Fragment nga romani “Ulurima e ujkut” i Ag Apollonit

Duke pirë kafenë, në tavolinën ku tashmë ishim katër veta, meqë s’më interesonte biseda akademike, nxora letrën dhe e pashë fillimin: I dashur Poet. Ngreha veshët përpjetë si ujk. E palosa shpejt dhe u mundova të dukesha se po dëgjoja bisedën që zhvillohej aty, sado që mendja ime kishte fluturuar tashmë te ti. M’u kujtuan sytë e tu të përqendruar në gojën time, derisa e mbaja meshën para deleve të perëndisë. Nuk ishte bariu që shikonte me syrin e ujkut delen e tij. Këtë herë ishte delja ajo që e shikonte me syrin e ujkut bariun. E çuditshme, por kjo ishte meshë mes djajsh.

Si erdhëm këtu?

Ishte eklips dhe mesdita dukej si mbrëmje. Unë, me një mantel të zi dhe jaka të ngrehura përpjetë, po sillja shtatin tim të hollë e të gjatë në kampusin Alma Mater, para të cilit qëndronte statuja e një korbi gjigant. Mund të jetë hija e këtij korbi shkaku i mungesës së diellit në këtë roman? Kjo hije nga e cila nuk po mund të lirohemi?

Pas një shtrëngimi duarsh me dekanin, u ulëm përballë njëri-tjetrit. Dialogun tonë e përcillte nga një gravurë në mur heroi ynë me brirë cjapi. Tunda kokën në shenjë pohimi dhe të dy dolëm për t’u njohur me ambientin ku do të punoja. Në fund të shkallëve njëri nga referentët na përshëndeti me një selam alejkum[1].

– Duhet të di arabisht këtu? – e pyeta dekanin.

– Jo, por s’mund t’i ndalojmë të flasin ata që dinë, – ma ktheu derisa më printe korridorit.

Meqenëse mjekra më ishte bërë dy gisht, tjetri mund të ketë menduar se jam njeri i fesë. Por, në fakt, feja ime kushton pesëdhjetë cent. Vetëm në raste kur duhet t’i blej dy zhileta, kushton një euro.

Në katin e parë, në ballë të korridorit ishte varur një kopje e madhe e triptikut Kënaqësitë e kopshtit tokësor, ndërsa në sallë, siç mund të shiheshin nga dera gjysmë e hapur, ndodheshin pra ndonjë rend: këmbalecë, kanavacë, ngjyra, brusha, amerë, skalpetë, statuja e çkamos, derisa profesoresha i bërtiste studentit, i cili ishte i vendosur të mos bënte portrete, sepse feja nuk ia lejonte.

Në katin e dytë, në ballë të korridorit ishte varur një afishe e Fantomit të Operës, ndërsa në sallë siç shihej nga xhami i thyer i dritarëzës së derës, instrumentet kishin mbyllur gojën dhe partiturat kishin hapur krahët, derisa profesori tullac i bërtiste studentit të parruar e të pakrehur që refuzonte të luante ritmin ¾ sepse, sipas tij, ky ishte ritmi i aktit seksual dhe një gjë të tillë nuk ia lejonte morali.


[1] Arabisht: As-salam alaykum – përshëndetje muslimane që do të thotë paqja qoftë me ty.

“Mat”, komedia që vë përballë njeriun me vdekjen

Së shpejti në skenën e Teatrit “Dodona”, në Prishtinë do të ngjitet komedia e Ag Apollonit “Mat”

Regjinë është duke e bërë Ben Apolloni, kurse në dy rolet e kësaj komedie do të paraqiten aktorët: Brahim Basha, në rolin e Matit dhe Adelina Halitjaha, në rolin e Vdekjes. Kurse kostumet do t’i realizojë Egzon Kazagaqi.

Komedia “Mat” është një rrëfim për një burrë që takohet me vdekjen e tij.

“Mat” është një komedi përplot situata komike, dialogë shumë inteligjentë e përplot humor, që jep mundësi të jashtëzakonshme për aktorët për të shfaqur aftësitë e tyre interpretuese por edhe mundësi leximi kreativ nga regjisorët.

Provat për këtë shfaqje kanë filluar qe disa javë dhe së shpejti pritet premiera në Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Realizimi i shfaqjes është përkrahur nga MKRS dhe Komuna e Prishtinës.

Libri i Ag Apollonit botohet edhe në gjuhën çeke

“Ulurima e ujkut” nga shkrimtari Ag Apolloni do të lexohet edhe në gjuhën çeke, përcjell albinfo.ch.

Në Pragë ishte i pranishëm edhe Ag Apolloni, me ç’rast u promovua libri i tij.

Ambasadori i Kosovës në Pragë, Arbër Vllahiu, ka thënë ndër të tjera se letërsia është urë që lidh shtetet mes vete.

“Shtëpia botuese më e madhe çeke Albatros i ka dhuruar lexuesit çek një vepër letrare me autor nga Kosova. Me autorin Ag Apolloni dhe përkthyesen e shkëlqyer ne gjuhën çeke, Orkida Backus Borshi, në mesin e botuesve dhe libërdashësve çekë. Letërsia, kultura e arti krijojnë ura bashkëpunimi dhe lidhin popuj e shtete”, ka shkruar Vllahiu në Facebook.

“Ulurima e ujkut”, një libër që zgjoi mjaft interesim për lexuesit shqiptarë, fillimisht u botua në shqip, më pas në gjuhën maqedonase, kurse gjuha çeke është e treta me radhë në të cilën u përkthye ky libër.

Ag Apolloni godet me promovimin e librit “Mesjeta”, Universitetin e quan të dështuar, Institutin Albanologjik e quan një xhami pa minare

Ky libër është një vepër autobiografik me ese narrative që nuk i referohen mesjetës së largët,  por që tregojnë se sapo kemi hyrë në një mesjetë të re. Duke parë Qeverinë si kishë mesjetare, mediet dhe rrjetet sociali si inkuzicion, ekstremistët fetar si templearët e dikurshme, intelektualin si pelegrin që kërkon të shlodhet në një vend të shenjtë, maskën si fytyrë të padenjë, skizmën si pasojë të shpërdorimit të lirisë, alegorinë si kuptim të fshehur të jetës sonë, përmes kësaj vepre,  Ag Apolloni  interpreton aktualitetin e jetës sonë.

Libri përbëhet nga 10 ese që përmbajnë tituj në gjuhën latine e që janë: Obscura, Vulgus, Doctrina, Pelegrin, Allegoria, Persona, Schisma, Templarius, Inquisitio dhe Memento. Më shumë për këta tituj bisedoi studiuesi i letërsisë Sherif Luzha,  i cili tha se në këtë libër nuk kemi të bëjmë me një mesjetë si epokë,  por me mesjetën të cilën autori e ka rikonceptualizuar dhe e ka përdorur si metaforë në rrëfimin e jetës së tij. Autori në këtë libër nuk e ka mendjen që të rrëfejë për mëkatet por për ankthet, u shpreh ai.

“Libri mesjeta ime,  herë nëpërmes fusnotave e herë brenda tekstit është i mbushur me shpjegime dhe kjo ndikon që libri të ruajë identitetin eseistik dhe në të njëjtën kohë mundëson që lexuesi ta ketë më të lehtë ti përqaset artikulimit estetik”, u shpreh ai. Sipas tij,  përveç titujve që janë në gjuhën latine autori  brenda teksti ka përdorur edhe shprehje frazeologjike në gjuhën latine të cilat përveç që afrojnë këtë libër me referenca të tjera biblike, filozofike dhe mesjetare, shërbejnë edhe si elemente për ta ravizuar parabolën e jetës personale.

Sherif Luzha

Këtë libër historiani Ylber Hysaj e quajti manifest të jetës së shkrimtarit dhe të 35 viteve ku autori përmes konceptit biblik mundohet që ta kuptojë gjysmën e jetës të ndarë në 12 kapituj të cilët ju ngjajnë 12 muajve kalendarik.

“Këta muaj mbajnë emra latinë dhe ju ngjajnë shenjave të zodiakut, ku në secili nga këto shenja,  Agu mundohet që të sheh të kaluarën dhe të tashmen duke u futur në një mallkim të ciklizmit, duke u thirrur në atë që i pëlqen, në diskursin e Ozit, i cili zbulon se në fakt, pas shekullit XX nuk vjen shekulli XXI, por shekulli XI, me të gjitha misteret dhe ekstremizmit që ai sjellë me vete”, tha ai. Sipas tij, Ag Apolloni pasi që ka ulëritur si ujku që ka hedhur shtatë shumë herët, tani vjen me një mesjetë si i pjekur, inteligjent, i urtë, provokues dhe me frikë që mos i ka kaluar gjysma e jetës dhe në këtë formë i ka kaluar edhe gjysma e trurit. Pra, sipas tij e gjitha vjen si një vet reflektim ku autori i rrëfehet vetes dhe njëkohësisht edhe lexuesit.

Ylber Hysaj

Autori i librit Ag Apolloni u shpreh se në këtë libër është marrë me pjesën e trashëgimisë gjenetike dhe ka ardhur në një përfundim se asnjë njeri nuk është vetvetja derisa është trashëgimi e brezave që ju prinë.

“Kjo na bënë që të veprojmë shpesh çuditshëm dhe kundër vullnetit tonë. Ne mundohemi të tregohemi të kulturuar dhe të shprehim atë dijen që marrim në fakultete, në shkolla në vende të caktuara,  dhe përnjëherë e shohim që dikush na qet prej kontrolli dhe na del babëgjyshi. Ai bëhet kështu më i fortë se gjithë kultura që kemi marrë ndër vite”, tha ai.

Tutje, autori Apolloni tha se libri nis me një problem që atë e ka shqetësuar që në fillimet e tij e që ishte: “A duhet ti besoj frymëzimit apo duhet që këtë frymëzim ta gjejë vetëm nëpër librat”. Duke mos qenë i sigurt se cila është rruga e duhur,  ai vet i ka zgjedhur që të dyja. Ai po ashtu theksoi se në këtë libër është marrë edhe me një koncept i cili në shqip do quhej “frymë e lokacionit”

“Sot me shumicën e njerëzve kur rri e shoh që dëshpërimi i tyre imponohet pikërisht nga kjo, mungesa e frymës së vendit. Nuk e shohin që ka frymë ky vend. Kosova është një vend i pafrymë, i vdekur, i shkretë dhe unë jam munduar që ta interpretoj këtë koncept a duhet të ikim  apo duhet të rrimë. Sa është vendi i rëndësishëm për njeriun? E kam parë që atdheu im është rruga, rrugëtimi dhe jo vendi ,derisa e kemi shkatërruar këtë frymë lokale, e cila në vendet tjera i reziston me sukses koncepteve univerzale”, tha ai. Si një vend i cili duhet marrë si shembull, ai u shpreh se është Parisi, ku fryma lokale vërehet.

“Ne kemi këtu institucione kulturore të shumta më shumë sesa që duhet. Kemi universitete më shumë sesa që duhet, por nuk kemi një vend që mund ta quajmë mbrojtës te kësaj fryme vendore. Universiteti sigurisht që ka dështuar për këtë punë. Institucionet, p.sh. këtu po shoh disa punonjës të institucionit albanologjik, këtij institucioni i mungon vetëm minarja dhe nuk është institucion shkencor. Prandaj ne nuk kemi çerdhe kulturore dhe kjo është dështuese shumë. Këtë dëshpërim unë  e kam artikuluar, para 14 viteve, në një doktrinë që nuk e kam botuar asnjëherë. Mirëpo, pasi që e lexova atë doktrinë e vërejta që atë libër më shumë se mendja e kishte krijuar gjendja dhe nuk e botova, por ky libër e sjellë në një formë një hije të asaj doktrine”, u shpreh ai.

Autori i librit “Mesjeta ime” është fitues i disa çmimeve, duke përfshirë edhe çmimin romani më i mirë i vitit (çmimi “Rexhai Surroi”) për librin “Ulurima e ujkut” si dhe drama më e mirë e vitit nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”./ KultPlus.com

Shfaqja “Kur hana del”, premierë në teatrin “Adriana” të Ferizajt

Të hënën, 1 tetor 2018, në teatrin “Adriana” të Ferizajt do të mbahet premiera e shfaqjes “Kur hana del”, me regji të Ben Apollonit. Kjo dramë është shkruar nga Ag Apolloni dhe paraqet historinë tragjike të luftës së fundit në Kosovë dhe fatet e personave që kanë humbur familjarët, por edhe mendjen.

E vendosur në një spital psikiatrik, ngjarja ndërtohet mes dy simboleve, hënës (që simbolizon luftën, tragjedinë, errësirën) dhe diellit (që simbolizon shpresën, jetën, lirinë). Drama “Kur hana del”, prej në titull sugjeron lidhje të drejtpërdrejtë me traditën shqiptare, gjë që përforcohet me motivin e besës, baladat shqiptare dhe këngët shqiptare, ndërsa storja lidhet me kontekstin historik të luftës në Kosovë dhe me shpalljen e Pavarësisë.

Drama është e konceptuar në dy pjesë. Në të parën jepet përfundimi i luftës dhe shpalosja e tragjedive të personazheve, ndërsa në të dytën, shpallja e Pavarësisë dhe fundi tragjik i Hanës, nuses që humbi burrin në luftë. Kjo është një histori e trishtë që përçon jo vetëm fatin tragjik të të vrarëve të luftës, por edhe të familjarëve që nuk e përballuan humbjen e tyre. “Kur hana del” ndërtohet si tragjikomedi, pasi rrëfimet tragjike të personazheve shoqërohen me veprimet komike të tyre. Izolimi i tyre në një spital psikiatrik, nata dhe hëna, loja e shahut, por edhe mosrealizimi i dashurisë mes Lulit dhe Hanës, nënkuptojnë triumfin e vdekjes mbi jetën, ku e para ia bën mat të dytës.

Në këtë shfaqje do të luajnë: Ali Krasniqi, Edona Berisha-Bekteshi, Vjosa Abazi, Dashuri Rexhepi, Jajush Ramadani, Arben Marevci, Sherif Bega, Mevlan Saraçi, Gresa Gashi, Ekrem Jakupi. Skenografia e shfaqjes është bërë nga Lebibe Topalli, kostumografia nga Pranvera Sylejmani, ndërsa muzika nga Shaban Ratkoceri. Reprizat e shfaqjes do të mbahen me 2 dhe me 3 tetor. /KultPlus.com

Eja ashtu si je

Poezi nga Rabindranath Tagore.

Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet,
Nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt,
Nëse kordelin në bel s’e ke lidhur, nuk ka dert,
Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë,
Nëse këmbët t’i njomë vesa, nëse mbetesh pa sandale,
Nëse perlat të këputen nga xherdani, mos ki dert.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë.

A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Varg lejlekët fluturojnë lart dhe era shpejton mbi shkurre.
Kafshët të trembura nisen vrap në stane.
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?

Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
E kush mund ta vërejë se bloza qepallën s’ta ka prekur?
Se sytë i ke më të zi se retë e shiut?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.

Eja ashtu si je, mos u vono me tualet
Nëse kurorën s’e ke thurur, s’ka dert?
Nëse zinxhirin e dorës s’e ke lidhur, ashtu lëre.
Është vonë; qielli u bë terr nga retë.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet./KultPlus.com

Përkthyer nga Ag Apolloni.

“Sot fjala “shka” tregon shovinizmin tonë”

Nga Ag Apolloni

Historia mes shqiptarëve dhe serbëve nuk është model miqësie, përveç nëse flasim për shekullin e pesëmbëdhjetë, kur Gjorgj Brankoviqi e përkrahu, financiarisht, Gjergj Kastriotin. Por konfliktet e shumta ndërmjet dy popujve (serb dhe shqiptar), nuk duhet të na shërbejnë si arsyetim për përdorimin e gjuhës shoviniste. Kur Jeronim de Rada në shekullin e nëntëmbëdhjetë e përdorte termin “shka” (“hapa derën e shklavunit”, thotë te “Rapsodi e një poeme arbëreshe”, 1866) nuk e bënte për të ofenduar, por thjesht e shqiptarizonte trajtën italiane “schiavone”, që do të thotë “sllav”. Pra, deri në shekullin 19, fjala “shka” nuk kishte kuptim pezhorativ.

Ndërsa, pas Lidhjes së Prizrenit (1878), kur nacionalizmi arrin kulmin, sllavët dhe, veçmas, serbët, quhen “shka” (shumësi: shkije, apo shkje) me konotacione përçmuese. Sot, në gjuhësi, fjalët e tilla quhen “etnofaulizma” (sharje me bazë etnike).

Në momentin që serbit i drejtohemi me emrin “shka”, ne e kemi përjashtuar mundësinë e dialogut me të. Fatkeqësisht, letërsia shqipe e viteve të fundit të shekullit 19 dhe, sidomos, e gjysmës së parë të shekullit 20 është e mbushur me etnofaulizma, kurse “vulgu” ende e bluan këtë fjalë pa e menduar, edhe pse sot, kur bota e qytetëruar po i lufton me të madhe këto fjalë fyese, do të duhej të ishim më të kujdesshëm ndaj gjuhës shqipe. Duke i thënë tjetrit “shka”, në shprehim injorancën tonë mbi etnofaulizmat dhe qëndrimin tonë shovinist ndaj fqinjëve, me të cilët ndajmë një histori të gjatë bashkëjetese (herë miqësore, herë armiqësore).

E di që disa do të thonë “edhe ata na ofendonin neve kur na quanin shiptari, shiftari, allbanci, shiptarski gjubre”, por as kjo nuk është arsye për shovinizmin tonë gjuhësor. Dikush mund të thotë “pse nuk merresh me deklaratën e Vuçiqit për Millosheviqin, po me postimin e një ish-gazetareje që paska thënë: N’Gjakove e n’Drenice, kamb e shkaut me shkel jo”.

Me Vuçiqin duhet të merren serbët, sepse deklarata e tij shpreh shovinizimin millosheviqian, kurse mua më shqetëson shovinizmi ynë.
Po i afrohemi dekadës së tretë të shekullit 21 dhe nuk na lejohet mendësia e kohës së Lidhjes së Prizrenit./KultPlus.com

(Këndvështrimet e shprehura në rubrikën e opinioneve të gazetës online KultPlus, jo domosdoshmërisht paraqesin qëndrimet e redaksisë së KultPlus.com)

Ag Apolloni: Anton Çetta, lidhje me shkencë s’ka pasë

Shkruan: Ag Apolloni

Këto ditë u çua shumë pluhur për (mos)ngritjen e bustit të Anton Çettës para Institutit Albanologjik të Prishtinës. Kolegët e Antonit paskan thënë që busti i tij nuk duhet të ngrihet para Institutit, por diku tjetër, ndërsa këta të tjerët insistojnë që busti duhet të ngrihet vetëm para Institutit. Kështu, edhe pse Anton Çetta është simbol i pajtimit, kësaj here u bë shkak i përçarjes.

As ata që e refuzonin bustin, as ata që e mbronin, nuk e thanë atë kryesoren: A është Anton Çetta shkencëtar?

Të dy palët thanë se Antoni ka qenë burrë i mirë, ka mbledhur përralla, ka pajtuar gjaqe, prandaj sipas njërës palë busti (më mirë do të ishte një përmendore) duhet të ngrihet në një shesh, kurse sipas palës tjetër – vetëm para Institutit. Kjo palë e lidh refuzimin me përkatësinë fetare (katolike) të Anton Çettës, por nuk merret me kontributin e tij shkencor.

Unë personalisht, jo si shkrimtar, por si profesor dhe si doktor i shkencave filologjike, do të ndihesha i ofenduar nëse para një instituti shkencor do të vendosej figura e një pleqnari, në vend se e një shkencëtari. Anton Çetta ka bërë një gjest madhështor në pajtimin e familjeve shqiptare (kosovare), por ai s’ka bërë asnjë punim shkencor me vlerë. Është mbledhës dhe kompilator i folklorit, por s’ka pasur as metodë, as qasje, as terminologji shkencore dhe këtë e them me kompetencë të plotë. Kjo duhet thënë. Pse të kemi frikë nga e vërteta, kur Kosova tashmë, edhe falë kontributit të madh të Anton Çettës, është e çliruar?

Anton Çetta është pleqnar i madh (ka ndenjur me pleqnarë dhe ka marrë tiparet e tyre) dhe meriton një përmendore të madhe në Prishtinë, por jo para Institutit. Sepse para Institutit aq sa ai, e meriton bustin edhe Xhemail Abria.

Kujdes ku i vendosni bustet dhe përmendoret! Ibrahim Rugova është vendosur pranë Benettonit sikur të kishte qenë dizajner mode; Fehmi Agani është vendosur para Fakultetit të Filologjisë, edhe pse kurrë s’është marrë me filologji (do ta kenë ngatërruar me vëllain e tij, Hilmiun). Mund t’i tolerojmë përmendoret e figurave të fazës sonë parainstitucionale, siç i lejon gjithë bota, por jo këta të pas Luftës së Dytë Botërore.

Duhet të bëhet debat racional para se të vendoset një përmendore, që mos të hiqet pastaj nga brezat e ardhshëm. Anton Çetta ka marrë rrogë në Institut, por nuk është Vladimir Propp. Ai thjesht ka mbledhur (më shumë ka kompiluar) përralla e anekdota. Më tutje, dorën në zemër, lidhje me shkencë s’ka pasë.
Mos u çartni, vlerësojeni njeriun e urtë për atë që është, jo për atë që nuk është! E për atë që është, simbol i pajtimit, ai meriton një permendore larg institucioneve./KultPlus.com

Qosja e Kadare dhe trajtimi i figurës së Skënderbeut

Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja nuk e trajtojnë Skënderbeun siç është trajtuar pothuajse te të gjithë, si personazh i pranishëm, por ata e trajtojnë si personazh në mungesë apo personazh statujë, trajtim ky i cili i ka lënë mbresa studiuesit Ag Apolloni, i cili në kuadër të “Javës së Albanologjisë” solli punimin “Hija e Skënderbeut te Kadare dhe Qosja”.

Alberina Haxhijaj

Letërsia shqipe ka një zhvillim atipik, problemi i saj nuk është vetëm shkrimi shqip që daton vonë apo statusi religjioz e propagandistik i librave të parë, por sidomos mungesa e romanit deri në shek. XX dhe sidomos mungesa e romanit të mirëfilltë deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Por edhe romanet e gjysmës së parë të shekullit të kaluar janë romane të papjekura, herë romanca të mirëfillta, herë romane sentimentale dhe herë edukative, sqaron Apolloni duke theksuar se vetëm pas Luftës së Dytë Botërore shfaqen autorët me vetëdije të konsoliduar për zhanrin e romanit dhe kështu romani kthehet në dominant kulturor edhe në letërsinë shqipe.

Nuk është rastësi që pikërisht me roman arritën suksesin më të madh dy shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë, Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja, Kadare me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” dhe Qosja me “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. “Këta dy romancierë të kohës sonë tashmë janë autorë klasikë, jo në kuptimin e poetikës por të vlerës. Janë autorë të mëdhenj të cilët janë marrë edhe më figurën më të madhe të historisë shqiptare – Skënderbeun. Njëri shkruan një roman ‘Kështjella’ ndërsa tjetri një novelë ‘I ringjalluri i penduar’”, theksoi Ag Apolloni.

Sipas tij, që të dy veprat kanë pasur një pretekst kontekstual, okazional. Romani u shkrua me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, ndërsa novela me rastin e sjelljes së statujës së Skënderbeut në Prishtinë. “Ismail Kadare njihet si autor i cili nuk eksperimenton me poetika, në veprat e tij gjithmonë qëllim ka qenë ideja jo forma. Romanet e tij janë të mbushura me referenca nga mitet antike e deri te ngjarjet aktuale politike, por nuk provojnë teknikën e kolazhit, eksperimentet funksionale, irritimin e fabulës e të tjera. Në planin formal ai lidhet fortë me zhanrin e romanit duke ruajtur elementet bazike të romanit realist që edhe sot konsiderohet model i përkryer zhanror”, tha ai duke shtuar se në këtë kuptim edhe Kadare është shumë i lidhur me esencën, shkruan KultPlus.

Sipas tij “Kështjella” ruan esencën e romanit historik dhe përvishet me elemente të tjera që e largojnë nga ai tip i romanit siç është rasti i mos paraqitjes së heroit që edhe në mungesë është më i dukshëm se të tjerët. “Romani i Kadaresë nuk i qëndron besnik një poetike por e mbron zhanrin, krejt të kundërtën e bën Qosja i cili i qëndron besnik poetikës por e tradhton zhanrin. Ky konstatim nuk ka lidhje me aksiologjinë por vetëm me tipologjinë”, tha ai. “I ringjalluri i penduar” nis me një lutje për ringjalljen e Skënderbeut dhe gjithë pjesa tjetër e saj përshkruan itinerarin e të ringjallurit. Fillimi i saj shkon kah gjeneza e letërsisë fantastike, mesi artikulohet si satirë, fundi shfaqet si revoltë e trefishtë e heroit, narratorit dhe e autorit.

“Këtu autori e nxjerrë heroin nga e kaluara për ta sulmuar të tashmen, pra ai pozicionohet në krahun e heroit dhe i sulmon të tjerët rreth tij”, theksoi Apolloni duke shtuar se ironia që lexohet në mes të rreshtave të novelës qëndron në faktin se nuk dihet nëse prurja e Skënderbeut në Prishtinë bëhet në shenjë nderimi për heroin apo me qëllime të përfitimeve të organizatorëve. Leximet e kumtesave në kuadër të “Javës së Albanologjisë” përfunduan sot duke shënuar kështu edhe mbylljen e edicionit të nëntë të ngjarjes letrare. / KultPlus.com

Fjala e parë shqipe është e Skenderbeut, jo e Pal Engjëllit

FJALA E PARË SHQIPE ËSHTË E SKENDERBEUT, JO E PAL ENGJËLLIT

Shkruan Ag Apolloni

Në të gjitha tekstet mbi historinë e gjuhës shqipe, si data më e vjetër e dokumentimit të gjuhës shqipe konsiderohet “Formula e pagëzimit” e këshilltarit të Skenderbeut, Pal Engjëllit. Kjo formulë, e përkthyer nga latinishtja në shqip, në dialektin gegë, në të folmen e Matit, është gjetur në një epistulë të datës 8 nëntor 1462, të shpërndarë për nevoja praktike pas vizitës që Pal Engjëlli ia bëri Kishës së Trinisë së Shenjtë në Mat (manasterium S. Trinitatis de Emathia).

A e shkroi Pal Engjëlli? Çabej në shkrimin “Kuvendi kishtar i Matit i vitit 1462 dhe Formula e pagëzimit” (botuar në “Arësimi popullor”, Nr. 1/1963, viti XIX, Tiranë) nuk ia atribuon autorësinë Pal Engjëllit (kryepeshkop i Durrësit, me prejardhje nga Drishti i Shkodrës), por thotë se “shkrues i parë i këtij dokumenti ka qenë ndonjë prift i atyre anëve (anët e Matit e të Lurës – A. A.)”.

Pra, Pal Engjëlli nuk e shkroi formulën e pagëzimit, por e organizoi kuvendin e parë kishtar dhe kërkoi nga priftërinjtë që t’i pagëzonin fëmijët shqiptarë në gjuhën amtare. Ai me shumë gjasë, do t’ua ketë thënë priftërinjve formulën e pagëzimit në gjuhën shqipe, por për ta shkruar e shkroi dikush nga ana e Matit dhe Lurës, zonë e principatës së Skenderbeut, (Pal Engjëlli ishte kryekëshilltar i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe në kohën kur e përktheu këtë formulë, po priste të emërohej kardinal nga Papa Piu II, i cili gjithashtu kishte planifikuar ta emëronte mbret Skenderbeun.

Por, siç dihet, vdekja e Papës në vitin 1464, ua preu shpresat kryetrimit shqiptar dhe kryekëshilltarit të tij.), prandaj “Formula e pagëzimit” u përkthye dhe u shkrua, siç hamendëson Çabej, me shumë gjasë me urdhrin (shtysën) e Skenderbeut. Pra, s’ka arsye që “Formula e pagëzimit” t’i atribuohet Pal Engjëllit, kur ai s’e shkroi, por e tha, sigurisht, i nxitur nga Skenderbeu, i cili do t’ia ketë thënë më parë se ai t’ua thoshte priftërinjve të tjerë.

Por, a është e vërtetë që gjuha shqipe fillon me këtë formulë?

Para 50 vjetësh, një historian (T. Geci), në një studim për sfragjistikën (vulën) e Skenderbeut (shih: “Simpoziumi për Skenderbeun”, Prishtinë, 1969, f. 240), shkruan se në një dokument të vitit 1450, pra 12 vjet para “Formulës së pagëzimit”, në një letër që Skenderbeu e kishte nisur për Raguzë (Dubrovnik), në fund të dokumentit kishte shkruar muajin qershor në gjuhën shqipe [në trajtën e kohës së tij “çereshinar” (“čerešinar”), që më vonë do të ketë ardhur duke u transformuar: çershenar, qershar, qershor]. Studiuesit do të duhej të tregoheshin më vigjilentë ndaj këtij fakti, që e shtyn për 12 vjet më herët dokumentimin e gjuhës së shkruar shqipe.

Edhe një dokument tjetër, nga një peshkop dhe kushëri i Pal Engjëllit, sjell një fjalë shqipe, e cila vjen si urdhër luftarak i Skenderbeut. Është fjala për urdhrin “Embetha!” (“Mbi ta!”), që Skenderbeu ua thoshte bashkëluftëtarëve të tij kur hidhej në sulm. Këtë e dokumenton Dhimitër Frangu në librin me titull të gjatë: “Gli illustri e glorioisi gesti et vittoriose imprese contra Turchi del S. Don Giorgio Castriotto detto Scanderbeg, principe di Epiro”. Fjala “embetha” (e shkruar si “scripta continua”) pa dyshim që është fjali: Embetha, embeta, mbe ta, mbi ta!

Kjo fjali duket që ishte mjaft popullore që kur Skenderbeu e mori Krujën dhe pastaj të gjitha betejat i fillonte me këtë urdhër. Dhimitër Frangu e shoqëroi Skenderbeun që nga kthimi i tij në Krujë, më 28 nëntor 1443.
Pra, “qershori” dhe “embetha” janë dy fjalë shqipe të kohës para “Formulës së pagëzimit”. “Qershori” është e shkruar me dorën e Skenderbeut dhe mban vulën e tij, ndërsa “embetha” është thënë me gojën e Skenderbeut dhe është shkruar nga Dhimitër Frangu më 1480.

Është interes kombëtar që me këto dy fjalë, që e lëvizin vjetërsinë e gjuhës shqipe, të merren seriozisht historianët e gjuhës dhe historianët e periudhës skenderbegiane. Për ta vërtetuar fjalën “qershor”, si fjala më e vjetër shqipe, mjafton të shkohet në Arkivin e Dubrovnikut, të fotografohet (për t’u konfirmuar, ose demantuar) dokumenti me nr. 794 dhe, pastaj, të pranohet pa kurrfarë dyshimi Skenderbeu si shkrues i parë i gjuhës shqipe.

Për t’u bindur për këto që thashë, nëse s’u besoni dokumenteve, lexojeni veprën time “Skenderbeu: Manuskripti i Marlout”, se, siç ka thënë Joseph Conrad, letërsia është më e vërtetë se historia. Librin e gjeni deri me 10 çereshinar 2018, në Panairin e Librit në Prishtinë, pastaj edhe në principatat e tjera shqiptare./ KultPlus.com

“Hamleti simbas Horacit” sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës

“Hamleti simbas Horacit”, me tekst të Ag Apollonit e regji të Ilirjan Himajt, vjen me premierë sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

“Hamleti simbas Horacit”, sjellë në kastën e aktorëve: Shkëlqim Islami, Agron Shala, Valina Muçolli, Beslidhje Bytyqi, Labinot Lajçi dhe Kreshnik Malushaj.

Princi Hamlet, i biri i Mbretit Hamlet, Klaudit, Polonit e Gertrudës, vëlla i Ofeisë dhe Laertit, armik i Fortimbrasit dhe dashnor i Horacit, nuk lë gurë pa lëvizë për ardhje në pushtet.

Kjo shfaqje, ishte paraparë që të dalë me premierë më 16 prill, por që, për shkak të lëndimit të aktorit i cili sjellë personazhin kryesorë të shfaqjes Shkëlqim Islamit, ajo është shtyrë për 8 qershor.

Kompozitor i kësaj shfaqje do të jetë kompozitori i njohur kosovar Memli Kelmendi ndërsa skenografia e kostumografia i është besuar Agnesa Malushajt.

Rikujtojmë se shfaqja vjen me premierë më 8 qershor në skenën e vogël të vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, me fillim nga ora 21:00. Repriza e parë e shfaqjes është nesër në TKK, me fillim nga ora 21:00./ KultPlus.com

Autobiografia Amorfe

Shkruan: Ag APOLLONI

(Nikos Kazanxakis, “Raport El Grekos”, 1961)

Gjaku i letërsisë europiane është grek, thoshte poeti T. S. Eliot, pasi letërsinë romake e shihte si bijë të asaj greke, ashtu siç e shihte edhe studiuesi autoritativ i letërsisë greke, filologu gjerman Ulrich von Wilamowitz-Moellendorf. Gjaku grek i kësaj letërsie qarkullon nëpër të gjithë shekujt, nga antikiteti deri në modernitet, siç e pohon poeti Odiseas Elitis.
Megjithatë, studiuesit që nuk preokupohen me studimin historik, por me studimin aksiologjik, insistojnë të thonë që, pas shkëlqimit në antikitet, letërsia greke vetëm pas më shumë se dy mijë vjetësh shkëlqeu prapë, duke sjellë atë që këta studiues e quajnë Rilindja greke, ku bëjnë pjesë autorët e mëdhenj të modernitetit: Kavafis, Kazanxakis, Seferis, Elitis etj. Për shkak se proza konsiderohet zhanër përfaqësues i shekullit 20, në mesin e këtyre autorëve më i njohuri ndërkombëtarisht mbetet Nikos Kazanxakis (gr. Nikos Kazantzákis), i cili gjatë viteve ’50, falë talentit të jashtëzakonshëm dhe historive autoktone dhe spirituale, iu imponua fuqishëm Europës dhe Amerikës, e cila nuk vonoi t’i kthente kryeveprat e tij letrare në kryevepra kinematografike.
Derisa për studiuesit ky autor përfaqësonte Rilindjen e bujshme të letërsisë greke në shekullin 20, vetë Kazanxakis në librin e tij të fundit iu drejtua piktorit të Rilindjes spanjolle, bashkëvendësit të tij El Greko. Dy artistë të mëdhenj, dy rilindas në kuptimin ambig të fjalës, dy grekë, dy kretasë përballë njëri-tjetrit, kjo është ajo që e bën të madhërishëm këtë roman memoaristik të këtij autori proteik që, si perëndia greke nëpër ujëra, metamorfizohej nëpër trajta të shumta letrare në mënyrë që t’i shprehte sa më mirë mendjen dhe shpirtin.

Autori proteik

Nikos Kazanxakis (1883-1957) është autor proteik, sepse krijimtaria e tij përfshin të gjitha llojet e shkrimit: romane, drama, poezi, ese, itinerare, ditare, refleksione, letra, tekste shkollore dhe antologji. Po ashtu, ai është edhe përkthyes i rreth pesëdhjetë veprave në greqisht, përfshirë “Komedinë hyjnore”, “Faustin” dhe “Kështu fliste Zarathustra”.
Në krijimin e figurës autoritare dhe multidimensionale të tij në qarqet kulturore dhe letrare greke do të ketë ndikuar edhe shkollimi i tij në dy fakultete (Jurisprudencë dhe Filozofi) në dy vende (Athinë dhe Paris), si dhe ndjekja e ligjëratave te Bergsoni dhe doktorata mbi Nietzschen, pasi Bergsoni ishte filozofi më i famshëm i gjallë, ndërsa Nietzsche, pas vdekjes, dita-ditës po kthehej në figurë ikonike në gjithë botën.
Përveç si shkrimtar, Kazanxakis njihej edhe si udhëtar. Si shkrimtar pushtoi Perëndimin (veçmas me veprat: “Zorba” dhe “Tundimi i fundit”), ndërsa si udhëtar (kryesisht) Lindjen (Egjiptin, Sinain, Jeruzalemin, Qipron, Moskën, Kinën, Japoninë etj.). Por, krijimi dhe udhëtimi nuk duhen parë ndaras te ky autor, pasi ato përbëjnë një simbiozë spirituale dhe dëshmia më e mirë për këtë është vepra “Raport El Grekos”, e cila u shkrua gjatë vitit të fundit të jetës së autorit dhe u botua katër vjet pas vdekjes së tij, si një libër që e pamundëson kategorizimin, sepse nuk përfill parimet e formave letrare.

Anafora artistike

Vepra “Raport El Grekos” nuk hyn brenda kritereve zhanrore. Ajo nuk është as roman, as memoare, as ditar, as ese, as itinerar, as autobiografi, por ajo është “të gjitha ngapak”. Prandaj edhe përcaktuesi kategorial që i vendoset veprës poshtë titullit, në gjuhë dhe botime të ndryshme, del ndryshe: roman, memoare, autobiografi etj. Pra, dilemat nuk bien vetëm mbi zhanrin, por edhe mbi distinksionin aristotelian: historia/poiesis, apo e vërteta/trillimi.
“Raport El Grekos” nuk hyn as te njëra, as te tjetra kategori, sepse në vend se ta pasqyrojë, apo ta trillojë realitetin, ajo ka për qëllim ta sfidojë atë. Ky nuk është libër që e thotë të vërtetën, as që e mbulon atë, por thjesht e kërkon. E vërteta këtu nuk është dëshmi, por është qëllim, pra ajo është diçka që s’mund të provohet, por mund të kërkohet. Dhe, kënaqësia nuk qëndron te gjetja, por te kërkimi.
Moskategorizimi i kësaj vepre nuk paraqet problem, por vlerë dhe parim. Duke mos u kategorizuar, ajo lejon leximet alternative dhe sulmon kufizimet formale, njëjtë siç bënte Buda me njeriun dhe Goethe me veprën, kur nuk u kushtonin rëndësi trajtave dhe fokusoheshin në shpirtin. Ndoshta për këtë arsye, shkrimtarja e fiksuar pas kulturës greke, Mary Renault, thoshte për “Raport El Grekos” se është i së njëjtës lartësi me veprat e Rousseau-it dhe se Goethe do t’i hiqte kapelën.
Meqenëse romani në shekullin 20 zgjeron kufijtë e vet dhe thyen dy ligjet e mëdha, ligjin e Aristotelit dhe ligjin e Jakobsonit, mund ta lexojmë këtë vepër si roman spiritual, rrjedhimisht edhe si raport fiksional, por vetëm falë një mirëkuptimi dhe kurrsesi me bazë argumentimi. Pra, mund ta quajmë “roman”, sepse romani është formë që gëlltit gjithçka dhe mund t’ia vëmë cilësorin “spiritual”, sepse udhëtimi këtu është njëkohësisht gjeografik dhe psikologjik, madje me theks në këtë të dytin. Kështu, Kazanxakis është sintezë e Pitagorës dhe Sokratit, nga të cilët, siç thoshte J. L. Borges, i pari udhëtonte jashtë, ndërsa i dyti brenda.
Krejt kërkimi i këtij udhëtari të dyfishtë, kushtimisht, mund të quhet edhe “raport fiksional”. Fjala “raport”, që greqisht mund të jetë më e pasur se në gjuhët e tjera (gr. anaphora – raportim, peticion, ofertë liturgjike, përsëritje retorike etj.), tregon një evidencë me shkrim, apo me gojë, apo edhe një ankesë që një individ ia drejton një autoriteti, ose një autoritet një eprori. Ne që në hyrje e kuptojmë se i apostrofuari është i vdekur, prandaj edhe raporti nuk mund të jetë real, por vetëm fiksional.
Meqenëse udhëtimi shpesh është spiritual, edhe komunikimi i të gjallit me të vdekurin duhet kuptuar si i tillë. Në këtë mënyrë, duke përdorur terma strukturalistë, autorin e shohim si narrator (fr. le narrateur) ndërsa piktorin si narrater (fr. le narrataire). Pasi këtu kemi fiksionin autobiografik, narratori na del autodiegjetik dhe, pasi në prolog dhe në epilog i apostrofuari shfaqet brenda rrëfimit, narrateri fiton statusin e tipit intradiegjetik. Duke krijuar iluzionin e epifanisë, autori krijon një sfumato rreth të apostrofuarit, fillimisht për ta qortuar Zotin (Jehovain), pastaj për t’i raportuar shpirtit grek të identifikuar me piktorin El Greko. Kjo lë hapur mundësinë që po të ishte Zoti narrater, do të ndryshonte edhe diskursi i romanit, sepse autori i paraqet Zotit peticion, kurse El Grekos vetëm i raporton. Ndaj njërit rebelohet, ndaj tjetrit bindet. Njërin e quan bishë e uritur e qiellit, kurse tjetrin e quan gjysh dhe gjeneral. Pasi ka planifikuar t’i ankohet, apo edhe t’i hakërrehet Zotit, ai e kupton që fytyra e fanitur është e dikujt tjetër dhe i nënshtrohet: “Unë prisja ditë e natë urdhrin tënd. Unë jam përpjekur aq shumë që të mund të arrija atje ku nuk mund të arrija. Nëse kam arritur atje ose jo, je ti që do të ma thuash. Unë po qëndroj në këmbë para teje e pres. Gjeneral, beteja mbaroi, e unë po ju raportoj. Ja ku kam luftuar unë; jam plagosur, kam patur frikë, por nuk kam dezertuar.”
Mes prologut dhe epilogut, narrateri zhduket, rrëfimi vazhdimisht transformohet, autori shfrytëzon gjithçka që ka në dispozicion (ditarët, letrat, ndjenjat, kujtesën) dhe krijon autobiografinë fiksionale, intelektuale, spirituale, apo metafizike, historike e filozofike, duke e ndryshuar temën, diskursin dhe formën dhe duke e kthyer librin në një autobiografi amorfe dhe në një çelës për interpretimin e veprave të tjera të tij.

Gjendja postmoderne: raport mbi shpirtin

Nikos Kazanxakis nuk i përmbahet një shkolle, apo një poetike. Ai nuk hyn tek ata shkrimtarë që u përmbahen poetikave, as tek ata që i zgjerojnë poetikat. Ai hyn tek ata që i tejkalojnë poetikat. Kur kujtojmë që karrierën letrare e kishte filluar me një pseudonim budist (Karma Nirvana), atëherë mund ta kuptojmë se pse ai nuk u kushtonte rëndësi formave dhe trupave. Në veprën e tij natyrshëm bashkëveprojnë format dhe shkrihen në një personazhet e ndryshme nga Uliksi deri te Fausti, sepse esencë është kërkimi, jo personi.
Edhe pse Kazanxakis nuk deklarohet për veprat që i lexon, në fragmente të veçanta mund të nuhaten autorët që i lexonte, si nga klasika, ashtu edhe nga bashkëkohësia. Por, ajo që është më e rëndësishme, tek ai gjejmë edhe shenjat e asaj që më vonë u konsolidua në poetikë dhe u quajt postmodernizëm. Kështu, pasi zhgënjehet nga ideologemat, ai shprehej: “Pabesnikëria ime ndaj ideve të mëdha, që vazhdimisht më kanë mashtruar e zhgënjyer dhe që kisha braktisur, të gjitha së bashku përbënin një besnikëri të patundur ndaj substances.” Dy dekada më vonë, Lyotard, te libri “Gjendja postmoderne: raport mbi dijen”, do të shprehte pothuajse të njëjtën gjë kur thoshte se postmodernizmi që në fillim e shfaq mosbesimin ndaj të gjitha metarrëfimeve.
Po ashtu, Kazanxakis tregon problemet e shkrimit që ia transformon idetë: “nisja të thosha diçka, ndërsa fjalët e pabindura, të shpenguara, me çonin diku tjetër.” Kjo e vë atë mes Saussure-it dhe Derrida-së, mes fonocentrizmit pre-strukturalist dhe logocentrizmit post-strukturalist. Ndërsa, sulmi që ia bën zhanrit e afron atë me teorinë e Maurice Blanchot-it.
Këto shenja, sado intuitive që mund të jenë, paralajmërojnë ardhjen e një poetike të re, ia shtojnë vlerën veprës së autorit grek, që dukej se nuk i çmonte eksperimentet formale të modernizmit, prandaj fokusohej në atë që ai e quante substancë. I bindur se në kohën e tij, jeta kishte humbur kuptimin, ai letërsinë nuk e shihte si lojë, por si detyrë dhe qëllimi i tij ishte, siç shprehej, t’i kalonte kufijtë e artit: “Kur shkruaja, qëllimi im nuk ishte bukuria, por shpëtimi.”
Prandaj, “Raport El Grekos” është një raport mbi shpirtin që nuk beson në metarrëfime, por që rrëfimin e vë në shërbim të një qëllimi dhe në kërkim të një kuptimi. Kjo vepër, e cilësuar si vepra më e guximshme e autorit Kazanxakis, sipas Peter Bien, “zbulon të drejtën e autorit për të mos qenë rob i historisë”. “Raporti” i tij është dëshmi e përpjekjes për t’iu larguar majmunëve modernë, siç i quante autori bashkëkohësit, dhe për t’iu afruar njeriut të vërtetë, i cili do të pushojë së qeni një arenë ku luftojnë trupi me shpirtin, pasi do ta arrijë unifikimin e dualitetit: “Mëshira e Zotit do të shpaloset, ajo do të përqafojë dhe shenjtërojë shpirtin dhe trupin; ajo do të vijë dhe do të shpallë se trupi dhe shpirti nuk janë armiq, por bashkëpunëtorë. Pra, çfarë po ndodh? Ne i shitemi djallit dhe ai na shtyn ta mohojmë shpirtin tonë; i shitemi Zotit dhe ai na shtyn të mohojmë trupin. Kur, pra, zemra e Krishtit, do të shpaloset më shumë e do të ketë mëshirë jo vetëm për shpirtin, por edhe për trupin, dhe do t’i pajtojë këto dy bisha?”
Insertet që paraqet ky raport (gjyshërit, prindërit, fqinjët, luftërat, lidhjet, udhëtimet, apo ëndrrat), autori nuk i përmbledh, por i përzgjedh për të shkuar drejt një telosi spiritual. Ky “raport” dëshmon se Kazanxakis, përveç shkrimtar dhe mendimtar i jashtëzakonshëm, ishte edhe udhëtar i madh. E, siç e thotë ai vetë, udhëtarët janë ata që e zgjeruan botën.
Prandaj Kazanxakis sot mund të konsiderohet një Kolombo i botës sonë shpirtërore.

Shkruar, inskenuar dhe luajtur nga shqiptarët “Hamleti simbas Horacit” së shpejti pushton Teatrin Kombëtar të Kosovës

Gili Hoxhaj

“Hamleti” është një nga kryeveprat e autorit të njohur William Shakespear. Duke qenë tragjedia më e famshme në gjuhën angleze, ajo është inskenuar edhe në shumë gjuhë e vende të botës. Së fundmi Hamleti vjen në Kosovë përmes një drame origjinale shqipe.

Kësisoj në vitin 2017-të, saktësisht në tetor të këtij viti, çmimi për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”, iu nda veprës “Hamleti simbas Horacit”, e cila erdhi nga autori kosovar Ag Apolloni. E pikërisht kjo dramë bashkë me personazhet e shkruara nga Apolloni, ka nisë të marrë jetë në skenën e vogël të vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Hamleti vjen i shkruar nga një shqiptar, luhet nga një shqiptar e poashtu nën direktivat e një shqiptari.

Ag Apolloni

“Hamleti simbas Horacit”, është shfaqja e dytë për vitin 2018-të që ka nisë të punohet në TKK. Kjo shfaqje vjen me regji të regjisorit Ilirjan Himaj ndërsa ngjitet në skenë nga gjashtë aktorë që do i japin frymë këtyre personazheve.

Hamleti – Shkëlqim Islami, Horaci – Labinot Lajçi, Poloni & Klaudi – Agron Shala, Laerti & Fortinbrasi – Kreshnik Malushaj, Gertruda – Valina Muçolli dhe Ofelia – Beslidhje Bytyqi, janë kasta e aktorëve të “Hamleti simbas Horacit”.

Në një ditë të provave të kësaj shfaqje ishte i pranishëm edhe ekipi i KultPlus. Leximi në tavolinë të jepte një ndjesi interesante krejt asaj loje që do të paraqitet para audiencës shqipfolëse.

KultPlus, bisedoi me regjisorin Ilirjan Himaj, i cili ndihet i kënaqur për besimin që i është dhënë për ta sjellë në skenë këtë vepër. Duke u bazuar edhe në peshën e veprës regjisori Himaj, tha se kjo ka bërë që jo vetëm ai por të gjithë aktorët ta punojnë shfaqjen me përgjegjësinë më të madhe, madje ai ka shtuar se edhe aktorët po kontribuojnë mjaft shumë që të arrijnë një nivel sa më të lart të interpretimit dhe të shfaqjes si tërësi.

Regjisori Ilirjan Himaj tha se kjo vepër origjinale, me një studim origjinal nga Ag Apolloni ka një potencial të jashtëzakonshëm që t’i ofroi diçka të re publikut. Ai tutje tha se është ndier i befasuar nga kjo vepër, veçmas nga fakti që është e krijuar nga një autor vendor.

Ilirjan Himaj

“Realisht unë si regjisor kam qenë duke kërkuar diçka të re dhe jam pak i befasuar kur më vjen diçka krejtësisht ashtu siç e kam pasur nevojën”, tha ai, duke vazhduar të thotë se kjo vepër tregon se autori Ag Apolloni ka bërë një studim të thellë të veprës origjinale e nga kjo nënkupton që ai edhe është njohës i madh i Shekspirit. Poashtu regjisori, pohoi se drama e Apollonit, duket se ka depërtuar thellë edhe në nënvetëdijen e personazheve, duke u shprehur se autori ka sjellë një lexim të veçantë edhe të studimeve të pikëpamjeve të autorëve të tjerë për Hamletit si nga Frojdi dhe autorë të tjetër.

“Ne kemi parë shumë versione që janë krijuar në botë duke u bazuar në Hamletin e Shekspirit dhe në këtë rast edhe Agu ka krijuar një hipotezë të veten mbi Shekspirin ku ka hedhur disa pyetje dhe mendime të tij lidhur me veprën dhe kështu kemi një version origjinal të Hamletit që nuk e kemi parë më herët as diku tjetër dhe jo më tek ne. Nga vepra shihet se Agu ka bërë një studim të thellë dhe është njohës i madh i Shekspirit dhe i Hamletit dhe na ka ofruar diçka shumë origjinale dhe të këndshme me skena shumë komike dhe atraktive por duke ruajtur edhe përmbajtjen, dramaticitetin dhe rimën e Shekspirit”, është shprehur për KultPlus regjisori Himaj.

Nuk ka shumë kohë që ka filluar procesi i provave për ta sjellë këtë dramë tek publiku por gjithçka duket që po rrjedh me hapa të shpejt. Roli i Hamletit në këtë shfaqje jetësohet nga aktori Shkëlqim Islami.

Shkëlqim Islami, aktori shqiptar nga Maqedonia ka marrë përsipër një rol mjaft të madh. Ai ka thënë se e veçanta e këtij Hamleti është se është shkruar nga një dramaturg shqiptar, nën regjinë e një regjisori shqiptari dhe i luajtur nga një aktor shqiptar. Ai tutje tregoi për KultPlus se ky rol sjellë një sekret të madh të Horacit, pak para vdekjes së tij dhe kështu Hamleti paraqitet në bazë të këndvështrimit dhe marrëdhënieve me Horacin.

“Hamleti i Agut fillon kur mbaron ai i Shakespearit. E kam marrë një Hamlet ndryshe nga ai origjinali por tash edhe në lexim e sipër po e shoh që Ag Apolloni nuk i ka ik shumë veprës origjinale, ai në veprën e tij nuk e ka dëmtuar “Hamleti”-n e Shekspirit, ai prapë ia ka lënë komplekset dhe dilemat”, tregoi aktori Islami.

Shkëlqimi, numëron jo dhe pak bashkëpunime me regjisorin Ilirjan Himaj, e ky bashkëpunim i radhës vetëm se po e dëshmon gjuhën e tyre të përbashkët artistike. Islami është pjesë e Teatrit të Kumanovës dhe tashmë përmes roleve të tij është i njohur për publikun e atjeshëm, mirëpo në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës ai po kthehet pas shtatë vitesh.

“Kthimi përsëri në këtë teatër po më duket një ndryshim edhe po më duket që kam bërë një pauzë shumë të gjatë në profesion edhe pse realisht unë luaj minimumi deri në tri shfaqje në vit në Teatrin e Kumanovës atje ku edhe jam i punësuar, por deri më tani po ndihem shumë i kënaqur me punën rreth shfaqjes, kjo pasi që jemi një ekip që po funksionojmë shumë mirë”, tha ndër të tjera ai.

Një version i paparë më herët do të vijë edhe në personazhin e Ofelies, kështu shprehet Beslidhje Bytyci, aktorja që do ta luaj këtë rol.

“Në shfaqje është një qasje krejt tjetër i “Ofelies”, në një dimension më të gjerë dhe më të hapur sa i përket personazhit në raport me personazhet e tjera”, u shpreh aktorja Bytyci, e cila ndërkohë shtoi se është e kënaqur shumë me qasjen profesionale dhe metodën e regjisorit Himaj, ndërkohë që sipas saj tërë ekipa është tejet pozitive.

“Hamleti simbas Horacit”, ka një ekip profesional prapa syve të publikut. Kompozitor i kësaj shfaqje do të jetë kompozitori i njohur kosovar Memli Kelmendi ndërsa skenografia e kostumografia i është besuar Agnesa Malushajt.

Krejt në fund, kjo shfaqje pritet të vijë premierë në fillim të muajit prill në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Gjurmëve të gjeniut

Studimi Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare i studiueses Albulena Blakaj – Gashi është një kërkim mbi gjurmët e gjeniut gjerman në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ky kërkim mbi fenomenin Goethe, i bërë sipas metodës integrale, argumenton interesimin e përkthyesve, studiuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve shqiptarë për veprën kolosale të autorit gjerman, receptimi, adhurimi dhe ndikimi i të cilit në kulturën shqipe vjen bashkë me konsolidimin estetik të saj.

Profili i studiueses

Studiuesja Albulena Blakaj, profesoreshë e letërsisë gjermane në Universitetin e Prishtinës, ka përkthyer, shkruar dhe botuar shkrime nga dhe për autorë si Goethe, Mann, Trakl, Süskind etj., si dhe ka shkruar një sërë studimesh letrare dhe kulturore nëpër revista shqiptare dhe ndërkombëtare, me të cilat ka zgjuar interesim te lexuesit shqiptarë dhe të huaj. Interesimi kryesor i saj lidhet me figurën e shkrimtarit të madh botëror, Goethe, për veprën e të cilit ka bërë studimin e doktoratës dhe ka publikuar disa studime në gjuhën shqipe dhe gjermane.
Studimi Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare është libri i parë i saj dhe monografia e vetme shqiptare që trajton çështjen e receptimit të kryeshkrimtarit gjerman në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Rrjedhimisht, kjo është monografia më e madhe shqiptare e shkruar sipas metodës gjermane të receptimit.

Objekti i studimit

Libri i studiueses Albulena Blakaj, që ka për objekt autorin Johann Wolfgang von Goethe, përkatësisht receptimin dhe ndikimin e tij në kulturën tonë, është një studim që ballafaqon një shkrimtar të madh me kulturën shqiptare, duke shtuar kontributin në shkencën e studimeve mbi Goethe-n dhe duke e lartësuar kulturën shqiptare, e cila ishte mjaft mikpritëse, madje shpesh adhurimtare, ndaj shkrimtarit gjerman. Kështu, ky studim jo vetëm që mbush një vakuum në studimet tona, por edhe nderon letërsinë dhe kulturën tonë me rezultatet që sjell. Derisa receptimi, si tezë primare, është njëri nga segmentet që kërkohen, dokumentohen dhe komentohen në këtë studim, ndikimi, si tezë sekondare, është një fenomen më i vështirë për t’u eksploruar, pasi askund nuk është shfaqur në mënyrë të afishuar, por ka dalë thjesht si i nënkuptuar. Pavarësisht vështirësive, autorja e këtij studimi e ka kaluar këtë sfidë, duke i argumentuar bindshëm hipotezat e saj mbi receptimin dhe ndikimin.
I ndarë në gjashtë pjesë, studimi për Goethe-n sjell portretin e tij të gjallë dhe hijen e tij të madhe të përhapur mbi vende dhe kultura të ndryshme, me theks të veçantë në hapësirën dhe kulturën shqiptare, ku, siç shihet në pjesën e fundit të këtij studimi, edhe pse hija e poetit gjerman nuk ishte shtrirë sa e si duhej, nuk mungonte dëshira për të qenë nën atë hije, prandaj njëri nga kritikët e parë dhe më seriozë të letërsisë shqipe, Krist Maloki, i njohur për edukimin në universitete austriake, ku mori dy doktorata, dhe për tonin e rreptë kritik, i pakënaqur me praninë e vogël të veprës së madhe të Goethe-s në kulturën shqipe, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së poetit gjerman, uron që kjo të ndryshojë me rastin e 200-vjetorit të lindjes së këtij gjeniu dhe të fillojë edhe ner ne një përlindje kulturore, të përhapet i mallshëm goethean, e të na mëlojë një hieje weimar-jane shqiptare!
Studimi interpretues dhe evidentues i studiueses Albulena Blakaj ngrihet mbi hulumtimin nëpër arkiva të ndryshme, prandaj gëlon nga emra të shumtë që janë marrë me veprën e shkrimtarit gjerman, qoftë duke e përkthyer, qoftë duke e analizuar, apo duke e përkujtuar. Kështu, regjistri i emrave meritorë për ardhjen e Goethe-s në kulturën letrare shqiptare është shumë i gjatë dhe përfshin personalitete të mirënjohura, të njohura dhe më pak të njohura, që nëpërmjet punës së tyre traduktore apo interpretative, synonin ta bënin të njohur poetin gjerman te lexuesi shqiptar, i cili për arsye të njohura historike, sociale dhe politike, kishte ngecur pas në receptimin e vlerave estetike të këtij kolosi botëror, fama e të cilit në botë kishte eklipsuar të gjithë bashkëkohësit e tij. Ndër emrat e përmendur, të evidentuar, apo të komentuar në këtë studim janë: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Zef Simoni, Vangjel Koça, Branko Merxhani, Shevki Selenica, Aleks Buda, Hasan Mekuli, Klara Kodra, Shpëtim Çuçka, Përtef Kruja, Fatos Arapi, Petraq Kolevica, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Petro Zheji, Bujar Doko, Robert Shvarc, Perikli Jorgoni, Aristidh Ristani, Visar Zhiti, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci, Anila Omari etj.
Libri mbi Goethe-n i përmbahet një logjike studimore, duke filluar me portretin e autorit të zgjedhur për objekt studimi, për të kaluar te fama, kritika, përkthimi dhe komentimi dhe për t’u mbyllur me evidentimin e teksteve të hershme mbi veprën e autorit gjerman të botuar në shtypin shqiptar, tekste këto që botohen si homazhe dhe që sjellin një frymë adhurimi ndaj këtij shkrimtari, i cili, sipas tyre, por edhe sipas disa studiuesve të huaj, kishte kaluar përmasat njerëzore dhe konsiderohej si gjysmëperëndi, që adhurohej gjithandej nëpër botë.

Metoda e studimit

Ky studim është një kritikë receptive, e bazuar në teorinë e receptimit të teoricienit gjerman Hans Robert Jaus, si një qasje alternative e hermeneutikës së filozofit gjerman Hans-Georg Gadamer. Mirëpo, për shkak të natyrës së objektit, studimi nuk i përmbahet vetëm një metode dhe realizohet qëllimisht si sinkretizëm metodash kritike për të sjellë të plotë portretin e autorit që krijoi konceptin e letërsisë botërore, weltliteratur, dhe u bë pastaj një ndër përfaqësuesit kryesorë të asaj letërsie, krahas Homerit, Dantes dhe Shekspirit.
Studimi Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare, përveç informacionit detajizues mbi ndikimin dhe receptimin e veprave të shkrimtarit gjerman, sjell edhe analiza për veprat e ndryshme të tij nga autorë dhe përkthyes të njohur shqiptarë. Pra, studimi vjen si një kërkim kritik që nënkupton hulumtimin, analizën dhe komentimin. Në këtë mënyrë, studimi ka status të dyfishtë: kritik dhe metakritik. Në të flitet për receptimin nëpërmjet përkthimit dhe kështu zbulohet dëshira e shqiptarëve për ta integruar në kulturën e tyre këtë figurë madhore botërore, si dhe zbulohet kapaciteti i gjuhës shqipe dhe i shkrimtarëve dhe përkthyesve të saj për t’u përballur me përkthimin e kryeveprave të këtij autori.
Nëpërmjet pjesës metakritike të librit, studiuesja Albulena Blakaj bën zigzage metodike, duke e sjellë fillimisht tekstin si rezultat të një hulumtimi, pastaj duke e diskutuar nëpërmjet tri mënyrave interpretuese: leximit, analizës dhe komentimit. Funksioni i leximit kritik është përfolës, funksioni i analizës është shkoqitës, kurse funksioni i komentimit është alternim i dy mënyrave të para.

Rezultatet e receptimit

Ky studim monografik mbi receptimin e një kolosi botëror në kulturën shqiptare, i studiueses Albulena Blakaj, është një kontribut i rëndësishëm shkencor dhe letrar, sepse sjell një burim të pasur informatash mbi receptimin dhe përflet, diskuton, komenton, analizon, interpreton dhe kritikon tekste dhe probleme të kthyera në objekt studimor. Nëpërmjet këtij studimi shihet qëndrimi i shqiptarëve ndaj veprës së Goethe-s, një qëndrim që herë është më entuziast, herë më racional, por gjithmonë adhurues.
I shkruar me sinkretizëm metodash kritike dhe me etikë akademike, ky studim i përmbush kriteret kritike dhe akademike, i plotëson nevojat universitare, hap shtigje në studimet tona krahasimtare dhe, përgjithësisht, nderon studimet shqiptare, pasi që, si për nga metoda, ashtu edhe për nga objekti, sjell përvoja dhe dëshmi për një tendencë të hapur të studiuesve, shkrimtarëve dhe përkthyesve shqiptarë drejt letërsisë botërore.
Monografia Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare i studiueses Albulena Blakaj, është studim i rëndësishëm jo vetëm për rezultatet që sjell, por edhe për shtigjet që hap. Është për t’u lavdëruar që në krye të studimeve tona të receptimit tash e tutje do të jetë figura e atij që është në krye të letërsisë botërore, figura e shkrimtarit botëror Johann Wolfgang von Goethe. /KultPlus.com

Shkrimtari është një sundues që lufton tiraninë

Ag APOLLONI: Z. Kadare, po kaloni pushimet në Durrës, edhe pse keni shprehur një refuzim të hapur ndaj pranisë së plazhit dhe motit të nxehtë në letërsi. Në veprat tuaja dominon shiu dhe moti i zymtë, që u japin veprave tuaja ngjyrë pesimiste. Si shpjegohet ky pesimizëm te një shkrimtar i rritur dhe i formuar në kohën e optimizmit ideologjik?

ISMAIL KADARE: Kjo pyetje që ju ma drejtoni natyrshëm e me kaq lehtësi, ka qenë një ndër më të bezdisshmet, gjatë shumë viteve, qyshse libri im i parë, plot me shi e mjegull, u botua në Perëndim. Ishte zakonisht pyetja e pare e gazetarëve të huaj. Çdo herë përpara një interviste e prisja këtë pyetje, por nuk besoj se kam dhënë ndonjëherë përgjigjje të besueshme. Mendoj se gazetarët kishin dy shtysa për të: e para, e dinin se letërsia e vendeve komuniste ishte zakonisht e qeshur, madje fjala ‘diell’ shpesh ngutej të dilte që në titull të veprës. E dyta, se Shqipëria si vend mesdhetar, nuk shquhej për zymti stinore. Ata nuk e përmendnin zakonisht shtysën e parë, kurse të dytën gjithmonë. Nuk e fshihnin se mendja iu shkonte në ndonjë rezervë, për të mos përmendur fjalën e madhe ‘disidencë meteorologjike’. Në të vërtetë isha pothuajse i bindur se sa më pranverore të ishte atmosfera në veprat e letërsisë të socrealizmit, aq më të mërzitshme dhe pa vlera ishin ato.

APOLLONI: Përveç me mot të keq, romanet tuaja janë të mbushura edhe me njerëz të këqinj. A do të thotë kjo që letërsia e madhe frymëzohet më shumë nga e keqja sesa nga e mira?

KADARE: Pa dyshim që në njëfarë mënyre është kështu. Dihej se përveç klimës së gëzueshme, kërkesa për heronj pozitivë e njerëz të vyrtytshëm, ishte këmbëngulëse në socializëm. Po t’i shtosh kësaj edhe kërkesën për optimizëm, kjo ishte si një gozhdë e tretë, e ngulur mbi arkivolin e letërsisë.
Të kuptohemi drejt: letërsia nuk është ndonjë koleksioniste e së keqes. Ajo thjesht është një krijim, një botë paralele për të cilën, me sa duket, njerëzimi ndjen gjithmonë nevojë. Kjo botë paralele, ky shemrim, për shumë njerëz është pasurimi i jetës sonë njerëzore. Për disa është një
mëkat. Keqkuptimet janë të pashmangshme sa herë që harrohet diçka themelore: ligjet e letërsisë, ligjet e krijimit artistik, nuk ngjajnë me ato të jetës. E kthjellët ose funebre, letërsia është njëlloj e shtrenjtë për ne.

APOLLONI: Jeni shkolluar në Institutin Gorki, atje ku proklamohej letërsia e realizmit socialist që gjithmonë në qendër kishte një hero pozitiv, ndërsa kur jeni kthyer në Shqipëri, ju, si një student i mbrapshtë, keni shkruar romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur në qendër të të cilit është një antihero. Nga vjen kjo mospërputhje mes asaj që keni mësuar dhe asaj që keni praktikuar?

KADARE: Kërkesat për realizmin socialist janë të formuluara në një rend që nuk e donte letërsinë, madje kjo frazë tingëllon naive. Në të vërtetë asnjë rend autoritar në botë, përderisa shpallet si i tillë, nuk e do letërsinë. Rendet bëjnë sikur e duan letërsinë. Në rastin më të mirë, ato janë shpërfillës, ashtu sikurse letërsia, në rastin më të pafajshëm është shpërfillës ndaj tyre. Është folur shumë për raportet letërsi-rend, shkrimtar-tiran, etj. Dhe me sa duket, do të vazhdojë të flitet gjatë. Keqkuptimet janë të pafundme.
Për të prekur qoftë dhe shkarazi problemin, na duhet së pari të bëjmë atë që quhet “marrëveshje e terminologjisë”. Është fjala për letërsinë e mirëfilltë (të vërtetën, të rëndësishmen, asaj për të cilën përdoret cilësimi “e madhe”).
Tjetra, letërsia e rëndomtë, e përkohshme, nuk merret asnjëherë parasysh. Pra, kjo letërsi e mirëfilltë, duke qenë një botë paralele, është vetvetiu një rend tjetër, për të mos thënë një kundër-rend. Në kushte të tilla, duket se sa më e ashpër, sa më mosdurues të jetë rendi, aq më fajtor ngjan shkrimtari. Sidomos shkrimtari i shquar.
U zgjata në këtë hyrje, nga që pyetja juaj lidhej me institutin Gorki të Moskës. Ishte një nga shkollat e rralla, padyshim më e rëndësishmja në gjithë perandorinë komuniste, për të përgatitur shkrimtarë të komunizmit. Ishte shpikja më e re për të vënë në fre letërsinë: vetëshkatërrimi i saj. Siç më ka rënë rasti ta shpjegoj një herë tjetër, komunizmi sovjetik e kishte kuptuar se as trysnitë, as burgjet, as lajkat dhe as medaljet, nuk e mbytnin dot artin e letrave. E vetmja mënyrë ishte përgatitja e shkrimtarëve që me duart e tyre do ta mbytnin këtë art. Kështu letërsia e vërtetë do të merrte fund si në një ballo, mu midis festës, kongreseve, konkurseve dhe gjithë
ritualit të kohës.
Unë shkova të studioj në këtë shkollë pikërisht për të mësuar mjeshtërinë e rrënimit të letërsisë. Me fjalë të tjera, për t’u bërë një mbytës i saj. Fati e deshi që shumë shpejt, qysh në javët e para, të kuptoja se ajo shkollë e kishte vlerën vetëm si kundërmodel. Ato që interpretoheshin si dukuri negative (kurset e letërsisë dekadente, për shembull,) në mendjen time skajoheshin fare ndryshe, dhe e kundërta çka vlerësohej si pozitive, më bënte të betohesha me vete se do të bëja të kundërtën dhe gjithmonë të kundërtën. Kështu në nëntor të vitit ’59, duke qenë student, kam shkruar romanin e shkurtër “Qyteti pa reklama”, i cili, nga faqja e parë gjer tek e fundit e dëshmonte këtë dyzim.

APOLLONI: Të ndalemi pak te romani juaj i parë i botuar, që është bërë pasaportë e letërsisë shqipe, duke qenë njëkohësisht më i përkthyeri dhe më i lexuari roman shqiptar. Nga viti 1962 deri 2001, Gjenerali i është shtruar disa përpunimeve, së pari nga tregimi në roman, pastaj edhe ndryshimet e vazhdueshme të romanit. Marrëdhënien tuaj me këtë roman te “Ftesë në studio” e keni krahasuar me marrëdhëniet mes dy njerëzve që sa më shumë duhen, aq më shumë e torturojnë njëri –tjetrin. Pse ju ka torturuar kaq gjatë ky roman? Dhe a do ta kishit shkruar ndryshe, po ta kishit shkruar në kushte normale?

KADARE:
Ky roman, ndryshe nga ç’dihet, ka qenë vepra ime e dytë në prozë. Pas tij, kam shkruar dhe botuar “Përbindëshin”, një vepër krejt e lirë që nuk kishte lidhje me jetën e përditshme socialiste. Nervozizmi im me “Gjeneralin”, vinte pikërisht nga kjo: më dukej se nuk i kisha shpëtuar dot njëfarë trysnie që ushtrohej në mënyre tinzare ndaj artit. Me fjalë të tjera, ky roman, më dukej i futur si sanduiç midis dy veprave krejtësisht të lira, “Qytetit pa reklama” dhe “Përbindëshit”. E ndjeja se ishte mbi mundësitë e mia të isha aq i lirë sa ç’doja. Subjekti kishte ca kushtëzime të vështira: bëhej fjalë për luftën e dytë botërore, për pushtimin fashist, dy personazhe të botës kapitaliste (njëri gjeneral i NATO-s) për tablonë e jetës shqiptare në sytë e dy personazheve perëndimorë, e kështu me radhë. Nganjëherë më dukej se me këmbët e mia kisha rënë në një kurth dhe sa herë që vinte rasti i ndonjë ribotimi, më shtohej shpresa se mund të ndreqja diçka. Mirëpo kjo s’ishte e lehtë. Ndryshimet në tekst shiheshin me shumë vëmendje, madje, pati raste kur jo vetëm nuk pranohej ndryshimi, por teksti mund të dëmtohej më keq. Për sa i përket pyetjes, nëse ky libër do të ishte më i mirë apo më i keq po të ishte shkruar në kushtet e një lirie të plotë të artit, nuk kam asnjë përgjigje. Sinqerisht kam bindjen se një gjë të tillë unë nuk e di, dhe përderisa autori vetë nuk e di, askush në botë s’besoj se do të mund ta dijë.

APOLLONI: Një vitin 1965, duke folur për epizodin e shtëpisë publike te Gjenerali, një kritik theksonte se ju keni prirje për tema të painteres e të turpshme. Tema të tilla keni prekur edhe te Kronikë në gur: perversiteti, prostitucioni, homoseksualizmi. Kjo nuk ishte ajo që kërkonte kritika zyrtare, apo jo?

KADARE: Nuk besoj se ka qenë ndonjë guxim i madh, njëfarë “shthurjeje morale”, siç cilësoheshin zakonisht këto prirje. Ishin tundimet e para për të dalë në një pistë më të çliruar nga moralizimet e padurueshme, nga shterpësia, propaganda, mërzia e socializmit. Natyrisht ishin të pamjaftueshme, madje mund të ktheheshin në diçka të dëmshme, nëqoftëse shërbenin si një iluzion i lirisë. Ato nuk ishin veçse ca shenja të sipërfaqshme, paralajmëruese, ashtu si shpendët në oqean kur paralajmërojnë afrimin e brigjeve kontinentalë. Por kurrsesi më shumë. Ndaj dhe unë nuk iu kam dhënë kurrë një rëndësi që nuk e kanë. Për fat të keq, ende sot ka shkrimtarë që krenohen për ndonjë paragraf ku ka ndonjë shenjëz të tillë. Iluzioni i lirisë, surrogati i saj, mund
të kthehet në mashtrim, në vënie në gjumë. Për një letërsi të krijuar në një vend diktatorial, nuk mund të ketë krenari për tantella të tilla të drojtura. Krenaria nis atje ku letërsia arrin të prekë, qoftë edhe vetëtimthi, thelbin e diktaturës: krimin.
Më kujtohet kur isha student në Moskë, u bë e famshme një vjershë e Jevtushenkos, “Vdekja e huliganit”. Në të vërtetë kishte diçka të veçantë kjo vjershë, por pa mohuar rolin emancipues të Jevtushenkos e pas tij të Voznjesenskit, në fillim të viteve ’60, duhet thënë se ai rol ishte i kufizuar. Vjersha si kjo, për shembull, nuk e meritonin kurrsesi famën që fituan. Madje, fama në rastin e kësaj vjershe, dëshmonte se ajo po kthehej nga vjershë e thjeshtë interesante, në një poemë të vlefshme për regjimin shtypës. Me dy fjalë, vjersha përshkruante vdekjen e “huliganit” gjatë një zjarri në uzinë. Huligani, i trajtuar gjer atëherë si i tillë, pra me sy kritik, me mosbesim, befas, në çastin e provës, në rastin “djegies së pronës kolektive”, dëshmon një shpirt heroik.
Kjo dalje nga dogma, ky trajtim kinse i lirë i një problemi, i një tipi shoqëror, u bë modë në vendet komuniste. Ai gjoja tregonte se një epokë liberale, një zbutje, një fytyrë njerëzore e komunizmit po shfaqej. Kjo nuk ishte e vërtetë. Ishte veç një pudër që maskonte thelbin e së vërtetës. Mirëkuptimi me huliganët, me vulgun, joshja e tyre jo vetëm nuk e ndihmonte lirinë, por i zinte frymën asaj. Dihet se si gjithë shtetet komuniste i përdornin huliganët dhe vulgatin për t’i zënë frymën lirisë.

APOLLONI: Sa e kanë ndihmuar femrat letërsinë tuaj?

KADARE: Nuk e kam menduar ndonjëherë këtë, ngaqë nuk e përfytyroj dot jetën pa femra, natyrisht që edhe letërsia pa ato, do të më dukej e papërfytyrueshme. Qarkullon aty këtu, një mendim se femrat nuk kanë ndonjë prani kushedi çfarë në veprat e mia. Madje, më keq, se nuk janë aq fort të çmuara, e kështu me radhë. Si t’i përgjigjem një mendimi të tillë, veçse me ca fraza që do të tingëllonin arkaike, primitive, si për shembull, kam dëshmitar Zotin, (atij që përfytyrohet se na i njeh të gjitha ndjenjat e mendimet tona), pra, kam dëshmitar Zotin, që nuk është ashtu.
Do të më shqetësonte ndoshta një moskuptim i tillë, me pjesënmë të dashur të jetës, sikur të mos kujtohesha se një fajësim i ngjashëm mund t’i bëhet letërsisë botërore, nga antikiteti gjer më sot. Nga një tablo e përgjithshme e saj, krijohet përshtypja se femrat zënë më pak vend, madje, shumë më pak vend, se ç’do të meritonin. Kjo mungesë është vështirë të mos bjerë në sy. Por unë jam i bindur se ajo është e pafaj, ashtu sa ç’mund të jenë thellësisht të pafaj gjërat e paarsyeshme. Faji nuk ngjit dot mbi “Don Kishotin”, e aq më pak mbi “Iliadën”, ku femrat mungojnë aq tronditshëm. Për të mos përmendur “Makbethin”, ku e keqja duket se rëndon pikërisht mbi femrën.
Jam i bindur, se po të ishte në dorën e shkrimtarëve meshkuj, ata do t’ia jepnin grave pjesën më të madhe të letërsisë. E ndoshta të tërën… Por letërsia është e tillë që nuk i bindet vullnetit të askujt.

APOLLONI: Një nga poezitë tuaja më të bukura, “Llora”, i kushtohet një vajze ruse. Si ndiheni sot kur e rilexoni atë poezi?

KADARE: E çmoj atë poemë të shkurtër njëlloj si në kohën që e shkrova, gjysmë shekulli më parë. Që i kushtohej një vajze ruse kjo, përveç vështirësisë së botimit, nuk përbënte asnjë problem. Ajo i kushtohej në radhë të parë një vajze, një qenie të shtrenjtë njerëzore për mua, dhe këtë të vërtetë nuk mund ta cënonte asgjë. As marrëdhëniet e egra shtetërore Shqipëri-Bashkim Sovjetik, as acarimi politik e as gjysmë shekulli urrejtje e ndërsjelltë.
Bukuria ose pabukuria e një teksti për dashurinë, nuk është e thënë të kushtëzohet nga vetë ngjarja. Janë të njohura rastet kur nga histori sublime dashurie kanë lindur poezi të rëndomta, ashtu sikurse e kundërta, nga dashuritë e rëndomta a kalimtare, kanë dalë perla të rralla. Në këtë
poemë të shkurtër, ndoshta më e arrira që kam shkruar, rasti e ka sjellë të ketë një dendësim dramaticiteti që e kapërcen intimitetin njerëzor. Është fjala për një ndërprerje, një shkëputje shtetesh, midis të cilave është gjendur ngjarja dhe personazhet. Me fjalë të tjera, një ndërperje letërkëmbimi, pra një çështje poste, telekomi, midis autorit dhe një vajze moskovite, studente e mjekësise, e quajtur Larisa. Ose sipas modës së atëhershme, Llora.

APOLLONI: Në Rusi nuk ju pëlqente shkolla, por ju pëlqenin femrat. Ju kishit humbur besimin në letërsi dhe mbase sot nuk do të ishit shkrimtar dhe do të ishit një dhëndërr rus, po të mos ishte një letër që ju tronditi e që mbaronte me këto fjalë: “Po ju vë midis fletëve dy vjollca për t’ju kujtuar sidoqoftë pranverën e atdheut tuaj”?

KADARE: Nëse do të kërkoja një fajtor për pyetjen tuaj, ai do të isha unë vetë. Në një film francez kam dhënë një shpjegim të ngutur, pra jo fort të saktë, për një proces shumë më të ndërlikuar se ç’duket. Meqë ra rasti, do të përpiqem të jem më i saktë me ju. Siç iu thashë, më pëlqente Moska, por jo shkolla, megjithëse ajo ndodhej në vendin më shik të kryeqytetit, në kryqëzimin e rrugës Gorki me Tverskoj Bulvar. Ndërkaq, kur them më pëlqente Moska, kjo nuk mund të kuptohet pa vajzat moskovite. Hijeshia dhe ëmbëlsia e tyre ishin të njohura. Ashtu siç njihej dashuria e tyre për letërsinë. Por në kokën time ishte ngulitur ideja se këto vajza të bukura mund ta donin letërsinë, por kurrsesi shkrimtarët e kohës, pjesa më e madhe e të cilëve u ngjanin nënkryetarëve të kolkozeve (në Shqipëri ishte ndoshta më keq dhe fjalët “nënkryetar të kolkozeve”, mund të zëvendësoheshin me “nënkryetar të degëve të brendshme”). Në portretet e shumicës së tyre, nuk kishte ndonjë shenjë misteri apo aureole. Një pjesë mbanin kasketa, e si të mos mjaftonte kjo, fytyrat i kishin të qeshura, të ngjallme e tejet optimiste. Isha i bindur se asnjë vajzë, e sidomos ato të bukurat, elegantet, nuk mund të dilnin kurrë me tipa të tillë, që nuk ngjanin aspak me shkrimtarët që studioheshin në shkolla, shumica të vdekur. Kaq fort më ishte fiksuar kjo ide sa që qysh në njohjet e para më dukej se pas fjalës “student për letërsi-shkrimtar” do të ndodhte katastrofa. Ku ta dinte kjo vajzë se unë nuk shkruaja për kolkozet dhe se as më dilte gjumi natën nga dashuria për punën dhe nga padurimi për të jetuar gju më gju me popullin? Pa folur pastaj për të tjerat. Kështu kisha gjetur mënyrën për t’i rënë shkurt problemit: isha thjesht një student i huaj, pa ndonjë lidhje me letërsinë. Ishte padyshim i tepruar ky fiksimi im. Kishte në të edhe mendjelehtësi rinore, edhe snobizëm, megjithatë nuk mund të thoshje se s’kishte një bazë. Regjimi sovjetik, ashtu si gjithë regjimet komuniste, kishte punuar gjatë për heqjen e aureolës së artit. Më të famshmit shkrimtar të kohës, Mihail Shollohovit, si cilësia më e admirueshme, i përmendej pikërisht jetesa në katund, midis personazheve të tij. Ishte i talentuar padyshim, por unë isha i sigurt se kjo klishe, rob i së cilës ai kishtë rënë, pamja e tij me veshje kozaku, me buzëqeshjen babloke që nuk i ndahej, ishte e vështirë të joshte gratë dhe vajzat. Ato e lexonin me admirim, por isha i sigurt se ato do të josheshin shumë herë më tepër nga një shkrimtar si Aleksandër Blloku, i cili ishte dhjetë herë më pak i njohur se Shollohovi, por që kishte dhjetë herë më shumë mister se ai. E veç kësaj nuk jetonte më. Pas thirrjes kriminale të Leninit, “poshtë shkrimtarët e mëdhenj” (Dolloj svjerhpisatelji), nisi lufta e palodhshme e meskine kundër aureolës së artit, autorëve të mëdhenj dhe gjithçkaje të magjishme që rrezatonte arti. Ishte kaq këmbëngulëse kjo luftë sa që arriti të ndikonte në botën perëndimore jo vetëm nëpërmjet majtizmit, por edhe të personazheve që tërthorazi ishin pranë tij, nga Frojdi te Barthes.
Që të mos zgjatem, letra që përmendni ju, ka mbërritur midis një pështjellimi të tillë. Dërguesja e letrës ishte një vajzë tepër e hijshme siç dukej në fotografi, çka ishte dhe argumenti kryesor për të më bindur se letërsia ende nuk e kishte humbur interesimin e grave të bukura. Meqenëse këto të fundit shpesh nuk duan t’ua kujtosh si argument një gjë të tillë, autorja e letrës, jo pa njëfarë pezmatimi të lehtë, e përmend këtë letërkëmbim në kujtimet e saj, ku nënkuptohej ideja e njohur se jo veç pamja, por në radhë të parë shpirti etj., etj., ide me të cilën, për fatin e mirë të saj (dhe natyrisht timin) unë nuk pajtohesha dhe aq.

APOLLONI: Ju, pas letrës me dy lule vjollce, u kthyet në atdhe, për të ikur 30 vjet më vonë bashkë me autoren e asaj letre. Ç’ju shtyri ta braktisnit Shqipërinë dhe pse zgjodhët pikërisht Francën?

KADARE: I jam përgjigjur shumë herë kësaj pyetjeje ndaj parapëlqej t’i bie shkurt. E kam lënë vendin në një kohë, kur isha i bindur se me këtë akt, ndihmoja në procesin e demokratizimit të tij. Sot, pas 21 vitesh, kur bie fjala për ngjarjen, mendimet ndahen: disa mendojnë se akti që përmenda e ka lujatur këtë rol, të tjerë se e ka luajtur, por jo aq sa ç’thuhet, e të tjerë mund të mendojnë ndryshe. Për sa më përket mua, mendoj se s’është nevoja të jap ndonjë përgjigjje, madje, ndoshta s’është e nevojshme të kem një mendim për këtë gjë.

APOLLONI: Në Francë shkruani në shtëpi, apo në ndonjë kafene?

KADARE: Në Francë, sidomos në Paris, prej shumë e shumë vitesh njihet zakoni për të shkruar në kafene. Njerëzit që njihen me këtë, ka gjasë që në çastin e parë ta lidhin këtë zakon me njëfarë snobizmi të falshëm, pjesë e parizianizmit, imitimit etj., etj. Pa përjashtuar një dozë nga të gjitha këto, të shkruarit në kafene prej shumë kohësh e ka arsyetuar veten. Një pjesë jo e vogël e letërsisë franceze e europiane është shkruar atje. Kafeneja është vend i përshtatshëm për krijim, për shumë arsye që dihen. Mbi të gjitha ajo atmosferë e domosdoshme që e vë shkrimtarin në gjendje krijuese, kafeneja e përvetëson me kalimin e viteve, e bën pjesë të vetes, nëpërmjet një kujtese gati mistike që ngjan sikur trashëgohet. Në “kafenenë tënde”, kamarierët të njohin, kafenë ta sjellin pa e porositur, kur mungon gjatë të pyesin për arsyen.
Që t’i bie shkurt, unë punoj në kafene, banoj në lagjen V, ku ka kafene të shquara, plot kujtime shkrimtarësh. Kafeneja “ime” është Le Rostand, përballë kangjellave të kopshtit të Luksemburgut, njëzet hapa larg banesës sime.

APOLLONI: Mund të na e përshkruani procesin e krijimit të një romani. Si shkruani, endeni nëpër arkiva, vizitoni vendet e ngjarjeve, merrni fotografi nga objektet dhe vendet ku do të vendosen personazhet?

KADARE: Asgjë nga këto. Procesi kryesisht është i brendshëm. Veç kësaj, ai është i veçantë për çdo shkrimtar. Madje, shpesh është i veçantë për çdo vepër të të njëjtit shkrimtar. Shkurt, është diçka që edhe po të duash nuk e tregon dot, qoftë edhe përafërsisht. Kurse saktësisht as që bëhet fjalë.

APOLLONI: Si ndiheni kur e filloni një libër dhe si kur e përfundoni atë?

KADARE: Në ndërgjegjjen e shkrimtarit vepra ka jetë të ndryshme, të cilat, zakonisht nuk përsëriten. Disa vepra, jetën më të bukur e kanë gjatë periudhës mjegullore, përpara fillimit. Gjatë kryerjes së veprës qëllon që ajo zbukurohet, fiton thellësi, mister. Por qëllon edhe e kundërta, që humb, dhe ti e kupton këtë, dhe ti duhet të kesh guximin ta braktisësh atë, së paku përkohësisht.
Në përvojën time, me afrimin e fundit, vetvetiu vepra pasurohet, zbukurohet. Ajo jep përshtypje sikur bëhet vetë. Një ndiesi e tillë dëshmon se harmonia e brendshme, kushti sipëror për artin, është i pranishëm. Në një periudhe të tillë, zakonisht shkrimtari provon një shqetësim të njohur: frikën se mos i ndërpritet jeta, përpara mbarimit të veprës.

APOLLONI: Njiheni më shumë si prozator, ndërsa autorët që preferoni më shumë janë dramaturgë e poetë (Eskili, Shekspiri, Dante). Po nga prozatorët, cili ju plëqen më shumë?

KADARE: Ndoshta e keni këtë përshtypje nga që për secilin prej tyre kam shkruar nga një libër të vogël. Në të vërtetë, në mendjen time nuk ka ndonjë ndarje, e aq më pak një parapëlqim që lidhet me gjinitë. Historia e Don Kishotit, e Jozef K. te “Procesi” i Kafkës, apo ajo e “Shpirtave të vdekur”, që autori e quajti poemë, janë disa nga romanet që i çmoj po aq sa krenajat më të epërme të artit.

APOLLONI: Nga shënimet që ka lënë, kuptohet që Lasgushi kishte pasur dilemën të bëhej piktor a poet. Ju keni pasur ndonjë dilemë mes letërsisë dhe ndonjë profesioni tjetër?

KADARE: Jo, nuk kam patur. Në fëmijëri më tërhiqte gjithçka që me shumë guxim mund të quhej “prirje arkitekturale”. Në të vërtetë ishte dëshira për të sajuar ca si shtëpiza ose kolibe. Meqenëse shtëpia jonë ishte tepër e madhe, kishte plot kënde të braktisura ku mund të bëhej një gjë e tillë. Im atë, i heshtur zakonisht, cilësi që mund të merrej për rreptësi, na kishte lejuar mua dhe një kushëririt tim moshatar, të bënim ç’të donim në një nga qoshet e shtëpisë, me kusht që të mos bënim zhurmë.
Ka gjasë që ky pasion, të më kishte ardhur pikërisht prej tim eti. Prej bisedave tepër të rralla të tij, më kujtohej kryesisht biseda e përjetshme për riparimin e shtëpisë. Ishte e tillë sa që mua më ishte krijuar bindja se problemi numër një i çdo shtëpie, përpara se të kishte lidhje me ekonominë, martesat ose vdekjet, ishte riparimi i vetë shtëpisë.

APOLLONI: Nga viti ‘90 e këndej botoni më shpesh libra, më shumë romane dhe më pak poezi. Nuk e pëlqeni më poezinë si më parë?

KADARE: Që të pushosh së shkruari poezi, nuk do të thotë aspak se ke pushuar së dashuri poezinë. Në qoftë se e ke dashur vërtet, nuk mund të ftohesh kurrë prej saj. Dhe as ta zëvendësosh me diçka tjetër. Të shkruarit e prozës nuk e dëmton poezinë, përkundrazi e bën disi të ndryshme, por kjo e ndryshme është në dobi të saj. Në vendet ku lëvrohet vetëm poezia, ka një prishje drejtpeshimi të artit. Këto quhen zakonisht letërsi të prapambetura dhe ashtu janë vërtet. Ndaj edhe ekzaltimi nga botimet e shumta poetike, nga tirazhet e larta të tye, nga mitingjet, tribunat, numri i madh i poetëve etj., nuk është shenjë e gëzueshme për artin. Në qoftë se kam shprehur mendime të tilla, kjo nuk tregon aspak ftohje e aq më pak shpërfillja ndaj poezisë, është e kundërta, është nderimi i madh për të që të shtyn të jesh kërkues ndaj saj.

APOLLONI: Dhe në fund, një pyetje që mund t’jua bëja edhe në fillim: Pse shkruani?

KADARE: Pyetja juaj e fundit është përsëri njëra nga ato që bëhen me lehtësi, por përgjigjjen e kanë të vështirë, për të mos thënë të pamundur. Shkruaj për të nxjerrë ankthin ekzistencial, për këtë ose atë, mendoj se nuk duhen marrë seriozisht. Madje asnjë përgjigjje për këtë pyetje nuk mund të merret si e tillë. Ka gjasë që për t’iu shmangur kësaj pyetjeje, shkrimtarë epokash të ndryshme, kanë shpikur “muzën”, e cila s’është gjë tjetër veçse një mënjanim i vetë shkrimtarit, vënia e tij në rolin e një zëdhënesi, një mediumi. Me fjalë të tjera, ai ju thotë: për çështje të tilla shkoni të pyesni tjetërkund. Të pyesni zotat e mi, për shembull. Ndërkaq, askush nuk e di ku gjenden këto zota. Krijimi letrar është kundërthënës në gjithçka. Ai ju bën të lumtur dhe të palumtur, të mëshirshëm dhe mizor, të vetmuar dhe njëherësh planetar. Është shumë për një qenie të vetme të përballojë raporte të tilla më njeriun dhe njerëzimin. Në fund të fundit, mund të mos e kesh të qartë kryesoren: synimin për t’iu futur sa më thellë thelbit njerëzor, apo e kundërta, përpjekjen për të dalë prejt tij. Për të mos përmendur pastaj bezdisje të tjera, si ajo që shkrimtarit i duhej të luftojë tiraninë, për shembull, duke qenë vetë një sundues e të tjera si këto. Në kushte të tilla, pyetja përse shkruani, mund të ketë si përgjigjje: nuk e di… (së paku përkohësisht)./KultPlus.com

Ag Apolloni: Përveç miqve dhe të afërmve të tij, ngushëllime shprehin edhe hipokritët

Sot, për ditëlindjen e profesor Basri Çapriqit janë mbushur portalet dhe rrjetet sociale me ngushëllime për vdekjen e parakohshme të tij. Natyrisht, përveç miqve dhe të afërmve të tij, ngushëllime shprehin edhe hipokritët. Këtyre të fundit profesori, po të mundej, do t’ua kthente me sharje. Unë e di që do t’i shante, sepse shpesh i shanim bashkë.

Ky, siç e shihni, nuk është një postim sentimental, apo patetik. Basri Çapriqi nuk i duronte shprehjet sentimentale dhe diskursin patetik.

Unë i jam mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme që më dha mua dhe brezit tim. Si atëherë kur isha student i tij, ashtu edhe kur u bëra koleg i tij, ai më trajtonte si mik të tij.

Fakulteti ynë ka humbur profesorin më parimor. Poezia shqipe ka humbur poetin më rebel. Jeta e tij tokësore mbaroi, mjerisht herët, por jeta e tij letrare do të vazhdojë sa të ketë letërsi shqipe.
I dashur profesor, siç ka thënë një shkrimtar, ne të gjithë jemi të vdekur, veçse varrosemi kur të na vijë radha. Natyrisht, ti ike pa radhë, por, dihet, rebelët s’presin radhë.

Nuk dua ta mbyll me patetizëm, sepse e di që ti do të më përqeshje, por s’mund të mos them që kur të shkoj në kafenetë që zakonisht i frekuentonim, do të më mungojë ironia jote me zërin tënd të plotë: “Kamerier, sillja Agut një raki hallall!”./KultPlus.com

Alarmi i artistit

(Ernesto Sabato, “Njerëzit dhe ingranazhet”, Om, Prishtinë, 2017. Përktheu nga origjinali: Orjela Stafasani)

Shkruan Ag Apolloni.

Ernesto Sabato (1911-2011) vdiq të shtunën, lajmi pa ndonjë bujë qe dhënë të dielën në pak media elektronike, ndërsa në formë të shtypur u përhap të hënën.

Si çdo ditë, në Prishtinë, në mëngjes bleva gazetën dhe shkova në fakultet, apo, siç do të thoshte Sabato, në manastir. Në zyrë, para se të shkoja për të ligjëruar, e shfletova gazetën dhe pashë lajmin për vdekjen e shkrimtarit, i cili në gjuhën shqipe ishte përkthyer një vit para se të lindja unë. E mbaj mend që atë ditë, sapo hyra në sallë, u thashë studentëve se ishte ditë zie për letërsinë, sepse kishte vdekur Ernesto Sabato dhe me ata pak nxënës që i kishin lexuar veprat e tij, shkuam tamam si anti-institucionalistë, apo si anarkistë (ashtu si autori i “Tunelit”), te një kafene afër fakultetit dhe diskutuam për të.

Në anën tjetër, në Buenos Aires, në kafenenë e preferuar të Sabatos, ku ndodheshin librat e tij të përkthyer në disa gjuhë dhe ku ai çdo ditë shkonte për të luajtur shah dhe domino, hynin e dilnin njerëz si asnjëherë më parë. Në kafenenë, ku miqtë e shkrimtarit shpresonin të organizonin festën për ditëlindjen e tij të njëqindtë, ishte hapur “e pamja” për të.
Sabato, veprën e të cilit e adhuronin personalitete si Tomas Mani, Alber Kamy, Zhan-Pol Sartri, Emil Siorani, Vitold Gombroviçi, Graham Grini, Zhoze Saramago, Salman Rushdi, Mario Vargas Llosa, Robert Kuveri e plot shkrimtarë, filozofë dhe intelektualë të tjerë të mëdhenj botërorë, bënte jetë modeste, i tërhequr në lagjen e tij, mes familjes dhe miqve, ku sigurisht vazhdonte të reflektonte mbi teknolatrinë nga pozita e kundërshtarit të përjetshëm të saj. [Njëherë, i pyetur se mos me esetë e tij kundër teknikës po synonte kthimin te humanizmi paramekanik, se mos nuk i pëlqente frigoriferi, ai ishte përgjigjur: “Jo, unë vetëm dua që frigoriferin ta zbrisni nga piedestali ku kapardiset si një zot grotesk dhe ta vendosni aty ku e ka vendin, në kuzhinë”.]

Si me shaka, gjithmonë kur më pyesin se kush është shkrimtari më i madh shqiptar, unë përgjigjem: Ernesto Sabato. Natyrisht, ai është shkrimtar argjentinas, me prejardhje shqiptare të dokumentuar nga ai vetë: “në Shqipëri më pritën si mbret dhe si bir”. [Siç dëshmon te libri “Përpara fundit”, në vitin 1995, kur ishte kthyer nga Shqipëria, i tronditur emocionalisht nga pritja e ngrohtë në tokën e të parëve të tij, në aeroportin e Vjenës i ishte keqësuar gjendja shëndetësore dhe vetëm pas ndërhyrjes së mjekut kishte mundur të fluturonte drejt vendlindjes.] Por unë edhe para se ta dija prejardhjen e tij e konsideroja shkrimtar timin, një portret të të cilit vazhdoj ta mbaj në mur, pranë vitrinës së librave. Arsyeja pse e mbaj fotografinë e tij aty është thjesht për të mos e harruar porosinë e tij, amanetin e tij, për “betejën vendimtare që duhet ta bëjmë, për rifitimin e anës njerëzore që e kemi humbur”.

Prandaj, kur përkthyesja e këtij libri vendosi ta sillte librin “Njerëzit dhe ingranazhet” në gjuhën shqipe, mendova se ky do të ishte një kontribut i madh për t’ia hapur sytë shoqërisë sonë të verbuar nga teknika dhe informatika, apo nga ajo që Sabato e quante adhurim ndaj ingranazhit, apo teknolatri.

Arti dhe shkenca

Sabato studioi fizikë dhe matematikë, por shpëtimin e kërkonte te letërsia. Prandaj braktisi shkencën dhe punën si profesor universitar për t’iu përkushtuar letërsisë dhe, herë pas here, pikturës, duke i dëshpëruar profesorët e tij që tek ai shihnin një shkencëtar me perspektivë: “Kur në fillim të viteve ’40 vendosa ta braktisja shkencën, Doktor Gaviola, asokohe drejtor i Observatorit të Kordovës, që më kishte shumë përzemër, tha: Sabato po braktis shkencën për t’u bërë sharlatan. (…) Ai më tha se do të ma falte vetëm nëse një ditë do t’ia dilja të shkruaja një vepër si Mali Magjik. I shkreti Gaviola, besoj se kurrë nuk e mori vesh se Tuneli im e impresionoi edhe vetë Tomas Manin, i cili këtë e shkroi edhe në një nga ditarët e tij” (E. Sabato, “Përpara fundit”, 1998).

Në vitet ’40, Sabato kishte një mik të madh: Horhe Luis Borhesin. Në vitin 1956 ata u ndanë për shkak të mosmarrëveshjeve politike, për t’u bashkuar prapë në pleqëri. Derisa bisedat e tyre të atëhershme, të pafundme, mbi Platonin dhe Heraklitin nuk u regjistruan, më vonë ata bënë biseda (të zakonshme për ta, por të jashtëzakonshme për ne) nga nëntori i vitit 1974 deri në shkurt të vitit 1975, që u botuan një vit më pas me titullin “Dialogë: Borhes – Sabato”.

Këta dy shkrimtarë tashmë legjendarë, të së njëjtës lartësi olimpike, paraqesin një tandem tek i cili është akumuluar dija nga kohërat më të lashta deri në bashkëkohësi, me vizione të qarta, por frikësuese, për të ardhmen. Si orakuj të verbër, dy shkrimtarët argjentinas, e parashikuan zhvillimin kulturor dhe letrar, prandaj koha që pasoi krijoi aurat e artit mbi figurat ikonike të tyre.

Edhe pse ata gjithmonë do të mbeten bashkë në kujtesën kulturore të njerëzimit, për nga stili i shkrimit janë dy tipa të ndryshëm: njëri konsolidon linjën e eruditëve eklektikë (që nisi me Xhojsin dhe mbaroi me Ekon), kurse tjetri linjën e angeristëve apokaliptikë (që nisi me Dostojevskin dhe vazhdoi me Hesen).

Prandaj, për mua, krahas letërsisë eruditive racionale (me informacione të bollshme dhe observacione të thella), ekziston linja e romanit irracional angerist (me ankthe të bollshme dhe shpirtra të thellë, apo me personazhe skajshmërisht të tëhuajësuar dhe të vetmuar), që ka tre përfaqësues kryesorë në botë: Dostojevskin, Hesen dhe Sabaton, këta tre minatorë që gërmuan më thellë se të tjerët në shpirtin njerëzor dhe nxorën thesare prej tij.

Sabato, natyrisht, ishte edhe erudit, madje në shumë raste shfaq një dije më të madhe se eruditët e sipërcekur, por ndryshe prej tyre, ai, siç e ka pohuar vetë në shkrimet e tij ku i bën elozhe irracionalitetit, nuk mund të shkruante romane me ftohtësi racionale.

Streha e shpirtit

Nga vepra e parë deri tek e fundit, Sabato shfaq ankthin për gjendjen e njeriut në prag të shkatërrimit planetar. Ky ankth, që iu krijua nga leximet dhe përjetimet në rini, e çoi disa herë në prag të vetëvrasjes. Kur një doktor, duke e parë se ndodhej në prag të çmendisë, i propozoi një terapi psikanalitike, Sabato iu përgjigj: “vetëm arti mund të më shpëtojë”.

Kështu, arti ishte kthyer në strehë shpirtërore të tij. Gjatë gjithë jetës njëshekullore, shkroi vetëm tri vepra fiksionale (romane): “Tuneli” (1948), “Mbi heronjtë dhe varret” (1961) dhe “Abadon shkatërruesi” (1974). Librat e tjerë i shkroi në trajtë esesh, itineraresh dhe kujtimesh.

Sabato kishte një frikë të çuditshme nga botimi dhe gjithmonë romanet e tij (ato që i shpëtonin zjarrit, ku siç thotë në kujtimet e tij, i hidhte pasi i shkruante) botoheshin me insistimin e gruas, ose të miqve. Ndërsa dramat kurrë nuk mori guximin t’i botonte, por, ndoshta, as t’i digjte.

Edhe pse shumë studiues mendojnë se për një jetë aq të gjatë, ai shkroi tepër pak letërsi artistike, vetë Sabato mendonte se kishte shkruar shumë dhe këmbëngulte që në letërsi nuk ka rëndësi sasia: në letërsi mund të mos hyjë një autor që i ka shkruar njëqind vepra dhe të hyjë një tjetër që e ka shkruar vetëm një vepër.

Sabato hyri në letërsi me të tre romanet, që konsiderohen kryevepra mbi krizën shpirtërore të njeriut. Për “Tunelin”, i quajtur roman klasik ekzistencialist, kanë shkruar me admirim Mani, Kamyja, Grini e Kuveri; për “Mbi heronjtë dhe varret”, i konsideruar si roman tronditës dhe ndër më të mirët në letërsinë botërore, kanë shkruar me adhurim shumë shkrimtarë dhe studiues, mes të cilëve edhe Salman Rushdi; ndërsa për “Abadonin”, romanin më eksperimental të tij, studiuesit janë të një mendimi që ajo është vepra më e guximshme, ku thyhen të gjitha rregullat dhe fshihen kufijtë mes artit, shkencës dhe jetës, apo mes fiksionit dhe faktografisë.

Humanizmi (s’)do të triumfojë

Megjithatë, për ta kuptuar letërsinë artistike të Sabatos, duhet të lexohen edhe librat e tij jofiksionalë, ku ai vazhdmisht flet për tmerrin që ia shkaktonte dehumanizimi i njerëzimit dhe për dyshimin që kishte ndaj bindjes së Gëtes, se “humanizmi do të triumfojë”. Ai çuditej sesi “bota e teknikës dhe e informatikës, e cila teorikisht duhej t’i afronte njerëzit, ka hapur një hendek të pakapërcyeshëm” dhe brengosej, si askush tjetër, për triumfin e shpirtit shkatërrues të njerëzimit, i cili “vetëm me gjysmën e shpenzimeve për armatime do të mund ta zgjidhte problemin e ushqimit në të gjithë botën, ku çdo dy sekonda një fëmijë vdes nga uria”. Ai ankohej se mirësia nuk po gjente vend te njerëzit, që nga qenie racionale po ktheheshin në makina. Prandaj e citonte piktorin Goja: “gjumi i arsyes lind përbindësha”.

I vendosur se “shkrimtari duhet të jetë dëshmitar i pakorruptueshëm i kohës së tij”, Sabato e shkroi “Njerëzit dhe ingranazhet” (1951) si një protestë ndaj dehumanizimit dhe teknolatrisë, reagim ky i artikuluar nga një shkencëtar me shpirt artisti, po aq sa edhe nga një artist me dije shkencëtari. Në esenë e fundit, ku proklamon artin si rebelim, i çuditur nga mendimi i Ortega y Gasset-it se kohëve të fundit artisti është dehumanizuar, Sabato e kthen shigjetën në anën e kundërt: ai që është dehumanizuar, nuk është artisti, por publiku, turma.

Me këtë libër Sabato nxiti një valë reagimesh ndaj tij, aq sa pas dhjetë vjetësh, i ishte shuar dëshira për ta botuar sërish, por në fund të viteve ’90, deklaroi se të vërtetat e thëna në atë libër, vetëm tash po fillonin të kuptoheshin: “Kanë kaluar më tepër se dyzet vjet nga shfaqja e atij bilanci shpirtëror të ekzistencës sime, të shkruar mes shpërthimeve të bujshme të botës. Sot, pjesa më e madhe e asaj që hodha në letër, përmban një vërtetësi mbresëlënëse. Shumë prej atyre që dikur më sulmuan dhe më vunë në lojë, duke më akuzuar për obskurantizëm, sapo kanë filluar ta kuptojnë botën e egër, të prodhur nga ne”.

“Njerëzit dhe ingranazhet” është një reagim për ta shpëtuar njeriun nga humbja e identitetit të tij, për ta vetëdijesuar atë që të mos jetë thjesht pjesë e një makine a mekanizmi, por që t’i kthehet humanizmit.

Esetë e këtij libri artikulojnë thirrjen e Sabatos, artist dhe shkencëtar, për ta shpëtuar njeriun nga humnera drejt së cilës është nisur shumë kohë më parë dhe buzë së cilës gjendet tash. E, toni apokaliptik që e përshkon herë pas herë këtë libër, është tipar dallues i këtij artisti alarmues, i cili e pa botën me dy sytë e njerëzimit, siç i quante Llotmani artin dhe shkencën.

Mozaik nga monizmi

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i autorit Stefan Çapaliku është një dëshmi e qartë se autori i teksteve mimetike po kthehet në një zë unik të teksteve diegjetike. Dramaturgu nuk e ka braktisur dramën, por e ka gjetur atë edhe në prozë

Ag APOLLONI

Stefan Çapaliku (1965), poet, tregimtar, studiues, eseist, dhe, veçmas dramaturg, së fundmi ka ndërmarrë një projekt të madh në prozë, të quajtur Secili çmendet simbas mënyrës së vet, i cili, është realizuar në dy vëllime, por që mund të vazhdojë edhe me ndonjë vëllim tjetër. Vazhdimësia ndjek një logjikë kohore, kurse element konstant mbetet narratori, i cili duke dëshmuar për jetën e tij dhe jetën rreth tij, e subjektivizon rrëfimin dhe i jep status të një fiksioni autobiografik. Jo rastësisht, paragrafi i parë i romanit mbaron duke e theksuar unin. Autori bëhet narrator, narratori – fokalizator, vokalizator dhe personazh, njëkohësisht. Pra, si zakonisht në rrëfimet autobiografike, i njëjti person kryen pesë funksione: shkruan, rrëfen, fokuson, tonalizon dhe vepron. Romanin nuk e bëjnë të veçantë këto pesë funksione, atë e bën të veçantë strukturimi, që shfaqet si temë dhe teknikë.

Tema e romanit shtrihet në kohë (përfshin tri dekada diktaturë) dhe në hapësirë (qyteti i Shkodrës). Pra, romani fillon me kohën kur në Shqipëri u ndalua feja dhe mbaron me vdekjen e diktatorit. Krejt kjo periudhë shihet me sytë e një fëmije që vjen duke u rritur e burrëruar bashkë me zhvillimin e rrëfimit. Ky personazh-narrator që i përket një lagjeje katolike të Shkodrës, kontrollohet kujdesshëm nga autori për të mos i tejkaluar kompetencat e rrëfimit. Historitë e tij janë histori të shtëpisë, të lagjes, të qytetit. Gjithçka tjetër vjen nëpërmjet televizorit, ose nëpërmjet thashethemeve. Dhe kur televizorit i ndalen valët nga zhurmuesit e Partisë, personazhi nuk mund ta shohë as televizionin jugosllav, as atë italian, por vetëm atë shqiptar, rrjedhimisht bota e tij ngushtohet. Ky pengim i valëve, siç thotë autori, e kthen televizorin nga dritare ku shihnin botën, në pasqyrë ku shihnin veten.

Romani, edhe pse ndjek një kronologji, nuk ka një linjë rrëfimi. Ai e shpërfill kompozicionin tradicional për t’i lënë hapësirë eksperimentit dhe për t’u ndërtuar si një album narrativ me imazhe të ndryshme nga jeta e një kohe dhe e një qyteti. Fotografitë diegjetike ndërrohen, duke u kthyer në motive dinamike që e zhvillojnë temën e romanit, e lëvizin rrëfimin nëpër kohë. Kjo provohet me ndarjen e madhe të romanit në tri pjesë: Para, Gjatë dhe Mbas. Kjo ndarje ka për bazë televizorin si religjion të ri. Siç thuhet para Krishtit e pas Krishtit, mund të thuhet edhe para Televizorit dhe pas Televizorit. Shkodra me rreth njëqind mijë banorë kishte vetëm pesë televizorë. Pra, një televizor për njëzet mijë veta. Kështu, televizori kthehet në qendër të rrëfimit. Ai imponon sjelljet e njerëzve, diskutimet e tyre, ai ndryshon jetën e familjes, të lagjes dhe të qytetit. Ashtu siç konstaton Bodriari me teorinë e simulacionit, jeta ndikohet thellësisht nga televizioni, i cili ka forcën e transformimit të shoqërisë. Njerëzit mblidhen te shtëpia që ka televizor dhe shikojnë emisione të ndryshme informative, sportive, apo argëtuese. Kështu, fillimisht shfaqet nevoja e përkthimit, pastaj organizohen kurse gjuhe në mënyrë që shikuesit të aftësohen për t’i kuptuar vetë filmat. Lidhja e njerëzve me televizorin bëhet lidhje emocionale, prandaj ai nuk fiket për gjashtë vjet rresht, derisa vdes një anëtar i familjes. Ironia e kësaj lidhje nxjerr krye disa herë në roman, si në rastin kur të gjithë katolikët e lagjes i gëzohen humbjes së Muhamed Alisë në një ndeshje boksi, pasi ky ishte konvertuar në musliman, apo si në rastin kur shoku Hysen zbritjen e njeriut në Hënë e sheh si miratim të ateizmit të tij: “Ata shkuen atje në Hanë dhe ku ishte Zoti? Ku ishte Zoti po ju pyes. Më thoni. Zoti kërkund. Nuk e gjetën”.

Televizori e gjallëron shtëpinë dhe qytetin, por vjen një ditë kur lirisë së tij i vjen fundi. Vendosja e zhurmuesve që ndalojnë ndjekjen e kanaleve të “botës së degjeneruar” është dritarja e fundit e mbyllur në ngrehinën komuniste:

“E tmerrshme. Po tashti? Çfarë ndodh tashti? Të shohim Tiranën?!!! Vetëm Tiranën?!!! Asgjë tjetër?!!! Aha…Domethënë kësaj i thonë të shohim veten. Të mos kemi më dritare me xhama, por në vend të xhamave të kemi pasqyra e të kënaqemi duke parë shëmtinë tonë.”

Dhe kështu, mungesa e kanaleve të huaja televizive i jep kohës epitetin e një faze post-television, kohë kjo kur, në mungesë të filmave të huaj, realiteti fillon të bëhet prapë “interesant”, madje më dramatik se filmat. Një nga këto momente “interesante” ndodh në sheshin e qytetit kur i ekspozojnë kufomat e të vrarëve në kufi, për t’ua futur frikën në palcë qytetarëve të lodhur dhe të mërzitur nga izolimi.

Njeriu i vogël dhe Njeriu i Ri

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është rrëfim për njeriun e vogël në kohën e Njeriut të Ri. Njeriu i vogël, me jetën minore, të zakonshme, të pabujë, ishte njeriu që shihte jetën e vet, punën e vet, njeri i parëndësishëm në rrjedhat politike të vendit. Mirëpo, ky njeri po i humbte cilësitë e tij për shkak të ideologjisë komuniste që proklamonte Njeriun e Ri, njeriun pa të kaluar, njeriun në shërbim të Partisë. Dhe pikërisht te kjo përplasje mes dy tipave të njeriut qëndron tema tragjike e romanit. Shqiptari rrezikon t’i humbë vetitë e tij dhe të kthehet në njeri robot që i bindet vetëm sistemit. Pra, njeriu rrezikon të dehumanizohet për shkak të ideologjisë së barazisë. Si revoltë ndaj këtij rrafshimi ideologjik, autori Stefan Çapaliku sjell para lexuesit personazhe të ndryshme, secili i veçantë në mënyrën e vet: Gjush Kodheli, që i ka kthyer helmetat e gjermanëve në saksi të luleve si një instalacion për paqen; Rozar Dodmasej që derisa të vdesë nuk pranon të dalë nga shtëpia, sepse nuk pranon të veshë pantallona të qepura me stofin e Kombinatit “Stalini”; Marilda, apo Malena e Shkodrës; Daja Pjetër që të gjithë e thërrasin kështu, edhe pse askush nuk e ka dajë; kompozitori që e bënte orkestrën filarmonike të qytetit të luante pjesët më të vështira të botës, duke thënë se është më mirë ta luash keq Beethoven-in sesa ta luash mirë Filan Fistekun; Cen Pinuci që e shet veten për së gjalli që, kur të vdesë, trupi i tij t’u dhurohet doktorëve të anatomisë; apo shkrimtari satirik Dik Zeka që thoshte “për femrën më të keqe jap shokun më të mirë”. Po ashtu, në roman shfaqen edhe personalitete të rëndësishme si: Kolë Ashta me fjalorin e tij, Gjon Shllaku që sapo ka mbaruar “Iliadën”, Zef Zorba me teatrin e kukullave, Frederik Rreshpja duke qëndisur në gjergjef, Pjetër Meshkalla, jezuiti që sjell pak heroizëm në kohën e “rinisë servile” etj.

Reagimi i regjimit ndaj fesë jepet më së miri nëpërmjet dënimit të Patër Pjetër Mushkallës, reagimi ndaj kulturës perëndimore jepet me shpikjen e zhurmuesve të antenave të televizorëve, kurse reagimi ndaj letërsisë jepet nëpërmjet një skene ku shqyhet poezia e Frederik Rreshpjes:

“Hyri në klasë mësuesja e leximit dhe tha me të prerë:
– Hapeni të gjithë librin e leximit në faqen 55. Po aty, aty te poezia “Rapsodi shqiptare” dhe me kujdes…griseni!
-Ta grisim?!!!
-Po, ta grisni – tha ajo.
-Të grisim librin?!!!
-Po, po, librin. Se autori i saj është shpallur armik i Partisë dhe i Popullit, – dhe as që ia zuri në gojë emrin Frederikut të shkretë.”

Romani nis me vizitën e autorit në moshë të vogël në një burg dhe i gjithë rrëfimi zhvillohet si një film që del nga burgu i kujtesës së autorit. Prandaj, pavarësisht ironisë verbale dhe ironisë së situatave, romani është një homazh për njeriun e vogël që rrezikohej nga Njeriu i Ri:

“Ngaqë jetonim brenda dhe pa kurrfarë pikash të tjera referimi, nuk po e kuptonim se sa shumë po shëmtohej qyteti. Dita ditës ai po bëhej edhe më i vogël, tkurrej, imtësohej, anemik, plakej dhe po e linin fuqitë. Inercia qytetëruese e paraluftës kishte marrë fund dhe nuk ia shtynte më velat asnjë centimetër. (…) Njeriu i Ri, vepra më e shquar e Partisë, ishte një përbindësh që ia hante dhe ia bluante çdo ditë personazhet dhe karakteret unikalë këtij qyteti.”

Si refuzim autorial ndaj përbindëshit të Partisë, në fillim dhe në fund të romanit, citohet filozofi danez Soren Kierkegaard: Njeriu duhet të guxojë që të jetë krejtësisht vetvetja.
Romani i Stefan Çapalikut është një minirrëfim për kohën e metarrëfimit komunist. Nëpërmjet historive të vogla të njerëzve të vegjël dhe nëpërmjet imazheve të konstruktuara kryesisht sipas modelit të kinematografisë italiane (De Sica, Fellini, Bertolucci, Tornatore etj.), autori ka krijuar panoramën e vendlindjes së tij si një mozaik me gjithë shkëlqimin dhe mjerimin e saj, duke u përpjekur të mos i gjykojë personazhet, por thjesht t’i paraqesë ashtu siç janë, teknikë kjo më shumë dramatike sesa diegjetike. E, siç thotë Milan Kundera, mungesa e gjykimit moral nuk është imoralitet i romanit, por është sakt morali i tij.

Poeti Ag Apolloni- si e zbulova unë

Nga Kujtim Morina

Kisha lexuar më parë poezi të veçanta të Ag Apollonit por s‘më kishte bindur si poet. Në një mbrëmje leximi të organizuar nga poeti Agron Tufa tek kafe ‘E Për7shme” në Tiranë para 6-7 vitesh, ku z Apolloni ishte i ftuar në panel për të lexuar dhe iu kërkua një mendim për poezinë shqipe, ai iu përgjigj se do të veçonte vetëm disa poetë shqiptarë përfshirë Azem Shkrelin e ndonjë tjetër që s’po më kujtohet emri. M’u duk më shumë shprehje mendjemadhësie për t’u dukur para atij publiku të ngushtë, disa dhjetëra veta, krijues letrarë dhe studentë.

Më tej edhe titulli i librit të tij për të cilin kisha dëgjuar por jo lexuar, “Zomb” më dukej më shumë emërtim prej snobisti e gjoja modernisti. Ndërkohë, Ag Apolloni, mori nismën e ribotimit të revistës letrare “Jeta e re” në Prishtinë së bashku me një grup krijuesish letrarë aty dhe pas dy vjetësh a diçka e tillë ia la stafetën e drejtimit të revistës, krijuesit tjetër Agron Y Gashi, me siguri po mendoj unë i lodhur nga burokratët dhe mënyra si i bëjmë gjërat në botën shqiptare që pothuajse çdo gjë duhet të rregullohet “me mik” e “me lidhje” ku ligji dhe rregulli shumë herë janë të fundit në listë. Z Apolloni vijoi më tej duke themeluar një tjetër revistë kulturore dhe letrare “Symbol”, me siguri më elitare.

Librin me poezi të tij “Zomb” të botuar në vitin 2012 e mora në panairin e fundit të librit në Tiranë. Është një ribotim i librit të parë me të njëjtin titull të vitit 2009 por tani të përmirësuar dhe të zgjeruar me poezi të tjera. Që në poezitë e para të këtij libri, për mendimin tim, Ag Apolloni është një zbulim i poezisë së mirë dhe të artikuluar hollë. Ai e ndërton poezinë në simbiozë me muzikën, ritmin e kadencën e vargut. Poezia e tij është kryesisht me rimë por edhe me varg të lirë të ndërlidhur në të, me figuracion por jo aq shumë sa ta errësojë atë dhe t’ia humbasë toruan lexuesit. Madje një nga cilësitë e vargut të tij poetik a strofës së tij është liria e të shkruarit apo e thënë më qartë pas vendosjes së disa skicave apo shtyllave ku qëndron, poezia duket sikur ecën vetë me flatrat e një të dehuri që ka marrë një dozë të lehtë. Ai besoj shkon në gjurmët e poetëve shqiptarë Ndre Mjeda e Zef Zorba apo të poezisë moderne të Ezra Pound e Bob Dyllan. Poeti nuk heziton të shkruajë në gegnisht, me siguri se këtij lloj stili i përshtatet më shumë ky dialekt i shqipes por me një elegancë dhe kujdes në të zgjedhurit e fjalëve saqë besoj kuptohet lehtë edhe nga shqipfolësit e zonave më jugore të vendit.

Në poezinë “Flamengo”, po sjellim vetëm një strofë:

Prej ni grusht balte u bana
dhe ti nga i njajti brum je.
S’e di a ish dashni a urrejtje
po diçka na joshi ne.

Kështu i zgjedh titujt e poezive, një kombinim i terminologjisë muzikore, toponimeve të ndryshme, termave të njohur e panjohur ndërkombëtarë me referenca nga religjioni, kryesisht nga Bibla, Kurani dhe budizmi gjithashtu. Poeti rreket ta tërheqë lexuesin në botën e tij por të mos ia rrëmbejë lirinë, të ndërtojë imazhe sa më të prekshme apo edhe të vizatojë skica reale apo të kapë detaje të forta reale që janë sa vetë imazhi apo reflektojnë edhe më fort. Ai synon që lexuesi të ndjehet aty me praninë dhe lojën e tij dhe të marrë pjesë vetë në poezi madje edhe të përfitojë prej saj. Natyrisht se Ag Apolloni shkruan për një lexues të kultivuar por kështu është poezia e mirë dhe sot në botën e internetit, edhe termat apo referencat që nuk kuptohen menjëherë, lexuesi që e ka celularin apo tabloidin në dorë, mund t’i kërkojë menjëherë në internet dhe t’i gjejë. Kështu lexuesi tërhiqet në lojën e paralojën e poetit, përfiton në ndjesi e mendim, në skenën e krijuar apo të sajuar dhe prapa kuintave gjithashtu.

Nga mesi i librit, poezitë duket sikur e humbasin pak origjinalitetin dhe freskinë. Por kjo i ndodh edhe poetëve të tjerë aq më shumë që duke iu afruar fundit, libri e rimerr ritmin e kërkuar. “Zomb” është konceptuar në kuadrin e një poeme të ndarë në poezi të veçanta që kanë një rrjedhje logjike dhe harmonike apo si një roman në vargje që e fillon me një lidhje dashurie që shkon deri në zenit, pastaj zbret poshtë derisa çifti ftohet e ndahet. Më tej, poeti i vetmuar tashmë i këndon dashurisë së humbur, transcendencës së jetës dhe vdekjes e amëshimit. Vetë poeti ka bërë një shënim të gjatë në fund të librit që e titullon “filozofia e kreacionit” ku sqaron shtyllat kryesore ku është mbështetur në këtë libër, mënyrën si e koncepton ai poezinë, synimet e tij që këtë projekt ta vazhdojë, po mendoj unë si me modelin e Lahutës së Malcisë të Gjergj Fishtës apo Fije Bari të Uollt Uitman duke e zgjeruar në vite me këngë apo poezi të reja.

Në përfundim, do të thosha se për poezinë e Ag Apollonit dhe jo vetëm për të, vlen shumë ajo shprehja se përsëritja është mëma e dijes. Pra nga një fillim ku poezia e tij dukej e pakuptueshme apo e pandjeshme, duke e ripunuar, përmirësuar e evoluar në vite, kjo poezi e afron dhe e ndjell më shumë lexuesin në skutat apo orbitat e saj poetike derisa fiton të drejtën e qytetarisë së plotë mes krijuesve të qenësishëm letrarë. Pavarësisht nga një farë skepticizmi për poezinë shqipe të re të autorëve kosovarë, sidomos pas viteve 2000, mendoj se po afirmohet një brez i mirë i poetëve që nga Ag Apolloni, Ndriçim Ademaj, Donika Dabishevci, Ndue Ukaj, Ilire Zajmi, Xhevat Latifi, Sibel Halimi, etj. Më kuptoni, poezia shqipe është një, kudo që të shkruhet, por desha të shkruaj këtu për poezinë e re të Kosovës. Ky ishte një shënim i shkurtër për poezinë e Ag Apollonit duke pasur parasysh gjithashtu se ai e ka vijuar krijimtarinë e tij të botuar kryesisht nga shtëpia botuese OM Publisher me drama, prozë të shkurtër e të gjatë si dhe dy libra me studime e kritikë letrare./ KultPlus.com

Mjegulla e Hamletit

Ag Apolloni

(Parathanie e dramës “Hamleti simbas Horacit”, OM, Prishtinë, 2017)

Triviale. Teatri Kombëtar i Kosovës e pati shpallë konkursin vjetor për dramë (2016) dhe unë s’e kisha ndërmend me konkurue. Nji ditë, derisa po shetitnim me “Ofelinë” time nëpër sheshin “Nâna Terezë”, ajo më pyeti: Pse s’konkuron për dramën e vitit? I thashë: S’kam kurgjâ n’dorëshkrim. Tha: Ma ke përmendë disa herë at’ subjektin e Hamletit si bir i Polonit. Thashë: Po s’e kam shkru’. Tha: Po ti m’ke thânë që dramat i shkru’n për nji natë. Thashë: Kur mbyllet konkursi? Tha: Nesër. Thashë: S’mundem. Tha: Pse? Thashë: Se s’kam raki. Tha: Krejt shishet i ke pi?
Ngreha supet dhe e shikova si fëmijë i zânun në faj. Ma bleu rakinë dhe në mbrâmje ia nisa me shkruejt Hamletin tim, të cilin në mëngjes ia dhashë me lexue. E lexoi dhe e dorëzoi, e bindun se do ta fitoja konkursin. Për habinë time, ashtu edhe ndodhi.

Natyrisht, ky version që po e botoj âsht i përpunuem, mbasi s’isha i knaqun me at’ skelet drame që e dorëzova.
Impulsi. Ket dramë s’do të kisha mundë me shkrue nëse s’do ta kisha lexue nji letër të Zigmund Frojdit, të vitit 1897 (drejtue mikut të tij, Vilhelm Flis), ku e hodhi hipotezën se Hamleti âsht nji Edip i pakryem dhe se, simbas tij, âsht mu kjo arsyeja e zhagitjes së hakmarrjes. Ksisoj, hamendja e tij, që ishte krejt ndryshe prej asaj çka hamendësonin Gëte dhe Kollrixhi, e ndryshoi mënyrën e të lexuemit, tu’ ia gjetë Hamletit paradigmën edipiane. Hamleti ngurron me vra mixhën, i cili ia ka vra babën, sepse edhe ai vetë, në nënvetëdije, e ka dashtë vrasjen e babës, për me u martue me nânën. Pra, Klaudi, në njifarë mënyre, e ka realizue atê që e ka dëshiru’ Hamleti.

Natyrisht, ket hipotezë që e përqafuen dhe e diskutuen edhe Xhonsi, Lakani e Starobinski, e kam bluejt shpesh në mendjen time. Rasti, ky mbret i botës, deshti që unë me shkrue ket dramë si lojë me hamendjet frojdiste për Hamletin.

Homazhi. Për mue, Shekspiri nuk âsht shkrimtar. Ai âsht fond i artë i kulturës globale. Ai që dikur shkruente për teatrin “Globus”, nuk âsht vetëm i anglezëve, por i gjithë globit. Ashtu si Homeri, edhe Shekspiri tashmâ nuk mund të shihet si person, apo si individ, por si traditë, si pronë e përbashkët e jona. Dhe, ashtu si Eskili prej Homerit, edhe unë marr lirisht prej sofrës së pasun të Shekspirit.
Mbasi Shekspiri, simbas Horhe Luis Borhesit, âsht zot i fjalëve, nuk mendoj se duhet të ndihemi me faj kur frymëzohemi prej tij, apo kur i ritregojmë historitë e tij, qoftë edhe tu’ i ndryshue ngapak.
Nëse Shekspiri âsht zoti i fjalëve, atëherë Hamleti âsht Bibla e letërsisë laike. Natyrisht, kjo bibël dallon nga ajo tjetra për nga qëllimi: kjo të nxit me dyshue, ajo të nxit me besue. I frymëzuem nga shpirti i shêjtë i dyshimit, unë te Hamleti s’kam bâ gjâ tjetër veçse ksaj historie të bukur ia kam shtue dyshimet e mia dhe dyshimet e disa studiuesve të njoftun (Ben Xhonsoni, Volteri, Gëte, Kollrixhi, Lord Shaftsbëri, Tolstoj, Niçe, Shou, Frojdi, E. Xhonsi, Lakani, Starobinski, Xhojsi, T. S. Elioti, Jan Koti, Dejvid P. Gontari, K. G. Hajlbruni, E. Shouollteri etj.).

Të huejt e “Hamletit”. Janë tri figura që gjithmonë më janë dukë të pazakonta në dramën e Shekspirit dhe m’kanë sjellë shum vramendje; tri figura që janë lânë si nën hije, që janë lânë si jashtë (edhe kur janë mrena) dhe që vijnë nga jashtë: princi Fortinbras (norvegjez), kryekëshilltari Polon (polak) dhe, natyrisht, shkollari Horac (romak), të cilët në përkthimin e Nolit tonë të dashtun, i gjejmë me trajtat: Fortimbrasi, Poloni dhe Horati.

Fortinbrasi. Te Hamleti i Shekspirit, i përmendun në skenën e dytë të aktit të dytë dhe i shfaqun për herë të parë në skenën e katërt të aktit të katërt, princi Fortinbras, për të shkue në luftë në Poloni, lyp leje prej mbretit Klaud për të kalue nëpër Danimarkë. Mandej, në skenën e fundit të aktit të fundit, mbas vdekjes së princit Hamlet, Fortinbrasi kthehet nga Polonia dhe e gjen Danimarkën pa mbret dhe pa princ, domethânë pa trashëgimtar të fronit. Kshtu, princi norvegjez ze vendin që, po të mbetej gjallë, do t’i takonte princit danez, baba i të cilit, mbreti Hamlet, pati vra në fushëbetejë babën e princit norvegjez, mbretin Fortinbras. Kjo më ka bâ me mendue se hakmarrjen që kërkon princi Hamlet ndaj Klaudit, ndoshta mund ta kërkojë edhe princi Fortinbras ndaj princit Hamlet, se gjaku ujë s’bâhet. Âsht e natyrshme që bijtë (princat) me u hakmarrë për baballarët (mbretat) e tyne (sado që hakmarrja e Hamletit n’dramën time âsht për arsye tjera). Në skenën e dytë të aktit të dytë të dramës së Shekspirit, ne e kuptojmë nga raportimi i Voltemandit se Fortinbrasi kishte pasë ndërmend me u hakmarrë për babën, por ishte pengue prej mixhës. Dhe s’âsht e pazakontë që biri i atij që bie në fillim, të bâhet mbret në fund. Në dramën time kjo nuk shihet, por dihet.

Poloni. Poloni, apo ta kthejmë në gjuhën e sotme, Polaku (lat. Polonius – polak), spiuni, miu i mbretit, âsht nji brejtës që bren shumçka, sepse e bren diçka. Atê e bren dëshira për me u bâ mbret. Pra, Danimarka rrezikohet prej dy mbretave potencialë: norvegjezit Fortinbras dhe polakut Polon (hipoteza mbi nacionalitetin polak të Polonit âsht hedhun prej kritikut dhe teoricienit polak, Jan Koti). I pari âsht anmik i deklaruem, i dyti – anmik i kamufluem. Por, dihet si rrjedh historia: Polaku vritet nga princi danez, Polonia mposhtet nga princi norvegjez.
Çka lyp polaku në dramën angleze me histori daneze?
Çka lyp ai n’mesnatë n’dhomën e mbretneshës?
Pse përgjon lidhjen e Ofelisë me Hamletin?

Mund të bâhen mbi njiqind pyetje dhe mund të jepen po aq përgjigje për tê. Dhe mund të shkruhen kushedi sa versione të Hamletit, tu’ u nisë nga miu i pallatit.
Ky polak âsht këshilltar i mbretit dhe administrator i pallatit mbretnor. Dhândri potencial i tij âsht trashëgimtar i fronit, rrjedhimisht bija polake, Ofelia, mbretneshë e mundshme e Danimarkës. Kahdo që ta sjellësh historinë e Hamletit, Poloni âsht nyje e historisë. Duket se s’âsht i rastsishëm fundi i tij mbas perdes, mbasi ai lojën ma të madhe e ka bâ gjithmonë në mbrapaskenë, mbas perdes.
I kam lexue të gjitha hipotezat e hedhuna nga studiues të shumtë për këshilltarin Polon, por asnjana s’ma ka mbushë mendjen. Sa herë më kujtohej Hamleti, më dilte para sysh Poloni te Gertruda, në dhomën e gjumit. Nuk më kujtoheshin fjalët e asaj skene, por e shihja skenën si nji film pa zâ. Ky imazh krijoi mandej krejt dyshimet e hedhuna në ket dramë për lidhjet e çuditshme në pallatin e nji vendi dhe nji kohe të kalbun në korrupsion, në nji korrupsion moral.

Tue përdorë bindjen e Aristotelit se letërsia flet për ngjarje të mundshme, mendova pa më ardhë turp (sado që Shekspiri më bërtiste: o turp, ku e ke skuqjen!) që Poloni mund të ishte dashnor i Gertrudës, Hamleti mund të ishte djalë i Polonit, apo ndoshta i Klaudit, Klaudi mund ta dashunonte Ofelinë, Ofelia mund ta dashunonte Hamletin, Laertin dhe Polonin, tue zbulue me ket të fundit kompleksin e Elektrës, po ashtu Hamleti mund ta dashunonte Ofelinë dhe Gertrudën, tue zbulue me ket të fundit kompleksin e Edipit. Dhe, meqenëse Hamleti ka nji mik të ngushtë, Horacin, mendova se ai mund ta dashunonte edhe atê.

A thue âsht e mundun që, nga frika e nji martese të mundshme mes fëmijëve të tij dhe nga dëshira e tij për fron, Poloni e pengon Ofelinë të lidhet me Hamletin dhe e nxit Hamletin të hakmerret ndaj Klaudit?
Horaci. Miqësia mes Hamletit dhe Horacit âsht ndër historitë ma të famshme të miqësisë. Horaci âsht shoku i studimeve i Hamletit; Horaci âsht i vetmi prej shokëve të Hamletit që e sheh fantazmën; Horaci âsht i vetmi që i mban sekretet e Hamletit; Horaci âsht i vetmi shok që e di se çmendunia e Hamletit âsht thjesht aktrim; Horaci âsht shoku ma i ngushtë i Hamletit, i cili vdes në krahët e Horacit (Parantezë: Horaci, Horati, apo Horatio âsht emën latin, por, siç e thotë edhe Shekspiri, as nga gjaku ai s’âsht danez, po romak. I përshtatun simbas parimit fonetik të shqipes, ky emën vjen në trajtën Horaci, po natyrisht s’ka asgjâ të bâjë me autorin antik të Artit poetik).

Meqenëse janë hedhë shum dyshime mbi karakterin e Hamletit, unë e shikova miqësinë e tij me Horacin pak si me sherr, tu’ i shfrytzue disa vrima te teksti i Shekspirit. Refuzimi që i bân Ofelisë, prej disave âsht pa si refuzim seksual, çka le hapun dy mundësi interpretimi: Hamleti âsht aseksual, ose Hamleti âsht homoseksual. Por, në anën tjetër, dëshira për hakmarrje âsht kuptue prej të tjerëve si dëshirë seksuale, edipiane. Si nji kompromis mes tezave të kundërta të studiuesve, unë e bâna Hamletin biseksual. Ndoshta Hamleti s’e do Ofelinë, ndoshta Hamleti e do Gertrudën, por, për nji gjâ jam i sigurt, Horaci e do Hamletin, prandaj, kur e sheh mikun tu’ dhânë shpirt, pëlqen ma fort me pi helmin sesa me jetue pa tê. Në anën tjetër, Hamleti e do Horacin, prandaj ia merr gotën e helmit dhe e porosit mikun e tij të dashtun të jetojë për ta tregue historinë tragjike të tij dhe për t’i heshtë të tjerat, ato që s’mund apo që s’duhet të thuhen. Të tjerat janë heshtje.

Hamleti im fillon aty ku mbaron ai i Shekspirit. Horaci, e ka mbajtë sekret, të heshtun, historinë e vërtetë të Hamletit dhe tash, në pleqni, para se me iu dorëzue vdekjes, e ka rrëfye dashninë dhe krimin e tij, për me çlirue shpirtin. Nëpërmjet dorëshkrimit të tij, Horaci i jep zâ heshtjes së Hamletit. (Prandaj, mendohet se kërkesa e fundit e Hamletit krijon paralele mes emrit Horatio dhe fjalës orator, gojëtar.)

Drama ime ndoshta ka diçka vulgare mrena, por jo aq sa të sulmohem, siç u pat sulmue Shekspiri prej Shaftsbërit, për vulgaritet.
Tragjedia Hamleti, simbas Umberto Ekos, âsht Mona Liza e letërsisë. Derisa për portretin e sfumatuem të Da Vinçit janë hedhë aq shum hipoteza, pse të mos hidhen edhe për Hamletin e ndërlikuem të Shekspirit?
A mos ka ma pak mjegull te Hamleti?/KultPlus.com

Pentagrami i Primo Shllakut

Ag Apolloni
Libri “Muzikantët” i Primo Shllakut është një përmbledhje tregimesh që rrëfejnë për të kaluarën dhe aktualitetin shqiptar, me një gjuhë të pastër dhe me një stil të pasur. Pjesa më e madhe e librit është novela “Muzikantët”, nga e ka marrë edhe titullin vepra, ndërsa tregimet e tjera janë: “Loja”, “Unaza”, “Pema në mes të sheshit” dhe “Të nesërmen e barbarëve”.

Të gjitha tregimit e këtij libri janë sa aventura në kujtesën emocionale të autorit, aq edhe përvoja kulturore të tij në kontakt me letërsitë e tjera. Pra, këto tregime përveç që sjellin një përvojë nga realiteti, nga e kaluara dhe aktualiteti, ato sjellin edhe shoqërime të teksteve me drejtime e rryma letrare dhe filozofike europiane, nga të cilat impresionizmi si drejtim letrar modernist dhe ekzistencializmi si rrymë filozofike, alternohen gjithandej nëpër libër. Derisa stili impresionist korrespondon me temën që zgjon nostalgji, qasja ekzistencialiste përfshin gjithë diskursin narrativ me qëllim të thellimit të vertikales semantike.

Të gjitha tregimet e këtij libri janë shkruar si dromca kujtese, herë të autorit, herë të personazheve, prandaj edhe shkalla e motivimit të natyrës fragmentare të tyre është e lartë. Mbledhja e dromcave të kujtesës ka krijuar atë që Derrida e quante diskurs brikolar, kur i referohej përzierjes së motiveve, fragmenteve dhe stileve. Primo Shllaku ka vënë në praktikë shumë koncepte të teorive letrare aktuale për ta provuar funksionalitetin e tyre. Në këtë mënyrë, ky libër me tregime është gjithashtu një libër me proza eksperimentale, pasi kështu dëshmohet bindja e autorit për eksperimentin si mundësia më e mirë për të sjellë risi.

Primo Shllaku, i njohur kryesisht si poet, edhe në prozë ka integruar mjaft elemente poetike, madje, përveç mbushjes me figura, shpesh diskursi i tij kalon nga gjuha metonimike në gjuhë metaforike, duke e prishur qëllimisht ligjin e Jakobsonit. Gjuha e prozës së tij është një punë me limë, një gdhendje dhe latim prej mjeshtri.

Libri “Muzikantët” i Primo Shllakut është një përmbledhje që përmban brenda një univers narrativ tejet interesant e të paparë në prozën shqipe. Sado që për nga tema, koha dhe hapësira, tregimet kryesisht mjaftohen me hapësirën shqiptare, për nga poetikat që u përmbahen ato mund të shihen në relacion me shumë shkrimtarë modernë dhe bashkëkohorë (Joyce, Mann, Hesse, Camus, Sartre, Buzzati, McCarthy etj.) prej të cilëve Primo Shllaku ka mësuar të shkruajë për “jetën e vogël” (la vie mineure) dhe janë pikërisht këto minirrëfime ato që e rigjallërojnë letërsinë shqipe të lodhur nga metarrëfimet. Ndryshe nga rrëfimet e njohura të letërsisë socrealiste në Shqipëri, të mbushura me ngjarje “madhore”, këto janë kryesisht tregime të mosngjarjeve dhe të ngjarjeve “të vogla”.

Pesë partiturat

Tregimi i parë, Muzikantët, në dukje është prozë imazhiste, por që imponohet njëkohësisht si pikturë dhe muzikë. Rrëfimi nga pesë perspektiva narrative dhe nga po aq zëra narrativë, e kthen atë në një lojë vizuale dhe auditive që kënaq syrin dhe veshin e lexuesit. Me gjuhë kinematografike, do të mund të thuhej se ky tregim është një lojë e shkathtë për nga mënyra e këndeve dhe planeve të xhirimit, si dhe për nga mënyra e montimit.

Tregimi “Loja”, proza më dramatike dhe më frojdiste e librit, ka për temë dashurinë, përfshirë edhe atë edipiane. Nëpërmjet lojës, protagonisi rastësisht zbulon fytyrën e vërtetë të së dashurës së tij dhe, pastaj, refuzon maskën e dashurisë të cilën ajo mundohet kot ta mbajë prapë. Për Ninin, protagonistin e tregimit, loja e ka zbuluar të vërtetën, prandaj ai s’pranon ta falë Lelën. Po ta falte, aty do të fillonte loja ku ata do të bënin sikur duhen, sikur dashurohen. Pra, te ky tregim loja e zbulon dashurinë, por dashuria refuzon të jetë lojë. Ashtu si Mario te novela “Mario dhe magjistari” e Thomas Mann-it, , edhe Nini te tregimi i Primo Shllakut, nuk e pranon lojën me ndjenjat më të thella humane. Nini nuk vret, por largohet i zhgënjyer dhe ky zhgënjim na e kujton ikjen e Fridemanit, të një tregimi tjetër të Mann-it, pas refuzimit që i bëhet nga femra të cilën e dashuron. Kështu, “Loja” e Primo Shllakut është një lojë e bukur intertekstuale.

Tregimi “Unaza” trajton krizën e një çifti, nga perspektiva e burrit. Ndryshe nga rrëfimet e autorëve të shekullit XIX që krijuan skemën e dashurisë tragjike nëpërmjet trekëndëshit të ashtuquajtur romantik, ku një pretendent i rritur prish rehatinë e çiftit, në tregimin “Unaza” këtë krizë duket sikur e ka sjellë fëmija i çiftit. Duket se burri ka humbur privilegjin e të qenit lodër argëtuese për gruan e tij, rol ky të cilin e ka zënë fëmija. Në jetën e tij më nuk ndodh asgjë interesante, prandaj ai mendon ta “varrosë” unazën, si simbol të lidhjes tashmë të harxhuar. Ankthi që e shoqëron gjatë “varrimit” dhe pastaj gjatë kërkimit të unazës, tregon se burri ka një ëndërr, që është dëshirë dhe frikë, njëkohësisht.

“Pema në mes të sheshit” është tregimi tjetër që tregon fundin e një peme, shkuljen e një peme nga shtrëngata. Pema ka zënë rrugën dhe personat që mblidhen rreth saj kanë mendime dhe kërkesa të ndryshme për të. Dikush shqetësohet, sepse ajo ka përfaqësuar rrënjët e qytetit, një tjetër bluan kujtimet që e lidhin me atë pemë, një i tretë mendon si ta marrë dhe të bëjë skulptura prej trungut të saj, një person me karrocë që kur kishte qenë i ri kishte rënë nga pema, gëzohet kur e sheh pemën të rrëzuar. Kështu, rreth pemës së rrëzuar mblidhen njerëz të ndryshëm: kryetari, famullitari, historiani, skulptori, inxhinieri dhe qytetarë të tjerë, të cilët e përcjellin pemën në funeralin e saj. Të nesërmen, pasi e kanë prerë dhe larguar çdo shenjë të pemës, kryetari kalon aty ku ka qenë pema dhe sheh vetëm gropën që i duket si plagë: “funerali kishte marrë fund, por gropa kishte mbetë e hapun”.
Tregimi i fundit, “Të nesërmen e barbarëve”, ka si impuls autorial kaosin e vitit 1997 në Shqipëri, që më së shumti mund t’u ketë leverdisur pronarëve të dyqaneve të arkivoleve, çfarë është edhe personazhi kryesor i këtij tregimi. Tregimi herë te kujton horizonte të shkreta si në filmat “western”, herë pamje apokaliptike si te “Rruga” e Cormac McCarthy-it. Në fund, pas shkretimit që i është bërë vendit, vjen një femër, e cila me brekët e saj të bardha, duket sikur simbolizon lirinë e abuzuar dhe paqen e lakmuar.

Shpirti dhe maska

“Muzikantët” është një libër i përbërë nga tregime që karakterizohen prej diskurseve që oscilojnë nga stili realist deri tek ai surrealist dhe, në këtë mënyrë, tekstet e tilla fitojnë statusin e surfiksionit. Primo Shllaku luan me perspektiva narrative dhe me zëra narrativë, duke u nisur nga temat e zakonshme për t’u katapultuar në një simbolizëm transcendental. Tregimet e tij krijojnë efekte të forta nga detajet, të cilat fokusohen nga autori për t’u kthyer në sugjestion semiotik. Duke qenë dakord me Truman Capoten se një tregim mund të fundoset edhe nga një ritëm i gabuar në fjali, ose nga një gabim në paragraf apo pikësim, Shllaku na i ofron tregimet si partitura muzikore ku me dorë mjeshtri është fiksuar melodia e gjuhës.
Primo Shllaku, i njohur për lirikat e tij të thella, me këtë libër vjen si autor i tregimeve dhe mendimeve të thella. Personazhet e tij, këto maska të ideve që vijnë si rezultat i një meditacioni filozofik autorial, pohojnë mendimin e filozofit Nietzsche se çdo shpirt i thellë ka nevojë për një maskë./KultPlus.com

Ag Apolloni fitues i Çmimit “Katarina Josipi”

Në kabinetin e ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është mbajtur ceremonia solemne për dorëzimin e Çmimeve të Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2016, përcjellë KultPlus.

Fillimisht ministri Kujtim Gashi, pasi përshëndeti të pranishmit tha që përkundër se ndarja e çmimeve është një proces i vonuar sepse ka filluar në vitin e kaluar megjithatë takim për ndarjen e çmimeve po mbahet.

“Ministria e Kulturës këto çmime i ka ndarë në bazë të një rregulloreje që është për ndarjen e këtyre çmimeve dhe në bazë të një komisioni vlerësues. Për mua është kënaqësi ti ndaj këto çmime dhe unë si ministër ju premtoj që do të keni mbështetjen time gjithmonë”, ka thënë ministri Kujtim Gashi.

Në kuadër të kësaj ceremonia u dorëzuan tri çmime: Çmimi i parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” iu dorëzua autorit Ag Apolloni për dramën “Hamleti im, çmimi i dytë shkoi për dramën “Bosh me rudha” të autores Ulpiana Maloku dhe çmimi i tretë iu dorëzua Brikena Sopit për dramën “Rropatje”.

Fituesi i këtij çmimi Ag Apolloni u shpreh falënderues për vlerësimin, përderisa vlerësoi se ky moment nuk është shumë i gëzueshëm përderisa aktorët janë në grevë e pikërisht janë ata të cilët do ta vënë këtë shfaqje në skenë. / KultPlus.com

Akrepat e orës

Poezi e shkruar nga Ag Apolloni.

Nuk di si ta nis këtë poezi për ty
Vërtet nuk e di
Nuk di as kur nisëm me u dashtë
Ne dy
Njimend
nuk më kujtohet koha
Për herë të parë ku jemi prekë
Për çudi, unë s’e di as kur kam me vdekë
(Sigurt mrenda nji kohe që e mat ora me zembrek)

Fillimi s’ka formë
E fundi asht fantazmë të cilën unë s’e ndjek

Si thue nëse shkruj in medias res
Pa fillim, pa fund, po drejt e në mes?

Mesi ka konfliktin, kulmit i hap udhë
Fryma e Shekspirit duket në konflikte
Portreti yt s’ka ende asnji rrudhë
Po lashtësinë tande e shoh në instikte

Bota edhe koha kanë formë rrethore
Ne jetojmë dhe vdesim n’akrepat e nji ore

Kur t’shoh ty, mendoj kopshtin edenik
Atë kopshtin e parrethuem me tel
Mandej parajsën e jetoj në dhomë
Kur nis me t’i zbutë tekat në çdo krelë

Nganjiherë më duket
sikur me duert e mia t’kam ba
M’dukesh tamam skulpturë
Po skulpturë që lshon zâ

Klimaksi arrihet kudo, jo vetëm në dramë
Ne kanibalë s’jemi, po njani-tjetrin e hamë

Akti mishngranës asht lumtuni,
t’ban me i thanë akrepit të orës “ndal!”
Po ti e di që koha asht e ambël kur rrjedh,
Unë e di se asht tik-taku i orës që më mban gjallë. / KultPlus.com