Programi i LDK-së, dokumenti autentik i paraqitur në Kuvendin Themelues

Në vigjilie të 32 vjetorit të themelimit të LDK-së (6)

PROGRAMI  I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS*

(Dokument autentik i paraqitur në Kuvendin Themelues)

Nga Jusuf BUXHOVI

 “Kriza e thellë shoqëror, ekonomike dhe politike, në të cilën gjendemi tash e sa kohë, para bashkësisë shumëkombëshe hapi dilema që kanë të bëjnë me ekzistencën e saj të mëtutjeshme. Në opsion tashmë janë shumë programe dhe projekte të nduarndurta që mëtojnë të fitojnë legjitimimet në Jugosllavi. Kjo larmi idesh, propozimesh e deri te programet me profile të qarta politike tregon më së miri se për fatin e Jugosllavisë janë të brengosur dhe të preokupuar të gjithë, dhe se, e ardhmja e saj mund të garantohet po qe se për të angazhohen të gjitha subjektet e saj, pa iu rezervuar askujt e drejta  që të flasë apo të vendosë në emër të të tjerëve. Jugosllavinë duhet kuptuar si interes të secilit që jeton në të, pra, edhe të popullatës së Kosovës, e cila ruan të drejtën e saj që lirisht  të vendosë për fatin e vet.

 Fakti se kriza e thellë dhe e gjithanshme që po rëndon vendin dhe që më fuqimisht e me  pasoja më të rënda po shprehet në Kosovë, kërkon kthesa radikale në fushën ekonomike, shoqërore e politike, se ajo mund të përballohet e të tejkalohet vetëm me angazhimin dhe veprimin e të gjitha forcave subjektive e të potencialeve krijuese, dhe se ky angazhim nuk është i mundur në kuadër të monizmit politik dhe të monopolit njëpartiak, ne të nënshkruarit, morëm nismën që të themelojmë:

 Lidhjen Demokratiket të Kosovës,

Si Parti për veprim shoqëror-politik e kulturor të të gjithë atyre që aprovojnë orientimet programore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe intencat e saj.

 1

 Lidhja Demokratike e Kosovës (në  tekstin e mëtutjeshëm LDK) angazhohet për reforma ekonomike e shoqërore që synojnë daljen sa më të shpejtë nga kriza, që mund të bëhet me  zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit. Për këtë qëllim LDK angazhohet për ekonomi të tregut, forma të ndryshme të pronësisë, për treg  modern dhe për përjashtimin e ndërhyrjes jokompetente të politikës në çështjet ekonomike  (nga orientimi i pa kriter i investimeve e deri te caktimi i kuadrit drejtues në ekonomi), gjë që kishte dhe ka pasoja të dëmshme.

 Kosova, përkundër potencialeve të veta njerëzore dhe natyrore, është pjesa ekonomikisht më e prapambetur dhe me papunësi më të madhe. Prapambetja ekonomike dhe papunësia janë forma permanente të krizës. LDK vlerëson se pikërisht prapambetja ekonomike dhe papunësia janë problemet kryesore të Kosovës dhe përpiqet për përballimin e tyre. LDK përpiqet për stimulimin e iniciativave dhe të angazhimeve të investimeve, për racionalizimin dhe modernizimin e prodhimit, për rekonstruksione e orientime prodhuese dhe jo për falimentime dhe shuarje të nxituar të organizatave ekonomike; angazhohet për të drejtën e barabartë të secilit  në punë – varësisht nga aftësitë; angazhohet kundër privilegjeve në këtë lëmë në baza regjionale, kombëtare dhe të tjera.

LDK angazhohet për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve dhe mundësive të brendshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës; angazhohet për politikë sociale, siç ndodh në të gjitha shtetet moderne  dhe angazhohet për solidaritet të të  zhvilluarve ndaj të pazhvilluarve.

 2

LDK angazhohet për Jugosllavinë demokratike, federative dhe për reformën e sistemit politik në këtë drejtim.

LDK angazhohet për demokraci që do të sigurojë barazinë e plot juridike e politike të qytetarëve, të individit, të dinjitetit dhe të pronës së tij – pavarësisht përkatësisë kombëtare, gjinore apo fetare; angazhohet për shtetin juridik, që respekton kushtetutën dhe ligjin dhe përjashton arbitraritetin politik e pushtetmbajtës.

LDK angazhohet për pluralizëm politik që shpreh strukturat dhe interesat e ndryshme dhe mundëson garën e koncepcioneve politike të ndryshme;

LDK angazhohet për sistem shumëpartiak; angazhohet për  mbrojtjen e plotë dhe zgjerimin e lirive të njeriut dhe të  qytetarit; angazhohet për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë, për lirinë e fjalës, të shtypit  e të organizimit politik; angazhohet për heqjen e  çfarëdo censure të fshehur; angazhohet për gjyqet e pavarura dhe për përjashtimin e varësisë së individit, të ndjekjes dhe të ndëshkimit politik të gjyqtarëve.

LDK angazhohet për zhvillimin e raporteve demokratike në Federatë, duke e kuptuar Federatën si bashkësi të subjekteve të barabarta, si bashkësi të qytetarëve dhe të kombeve të barabarta. Pra,angazhohet për një federatë moderne, e cila do të mundësojë barazinë e nacionaliteteve dhe  të republikave dhe të krahinave në sistemin parlamentar në bazë të së drejtës së votës së lirë.

LDK do të angazhohet për një shoqëri demokratike, në bazë të traditës më të mirë të qytetërimit njerëzor.

LDK do të angazhohet për zgjerimin e kanaleve demokratike institucionale, drejt ri afirmimit dhe afirmimit të mëtutjeshëm të individualitetit të Kosovës dhe të pozitës së saj kushtetuese si njësi e barabartë e federatës.

LDK angazhohet për afirmimin e subjektivitetit shoqëror, politik e kulturor të shqiptarëve dhe për të drejtën e tyre, që në marrëveshje me popujt me të cilët jetojnë bashkërisht, të shfrytëzojnë format e  konstituimit politik dhe juridik që do të afirmonin barazinë e tyre.

    3

E vetëdijshme për faktin që bashkëpunimi, mirëkuptimi, miqësia dhe solidariteti i popujve janë rezultat dhe frytet  më të rëndësishme të civilizimit, kurse grindjet dhe armiqësitë janë fatkeqësi  e madhe, LDK do të angazhohet vendosmërisht për zhvillimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm të të gjithë popujve në Kosovës, në Jugosllavi dhe në botë.

Barazia  e plotë përbën edhe parakushtin qenësor të miqësisë dhe të bashkëpunimit të popujve. Prandaj, LDK përpiqet për barazi të plotë kombëtare në Jugosllavi e në Kosovë. Ajo do të punojë për afirmimin e vetëdijes se Kosova është e të gjithë atyre që jetojnë në të:

-se shqiptarët, serbët,malazezët, turqit dhe të tjerët historikisht dhe aktualisht Kosovën e kanë të tyre dhe bashkërisht duhet ta zhvillojnë dhe ta përparojnë;

-se jeta në miqësi është bazë e mirëqenies dhe lumturisë së popujve;

-se shumësia e kulturave dhe e traditave, e kuptuar drejt, është pasuri;

-se bashkëpunimi e miqësia e popujve janë të pandashme pa njohjen, mirëkuptimin dhe respektin e kulturave dhe të traditave, të qenieve dhe të interesave të njëri-tjetrit.

LDK do të luftojë kundër çdo qëndrimi ose pikëpamje të pabarazisë. Ajo veçmas do të angazhohet:

-kundër çdo privilegje ose diskriminimi kombëtar;

-kundër konceptet mbi popujt autoktonë dhe shteformues dhe popujve të prezencës së rastësishme e margjinale;

-kundër shovinizmit dhe hegjemonizmit;

-kundër manipulimeve nacionaliste e burokratike me çështjen kombëtare.

LDK përpiqet për barazinë e plotë të nacionaliteteve në Jugosllavi. Angazhohet për zhvillimin e  gjithanshëm kulturor të të gjithëve, për arsim të plotë në gjuhën amtare në të gjitha shkallët e shkollimit; angazhohet për ruajtjen e pozitës dhe të dinjitetit moral e material të shkollës; për kultivimin e gjuhës amtare dhe barazinë e saj në komunikim publik dhe në administratë;angazhohet për kultivimin e lirë e të barabartë të traditave kulturore, historike dhe për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare dhe të kremtimit me dinjitet të festave kombëtare; për të drejtën dhe mundësinë që çdo popull të shfrytëzojë rezultatet pozitive të krijimtarisë së vet kulturore dhe shpirtërore kudo që krijohen.

Në këtë drejtim duhet zhvilluar edhe më tutje institucionet që merren me studimin dhe kultivimin e kulturës, të traditës dhe të shprehjes së lirë të individualitetit kombëtar të të gjithëve në Kosovë dhe në Jugosllavi.

    4

LDK përpiqet për të vërtetën për Kosovën, duke luftuar kundër dezinformatave e shpifjeve, kundër përpjekjeve që çështjet e sotme të Kosovës të paraqiten e për to të flitet vetëm me terme diskualifikuese, pa u parë ato në tërësinë dhe kompleksitetin  e tyre. LDK është kundër represioneve e rikonstruksioneve si zgjidhje të problemeve, është kundër imponimit të pseudovlerave për t’u mbyllur problemet e vërteta, është kundër gjendjeve dhe masave të jashtëzakonshme, kundër izolimeve e kundër proceseve politike si dhe angazhohet për lirimin e të burgosurve politikë. Angazhohet, pra për dialog konstruktiv e mirëkuptim të ndërsjellë dhe kundër diskualifikimeve dhe etiketimeve të çdo mendimi ose kërkese, që ndryshon nga ajo zyrtare e një partie.

 5

LDK do të angazhohet për ruajtjen e ambientit të natyrës dhe të resurseve natyrore. Asnjë gjeneratë nuk ka të drejtë që pa nikoqirllëk t’i shfrytëzojë ato që duhet t’u takojnë edhe gjeneratave të tjera.

Në Prishtinë,

Më  23 dhjetor 1989.

Jusuf Buxhovi (Nënshkrimi)

* Ky dokument, i mbështetur mbi sugjerimet e akademik Gazmend Zajmit, profesor Fehmi Aganit dhe Ajri Begut dhe me korrigjimet që iu bënë pak para fillimit të Kuvendit, u paraqit në Kuvendin Themelues, i aprovuar njëzërit nga të pranishmit. Dokumenti autentik që gjendet në arkivin personal te autorit bashkë me të tjerët nga themelimi, i paraqitur në librin “Kthesa historike” 1, ka rëndësi ngaqë  menjëherë pas aprovimit, në opinion iu nënshtrua përpjekjeve të shumta për t’u falsifikuar. Këso falsifikime, që pastaj u shpërndanë nën firmën e LDK-së, pati në Gjermani dhe Zvicër, mbi të cilat u mbështetën shumë nga shpifjet partisë dhe programit të saj, me ç’rast fjala “barazi në federatë” u zëvendësua me “autonomi” madje edhe nën Serbinë! Këto dhe falsifikime të ngjashme me të cilat u përcoll veprimtaria e pandalshme e LDK-së, shkuan deri aty  saqë u lansua edhe shpifja  se “programi i përkthyer, me kërkesa autonomiste, u soll nga Serbia”!./KultPlus.com

Agani, Zajmi dhe Cana, kyç në nismën për hartimin e programit të LDK-së

Në vigjilje të 32 vjetorit të themelimit të LDK-së (5)

PROFESOR AGANI, AKADEMIK  GAZMEND ZAJMI DHE ZEKERIA CANA…

Nga Jusuf BUXHOVI

Rruga e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe dokumentet partiake (nga idetë e deri te formulimet programore) pa mëdyshje lidhet edhe me rolin e disa personaliteteve të kohës, ndër të cilët gjithsesi duhet përmendur profesor Fehmi Aganin, akademik Gazmend Zajmin dhe historianin Zekeria Cana.

Kjo treshe intelektuale, u kyç në nismën për hartimin e programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në përputhje me konceptin e kërkesave: liri, demokraci dhe barazi, që njëherësh shfaqej edhe platformë e ndryshimeve që kishin përfshirë vendet e ish diktaturës komuniste në rrugën e tyre kah bota perëndimore. Në rrethanat e ish Jugosllavisë, kur tranzicioni, nga udhëheqja e Beogradit kamuflohej me pretendimet që Jugosllavia e Titos të transformohej në një shtet unitar nën mbikëqyrjen e Serbisë, që praktikisht ia hapte rrugën afrisë kah Lindja, formulimet për liri, demokraci dhe barazi nga një parti politike nga shqiptarët e Kosovës, që kishin humbur autonominë dhe statusin e njësisë federative që e kishin me kushtetutën e vitit 1974, kishin rëndësi të veçantë. Meqë me anën e tyre mund të arriheshin dy parametra historik: shkëputja nga ideologjia komuniste, ku ata ishin futur me dhunë nga viti 1944 e këndej, si dhe çlirimi nga tutela e Serbisë, ku ishin rikthyer dhunshëm më 23 mars 1989, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, që nga shqiptarët, me të drejtë, përjetohej një ripushtim tjetër mbas atij të vitit 1944. 

Kështu, në parametrat e këtij misioni historik, akademik Gazmend Zajmi, ishte referencë e çfarëdo formulimi të kërkesave kushtetuese, siç ishte  formula se “Kosova duhet të ketë statusin e subjektit të barabartë në federatën e Jugosllavisë”, që do të zërë vendin në programin e LDK-së. Sepse, sipas akademik Zajmit avansimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë, pra barazimi i plotë me njësitë tjera jashtë statutit dual që e kishte, përjashtonte çfarëdo lidhjeje me Serbinë, siç linte të hapur mundësinë që juridikisht pozita e subjektit të barabartë të fitonte edhe legjitimitet politik dhe ndërkombëtar njëherësh, jashtë anatemës së “rrënimit të Jugosllavisë”, që e lansonte Serbia. Mbi këtë koncept akademik Zajmi u angazhua që këtij procesi t’i përgatitej edhe infrastruktura e legjitimitetit demokratik siç ishte Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për Pavarësi i shtatorit 1991.

Profesor Fehmi Agani, nuk ishte i druajtur si akademik Gazmend Zajmi, që kërkonte të mbetje përherë i pavërejtur. Përkundrazi, “profesori” siç e thërrisnin të gjithë, gëzonte një autorit thuajse në të gjitha qarqet intelektuale dhe shkencore. Afërsia e tij që të bashkëbisedojë me të gjithë, prirja që të dëgjojë me vëmendje dhe të këshillojë me mençuri, ia kishin krijuar oreolin e një autoriteti, që ishte i pakapërcyeshëm në rrethanat kur nga sjellja intelektuale dhe mençuria varej ajo me qenë ose mos me qenë. Andaj, ishte e natyrshme që edhe themelimi i partisë së re ta përfshinte profesor Aganin, ku ai punoi  me përkushtim jo vetëm në fazën e  themelimit të “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, por edhe në atë transformimit të saj nga një parti në Lëvizje Kombëtare, çfarë në të vërtetë do të bëhet pas dy-tre muajve me mbi 700 mijë anëtarë. Me mençurinë që t’u qaset problemeve edhe më të rënda, me aftësinë politike që t’i bashkojë të gjithë, madje edhe kundërshtarët e deridjeshëm, me durimin që të majtën ekstreme ta inkorporojë në lëvizje si dhe këshillat “rebeluesve” që kërkonin me çdo kusht luftë të parakohshme për t’iu kundërvënë represionit serb, që do të kishte pasoja fatale në ato rrethana pa miq nga jashtë dhe mbështetje ndërkombëtare, profesor Agani u bë dorë e djathtë e presidentit Rugova. Përkundër përpjekjeve të grupeve të ndryshme që nuk e donin këtë nga shkaku i fuqisë dhe shkathtësisë së tij politike, Agani mori përsipër çështjet kyçe politike dhe diplomatike, nga shteti paralel e deri te misionet diplomatike çfarë ishin bisedimet për arsimin me Beogradin dhe të tjerat që dolën në pah pas Dejtonit dhe daljes në skenë të UÇK-së në vitin 1987, kur rezistenca e armatosur duhej të kthehej në mjet të politikës , siç ndodhi në Rambuje.

Natyrisht se profesor Agani, nuk ia doli të përjetojë çlirimin e Kosovës. U vra nga forcat serbe gjatë kohës së fushatës së bombardimeve. Me siguri se me profesor Aganin, rrjedha e shumë ngjarjeve politike gjatë protektoratit dhe veçmas procesi i shpalljes së shtetit të pavarur do të ishte edhe më i kompletuar. Madje, edhe LDK-ja në rrethanat e pluralizmit politik çarë solli protektorati ndërkombëtar, do ta ruante kursin dhe drejtpeshimin politik, që e humbi mbas vdekjes së Rugovës. Por, puna dhe vepra e tij, mbesin në oltarin e historisë së LDK-së, po edhe të shtetformimit në përgjithësi si vlera të përhershme.

Edhe profesor Zekeria Cana pati merita të mëdha për themelimin e “Lidhjes Demokratike të Kosovës”. Si pjesëtar i grupit nismëtar, profesor Cana, u angazhua me përkushtim që të jetë sa më përfshirës në planin intelektual, ndonëse në të njëjtën kohë kryente edhe punën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore që ishte themeluar kohë më parë dhe po vepronte me të madhe për mbledhjen e të dhënave që regjimi serb ushtronte ndaj shqiptarëve, jo vetëm me masat e aparhejdit, po edhe me instalimin e regjimit policor-ushtarak në Kosovës, që po ia përgatiste hapësirën fushatës së spastrimit etnik të Kosovës në përputhje me programet hegjemoniste të së kaluarës, që Millosheviqi kishte filluar t’i jetësonte./KultPlus.com

Viktor Majeri, Kristine Von Kohl dhe Paul Landvai

Në vigjilie të 32 vjetorit të themelimit të LDK-së

VIKTOR MAJERI, KRISTINE VON KOHL DHE PAUL LENDVAI

Nga Jusuf BUXHOVI

Rruga e themelimit të “Lidhjes Demokratike të Kosovës” si dhe pasqyrimi i gjendjes në Kosovë para, gjatë dhe pas rrënimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia më 23 mars 1989, kur ajo praktikisht, brenda një shekulli, edhe u ripushtua për herë të katërt nga Beogradi, pa mëdyshje se lidhet edhe me rolin e disa publicistëve të njohur të medieve të fuqishme evropiane, ndër të cilët gjithsesi duhet përmendur publicistin e njohur gjerman Viktor Majer, asokohe korrespodent i gazetës së njohur gjermane “Frankfuter Allgemeine”, Kristine von Kohl, publiciste dhe korrespodente e disa gazetave evropiane nga Beogradi , ndër të cilat dalluar “Die Presse” të Vjenës si dhe redaktore e revistës “Balkan anders” të Vjenës si dhe publicistin dhe moderatorin e njohur të televizionit austriak ORF 1, Paul Lendvaj, njëherësh autor i shumë librave publicistikë.

Kjo treshe e publicistëve eminentë evropianë nga hapësira gjuhësore gjermane, me një përkushtim të veçantë përcolli gjendjen në Kosovë dhe në përgjithësi në hapësirat e ish Jugosllavisë nga shpërthimi i demonstratave të vitit 1968 që për moto kishin kërkesën për Republikën e Kosovës, që u dinamizua në demonstratat e vitit 1981 dhe, si e tillë, me modifikimin e avancimit të pozitës kushtetuese në federatën jugosllave gjeti vend edhe në programin nismëtar të “Lidhjes Demokratike të Kosovës” deri në çastin e evoluimit të saj në kërkesë për shtet të pavarur pas Konferencës së Hagës së gushtit 1991 kur Jugosllavia u vu në binarët e shpërbërjes. Në këtë treshe, gjithsesi Viktor Majeri, me angazhimin e tij shfaqet i veçantë, meqë krahas anamnezës që ia bëri krizës së Jugosllavisë me librin “Si u shpërbë Jugosllavia”, në çastet vendimtare ai inkurajoi drejtpërdrejt “grupin” e gazetarëve të “Rilindjes” që t’i hynin punës dhe këtë e bëri me shkrime në gazetën FAZ ose me kontakte të drejtpërdrejta me disa prej tyre.

Viktor Majeri prej vitesh do të bëjë të njohur gjendjen e shqiptarëve në ish Jugosllavi si dhe planet e Beogradit që nëpërmes rrënimit të autonomisë së Kosovës të vitit 1974, të marrë përsipër timonin e një Jugosllavie unitariste, që pas vdekjes së Titos, hap pas hapi, vendin do ta kthente në taborin sovjetik në përputhje me doktrinën e Breezhjevit rreth sovranitetit të kufizuar të vendeve komuniste. Me shkrimet e tij analitike nga viti 1981 e këndej, veçmas me ato nga 23 marsi i vitit 1989, kur Beogradi rrënoi me dhunë autonominë e Kosovës, Viktor Majer, duke e quajtur veprimin e Millosheviqit puç kundër Jugosllavisë evropiane, drejtpërdrejt do të alarmojë opinionin botëror me rrezikun që po i kërcënohej. Madje, ai ishe nder ata që ngulmonin se demonstratat e vitit 1981, sado që ishin të drejta nga ana e shqiptarëve dhe se edhe ata kishin arsye që të shpallnin opsionin e tyre për barazi në federatë, vlerësonte se në forma të ndryshme, u dirigjuan nga forcat serbe dhe ato ruse që kërkonin shkas për ndezjen e fitilit Jugosllavisë së Titos, pikërisht nga shkaku pse Kosova si njësi e barabartë federative ruante balancimet që ajo të mbetej kah perëndimi, pra të parandalonte rikthimin sovjetik të humbur nga viti 1949. Po ashtu, me anën e lidhjeve me disa intelektualë të Kosovës (kryesisht gazetarë të “Rilindjes”), Majer do të angazhohet që si kundërpërgjigje Beogradit që ia kishte arritur të rrënonte autonominë e Kosovës sipas planit të saj perfid nga viti 1981, të dilet me themelimin e një partie politike, që do të formulonte kërkesat fillimisht për Republikën e Kosovës, ndërsa pas Deklaratës së 2 korrikut 1990, Kuvendit të Kaçanikut dhe veçmas pas konferencës së Hagës të gushtit të vitit 1992 kur Komisioni i Badinterit shpalli federatën jugosllave në shpërbërje, kërkoi që Kosova të luftojë për statusin e njësisë së pavarur, pra të shtetit që ka të drejtë të vendos për fatin e vet si njësitë tjera federative. Me të njëjtin përkushtim Viktor Majeri vazhdoi ta këshillojë dhe ndihmojë dr. Rugovën dhe intelektualët tjerë në rrethanat para dhe pas Dejtonit, si dhe ato gjatë dhe pas Rambujesë, duke kërkuar që si pozicion të mbrohet Kushtetua e Kaçanikut si shprehje e vullnetit demokratik të shqiptarëve. Në dy librat e tij “Si u shpërbë Jugosllavia” 1992 dhe “Trashëgimia e Jugosllavisë”, 2020, Majeri e ritheksoi të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur që buron nga kushtetua e vitit 1947 kur ishte pjesë e tetëshes federative, pa marrë parasysh statusin dual. Po në këtë gazetë, në gusht të vitit 1989 paralajmëroi formimin e partisë nga intelektualët shqiptarë që do ta marrin përgjegjësinë politike për vendin. Një javë pa u themelua LDK-ja, në FAZ “zbuloi” edhe emrin e partisë si dhe kryetarin e mundshëm (Rugovën) si të përzgjedhur amerikan.

Kristine von Kohl, gazetare e “Die Presses” së njohur të Vjenës, po ashtu, ishte shumë e angazhuar në pasqyrimin e zhvillimeve që morën kah rrënimi i Jugosllavisë pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 me ç’rast, sipas diktatit të Beogradit, politikës jugosllave iu imponua procesi i diferencimit të shqiptarëve. Kristine von Kohl, ishte një zë i fuqishëm që denoncoi Platformën e Komitetit Qendror të LKJ-së të aprovuar në maj të vitit 1981 me ç’rast demonstratat e studentëve të Prishtinës të 11 marsit, ato të 2 dhe 4 prillit u kualifikuan si përpjekje kundërrevolucionare për rrënimin e rendit kushtetues të Jugosllavisë me çka filloi fushata shumëvjeçare e represionit ndaj të rinjve, studentëve dhe intelektualëve të Kosovës, që kishte për qëllim që t’i detyronte që të hiqnin dorë nga pozita kushtetuese e vitit 1974 dhe kërkesa për avancimin e saj e mëtutjeshme. Kristine von Kohl, në rrethanat kur u rrënua autonomia e Kosovës me dhunë nga Beogradi, u angazhua që në Kosovë të themelohet Komiteti për të drejtat dhe liritë e njeriut, që do të merrej me mbledhjen e të dhënave për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Me vizitat e saj të shpeshta në Kosovë, deri sa nuk do të shpallet persona non grata nga regjimi i Beogradit, inkurajoi intelektualët shqiptarë që të themelonin një parti politike, siç ndodhi në të vërtetë me “Lidhjen Demokratike të Kosovës”, të cilën, për vite, nga Vjena e afirmoi kauzën e saj të rezistencë institucionale paqësore. Kristine von Kohl, në fushën e publicistikës, me disa vepra trajtoj krizën në ish Jugosllavi si dhe pasojat që solli shpërbërja e saj. Ndër këto libra gjithsesi dallohen “Jugosllavia” (1990),”Kosova – nyja e gordosë” (1992), “Shqipëria” (1999), “Ballkani – stabilitet ose kaos në Europë” (2000). Së fundi ishte kryeredaktore e revisët “Balkan anders”.

Një zë tjetër i fuqishëm nga Vjena, padyshim se ishte edhe i Paul Lendvait, publicist, autor i shumë veprave politike që trajtojnë rrethanat në diktaturave komuniste, redaktor dhe moderator i Televizionit të Austrisë (ORF1), i cili, në debatet televizive, u dha hapësirë intelektualëve të Kosovës të pasqyronin gjendjen para, gjatë dhe pas rrënimit të autonomisë së Kosovës. Lendvai, po ashtu, u tregua i zellshëm që opinioni austriak të njihet me shkaktarët e krizës në ish Jugosllavi (regjimin hegjemonist të Beogradit) si dhe inspiruesit e tyre kryesorë: intelektualët nga radhët e Akademisë Serbe të Shkencave si dhe ato të çarqeve të Kishës Ortodokse Serbe që u vunë në krye të indoktrinimit që solli të lufta e armatës jugosllave kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe së fundit Kosovës. Dy emisione speciale, Lendvai ia kushtoi themelimit të “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, me ç’rast në studio solli intelektualë eminentë austriakë, sllovenë dhe shqiptarë, të cilët shfaqjen e kësaj partie në jetën politike e vlerësuan si një kthesë të rëndësishme historike, meqë për herë të parë në krye të një lëvizjeje politike viheshin intelektualët e njohur me koncepte perëndimore, të cilët, me kërkesën për liri dhe barazi, i hapnin rrugë të pandalshme shtetësisë së Kosovës. Për Lendvain, shfaqja e LDK-së si parti politike e shqiptarëve kishte rëndësi historike ngaqë kërkesa për liri, barazi dhe demokraci shënonte largimin përfundimtar nga konceptet e irredentizmit ideologjike të bashkimit me Shqipërinë, që përfaqësonte nga ilegalja shqiptare./ KultPlus.com

“Jugosllavia pa Titon” dhe “Habia e Bakariçit për Kosovën Republikë”

Në vigjilje të 32 vjetorit të themelimit të LDK-së (2)

Nga Jusuf BUXHOVI

Rëndësia e “Lidhjes Demokratike të Kosovës” si partia e parë politike shqiptare në ish Jugosllavi në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, nuk mund të shihet jashtë rrethanave që sollën krizën e Jugosllavisë pas vdekjes së Titos si dhe proceset e tranzicionit që përfshiu vendet ish komuniste pas rënies së Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, bashkimit të Gjermanisë, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe rënies së detantit ku Jugosllavia për dyzet vjet qëndroi në zonën midis Perëndimit dhe Lindjes. Në këtë proces të kthesave të mëdha historike, duhet kuptuar drejt evolucionin e kërkesave politike të “Lidhjes Demokratike të Kosovës” për barazi të plotë në kuadër të federatës jugosllave, siç kërkohej në fillim me programin e aprovuar në Kuvendin Themelues më 23 dhjetor 1989 deri te kërkesa për shtet të pavarur, pas vendimit të Konferencës së Hagës të 20 gushtit 1991 kur Jugosllavia, në përputhje me Komisionin e Badinterit, u shpall në shpërbërje.

Por, evolucioni i kërkesave politike të LDK-së nga ato për barazi deri te shteti i pavarur, pikënisjen e ka të kërkesa për Republikën e Kosovës, që për herë të parë u manifestua në diskutimet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1968 të organizuara nga kalasa e atëhershme politike dhe në demonstratat e studentëve që shpërthyen gjatë nëntorit të atij viti në shumë qytete të Kosovës për t’u përmbyllur më ato madhështore të 27 nëntorit në Prishtinë mbi të cilat pastaj do të ngriten thuajse të gjitha shqetësimet nga ato politike e deri te ato gjeostrategjike rreth fatit të Jugosllavisë pas Titos, si një barometër të raporteve të reja edhe në kuadër të sferave të interesit të përmasave botërore.

Në Gjermaninë kjo çështje zinte vend të rëndësishëm në debatet politike dhe ato mediale, meqë dyshohej se pas Titos do të kishte Jugosllavi të Titos, gjë që kjo mund të ndikonte që fryma e ndryshimeve që kishte filluar me Perestrojkën dhe Solidarnoscin në Lindje, në Jugosllavi, mund të merrte kah të kundërt, pra të një konflikti midis forcave reformuese dhe atyre unitariste të drejtuara nga serbët, të cilët jo vetëm që nuk do ta lejojnë avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë, në nivel të republikës, por do ta rrënojnë atë, siç edhe ndodhi në marsin e vitit 1989.

Kështu, nga fillimi i vitit 1979 e deri në maj të vitit vijues, sëmundja e Titos do të bëhej çështje publike dhe, me të, në opinion legjitimitet do të fitojë edhe shqetësimi se çfarë do të bëhet me trashëgiminë e tij.

Televizioni, radioja dhe mbi të gjitha gazetat qendrore dhe revistat me autoritet si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Die Zeit”, “Die Welt” dhe magazina “Der Spiegel”, secila rrihte telin në mënyrën e vet. E përbashkët e të gjithave megjithatë ishte se me vdekjen e Titos Jugosllavia nuk do të ishte më ajo që kishte qenë deri atëherë.

E përditshmja konzervative “Die Welt”, shihte të vetmen mundësi që Kosova të ngrihej në shkallën e republikës së barabartë me të tjerat dhe kjo të ndodhte para se Tito të vdiste. Nga faktori ndërkombëtar kërkohej që në këtë drejtim të ushtrojë ndikim ndaj Beogradit para se të bëhet vonë. Gazeta “Frankfurter Allgemeine”, me ndikim të madh te elita intelektuale e vendit, por edhe në hapësirën tjetër gjermanofolëse, përkrahte kursin e Kosovës republikë të barabartë me njësitë e tjera të federatës, por këtë e shihte të realizueshme jo më nga Tito, që ishte në shtratin e vdekjes, po nga faktori ndërkombëtar, i cili elitës jugosllave do t’ia shtronte dy kushte: ruajtjen e kursit të vetëqeverisjes socialiste dhe të marrjes së obligimit që menjëherë të iniciojë ndryshimet kushtetuese me anën e të cilave Kosovës duhet t’i jepet statusi i republikës së barabartë me të tjerët. Kërkohej po ashtu që konsensusi i udhëheqjes në federatë të precizohej ashtu që të përjashtojë çfarëdo përpjekjesh unitariste apo hegjemoniste.

Në këtë përvijim, megjithatë, Kosova dhe roli i saj i paraprogramuar për krizën jugosllave tashmë shihej qartë. Këtë, madje, do ta pranojë edhe bashkëpunëtori i vetëm besnik i Titos nga ditët e hershme të luftës për Jugosllavinë e tretë, Vladimir Bakariçi, anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve nga Kroacia, ende me ndikim të madh, që po mos të ishte i moshuar dhe i sëmurë prej kohësh, sigurisht do të merrej si i vetmi që do të mund të merrte frerët e drejtimit të vendit për të ecur binarëve të Titos.

Shkas, që të flasë me një gjuhë fare të drejtpërdrejtë rreth kësaj çështjeje, do të paraqesë botimi i librit të analistit të njohur gjerman Karl Gustav Shtrëm “Jugosllawien one Tito” (Jugosllavia pa Titon), që doli nga shtypi nga mesi i vitit 1979, pra kur edhe botërisht nga ana e kreut politik dhe shtetëror të Jugosllavisë u pranua se Tito ishte i sëmurë dhe ishte çështje se kur do të shkonte. Shtrëm, publicist, i cili gjatë gjithë karrierës së tij si gazetar ishte marrë me Ballkanin dhe në fokus kishte pasur Jugosllavinë e pasluftës si dhe zhvillimet në të, kishte bërë një studim të gjatë, ndryshe nga ato të shumtat që ishin botuar për Titon dhe Jugosllavinë për vite të tëra në Gjermani, ku rëndom ishte përkrahur kursi i tij, duke u parë si një mundësi që socializmi megjithatë të mos jetë vetëm koncept ideologjik, por edhe zhvillimor i një modeli të ekonomisë liberale.

Meqë libri kishte zgjuar shumë kërshëri në Gjermani dhe përreth, po edhe në Jugosllavi prej nga reagimet gjermane përcilleshin me vëmendje, e majta gjermane në pushtet, e vetëdijshme se gjithnjë e më shumë po i zbeheshin atutë për vetëqeverisjen jugosllave si model të socializmit demokratik në botë dhe të ngjashme, sigurisht se kishte qenë e interesuar që librin e Shtrëmit ta çojë në nivelin e një debati të gjerë, ku do të përfshihej edhe ana jugosllave, veçmas ndonjëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Titos, që mund të thoshte diçka me peshë. Andaj, ishte shfrytëzuar rasti që promovimi të bëhej pikërisht kur njeriu më i besueshëm i Titos të gjendej mysafir i Fondacionit “Fridrih Erbert” në Bon, që paraqiste qendrën ideologjike të të majtës gjermane.

Se kjo ishte bërë me qëllim, nuk do mend. Por, që edhe Vladimir Bakariçi aty nuk do të ishte rastësisht, e dhe kjo nuk duhej hequr nga mendja.

Por, çfarë do të thoshte Bakariçi?…

Kjo tashmë preokuponte mediat. Preokuponte edhe elitën nga spektrit i gjerë politik gjerman. Spekulohej se ishte aty për të sjellë një mesazh të Titos Perëndimit?…

Dhe, çfarë do të ishte mesazhi?… Qetësues?… Shqetësues?… Ose pak nga të gjitha?…

Fakti që në promovim nuk do të merrnin pjesë dy nga personalitet kryesore të të majtës gjermane Vil Brant dhe Helmut Shmit, të cilët një ditë më parë kishin pritur Bakariçin dhe sipas një kumtese thuhej se “kishin pasur shkëmbim të dobishëm mendimesh”, ishte përcjellë me thashethemet se porosia e Bakariçit mund të mos ishte sipas shijes së të majtës gjermane?…

Vetë rrjedha e promovimit të librit dhe ato që do të thuhen në të do ta vërtetojnë këtë dyshim.

Por, çfarë ishte thënë në të vërtet në atë promovim, që ai të cilësohej si rrënim i iluzionit për Jugosllavinë e qëndrueshme edhe pas Titos, edhe pse nga Beogradi tashmë vinin “betime” se edhe pas Titos mbetej Tito?…

Asgjë më shumë seç sillte libri. Pra, që e nesërmja e Jugosllavisë ishte e paqartë dhe e pasigurt. Do të thuhej se ajo do t’u nënshtrohej sfidave të ndryshme, që do të jenë të mëdha, ndër të cilat më shqetësuesja shfaqej Kosova për të vetmen arsye pse nuk ishte ngritur në nivelin e republikës së barabartë me të tjerat, dhe se me statusin gjysmak, ofronte mundësi të mira që të gjithë kundërshtarëve dhe armiqve të Jugosllavisë të viheshin në veprim secili për hesapet e veta, kjo tashmë dihej. Por, po ashtu nga ana tjetër, nuk dihej se betimi i asaj “pas Titos mbetej Tito”, ishte përnjëmend farsë, apo diçka që kishte përmbajtje, po që ajo duhej të dëshmohej në përputhje me sfidat me të cilat do të ballafaqohej?

Gjatë gjithë kohës sa ishin paraqitur referuesit kryesorë, pa marrë parasysh ato që thuheshin prej tyre, ku librit i bëheshin edhe vërejtje dhe quhej tendencioz madje pse shihte vetëm zi dhe jo edhe bardh dhe të ngjashme, vëmendja e të pranishmëve ishte drejtuar kah Vladimir Bakariçi dhe ato që do të thoshte në fund.

Dhe më në fund, fjala do t’i jepej edhe Bakariçit. I rrudhur nga vitet por edhe sëmundja, i bërë kruspull, nuk do të thotë tjetër pos që autorin e përshëndeti me atë që tha: “kundrimet interesante”.

Salla ngriu. Ishte vallë e mundur që ai të sillej aq me mospërfillje me audotiriumin tejet reprezentativ që e ishte aty për të pritur “kundërpërgjigjen” ndaj një libri që Jugosllavinë e shihte me dioptri tejet pesimiste?…

Mëdyshjet ishin ndër më të ndryshme. Dhe, do të shtoheshin edhe më tej po mos të ishte një gazetar, i cili Bakariçit ia drejtoi pyetjen “pse Kosova nuk mund të bëhej republikë”, me çka pyetja e shtruar më shumë ishte një si kundërpërgjigje rreth asaj që para tij ishte kundërshtuar ashpër nga zëvendës ambasadori jugosllav në Bon, Predrag Kostiq, i cili kishte derdhur shumë mllef ndaj autorit pse të ardhmen e Jugosllavisë e kishte lidhur me një problem që ishte i shpifur, kur si tha, kombësitë nuk mund të kenë shtet në shtet, meqë shqiptarët shtet amë kishin Shqipërinë!

Pa një pa dy, Bakariçi, me një buzëqeshje ironike tha se “ nuk e dinte as vetë pse Kosova nuk ishte republikë…”

Ironia e Bakariçit kishte qenë e mjaftueshme të kuptohej sa të drejta kishin qenë vlerësimet e autorit dhe njëherësh sa i madh shfaqej dëshpërimi i atyre që tek Jugosllavia dhe rruga e socializmit vetëqeverisës ishin munduar t’ i varnin shpresat si për një model të ardhmërisë.

Megjithatë, fjalët e Bakariçit, siç i kishin dhënë të drejtë shqetësimit për të ardhmen e pasigurt të Jugosllavisë, njëherësh kishin hapur dilemën si dhe sa ato mund të ishin përnjëmend pjesë e mesazhit që Tito ia jepte botës në atë mënyrë?…

Po atë mbrëmje Ambasada e Jugosllavisë në Bon, për nder të Bakariçit do të organizojë një pritje në kështjellën e Bad Godesbegut, vend i dashur i kancelarit të parë gjerman Bizmakut, por edhe i një takimi pak të njohur të Çemberlenit me Hitlerin në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së njohur të Munihut, të vitit 1939 kur Europa do të nënshkruajë kapitullimin para Hitlerit.

Në pritje ishte i pranishëm thuajse i gjithë kori diplomatik. Nga kreu i elitës politike gjermane merrte pjesë Vili Brant, Franc Jozef Shtraus, Hans Ditrih Gensher dhe personalitete të tjera të rëndësishme kulturore të vendit, përfshirë këtu edhe shkrimtarin e njohur Hanjrih Bëll, regjisorin Reiner Fasbinder dhe të tjerë.

Bakariçi, me shikimin e lëshuar, rrinte i ulur midis Brantit dhe Shtrausit. Dukej i lodhur. Dhe kjo bëri që të mos rrijë deri në fund në pritje. Bashkë me të do të largohen edhe Branti dhe Shtrausi, por do të mbetej Gensheri dhe të tjerët. Të pranishmit i përshëndeti vetëm me ngritjen e gotës së shampanjës, që e preku vetëm me buzë.

(Shkëputje nga libri “Kthesa historike 1 – Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LKD-së”, botues “Faik Konica”, Prishtinë, 2008.)./ KultPlus.com

‘Rilindja’, ‘Elida’ dhe porosia e Gensherit për themelimin e partisë politike

Në vigjilje të 32 vjetorit të themelimit të LDK-së (1)

Nga Jusuf BUXHOVI

Lajmi që së shpejti gazetarët dhe shkrimtarët e njohur nga radhët e “Rilindjes” do të themelonin një parti politike shqiptare, nuk kishte nevojë të jepej në gazetë. Mjaftonte që në kafiterinë “Elida”, ku rëndom silleshin pjesa më e madhe e gazetarëve dhe shkrimtarëve, të gjuhej një si thashetheme, gjoja si në besim, që ajo me të shpejtë të merrte dhenë.Në të vërtetë, në njërën prej atyre ditëve kur rëndom pinim kafe me Mehmet Krajën, Xhemai Mustafën dhe Ibrahim Berishën dhe ishte e natyrshme se bisedohej se çfarë na kishte mbetur pas asaj që kishte ndodhur dhe çfarë përgjigje duhej dhënë sfidave të ardhmërisë, që dukeshin jo vetëm të paqarta por edhe të zymta fare përballë asaj gjendje, kur e dinim se me të kaluarën duhej përshëndetur, por pa lejuar që ajo të kalonte një zero jashtë funksionit kohor dhe shoqëror, kisha zënë ngojë çështjen e formimit të një partie politike meqë tashmë ekzistonin edhe kushtet ligjore për të. Ashtu siç më kishte folur kohë më parë Viktor Majer, se ishte koha që të themelonim një parti politike në mënyrë që t’u përgjigjeshim sfidave të kohës mr të cilat medoemos ngarkoheshim, ngjashëm u kisha thënë edhe unë kolegëve, të cilët kush më shumë e kush më pak kishte diç të ngjashme në kokë.“Ta provojmë edhe ketë mesele”.Meqë me Krajën dhe Xhemën, të shumtën na bashkonin afinitetet profesionale në redaksinë e rubrikës së kulturës së “Rilindjes”, po edhe ato të prirjeve të përafërta artistike në krijimtari, ishte e natyrshme që të arrihej pajtimi rreth kësaj çështje së paku në nivelin parimor.Por, pasi që kaloi humori dhe, më duket se Xhema,, që dinte bisedave t’ua ruante përmbajtjen, porositi një rend të ri kafesh, dhe tha se ishin për një fillim që nuk dihej se mund të ishte edhe fund yni, që e përcolli me atë “le të shkojë ku të shkojë”, aty ra edhe fjala se mos do të ishte më mirë që të fillohej me formimin e një shoqate kulturore, por mbeti si në erë, meqë dihej se shoqatat nuk mungonin, dhe ajo e Shkrimtarëve madje ishte në një nivel të lartë të përgjegjësisë. Pa treguar se rreth kësaj çështje kohë më parë më kishin sfiduar gazetarët gjermanë Viktor Majer dhe Horst Weseler , ndërkohë që ky i fundit kishte sjellë edhe një sugjerim personal të ministrit të jashtëm gjerman Hans Ditrih Gensher që sa më parë të t’ia fillonim organizimit partiak mbi bazat e pluralizmit politik, edhe pse kjo dukej e vështirë, kolegëve u thashë se merrja përsipër hartimin e dokumenteve bazë, programit dhe të statutit bashkë me pajisjen me dokumentet tjera që i duheshin një organizimi të tillë legal në përputhje me ligjin federativ tashmë të aprovuar rreth organizimit politik të qytetarëve nëpër shoqata dhe parti politike, dhe se për të gjitha do t’i njoftoja vazhdimisht.Sipas ligjit në fuqi nismën për themelimin e partisë politike apo të shoqatës mund ta ndërmerrnin së paku njëmbëdhjetë qytetarë me deklarimin e lirë në listën me nënshkrime që do t’u dërgohej organeve përgjegjëse bashkë me programin, statutin dhe hollësitë tjera rreth të ardhurave financiare të nevojshme për veprimtari. Pasi që të kompletohet dokumentacioni, organet përgjegjëse, pra ato policore, janë të obliguara që brenda afatit ligjor prej dyzet e tetë orëve të jepnin përgjigje me shkrim për lejimin apo ndalimin e veprimtarisë. Në rast se brenda këtij afati nuk jepej kurrfarë përgjigje dhe nuk bëhej ndonjë vërejtje, atëherë lejohej kuvendi themelues.Nga mesdita, sipas marrëveshjes, takova redaktorin e radios gjermane “Westdeutsche Rundfunk” Horst Weseler dhe ia bëra me dije se kishte filluar nisma për themelimin partisë së re. I tregova për bisedën me kolegët më të afërm dhe për miratimin që kisha prej tyre. Ai mbeti i kënaqur dhe më premtoi se do të kthente në Prishtinë pas dy javësh. Tha se shpresonte se deri më atëherë do të kryheshin punë të mira.Të nesërmen prapë bashkë me Krajën, Mustafën dhe Berishën në kafenë e mëngjesit në “Elida”. U thashë se ia kisha filluar punëve rreth themelimit të partisë së re, që do të bëhej në përputhje me ligjin federativ. Andaj, ua bëra me dije se nënshkrimet e tyre më duheshin ndër të parët.“Mbase nuk jeni pishman?”, fola si me shaka.Sikur nuk kishin pritur që çdo gjë do të fillonte me asi turri. Kraja, tha se i kisha duart të veproja si të dija, por nga ai të mos kërkonte tjetër pos të vinte në kuvendin themelues, nëse ai përnjëmend do të mbahej.Në ndërkohë kisha takuar edhe dy veta që i merrja të rëndësishëm drejt themelimit të partisë. Fjala ishte për Zekeria Canën dhe Milazim Krasniqin. I pari, tashmë me themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Njerëzore, si sekretar i tij dhe njeri i vyeshëm, do të mund të ndihmonte drejtpërsëdrejti që disa nga anëtarët e Këshillit ku bëja pjesë me disa nga shkrimtarët, t’i vinin në ndihmë nismës së re, qoftë duke u përfshirë në listën e nismëtarëve qoftë duke marrë përgjegjësi , ndërsa i dyti, ishte sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, të cilën Rugova e drejtonte me shumë sukses dhe po ashtu kishte përvojë organizative me shkrimtarët. Zekeria Cana, i cili kishte duart plot me punë, parimisht u pajtua, por tha se mos duhej pritur edhe pak, që të piqeshin kushtet. Ma përkujtoi UJDI-n dhe si tha “ecjen me fenerë”. Ia ktheva se koha nuk priste. “Nëse ne bëjmë sehir sigurisht se mund të paraqiten edhe të tjerë dhe një zot e di si mund të shkojnë hesapet”. Nuk e çuam më gjatë, pos që më tha se kishte ndihmën e tij por edhe të Këshillit. Më tha se pranonte të nënshkruhej në listën e themeluesve.Takimi me Milazim Krasniqin filloi me atë buzëqeshjen e tij të hapur se tashmë e dinte.“Punë e mirë fort. Duhet të lëvizim disi.”Ia tregova disa nga ato që ai tashmë i dinte, por edhe për ato që tashmë kishin filluar të bëheshin. Pak si me shaka i thashë se më duhej edhe nënshkrimi i tij për atë masbatën që të mos burgosem pse bëj propagandë armiqësore, por propagandë legjitime për parti politike.“Epo, pa myhyr sot nuk bëhet gjë”, ma ktheu njëjtë dhe më tha se më kishte aty fund e krye. Shtoi se shkrimtarët sikur kishin mallkimin e përgjegjësive historike.Nuk desha t’ia hapja punën e nënshkrimit të Ibrahim Rugovës në listën e themeluesve, meqë vlerësoja se edhe ai do t’i bashkëngjitej asaj, por që duhej të ruhej paksa për sprovat e ardhshme, që si do të shihet do të jenë tejet të mëdha dhe te një përgjegjësie historike, të cilave Rugova do t’u jepej me përkushtim të madh. Por, mu të nesërmen edhe kjo çështje ishte rregullua. Madje, më lehtë seç e kisha menduar. Sepse Milazim Krasniqi kur kishte marrë listën në Shoqatë që ta nënshkruante dhe kur pas një ore ma ktheu te kafe “Elida”, ku po e prisja, më tha se kishte edhe nënshkrimin e Ibrahim Rugovës.“Bali, pa një pa dy nënshkroi. Uroi punë të mbarë, por tha se hë për hë aq mund të bënte për nismën.”“Bali” e quanin Rugovën bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Më vonë do t’i vihej nofka “shalli” dhe të tjera.Me marrjen e nënshkrimit të Ibrahim Rugovës, krahas atyre që tashmë shfaqeshin si embrion i grupit themelues (Unë, Mehmet Kraja, Xhemail Mustafa dhe Ibrahim Berisha) dhe, nënshkrimit të Zekeria Canës, Milazim Krasniqit lista, po i afrohej numrit “kritik” të njëmbëdhjetëshit, me çka edhe formalisht plotësoheshin kushtet me të cilat mund të paraqitej kërkesa zyrtare për vazhdimin e punëve të mëtutjeshme për thirrjen dhe mbajtjen e kuvendit themelues të partisë.Por, siç do të shihet, thirrja dhe mbajtja e kuvendit themelues kërkonte edhe shumë e shumë punë, që nga hartimi i programit, i statusit dhe dokumenteve të tjera, që për t’iu ardhur rreth, krahas hapit dhe vrapit të domosdoshëm poshtë e përpjetë në kërkim të nënshkruesve të listës por edhe të atyre që pos si numra ishin të domosdoshëm për çati, duheshin edhe, ata që do të merrnin përsipër punët rreth konceptit përfundimtar dhe të asaj se mbi çfarë platforme do të themelohej partia dhe të tjerat që i duheshin një nisme. Ishin këto dilema që sa më shumë sheshoheshin ktheheshin në shqetësim. Sidoqoftë me kyçjen e mëtutjeshme të profesor Fehmi Aganit, si dhe nënshkrimet që kisha marrë nga akademik Idriz Ajeti, akademik Mark Krasniqi, akademik Dërvish Rozhaja, profesor Anton Çetta, Ramiz Kelmendi, pastaj Bujar Bukoshi, Ajri Begu, avokati Mustafa Radoniqi dhe të tjerëve që do të gjendeshin në njëzet e treshen e iniciuesve të kuvendit themelues, ishin krijuar kushtet edhe për hapjen e çështjes se konceptit, së paku në vija të trasha, në mënyrë që të shkohej më tutje.Meqë ishte e vështirë që nënshkruesit e nismës për themelimin e partisë të mblidheshin bashkërisht, dhe kjo madje kishte edhe arsyet e veta në ato rrethana të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj intelektualëve, mora përsipër që krahas atyre me të cilët thuajse çdo ditë takoheshim në kafe “Elida” (ata që vinin nga “Rilindja” dhe shkrimtarët nga radhët e kësaj shtëpie), me të tjerët të komunikoja herë “spontanisht”, e herë ashtu shpejt e shpejt, pa formalitete, që t’i njoftoja por edhe të merrja mendime, vërejtje dhe sugjerime rreth atyre që bëheshin. Kjo mbase ishte mënyra më e mirë e punës.Duhet thënë se edhe para se me Krajën, Mustafën dhe Berishën të hapej biseda, që disi dhe me dikë patjetër se duhej të bëhej për të shkuar më tutje, në kokë tashmë kisha tri pika nismëtare mbi të cilat do të mbështetej koncepti: atë të barazisë së plotë, të demokracisë (pluralizmit politik) dhe të përkatësisë perëndimit. Në rrethanat përkatëse, ato duhej të kundroheshin si çështje politike dhe si të tilla të bëheshin pjesë e platformës partiake, si pikënisje e qëllimeve të caktuara, të cilat nuk duhej parë dhe marrë të ngurtësuara, por si mundësi e ndryshimeve dhe e përshtatjeve në përputhje me nevojat dhe rrethanat nëpër të cilat do të kalohej. Tek e fundit, programi nuk do të thoshte shumë dhe nuk garantonte gjë po qe se do të mbetej letër e thatë. Ishte një formalitet me të cilin mund të shkohej më tutje, për t’u hapur dyert e veprimtarisë. Pra, puna e mëtutjeshme ishte ajo që do t’u jepte ngjyrimin dhe përmbajtjen kërkesave në mënyrë që ato të ktheheshin në koncepte të qëndrueshme. Por, mendja ma thoshte se ne kishim nevojë për një program konceptual, jo të telisur, që do të përvijonte kërkesat ku ajo e barazisë, e demokracisë (pluralizmit)dhe e përkatësisë Perëndimit, do të krijonin një trekëndësh strategjik. Mund të lejoheshin kamuflime, mund të lejoheshin fraza dhe çmos tjetër, por programi i partisë nuk mund të anashkalonte këto tri kërkesa.Rreth barazisë si pikënisje e të gjithave, sesi më kishte mbetur në kokë fjalia që ma kishte thënë vite më parë filozofi gjerman Von Vajzeker (më vonë president i Gjermanisë), kur bashkë me shkrimtarin Hajnrih Bëll dhe historianin Jens Rojter në Bad Godesberg te Bonit bisedonim rreth librit “Jugosllavia pa Titon” e Karl Gustav Shtrëmit, me ç’ rast Jugosllavisë do t’i parashihej mbijetesa apo edhe sfida e rrënimit pikërisht mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Filozofi gjerman e kishte quajtur të drejtë përcaktimin për barazinë, por si do të shihet atëherë dhe më vonë, kjo për rrethanat nëpër të cilat kalohej, pas fushatës se egër serbe që të kërkohej gjoja barazia me të tjerët që për parakusht kishte rrënimin e kahut të barazisë së shqiptarëve, gjë që kjo edhe do të ndodhë më 23 mars të atij viti, shfaqej e anatemuar me dhunën e të fortit dhe mashtrimin e pranimit të saj. Pra, ajo duhej të kushtëzohej edhe me kërkesën për liri, por çështje ishte si dhe da mund të intonohej ajp jashtë pluralizmit politik? Megjithatë, nga aspekti politik, koncepti i barazisë në ato rrethana ishte parësor prej saj nuk mund të hiqej dorë sepse jashtë saj qëndronte vetëm opsioni i forcës, lufta që edhe po të ishim të aftë për të, pa u plotësuar disa rrethana, të cilat atë do ta kthenin në mjet të qëllimit dhe jo qëllim të mjetit, ajo mund të ishte e kotë, shkatërruese dhe vetëshkatërruese… Atë natë, qita në letër pikat e para mbi të cilat do të niseshin bisedimet dhe konsultimet me të tjerët rreth hartimit të programit të partisë. Ato ishin tri bazike dhe një përcjellëse. Pra, barazia, demokracia, sistemit pluralist (me intonimine lirisë së mendimit), të cilave u bashkohej edhe ekonomia e lirë e tregut. U përpoqa pastaj që brenda kornizave të secilës të shoh qëllimet të cilat do të paraqitnin konceptin dhe platformën e partisë. Kështu, te barazia perceptova statusin e ardhshëm të Kosovës, ku ajo në federatën apo konfederatën jugosllave duhej të shfaqej vetëm si e barabartë me të tjerët dhe assesi ndryshe. Tek e fundit a nuk ishte edhe kërkesa për Kosovën Republikë e dalë nga demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981 kërkesë për barazinë me të tjerët?Kjo kërkesë duhej të mbështetej mbi të drejtën e vetëvendosjes dhe të lidhej me konferencën e Bujanit, por çështje ishte se a do të mund të theksohej kjo aty, ngaqë mund të bëhej shkas për ndalimin e themelimit, edhe për arsyen se para më shumë se një viti Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, nga trysnia e Beogradit, kishte dalë me qëndrimin që edhe pas gjysmë shekulli rezoluta e Bujanit të anulohej! Edhe pse vendim antihistorik dhe si koncesion tepër i papërgjegjshëm , megjithatë, ajo mund të luante rol të madh kundruall çdo thirrjeje në të apo analogjive që do të mund të shfaqeshin si kërkesa të drejta të shqiptarëve për vetëvendosje. Zaten, ky edhe kishte qenë qëllimi i këtij akti. Por ishte çështja e demokracisë dhe mbështetja në të që paraqiste çelësin kryesor mbi të cilin projektoheshin por dhe mund të mbështeteshin kërkesat për barazi të plotë në federatën apo konfederatën e ardhshme sapo ajo t’i nënshtrohej sistemi pluralist si bazë e demokracisë parlamentare. Andaj, kërkesa për demokraci, ishte formulë thuajse magjike mbi të cilën ndërtoheshin që të gjitha postulatet civilizuese dhe hapte që të gjitha dyert qofshin edhe ato që aq tragjikisht kishte mbyllur anulimi i Bujanit.(Shkëputje nga libri “Kthesa Historiuke 1 – Vitet e Gjermanisë dhe Epoka e LDK-së”, 2008, i përpunuar dhe i plotësuar në plarformën elektronike gratis: jusufbuxhovi.com). /KultPlus.com

No photo description available.

Në kuadër të veprimtarisë donatore për bibliotekat e shkollave të Kosovës, Jusuf Buxhovi dhuron 60 libra në Banjën e Malishevës

Në kuadër të veprimtarisë donatore prej 2.500 librave dedikuar shkollave të Kosovës, SHFMU “Naim Frashëri” të Banjës së Malishevës iu dhuruan 50 libra të autorit Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.

Drejtori i shkollës Metë Krasniqi, falëndëroi autorin dhe donatorin, farmacistin Milaim Abdullahu për këtë dhuratë të çmueshme.

Me këtë rast, autorit iu dorëzua Mirënjohja nga shkolla “Naim Frashëri” e Banjës.

Autori Buxhovi është duke bërë dhurimin e librave të tij në disa shkolla të ndryshme në Kosovë. /KultPlus.com

May be an image of 3 people

Roman i mendimit të thellë filozofik

Jusuf Buxhovi, „JENIÇERI I FUNDIT“, roman, botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, dhe “Jalifat Publishing”, Houston, 2013.

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Romani “JENIÇERI I FUNDIT”, shënon një arritje specifike në letrat shqipe. Jusuf Buxhovi, është i shkolluar për letërsi dhe i specializuar në histori, prandaj këto dy afinitete krijuese janë tamam si dy komponente krijuese të cilat i ka inkorporuar në romanin historik, ku rrëfimi letrar është konceptuar mbi argumentin historik duke e sajuar komponentën e tretë, përkatësisht konceptin filozofik si synim përcaktues.

Romani „Jeniçeri i fundit“, është në vazhdën e temave historike që merret me të shkuarën për ta emancipuar të tashmen, e cila sido që të jetë, qysh të nesërmen, bile në sabah, kalon në pronësi të historisë, prandaj kufiri në mes historiografisë dhe letërsisë është i ngushtë, e që ngjason me një sintagmë rotative që haset në këtë libër: “Për fundin si fillim dhe fillimin si fund” (faqe 153), ku mund të interpretohet se aty ku nis një fillim ka edhe mbarim, sikurse ku është fundi i fillimit do të niste fillimi i një fundi tjetër, duke qitur në pah aspekte të mendimit filozofik, për “Dijet e Vjetra dhe Dijet e Reja”, “Gjaku i Dijës dhe Dija e Gjakut”, “Shteti i Dijes dhe Dija e Shtetit”, e veçmas bie në sy “të qenit (Unë) dhe të bërit (Mua)”, e deri tek “përfundimi në lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë”.

Me këtë metodologji rrëfimi, dhe me përvojën e gjatë në shkrimin e romanit, Jusuf Buxhovi e mban pezull lexuesin, qoftë me strukturën e rrëfimit ku nxit kureshtjen për të ditur se,“shembja fillon aty ku përfundon ngritja, ndërsa ngritja fillon aty ku përfundon shembja…”, ose për të dalluar se “nuk ka asgjë të përhershme përveç ndryshimit, siç nuk ka asgjë të qëndrueshme përveç ndryshimit…”,etj. (faqe 😎.

Si koncept, ngritja dhe rrënimi i Perandorive, kanë zhvillim identik, që përshkohen nga faktor kohor të zhvillimeve socioekonomike, por në aspektin strukturor e filozofik ngjasojnë. Në këtë plan romani i „Jeniçeri i fundit“ aq sa ka të bëjë me Perandorinë që përshkruhet, po aq ka të bëjë edhe me rrënimin e një Perandorie që përfundoi kohë më parë, ku si pjesë e procesit të shthurjes, degdisjes dhe shkatërrimit të saj, ishte edhe protagonisti i romanit, përkatësisht vet autori i librit.

Aspektet e theksuar më parë, janë pjesë e jetës dhe angazhimit intelektual të Jusuf Buxhovit, si letrar, si historian dhe si politikan, ndonëse që të tri elementet i kundron nga pozita e shkrimtarit, intelektualit dhe qytetarit në profesion të lirë.

Padyshim, romani „Jeniçeri i fundit“ jo që është ndër veprat më të kompletuara të autorit në këtë fushë, por mund të radhitet si njëra nga veprat më të realizuara në shkallë kombëtare të letërsisë shqipe. Romani në fjalë është një vepër që u hyn në shërbim të gjithëve që historinë e kanë synim dhe studim, pasi aty gërshetohen elemente të hershme të antikitetit historik që vjen deri në kohën e Rilindjes, përkatësisht në kohën e “Zgjimit Kombëtar”, e ndërlidhur edhe me faktorët kohorë deri në ditët tona. Këto elemente ngjallin inspirim tek lexuesi për të kuptuar më mirë bektashizmin si religjion, kurse ngjarja zhvillohet në një hapësirë të lokalizuar gjeografike me 1500 – 2000 m2, e cila shtrihet përreth Pashtrikut, Dushkajës, Përdrinit, në Papaj, në Qafë Prushi e në Rekë të Keqe. Por trajtimi është i shkëputur krejtësisht nga religjioni si predikim. Pra, inspirimi dhe motivimi në këtë vepër janë bazë për ta bërë ngjarjen më mistike, për ta zhvilluar imagjinatën e lexuesit dhe për ta bërë rrëfimin shumë më interesant. Ndërsa, fundi tragjik i një rendi shoqëror, i një Perandorie të caktuar, siç ishte ai i Jeniçerëve lidhet ngushtë me rolin e besimit bektashian në shoqëritë njerëzore. Këto zhvillime, kanë ngjashmëri me fundin tragjik të Perandorisë Komuniste, e cila po ashtu kishte ngritur në kult besimin dhe inspirimin në fenë e tyre, ndërsa gjatë procesit të shkatërrimit, edhe ky sistem përjetoi trauma identike me ato që ndeshen në këtë roman si fakt historik që lidhte me një epokë.

Romani „Jeniçeri i fundit“, sidomos me angazhimin e Sheh Banit, kur do të kërkojë “veprim të shpejtë për ta mbikëqyrur gjendjen, ose nënshtrim të shpejtë për ta shpëtuar gjendjen…”, (faqe 146), pasi në ato “vise kishin filluar të futeshin fanatikë që vinin nga Kaukazi”,(f. 146), sepse “Sheh Nuri dhe të tjerët, hafije të pushtetit qysh moti ishin futur në radhët tona”, (faqe160), do ta detyrojnë Sheh Banin të ndërrojë strategji, kur “Tha se do të luftohet, por pa hyrë në luftë…”, (f. 146). Në këtë rast autori e ka ndërlidhur filozofinë e ngjarjes, me aktualitetin e para do kohësh. Natyrisht, duke mësuar nga e kaluara, duhet të ndërtohet e tashmja, me sa më pak gabime e hipoteka, të cilat janë bërë platformë e të gjitha angazhimeve të Jusuf Buxhovit, në planin letrar, publicistik, historik dhe kulturor.

S’ka dyshi romani „Jeniçeri i fundit“, në pamjen e parë lidhet me konfliktet e një kohe të shkuar, por mesazhi i tij, zëshëm flet për nevojën e krijimit të identitetit të ri, identitet ky që ka rrënjën historike si një dokument i mirë dhe mjaftë origjinal ku “sfidat e mëdha kërkojnë besim të patundur…”, (faqe 69), ndërsa zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se “fitimtar nuk merren ata që nuk ia dalin ta ndryshojnë atë, por ata që nuk bëhen pjesë e saj…”, (faqe 37), ose “u morëm vesh mos me lejue që krahu i luftës të fitonte në kandar, meqë kjo do të na përballte me shkatërrim të plotë…”, (faqe 139), refrene këto mjaft të njohura në skenën politike të viteve të ’90-ta kur “Thirrja për durim e besim do të merret tradhti, ndërsa kryeneçësia heroizëm!”, (faqe 141), të cilat si nocione shtjellohen më mirë tek një pasus tjetër kur thotë se “Rendi i Ri Ushtarak” duhej të përvetësohej pa marrë parasysh se ata kishin bërë krime dhe masakra në Kryeshehër, (faqen 155), pasi kishte shenja të mosdurimit të atyre që mendonin “se gjaku ndalet me gjak”, (faqe 76), në kohën kur “Lufta për pushtet lejon çdo mjet… Atë e kanë përdorur edhe profetët”, (faqe 160).

Disa aspekte që janë nocione dhe përkufizime të caktuara, e ku e lidhin një lloj qarku interesant, kanë të bëjnë me norma e shprehje, me elemente të ritualitetit në aspektin liturgjik, mitologjik dhe filozofik siç janë: “Ama e Ati”, „Gur- Guri, Guri i Nanës dhe Guri i Dheut“, pastaj trajtimi dendur nga aspekti mitologjik i „Gjarprit të Shtëpisë dhe Gjarprit të Pemës“, aspekte filozofike rreth “Mençurisë”, “Me qenë shërbëtor”, “Pozita e shërbëtorit nga frika”, “ç’gjë është e mirë?”, “ç’gjë është e keqe”, “dyfytyrëshave të djeshëm dhe të tanishëm”, “Dijet e Vjetra dhe Dijet e Reja”, “Dija e Gjakut dhe Gjaku i Dijes” dhe shumë aspekte të tjera liturgjike…

Në roman janë ndërtuar edhe disa monumente të kultit e traditës siç janë: “Kështjella e Damastionit – Artana e sotme”, ku do të ndeshim personazhe mitologjike Monun, Glauk, Audata etj. Ndërsa tek “Kështjella – Justiniana Prima”, kemi fenomenin e mbrojtjes me ligj – përkatësisht “dekretin perandorak” të vlerave që sot shkelen shumë, pra është fjala për tri lule: “Dardania cacalian – që ripërtërinë kujtesën dhe ndihmon shpirtin”, “Iliria – Aloitis – nga kërcelli i saj del një lëng i cili bënë që shpirti të mos plogështohet”, dhe lulen “Absentium rusticum – që është njëfarë pelini që idhtëson dhe nxjerr helm shërues”, (faqe 212 – 213).

Këto aspekte tematike, i kalojnë kornizat dhe kopertinat e një romani, siç është ky që po e trajtojmë, që flitet kryesisht për kohët e shkuara, por lexuesi do të beson se Jusuf Buxhovi, është njohës i mirë i historisë, që nga antikiteti, me pellazgët, ndërsa në roman e hasim edhe toponimin “Pellazgjia”, pastaj për “Perandorinë Dardane”, e shumë e shumë ngjarje e bëma të tjera, të cilat në mënyrë artistike janë parë nga prizmi i Rendit Bektashian. Gjithsesi, këto qasje në këtë roman janë trajtuar mirë, qoftë në kontekstin kohor apo historik.

Jusuf Buxhovi, është njëri nga historianët më të zëshëm të kohës sonë, i cili me guxim intelektual shkroi për Kosovën “Historinë I-VIII“ dhe këtë “Libër për vetveten” (faqe 7) – romanin „Jeniçeri i fundit“!

(Zëri ditor, më 7 dhjetor 2013./ KultPlus.com

Premitmet dhe kërcënimet e Robert Dolit, Rugovës dhe Qosiqit në Uashington

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Dëshmitë tona para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Senatit amerikan, kishin pasur rëndësi të dyfishtë për ne. Sepse, ato na i kishin haur dyert që të priteshim në institucionin më të njohur dhe më të fuqishëm të sistemit demokratik amerikan, dhe njëherësh, si subjekt politik ishim barazuar me atë serb, me çka për herë të parë do t’i jepet drita e gjelbër ngritjes së çështjes së Kosovës në nivelin e një preokupimi ndërkombëtar, pra që ajo nxirrej nga “kompetenca” e brendshme serbe ku rëndom shihej. Edhe pse do të kalojë bukur kohë që kjo kthesë të zyrtarizohej, mund të thuhet se praktikisht efektet e saj janë hetuar prej nesh, por edhe nga vetë Beogradi, i cili e ka pasur më se të qartë se në njërën anë nuk do t’i kenë duart e hapura që problematikën e Kosovës ta mbajnë jashtë ndërkombëtarizimit të saj, dhe në tjetrën anë, do ta kuptojnë se epilogun e saj do ta ndikojnë amerikanët. Mesazhet e këtij përcaktimi do të kenë rast t’i marrin menjëherë si gjatë dëshmive para Këshillit të Senatit nga demonstrimi i administratës amerikane që Rugovës, edhe gjatë shfaqjes në rolin e dëshmitarit t’i jepej tretmani i liderit të shtetit, e edhe pas mbarimit të saj, kur senatori Robert Dol, në kabinetin e tij, do të kërkojë që të bisedonte për së afërmi me Rugovën dhe mua si dhe Qosiqin dhe peshkopin serb, që e kishte me vete. Edhe pse me senatorin Robert Dol, kishim pasur rastin të bisedonim para dite, kur na kishte pritur bashkërisht në Senat dhe na kishte uruar qëndrim të këndshëm në SHBA, dhe me këtë rast kishte lavdëruar përcaktimin tonë për demokraci, duke theksuar rolin prijës të LDK-së që duhej ta kishte në këtë lëvizje, ftesa e paparaparë për një bisedë të përbashkët me serbët në kabinetin e tij ishte më shumë se një gjest falënderimi për dëshmitë e bëra, që edhe është i kuptueshëm në raste të tilla. Dhe, përnjëmend doli se senatori Robert Dol, pasi që paraprakisht me vëmendje kishte dëgjuar ato që do të thuhen nga të dy anët, kishte shqetësimin rreth thellimit dhe të ashpërsimit të krizës, ngaqë, si tha, fjala ishte për përcaktime diametralisht të kundërta, ku në njërën anë shfaqej opsioni paqësor i shqiptarëve me kërkesat për barazi, demokraci dhe kthim kah Perëndimi, që i theksoi si të drejta dhe të pranueshme dhe në përputhje me frymën e ndryshimeve demokratike që kishte filluar të përfshinte vendet e lindjes, dhe në tjetrën anë shfaqej qëndrimi serb, si e quajti antidemokratik, meqë refuzon demokracinë si vlerë universale dhe mbështetej mbi të drejtën historike, e cila ishte e papranueshme. Fjalët e Robert Dolit nuk do t’i pëlqejnë Qosiqit. Mezi do të presë t’i jepej fjala. Do të thotë se Serbia ishte e ballafaquar me rrezikun e separatizmit shqiptar, që tha se ishte i vjetër dhe synonte shkatërrimin e integritetit të saj. Shtoi se Kosova për Serbinë paraqet djep, shenjtëri dhe rrënjët e qenies së saj dhe fjalë të ngjashme nga ato që tashmë kishte thënë dhe pasqyruar edhe në Memorandumin më të ri të akademikëve serbë, ku ai mbante autorësinë. Senatori Dol, do t’ia ndërpresë fjalën me ato që do t’i thotë se as në programin e LDK-së as në çfarëdo prononcimi të shqiptarëve nuk i kishte rënë të shihte tjetër pos kërkesave për barazi, demokraci dhe Perëndim. “Shqiptarët, madje shfaqen edhe si mbrojtës të Jugosllavisë, por si të barabartë. Andaj, prej nga i merrni, zotëri, këto kërcënime?”, do t’i drejtohet Qosiqit. “Nga sjelljet e tyre… Nga ato që ata bëjnë çdo ditë kundër nesh atje, kundër varreve tona, kundër shenjtërve tanë… Nga të gjitha….”Teatralisht do të thotë se në Kosovë rrezikohet qenia serbe, rrezikohej krishterimi perëndimor dhe vlerat e tij…“Nëse, vazhdon kështu, mbetemi pakicë …” Rugova deshi të ndërhyjë, por ishte senatori Dol, i cili iu drejtua Qosiqit me pyetjen si e shihte zgjidhjen e problemit shqiptar atëherë? Me mjete demokratike, kur këtë e kërkojnë shqiptarët haptas, apo ndryshe? Qosiqi sikur u zu ngushtë nga pyetja. Deshi të vazhdonte aty ku kishte mbetur dhe bëri me dorë nga dosja që kishte me vete, pjesë të së cilës kishte lexuar edhe pak më parë, e ku shqiptarët akuzoheshin në mënyrën më të vrazhdët dhe me gjithfarë të pavërtetash që kishte sajuar propaganda serbe prej vitesh, por senatori nuk e la të kthehej andej. “Pyetja është e drejtpërdrejt dhe fare e thjeshtë: do ta pranoni demokracinë apo jo?” “Populli serb nuk mund të pranojë kurrfarë ndryshimesh qofshin ato edhe demokratike, që mund t’ia ndryshojnë pozitën nga ai shtetformues në atë të pakicës. Kemi derdhur si shumë gjak gjatë këtyre pesëqind vjetëve të fundit që ta pranojmë një rrënim të tillë…” “Pra, nuk pranoni demokracinë?” “Nuk pranojmë asgjë që do të thotë vetëshkatërrim… Kjo është e drejtë e secilit popull… Kjo është në përputhje edhe me ligjet e natyrës…” “Kjo më mjafton, zotëri…Për ju nuk vlejnë ligjet e civilizimit por ato të natyrës?!… “ Qosiqi bëri që të thoshte edhe diçka por nuk iu lejua nga Doli. “Nëse vazhdoni kështu do ta rrezikonin Jugosllavinë dhe vetë Serbinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pranojnë dhunën si alternativë të demokracisë, e aq më pak si mjet mbrojtjeje për qëllime shtetmëdha…” Pastaj na u drejtua neve. “Do të mbeteni në kursin e filluar edhe pas gjithë kësaj që dëgjuat?” Rugova, pa një pa dy tha: “Kërkojmë barazi, demokraci dhe botën perëndimore, zotëri…” “Amerika është në anën e atyre që kërkojnë demokraci, liri dhe barazi…” Robert Doli nuk foli më. U ngrit në këmbë dhe me këtë dha shenjë se takimi kishte marrë fund. Qosiqi sikur dëshironte të fliste edhe diçka, por ishte sekretaresha e senatorit, një kroate-amerikane e cila hapi derën dhe po na priste që të na përcillte më tutje. Senatori me çehre të prishur mezi sajoi fjalinë me të cilat na dëshirohej qëndrim i këndshëm në Amerikë dhe u kthye në kabinet. Sekretaresha e senatorit na foli diçka në një kroatishte tepër artificiale të përzier me anglishte dhe na përcolli deri te pjesa ku tashmë demonstrativisht prisnin përcjellësit e Rugovës të gatshëm ta merrnin. Qosiqi na dha dorën ftohtas, ndërkohë që Rugova me atë buzëqeshjen e varur që kurrë nuk dihej se a paraqet kënaqësi apo hidhërim, i tha se do të dëshironim të shiheshim në rrethana kur që të dytë do të jenë njësoj të kënaqur.“Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, ia ktheu Qosiqi dhe bashkë me peshkopin që i shkonte pas si hije u larguan në pjesën e majtë të korridorit, ku i priste një zyrtar përcjellës. Dhe duke i shikuar si po largoheshin se si m’ u duk se korridoreve të Senatit amerikan ata kishin lënë atë thirrjen për luftë, që para dy vitesh na e kishte bërë të ditur për herë të parë poeti Millan Komneniq me rastin e takimeve të shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd. Heshtja na mbërtheu edhe neve. Të ndodhur para një gjendjeje që para pak kohe as në ëndërr nuk do ta kishim parë, u morëm ngryk dhe ashtu mbetëm një copë herë. Nën përshtypjen e takimit me njeriun e dytë të SHBA-ve, që në kokat tona do të mbetej të vazhdonte të krijonte një lëvizje të papërmbajtshme të atyre që krijojnë vendosjet dhe zhvendosjet ndër më të ndryshmet, po ku megjithatë, kishim marrë një porosi, një këshillë, që mund të kuptohej edhe si urdhër madje dhe, kjo mund të rrudhej tek përqendrimi te barazia dhe demokracia, i kaluam edhe tri-katër ditët që na kishin mbetur para se të largoheshim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të nesërmen kur bashkë me të tjerët do të fillojmë vizitat Muzeut Kombëtar në Uashington si dhe varreve të veteranëve të luftës së parë dhe të dytë botërore dhe të atyreve të Vietnamit, Rugova kishte pranuar se nuk kishte fjetur gjithë natën nga përshtypja e atyre që kishte dëgjuar të thuhen nga senatori Dol. Më tha se ai takim dhe ajo bisedë, njëherë për njëherë, duhej mbajtur midis nesh. “Janë disa gjëra që nuk ka nevojë të kthehen në çallme rrugësh… ” Sikur fjalët e senatorit Dol ta kishin liruar përfundimisht edhe nga iluzionet që i hante pazari i takimeve thuajse populiste, siç ishte ai me komunitetin e shqiptarëve të Nju Jorkut dhe të rrethinës, ku tashmë kishin zënë të shpalleshin urime dhe përshëndetje të ndërsjella të shumtën me çirrje patetike-folkloriste dhe çmos tjetër, Rugova gjatë fjalës përshëndetëse në një hotel të madh të Nju Jorkut, ku ishin të pranishëm qindra veta dhe kremtohej e festohej me të madhe në të gjitha anët dhe me të gjitha dajret sikur Kosova atë ditë të kishte fituar ato që kërkonte, do të flasë vetëm për barazinë dhe demokracinë, si përcaktime strategjike. Madje edhe atëherë kur masa ndizej me parullat që hidheshin manash për Kosovën e lirë, për Shqipërinë etnike dhe për bashkimin kombëtar dhe të ngjashme, ai do të vazhdojë të ligjërojë për këto të dyja, duke theksuar se me anën e tyre kërkohej që bota shqiptare të shkëpuste lidhjet e dhunshme me ideologjinë komuniste dhe dhunë totalitare që ishte ushtruar prej saj. Edhe pse do të marrë duartrokitje të shumta, ishte një pjesë e mirë e atyre që fjala e Rugovës jo vetëm që nuk i kishte nxehur, siç pritnin, por i kishte ftohur fare, pikërisht pse nuk kishte zënë në gojë ato të tjerat, që kërkonte masa. Por, që të mos dëshpëroheshin gjithaq me Rugovën dhe fjalët e tij “shumë të thata”, ishin përkujdesur amerikanët, me orgjinë e sirenave policore dhe të bllokimit të rrugëve të Nju Jorkut gjatë kohës sa bartej nga njëra pjesë në tjetrën të qytetit dhe kjo si dukej gjatë atyre dy ditëve të fundit bëhej demonstrativisht edhe në pjesët e banuara me shqiptarë dhe të frekuentuara prej tyre. Shou amerikan me përcjelljen e Rugovës, që edhe disave nga grupi ynë do t’u dukej jo i zakonshëm dhe i panevojshëm fare, do të arrijë kulmin ditën e parafundit kur nga Ist Rivëri nëpër mes detit, do të organizohej vizita Monumentit të Lirisë. Edhe këtu amerikanët do të demonstrojnë gjithë aftësitë e tyre të përcjelljeve speciale me anën e forcave të sigurisë. Ania luksoze në të cilën Rugovës i bënin shoqëri senatori Larry Pressler dhe kongresmeni Tom Lentos, ku gjendeshim edhe ne dhe e gjithë paria e komunitetit shqiptaro-amerikan e drejtuar nga Diogardi, nga para e nga prapa, nga e majta dhe nga e djathta do të përcillej me anije policore që demonstronin praninë e tyre herë duke u larguar e herë duke u afruar, pa lejuar që të tjerat të na afroheshin…Kështu, pra, Amerika e kishte promovuar lider Rugovën, atëherë kur ai ishte në krye të një partie që brenda një kohe kishte arritur shumë, por askujt nuk i shkonte mendja se nga oreoli i asaj ngritjeje që dukej e pazakontë Rugova nuk do të shkëputej kurrë, për deri sa pas dhjetë vjetësh këtë edhe do ta arrijë. Atëherë e edhe më vonë, kur Rugova përnjëmend do të zgjedhet president i Kosovës, jashtë atyre mandateve kur edhe nga brenda e edhe nga jashtë quhej i vetëshpallur, vazhdimisht më kanë përcjellë fjalët e përgjegjësit të sigurimit, nga ato që do të m’i thotë ditën që do t’ia kthej bexhin dhe aparaturën e veçantë që m’i kishte lënë në dispozicion, që të mbaja kontaktet me Rugovën, se “ata që kishte përcjellë në atë mënyrë, herëdo kurdo kishin arritur postin e presidentit…”(Shkëputuje nga libri “Kthesa historike” 1,botoi “Faik Konica”, 2008). /KultPlus.com

May be an image of 9 people, people standing and outdoors

Ibrahim Rugova midis realitetit dhe ikonës

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Në kujtim të Presidentit Ibrahim Rugova

Historia nuk do të ishte histori po qe se nuk do t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin të prekshëm. I tillë shfaqet edhe dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vjeshtën e vitit 2000. Nuk do të arrijë 17 shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë të drejtën që e ka fituar të zë vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj. Por, nëse mund të thuhet se Rugova është pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi. Zaten, këtu e kanë burimin edhe thyerjet për dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis pikëpamjeve të së djathtës në njërën anë dhe në tjetrën anë të atyre që vinë nga bindjet majtiste, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave ideologjike, veçmas tek ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk është liruar nga mentalitet patriarkale, ku vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen prirjet totalitare.Shikuar nga këndvështrimi historik këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit. Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së cilës do të jetë shtresa e inteligjencies shqiptare me bindje perëndimore, por viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë së të cilës do të zhvillohet një terror i madh ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj. Natyrisht, se pos pastrimit sistematik nga vetëdija e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë bashkarisht do të ndërmarrin fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpërlarë nga vlerat e së kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e egër nacionale e Beogradit, e cila deri në vitet e gjashtëdhjeta ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.Edhe përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i viteve gjashtëdhjeta e tutje, në Kosovë, klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankiviqt, e cila do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët, që do të pasqyrohet me kërkesën për Republikën e Kosovës.Rugova mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi i kornizave ideologjike të sistemit kah vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi, siç ishte ajo e ngritjes së Kosovës në Republikë, e artikuluar në demonstrat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e parë në kontekstet e zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, nuk shfaqej si çështje formale, por si pjesë e hapësirës së lirisë dhe të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duhej hapur sa më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të kalonin edhe në ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale, që ishin të drejta dhe në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.Kur do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të intelektualëve serbë që do të dalë në shesh me Memorandumin e Akademisë serbe të vitit 1986, do të shtrohet domosdoja e marrjes me politikë si një përgjegjësi historike, e cila do të mbështetej mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik. Dhe marrja me politik duhej të kishte një koordinatë të dyfishtë: lirimin nga dhuna e ideologjisë totalitare dhe kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para – lirimi nga dhuna ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin qëndronte, paraqiste parakushtin e parë të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes perëndimor, e ku pastaj, me postulatet civilizuese mund të arrihej edhe barazia e edhe liria. Sigurisht se këtij përcaktimi, që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën e kishin mbajtur në ethët e luftës së ftohtë. Në këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë: fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste. Si do të shihet ecja nëpër këta binarë paralel nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të përfitohej që sa më lehtë të liroheshin nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që të ndërmerreshin masa që Beogradit t’i shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes ideologjike. Por, lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist ai që asaj do t’ia hapte perspektivën historike dhe njëherësh Beogradit do t’ia hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin” e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta shfrytëzonte për qëllimet e veta, do të përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste, por që në atë fatkeqësi kanë qenë të përfshirë dhunshëm, dhe njëherësh do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë staliniste e Tiranës” e herë si “mbetje e rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme. Dhe natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci shfaqen si të pakapërcyeshme. Andaj, ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë. Vënia e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore, konceptin programor të mbështetur mbi trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta kthejë në një filozofi politike, atë të kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq dhe përkrahës të shumtë, por një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së cilës ishte në Europë.Por, ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte me dëgjueshmëri të madhe që të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të evitoheshin konfliktet dhe të pritej. Slogani dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste! Pa hyrë te vlerësimi i sjelljes politike të Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por ato duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga sjellja politike, e cila ishte në përputhje të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditë fare mirë se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur, ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb. Këtu, në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e konceptit të kundërvënies civile me pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen ndaj filozofisë politike të tij nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin mbështetur, por që pasi ai të ketë luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur rrethanat që të kalohej nga kundërvënia civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më shumë flet për problemet që ka një shoqëri me vetveten nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe nëse përcaktimin antikomunist e ngatërron me atë ideologjik… Dhe për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën në Bon, në dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në maj të vitit 1999, të cilat janë domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet mospajtim me ato zhvillime historike dhe proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e dukshme madje.Me këtë rast duhet përkujtuar se nga largimi im si pjesëmarrës aktiv në polikë, por assesi si pjesë e koncepteve kreative të filozofisë së saj – dhe kjo do të ndodh pas mbajtjes së Kuvendit të parë të LDK-së në maj të vitit 1991, pra atëherë kur do të arrihet shkëputja historike me komunizmin dhe pas dy korrikut dhe shtatë shtatorit të vitit 1990 në Kaçanik do të aprovohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës me çka u krijuan kushtet për shkëputje edhe nga Jugosllavia, e me këtë do të jetë mbyllur faza më e rëndësishme e konstituimit të Lëvizjes sonë shtetformuese si subjekt i pakapërcyeshëm – me Ibrahim Rugovën do të kem vetëm një takim, kur ai do të marrë pjesë në promovimin e pjesës së dytë të romanit tim “Prapë vdekja” dhe aty do të ndërrojmë disa fjalë për krijimtarinë. Si herën e parë, dhe si herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike – shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë Perëndimit – t’u përkushtohen sa duhet. Rreth kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se retardimet e vetëdijes totalitare dhe humbja e kompasit midis lindjes dhe perëndimit në dobi të ngatërrimit të së parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë koncepti i fitores historike të kohës sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga Kriza Lindor e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i cili aq shumë kishte investuar në të.Por, t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e fundit marrëveshjeve të Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së. Ditë më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani dhe si rëndom, ishte “në kompetencë” të mbikëqyrjes së degës së LDK-së në këtë vend, edhe pse në Bon Qeveria e Kosovës në ekzil kishte “selinë”, por nga disa mospajtime flitej se raportet midis presidentit dhe kryeministrit nuk ishin të mira. Meqë, i rrija larg asaj që quhej skenë politike e Kosovës dhe ngatërresave të saj, dhe për vizitat e liderëve shqiptarë në Gjermani, informoja vetëm kur ata priteshin zyrtarisht nga institucionet dhe politika gjermane, nuk kisha ndonjë interes që të sillesha ndryshe as këtë herë, sado që ndjeja nevojë për ndonjë muhabet intelektual me Rugovën. Por, ditën që do të përfundojnë marrëveshjet e Dejtonit dhe isha si shumë i përqendruar të dija sa më shumë për to, meqë ishte më se e qartë se pas tyre do t’i vinte radha edhe Kosovës, me anën e një telefonate nga Ministria e Jashtme Gjermane, ftohesha nga Drejtori për Çështje të Ballkanit, zoti Hase për një bisedë të shkurtër. Zoti Hase, me të cilin njiheshim ç’prej më shumë se dy vitesh, do të më njoftojë se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme zyrtarisht nga ministri Kinkel dhe, nga ai çast, si tha, për dy ditë lideri i shqiptarëve të Kosovës do të jetë mysafir i qeverisë gjermane dhe do të vendoset në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit. Marrja e Rugovës në mbikëqyrje nga qeveria gjermane pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte përherë “jozyrtare”. Pasi ma dha kumtesën për shtyp rreth pritjes së liderit shqiptar nga ana e Kinkelit, e cila përfshinte disa rreshta, më ftoi në darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte ministria e jashtme.Sinqerisht i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy vitesh, pra kur isha larguar dhe personalisht ia kisha shpjeguar arsyet, paralajmërimet e të cilave nga ana ime i kishte pasur që më parë por mendonte se do ta ndërroj mendjen, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Urova që aty të ketë më shumë atmosferë intelektuale nga ajo e pritshmja politike. Në mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, do ta takoj Rugovën, të qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një bashkëpunëtor dhe do të vijë edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë. Darka do të kalojë në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e cila nga ajo pikë dukej impozante, ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja”, që thoshte se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.Pas nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohta me përshtypjen e ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vleftë, sepse kishte shpërfillur përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta vazhdonim takimin. “Ka edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të mëngjesit.Nisi të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe nga biseda që kishte pasur atë ditë me Kinkelin në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si ministri i jashtëm gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte biseda për çështje problemesh, por rreth ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të shprehur të popullit të Kosovës që nga dy korriku, kushtetuta e Kaçanikut, referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë ministrit gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga ministri i jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa koniukturave nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të dukeshin vetëm premtime. Nuk dija se çfarë t’i thosha tjetër pos t’ia bëja me dije se përkundër asaj që ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit. Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në ujë. “Nuk ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.Ia përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në prillin e vitit 1990 në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe ai thuajse i fascinuar ishte zënë ngojë kunjat e mëdhenj që lëviznin botën…Edhe pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët, megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të hetohej, kur sërish do t’i kthehet disponimi dhe do të thotë se ia kishim dalë të bëhemi interes i Perëndimit dhe kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:“Nuk ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit. Sikur i kemi fat?… Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në perëndim dhe jo në lindje”.Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në maj të vitit 1999 në Bon, do të fillojë ftohtas në një pasdite kur do t’i drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh kur ndodhej në rezidencën e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e të panjohurave të Dejtonit.Në të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në terasën e rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte tollovisë që e ndiqte nga prania e madhe e atyre që kishte me vete, por edhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë, po edhe nga vendet përreth dhe dëshironin ta takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma tha sapo u takuam pas gjysmës së natës dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.Ky takim, megjithatë, ishte tjetër fare nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e Beogradit, kur për disa javë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike. Mendja ma merrte se Rugova kishte këtë gur në zemër dhe barrën e tij, që mund ta ngarkonte përjetshëm. Andaj, prisja që nga ai paksa të zbrazej. Por, për habi, preokupim nuk e kishte kohën e Beogradit. Si edhe me rastin e takimit në Petersberg kur më kishte folur për dilemën e sferave të interesit dhe pengun e tyre me preokupimin jetik që të mbeteshim në atë të Perëndimit dhe jo në të Lindjes, këtë herë më foli për frikën nga reinkarnimi ideologjik i vetëdijes totalitare. Kisha përshtypjen se nga ai po fliste një frikë e madhe, e brendshme dhe tejet e thellë, e cila nuk shfaqej vetëm si dyshim, por si ndjekje, që nganjëherë i përngjan paranojës. “I druaj hakmarrjes komuniste”, do të më thotë një çast me aso shqetësimi, sa më shkoi mendja se mund të ndodhej para ndonjë thyerje të rëndë psikike dhe mendja më shkoi tek pasojat e Beogradit. “Nuk mund të çrrënjosen bindjet totalitare. Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj…”Çfarë t’i thosha kur e dija se kishte të drejtë, por nuk ma merrte mendja se ai tashmë ishte mbërthyer i tëri nga ajo druajtje.Prapë përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte dashur të vdiste në Dublin? Edhe pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë, përgjigjes i bishtnova me atë që thashë se Parisi mund ta kishte fascinuar siç ka fascinuar gjithë botën.“Ku ka më mirë se të vdiset në Paris”, fola pak si me shaka.“Ka!” m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”Pas pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdisej edhe në Dublin. Pse jo?…“Në Dublin është madhështi të vdiset, por është mallkim të vritesh… Nuk e dua vrasjen në Dublin… Nuk e dua…”“Kush do ta donte…?” – ia ktheva pasi më drejtohej që t’i thosha diç.Pak më vonë, tha se Xhojsi ka pasur parandjenjën se mund ta vrasin në Dublin dhe kjo do të jetë vrasje shpirti, që nuk do të mund ta duronte, ngaqë ajo vrasje do ta ngarkonte me mallkim të përhershëm çdo irlandez dhe vetë Irlandën.“Xhojsi kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej… Kishte mallkimin e shpirtit…” Kur po largohesha, më dukej se fjalët për mallkimin e shpirtit dhe atë të hakmarrjes komuniste, nga ajo e sojit stalinist, m’u kishin vu pas dhe po më ndiqnin nga të gjitha anët… (Shhkëputuje nga libri “Kthesa historike” 1 Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDKs-ë), 2008. / KultPlus.com

Në kuadër të veprimtarisë donatore për bibliotekat e shkollave të Kosovës, Jusuf Buxhovi dhuron 60 libra në Xërxë

Në kuadër të veprimtarisë donatore për bibliotekat e shkollave të Kosovës, sot në Xërxë, bibliotekës së renovuar të shkollës “Hamëz Thaçi” iu dhuruan 60 libra, përcjell KultPlus.

Drejtori Setki Kryeziu, falënderoi autorin Jusuf Buxhovi me mirënjohje për kontributin e dhënë për pasurimin e bibliotekës.

Lajmin e bëri të ditur edhe historiani Jusuf Buxhovi, i cili ka shpërndarë edhe disa foto. / KultPlus.com

Pavarësia e Shqipërisë – Shqiptarët i riktheu në familjen europiane

Hasan Prishtina: “Lufta ballkanike u be shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të një Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.

Nga Jusuf Buxhovi

Në Kuvendin e Vlorës, para delegatëve të mbledhur, Ismail Qemali tha:

“Shqipëria me sot të bëhet më vete, e lirë e mosvarme”.

Para pesëqind vitesh, thuajse të njëjtat fjalë, që ishin thënë në Vlorë, në vendin që njihej Arbëri, do t’i thotë edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu pasi që të ketë mbajtur Kuvendin e besëlidhjes së Lezhës në vitin 1444.

Atëbotë, ajo e “lirë dhe e mosvarme” do të thoshte t’i takojë krishterimit perëndimor. Pra një bote ku ata, si pellazgo-ilirët qëndronin në themelet e qytetërimit të tij që nga antika, ndërkohë që pjesa tjetër ishte një botë tjetër, një qytetërim tjetër, që vinte nga lindja me flamurin e islamit.

Edhe pse pas më shumë se një çereku shekulli, Arbëria serish do të pushtohet nga bota së cilës ndër të parët dhe e vetmja ia kishte kthyer armën, kur të tjerët luteshin që Arbrit të vazhdonin të vdisnin në mbrojte të Perëndimit, pra që Osmanët të mbeteshin sa më shumë kohë të ngujuar rreth Krujës dhe kështjellave të tjera të Arbrit, ata megjithatë, qenë të fundit që u liruan nga pushtimi pesëshekullor osman.

Ndodhi kjo kur Perandoria Osmane tashmë ishte në grahmën e fundit dhe fqinjët e Shqiptarëve (Serbët, Malazezët, Grekët dhe Bullgarët) tashmë kishin pushtuar tokat shqiptare dhe ishin në rrugë e sipër që ta zhbënin njëherë e përgjithmonë atë që ditë më parë, në marrëveshje me Osmanët, në Shkup paraqiste bërthamën për një autonomi shqiptare në përbërje të Perandorisë Osmane, që nuk ishte tjetër pos bërthamë e një shteti të ardhshëm shqiptar në përmasat e tij të natyrshme etnike.

Megjithatë, që të krijojnë shtetin e tyre, Shqiptarët e patën më se vështir. Jo pse atë nuk e donin. As pse pranimi në masë të madhe i islamit dhe akomodimi në strukturat shoqërore dhe udhëheqëse perandorake deri në nivelet më të larta të hierarkisë i kishte bërë të tjerë sa të ndjeheshin pjesë e Perandorisë, amallgam i miletit-osman. Por, pse ata edhe në rrethanat osmane, përkundër këtyre realiteteve, kishin ruajtur etninë, gjuhën dhe kujtesën historike, që i lidhte me përkatësinë e botës perëndimore dhe të qytetërimit të saj.

Kjo, pra u pengonte, Osmanëve, që mendonin se me Shqiptarët si myslimanë kishin krijuar “alibi” për mbetje të përhershme në pjesën europiane. Dhe, kjo u pengonte edhe fqinjëve sllavo-ortodoks, të cilët kishin luftuar aq shumë kundër Arbërve edhe gjatë kohës së Bizantit pse ata ishin themelues të ngrehinës dhe të qytetërimit të saj.
Natyrisht, se kur në shekullin XIX Reformat e Tanzimatit dhe më vonë Kriza Lindore, kishin nxjerrë nga shishja frymën e nacionalizmit pansllav, që nuk kishte kthim prapa, e do të pasqyrohet me shfaqjen e shteteve të para sllavo-orotodokse në pjesën europiane të Perandorisë Osmane, edhe Shqiptarët, ndonëse me vonesë, detyrimisht do t’i kthehen identitetit kombëtar për ta siguruar të ardhmen e tyre midis popujve europianë, që për kusht kishte shtetin e pavarur nacional.

Kjo do të paraqesë sfidë të dyfishtë për Shqiptarët: në njërën anë pse rrënonte konceptin osman që me Shqiptarët si mileti-osman të mbeteshin në pjesën evropiane, dhe në tjetrën anë pse fqinjëve të tyre (Serbëve, Malaziasve, Grekëve dhe Bullgarëve) ua pengonte planet hegjemoniste për t’i grabitur tokat shqiptare.

Në këto rrethana vendimtare, do të jetë mendësia intelektuale e tyre, e cila do ta kuptojë drejt çastin historik për lëvizje, ku gjuha, kultura dhe emancipimi kombëtar ishin të vetmet atu me anën e të cilave mund të gjendej rruga e duhur, ta mbijetonin shembjen e Perandorisë Osmane si etni e pavarur, por edhe të mbrohen nga gllabërimi i fqinjëve, që e luftonte këtë realitet.

Rilindja Kombëtare Shqiptare thuajse gjeti formulën magjike kur shpalli gjuhën dhe kulturën identitet kombëtar, ndërsa religjionin e vlerësoi një “pluralizëm të përbashkët shpirtëror”, një pasuri, që ndihmon identitetin kombëtar dhe assesi që e mohon.

Kështu, motoja “feja e shqiptarit është shqiptaria”, u bë formula më domethënëse dhe e vetmja e botës shqiptare, që mund t’ua siguronte ardhmërinë, ndonëse me vështirësi tepër të mëdha.

Mbi këtë formulë, do të konceptohet edhe programi politik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i cili do të promovohet për herë të parë gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u manifestua përcaktimi shqiptar për ta mbrojtur etninë dhe mbi të për ta ndërtuar shkallë-shkallë identitetin autonom shtetëror gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe zhvillimet, të cilat kërkonin balancim të jashtëzakonshëm raportesh me Perandorinë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha Europiane, veçmas, kur bëhej gjithnjë e më e qartë, se faktori shqiptar me identitet shtetëror, ishte i vetmi që mund të shfrytëzohej si digë kundër pansllavizmit dhe të zgjerimit të ndikimit rus në Ballkan.

Por, ardhja e Shqiptarëve deri te pika që të kthehen në një digë të vetme kundër pansllavizmit, paraqet një zhvillim historik thuajse ndër më kundërthënësit nëpër të cilin do të kalojë Perandoria Osmane, nga Reformat e Tanzimatit e këndej, kur nga Fuqitë e Mëdha, asaj do t’i garantohet mbrojtja nga copëtimet e jashtme, ndërsa në të njëjtën kohë, nga lëvizjet nacionale të popujve sllavo-ortodoksë, do t’i ndodhin shthurjet e brendshme, me të cilat asaj gjithnjë e më shumë do t’i ngushtohet hapësira në kontinentin e vjetër, me çka fillon edhe koha e largimit të pashmangshëm prej tij, që do të paraqesë edhe fundin e saj.

Shfaqja e lëvizjeve nacionale te fqinjët sllavo-ortodoksë si dhe programet e tyre për shtete nacionale, të cilat do të përkrahen nga Rusia dhe, nga fillimet e shekullit nëntëmbëdhjetë e tutje, një nga një do të shkëputën (fillimisht me anën e autonomive, siç ishte rasti i Serbisë, Malit të Zi dhe më vonë Bullgarisë, apo i njohjes së Greqisë shtet i pavarur) si dhe pretendimet e tyre të hapura që të zgjerohen edhe më tutje me anën e tokave shqiptare, do t’i detyrojnë Shqiptarët që në njërën anë të pranojnë sfidën e nacionalizmit për të dëshmuar se janë popull i vjetër europian dhe si të tillë zotë të asaj që as gjatë sundimit shumëshekullor osman është ruajtur dhe nuk u është mohuar (identitetit etnik që është pasqyruar me shtrirjen në katër vilajete: të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës), dhe në tjetrën, të paraqesin edhe programet politike rreth ardhmërisë së tyre, me të cilat duhej të ruhej baraspesha midis interesave të tyre me Perandorisë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha.

Sfida e identitetit kombëtar dhe e përcaktimit politik, për Shqiptarët shfaqeshin me vështirësi të shumëfishta, meqë ato binin ndesh me realitetet e brendshme perandorake të natyrës shoqërore, kulturore dhe politike, ndër të cilat më papërballueshmja lidhej me tretmanin e milletit-osman. Kjo kishte të bënte me atë se një pjesë e mirë e Shqiptarëve kishin pranuar islamin. Ndërkohë që për këtë arsye, edhe Shqipëria (së paku nga koha e Sulltan Hamiti e këndej) paraqitej si “kështjellë myslimane në Europë”, me të cilën lidhej edhe fati dhe e ardhmja e Perandorisë Osmane.
Andaj, nuk është e rastit, se nga fillimi i zbatimit të reformave të Tanzimatit, Shqiptarëve dhe trojeve të tyre etnike, kjo hipotekë do të kthehet në moto të politikes hamitiane, me të cilën ai, për tridhjetë e dy vjet të qeverisjes absolutiste, do të luftojë zgjimin kombëtar shqiptar dhe programet politike të Shqiptarëve në përputhje me të, ku do të manifestohen kërkesën për autonomi kulturore dhe politike, që do të përfshinte katër vilajetet shqiptare duke i bashkuar në një.

Natyrisht se për të arritur që Shqiptarët të luftojnë hamitizmin dhe politikën e tij të trajtimit të tyre si “kala myslimane” në pjesën europiane, do t’u duhej një përpjekje e gjatë dhe e mundimshme. Së pari drejt emancipimit të brendshëm kulturor, që fillonte me gjuhën dhe arsimimin shqip, për t’u kthyer pastaj në një zgjim kombëtar të përmasave të gjera, i cili bashkonte identitetet nga ai fetar, krahinor, dhe shoqëror. Kjo nuk ishte aspak e lehtë, kur dihej se ato fillimisht binin ndesh me islamizmin si një amalgam që bashkonte fenë me doktrinën perandorake të vatanit e pastaj edhe me osmanizmin si patriotizëm shtetëror, i cili gjatë kohës së Xhonturqve, me centralizmin dhe unita-rizmin nacionalist, refuzonte çfarëdo autonomie administrative dhe politike.

Në këtë rrugë të mundimshme rol të madh do të luajë fryma e reformave të Tanzimatit, që Perandoria Osmane i kishte pranuar dhe ato tashmë u shkonin për shtati popujve të krishterë, fryma e të cilave nuk mund të anashkalonte edhe Shqiptarët, po qe se ata do të jenë në gjendje që të dëshmonin se krahas identitetit etnik, me ruajtjen e gjuhës shqipe si pjesë e identitetit kulturor, përkundër pranimit të islamit nga një pjesë e mirë e popullatës, kishin ruajtur substancën me të cilën ata duhej të trajtoheshin si komb i barabartë me të tjerët që pranonte Perandoria Osmane.

Dhe, për ta dëshmuar këtë, elita politike dhe intelektuale shqiptare në Stamboll, që nga fillimet e Krizës Lindore, e prirë nga vëllezërit Frashëri (Abdyli, Samiu dhe Naimi), si dhe sfidat që do të sjellë ajo, do të veprojnë në planin kulturor, në atë shpirtëror dhe në atë politik, mbi të cilat pastaj do të ngrihet doktrina e platformës së Rilindjes Kombëtare, që do t’i shërbejë si udhërrëfyes që të gjitha zhvillimeve me të cilat do të shkohet deri te pavarësia e shtetit shqiptar në nëntor të vitit 1912.

Këtij veprimi gjithsesi se do t’i vijë në ndihmë konstitucionalizmi i vitit 1876, kur do të fillojë koha e shkurtër e parlamentarizmit osman, me ç’rast deputet Shqiptarë në Parlamentin Osman Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, në kuadër të debateve për organizimin e ri administrativ në përputhje me reformat që kërkoheshin nga Perandoria Osmane, hapën çështjen e bashkimit të katër vilajeteve shqiptare në një njësi vetëqeverisëse autonome.

Dy vjet më vonë, kjo kërkesë fitoi legjitimitet gjithëkombëtar kur u paraqit si kërkesë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe si e tillë, në forma të ndryshme, gjithnjë duke u mbështetur mbi platformën e barazisë së Shqiptarëve me të tjerët përbrenda Perandorisë Osmane, do të kthehet në moto të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Por, edhe pa ardhur deri te ky përcaktim historik ndër më të rëndësishmit, intelektualët shqiptarë në Stamboll, të cilët do të vihen në krye të këtyre zhvillimeve, një shtysë të madhe do të marrin nga veprimtaria e atdhetarëve shqiptarë në diasporë (Itali, Rumuni, Egjipt dhe gjetiu) si dhe nga shoqatat dhe klubet shqiptare në mërgim, ku tashmë fryma e nacionalizmit të popujve sllavo-ortodoks të Ballkanit dhe kryengritjet e tyre për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, kishte vënë në lëvizje fillet e nacionalizmit shqiptar.

Kështu, në vitet e dyzeta, kur Italo-Arbëreshët në Itali me anën e shkrimeve letrare dhe publicistike të Jeronim De Radës dhe të hulumtimeve shkencore të Dhimitër Kamardës, kishin filluar të nxirrnin në pah lashtësinë antike të popullit shqiptar, në mënyrë që ajo t’i shërbejë trajtimit të tyre si popull europian, Naum Veqilharxhi, një migrant me prejardhje nga rrethi i Korçës, në Bukuresht nxori një qarkore me të cilën do t’u drejtohet bashkëkombësve Shqiptarë të besimit ortodoks, që t’i bashkohen një lëvizjeje kulturore për përhapjen e gjuhës dhe të arsimit shqip, në mënyrë që me anën e arsimimit të pasqyrojnë identitetin kombëtar.

I ndikuar nga idetë e lëvizjes nacionale rumune për pavarësi, në të cilat do të marrë pjesë bashkë me shumë Shqiptarë të diasporës në Rumani, Veqilharxhi hartoi edhe një abetare (Evetar) me një alfabet të pavarur që do ta sajojë, të cilën, pas botimit në Bukuresht, e shpërndau në Shqipëri.

Qarkorja e Veqilharxhit drejtuar Shqiptarëve dhe abetarja (Evetari) me të drejtë merren si kohë e fillimit të Rilindjes Kombëtare, bërthamën e së cilës pastaj do ta marrë përsipër Komiteti i Stambollit në krye me Sami Frashërin, e ku do të gjenden edhe Vaso Pasha, Hoxha Tahsini dhe shumë e shumë atdhetarë të tjerë, veprimtaria e të cilëve do të marrë hov me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit të shkronjave shqip”, ku do të hartohen jo vetëm idetë për gjuhën dhe arsimin shqip, por edhe shkrimet dhe tekstet e ndryshme nga ato letrare, publicistike, e shkollore për të shkuar pastaj edhe te veprimtaria e gjerë patriotike mbi të cilat do të mbështeten edhe projektet politike të Rilindjes Kombëtare.

Në këtë veprimtari të gjerë kulturore dhe politike, Shqiptarët do t’ia dalin që të kenë qëndrim të përbashkët në saje të unitetit që do ta ndërtojnë mbi gjuhën dhe arsimin si pjesë të identitetit të përbashkët kombëtar, ndërkohë që besimin do trajtojnë si çështje shpirtërore, që nuk bie ndesh me përcaktimin kombëtar. Sepse, siç thoshte Samiu, shqiptari edhe si mysliman edhe si i krishterë, së pari është shqiptar dhe mbetët shqiptar, gjë që nga kjo sentencë duhet kërkuar edhe metaforën “feja e shqiptarit është shqiptaria”, që me të drejtë do të kthehet në manifest të Rilindjes Kombëtare.

Kjo formulë patriotike, bashkë me kërkesat politike për autonominë shqiptare brenda Perandorisë Osmane, përfshiu thuajse të gjitha shtresat shoqërore shqiptare, të cilat gjithnjë e më shumë po vetëdijesoheshin për domosdonë e veprimit mbi baza kombëtare. Sepse ashtu arriheshin dy qëllime njëherësh: mbrojtja e etnisë nga gllabërimet e fqinjëve si dhe shkalla e barazisë me të tjerët, që po ashtu, kthehej në një faktor mbrojtës.

Edhe pse regjimi absolutist hamitian do ta kundërshtojë këtë përcaktim dhe në forma të ndryshme do të mundohet që shtresat e caktuara shoqërore shqiptare nga radhët e feudalëve dhe ato konservative të drejtuara nga fanatikët islamistë, t’i mbajë në taborin e vet dhe t’i inkurajojë se ishte vetëm “mburoja islamiste dhe ajo osmane”, që Shqiptarët mund t’i shpëtonte nga hegjemonizmi sllavo-ortodoks, megjithatë, Rilindja Kombëtare Shqiptare, nga koha kur do të mbyllën shkollat shqipe dhe do të ndalohet veprimtaria e “Shoqërisë së Shkronjave shqipe” në Stamboll, do të përcaktohet që luftën për interesat kombëtare ta ndërlidhë edhe me lëvizjet opozitare në vend kundër absolutizmit hamitian. Kjo do të shihet më së miri me shfaqjen e Turqve të Rinj (Xhonturqve), kur në bërthamën organizative si themelues do të gjenden edhe disa Shqiptarë (Ibrahim Temo, të cilëve do t’u bashkë-ngjiten edhe Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Hoxha Tahsini e të tjerë). Ata ndikuanë që osmanizmi i Xhonturqve të shfaqet si një patriotizëm i ri shtetëror, i cili do të mbështetej mbi bazën e unitetit dhe të barazisë së të gjithë shtetasve osmanë pa dallim feje, gjuhe dhe etnie. Kjo platformë Shqiptarët i nxirrte nga trajtimi shumë-shekullor i mileti-osman, me çka doktrina islamiste zëvendësohej me atë osmane të qytetarëve të barabartë, me çka realisht i hapej udha shprehjes së identitetit kulturor dhe atij kombëtar mbi parimet e lirisë dhe të barazisë, që në pjesën europiane ishin lansuar pas revolucionit francez e këndej.
Ndonëse, si do të shihet, Shqiptarët do të bien ndesh edhe me Xhonturqit sapo ata të vinë në pushtet, megjithatë, përcaktimi për ta dhe kundër absolutizmit të Sulltan Hamtit, që më së miri do të pasqyrohet me vendimet e Tubimit të Ferizajt të korrikut të vitit 1908, kur prej andej Shqiptarët do t’i dërgojnë ultimatum Sulltan Hamitit që ta kthejë kushtetutën dhe ai do ta pranojë këtë, historikisht ishte i drejtë ndërsa politikisht i dobishëm. Sepse, me të mbyllej kapitulli i islamizmit, i cili nga ana e Perandorisë Osmane gjatë qeverisjes despotike të Sulltan Hamitit, më së shumti kishte manipuluar Shqiptarët dhe strukturat shoqërore feudale dhe konservative brenda tyre, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës, duke i trajtuar “si bastion” në pjesën europiane, ndërkohë që Porta e Lartë, duke pranuar reformat e shumta dhe të ndryshme, të cilat shkonin në dobi të popujve sllavo-ortodoks (pranimi i ekzarkatit bullgar, lejimi i kthimit të administrimit të kishës ortodokse serbe në Kosovë, pastaj hapja e shkollave serbe dhe hapja e konsullatave serbe dhe ruse në Kosovë dhe së fundi edhe pranimi i statusit të kombit serbëve të Kosovës), kishte rrezikuar qenien etnike dhe kombëtare të Shqiptarëve, duke i bërë pre të hapur të shteteve fqinje.

Kjo do të pasqyrohet më së miri nga vitit 1903, kur pas kulmimit të krizës së Maqedonisë, me marrëveshjen e Mynstergut, të lidhur midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, praktikisht do të pranohet sovraniteti ndërkombëtar mbi pjesën europiane, që do t’ia hapë rrugën krizës së ardhshme, që do të çojë te Luftërat Ballkanike dhe shembja e Perandorisë Osmane.

Në këto rrethana, pra të daljes në pah të krizës së Maqedonisë, e cila ishte e kurdisur nga shtetet sllavo-ortodokse (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria), që me anën përhapjes së kaosit në këto pjesë, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit me futjen e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, të pengohej çfarëdo autonomie shqiptare, Lëvizja Kombëtare Shqiptare apo një pjesë e saj e pambikëqyrur, për pak do të shkasë nga binarët e përcaktimeve të saj, siç ishte lufta për autonomi përbrenda Perandorisë Osmane, për t’iu bashkuar luftës “çlirimtare” nga Perandoria Osmane me anën e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, e cila drejtohej nga Beogradi, Cetina, Athina dhe Sofja dhe në përputhje me interesat e tyre që lidheshin me copëtimin e trojeve shqiptare midis veti. Me këtë njëherë e përgjithmonë duhej të pushonte së ekzistuari çështja shqiptare në Ballkan.

Uverturë e këtij koncepti, ishte Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 dhe pjesëmarrja e një pjese të Shqiptarëve në të me ç’rast do të dalë në pah se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, sipas shembullit të Ilindenit, mund të shkapërderdhej tek çështjet e tjera (ajo sllavo-maqedonase, bullgare, greke po edhe serbe madje) prej nga mund të hiqet nga rendi i ditës tërësi e saj.

Këtë zhvillim do ta pengojë Revolucioni Xhonturk dhe pjesëmarrja e Shqiptarëve në të, kur me Kuvendin e Ferizajt të vitit 1908, ata do të luajnë rolin kryesor në suksesin e tij. Kjo do të paraqesë një kthesë të rëndësishme për zhvillimet e ardhshme, që si do të shihet, Kosova dhe ngjarjet në të si promotor kryesor i tyre, do t’ua hapin rrugën proceseve që do të çojnë te shpallja e pavarësisë kombëtare.

Revolucioni Xhonturk i korrikut të vitit 1908, suksesi i të cilit lidhet ngushtë me Shqiptarët dhe rolin e tyre në Lëvizjen Opozitare të Turqve të Rinj që nga themelimi e deri te akti i fundit, siç ishte Kuvendi i Ferizajt, prej nga Sulltanit do t’i drejtohej ultimatumi që të kthejë kushtetutën, përmbyll kapitullin e gjatë tridhjetë e dy vjeçar të përputhjeve fillestare dhe të shpërputhjeve në vazhdimësi me islamizmin, që do të zhvillohet nën ombrellën e absolutizmit të Sulltan Hamitit.
Nëse fundi i hamitizmit, Shqiptarët do t’i lirojë nga ndeshja e mëtutjeshme me islamizmin dhe kurthin e tij të njohur, megjithatë do t’i ngërthejë me sfidën e osmanizmit, jo më, siç qe menduar, si një patriotizëm i ri shtetëror, që shfaqej nën moton e barazisë, të lirisë dhe të vëllazërimit të të gjithë shtetasve pa dallime besimi, gjuhe dhe etnie, por të centralizmit dhe të nacionalizmit tejet fanatik osman, në emër të të cilit zuri të mohohej pluralizmi kulturor dhe shumësia e identiteteve që ishin njohur deri më atëherë dhe të refuzohet çfarëdo forme e vetëqeverisjes autonome, qoftë që do t’i shkonte përshtati mbetjes së mëtutjeshme të Perandorisë Osmane në pjesën europiane.

Siç do të ndodhë dikur me islamizmin, kur shqiptarizmi do të përfitojë nga përputhjet fillestare me të, ndërsa në saje të asaj që merrej si “shumësi kulturore” do të fillojë lëvrimi i gjuhës dhe kultivimi i traditës pa u konfrontuar me islamin, ngjashëm do të ndodhë edhe me osmanizmin. Me këtë rast, liritë e shpallura prej Xhonturqve rreth barazisë dhe lirisë të të gjithë shtetas-ve osmanë të natyrës politike, shoqërore dhe emancipuese do të mundësojnë që në zgjedhjet e lira parlamentare 26 deputetë shqiptarë të futen në Parlamentin Osman. Ndërkohë që klima e përshtatshme politike gjatë kohës së parlamentarizmit të dytë, do të shfrytëzohet për thellimin e kulturës kombëtare (veçmas gjuhës dhe arsimit). Themelimi i klubeve kulturore, shoqatave si dhe botimi i gazetave shqipe bashkë me botimin e librave, që do t’i dedikohen shkollës shqipe, do t’i japë shtysë të rëndësishme këtij zhvillimi historik.

Kështu mund të thuhet se periudha nga ngadhënjimi i Revolucionit Xhonturk në korrik të vitit 1908 e deri te mesi i viti të ardhshëm, kur do të shuhet përpjekja e dështuar për rrëzimin e Xhonturqve nga pushteti, që do të quhet “kundërrevolucion”, Shqiptarët kaluan nëpër një periudhë të lulëzimit nacional dhe politik ndër më të fuqishmet dhe ndër më të frytshmet gjatë kohës së Perandorisë Osmane.

Gjatë kësaj kohë, përkundër rolit të rëndësishëm në jetën parlamentare, ku deputetet Shqiptarë, krahas mbrojtjes së programit të njohur kombëtar do të marrin edhe rolin e opozitës, në planin emancipues po ashtu, me hapjen e shkollave shqipe dhe të futjes së gjuhës shqipe si lëndë e detyrueshme mësimi edhe në shkollat shtetërore në gjuhën turke si dhe në ato kishtare në gjuhën greke, do të bëhen hapa të mëdhenj të një rëndësie historike, që i shkuan përshtati zgjimit të përgjithshëm kombëtar.

Dhe, padyshim se njëri ndër sukseset më të mëdha në këtë lulëzim nacional, do të jetë mbajtja e Kongresit të Drejtshkrimit në Manastir, në nëntor të vitit 1908. I organizuar nga Klubi i qytetit, mblodhi përfaqësuesit e të gjitha klubeve shqiptare nga brenda dhe jashtë vendit, e ku ishin edhe ato të mërgatës nga Bukureshti, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kongresi i Drejtshkrimit në Manastir mbetet historik jo vetëm për vendimet që mori në planin gjuhësor, duke u përcaktuar për një alfabet të gjuhës shqipe mbi bazat e shkronjave latine, por edhe për unitetin kombëtar që aty u pasqyrua në një plan të gjerë intelektual dhe shoqëror ndër më të fuqishmit, që bëri të ditur qartë drejtimin historik të Shqiptarëve kah kultura dhe civilizimi perëndimor, duke i dhënë njëherësh mbështetje programit politik të Rilindjes Kombëtare rreth krijimit të një autonomie shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që nuk do të ishte tjetër pos një shtet shqiptar i cili do të mëvetësohej çastin që ajo do të largohej nga pjesa europiane.

Këtu në të vërtetë do të fillojnë ato që do të quhen shpërputhje dhe kundërshtime të papajtueshme midis Shqiptarëve dhe Xhonturqve, të cilat do të marrin aso përmasash sa qeveria osmane e drejtuar nga Xhonturqit, kur do të humbë luftën për alfabetin shqiptar me shkronja arabe, që do të zhvillohet me një ashpërsi të madhe nga fanatikët e klerit islamist dhe shtresat konservative shqiptare, do t’i kthehet represionit të gjuhës shqipe dhe të arsimit kombëtar, me ç’rast, me dekret shtetëror të majit të vitit 1910 nuk do të mbyllen vetëm gazetat shqipe, klubet shqiptare, por do të mbyllen edhe shkollat shqipe dhe po ashtu gjuha shqipe, si gjuhë mësimi do të nxirret nga shkollat zyrtare turke dhe ato greke.

Në planin politik dhe atë shoqëror, nën devizën e kthimit të rendit dhe të ligjit, Xhonturqit do të fillojnë një fushatë të ashpër kundër vilajeteve shqiptare dhe të drejtës së tyre për vetëqeverisje vendore, që e kishin gëzuar për shekuj. Taksat e reja të rënda, ligji për luftimin e bandave dhe ai i rekrutimit pa dallim feje si dhe çarmatosja e popullatës, do të hapin hendekun e madh të Shqiptarëve me Turqit e Rinj, që do t’u japë shkas protestave dhe kryengritjeve, të cilat do të marrin përmasa të mëdha.

Xhonturqit, të cilët Shqiptarëve, si dhe të tjerëve, u kishin premtuar liri qytetare dhe barazi dhe qytetërim, jo vetëm nuk do të tregojnë kurrfarë mirëkuptimi për kërkesat e tyre të drejta, por do t’u kthehen ekspeditave ushtarake për “të vu rregull”në vilajetet e tyre. Në këtë rrugë ata do të përkrahen nga forcat nacionaliste dhe fanatike në vend, por njëherësh do të përkrahen edhe nga Rusia, e cila do të trimërojë qeverinë osmane që “të çarmatosë Shqiptarët e pabindur” dhe për këtë Petërburgu do të derdhë shuma të caktuara parash, ndërkohë që shtete fqinje të Shqiptarëve (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria,të cilat për pakicat e tyre në vilajetet shqiptare kishin siguruar pozitën e kombeve dhe ato i instrumentalizonin që, vazhdimisht të ankoheshin gjoja për “zullumin arnaut”) kërkonin nga Porta e Lartë masa të rrepta kundër “Shqiptarëve të egjër”, që të çarmatoseshin me dhunë dhe kështu Serbëve dhe të tjerëve t’u mundësohej liria.

Nga ana tjetër, po këto vende, nga ardhja e Xhonturqve në pushtet, do të përpiqen që t’i fusin në lojë disa nga feudalët shqiptarë në Kosovë dhe parinë fanatike, që të luftojnë për kthimin e Sulltan Hamitit. Madje, janë të njohura edhe lidhjet dhe marrëveshjet e Serbisë dhe të Malit të Zi me disa nga krerët Shqiptarë të Kosovës dhe të Malësisë së veriut në Mbishkodër, që t’u fusin armë dhe para për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Kjo luftë, si do të shihet nga kryengritjet e vitit 1910 dhe 1911, në masë të madhe do të instrumentalizohet nga Beogradi dhe Cetina për qëllimet e veta.

Natyrisht, se “fryma” luftarake e Shqiptarëve në Kosovë dhe Veri si dhe kryengritjet e tyre lokale, që do të nxiten nga Serbia dhe Mali i Zi, do t’i konvenojë edhe Kabinetit të ri Xhonturk, i cili pas shtypje së rebelimit ndaj forcave konservative dhe shfronësimit përfundimtar të Sulltan Hamitit, nga pranvera e vitit 1909 e këndej në Kosovë do të drejtojë repartet ushtarake të komanduara nga gjeneral Shefqet Turgut Pasha që “ta paqësojë” atë.

Konfliktet e armatosura me Shqiptarët, që do të vazhdojnë edhe në vitin 1910 në mënyrë që në vitin 1911 të përhapen edhe në Veri (në Malësinë e Mbishkodës dhe Mirditë),pa marrë parasysh sa dhe si kishin qenë shprehje e kundërvënies masave represive-ushtarake të Xhonturqve dhe sa dhe si kishin qenë edhe shprehje e nxitjes nga Serbia dhe Mali i Zi për qëllimet e tyre të njohura, që do të dalin në pah së shpejti, pas një viti serish do të kthehen në Kosovë, kur edhe do të fillojë kryengritja përfundimtare kundër qeverisjes Xhonturke, por këtë herë ajo do të jetë fryt i përcaktimit të krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të cilët në Stamboll, në shkurt të vitit 1912, në Taksin do të merren vesh për të, që me anën e saj të imponojnë arritjen e dy qëllimeve: përmbysjen e regjimit centralist-nacionalist Xhonturk dhe pranimit të autonomisë shqiptare.

Qëllimin e parë Shqiptarët do ta arrijnë në fillim të gushtit, kur do të detyrojnë rrëzimin e qeverisë xhonturke dhe tri ditë më vonë edhe shpërndarjen e parlamentit të sapozgjedhur të dominuar nga Turqit e Rinj. Ndërsa më 18 gusht, me pranimin e Memorandumit prej 14 pikave, të quaj-tur Programi i Hasan Prishtinës, detyruan qeverinë e përkohshme të Gazi Ahmet Myhtar Pashës të pranojë kërkesat e tyre, me anën e të cilave ata fitonin statusin e kombit dhe njëherësh ia hapnin rrugën qeverisjes autonome, apo të asaj që nga jashtë do të shihet si Shqipëri Osmane.

Arritja e madhe shqiptare në Kosovë e gushtit të vitit 1912 shënon ndërlidhjen e parë të suksesshme të bashkëveprimit politik me atë të rezistencës së armatosur si dhe të drejtimit të saj nga një qendër e caktuar kombëtare e udhëhequr nga elita e patriotëve intelektualë, të përfshirë në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Edhe pse nënshkruesit e Marrëveshjes së Taksimit të shkurtit të atij viti, të drejtuar nga Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina, kur do të merret vendimi për kryengritjen e përgjithshme shqiptare – pos Hasan Prishtinës – nuk do t’i kryejnë shumë nga detyrimet e marra sipas marrëveshjes që ajo të ketë përmasat gjithëkombëtare. Veçmas ato që kishin të bënin me ndezjen e kryengritjes edhe në Shqipërinë e Mesme dhe atë të jugut. Megjithatë, vilajetet tjera shqiptare, do të solidarizohen me kryengritjen e Kosovës, qoftë duke u lidhur me të me anën e kryengritjeve vendore, qoftë duke përkrahur platformën e bisedimeve të krerëve të kryengritjes shqiptare të Kosovës në Prishtinë e pastaj në Ferizaj me përfaqësuesin e qeverisë osmane Ibrahim pashën. Madje, edhe Ismail Qemali, i cili fillimisht do të gjendet jashtë vendit me detyrë për të mbledhur armë dhe të holla për kryengritjen dhe për të agjituar politikisht për të, me t’u kthyer në Vlorë, duke u deklaruar në mbështetje të programit politik të Kryengritjes dhe platformës së saj, do të lërë prapa disa deklarata kundërthënëse rreth kërkesave politike, të cilat do t’ia vështirësojnë punën ideatorit të saj kryesor Hasan Prishtinës, që edhe ashtu kishte telashe me rrymën e konservativëve dhe të feudalëve, të cilët në masë të madhe të ndikuar nga prapaskenat e agjentëve serbë që u rrinin pranë, edhe më tutje kërkonin që përmbysjen e qeverisë xhonturke ta kushtëzonin me kthimin në pushtet të Sulltan Hamitit, për të cilin ishin në gjendje që të vazhdonin edhe më tutje kryengritjen pa hezituar që të marshojnë edhe për në Selanik për ta liruar nga internimi me çka rrezikoheshin në tërësi qëllimet dhe kërkesat politike të kryengritjes.

Përballimi i vështirësive të brendshme kur tri rrymat me pikëpamje të ndryshme (feudalët shqiptarë bashkë me fanatikët fetarë – që kërkonin rrënimin e parlamentarizmit dhe kthimin e absolutizmit; opozitarët që kërkonin vetëm rrëzimin e qeverisë “se keqe” dhe zëvendësimin me një “të mirë”, si dhe autonomistët – që kërkonin pranimin e autonomisë shqiptare përbrenda Perandorisë Osmane), do t’ia dalin që të gjejnë gjuhë të përbashkët, siç ishte ajo që do të pasqyrohet në Memorandumin prej katërmbëdhjetë pikash, si dhe suksesi historik i tyre në raport me qeverinë osmane, Shqiptarëve nuk do t’ua lehtësojë punën dhe as që do t’u mundësojë që të gëzojnë frytet e saj. Sepse, krahas me arritjen e marrëveshjes me qeverinë osmane, do të ecin edhe zhillimet për fillimin e luftës së Aleancës Ballkanike me Perandorinë Osmane, e cila shfaqej si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj marrëveshjes së Shqiptarëve me qeverinë osmane. Ndonëse aty autonomia shqiptare nuk theksohej në mënyrë të veçantë, siç ishte paraparë në pesë pikat e “Kuvendit të Junikut”, por ajo dilte nga përmbajtja e saj, kjo ishte e papranueshme për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat pa u shpërndarë mirë kryengritësit shqiptarë nëpër shtëpitë e tyre, siç pritej, do të futen në luftë me Perandorinë Osmane, luftë këtë që Aleatët Ballkanikë do ta fitojnë pa ndonjë mund të madh, me ç’rast për cak kishin pushtimin dhe copëtimin mes tyre të trojeve shqiptare, siç do të ndodhë në të vërtetë.

Këto zhvillime të paralajmëruara që më parë, të cilat do të tregojnë qëllimet e tyre të vërteta me anën e arritjes së aleancave të ndërsjella ballkanike (fillimisht të Serbisë me Bullgarinë, pastaj të Serbisë me Greqinë dhe së fundi të Greqisë me Bullgarinë) të cilat do të lidhen në periudhën kohore shkurt – maj 1912 dhe do të korrespondojnë me fillimet e kryengritjes shqiptare të Kosovës të pranverës dhe verës së atij viti, do të ndikojnë jo vetëm përmbajtjen e kërkesave të Shqiptarëve (kur do të anashkalohet ajo që theksonte autonominë politike), por ato do të ndikojnë edhe qëndrimin politik të Shqiptarëve ndaj vetë Luftës Ballkanike, e cila për moto do të ketë çlirimin përfundimtar nga pushtimi osman.

Kundruall këtyre rrethanave Shqiptarët do të përcaktohen që të mbrojnë trojet e tyre nga pushtimet e ushtrive fqinje, edhe pse kjo të ndodhur në një front bashkë me ushtritë osmane, i fuste në luftë me fqinjët dhe, në rast humbjeje, i përballonte me rrezikun e ndëshkimit, që ishte paraparë.

Si do të shihet, besimi se përkrah ushtrive osmane, Shqiptarët do të mbrojnë trojet e tyre, do të humbet shpejt, pasi që armata osmane, jo vetëm që nuk do të rezistojë në përputhje me fuqinë që kishte, por me “manovrat” gjoja për t’u rigrupuar në veri kah Shkodra dhe në jug kah Janina, në të vërtetë do t’ua lëshojë frontet ushtrive serbe, malaziase,bullgar dhe greke që me të shpejtë të pushtojnë tokat shqiptare. Historianët e ndryshëm edhe sot kanë dilema çfarë qëndronte në të vërtetë përballë kësaj sjellje të armatës osmane dhe cilat ishin motivet e tërheqjes së saj, kur dihej se ajo ushtarakisht ishte e përgatitur për luftë, ndërkohë që mbajtja e hapur e fronteve të luftës për një kohë pak më të gjatë, jo vetëm që do ta ndryshonte gjendjen në të mirë të saj, por ajo do të pengonte edhe realitetet e reja të krijuara me dhunë, të cilat do t’u shkojnë për shtati planeve hegjemoniste të vendeve sllavo-ortodokse dhe forcimit të Rusisë në rajon?

Rezistenca e njësive shqiptare, si rezervistë apo si vullnetarë, nuk do të mjaftojë që trojet shqiptare të shpëtojnë nga pushtimet. Përkundrazi, tërheqja “taktike” e armatës osmane dhe lënia e forcave shqiptare në vijat e frontit, do të sjellë një tragjedi të paparë. Ushtritë pushtuese (serbe, malaziase, greke dhe bullgare) nga të gjitha drejtimet do t’u vërsulen tokave shqiptare duke masakruar jo vetëm mbrojtësit e pafuqishëm, por që si “hakmarrje” ndaj “rezistencës armike”, do “të gjejnë shkase” për t’iu sulur ushtarakisht popullatës së pambrojtur të Kosovës nga pika e Merdarit e deri në bregdet.

Do të jetë ky gjenocidi i dytë serbo-malazias brenda katër dekadave (i pari gjatë dimrit të vitit 1877/78 me rastin e luftës ruso-osmane kur ushtria serbe do të shfrytëzojë humbjen e forcave osmane për t’u futur në pjesët e Toplicës, të Kurshumlisë e të Prokupës ), që për pasojë do të ketë vrasjen e mbi tridhjetë mijë Shqiptarëve si dhe shpërnguljen e mbi 150 mijë vetash që do të kërkojnë shpëtim në drejtim të Turqisë dhe të zhvendosjes në pjesët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut.

Sidoqoftë, në këto rrethana, kur përkundër rezistencës së Kosovës në luftë me ushtritë pushtuese serbe dhe malaziase, thuajse e gjithë Shqipëria do të pushtohet nga fuqitë e vendeve të Aleancës Ballkanike, ndërkohë që pjesa më e madhe e patriotëve shqiptarë që kishin udhëhequr rezistencën në frontet me Serbinë, Malin e Zi ishin zënë rob nga fuqitë pushtuese (Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi dhe shumë të tjerë, të cilët do të dërgohen në burgun e Beogradit), atyre që kishin mbetur jashtë kësaj tragjedie (Ismail Qemalit dhe të tjerëve që gjatë Kryengritjes së Kosovës, por edhe luftës kundër pushtimeve me forcat serbe dhe malaziase ndodheshin në Stamboll), domosodshmërisht u binte barra që ta merrnin përsipër luftën politike dhe diplomatike për shpëtimin e Shqipërisë.

Kështu, Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe disa të tjerë, në rrugë e sipër për në Vjenë, do t’i drejtohen Bukureshtit, ku do të mbajnë një tubim në të cilin do të bisedohet për fatin e Shqipërisë. Pa u përcaktuar për formën politike të saj, në Bukuresht do të vendoset që Ismail Qemali t’u drejtohet Fuqive të Mëdha, dhe më konkretisht Austro-Hungarisë si mbrojtëse të vetme për përkrahjen dhe shpëtimin e Shqipërisë. Gjatë takimit që do të ketë me ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë, Berhtoldin në Budapest, më 17 nëntor, Ismail Qemali do të marrë garancitë e Vjenës për një Shqipëri të pavarur, e cila duhej shpallur sa më parë, para se çështjet të vendoseshin në tryezën e konferencës ndërkombëtare, e cila parashihej të thirrej në fillim të dhjetorit.

Ajo që do të ndodhë nga 17 nëntori deri më 28 nëntor kur në Vlorë do të shpallet pavarësia e Shqipërisë shënon luftë me kohën për të përballuar rrethanat ndër më të pavolitshme që duhej të parandalonin shpalljen e aktit madhor historik.

Në Vlorë, megjithatë, përkundër shumë përpjekjeve kundër saj, më 28 nëntor 1912, do të shpallet pavarësia e Shqipërisë dhe kështu do të përmbyllet një proces i gjatë i përpjekjeve shumëshekullore të Shqiptarëve për pavarësi dhe liri.

Me këtë rast gjithsesi se ka rëndësi të theksohet ajo që tha Hasan Prishtina:

“Lufta ballkanike u be shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të një Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.

(Shkëputje nga “Kosova” III) / KultPlus.com

Buxhovi kthehet me dyqind libra në shkollën ku i ati i tij shpërndau gjitha abetaret që kishte për nxënësit

Historiani Jusuf Buxhovi sot është kthyer në shkollën ku i ati i tij shpërndau gjitha abetaret që kishte për nxënësit, me c’rast ishin gjithsej dhjetë abetare të cilat mjaftuan për udhën e shkronjave në atë pjesë të Dukagjinit nëpër të cilën kanë kaluar gjenerata e gjenerata drejtë dijës, përcjell KultPlus.

NË JUNIK – NGA ABETARJA DERI TE LIBRI LETRAR…

Veprimtaria e vetaranit të arsimit, tim Atë, Aziz Buxhovi, normalist i Elbasanit, nga viti 1946 , pas Drenicës, në vitin 1949-1950, vazhdoi në Junik. Ishte ndër mësuesit e parë të shkollës së sapohapur fillore. Asokohe, me vete solli dhjetë abetare për tridhjetë nxënësit. Aq kishte. Po, edhe aqë mjaftuan për udhën e shkronjave në këtë pjesë të Dukagjinit nëpër të cilën kaluan gjenerata e gjenerata drejtë dijës.

Shtatë dekada më vonë, aty ku im atë shpërndau abetarët e para, ktheva me dyqind libra, të shumtën vepra të mia letrare dhe historiografike, dhuratë nxënësve dhe arsimtarëve të kësaj shkolle, po edhe lexuesve të bibliotekës “Din Mehmeti”.

Natyrisht, tradita vazhdon – nga abetarja te veprar letrare…“, shkruan Buxhvoi në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Përkujtesë historike: Demonstratat e 27 nëntorit në Prishtinë

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Shtetndërtimi i Kosovës, i mbështetur mbi formulën e barazisë në federatën e atëhershme jugosllave, që praktikisht do të thoshte çlirim nga zgjedha serbe, fillon me demonstratat e nëntorit të vitit 1968, të nisura në Prizren më 5 nëntor dhe të vazhduara në disa qytete, për t’u kurorëzuar me ato në Prishtinë, më 27 nëntor. Këto demonstrata, ku për herë të parë doli në pah kërkesa për Republikën e Kosovës, ua hapën rrugën ndryshimeve të mëdha që u pasqyruan me themelimin e Universitetit të Kosovës në Prishtinë në vitin 1970 si dhe institucioneve të tjera kombëtare, prej nga u ngrit brezi i një inteligjencie arsimore, kulturore dhe politike që mori përsipër proceset e mëtutjeshme të avancimit të pozitës kushtetuese të Kosovës në federatën jugosllave, që do të sanksionohen me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974.Ideatorët dhe organizatorët e këtyre demonstratave do të mbesin në histori si shtysë e një procesi ndër më të rëndësishmit, që vuri në lëvizje ndryshimet historike me anën e kërkesave legale, jashtë konvencave ideologjike-revolucionare të viteve të pesëdhjeta dhe të gjashtëdhjeta mbi konceptin e një iredetizmi ideologjik. Ato vazhduan në vitin 1981, në vitin 1989, 1997, 1999 për t’u kurorëzuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. /KultPlus.com

Një dhuratë për Rita Orën, Jusuf Buxhovi i dhuron librin “Kosova”

“Kosova”, libri i gazetarit, publicistit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi do të jetë edhe në bibliotekën e Rita Orës, shkruan KultPlus.

Buxhovi është takuar me babain e Rita Orës, Besnikun, ku edhe i ka dhuruar këtë libër.

Më poashtë mund të lexoni njoftimin e plotë të Buxhovit.

Çfarëdo çasje për te Rita ORA, këngëtarja jonë me famë botërore, tashmë ikonë e identietit kulturor dhe shtetëror të Kosovës, kalon nëpërmes lidhjeve të saj me gjyshin, Besim Sahatçiu – regjisorit të njohur të brezit të artë të krijuesve, që me veprat e tyre artistike e shkencore, ndërtuan identietin institucional të shtetësisë së Kosovës.

Këto ditë, me të birin Besnikun, që jeton në Londër, përpak evokuam kujtime nga ajo kohë. Me këtë rast, shkëmbyem edhe libra. Nga Besniku mora monografinë “Besim Sahatçiu – një jetë për ekranin dhe skenën”. Ndërsa nga unë, me dedikim për Rita Orën, mori “Kosovën” në anglisht./ KultPlus.com

200 libra, dhuratë shkollës së Novosellës së Epërme

Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi bashkë me botuesin dhe donatorin Milaim Abdullahu, vizitoi dje shkollën fillore “Engjëll Jak Gjoni” në Novosellë të Eperme, ku i ati, Aziz Buxhovi – veteran i arsimit, kishte qenë mësuesi i parë i kësaj shkolle në vitin 1950. 

Me këtë  rast bibliotekës së shkollës si dhe arsimtrëve iu  dhuruan 200 libra nga veprat  më të reja: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi”, “Mona”, “Dosja B” si dhe veprat historiografike “Kosova – histori e shkurtër” dhe “Dardania”.

Veprimtarinë donatore prej 500 librash, autori do ta vazhdojë këto ditë edhe në Ponoshec dhe Junik, ku në  vitet 1949 dhe 1953, Aziz Buxhovi kishte shërbyer si mësues./KultPlus.com

Buxhovi me “Kosova”, “Dardania”, “Maqedonia” dhe “Mona” do të prezantohet në Panairin e Librit në Tiranë

Në Panairin Librit në Tiranë, në shtandin e botuesit “Faik Konica” do të jenë edhe veprat historiografike të shkrimtarit, historianit dhe publicistit Jusuf Buxhovi, si:  “Kosova” I-VIII, “Kosova – histori e shkjurtër”, “Dardania”, “Maqedonia” si dhe romanët e kohëve të fundit “Dosja B”, “Dushkaja” dhe “Mona”./ KultPlus.com

Lufta e Nacionaldemokrates Shqiptare kundër ripushtimit jugosllav dhe për bashkim shqiptar

Rishqyrtime historiografike (5)

(Forcat nacionaliste shqiptare nga radhët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit si dhe ato të Ballit Kombëtar iu kundërvunë ripushtimit të Kosovës dhe të Maqedonisë nga partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë .- Formimi i “Shtabit Suprem Ushtarak” në Anamoravë, mbajtja e Kongresit themelues të Nacionaldemokrates Shqiptare NDSH në Tanushë të Kopilaçës dhe bartja e qendrës së lëvizjes në Shkup. – Vendimi i “Shtabit Suprem Ushtarak” për t’u tërhequr në Greqi, dobësoi krahun ushtarak të Lëvizjes, por jo edhe rezistencën e mëtutjeshme në formë të luftës guerile si dhe veprimtarinë politike të NDSH-së nën platformën për luftën për krijimin e Shqipërisë së bashkuar, demokratike dhe perëndimore).

Nga Jusuf Buxhovi

Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) 1945-1947 lindi në rrethanat dramatike nëpër të cilat po kalonte bota shqiptare në prak të përfundimit të luftës antifashiste, me ç’rast ajo u ballafaqua me sfidat ekzistenciale, të cilat i vinin në njërën anë nga raporti i forcave të luftës, ku e majta dilte fituese dhe me këtë përcaktonte edhe sistemin shoqëror mbi baza ideologjike, dhe në tjetrën nga sferat e interesit të fuqive të mëdha me të cilat Jugosllavia si shtet ruante integritetin territorial të para shkatërrimit, gjë që edhe realitetin shoqëror dhe politik shqiptar të viteve të përbashkëta (1941-1945) e kthente në gjendjen e ndarjes që ia kishte përcaktuar Konferenca e Londrës dhe konfirmuar ajo e Paqes në Paris.

Në këto rrethana bota shqiptare ndodhej dyfish e hendikepuar: e ndarë në dy shtete, ndërsa e bashkuar ideologjikisht në sferën lindore. Kjo e dyta e kthente në kthetrat sllavokomuniste me pasoja të rënda dhe të paparashikuara. Sepse, ripushtimi i Kosovës dhe viset e tjera shqiptare, që për disa vite kishin jetuar në rrethanat e një bashkimi, u lidh me terrorin shtetëror. Filloi qërimi i hesapeve me inteligjencën shqiptare, patriotët si dhe forcat tjera, që luftonin për një ardhmëri të përbashkët, demokratike dhe perëndimore. Ishte kjo një luftë me të cilën synohej rrënimi i gjithëmbarshëm i vetëdijes historike të Shqiptarëve si popull i lashtë, që i kishte takuar qytetërimit perëndimor dhe hapësirës së tij.

Duke mos u pajtuar me këtë gjendje me të cilën atyre u rrënohej qenia si popull dhe qytetërim, forcat nacionaliste shqiptare, të cilat kishin qenë të lidhura me shtetin e bashkuar shqiptar, pa marrë parasysh se në çfarë rrethanash ishte krijuar ai, duke e konsideruar atë si të drejtë që u takonte kurdoherë për të cilën duhej luftuar pareshtur, iu kishin kundërvënë ripushtimit partizan të Kosovës dhe të viseve shqiptare në Maqedoni, e me këtë edhe vendosjes së komunizmit qysh në çastet e para të largimit të ushtrisë gjermane dhe paralajmërimit të futjes së forcave partizane shqiptare dhe jugosllave ngaqë e dinin fare mirë se çfarë po i përgatitej atyre dhe Shqipërisë.

Kështu, Ushtria Shqiptare dhe forcat e tjera patriotike në kuadër të Forcave të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të cilat edhe deri më atëherë vëmendjen kryesore e kishin përqendruar në mbrojtjen e vendit nga pushtimet sllavo-komuniste, ndonëse të shkapërderdhura, kishin bërë luftimet e para me partizanët jugosllavë që depërtonin nga verilindja (Presheva dhe Karadaku) dhe juglindja (Maqedonia). Ngjashëm ishte vepruar edhe në Pollo-gun e Maqedonisë (nga Shkupi, Kërçova e deri në Dibër), kur forcat nacionalliste kishin rikthyer hapësirën që deri më atëherë e mbanin të pushtuar forcat bullgare, të cilat, kishin vazhduar me terrorin kundër popullatës shqiptare.
Luftimet e para do të zhvillohen në Anamoravë dhe Luginën e Preshevës në tetor të vitit 1944 për të vazhduar edhe gjatë nëntorit dhe dhjetorit, kur një pjesë e rëndësishme e forcave të shkëputura patriotike, do të bashkohen rreth frontit të përbashkët të rezistencës kombëtare. Kjo do të ndodhë në Anamoravë me formimin e “Shtabit Suprem” nën drejtimin e Adem Gllavicës, i cili mori përsipër drejtimin e luftimeve në Gjilan, Ferizaj dhe pjesët e tjera të Anamora-vës, në mënyrë që e gjitha në prill të vitit 1945 të kthehet në një lëvizje të gjerë të rezistencës kombëtare nën platformën politike të “Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare”, e cila tashmë e kishte shpallur hapur luftën për një Shqipëri të bashkuar, të lirë dhe demokratike.

Andaj, nuk ishte e rastit që ideja për një organizim të përbashkët politiko-ushtarak, që do të udhëhiqte lëvizjen e rezistencës shqiptare, të vinte njëherësh nga Shkupi dhe Anamorava, ngaqë pikërisht këtyre pjesëve, krahas ndarjes Kosovë-Shqipëri në përputhje me atë që kishte sjellë Konferenca e Londrës, e Parisit e që e kishte konfirmuar ato ditë edhe Jalta, Shqiptarëve në përbërje të Ju-gosllavisë “së re e demokratike”, u vinte edhe një ndarje tjetër: nën Maqedoninë dhe nën Serbinë. Ndarja në republikat simotra shfaqej edhe më e rëndë, ngaqë ajo prekte themelet e etnisë shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë Perëndimore, e cila nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej kishte qenë qendër shpir-tërore dhe politike e Shqiptarëve në luftë për pavarësi kombëtare, ku Prizreni dhe Shkupi njësoj kishin ushqyer idetë e bashkimit shqiptar dhe të shtetësisë së tij. Në rrethanat e reja, Prizreni kthehej në qendër të një province (obllasti) nën Serbi, ndërsa Shkupi, qyteti më i madh shqiptar nga antikiteti, mesjeta dhe gjatë kohës së Perandorisë Osmane qendër e Vilajetit të Kosovës ku edhe kishte qenë epiqendra e zhvillimeve historike (1878-1912) që kishin sjellur pavarësinë e Shqipërisë, kthehej në qendër të shtetësisë të një kombi politikisht të formuar (Maqedonas), me detyrë që ta shuante identitetin shqiptar nga aty me anën e metodave të dhunës politike dhe shtetërore (privimi nga arsimi kombëtar, heqja gjuhës shqipe në administratë, stimulimi i emigrimit për në Turqi, sforcimi i turqishtes e të tjera) deri në shuarje të tyre fizike në të.

Si reagim ndaj kësaj gjendjeje, kur në Kosovë, Karadak dhe pjesët e tjera të Maqedonisë Perëndimore forcat patriotike nga radhët e Divizionit IV shqiptar dhe ato të Ballit Kombëtar po luftonin kundër njësive partizane dhe terrorit të tyre, në Shkup, i cili pas kapitullimit të forcave bullgare dhe larimit të atyre gjermane, për disa kohë kishte qenë në duart e ballistëve shqiptarë, gjatë muajit mars të vitit 1945, u shfaq “Organizata Nacional Demokratike Shqiptare”, e cila, luftës së filluar kundër ripushtimit jugosllav dhe për bashkimit shqiptar duhej t’i jepte një platformë të qartë politike. Ndaj, si e tillë, u themelua në shtëpinë e Hysniqemal Ejupit, në të cilën morën pjesë: Azem, Marana, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Hysniqemal Ejupi, Nebi Jonuzi dhe Nuredin Ibrahimi. Sipas organizatorëve, NDSH, në rrethanat e ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe ndarjes së saj midis Maqedonisë dhe Serbisë, si synim kryesor kishte bashkimin e Kosovës dhe viseve të tjera me shumicë shqiptare me Shqipërinë.

Që kjo të sendërtohet, NDSH dhe drejtuesit e saj u zotuan sa më shpejtë të vendosin lidhje vëllazërore me nacionalistët shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët ishin të shumtë por pa një qendër drejtuese.
Në kuvendin themelues, po ashtu, u tha se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ngritjes nacionale te Shqiptarët, me çka do të zgjerohet dëshira dhe vullneti i tyre për bashkim kombëtar.

Themelimi i ONDSH-së dhe programi i saj kombëtar nuk mbeti i pavërejtur. Nacionalistët shqiptarë, të cilët e kishin gjithnjë e më të qartë se pushteti popullor komunist po zhvillonte një veprimtari të hapur kundër Shqiptarëve dhe qenies së tyre, filluan t’i bashkohen asaj, veçmas pas copëtimit të hapësirës së tyre në shumë pjesë (Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës). Bie në sy se krahas nacionalistëve të devotshëm që nuk pajtoheshin me ripushtimin sllavo-komunist dhe ndarjen që sillte ai, do të jenë ish partizanë, pastaj prefektë komunash dhe të tjerë të përfshirë në radhët e nacionalçlirimtares, por të zhgënjyer nga mashtrime e saj, që do t’i bashkohen organizatës. I tillë ishte Rexhep Dauti nga Tanusha, i cili ishte komandant policie në Tanushë, Mulla Hajdar Kurteshi nga Kumanova – ish komisar politik i aradheve ushtarake të Sylë Hotlës, Mehmet Bushi, oficer – ushtarak dhe oficer në Tetovë e Gostivar, Jetish Vishi nga Vitia e Gjilanit e shumë të tjerë nga Maqedonia Perëndimore, Anamorava dhe Karadaku i Shkupit.

Masivizimi i shpejtë i ONDSH-së në Maqedoni si dhe ndërlidhja me Kosovën bëri që pjesët e ndryshme të rezistencës kombëtare në Kosovë dhe Maqedoni të ndërlidheshin ushtarakisht dhe politikisht, në mënyrë që lufta e tyre të jetë sa më e suksesshme. Kështu, në gusht të vitit 1945, “Shtabi Suprem i Kosovës” i drejtuar nga Adem Gllavica ftoi një takim të përfaqësuesve të njësive të kryengritësve shqiptarë dhe të organizatave të NDSH-së. Takimi u mbajt në Tanushë të Kopilaçës, më 15-16 gusht, midis Moravës së Epërme e Karadakut të Shkupit.

Komiteti i NDSH-së Shkupit, i cili ditë më parë edhe nga Hysen Tërpeza kisht marrë një ftesë për kongresin e përbashkët, për në Tanushë të Kopilaçës nisi Qemal Skënderin, Mexhid Zymberin, Rexhep Dautin dhe Xhemal Fazli Ferën.

Krahas përfaqësuesve të Shkupit në këtë tubim ishin edhe: Hysen Tërpeza, Adem Gllavica, prof. Ibrashim Kelmendi, Luan Gashi, Tefik Tanisheci, Hasan Kabashi – Vitia, Din Hoxha nga Kaçaniku, Qazim Sefa nga Llugaxhia, Qazim Soba, Hajriz Kajolli e të tjerë. Mbledhja mbajt në shtëpinë e Zylbehar Beqiri Ajvazi.

Hysen Tërpeza, bëri të ditur për lidhjet e vendosura me Komitetet e NDSH-së në Gjilan, Prishtinë, Prizren dhe së fundit edhe me atë të Shkupit. Në Kongres folën edhe Adem Gllavica, Luan Gashi dhe prof. Ibrahim Kelmendi, të cilët shpalosën platformën mbi të cilën duhej të zhvillohej veprimtaria kombëtare, qëllimi i së cilës është kundërshtimi i vendosjes së diktaturës sllavo-komuniste, mospranimi i copëtimit të trojeve shqiptare si dhe lufta për bashki-min shqiptar në një shtet demokratik dhe të lirë.

Kongresi emëroi Shtabin e Përgjithshëm të luftës me në krye Hysen Tërpezën në përbërje të të cilit ishin edhe Luan Gashi, Bajrush Xhakli (komandant i batalionit të dytë në malet e Presedelit), Rexhep Okllapi (komandant i batalonit të tretë në malet e Keçekollës), Shaban Haliti (komandant i batalonit të katërt), Syl Hasip Hotla (komandant i batalonit të pestë për Kumanovë e rrethinë) dhe Din Hoxha (komandant i batalionit të gjashtë). Në Shtabin e luftës ishte edhe Adem Gllavica i ngarkuar për propagandë. U vendos që prof. Ibrahim Klemendi të delegohet për propagandë në Shkup, ku NDSH do ta kishte selinë, kurse Luan Gashi do të kryente të njëjtat detyra në pjesët midis Suharekës dhe Prizrenit. Kongresi caktoi edhe komandantët e katër zonave operative.

Në fund, Kongresi doli me udhëheqjen e re të NDSH-së në krye me patriotin Halim Orana nga Gjilani. Qemal Skënderi u zgjodh zëvendëskryetar dhe Azem Marana sekretar i organizatës. Anëtarë të KQ të NDSH-së u zgjodhën: Hamdi Berisha, Mehmet Bushi, Hysen Rudi, Januz Balla, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Haki Efendi Sermaxhaj, Osman Cani dhe Mitat Tërshana.
Kongresi miratoi disa dokumente si “Skemën e organizimit” dhe “Programin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare” me pesë pika:

  1. Liri dhe pavarësi të plotë me të drejta vetëqeverimi në bazë të vullnetit të shfaqur lirisht;
  2. Nën tokat shqiptare kuptohet krejt vendet, ku banojnë Shqip-tarët, në 60% pa dallim se si quhet krahina e vendit dhe nga kush është pushtuar;
  3. Lëvizja nuk ka qëndrim armiqësor kundër asnjë populli fqinjë, as kundër partive politike, vetëm insiston në mënyrë kulturore dhe me armë do të përpiqet t’i arrijë idealet shekullore të kombit shqiptar që të jetë i lirë dhe vetë sundues në shtet të vet me kufij etnik;
  4. Mbasi të vendosën kufijtë etnik, pa marrë parasysh kushtet tjera të kufijve siç janë ato: strategjik, ekonomik, politik, etj… në mënyrë miqësore do të shkëmbehet popullata e pakicave nacionale, duke i tërhequr Shqiptarët që do të mbesin jashtë kufijve në vend të atyre që do të shpërngulen dhe do të përcillen jashtë;
  5. Në kohë paqeje, Lëvizja nuk do të pushojë, por do të vazhdojë si shërbim roje të drejtave të popullit shqiptar, si të atyre të brendshme, ashtu edhe të atyre të jashtme, ndërkombëtar t’ua organizua për regjim me të vërtet demokratik dhe për relacione miqësore me popujt fqinjë ballkanik.

Pas përfundimit të punimeve të Kongresit, të gjithë të deleguarit në qendrat e veta iu rrekën punëve për themelimin e komiteteve vendore të NDSH-së, të cilat duhej të marrin përsipër realizimin e vendimeve të marra në Kongres. Komitetet vendore të NDSH-së u themeluan në të gjitha rrethet e vendit, të cilat ishin të lidhura me Komitetin Qendror të NDSH-së në Shkup.

Shema organizative që e lidhur me qendrën në Shkup kishte arsye praktike, por edhe strategjike, me anën e të cilave synohej që të ndërlidhej puna e lëvizjes me karakterin e saj kombëtar, ku Shkupi si qendër kundërshtonte jo vetëm ndarjen që u ishte bërë Shqiptarëve në dy pjesë (Serbi – Kosova dhe Maqedonia Perëndimore në Maqedoni), por edhe demonstronte unitetin politik dhe shpirtëror në përputhje me të drejtën historike dhe etnike të tyre.

Kongresi i bashkimit në Tanushë të Kopilaçës si dhe platforma politike që u aprovua aty për veprim ushtarak dhe politik në të gjitha pjesët drejt sendërtimit të synimeve të përcaktuara: bashkimi kombëtar si dhe lufta kundër komunizmit krijoi një atmosferë mobilizimi te grupet e shkapërderdhura, por njëherësh ngriti gatishmërinë e pushtetit komunist jugosllav dhe atij shqiptar “në luftë të pakompromis kundër reaksionit” dhe “shërbëtorëve të tyre”, që rëndom identifikoheshin si “kuislingë”, meqë kështu fshiheshin aspiratat dhe qëllimet e njëmendta siç ishte bashkimi kombëtar dhe lufta kundër komunizmit. Kështu, në Maqedoni dhe Kosovë, pushteti ushtarak, i cili nga fillimi kishte goditur pamëshirshëm gjithçka shqiptare, kishte filluar operacionet e gjera në ndjekje të pjesëtarëve të NDSH-së dhe të strukturave të tyre politike dhe ushtarake, që përhapeshin në të gjitha anët. Kreu i NDSH-së në Shkup, konkretisht prof. Ibrahim Kelmendi do t’i kundërpërgjigjet me hapjen e degëve të organizatës në të gjitha qytetet e vendit si dhe të shtrirjes së nëndegëve të tyre në thellësi si dhe me venien e lidhjeve me përfaqësuesit e huaj në Maqedoni, ku me interes shfaqeshin ata anglezë dhe të Turqisë.

Lidhjet e para me përfaqësuesin e konsullatës britanike në Shkup si dhe me atë turk u vunë me anën e një letre që u ishte drejtuar diplomatëve anglezë dhe atyre turq, ku njoftoheshin me qëndrimin e Shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Kosovës rreth bashkimit me Shqipërinë dhe se për këtë arsye “mijëra shqiptarë janë duke luftuar me shpresë të madhe se do të kenë përkrahjen e Perëndimit, posaçërisht nga faktori anglo-amerikan”.

Krahas këtij njoftimi të përgjithshëm, konsullit turk i ishte bashkangjitur edhe një njoftim tjetër në të cilin i bëhej me dije për veprimet përçarëse të pushtetit jugosllav, me anën e të cilave popullsia turke, jo vetëm që po mbështet politikën jugosllave ndaj Shqiptarëve, por disa aktivistë të saj janë vënë në shërbim të verbët të saj duke bërë çmos që ata të deklarohen turq.

Profesor Ibrahim Kelmendi kërkon nga konsulli turk që të shqyrtojë seriozisht këtë çështje dhe të ndikojë te eksponentët e pushtetit jugosllavë të heqin dorë nga kjo politikë, e cila mund të jetë e dëmshme për të dy popujt.
Por, në vlugun e këtyre aktiviteteve politike, që po ndërmerrte prof. Ibrahim Kelmendi nga Shkupi për masivizimin e NDSH-së, gjë që kjo edhe do të shfaqet me suksese të konsiderueshme, hetohet rënia e aktivitetit ushtarak si dhe tërheqja nga veprimtaria e kundërvënies së armatosur regjimit komunist jugosllav në përputhje me vendimet e Kongresit të Tanushës, kur edhe ishte themeluar Shtabi Suprem Ushtarak bashkë me zonat operative. Kjo kishte ndodhur pasi që Hysen Tërpeza komandant i Shtabit të Përgjithshëm në përputhje me një vendim që kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm në fillim të tetorit në Tanushë, me anën e një letre, njoftonte qendrën e Shkupit për tërheqjen e Shtabit Ushtarak drejt Greqisë. Në këtë letër kërkohej nga prof. Kelmendi që të jepej pëlqimi i qendrës së NDSH-së për këtë veprim, i cili arsyetohej me qëndrimin që ishte marrë nga kërkesa që ushtarakëve (Adem Gllavicës dhe bashkëpunëtorëve të tij) u ishte drejtuar nga Mit’had Frashëri dhe Muharrem Bajraktari që ata të kalonin në Greqi për të hyrë në shërbim të planeve globale anglo-amerikane për destabilizimin dhe rrënimin e pushtetit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, kurse “çështja e çlirimit dhe e bashkimit të tokave shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia do të vijë si pasojë e ndryshimeve të sistemit në dy vendet fqinje, Shqipërisë dhe Jugosllavisë”.

Qendra e NDSH-së në Shkup nuk do të pajtohet me këtë vendim. Komiteti Qendror i saj do të reagojë me qëndrimin se do të luftohet deri në përmbushjen e idealeve kombëtare. Ngjashëm reagoi edhe Mulla Idrizi nga Gjilani, i cili me disa njësi ndodhej në pjesët e thella të malësisë së Karadakut. Ai kërkonte që të hiqej dorë nga arratia, sepse “nuk ka me shkue gjatë”.

Edhe përkundër thirrjes së KQ të NDSH-së si dhe të Mulla Idrizit dhe disa patriotëve të tjerë që gjendeshin nëpër njësitë guerile dhe luftonin për aq sa mundeshin, forcat kryesore ushtarake të drejtuara nga Shtabi i Përgjithshëm, nga tetorit i vitit 1945 e deri në dhjetor, mori rrugën e vështirë dhe të rrezikshme të tërheqjes për në Greqi, rrugë kjo të cilën shumë prej tyre nuk do ta arrijnë, ngaqë do të jenë forcat jugosllave që do t’u vihen pas dhe hap pas hapi do t’i ndjekin duke u sjellë humbje të rënda, me ç’rast disa njësi do të shuhen fare.

Nëpër të tilla pusi do të vritet edhe Mefail Shehu – Zajazi, i cili mori rrugën për në Greqi me mbi 100 luftëtarë, por ra në një pritë partizane bashkë me shumë luftëtarë, të cilët ishin duke pritur që të bashkoheshin me njësitë tjera që kishin marrë këtë rrugë.

I fundit që do të niset për në Greqi ishte grupi i Hysen Tërpezës dhe Hasan Kabashit. Këtë rrugë ata e morën nga gjysma e nëntorit. Atyre iu bashkuan edhe grupe të tjera që vepronin në Zhegoc, Kopilaçë të Ferizajt dhe Kaçanik.
Me largimin e njësive kryesore ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm për në Greqi bashkë me ushtarakët e rëndësishëm që i drejtonin ato (fjala është për oficerë të shkolluar), filloi të bjerë edhe intensiteti i rezistencës së armatosur ndaj regjimit sllavo-komunist, i cili kishte filluar të vendosej në Kosovë dhe në Maqedoni në përputhje me realitetet e Jugosllavisë komuniste, realitet ky që etninë e deriatëhershme shqiptare të shkëputur nga trungu i saj në vitin 1912, tash e ndante në dy pjesë: në atë brenda republikës së Maqedonisë si pjesë e federatës jugosllave dhe në krahinën “provincën” e Kosovës nën Serbi. Kjo ndarje, bëhej edhe më e rëndë për Shqiptarët ngaqë Shkupi, qytet antik dhe kryeqendër e Vilajetit të Kosovës bashkë me Tetovën, Gostivarin dhe pjesët e tjera të Pollogut, shkëpute-shin nga Kosova, qendër kjo graviteti e botës shqip-tare nga Kriza Lindore e këndej, me çka në rrethanat e reja që të dy pjesët margjinalizoheshin së tepërmi, që si do të shihet, për Beogradin dhe Shkupin diktatura komuniste do t’iu ofrojë mundësi të shumta që të vazhdohet politika e tyre të njohur antishqiptare e pasqyruar nëpërmes asimilimit dhe e shpërnguljes së tyre për në Turqi.

Por, si do të shihet, edhe përkundër largimit të krahut ushtarak në Greqi dhe Gjermani, NDSH-ja nuk do të pushojë veprimtarinë e filluar. Degët e saj të shkapërderdhura në Kosovë dhe Maqedoni do të vazhdojnë të ruajnë frymën e rezistencës kombëtare qoftë me veprimtari politike, qoftë edhe me përdorimin e luftës guerile në disa pjesë të vendit, e cila do të jetë e pranishme edhe gjatë dy viteve të ardhshme përkundër përgjigjes së ashpër që do ta marrë nga regjimi komunist, i cili krahas pushkatimit të militantëve, mbushi burgjet me gjithë ata intelektualë shqiptarë që nuk ishin të gatshëm të bëheshin pjesë e mashtrimit të ri ideologjik nën parullat e vëllazërim-bashkimit.

(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 399-406) / KultPlus.com

Zgjerimi i lëvizjes së rezistencës kombëtare dhe lufta e Drenicës

Rishqyrtime historiografike (3)

(Fillimi i rezistencës kombëtare shqiptare në Anamoravë si dhe bartja e saj në Ferizaj e Gjilan – veprim patriotik kundër ripushtimit serb. – Lidhja e parë e grupeve të shkëputura të rezistencës nën drejtimin e “Shtabit Suprem” në dhjetor të vitit 1944 për të penguar futjen e aradheve serbe. – Zgjerimi i lëvizjes së rezistencës në të gjitha pjesët e Kosovës si dhe shpallja e saj “kundërrevolucion”. – Fillimi i operacioneve të ushtrisë jugosllave kundër kryengritësve shqiptarë si dhe terrori ndaj popullatës së pambrojtur nga aradhet partizane jugosllave. – Shaban Polluza refuzon të shkojë në frontin e Sremit me aradhen e tij dhe kthehet në Drenicë, ku edhe fillon luftën kundër partizanëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë. – Pas shtypjes së përgjakshme të rezistencës kombëtare në Drenicë, aradhet partizane nga Shqipëria, marrin pjesë në spastrimin e Drenicës “nga bandat reaksionare” dhe bëjnë mobilizimin e dhunshëm të Shqiptarëve për në fronin e Sremit dhe frontet e Adriatikut, ndërsa “reaksionarët” dhe dezertorët ua dorëzojnë partizanëve jugosllavë shumë prej të cilëve do të pushkatohen).

Nga Jusuf Buxhovi

Në fillim të dhjetorit, pasi që të ketë arritur dekreti për qërimin e hesapeve me ata që nuk ishin komunistë dhe nuk i takonin lëvizjes partizane, të cilët njëherësh cilësoheshin si antikomunistë dhe reaksionarë (të tillë ishin rreth nëntëdhjetë për qind të Shqiptarëve), pikërisht ditën e dytë të këtij muaji, më 2 dhjetor, do të shënohen luftimet e para të forcave të rezistencës shqiptare me njësitë okupuese partizane serbe në Ferizaj dhe pastaj edhe në Gjilan më 23 dhjetor. Në Ferizaj ato u drejtuan nga Hysen Tërpeza. Ndërsa në Gjilan nga kleriku patriot, Mulla Idriz (Hajrullahu), po ashtu anëtar i “Shtabit Suprem” që tashme vepronte në kuadër të Komitetit të Rezistencës Kombëtare. Ky komitet, kishte punuar me të madhe që grupet e shkapërderdhura të rezistencës të ndër-lidheshin dhe të vepronin bashkërisht kundër ripushtimit të Kosovës nga serbët, që bëhej nën maskën e bashkëpunimit partizan midis komunistëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë, aradhet e të cilave kishin ndikuar që me mashtrime për gjoja “zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare”.

Burimet jugosllave, në luftimet e Ferizajt deri në Gjilan, që zgjaten gjatë gjithë dhjetorit, përmendin pjesëmarrjen e mbi katër mijë si thuhej “ballistëve shqiptarë”. Sipas burimeve të tërthorta, kjo shifër, përafërsisht mund t’i përgjigjej realitetit madje të ishte edhe më e madhe. Por, jashtë pretendimit se kryengritja e Shqiptarëve, apo si quhej “kundërrevolucioni”, kishte një komandë ushtarake shumë profesionale prej nga drejtohej si dhe shtabe “të fuqishme” jashtë vendit dhe me këtë rast përmendej herë Xhafer Deva dhe Vjena e herë aludohej në ndonjë qendër perëndimore, gjë që këto nuk mund të ishin kompatabile, prej nga ajo mbështetej edhe me armë.

Madje, edhe informatat se në Kosovë gjendej “i fshehur” Divizioni SS “Skënderbeg” me shtabin operativ të “Ballit” edhe më tutje të ndërlidhur me Gjermanët në Vjenë, nuk kishte të bënte me realitetin. Ngaqë ky divizion, për-masat e përmendura (gjashtë mijë veta), nuk i kishte arritur asnjëherë. Ndërkohë që në prag të tërheqjes së korparmatës “E” gjermane drejt veriut, një pjesë e tyre ishin demobilizuar, ndërsa vetëm njësitë elite ishin tërhequr bashkë me forcat gjermane. E njëjta vlente edhe për një pjesë të mirë të forcave balliste, të cilat kishin qenë në shërbim të shtetit shqiptar dhe assesi në shërbim të Gjermanëve, siç i anatemonte propaganda partizane, pas luftimeve të para me partizanët, që pa ndonjë shpresë se do të mund të mbështeteshin nga aleatët, shumë prej tyre do të tërhiqen në drejtim të Jugut, për në Greqi dhe gjetiu, kështu që njësi të organizuara të këtyre formacioneve nuk kishte në Kosovë.

Në të vërtetë, në këto luftime, që do t’u paraprijnë atyre që, ku më pak e ku më shumë, do të shfaqen thuajse në të gjitha pjesët e Kosovës, bëhej fjalë për nacionalistë shqiptarë nga radhët e forcave mbrojtëse të Lidhjes II të Prizrenit, të Ballit Kombëtar, Legalitetit si dhe “dezertorëve” të shumtë, që ishin shkëputur nga njësitë e Vermahtit në tërheqje e sipër, që nuk mund të rrinin duarkryq kundruall terrorit serb. Në këto luftime, po ashtu do të përfshihen edhe “dezertorë” partizanë, nga aradhet partizane shqiptare (nga Shqipëria dhe Kosova), të cilët ishin larguar prej tyre pasi që të kenë parë se në Kosovë kishte filluar një luftë ndryshe, pra ajo për rikthimin e saj nën Jugosllavi, siç do t’i bashkohen edhe njësitë e shumta të mobilizuarve dhunshëm, të cilat nuk pranonin të shkonin në Vojvodinë dhe frontin e Sremit ( ato të Shaban Polluzhës nga Drenica dhe të tjera). Kështu që, mozaiku i rezistencës kombëtare, fuqinë kryesore e përthithte edhe nga vullnetarët e shumtë, që i bashkoheshin luftës në përputhje me ritmin dhe shtrirjen e saj që përhapej me thirrjen patriotike për mbrojtjen e atdheut nga “pushtimi i shkijeve”, së cilës i përgjigjeshin pjesa më e madhe e popullatës, edhe pse e pa përgatitur për luftë dhe pa armatim të nevojshëm. Kështu kishte ndodhur në luftën e Ferizajt, atë të Gjilanit, në Karadak dhe në gjithë vendin, për të kulmuar me luftën e Drenicës, ku edhe do të marrë epilogun tragjik.

Shpërthimi i rezistencës kombëtare në Ferizajt dhe në Gjilanit (nga filli-mi i nëntorit) kundër partizanëve jugosllavë si dhe formësimi i tij në rezistencë të hapur kombëtare me shtrije në gjithë Kosovën dhe në Maqedoni, ku njësitë e ballit nën drejtimin e Xhemë Gostivarit kishin marrë përmasa të mëdha, nuk ishte i rastit. Atij do t’i paraprijnë kundërvëniet energjike depërtimit të forcave partizane në anën e Anamoravës, të Podujevës dhe të Karadakut, që do t’u bëhen nga forcat mbrojtëse të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që ndonëse të shkapërderdhura, do të përpiqen që t’ua ndalin toruan njësive partizane, të cilat në këto pjesë, sapo futeshin, fillonin me zbatimin e urdhrave për “pastrime”, në shënjestër të të cilave ishin intelektualët dhe forcat tjera patriotike. Aradhet partizane jugosllave, po ashtu, nëpër katunde, konfiskonin dhunshëm edhe pasurinë private dhe pronat, pa ngurruar që të provokonin në forma të ndryshme popullatën, në mënyrë që me rastin e çfarëdo reagimi të pasojë dhuna e ashpër revolucionare e përcjellë me burgosje dhe pushkatime të atypëratyshme.

Në këtë rrethana, patriotët dhe ushtarakët nacionalistë, do të bashkohen në disa pjesë, të shumtën rreth personaliteteve me ndikim që vepronin nga Zona IV mbrojtëse e Kosovës, siç ishin ing. Adem Gllavica (i njohur edhe si Adem Selimi), Qazim Sefa Llugaxhia, prof. Ibrahim Kelmendi, Luan Gashi, Hysen Tërpeza, Mulla Idriz Gjilani, Abdyl Henci e të tjerë në pjesën e Kosovës Lindore nga Presheva, Gjilani e deri në Ferizajt, të cilët do të vihen në ballë të rezistencës.

Shumë prej këtyre personaliteteve ishin prefektë komunash gjatë kohës së Qeverisë Shqiptare (1943-1944), të cilët, në kapërcyllin dramatik midis largimit të ushtrisë gjermane dhe të futjes së aradheve partizane (atyre shqiptare dhe jugosllave që erdhën pas tyre), ishin të përkushtuar ta ruanin vendin, duke u vënë në krye të njësiteve vendore vullnetare jashtë ndonjë lidhjeje rajonale. Hysen Tërpeza, njëri ndër prefektët vendorë në Pozharan, e sqaron më së miri këtë gjendje kur thotë se “ne nuk kishim ndonjë shtab të veçantë, në kuptimin konkret të fjalës. Mirëpo, secili kryetar i komunës komandonte njerëzit e komunës së tij. Kështu pra, Pozharani e kishte udhëheqësin e vet, Parteshi të vetin, Bresalci të vetin dhe kështu me radhë.”

Më tutje, ai thotë se “ne ishim vullnetarë, të prirë nga vullneti dhe atdhe-dashuria dhe shkonim nga beteja në betejë për ta mbrojtur Shqipërinë Etnike”, e kësaj i duhej edhe një organizim i përbashkët ushtarak , i cili do të pasojë.

Sipas, Tërpezës, beteja e parë e tillë kishte qenë ajo për mbrojtjen e Pre-shevës, prej nga kishte filluar marshimi i forcave partizane drejt Kosovës bashkë me zullumin ndaj Shqiptarëve, të cilit duhej bërë ballë, por që kjo kërkonte një lidhje të përbashkët, gjë që nënkuptonte një organizim të gjerë në mënyrë që patriotizmi vendor të mbështetej edhe mbi një qëllim të caktuar politik veç-mas kur dihej se pas humbjes së gjermanëve pritej prishja e kufijve. Në ato rrethana, bëhet e ditur për një takim midis H. Tërpezës, prof. Ibrahim Kelmendit, Mulla Idrizit, Adem Gllavicës, Qazim Llugaxhiut, Adem Stanqiqit, Fazli Seferit dhe shumë të tjerëve në Tërpezë ku kishin qenë edhe disa misionarë anglezë, të shoqëruar nga Shefqet Shkupi. Aty ishte biseduar që rezistenca kundër fuqive pushtuese partizane të drejtohej nga një Shtab Suprem i Kosovës.

Pas mbajtjes së Kongresit, pas një vendimi që ishte marrë më 27 nëntor 1944 në katundin Petkoviq të Gjilanit, forcat patriotike nga radhët e rezistencës kombëtare tashmë në përbërje të “Shtabit Suprem të Kosovës”, gjithnjë në përpjekjet që të pengohej ripushtimi nga aradhet partizane, të cilat krahas terrorit që ushtronin ndaj popullatës së pambrojtur me pretekst se “po luftonin reaksionin” , zëvendësonin edhe administratën e deriatëhershme shqiptare me atë komuniste të nacionalçlirimtares (hiqeshin flamujt kombëtarë që zëvendësoheshin me ata partiakë dhe jugosllavë), pra në këto rrethana, më 1 dhjetor sulmuan qytetin e Ferizajt, një nyje e rëndësishme që lidhte Prishtinën, Prizrenin e Gjilanin me Shkupin. Aty u zhvillua një përleshje e ashpër midis nacionalistëve dhe partizanëve jugosllavë (rreth 3 mijë të ardhur nga Shkupi e rrethe të tjera nga radhët e Batalionit III dhe IV të Kosovës), e cila zgjati tri ditë .

Në fushë të betejës ranë rreth shtatëdhjetë nacionalistë dhe mbi 400 partizanë, midis të cilëve edhe kapiteni i OZN-nas Bozho Prlja, i njohur për krimet në Ferizaj ndaj nacionalistëve si dhe Milosh Muiq, komandant i batalionit III.

Luftëtarët nacionalistë që u vranë vinin nga katundet Goden (katund i Karadakut të Shkupit) dhe aato përreth: Davidoc, Jazerc, Petrovë, Reçak, Shtimje dhe Dramjak. Forcat nacionaliste, pas tri ditësh u tërhoqën nga Ferizaj ngaqë nuk ishin në gjendje të përballonin rrethimin e madh të partizanëve që u vihej nga të gjitha anët.

Lufta e Ferizajt me të shpejtë u bart edhe në pjesët e tjera. Në fillim të dhjetorit, shpërtheu një kryengritja e forcave nacionaliste e drejtuar nga Rushdi Janjeva, i cili sulmoi qendrën dhe për një kohë ia doli t’i ndjekë forcat partizane, të cilat u kthyen, vetëm pasi që u erdhën përforcime të mëdha nga Shkupi.

Një tjetër luftë midis nacionalistëve dhe partizanëve serbë dhe maqedonas, që depërtonin nga dy drejtimet ishte zhvilluar në pjesën e Gollakut më 2 janar të vitit 1945. Mulla Idizi i Gjilanit, një klerik patriot, i cili nuk ishte pajtuar me ripushtimin sllavo-komunist të Kosovës dhe kishte qenë përkrahës i organizimit të Komitetit Kombëtar, kishte mbledhur rreth veti forca të konsiderueshme nacionalistësh, të cilët synonin që ta çlironin Gjilanin nga partizanët serbë dhe maqedonë, të cilët, kishin filluar të terrorizonin popullatën shqiptare.

Në luftën e Gollakut, e cila zgjati tri ditë, forcat nacionaliste shkatërruan pjesën më të madhe të forcave partizane, të cilat u tërhoqën në Gjilan, të ndjekura nga nacionalistët shqiptarë, të cilët ngulmonin të futeshin në Gjilan, ku prej ditësh mbaheshin shumë të burgosur shqiptarë. Forcat e Mulla Idrizit nuk ia dolën ta marrin Gjilanin, edhe përkundër luftës heroike, ngaqë partizanëve të rrethuar u erdhën në ndihmë tri aradhe nga Shkupi dhe një nga Leskoci i Serbisë, të cilat ia dolën që të largojnë forcat nacionaliste. Me këtë rast, partizanët serbë dhe maqedonas ushtruan një hakmarrje të përgjakshme ndaj qytetarëve të Gjilanit, me ç’rast masakruan gjithë të burgosurit shqiptarë dhe qytetarë të tjerë, ndër të cilët edhe 72 gra e vajza.

Pasi që të jetë shtypur me gjak rezistenca e fillimit të dhjetorit në Ferizaj dhe Gjilan dhe ajo e zgjerimit të saj në drejtim të Qyqavicës dhe Vushtrrisë, ku po ashtu do të ketë kundërvënie ndaj forcave partizane jugosllave, po edhe hakmarrje të egër ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare, gjatë ditëve të fundit të dhjetorit dhe të parave të janarit, kur edhe më tutje do të vazhdojë mobilizimi i dhunshëm i të rinjve të Kosovës dhe dërgimi i tyre në drejtim të Veriut dhe të Adriatikut – prej nga edhe do të fillojnë të vijnë lajmet rreth fatit të zi të tyre në Tivar me helmimin e tyre në Shibenik – forcat e rezistencës shqiptare tashmë të bindura se të ashtuquajturat marrëveshje me partizanët rreth vendosjes së pushtetit popullor “në përputhje me vullnetin e popullit” nuk paraqesin tjetër pos një kurth për ripushtimin e Kosovës nga partizanët jugosllavë të ndihmuar nga ata shqiptarë dhe në marrëveshje të ngushtë me ta, do të mundohen ta shfrytëzojnë kartën e mobilizimit kundër mobilizimit me çka ajo thelloi edhe më tutje hendekun midis nacionalistëve shqiptarë dhe pushtuesve sllavo-komunistë.

Shaban Polluzha, i cili fillimisht kishte marrë pjesë në mobilizimin e Shqiptarëve si dhe në krijimin e dy njësive që do të nisen për në Veri, do të fillojë të bëjë një mobilizim të ri pa njohurinë e Shtabit Operativ, jashtë atij që udhëhiqej nga Brigada VII e Kosovës, e cila ishte përgjegjëse për këtë veprim-tari. Pas disa “sqarimeve”, megjithatë, Shaban Polluzha do të pranojë që njësitë që kishte mobilizuar në pjesën e Drenicës (rreth katër mijë luftëtarë) t’i nënshtroheshin përgatitjes që bënte Brigada VII dhe të niseshin në Veri.

Eshaloni i parë prej dymijë e pesëqind vetash, pa Shaban Polluzhën, do të niset nga Vushtrria në drejtim të Podujevës më 20 janar. I përcjellë nga Divizioni 46 serb, do të arrijë në Kurshumli prej nga do të drejtohet për në Srem. Më 22 janar, eshaloni i dytë i të mobilizuarve, i përcjellë nga Divizioni i 46 serb dhe Brigada VII e Kosovës, me rreth dy mijë veta, në krye të të cilit ishte Shaban Polluzha, do të niset në drejtim të Podujevës. Nga Vushtrria, duke kaluar nëpër katundet Banjë, Gllavnik dhe Dumnicë e Poshtme, Eshaloni do të fillojë të shkapërderdhet pak nga pak.

Të mobilizuarit do të largohen nëpër katundet përreth me arsyetimin se nuk dëshironin të shkonin në Veri ndërkohë që Kosova mbushej me brigada partizane serbe, të cilat ushtronin terror ndaj Shqiptarëve.Të nesërmen, eshaloni i të mobilizuarve që udhëhiqte Shaban Polluzha arriti në Podujevë, por aty u ndal. Qëndrimi i tyre ishte i prerë: do të mbetemi në Kosovë dhe do të luftojmë në të po qe se është nevoja ta mbrojmë. Që të binden për të vazhduar më tutje rrugën për në Srem, në bisedime me Shaban Polluzhën do të futet personalisht Fadil Hoxha, Komandant i Përgjithshëm i Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, i shoqëruar nga Ismet Shaqiri.

Bisedimet nuk do të kenë sukses, meqë detyra e Fadil Hoxhës ishte që të bindte Shqiptarët të merrnin rrugën e Veriut, ndërsa qëllimi i Shaban Polluzhës ishte që me këtë refuzim të krijonin rrethana për krijimin e një fronti mbrojtës të Kosovës nga çetnikët serbë dhe bandat që depërtonin nga Veriu, gjë që nuk varej nga Fadil Hoxha.

Gjatë kohës sa zhvilloheshin bisedimet, Brigada e 46 serbe filloi për-gatitjet ushtarake te Lluzhani për bllokimin e kthimit të njësive shqiptare, të cilat do të bëhen pa dijeninë e Fadil Hoxhës, i cili nuk ishte i interesuar për një konflikt të Shqiptarëve me njësitë partizane jugosllave, ngaqë e dinte se çfarë epilogu tragjik do të kishte për Kosovën.

Konflikti dukej i pashmangshëm, çastin që disa njësi, do të thyejnë urdhrin e nisjes kah Veriu dhe do të shpërndahen pa u penguar nga forcat serbe që kishin vënë “barikadimin” te Lluzhani, në grupe të vogla për të kaluar Llapin dhe pastaj Sitnicën, por që do të sulmohen pas shpinës dhe pastaj, në mbrojtje e sipër nga sulmet e batalionit serb, do të fillojnë të rigrupohen kah katundet Ne-volan, Resnik, Kulë dhe Shalicë.

Kjo do të mjaftojë që të nesërmen Shtabi Operativ i Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Kosovës, nën direktivën e Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Jugosllavisë dhe të Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë të japin dritën e gjelbër për luftë të armatosur, si thuhej, “kundër kundërrevolucionit dhe të reaksionit të brendshëm, i cili kishte shpërthyer në Kosovë”.

Kthimi i njësive të Shaban Polluzhës në Drenicë, pasi që ai pa rrethimin e vënë nga Divizioni 46-të dhe Brigada VI kosovare si dhe “shpallja e kundërrevolucionit” në Drenicë nga ana e Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Kosovës hapi faqen tragjike të luftës së Drenicës midis forcave të Rezistencës Kombëtare kundër ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës nga partizanët jugosllavë të ndihmuar edhe nga ata shqiptarë nga radhët e njësive partizane të UNÇ të Shqipërisë si dhe të UNÇ të Kosovës.

Sipas shënimeve jugosllave dhe atyre të brigadave partizane shqiptare, Shaban Polluzha në Drenicë rreth vetes kishte gjashtë mijë luftëtarë, të shumtën vullnetarë, që komandoheshin nga një numër ushtarakësh, të armatosur me armë të lehta dhe pa rezerva të duhura ushtarake për ndonjë luftë më të gjatë.

Të rrethuar nga të gjitha anët nga njësitë partizane ata ishin të shkëputur nga pjesa tjetër e vendit dhe të shkëputur nga çfarëdo ndihmë që mund t’i vinte nga jashtë. Fjala pra ishte për një luftë të pabarabartë dhe me anatemën e “kundërrevolucionit”. Në këto rrethana, më një shkurt 1944 Shtabi Operativ i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës dha urdhrin për mësymje të përgjith-shme kundër forcave të Rezistencës Kombëtare në Drenicë, të drejtuara nga Shaban Polluza, Mehmet Gradica dhe Adem Voca.

Në sulmin e përgjithshëm kundër luftëtarëve të Drenicës u mobilizuan tre divizione jugosllave (46, 52 dhe 24), një brigadë e motorizuar si dhe Brigadat III, IV dhe V kosovare. Nga Mali i Zi arriti Brigada I e Bokës dhe Brigada malaziase e Kotorrit.

Nga një urdhëresë e Shtabit Operativ të UNÇ të Kosovës të datës pesë shkurt 1944 shihet se luftimet kanë qenë të ashpra në një front të gjerë nga veriu i Mitrovicës e deri në shpatet jugore të Kopaonikut, ku thuhet se në këtë pjesë forcat e Adem Vocës janë shkatërruar, por ato të Shaban Polluzhës, me një fuqi prej pesë mijë ushtarësh, “po japin një rezistencë të fortë, sado që rrethi i tyre po shtrëngohet”.

Nga kjo urdhëresë mësohet se kryengritja ka filluar të përhapet edhe në disa pjesë jashtë rrethimit, në Tunik dhe Rakosh në drejtim të Gjakovës dhe të Istogut.

Sipas njoftimeve jugosllave luftimet e ashpra u zhvilluan nga 7-12 shkurti, me ç’rast njësitë partizane patën humbje të mëdha dhe u desh të përforcohen edhe me Divizionin 24 dhe Brigadën I Malaziase të Bokës dhe atë të Kotorit, në mënyrë që ato më të ashprat, pra pasi që njësitë partizane të kalojnë në ofensivë të plotë, të zhvillohen nga 12-22 shkurt.

Nga një njoftim i Shtabit Operativ të UNÇ të Kosovës të nënshkruar nga Fadil Hoxha më 12 shkurt thuhet se “forcat e armikut në Drenicë ende nuk janë asgjësuar. Armiku po reziston shumë. Brigadat tona po kalojnë njëkohësisht në sulm, kështu që armiku vetëm në një sektor po mundet të rezistojë.”

Pra, F. Hoxha kërkon: “ nga të gjitha anët të bashkohet rrethimi dhe të kalohet në një sulm të përgjithshëm, deri sa të eliminohet armiku”.

Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se me “sulmin e përgjithshëm deri sa të eliminohet armiku” do të ngarkohen Brigada I dhe IV e komanduar nga kolonel Petar Brajeviq, i cili mori përsipër operacionet e fundit kundër Shaban Polluzhës dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në Gollupovë. Gjatë këtyre luftimeve forcat e mëdha partizane, pasi që kishin thyer krahun kryesor të forcave të Rezistencës Kombëtare në shumë pjesë dhe shumë prej tyre ishin shkëputur nga veprimet e mëtutjeshme luftarake, ose shkatërruar fare, kishin rrethuar Shaban Polluzhën.

Shaban Polluzha me luftëtarët që kishte pranë ishte munduar dy herë të shpërthente rrethimin, por i plagosur rëndë kishte vdekur në Çikatovë. Në atë betejë ishin vrarë edhe kapiten Mehmet Gradica, Miftar Bajraktari dhe djali i Shaban Polluzhës, Miftari.

I njëjti skenar lufte, do të përdoret edhe me të mobilizuarit që Adem Voca prej ditësh po i tubonte në trekëndëshin: Vushtrri-Mitrovicë-Shalë. Për ndryshim nga Shaban Polluzha, i cili kishte kërkuar të bënte bisedime me Shtabin Operativ të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, që komandohej nga Fadil Hoxha, Voca kishte hyrë në bisedime me funksionarët e lartë partiakë Ali Shukrinë dhe Spasoje Gjakoviqin. Ky i fundit, asokohe udhëhiqte shërbimin informativ ushtarak OZNA, përgjegjës për pastrimin e Kosovës “nga reaksioni dhe kundërrevolucionarët”, me bazë në Shkup, prej nga përgatiste të gjitha kurthet ndaj Shqiptarëve.

Në bisedime Voca do të kërkojë, pos të tjerash, të ndajë pushtetin në Mitrovicë, në përputhje me forcën që kishte (rreth katër mijë vullnetarë), dhe po ashtu të mobilizuarit të mos shkonin në veri, po të mbeteshin në Kosovë për t’u mbrojtur nga çetnikë të Zhika Markoviqit, që operonin lirshëm në pjesën e Shalës dhe të Llapit. Pasi që në bisedime Gjakoviqi do t’i refuzojë që të gjitha kërkesat e Vocës dhe në ndërkohë Brigada e 26-të serbe, do të ketë filluar sul-met kundër njësive të Shaban Polluzhës të cilat po tërhiqeshin në drejtim të Qyqavicës, po atë pasdite, Brigada e 25-të serbe, e stacionuar në afërsi të Mitrovicës, do të fillojë operacionet luftarake kundër forcave të Adem Vocës, të cilat do të tërhiqen në drejtim të Staritërgut dhe atje të nesërmen, më 26 janar, do të zhvillojnë një përleshe të ashpër me partizanët serbë, të cilëve do t’u vijë në ndihmë edhe Divizioni 46-të.

Të nesërmen, pasi që forcat e Adem Vocës të jenë rrethuar në hapësirën e xeherores Trepça, kundër tyre do të përdoren topat dhe artileria. Me këtë rast atyre do t’u shkaktohen humbje të mëdha. Por, një pjesë e tyre do t’ia dalin të tërhiqen në drejtim të katundit Pantinë, prej nga vinte Adem Voca. Aty, në shtëpinë e tij, bashkë me vëllezërit dhe shtatë djemtë, i barrikaduar, nuk do të pranojë të do-rëzohet. Më 11 shkurt Adem Voca me ata që kishte në shtëpi do të likuidohen.

Fitorja ndaj “kundërrevolucionit” në Drenicë, siç u vlerësua nga koloneli Sava Derleviq, komandant i Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi, i cili tashmë gjendej në krye të Drejtorisë Ushtarake, e cila, në rrethanat e vendosjes së administratës ushtarake në Kosovë nga 8 shkurti 1945 kishte komanduar operacionet përfundimtare luftarake të zhvilluara në Drenicë dhe me të tjerat që do të ndër-merren gjatë atij dimri dhe pranvere për spastrimin e Kosovës nga forcat nacionaliste dhe ato patriotike që nuk pajtoheshin as me ripushtimin e Kosovës e as me diktaturën komuniste, kishte vazhduar thuajse me të njëjtin intensitet, tash me pretekste “të rikthimit të paqes dhe të vendosjes së pushtetit popullor”.

Përmasat e vërteta të hakmarrjes çetnike-partizane do të mundohen të mbahen të fshehura, por disa prej tyre do të marrin dhenë. Në një promemorie që Ymer Berisha, nacionalist i njohur, që kishte marrë pjesë në Rezistencën Kombëtare, ia kishte dërguar gjeneralit Hodson, e njofton se “gjatë atyre 28 luftimesh, u vranë e u plagosën rreth 430 luftëtarë nga Drenica, asnjë nuk u zu rob, u plaç-kitën dhe u dogjën mbi 150 shtëpi; gjashtë mijë banorëve të Drenicës, Vushtrisë dhe Mitrovicës iu grabit tërë ushqimi dhe pasuria e tundshme. Nga ushtria parti-zane, 6 mijë ushtarë u plagosën, 2.550 u vranë e 850 u zunë robë”.

Nga shënime të ngjashme merret vesh se gjatë fushatës ushtarake “për spastrimin nga reaksioni shqiptar”, në Mitrovicë e rrethe, u pushkatuan pa gjyqe rreth 2 mijë shqiptarë të pafajshëm. Në Vushtrri u asgjësuan rreth 400 të tjerë.

(Shkëputje nga “Kosova 1912-1942”, faqe 340-347)./ KultPlus.com

Ripushtimi jugosllav i Kosovës dhe rezistenca kombëtare

Rishqyrtime historiografike (2)

(Me futjen e brigadave partizane nga Shqipëria në Kosovë, iu hap rruga brigadave partizane jugosllave për ripushtimin e saj. Kjo u kundërshtua nga lëvizja e Rezistencës Kombëtare Shqiptare. – Gjatë shtatorit dhe tetorit, brigadave partizane iu bë rezistencë e fortë nga Ushtria Shqiptare si dhe forcat e tjera patriotike, të cilat vazhduan luftimet edhe pas largimit të Qeverisë së Xhafer Devës nga vendi, më 26 tetor 1944. – Regjimenti IV i Kosovës nga Prishtina nën komandën e kolonel Fuat Dibrës për një muaj iu kundërvu par-tizanëve serbë dhe bullgarë në pjesën lindore. – Njësive të shkëputura të Ushtrisë Shqiptare filluan t’u bashkohen vullnetarët nga radhët e patriotëve të shumtë kundër ripushtimit serb me ç’rast në pjesën e Anamoravës u themelua Komiteti për Shpëtimin Kombëtar. – Rezistenca Kombëtare Shqiptare kualifikohet “lëvizje e armatosur e reaksionit” dhe “kundërrevolucion”).

Jusuf BUXHOVI

Në Kosovë, në vitet e kthesave të mëdha 1943-1944, krahas realitetit antifashist dhe të shtrirjes së organizimit të tij në vend me anën e Këshillave Nacionalçlirimtare, i cili, pa ndonjë ndikim dhe herë-herë i pavërejtur fare shtrihej jashtë sferave urbane dhe të shumtën ishte i natyrës ilegale, ekzistonte pushteti real i Shtetit Shqiptar. Në planin institucional ai përfshinte jetën shoqërore, administrative, ushtarak dhe politike të vendit në formën e një mekanizmi të përbashkët. Ishte vendosur nga shtatori i vitit 1943, i dalë nga Asambleja Kombëtare, në të cilën pasi ishte shpallur ndarja e Shqipërisë nga Italia, ishte caktuar Këshilli i Lartë i Regjencës me Mehdi Frashërin në krye, që më 5 nëntor kishte emëruar edhe qeverinë shqiptare me kryetar Rexhep Mitrovicën. Në spektrin politik të vendit përfshiheshin forca të ndryshme, të shfaqura gjatë kohës së regjimit të qeverisë së Mustafa Krujës, por aktiviteti i tyre ishte intensifikuar në prag të kapitullimit fashist, në verën e vitit 1943, ku më i fuqishmi shfaqej “Balli Kombëtar”, i ndjekur edhe nga “Legaliteti”.

Meqë ballistët si forca më e përhapur dhe më e konsoliduar politike në Kosovë dhe pjesët e Maqedonisë që luftonin për një Shqipëri Etnike, ishin futur në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, ishte e natyrshme që ata, si forcë kryesore politike që kishte qeverisur vendin për më shumë se një vit, ta merrnin përgjegjësinë kryesore të mbrojtjes së vendit.

Mund të thuhet se në kuadër të kësaj përgjegjësie Ballistët, të cilët ishin forca kryesore në xhandarmëri, bashkë me njësitë e tjera mbrojtëse që i drejtonte Lidhja II e Prizrenit (numri i të cilave vlerësohej se kalonte dhjetë mijë dhe nga pikëpamja e organizimit ushtarak dhe pajisjes mbikëqyreshin nga Vermahti), nga fillimi ishin vënë në ballë të detyrës, në mbrojtje të kufijve veriorë të vendit (në drejtim të Saxhakut dhe në lindje, në drejtim të Serbisë), duke u ndeshur me forcat çetnike të Drazha Mihajloviqit, i cili synonte që të depërtonte në pjesët veriore të Kosovës. Ngjashëm kishin vepruar edhe në Maqedoninë Perëndimore, kur, pak më vonë, pas kapitullimit të forcave bullgare kishin pushtuar hapësirën që ata mbanin (në Shkup dhe Dibër), duke zgjeruar kështu hapësirën e shtetit shqiptar në ato pjesë për të cilat pretendonin edhe partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë, me të cilët ata do të zhvillojnë luftime të ashpra gjatë gjithë kohës.

Luftimet e para me çetnikët serbë u bënë nga fundi i nëntorit të vitit 1943 me rastin e sulmit që ata ua bënë disa katundeve të Pejës dhe tutje Rugovës. Luftimet, që shkuan deri në Kollashin, zgjatën mbi tri javë, që ndonëse me humbje të shumta për të dy palët, përfunduan me disfatën e çetnikëve.

Në janar të vitit 1944 çeta e Pavle Gjurishiqit bëri një sulm të papritur në Morinë të Malit të Zi dhe në Çakorr, por u zmbraps me humbje të ndjeshme nga forcat e Lidhjes. Po në atë kohë, pati sulme çetnike dhe në Shekullarë, ku forcat shqiptare kaluan në kundërsulm dhe pushtuan Shekullarën.

Sulmet çetnike do të shpërthejnë edhe në anën e Tutinit dhe të Pazarit të Ri. Ato u thyen nga mbrojtësit nën drejtimin e Aqif Blytës, të cilit i erdhën në ndihmë vullnetarët e Ukë Gjurgjevikut, i vëllai i të cilit, Sadiku, me forcat e tij mbronte kufirin në drejtim të Kollashinit.

Forcat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, edhe pse nuk kishin shumë kohë për t’u konsoliduar ushtarakisht, kishin përgjegjësinë e mbrojtjes së kufirit në verilindje në një gjatësi nga Sanxhaku e deri në Karadak, fillimisht kundër forcave çetnike e më vonë kundër atyre partizane, të cilat u intensifikuan në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 pasi që ushtria sovjetike të ketë depërtuar në Bullgari dhe po bëhej gati të kalonte edhe në pjesën e Jugosllavisë. Ndërkohë edhe ushtria gjermane “F” kishte filluar tërheqjen nga jugu (nga Greqia, Shqipëria dhe Serbia) drejt veriut, në mënyrë që të shpërthente linjën e frontin të aleatëve, që kishte filluar të vendosej në Srem për ta penguar grupimin e tyre në hapësirën Danub-Elbë, prej nga Gjermanët planifikonin “stabilizimin dhe rikthimin” në luftë kundër Sovjetikëve dhe forcave aleate në pjesën qendrore të Europës dhe hapësirën gjermane.

Në përputhje me këto zhvillime, edhe forcat kryesore të ushtrisë shqiptare, ato të regjimentit IV të Prishtinës të komanduara nga kolonel Fuat Dibra (Fuat Xhaferraj), ishin përqendruar në pjesën e kufirit nga Mitrovica deri te Gjilani dhe Karadaku, të cilat do të ndeshen me brigadat partizane jugosllave nga fundi i verës së vitit 1944 dhe gjatë vjeshtës dhe dimrit të atij viti. Në fillim të shtatorit forcat shqiptare të Regjimentit IV të Prishtinës, patën një përleshje të ashpër në pjesët e skajshme të Podujevës me partizanët jugosllavë dhe disa njësi bullgare, të cilat përpiqeshin të depërtonin në Podujevë. Me këtë rast u shkatërruan tri divizione bullgare të motorizuara, që tashmë udhëhiqeshin nga komunistët. Në këto luftime mori pjesë edhe batalioni i të rinjve nga Vuçitërna “Hasan Prishtina”, i cili pati humbje të mëdha.

Forcat mbrojtëse të Lidhjes bashkë me ato të tjerat patriotike (të shumtën vullnetarë), gjatë gjithë muajit shtator, përkundër humbjeve të mëdha, ndalën depërtimin e aradheve partizaneve jugosllave, të cilat ia kishin mësyrë Kosovës nga verilindja dhe jugu. Por ato nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë sulmeve të tyre të vazhdueshme më gjatë, meqë ishin më të paktë, të papërgatitur si duhet ushtarakisht, dhe ç’ishte edhe më keq, pas fillimit të tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut, me anatemën e “bashkëpunëtorëve fashistë” dhe të “kuislingëve,” në Kosovë dhe Shqipëri, forca nacionaliste dhe patriotike, kishin mbetur pa furnizim dhe të vetmuara. Në këtë rrethana, të përballuara me formacione të rregullta ushtarake jugosllave, të cilat ndihmoheshin nga partizanët sovjetikë, forcat e shkapërderdhura patriotike, humbjen e përbashkët e kishin të pashmangshme.

Edhe si të tilla, pra të shkëputura dhe në atë gjendje, forcat nacionaliste dhe patriotike, në luftë kundër pushtuesve sllavo-komunistë, ushqeheshin nga një nacionalizëm i sinqertë burimor-popullor, që lidhej me mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe të vatanit. Te disa grupe dhe formacione të shkapërderdhura ushtarake (të Ballit, Legalitetit, Lidhjes e të tjera) mbretëronte shpresa se rezis-tenca edhe si e tillë ja vlente të vazhdohej deri në pikën e fundit. Meqë një ditë, si e tillë, do të përfillej nga aleatët anglo-amerikanë, të cilët përkundër marrëveshje që kishin me Sovjetikët rreth ndarjeve të sferave të interesit Lindje-Perëndim, rezistencën shqiptare mund ta shfrytëzonin në dobi të zgjerimit të sferës së tyre.

Si do të shihet, ky iluzion do ta mbajë të gjallë rezistencën e disa grupeve të shkëputur edhe për dy vitet e ardhshme, me të cilin ata edhe do të largohen për në Greqi me shpresën se një ditë do të kthehen në atdheun e tyre të lirë.

Por, me fillimin e fundit të Gjermanëve në Shqipëri, do të vijë edhe fundi i Qeverisë Shqiptare, e cila para një viti pati edhe miratimin e Vermahtit gjerman dhe madje edhe të vetë Hitlerit, i cili në Berlin priti Xhafer Devën, në cilësinë e Kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me ç’rast u morën vesh edhe për “aftësimin ushtarak të Kosovës për t’u vetëmbrojtur”, gjë që në të edhe filloi të punohet. Por, ishte koha tepër e shkurtë si dhe fatet e luftës që po shkonin në dëm të Fuqive të Boshtit, që pas pak atë do ta ballafaqojnë me disfatën, që e pamundësuan të ngrihet në nivel të përgjegjësisë së duhur.

Në këto rrethana, ishte e natyrshme që edhe qeveria e Rexhep Mitrovicës dhe së fundit ajo e Xhafer Devës, me hapësirë të kufizuar veprimit dhe të varur nga raportet e luftës botërore, të përjetonin fatin e mbështetësve të tyre kryesorë. Kjo do të shihet çastet që Gjermanët do të përgatiten të largohen nga Shqipëria, nuk iu mbetej tjetër pos që më 26 tetor, të shpallnin botërisht se i jepnin fund çdo veprimtarie të tyre qeveritare dhe, me ndihmën e Gjermanëve, nga ana e detit, do të largohen në drejtim të Vjenës dhe Berlinit.

Largimi i qeverisë së Xhafer Devës si dhe udhëheqjes së ngushtë të saj në drejtim të Perëndimit i hapi rrugën triumfit partizan si dhe vendosjes së pushtetit të tyre.

Në Kosovë, vendosja e pushtetit partizan njëherësh do të thoshte ripushtim i Kosovës nga sllavo-komunistët, që për uverturë pati futjen e njësive partizane nga Shqipëria (Brigada V dhe III), të cilat pas pak atë do t’ua dorëzojnë partizanëve jugosllavë. Brigadat e tyre (të shumtën çetnikë të konvertuar në partizanë), me mbi 30 mijë forca të organizuara ushtarake, depërtuan nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe pas pak edhe nga Çakorri, në drejtim të Pejës, duke ripushtuar pëllëmbë për pëllëmbë hapësirën e saj.

Sidoqoftë, edhe në atë gjendje të rëndë të okupimit të Kosovës nga ana e forcave partizane jugosllave, që ua kishin hapur rrugën partizanët e Shqipërisë, do të fillojë të funksionojë betimi i mbrojtjes së vatanit në formën e shprehjes së rezistencës së armatosur, e cila ndonëse nuk do të ketë një koncept gjithë-përfshirës dhe as një qendër të përbashkët veprimi, megjithatë riaktivizoi gjuhën e mospajtimit me pushtimin sllavo-komunist, e cila u pasqyrua me shfaqjen e rezistencës së armatosur ndaj një gjenocid tashmë të paralajmëruar që vendit po i përgatitej nga komunistët. Ai bëhej edhe më ogurzi kur lidhej me programet e kahershme hegjemoniste të Beogradit ndaj Shqiptarëve dhe hapësirës së tyre jetësore, të cilave rrethanat e reja ua krijonin këtë mundësi.

Edhe pse propaganda jugosllave menjëherë rezistencën e forcave të shkapërderdhura balliste dhe të grupimeve të tjera nacionaliste dhe patriotike kundër ripushtimit sllavo-komunsit të Kosovës (fillimisht në Ferizaj dhe pastaj në Gjilan, e cila do të jetë më e theksuar nga fillimi i dhjetorit), ku në shumë prej tyre edhe më tutje kishte flakëruar shpresa e zbarkimit të premtuar anglo-amerikan, do ta cilësojë “fillim i kundërrevolucionit shqiptar të përmasave të mëdha”, që udhëhiqej drejtpërdrejt nga “shtabi i fshehur i Xhafer Devës” e të ngjashme – ajo nuk kishte qenë e tillë dhe as që kishte pasur mundësi të ishte e tillë. Meqë në Kosovë nuk kishte ngadhënjyer kurrfarë revolucioni, siç quhej, por kishte ndodhur ripushtimi i saj nga aradhet partizane jugosllave, të cilat kishin rrënuar një pushtet legjitim shqiptar, të shpallur në tetorin e vitit 1943 nga përfaqësuesit e vet legjitim, të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Fakti se shteti i pavarur shqiptar kishte lindur në rrethanat e pushtimit gjerman që kishte zëvendësuar atë italian dhe si i tillë ishte pranuar prej tij madje duke iu garantuar edhe neutraliteti dhe se forcat nacionaliste shqiptare në Kosovë dhe gjetiu ishin vënë në mbrojtje të tij dhe kundër ripushtimit jugosllav, ata nuk mund t’i kthente në “kuislingë” dhe “shërbëtorë të okupatorit” me të cilët duhej qëruar hesapet me mjete revolucionare pasi që të jenë shpallur “kundërrevolucionarë”, por në viktima të një terrori të ri shtetëror-ideologjik, që po vendosej për të lansuar një diktaturë të re komuniste.

Andaj, nga kjo pikëpamje, rezistenca e armatosur shqiptare në Kosovë kundër ripushtimit të saj nga partizanët jugosllavë dhe aleatët e tyre shqiptarë, njëherësh paraqiste rezistencën e parë të armatosur antikomuniste në Europë në vigjilje të fitores së komunizmit në lindje të saj dhe të lansimit të socializmit si model shtetëror në përputhje me ideologjinë e bolshevizmit sovjetik.

Lëvizja antikomuniste shqiptare, e fokusuar të shumtën në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, mbeti “e shkëputur” dhe e pa përkrahur dhe me anatemën “e kundërrevolucionit” që ia vunë jugosllavët, ngaqë, si u pa në Konferencën e Jaltës, Anglo-Amerikanët nuk ishin në gjendje për një konfrontim me Sovjetikët – aleatin e tyre të fuqishëm kundër fashizmit.

Në këto rrethana, alarmi i shpërthimit të “kundërrevolucionit”, i shpallur me të gjitha kambanat, jugosllavëve do t’u konvenojë që atë ta shfrytëzojnë shumanshëm për t’i realizuar qëllimet sa më parë, dhe kjo ishte në përputhje me qortimet dhe kërcënimet që i vinin Kosovës që nga Konferenca e Bujanit, sipas të cilave hyrja në Kosovë e njësive partizane jugosllave duhej të sillte:

a) rrënimin e strukturave të pushtetit vendor, të dala nga Konferenca Nacionalçlirimtare e Bujanit

b) rrënimin e strukturave ushtarake të Shqiptarëve si dhe shkrirjen e mbetjeve të tyre në përbërje të ushtrisë jugosllave

c) anulimin e vendimeve të Bujanit rreth vetëvendosjes së Shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë si të drejtë që u takonte në përputhje me Kartën e Atlantikut dhe krahas kësaj të krijohen rrethanat për një “deklarim tjetër vullnetar” të bashkimit të Kosovës me Serbinë nga i njëjti forum si dhe

d) qërimin e hesapeve me nacionalistët dhe patriotët shqiptarë, në emër të “bashkëpunëtorëve të fashizmit”, me çka mund të hiqej qafe secili shqiptar që nuk i përkiste lëvizjes nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët.

Kështu, pa dimensionin e “kundërrevolucionit” dhe alarmin e tij, Jugosllavët nuk do të mund të shpallnin vendosjen e gjendjes ushtarake, siç do të veprohet më 8 shkurt 1945, dhe pa këtë “alarm”, nuk do të mund të krijonin rrethanat për ripushtimin faktik të Kosovës dhe aneksimin e saj nga Serbia, duke përfshirë këtu Kuvendin e Prizrenit mbajtur nga 8-10 korrik1945, edhe pse për këtë ata kishin miratimin e Konferencës së Jaltës.

(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 336-341)./ KultPlus.com

Çlirimi i Kosovës nga partizanet shqiptarë dhe jugosllavë- ripushtim sllavo- komunist (1)

Rishqyrtim historik

“ÇLIRIMI” I KOSOVËS NGA PARTIZANËT SHQIPTARË DHE JUGOSLLAVË – RIPUSHTIM SLLAVO-KOMUNIST (1)

Diskursi i “çlirimit” të Kosovës nga nazi-fashizmi, siç po shënohet edhe këto ditë në disa qytete, duhet të rishqyrtohet nga historiografia institucionale në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Meqë faktet historike flasin qartë se koniza globale antifashiste jo vetëm që injoroi realitetet e kohës nga shpërbërja e Jugosllavisë së Versajes siç ishin ato të çlirimit të një pjese të madhe të shqiptarëve nga pushtimet serbo-jugosllave (1912-1941), por njëherësh të drjetën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, që u pasqyruan me shtetin e parë shqiptar nga nëntori i vitit 1943 deri në nëntor të vitit 1994 në përmasat e përafërta të shtrirjes etnike,në përputhje me vendimet e Kuvendit të Dytë të Lidhjes së Prizrenit, e anatemoi me hipotekën e “shtetit kuisling”. Kjo i hapi rrugën hakmarrjes komuniste në përmasa tragjike në Kosovë me mbi 50 mijë viktima. Nga këndvështrimi historik, futja e aradhave partizane shqiptare-jugosllave në Kosovë, anulimi i vendimeve të Konferencës së Bujanit në Konferencën e Prizrenit në korriku të vitit 1945, duhet të kualifikohen si ripushtim i Kosovës nga Beogradi.

Nga Jusuf BUXHOVI

Skenari për t’u ripushtuar Kosova nga forcat jugosllave duhej të fillonte doemos edhe me “pajtimin” e partizanëve shqiptarë “në kuadër të bashkëveprimit ndërmjet Ushtrisë së NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për të luftuar së bashku reaksionin e atjeshëm”.

Sipas këtij skenari, futja e njësive jugosllave në Kosovë, duhej të bëhej, sipas një kërkese të ardhur nga UNÇ e Shqipërisë, pasi që atje paraprakisht të jenë futur njësitë partizane nga Shqipëria, të cilat do t’ua hapnin rrugën atyre. Kjo jo vetëm që do të përjashtonte çfarëdo dyshimi se në Kosovë partizanët jugosllavë kishin hyrë jashtë vullnetit të Shqiptarëve, por këtë e kishin bërë bashkërisht me partizanët shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës të bashkuar mbi parimet e vëllazërim-bashkimit.

Ndonëse, formale, kjo kërkesë kishte rëndësi të veçantë, për t’u arsyetuar dredhitë që komunistët jugosllavë kishin paraparë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që ato të mbeteshin nën tutelën e Beogradit “me dëshirë” dhe në kuadër të luftës së përbashkët antifashiste si ombrellë. Edhe pse në përvijimet midis aleatëve rreth ndarjes së sferave të interesit, veçmas midis Britanikëve dhe Sovjetikëve (në konferencën e Teheranit dhe takime të tjera) mbretëronte qëndrimi se Jugosllavia duhej të ruante kufijtë e Versajë dhe këtë do ta konfirmojë edhe Jalta, megjithatë ishte fundi i luftës si dhe realitetet e krijuara në të, ato që do të përcaktonin pamjen përfundimtare shtetërore në Ballkan.

Andaj, pasi që trupat sovjetike në lindje, me hyrjen në hapësirën jugo-sllave, kishin hapur çështjen e rivalitetit midis Britanikëve dhe Sovjetikëve, që do të mund të pasqyrohej me ndonjë kompromis në Shqipëri dhe Greqi në dobi të Britanikëve, të cilët nuk do të pajtoheshin që gjithë hapësirën strategjike të juglindjes ta mbikëqyrnin sovjetikët, ku sipas Stalinit “sferat e reja të interesit njëherësh paraqitnin sistemin shoqëror të atij që fiton”.

Pra, duke i ditur këto, Tito kërkonte që në Kosovë sa më parë të futeshin njësitë partizane jugosllave në mënyrë që të eliminonte çfarëdo “befasie” të pazarllëqeve të mundshme midis aleatëve, veçmas pas vendimeve të Bujanit kur edhe Nacionalçlirimtarja e Kosovës, që rreth çështjes së bashkimit kombëtar mendonte ndryshe nga komunistët e Enver Hoxhës, kishte nxjerrë rezolutën për të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës që lidhej me të drejtën e Shqiptarëve për bashkim me Shqipërinë.

Kështu, “bashkëveprimi”, futja e përbashkët e partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë, me të cilin do t’u ndërpriteshin që të gjitha rrugët “të papriturave” të mundshme në Kosovë, nga ana e jugosllavëve do të kërkohet qysh në muajin mars 1944. Komandanti i Korpusit II sulmues, gjeneral-leitnant Peko Dapçeviq, në një letër të gjatë dërguar Shtabit të Përgjithshëm Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, pos të tjerash qahet sesi “reaksioni prej Shqipërisë së Veriut, i udhëhequr prej Komitetit Kosovar, u kishte krijuar vështirësi të mëdha, ku prej më se një gjysmë viti mbahet fronti kundrejt kufirit të ri, të krijuar prej okupatorit të Shqipërisë së Madhe”.

Me këtë rast Dapçeviq, thotë se “na marrim çdo gjë nga ana jonë, së bashku me shokët nga Kosmeti, që të thyejmë atë bllok, por armiku është i fortë, ngaqë atje ata binden me propagandën se ne jemi ushtri serbe dhe komunistë që vijnë si pushtuese…”

Që të realizohen, si thotë ai, “objektivat për t’u spastruar edhe më tutje kjo pjesë nga armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre”, gjenerali Dapçeviq parashtron tri kërkesa:

– së pari – futjen e njësive partizane shqiptare në Veri dhe në Kosovë;

– pastaj – popullit t’i shpjegohen qëllimet e njëmendta, pra ato çlirimtare, në mënyrë që të shmangët ndërhyrja kundër partizanëve jugosllavë dhe,

– së fundi – që njësitë e përbashkëta partizane të lidhen mirë e mirë mes veti në një miqësi të përhershme. Kjo mund të arrihej vetëm nëpërmes një lufte të përbashkët, me çka hapej edhe çështja e komandës së përbashkët të luftës antifashiste, që duhej të çonte te projektet për shkrirjen e shtetit shqiptar te ai jugosllav.

Por, kërkesa e “spastrimit të kësaj pjese nga armiqtë dhe bashkëpuno-torët e tyre”, në të vërtetë, shfaqej si pretekst i pavërejtur dhe me dinakëri për ripushtimin e Kosovës nga ushtria jugosllave në përputhje me qëndrimet e mëhershëm që organizimi partiak i Kosovës dhe veprimet tjera në kuadër të Frontit Antifashist që do të pasonin (ai ushtarak dhe i këshillave nacional-çlirimtare si formë e pushtetit popullor), ndonëse ajo gjendej në përbërje të shtetit shqiptar, të bëhej nga komunistët jugosllavë dhe nën drejtimi e tyre në kuadër të skemës organizative të shtetit të përbashkët jugosllav. Edhe pse dihej se nga prilli i vitit 1941 Jugosllavia e Versajës nuk ekzistonte më.

Kështu dhe në këtë mënyrë, “veprimi i përbashkët” i partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë shfaqej si një mashtrim tepër i përshtatshëm, prapa të cilit, partizanët shqiptarë nën parullat se “në Kosovë ishin në ndjekje të gjermanëve”, jo vetëm që mund t’ua hapnin rrugën partizanëve jugosllavë të futeshin në Kosovë, por edhe të kryenin veprime të shpejta operative strategjike në përputhje me planet për ripushtimin e saj të plotë, me të cilin forcave nacionaliste shqiptare do t’u pamundësohej çfarëdo konsolidimi që ishte i pritshëm të pasonte me rastin e tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut.

Gjenerali Dapçeviq, i cili kishte një përvojë të hidhur në luftë me forcat nacionaliste të Kosovës në pjesën e veriut në Sanxhak, Plavë, Guci dhe në veri të Mitrovicës, (i kishte humbur tri prej tyre radhas gjatë përpjekjeve që të depërtonte në këto vise, ku kishte lënë shumë të vrarë) , ishte i bindur se me pararojën e aradheve partizane shqiptare, pasi që Shqiptarët t’i kenë qëruar hesapet mes veti, përballja me forcat ushtarake të nacionalistëve shqiptarë në veri, e cila ishte e pashmangshme dhe paraqiste vështirësinë e fundit për t’i arritur qëllimet e parashtruara, do të ishte shumë më e lehtë.

Sipas jugosllavëve, të cilët e dinin mirë rëndësinë e Kosovës si dhe strumbullarit të interesave strategjike që thyheshin por edhe lidheshin me të dhe për të, veçmas nga Kriza Lindore e këndej, prej nga çështja shqiptare përherë mbushej me impulse lëvizëse nga brenda e nga jashtë, në ato rrethana, që t’i shuheshin ato që kishte lëshuar rezoluta e Bujanit madje nën anatemën se fjala ishte për “një projekt shqiptaromadh të fashizmit” (ndonëse Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë menjëherë kishin pranuar kritikat e Titos se fjala ishte “për një vendim të ngutshëm”, që duhej lënë pasi të përfundojë lufta antifashiste), nevojitej që të alarmoheshin edhe aleatët anglo-amerikan, që e gjitha të bëhej në atë mënyrë që mishi të piqej e helli të mos digjej. Prandaj, një valë bom-bardimesh nga ajri e Kosovës do të ishte e mirëseardhur dhe në funksion të planeve jugosllave për t’u futur në Kosovë.

Jugosllavët, pra, në përputhje me këtë strategji, duke pasur njohuri për rrezikun që i vinte nga Kosova dhe nyja gjermane aty, kishin kërkuar edhe nga aleatët anglo-amerikanë që në njëfarë mënyre (me bombardime nga ajri), të merrnin pjesë në pamundësimin e “planeve nazifashiste” në Kosovë, duke zënë në gojë potencialin e madh ushtarak dhe njerëzor “të reaksionit” dhe “kuislingëve”, në mënyrë që armatës “F” të Vermahtit, t’i pamundësohej tërheqja e fuqisë së saj ushtarake drejt veriut.

Aleatët kishin pranuar kërkesën e partizanëve jugosllavë që të ndërmerren sulme ajrore ndaj forcave gjermane në Kosovë. Sulmi i parë dhe më i dëmshmi për nga pasojat që përjetoi popullata shqiptare dhe infrastruktura urbane u bë me bombardimin ndaj Pejës, më 14 gusht 1944.

Bombardimi anglo-amerikan nga ajri, që zgjati disa orë, qëlloi infrastruk-turën urbane të Pejës, duke e kthyer pjesën më të madhe të saj në gërmadha. Me këtë rast gjetën vdekjen 1970 qytetarë të pafajshëm: kryesisht burra, gra dhe fëmijë, të cilët u gjenden nëpër shtëpitë e tyre, por nuk u dëmtua asgjë nga infrastruktura ushtarake gjermane, që ishte vendosur në periferi të qytetit. Po ashtu, të paprekura mbetën edhe njësitë e motorizuara gjermane si dhe pajisjet tjera të strehuara në Grykën e Rugovës dhe pjesët përreth.

Sulmi ajror anglo-amerikan ndaj Pejës dhe disa qendrave urbane në Kosovë gjatë gushtit, që la pas veti shumë viktima të pafajshme nga radhët e popullatës së pambrojtur dhe rrënoi pjesën më të madhe të shtëpive të tyre, në të vërtetë për jugosllavët dhe pasuesit e tyre në Shqipëri, ishte një ndihmesë e dyfishtë: pse rrënoi bazën materiale të një pjese të madhe të popullatës së Kosovës dhe pse ia kishte dalë që nëpërmes “vërejtjes së ndëshkimit”, siç ishte ai i gushtit, të shkëpusë lidhjet e mundshme të popullatës me frontin e rezistencës kombëtare në luftë kundër forcave partizane jugosllave që mund të hynin pas largimit të atyre gjermane.

Edhe përkundër bombardimit të Pejës dhe të vendbanimeve të tjera në Dukagjin nga aeroplanët anglo-amerikanë si dhe involvimit të tyre në një operacion të përmasave të mëdha kundër ushtrisë gjermane në këto pjesë, partizanët jugosllavë edhe më tutje i mbetën besnikë ndaj qëndrimit se në Kosovë së pari duhej të hynin partizanët nga Shqipëria, të cilët do të bashkoheshin me dy-tri çetat e partizanëve kosovarë të strehuara në Malësi të Gjakovës në mënyrë që pas tyre të depërtonin aradhet partizane nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Kërkesave paraprake për “bashkëveprim” luftarak në Kosovë iu bashkëngjit ajo e nivelit më të lartë nga komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë Tito, e cila Enverit iu bë nga koloneli V. Stojniç, kryesues i Misioni Ushtarak jugosllav në Shqipëri, në cilësinë e bashkërenditësit të veprimeve të të dyja palëve, i cili pasi që të jenë kryer “formalitetet e kërkesave paraprake” (gjatë majit dhe gushtit), takoi nergut Enver Hoxhën, me ç’rast Komandës së Përgjithshme të UNÇSH ia përcolli kërkesën e Shtabit Suprem të UNÇJ.

Sipas burimeve jugosllave, V. Stojniq kërkoi nga Enver Hoxha që brigadat partizane shqiptare të futeshin në Kosovë, për të luftuar kundër Gjermanëve. Me këtë rast nuk do të përmendej çështja “e reaksionit të brendshëm dhe përkrahësve”, që ishin të shumtë dhe të organizuar mirë në kuadër të formacioneve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe se, partizanët shqiptarë do të mirëpriteshin nga popullata shqiptare e Kosovës. Që të mos dukej se fjala mund të ishte për ndonjë kurdisje kundër Kosovës dhe popullatës së saj e aq më pak që ky veprim do të pasohej me “ndonjë hakmarrje” ndaj popullatës pse kishte qenë e përfshirë “në planet e reaksionit fashist”, gjë që kjo mund të nxiste “zbarkimi e forcave të caktuara anglo-amerikane në këto pjesë për të parandaluar ndonjë konfrontim të mundshëm nderetnik” për të cilin ishte bërë fjalë në qarqet perëndimore, Stojniq, në emër të Titos, kërkoi që partizanët shqiptarë të ndihmonin në luftë kundër gjermanëve edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni. E gjitha do të ishte në përputhje me frymën e marrëveshjeve të Frontit të përbashkët Antifashist për luftë të përbashkët kundër forcave fashiste, kudo qofshin ato, deri në fitoren e plotë.

Që kërkesa për hyrjen e partizanëve shqiptare të dukej “sa më autentike”, u plotësua edhe me kërkesën e Shtabit të UNÇJ për Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit, e firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari, Boshko Çakiq, më 26 gusht 1944.

Pala shqiptare u tregua e gatshme për këtë veprim dhe më 12 shtator 1944, komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatisë dhe të nis menjëherë dy brigada për në Kosovë.

Po në këtë ditë, M. Popoviqi i shkruan L. Gegës se duhej lajmëruar Palo-kën (Pavle Joviqeviqin) se dy brigada shqiptare së shpejti do të marrin drejtimin për Kosovë. Por, kjo duhej të mbetej fshehtësi, veçmas nga Britanikët.

“Të mos tregohet objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”, porosiste Enveri komandantin e Korparmatës I, Dali Ndreun.

Kjo kërkesë, e cila me të shpejt u mor vesh nga Britanikët dhe misioni i tyre në Veri, u përcoll me dyshimin e hapur të kurthit nëpër të cilin do të futej Kosova së shpejti. “Është për t’u çuditur sesi mund të pranohet që forcat jugosllave të kishin nevojë për përforcime nga UNÇ e Shqipërisë, që ishte shumë më e vogël dhe më e dobët në këtë fazë të luftës”.

Si do të shihet, “habia” e misionit britanik në veri të Shqipërisë, nuk kishte të bënte gjithaq me natyrën ushtarake të çështjes, ngaqë në Kosovë gjendeshin forca të pakta gjermane, të cilat edhe ashtu ishin tepër pasive në tërheqje e sipër. Por ajo kishte të bënte me faktin e pranisë së madhe të forcave nacionaliste shqiptare. Ato, pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943 dhe krijimit të Shtetit të Pavarur Shqiptar në nëntor të vitit 1943, ushtarakisht të konsoliduara, ishin në gjendje të organizonin një rezistencë të fuqishme kundër depërtimit të aradheve sllavo-komuniste.

Kjo çështje, si u pa, te Britanikët, por edhe Amerikanët, tashmë kishte filluar të trajtohej si mundësi e krijimit të një bërthame për zbarkim eventual anglo-amerikan, po qe se do të ndërlikoheshin raportet me forcat sovjetike në këtë pjesë.

Mundësinë e “konsolidimit të forcave të reaksionit shqiptar” si dhe organizimit të një kryengritje të madhe në Kosovë kundër forcave partizane, Dapçeviq, por edhe Tempo dhe misionarët e tjerë jugosllavë pranë Everit, e shihnin si rrezik të madh dhe të dyfishtë si për pengimin e ripushtimit të Kosovës dhe, për më tepër, për krijimin e një zone për ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, të cilët mund të mos pajtoheshin me një gjakderdhje të madhe atje që do të shpërthente me rastin e kryengritjes së Shqiptarëve kundër pushtimit komunist.

Këto dhe kalkulime të tjera bënë që komunistët shqiptarë dhe ata jugo-sllavë të pajtoheshin, që të vepronin bashkë në Kosovë “për shpartallimin e armikut dhe të reaksionit të çdo ngjyre” si dhe “për ngritjen e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, për mobilizimin e popullsisë në luftë dhe formimin e formacioneve të reja e më të mëdha partizane”.

Kështu, Shtabit i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipëri-së, më 18 shtator 1944, dha urdhrin që Brigada III dhe V shqiptare të hidheshin në Kosovë. Së pari në Malësinë e Gjakovës, mandej në atë të Pejës dhe prej nga duhej të merrnin kontakt me forcat nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Sipas urdhër-operacionit, objektivat e të dy brigadave , që do të kishin një shtab të përbashkët me komandant Shefqet Peçin, ishin:

– sulmet ndaj forcave gjermane dhe çlirimi i tokave përtej Drinit të Bardhë deri në Gjakovë e Pejë;

– shkatërrimi i të gjitha çetave tradhtare, balliste, zogiste e të SS-ve kosovare;

– të detyrohet Gani Kryeziu të hidhet me Frontin NÇ. Në rast se ky nuk e pranon këtë ose provokon, të likuidohet. Të veprohet si me Muharrem Bajraktarin;

– organizimi i pushtetit nacionalçlirimtar në gjithë krahinat që lirohen, ku do të bëhet mobilizimi dhe çarmatimi. Mobilizimi i kosovarëve do të bëhet si për ushtrinë shqiptare, ashtu edhe për ushtrinë e Titos, pa asnjë dallim.

Mundësisë së pjekjes me forcat partizane jugosllave si dhe bashkëpuni-mit me to do t’i gëzohet komandanti i Brigadës V, Shefqet Peçi, i cili në një letër të nisjes, i shkruante Hysni Kapos se “ne na ngushëllon kjo që do të piqemi me ushtrinë e Titos dhe ishallah edhe me atë të Baba Stalinit e kjo na kënaq shumë, por të mos harrojmë që edhe na vjen keq që nuk do të mundemi të shohim me sytë tanë reaksionarët tash që dorëzohen, vetëm kisha qejf t’u ndriçja dhëmbët njëherë”.

Përleshja e parë me Gjermanët filloi po atë ditë në Dukagjin, në Jug-perëndim të Prizrenit. Të ndihmuara edhe nga brigada e parë dhe e katërt e Kosovës, aradhet partizane nga Shqipëria dhe Kosova, bashkërisht hynë në zonën midis Drinit dhe Ribnikut. Më 16 tetor partizanët shqiptarë bashkërisht sulmuan Gjermanët në Gjakovë. Përreth Gjakovës pati luftime për disa ditë me radhë për deri sa më 7 nëntor partizanët shqiptarë dhe ata nga Kosova hynë në qytet dhe bashkërisht kremtuan fitoren.

Në Gjakovë partizanët shqiptarë hynë me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe pa kurrfarë paralajmërimesh se pas tyre do të vinin aradhet partizane jugosllave. Pastaj veprimet e përbashkëta të partizanëve vazhduan në dy drejtime: kah Prizrenit dhe Peja. Prizrenin e morën me 16 nëntor, ndërsa Pejën një ditë më vonë.

Krahasuar me Pejën dhe Prizrenin, ku u ndeshën me disa njësi gjermane në tërheqje e sipër, të cilat të shumtën e mbrojtën me vullnetarët shqiptarë që kishin në radhët e tyre, partizanëve shqiptarë iu bë një rezistencë e fuqishme në Junik. Në këtë pjesë, partizanët shqiptarë (Brigada III e UNÇSH si dhe Briga-da I kosovare) sulmuan pas Gjakovën me urdhrin “e spastrimit nga forcat balliste dhe kuislinge” që mbanin nyjen rrugore Gjakovë-Pejë. Luftimet e ashpra filluan më 20 tetor. Partizanët me humbje të mëdha iu afruan Junikut, por nuk ia dolën ta marrin, ngaqë forcat nacionaliste i sulmonin ato nga të gjitha anët. Vetëm pas tri ditësh mundën të hynin në Junik, ndërsa më 26 tetor dhe në Batushë e në Deçan.

Nga fundi i nëntorit i gjithë rrafshi i Dukagjinit u mor nga forcat partizane, duke ua zënë vendin atyre gjermane, të cilat filluan tërheqjen në drejtim të Veriut.

Pas hyrjes së brigadave të Shqipërisë në Kosovë dhe në Dukagjin, nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe Gjilanit, në Kosovë filluan të depërtojnë edhe brigadat jugosllave (Divizioni 46-të i Korparmatës XIII serbe) si dhe Armata II bullgare, të cilat u shoqëruan edhe nga Brigada V kosovare. Partizanët serbë, bullgarë të shoqëruar edhe me një njësit partizanësh kosovarë hynë në Prishtinë më 19 nëntor 1944.Të njëjtat, një ditë më vonë hynë në Vuçitërnë prej nga luftuan në Trepçë dhe Zveçan.

Brigadat partizane, sikurse në Dukagjin, futeshin me flamurin shqiptar dhe atë jugosllav me yllin pesëcepësh në mes. Sapo hynin, nëpër sheshe të qyteteve, spikatnin bashkërisht fotografitë e Titos dhe të Enverit, të shoqëruara me parulla shqip dhe serbisht për vëllazërim-bashkimin dhe miqësinë shqiptaro-jugosllave të kalitur në luftën e përbashkët antifashiste.

Nuk do të vonojë dhe sapo populli të jetë mësuar paksa me atmosferën e “triumfalizmit çlirimtar”, që sillnin partizanët e përqafuar shqiptarë dhe jugosllavë gjatë demonstrimeve të përbashkëta, ashtu siç ishte paraparë, në heshtje dhe pa ndonjë bujë, do të fillojë marrja në mbikëqyrje e pushtetit vendor, të drejtuar nga këshillat nacionalçlirimtare, kryesisht prej Shqiptarëve, nga ana e ushtarakëve jugosllavë, të cilët praktikisht filluan vendosjen e mbikëqyrjes ushtarake, e cila bëhej në emër të vendosjes së pushtetit të përbashkët popullor në rrethanat e çlirimit.

Shërbimi informativ ushtarak jugosllav i quajtur OZNA, i cili prej kohësh ishte vendosur në Shkup dhe kishte filluar përgatitjet për kohën që do të futej në Kosovë, shpërndau ngado bashkëpunëtorët e vet dhe zuri të xhirojë situatën në kërkim të intelektualëve, patriotëve dhe gjithë atyre që tashmë ishin futur në defterin e kolaboracionistëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtpërdrejtë të okupatorit, ku përfshiheshin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe forcat e tjera politike, sidomos ato që ishin të lidhura me Komitetin Kombëtar Demokratik Shqiptare (i cili nga prilli i vitit 1945 do të kthehet në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare) dhe frymën e saj që kishte shtrirje të gjerë në Kosovë. Për Jugosllavët vlente qëndrimi i njohur: kush nuk është me ne është kundër nesh.

(Shkëptje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 332-337)../ KultPlus.com

Ngjarja që ndryshoi rrjedhat e historisë


Nga Jusuf Buxhovi

*Rënia e Murit të Berlinit para 32 vitesh, krahas bashkimit gjerman, njëherësh i hapi rrugë disa zhvillimeve historike ndër më të rëndësishmet e shekullit të kaluar: rënies së polaritetit bllokist, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e me këtë edhe të rrënimit të sistemit komunist. Kjo ngjarje, po ashtu, ndikoi proceset e filluara të shpërbërjes së Jugosllavisë, me ç’rast Kosova u shkëput nga sundimi i Beogradit për të përfunduar si shtet i pavarur. Natyrisht se në këto zhvillime, rrëzimi i Murit të Berlinit, nxiti shqiptarët e Kosovës dhe të ish Jugosllavisë në dy drejtime:

a) që të rrënonin monopolin e Lidhjes Komuniste dhe b) të lirohen nga ripushtimi serb.

Kjo u pasqyrua me angazhimin e shpejtë dhe të gjithanshëm të elitës politike të Kosovës, nën drejtimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës për ta themeluar Lidhjen Demokratike të Kosovës, të parën parti politike me frymë perëndimore, që me mbi 700 mijë anëtarë nga radhët e të gjitha rrymave shoqërore shqiptare, shpejt u kthye në një lëvizje kombëtare, që mori përsipër këto procese historike:

a)rrënimin e strukturës së Lidhjes Komuniste si dhe b) shkëputjen nga Serbia (me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kuvendin e Kaçanikut me 7 shtator 1990.)

Në këtë rrugë, intelektualët e Kosovës, duke u rreshtuar në anën e drejtë historike, patën ndihmën e drejtpërdrejtë të SHB-ave dhe të Gjermanisë si dhe mbështetjen e tyre të plotë.

EINE WELT / KultPlus.com

Akademi mirënjohjeje për Shyqri Nimanin, artisti unik në fushën e arteve krijuese

Shoqata e intelektualëve ‘Jakova’ ka organizuar një akademi mirënjohjeje me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorit të opusit multidisiplinar të artistit, Shyqri Nimani.

Nga afër këtë ngjarje e përcollën edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Shyqri Nimani njihet për karrierën e bujshme që ka lënë gjurmë artistike në vendin tonë, duke filluar me krijimin e logos së Grand Hotel, Kosova Film, simbolin e Universitetit të Prishtinës, deri tek kaligrafimi me dorë në pergamenë e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar MKRS-ja.

KultPlus ju sjell postimin e tyre të plotë:

Akademi mirënjohjeje për Prof.Dr. Shyqri Nimanin

Në qytetin e Gjakovës u mbajt Akademi mirënjohjeje për Prof.Dr. Shyqri Nimanin, organizuar në 80 vjetorin e tij të lindjes dhe 60 vjetorin e opusit multidisiplinar, nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova” dhe Shoqata ‘’Gjakova-Basel’’.

Përmes bashkëpunëtorëve dhe nga vet Nimani u fol për jetën dhe krijimtarinë e tij.

Një njeri i rrallë, artist unik në fushën e arteve krijuese dhe shembull për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm për shoqërinë.

Shyqri Nimani njihet për karrierën e bujshme që ka lënë gjurmë artistike në vendin tonë, duke filluar me krijimin e logos së Grand Hotel, Kosova Film, simbolin e Universitetit të Prishtinës, deri tek kaligrafimi me dorë në pergamenë e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por gjithashtu për kontributin në arsim e shkencë. Ai është një nga themeluesit e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka botuar disa nga monografitë reprezentative dhe më të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.

Nga afër këtë ngjarje e përcollën edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Punën e tij do ta vlerësojmë dhe çmojmë gjithmonë. / KultPlus.com

“Maqedonia…” nga Jusuf Buxhovi do të promovohet në Shkup

Vepra historiografike “Macedonia – from antiquity to our time”, që doli së voni nga shtypi në botimin e botuesit amerikan “Jalifat Publishing” nga Houstoni, nesër promovohet në Shkup, shkruan KultPlus.

Promovimi organizohet nga Intituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe fillon në orën 11 në lokalet e Institutit në Bulevardin Ilinden.

Me këtë rast, autori dhe botuesit, përkujtojnë redaktorin e librit, Ramadan Musliun, me rastin e njëvjetorit të vdekjes./ KultPlus.com

Romani ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ nga Jusuf Buxhovi, në panairin e librit në Frankfurt

Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” i shkrimtarit Jusuf Buxhovi prezantohet në panairin e sivjemë të librit në Frankfurt, i përkthyer në frengjisht dhe italisht,  nga dy botues të njohur botëror:

“L’Harmattan” nga Parisi (“Qui resiste a la peste resiste au diable –   le journal  de Gjon Nikollë Kazazi”) dhe “Armando editore” (“Per te terra mia – Confessioni Gjon Nikola Kazazi”) nga Roma. Romani në frengjisht është përkthyer nga Odette Marquet, ndërsa në italisht nga Liljana Cuka – Maksuti./KultPlus.com