Vdes aktori indian i filmit Slumdog Millionaire

Aktori i Bollywood-it, Irrfan Khan, i njohur ndërkombëtarisht për rolin e tij në filmat, Slumdog Millionaire dhe Jurassic Park, ka vdekur në moshën 53-vjeçare.

Khan ka vdekur në një spital në qytetin perëndimor të Indisë, Mumbai, ka njoftuar agjencia e tij për marrëdhënie me publikun.

Më 2018, Khan pati njoftuar përmes një postimi në Twitter se është diagnostikuar me tumor endokrin.

Ai më vonë i ishte nënshtruar trajtimit në një spital në Londër.

Dy muaj pasi ka bërë publike diagnozën që ka, ai pati shkruar një letër të hapur për përvojën e tij gjatë trajtimit me kancer, duke reflektuar në “intensitetin” e dhimbjes dhe “paqartësitë” e jetës.

Më 2013, Khan pati fituar Çmimin Kombëtar për Film në Indi, për rolin e tij në filmin, Paan Singh Tomar, përkatësisht portretizimin e një atleti që bëhet më vonë bandit. / KultPlus.com

Turizmi këtë verë me rregulla të reja

Dy javët e parë të majit do të jenë një fazë përcaktuese për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, e cila shpreson të çelë sezonin turistik në muajin qershor.

Rovena Moçka, drejtore e Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, tha në një prononcim për mediet se “kemi shpresën dhe besimin që do mund të kemi një riaktivizim të sektorit të paktën në muajin qershor. Gjithçka varet se si do të reagohet ndaj liberalizimit të masave dhe dy javët e para të majit do jenë një fazë përcaktuese”.

Sipas saj, ministritë e Turizmit dhe të Shëndetësisë do të mbyllin brenda kësaj jave librin e rregullave për turizmin, me masa të veçanta për stacionet e plazhit, shërbimet hoteliere, baret e restorantet.

“Distanca dy metra e personit me personin, do të thotë që në zbatimet në terren në një stacion plazhi, një çadër nga një tjetër duket të ketë një hapësirë prej 4 metra. Edhe për tavolinat në restorante po mendohet që distanca e tavolinave dhe karrigeve nga njëra-tjetra të shkojë deri në 3 metra. Është duke u diskutuar me të gjitha strukturat e bareve dhe restoranteve që të kemi fasha të ndryshme të orareve të shërbimit, të mëngjesit, drekës dhe darkës, në mënyrë që pushuesit mos të jenë në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend”, nënvizoi Moçka.

Ajo tha se “do ketë rregulla edhe për turizmin në natyrë, sitet arkeologjike, turizmin malor, të aventurës”.

Ndërsa ministri Klosi tha dje në një intervistë televizive se “për plazhet kemi një rregullore të re masash. Kemi propozuar dy variante, por një nga modelet është distanca për çadrat 3.5 metra horizontalisht”. / atsh / KultPlus.com

Kur çifti Roosevelt priti në Shtëpinë e Bardhë princeshat e Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja 

“L’Intransigeant” ka botuar, të mërkurën e 16 marsit 1938, në faqen n°10, një shkrim në lidhje me pritjen e motrave të mbretit Zog asokohe në Shtëpinë e Bardhë nga çifti presidencial Roosevelt, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Princeshat e Shqipërisë vizitojnë Znj. dhe Z. Roosevelt

“Princeshat Maxhide, Myzejen dhe Ruhie, motrat e Mbretit të Shqipërisë, u pritën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku Z. dhe Znj. Roosevelt pinë një çaj (bënë një pritje) për nder të tyre.

Më sipër: tri princeshat duke u larguar nga stacioni i trenit, të shoqëruara nga policët përgjegjës për sigurinë e tyre.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-intransigeant-1938-cifti-roosevelt-priti-ne-shtepine-e-bardhe-princeshat-e-shqiperise/

​Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit

29 prilli festohet si ditë ndërkombëtare e vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.

Që nga viti 1982, çdo vit nëpër botë mbahen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t’i afrojë dhe miqësojë njerëzit.

Përshkrimi i mëposhtëm është pjesë e mesazhit që përcillet këtë ditë:

Vallëzimi është disiplinë, punë, mësim, komunikim. Me të kursejmë fjalë të cilat ndoshta disa njerëz nuk do t’i kuptonin, ndërsa si kthim krijojmë gjuhë universale, të kuptueshme për të gjithë.

Vallëzimi na jep kënaqësi dhe mbështetje, na bën të jemi të lirë për pamundësinë të fluturojmë si zogjtë dhe të afrohemi nga qielli, bota, pafundësia.

Deri më tani nuk ka njoftim për ndonjë aktivitet në Kosovë për shënimin e kësaj dite. /KultPlus.com

Ish-futbollisti i Kombëtares Shqiptare gatuan ushqim për një spital në Francë

Ish-futbollisti i Kombëtares Shqiptare Edvin Murati i cili ka luajtuar edhe në Francë për disa vite me skuadrën kryeqytetase Paris Saint Germain, ka bërë një gjest shumë të vlerësuar për të sëmurët e një spitali.

Ai së bashku me Alain Roche, ish-futbollist dhe Nikola Karabatiq, lojtar i skuadrës së hendbollit të PSG, kanë vendosur të ndihmojnë personelin e restorantit “L’Osteria”, në Francë, për të përgatitur dhe shpërndarë ushqime në spitalin e qytetit.

Ky gjest është vlerësuar nga të gjithë dhe kanë marrë falënderime të shumta.

Rikujtojmë se Murati ka marrë edhe titullin “Mjeshtër i Madh” nga presidenti Ilir Meta. / KultPlus.com

“Yjet mbi qiell na bënin roje e lisat gjelbëronin prej lakmisë” (VIDEO)

Sabri Fejzullahu është një nga këngëtarët më të spikatur të skenës muzikore në Kosovë, shkruan KultPlus

Edhe pse Fejzullahu vazhdon të jetë mjaft aktiv edhe në ditët e sotme, këngët e tij më të vjetra janë hite të jashtëzakonshme.

“Kur pranvera ishte në Prishtinë”, është vetëm njëra nga hitet e tij e cila është kënduar e përpunuar nga dhjetra këngëtar të tjerë.

KultPlus këtu sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

“A t’kujtohet natë e parë,
shi kur binte në Prishtinë?
Unë e ti si dy këngëtarë
pëshpëritnim për dashurinë!

Unë të doja, ti më doje
lugut t’gjelbërt të Gërmisë;
Yjet mbi qiell na bënin roje
e lisat gjelbëronin prej lakmisë!

S’harrohet dot ngrohtësi e parë
kur pranverë ishte në Prishtinë!
Unë e ti si dy këngëtar
thurnim vargje për ardhmërinë!

S’harrohet dot ngrohtësi e parë
Kur pranverë ishte në Prishtinë.
Unë e ti si dy këngëtar
thurrnim vargje per ardhmerinë.

A t’kujtohet natë e parë,
Shi kur binte në Prishtinë.
Unë e ti si dy këngëtar,
përshpërisnim për dashurinë

Unë të doja ti me doje,
lugut t’gjelbërt të Gërmisë,
yjet n’qiell na bënin roje,
e lisat gjelbronin prej lakmisë.

S’harrohet dot ngrohtësi e parë,
kur pranverë ishte në Prishtinë,
Unë e ti si dy kengetarë
thurrnim vargje per ardhmerinë.

s’harrohet dot ngrohëtësi e parë
kur pranverë ishte në Prishtinë
un e ti si dy këngëtar
thurrnim vargje për ardhmërinë
2x.
Në Prishtinë”

Veç për ty i dashur qaj, pse s’vjen ma s’di çka të baj (VIDEO)

Elina Duni është një nga zërat më unik që ka i gjithë spektri artistik shqiptar, me të cilin po i mban gjallë këngët e vjetra qytetare, shkruan KultPlus.com

“Sytë për ty i kam të njomë”, është vetëm njëra nga këngët e Nexhmije Pagarushës që ka kënduar Duni me interpretimet tashmë të njohura të saj.

Intepretimet skenike të Elia Dunit janë krejtësisht të thjeshta, por një thjeshtësi artistike në të gjitha dimensionet. Këmbëzbathur e plotë emocione, mund të përshkruhet shkurt performanca e saj.

KultPlus, këtu ka sjellur tekstin si dhe videon e kësaj kënge.

Kët natë të leht gjumi smë merr
Vetëm hana m’bën shoqni
Veç për ty i dashur qaj
pse s’vjen ma s’di çka të baj

ëmmm… ëmmm…
Smë lan lotët djal me t’shikju
Eja xhanin me ma qetësu

Dal n’dritare me ndëgju
Zanin tand a mos ta ndij
Era e lehtë me flokët e mia lun
Tuj shpresue se po vjen

ëmmm… ëmmm…
Smë lan lotët djal me t’shikju
Eja xhanin me ma qetsu

Sytë për ty i kam të njomë
Si s’dien dhimbje hiç për mu
E ty Hën t’lus me më ndihmu
Ta gjej djalin që e du

ëmmm… ëmmm…
Smë lan lotët djal me t’shikju
Eja xhanin me ma qetsu

Romanvrasësi

Poezi nga Ismail Kadare

Në presidiume, midis shefash
A nepër mbledhje pak më rrallë,
Ti shfaqesh thjesht e buzëqeshës
Dhe sytë i mbyll dhe flet ngadalë.

Dhe thonë shefat: sa i thjeshtë,
Dhe thonë njerëzit: ç’babaxhan.
Kështu shpërndahet kjo legjendë
N’auditore anembanë.

Kështu shkon dita… Por vjen nata
Kur në tryezë rri, oh, ç’tmerr,
Lëkurën befas heq si maskë
Dhe një fytyrë tjetër del.

Dhe letrat hap, çantën e krimit,
Jo më për prozë lapsin zë,
Por për të shkruar denoncimin,
Për të varrosur prapë dikë.

Dhe shkruan fjalët: “ekuivoke”.
“Ka aludim”, “kuptim dyfish”,
Ndërsa e ndien si spërkat duart
Gjaku i romanit që jep shpirt.

Makbethi tha dikur: s’e prisja
Të kish kaq gjak Dunkani plak…
Por një roman nga plagët shpuar
Nxjerr shumë e shumë më tepër gjak.

Ndaj nga spërkatja e tij nuk mundesh
Nuk mundesh kurrë të shpëtosh dot…
Më kot vë maskën në fytyrë
Dhe buzëqeshjen vë më kot.

Dikur kinezët mu në këmbët
E varrit të heroit q’u tret.
Varrosnin vrasësin që bashkë
Lavdi e turp t’ishin përjetë.

Do të kujtohesh dhe ti mbase,
Por veç nën këmbët e dikujt
Do çajnë shekujt kështu bashkë
Lavdi e tij dhe i yti turp.

Shqipëria hap shkollat vetëm për maturantët, mësimi online do vijojë

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka deklaruar se në Shqipëri do të ketë një hapje të pjesshme të shkollave vetëm për maturantët.

Mësimi do të nisë më datën 18 maj dhe do të mbyllet më 5 qershor (3 javë) me qëllim përgatitjen e maturës shtetërore. Provimet e maturës do të mbahen mes datës 8- 18 qershor 2020. Shahini tha se shkollat do të hapen për 3 javë për maturantët, që këta të fundit të mund të përgatiten më mirë për provimet e maturës në qershor.

Shahini: Kemi vendosur të hapim shkollat për maturantët nga data 18 maj deri 5 qershor për lëndët e maturës shtetërore. Mësimi nga shtëpia do të vijojë nga klasa e parë deri në të 11 deri në fund të majit.

Hapja për maturantët do të zbatohet duke zbatuar rregullat e distancimit social. Arsyeja pse nuk i hapim të gjitha ka të bëjë me numrin e madh të nxënësve që kemi në shumë shkolla. Për shkak të tërmetit një pjesë janë dëmtuar dhe një pjesë kanë kaluar me dy turne. Prandaj vendosëm të hapim shkollat vetëm për maturantët. Me distancë 1.5 metra mes tyre dhe që numri të mos jetë më shumë se 10-12m maksimumi 15. Do të përdorim edhe disa shkolla 9-vjeçare afër të mesmeve.

Shahini foli dhe për ata maturantë e prindër që janë të shqetësuar mbi dijet që kanë marrë fëmijët e tyre në kushtet e vështira të diktuara prej koronavirusit. Në këtë rast dhe nëse këta nxënës kërkojnë të ripërsërisin vitin, atëherë duhet të njoftojnë në shkollat e tyre mbi vendimin e marrë sa më parë të jetë e mundur.

Ministrja po ashtu konfirmoi se nxënësit e tjerë do vazhdojnë mësimin on line, por edhe ata do të përfundojnë mësim dy javë para kohës normale të zgjatjes së vitit mësimor. Pra mësimi do vijojë deri më 29 Maj.

Shahini: Provimet e klasës së 5 dhe të 9  do të anulohen. Klasa e 9 nuk e mban të njëjtën peshë si ato të maturës dhe nuk mund të sigurojmë kushtet për kthimin e nxënësve në shkollë.

Elementi i tretë është që provim i maturës për maturantë kemi vendosur të hapim shkollat vetëm për klasën e 12 për një periudhë 3 javore nga 18- maj -5 qershor. ku do të punohet për mësimet që nuk mundet të zhvillohen online.

Klasa e  1-11 deri në fund të majit dhe ëmsimi online për to do të mbyllet 2 javë më herët”.

Nënë Tereza: “Mos i prisni kryetarët, bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin”

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.”

“Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund.”

“Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.”

“Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.”

“Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.”

“Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.”

“Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”

“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.”

“Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e Tij.”

“Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.”

“Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.”

“Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.”

“Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse kjo tregon se keni besim në fuqitë tuaja.”

“Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.”

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan, duhet të mësojmë se si të falim.”

“Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit.”

“Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri”

Apple, Google, njoftim në telefon për ekspozimin ndaj koronavirusit

Telefoni inteligjent në xhepin tuaj mund t’ju njoftojë së shpejti nëse keni qenë të ekspozuar ndaj COVID-19.

Ndërsa komunitetet në mbarë botën po shqyrtojnë hapat e parë drejt rihapjes, ekziston frika se kur njerëzit të fillojnë të lëvizin, virusi do të përhapet. Por COVID-19 paraqet sfida unike për të ndalur përhapjen e tij. Disa që janë të infektuar nuk kanë pasur kurrë simptoma; ata që sëmuren mund të përhapin sëmundjen për një ose dy ditë para se të kenë kollë ose të dridhura të trupit, disa nga simptomat e zakonshme të COVID-19.

Kompanitë Apple, Google dhe të tjerë janë duke punuar për një plan për të përdorur telefonat inteligjentë për të informuar ata që janë shkëmbyer me një person të infektuar. Ata e quajnë “njoftim për ekspozimin”.

Një mjet dixhital për autoritetet e shëndetësisë

Muajin tjetër, Apple, prodhuesi i celularëve iPhone, si dhe Google, sistemi operativ Android i të cilit gjendet në shumicën e telefonave inteligjentë të botës, do të bëjnë të disponueshëm programe që do t’i lejojnë pajisjet të shkëmbejnë informacione përmes valëve Bluetooth. Autoritetet e shëndetit publik dhe partnerët e tyre do të ndërtojnë aplikacione që ata do t’i përdorin për të njoftuar njerëzit nëse janë ekspozuar ndaj dikujt që ka rezultuar pozitiv për virusin.

Por a do të funksionojë kjo? Ekzistojnë shumë pengesa përpara. Do të duhet ta shkarkojnë aplikacionin një numër i madh njerëzish që ai të arrijë të funksionojë siç duhet, ndërkohë që shumë njerëz mund të dëshirojnë të sigurohen që privatësia e tyre nuk do të komprometohet, se të dhënat e tyre nuk do të vidhen. Dhe ka edhe shumë sfida teknike, si për shembull, nëse aplikacioni zvogëlon aftësinë e funksionimit të telefonit.

Kjo është e komplikuar sepse është teknologji spekulative e paprovuar“, tha Harper Reed, një sipërmarrës dhe ish-zyrtari kryesor i teknologjisë për fushatën e ish-Presidentit Obama. “Nëse nuk funksionon, mund t’i vëmë njerëzit në rrezik. Por nëse funksionon, një njoftim i hershëm i ekspozimit mund të ndihmojë në mënyrë dramatike komunitetet tona ta kufizojnë dhe ti mbijetojnë COVID-19“.

Ku mbahen të dhënat?

Në mbarë botën, ka një debat mbi teknologjinë dhe politikën. A duhet që autoritetet qeveritare të shëndetësisë të mbledhin të dhëna apo të dhënat duhet të mbeten në telefonat inteligjentë? Apple, Google dhe disa grupe në Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se të dhënat duhet të qëndrojnë në telefon – për të mbrojtur privatësinë e njerëzve, por edhe për t’i bërë më pak objektiv sulmi për hakerat të dhënat e tyre.

Disa qeveri janë duke punuar në aplikacione që përdorin të dhënat e sistemit global të pozicionimit (GPS). Teknologjia e kompanive Apple dhe Google nuk shfrytëzon sistemin GPS.

Nëse aplikacioni është privat dhe i sigurt, njerëzit ka më shumë të ngjarë ta përdorin atë, tha Henry de Valence me TCN Coalition, një koalicion i zhvilluesve të aplikacioneve dhe të tjerë që punojnë me teknologjinë dhe politikat që janë në themel të njoftimit të ekspozimit.

Njerëzit duan të jenë në gjendje të ndihmojnë dhe të frenojnë përhapjen e sëmundjes,” tha ai. “Dhe kështu, nëse u jepni atyre një mundësi që nuk përbën asnjë rrezik për ta, por i lejon ata të ndihmojnë veten dhe të tjerët, njerëzit thjesht do të bëjnë një gjë të tillë, pa u dashur t’iu kërkohet.”

Ka ende shumë të panjohura rreth asaj se si do të funksionojë një aplikacion i njoftimit të ekspozimit dhe nëse do të shohë adoptim të gjerë. Por ka shpresë se teknologjia mund të luajë një rol në ngadalësimin e përhapjes së virusit. VOA / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Përtej së Mirës dhe së Keqes

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Rekomandimi për sonte është njëra nga kryeveprat e filozofit gjerman Fridrih Niçe, “Përtej së Mirës dhe së Keqes”.

“Krijesat njerëzore, të trishtuara thellë, tradhëtojnë vetveten kur janë të lumtura. Ato kanë një mënyrë të veçantë për të kapur lumturinë: sikur duan ta shtypin dhe ta mbysin nga xhelozia, ah, e dinë shumë mirë se ajo do t’u ikë.’Si vepra e dytë monumentale e Niçes, pas “Kështu foli Zarathustra”, ky libër mund të shihet edhe i përshtatur me vetë nëntitullin e tij: prelud i një filozofie të së ardhmes.

Kjo pasi autori shpreh, me anë të po asaj gjuhe të zgjedhur e plot metafora të Zarathustrës, të buruara nga zemra e një dashurie vetmitare për njeriun dhe të ardhmen e tij koncepte dhe opinione të ndryshme për historinë natyrale dhe morale, për paragjykimet e filozofëve, për shpirtin e lirë dhe qënien fetare, për popujt dhe shtetet, e së fundi, edhe për të virtytshmit dhe aristokratët.

Në këtë libër, Niçe shtjellon çështjet si morali dhe natyrën njerëzore, si dy nga temat që e kanë preokupuar më së shumti mendimin botëror e në veçanti debatet filozofike. Ky libër ashtu sikurse edhe librat e tij të tjerë i janë nënshtruar intepretimeve të ndryshme dhe po ashtu ka shërbyer edhe si bazë për të ndërtuar mendim në rrafshin filozofik. Kurdo që lexohet Niçe libri “Përtej së Mirës dhe së Keqes”, është i patejkalueshëm. / KultPlus.com

Zëvendësministri i Arsimit bën thirrje që t’u ndihmohet nxënësve që s’kanë pajisje për mësimin online

Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Jusuf Thaçi, u ka bërë thirrje edhe kryetarëve të tjerë të komunave që të ndjekin shembullin e Prishtinës dhe t’i identifikojnë të gjithë ata nxënës që nuk kanë pajisje për të ndjekur mësimin online.

Ai po ashtu iu ka bërë thirrje bizneseve dhe atyre që kanë vullnet të mirë të ndihmojnë këto familje për t’ua siguruar pajisjes e nevojshme.

“Gjithashtu, sipas mundësive financiare dhe procedurave ligjore, komunat me buxhetin e vet t’i pajisin këto familje me këto mjete, në mënyrë që mësimi në distancë të mund të ndiqet nga të gjithë fëmijët e nxënësit, pavarësisht kushteve financiare e ekonomike të familjes”, ka shkruar ai në Facebook.

Statusi i plotë:

Apel për Kryetarët e Komunave

Në çdo komunë ka familje të varfëra që kanë fëmijë e nxënës që duhet ta ndjekin mësimin në distancë, por shumë prej këtyre familjeve nuk kanë pajisje dhe rrjet (TV dhe kabllovik për ta ndjekur mësimin në RTK 4 ose pajisje teknologjike dhe internet për ta ndjekur mësimin në Youtube dhe për të komunikuar me mësimdhënësit).

Prandaj ju bëj apel Kryetarëve të Komunave që ta ndjekin shembullin e Prishtinës dhe:

1. T’i identifikojnë këto familje që kanë nevojë për këtë lloj ndihme.

2. T’i ftojnë bizneset dhe individët vullnetmirë që të ofrojnë falas pajisje (TV e pajisje teknologjike) dhe pako kablloviku ose interneti për këto familje.

Gjithashtu, sipas mundësive financiare dhe procedurave ligjore, komunat me buxhetin e vet t’i pajisin këto familje me këto mjete, në mënyrë që mësimi në distancë të mund të ndiqet nga të gjithë fëmijët e nxënësit, pavarësisht kushteve financiare e ekonomike të familjes.

Pabarazinë që ka krijuar sistemi ynë ekonomiko-politik nuk guxojmë ta lëmë të kulmojë me krey-padrejtësinë që fëmijët e nxënësit e familjeve të varfëra i privon nga e drejta më themelore: shkollimi.

Në maj nis lehtësimi i masave, kthimi në normalitet në tri etapa

Pas dy muajsh qëndrimi në izolim si shkak i Coronavirusit tashmë kanë filluar planet për hapjen e vendit, shkruan KultPlus

Në një opsion i cili po qarkullon parashihet se hapja do të realizohet përmes tri fazave të ndryshme. Secila fazë do të hap segmente të caktuara nga fusha e ekonomise dhe jetës sociale

Këtu keni të gjitha fazat:

“Faza e parë


Të filloj me 4 Maj dhe atë me kthimin e lirisë së lëvizjës së qytetarëve me masa të qarta kufizuese sa i përket distancimit social dhe masave mbojtëse të nevojshme.
📍 Hapja e tregjeve të gjelbërta, dyqaneve zejtare, dyqaneve të vogla tregtare (deri në 200m2) dhe lokaleve ofruese të shërbimeve të ndryshme me kushte dhe rregullativë të paracaktuar qartë për të respektuar distancimin social dhe masat mbrojtëse.
📍 Rifillimi i punës të sektorit të ndërtimtarisë, duke përcaktuar qartë kushtet që duhet ndërmarrë në respektimin e rekomandimeve të Institutit të Shendetit Publik të Kosovës.
📍 Hapja e salloneve të automjeteve dhe automekanikëve.
📍 Hapja e parqeve malore.
📍 Përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor me prioritet maturantët.
📍 Aktivizimi i transportit urban publik të kontrolluar.

Faza e dytë


Të filloj me 25 Maj pas analizës së situatës epidemiologjike dhe disciplinës së qytetarëve dhe bizneseve dhe të vazhdoj me:
📍 Hapjen e sektorit të hotelerisë dhe gastronomisë
📍 Hapjen e frizerëve, dhe salloneve të bukurisë.
📍 Hapjen e studiove të fitnesit
📍 Hapjen e parqeve me lodra për fëmijët
Duke përcaktuar qartë për këta sektor masat e nevojshme për implementimin e distancimit social dhe rekomandimeve te ISHPK-së.
📍 Hapja e të gjitha dyqaneve tregtare (Përjashto qendrat e mëdha tregtare)
📍 Hapja e qerdheve dhe fillimi i mësimit për ciklin e ulët mësimor
📍 Aktivizimi i transportit publik ndërurban të kontrolluar.

Faza e tretë


Të filloj me 15 Qershor pas analizës së situatës epidemiologjike dhe disciplinës së qytetarëve dhe bizneseve dhe të vazhdoj me:
📍 Hapjen e qendrave tregtare
📍 Hapjen e shkolllave për nxënësit e ciklit të mesëm dhe shkollat e mesme.
📍 Fillimi i aktiviteteve sportive dhe kulturore me kufizime të caktuara aty ku mundet të respektohen udhëzimet e IKSHP-së.
📍 Hapjen e aeroportit për fluturime në destinacionet e mundshme. / KultPlus.com

Artisti turk krijon skena ëndrrash (FOTO)

Imagjinata është më e rëndësishme se dija, ka thënë Einstein. Teksa dituria është e përcaktuar, imagjinata nuk njeh kufij. Dhe kjo thënie është veçanërisht e vërtetë për individë kreativë si ky artist i talentuar nga Turqia.

Huseyin Sahin i ka ngritur kufijtë e asaj që është e mundur me krijimet e tij të këndshme, ndërkaq Bright Side shkruan se janë të mahnitur nga imagjinata e tij verbuese.

Coronavirusi, Rukiqi propozon modelin e Lituanisë për kafenetë në Prishtinë

Kryeqyteti i Lituanisë, Vilniusi, planifikon t’ua ofrojë hapësirën e vet publike kafeneve dhe restoranteve e qytetit për të funksionuar e në të njëjtën kohë duke ruajtur distancën fizike si masë parandaluese për shpërndarjen e koronavirusit. E njëjta i është rekomanduar edhe kryeqytetit të Kosovës nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Lituania ka regjistruar deri tash 1344 raste me koronavirus e 44 persona kanë vdekur. Shumica e kafeneve dhe restoranteve po funksionojnë me hapësirat e jashtme. Sallonet e ondulimit dhe të gjitha dyqanet tjera do të rihapen këtë javë si pjesë e lehtësimit të masave ndaj shpërndarjes së koronavirusit. Megjithatë, masa e distancimit mbetet në fuqi. Kafenetë e restorantet duhet të kenë tavolina me distancë dy metra njëra prej tjetrës. Kjo fillimisht shfaqi problem për restorantet për shkak të rrugëve të ngushta që e bënë të pamundshme pozicionimin e shumë tavolinave jashtë kafeneve e restoranteve. Tani ky qytet ka vendosur që të zgjerojë hapësirën duke thënë se “siguria publike mbetet prioritet, por masat duhet të ndihmojnë kafenetë të hapen, të punojnë, të ruajnë vendet e punës e të mbajnë gjallë Vilniusin”. 18 nga shumë hapësirat publike të qytetit janë hapur për kafenetë e restorantet, ndërsa më shumë se 160 pronarë biznesesh kanë aplikuar tashmë për leje.

Në një reagim lidhur me këtë artikull të botuar nga “The Guardian”, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Rukiqi, ka thënë se kjo është ide fantastike për komunat, sidomos për kryeqytetin e Kosovës.

“Qe një ide fantastike për komunat, sidomos Komunën e Prishtinës. T’i jepet tërë hapësira e lirë publike, në shfrytëzim kafiterive dhe restoranteve, gjatë tërë verës dhe të mundësohet ruajtja e distancës sociale”, ka shkruar ai në Facebook. Koha.net / KultPlus.com

‘Të blesh një maskë apo ushqim’: Në Azinë e Jugut banorët përballen me zgjedhje të ashpra

Blije një maskë dhe lëre familjen të uritur, ose blej ushqim dhe shko në mes turmës së qytetit pa një maskë – kjo është zgjidhja e ashpër me të cilën po përballet Hayatullah Khan, një punëtor afgan që fitimet ditore i kanë rënë në më pak se 1.50 dollar gjatë pandemisë së koronavirusit.

Sikur shumë azianë jugorë, Khan nuk ka zgjidhje tjetër veçse të lë shtëpinë e tij për punë.

Por, edhe pa problemin e rënies së të ardhurave nga koronavirusi, ai përballet edhe me autoritetet që i thonë se duhet të ketë një maskë.

“Unë kam fituar më pak se 100 afgani (1.21 euro) sot. Çfarë do të bëj?”, i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters në kryeqytetin afgan Kabul.

“A duhet të blej një maskë apo ushqim për familjen time?”.

Forma e re e pabarazisë

Mbajtja e maskave në publik tani është e detyrueshme në shumicën e vendeve në Indi, Pakistan dhe Shri Lanka dhe këshillohet nga Afganistani dhe Bangladeshi, duke rezultuar në rritje të kërkesës dhe çmimeve, shkruan Al Jazeera.

Në disa vende një maskë tani kushton deri në 7 dollarë, që ka krijuar një formë të re të pabarazisë në qytete ku miliona njerëz jetojnë në kushte të rënda, johigjenike.

Meenakshi Ganguly, drejtori i Azisë së Jugut për Human Rights Watch, tha se masat e bllokimit të koronavirusit kishin dëmtuar në mënyrë disproporcionale komunitetet e margjinalizuara.

“Sigurisht, vetë koronavirusi nuk bën dallim midis princit ose varfanjakëve, racës ose fesë”, tha Ganguly.

“Por se si ndikon në ata individë ndryshon shumë varësisht qasjes së tyre në ushqim, strehim, shëndet dhe nevojat e tjera themelore”. Klan Kosova / KultPlus.com

Normaliteti pas covid-19

Shkruan: Sead Zimeri

“Normaliteti pas covid-19

Sdo diskutim që covid-19 është fatkeqësi, sidomos për ata që kanë humbur të dashur dhe familjarë të tyre, por edhe për ata që janë rrënuar ekonomikisht.

Por, më lejoni, me ndjesë, t’ua përmend edhe disa të mira.

1. Ngritja e nivelit të higjienës personale. Para covid-19 besoj që shumë pak nga ne i lanim duart kur ktheheshim në shtëpi nga jashtë. Tani na është bërë mani.

2. Njohja më e mirë e anëtarëve të familjes. Jo që nuk i njihnim më parë, por konteksti i izolimit për një kohë të gjatë vetëm me ta të jep një perspektivë tjetër. I sheh nga këndvështrime tjera dhe, shpresoj, edhe i vlerëson më tepër.

3. Covid-19 na ka detyruar të mendojmë më seriozisht për rrezikun që mund të na vijë nga aktiviteti jonë. E provuam çdo të thotë të jetosh pa mundësinë për ta shijuar natyrën. Ndoshta do të bëhemi më të ndërgjegjshëm e do të kujdesimi më shumë për të.

4. E kuptuam më mirë rolin e solidariteit me njëri-tjetrin. Që armiku nuk na dallon as sipas klasës e as sipas besimit apo kombësisë. Para covid-19 të gjithë jemi viktima potenciale. Pa mjekët, zjarrfikësit, infermierët, bukëpjekësit, e të tjerët që punuan për neve ne do të ekspozoheshim shumë më shumë përballë këtij armiku të padukshëm. Ata sakrifikuan që ne të mbrohemi. Ky është solidaritet.

5. E kuptuam edhe rolin dhe nevojën e shtetit, dhe nevojës që shteti të jetë i përgatitur për raste të këtilla emergjente.

6. Ajër i pastër. E kuptuam që ajri që thithim është më i pastër ngaqë e ndotëm më pak. Shtytja për profit dhe ngritja e profitit në vlerë absolute që definon çdo suskses të mundshëm, është prirje destruktive nga e cila duhet të largohemi sa më shpejtë. Konkurrencat me njëri tjetrin gjithsesi janë të nevojshme, por vetëm nëse bëhem brenda një kornize më të gjërë të solidaritetit me njëri tjetrin. Ne jemi të fortë sa më i dobëti mes nesh. Por kur profiti bëhet vlera kryesore atëherë nuk kanë fund pabarazitë dhe padrejtësitë sociale që shkaktohen. Situata ku mijëra fëmijë vdesin nga uria (e nëse vazhdon kështu shfrytëzimi i resurseve të natyrës edhe nga ndotja e ajrit si dhe ngrohja globale) për çdo ditë dhe njerëz që kanë qindra miliarda dollarë në pronësi bëhen normaliteti jonë.

7. Më pak zhurmë. Me aktivitetin tonë industrial kemi ndotur ambientin dhe ajrin, por me makinat, trenet, aeroplanet kemi ndotur edhe veshët. Nëpër qytete njerëzit as dritaret nuk i hapnin dhe as në ballkon nuk dilnin sepse zhurma ishte e padurueshme. Tani me më pak zhurmë, ndjen kënaqësi kur del në qytet. Nuk ka më as kokëdhimbje të shkaktuar nga ajo zhurmë. Nuk e di si është me juve, por për mua zhurma është shumë shpërqëndruese, çorientuese, dhe faktor i madh i stresit. Zhurma është faktor i rëndësishëm në lodhjen dhe rraskapitjen fizike dhe psikologjike të njeriut. Zhurma të dëmton shëndetin. Këtë e kupton sa herë që del në natyrë, pranë ndonjë lumi apo në pyll ku ska njeri.

Ka edhe dobi tjera gjithsesi, por këto janë ato që unë i kam vërejtur. Prandaj thirrjet që situata normale të kthehet sa më shpejtë më trembin. Nuk dua që situata të kthehet ashtu siç ishte. Ishte e dëmshme, e ndotur, shtypëse, po ecnin si dele drejt vetëshkatërrimit, dhe nuk kishim kohë as të mendojmë e as të pushojmë.

Kuptohet unë dua që të dalim nga izolimi, të punojmë, por të punojmë shumë më pak, të ndotim edhe më pak dhe të i lëmë makinat në garazhe. Mund të ecim më shumë, të vrapojmë dhe të shijojmë bukuritë e natyrës me ‘zhurmën’ e saj proporcionale me dëgjimin tonë, e jo me zhurmën që na shurdhon tërë kohën.

Nuk dua që situata të kthehet në normale sepse normaliteti që ishte dikur, nga perspektiva post covid-19 duket qartë që nuk ishte aspak normale, që të gjithë ishim të rraskapitur e të lodhur, kishim harruar të shijojmë bukuritë e natyrës, dhe bukuritë e moralit. Nuk duhet që të jemi solidarë vetëm në raste të rrezikut, por duhet të krijojmë sisteme ku solidariteti dhe kujdesi për njëri tjetrin dhe për natyrën e kafshët është vlera jonë kryesore.

Nuk dua të kthehet situata normale. Dua ta krijojmë një normalitet të ri. Sepse normaliteti i vjetër nuk ishte normal, ishte në shpërputhje të plotë me shëndetin tonë trupor dhe shpirtëror”.

SBASHK kërkesë Kurtit: Mos të pensionohen mësimdhënësit derisa vazhdon mësimi nga distanca

Sindikata e Bashkuara e Arsmimit dhe Shkencës së Kosovës ia ka drejtuar një kërkesë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

SBASHK-u kërkon nga Kurti që të mos pensionohen mësimdhënësit derisa vazhdon mësimi nga distanca, njofton Klan Kosova

“Nëse pensionohen kuadrot arsimore që kanë plotësuar moshën do të vështirësohej rrjedha e mësimit nga larg ngase në këto rrethana procesi i rekrutimit të kuadrove të reja është tepër i vështirë dhe do të humbeshin ditë të tëra në pritje të afateve të konkursit dhe po ashtu do të kishte probleme në organizimin e punës së paneleve të intervistimit me shkrim e me gojë për kandidatët që konkurrojnë. Po ashtu do kujtuar faktin se kuadrot e reja do ta kishin tepër të vështirë të angazhoheshin suksesshëm në procesin mësimor nga larg ngase do të ishin të panjohur për kolegët në atë shkollë e aq më shumë për nxënësit me të cilët do të duhej ta zhvillonin procesin mësimor. Po ashtu ata do ta kishin tepër të vështirë të krijojnë mundësi për komunikim me prindërit” thuhet në komunikatë.

Kjo është komunikata e plotë e SBASHK-ut:

SBASHK-u është duke vazhduar të mbaj takime nga larg me punëtorët arsimor që nga çerdhet e deri edhe të Universitetet e Kosovës me qëllimin e vetëm që të inkurajojë e përkrah ata në angazhimet maksimale që po bëjnë në realizimin sa më të mirë të procesit mësimor në distancë. Duke analizuar bashkë me ta rrjedhën e mësimit nga larg, SBASHK-u ka marrë obligim nga anëtarësia, që edhe një herë, t’i drejtohet Kryeministrit, z. Albin Kurti me kërkesën konkrete që Qeveria të marr një vendim për t’u lejuar punëtorëve të arsimit që kanë arritur moshën e pensionimit të vazhdojnë angazhimin deri në përfundim të procesit mësimor nga larg.

Duke e argumentuar këtë kërkesë, SBASHK-u cek se procesi mësimor nga larg është duke u zhvilluar dhe se punëtorët e arsimit kanë krijuar një përvojë të mirë të realizimit të procesit mësimor me platformat gjegjëse dhe po mbajnë edhe komunikim të vazhdueshëm me nxënës e prindër duke u angazhuar bashkërisht për rrjedhën e mbarë të mësimit në distancë. Nëse pensionohen kuadrot arsimore që kanë plotësuar moshën do të vështirësohej rrjedha e mësimit nga larg ngase në këto rrethana procesi i rekrutimit të kuadrove të reja është tepër i vështirë dhe do të humbeshin ditë të tëra në pritje të afateve të konkursit dhe po ashtu do të kishte probleme në organizimin e punës së paneleve të intervistimit me shkrim e me gojë për kandidatët që konkurrojnë. Po ashtu do kujtuar faktin se kuadrot e reja do ta kishin tepër të vështirë të angazhoheshin suksesshëm në procesin mësimor nga larg ngase do të ishin të panjohur për kolegët në atë shkollë e aq më shumë për nxënësit me të cilët do të duhej ta zhvillonin procesin mësimor. Po ashtu ata do ta kishin tepër të vështirë të krijojnë mundësi për komunikim me prindërit.

SBASHK-u në kërkesën drejtuar Kryeministrit Kurti ka kujtuar Qeverinë se të gjithë ata që janë pensionuar nga 1 prilli 2020 deri mw sot janë duke mbajtur procesin mësimor me nxënësit e tyre dhe këta mësimdhënës kanë kontribuar mbi 40 vite në sistemin arsimor të Kosovës dhe këtë muaj rrezikojnë të mbesin edhe pa paga edhe pa pensione për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia, pasi që në këto rrethana as nuk kanë marrë vendime të pensionit e as nuk kanë aplikuar për pensione, por janë duke vazhduar punën e mësimdhënësit nga largësia si të gjithë mësimdhënësit tjerë.

SBASHK-u beson se Kryeministri Kurti dhe Qeveria do të marrin një vendim të tillë, i cili kontribuon që të largohen shqetësimet e kolegëve tanë që kanë arritur moshën e pensionimit dhe kështu do të vazhdohej me rrjedhën e mbarë të mësimit nga larg me kuadrot arsimore që edhe e kanë nisur këtë formë të procesit arsimor.

Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar, udhëtim virtual në tempullin Fronton (VIDEO)

Muzeu Historik Kombëtar në udhëtimin virtual ditor ka promovuar bukurinë e tempullit Fronton, të shekullit II.

Në kuadër të rubrikës “Thesaret e Muzeut Historik Kombëtarë”, ky institucion përmes një videoje ka zhvilluar një udhëtim virtual në Fronton Tempulli, personifikim i lumit Aos.

Fronton tempulli i vitit 1228, është i realizuar me gur gëlqeror. Lartësia 47,5 cm, gjerësia 65 cm, thellësia 21 cm. Objekti ndodhet i ekspozuar në Pavijonin e Lashtësisë në Muzeun Historik Kombëtar

Fronton Tempulli, personifikimi i lumit AOS, i zbuluar nga Hasan Ceka, në Berat e ka prejardhjen nga Apolonia. Hyji është përfytyruar si një plak i fuqishëm i shtrirë dhe i mbështetur në krahun e djathtë.  Fytyra e plakut është impozante me mjekër dhe flokë të gjatë që lëshohet mbi supe që artisti i ka paraqitur sikur janë të lagështa. Modelimi dhe teknika tregon për rëndësinë e paraqitjes së shumë detajeve anatomike. Identifikimi i figurës me personifikimi e lumit aos është mbështetur në element historic, numizmatik dhe mitologjik. Lumi AOS kishte një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të Apolonisë. Personifikimi i Vjosës ndeshet edhe në monedhat e kohës perandorake të qytetit, çka përforcon më tepër adhurimin që gëzonte lumin. Edhe burimet e shkruara pohojnë rolin mbrojtës që i jepet Aosit në raste lufte. /atsh / KultPlus.com

Epidemia e re me emrin komplotizëm

Disa thonë që virusi është krijuar vetë. Të tjerë që është faji i 5G. Që e bënë amerikanët. Jo, kinezët … Në kohë pasigurie, përgjigjet kërkohen edhe tek tezat më të pamundura. Dhe teoritë e komplotit janë të shumta. Duke u shndërruar edhe në një instrument të luftës gjeopolitike

Duket se pasi terrorizmi të jetë ezauruar si shkak i masave të jashtëzakonshme, shpikja e një epidemie mund të ofrojë pretekstin ideal për zgjerimin e tyre, përtej të gjitha kufijve. Kishim mangut edhe mohuesit e pandemisë për të kompletuar teatrin tashmë të pasur të të ashtuquajturve teoricienë të komplotit, ata që në momente kaosi hedhin hipoteza komplotesh në emër të një kundër-informacioni “të shëndetshëm”.

Në pak javë të Covid-19, jemi përmbytur me një mijë përgjigje për dyshimet tona. Disa prej të cilave janë sinqerisht të besueshme. Fjala vjen, si historia e koronavirusit të gjeneruar në një laborator në Wuhan. Ideja kaloi nëpër mendjet e shumë njerëzve në fillim. Pastaj qarkulloi kronika televizive e Rai Leonardo, e nëntorit 2015, e cila tregonte eksperimentet e kryera nga kinezët për të krijuar një “kimera”, një supervirus që bënte bashkë një proteinë të lakuriqëve të natës dhe Sars. Zemërimi ishte i shpejtë dhe i fortë, derisa virologu Roberto Burioni kujtoi sesi studimet e fundit të botuara në “Nature Medicine” vërtetuan origjinën “natyrale dhe zoonotike” të virusit.

Shumë më të forta janë rindërtimet e tjera të komplotit. Për dikë, koronavirusi thjesht nuk ekziston, siç thotë artikulli në të përditshmen “Il Manifesto”: është një shpikje për t’i mbajtur të gjithë nën kontroll dhe për të kufizuar liritë. Kushdo që ka lexuar Eleonora Brigliadorin (“Eshtë një komplot amerikan”; “Koronavirusi nuk ekziston”; “Unë dal kur të dua”) e di se ish-prezantuesja është vetëm maja e ajsbergut të asaj që qarkullon në WhatsApp, Telegram, Twitter, etj. Në YouTube, një farë elvis76c shkruan: «Shtatëdhjetë kamionë ushtarakë për të transportuar 160 arkivole? A nuk mund të përdornin dy ose tre duke bërë shumë rrugë? Po këta 160 vdiqën në unison? Dëgjoni, të dashur miq, këtu nuk është çështja për të qenë komplotistë, por për të mos na bërë për budallenj”.

Ndër teoricienët e komplotit që pranojnë ekzistencën e Covid-19, tema kryesore është “kush” e ka shkaktuar atë. Keni menduar ndonjëherë për 5G? Teknologjia e re e telekomunikacionit, thonë ata, do të zhbëjë mbrojtjen tonë imune duke inokuluar sëmundjen në trup. “Cili ishte qyteti i parë në botë që instaloi rrjete 5G? Wuhani! Dhe rajoni i parë evropian? Italia Veriore”, shkruante në Twitter Gunter Pauli, një mendimtar i afërt me Beppe Grillon dhe sot këshilltar ekonomik i Giuseppe Contes.

5G dhe koronavirusi janë të lidhur mes tyre, edhe për blogerin turbo-konspirativ Rosario Marcianò, i njohur për teoritë e komplotit, mohimin e masakrës së Bataclanit (ata ishin aktorë, jo të vdekur) dhe mistifikues i të vërtetave të tjera të dhimbshme publike. Kanali i tij në Facebook, Tanker Enemy u sekuestrua pak ditë më parë nga policia, për publikimin e një video në të cilën ai bënte thirrje për mosrespektim të rregullave të karantinës. Në faqen me të njëjtin emër, e cila është ende online, mes të tjerave ai shkruan: “Pse kompani të ndryshme që merren me mësimin në distancë, tashmë i kishin të gatshme të gjitha programet dhe aplikimet për mësimdhënien telematike?” Tamam: kush qëndron prapa programit kompjuterik për shkolla?

E megjithatë ne duhet të jemi mësuar me teoritë e komplotit. E njëjta gjë ndodhi me Sars dhe Ebolan. Edhe me SIDA-n. Thuhej se i kishte dalë nga kontrolli ushtrisë amerikane, në kërkim të një arme të fuqishme biologjike. Pastaj u vërtetua se teoria ishte pjesë e një fushate disinformuese të orkestruar nga KGB. Dhe ndërsa historia përsëritet, javët e fundit Rusia është akuzuar për orientimin e lajmeve të rreme që fajësojnë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim destabilizimin e vendeve evropiane.

Një plan djallëzor nga amerikanët: kjo është deri tani ideja e një komploti me të cilin njerëzit indinjohen më shumë. “Unë po filloj të besoj se koronavirusi është një operacion i madh për të rrëzuar ekonominë kineze dhe evropiane, si dhe shpërqendrimi masiv, për të hapur dyert për operacione ushtarake në shkallë të gjerë, për të cilat sot dihet shumë pak”, ka shkruar në Twitter regjisori Gabriele Muccino. Referenca është për operacionin Defender Europe 20, një stërvitje e NATO-s me dislokim të madh të forcave amerikane në territorin evropian.

“Stërvitja amerikane është një luftë botërore e gatshme për të nisur”, janë ngrohur mediat sociale. “Ata na vendosën në gjendje të jashtëzakonshme dhe ushtarët amerikanë janë këtu për të shuar çdo protestë. Të rezistencojmë!”

“Si nuk mund ta kuptoni: Amerika tashmë ka vaksinën dhe ushtarët imunë ndaj Covid do të komandojnë, ndërsa ne vdesim”. Meqë ra fjala, për shkak të virusit stërvitja amerikane u zvogëlua nga 20,000 në 6,000 ushtarë. Pushtimi u shty.

Një video e mbërritur në shumë telefona inteligjentë quhet “Ishte lakuriqi i natës” dhe buron nga kanali YouTube Luogoco-mune2 nga Massimo Mazzucco, princi i komplotizmave të kohëve të sotme, nga mashtrimi i Kullave Binjake e deri te mohimi i uljes në Hënë, e deri te trajtimet alternative kundër kancerit. Në video, Mazzucco lidh një seri testesh për të demonstruar, mes të tjerash, se një “dorë amerikane” solli një virus të gatshëm në Kinë. Si do të arrinte atje? Falë sportistëve që morën pjesë në Kampionatin Botëror Ushtarak në Wuhan, në Tetor. Që është njëkohësisht e vërteta e mbrojtur “nën tryezë” nga qeveria kineze. “Teoritë e konspiracionit janë një front i ri, një rrëfim i krizës që e përdorin për të garuar në nivel global”, thot Julian Gewirtz nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit. Dhe falë teknologjisë, kjo narrativë përhapet nëpër botë.

Deri në pikën që, edhe në Itali shumë e kanë kapur me Bill Gates: ai subvencionoi Institutin Britanik të Kërkimit Pirbright për të krijuar imunizim nga bronkiti infektiv i shpendëve, por akuzohet se ka krijuar si Covid-19 ashtu edhe vaksinën përkatëse. Qëllimi: të vendoset një Rend i Ri Botëror i “elitës globaliste”, që do të sundojë popujt pasi t’i ketë shfarosur, në emër të ndryshimit të klimës.

Edhe eseisti, komentatori dhe filozofi Diego Fusaro ka insistuar për përgjegjësitë amerikane: “Ndoshta është një luftë bakteriologjike nga Shtetet e Bashkuara”. Dhe më tej: “Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të godasin vendet që nuk janë reshtuar krah tyre”. Referenca është gjithashtu për Italinë, fajtore që ka nënshkruar marrëveshjet për Rrugën e Re të Mëndafshit, dhe Iranin që furnizon Pekinin me naftë (“rastësisht” dy nga vendet më të prekura). Teherani gjithashtu tregon gishtin nga SHBA dhe udhëheqësi suprem Ali Khamenei ka njoftuar se ai ka refuzuar ndihmën me ilaçe amerikane, sepse “ato janë një mënyrë për të përhapur virusin”.

Eshtë më pak e qartë se kujt i referohej Kardinal Malcolm Ranjith, kryepeshkopi i Sri Lankas, kur tha: “Virusi është produkt i eksperimenteve të paskrupullta nga kombe të pasura dhe të fuqishme” dhe për këtë arsye OKB, sipas tij, duhet të hetojë dhe dënojë autorët për gjenocid. Shtetet e Bashkuara? Kina? Sigurisht që fjalët e tij kishin një jehonë mbarëbotërore. Deri në atë pikë sa edhe ish-senatori Domico Scilipoti është i shokuar: “Kush di, të flasë!”. Dhe kush nuk di, të heshtë. /Panorama Italia – Bota.al /KultPlus.com

Java e Europës në Shqipëri, performacë nga 14 artistë nga 14 vende të BE

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka përgatitur një program për qytetarët shqiptarë për të festuar faktin që të gjithë u bënë bashkë gjatë periudhës së pandemisë.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca shprehet se, “muajt e fundit kanë qenë të vështirë për Shqipërinë. Por, ata na kanë bashkuar si kurrë më pare”.

“Në “Europe Week Albania” do të festojmë faktin që të gjithë u bënë bashkë”, thekson Soreca.

“Nën moton “Më të forte sëbashku” kemi përgatitur një program me surpriza që mund ta ndiqni në rrjetet sociale të BE në Shqipëri”, shton Soreca.

Ky program mbahet në kuadër të Javës së Europës 4-10 maj dhe ku do të performojnë 14 artistë nga 14 vende anëtare të BE-së. /atsh / KultPlus.com

Si të parandalojmë impaktin psikologjik të izolimit?

Në pasigurinë e këtyre ditëve, e vetmja gjë e qartë është që ne po përballemi me një urgjencë shëndetësore të paparë në numër dhe forma.

Një nga pasojat është izolimi social i cili duket se është garancia e vetme efektive për të parandaluar infeksionin e mundshëm.

Si mund ta trajtojmë atë nga një këndvështrim psikologjik?

Përqendrohuni tek “këtu dhe tani”

Në një kohë pasigurie si kjo, perceptimi ynë për ngjarjet është përgjithësisht negativ dhe kjo mund të shkaktojë ankth dhe shqetësim.

Eshtë e nevojshme të mos i japim trurit tonë mundësinë për të hyrë në një të ardhme të mbushur me dyshime dhe pyetje, por të sigurohemi që të përballemi me të tashmen në një mënyrë pozitive.

Pranoni situatën

Jemi përballë një periudhe historike të pashembullt dhe duhet domosdoshmërisht të përshtatemi me rregullat e reja të jetës që duhet të ndjekim.

Në këtë proces të adaptimit, duhet të mbajmë në mendje se disa vendime nuk janë nën kontrollin tonë, por janë “imponuar” nga covid-19: prandaj nuk duhet të ndihemi fajtorë nëse nuk mund të jemi pranë anëtarëve të familjes sonë, ose nuk kemi qenë në gjendje t’i themi lamtumirë atyre që na kanë lënë.

Kthejeni frikën në mundësi

Frika është një emocion parësor që na lejon të mbijetojmë nga rreziku dhe, për këtë arsye, të inkurajojmë mbijetesën tonë.

Të kesh frikë është normale, ajo që duhet të bëjmë është të mos lejojmë që frika të marrë kontrollin, duke shndërruar realitetin e sotëm në mendime ekskluzivisht alarmante.

Krijoni një rutinë të re

Sot qëndrimi në shtëpi është një detyrim por nuk duhet t’ju pengojë të vazhdoni jetën tuaj: është çështje e përshtatjes së zakoneve tuaja në një kontekst “të ri”, brenda të cilit të ruani jetën e përditshme të mëparshme.

Për shembull, organizoni mënyra të ndryshme të administrimit të kohës për ditët e javës dhe fundjavave, në mënyrë që të ruani kontrollin për kohën që kalon.

Gjeni kohë për veten tuaj

Eshtë e rëndësishme t’i jepni vetes kohë: të gjeni të paktën 15 minuta në ditë për t’u argëtuar duke zgjedhur aktivitetin që ju pëlqen më së shumti.

Ruani rrjetin tuaj social

Në periudha të vështira është thelbësore të mbështetemi te njerëzit që i duam siç janë familja dhe miqtë dhe, në një situatë të veçantë si kjo, është edhe më shumë e nevojshme.

Nëse nuk keni një rrjet social ose ndiheni vetëm, mund të gjeni, përmes shërbimeve të ndryshme të konsulencës në internet, një psikolog ose psikoterapist, i cili do të jetë në gjendje t’ju ofrojë mbështetje psikologjike për t’u përballur me këtë periudhë.

Ndihmoni të gjitha kontaktet sa më mirë që të keni mundësi

Një mënyrë për të kapërcyer më mirë këto ditë izolimi dhe të ndjeheni afër të tjerët është të ndani lajme pozitive, mesazhe mbështetëse dhe video argëtuese për të përsëritur se “gjithçka do të jetë mirë”. /KultPlus.com

Kim Mehmeti: Kosova ka lind e ka rrit trima, por edhe mjeranë politikë

Kosova ka lind e rritë trima për të cilët ia ka zili bota, por edhe mjeranë politikë shkaku i të cilëve e tall dynjaja!

Siç duket, një ndër arsyet pse Kosova e vogël nuk e shijoi lirinë ashtu siç duhet dhe, pse aq shumë u varfërua, është se ajo ushqen e mbanë mbi shpinë shumë zhvatës, idiotë e mjeranë politikë!

Pra një ndër shkaqet pse Kosova ende nuk ia del të vetëmirëmbahet si shtet është se ajo lindi e rriti trima për të cilët ia ka zili bota, por atë sot e kanë marr peng mjeranë politikë, shkaku i të cilëve e tallë gjithë dynjaja!

Dhe duke qenë e tillë, asaj i ndodhë, për shembull që – për dallim nga izraelitët, që edhe pas tetë dekadave që ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore, ata vazhdojnë t’i kërkojnë e t’i dënojnë të gjithë nazistët që kanë vrarë hebrenj – mjeranët mediatik e politikë të Kosovës të thonë se 20 vite pasi ka përfunduar lufta, është e pakuptimtë të kërkosh të dënohen vrasësit serb të shqiptarëve?!

Dhe paralajmërojnë amnisti për gjitha ‘palët’, duke i barazuar kështu luftëtarët për liri të UÇK-së me vrasësit e okupatorit serb?!

Pra duke qenë e tillë, Kosovës edhe i ndodhë që të ketë President njeriun që në kohë pandemia, pra në kohë kur populli nuk mundë të reagojë e të protestojë, kur populli është i mbyllur në ‘burg shtëpiak’, ai të ngutet ta rrëzojë qeverinë e shpresës rinore dhe në vend të sajë të sjellë në pushtet zhvatësit e dalë nga ‘Strofulli i Gjarprit! Me çka – jo për nga përmbajtja, por për nga forma – s’ka si mos të ta rikujtojë kohën kur shqiptarët e Kosovës i numëronin viktimat, e Millosheviqi e kremtonte ardhjen në pushtet të ‘Morinave” të tij!

Dhe siç duket, Kosova e sotme nuk ka ndryshuar shumë nga ajo e dikurshmja, kur trimat dhe njerëzit e dinjitetshëm e të vlefshëm të asaj më mirë i njihte armiku se sa ajo vetë, me çka edhe ia vriste dhe ia likuidonte me kohë!

Kështu bëri me të edhe Millosheviqi që vrau Adem Jasharin me gjithë familjarët e vet, që burgosi dhe e zhduki simbolin e diturisë dhe intelektualizmit shqiptarë Ukshin Hotin, që nga gjithë figurat politike likuidoi trurin dhe strategun e LDK-së, Fehmi Aganin, që vrau mbrojtësin më të mirë të të drejtave kolektive shqiptare, avokatin Bajrami Kelmendin me dy djemtë e tij…

Dhe jo se Millosheviqi nuk e dinte se me këtë shqiptarinë nuk e lë pa individët trima e të vlefshëm, por ai dinte diçka më shumë se kaq: kur një populli ia zhdukë simbolet e trimërisë, të qëndresës dhe të mençurisë kolektive, atëherë krijon parakushte që atij populli t’‘i shtohen e t’i fuqizohen injorantët, mjeranët dhe hajdutët politik!

Siç duket ka ardhur koha kur Kosova duhet të dëshmojë se tani më ajo i njeh vlerat e veta njerëzore më mirë se armiqtë e saj dhe se është e aftë që ata t’i mbrojë nga mjeranët politikë e mediatik. Dhe këtë do e dëshmojë nëpërmjet abortimit të qeveritarëve që duan të vijnë në pushtet përderisa populli është në ‘burg shtëpiak’! /KultPlus.com