Flaka Goranci magjeps Italinë, së shpejti prezantohet në festivalin e njohur të Austrisë e në Gjermani

Ylli operistik nga Kosova, Flaka Goranci po vazhdon të dëshmojë veten në skenat më të njohura evropiane. Aktivitetet e saj nuk kanë munguar as këtë fundvit e as në fillim të vitit që po vjen.

Ajo së fundmi është paraqitur në koncertin për Krishtlindje në Lucca të Italisë, atje Goranci ka interpretuar nën dirigjimin e dirigjentit austriak me famë  botërore Gustav Kuhn. Goranci me një interpretim e paraqitje të kompletuar artistike, ka magjepsur publikun italian me një nga veprat impenjative të repertorit operistik.  Goranci, e cila është fort e lidhur me rrënjët, atje ka interpretuar në gjuhë të ndryshme ndërsa nuk ka munguar edhe këndimi në gjuhën shqipe, ku ka interpretuar këngën e njohur për krishtlindje “Silent night”, “Natë e qetë”, shkruan KultPlus.

Ndërkohë që Flaka është e angazhuar ne Festivalin e njohur në Tirol te Austrisë me dy role operistike, atë të “Teresa”-s në operën “La Sonnambula” dhe atë të “Ernestina”-s në “L’occasione fa il ladro”,  ajo po përgatitët edhe për dy koncertet e radhës në Gjermani bashkë me orkestrën simfonike të Hamburg – ut ku do të interpretojë pjese të shkëputura nga opera “Carmen” dhe arie nga repertori operistik.

Flaka Goranci me një program të veprave të njohura operistike e vepra të njohura shqipe, i pat dhuruar publikut të Prishtinës një koncert të paharruar në përvjetorin e 5-të të gazetës online për art dhe kulturë, KultPlus. KultPlus e ka kthyer Gorancin pas disa vitesh me koncert në Kosovë, ndërsa në po këtë mbrëmje, Goranci ka rrëfyer edhe për rrugëtimin e saj artistik në kuadër të ciklit të rrëfimeve “Ta zbardhi ftyrën”./ KultPlus.com

“Mos jeto kurrë pa jetë”

Poezi nga Nënë Tereza.


Dita më e bukur? Sot.
Pengesa më e madhe? Frika.
Gjëja më e lehtë? Të gabosh.
Gabimi më i madh? Të heqësh dorë.
Rrënja e çdo të keqeje? Egoizmi.
Mëndjeheqja më e mirë? Puna.
Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës.
Profesionistët më të mirë? Fëmijët.
Nevoja e parë? Komunikimi.
Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët.
Misteri më i madh? Vdekja.
E meta më e keqe? Të qenit pa humor.
Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen.
Ndjenja më e shëmtuar? Mëria.
Dhurata më e bukur? Falja.
Ajo më e paçmuara? Familja.
Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur.
Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme.
Pritja më e mirë? Buzëqeshja.
Ilaçi më i mirë? Optimizmi.
Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.
Forca më e madhe? Besimi.
Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit (priftërinjtë etj).
Gjëja më e bukur në botë? Dashuria. /KultPlus.com

Eneda Tarifa lanson këngën e re “Nuk ia vlen”

Këngëtarja e njohur nga Shqipëria, Eneda Tarifa, ka bërë të ditur se ka publikuar këngën e saj më të re për këtë fundvit.

Kënga e re titullohet “Nuk ia vlen”, tekstin e së cilës e ka shkruar këngëtarja Filloreta Raçi, e njohur për publikun si Fifi.

“Jam shumë e lumtur që këtë fundvit si dhuratë për ju kam projektin shumë të bukur muzikor”, ka shkruar Tarifa në Instagram.

https://www.youtube.com/watch?v=dnewUT0fYDc

“Kosova” e Buxhovit u promovua në librarinë “Dukagjini”

Në ambientet e kulturuara të librarisë “Dukagjini” në Prishtinë, mbrëmë u bë promovimi i tre vëllimeve të fundit (VI,VII dhe VII) të “Kosovës”.

Me këtë rast, botuesi Nazmi Rrahmani tha se fjala është për një vepër kapitale të historiografisë shqiptare të parën të llojit të tillë, në të cilën nëpërmes Kosovës përfshihet historia shqiptare nga antikiteti deri te koha jonë. Rreth tri veprave të fundit, vëllimeve VI, VII dhe VIII me të cilat përmbyllet kompleti prej tetë veprave, Nazmi Rrahmani tha se këto hedhin dritë në fazën e fundit, por më të ndjeshme të shtetformimit të Kosovës, atë të protektoratit ndërkombëtar nga qershori i vitit 1999 e deri më 17 shkurt 2008 kur shpallet pavarësia e shtetit të Kosovës. 

“Në këto libra, autori me anën e dokumenteve pasqyron sfidat me të cilat u ballafaqua shtetformimi, nga ato të angazhimit ndërkombëtar e deri te vendoret, që ishin me zhvillime shpesh kundërthënëse dhe të përcjella me konflikte, sidomos me ato që kishin për qëllim këtë proces ta ndalnin ose ta fusnin në një rrugë pa krye në mënyrë që të pengohet pavarësia.”


Edhe redaktori i librit, Ramadan Musliu, përmbylljen e veprës me tri vëllimet e fundit, e quajti “projekt kapital të historiografisë shqiptare” edhe për faktin se është vepra e parë e cila nxjerr në pah një raport historik jashtë konventave ideologjike dhe limiteve të tjera të vëna ngahistoriografia serbe, e ku Dardania, e anashkaluar qëllimisht, shfaqet si amëz e antikitetit shqiptar e ndërlidhur me lashtësinë pellazge. 

“Meritë tjetër e madhe e Buxhovit”, theksoi Musliu “është edhe rrënimi i gënjeshtrës së historiografisë hegjemoniste serbe rreth Kosovës – djep mesjetar serb, që është kthyer në program nacionalist-hegjemonist serb me të cilën është pushtuar Kosova prej një shekulli”. 

Në fund, Ramadan Musliu, tha se vepra e Buxhovit mbetet model po edhe shtrat i pakapërcyeshëm i historiografisë shqiptare.


Autori i librit, me këtë rast tha se vepra e tij paraqet certifikatën historike të Kosovës të ndërlidhur me Dardaninë si qendër të antikitetit, vendi dhe rëndësia e së cilës ka qenë e madhe dhe përcaktuese jo vetëm për qytetërimin antik, por edhe për zhvillimet tjera, që kanë përcaktuar karakterin shoqëror, politik dhe kulturor të botës ilire si pjesë e asaj pellazge. Rolin e madh të Dardanisë në këtë aspekt, që ka përcaktuar edhe zhvillimet në mesjetë dhe veçmas në Bizant, ku duhet kërkuar identitetin administrativ, atë shpirtëror dhe shtetëror shqiptar, Buxhovi e theksoi edhe në zhvillimet e vonshme që lidhen me nacionalizmin shqiptar që çuan te shpallja e pavarësisë shqiptare në vitin 1912. Ndër këto ngjarje autori veçoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si dhe kryengritjen e Kosovës të vitit 1912, të cilat ishin përcaktuese për shfaqjen e shtetit shqiptar.

Duke iu referuar Kosovës si qendër e nacionalizmit shqiptar që vuri në binarët historik shpalljen e pavarësisë kombëtare, Buxhovi tha se me shpalljen e pavarësisë së shtetit të Kosovës, në një farë mënyre përmbushet edhe koncepti i Rilindjes kombëtare për shtetësinë shqiptare të përkatësisë evropiane në përmasat e përafërta me shtrirjen e saj etnike gjatë Perandorisë Osmane. Por, sipas autorit, shteti i Kosovës, kjo e arritur e madhe historike, që çështjes shqiptare i jep impulse historike dhe politike për të qenë dominuese në rajon në aspektin gjeostrategjik, duhet të mbrohet dhe të konsolidohet me anën e patriotizmit shtetëror në mënyrë që të përballojë sfidat historike dhe kurthet, ndër të cilat, Buxhovi theksoi ato që i vinë nga Beogradi dhe projekt ruso-sllave, që veprojnë me perfiditet të madh dhe operojnë në forma të ndryshme. /KultPlus.com

Sot është datëlindja e Lasgush Poradecit

Sot është datëlindja e poetit dhe shkrimtarit të njohur shqiptar, Lasgush Poradeci.

​Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, u lind në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e përmend si poet, shkrimtar dhe përkthyes.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet./ KultPlus.com

Lasgush Poradeci

Sanxhaku me protesta shënon pushtimin njëshekullor nga Serbia

Partia e Veprimit Demokratik e Sanxhakut ka paralajmëruar mbajtjen e një shëtie protestues në Novi Pazar sot.

Me këtë protestë do të shënohet pushtimi njëshekullor i Sanxhakut nga ish-Mbretëria serbe, kroate e sllovene, me krijimin e të cilës Sanxhaku praktikisht ishte pushtuar, transmeton Koha.net.

Në kumtesën e kësaj partie, lider i të cilës është Sulejman Uglanin, theksohet se “interesat historike të rajonit të Sanxhakut, si entitet i posaçëm politik, janë shprehur përmes Rezolutës së Sjenicës të gushtit 1917 kur në tërësi është injoruar formimi i asaj mbretërie, ndërsa përfshirja e Sanxhakut në atë territor është bër kundër vullnetit dhe interesit të qytetarëve, të cilëve iu mohua e drejta e vetë atyre ose e përfaqësuesve legjitimë për ta mbrojtur Sanxhakun, veten dhe interesat e veta”.

Ftesa është bërë që qytetarët e këtij rajoni të protrestojnë qetë, në mënyrë demokratike dhe civilizuese.

“Let It Snow”, hit i të gjitha kohërave

“Let It Snow”, një nga këngët më të preferuara të Krishtlindjeve.

Dean Martin (Dino Paul Crocetti) kishte qenë një nga këngëtarët më të popullarizuar. Këngëtari dhe aktori i mirënjohur kishte lindur më 7 qershor të vitit 1917 dhe kishte vdekur më 25 dhjetor, 1995 në Beverly Hills të Kalifornisë. Ai kishte qenë në grupin më të famshëm të komedianëve të televizionit dhe skenës, shkruan rtv21.tv Përveç muzikës dhe aktrimit, Martin kishte qenë edhe udhëheqës në shou televiziv në NBC, ku përmenden The Dean Martin Show (1965-1974), Dean Martin Presents  (1968-1973) dhe the Dean Martin Summer Show (1968-1971).

Bashkë me komedianin e njohur, Jerry Lewis ata njiheshin si dyshja më e famshme e komedisë.   Kur përmendet emri i tij, nuk bën pa u përmendur hiti “Let It Snow”, këngë e cila vazhdon të dëgjohet edhe këto ditë. “Let It Snow” është shkruajtur në vitin 1945, me tekst nga Sammy Cahn dhe muzikë nga Jule Styne.

Kjo këngë ishte kënduar edhe nga disa artistë si Vaughn Monroe, Woody Herman, Connee Boswell, Carly Simon dhe Rod Stewart. Ju sjellim një pjesë nga ky tekst: “The weather outside is frightful But that fire is, mmm, delightful Since we’ve no place to go Let it snow, let it snow, let it snow”. Është interesante se njerëzit edhe tash e dëgjojnë këtë këngë “Let It Snow”, si njëra nga këngët më të preferuara të Krishtlindjeve.

Në realitet, në tekstin e kësaj kënge nuk përmendet festa. Madje, teksti i kësaj kënge as nuk ishte shkruar në dimër. Interpretuesi i kësaj kënge, Dean Martin njihej si “mbreti i stilit” për karizmën e tij dhe për vetëbesimin./21Media /KultPlus.com

‘Sa i guximshëm bëhet njeriu, kur është i sigurtë se e duan’

“Sa i guximshëm bëhet njeriu, kur është i sigurtë se e duan”.

Sigmund Freud

“Si vijnë gjërat e reja? Prej prirjes së njeriut për të luajtur. Kjo është përgjigja”

Jean Piajet

“Në çdo moment të jetës ne kemi dy zgjedhje: të bëjmë një hap përpara drejt rritjes, apo të bëjmë një hap prapa drejt sigurisë”

Abraham Maslow

“Në xhunglën sociale të ekzistencës njerëzore, nuk ka ndjenjë të të qënit gjallë, pa një sens identiteti”

Erik Erikson

“Të vetmit njerëz normalë, janë ata që nuk i njeh shumë mirë”

Alfred Adler

“Mos mbesni kurrë të kënaqur me sipërfaqen e gjërave”

Ivan Pavlov./ bota.al/ KultPlus.com

Grup pune për programet e gjuhës shqipe në Diasporë

Një grup pune ndërinstitucional do të ngrihet për përgatitjen e platformës së programeve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe, kulturën shqiptare dhe identitetin kombëtar, të dedikuara për Diasporën.

Në vijim të vendimit të Këshillit të Ministrave në 14 nëntor 2019, “Për prodhimin, transmetimin dhe financimin e emisioneve të posaçme televizive, arsimore dhe kulturore, të dedikuara për diasporën”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Kryeministri Edi Rama ngriti grupin ndërinstitucional të punës, ku do të ketë përfaqësues nga ministri i Shtetit për Diasporën, ministritë e Kulturës, Arsimit, Turizmit, dhe Punëve të Jashtme.

Gjithashtu në përbërje të këtij grupi pune ftohen të marrin pjesë edhe zëvendësministri përgjegjës për turizmin, drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, përfaqësues i Akademisë së Shkencave, titullari i Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe përfaqësues i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Përmbajtja e programeve të emisionit të posaçëm televiziv për mësimin e gjuhës shqipe do t’u kushtohet interesave të arsimimit për komunitetet shqiptare jashtë vendit, sipas kurrikulës së përbashkët të realizuar për këtë qëllim, në bazë të marrëveshjes me qeverinë e Republikës së Kosovës./A.T.SH/ KultPlus.com

“The city is everywhere” rrëfen për qytetin e tjetërsuar e hapësirën e mohuar publike

Gili Hoxhaj

“The city is everywhere” apo “Qyteti është kudo”, sonte erdhi si libër në
Prishtinë. Ai tashmë mund të jetë në duart e gjithë lexuesve. Ata që nuk e kanë parë Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut, punën artistike që Eliza Hoxha e shpalosi atje, tashmë mund ta shohin mes faqeve të librit “The city is everywhere”. Libri përmes fjalëve e fotografive,  vizualizon rezistencën e shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-a, atëherë kur ata në kohë okupimi shndërruan hapësirën e tyre private në hapësirë publike, si formë e kompensimit të hapësirës së mohuar publike. Ky libër tregon se në kohën e represionit nga regjimi i Millosheviqit, shqiptarët ishin larguar nga institucionet shtetërore, me përkrahjen nga diaspora e Shqipëria, ata krijuan sistemin paralel të arsimimit, shëndetësisë e kulturës, duke mos e llogaritur pronën e tyre më si private. Puna artistike e gati një viti nga Eliza Hoxha, tregon se si shtëpitë e shqiptarëve në Kosovë, u shndërruan në shkollë, restaurant, galeri,  zyrë e shtëpi në të njëjtën kohë. Eliza Hoxha, këtë libër e sjell në pikëpamjen e tri gjeneratave, atyre që kanë lindur shumë para kësaj kohe, atyre që veçse e kanë jetuar rininë në këtë kohë dhe atyre që kanë lindur pasi ajo ka kaluar. Duke e parë rëndësinë e kësaj periudhe, tashmë është planifikuar që çdo shtëpi në të cilën janë zhvilluar aktivitete të tilla, të vihet një shenjë që i identifikon ato.

Eliza Hoxha thotë se ka zgjedhur ngjarjet e viteve të 90-a pasi që e sheh të rëndësishme rikthimin e asaj gjendje në të cilën shqiptarët kanë kaluar. Atëherë kur ka mbizotëruar ideja e shkollave-shpija, ideja e paralelizmit, ideja e një qyteti të dyfishtë, një qyteti i cili për njerëz të ndryshëm që kanë jetuar në të nuk ka qenë i njëjtë.

“Pastaj, aspekti i vullnetarizmit dhe I mobilizimit social që sigurisht është bërë me idenë e momentit kur ne kemi qenë si viktimë por që mbas luftës ka qenë po s’ka qenë prezent si përpara luftës, edhe ajo është një brengë që mu më preokupon vazhdimisht, unë mendoj që duhemi me u kujtu edhe në kohë të mira me qenë pranë njëri tjetrit edhe me e ndihmu me aq sa mundemi procesin e shtet-bërjes”, u shpreh artistja shumëdimensionale, Eliza Hoxha.

Tutje Hoxha tha se e ka intriguar shumë fakti se si qyteti gjatë viteve të 90-a ka marr një dimension tjetër, atëherë kur ideja e përkatësisë ka filluar të zhduket, kur kufiri midis privates e publikes veçse është shkrirë, duke prodhuar një qytet krejtësisht tjetër.

“Ajo që ka qenë intriguese është sajo se çka nënkupton hapësira e lirë në Kosovë, hapësira e lirë e që është krijuar në kohë okupimi e që ne e kemi trajtuar në paviljonin e Kosovës, e që janë këto oazat ose satelitët hapësinor, që I themi ne, shtëpitë e vogla që e kanë hapur derën për me e përqafu sferën publike”, tha tutje Eliza Hoxha në fjalën e saj.

Ky libër sjell copëza rrëfimesh të akterëve të ndryshme që e kanë përjetuar periudhën e viteve të 90-a në forma të ndryshme, kush si fëmijë, kush si i ri, kush si student, kush si bartës i familjes, ose kush si pjesëtar I proceseve politike apo edhe atyre historike dhe aspekteve ekonomike. Hoxha tregoi se kanë vendosur që në vend të katalogut, të botojnë librin pasi që libri si platformë arrin të sjell ide e përjetime të ndryshme qoftë nga aspekti personal apo dhe interpretimi i momenteve ose situatave të caktuara. Si i tillë, libri mund të shërbejë si një bazament për ata që duan ta hulumtojnë periudhën e viteve të 90-a.

“Ky libër besoj që ka me shërby grupmoshave të ndryshme edhe gjeneratave të ndryshme dhe akterëve të ndryshëm me gjetë një copë të vetën edhe një kujtim të tyre në vitet e 90ta”, u shpreh tutje artistja Hoxha.

Në promovimin e këtij libri që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, të pranishmëve iu drejtuar dhe ministri i kulturës, Kujtim Gashi. Gashi theksoi se promovimi i librit përmbyllë një procesi tejet të rëndësishëm, një storie të suksesshme të shtetit të Kosovës, përfaqësimin e saj jashtë vendit në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës e të artit në botë, pjesëmarrjen në Bienalen e Vendikut 2018.

“Kosova ka dhënë shembullin më të mirë të suksesit në bërjen e diplomacisë kulturore në Venedik. Me botimin e librit me temën e prezantimit në Bienale po e lëmë trashëgimi edhe një libër ku gjerësisht trajtohet tema e hapur nga ne për rezistencën kolektive të shoqërisë shqiptare në Kosovë në vitet më të vështira të okupimit, pra vitet 90. Kjo ka posaçërisht rëndësi edhe për gjeneratat e reja që ta njohin më mirë vendin e tyre dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi”, u shpreh Gashi në fjalën e tij.

Jehona Shyti, komisionere e pavijonit e Republikës së Kosovës u shpreh se është ndjerë e nderuar që ka udhëhequr procesin e bienales së Venedikut , duke u bërë dëshmitare e një suksesi të madh të Kosovës.

“Unë paraqitjen e Kosovës e shoh në dy dimensione, e para prezantimi i suksesshëm sepse edhe kritika ndërkombëtare e ka cilësuar si një nga pavijonet më të mira të prezantuara dhe kemi arrit të bëjmë një përfaqësim të mirë të shtetit dhe të kemi një imazh të mirë të Kosovës sepse edhe pse si vend i vogël i kemi bërë përfaqësim të mirë Kosovës dhe e dyta si një faqe e re për të ndërtuar kontributin e shoqërisë kosovare për të luftuar okupimin dhe të drejtat që kontributi i secilit ka qenë që mos me humb gjeneratat tjera”, u shpreh Shyti.

Eliza Hoxha ka prezantuar Kosovën në edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venedik 2018./  KultPlus.com

2018, viti i gruas në SHBA

2018 u quajt Viti i Gruas në Shtetet e Bashkuara, pasi një numër rekord grash u zgjodhën në organe legjislative kombëtare, shtetërore e vendore në mbarë vendin.

Në këtë grup, siç thekson VOA, gjen dhe gra të cilat për herë të parë u përfshinë në politikë kur paraqitën kandidaturën për zgjedhjet e 6 nëntorit, në përgjigje të politikave të administratës Trump. Në janar, në Kongres do të bëjnë betimin një numër rekord grash, plot 126. Që nga fillimet e administratës aktuale, komentet e Presidentit Donald Trump mbi gratë, si dhe politikat e tij nxitën mijëra gra të dilnin në protesta, e disa prej tyre i frymëzuan të konkurronin për poste ku të mund të punonin për ndryshim.

“Marshimi i grave në janar 2017 shënoi fillimin e kësaj lëvizjeje. U shndërrua në një aktivizëm të përqendruar, ku shumë gra u përfshinë të nxitura nga revoltimi i shkaktuar nga komentet e Presidentit dhe nga qëndrimet e tij”, thotë Guian McKee i Universitetit të Virxhinias.

Ajo që e ngacmoi akoma më shumë revoltën e femrave ishin ngacmimet seksuale në vendin e punës, çështje kjo që ndezi një debat mbarëkombëtar dhe u kthye në shkëndijë për lëvizjen #MeToo. Pavarësisht rrugës së gjatë përpara, aktivistët për të drejtat e grave parashikojnë se Viti i Gruas do të vazhdojë përtej 2018-s.


“ArTurbina, 19 mijë spektatorë në 100 ditë”

Ministria e Kulturës shkruan në një njoftim për shtyp se ‘ArTurbina’ mund të konsiderohet pa frikë një histori suksesi. Janë disa tregues që e dëshmojnë këtë gjë.

Sipas institucionit në fjalë, më domethënësi mbetet numri i lartë i spektatorëve; mesatarisht janë 19 mijë vetë nga shtatori deri në dhjetor, që kanë ndjekur shfaqje të ndryshme në skenat e ‘ArTurbinës’.

“Numri i shfaqjeve është 90, nga të cilat 58 janë shfaqje teatrore nga Teatri Kombëtar dhe skena e pavarur; 11 janë opera dhe balet, ndërsa 21 janë evente të ndryshme kulturore. Mesatarisht rreth 1 shfaqje në ditë. Nga 37 subjekte në total që kanë dhënë shfaqje në këto muaj, më shumë se gjysma janë nga institucionet kulturore si Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit. Pjesa tjetër janë nga skena e pavarur dhe subjektet private” – thuhet në njoftim.

‘ArTurbina’ u ngrit pas rikonstruksionit të ish Laboratorit të Hidroteknikës, një investim rreth 3.3 milionë euro i qeverisë shqiptare.

Synimi ishte shndërrimi i kësaj ndërtese të braktisur në një pol kultuor, në një Qendër Arti bashkëkohore e me standarde europiane. ‘ArTurbina’ është konceptuar gjithashtu edhe si një qendër multifunksionale që do të stimulojë kreativitetin, do të krijojë një hapsirë e re qytetare, si dhe do të përmirësojë marrëdhëniet me spektatorin duke zgjeruar gamën e aktiviteteve dhe ambienteve të reja artistike.

“Shumë prej artistëve që në fillim hezituan për ta mirëpritur si skenë të re teatrale, sot performojnë aty dhe e vlerësojnë këtë projekt. ‘ArTurbina’ ka dy salla; një me audiencë 400 vende dhe një tjetër me 150 vende. Po kështu ka nje holl/ Foyer me sipërfaqe rreth 300 m2; një holl/ Foyer me sipërfaqe rreth 60 m2; hapësirat për ekspozim të arteve vizuale; hapësirat për administratën dhe ambiente të tjera ndihmëse” – thotë Ministria e Kulturës./javanews.al/ KultPlus.com

Muzika zhvillon shëndetin mendor dhe të folurën tek fëmijët

Muzika është çelësi i inteligjencës tek fëmijët. Nëse do të vini muzikë në dhomën e fëmijës,  sipas studimit të fundit do të zhvilloni  shëndetin mendor të tij.

Sipas një studimi të ri të kryer nga Instituti për Shkencat e të Mësuarit dhe Mendjes, tek Universiteti i Uashingtonit, muzika zhvillon të folurin tek foshnjat dhe i bën ata më inteligjentë.

Shkencëtarët amerikanë shpjegojnë se ashtu si muzika, edhe të folurit ka modele të zhvilluara ritmike, dhe mundësia për të identifikuar tinguj të ndryshëm i ndihmon fëmijët të zhvillojnë procesin e të folurit.

“Foshnjat përballen me një botë komplekse, ku tingujt, dritat dhe ndjesitë ndryshojnë vazhdimisht”, thotë studiuesja Patricia Kuhl.

“Detyra e fëmijës është t’i njohë modelet e sjelljes dhe të parashikojë çfarë do të ndodhë më pas. Perceptimi i modelit është një aftësi njohëse e rëndësishme, dhe përmirësimi i kësaj aftësie në moshë të re mund të ketë efekte afatgjate tek të mësuarit”, shpjegon ajo./ insjaderi.com/ KultPlus.com

Artisti amerikan që kthen pjesët e makinerive bujqësore në skulptura

Me prejardhje nga shteti South Dakota, John Lopez është një artist amerikan i rritur në një fermë i cili transformon pjesët e makinerive bujqësore në skulptura të kafshëve.

Ai ka filluar karrierën duke gdhendur në materialet nga bronzi, ndërsa tani është i specializuar në krijimin e punimeve nga hekuri, transmeton Koha.net.

Ariu, bizoni, bualli, kuajt… artisti realizon skulptura të kafshëve me përmasa origjinale duke përdorur pjesët e braktisura të makinerive bujqësore, shkruan koha.net

Ferma e tij është 40 kilometra larg qytetit më të afërt, kështu që artisti i ripunon këto pjesë nga metali që i gjen përreth fermës dhe po ashtu furnizohet me pjesë të ndryshme prej metali edhe nga miqtë e tij për të krijuar skulptura të reja vazhdimisht.

Për më tepër shikoni në fotografitë më poshtë skulpturat e Lopezit.

“Dija është çelësi i suksesit”, fjalët e një mësuesi përpara nxënësve të tij


“Gjëja që kisha më tepër frikë në moshën tuaj, nuk ishte varfëria, por dështimi. Unë isha dështimi më i madh që njihja. Nuk kam ardhur për t’ju thënë se dështimi është i këndshëm, sepse ajo periudhë e jetës sime është e errët” ka thënë në fjalimin e mbajtur përpara studentëve Joanne Kathleen Rowling, autoria e serisë së famshme të librave “Harry Potter”.

Ju do të dështoni në diçka të caktuar në jetën tuaj; do të humbni; do të vuani; do të zhgënjeheni shumë në jetën tuaj. Mirëpo është shumë e thjeshtë të jesh në fund. Nuk ju duhet të përpiqeni aspak. Por a do të rrish përherë ashtu? Do të jesh përherë ai që të tjerët as i hedhin sytë? Sfidoje veten dhe dilja mbanë në jetë. Dija është çelësi i duhur. Edhe nëse përpiqeni dhe për pak kohë nuk shihni rezultatet që prisnit, vazhdoni të besoni. Suksesi i takon atyre që mundohen dita ditës. Çdo njohuri që ju merrni përditë, është një hap më afër suksesit tuaj.

Mos u lodhni. Mos hiqni dorë. Një ditë do t’ia dilni mbanë. Por nuk keni se si t’ia dilni mbanë, nëse hiqni dorë. Përpiquni dhe keni për të mësuar plot gjëra që nuk i dinit për veten tuaj. Do të mësoni se sa të zhvilluar e keni imagjinatën, se sa të fortë e keni vullnetin dhe se sa të madhe e keni dëshirën për të arritur më të mirën. Këto nuk janë fantazi. Këto janë rruga që juve do t’ju shtyjë drejt suksesit që dëshironi. Ju jeni më të mëdhenj se dështimet tuaja dhe më të fortë se vështirësitë tuaja. Nuk keni pse ecni në jetë si viktima. Ecni si modestë dhe kur të korrni sukses, ecni si fitimtarë. Por kujdes edhe nga krenaria, sepse kur ajo është e tepruar, ju rrëzon më shumë se dështimet.

Dua ta mbyll këtë fjalim me fjalët e të madhit Stephen Hawking “Ju jeni të gjithë të ndryshëm. Sado e keqe t’ju duket jeta juaj, ka gjithmonë diçka për të bërë që t’ia dalësh mbanë. Për aq kohë sa ka jetë, ka shpresë””. / Bota.al

“Nëse do të ishe burri im, do të ju hidhja helm në kafe, nëse do të ishit gruaja ime do ta pija”

Ky komunikim ka qarkulluar mjaft shumë ndërsa i janë atribuar si komunikim në mes të Churchillit dhe Nancy Astor, shkruan KultPlus.

Churchill : “Ju jeni një femër shumë e shëmtuar”.

Nancy Astor : “Nëse do ishit bashkëshorti im, do t’ju hidhja helm në kafe”

– Churchill : “Nëse do ishit bashkëshortja ime, do ta pija”.

Në vitin 1949, një shembull me Winston Churchill ishte shtypur në The New York Times, duke mos e identifikuar emrin e gruas. Më pas si komunikim mes Nancy Astor dhe Winston Churchill u rrëfye në një libër të vitit 1952 të quajtur “The Glitter and the Gold”. Është e mundshme që Churchill të përdorte këtë komunikim, por ai do të kishte qenë me vetëdije ose pa dijeninë e re-miratimit të një shakaje që kishte qarkulluar për shumë vite./ KultPlus.com

Sot unë quhem vrasës

Poezi e shkruar nga Omer Fucia.

Sot unë quhem vrasës.
Sot vrava të djeshmen dhe nuk di se ç’po ndjej.
Edhe pse e vrava kurrë nuk bëra të shuhen kujtimet.
Diku një moment e diku një fytyrë.
Siç uji dhunon gurin në përplasje,
ashtu m’pikon e shkuara në të tashme.
Po po, e vrava por s’po vdes.
Çdo ditë e vras e të nesërmen prapë të gjallë e gjej.
Diku në pasqyrë e diku në mëngjeset me diell e pa diell.

Në hënën forma-forma e në të vegjlit vezullues.
Të vrarën e djeshme e jetoj sot, e kështu shkon mot më mot.
Veç me vrasje e lindje.
Me të qara e të qeshura.
Sot më thanë ta vras edhe njëherë.
E thëna e thënë mbeti, e thënësi ndër dhëmbë qeshi.
Mbuluar me maskë, e me tjetër njeri.
Siç vetë koha, dje , sot dhe nesër.
Tek e vras më ndodh të stepem.
Të bëj një hap pas me thikën përballë pasqyrës
Tek vras vetveten për të disatën here.
Mendimet mbi krahë fluturash udhëtojnë në libra.
Mes rreshtash mbi pika e nën presje.
Anash emrash e pas foljes.
Stukur e mbështjellë pranë titujsh.
Mendimet qorrazi sec humben kujtimesh.
Mes personazhesh e në vende të përfytyruara.
Diku dhe mbi një shtëpizë plot dashamirë.
E diku nën sy e mbi flokë të një zemërmire.
Më bëjnë të stepem me veten përballë.
Të turpërohem si hezitoj veten ta vras.
Me thikën ndër duar, I ftohtë e syhapur.
E ngul mu në zemër të pasqyrës,
e lart I hedh sytë si t’fundit herë
Buzëqesh rrugëlidhur e shpresëvrarë..
Çdo ditë të djeshmen e vras,
e të nesërme kurrë nuk pashë.
Sot unë quhem vrasës, veç kaq jam.

Aktori Chow Yun-fat dhuron gjithë pasurinë për bamirësi

Paratë janë shumëçka, por jo gjithçka. Të bësh bamirësi nuk humb asnjëherë. Aktori i njohur i hollivudit, Chow Yun-fat, ka befasuar me veprimin e fundit.

Ai gjatë karrierës së tij të bujshme, ka krijuar pasur prej 630 milionë eurosh. Por, këto para nuk do t’i mbajë për vete, shkruan albinfo.ch.

Ylli kinez ka premtuar se do ta dhurojë të gjithën për bamirësi. “Paraja nuk është diçka që na takon përgjithmonë. Kur të vdesim, të tjerët e përdorin atë”, është shprehur Chow.

Kjo deklaratë e tij ka bërë bujë edhe në mediat ndërkombëtare. Gruaja e tij tregon se shpesh herë kanë ngrënë ushqim të përgatitur në rrugë, siç është zakon në Kinës, dhe nuk kanë jetuar si njerëzit tjerë të pasur.

Aktori Chow e filloi karrierën e tij që në shekullin e kaluar dhe ka luajtur në filma të njohur si “A Better Tomorrow”, “Murderer”, “Mister Gamblers”.

Bllokimi i dy kosovarëve në Antarktidë, mobilizohet Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës tek sot është njoftuar për rastin e dy kosovarëve Mrika dhe Arianit Nikqi, që tash e tetë ditë janë të bllokuar në majën më të lartë të Antarktidës, në temperatura -40 gradë celsius.

Donjeta Gashi, zëdhënëse në Qeveri, tha se shteti po angazhohet për babë e bijë nga Kosova, që janë bllokuar në majën Vinson, 4892 metra e lartë, në motin e acartë dhe në të ftohtin ekstrem.

“Qeveria e Kosovës me të marrë informacionin është angazhuar për këtë rast dhe po merren të gjitha informacionet që mund të ndihmojnë për këtë rast”, ka thënë ajo për Gazetën Express, përmes telefonit. 

Mrika Nikqi, 17 vjeçe, dhe babai i saj, Arianit Nikqi, më 16 dhjetor rreth orës 21:30, raportohet se u ngjitën në majën Vinson, në Antarktidë, 4892 metra e lartë. / KultPlus.com

Shqipëria, mes 10 vendeve që duhet vizituar më 2019

Revista e famshme britanike “Harper’s Bazaar” që i kushtohet botës së modës, artit dhe kulturës, ka zhvilluar një sondazh në Instagram në bashkëpunim me ekspertët e udhëtimeve për vendin që dëshirojnë të vizitojnë turistët më 2019 dhe Shqipëria është në dhjetë më të preferuarat, në një klasifikim ku ndodhen vende si Sri Lanka, Kanadaja, Zelanda e Re apo Japonia.

“Ky vend i Evropës Jugore për një kohë të gjatë ka qenë nën hijen e tërheqjes turistike që kishin vendet fqinje, si Greqia dhe Mali i Zi, megjithatë, disa ekspertë udhëtimesh parashikojnë se 2019-a do të jetë viti i këtij vendi”, shkruan “Harper’s Bazaar”, transmeton “ATSH”.

“Booking.com cilëson Ksamilin, në jug të vendit, një xhevahir të fshehur. Për më tepër, ajo thekson se ky vend është vlerësuar nga vizitorët e mëparshëm për gatimet e detit dhe njerëzit miqësorë”, shkruan revista britanike.

Shqipëria ka arritur të listohet edhe nga “Lonely Planet” në destinacionet më të mira për vitin 2019: “Shqipëria mbetet një destinacion ku mund të ngjisësh male të bukura, të qëndrosh në fshatra të vogla dhe përtej kohës si dhe të eksplorosh kryeqytetin Tirana plot gjallëri shumë më i lirë se sa kudo tjetër në Europë”.

Andi Tepelena: “Onufri” ka 24 vite histori, s’mund ta mbyllë Kumbaro

Mbyllja e Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri” pa dhënë asnjë shpjegim të argumentuar është kontestuar nga artistët që kanë qenë pjesë e saj ndër vite. Kuratori i artit, Andi Tepelena, e quan një vendim të përkohshëm politik, që do të zhbëhet sapo Kumbaro mos të jetë më në krye të Ministrisë së Kulturës, sepse ekspozita u përket artistëve!

Anila Dedaj

Mbylljen e Ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” e shoqëroi heshtja e drejtuesve të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Ministrisë së Kulturës përgjatë gjithë vitit. Mungesën e informacionit dhe iniciativave konkrete për të realizuar konkursin gjatë 2018-ës, komuniteti artistik, mediet dhe publiku e konsideruan si një “kyçje” për këtë vit të aktivitetit. Mirëpo komunikata për shtyp e bërë me dije dy ditë më parë nga GKA, lë të kuptojë se një vendim i tillë është afatgjatë. Kuratori dhe menaxheri i artit (gjithashtu përfaqësues i Skenës së Pavarur Kulturore) Andi Tepelena e konsideron një vendim jo përfundimtar. “ Ekspozita mund të qëndrojë e mbyllur sa të jetë në postin e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, por me largimin e saj natyrisht që vendimi do të rishikohet”. Ashtu si të gjithë kolegët e tij (ose pothuajse) ai shprehet kundër mbylljes së këtij konkursi, dhe thekson se ministrja e Kulturës nuk e ka tagrin  për të mbyllur një ekspozitë që i përket artistëve dhe publikut. “Rrjedhimisht edhe vendimi për vijueshmërinë ose mbylljen e ekspozitës duhet t’i takojë komunitetit artistik”. Vendime të tilla, sipas Tepelenës, nuk mund të merren me arrogancën e drejtuesve të institucioneve në fjalë, pasi “Onufri” është një platformë e artit bashkëkohor e krijuar për të nxitur prodhimin artistik në vend, për promovimin e artistëve duke u dhënë atyre mundësinë për të krijuar kontakte edhe me artistët e huaj ndërkombëtarë.“‘Onufri’ nuk ka nisur me ministren e Kulturës, pasi ka 24 vite histori, dhe menaxhim i kësaj ekspozite, çelja apo mbyllja nuk mund të bëhet sipas tekave të ministrave që vijnë e ikin. Problemet me konceptimin e këtij konkursi natyrisht që nuk mund t’i evidentojë Kumbaro, pasi ajo nuk është eksperte e artit bashkëkohor. Është përkthyese dhe konkluzione të tilla le t’i shprehë  në fushën e saj që njeh më mirë. Ministria e Kulturës duhet t’u lërë hapësirë mendimi ekspertëve të fushës, kuratorëve, kritikëve. Nuk po ndalem tek ndikimi i drejtuesit të Galerisë, sepse në këndvështrimin tim ai është thjesht një ‘ushtar’”. Kuratori thekson se në të tilla raste janë të nevojshme tryezat e diskutimit, ku specialistët analizojnë aktivitetin duke nxjerrë përfundimet përkatëse. “Sigurisht që ashtu si çdo aktivitet ka pika që duhen përmirësuar, por i takon komunitetit artistik , publikut dhe specialistëve të vendosin për cilësinë dhe vlerat e ‘Onufrit’”.  Detyra e Ministrisë së Kulturës, sipas Tepelenës, është që të mbështesë financiarisht këtë ekspozitë, sepse ngërçi real qëndron pikërisht në këtë pikë. Sipas tij, financimi i ulët i këtij aktiviteti tregon qartazi mungesën e vullnetit që “Onufri” të arrinte nivelet e duhura. “Si mund të pretendojë ministrja një “Onufër” të standardeve të larta kur buxheti i këtij konkursi shkon në 7000-8000 euro?! Një fond më i përshtatshëm do të ftonte dhe nxiste artistët vendës edhe më, të punonin vepra posaçërisht për konkursin, si dhe të jenë më të hapur ndaj artistëve të huaj. “Onufri” nuk duhet trajtuar si të ishte një “dyqan” i rëndomtë, që mbyllet e hapet sipas dëshirës së drejtuesve të institucioneve të Kulturës. “Onufri” është një platformë, dhe nuk mund të mbyllet në këtë formë, sigurisht që koncepti mund të ndryshohet dhe të përmirësohet në aspektin e përshtatjes së artit bashkëkohor”. Përsa i përket iniciative të reja të premtuara për ekspozita ndërkombëtare dhe shkëmbime kulturore, sipas kuratorit nuk ka kuptim që “Onufrit” t’i ndryshohet emri, duke e shpallur si një ekspozitë të re, sepse në fund artistët janë po të njëjtët. “Mjafton që ata t’i orientosh dhe t’u japësh mundësi që ata të prodhojnë. Ajo që po ndodh me ‘Onufrin’, shkon përtej mbylljes së aktivitetit, pasi pasqyron më së miri politikat kulturore, duke filluar që nga mënyra se si zgjidhen drejtorët në këtë vend. Kam parasysh jo vetëm drejtuesin e Galerisë Kombëtare, por edhe të institucioneve  të tjera.  Siç po ndodh tani edhe me Teatrin Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’, drejtuesit zgjidhen me emërime. Pra janë drejtorë ‘ushtarë’, që zbatojnë urdhërin e ministrave të radhës”. Tepelena thekson se drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme janë politikë dhe jo të zgjedhur nga komuniteti, apo përmes votimeve siç ndodh në vendet demokratike. Sipas tij, këta drejtues janë njerëz që nuk kanë autoritetin dhe integritetin e duhur që në vendime si ai i mbylljes së “Onufrit” të konsultohen me komunitetin e artistëve.  Përsa i përket rolit të Bordit Artistik (Ornela Vorpsi, Zef Paci, Eleni Laperi (kryetare), Edi Muka, Luçjan Bedeni, Sofjan Jaupaj dhe Xhoana Agolli) të Galerisë në mbylljen e ekspozitës kuratori shprehet: “Kush janë ata që merrkan vendime në emër të të gjithë artistëve?  ‘Onufri’ ka kaluar me dhjetëra kuratorë, në një kohë që 7 anëtarë bordi, ku të paktën tre prej tyre janë nënpunës të Ministrisë së Kulturës marrin vendime të tilla, duke shpërfillur mendimin e artistëve që veprojnë në këtë vend. Atëherë kush janë ata dhe kë përfaqësojnë në një situat të tillë, nëse jo komunitetin e artistëve? Do të thotë që përfaqësojnë vetveten”.  Kuratori shprehet se ekspozita “Onufri” ka krijuar një emër dhe ka lënë gjurmë të pamohueshme në fushën e artit pamor. Ai rrëfen se ende sot kontaktohet nga artistë dhe kuratorë të huaj të cilët janë të interesuar të dinë mbi ecurinë e kësaj ekspozite, pasi dëshirojnë të marrin pjesë. Tepelena kujton se para 3 vitesh pati një diskutim të ngjashëm nëse “Onufri” duhet të mbyllej ose jo dhe vendimi i komunitetit artistik për vijueshmërinë e aktivitetit u pasua nga një ekspozitë e niveli të lartë një vit më pas. “Është e qartë se nëse artistët nxiten të krijojnë gjatë vitit normalisht që performanca do të rritet. Diçka e tillë vlen, jo vetëm për ‘Onufrin’, por me të gjitha aktivitet kulturore. Përpos kësaj në këtë vend mungojnë strukturat e posaçme që duhet të merren me artin bashkëkohor”. Përsa i përket rikonceptimit të premtuar të Galerisë gjatë vitit të ardhshëm, kuratori shprehet se nuk mund t’i perceptojë vendime të tilla që merren me dyer të mbyllura. “E theksoj se duhet të krijojnë mundësinë për  debate të hapura, pasi çështje të tilla si ‘Onufri’ prekin një komunitet të gjerë, ndërkohë që gjithçka vendoset brenda një rrethi të ngushtë njerëzish, që kryesisht janë ‘qokaxhinj’ pushteti. Njerëz, të cilët bien dakord për vendime të tilla, në pritje të një posti apo ‘peshqeshi’”.  Tepelena vë në dukje faktin se gjatë mandatit të Shkolollit nuk është zhvilluar asnjë takim ku të merrnin pjesë komuniteti artistik dhe të diskutohej, përkundrazi sipas tij, Galeria dhe Ministria e Kulturës kanë krijuar një situatë ku ekziston një mungese totale transparence, si dhe shfaqja e sjelljeve të tilla burokratike. “Ne sot nuk kemi informacion rreth ekspozitës së radhës në Galeri, pasi mungon kalendari artistik”.  Kuratori thekson se krahas mungesës së financimit dhe fondeve të nevojshme për zhvillimin e artit pamor, mungojnë hapësirat dhe strukturat që do t’u mundësonin të rinjve që dalin nga Fakulteti  i Arteve Pamorë të vinin në praktikë njohuritë. Ndaj ai thekson se vendime të tilla si mbyllja e ekspozitës, të pakonsultura dhe të marra në mënyrë arbitrare do ta varfërojnë edhe më shumë klimën artistike në vend”… /shekulli.com.al/ KultPlus.com

Ti, kurrë s’më njohe mua

Poezi nga Sokrat Habilaj.

Rri e qetë, ti s’më njohe mua ,
As unë s’të njoha asnjëherë.
Në këtë botë, je thjesht grua,
Unë, burrë si mijëra të tjerë.

Në të flet ty një yll pa dashje,
E ti thua një emër nëpër natë.
Rri e qetë, rri pra se më plase,
Është nata që fletë përçartë.

Në të duket, kur puth një tjetër,
Se ngjizen me të, buzë të ftohta.
Rri e qetë, ikja është e vjetër,
E vjetër është vdekja, sa bota.

Në druhesh se kush vjen më pas,
Gjen grimca aty, si mbetje zjarri.
Rri e qetë, burrat janë tuhafë,
Ndërsa thonë, për ty jam i pari.

Në trembesh nën lutje e klithma,
Se pa faj të tradhton ty qerpiku.
Rri e qetë, gratë dinake të gjitha,
E mbulojnë me dhè atë që iku.

Në të ndjej ty ende nën lëkurë,
A ti më ndjen se frymoj brenda.
Rri e qetë, s’të kam takuar kurrë,
Dreqi ta hajë, shohim dhe ëndrra. /filozofia.al/ KultPlus.com


Soni Malaj thotë se ka pasur oferta nga shtetet tjera për t’i përfaqësuar në Eurovizion

Këngëtarja shqiptare Soni Malaj, këtë vit është prezentuar në “Festivalin e Këngës” në RTSH, me qëllimin që të zgjedhej për ta përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision.

Por pasi kjo nuk ndodhi, Soni Malaj, ka zbuluar se ka pasur ftesa nga shtetet e tjera që kjo t’i përfaqësonte në Eurovision, por i ka refuzuar ato edhe përkundër insistimit nga bashkëpuntorët e saj, transmeton Magazina.al

“Une nuk i pranova,se kam nje te keqe, jam idealiste per vendin tim,por mendoj qe duhet te jem me shume realiste”, është shprehur  Soni.

Ajo këto komente i dha kur një fanse e saj shprehi keqardhjen pse RTSH-ja, nuk e zgjedhi këngën e saj “Më e fortë” të shkonte në Eurovision.

Kujtojmë që Festivalin e RTSH-së këtë vit e ka fituar Jonida Maliqi me këngën “Ktheju tokës”.

Vasfije Krasniqi Goodman, një prej heroinave të Ballkanit

Vasfije Krasniqi Goodman u bë një ndër gratë e rralla që foli për dhunimin e saj nga ana e serbëve në luftën e fundit në Kosovë.

Para pak muajsh, Vasfija i tregoi shqiptarëve por edhe tërë botës se ajo u dhunua, por nuk do të ndalet asnjëherë duke ngritur zërin për viktimat e dhunës seksuale në luftë.

Balkan Insight – një media ballkanase, e ka vënë Vasfijen në listën e heronjve të vitit, atyre që zgjuan debat dhe i dhanë kuptim tjetër çështjes e kauzës për të cilën ata po ndihmojnë.

HERONJTË E BALLKANIT është lista edhe me personazhe të tjera që ky medium i vlerëson për kontributin e dhënë.

Vasfija ishte e dhunuar gjatë luftës në Kosovë, kur ishte vetëm 16 vjeç. Këtë vit, Gjykata Speciale e ka rimarrë në dorë rastin e Vasfijes dhe dhunuesve të saj. / KultPlus.com