Shpallen dhjetë finalistët e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa”

Ka disa ditë që ka përfunduar konkurrimi për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’.

Në këtë edicion, konkursi mbarëkombëtar ka arritur të grumbullojë 181 poezi nga 181 autorë dhe të interesuar.

Juria profesionale e këtij konkursi e përbërë nga: Përkthyesja, publicistja dhe ekspertja ndërkombëtare, Mirela Kumbaro – kryetare e jurisë, akademiku Bardh Rugova dhe profesori, studiuesi dhe shkrimtari Anton Berishaj, më shumë përkushtim kanë bërë  vlerësimin e poezive dhe kanë zgjedhur 10 poezitë finaliste të këtij konkursi.

Finalistët e konkursit janë: Liridona Bytyçi, Uresa Ahmeti, Afrim Demiri, Adela Kale, Flutur Mustafa, Merita Berdica, Plator Gashi, Vlora Kozhani, Enes Lekiqi dhe Rudina Cupi.

Mbrëmja finale dhe poetike e këtij konkursi do të mbahet ditën e hënë, më datë 23 dhjetor, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery. Në këtë mbrëmje do të jenë prezentë  finalistët e konkursit ku edhe do të lexohen poezitë dhe do të shpërblehen tri vendet e para fituese.

Ngjarja është e hapur për të gjithë.
‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë KultPlus, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus. / KultPlus.com

14 arsye për të dashuruar një grua që lexon

14 arsye për të dashuruar një grua që lexon:

1. Ajo është inteligjente. Sa më shumë libra të lexojë, aq më shumë ajo di për botën. Plus, ajo i jep mendjes së saj çdo ditë stërvitje të mirë, e cila ndihmon për ta mbajtur atë të mprehtë. Leximi i vazhdueshëm është i njohur gjithashtu për të përmirësuar fjalorin dhe aftësitë e të shkruarit.

2. Ajo është kurioze. Ajo është kurioze për botën dhe njerëzit dhe gjërat në të. Gratë që lexojnë zakonisht do të kenë një koleksion librash me tema të ndryshme dhe mezi dëshirojnë të mësojnë gjëra të reja.

3. Ajo shërben si një partner i shkëlqyeshëm i fakteve dhe njohurive. Ndërsa mbledh libra, ajo gjithashtu do të mbledhë fakte, shumë prej tyre plotësisht të rastësishme. Një zonjë e tillë është një partner e shkëlqyeshme trivia, kështu që do ndiheni mirë që ta sillni atë në lokalin tuaj të preferuar bashkë me miqtë tuaj.

4. Ajo kënaqet me pak. Ajo është mësuar të kënaqet me një filxhan çaj dhe një libër të mirë, kështu që ajo di se si thjesht të qetësohet dhe të pushojë.

5. Ajo është një eksperte në bashkëbisedim. Ndërsa shumë gra që lexojnë konsiderohen të rezervuara, kjo nuk do të thotë se ato nuk kanë biseda të shkëlqyera. Meqenëse ajo di shumë nga leximi i librave dhe revistave, ajo ndoshta do të ketë mjaft tema për të folur dhe mund të gjejë mënyra për t’u lidhur me ato që po thoni. Dhe ndërsa ajo është mësuar të heshtë dhe të marrë informacion, ajo me siguri do të jetë një dëgjuese e shkëlqyeshme gjithashtu.

6. Ajo është më intime. Leximi në vetvete është një veprim intim. Një grua që lexon libra e di se si t’i kushtojë vëmendje të plotë asaj që është përpara saj dhe t’i largojë të gjitha hutimet. Kjo aftësi mund të mbajë në momentet tuaja më intime ku ajo është e detyruar t’ju japë gjithë vëmendjen dhe dashurinë e saj.

7. Ajo ka një imagjinatë të madhe. Duhet shumë imagjinatë për ta bërë një histori të gjallërohet. Ndërsa lexon, ajo vazhdimisht imagjinon personazhe, ngjyra dhe skenarë. Një grua me një imagjinatë të fortë ka tendencë të jetë shumë më argëtuese dhe e mirë për të dalë me ide për ngjarje të veçanta.

8. Ajo është folëse shumë e mirë. Meqenëse leximi përmirëson fjalorin dhe i ndihmon lexuesit të kuptojnë më mirë rrjedhën e fjalive, zonjat që lexojnë flasin më mirë. Ajo me siguri do t’i bëjë përshtypje prindërve dhe miqve tuaj me sa inteligjensë tingëllon në bisedën e përditshme.

9. Ajo është tepër ambicioze. Duhet pak ambicie të marrësh një libër dhe ta ndjekësh leximin e tij. Ajo e shtyn veten të vazhdojë të lexojë edhe kur libri bëhet i vështirë ose ka mbi 200 faqe. Ajo dëshiron të mësojë dhe të rritet, zakonisht në më shumë se një aspekt të jetës së saj.

10. Ajo është në rregull me të qënurit vetëm. Ajo pëlqen të jetë vetëm me një libër të mirë dhe nuk do që të shqetësohet pasi të jetë në zonën e leximit. Një grua që mund të jetë e vetme bën një partner të shkëlqyeshëm sepse nuk do të jetë e guximshme ose të bëhet e varur nga ai.

11. Ajo ka mendim kritik. Është treguar se njerëzit që lexojnë kanë aftësi më të forta analitike. Pra, ajo do të jetë një person i shkëlqyeshëm për të biseduar rreth vendimeve të vështira dhe planeve të jetës.

12. Ajo mund të argëtohet lehtë. Nuk do të duhet shumë për ta argëtuar. Gratë që lexojnë lehtë mund të kalojnë orë të tëra vetëm ulur nën një pemë me një libër të mirë. Ju nuk do të duhet ta merrni atë në takime të shtrenjta dhe udhëtime luksoze për të bërë përshtypje të saj.

13. Ajo është një dëgjuese e mahnitshme. Ajo është mësuar të përqendrohet në tregimet e saj, e cila nuk kërkon aspak biseda. Kjo do ta bëjë atë një dëgjuese të mirë pasi ajo merr informacion dhe i përpunon pa u përgjigjur ndërsa lexon librat e saj.

 14. Ajo do t’ju frymëzojë të lexoni. Nëse nuk jeni lexues, me siguri do të frymëzoheni të merrni një libër nëse e takoni. Ajo duket aq e lumtur dhe e frymëzuar gjatë leximit sa do t’ju bëjë të dëshironi të bëni të njëjtën gjë. / Përktheu dhe përshtati: Italmed / KultPlus.com

“Zogu i plagosur”, një nga perlat e muzikës së lehtë shqipe

Kantautori Irfan Blakçori ishte një nga artistët më prodhimtar në skenën muzikore shqipe. Ai shkroi qindra tekste këngësh.

Blakçori u bë i njohur me këngën “Zogu i plagosur” e cila hyn në plejadën e këngëve shqipe.

Më poshtë po e japim këngën dhe tekstin e kësaj kënge.

Kaluan shumë ditë, ishim të pandarë
mirëpo lamtumirë ti më the më parë
ti më the s’të dua, mbeta i hutuar
humba si një valë në detin e trazuar
humba si një valë në detin e trazuar,

mbeta unë i varfër rrugëve si i mjerë
ngjaj në një zog me krahët e prerë
Ishte ditë e ftohtë dukej se binte shi
jo, nuk binte shi lotonin sytë e mi
jo, nuk binte shi lotonin sytë e mi
lotonin sytë e mi… /KultPlus.com

Konferenca e Londrës, 107 vjet nga copëtimi i trojeve shqiptare

Konferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur më 1912-1913 dhe njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia.

Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912 si pasojë e sukseseve të ushtrive të Ligës Ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Në veçanti konferenca u përpoq të luante rolin e arbitrit ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe gjithashtu përcaktoi të ardhmen e Shqipërisë, e cila deklaroi pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike.

Konferenca e Londrës u ndoq nga delegatët e vendeve të Ligës ballkanike, përfshirë Perandorinë Osmane dhe Greqinë, e cila nuk kishte nënshkruar armëpushim. Konferenca filloi punimet në dhjetor 1912 në St James’s Palace nën drejtimin e Sir Edward Grey. Sesionet e tjera të konferencës vazhduan më 16 dhjetor 1912, por u ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua një grusht shteti. Më 30 maj 1913, konferenca kishte rimarrë punimet dhe nënshkroi Traktatin e Londrës, një marrëveshje sipas së cilës Perandoria Osmane hiqte dorë nga të gjitha territoret në perëndim të kufirit Enos-Midia. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane.

Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca mori vendimeve që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 30% e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. 40 përqind e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Principatës së Shqipërisë. Në veçanti Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria Greqisë.

Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që morri konferenca qe mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Ky vendim i dhuroi Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse morën shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballkanikë mbetën të pakënaqur nga kongresi, dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike. Me poshtë shihni hartën e propozimit të qeverisë shqiptare, propozimit të Francës, Rusisë dhe Ligës së krijuar Ballkanike ( Bullgaria, Greqia , Serbia dhe Mali i Zi) si dhe vendimin e marrë nga konferenca e ambasadorëve. /

“Bad Guy” e Billie Eilish shpallet Kënga e Vitit nga Billboard

“Bad Guy” e Billie Eilish është shpallur Billboard Song of the Year.

Hiti në fjalë e mposhti “Truth Hurts” nga Lizzo dhe “Sucker” nga Jonas Brothers për vendin e parë në sondazhin e fundvitit të Billboard, ndërsa “Old Town Road” nga Lil Nas X dhe Billy Ray Cyrus dhe bashkëpunimi i Rosalia dhe J Balvin & El Guincho, “Con Altura, e përmbyllin top-pesëshen.

Image

Kënga “A Lot” nga 21 Savage, “Circles” nga Post Malone, “Harmony Hall” nga Vampire Weekend, “Break Up With Your Girlfriend” nga Ariana Grande, “I’m Bored”, dhe “Cruel Summer” nga Taylor Swift e përmbyllin top 10-shen, shkruan KOHA Ditore.

Më herët këtë javë, “Thank U, Next” nga Grande e kryesoi listën e albumeve më të mira të vitit 2019 nga Billboard. / KultPlus.com

Më 13 dhjetor Shkodra thërret, “Poshtë Enver Hoxha!”

Nga: Fritz Radovani

Rilindi dielli në Shkodër

Rinia Shkodrane zhgulë njëherë e përgjithmonë para Prefekturës së qytetit, një nga figurat ma të urryeme të Historisë së Popullit Shqiptar, diktatorin tiran Enver Hoxha!

Populli i Shkodres Heroike thërret me zanin e zemrës: “Poshtë Enver Hoxha!”

Mbas ditës së Ringjalljes së Fesë në Rrëmaji, pikrisht pranë Zallit të gjakosun të Kirit, ku Don Simon Jubani shpartalloi dyertë e ferrit komunist, në muret e Rozafës plakë ranë edhe njëherë rrezet e një dielli që kishte perëndue që me 29 nandor 1944… E shtërngata e asaj dite të kobshme kishte ly me Gjakun e Popullit të Shkodrës krejtë Veriun…

Male e fusha nuk dalloheshin fare se ishin të mbytuna në lumenjë të skuqun që vlonin per 47 vjet nga plumbat e tradhtarëve t’ Atdheut, vrastarë të pashpirtë e pa burrni…

Pabesia e “yllit kuq partizan” kishte rroposë përdhe edhe Kështjellat shekullore!

Drapën e çekani stalinist vazhdonte me korrë lulen e Rinisë Shqiptare… “Perandorët” e një mbretnije vrastare vazhdonin me mbulue me zallin e Adriatikut gjurmët e qytetnimit Europjan Perëndimor, të skalitun nga universitetet ma të njohuna të Demokracisë!

Ishte vrastari i pashpirtë Enver Hoxha, që për kolltukun e vet vriste me kusht: “Me dijtë vullnetin e fundit të viktimave që betonin bunkerin e robnueme nga sllavokomunistët!”

Edhe skilja Ramiz Alia ishte me pushkë e kazem krah’ e qafë, i ndjekun nga kobra e pashoqe e vendeve të helmatisuna e gjakprishuna Nexhmije Hoxha, vejusha…  

Të gjithë Shkodranët i mundonte vetem një mendim që i grryente trunin për 47 vite: “Deri kur ky surrat i këtij qen’ e bir qeni, përballë Prefektures së Shkodrës ?!”…

Atë ditë Dhjetori gurt’ e Rozafës shkëlqenin ma fort se kurrë!

Rinia Shkodrane po realizonte andrren e sa e sa viktimave të Gjenocidit të tiranit Enver Hoxha, e ndër të fundit ishin Djelmët e Vajzat që pak ditë përpara kishin la me Gjakun e Tyne Rinor, piramidat kufitare të Shqipnisë cungueme nga “Europa plakë”.

I madh e i vogël nuk ngopej kur shihte një djalë të rij “mbi kokën e Enverit…”

Askush nga “ata” poet… që e vajtuen me 11 Prill 1985, nuk u frymzue nga Rinia ynë!!…

Sesi mu kujtue Poeti Don Ndre Mjedja:

“Oh, zbrit ndër ne, mbretnore

Shqipe, edhe ‘j herë, si zbrite

  Kur përmbi ball, madhnore

   Të Madhit Kastriot’ i shndrite,

   Të binden barbart e ri

   Për Djelm qi ke Shqipni” /KultPlus.com

“Ja, unë jam me ju deri në të sosur të botës”

“Ungjilli sipas Mateut” dhe  “Letrat drejtuar Korintianëve”, janë dy vëllime që vijnë të komentura në gjuhën shqipe nga At Flavio Cavallini, kjo në mënyrë që tu parqitet sa më thjesht  lexuesve pa përvojë në botën biblike. At Cavallini është prift françeskan  i cili për më shumë se çerek shekulli shpirtëror ja ka kushtuar  Shqipërisë.

 “Ja, unë jam me ju deri në të sosur të botës”.  Kështu i titullon  vëllimet “Ungjilli sipas Mateut” dhe  “Letrat drejtuar Korintianëve”, të cilat vijnë të komentuara në shqip nga At Flavio Cavallini, prifti françeskan  i cili për më shumë se çerek shekulli  misionin shpirtëror ja ka kushtuar Shqipërisë.

Vëllimet u promovuan në Muzeun Historik Kombëtar, ndërsa vetë autori me modesti thotë se si ai ka vetëm rolin pedagogjik, për ti sjellë veprat në mënyrën sa më të thejshtë për lexuesit pa përvojë në botën biblike.

Ipeshkëvi i Dioqezës së Rreshenit Gjergj Meta, thotë se dy vëllimet e thellojnë njohjen e Zotit.

At Flavio Cavallini, ka lindur në Verona në vitin 1957, ndërsa prej vitit 1993 ndodhet me mision në Shqipëri. /Oranews /KultPlus.com

Redon Makashi: Vera Grabocka na përzuri nga festivali

Si kurrë më parë, Festivali në RTSH ka marrë vëmendje dhe po përflitet shumë. Redon Makashi është një tjetër artist që ka thënë se e kanë përzënë me urdhër nga lart. Sigurisht që nuk flet për Festivalin e 2019.

I ftuar në spektaklin “Këndo Këngën Time”, në Vizion Plus, Makashi u ndal në daljen e tij të parë në skenë gjithashtu edhe vështirësitë e sistemit të atyre viteve për të kënduar, pasi tha se ishte përjashtuar nga Vera Grabocka se ishte shumë perëndimor.

“Dalja jonë që ka qenë e para krijoj një hendek në daljet pasardhëse tonat në ekran. Nuk na linin të dilnim më sepse këta çunat çfarë janë që këndojnë me kitarë, i ngjajnë Beatles-ave , në asnjë mënyre. Ne shkuam pikërisht tek liqeni, te amfiteatri bëhej një shfaqe e madhe dhe na kishin ftuar si grup për të performuar. Shkuam ne me kontrabas, violonçel shkuam aty ne dhe na than ju nuk do këndoni sepse kështu ka ardhur urdhri dhe si përfundim nuk kënduam. Na erdhën fjalë më fjalë që Pirro Çako, donte të na takonte. Shkuam takuam Pirron në shtëpi dhe na tha që kam bërë një këngë për ju. E guximshme për atë moment sepse ne nuk na lejonin të dilnim për të kënduar. Si përfundim u bë kënga Pirro Çako bashkë me autorin e tekstit Agim Doçi, shkuan te Vera Grabocka regjisorja e cila tha këta çunat nuk do këndojnë në festival sepse më kanë tërhequr vërejtje dhe nuk lejohet të këndojnë në festival. Agim Doçi me disa miqësi të tij na futi në festival, po na tha që me këto flokë ju nuk do dilni në festival. Bledar Sejko duhet të heq syzet se i ngjan John Lenon dhe Bledi tha që nuk shohë nuk i mbaj për qejf. Veshëm ca xhaketa nja pesë numra më të mëdhenj sikur ishim futur në thes. Na vunë edhe një lule në xhep si gjasme filizat e rinj ne futja kot aty. U bënë ca gjëra të mbulonin daljen tonë të parë si çuna të mirë dhe jo si çuna perëndimor”, u shpreh këngëtari. /KultPlus.com

Lizzo shpallet Argëtuesja e vitit sipas “Time”

Lizzo është shpallur si Argëtuesja e vitit e revistës “Time” për vitin 2019.

Krijuesja e hitit “Truth Hurts” e ka pranuar mirënjohjen nga redaktorët e revistës si argëtuesja më ikonike e vitit. Dhe në një artikull të publikuar të mërkurën, ajo u vlerësua për qëndrimin pozitiv për trupin dhe mesazhin e “vetë-fuqizimit”.

Duke folur me “Time” në një intervistë pas mirënjohjes, një nga disa çmimet e dhëna në vit, duke përfshirë çmimin Personi i Vitit, Lizzo, emri i vërtetë i së cilës është Melissa Viviane Jefferson, tha se fama e popit kishte ardhur pas viteve të të qenit e pavërejtur.

“Kam bërë muzikë pozitive për një kohë shumë të gjatë”, shpjegoi ajo. “Pastaj kultura ndryshoi, shkruan KOHA Ditore. Kishte shumë gjëra që nuk ishin të popullarizuara, por që ekzistonin, si pozitiviteti i trupit, i cili në fillim ishte një formë proteste për trupat e trashë dhe femrat e zeza dhe tani është bërë një trend i komercializuar i modës”.

“Truth Hurts” fillimisht u publikua në vitin 2017, por u rrit në popullaritet këtë vit përpara daljes në treg të albumit të saj “Cuz I Love You”, i cili e ka ndihmuar yllin 31-vjeçar t’i merrte tetë nominime për “Grammy”, më së shumti se cilido artist.

Duke shprehur befasi për ngritjen e saj të papritur, Lizzo shtoi: “Tani e shoh që ka arritur nivelin mainstream. Papritur unë jam mainstream! Si mund të kishim supozuar se diçka e këtillë do të ndodhte kur nuk kemi parë kurrë diçka të tillë më parë?”

Çmimi Personi i Vitit i shkoi pranueses më të re ndonjëherë, aktivistes 16-vjeçare për klimën, Greta Thunberg, e cila ashtu si Lizzo u bë e njohur sivjet. Greta u shfaq në titujt kryesorë në të gjithë botën me ‘grevën e saj shkollore’, duke protestuar ndaj ndryshimit klimatik dhe e mori mbështetjen e yjeve duke përfshirë Leonardo DiCaprio dhe Kim Kardashian. / KultPlus.com

Ndërron jetë këngëtari dhe tekstshkruesi i njohur Irfan Blakçori

Muzikës së lehtë shqiptare nga sonte do t’i mungojë një emër i shquar, Irfan Blakçori, i cili ia kushtojë gjithë jetën tingujve dhe fjalëve, shkruan KultPlus.

Në orët e mbrëmjes ai është ndarë nga jeta, dhe lajmin për ikjen e tij e kanë dhënë miqtë nëpërmes rrjetit social Facebook.

Kantautori Blakçori ishte padyshim një nga artistë më prodhimtar, i cili bëri publikun për vete me zërin unik dhe tekstet e bukura që shkruante.

Disa nga këngët e tij më të njohura janë: “Zogu i plagosur”, “Antigona”, e shumë të tjera. /KultPlus.com

Ai, baleti dhe unë

Nga: Mimoza Kuchly

Zura vend në barin e hotelit, duke pritur kafenë e fundit para se të largohesha nga ai qytet. Në trotuarin përpara, njerëzit shtyheshin, nxitonin, prisnin të shkonin diku.
Qyteti i vogël, të cilin e vizitoja për herë të parë, dukej pak i rrëmujshëm prej ndërtimeve.
Moti dukej kapriçoz, por nuk do të binte shi sipas parashikimeve. Retë e kapërthyera si format e bukura të një trupi joshës femëror, herë shkapërdaheshin e herë tkurreshin. Qielli dhe dielli, dashuria dhe pasioni, ato që natyra ka krijuar pa hatër, shiu si lotët e mallit… Natyra nuk njeh brengosje në vetvete.
Baleti i mbrëmshëm më kishte ngacmuar shumë, sa klasik aq dhe poetik, me nota të theksuara erotike, që më mbështolli në relievin e vet, duke zgjuar diçka që e kisha harruar. Të gjitha ngjyrat e jetës vërtiten drejt së kuqes së dashurisë, erotikes, pasionit…
Kamerieri vendosi filxhanin e kafesë mbi tavolinë dhe u largua me një buzëqeshje të freskët mëngjesore. Nuk e kuptova si brofa sapo dëgjova një zhurmë pas shpine, duke mos kontrolluar lugën e vogël të kafesë, që fluturoi në ajër e ra mbi supin e një zotërie.
Ky i fundit, burrë simpatik, hodhi një vështrim intrigues. Zgjati dorën të më jepte objektin që sapo e kishte goditur. Gishtat cekën metalin e ftohtë, por, krejt papritur, një shkarkim elektrik bëri që luga si shigjetë të çante ajrin shkarazi supit të tij. Vështrimet e hutuara shkaktuan të qeshura. Përballë meje ishte një burrë rreth të pesëdhjetë e pesave, shtatëlartë, gjë që vihej re lehtësisht, ndonëse ishte ulur, veshur me një pallto treçerekëshe të zezë, një shall gri në bezhë të lidhur pas qafës. Pak burra gëzonin një elegancë të tillë në atë qytet. Kishte vështrim zhbirues dhe krijova përshtypjen se, duke njohur këtë cilësi, ai nuk mbante syze dielli.
– Ju jeni Hestia, si perëndesha e zjarrit, në mos gabohem…
Zëri u shoqërua me një vështrim pyetës dhe një buzëqeshje, e cila më hipnotizoi të tërën. Nuk besova se lexoi ftesën e vështrimit, fshehur nën syzet e diellit. Humori për paraqitjen serioze më bëri të vazhdoj po aq gazmore.
– Po. Quhem Hestia me H të madhe. Më vjen keq për incidentin!
Vazhdova lojën, pasi edhe emri me të cilin ai më thirri më pëlqeu.
– Hestia, është kënaqësi të takohemi, sidomos në këto rrethana. Unë jam Arkimed, me A të madhe.
Duke qeshur, duart tona u takuan dhe ndjeva një vagë të ëmbël, që më përshkoi të tërën. U çudita me reagimin që po i ndodhte qenies sime.
Nuk e ftova të ulej, as ai nuk mori leje, sikur të kishim lënë takim më parë. Nuk e refuzova, ndjeva se nuk doja t’ia humbja vetes këtë kënaqësi. Me një vështrim admirues zuri vend përballë meje.
– Hestia, ju përshtatet ky emër. Nëse më lejoni, do të provoja nëse ju vërtet transmetoni gjithmonë energji.
Buzëqeshja ime i mjaftoi për miratim. Kisha besim në eksperimentin e tij. Ngriti dorën dhe e afroi pranë pëllëmbës sime vendosur mbi telefon. Një prekje njësekondëshe dhe e largoi sikur të kishte prekur diçka të nxehtë. Lëvizja e menjëhershme më trembi dhe, me po atë shpejtësi, lëviza dorën në ajër. E qeshura jonë e lartë dhe pa komandë bëri që disa kalimtarë të kthenin kokën.
– E shikoni? Ju thashë që keni energji të parezistueshme, jo vetëm mbi mua. Ja, edhe kalimtarët e ndjenë magjinë.
Duart u prekën dhe vala e nxehtësisë që përshkonte trupin dukej se më tradhtonte me përflakjen në fytyrë.
– Mund t’ju them me bindje se nuk jeni nga qyteti ynë, apo gabohem?
Kishte sy kafe, flokët tek-tuk gri, sikur t’ia kishte krehur dëbora, vështrim të prerë dhe këmbëngulës, buzëqeshje që i largonte ngërçin kur heshte. Duhej të ishte diku në fushën e artit. Nuk e di pse e mendova kritik. Në heshtje e studioja nën syze.
– Jo, turiste.
Vështrimi dhe trupi i tij pësoi një zmbrapsje të lehtë prej përgjigjes, si të thoshte se kishte qenë i saktë.
– Ah, po, sa mirë! Meqenëse ju nuk jeni nga qyteti ynë, atëherë më lejoni të bëj udhërrëfyesin, falas, kuptohet, ndryshe ç’vlerë do të kishte.
Nuk po më ndahej buzëqeshja. Përskuqja ndoshta duhej të ishte shtuar edhe nga dielli, që po këmbëngulte më gjatë në rrezatimin tashmë më përvëlues.
– Oh, ju falenderoj për ofertën tepër bujare, do të pranoja me kënaqësi, por sot më duhet të largohem. Po pres taksinë për në stacionin e trenit. Vizita ime mbaroi këtu. Keni një qytet interesant dhe ju banorët nuk mbeteni pas.
Adrenalina ishte injektuar qëkur vura këmbën në atë qytet.
Përballë meje, një fatkeq, një Arkimed, me lugën e kafesë në dorë, m’u drejtua:
– Hestia, sikur të kisha pushtetin e ndryshimeve në duar, do të bëja që kalendari të kthehej mbrapsht, por fatkeqësisht nuk mundem…
Ngriti supet i dëshpëruar dhe pas një momenti, duke rrotulluar lugën nëpër duar, pyeti:
– Çfarë ju solli në qytetin tonë? Thjesht turiste apo me një program të përcaktuar?
– Besoj se qyteti juaj i ka të dyja arsyet për ta vizituar.
Nuk i fola për baletin dhe autoren e tij, Anian, e cila edhe më falënderoi gjatë kokteilit për pjesëmarrjen në aktivitetin e saj, kur mori vesh se kisha ardhur nga larg. Ishte një zonjë energjike dhe dukej sikur çdo fjalë që thoshte e rrumbullakoste në gojë, buzët e së cilës ishin tepër ndjellëse. Zonjë intriguese.
Shfaqja ishte me nuanca të këndshme erotike, ku asgjë nuk ishte e tepruar, por nuk mungonte as guximi. Më bëri që gjatë pushimit, t’i kaloja fytyrës një tualet të lehtë e një të kuq të fortë buzëve, që nuk e kisha bërë asnjëherë më parë.
Nëse ishte kritik arti patjetër që do ta kishte parë, por nuk doja ta kaloja bisedën në tema erotike. Shihja se edhe me kaq ndihesha jo pak e ndezur.
– Keni pozuar ndonjëherë për ndonjë artist?
Pyetja ishte e beftë, sikundër edhe dora e tij mbi timen, që u drodh si gjithë trupi. Ia ngula sytë, këtë herë me vështrimin e një pyetjeje të guximshme, por u kujtova se pas pak do të largohesha. Nuk jam as nga ato gra që marrin poza para burrave, megjithëse pas atij baleti nuk do të bëja keq të shihja veten në veçanti.
– Po. Për fotografi pasaporte, çdo dhjetë vjet.
Përfitova nga rasti të tërhiqja dorën lehtë. Thellë brenda vetes më pëlqente. Trupi ishte ngrohur tashmë nga ajo përkëdhelje, efekti ishte bërë. Janë disa energji që njeriu vërtet nuk arrin t’ia refuzojë vetes në momente të veçanta, me njerëz po aq të pazakonshëm. Sikur mos ta kishte ndier largimin e dorës, pa u treguar i fyer, vazhdoi sërish:
– Unë nuk jam piktor, por do të doja të bëja portretin tuaj. Ju çfarë do të bënit, për shembull?
Më gjeti në befasi, por ndihesha aq në formë sa vazhdova bisedën.
– Unë… një anije…
Nuk e kuptova se nga më doli kjo ide, por ndieja që po më bënte mirë e folura me atë të panjohur, duke shkelur tabunë e komunikimit me të huajt.
– Shumë mirë, ne deti na mungon, por dëshira për ta ëndërruar jo. Atëherë, ju më ndërtoni anijen dhe unë portretin tuaj, kështu më pas do të udhëtojmë së bashku.
Pra, mund t’ju sodis me leje.
Gjithkund ndjeva përkëdheljen e vështrimit të tij, si për të më bërë të kuptoja mesazhin e sapothënë. Duhej të isha përflakur në fytyrë, se ndieja nxehtësi që vërshonte brenda meje.
– Nuk do t’ju çudisja besoj, nëse do t’ju thosha se keni një portret që peneli e përqafon. Duhet t’jua kenë thënë më parë.
Uli sytë si të donte të fshihte vështrimin që po depërtonte tek unë. Kisha dëshirë të komunikonim, nuk më interesonte portreti.
Sikur të më kishte kuptuar mendimet, e la punën dhe vazhduam bisedën. Diskutuam për artin, letërsinë dhe nuk dija kë kisha përballë. Gjithsesi, nuk doja ta zgjidhja enigmën apo misterin e njeriut të panjohur, i cili më bënte të dilja jashtë vetes. Do të doja të rrija gjatë, por udhëtimi im ishte parashikuar. Nuk mendoja se mund të ndodhte diçka me “kritikun”, s’para udhëhiqesha nga impulset, megjithëse edhe kjo që ndodhi tregoi se në njëfarë mënyre logjika nuk ishte udhërrëfyesja ime. Shfajësoja veten duke e parë përballë, se ky takim mund t’i ndodhte gjithkujt. Gjatë bashkëbisedimit, si rastësisht duart tona cekeshin, prekeshin, përkëdheleshin. Vështrimet përplaseshin, duele fitues e humbës, frymëmarrje të heshtura dhe përpëlitëse në trupat që tradhtoheshin nga emocione të padrejtuara, të pakontrolluara.
Një dridhje tjetër më trembi, por këtë herë ishte telefoni. Recepsionistja e hotelit më lajmëroi se taksia mbërrinte për dhjetë minuta.
– Vërtet do të largoheni? – më vështroi i zhgënjyer. Me kënaqësinë më të madhe do ta shtyja udhëtimin, por ky takim ishte thjesht “një shkarkim elektrik” i shkurtër mes dy të panjohurish. Kjo i ndërlikonte gjërat. Por më pëlqente dëshira e tij për të vazhduar bisedën.
U ngrita për të shkuar drejt taksisë që ishte afruar.
– Më lejoni, të paktën, të bëj shoqëruesin deri tek taksia.
Nuk kundërshtova. Tërhoqi valixhen pas vetes dhe ndjeva supet tona që u çikën. Në ato momente, gjithkujt mund t’i dukeshim një çift normal. Taksisti mori valixhen, e vendosi në bagazh dhe hapi të dyja dyert në pritje.
– Jo, unë do të udhëtoj më vonë, – foli duke parë me keqardhje nga unë.
Energjia e buzëqeshjes së tij keqardhëse kërkonte një përqafim të vërtetë ndarjeje.
Hyra në taksi e shoqëruar nga vështrimi i tij, i zhgënjyer, por nuk i dhashë asnjë shtysë, edhe pse gjithçka brenda meje e kërkonte, e dëshironte.
– Mirupafshim, Hestia! – më oshtiu zëri i tij, si një përgjërim për rikthim.
– Mirupafshim, Arkimed! – iu bashkua zbehtësia e zërit tim po aq lutës, pa guxuar më shumë.
Nuk doja të gënjeja veten, por ishte largimi më i padëshiruar. Gjithçka kishte ndodhur vetëm brenda dy orësh. Sikur…
Trafiku nuk e pengoi taksistin të na çonte në stacionin e trenit pothuaj në orarin e parashikuar. Nuk i isha lutur ndonjëherë vonesës së udhëtimit sa në ato momente, edhe pse e dija që kjo nuk ndryshonte asgjë. Nuk mësuam as emrat, as numrat e telefonit. Ishte një çast, e kaluam këndshëm dhe aq.
Qytet i çuditshëm! Me biletën në dorë iu afrova zonës së kontrollit. Pas vetes ndjeva një frymëmarrje të ngrohtë, një parfum që ngacmoi qenien time.
– Hestia!
Ndjeva një dorë mbi sup dhe gjunjët të më lëshoheshin. Doja ta mbështesja kokën ashtu pas, duke e ditur se ai do të më shtrëngonte, por… ishte thjesht një skenë filmi. U ktheva rrëmbimthi dhe pa e kuptuar u gjenda në krahët e atij burri të panjohur, i cili për pak dënoi udhëtimin tim.
– Arkimed!
Ndjeva dorën që më shtrëngonte aq ëmbëlsisht si më parë dhe po ajo dridhje, që nuk e shihja në pamjen e jashtme. Dorën tjetër e ndjeva rreth belit. Pa dashur të kundërshtoj e lashë të më udhëhiqte. Më tërhoqi nga vetja, pa pyetur vështrimet e punonjësit, të cilit i mbeti makina kontrolluese në ajër.
– S’mund t’ju lija të largoheshit pa ju treguar portretin. E mbarova sapo u larguat.
– Nuk doja… të shkoja pa ju thënë lamtumirë…
Vështrimet tona kërkuan heshtjen, toleruan frymëmarrjen, ndjenë vetëm rrahjet e zemrës, kur trupat u bashkuan me komandën e dëshirës së përqafimit. Duart e tij dridheshin apo faqet e mia përvëlonin nga ëmbëlsia e përkëdheljeve. Nuk di në buzët u cikën, u ndjenë a u bashkuan përvëlueshëm. Duart e mia, në flokët e atij burri të panjohur, përkëdheleshin dhe argëtoheshin. Buzët realizuan dëshirën e shkarkimit të asaj energjie, që në momentin e parë të prekjes. Kërkoja parfumin e tij. Për asnjë moment sytë e mi s’u çelën të shihnin dëshirën e tij; e ndieja te shtrëngimi. Nuk di sa kohë zgjati, veçse zëri i altoparlantit thërriste me ngulm për përgatitjen e udhëtarëve të orës dymbëdhjetë. Nuk m’u përgjërua të qëndroja. Më mirë; i urreja çmenduritë.
– Hestia, perëndeshë e zjarrit.
– Arkimed, është i gjithë faji i baletit erotik, për të cilin erdha në qytetin tuaj. Energjia vjen prej tij…
Nuk munda të vazhdoja fjalinë, se gjithçka në pamjen e tij ndryshoi dhe jam e sigurt që gjithçka i shpëtoi pa dashur…
– Ju keni qenë dje tek Ania…
Sytë ngrinë për një çast dhe kuptova se ai nuk ishte vetëm kritik arti. Dora iu drodh, një moment… Gjithçka atë ditë ishte vetëm një çast. I buzëqesha sikur nuk e kisha kuptuar.
U pamë në sy me një buzëqeshje shfajësuese për njëri-tjetrin. Në vend të largimit, ndjeva shtrëngimin e duarve të tij, nxehtësia e të cilave nuk ishte asgjë para afshit që po më përvëlonte të tërën. Puthja e fundit ishte një lamtumirë nga ai, magjia e një baleti dhe unë.
– Hestia… rrufe e bukur…
Nuk kuptoja në ishte zëri i tij apo unë përktheja ritmin dhe zjarrminë e përcjellë. Askush nga udhëtarët nuk mund ta besonte se ishim krejtësisht të panjohur. U shkëputa vrullshëm dhe nga xhepi nxora anijen e zhubrosur ku kisha shkruar: “Magjia e një baleti”. Ia lashë, tërhoqa dorën pa dëshirë dhe në sekondën e fundit vrapova drejt kontrollorit pa e kthyer kokën pas, me përkëdheljet e “Arkimedit” të panjohur, që më kishte përflakur jo vetëm trupin. Nuk doja, nuk duhej të kthehesha.
Kontrollori i buzëqeshi me keqardhje “Arkimedit”, duke mbyllur barrierën pas.
“Jeta është treni, nuk është stacioni ku ai ndalon”, ia përsërisja vetes në kthim dhe sot e kuptova ndryshimin… Erdha në këtë qytet dhe baleti i saj më hodhi në krahët e tij. /KultPlus.com

Merkel, gruaja më e fuqishme në botë sipas Forbes

Udhëheqësja gjermane, Angela Merkel kryesoi listën e Forbes 2019, e ndjekur nga kryetarja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde nga Franca, dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi.

Merkel u vlerësua për qëndrueshmërinë e saj, për qëndrimin përballë Presidentit amerikan Donald Trump dhe për politikën e saj ndaj refugjatëve.

Merkel është kancelarë e Gjermanisë që nga viti 2005, ndërsa shpesh është përshëndetur si udhëheqëse de fakto e Bashkimit Evropian e madje edhe udhëheqëse e ‘botës së lirë ’.

10 gratë që kryesojnë listën:

  1. Angela Merkel, Kancelarja Gjermane
  2. Christine Lagarde, drejtuese e Bankës Qendrore Evropiane
  3. Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA
  4. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian
  5. Mary Barra, CEO e General Motors
  6. Melinda Gates, Bashkëkryetare e Bill & Melinda Gates Foundation
  7. Abigail Johnson, CEO e Fidelity Investments
  8. Ana Patricia Botín, Kryetare Ekzekutive e Santander Botín
  9. Ginni Rometty, CEO e IBM Gruaja e parë që drejtoi kompaninë
  10. Marillyn Hewson, CEO e Lockheed /KultPlus.com

Tiffany Haddish, Salma Hayek dhe Rose Byrne së bashku në komedinë “Like a Boss”

Viti i Ri na sjell komedi të reja në të cilat do t’i shohim femrat si protagoniste kryesore. Njëra prej tyre është edhe “Like a Boss” në të cilën do të bashkohen aktoret e shkëlqyeshme Tiffany Haddish, Salma Hayek dhe Rose Byrne.

Fjala është për realizimin e regjisorit Miguel Artet, i cili e sjell tregimin për industrisë kozmetike në të cilën përgatitet luftë e madhe.

Mia dhe Mel, të cilat i luajnë Byrne dhe Haddish, janë shoqe të ngushta të cilat e drejtojnë biznesin e kozmetikës. Njëra prej tyre është praktike, ndërsa tjetra dëshiron të arrijë pasuri dhe të jetojë në luks, shkruan KOHA Ditore. Megjithatë, problemet e mëdha do të shfaqen kur ato të dyja futen në borxhe të mëdha.

Shpëtimin do t’ua ofrojë titanja në industrinë e kozmetikës, Claire Luna të cilën e luan Salma Hayek. Megjithatë, Claire mund të mashtrohet, ndërsa shoqet Mia dhe Mel janë të gatshme për betejën qesharake për ta rikthyer kompaninë.

Image

Aktoreve kryesore fantastike në ekran do t’u bashkohen edhe Jenifer Cooolidge, Billy Porter, Ari Graynor, Jessica Clair dhe shumë të tjerë.

“Like a Boss” mbërrin në kinema më 10 janar. /KultPlus.com

Projekti i Universitetit “Columbia”, kufje inteligjente për të shpëtuar këmbësorët nga makinat

Përdorimi i kufjeve mund të bëhet një rrezik në qytet sepse mund të çojë në mosdëgjimin e borive të makinave që sinjalizojnë një rrezik të afërt.

Kjo është arsyeja pse në të ardhmen e afërt mund të ketë kufje inteligjente ose kufje që mund të sinjalizojnë praninë e rreziqeve direkt në celular.

Projekti u zhvillua nga studiues të Institutit të Shkencave të të Dhënave të Universitetit “Columbia”, të cilët po planifikojnë një sistem të kufjeve inteligjente të afta të paralajmërojnë këmbësorët.

Kufjet do të pajisen me minimikrofona dhe me një sinjal që zbulon tingujt e automjeteve që afrohen.

Nëse shfaqet një rrezik afër, sistemi dërgon një sinjal alarmi direkt në kufjet e këmbësorëve. Ky sistemi mund të ndihmojë në uljen e aksidenteve në trafikun e këmbësorëve dhe uljen e numrit të viktimave. /KultPlus.com

‘Moving Landscapes’ e Drinor Zymberit gjen botimin dhe shkrihet në fjalët e MAGMUS

Arbër Selmani

Shtëpia botuese “MAGMUS” është shtëpi botuese e bazuar në Prishtinë, e specializuar në botime muzikore me synim promovimin e veprimtarisë së kompozitorëve kosovarë dhe arkivimin e tyre.

Sonte kjo shtëpi erdhi edhe me botimin e saj të parë, veprën ‘Moving Landscapes’ nga kompozitori i njohur Drinor Zymberi.

Vepra u shkri në libër, pasi si melodi dhe kompozim për orkestër harkore arriti suksese të ndryshme në Kosovë e jashtë saj, për të përmendur këtu vendin e parë në një nga garat më prestigjioze për kompozim në Evropë, atë në Krakovë të Polonisë – ‘Sinnfonieta per Sinnfonieta’.

Zymberi, kompozitor i njohur që krahas klasikes nuk e harron edhe kompozimin për teatër e për film, tregoi sonte në Kino Armata se ishte Polonia pikërisht vendi prej nga ai është inspiruar shumë dhe prej nga është mishëruar thellësisht, me kompozitorët e këtij shteti të njohur për kultivimin e muzikës klasike.

Në një bashkëbisedim me Liburn Jupollin nga Magmus, Zymberi zbuloi se ka punuar tash e disa kohë në këtë kompozim i cili emrin e merr prej partiturës dhe vetë mënyrës se si taktet janë shndërruar në nota, në formën e një landscape – peisazh që lëvizë. Kompozimi që zgjatë rreth gjashtë minuta është vështirë të dihet kur niset e kur përfundon, tregon kompozitori.

Zymberi i takon një plejade kompozitorësh që menjëherë pas luftës e patën shpërthimin e tyre artistik i cili edhe solli punë të hatashme të cilat edhe sot marrin vendin e tyre të merituar në botën e kompozitorëve shqiptarë, shkruan KultPlus.

Gjatë prezantimit u përmend profesori Mendi Mengjiqi, nxënës i të cilit ka qenë edhe vetë Zymberi, si një mjeshtër që e ka bartur mjeshtërinë e tij tek studentët.

“Në aspektin orkestral e ka sjellë një frymë te re, dihet që një ndër pikat kryesore të veprës së tij ka qenë orkestrimi i balancuar dhe shumëngjyrësh, dhe mendoj se kjo është bartur edhe tek gjeneratat e edukuar prej tij. Kjo aftësi me e trajtu veprën në formën e tij ka ndikuar edhe tek ne, që sot si kompozitorë mos ta shohim një vepër vetëm nga këndvështrimi harmonik e struktural por edhe me i kshtu rëndësi të veçantë orkestrimi e nuancave timbrike” tregoi Zymberi.

Kompozitorët zakonisht nisen të krijojnë prej historive apo traumave të mëdha që rreken në mendjet e tyre, por kjo nuk ka ndodhur kësaj here me Zymberin, i cili patjetër thotë se e shfrytëzon momentin por nuk duhet të jetë një moment i madh apo program i madh si pikënisje e punës së tij.

Kompozimi i Zymberit ka tendencë post-moderne ndërsa kërkon pastërti kompozicionale, me shfrytëzimin e timbrit si element kyç kompozicional.

“Kur unë filloj të kompozoj, nisem prej materies bazë e cila e gjeneron zhvillimin e veprës, duke nënkuptuar që secili tingull aty, secila mbivendosje të funksionojë me tjetrën” tregoi Zymberi.

Drinor Zymberi u lind në vitin 1987 në Ruhot të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa atë të mesme në shkollën e muzikës ‘Prenk Jakova’ në Prishtinë. Studimet Bachelor dhe Mastër i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, në drejtimin e kompozimit në klasën e Profesor Mengjiqit.

Veprat e tij u prezantuan në festivale si: ‘DamFestival’ Prishtinë, ‘ReMusica’ Prishtinë, ‘Pre-Art Festival’ Cyrih-Zvicër, ‘Ditët e muzikës së dhomës’ Tiranë-Shqipëri, ‘Tingujt e flautit’ Prishtinë, ‘Kuhmo chamber music festival’ Kuhmo-Finlandë, ‘Gaudeamus music week’ Amsterdam-Holandë, ‘Ditët e muzikës kosovare’ Prishtinë, ‘Teho choir festival’ Tetovë-Maqedoni, ‘Sinfonietta Festival’ Krakovë-Poloni, ‘Uracult Classics’ Koln-Gjermani, ‘Chopin piano fest’ Prishtinë, ‘Festival Maribor’ Maribor-Slloveni.

Disa nga veprat e tij janë:

‘Koncert për orkestër’ për orkestër simfonik,
‘Simfoni’ për orkestër simfonik,
‘Koncert për piano dhe orkestër’
‘Ecstasy’ për flaut dhe orkestër harqesh,
‘Sinfonietta’ për orkestër harqesh,
‘Trance’ për orkestër harqesh,
‘Alauda arvensis’ për orkestër kamertale,
‘Music’ për ansambël kamertal,
‘Fast {e}Motion’ për kuintet frymor,
‘Toccata’ për piano etj.

Aktualisht është Profesor i lëndëve Kompozim dhe Forma Muzikore në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë natës ai tregoi se po punon në një vepër orkestrale të re, e cila pritet ta ketë fatin e njëjtë, me plot suksese sikurse ‘Moving Landscapes’ e pse jo edhe me një botim.

Jupolli, në anën tjetër, tregoi se ky edhe është qëllimi i shtëpisë botuese në fjalë, e veçantë për nga lloji dhe fushëveprimtaria.

“Duam që të promovojmë kompozitorët kosovarë me anë të botimit të punëve të tyre. Nuk dua të spekuloj por janë rreth 28 kompozitorë shqiptarë të gjallë të cilët i njohim dhe veprat e të cilave ne si Magmus duam ti sjellim të botuara. Si synim tjetër shtëpia botuese “MAGMUS EDITIONS” ka botimin e punimeve shkencore dhe edukative në muzikologji, estetikë muzikore, kritikë muzikore, filozofi muzikore etj. Patjetër që edhe studentët e rinj dhe kompozitorët e rinj do ta kenë hapësirën e tyre në këtë mision tonin” tregoi Jupolli. / KultPlus.com

Herman Bernstein, ambasadori i SHBA-ve në Mbretërinë Shqiptare

Nga: Teuta Dhima

(referuar biografisë me autor Mal Berishën)

Biografia Herman Bernstein Ambasador i ShBA-ve në Mbretërinë Shqiptare 1930-1933 e shkruar nga Mal Berisha, Ambasador i RSH në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Irlandës 2012- 2015, është një botim plot vlera ndaj autori meriton përgëzime, së pari për figurën e përzgjedhur dhe së dyti, për mënyrën se si e ka shkruar këtë biografi.
Herman Bernstein, është i pari udhëheqës hebre që ndërmerr rrugën e diplomacisë. Njëkohësisht Bersrnstein është i pari përfaqësues i hebrenjve intelektualë të Amerikës që ka depërtuar në botën politike dhe një prej të paktëve udhëheqës kulturorë amerikanë zgjedhur për një nder të tillë.
Mal Berisha, vjen me këtë biografi jo vetëm i saktë dhe orientues, informues për jetën e këtij personaliteti, por edhe shumë i ngrohtë. Biografia kushtuar Bernsteinit është shkruar me shumë dashuri. Këtë ndjenjë meritonte Herman Bernstein, i cili edhe pasi njohu anët e errëta të Shqipërisë si skamjen, varfërinë, prapambetjen, ai përsëri e deshi atë, diti të vlerësojë ato rreze drite që arriti të shquante me sytë e dashurisë në terrin e madh.
Misioni i kësaj vepre, siç thekson edhe autori, është të zbulohet Shqipëria dhe shqiptarët, siç e kanë parë njerëz të tillë të mëdhenj. Mal Berisha, qëllimin e tij e ka përmbushur plotësisht, pasi në libër është sjellë e plotë jo vetëm biografia e Herman Bernsteinit, por edhe janë nxjerrë në pah edhe të gjithë ata që e rrethonin këtë personalitet në punën, mjedisin dhe jetën e tij. Biografia është e përbërë nga dy pjesë: Herman Bernstein në Shqipëri dhe Herman Bernstein, para ardhjes në Shqipëri.
Të dyja pjesët kanë nëntituj, të cilët shërbejnë si piketa për të njohur edhe më mirë jetën dhe veprimtarinë e Bernsteinit. Nëntitujt paraprihen nga paratekste, të cilat përmbajnë esencën e ndarjeve të realizuar nga nëntitujt.
Po përmend disa nga këta nëntituj:
“Pushteti i butë” i Enciklopedisë Bernstein, Kontaktet e para shqiptaro- amerikane, Vështrim i shkurtër i marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane nga fillimi i tyre deri sot, Herman Bernstein, figurë që lidh tre kombe, Emërimi i Herman Bernstein si ministër fuqiplotë në Mbetërinë Shqiptare, Instituti i kërkimeve hebraike YIVO në New York, Tirana siç e shihte Bernstein, Toleranca fetare në Shqipëri e përshkruar nga Bernsteini, Puna e Bernsteinit për njohjen e historisë së hebrenjve në Shqipëri, Fundi i misionit të Bernsteinit në Shqipëri, Ministri Bernstein po largohet nga Shqipëria, Bernsteini ruan miqësinë me shqiptarët edhe pas largimit, Vdekja e Herman Bernsteinit, Nderim për këtë njeri të madh etj.
Në biografi kemi një përmbysje kronologjike në jetën e Bernsteinit: fillimisht është treguar për të në Shqipëri, punën dhe rolin e tij në këtë vend dhe në pjesën e dytë, tregohet për Bernsteinin para ardhjes në Shqipëri. Kjo lloj përmbysje, mendoj se rrit kuriozitetin në lexim.
Nga pjesa e parë e biografisë kushtuar këtij diplomati ndahesh me përshtypjet më të mira. Bernstein, nuk ishtë vetëm një diplomat i ftohtë që jepte e merrte relacione e firmoste dokumente zyrtare. Duket qartë që ai e kishte për zemër Shqipërinë, përparimin e saj, zhvillimin e arsim-kulturës dhe, si një mjeshtër i analizave diplomatike, ai tregonte shumë kujdes edhe në paraqitjen e gjendjes së Shqipërisë, historisë së saj, duke mos qenë një raportues i thjeshtë, por edhe një shpjegues i mirë i pasojave, rrjedhojat e akteve të caktuara, implikimet që rrjedhin prej tyre. Herman Bernstein jo vetëm e deshi Shqipërinë, por edhe u desh dhe u respektua shumë nga shqiptarët si mik i mirë i kulturës shqiptare Ai pati marrëdhënie të mira me At Gjergj Fishtën, Lef Nosin, Fan Nolin, Mbretin Zog, Faik Konicën etj. Në korrespondencën e sjellë nga Mal Berisha duket se ka një marrëdhënie të bazuar në respektin reciprok mes tyre.
Në biografi sillen fakte nga më të ndryshmet të cilat janë frut i një pune të palodhur kërkimore. Autori ka shfrytëzuar arkivën e Yivo-s, Institute of Jewish Research në New York, Bibliotekën Publike në New York, Bibliotekën e Univeritetit Yale në New Haven, British Library në Londër etj, etj.
Në ditët e sotme, është shumë e lehtë të gjesh dhe të lexosh biografinë e personave të caktuar. Biografinë e Herman Bernsteinit, fare mirë mund ta gjesh online, por biografia e shkruar nga Amasador Mal Berisha, ka vlera të veçanta për mënyrën se si janë ndërthurur të dhënat, rrëfimi është në shërbim të qëllimit në çdo moment dhe falë një konçiziteti dhe saktësie mbresëlënëse, thuhet shumë për një figurë që historia e ka lënë disi mënjanë. Për të shpluhurosur vlerat nga pluhuri i kohërave, së pari duhet t’i njohësh ato. Mal Berisha nga pozicioni i tij si diplomat, erudit në formimin e tij, jo vetëm e ka nxjerrë figurën e Herman Bernsteinit nga harresa e kohës, por e ka sjellë pranë lexuesit në gjithë madhështinë e tij.
Një surprizë e vërtetë pë mua si lexuese ka qenë pjesa e dytë e biografisë titulluar: Herman Bernstein, para ardhjes në Shqipëri.
Bernstein sillet para lexuesit si një poet dhe shkrimtar. Ai ka botuar vëllimin me poezi Fluturimi i kohës dhe për të krijuar një ide për këtë vëllim janë sjellë në biografi disa poezi të tij si Fluturimi i kohës, Shiu dhe shkëlqimi diellor, Dashuria e famës, Legjendë, Muzika. Në to Bernsteini i ri është i frymëzuar nga natyra, i shqetësuar për paqen në botë e i lidhur ngushtë me identitetin e tij hebraik.
Vëllimi me tregime, Në portën e Izraelit, histori hebrenjsh, është botuar prej tij në vitin 1902. Në to,sipas Mal Berishës, gjenden përshkrime zakonesh, traditash e bestytnish të hebrenjve të vendosura në rrethana interesante dhe në gojë të personazheve të thjeshtë të jetës. Në biografi janë sjellë tregimet: Artisti, Romancë në geto, Shkuesi, Kurë xhelozie, dhe Vetëm.
Herman Bernstein ka dhënë një kontribut të madh në njohjen e letërsisë ruse në botën anglishtfolëse. Ka sjelllë në gjuhën angleze, Njeriu i frikësuar, Gorki, Brengat e Belgjikës nga Leonid Andrejev, Shpifësi nga A. Çehov, Takimi nga I. Turgenjev. Në kuadrin e përkthimeve, Herman Bernstein ka përkthyer nga gjermanishtja në anglisht dramën e Aleksandër Moisiut I burgosuri.
Bersteini kritik letrar. Herman Bernstein me Leonid Andrejevin ka pasur një miqësi me përmasa shumë të mëdha intelektuale. Njohja me të e ka shtyrë atë të shkruajë perla të kritikës letrare. Përmendim këtu parathënien e librit të Andrejevit, shkruar prej Bernsteinit.
Bernsteini pati arritje edhe në gazetarinë investigative dhe u prir të zbulonte veprimet totalitariste ruse. Kulmin e tij në këtë fushë ai e arriti me zbulimin e korrespondencës së fshehtë midis Kaizerit të Prusisë dhe Carit të Rusisë, të cilën e publikoi në një libër me titull Korrespondenca Willi- Nicki.
Bernsteini intervistues i figurave më të shquara të kohës së tij. Në një moshë të re, Bernsteinin arriti të merrrte në intervistë njerëz të mëdhenjsi Leon Tolstoi, Konti Sergius Witte,Metchenikof, Geoge Bernard Shaw, Henri Bergson, August Rodin, Havelock Ellis,Leonid Andrejev, Sheik –Ul- Islam etj. Këto intervista janë botuar në ente të ndryshme, për t’u përmbledhur më pas në një libër të titulluar Mendjendriturit. Idenë e tij të intervistave e vazhdoi me Të famshmit e kohës sonë, botuar në vitin 1924 ku përmblidhen intervista me Papa Benedikt XV, Leo Trockin, Lordin Robert Cecil, Albert Ainshtjnin, Presidenti amerikan Theodore Roosevelt, Presidenti amerikan Woodroww Wilson, Presidenti amerikan Herbert Hoover etj.
Në konkluzionet e biografisë nga Dr. Xhoana Papakostandini thuhet se.
Duke hedhur dritë mbi personalitetin e Herman Bersnsteinit, kjo biografi i ka shërbyer historiografisë shqiptare në disa aspekte.
– Plotëson fragmente të rëndësishme të procesit të brishtë të konsolidimit të shtetit shqiptar pas Pavarësisë.
– Na jep një pamje të qartë të kontributit të mbretit Zog në konsolidimin e shtetit shqiptar, si dhe marrëdhënieve tepër të vështira me Italinë fashiste.
– Me Herman Bersteinin, historia e hebrenjve në Shqipëri merr kuptim akoma më të thellë.
Mal Berisha ka një krijimtari të pasur që përbëhet nga:
Librat e përkthyer;
• “Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në Marrëdhëniet Ndërkombëtare Evropiane, 1912-1923.” shkruar nga Edith Pierpont Stickney e Universitetit Stanford të Kalifornisë;
• “Shpëtim në Shqipëri”, shkruar nga Harvey Sarner, ku del në pah virtyti shqiptar i “Besës” dhe tregon historinë e hebrenjve të mbrojtur në Shqipëri – 100 për qind e hebrenjve të shpëtuar në vendin e tij.
Botime të tij:
• “Shqiptarët, Lisa mbi truallin Ilir”, një studim i plotë i artikujve të botuar në revistë n National Geographic Magazine të fokusuar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në një hark kohor prej mëse 100 vjet (2007);
• “Shqiptarët, Europianët më të lashtë dhe më të rinj”. (2008);
• “Amerikani Charles Telford Erickson, Një jetë kushtuar Shqipërisë” tre volume, (2012).
• “Herman Bernstein, Ambasadori U.S në Shqipëri, 1930-1933” (dhjetor 2014),
• Realitetet Shqiptaro – Britanike” është libri i radhës i Berishës, botuar në vitin 2015 në prag të mbylljes së misionit të tij në Mbretërinë e Bashkuar. Libri u promovua në Universitetin e Londrës Regent dhe Ambasadën Britanike në Tiranë.
Nisur nga tematika e shkrimeve të tij , por edhe dashuria me të cilën ka shkruar, intensiteti i fjalës, gjithmonë në shërbim të qëllimit, Mal Berisha nuk është Ambasador i Shqipërisë vetëm në vendet ku ai ka ushtruar misionin e tij fisnik, Mal Berisha, është Ambasador i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në të gjithë botën dhe pa afate kohore. /KultPlus.com

“E shkuara e pakryer”, ekspozita që kërkon të zhdukurit gjatë diktaturës

“E shkuara e pakryer”, është ekspozita e hapur në përkujtim të zhdukurve gjatë diktaturës komuniste. Familjarë të atyre që humbën jetën gjatë terrorit komunist dhe viktima të diktaturës shqiptare, rrëfejnë historitë e tyre.

Aktori Mirush Kabashi është një prej atyre që prej 18 vitesh kërkon dajën, Skënder Çelën, të pushkatuar pa gjyq në dhjetor të vitit 1946. Edhe pse gërmimet nisen, e zgjaten në kohë, Kabashi nuk ka mundur të gjej eshtrat por nuk është dorëzuar. “Gjyshen e internuan, mua më hoqën nga teatri sepse nuk kisha deklaruar dajën e pushkatua.

Doli e vërteta që ai është hedhur si mijëra të tjerë në një gropë.  Ende viktimat bërtasin, nuk i ka dalë e drejta pas 35 vitesh”. /KultPlus.com

Këtë e bëra gjithmonë i dashur

Poezi nga Emily Dickinson

Përktheu: Elida Buçpapaj

Këtë e bëra gjithmonë i dashur,
ja ku ta dëshmoj tash:
Aq kohë sa të dashurova
nuk të dashurova mjaft.

Që unë do të të dua gjithmonë,
ja ku po ta them ty
se dashuria është jetë,
dhe jeta pavdekësi.

A dyshon ti kështu?
se nuk paskam vallë
të tregoj tjetërgjë
përveç Kalvarit.


Arrin fragmenti i parë për “Ghostbusters, Afterlife”

Të gjithë fansave të Ghostbustersave legjendarë më në fund do t’u plotësohet dëshira. Vazhdimi i kësaj franshize fanta-shkencore do të dalë në kinema verën e ardhshme, ndërsa një pjesë e vogël e asaj që na pret e zbulon fragmenti i parë i sapopublikuar i filmit.

Kapitullin e ardhshëm të “Ghostbusters: Afterlife” na e sjellin regjisori Jason Reitman dhe producenti Ivan Reitman (regjisori i filmave ikonikë nga vitet 1984 dhe 1989).

Image

Në filmin “Ghostbusters: Afterlife” fokusi është tek familja dhe sekretet që e fshehin të vërtetën e së kaluarës dhe sekretet e një familjeje dhe të qytetit të vogël, shkruan KOHA Ditore. Ngjarja bën fjalë për nënën kryefamiljare, e cila me dy fëmijët e saj arrin në një qytet të vogël, ku fillojnë të ndodhin gjëra të çuditshme. Shumë shpejt familja fillon ta zbulojë lidhjen e tyre me shfarosësit origjinalë dhe trashëgiminë e fshehtë që ua ka lënë gjyshi i tyre.

Kasta e aktorëve përfshin Carrie Coon si nëna kryefamiljare, Finn Wolfhard (seria Stranger Things), si djali i saj, Mckenna Grace, si vajza e saj, dhe Paul Rudd, si mësuesi. Derisa shumë fansa e dëshirojnë gjithashtu rikthimin e yjeve origjinalë të Ghostbusters, Bill Murray si Peter Venkman, Dan Aykroyd si Raymond Stantz dhe Sigourney Weaver si Dane Barrett, ende nuk ka konfirmim nëse vërtet do të mund t’i shohim ata në këtë përshtatje të Ghostbustersëve ikonikë.

“Ghostbusters: Afterlife” do të shfaqet në kinema gjatë verës së vitit 2020. /KultPlus.com

Thumbimin e Trumpit, Thunberg e vë në biografinë e saj në Twitter

Aktivistja për klimën, Greta Thunberg, ka ndryshuar biografinë e saj në Twitter duke ia kthyer thumbimin presidentit amerikan Donald Trump pas deklaratës së tij drejtuar Thunbergut pasi ajo u përzgjodh Personi i Vitit 2019 nga prestigjiozja “Time”.

Ai ka thënë se Thunberg “ka problem me menaxhim të zemërimit” dhe duhet të “shkojë të shikojë ndonjë film të vjetër me shokë”. “Qetësohu Greta, qetësohu”, ka shtuar ai.

Më pas Thunberg përdori këto fjali të Trumpit në biografinë e saj në Twitter duke thënë se “është një adoleshente që punon në menaxhimin e zemërimit. Aktualisht po pushon dhe po shikon një film të vjetër me një shok”.

16-vjeçarja suedeze u shpall të mërkurën Personi i Vitit pasi udhëhoqi lëvizjen botërore kundër ndryshimeve klimatike.

Kjo s’është hera e parë që ajo ndryshoi biografinë në Twitter duke reflektuar në kritikat e liderëve botërore ndaj saj. Të martën ajo ndryshoi biografinë në “pirralha” – fjalë portugeze për “fëmijë me sjellje të këqija”. Kështu i ishte drejtuar presidenti brazilian ditë më parë Thunbergut. Në tetor, në biografinë e saj në rrjetin social shkruhej “fëmijë i sjellshëm, por i painformuar mirë”, siç i ishte referuar presidenti rus Vladimir Putin. /KultPlus.com

“Nëse emrin tënd çdo nat’ e thërras e për ty flas, s’do të thotë se ty të du” (VIDEO)

Çdokush që ndjen nostalgji për krijimtarinë e grupit “Marigona”, s’mund të mos e kujtojë një nga këngët epike të tij e që është e titulluar “Sonte”.

Kjo këngë e realizuar në vitin 2002, i ka rezistuar kohës për shkak të vijës melodike, tekstit e vdieoklipit që zbërthen kuptimin e këngës. Duke qenë se grupi “Marigona”, nuk i ka munguar as festivaleve, pikërisht me këngën “Sonte” arriti të shpërblehet në në festivalin “Shoëfest”, në vitin 2002, shkruan KultPlus.

Grupi Marigona është një grup muzikor i themeluar në vitin 1991 nga Faton Kurteshi në qytetin e Mitrovicës. Vokalist i grupit është Vullnet Sefaja po ashtu nga Mitrovica. Anëtarët e grupit janë ndërruar disa herë, por Vullnet Sefaja ka qenë pjesë e grupit që nga fillimi.

KultPlus ju përcjellë videoklipin dhe tekstin e këngës.

Sonte gjithçka ndahet n’gjysmë përveç dhimbjes
Sonte asgjë s’është e lehtë përveç ikjes
Sonte kujt dorën ia mban , kujt ne vesh i flet
Puthja jote nesër kënd e pret e kënd me vonë e vret

Ref:
Nëse emrin tënd çdo nate e thërras e për ty flas
S’do t’thotë se ty të du
Nëse netët pa ty vijnë e shkojnë, do t’mundem unë pa ty
Kur ti mundesh pa mu.

Sot kujtimet fund nuk kanë as s’du t’i harroj
Ndoshta nesër kot do t’qan, ndoshta veç ëndërroj
Se fshehtësi ishe për mu, këtë unë tash e di
Do t’provoj pa ty me jetu, do t ‘lutëm në vetmi /KultPlus.com

Fragment nga “Vdekja më vjen prej syve të tillë”

Natën, shpesh më zë ankthi, më kaplojnë djersë të ftohta, më del gjumi kohë e pa kohë, shoh ëndrra të këqija: bolla që dalin prej syve të tu dhe m’i vërsulen kërthizës, tigra, që duke kërcëllitur dhëmbët, më sulmojnë kokën; sorra dhe korba që janë kurdisur në kornizën e fotografisë sime dhe krrokasin, krrokasin, krrokasin, ndjellin zi dhe më shtien tmerrin. Sa shpesh më del përpara syri i Danjollit të Sherkës, i zmadhuar sa një disk, i shpuar në mjedis dhe do të m’i lexojë mendimet. Çohem atëherë, e shikoj derën a është e mbyllur mirë dhe e rrotulloj çelsin edhe një herë; që të mos hyjë Danjolli me syrin e tij. /KultPlus.com

Përvjetori i Normales së Elbasanit, shkolla që u hap 110 vjet më parë

110 vjet më parë, në dhjetor të vitit 1909 me vendim të Kongresit të Elbasanit do të krijohej normalja e parë e Elbasanit, si i parë institucion në vend që do të përgatiste mësues e do të përhapte gjuhën shqipe në të gjitha trojet shqipfolëse.

Të shumta kanë qenë aktivitetet me rastin e kësaj datë të shënuar, jo vetëm për Elbasanin.

Normalistët e ftuar ndanë mes tyre kujtimet dhe traditat e një arsimi dhe kulture që do të jetojnë gjatë në këtë qytet.

Mësuesit e parë të normales do të pushtonin të gjitha trojet shqiptare, që nga zonat e thella malore, Kosova, Çamëria apo në çdo cep ku duhej përhapur gjuha amtare, pa të cilën një komb është i destinuar të zhduket. Normalja e Elbasanit mban titullin e lartë “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Republikës. /KultPlus.com

“Lexo që të mund të jetosh”

Gustav Flober ishte një shkrimtar i njohur francez. Lindi më 12 dhjetor të vitit 1821 në Rouen. Ai është një nga novelistët më të njohur francez të Shekullit XIX shek. XIX, që u lind në kohën kur po lulëzonte romantizmi i Hygoit, Vinjisë, Mishlesë dhe i Shatobrianit, të cilët i admiroi gjatë gjithë lulezimit.

Bir i njërit prej kirurgëve më të shquar të shekullit. Veç kësaj prej të atit ai trashëgoi syrin klinik ndaj jetës, aq sa arriti me anën e penës të bënte autopsinë e shpirtit të njeriut. Prindërit donin që ai të vazhdonte për drejtësi, pasi mbaroi liceun “Kornej” në qytetin e lindjes aty rreth viteve 1840 kur po afronte revolucioni një sere rrethanash që e çuan në pjekurinë e dhuntive të tij letrare dhe në përcaktimin e veprimtarisë së tij artistike.

Rrugëtimet me frytdhënëse të Floberit ishin ato në Britani pastaj në Egjipt, Greqi, dhe Azinë e Vogël, ai pasqyroi gjithçka që përjetoi prej tyre në letrat dhe shënimet e udhëtimit.

Në pamje të parë kryeveprat e Floberit duken të ndryshme nga njëra-tjetra, romanët e tij i kushtohen epokave të ngjashme më atë të veten.

Më poshtë disa nga thëniet e tij të njohura:

“Suksesi është pasojë, nuk duhet konsideruar si qëllim”

“Të jesh njeri i thjeshtë nuk është gjë e lehtë”

“Nuk ka gjë më poshtëruese se sa të shohësh idiotët që ia dalin mbanë në ca punë ku ne kemi dështuar”. /KultPlus.com