parë që e arrinë këtë.

Eliza Hoxha tregon arsyet pse u tërhoq nga muzika

Ishte fillimi i viteve 2000 kur kënga “Me ritëm do vallëzoj” u bë hit i kohës, ndërsa këngëtarja ishte ende e panjohur nga publiku.

Kjo ishte pikënisja e këngëtares nga Prishtina, Eliza Hoxha që më vonë zëri i veçantë dhe hitet do ta rendisnin ndër më të mirat e trevave shqipfolëse. Por muzika e mirë nuk ishte e vetmja rrugë që Eliza ndoqi. Ajo gjithashtu iu përkushtua profesionit të saj arkitekturës. Pas studimeve Master në Belgjikë, ajo u kthye në Kosovë për të kontribuar në vendin e saj.

Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku rrëfeu se arsyeja përse braktisi këngën dhe zgjodhi arkitekturën ishte se pikturonte shumë mirë dhe situata e paqëndrueshme politike.

“Arsyet se përse braktisa këngën dhe zgjodha arkitekturën ishin sepse kam qenë vizatuese dhe piktore e mirë në kohën e shkollës fillore dhe të mesme. Dhe e dyta situata politike. Nuk kishte asnjë kuptim që unë të shkoja dhe të studioja muzikë sepse e kisha lënë përgjysmë shkollën e muzikës. Arkitektura është ajo që më përmbush sepse lidhet me dimensionin socio-kulturor që unë e kam shumë të rëndësishëm. Më ka mbajtur mirë me veten dhe me kontekstin ku jetoj. Arkitektura vetë është profesion shumë i gjërë dhe më ka dhënë mundësi për të eksploruar edhe në fusha të tjera. Fokusi im kryesor ka qenë aspekti socio-kulturor në atë qytet. Gjërat që unë bëj i kam lidhur me profesionin që unë kam. Shtëpia që unë kam nuk është shtëpia ime e ëndrrave, nuk jam afruar te ëndrra ime. Në fakt kjo shtëpi ka qenë shtëpi e nevojës sepse pas kthimit nga Belgjika ka qenë e pamundur që unë të jetoj me prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes. Ishte momenti kur duhej të bëja diçka për vete. Shtëpia ime është një oaz i vogël ku unë bëj punët e mia. Unë e dua si shtëpi, por qëllimi është të ndërroj vend dhe të kem një hapësirë më të madhe sepse nevojat e mia janë ndryshe sot nga ato të 10 viteve më parë. Për mua është e rëndësishme që shtëpia të jetë e rehatshme, ndryshe mbetet vetëm një projekt i bukur”, tha Eliza Hoxha./ tvklan.al / KultPlus.com

Libri i Ismail Kadaresë botohet edhe në gjuhën portugeze

Libri “Kamarja e turpit” nga Ismail Kadare do të botohet për herë të parë në Portugali.

Libri i botuar në Tiranë në vitin 1978, një libër historik dhe me një tregim siç di Kadare ta thurë, vjen për herë të parë para lexuesit portugez në fund të këtij viti.

Shtëpia Botuese ‘Sextante’ do të sjellë kësisoj librin në titullin ‘O Nicho da Vergonha’, të shkrimtarit shqiptar që ishte laureati i parë i çmimit Booker International në vitin 1998, shkruan KultPlus.

“Kamarja e turpit” ka qenë botuar për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”. Romani që ka në qendër fatin e Ali Tepelenës, pashait rebel shqiptar, që u ngrit kundër sulltanit dhe shtetit osman, dhe është konsideruar nga kritika botërore si një nga veprat më tragjike të Kadaresë, ku përshkruhet terrori shtetëror. Libri ka 208 faqe.

Versioni anglisht i librit ishte në listën e ngushtë të Man Booker International Prize vitin e kaluar. / KultPlus.com