Miguel de Cervantes Saavedra, ai që nënshtroi kalorsiaken në letërsi përmes satirës te romani “Don Kishoti i Mançes”

Nga Albert Vataj

Ndoshta ajo që arriti të bënte me romanin “Don Kishoti i Mançes” në letërsinë botërore do të ishte shumë më shumë se sa ai ishte gaditur në këtë sipërmarrje. Në atë kohë letërsia ndodhej në një taban të ashpër dhe tejet të ngurtë. Tematika dhe larmia e personazheve dhe ngjarjeve po vuante një lloj shterrimi. Nevoja për të vënë dorë në diçka që kishte shfaqur shenja dekompozimi ishte gjithnjë e më emergjente. Ndërsa askujt nuk i kishte rënduar në shpirt kjo situatë e shterruar e letrave dhe krijimtarisë. Një i prerë për luftë dhe aventura, më shumë se për penë, “ngre shpatën” dhe godet litarin që mban të tendosur velën e asaj anijeje të pakur që vijonte të lundonte në një detë të paanë. E përplas këtë pushtues të ujrave për shkëmbinjtë e brigjeve dhe kurajos, dhe me çfarë arrin të dalë në breg nis të ringre një anije tjetër, një anije më të shpejtë dhe më sfiduese për stuhitë dhe detet e ashpra të letërsisë që e presin kërcënueshëm.

Cili është ai që guxon kaq shumë?

Po, është Miguel de Servantes Saavedra, ai që do të hyjë në historinë e letërsisë botërore si nënshtruesi i kalorësiakes përmes satirës. “Don Kishoti i Mançes”, ishte kjo kryevepër e paarritshme fikshën që do ta ngjiste këtë spanjoll me mish e me shpirt në panteonin e famës.

Miguel de Servantes vdiq në Madrid më 22 prill si dhe u përcoll për në amshim më 23 prill duke u varrosur në një manastir triniteti si një françeskan. Është pikërisht 23 prilli i keqpërdorur si datë që në shumë hamendësime konsiderohet si datëvdekja e shkrimtarit. Shkaku i vdekjes së tij, në bazë të Antonio López Alonso, një mjek, i cili ka shqyrtuar dokumentacionin e mbijetuar deritani, ishte diabeti 2 dhe një cirozë së mëlçi. Aludime të ndryshme bëjnë fjalë që ky përkeqësim i shëndetit të Servantes erdhi si rezultat i konsumit të tepruar të alkoolit në vitet e fundit të jetës.
***
Miguel de Servantes Saavedra u lind më 29 shtator 1547 dhe vdiq më 22 prill 1616. Në historinë e letërsisë dhe tekstshkrimet për autorin, orvatet ta mbamendin atë si një novelist, poet dhe dramaturg i njohur.

Deri në vitin 1605 kur atë e kishte lënë takati dhe mbi vete mbante inatet e të pamundurave që cyt mosha e thyer, është fjala për një burrë 58-vjeçar, ai rroket prej një suksesi të paimagjinueshëm që i sjell romanin, “Don Kishoti i Mançes”. Servantes veç historive me femra, aventurave, deri tek pengmarrja nga një tufë mercenaresh algjerianë të komanduar nga një shqiptar, kishe shkruar, ose më saktë ishte ballafaquar me veten e tij të dështuar krijuese. Asaj pjese të krijimtarisë së Servantes nuk i’u kthye askush as për ta riparë, as për ta rivlerësuar, për ta lënë këtë emër të lidhur vetëm me “Don Kishotin e Mançes”, të cilin ai e bëri me dy pjesë.

Nga kritika, “Don Kishoti i Mançes” konsiderohet romani i parë modern europian dhe më i mirë i shkruar ndonjëherë. Ndikimi që pati në gjuhën spanjolle ka qenë aq themeltar sa u etiketua si “Gjuha e Servantesit”. Gjithashtu, ky roman pati një ndikesë rrapëllitëse në periudhën e bashkëkohësisë dhe përmbysjen e epokës së famës kalorësiake duke i transkriptuar këto heronj në personazhe grotesk. Kësodore arrijmë të kapim fillin e një pene inatçore, marazin e një burri me të shkuar shumëngjyrëshe dhe goditjen që pësoi nga rrufeja e famës, pod, ku ndodhet edhe sot e asaj dite. Gjithqysh ai arriti të shkruante një faqe shkëlqimtare në historinë e letërsisë dhe të sillte në jetë një emblemë filozofike dhe psikologjike, siç ishte “Don Kishoti i Mançes”.
***
Nëpër jetëshkrimet për shkrimtarit thuhet se Miguel de Servantes Saavedra, fëmija i katërt një mjeku, fillimisht regjistrohet në marinën tregtare spanjolle, por shpejt flota që e paguante përfshihet në njësitë luftarake. Servantes i ri shkëlqen si ushtarak. Ai plagoset tri herë në fushatat kundër otomanëve, më rëndë në betejën historike të Lepantos, një nocion gjeografik në Gjirin e Korintit, në Greqi.
Pas pesë vitesh shërbim, atë e lejojnë të kthehet në atdhe, në Spanjë. Për shërbimet e tij të vyera ndaj kombit, Servantes sapo ishte graduar me titullin “ushtar elitar” dhe në kthim kishte me vete edhe 2 letra për Mbretin Filip II të Spanjës. Të dyja letrat, që Servantesi i ruante me kujdes, kishin vlerën e rekomandimit, me qëllim që mbreti të çmonte atë që ai kishte bërë në luftë.
***
Pas pesë viteve të robërisë, Servantes u çlirua, falë negociatave të etërve të trinitetit. Më 27 tetor, ai mbërriti në Valencia, i dobët. I ati kishte për të shitur të gjithë pasurinë dhe shkurorëzuar nga të gjitha nderet për t’i dhënë lirinë. Përvoja ishte një pikë kthese në jetën e tij, si dhe referenca të shumta për tema të lirisë dhe robërit shfaqen në punën e tij. Servantes u kthye nga Algjeri i zhytur në borxhe për shkak të haraçit të paguar për lirimin e tij. Për të fituar të holla, ai vendosi të ishte kontingjent lufte. Ai shkoi në Portugali dhe mori pjesë në betejën e “Azores Las” në 1582. Një vit më vonë, ai u kthye në Spanjë me dorëshkrimin e një romance, “La Galatea” dhe ndoshta pjesën e parë të “Persiles y Segismunda”. Ai gjithashtu solli disa shënime për biografinë e tij. Gjatë këtij viti ai u bë babai i Isabel de Saavedra, një vajzë që kishte me një zonjë të aristokracisë së Lisbonës.

Më 12 dhjetor, 1584, 37- vjeçari Miguel de Servantes Saavedra ishte martuar me Katalina Dona de Palacios Salazara. Martesa e detyruar e Servantes për të kërkuar një punë funksionoi dhe në 1588 ai siguroi një pozitë si një zyrtar i qeverisë në jug të Spanjës, rekuizimi gruri dhe vajit të ullirit për fushatën e Armadës së pamposhtur. Posti i tij i ri i dha atij mundësinë për të mësuar zakonet dhe shprehitë e zakoneve, traditave nga Sevilje që ai përshkroi tek Don Kishoti. Ai u arrestua dy herë në Sevilje për marrje posedimin e materialeve që i përkitnin Katedrales Sevilje-së. Këto përvoja justifikojnë legjendë që pjesa e parë e Don Kishotit ishte shkruar në burg.

Qëndrimi i tij në Sevilla ishte një periudhë e fatkeqësive për Servantes. Fat i tij nuk ishte më i mirë në letërsi. Në vitin 1595, ai fitoi çmimin e parë (tre lugë argjendi) në një konkurs poeme, dhe tre vjet më vonë, kënga e tij El entierro del Rey Felipe II en Sevilla ka marrë një vëmendje, edhe pse pjesa tjetër e poemave të tij do të mbeten të pabotuar.
***
Xhaxhai i tij Alonso de Quesada Salazar thuhet se ka shërbyer si yshtje frymëzuese për të formësuar karakterin e Don Kishotit. Gjatë 20 viteve të ardhshme Servantes bënte një ekzistencë nomade, duke punuar si një agjent blerje dhe si një tagrambledhës. Ai vuajti falimentimin dhe u burgos të paktën dy herë (1597 dhe 1602) për parregullsitë në llogaritë e tij. Midis 1596 dhe 1600, ka jetuar kryesisht në Sevilje. Në vitin 1606, Servantes u vendos në Madrid, ku ka mbetur për pjesën tjetër të jetës deri në të shuar më 22 prill 1616.
***
Romani “Don Kishoti” i të madhit Miguel Serantes, gjeniut të letërsisë spanjolle, që bashkon në mënyrë krejt të natyrshme prirjen fantastike me shpirtin realist, del në dritë në periudhën kur romani kalorësiak e kishte humbur plotësisht joshjen dhe vëmendjen e lexuesit të kohës. Ai e solli këtë fikshën si një kundërvënie e fuqishme ndaj mentalitetit spanjoll mbi romanin kalorsiak, mbi këtë roman që ishte i molepsur nga figura të glorifikuara heronjsh të vendosur në situata të ekzagjeruara dhe që lëvizin në një botë eksploduese pasionesh dhe ngërthyer mes intrigash dhe aventurash të pabesueshme.
“Don Kishoti” nëtërësinë e vet rreket të ironizojë prirjeve kalorsiake, si dukuri shoqërore dhe historike të Spanjës. Servantesi zgjedh pikërisht një “hero” si Don Kishoti, një personazh sa grotesk aq dhe kompleks, për ta vendosur përballë ngjarjeve dhe situatave të fryra dhe shpesh herë absurde, për të realizuar dhe përmbushur aventura të çmendura, të cilat e pozicionojnë si romanin e pare antiroman në historinë e letërsisë, kurse Don Kishotin si të parin antihero në këtë lëm. Gjithqysh kjo kryevepër e vuri Servantesin në një radhë me përfaqësuesit e tjerë të mëdhenj të Rilindjes europiane për ta sjellë deri në ditët tona si një rast i veçar dhe emblematik i tekstshkrimit. Nëse kombi gjerman mburret me Gëten, ai angles nuk ka nguruar ta vendos në kreshtën më të lartë të krenarisë, tragjikomedianin më të madh të të gjitha kohërave, Uilliam Shekspir, edhe Spanja te Miguel de Servantes Saavedra ka të shëmbëllyer elementin më përfaqësues të kombëtares. / KultPlus.com

Reagon KMDLNj: Përkeqësimi i ushqimit për fëmijët e kopshteve publike në Prishtinë është i papranueshëm

Ka reaguar sot Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut për lajmin se është përkeqësuar ushqimi për fëmijët e kopshteve publike në Prishtinë. Këtë veprim KMDLNj e ka konsideruar të papranueshme dhe të papërgjegjshëm.

Në reagimin e KMDLNj-së u bëhet thirrje dhe të gjitha institucioneve dhe organizatave të pavarura që monitorojnë institucionet publike parashkollore, që të ketë monitorime më të shpeshta për të parë gjendjen e të drejtave të njeriut për fëmijët në kopshtet publike.

Lexoni të plotë reagimin:

A PO JUSTIFIKOHET RRITJA E PAGESËS NË KOPSHTET PUBLIKE PËRMES PËRKEQËSIMIT TË USHQIMIT TË FËMIJËVE?!

Në kopshtet publike në komunën e Prishtinës ka disa javë që ushqimi për fëmijë ka filluar të pakësohet në sasi e që ndikon direkt në gjendjen e tyre emocionale dhe shëndetësore. Ushqimi në të gjitha kopshtet publike në komunën e Prishtinës përgatitet nga Kuzhina Qendrore dhe çdo mëngjes bëhet shpërndarja në të gjitha këto institucione.

Kohë më parë është pasuruar menyja ditore e javore duke shtuar perime dhe smoothie për të vegjlit, por edhe nga një mes-shujtë pas zgjimit nga gjumi.

Në kopshtet publike orari fillon prej 6:30 deri në 17:00. Gjatë këtij orari fëmijëve u ofrohen dy shujta ushqimi dhe një “zamër” që përfshinë pemë sezonale ose jogurt apo tambëloriz (e që kohëve të fundit edhe këtë po e sjellin rrallë). Mëngjesi starton prej 8:30 deri 8:45, dreka 11:30, koha e gjumit është ora 12:00 deri në zgjimin e fëmijëve në orën 14:00.

Pas zgjimit fëmijët ushqehen vetëm me “zamër” e që kryesisht është pemë sezonale e cila është e pamjaftueshme për një ushqyerje të mirë të këtyre fëmijëve. Kohë më parë komuna e Prishtinës për këta fëmijë ua kishte shtuar në meny edhe nga një kifle e që ka disa javë që këto janë zhvendosur në shujtë të mëngjesit.

KMDLNj-së në mënyrë anonime ia kanë shprehur dhe konfirmuar këto shqetësime edhe disa udhëheqës të këtyre Institucioneve Parashkollore dhe se janë në përpjekje që së bashku me komunën e Prishtinës të përmirësojnë gjendjen me ushqimin e fëmijëve dhe se po supozohet një rritje e çmimit eventual. Në kopshtet publike në komunën e Prishtinës çmimi për një fëmijë në bazë mujore është 50 euro kurse nëse ka dy fëmijë të të njëjtës familje çmimi për të dy është 85 euro.

Përkeqësimi i ushqimit për fëmijët e kopshteve publike në komunën e Prishtinës për KMDLNj- në është e i papranueshëm dhe i papërgjegjshëm. Andaj, KMDLNj-ë i rikujton komunës së Prishtinës, Drejtorisë së Arsimit se në këtë mënyrë ata po shkelin të drejtat e njeriut për fëmijët në kopshtet publike duke mos i ushqyer në mënyrë të plotë dhe të mjaftueshme. Aq më parë nëse  kjo po bëhet për të arsyetuar një rritje të çmimit e që do të vë në vështirësi edhe më të mëdha shumë familje në këto kohë kur të gjitha produktet dhe shërbimet kanë pasur rritje të papërballueshme për shumë familje.

Andaj, KMDLNj-ë i bënë thirrje dhe të gjitha institucioneve dhe organizatave të pavarura që monitorojnë institucionet publike parashkollore që të ketë monitorime më të shpeshta për të parë gjendjen e të drejtave të njeriut për fëmijët në kopshtet publike. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi ambasadorët e Quintit dhe të BE-së pas sulmit  terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar në një mëngjes pune, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Bashkimit Evropian, për të diskutuar situatën aktuale në veri të vendit pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës.

Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar ambasadorët për solidaritetin dhe ngushëllimet e shprehura për vrasjen e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, si dhe lëndimit të disa policëve tjerë. Ajo ka vlerësuar lartë punën e shkëlqyeshme dhe profesionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë në ballafaqimin me sulmin terrorist.

Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tilla.

“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja ka bërë të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara në menaxhimin e situatës aktuale dhe për të ndihmuar në arritjen e ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Sipas Presidentes Osmani, duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia për veprimet e saj kundër Kosovës, duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste.

“Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, ka nënvizuar Presidentja Osmani. / KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës renditet në Times Higher Education, pikë referimi global për përsosmëri në arsim të lartë

Për herë të parë që nga themelimi, Universiteti i Prishtinës është renditur në Times Higher Education (THE), pikë referimi global për përsosmëri në arsim të lartë, kërkim shkencor dhe inovacion.

Renditja vjetore “THE” vlerëson universitetet në mbarë botën në: mësimdhënie, hulumtim, citime, të hyrat nga industria dhe nga perspektiva ndërkombëtare duke përdorur 13 tregues të performancës për të ofruar krahasime gjithëpërfshirëse dhe të balancuara.

Në këtë renditje përfshihen 1,904 universitete nga 108 vende të ndryshme të botës, të cilët rangohen duke llogaritur përformancën e institucioneve të arsimit të lartë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila ka përgëzuar Universitetin e Prishtinës duke premtuar mbështetjen e vazhdueshme drejt arritjes së standardeve që qojnë në avancim të cilësisë dhe performancës.

“Përgëzoj Universitetin e Prishtinës dhe gjithë stafin për punën e tyre drejt përmirësimit të cilësisë dhe rangimit të universitetit në lista të njohura ndërkombëtarisht.

Si Ministri e Arsimit do të vazhdojmë ti mbështesim plotësisht drejt arritjes së standardeve që qojnë në avancim të cilësisë dhe performancës.

Më shumë detaje në: https://www.timeshighereducation.com/world-university-rankings/university-prishtina?fbclid=IwAR1VmqDZVdwmOImU2cB5N77fj1t6GTmU5dgBnyQWbqYgHXREXIXx3qZWRbg”, shkruan ministrja Nagavci. / KultPlus.com

Radoiçiq pranon se ishte pjesëmarrës në sulmin në Banjskë

Millan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi.

Kjo do të jetë hera e parë që Radoiçiqi reagon publikisht, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një zyrtar policor.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur tre sulmues.

Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.

Deri më tani, deklarimet e tij për publikun janë përcjellë gjithmonë nga Lista Serbe.

Kjo parti nuk është deklaruar rreth akuzave të autoriteteve të Kosovës ndaj Radoiçiqit, i cili është në arrati.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.

Kush është Petronijeviq, i autorizuari i Radoiçiqit?

Petronijeviq ka qenë “vëzhgues” në zgjedhjet e mbajtura javë më parë nga autoritetet ruse në territoret e pushtuara ukrainase.

Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.

Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit.

Ai është larguar nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.

Para gjykatës ndërkombëtare, ai i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.

Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

Para Tribunalit në Hagë, ai e ka mbrojtur gjithashtu ish-oficerin e ushtrisë jugosllave, Veselin Shlivançanin, i cili është dënuar për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.

Në mesin e gushtit, Petronijeviq ka njoftuar për një iniciativë për ta mbrojtur Millorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.

Më herët Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt./rel / KultPlus.com

Caravaggio, zjarrmëtari i penelit dhe aventurave, gjeniu i dritëhijes në pikturën e barokut

Nga Albert Vataj

Ishte ndoshta nga më famkëqinjtë e penelit. Një aventurier i thekur. Gjithnjë i apasionuar si pas tablosë dhe pikturës ashtu edhe pas historive të tendosura të dashurive dhe sherreve. Një shpirt i ndjeshëm dhe shumë i dhunshëm, një zemër e flakëruar nga ngjyrat dhe e përcëlluar nga zjarri i rrezikut. Caravaggio. Ai gjithë jetën vetëm iku, dashuroi zellshëm, u kacafyt në emër të pasionit dhe të veseve, derdhi gjak dhe kalli frikë. Ngado dhe sido ai mbeti një dhe i vetëm, krejt ndryshe nga të tjerët, për nga stili i jetës dhe i artkrijimit, përnga forca dhe mënyra e të dashuruarit dhe e përfshirjes së vetes në telashe pafund, në zënka dhe qasje larushitëse, të cilat i ngasi dhe e përndoqën deri në varr.

Caravaggio, ndoshta është një prej rebelëve të historisë së artit. Jeta e tij si piktor dhe si dashnor është e stuhishme dhe e mbushur përplot me dritëhije, si vetë piktura e tij, theks qe gjallon në kolanën artistike që kjo penelat e barokut la në memorien e artit. Edhe vetë vdekja më 18 korrik 1610, vazhdon të mbetet mister edhe sot.

Caravaggio pikturimi me drite hije

Caravaggio ka lindur më 29 shtator 1571 dhe ka vdekur më 18 korrik 1610. Karavaxhio është përfaqësuesi i parë i teknikave të kontrastit të hije dritës në pikturën Baroke, e cila u quajt dhe kiaroskuro apo dritëhije. Ai u bë i famshëm dhe për një jetë agresive dhe të egër. Është thënë se ai ka vrarë një burrë dhe për këtë arsye është larguar nga Roma. Vdekja e tij ka qenë misterioze në 1610 dhe i ka intriguar dijetarët për një kohë të gjatë. Një nga teoritë është se u vra në një plazh të braktisur toskan dhe një tjetër është se u gjet i shembur në këtë breg për shkak të një sëmundje. Antropologët Italian, vetëm disa kohë më pare, njoftuan se kishin gjetur mbetjet e tij. Ai studjoi dhe u formua si piktor në Milano dhe ishte i dashuruar pas Ticianit. Në 1592, në moshën 21 vjeçare, Karavaxhio u vendos në Romë. Ajo ishte e zhurmshme, plot piktorë dhe dekoratorë. Gjatë shekujve XVI dhe XVII u ndërtuan shumë kisha dhe pallate, të cilat prisnin të mbusheshin me vepra arti. Jeta e Karavaxhios u zhvillua përmes aventurës. dhe ajo qëndron mes dritës dhe errësirës. Ai ishte një burrë me natyrë pasionante, gjë e cila e çoi deri në vrasje. Qeveria e asaj kohe vuri një shpërblim për kapjen e tij. Kjo bëri që të fshihej në mënyrë të vazhdueshme. Gjithsesi të gjithë studiuesit e tij kanë zbuluar se kjo gjendje e vështirë për të jetuar në liri të plotë, nuk ndikoi në krijimtarinë e tij. Kjo bëri që të realizonte me gjendje thellësisht të zjarrtë të gjitha pikturat e tij baroke. Kjo është mrekullia e Karavaxhios, një mrekulli e shenjtë e portretizuar në përmasa që vetëm ai i zotëronte. Pikturat e tij janë shprehje të njohjeve të thella mbi artin e të pikturuarit. Ai kombinoi vëzhgimin realist të gjendjes njerëzore: si fizike dhe emocionale duke përdorur dramaticitetin e dritave. Kjo shkaktoi një ndikim të madh mbi shkollën baroke të pikturës. Pas manierizmit që kishte drejtuar artin për gjatë një shekulli, u shfaq Karavaxhio, i cili u shqua si një risi në pikturë. Ai shfaqi natyralizmin radikal, i cili karakterizohej nga pikturimi me dritë hije dhe dramaticitet emocional madje dhe teatror, ku kalimi i dritës në terr bëhej me vlera të vogla dhe mesatare. Ndikimi i tij në stilin e ri barok, që përfundimisht doli nga rrënojat dhe mënyrat e veçanta të manierizmit, ishte i thellë. Ajo mund të shihet direkt apo indirekt në punën e artistëve të tjerë të mëdhenj europianë si: Rubens, de Ribera, Bernini. Shumë artistëve që e ndoqën i‘u dha emri karavaxhistët.

Stili

Caravaggio-247

Studiuesit e kanë përcaktuar risinë stilistike të Caravaggio-s si një stil me vlerë, me thjeshtësi dhe vëmendje në detajet natyrore, gjë e cila e afron pikturën e tij më pranë me natyralizmin e Gjermanisë sesa të formalitet të stilizuar dhe madhështisë romake. Realizmi i tij mbi temat fetare nxjerr në pah anë shpirtërore të shquara. Studiuesit e tij kur i veçojnë temën fetare nga karakteret e pikturuara mendojnë se ajo nuk duket një pikturë fetare në të gjitha detajet…zbulon një vajzë të ulur në një fron prej druri… tharjen e flokëve …zbulon pendimin, vuajtjet, premtimin për shpëtim…është realizëm ose natyralizëm intensiv, për të cilat Karavaxhio është i famshëm. Ai preferoi të krijojë subjektet e tij siç i sheh ata, me të gjitha defektet e tyre natyrore dhe nuk i idealizoi, nuk i tjetërsoi, nuk i modeloi. Kjo e lejoi të shfaqë të plotë talentin e tij virtuoz. Për kohën ky ishte një ndryshim i madh me klasikët e tjerë si me praktikën e pranuar standarde dhe idealizmin klasik të Michelangelos. Caravaggio vuri në diskutim në njërën anë risinë e tij dhe në anën tjetër, atë çka ishte konfirmuar si, art klasik. Realizmi i tij ishte një tipar i rëndësishëm i pikturave të veta gjatë kësaj periudhe. Me krijimtarinë e këtij lloji i‘u ktheu shpinën përgatitjeve të gjata tradicionale në Italinë Qendrore. Ai e preferoi praktikën veneciane për të punuar direkt me vajra mbi subjektin e vizatuar, qartësoi teknikën e njohur të hije-dritës dhe i dha asaj një pushtet të madh, e ktheu në një teknikë përfundimtare, errësoi hijet dhe i transferoi mbi subjekt, ku u përplasën me kontrast të plotë mbi një bosht të dritës. Dhe ky ishte një verbim. Kjo i dha atij popullaritet të madh. Ai punonte shkathët dhe shumë shpejt në krahësim me procesin e sotëm në pikturë. Ai punonte direkt mbi kanavacë dhe trajtonte ngjyrën me fundin e furçës së përpunuar. Mbijetojnë shumë pak vizatime të Caravaggio-s.

Kush është përgjegjës për vdekjen e Caravaggios?

1280px-Saint_Francis_of_Assisi_in_Ecstasy-Caravaggio_(c.1595)

Profesori Paceli nga universiteti i Napolit pohon se artistin e ka vrarë rendi i kalorësve maltezë, nga hakmarrja. Sipas dokumenteve të cilat i ka gjetur në një arkivë sekrete të Vatikanit kisha e atëhershme e Romës ka pohuar se ka parë se si kufoma e tij është hedhur në det në afërsi të vendit Palo. Caravaggio ishte i njohur për natyrën e tij të dhunshme dhe besohej që ka qenë shënjestër të rendit maltez pasi kishte plagosur njërin prej shigjetarëve të tyre në një përleshje të mëhershme.

“Po të kishte vdekur Caravaggio bë Porto Erkolo edhe do të varrosej aty, veçanërisht, nëse marrim parasysh faktin që vëllai i tij ishte prift. Nuk do të arrinim në një gjendje për të hamendësuar se ku e ka varrin”, ka deklaruar profesori Paceli për gazetën britanike ‘Daily Telegraph’. Eksperti për Caravaggion në kolegjin Uilliam dhe Meri në SHBA, Xhon Spark pohon se ideja se artistin e kanë vrarë me qëllim kalorësit e tavolinës së rrumbullakët është joreale dhe konsideron që gjasat janë më të mëdha që atë e kanë vrarë rastësisht, ndërsa më pas kufomën e tij e kanë hedhur në det. Në vitin 2010 policia në Toskanë ka punuar përsëri në hetimin e vrasjes së artistit Caravaggio dhe ka gjetur mbetje të eshtrave në një varrë të një kishe në Porto Erkolo. Atëkohë kanë këmbëngulur që ishin 85 për qind të sigurt që eshtrat e zbuluar i takonin artistit, por atë pohim e kanë konsideruar si të pavërtetë shumë historianë të shquar.

Pas vdekjes

Kur ai vdiq kishte famë, por ajo ishte famëkeqe. Caravaggio ishte harruar pothuajse menjëherë pas vdekjes. Vetëm në shek. XX u rizbulua rëndësia e tij në zhvillimin e artit Perëndimor. Nga biografshkruesit mund të selektosh shumë thënie e situata të kundërta ndaj Caravaggio-s. Piktori i njohur Nicolas Poussin filloi të bërtas dhe duke thirrur me zemërim është dëgjuar të thotë: “Unë nuk do ta shikojë më veprën e tij. Ai është i pështirë. Ky njeri ka lindur për të shkatërruar artin e pikturës. Ai bën një pikturë vulgare që mund të jetë vetëm punë e një njeriu të rëndomtë. Shëmtia e pikturave të tij do ta dërgojë në ferr. “ Kjo tregon se piktura e tij u kritikua dhe u thumbua për një kohë të gjatë. Kjo bëri që ai të harrohej për dy shekuj. Federico Zuccari e akuzonte si një imitues dhe përdorues i ngjyrave kuqërrme. Ai kishte dhe shumë probleme të shpeshta me komisionet e fetare, kur merrte porosi mbi vepra të ndryshme, pasi pikturoi me realizëm modele të gjalla të kohës së tij. Modelet ishin kërkesë themelore e artistit për realizmin e veprave. Ai mendonte se ata bënin dhe vetrealizimin e piktorit. Disa kanë qenë të identifikuar si Mario Marko dhe Francesco Boneri, të dy artistë. Ata i paraqiti si figura të ndryshme në punimet e hershme laike, por edhe si engjëj. Modelet e tij femra ishin ato që i shkaktuan më shumë probleme me kishën. Fillide Melandroni, Anna Bianchini dhe Maddalena Antognetti idhin konkubinat e Karavaxhios dhe të gjitha prostituta të njohura, të cilat paraqiten si figura femërore fetare duke përfshirë Virgjëreshën Maria dhe shenjtore të ndryshme. Vetëm në ekspozitën e Milanos e 1951, kur puna e tij u shfaq në ekran për një publik të zgjedhur u arrit që kritika e kohëve moderne të tregohej e vetëdijshme për thellësinë artistike që përfshihej në të gjithë veprat e Caravaggio-s. / KultPlus.com

Galeria e Ministrisë së Kulturës ka shpallur konkurs për Programin Artistik të vitit 2024

Galeria e Ministrisë së Kulturës ka shpallur konkursin për Programin Artistik të vitit 2024, përcjell KultPlus.com

Të drejtë aplikimi kanë krijuesit nga fusha e pikturës, skulpturës, dizajnit grafik, grafikës, instalacionit, fotografisë, videos, performancës dhe arkitekturës të cilët e kanë një koncept për ekspozitë individuale apo kolektive.

Data e fundit për aplikim: 10.11.2023, ora 13:00.

Konkursi i plotë: https://shorturl.at/ixEW7 /  KultPlus.com

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, Muzeu Historik Kombëtar përkujton Dëshmorin e Atdheut, Kamber Bënja

29 shtatori i çdo viti është shpallur Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, me Urdhërin Nr. 348, dt. 28.07.2003, të Ministrit të Kulturës.

Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të.

Në shpalljen e kësaj Dite Kombëtare si të Trashëgimisë Kulturore ka ndikuar edhe akti sublim i ushtarakut shqiptar Kamber Bënja, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë e Apollonisë nga vjedhja.

Festimi i kësaj dite parashikon edhe detyrimin e të gjitha institucioneve kulturore dhe ato të trashëgimisë, të organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore.

Kamber Bënja ishte një veprimtar i lëvizjes atdhetare, i cili lindi në Bënjë të Këlcyrës. Mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik.

Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës. Kamber Bënja mori komandën e batalionit shqiptar duke iu kundërvënë me vendosmëri pushtuesve austro-hungarezë që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve. Për këtë arsye, Kamber Bënja bashkë me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, iu dhanë gjyqit ushtarak që e dënoi me vdekje për “tradhti të lartë”. Major Kamber Bënja, është shpallur Dëshmor i Atdheut. / atsh / KultPlus.com

OBSH-ja kërkon që të ndalohet shitja e cigareve elektronike afër shkollave

Dyqanet pranë shkollave duhet të ndalohen të shesin vapa për të mbrojtur fëmijët, thonë shefat botërorë të shëndetësisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se shkollat janë “të pozicionuara në mënyrë unike” për të goditur më fort nxënësit që pinë duhan dhe avullojnë.

Në një udhëzues të botuar këtë javë, OBSH-ja tha se autoritetet duhet “të ndalojnë shitjen e nikotinës dhe produkteve të duhanit pranë shkollave”, si dhe të ndalojnë përdorimin e tyre në kampus.

Cigaret elektronike me përdorim të vetëm përballen me ndalimin për të reduktuar mbetjet dhe për ta vështirësuar blerjen e tyre nga të rinjtë. Prodhuesit gjithashtu mund të kufizohen në përdorimin e cigareve elektronike me shije frutash, raporton The Sun, transmeton KlanKosova.tv.

Dr Ruediger Krech, drejtor në OBSH, tha: “Pavarësisht nëse jemi ulur në klasë, duke luajtur lojëra jashtë apo duke pritur në stacionin e autobusit të shkollës, ne duhet t’i mbrojmë të rinjtë nga tymi vdekjeprurës i dorës së dytë dhe emetimet toksike të cigareve elektronike, si dhe reklamat që promovojnë këto produkte”.

Ekziston një mbështetje e fortë për rregulla më të rrepta për cigaret elektronike dhe shefi mjekësor i Anglisë, Sir Chris Whitty, ka thënë se është “krejtësisht e papranueshme” që reklamuesit duket se synojnë të rinjtë.

Por disa janë gjithashtu të shqetësuar se shtrëngimi shumë i fortë mund ta bëjë më të vështirë për duhanpirësit të lënë duhanin./kk/ KultPlus.com

Spotify nuk do të ndalojë muzikën e krijuar nga AI

Shefi i Spotify thotë se nuk ka plane të ndalojë plotësisht përmbajtjen e krijuar nga Inteligjenca Artificiale nga platforma e transmetimit të muzikës.

Në fillim të këtij viti, platforma nxori një këngë me zërat e imtituar me AI të interpretuesve Drake dhe The Weeknd.

Daniel Ek i tha BBC-së se kishte përdorime të vlefshme të teknologjisë në krijimin e muzikës – por AI nuk duhet të përdoret për të imituar artistë njerëzorë pa pëlqimin e tyre, transmeton Klankosova.tv.

Ek, tha se ai pa tre mundësi të përdorimit të AI: mjete të tilla si akordimi automatik që përmirësojnë muzikën, të cilat ai besonte se ishin të pranueshme, mjete që imitojnë artistët, të cilët nuk ishin, dhe një terren i mesëm më i diskutueshëm ku muzika e krijuar nga AI u ndikua qartë nga artistët ekzistues, por nuk i imitonte drejtpërdrejt ata.

“Do të jetë e ndërlikuar,” tha ai kur u pyet për sfidën me të cilën po përballej industria.

Ndërsa AI nuk është i ndaluar në të gjitha format në platformë, kompania nuk lejon që përmbajtja e saj të përdoret për të trajnuar një model të mësimit të makinerive ose AI, të ngjashmet e të cilave më pas mund të prodhojnë muzikë.

Artistët po flasin gjithnjë e më shumë kundër përdorimit të AI në industritë krijuese.

As Drake dhe as The Weeknd nuk ishin në dijeni të versioneve të klonuara të zërave të tyre që përdoreshin në këngën “Heart on My Sleeve”. Kënga u hoq nga Spotify dhe platformat e tjera të transmetimit në prill.

Krijuesi i saj, Ghostwriter, më vonë u përpoq që kënga të nominohej për një çmim Grammy, por ajo u refuzua.

“Ju mund të imagjinoni dikë që ngarkon një këngë, duke pretenduar se është Madonna, edhe nëse nuk është. Ne kemi parë pothuajse gjithçka në historinë e Spotify në këtë pikë me njerëz që përpiqen të luajnë me sistemin tonë,” tha Z. Ek.

Në maj, Financial Times raportoi se mijëra këngë ishin hequr nga Spotify pas një zbulimi se robotët po përdoreshin për të fryrë artificialisht shifrat e tyre të transmetimit. / KultPlus.com

Panairi i parë agroturistik në Përrenjas

Panairet lokale janë kthyer në një traditë të mirë për zona të ndryshme të vendit, me ndikim në promovimin e produkteve tradicionale dhe zgjerimin e tregjeve të shitjes së tyre.

Përrenjasi, një qytet i vogël në juglindje të vendit, ka organizuar për herë të parë Panairin Agroturistik. Të shumtë ishin banorët e zonës të cilët prezantuan prodhimet e zonës, por edhe punët e dorës.

Qëllimi i panairit ishte promovimi dhe nxitja e brezit të ri për të trashëguar zanate dhe tradita nga paraardhësit.

“Këto punimet i kam bërë të gjitha me dorë, punime gipsi janë, i kam punuar vetë. Zanatin tim dua t’ja trashëgojë djalit tim, por pse jo edhe të rinjve të tjerë që duan të merren me këtë punë”, thotë një artizan në moshë të thyer.

Si hera e parë në zhvillimin e panairit, pjesëmarrësit, zejtarë, fermerë dhe artizanë u shprehën optimist për risitë që solli ky aktivitet në nxitjen e ndërveprimit mes prodhuesve dhe promovimin e prodhimeve të zonës që rritën interesin e blerësve.

Kreu i bashkisë së qytetit të Përrenjasit tregoi se këto nisma do të kthehen në traditë, por nuk dha një zgjidhje për problemet me të cilat hasen këta shitës.

“Ky panair do t’i shërbejë shumë gjithë fermerëve të cilët merren me kultivimin e prodhimeve bio të bashkisë së Përrenjasit, për t’u dhënë mundësi të dalin ne treg.  Unë besoj që ky panair është në ditën e parë por çdo vit ky panair do të kthehet ne traditë”, tha kryebashkiaku Nuri Belba./ atsh / KultPlus.com

Intervista e Ismail Bej Qemalit, para se të nisej për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të mërkurën e 20 nëntorit 1912, në faqen n°2, intervistën ekskluzive me Ismail Bej Qemalin pak para se të nisej nga Trieste në drejtim të Shqipërisë për të shpallur pavarësinë e vendit të shqiponjave, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është shumë e afërt

Intervista jonë me Ismail Qemalin

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e mërkurë, 20 nëntor 1912, faqe n°2
Burimi : Il Piccolo di Trieste, e mërkurë, 20 nëntor 1912, faqe n°2

Dje në mëngjes ka mbërritur në qytetin tonë, direkt nga Vjena, kreu i partisë së pavarur shqiptare, Ismail Qemal Bej Vlora. Me të udhëtonin katërmbëdhjetë personalitete të shquara shqiptare. Ai u prit në stacion nga udhëheqësi i ri shqiptar Mark Kakarriqi, i njohur për studimet e tij mbi çështjen shqiptare dhe nga fisnikët e kolonisë. Ismail Qemal Beu zbriti në “Excelsior Palace Hotel” për t’u ndalur disa orë dhe u largua në orën dy pasdite me vaporin “Brünn” për në Shqipëri. Një nga redaktorët tanë, i prezantuar me dashamirësi nga z. Mark Kakarriqi, zhvilloi një bisedë të shkurtër me Ismail Qemalin.

Ai është një plak i pashëm, rreth të shtatëdhjetave, me një vështrim të gjallë dhe depërtues, një mjekër të bardhë të gjatë dhe një sjellje fisnike dhe të ashpër. Ai është një njeri i kulturuar që ka udhëtuar shumë dhe ka jetuar në kryeqytetet e Evropës. Për shumë vite ai ishte guvernator i Tripolit. Me ardhjen në pushtet të xhonturqve dhe kthimin e Kushtetutës së vitit 1877, Ismail Qemal Beu ishte deputet i Vlorës.

— Unë do të qëndroj në Trieste vetëm për disa orë, sa për të parë disa miq dhe për të ngrënë mëngjes. Kështu që unë do të nisem për në det.

— A më lejon të të pyes se ku po shkon?

— Dëgjo: vapori me të cilin hipëm nuk shkon normalisht në portin ku kam ndërmend të zbarkoj, por i detyrohem mirësjelljes së drejtuesve të Lloyd’s, që pranuan një zbarkim të jashtëzakonshëm. Po shkoj në Durrës.

— Porti i dëshiruar nga serbët…

— Nuk mendoj se serbët do të arrijnë atje para meje. Në Durrës më presin me padurim. Terreni është përgatitur me durim.

— Dhe çfarë do të ndodhë pas mbërritjes tënde?

— Diçka shumë e thjeshtë, por e dëshiruar me zjarr prej nesh: “Shpallja e Pavarësisë” së atdheut tonë. Ne duam të përgatisim Evropën për këtë fakt të kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta unë do të jem kreu i saj.

— Po racat e tjera, malësorët, mirditorët?

— Ju siguroj se të gjithë jemi dakord për idenë e pavarësisë, të gjithë të një mendjeje. Ne jemi ata që filluam luftën e hakmarrjes kundër qeverisë së keqe të xhonturqve, duke pushtuar këtë verë Shkupin, ne jemi ata që kemi mbështetur betejat e vazhdueshme, për vite e vite të tëra, dhe është e drejtë që aspiratat tona të konkretizohen në realitet. Koha nuk mund të ishte më e përshtatshme. Qeveria turke në Shqipëri nuk është gjë tjetër veçse një hije e largët. Komunikimet me Kostandinopojën janë ndërprerë. Çfarë më shumë? Në Shkodër janë shqiptarët ata që mbështesin me heroizëm rrethimin.

— Çfarë mendon për kundërshtimin e Serbisë ndaj formulës: Shqipëria e shqiptarëve?

— Unë i di idetë dhe kundërshtimet e atyre qarqeve në pushtet: Ata gabohen. Shqipëria është e pjekur për shpengimin e saj civil. Ajo do të bëhet gjithashtu një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e saj ekonomik. Kemi pasuri latente, pyje, miniera që nuk janë shfrytëzuar. Dhe Trieste, e cila dominon Adriatikun, do të jetë e para që do të ndjejë përfitimin. Dhe të gjitha portet e Adriatikut do të kenë përfitime të mëdha.

— Më lejo edhe një pyetje. Për udhëtimin tënd në Vjenë dhe Budapest, çfarë mund të më thuash ?

— Jam plotësisht i kënaqur. Aty janë të bindur tashmë se pavarësia e Shqipërisë është një zgjidhje e domosdoshme dhe mbi të gjitha e drejtë dhe e aftë për të thjeshtuar konformimin e ardhshëm të gadishullit ballkanik. Dhe të gjitha fuqitë evropiane dhe veçanërisht Anglia janë të të njëjtit mendim.

Pasi mori këto deklarata dhe informacione, rëndësia e të cilave nuk do t’i shpëtojë lexuesit, redaktori ynë u largua nga Ismail Qemali, duke lënë përshtypjen se kishte folur me një njeri të kthjellët, energjik dhe një apostull shumë të zjarrtë të çështjes së tij.

 https://www.darsiani.com/la-gazette/il-piccolo-di-trieste-1912-fale-mark-kakarriqit-arritem-te-intervistonim-ne-qytetin-tone-ismail-bej-qemalin-para-se-ky-i-fundit-te-nisej-per-te-shpallur-pavaresine-e-shqiperise/.

Ekspozita kolektive “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua” hapet më 4 tetor

Komuniteti kulturor dhe artistik në Kosovë përballet me sfida të mëdha, duke përfshirë burimet dhe mundësitë e kufizuara për artistët e rinj, të cilat pengojnë rritjen e tyre personale dhe profesionale. Kjo jo vetëm që ndikon artistët, por gjithashtu e privon skenën kulturore të Kosovës nga kontributet e tyre të mundshme. Për më tepër, ka një mungesë iniciativash që angazhojnë artistët në përdorimin e aktivizmit kulturor për të adresuar çështje shoqërore, pavarësisht nga potenciali tashmë i dëshmuar i arteve për të katalizuar ndryshimet shoqërore, për të promovuar pajtimin dhe për të ndërtuar të ardhme të përbashkët, përcjell KultPlus.

Me qëllimin parësor për të nxitur zhvillimin dhe angazhimin e artistëve në Kosovë duke krijuar një mjedis mbështetës për promovimin e punës së tyre dhe në të njëjtën kohë me qëllim të rritjes së kuptimit dhe vlerësimit të publikut për diversitetin kulturor të Kosovës, Integra, Casa dhe Qendra Barabar kanë instaluar një ekspozitë unike të titulluar “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua”, kuruar nga Vesa Sahatçiu, në kuadër të projektit “ArtSphere: Diversifikimi i peizazhit shoqëror përmes artit”.

Koncepti kuratorial i ekspozitës “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua” (bazuar në poezinë e Walt Whitman) sjell në qendër të saj “trupin”, duke na ftuar të reflektojmë mbi rëndësinë dhe qëllimin e ekzistencës sonë fizike.

Më shumë se 20 artistë të rinj dhe të afirmuar me përvoja të ndryshme kulturore të përzgjedhur për këtë ekspozitë përfaqësojnë trupin, në një mënyrë apo tjetër, duke na nxitur ta shohim trupin përtej ekzistencës fizike.

Hapja e ekspozitës do të bëhet më 4 tetor, ora 19.00, në Qendrën Barabar në Prishtinë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 31 tetor 2023, gjatë së cilës kohë veprat e artit do të jenë të disponueshme për t’u blerë në lokacion, dhe më vonë edhe online.

Ky projekt implementohet nga Integra, Casa dhe Qendra Barabar, me mbështetjen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com 

PriVocalFest po sjell edicionin e gjashtë, artistë vendorë e ndërkombëtarë pjesë e programit

 

PriVocalFest tash e gjashtë vite me radhë mbetet një ngjarje e veçantë që krijon një platformë të mrekullueshme për artistët e muzikës vokale, duke ndarë zërat e tyre me audiencën dhe për të ndërthurur emocionet me muzikën; duke zgjeruar horizontet, për të arritur nëpër kufijtë e muzikës dhe për të promovuar artistët e rinj dhe kulturën në mënyra të reja dhe inovative.

PrIVocalFest është ngjarje që sjell së bashku artistë nga këndvështrimet më të ndryshme të muzikës vokale, duke krijuar një mjedis të pasur kulturor dhe artistik.

Në këtë edicion i cili nis më datë 4 Tetor dhe zgjatë deri më 14 Tetor, janë të ftuar kryesisht artistë shqiptarë por edhe ata ndërkombëtar që me paraqitjet e tyre kanë shkelur në skena të mëdha e prestigjoze.

“Edhe këtë vit (për të tretën herë me radhë) me qëllim të afirmimit të krijuesve të rinj kemi hapur thirrjen për kompozitorë duke i ftuar të eksplorojnë dhe të shpalosin veprat e tyre duke ndërthurur elemente të ndryshme për të krijuar e për t’i dhënë ndëgjuesit përjetime të reja. Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm është promovimi i artistëve të rinj duke i inkurajuar në zhvillimin dhe rritjen e tyre artistike”, njoftojnë organizatorët.

Në këtë edicion, në natën hapëse organizatorët kanë vendosur që ta përdorin fuqinë e artit në mbështetje për të rritur Ndërgjegjësimin për Kancerin e Gjirit.

Programi:

4.10.2023- Luciano Berio and more….
– Flaka Goranci, mezzosoprano (Austri) e njohur për zërin e saj të ëmbël, e prezantuar në shumë skena prestigjioze, shfaqet për herë të parë në skenën e festivalit tonë, duke hapur edicionin e 6-të të PriVocalFest; e shoqëruar nga Ansambli Primodern nën drejtimin e dirigjentit dhe kompozitorit Kushtrim Gashi (Gjermani, Kosovë).
(Me që festivali ynë tradicionalisht mbahet në muajin Tetor, dhe ky muaj i cili njihet si Tetori Rozë, muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, kemi menduar që në mbështetje të kësaj kauze të përbashkët për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për vetëdijësim, zbulim dhe trajtim të hershëm si dhe kujdesin për këtë sëmundje; në kuadër të festivalit tonë të solidarizohemi në “mënyrën tonë artistike” duke i kushtuar kësaj kauze një natë mjaft speciale dhe të këndshme).
**VENDI: Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare, ora 20:00

6.10.2023
– Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në bashkëpunim me Korin e Selanikut (Kosovë / Greqi) me një program me vepra të kompozitorëve të njohur ku veçohet vepra e kompozitorit G. Rossini-Stabat Matter; me solistë të njohur si: Besa Llugiqi, soprano (Kosovë); Albane Carrere, mexosoprano (France); Pablo Karaman, tenor (Itali); Julian Konstantinov, bariton (Bullgari); me dirigjenten e mirënjohur Mary Konstantinidou (Greqi).
**VENDI: Klan Arena, ora 20:00

8.10.2023- Artistët e Rinj
– Një natë e këndshme me program të larmishëm, interpretues dhe zëra të veçantë e të rinjë nga trojet shqiptare: Kejsi Haxhija, soprano (Shqipëri); Shinasi Ramadani, bariton (Maqedonia e Veriut); Harris Bajraktari, bariton (Kosovë), të shoqëruar me piano nga pianisti i njohur Melos Buza (Kosovë).
**VENDI: Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare, ora 20:00

10.10.2023- Early Music Night
– Ismet Vejseli, tenor (Maqedonia e Veriut) i shoqëruar nga ansambli instrumental sjellin natën me vepra të muzikës së hershme. Një artist që me zotësinë e tij artistike po ngjit majat e karrierës së tij, me një zë shumë të veçantë. Këtë natë skena do mirëpres dhe mysafiren e këtij koncerti Dea Xhemaili mexosoprano (Kosovë), e njohur për paraqitje të shumta skenike ndër vite.
**Vendi: Biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ora 20:00

11.10.2023- A Resounding Return
– Ansambli Attacca (Kosovë) i themeluar që nga viti 2012, nga atëherë kanë pasur paraqitje të ndryshme në vendin tonë dhe jashtë tij. Pas një pauze disa vjeçare ky ansambël rikthehet këtë vit duke u paraqitur në festivalin tonë me një program shumë special, të udhëhequr nga dirigjenti i njohur kosovar Hajrullah Syla (Kosovë). Ky koncert pasurohet dhe më tepër me zërat e solistëve të cilët do jenë pjesë e programit: Adelina Paloja, soprano (Kosovë); Ismet Vejseli, tenor (Maqedonia e Veriut); Elonë Sadiku, soprano (Kosovë).
**VENDI: Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare, ora 20:00

13.10.2023
– Zoya Petrova, soprano (Sllovaki) solokëngëtare e operave dhe kompozitore, pjesëmarrëse e shumë festivaleve ndërkombëtare akademike vokale dhe të kompozimit. E shoqërua nga pianisti i dalluar Andi Duraku, piano (Kosovë) sjellin një program mjaft të këndshëm për publikun tonë.
**Vendi: Biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ora 20:00

14.10.2023- Zëri Rrënjëve
-Ceylan Taci (Belgjikë), një koncert ndryshe, në një frymë shumë të ndryshme nga ajo që kemi pasur deri tani në festival, Ceylan Taci- këngëtare dhe kantautore me origjinë shqiptare nga Belgjika, shumë origjinale dhe mjaft e veçantë në stilin e saj, së bashku me mjeshtrin Astrit Stafai & Friends, sjellin një performancë unike, me këngë kryesisht origjinale të frymëzuara nga historitë e jetës.
**Vendi: Defy Them, ora 20:00.  / KultPlus.com

Ka vdekur profesori Iljaz Sina, doajeni i futbollit shqiptar

Ka vdekur profesori Iljaz Sina, doajeni i futbollit shqiptar.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka shprehur ngushëllime të thella familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të profesor Sinës.

“Me dhimbje të madhe pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të profesor Iljaz Sina, doajenit të futbollit kosovar.

Në vitet e tij si trajner, Iljaz Sina bëri histori për KF Vëllaznimi, duke lënë gjurmë edhe në klubet e kryeqytetit. Sina gjithashtu do të mbahet mend për angazhimin si pedagog, duke edukuar gjeneratat e reja të futbollistëve dhe trajnerëve.

Kontributi i tij në zhvillimin e futbollit dhe përkushtimi ndaj sportit do të kujtohen gjithmonë”, shkruan nga MKRS. / KultPlus.com

Profesori i UP-së ju drejtohet politikanëve në Kosovë: E keni degjeneruar gjuhën politike, përballuni tash me pasojat

Profesori i Universitetit të Prishtinës Gëzim Selaci, përmes një postimi në rrjetet sociale, iu ka bërë thirrje të gjithë politikanëve dhe njerëzve që ofendojnë, etiketojnë dhe përdorin retorika për persona të caktuar në Kosovë për të braktisur degjenerimin e gjuhës politike.

Sipas tij, kjo gjuhë edhe mund të jetë efikase për ta shkatërruar kundërshtarin, por që sipas tij kostoja e kësaj gjuhe është e lartë sepse e dëmton rëndë jetën politike.

“Asnjë politikan nuk është pa përgjegjësi dhe pa faj që ka degjeneru gjuha politike në këtë derexhe. Pavarësisht nëse je politikan i VV-së, i PDK-së, i LDK-së a i AAK-së, nuk mundesh me u shfajësu tash kur kjo gjuhë po shpërndahet te qytetarët, sepse je vetë ti ai/ajo që je shërby me të në mënyrë aktive a pasive dhe e ke ushqy atë”, ka shkruar Selaci.

Prandaj, sipas Selacit ata që kanë etiketuar politikanët e mediat kosovare dhe analistët i kanë vetëm tri rrugë.

Denoncimin e të akuzuarit duke ofruar prova, braktisjen e akuzave të tilla ose marrjen e përgjegjësisë për çfarëdo që rezulton nga retorikat që përdoren nga këta individë që e degjenerojnë gjuhën politike.

Ky është statusi i plotë i Selacit:

Thirrje drejtuar politikaneve per te braktisur degjenerimin e gjuhes politike

Strategjia demobilizuese e zerave mospajtues dhe opozitare duke i delegjitimuar ata si tradhti kombetare ose qendrime pro-serbe, e te ngjashme, kalon cdo kufi te debatit politik te hapur e demokratik.

Mund te jete efikase per ta shkaterruar kundershtarin, prandaj edhe pelqehet nga politikanet dhe militantet e tyre, por kostoja e saj eshte e larte, duke qene se e demton rende jeten politike.

Lideret politike duhet ta braktisin perfundimisht kete retorike si vegel politike dhe te distancohen qartazi e te denojne kategorikisht gjuhen e stilit: jo, une patriot gjak shqiptari, jo, ti tradhtar gjak serbi.

Asnje politikan nuk eshte pa pergjegjesi dhe pa faj qe ka degjeneru gjuha politike ne kete derexhe. Pavaresisht nese je politikan i VV-se, i PDK-se, i LDK-se a i AAK-se, nuk mundesh me u shfajesu tash kur kjo gjuhe po shperndahet te qytetaret, sepse je vete ti ai/ajo qe je sherby me te ne menyre aktive a pasive dhe e ke ushqy ate.

Prandaj, nese je ai/ajo qe i ke thene hashimit a ises, argat i serbise, albinit, agjent i rusise, gazetarit, mercenar i serbise, komentatorit politik, i shitur i serbise, ose i ke lene vetem dy mundesi politike: ja me uçk-ne, ja me milloshevicin; ja me rugoven, ja me serbine; ja me albinin, ja me vucicin, e pislleqe tjera, ose i perket nje partie a organizate politike qe i kane thene keto per rivalet ose kritiket politike, i ke tri rruge:

– ja ta denoncosh te akuzuarin duke ofru prova,

– ja te braktisesh e distancohesh nga akuzat e tilla,

– ja te bartesh pergjegjesi per cfaredo qe rezulton nga kjo retorike.

Per hir te kultures se komunikimit demokratik, lirise se opinionit dhe te sigurise se qytetareve, ndaloni kete gjuhe, duke e braktisur ate dhe duke u distancuar nga perdoruesit e saj! Kthejuni politikes! / KultPlus.com

Sinjalistikë për kishën e “Shën Gjinit”, monument kulture në Gruemirë

Në vazhdën e punëve të përditshme në funksion të mirëmbajtjes dhe përmirësimit të sinjalistikës së pasurive kulturore, specialistët e DRTK Shkodër kanë përfunduar vendosjen e panelit informativ dygjuhësh në objektin Kisha e “Shën Gjinit”, Monument Kulture, Kategoria l, e shpallur si e tillë në vitin 1977.

Kisha e “Shën Gjinit” gjendet në Gruemirë të Malësisë së Madhe.

Referuar të dhënave arkivore por dhe përmasave të objektit, kemi të bëjmë me një manastir që i përkiste Urdhrit Benediktin.

Një dokument i parë i vitit 1166 përmend abatin e kishës Sancti Johannis (Shën Gjonit në Rash të Poshtëm). Abacia gëzonte në mesjetë mbrojtjen e dinastëve të Drishtit dhe më vonë të Republikës së Venedikut.

Në një tjetër burim të kohës që mban vitin 1356, shkruhet se Ipeshkvi i Balesiumit (Balleza, Rrjoll) merr si dhuratë Manastirin Benediktin të Shën Gjinit në Rrash, pasi pas vdekjes së abatit të fundit Andreas, ai kishte mbetur vakant. Po ashtu në mesin e shek. XIV cilësohet si një manastir i dëmtuar nga skizmatikët dhe tokat përreth tij bashkë me kishën e braktisur i kalojnë Ipeshkvit të Balesiumit (Ballez).

Ndërsa një dekret i senatit venedikas i vitit 1403 tregon se liron nga të dhjetat tokat e Abacisë së Shën Gjinit.

Në vitin 1628 manastiri u braktis përfundimisht. Valiu i Shkodrës, Abdi Pasha, në vitin 1856 e shpalli tokë shtetërore dhe ndaloi dy besimet e tjera të kryenin shërbesa aty, ndërsa sot kisha vjen si kujtesë historike./ atsh / KultPlus.com

Kurti për heroin Bunjaku: Gjaku i tij s’do të humbë asnjëherë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ishin në vizitë sot në shtëpinë e rreshterit të ndjerë të Policisë, heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë të Vushtrisë, përcjell KultPlus.

Kryeministri Kurti shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku.

“Afrim Bunjaku, nga rreshter i Policisë u bë hero i Kosovës. Emri i tij s’do të harrohet kurrë. Gjaku i tij s’do të humbë asnjëherë. Rënia e tij heroike ngrit lart Republikën e pavarur dhe përgjegjësinë shtetërore për ligj e rend e siguri anembanë për të gjithë dhe secilin. Lavdi!”, shkroi Kryeministri Kurti në librin e kujtimeve. /KultPlus.com

Dua Lipa shfaqet me një pamje të veçantë në filmin “Argylle” (FOTO)

Dua Lipa është shfaqur me një minifund të arit derisa ka luajtur krah aktorit Henry Cavil në trilerin e filmit të zhanrit triler dhe spiunazh “Argylle” 

Traileri i shumë pritur i filmit Argylle është lansuar të enjten. 

Në pamjen e parë shohim bionden Dua Lipa që luan krah aktorit të njohur Henry Cavill në filmin me prodhim të Apple Original dhe Universal Pictures që ka për regjisor Matthew Vaughn, që ka bërë Kingsman. 

Filmi pritet që të jepet premierë më 2 shtator 2024. 

Këngëtarja (28) kosovare shihet me një fustan të shkurtër derisa luan rolin e së dashurës së Henry Cavill. /KultPlus.com

https://youtu.be/L6W0fYSvTVA?si=CcO5msA51aW6hRo9

Kurti mesazh Ramës: Kudo në Kosovë e para përgjigjet policia e pastaj KFOR e EULEX

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka deklaruar se KFOR-i duhet ta marrë nën kontroll veriun.

Me këtë rast, atij i është kundërpërgjigjur kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Në një intervistë për gazetën boshnjake Istraga, Kurti tha se kudo në Kosovë e para përgjigjet policia e pastaj KFOR e EULEX.

Kurti tha se ka nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo formulë nuk duhet ndryshuar.

“Për propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës: “Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar”, deklaroi Kurti për Istraga përcjell Klankosova.tv

Kjo intervistës sipas njoftimit të redaksisë së portalit boshnjak pritet të publikohet të dielën. /KultPlus.com

‘Tre Vllaznit’ rikthehet me sezonin e dytë

Seriali Tre Vllaznit do të fillojë me sezonin e dytë, pas pauzës që pati gjatë verës, shkruan KultPlus.

Si një sitcom që u bë për një kohë të shkurtër pjesë e familjeve shqipatre, “Tre Vllaznit”, nga e diela rikthehet përsëri në ekranet televizive.

Aktorët kryesorë: Ilir Tafa, Valmir Krasniqi dhe Lum Veseli, rikthehen nga e diela në ATV nga ora 20:30.

Seriali pritet që të ketë shumë befasi në këtë sezon të dytë.

Producent i këtij seriali do të jetë Zijad Mehic, i cili është i njohur për krijimtarinë e tij me filmat Fuse (2003), All for Free (2006) dhe Borderline Lovers (2005). /KultPlus.com

Senati amerikan miraton kodin e veshjejes

Anëtarët e Senatit amerikan do të lejohen të hyjnë në zyra vetëm me veshje zyrtare. Senati ka refuzuar propozimet për të lejuar stafin të vishen sipas dëshirës së tyre.

Javën e kaluar, udhëheqësi i shumicës republikane, Chuck Schumer hoqi rregullin jozyrtar (por të pashkruar) që senatorët mund të veshin xhaketa në zyrë. Ndërsa në disa zyra të tjera veshja ishte përgjithësisht më casual, raporton BBC.

Por shumë republikanë ishin të indinjuar sepse e panë masën si një mënyrë indirekte për lejuar Senatorin Demokrat John Fetterman të vishej si të dëshironte.

Pas përballjes me depresionin, Fetterman shkoi në zyrë me xhup dhe pantallona të shkurtra dhe votoi nga një cep i dhomës për të mos shkelur rregullin e pashkruar.

Rregullat e reja, të miratuara nga partitë këtë herë, përcaktojnë veshje specifike biznesi për praninë në dhomë, xhaketë, pantallona të gjata dhe kravatë. Asgjë nuk specifikohet për veshjet e grave, si gjatësia e mëngëve apo dekoltesë. Përveç kësaj, nuk ka raportime për këpucë apo atlete.

Çdo ndryshim në kod ka nevojë për votim nga anëtarët e Senatit. /Abc news /KultPlus.com

‘Në mes të urrejtjes zbulova brenda vetes një dashuri të pathyeshme’

Poezi nga Albert Kamy

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara. /KultPlus.com

DASH: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me atë të sulmuesve

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka kundërshtuar përpjekjet që të barazohet vrasja e rreshterit të Kosovës, Afrim Bunjaku, me sulmuesit “që ishin të përfshirë në vrasjen” e tij.

Kështu tha zëdhënësi Mathew Miller, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, përcjell Klankosova.tv

“Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, tha Miller.

Të dielen e 24 shtatori, në Banjskë të Zveçanit policia u sulmua teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë.

I vrarë mbeti Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.

30 sulmuesit e grupit terrorist ishin strehuar në Manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan përleshjet me Policinë.

Tre prej tyre mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq tetë persona u arrestuan për këtë sulm, gjashtë prej të cilëve u liruan pa ndonjë provë lidhur me rastin.

Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.

Më 27 shtator në Serbi u shpall ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë.

Ky vendim u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi Peter Stano, deklaroi se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 27 shtator se ai kurrë nuk mund t’i cilësojë si “terroristë” pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës./KultPlus.com