“Ëndrra Amerikane”, skamja e emigrantëve në Nju Jorkun e viteve 1800

Sot është një nga lagjet më luksoze të Manhatanit, por në fund të viteve 1800, në “Lower East Side” kushtet e jetesës, sidomos për emigrantët e rinj që mbërrinin në Nju Jork, ishin të mjerueshme.

Në fotot e shpërndara nga “History Channel” tregohet gjendja e tmerrshme e godinave ku detyroheshin të jetonin qytetarët më të rinj të Nju Jorkut, asokohe një prej porteve më të mëdha hyrëse të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara.

Apartamentet e projektuar për një familje të vetme, ndaheshin në pjesë më të vogla, për të futur sa më shumë njerëz që të ishte e mundur. Për të përballuar rritjen e numrit të popullsisë, ndërtesat pritëse ndërtoheshin me materiale të lira dhe shumica e godinave nuk kishin as ajrosje, duke bërë që sëmundje të ndryshme të përhapeshin shpejt mes njerëzve që jetonin aty.

Jacob Riis, i cili emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1870, punoi për policinë e qytetit për të zbuluar kushtet e tmerrshme të jetesës mes emigrantëve. Por vetëm përmes fotografive, dëshmia e tij nisi të ngjallte reagim.

Në vitin 1890, Riis përmblodhi të gjitha fotografitë në një libër të quajtur “Si jeton gjysma tjetër”. Vepra e tij tërhoqi vëmendjen e Theodore Roosevelt, në atë kohë shefi i Policisë së Nju Jorkut, duke e frymëzuar për të punuar për përmirësimin e kushteve të jetesës së emigrantëve dhe banorëve të lagjeve të varfra. /KultPlus.com

Infermierja kosovare në Amerikë: Situata këtu ma kujton shumë luftën në Kosovë

Personeli mjekësor në mbarë botën është vënë në frontin e parë të luftës kundër koronavirusit, shpesh duke paguar një çmim të lartë. Një prej tyre është Syzana Gjokaj, me origjinë nga Kosova, tani menaxhere e ekipit infermier në repartin e urgjencës të Spitalit Presbiterian në Nju Jork.

Në betejën me koronavirusin në punë, Syzana u diagnostikua vetë me COVID-19. Zëri i Amerikës bisedoi me Syzanën dhe vajzën e saj, Sarah, e cila ka vendosur të ndihmojë në mënyrën e saj kolegët e nënës së saj që vazhdojnë betejën kundër koronavirusit.

Prej disa ditësh, Syzana Gjokaj është në karantinë, por më tepër se simptomat, në këtë kohë e shqetëson fakti që nuk është pranë pacientëve.

“Ndihem shumë krenare që mund t’i ofroj njerëzimit këtë që i ofroj, në të njëjtën kohë ndihem me faj që nuk jam atje në fushëbetejë me kolegët e mi. Kam shumë emocione që nuk s’mund t’i shpjegoj as nuk mund t’i filtroj në vetvete, pasi gjithë ekipi im përballet, duke bërë të pamundurën për pacientët”.

Syzana u diagnostikua me COVID-19 në fillim të prillit dhe fillimisht kaloi simptoma më të rënda.

“Temperaturë të lartë, kollitje, zënie në frymë. Kam marrë rezultatin, tani ndihem më mirë. Temperaturë herë kam, herë s’kam. Është sëmundje e paparashikueshme. Mund të them se kam qenë një ndër njerëzit më me fat pasi nuk i kam pasur simptomat siç i kanë pasur njerëzit e tjerë, sigurisht nga ato që kam parë në emergjencë që të bëjnë të tmerrohesh. Kam ndier shumë lodhje”.

Syzana Gjokaj punon në një nga vatrat më të nxehta të COVID-19 në botë. Nju Jorku është epiqendra e epidemisë në Shtetet e Bashkuara:

“Kjo ma kujton shumë luftën në Kosovë. Është e vërtetë se spitali ynë ka implementuar strategji të ndryshme për t’u përballur me këtë pandemi, ka krijuar edhe një repart të ri për kujdesin e pacientëve me COVID. Por në emergjencë është gjithmonë fluksi i pacientëve: ata që e kanë dhe ata që mendojnë që e kanë. I gjithë spitali, i gjithë sistemi është i stërngarkuar. Infermierët edhe mjekët dhe i gjithë personeli mjekësor është fizikisht i dërrmuar, emocionalisht i dërrmuar. Shpesh qajnë, ngushëllojnë njëri-tjetrin. Punojnë jashtëzakonisht shumë, pa marrë pushime dreke, pa shkuar në banjë, pa pirë ujë. Kam parë shumë njerëz duke vdekur, kam parë infermiere duke i dhënë familjarit celularin për të thënë lamtumirën e fundit. Është shumë e vështirë”, u shpreh ajo në këtë bisedë për Zërin e Amerikës.

Duke folur për diagnozën e saj, Syzana shprehet e bindur se duhet të jetë infektuar në spital.

“Mendoj sigurisht se gjatë punës. Emri im ka qenë në nja 50 të pacientëve që kanë dalë me COVID. Mendoj se askush nuk ka qenë i përgatitur për situatën që ndodhemi. Edhe spitali im ashtu. Megjithëse mund të them që kemi pasur pajisje edhe pse i gjithë menaxhmnenti ka thënë që maskat N95 duhet të përdoren vetëm për një ndërrim gjë që ka shkaktuar infektimin e shumë infermierëve dhe mjekëve. Një pakujdesi më e vogël bën që të infektohesh”, thotë Syzana.

Është një situate që ka vënë në rrezik personelin mjekësor në mbarë globin. Sarah 10-vjeçare, vajza e Syzanës, vendosi të ndihmonte me sa mundej për mungesat e maskave.

“Dëgjova në lajme, dëgjova edhe mamin që po flisnin me babin se infermierët dhe mjekët nuk kishin maska të mjaftueshme. Vendosa të hap një llogari ‘gofundme’ për të mbledhur fonde”, tregon Sarah.

“Ne kemi bërë së bashku me Sarën 50 maska, të cilat motrat dhe infermieret, personeli mjekësor e kanë parë si gjë shumë të mirë, pastaj e kanë thirrë Sarën në telefon, duke thënë: ‘do bëj porosi, ma bëj me lule’. Ajo e mori shumë seriozisht”, tregon Syzana.

Syzana ka një mesazh për këdo që e mendon veten të paprekshëm nga kjo sëmundje.

“Edhe pse ca të rinj mendojnë se nuk preken, COVID-i nuk njeh moshë, nuk njeh besim apo ngjyrë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj atë që kam parë në urgjencë, nuk do të kisha dashur ta shoh asnjeri në atë gjendje. Gjendja më e vështirë është ta shohësh dikë duke mos marrë ajër, duke t’u lutur ‘po vdes’; nuk lejojnë familjarë. Paramendoni dikë, qoftë i ri, qoftë i vjetër, të vdesë vetëm, është gjëja më e frikshme që mund t’i ndodhë dikujt. Andaj ju nuk dëshironi të jeni ai njeri… Këtu vjen ajo preventiva: qëndro në shtëpi të parandalosh të gjithë atë”.

Sarah 10-vjeçare është e detyruar të qëndrojë e izoluar nga e ëma për të mos u infektuar. Ato komunikojnë me “FaceTime” përmes celularit. Sarah mezi pret që të mbarojë periudha e karantinës.

“Do ta përqafoj fort. Ndoshta do t’i bëj edhe një dhuratë”, thekson Sarah. / KultPlus.com

Jean Baudrillard: Amerika

Shkruan: Qendrim Badalli

Filozofi francez, postmodern, Jean Baudrillard, në librin e tij “Amerika” shpalos mendimin mbi shumë çështje me rëndësi që janë jetësuar në shoqërinë amerikane. Në një raport dialektik me Europën, autori shpjegon se përse ShBA-ja është utopia e realizuar, ku janë dallimet kryesore mes Amerikës dhe Europës si dhe shtjellon deri në detaje, atë që ai e quan <revolucion të zakoneve> apo mënyrë e të jetuarit, e konsideruar si arma më të fuqishme që posedon Amerika.

Rivalitet dhe progres. Veprime të thjeshta dhe praktike, simuluese dhe publicistike. Aktualitet e dinamizëm. Hapsirë kinematografike. Rrugë të dendura, elektrizuese. Pompoziteti, dhuna dhe seksi. Liria, barazia, demokracia. Multikulturalizmi.

Këto jane disa nga konceptet kryesore për ta dhënë një pasqyrë për Amerikën, e cila pavarësisht se ndanë civilizimin me Europën, sërisht dallimi mes tyre është i dukshëm. Jo në koncepte të reja të jetësuara atje por edhe me të njejtat që kanë krijuar në histori.

Një slogan për Amerikën: “I did it”.

Analizimin e menyrës së të jetuarit të amerikanëve, autori e fillon me individualizmin e tyre të theksuar, i cili shfaqet kudo dhe kurdo. Miliona njerëz të vetmuar që vrapojnë secili për hesapin e vet, duke shmangur grupet, anipse me një ndjenjë të çlirtë të afërsisë.

“Është i pabesueshëm numrin i njerëzve që mendojnë vetëm, që këndojnë vetëm, që hanë dhe flasin vetëm në rrugë. Ndërkaq nuk grupohen. Përkundrazi, i bishtojnë njëri-tjetrit dhe ngjashmëria e tyre është e papërcaktueshme”.

Flamuri amerikan dhe buzëqeshjen e amerikanëve si dy sjellje simbolike reflektojnë karakteristikën kryesore të mënyrës së të jetuarit në ShBA: Vetëreklamimin dhe simulimin. Flamuri amerikan është kudo; në varreza, në qendra banimi, mbi platacione, si shenjë vetëreklamimi ndërsa buzëqeshja është publicitare dhe simuluese; buzëqeshni që të dukeni transparent, buzeqeshni kur nuk keni asgjë për të thënë, apo kur jeni Indiferent ndaj të tjerëve.

“Ky vend është më i miri, unë jam i mirë, ne jemi më të mirët. Është buzëqeshja e Regan-it, tek i cili arrin kulmin vetëkënaqësia e të gjithë kombit amerikan”.

Një slogan për Amerikën: “Just as it is”

Tutje, në Amerikë mungesa e paragjykimeve është mungesë dhe e gjykimeve dhe kjo sjellë një liri në veprime, në komunikim dhe krijon një <kulturë demokratike të hapsirës dhe komunikimit> e cila reflektohet madje edhe në çështjet krejt personale si ato seksuale.

“Në Amerikë-dhe kjo është banale-habitesh nga harresa pothuajse natyrale e statuseve, nga kënaqësia dhe nga liria e marrdhënieve seksuale”

Këtë mënyrë jetese, që quhet revolucion moral dhe revolucion i zakoneve, Tocquevill e quan <Shpirti i Amerikës> përmes së cilit është vendosur një legjitimitet praktik: ai i mënyrës së jetesës.

“Shpëtimi më nuk vjen nga hyjnorja, apo shteti, por prej organizimit praktik ideal”.

Një slogan për Amerikën: “Live or Die”

Në përpjekjet e Baudrillard për t’i analizuar dallimet mes Amerikës dhe Europës, çështja e parë e rëndësishme është problemi i origjinës. Përderisa Europa është e ngarkuar me historinë, revolucionet, shtetin e ideologjinë, si qendra që ndërtojnë origjinën, Amerika nuk është e ngarkuar me këtë problem sepse nuk ka problem identiteti, dhe e ardhmja sipas Baudrillard u takon popujve pa origjinë, pa autencitet, drejt satelitëve artificial.

“Amerika e vjell jashtë çështjen e origjinës, nuk e edukon atë, apo autenticitetin mitik, sepse nuk ka të shkuar, apo të vërtetë themeluese. Ngase s’ka njohur akumulimin primitiv të kohës, ajo jeton në një aktualitet të vazhdueshëm”.

Tutje, Baudrillard mendon se me lindjen e Amerikës, Europa ka filluar të zhduket në kuptimin që ajo më nuk është qendra e miteve dhe e utopisë, sepse <të gjitha mitet e modernitetit sot janë amerikanë> ndërsa Amerika është <utopia e realizuar>.

“Ajo çka mendohet në Europë realizohet në ShBA-gjithçka që zhduket në Europë rishfaqet në San Francisco”.

Dallim tjetër mes Amerikën dhe Europës është edhe jetësimi i multikulturalizmit, apo i përzierjes ndëretnike. Në Amerikë theksi vendoset në identitetet partikulare të cilat krijojnë një klimë rivaliteti dhe sfide mbi të drejta të barabarta teksa në kulturën europiane ka një prezencë historike të dëshirës për universalen, për centralizimin në rrafshin identitar.

“Ndërsa në Amerikë, çdo etni, çdo racë, zhvillon një gjuhë, një kulturë konkuruese, ndonjëherë superiore ndaj asaj “autoktone” dhe ku çdo grup merr me rradhë simbolikisht përsipërinë. S’është fjala për barazinë apo lirinë formale, por për një liri faktike, që shpreheht tek rivaliteti dhe tek sfida, kësisoj, merr një gjallëri të tjetërfarët, një tonalitet të hapur në përballjen ndaj racave. Ne, kultura europiane; jemi një kulturë që ka vënë bast për universalen dhe që është e gatshme të vdesë për universalen”.

Baudrillard shkruan edhe për dallimin ndoshta me të theksuar mes Amerikës dhe Europës: Të konceptimit dhe të realizimit të ideve. Përderisa Europa është e preokupuar aq shumë me transedencën, analizën, konceptualizimin e ideve, Amerika jo që nuk angazhohet në atë drejtim, por përkundrazi merret vetem me materializimin e ideve, me realen, me realizimin e tyre. “I qortojmë amerikanët se s’dinë të analizojnë dhe të konceptojnë. Po kjo do të thotë t’iu bësh gjykimin e gabuar. Jemi ne ata që mendojmë se gjithçka kulminon në transhedencë, dhe që asgjë nuk ekziston po të mos ketë qenë menduar brenda konceptit të vet. Ata jo vetëm që nuk qedrosen për këtë, por prespektiva e tyre është e anasjellta. Jo konceptualizimi i realitetit, por realizimi i konceptit dhe materializimi i ideve.”

Një slogan për Amerikën: “Just do it”

Amerika më nuk e ka monopolin e fuqisë botërore, jo sepse e ka humbur por se më nuk ka qendër në rrafshin ndërkomëtar dhe kështu ajo ka mbetur vetëm një orbitë e fuqisë imagjinare të cilës i referohen të gjithë.

Baudrillard e vendos Amerikën në botën e katërt, botë që është transpolitike, e cila duket se ka përmbyllur çështjet e mëdha emancipuese dhe tash ka kaluar në<çinteresim politik, në çinteresim social>.

“Emancipimi qe një ngjarje historike: ishte emancipimi i shërbëtorëve dhe skllevërve, çkolonializimi i botës së tretë, dhe, në shoqëritë tona, të drejta të reja të fituara: e punës, e votës, e seksit, e femrave, e të burgosurëve, e homoseksualëve. Të drejtat janë fituar gjithandej. Virtualisht bota është e lirë dhe nuk ka për çfarë të luftohet. Por, në të njejtën kohë, grupe të tëra shkretëtirohen së brendëshmi (individë po ashtu). Shoqëria i harron dhe ata harrojnë edhe vetveten”.

Baudrillard shkruan: “Amerika nuk është as një endërr, as një realitet, por një hiper-realitet, është një hiper-realitet sepse është një utopi, e cila, qysh në fillim, është jetuar si e realizuar”.

Për sa kohë ai e sheh Amerikën si hiper-realitet, ku dominon simulimi, bota e informacionit, preokupimi ditor, dhe mungesa e metanarracioneve mbi historinë dhe ideologjinë, Amerikën mund ta quajmë <Toka e Postmodernizmit>. /KultPlus.com

Tocqueville: Kjo është Amerika

Aristokrat në zemër, demokrat në arsyetim

Demokracia është pushteti i një populli të informuar.

Në udhëkryqin mes botës së vjetër aristokratike dhe modernitetit demokratik, në shekullin XIX, Tokëvij qe një prej analistëve më të mprehtë të formave të reja të autoritetit politik. Po ashtu, ishte filozof dhe shkrimtar më kompleks se sa e njohim. Aleksis dë Tokëvij, u bë i famshëm që në moshën 30-vjeçare, nuk ishte një akademik hijerëndë dhe i rreptë, ishte marrëzisht i dashuruar dhe adhurues i udhëtimeve. Lindi më 29 korrik 1805 në Paris, një nga dijetarët më të mëdhenj të mendimit liberal, konsideruar si një nga themeluesit e sociologjisë moderne, filozof politik, politikan, historian dhe shkrimtar francez.

Autori i “Regjimi i vjetër dhe revolucioni” (1856) radhitet me klasikët e fushës, si “Shkenca e re” e Vicos apo “Fryma e ligjeve” e Monteskjesë, sepse i jep veprës vlerën e papërsëritshme “mpleksja e historisë së mirëfilltë me filozofinë historike”, qëllim i përckatuar nga vetë autori.
Pasardhës i një familjeje aristokrate, ai është një nga mendimtarët kryesorë modernë, në vazhdimësinë e Monteskiesë. Më mirë dhe më shpejt se çdokush tjetër, ai pa lindjen e demokracive moderne dhe rreziqet që e kërcënonin. Puna e tij mbetet e gjallë dhe meriton të lexohet dhe të shijohet nga të gjithë dashamirët e prozës së bukur dhe idetë e mëdha.

Më 1831 filloi studimet për sistemin amerikan të burgjeve, model i mundshëm për zëvendësimin e sistemit të vjetër francez, por në fakt, siç tregon edhe korrespondenca e tij, ai synonte të shqyrtonte sistemin politik. Në 1835 fitoi çmimin “Montyon” për librin “Demokracia në Amerikë”. Nga viti 1839 deri në 1851 qe deputet, Ministër i Punëve të Jashtme në 1849, u burgos disa ditë pas grushtit të shtetit të vitit 1851. Shkroi “Regjimi i vjetër dhe revolucioni”, ku gjykon fisnikërinë franceze, e cila nuk diti të përshtatej, siç kishte bërë fisnikëria britanike.
Tokëvij ndëron një analizë krahasuese si në kohë dhe në hapësirë. Duke u larguar nga udhëtimet dhe analiza krahasuese e “Regjimit të vjetër dhe revolucioni”, do t’i lejojnë të zhvillojë një analizë të procesit të demokratizimit. Për të, demokracia para së gjithash përcaktohet si procesi i barazimit të kushteve dhe qasjes gjithnjë e më të madhe të qytetarëve në çështjet publike. Ai pohon se “ndërsa studioja shoqërinë amerikane, hulumtova gjithnjë e më shumë, barazinë e kushteve, faktin gjenerues, nga dukej se rridhte çdo fakt i veçantë, e gjeta vazhdimisht si një pikë qendrore ku përqendroheshin të gjitha vëzhgimet e mia përfundimtare”.

Procesi i demokratizimit dhe gjithë fuqia e vullnetit të shumicës mund të çojë, sipas tij, në sakrifikikin e lirive. Kërcënimi i parë që mund të sjellë procesi i barazimit të kushteve është tirania e një legjislacioni uniform dhe ajo e fuqisë së centralizuar. Procesi i demokratizimit rrezikon despotizmin e shumicës, që do të impononte vendimet mbi mbarë popullsinë. Të gjitha mendimet janë të barabarta në këtë regjim të vullnetit popullor, dhe shumica e imponon veten si parimin e vetëm të vendimit.

Falë udhëtimit në zemër të demokracisë amerikane, ai do të nxjerrë në pah rëndësinë e procesit të demokratizimit në tranzicionin drejt modernitetit. Megjithatë, ky proces i pashmangshëm dhe i domosdoshëm, i duket një kërcënim për lirinë e njerëzve në shoqëri. Despotizmi demokratik i bazuar në pasionin për barazi rrezikon të dobësojë lidhjen që lidh qytetarët në shoqëritë bashkëkohore demokratike duke çuar në sakrificën e lirive.
Sipas tij, në demokraci autoriteti buron nga brenda shoqërisë dhe nuk i imponohet asaj nga jashtë, as në formën e besimit fetar dhe as në formën e shtetit. Rregullat e shoqërisë politike, sipas Tokëvij, burojnë nga rregullat e shoqërisë civile. Dinamikat sociale dhe rregullat politike janë të ndërthurura dhe në sinergji me njëra-tjetrën. Demokracia është një gjendje, mënyrë e ekzistencës së shoqërisë, sintezë e vlerave dhe normave të saj. Shoqëria demokratike nuk është gjë tjetër, veçse produkt i vlerave dhe normave të shoqërisë, i besimeve dhe kulturës së saj. Pra, demokracia është një riprodhim i vlerave shoqërore. Demokracia e udhëheq shoqërinë drejt shtigjeve dhe realizimit të qëllimeve të saj, pra e ndihmon atë të gjejë dhe të rikrijojë vetveten.

Liberalizmi nuk nënkupton demokracinë, por përpiqet të martohet me të, por sa kohë mund të vazhdojë kjo martesë? Tokëvij kuptoi se demokracia është e pashmangshme. Pra, pyetja nuk është “A ka një demokraci?”, por “Si mund të jetë demokracia më e mirë?”. Për t’iu përgjigjur pyetjes ai shkon të studiojë modelin amerikan, duke përshkruar në të njëjtën kohë të mirat dhe devijimet e saj.
“Më duket përtej dyshimit, se herët a vonë do të arrijmë, si amerikanët, në barazinë pothuajse të plotë të kushteve […].
Tokëvij mori të gjitha rreziqet e angazhimit. Ai ishte njeriu i raporteve të mëdha mbi çështjet politike dhe shoqërore, pa iu larguar kurrë vizionit etik: reforma e burgjeve, braktisja e fëmijëve, heqja e skllavërisë, kolonizimi i Algjerisë, denoncimi i gjenocidit të amerindianëve, etj.
Në zemër të mendimit të tij ekziston bindja e ushqyer nga përvoja e Shteteve të Bashkuara: liria është më e efektshme se sa aktet e autoriteteve të vendosura nga lart.

“Demokracia në Amerikë” (1835), vepra e tij e madhe, e botuar pas udhëtimeve të tij në Shtetet e Bashkuara, është konsideruar një punë e hershme e sociologjisë dhe e shkencës politike. Një përfaqësues i shquar i traditës klasike liberale politike, Tocqueville ishte një pjesëmarrës aktiv në politikën franceze, në Monarkinë e parë korrik (1830-1848) dhe më pas, gjatë Republikës së Dytë (1849-1851) e cila pasoi Revolucionin 1848 shkurt.
Demokracia dhe socializmi nuk kanë asgjë të përbashkët përveç një fjale: barazi. Mirëpo, ndërsa demokracia kërkon barazi në liri, socializmi kërkon barazi në kufizim dhe në robëri.

Në vitin 1857, ai udhëtoi drejt Anglisë për të përgatitur vazhdimin e “Regjimi i vjetër dhe revolucioni”, por nuk pati kohën e mjaftueshme për të mbledhur shënimet. Në tetor 1858, ai u largua me gruan e tij për në Kanë, ku vdiq nga tuberkulozi.

Amerikanët janë aq të dashuruar ndaj barazisë, sa do të donin të jenë më mirë të barabartë në skllavëri se të pabarabartë në liri.
Liria nuk mund të krijohet pa moral, as morali pa besim.
Teksa dikush gërmon thellë në karakterin kombëtar të amerikanëve, e sheh se ata kanë kërkuar vlerën e çdo gjëje në këtë botë vetëm në përgjigje të kësaj pyetjeje të vetme: sa të holla do të sjellë?
Në Shtetet e Bashkuara, shumica merr përsipër të ofrojë një numër të gatshëm mendimesh për përdorim nga individët, të cilët janë liruar kështu nga nevoja e formimit të opinioneve të tyre.
Madhështia e Amerikës nuk qëndron në të shkolluarit më shumë se çdo komb tjetër, por më tepër në aftësinë për të riparuar gabimet e saj. 
Historia është një galeri fotografish, në të cilat ka pak origjinalet dhe shumë kopje
Jeta është për të hyrë atje me guxim.
Kur e kaluara nuk ndriçon të ardhmen, shpirti ecën në errësirë
Nuk mund të mos druaj se njerëzit mund të arrijnë një pikë ku ata ta shikojnë çdo teori të re si një rrezik, çdo risi si një telash të mundimshëm, çdo përparim social si një hap i parë drejt revolucionit, dhe se ata mund të refuzojnë absolutisht për të lëvizur përpara
Të gjithë ata që kërkojnë për të shkatërruar liritë e një kombi demokratik, duhet ta dinë se lufta është mjeti më i sigurt dhe më i shpejtë për ta bërë këtë.
Në një revolucion, si në një roman, pjesa më e vështirë është të shpiket fundi.
Në politikë urrejtjet e përbashkëta janë pothuajse gjithmonë baza e miqësisë.
Ata që përçmojnë popullin, kurrë nuk do të marrin më të mirën nga të tjerët, as nga vetja.
Asnjë luftë e zgjatur nuk mund të dështojë së rrezikuari lirinë e një vendi demokratik.
Ka dy gjëra që një popull demokratik gjithmonë do t’i ketë shumë të vështira: për të filluar një luftë dhe për t’i dhënë fund asaj.
Një amerikan nuk mund të bisedojë, por ai mund të diskutojë dhe diskutimi i tij kalon në një disertacion. Ai flet me ty sikur po flet në një mbledhje; dhe nëse ndodh të kalojë në një diskutim të ngrohtë, ai do t’i thotë “Zotërinj” personit me të cilin është duke biseduar./Konica.al

Ambasada amerikane në Beograd kërkon ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi

Ambasada amerikane në Beograd, tha të hënën nëpërmjet një komunikate se ndriçimi i vrasjes së tre shtetasve amerikanë 20 vjet më parë është përparësi në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

“Sot shënojmë një përvjetor të zymtë. Njëzet vjet më parë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi u morën nga një stacion policisë dhe u dërguan në njësinë e posaçme të policisë. Dy vjet më pas, trupat këtyre tre shtetasve amerikanë u gjetën në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë nën komandën e Goran Radosavleviqit. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë”, shkruan në komunikatën e ambasadës.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet. “vrasjet ende nuk janë hetuar në mënyrë të duhur dhe plotësisht. Vdekjen e tyre nuk mundemi dhe nuk do ta harrojmë”, thuhet në komunikate në të cilën theksohet se “vendosja e drejtësisë për vëllezërit Bytyçi, mbetet përparësi në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë. Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje autoriteteve serbe, që janë zotuar të ndihmojnë për këtë rast për shumë vjet, ta zgjidhin atë”, thuhet në komunikatë.

Që nga vitit 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas Departamenti amerikan i shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe për të cilin siç thuhej në njoftim, ekzistojnë dëshmi të besueshme se është përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro amerikanë, në vitin 1999.

Goran Radosavleviq, i njohur si Guri, është një nga bashkëpunëtorët e ngushtë në partinë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë shtruar vazhdimisht trysni mbi Beogradin që të ndriçojë këtë rast ndërsa një grup ligjvënësish amerikanë kishte kërkuar që përparimi në këtë çështje të jetë faktor thelbësor në vendosjen e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë/VOA. / KultPlus.com

Mbretëresha e këngës shqiptare Nexhmije Pagarusha dekorohet nga presidenti Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka dekoruar me medaljen e “Mirënjohjes”, mbretëreshën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Çmimi i mirënjohjes iu akordua këngëtares Pagarusha përmes propozimit të një Akademie në Florida, i cili është çmim periodik vjetor që firmoset nga Presidenti amerikan për Personalitete që kanë impakt mbi njerëzit dhe shoqëritë e tyre, konkretisht në fushën e artit.

Për nder të ditëlindjes së saj ua rikujtojmë se ky çmim iu nda vitin e kaluar si një ndër çmimet më të rëndësishme në karrieren e saj.

Në ceremoninë e organizuar për 85-vjetorin e artistes së madhe shqiptare në Akademinë e Arteve në Tiranë, nga Shoqata RessEgnatia dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova, familjarë, miq, artistë dhe artdashës.

“Mirë se ju gjeta. Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur, kaq e lumtur jam. Nuk di kush është më i kënaqur, unë që jam me ju, apo ju me mua”, u shpreh artistja e madhe.

Nexhmije Pagarusha ka lindur më 7 maj 1933, është një këngëtare dhe aktore shqiptare, e mbajtur si mbretëresha e muzikës shqiptare. Me një karrierë të ndritur Pagarusha është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera./KultPlus.com

Rita Ora uron pavarësinë e Amerikës me një fotografi provokuese (FOTO)

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora ditën e sotme ka postuar një foto në Instagram me të cilën i ka uruar ndjekësit e saj amerikanë për ditën e pavarësisë.

Ylli i muzikës pop ka postuar për ndjekësit e saj një foto vetëm me të brendshme e ku posht saj ka shkruar: ‘Happy 4th to all my Americano’s ‘ apo ‘Urime 4 korriku për të gjithë amerikanët e mi’../ KultPlus.com


Ishulli Ellis, aty ku filloi ëndrra amerikane e imigrantëve shqiptarë (Video)

Thuhet shpesh se Amerika është një ide, jo thjesht një vend. Me dëshirën për të kërkuar lirinë dhe një jetë më të mirë, për të realizuar ëndrrën e tyre larg shtypjes, dhunës dhe privimeve, emigrantë të shumtë populluan Shtetet e Bashkuara gjatë dekadave.

Shumica, mes tyre edhe shqiptarë, shkelën së pari në Amerikë përmes një ishulli të vogël të quajtur Ellis Island në Gjirin e Nju Jorkut, ku sot ka një muze për nder të atyre emigrantëve.

Dikur ky ka qenë kompleksi i stacionit të imigracionit dhe sot është restauruar për t’i dhënë pamjen që kishte në fillim të viteve 1920.

Përmes këtij kompleksi ndërtesash, në Ellis Island kanë hyrë në Amerikë rreth 12 milion emigrantë.

Më shumë se 40 për qind e amerikanëve mund të gjejnë gjurmë të familjeve të tyre në Ellis Island.

Shumica e imigrantëve që hynë në Amerikë nëpër këtë pikë pranimi ishin nga Evropa lindore dhe jugore. Ata vinin këtu për t’u larguar nga varfëria, luftrat dhe padrejtësitë politike apo shoqërore në vendet e tyre.

Shumë shqiptarë kanë hyrë në Amerikë përmes Ellis Island. Është e pamundur të dish numrin e saktë, por aty-këtu në muze gjen gjurmë të tyre.


E famshme është kjo foto e shqiptares që ka ardhur në Amerikë rreth vitit 1905 dhe që kuratorët e kanë vendosur në një vend të dukshëm të muzeut. Kjo pasaportë i përket një gruaje nga fshati Rrëmbec i Korçës, të datëlindjes 1853. Pullat në pasaportën e saj janë me flamurin e Shqipërisë së Princ Vidit. Arësyeja e udhëtimit? “Punë vetiake”, shënohet në pasaportë.


Një tjetër person me mbiemrin Pojani, ka hyrë këtu në vitin 1928. Shumë prej atyre që merrnin rrugën e emigrimit, në fillim bënin qindra kilometra në këmbë, me kuaj ose me mjete të tjera për të arritur në një port prej nga të merrnin një anije drejt Amerikës.

Udhëtimi me anijet shpesh të tejmbushura zgjaste disa javë.Njerëzit vinin të ngarkuar me valixhe të rënda, si këto që janë ekspozuar këtu.

Një nga gjërat e para që shinin emigrantët kur arrinin në Gjirin e Nju Jorkut, ishte Statuja e Lirisë, e ngritur në një ishull tjetër këtu pranë. Atje ku është liria është vendi im, thoshte Benjamin Franklin, njëri ndër themeluesit e Shteteve të Bashkuara. Dhe kjo është ideja me të cilën vinin këtu udhëtarët, të cilët brohorisnin, ose qanin nga gëzimi kur kalonin pranë këtij simboli të famshëm të Amerikës.

Të ardhurit inspektoheshin në fillim nga zyrtarët e shëndetësisë, kur anija ishte ende në det. Ata që e kalonin inspektimin silleshin në Ellis Island për procedurat e imigracionit. Kishte të tjerë me shenja sëmundjesh që ktheheshin mbrapsht nga autoritetet, sepse nuk e kalonin dot provën. Ata përbënin rreth 2 përqind të të gjithë udhëtarëve.

Ellis Island quhej ndonjëherë “Ishulli i Lotëve”, për shkak të atyre pak njerëzve që detyroheshin të ktheheshin pas kalimit të mundimshëm të oqeanit.

Pas Luftës së Parë Botërore, kur emigrimi nga Evropa drejt Amerikës mori përmasa të reja, Kongresi amerikan vendosi kufizime për numrin e njerëzve që hynin në vend.


Viti 1921 shënoi fundin e imigracionit masiv drejt Amerikës. Emigrantët që lejoheshin të hynin, duhet ta merrnin miratimin në konsullatat amerikane jashtë.

Pak më vonë, funksioni kryesor i kompleksit Ellis Island ndryshoi. Ai u kthye në një qendër paraburgimi dhe deportimi për të huajt që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme, ose që dyshohej se kishin shkelur procedurat.

Në vitin 1932, ish-Kryeministri i Shqipërisë, Fan Noli u mbajt këtu për gati një javë derisa mori miratimin e autoriteteve, që dyshonin se viza e tij e nxjerrë në Hamburg të Gjermanisë ishte e parregullt.

Në Ellis Island ka një bazë të mirë të dhënash me emrat e emigrantëve që kanë hyrë nëpër këtë pikë emigracioni dhe aty mund të gjesh emra shqiptarësh, të cilët kanë ardhur në Amerikë kush për të emigruar e të tjerë si vizitorë.

Ju mund të provoni të kërkoni në listën e udhëtarëve online, sepse mund të gjeni aty emrin e gjyshërve ose të stërgjyshërve tuaj, që dikur erdhën në Amerikë për të kërkuar një jetë më të mirë përtej oqeanit.

Fotografitë që dëshmojnë lidhjen e Kosovës me Amerikën (FOTO)

Kosova vazhdon të ketë lidhje emocionale, politike dhe ekonomike me vendin që 20 vjet më parë bëri një ndërhyrje perëndimore në luftën e saj me Republikën Federale të Jugosllavisë, duke çuar përfundimisht në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, shkruan “The Guardian”, përcjellë KultPlus.

Në vitet 1990 Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, çdo të premte mbyllte konferencën për media me fjalët “Zoti bekoftë Amerikën dhe miqtë tanë perëndimorë”. Kjo frazë u mishëruar me popullin dhe lidhshmëria vetëm u forcua kur Bill Klinton urdhëroi NATO-n që të bombardojë objektet serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Në ditët e sotme është vështirë të gjendet ndonjë gjurmë fizike e luftës. Një brez tashmë është rritur në një ambient paqeje dhe stabiliteti relativ. Megjithatë, ndjenja pro-SHB-së është ende e pranishme, përcjellë KultPlus.

Një nga rrugët kryesore në Prishtinë, quhet Bulevardi Bill Klinton, në emër të presidentin amerikan në kohën e luftës së Kosovës. Rrugë të tjera, shkolla dhe qendra sportive, janë emëruar me emrin e ish-sekretares së shtetit, Madeleine Albright, po ashtu dhe me emrin e kongresmenit amerikan Eliot Engel, ish-presidentit George Bush dhe udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s përfshirë Tony Blairin e Britanisë së Madhe, për të cilët Kosova është shumë e dashur.

Çdo 4 korrik, Dita e Pavarësisë së SHBA, festohet edhe në Prishtinë. Zjarrfikësit në Prishtinë pastrojnë statujën e Bill Klintonit në një shesh qendror dhe zëvendësojnë flamurin amerikan që fluturon aty pranë. Ceremonia organizohet nga Shoqata e Miqve të Amerikës në Kosovë dhe në të marrin pjesë zyrtarë publikë dhe ushtarakë si dhe përfaqësues të ambasadës amerikane./ KultPlus.com

“Time” e quan obsesion marrëdhënien e Kosovës me Amerikën

Nëse në gjithë botën ka rënë entuziazmi për SHBA-në pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit, asgjë nuk ka lëkundur besimin e madh të Kosovës për këtë shtet.

Kjo është hyrja e tekstit të revistës prestigjioze “Time” që e quan Obsesion marrëdhënien e Kosovës me Amerikën. Dashuria e madhe e kosovarëve për këtë shtet është ilustruar nëpërmjet fotografive të fotoreporterit spanjoll, Cesar Dezfuli.

Në këto fotografi zë vend, natyrisht, statuja dhe sheshi “Bill Clinton” e butiku me emrin e gruas së tij. “E ky në mes është Klinton Bajgora, nga fshati Dobratin i Podujevës. Ai ishte fëmija i parë i familjes pas luftës dhe babai nuk kishte dilemë për emrin”.

Në shkrim paraqitet edhe një nga villat e deputetit Ramiz Kelmendi, për të cilat thuhet se janë kopje të ndërtesave qeveritare amerikane. E gjithë shtëpia e Qamil Brahimit në komunën e Ferizajt duket e dekoruar këtu në nderim të Ditës kombëtare të Amerikës, 4 korrikut.

Po në Ferizaj, Ruzhdi Kuçi i njohur si amerikani, e ka gjithë shtëpinë të dekoruar, madje me fotografi të shumë ish-presidentëve amerikanë. Sipas “Time” kosovarët edhe armët i dekorojnë me simbole amerikane, e edhe stërvitin me simbole amerikane.

“Kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Kisha dëgjuar për statujën e Bill Clintonit, dhe më pas kur e dëgjova për Amerikanin, u intrigova më shumë dhe mendoja se do të ketë akoma më shumë. Edhe kishte”, ka thënë Dezfuli. Mediat kryesore ndërkombëtare janë në Kosovë këto ditë për shkrime speciale për Kosovën në përvjetorin e pavarësisë.

Statuja e Skënderbeut në SHBA, fotografia e ditës nga Ambasada Amerikane në Tiranë

Ambasada Amerikane në Shqipëri, përmes profilit të saj zyrtar në Facebook, ka shpërndarë fotografinë e statujës së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, statujë kjo e vendosur në kodrat Rochester, Miçigan, SHBA.

Këtë fotografi, Ambasada e ka cilësuar si “Foto të Ditës”.

“Foto e Ditës | Statuja e parë e Skënderbeut në Shtetet e Bashkuara, në kodrat Rochester në Miçigan. Statuja qëndron pranë kishës katolike shqiptare të Shën Palit, e cila u themelua në 1981 nga emigrantë shqiptarë, shumë prej të cilëve ishin vendosur në kontenë Okland gjatë viteve ’70”, ka shkruar Ambasada në postimin e saj në Facebook.

Fotografia ndërkaq është shpërndarë fillimisht nga profili “Team Albanians” në Twitter./ KultPlus.com