Kur shqiptarët pikturonin nudo (FOTO)

Me duart e vendosur në kokë, dhe sytë e përhumbur diku, nudoja në tablonë e Sadik Kacelit mbart gjithë misterin e së bukurës. E realizuar në vitin 1938, kur artisti ishte vetëm 26 vjeç, kjo është një nga nudot më të bukura në historinë e nudos shqiptare. Vajza që pozon është shqiptare. Gjatë kohës së studimeve në Francë, Kaceli ka realizuar një sërë nudosh me laps.

Silueta femrash që tashmë janë pjesë e koleksionit të çmuar të familjes. Sadik Kaceli lindi më 14 mars 1914 në Tiranë dhe ndërroi jetë në 24 dhjetor 2000 në Tiranë. Në vitet 1932 – 1936, nën drejtimin e pedagogëve Andrea Kushi, Mario Ridola dhe Abdurrahim Buza ndoqi “Shkollën e Vizatimit” në Tiranë.

Në vitin 1934 ai u zgjodh si një nga nxënësit e shkëlqyer të “Shkollës së Vizatimit” dhe së bashku me një grup nxënësish të Gjimnazit të Shtetit u shpërblyen me një udhëtim në Stokholm, ku u pritën nga Konsullata Shqiptare atje. Më 12 prill 1936 Sadik Kaceli, pasi i kishte shkruar një letër Henri Matisse, për ta ndihmuar që të fillonte akademinë në Paris, mori përgjigje pozitive për të ndjekur një akademi të rëndësishme të drejtuar nga Andre Lhote.

Sadik Kaceli është një nga piktorët e vetëm shqiptar që studioi në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris. Kaceli është autori i kartmonedhës shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, autori krijues i stemës së Republikës së Shqipërisë dhe i dizajnit të flamurit Kombëtar Shqiptar, në vitin 1946. Në Kinostudion “Shqipëria e re”, në vitin 1952, Kaceli realizoi një nga afresket në pjesën e sipërme të hollit hyrës.

Nga viti 1946 deri në vitin 1973, Kaceli ka qenë pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në lëndë të ndryshme (vizatim, pikturë, histori arti, perspektivë etj) për shumë breza nxënësish. Vepra “Lexuesja” e pikturuar në vitin 1947 është punimi i parë i koleksionuar në vitin 1955, në fondin e GKA Koleksioni me vepra të Sadik Kacelit, që ndodhet në GKA përmban 45 punime në teknikat vaj, pastel, akuarel, tempera, vizatim dhe grafikë. /KultPlus.com

Portrete të figurave të njohura shqiptare, produkt i punës së piktorit Freitag

Portrete të figurave të njohura shpesh janë bërë produkt i punës së artistëve të ndryshëm, shkruan KultPlus.

Piktorit shqiptar i cili jeton dhe vepron në Austri, Gazmend Freitag, ka realizuar portretet e një numri të madh figurash të njohura, secilin me shumë pasion dhe përkushtim duke i sjell në një mënyrë krejt të veçantë, shkruan KultPlus.

Magjepsja dhe respekti për këto figura historike dhe bashkëkohore ka bërë që piktori Gazmend Freitag, të sjell një kolazh të portreteve të cilat i ekspozon në vende të ndryshme.

Koleksioni gjithnjë në zgjerim i artistit është i rezervuar për ata poetë, luftëtarë dhe filozofë, jeta dhe vepra e të cilëve është thelbësore për identitetin dhe historinë e popullit shqiptar.

Më poshtë po ju sjellim portretet e këtyre figurave: Aleksandër Moisiu, Ali Podrimja, Bekim Fehmiu, Behgjet Pacolli, Çun Lajçi, Dua Lipa, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Havzi Nela, Ibrahim Rugova, Ibrahim Kodra, Ismail Kadare, Klara Buda, Krist Maloki, Lasgush Poradeci, Martin Camaj, Shën Tereza, Nexhmije Pagarusha, Pjetër Bogdani, Princesha shqiptare Fevzia Fuad, Rita Ora. / KultPlus.com

Alexander Moissi

Gazmend Freitag: Aleksander Moisiu, 2017

Ali Podrimja

Gazmend Freitag: Ali Podrimja, 2016

Bekim Fehmiu 1

Gazmend Freitag: Bekim Fehmiu, 2014

Behxhet Pacolli.jpg

Gazmend Freitag: Behgjet Pacolli, 2016

Çun Lajçi

Gazmend Freitag: Çun Lajçi, 2017

Dua Lipa

Gazmend Freitag: Dua Lipa, 2018

Skanderbeg

Gazmend Freitag: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, 2013

Havzi Nela

Gazmend Freitag: Havzi Nela, 2016

Ibrahim Rugova

Gazmend Freitag: Ibrahim Rugova, 2013

IK

Ibrahim Kodra by Gazmend Freitag, 2017

Ismail Kadare

Gazmend Freitag: Ismail Kadare, 2014

Klara Buda.jpg

Gazmend Freitag: Klara Buda, 2016

Krist Maloki

Gazmend Freitag: Krist Maloki, 2016

lasgush-poradeci

Gazmend Freitag: Lasgush Poradeci, 2016

Martin Camaji

Gazmend Freitag: Martin Camaj, 2015

Mutter Teresa

Gazmend Freitag: Shën Tereza, 2013

Nexhmije Pagarusha 1.jpg

Gazmend Freitag: Nexhmije Pagarusha, 2013

Pjetër Bogdani

Gazmend Freitag: Pjetër Bogdani, 2016

Princess Fawzia Fuad

Gazmend Freitag: Princesha shqiptare Fevzia Fuad, 2016

Rita Ora

Gazmend Freitag: Rita Ora, 2014

Del në ankand vepra e rrallë e Cimabue-s

Një vepër arti e rrallë e piktorit të madh italian, Cimabue, e vlerësuar mes 4 dhe 6 milionë euro, do të nxirret në shitje të dielën, në Senlis, në atë që konsiderohet si një nga ankandet më me emër në Francë.

Tema e kësaj pikture, në përmasa 25,8 x 20,3 centimetra, është “Krishti i tallur”.

Cimabue, piktor fiorentin i gjysmës së dytë të shekullit XIII, solli rinovimin e pikturës bizantine duke prishur formalizmin e saj dhe imazhet e kodifikuara nga dogma.

Ai i hapi rrugë natyralizimit të artit të paraRilindjes duke i dhënë shpirt personazheve të tij dhe duke realizuar perspektivat e para. Kjo vepër është një nga provat e para të artit perëndimor.

Kjo do të jetë hera e parë, pas dekadash, që një pikturë e Cimabue-s del në ankand.

Historianët i njohin atij vetëm 10 piktura të sigurta, të realizuara në dru dhe të panënshkruara./ atsh / KultPlus.com

Ekspozita e Mimoza Studenicës foli zëshëm për pozitën e gruas në shoqëri

Qendrim Badalli

Në mbrëmjen e djeshme, hapësira e Unionit Europian në Kosovë ishte e stërmbushur. Aty dominonte gjinia femërore. Ato kishin një arsye më shumë të bëheshin pjesë e ekspozitës që për çdo minutë pritej të hapej. Ekspozita e djeshme quhej “Gruaja”, ku përmes një numri të madh pikturash, është shpalosur puna e Mimoza Studenicës, shkruan KultPlus.

Në hapësirën e shoqëruar me muzikë dhe me tavolina gjithandej, ti ke mundur të fotografosh piktura të bukura të vendosura në muret e atij ambienti, apo thjeshtë të ngresh dolli me një numër shumë të madh të të pranishmëve në këtë ekspozitë.

Siç e do rendi, të pranishmit po i priste me përshëndetje e përqafime Studenica, dhe të cilët më pas filluan të ambientoheshin me radhë. Gjithçka ishte gati që të fillonte edhe zyrtarisht kjo ekspozitë e cila morri vëmendjen shumë shpejt dhe lehtë të të gjithë mysafirëve aty. Ç ‘do gjë fliste qartë dhe zëshëm.

“Kjo është ekspozita ime e dytë dhe quhet “Gruaja”. Arsyeja se përse e kam quajtur kështu është se gruaja është shtylla e shoqërisë”.  Kështu e filloi fjalën e saj hyrëse Studenica, e cila u tregua fjalëpak në hapjen e ekspozitës por jo edhe në intervistën e saj për KultPlus.

Ajo ka thënë se motivet i kam marrë nga jeta e zakonshme që bëjnë gratë në vend, teksa ka vlerësuar pozitën e gruas në shoqëri.

“Tematikat dhe motivet i kam marrë nga përditshmëria. Titulli i ekspozitës quhet “Gruaja” sepse ajo është shtylla e shoqërisë”.

E pyetur nëse do të vazhdonte edhe me ndonjë cikël tjetër të po të njëjtës temë, ajo është shprehur skeptike dhe ka thënë se është gjithmonë në kërkim të sfidave të reja.

“Kjo është temë në vete. Unë mendoj ta sfidoj veten edhe në teknika tjera edhe në gjëra të tjera meqë unë gjithmonë jam në kërkim edhe në teknika edhe në tema. Në këtë lloj të teknikës, të teknikës së letrës, kërkohet durimi dhe imagjinata”.

Mbrëmja po vazhdonte me një atmosferë shumë miqësore dhe në një klimë spontane ku të gjithë dukeshin të buzëqeshur dhe të kënaqur me punën që po shihnin përballë. Ndoshta se shumica ishin gra, ndoshta se ekspozita i dedikohej “Gruas”. / KultPlus.com

Të shtrirë për art!

Nga: Lydia Figes dhe Andrew Shore
Përktheu: Monika Stafa

Qëndrimi shtrirë i modelit është një nga pozat më të njohura në historinë e artit botëror. Ky është një moment i ngulitur fort në traditat historike të artit perëndimor dhe atij lindor.

Buda i shtrirë

Buda i shtrirë, është një vepër që përsëritet në pjesën më të madhe të ikonografisë në artin budist. Motivi merr shkas nga gjendja e pas vdekjes kur njeriu ka arritur të përjetojë një gjendje të lartme siç është ajo e një çlirimi shpirtëror (nirvana). Ky qëndrim i shtrirë në të shumtën e herës përçon domethënien e së drejtës që të jep statusi elitar që personazhi mbart.

Vepër nga Burma, me autor të panjohur

Në botën e lashtë greke dhe romake, perëndeshat, nimfat dhe figura të tjera mitologjike vizatoheshin shpesh herë të shtrira. Tipikisht sidomos, perëndesha romake e dashurisë, Venera (Afërdita), u shfaq në një skulpturë krejt e zhveshur dhe zbathur, megjithëse portretizimet e saj më të famshme nuk e kishin përshkruar atë në një plan të tillë horizontal.

Venusi i Mediçëve, shekulli XVIII

Në këmbë apo shtrirë, ajo më së shumti të herës është përpjekur t’i mbulojë pjesët e saj private. Piktori i Rilindjes, Giorgione (1477-1510) ishte një nga të parët që e popullarizojnë një nudo femërore, me veprën e tij “Venusi duke fjetur” (1508-1510).

Venera e Urbinos (nga Titiani)

Kjo u pasua me Venerën e Titianit, në vitin 1538. Përgjatë historisë së artit, artistët evropianë vazhduan të imitojnë vizionin e Giorgione me një Venus të shtrirë. Kësaj tabloje nuk i shpëtoi as piktori francez i epokës rokoko, Francois Boucher. Edhe ai pikturoi një princeshë nudo të shtrirë në një mënyrë të tillë.

Danaë nga Boucher

Tradita e portretizimit të figurave me një qëndrim të shtrirë vazhdoi me shekuj. Pauline Borghese, motra e Napoleon Bonapartit, një fisnike italiane e sërës së lartë, e kishte skalitur veten si në imazhin klasik të një Venusi të përsosur.

Pauline Borghese nga Antonio Canova

Sir Brooke Boothby, u portretizua gjithashtu në një pozicion të shtrirë kur u pikturua nga Joseph Wright, më1781. Një fisnik i lartë anglez dhe trashëgimtar i madh tokash, Boothby ishte një poet dhe filozof amator.

Sir Brooke Boothby nga Joseph Wright

Më 1870, James Tissot pikturoi këtë portret të Frederick Burnaby, i cili ishte një student i ri, që më pas iu bashkua ushtrisë. Burnaby ishte një figurë e shoqërisë së lartë victoriane. Ai vdiq 15 vjet më vonë prej pozimit për Tissot, në Betejën e Abu Klea-s.

Frederick Burnaby nga James Tissot

Në shekujt e XIX-të dhe XX-të, artistët vazhduan të eksplorojnë mbi pozicionin shtrirë të figurës qendrore që pozonte. William Etty pikturoi me qindra nudo të shtrira sensuale dhe provokuese, për të cilat ai u kritikua për shkak të pamjes së tyre shumë reale.

Figurë e shtrirë nga William Etty

Etty ishte duke ndjekur gjurmët e shumë artistëve të famshëm të kohës, përfshirë edhe Goya-n, i cili pikturoi dy ‘Maja’, një e veshur dhe tjetra nudo, por të dyja të shtrira. Goya mund të jetë frymëzuar nga bashkatdhetari i tij, Velázquez, nudoja e vetme e të cilit paraqitej gjithashtu e shtrirë, e njohur ndryshe si ‘The Rokeby Venus’.

Majat e Goya-s

Një tjetër pikturë tepër e famshme e një nudoje të shtrirë dhe që u frymëzua drejtpërdrejt nga Venera e Titianit, është Olimpia e E. Manet. Konsiderohet sot si një nga portretet më tronditëse të Manet, i cili u bë dhe artisti i parë i famshëm që vendosi një grua të bardhë moderne në këtë pozicion, ndërsa audienca u trondit. Olimpia nuk paraqitet thjesht e shtrirë, pasive me sytë e saj gjysmë të mbyllur, por përkundrazi, ajo shikon ngultazi çdo vizitor që zor se ia del pa u provokuar prej shikimit të saj.

Olimpia e Manetit

Dhe, megjithëse piktura ishte revolucionare në prurjen e re që ajo pati, Olimpia vetëm se shtoi listën e gjatë të veprave artistike të kryera nga artistë meshkuj që vetëm ata mund të shfaqnin gra lakuriq shtrirë. Në vitin 1989, një grup artistesh feministe me nofkën “Vajzat guerrile” tërhoqën vëmendjen me një trend të ri. Ato krijuan një poster ku në qendër ishte një vajzë haremi, në të cilën shkruhej: “A duhet që gratë të jenë lakuriq për të hyrë në Muze?”/KultPlus.com

Është hapur ekspozita “Portrete” e Agron Saliut në Paris

Piktori tetovar Agron Saliu, për artdashësit në atelienë e RMV-së në “Cite Internationale des Arts” ka hapur ekspozitën e tij të radhës të titulluar “ Portrete”, shkruan KultPlus.com

Saliu tha se një pjesë e madhe e portreteve në vizatim është realizuar përgjatë qëndrimit në Paris.

“I pasionuar nga vetë kryeqendra e artit botëror disa prej portreteve i realizova gjatë qëndrimit në Paris. Ato janë një vazhdimësi e portreteve që trajtoj ndër vite, dhe pikërisht vendosa në vizatim për dallim nga hera e parë që jam ekspozuar me piktura”, deklaroi Saliu para hapjes së ekspozitës.



Ekspozita e Saliu në Paris është mbështetur nga Ministria e Kulturës e RMV-së.

Piktori, Agron Saliu, i përket brezit të piktorëve bashkëkohorë nga Maqedonia. Ai është një artist akademik nga qyteti i Tetovës, vendlindja e dy universiteteve: Universitetit Shtetëror i Tetovës si dhe Universiteti i EJL. Ai u diplomua në drejtimin për pikturë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në klasën e profesorit Ilirjan Beqiri.

Agron Saliu, shpejt e formoi zhanrin e tij artistik si piktor i portretit në botën akademike dhe gjithashtu në komunitetin e artistëve në të gjithë botën. Ai ka prezentuar ekspozita të shumta solo në Paris, Vjenë, Sarajevë, Zagreb, Podgoricë, Shkup, Tetovë etj.

Ekspozitë e piktorit Arsim Berisha nga Kosova në Efrentikon të Cyrihut

Në Zvicër është mbajtur ekspozita e piktorit shqiptar Arsim Berisha. Berisha ka paraqitur disa lloje stilesh që për motiv kanë pasur vendin dhe kombin e tij të lindjes, shkruan KultPlus.com

“Ekspozitë e piktorit shqiptar Arsim Berisha nga Kosova në Efrentikon të Zyrihut. Autori paraqitet me një larmi motivesh e stilesh, por i mbështetur fort në motivin e tij kryesor: Atdheun, kombin dhe historinë e tij”, ka njoftuar Qendra e Botimeve për Diasporën.



Fshati i vogël polak, ku çdo gjë është e mbuluar me piktura (FOTO)

Njëherë e një kohë, në një fshat të vogël të quajtur Zalipie në Poloni, dikush ka pikturuar një lule në tavanin e shtëpisë me qëllim që të mbulojë një shenjë të shkaktuar nga tymi i shporetit.

Ky fshat ishte i varfër atë kohë dhe thuaje të gjitha shtëpitë kishin shenja të tilla tymi.

Pikturimi i mureve në këtë fshat filloj të bëhej si zakon, derisa të gjitha shtëpitë ishin mbuluar nga to. Përfundimisht çdo gjë në këtë vend ishte mbuluar në lule, nga shtëpitë tek urat, kishat e gjithçka tjetër, transmeton Klan Kosova.

Ndërsa që nga pranvera e vitit 1948, fshati ka mbajtur konkursin Painted Cottage. Zalipie ndodhet në juglindje të Polonisë vetëm 90 minuta nga Krakovi, ky fshat i bukur me plotë ngjyra është vend i përsosur për një udhëtim unik dhe të paharrueshëm./ KultPlus.com

Saranda në sytë e piktorëve, punimet e artistëve vendas dhe të huaj që kanë vizituar qytetin

Në Sarandë, galeria e artit është bërë pjesë e ofertës turistike të sezonit veror. Galeria ka të ekspozuar momentalisht rreth 72 vepra të disa zhanreve, një pjesë e rëndësishme kjo e fondit te saj. Punët janë të larmishme dhe ideja përshkuese është diversiteti.

Galeria ofron shumë forma të përceptimit të mjedisit përmes pikturës që nga ajo realiste e periudhës së diktaturës, piktura postdiktaturë, por edhe këndvështrimin e piktorëve të huaj për Shqipërinë.

Një pjesë e mirë e veprave janë përfituar sipas kreut të galerisë Lefter Çeko prej kolonive të piktorëve nga e gjithë bota që e kanë vizituar Sarandën.

Kjo është ekspozita e tretë në galerinë e artit të Sarandës që prej fillimit të sezonit. Ekspozita me vepra në pikturë, skulpturë e instalacion përfaqëson rreth 30 autorë shqiptarë dhe të huaj ku dallojnë vepra të autorëve Odise Papa, Josif Droboniku, Helidon Haliti, Stavri Çati, Lefter Çeko, Jorgji Gjikopulli, Arben Bajo, Edmond Gjikopulli.

460 vepra arti në pikturë me ngjyra vaji, akuarel,skulpturë, qeramikë, metal dhe mermer u ekspozuan gjatë vitit të kaluar në këtë galeri. 8 ekspozitat e vjetshme tërhoqën rreth 10 mijë vizitorë, ndërsa edhe këtë vit interesi është në të njëjtat nivele.

Kush është Mona Lisa?

Konsiderohet piktura me e famshmë në botë, shumë njerëz e kanë quajtur edhe “Piktura Misterioze” pasiqë ka ngjallur dhe vazhdon të ngjallë shumë konspiracione, rreth asaj se kush dhe cka mund të jetë Mona Lisa.

Da Vinci, diku mes viteve 1503 dhe 1506, krijoi pikturën më të famshme ne botë- Mona Lisa. Mendohet se Mona Lisa Gherardini ishte Lisa Del Giocondo, gruaja e tregtarit fiorentin Francisco del Giocondo.

Por, nuk ekziston një provë që e mbështetë një gjë të tillë. Gruaja në pikturë ka qenë “viktimë” e shumë spekulimeve,se kush mund të jetë ajo, madje, ka pasur edhe prej atyre që kanë pretenduar se Mona Lisa është vetë Da Vinci.

Ka edhe prej atyre që pretendojnë se buzëqeshja e Mona Lises, në fakt, është buzëqeshja e të dashurit homoseksual të artistit. Mirëpo, ajo që e bën këtë pikturë të vecantë janë sytë dhe buzëqeshja e gruas. Mona Lisa nuk duhet as e gëzuar, as e pikëlluar.

Piktura origjinale është shfaqur në Muzeun e Luvrit në Paris që nga viti 1797.

Historia shqiptare përmes pikturave prezantohet në Gjermani

Piktori Anastas Kostandini është prezantuar me piktura për Shqipërinë në Gjermani. Me një aktivitet të vlerësuar me krijimtarinë e tij ndër vite, këtë herë veprat në pikturë janë prezantuar në rajonin e Nurembergut në Gjermani. Në ekspozitë paraqiten rreth 20 pastele dhe një cikël gravurash në dru, por këtu është dhe cikli “Historia e Skënderbeut”, që autori e realizoi për 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Frankonia konsiderohet si zonë me tradita të mëdha ku ka jetuar Albert Dureri, i cili ka qenë djepi i gravurave të para mbi historinë e Skënderbeut. Tabloja ku është prodhuar mozaiku “Shqipëria” zbukuron dhe karakterizon dhomën “Shqipëria”, e dekoruar nga Taso në Lindnhof, por ajo përmban edhe të tjera punime. Gjatë muajit tetor kjo ekspozitë do të shëtisë në Berlin dhe nëpër qytete të tjera në Gjermani. Deri më atëherë Anastas Kostandini do t’i shtojë koleksionit dhe një cikël tablosh me ngjyra vaji me kompozicione nga realiteti i sotëm shqiptar.

Ekspozita që u hap në hotelin “Lindnhof” në rajonin e Nuremberugt është mundësuar prej fondacionit “Nehemia”. Për ekspozitën e artistit të njohur Anastas Kostandini (Taso) kanë shkruar dhe gazetat gjermane. Në materialet e botuara tregohet për punën e autorit shqiptar, i cili prej vitesh me krijimtarinë e tij me pikturën ka marrë shumë vlerësime. Piktori Anatas Kostandini shprehet se punët për Shqipërinë janë mirëpritur mjaft mirë në Gjermani kur janë prezantuar. “Është një zonë mjaft interesante, ku kam ekspozuar rreth njëzet pastele, grafika me qytete shqiptare dhe një cikël nga historia e Skënderbeut. Pjesa tjetër interesante për mua ishte dhe realizimi i dhomës ‘Shqipëria’. Unë u thirra për t’i dizajnuar këto dhoma dhe punova gjatë për dhomën e personalizuar ‘Shqipëria’. Përmban një pikturë të madhe, që është riprodhim i mozaikut ‘Shqipëria’ dhe e kam bërë në dimensionin 3 me 1 metër, por aty ka edhe tablo të Lasgush Poradecit. Abazhur me kostume kombëtare, e gjitha një Shqipëri e vërtetë”, shprehet piktori Anastas Kostandini mes të tjerave për prezantimin me veprat e tij në Gjermani.

Anastas Kostandini (Taso) ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë më 1978. Tema e preferuar e veprave të tij janë peizazhet sociale e poetike nga jeta e përditshme, natyra psikologjike e qytetit të lindjes Pogradecit, të cilin ai e njeh në thellësi, si dhe kompozimi nga traditat e vendlindjes.

Procesi i kujdesshëm i restaurimit të pikturave të periudhës së Barokut

Restaurimi i pikturave kërkon një delikatesë dhe një mjeshtri të jashtëzakonshme.

Piktura që shihni është një vet-portret nga piktorja italiane Emma Gaggiotti Richards, e cila ishte piktore e oborrit mbretëror të Mretëreshës Viktoria dhe Princit Albert.

Restaurimi i pikturave të kësaj kohe fillimisht kërkon largimin e pikturës nga korniza dhe largimin e pluhurit dhe instekteve që mund të kenë mbetur Brenda kornizës.

Pastrami kryesor i pikturës bëhet me dyll, në mënyrë që të largohet rrëshira dhe të qartësohen ngjyrat. Restauruesit e pikturave zakonisht bëjnë disa teste mbi një pjesë të vogël të pikturës pasi që disa ngjyra reagojnë me dyllin dhe mund ta shkatërrojnë të gjithë pikturën po të hidhen menjëherë sipër saj.

Pjesa e dytë e pastrimit bëhet me sulfur të zbutur, e në disa raste edhe me varnish, një lëng që e zbut sipërfaqen e pikturës..

Me anë të makinerive të presionit të lart pikturat drejtohen dhe riparohen në vene ku mund të jenë shqyer.

Qepja e pikturës bëhet me fije të vogëla të copës së piktirës dhe lihet në ambijent të mbyllur derisa dy materialet të kapen mes vete.

Pjesa e fundit e restaurimit të pikturave është zgjerimi i rretheve të pikturës që piktura të mund të ngjitet pa problem me kornizën e saj.

Gjëja më e rëndësishme gjatë kësaj pune është që asnjëherë të mos fshihet emri i autorit, i cili zakonisht është i shkruar në pjesën e pasme të pikturës./RronaJaka/KultPlus.com

Prezantohen veprat e panjohura rreth 100-vjeçare të Kolë Idromenos

Piktori dhe personaliteti i madh i artit shqiptar Kolë Idromeno vjen i plotë në ekspozitën retrospektivë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Për herë të parë prezantohen edhe dy vepra të tij, të panjohura deri më sot për publikun.

Sapo përmend piktorin e njohur Kolë Idromeno përpara të shfaqet kryevepra e tij, “Motra Tone” realizuar në moshën 23-vjeçare prej tij. Galeria Kombëtare e Arteve sjell për herë të parë veprën e plotë të piktorit.

Për herë të parë prezantohet edhe portreti i rrallë nga Idromeno i vitit 1927, i cili është identifikuar së fundmi dhe që është kleriku Ernest Çoba.

Kompozimi “Kur dreqi hyn në shtëpi” ekspozohet për herë të parë pasi është restauruar, se fundmi bashkë me 24 vepra të tjera.

Ekspozita retrospektivë, e cila do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare për 3 muaj na shpalos Kolë Idromenon në shumë dimensione, si piktor, fotograf, skenograf, muzikant dhe arkitekt.

Një tablo gjigande e Kolë Idromenos, e vlerësuar nga kritika si një nga kompozimet më të jashtëzakonshme të pikturës shqiptare është ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Vepra me një histori të pazakontë udhëtimesh nëpër Malësinë e Veriut ka edhe një histori të veçantë të restaurimit dhe konservimit të saj. Pavarësisht se tema e kësaj vepre është me karakter religjioz dhe në regjimin komunist ishte e ndaluar çdo vepër me simbolikë fetare, për mjeshtrin e pikturës shqiptare Kol Idromeno duket se është bërë një përjashtim.

Po t’iu referohemi detajeve, në këtë kompozim bien në sy zakone, tradita dhe veshje popullore. Është një manifestim i gjallë i etnografisë shqiptare.

Janë plot 220 figura, ku janë skicuar qindra njerëz që mbajnë veshje tradicionale popullore të Shkodrës dhe të Malësisë së Veriut.

Në ekspozitë nuk mungojnë edhe fotografitë e rralla të Kolë Idromenos.

Ndërkohë studiuesja e njohur e etnografisë Afërdita Onuzi për ta plotësuar lidhjen shpirtërore me tablotë mbi 100-vjeçare, ka punuar shumë për ta shoqëruar ekspozitën e Idromenos me një ekspozitë etnografike, me kostume, veshje e stoli, imazhet e të cilave i gjen në pikturat e tij/dita. / KultPlus.com

Një pikturë e Caravaggios shitet para se të dalë në ankand

Piktura “Giuditta e Oloferne”, e mjeshtrit të madh italian Caravaggio, që pritej të dilte në ankand të enjten në Tuluzë, iu dha me një marrëveshje të përbashkët një blerësi të huaj, njoftoi sot shtëpia e shitjeve Labarbe.

Piktura, e vlerësuar mes 100 dhe 150 milionë euro, do të largohet nga Franca”, thotë në një komunikatë Labarbe.

Kjo marrëveshje mbulohet nga një angazhim konfidencialiteti për sa i përket çmimit dhe identitetit të blerësit”, thekson shtëpia e ankandeve që kishte zbuluar këtë pikturë në një papafingo të këtij qyteti në jug të Francës/ ATSH/ KultPlus.com

Piktoret binjake nga Irani që po lënë nam në SHBA

Motrat binjake Safarani, të lindura në Iran, kanë pikturuar që kur ishin 13 vjeç. Ato u dashuruan me artin në Iran, por pas diplomimit në degën e pikturës të Universitetit të Teheranit, vendosën ta vazhdojnë arsimimin e tyre jashtë shtetit dhe u transferuan në Boston.

“Ne donim të lëviznim, të eksploronim dhe të ndryshonim mënyrën tonë të të jetuarit. …Dhe shkoi mirë. Këtu kemi shumë mundësi që nuk i kishim në Teheran, që mund të na ndihmojnë të zhvillohemi si artiste. Mund të krijonim çfarë të donim në Iran, por për t’i shfaqur disa nga ato piktura … kishte rregulla dhe kufizime”, thotë Bahareh.

Pasi përfunduan studimet pasuniversitare për artet e bukura në Universitetin Northeastern, dy motrat filluan të organizonin ekspozitat e tyre të para të veçanta. Jeta në Shtetet e Bashkuara u mësoi atyre se të qenit i suksesshëm nuk do të thotë vetëm të kesh talent. Për të patur sukses, është e nevojshme të takohesh me tregtarët e artit, të udhëtosh në të gjithë vendin dhe të japësh intervista. Sot, pikturat e motrave, që shprehin përqafimin e bukurisë me dhimbjen, janë bërë të njohura.

“Nëse gjithçka në botë do të ishte e përsosur, gjithçka të ishte e bukur, të gjithë të ishin të lumtur, kjo do të ishte koha kur nuk do të krijohej asgjë”, shpjegon Farzaneh.

Pikturat e tyre shiten mirë, pavarësisht çmimit të lartë – secila prej tyre kushton midis 12 dhe 30 mijë dollarëve. Disa krijime paraqiten si instalime video – një mënyre e re arti që Bahareh dhe Farzaneh e zbuluan në Amerikë.

“Sfida më e madhe për të gjithë ata që emigrojnë është që të përshtaten në vendin e tyre të ri. Në Iran, ne kemi mësuar artin tradicional; kur erdhëm këtu, eksploruam artin me video, artin e performancës. Kjo na çoi në një nivel krejt të ri”, thotë Farzaneh.

Motrat janë shumë të zëna me punimet e tyre. Çdo ditë ato planifikojnë ekspozita dhe takime të reja. Ekspozita e tyre e ardhshme do të jetë tani në vjeshtë, në Nju Jork. Dhe ato thonë se ky është vetëm fillimi./KultPlus.com

Kristaq Pavli sjellë ngjyrat e Vunos përmes pikturave në South Outdoor Festival (FOTO)

Gili Hoxhaj

South Outdoor Festiaval e ka shndërruar fshatin Vuno në një vend të aktiviteteve të ndryshme ku turistë të huaj e shqiptarë po përjetojnë aventurat më të mira. Aktivitetet të ndryshme sportive e kulturore u dhurojnë të pranishmëve kënaqësi të dyfishtë, krahas pamjes së këtij fshati të Himarës.

Në pjesën e poshtme të këtij fshati sheh jo dhe pak tenda që dëshmojnë për një numër të madh vizitorësh. Freskia nga të gjitha anët, e interaktiviteti i vazhdueshëm po i mban njerëzit pranë këtij festivali i cili në çdo kohë ka diçka për të ofruar. Në Vuno është vendosur një ndërtesë e gurtë, e cila kulm të vetëm e ka qiellin. Ajo duket sikur e zbrazët por ata që ia mësyjnë brendisë takohen me jo dhe pak punime që janë varur aty, aty ata përmes pikturave gjejnë pjesën më të bukur të kësaj zone, mbi kalldrëmet, shtëpitë e vogla e rrugicat.

Për ata që tashmë i kanë ecur rrugët e këtij fshati, pamjet e disa pikturave aty nuk janë dhe të panjohura. Kristaq Pavli është një piktor që kurrë nuk është ndarë se inspiruari nga vendlindja e tij, pamjes e së cilës po ua sillte vizitorëve edhe përmes pikturave. Ngjyra të ndezura të natyrës, e pamja e detit të kësaj anë janë karakteristike e punimeve të tij. Ata që tashmë po magjepsen me arkitekturën unike të këtij fshati, pamjen e tij mund ta marrin me vete përmes pikturave të Pavlit që janë në shitje.

Studimet e tij nuk lidhen me artin por kjo nuk i kishte ndikuar që ai të mos ta vazhdonte pasionin e tij. Ai tregoi për KultPlus nuk kishte pasur mundësi të vazhdonte Institutin e Arteve por më pas ishte shpërngulur për në Korfuz të Greqisë, atje ku kishte bërë punë të rëndomta fizike, ndërsa dikush nga të pranishmit e kishte kuptuar talentin e tij që e kishte marr me vete dhe në Greqi. Ata që e kishin takuar i kishin sugjeruar që të marr rrugën për në Athinë pasi që kjo ishte mënyra ideale që talenti i tij të përplaset në piktura.

“Atje hapa ekspozitën në një galeri shumë serioze, galeri në një lagje pasanikësh dhe aty fillova të më hynte vetja në qejf dhe fillova të seleksionoja klientët dhe të mos bëja më punë të rëndomta por merresha me piktura morale”, tregoi Kristaq Pavli.
Kur kishte dëgjuar për South Outdoor Festival që do të zbarkonte në Vuno, atë e kishte kapluar një ndjenjë gëzimi që përmes saj do të promovohej fshati i tij. Bukuria e këtij fshati ka kohë që kishte zënë vend në pikturat e tij e të cilat në formë të ngjashme i vendos edhe në shtëpinë e tij.

“Impresion Jonian”, mban emrin ekspozita e fundit që ai e kishte hapur pasi që shumica e pikturave përfshinin bregdetin e Vlorës.

Brenda kësaj hapësire të veçantë ekspozuese krahas shumë vizitorëve, aty takoje edhe Reil Hoxhën, drejtor artistik i South Outdoor Festival. Ai tha se përkundër aktiviteteve të shumta në kuadër të këtij festivali, ai përmban edhe befasi shumë të bukura, siç është kjo ekspozitë.
“Krahas gjithë organizimit është shumë e mirë të kesh edhe një kënd poetik, edhe një kënd intim i cili të transporton më tutje se organizimi i zakonshëm. Aktivitete të ndryshme bëhen bashkë për të rikthyer dytë e botës në këto vende të vogla që janë si perla të vogla në mes Shqipërisë”, tregoi ai, duke u shprehur se këtë vend që e quan si një perlë të Shqipërisë, e ka ngurtësuar përmes punimeve të tij.

“Është një ekspozitë që të tërheq menjëherë, pra kjo ekspozitë ta tregon një histori që Festivali nuk ta tregon dot, është një histori e jetuar e një personi dhe që pasqyrohet mjaft bukur në këtë ekspozitë”, tregoi Hoxha për KultPlus.


South Outdoor Festival dje solli një ditë të mbushur me aktivitete ndërsa aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe sot, duke i ofruar vizitorët edhe më shumë me bukuritë e këtij fshati./ KultPlus.com

Turmat e njerëzve nga Kosova dërgohen në Shkup përmes artit

Alberina Haxhijaj

Dy ditë më parë artisti nga Kosova, Faton Mazreku ka dërguar 14 punime të tij në Shkup, punime këto të cilat përmbajnë turma të njerëzve, nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë e që piktori i ka ngërthyer në piktura e tij. Gjithë kjo është bërë për të hapur ekspozitën e dytë personale të artisti të titulluar “Piktura”, shkruan KultPlus.

Secila nga pikturat e ekspozuar ngërthen në vete nga një tematikë, prandaj pikërisht ky fakt e ka bërë të vështirë për artistin edhe titullimin e ekspozitë. Ekspozitë kjo, në të cilën pjesa dërrmuese e pikturave, shfaqë turma të njerëzve. Artisti Faton Mazreku në një intervistë për KultPlus, ka treguar se si pikënisje për pikturimin e turmave dhe ngërthimin e tyre në punën e tij, ka qenë tregu.

“Tregu është pikënisja e motivi kryesor në pikturën time e që vazhdon të jetë prezent edhe në këtë ekspozitë ku nëpërmjet figurave që qëndrojnë aty shpalos kohën moderne. Pjesa tjetër e turmave të këtyre figurave janë afër Xhamisë ku kam reflektuar që të përshkruaj në mënyrë vizuale ngjarjet në shoqërinë dhe aktualitetin tonë. Pra një derë e cila shërben që këto figura të dalin me kokulur ku shihet si një problem social- shoqëror”, tregoi artisti për KultPlus.

Kjo ekspozitë përfshinë 14 punime, prej të cilave 13 janë piktura dhe 1 vizatim. Teknika e tyre është vaj në pëlhurë. Këto punime janë realizuar për një periudhë 3 vjeçare nga viti 2016 e deri më sot.

“Materialet apo teknika shpresë për mua mbetet piktura dhe si e tillë ndjeje kënaqësi që të bëjë një pikturë bashkëkohore dhe ti qëndrojë besnik pikturës klasike përkrah medieve të reja të artit”, tregon artisti, i cili shprehet i lumtur që puna e tij ka arritur që të ekspozohet edhe në Shkup.

“Sigurisht që është kënaqësi me ekspozu në Shkup ku si artist mirëpres kritika të reja nga një shtet tjetër. Kjo ishte një mundësi e artë e imja që të rinisë artin për ekspozita të tjera dhe si e tillë të më shërbejë si motiv i vazhdueshëm për tregimet, e që më duket se nuk më mbarojnë asnjëherë”, tregon ai.

Të gjitha punimet e prezantuara në ekspozitë ishin të reja përveç dy punimeve të cilat tregonin se artisti tashmë ka një bagazh artistik prapa tij. Dy nga pikturat e ekspozuara kanë qenë pjesë e ekspozitës në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, në Prishtinë.

Faton Mazreku studimet i ka mbaru në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Së fundi ka qenë pjesëmarrës në ekspozitën “ Artistët e së Nesërmes”, Qendra për Art Bashkëkohor Stacion, “ Artistet e rinj“ në Galerinë e Arteve të Kosovës si dhe pjesë e Rezidencës në Firence dhe Venecia e cila ishte mbështetur nga Fondacioni “HAJDE “ dhe STACION.

Në Qendrën Informative Kulturore, KIC Qik, në Shkup artdashësit do të kenë mundësi që ta vizitojnë këtë ekspozitë deri më datën 28 prill./ KultPlus.com

Ankand-ekspozitë shitëse për Bekim Lumin

Tashmë çdo ditë e më shumë po shtohen aktivitetet artistike, në mënyrë që të ndihmohet regjisori dhe profesori, Bekim Lumi që po përballet tash e dy vite me sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Sonte në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të hapet ankand-ekspozita shitëse. Në këtë ekspozitë do të shiten piktura, skulptura, grafika ndërsa të gjitha të hollat do të shkojnë për shërimin e regjisorit Lumi.

Udhëheqës i këtij ankandi është aktori, Fatmir Spahiu. Kjo ankand-ekspozitë shitëse do të hapet sonte, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Shitet me çmim rekord piktura e Leonardo da Vinçit

Një pikturë 500-vjeçare e Krishtit që besohet të jetë pikturuar nga Leonardo da Vinçi, është shitur në Nju Jork për një rekord prej 450 milionë dollarësh.

Piktura njihet si Salvator Mundi (Shpëtimtari i Botës).

Është çmimi më i lartë i ankandit për çdo vepër arti dhe solli tallje dhe duartrokitje në dhomën e ankandit të mbushur Christie’s.

Leonardo da Vinci vdiq në vitin 1519 dhe ka më pak se 20 prej pikturave të tij në ekzistencë.
Vetëm një mendohet të jetë në duar private, Salvator Mundi, që besohet të jetë pikturuar diku pas vitit 1505.
Oferta përfundimtare për punën ishte 400 milion dollarë, me tarifa që sjellin çmimin e plotë deri në 450.3 milion dollarë.

Blerësi i paidentifikuar ishte i përfshirë në një konkurs tenderimi, nëpërmjet telefonit, që zgjati rreth 20 minuta.
Piktura tregon Krishtin me një dorë të ngritur, tjetra mban një sferë qelqi.
Në vitin 1958 ajo u shit në ankand në Londër për 60 dollarë. Në atë kohë, piktura në përgjithësi llogaritej të ishte vepër e një ndjekësi të Leonardo dhe jo vepra e vetë Leonardos.

Një kritik madje e përshkroi sipërfaqen e pikturës të jetë “inerte, e llakur, e pastruar, e pastruar dhe e rindërtuar kaq shumë herë sa duket njëkohësisht e re dhe e vjetër”.
Katër vjet më parë ajo ishte blerë nga një koleksionist rus për 127.5 milion dollarë por kjo ishte një shitje private, jo në ankand. /KultPlus.com

Hiqet llaku mbrojtës nga piktura 399-vjeçare, transformimi është i mahnitshëm (Video)

Zakonisht pikturave ju vihet një pëlhurë mbrojtëse në mënyrë që ato të mos dëmtohen dhe t’i rezistojnë kohës. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me një portret të vajit i cili ishte punuar në vitin 1618 ndërsa për dyqind vite kishte qëndruar i mbuluar me një shtresë të trashë të llakut, përcjellë KultPlus.

Rreth dyqind vjet më parë, dikush kishte mbuluar portretin e një gruaje me një shtresë të trashë të llakut ndërsa së fundmi u zbuluan ngjyrat origjinale të kësaj vepre artistike. Eksperti i artit dhe nikoqiri i “BBC One Fake” shfaq ngjyrat e vërteta të kësaj pamje për ndjekësit e tij në Twitter derisa shihet se si me kujdes i heq llakun duke treguar një transformim mahnitës të kësaj pikture.

“Një rishfaqje e mrekullueshme e Jacobean pasi që qëndroi për 200 vite e mbuluar me llak të verdhë”, shkroi ai në Twitter. Më anë të këtij llaku shumë detaje të “Gruas në të Kuqe” nuk vëreheshin, dhe gjithçka që dinim është se ajo ishte 36-vjeçare në atë kohë./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=dAaMeuk1Xgs

Piktura e Jezu Krishtit e Leonardo da Vinçit, në ankand

“Salvator Mundi” është një nga më pak se 20 pikturat e njohura nga da Vinçi dhe i vetmi në duart e ankandit “Christie’s”.

Një pikturë e rrallë dhe e vjetër rreth 500 vjet e Jezu Krishtit, e pikturuar nga Leonardo da Vinçi, do të shitet në ankand në New York.

“Salvator Mundi” është një nga më pak se 20 pikturat e njohura nga da Vinçi dhe i vetmi në duart e ankandit “Christie’s”. Ky institut mund ta shesë atë për hiq më pak se 100 milionë dollarë, më 15 nëntor.

“Puna e Leonardo da Vinçit është më të vërtetë e jashtëzakonshme. Dikush erdhi dje dhe më pyeti: Ku është Leonardo?’ Pra, kjo është një pyetje në karrierën time në Christie’s, unë kurrë nuk kam qenë i pyetur më pare, shkruan albinfo.ch. Kështu që isha i lumtur t’i dërgoja ata te piktura”, deklaroi zëvendëspresidenti i “Christie’s”, Conor Jordan, i cili shtoi se kjo pikturë shton vëmendjen e publikut rreth shitjeve./ KultPlus.com

“Salvador Mundi” do të shitet mbi 100 milionë dollarë

Tabloja e fundit e piktorit italian, Leonardo da Vinçi në duart e një koleksionuesi privat do të shitet në Nju Jork më 15 nëntor gjatë ankandit të organizuar nga ”Christie’s”, që e ka vlerësuar 100 milionë dollarë.

“Salvator Mundi” (Shpëtuesi i botës), tablo me një finesë ekstreme që përfaqëson Krishtin, ishte konsideruar prej shumë kohësh si një kopje, para se ekspertët të provonin origjinalitetin e saj.

”Të paktën 20 tablo të Leonardo da Vinçit, vepra e të cilit ishte marrë tashmë kur ishte gjallë, ekzistojnë edhe sot”, sipas ”Christie’s”.

Me përjashtim të “Salvator Mundi”, të gjitha janë në pronësi të muzeve apo institucioneve.

Përgjithësisht, pjesa më e madhe e tablove para shekullit XIX janë sot të aksesueshme për publikun dhe shumë rrallë për t’i parë të ofruara në ankande.

Para shitjes, tabloja do të udhëtojë në Hong Kong, San Francisko dhe Londër, ku do të jetë e ekspozuar, para se të mbërrijë në Nju Jork gjatë ditëve para ankandit./ KultPlus.com

10 misteret e fshehura në pikturat e famshme (FOTO)

Arti nuk është vetëm një burim frymëzimi, por gjithashtu një mister i madh. Artistët shpesh shtojnë detaje të vogla të çuditshme në pikturat e tyre, ose lënë mesazhe që janë të pamundura të vërehen në shikim të parë.

Bota.al sjell më poshtë një listë të kryeveprave të pikturës, me sekrete të papritshme. Në fund të artikullit, edhe një bonus: një nga hipotezat më të çuditshme në lidhje me Mona Lizën.


10. Veshi i gabuar

Auto-portreti i Vincent Van Gogh me veshin e fashuar paraqet artistin me një vesh të djathtë të plagosur. Në realitet, ai kish prerë veshin e majtë. Mospërputhja shpjegohet me faktin se Van Goghu përdori një pasqyrë për të krijuar portretin e tij.


9. Piktura nën pikturë

Nëse shikoni nga afër Kitaristin e Vjetër nga Pablo Picasso, mund të shihni një siluetë femre të zbehtë prapa kokës së njeriut. Pas marrjes së imazheve me rreze infra të kuqe dhe X të pikturës, studiuesit nga Instituti i Arteve të Çikagos zbuluan disa forma të tjera të fshehura nën të. Me shumë gjasa, artisti nuk kishte para të mjaftueshme për të blerë pëlhura të reja, dhe duhej të pikturonte.


8. Ora e natës është e vendosur gjatë ditës

Gjatë restaurimit të pikturës së Rembrandt The Shooting Company of Frans Banning Cocq and ëillem van Ruytenburch (e njohur më mirë si “Ora e Natës”) në vitin 1947, ajo u pastrua nga një shtresë e trashë bloze. Pas kësaj, u bë e qartë se skena e portretizuar në pikturë nuk ndodh gjatë natës, por gjatë ditës.


7. Kodi anatomik i Kapelës Sistine

Një imazh i trurit njerëzor është i dallueshëm jo vetëm në Krijimin e Adamit nga Michelangelo, por edhe në një tjetër afresk të Kapelës Sistine: Ndarja e Dritës dhe e Errësirës. Shikoni qafën e Perëndisë: nëse e mbivendosni atë në një foto të trurit njerëzor, siç shihet nga poshtë, do të merrni një mbivendosje të përsosur të vijave.


6. Simboli i forcës

Figurat e Davidit dhe Goliathit në një tjetër afresk të Kapelës Sistine, të krijuara nga Michelangelo, formojnë gërmën hebraike gimelin, e cila simbolizon forcën në traditën mistike të Kabalas.


5. Vështrimi i vëngërt i Rembrandit

Margaret Livingstone dhe Bevil Conuay studiuan auto-portrete të Rembrandt dhe provuan se piktori vuante nga stereoverbimi. Kjo veçori bënte që piktori të perceptonte botën pak ndryshe: ai e shihte realitetin në 2D dhe jo në 3D. Megjithatë, është e mundur që stereoverbëria e ndihmoi Rembrandin të krijonte kryeveprat e tij të pavdekshme.


4. Hakmarrja për të dashuruarit

Një nga pikturat më të famshme të Gustav Klimt portretizon Adele Bloch-Bauer. Ajo u pagua nga burri i saj, baroni i sheqerit Ferdinand Bloch-Bauer. Ai zbuloi se Adele dhe Klimt kishin një lidhje dhe besonte se pas qindra skicave, piktori në fund do ta urrente dashnoren e tij. Puna rutinore me të vërtetë bëri që ndjenjat midis gruas dhe artistit të ftoheshin.


3. Parashikimi i fundit të botës

Studiuesja italiane Sabrina Sforza Galitzia propozoi një interpretim të pazakontë të Darkës së Fundit të Leonardo da Vinçit. Ajo është e sigurtë se në pikturën e tij, artisti la një parashikim për fundin e botës, i cili do të ndodhë më 21 mars 4006. Për të arritur në këtë përfundim, studiuesja deshifroi kodin matematikor dhe astrologjik të pikturës. Ky nuk është mister vetëm i Darkës së Fundit. Duart e Krishtit dhe apostujt, së bashku me bukët në tryezë, formojnë diçka që mund të lexohet si disa nota muzikore. Pas testimit, kjo tingëllon si një melodi e shkurtër.


2. Bota në të verdhë

Pothuajse të gjitha pikturat e Vincent van Goghut shfaqin një të verdhë dominante. Profesor Paul Uolf shpjegon se është një efekt anësor i një ilaçi epilepsie që ndryshon perceptimin e ngjyrës. Bota e artistit mund të dukej vërtetë ashtu si e shohim ne, në pikturat e tij.


1. Mozarti dhe masonët

Ka dëshmi të forta se Volfgang Amadeus Mozart ishte një Mason. Edhe në portretin e tij të fëmijës nga Pietro Antonio Lorenzoni, mund të shohim një simbol masonik: një dorë e fshehur që tregon një gradë hierarkike në shoqërinë sekrete.


Bonus: Mona Liza

Stomatologu dhe eksperti i artit Joseph Borkovski studioi me kujdes pikturën e Leonardo da Vinçit dhe pretendon se ka zbuluar sekretin pas buzëqeshjes së La Giocondas. Ai beson se ajo kishte humbur dhëmbët e saj të parë dhe kjo ndikoi në shprehjen e saj të fytyrës. / KultPlus.com