Stefan Zweig përballë varrit të Tolstoy-t

Në vitin 1914, pak para se të niste lufta e parë botërore, shkrimtari austriak Stefan Zweig ndërmerr një udhëtim në Rusinë e kohës. Prapa kësaj vizite fshihej dëshira e kahmotshme e Zweig për ta vizituar varrin e idhullit të tij, Tolstoyt

Përshkrimin e vendit ku Tolstoy pushon përjetësisht, Zweig e jep tek vepra autobiografike “Bota e djeshme”:

“Në Rusi nuk pashë gjë më të madhërishme e më mallëngjyese se varri i Tolstoit. Ai vend i ndritur pelegrinazhi ndodhet i mënjanuar e vetmitar në thellësi të një pylli. Një shteg i ngushtë të çon deri tek ajo tumul, e cila nuk është gjë tjetër veçse një kuadrat dheu i hedhur, që nuk e ruan askush, nuk e mbron askush, vetëm ca pemë të mëdha i bëjnë hije. Ato pemë të larta, më shpjegoi para varrit mbesa e tij, i pati mbjellë vetë Lev Tolstoi. Qysh kur ishin fëmijë, ai dhe i vëllai Nikolaj kishin dëgjuar nga goja e një gruaje të fshatit legjendën se një vend ku njeriu mbjell pemë, bëhet vend fatlum. Dhe kështu, si duke luajtur, patën ngulur në tokë disa filiza. Vetëm më vonë i ranë ndër mend burrit plak ato fjalë të mrekullueshme profetike, dhe shprehu menjëherë dëshirën për t’u varrosur nën ato pemë që i kishte mbjellë vetë. U bë ashtu siç deshi ai, dhe tani ky varr është më mbresëlënësi në botë me atë thjeshtësinë e vet prekëse. Një tumë e vogël katërkëndëshe mu në mes të pyllit, rrethuar nga pemë degëgjata. As kryq, as gur varri, as mbishkrim. Ai burrë i madh u varros pa emër, ai që vuajti si askush tjetër nga emri e nga lavdia, krejt si endacak i gjetur rastësisht, si ushtar i panjohur. Askujt nuk i ndalohet të shkojë te banesa e tij e fundit; ai gardhi me dërrasa të rralla rreth e qark nuk është i kyçur. Asgjë tjetër përveç nderimit të thellë të njerëzve nuk e ruan prehjen e fundit të atij që nuk gjeti prehje kurrë në jetë. Ndërsa gjetkë kërshëria mezi pret të ngopet me salltanetin e varrit, këtu thjeshtësia imponuese zhvlerëson çdolloj qejfi për salltanet. Era fëshfërin si zë Perëndie sipër varrit të atij njeriu pa emër. Nuk dëgjohet asnjë zë tjetër, njeriu mund të kalojë aty pari duke menduar vetëm se në atë vend është varrosur dikush, një rus cfarëdo në tokën ruse. As kripta e Napoleonit poshtë kubesë së mermertë të katedralës së Invalidëve, as arkivoli i Gëtes në kriptën e princërve, as ato përmendore varresh në abacinë e Uestminsterit nuk të lënë aq mbresë sa ky varr mrekullisht i heshtur, sa ky varr prekës i paemër, diku në mes të pyllit, i rrethuar nga fëshfërima e erës e që nuk jep vetë asnjë mesazh, nuk thotë as edhe një fjalë”.

Përktheu: Aristidh Ristani./KultPlus.com

Sa mirë, atëherë…

Poezi nga Zef Zorba

Sa mirë, atëherë, o mite, kur isha fëmi; 
i lodhur prej lodrimesh gjithë ditën, 
nën hije të një shelgu bija këputur gjumi: 

ëndrra 
gjithfarë, plot ndriçime. I pezmatuar 
tash vetëm ndrydhi, e nata, e ditës lubi, 
shpirtin ndër helme përkundë, 
e arsyeja brehet 
panda, e brenë. 
E në agim shiroku, 
një mbas një, sy lotues ngulitë mbi xhame; 
bie ora pesë: unë kryqin marr në krah 
e më pak frymë fillohen për Kalvar. 

Eci. Dhe me ngadalë e lehtë një këngë sajohet 
ndër dej: “ad adiuvandum me festina”. 
E këmba përmbi baltë len gjurmë të thella.  /KultPlus

Muhamedi dhe Samiri, historia e dhimbshme e dy burrave

Siria e vitit 1889.

Samir, një i krishter shkurtabiq dhe i paralizuar nga këmbët, e mban në krahë Muhamedi, një mysliman i verbër. Samir e orienton mikun e tij nga të hedhë hapat dhe nga të shkojë, kurse Muhamed bën rolin e transportuesit rrugëve të qytetit.
Të dy jetonin bashkë dhe banonin në një shtëpi. Ndërkohë që Muhamedi dëfrente klientët me rrëfenja të ndryshme në një kafene, Samir shiste gjëra të vjetra.
Një javë pas vdekjes së Muhamedit të verbër, vdiq nga pikëllimi dhe miku i tij Samir.
Historia e Muhamedit dhe Samirit nuk është histori e një myslimani dhe të krishteri që bashkëjetonin dhe ndihmonin njëri-tjetrin, ajo është historia reale e njerëzimit, pavarësisht identitetit fetar, por larg perdorimit politik dhe ideologjik te fese.
Na ishte një herë Siria, vend ku dallimet tejkaloheshin nga humanizmi dhe dashuria.

Elmaz Fida

E lumtur në sytë e vdekjes

I urrej të gjithë ligjëruesit dhe kjo nuk është një ligjeratë. Është një tufë llomotitjesh të një njeriu të rënë në kllapi, dhe ti si lexues ke absolutisht të drejtë ti injorosh rreshtat në vazhdim.

Kam vendosur të vdes. Jo, jo ta vras veten. As të pres vdekjen. Por të vdes. Kjo është ndryshe. A është në gjendje njeriu ta vendosë vetë vdekjen e tij? Mendoj se në një mënyrë të ҫudtishme, Po. Pse vendos njeriu të vdes? Nuk e di për të tjerët, por unë dua të vdes sepse dua të jetoj.

Sërish, kam vendosur që unë do të vdes herët. Në dhjetë vjet do të jem aq mirë sa një kockë e kalbur. Ky vendim nuk është tërësisht i vetëdijshëm, i pavarur, por është pikërisht se si duhet të jetë. Nuk është një vetëvrasje dhe ky nuk është një shënim vetëvrasës. Është vetëm rruga e fatit tim dhe nuk kam asnjë rezistencë ndaj saj. Jeta ka vendosur për mua. Vdekje natyrale. Nuk kam nevojë për moshën e vjetër dhe nuk kam nevojë për një pension. Dhe jo, nuk është gjynah, çfarë ndryshimi do të bëjnë 20 vite të tjera të jetës? 20 vjet më shumë do të vazhdoj të tërheqi jetën zvarrë derisa orët të mos kërcasin më.

Jam 20 vjeç dhe fakti që unë zvarris jetën sikur të gjithë të tjerët vetëm për të jetuar, thjesht për të mos vdekur, vetëm kështu që organet e mia vazhdojnë të funksionojnë, është një gjë e neveritshme për mua, por vazhdoj ta bëj. Ҫ’kuptim të jetojmë kështu si bagëti? Jeta ose duhet të jetë një akt i madhërishëm, ose s’duhet të jetë hiҫ. Ose duhet të jetë një kolose që na mbush me drithërima, një festival i shpërthimit, dalldisë dhe ngazëllimit, ose më mirë të fshihet përgjithmonë. Si një ҫmenduri e Edipit duhet të na shkulë sytë në mënyrë që të shohim me skutën e zemrës. Si një pikturë e renesancës duhet të na shkund nga mpirja, mpirja që vetë e kemi ndërtuar. Vetëm njerëzit e lashtë mund të flasin për ndjenjën. Të jesh e dëshpëruar, por të jetosh sikur ke pafundësinë para vetes! Sa patetik është njeriu…..dhe për një pafundësi të tërë, të mendosh se do të vijë momenti kur sytë e mi do të shohin dhe zemra ime do të ndiejë dritën, por kjo nuk vjen. Dhe pastaj cfarë? Pastaj papritmas e shoh se koha nuk është aq e ngadaltë sepse tani kam flokë gri dhe gjinjtë e mi po bien poshtë, dhe unë thjesht nuk mund ta duroj dot idenë që kam shpenzuar 70 vjet jetë, thjesht duke e tërhequr ashtu kot.

Kjo është arsyeja pse unë zgjedh vdekjen. Vdekja është shumë herë më e bukur se e gjithë kjo. Dhe nuk dua të zgjedh vdekjen vetëm në mendjen time, dua ta ndiej njoftimin e shkurtër të vdekjes. Dua jetën e shkurtër të fluturës. Unë dua që krahët e mi të qepen për drurin e fortë të një peme masive dhe të vjetër, dua të humbas mes gjetheve, dua të fluturoj mes fushave dhe pastaj dua t’i mbyll sytë dhe të pushoj përgjithmonë në një luledielli.

Duket sikur kaluan mijëra vjet dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Unë ende ndjehem njëjtë. Kam qenë kohë më parë e zhytur në këtë humnerë të thellë dhe të ngushtë. E errët dhe e panjohur. Mijëvjeҫarët kanë kaluar që prej ҫastit ku gjithçka që unë di është errësira. Ju mijevjeҫarë keni kaluar, derisa unë kam qenë duke u përpjekur të bëhem pjesë e botës së shëndoshë. Mijëra kanë kaluar që nga momenti kur harrova se si të komunikoj. Mijëra kanë kaluar që kur unë nuk jam më një eksperiment interesant për veten time. Mijëra dhe mijëra kanë kaluar që kur unë zgjohesha dhe flija me të njëjtat absurditete, kompleksitete dhe hidhërime të trurit tim. Për një përjetësi, unë kam qenë e frikësuar. Për një përjetësi, më mungon pafajësia, harbësia dhe loja e të qenit fëmijë. Por gjithsesi, pavarësisht nga përjetësia ime, jashtë retë kanë lëvizur, toka ka mbaruar disa herë rrokullisjen e vet dhe dielli e hëna kanë vazhduar të ngrihen e të bien, dhe valët e kanë puthur bregun. Ditët kanë vazhduar të rrjedhin dhe duart e orës kanë rrëshqitur, tërësisht indiferente ndaj humanitetit tim. Plotësisht amorale dhe e shurdhër për jo vetëm vuajtjet e mia, por edhe ekzistencën time, derisa një ditë nuk do dëgjohen më.

Unë do të jetoj si një person që po vdes nga një sëmundje e rëndë, e mbushur me jetë. Dhe pastaj do të largohem nga kjo botë mizore. Unë nuk do të them asgjë dhe unë do të harrohem, dhe kjo është liria përfundimtare. Unë jam vetëm një pikë e vogël në hapësirë dhe kohë. Unë jam vetëm një parazit i mbërthyer në lëkurën e botës. Unë jam vetëm një insekt i vdekur që do të hidhet larg. Dhe e dua këtë. Kur e tërë bota vrapon si një tufë e ҫmendur për një copë reputacioni, dua lirinë absolute të të qenit asgjë, pa asnjë hesap, të mos u përgjigjem asnjërit, pos vetes. Kjo merr më shumë forcë se çdo gjë tjetër.

Jetën nuk e mas me vite por me përjetime, prandaj nuk mjaftohem asnjëherë. Prandaj nuk ngopem me jetë, dua më shumë, e dua të gjithën. Lukset, profesionet, studimet, idetë, zgjuaristë, mbani për vete. Dua vetëm dramën antike për jetë. Prandaj nuk di ҫka të bëj tjetër përpos të ҫmendem. Prandaj nuk kam udhë tjetër veҫse të ulëroj si një kuҫkë e tërbuar.

Shkruan: Eranda Bokshi

Mentor Shala nga RTK tregon arsyet pse Kosova nuk u pranua për pjesëmarrje në Eurovision

Mentor Shala / RTK / Facebook

Dje RTK nuk arriti që të bindë 3/4 e anëtarëve të EBU që ta pranojnë Transmetuesin Publik të Kosovës në këtë organizatë evropiane të transmetuesve. RTK për vite me radhë e zhvilloi betejen e vetme me shtetin e Serbisë dhe Rusisë. Pas shumë viteve të përpjekjeve të vazhdueshme së paku arritëm ta fusim në agjendë ndryshimin e statutit ku do t’i mundësohej RTK-së të ishte pjesë e kësaj organizate dhe me këtë edhe Kosova mund të përfaqësohej në Festivalin të Eurosongut.

Por, në luftën kundër nesh u angazhua direkt Qeveria e Serbisë dhe ajo e Rusisë. Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq dhe personalisht edhe Vuçiç kishin mobilizuar të gjitha ambasadat e Serbisë për të penguar këtë proces. Ndërsa, RTK ishte pa mbështetjen e diplomacisë kosovare! Ne si RTK, të vetëm arritëm t’i sigurojmë 400 vota, por pala kundërshtare kishte siguruar më shumë!

Në fakt dje u pa ajo që po diskutohet anekënd globit- Beteja e Rusisë kundër vendeve perëndimore! U pa sa thellë ka depërtuar Rusia nëpër shumicën e organizatave evropiane! Në fakt e kanë marrë kontrollin në shumë prejt tyre! Fatëkeqësisht edhe në një organizatë profesionale siç është EBU e që fare nuk do të duhej të ndikohej nga politika. Por ja që edhe EBU është e ‘pushtuar’ nga ndikimi rus!

P.S. Një mik imi dhe i RTK-së, Kleart Duraj (përfaqësuesi i Shqipërisë në EBU që na ka ndihmuar shumë në këtë proces), gjatë një debati të ashpër që kishim me zyrtarët e EBU, ua tha troç: “Fatkeqësia në këtë rast është se në EBU nuk ka amerikanë sepse po të kishte amerikanë do ta shihnit ju si do të kishit votuar”!

Kaq!

Kolë Idromeno, personazhet që fsheh në piktura dhe modelja me syze, kapelë e kapotë të qepur me dorë

Nga Fatmira Nikolli

Duhet të ketë hyrë në studion e Kolë Idromenos, me shaminë e bardhë, napë në kokë, me hapin e lehtë. Rrudhat i dalin në pah dhe tregojnë një grua mbi të 70-at, me nofulla të futura brenda, me gjasë nga dhëmbët e rënë. Është kapur në profil. Në kokë mban një kapele tip ‘hikers’ dhe një palë syze ‘vintage’ në formë rrethore (që mbase janë edhe syze piloti). Nëse nuk do dije emrin e fotografit që ka fiksuar këtë çast, do mund të mendoje shumëçka. Plaka me rrudha, me napën mbi krye ku shquhet edhe qëndisma e lehtë, me syze e kapelë është shndërruar në një zonjë shumë ‘stil’. Prapë do të mbeteshim të paqartë mbi statusin e saj social, nëse shpatullave të imta nuk do të kishte hedhur kapotën e vjetër. Nga supet i shquhet qartë qepja e shkujdesshme me dorë. Gjithë imazhi për të ndryshon. Zonja me kapelë, me shumë gjasa është një grua krejt e zakonshme të cilës Kolë Idromeno, i kërkoi një ditë të pozonte për të. Me dy aksesorë, e moshuara ka marrë pamje tjetër, që tradhtohet vetëm prej qepjeve të palltos. Fotografi Idromeno i ka dhënë një jetë tjetër të përjetshme gruas që në rrethana të paqarta ka hyrë në studion e tij. Ironikisht, jeta që ajo pati një çast të vetëm për ne, është përjetësia e saj, fiksuar vetëm nga ky imazh. Kjo fotografi është në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku u çel dje ekspozita “Kolë Idromeno. Retrospektivë” me piktura, kostume, skica dhe fotografi të mjeshtrit poliedrik të artit shqiptar, vëllain e “Motres Tone” e babain e pikturës së parë realiste shqiptare.

EKSPOZITA
Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli, në hapje të ekspozitës tha se Kolë Idromeno nuk do shumë fjalë, pasi është figurë e spikatur e artit shqiptar. “Ka lëvruar në pikturë, fotografi, vizatim arkitekturë, muzikë. Ai është figura më e kompletuar e më multidisiplinare në artin shqiptar. Unë kam pas nderin të punoj me disa këshilltarë për këtë ekspozitë si Eleni Laperi për pikturën, Afërdita Onuzi për kostumet dhe Zef Paci për fotografinë”, tha drejtori i GKA-së. Vërejti se në këtë retrospektivë, nuk shohim vetëm “Motrën Tone” dhe “Dasmën Shkodrane”, por të gjithë miqtë e familjarët e autorit të shtënë në veprat e tij si personazhe. “Veprat janë të bashkuara të restauruara, si ato që janë në pronësi të GKA-së edhe ato të muzeut ‘Oso Kuka’ apo Galeria së Arteve në Shkodër. Kjo është ekspozitë retrospektive që nis me autoportretin e autorit”, vërejti ai.
Nikollë Idromeno u lind në Shkodër më 15 gusht të vitit 1860. I ati, Arsen Idromeno, një shqiptar nga Parga, ishte vendosur në Shkodër në vitin 1856. Arseni u martua me një vajzë shkodrane, Roza Saraçin në vitin 1858. Nikolla, ose Kola si e njohim ne më shumë, ishte fëmija i dytë i çiftit Idromeno, pas vajzës Antonia, e lindur më 1859. Pa asnjë dyshim në shfaqjen e prirjeve të Kolës për vizatimin ka ndikuar puna e të atit si projektues shtëpish. Ai u rrit në një familje, ku babai punonte pas një tryeze të mbushur me skica, libra e projekte arkitekturore. Një fëmijëri e tillë patjetër do ngjallte dëshirë t’i prekte e t’i shfletonte librat, të provonte edhe ai magjinë e vizatimit mbi letër. Veprat e tij janë ekspozuar në ekspozitën e parë kombëtare në Tiranë, në vitin 1931, ekspozitë e organizuar nga shoqata “Miqtë e Artit”, si dhe në ekspozitat ndërkombëtare në Budapest (1898), në Romë (1925), në Bari (1931), në Romë (1936) dhe në Nju Jork (1939). Nikollë Idromeno u nda nga jeta në 12 dhjetor të vitit 1939.

PIKTURA DHE DETAJET QË FSHEH
Një analizë më e hollësishme e Eleni Laperit, studiuese e artit pamor, ndalet më gjatë te vlerat e “Motres Tone”, portretit të Mati Kodhelit, kostumet “Dasmës shkodrane”, “Autoportretit” të autorit që e shfaq atë rreth moshës 70-vjeçare apo një portreti të panjohur më parë të Imzot Çobës kur ishte veçse fëmijë.
Por, ajo që vlen të marrë më shumë vëmendje është vepra e tij me bazë religjioze, jo aq prej tematikës, se sa prej trajtimit.
Më 1890, kur ishte diku te të 30-at, Idromeno pati një porosi për pikturë nga një frat. Kishës i duheshin pikturat e tij për t’u shpjeguar malësorëve Biblën dhe për t’u treguar se cilat ishin mëkatet që nuk duhej të bënin. Për këtë seri, “Idromeno ka punuar me kënaqësi të madhe sepse ka bërë skica për to, por edhe ka bërë fotografi për skena të ndryshme, ka marrë shokët të pozojnë të veshur ose gjysmë të zhveshur”, thotë Laperi.

Tabloja “Dy rrugët” tregon se si Idromeno e ka pasqyruar në pikturë, parajsën e ferrin. Ai e ka ndarë në gjysmë tablonë, parajsën në pjesën e sipërme dhe ferrin në pjesën e poshtme. Peizazhi i parajsës është marrë nga Kodra e Tepesë, që është në vendin ku është ngritur kalaja e Rozafës. Nëse pjesa e parajsës mbahet në ato tonet e kaltra e të qeta, një gjallëri e jashtëzakonshme e pothuaj festë është në pjesën e ferrit. Ka disa hipoteza për devocionin e tij: Mikel Prenushi thotë që Idromeno ishte ateist, Mark Zadeja thotë se ishte shumë besimtar, ndërsa Odise Paskali që e ka takuar më 1931 e mban mend si ateist. Por, për Laperin, përtej besimit, Idromeno ishte artist ndaj kur sheh këtë tablo beson se ai është kënaqur gjatë procesit të punës.

Idromeno ka vënë në vepër edhe veten e tij. Në një prej grupeve që janë të destinuar për në ferr, madje kanë kaluar dhe portën e tij, ai mban në duar një violinë e veçantë me 8 tela që e kishte modifikuar vetë. E përdorte në festat që organizonte. Kjo violinë, vëren Laperi, e përdorur shumë në kulturën e folklorin nordik, ishte një violinë që nuk pranohej nga kisha sepse thuhej që atë violinë muzikantëve ua kishte mësuar djalli.
E gjithë skena e poshtme e veprës përcjell të gjitha mëkatet që të çojnë në ferr. Piktori vë në të gjakmarrjen, vrasjet, vë betimet e rreme, vë fëmijët që keqtrajtojnë nënën, vë fallxhorët, kurnacët.

Një detaj interesant që studiuesja vëren nga kjo vepër, janë dy portat. Porta e parajsës të kujton fundin e gjilpërës ku futet peri. Ilustrimi evokon frazën e njohur se, “mëkatari do hyjë në paraja aq sa ç’hyn deveja në vrimën e gjilpërës”. Ndërsa Portën e Ferrit, Idromeno e bën të madhe. Ajo ngjan me Portën e Top Kapisë, me Portën e Lartë të Stambollit. “Flamujt e kuq mbi të, nuk janë të rastësishëm. Janë flamujt e kuq otomanë. Ai gjen mënyrën për të thënë se ferri i shqiptarëve ishte Porta e Lartë”, shënon studiuesja.
Por, vepra nuk ndalet vetëm te këto detaje që dalin në dritë nga studimet. “Këtë tablo Idromeno e ka marrë në dorë edhe pas 1910-ës. Krejt pranë portës së ferrit, shquan Edit Durhamin dhe konsullin francez në Shkodër, Aleksandër Degrand, i cili më 1901 botoi një libër ku ka 4 fotografi të veprave të Idromenos”, thotë Laperi. Duke vërejtur se kjo është tabloja ku ai shfaqet si piktor profesionist, kujton se Aleksandër Degrand kur e përshkruan në librin e tij, thotë se Idromeno kishte pikturuar një liqen të rrethuar me pemë në ferr. Siç duket, ai në fillim ka dashur të vërë liqenin për ta bërë sa më real e për ta lidhur me Shkodrën, por më vonë e ka kthyer në një lulishte.
Në pjesën e sipërme të veprës, nga porta e parajsës e deri në qiell, duket se shquhen dy shqiptarët që çuan Zojën e Shkodrës në Gjenacano, pas pushtimit otoman të Shkodrës, ku legjenda thotë se Zoja iku nga Shkodra.

“Dy burrat ndodhen në afreskun e kishës së Zojës në Gjenacano në Romë, ku ka shkuar figura e Zojës së Shkodrës. Në atë tablo, ku piktori italian tregon arritjen e Zojës në Gjenacano, janë edhe ata dy burra: supozoj se mund të jenë Giorgio dhe De Sclavis, dy shkodranët që çuan ikonën atje”, thotë studiuesja.
Para të gjitha veprave me temë fetare si “Dy rrugët” apo “Kur hin dreqi mrena”, gjenden skica dhe fotografi, që janë veçse skena të vogla të kompozime e të mëdha të piktorit. Kjo nxjerr në pah jo vetëm procesin e tij të punës, por edhe përgatitjen e madhe që ai bënte para një vepre të tillë. “Këto seri tregojnë se Idromeno punonte para për veprat. Ai ka bërë një seri skicash e fotografish. Ka marrë shokët e tij dhe i ka vënë të pozojnë në pozicionet që do duheshin për kompozimet e mëpasshme. Janë shokët e tij, humoristë të qytetit”, thotë Laperi.

FOTOGRAFIA
Në pamje të parë janë vetëm dy burra, jo më shumë se në të 30-at e tyre që po pozojnë. Duhet pak vëmendje për të parë, se ndërsa njëri është tejet serioz, tjetri si në foto, e çlirëta që bëjmë ne sot, ka nxjerrë gjuhën për të përqeshur me shaka mikun e tij. Fotografi nuk është përpjekur ta fshehë këtë detaj.
Në një tjetër, një oficer është ulur në karrige dhe pozon. Ka në krahë dy fëmijët e tij, të dy, pa të brendshme. Hija e rëndë e ushtarakut që pozon me mustaqet përdredhur ‘zhbëhet’ nga lakuriqësia e fëmijëve që del në pah qartazi, qoftë edhe prej pakujdesisë së t’et që e mban shikimin të mbërthyer nga objektivi. Një zotni me kapele republike që teksa kalon lumin me gomar duket si ku bie, një fëmijë që pozon në këmbë ndonëse duket nga pas një burrë që e ndihmon të mbajë ekuilibrin. Fotografitë e Idromenos, bartin dhe ngërthejnë sa prekjen e kuruar të artistit, po aq edhe ‘gabimet’ njerëzore që duket se janë lënë aty qëllimisht. Dyzimi oficer i kuruar dhe fëmijë të zhveshur mundet të haset në secilin imazh që ka lënë ai.

Studiuesi Zef Paci thotë se si figurë poliedrike, ai ndërron habitatin e Shkodrës, duke sjellë nga arkitektura orientale në një arkitekturë neoklasike e baroke. Realizon piktura, portretin e parë laik, kompozimin e “Dasmës Shkodrane”, piktura me motive religjioze, portretin e Mosinjor Çobës. Është edhe muzikant që ka luajtur me violinë e trombon nëpër orkestrat e bandat e qytetit, që asokohe quheshin “Daulla e qytetit”. Zef Zorba ka treguar se kur ishte fëmijë kishte ndërtuar një elektroshok për vetitë kurative. Ai ishte i joshur ndaj alkimisë e këtë joshje e kishte edhe ndaj fotografisë. “Ka marrë mësimet e para te Marubi e mandej ka shkuar në Venecia. Kur kthehet në Shkodër, ka ndjerë potencialin e mediumit të ri, siç është fotografia.
Studioja e tij është e dyta që hapet në Shkodër. Ajo që është e rëndësishme për personin e tij, është se eklektizmi dhe poliedriticiteti i tij i bën t’i ndajë artet nga njëri-tjetri. “Te piktura ndjen procesin në punën e tij, ndërsa te fotografia, me mjeshtërinë që ka e kompozimin – ajo ruan fragrancën e tharmin e jetës. Kur e bën fotografinë, ndjen dozën e vërtetësisë dhe sheh njerëzit e rrugës”, thotë Paci. Pranon se përzgjedhja është bërë duke pasur parasysh Idromenon poliedrik dhe eklektik. Fenomen i ushqyer prej kureshtjes si dhe inteligjencës së tij për të përzgjedhur e dalluar ndërmjet kërkesave të kohës, mungesave, ndërmjet mundësive ekskluzive të mediumit që përdorte. “E veçanta është se ai sa arrin të inskenojë në studio dhe rivënien në skenë të fotografisë, aq edhe ai del në rrugë dhe fotografon duke kapur çastin. Mbase s’janë foto të përsosura, por kjo e bën artistike e të veçantë. Fotot ndërkaq, prej se vijnë nga Akademia e Studimeve Albanologjike, nuk kanë pas asnjë sqarim që të tregojnë për të”, thotë ai, ndërsa vëren se në njërën prej tyre, “fëmija që mban librin, mund të jetë Simon Rrota”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në GKA deri më 8 shtator 2019. /KultPlus.com

Rikthehet përsëri Da Vinçi, por si robot

Në bashkëpunim me kompaninë “Fujikin”, ekspertët e Universitetit japonez të Osakas kanë krijuar një robot të artistit dhe shkencëtarit italian Leonardo da Vinçi, i cili do të arsimojë gjeneratat e ardhshme të shkencëtarëve.

Roboti i Da Vinçit u është paraqit pjesëmarrësve të samitit që mblodhi liderët e 20 vendeve më të zhvilluara në Osaka.

Drejtori i marketingut i kompanisë “Fujikin”, Kouichi Nakamura, tha se “roboti ishte bërë në nder të Da Vinçit, ndaj të cilit bota është në borxh për veprat e tij”.

Ai deklaroi se “roboti Da Vinci është bërë edhe me qëllim që në mënyrë unike nxënësve t’u prezantohet puna e tyre dhe që të merren me shkencën dhe artin”.

“Kështu do të mundësojmë që nxënësit dhe shkencëtarët e ardhshëm të mësojnë përmes argëtimit”, shtoi Nakamura.

“Tri gra”, libri i Lisa Tadeos që pritet të publikohet së shpejti

Bujar Meholli

Autorja amerikane Lisa Tadeo pritet që së shpejti ta publikojë librin e saj “Tri gra”, te i cili gërshetohet jeta publike, private dhe sekrete.

Në qendër të librit janë tri personazhe gra, të cilat shpërfaqin dëshirat e tyre: Maggie, është një adoleshente nga Dakota e Jugut e cila ka një marrëdhënie klandestine me mësuesin e saj të anglishtes. Lina, një amvise e martuar në Indiana. Ajo kishte qenë në lidhje me të dashurin e saj që nga shkolla e mesme dhe Sloane nga Newporti, burri i së cilës e ofron atë te miqtë e tij.

Lisa Tadeo

Personazhet e Tadeos janë të përzgjedhur, – siç thotë ajo, derisa ata janë kryesisht të bardhë, të rinj dhe heteroseksualë. Është e qartë se origjina e këtij libri, është në fakt, personale.

Aty përshkruhen peripecitë e Tadeos gjatë jetës së saj, gjurmët që ajo ndoqi si dhe sfidat e shumta. Në këtë tekst të saj, dëshirat janë vuajtje me rrënjët në traumë.

Të tri gratë janë të dënuara nga burrat dhe të turpëruara në sytë e të tjerëve. Edhe jetët seksuale të tyre diktohen nga burrat e tyre. Maggie i përmbahet rregullave që ia vendos mësuesi i saj kontrollues në gjithçka – ndërsa Sloanes i duhet të fle me burrat që bashkëshorti i saj i ka zgjedhur për të. E, Lina kërkon të marrë përgjegjësi për jetën e saj, ajo kërkon të ndahet nga njeriu që nuk pranoi ta puthte duke e poshtëruar atë. /KultPlus.com

Julia Roberts dhe Cindy Crawford marrin yjet në Walk Of Fame

Julia Roberts, Cindy Crawford dhe Wendy Williams kanë lënë shenjë në secilën nga industritë ku punuan.

Të enjten tre yjet botërorë u bënë pjesë e listës me 35 persona që do nderohen me yll në Hollywood Walk Of Fame në vitin 2020.

Mes artistëve të tjerë që do nderohen me yll janë Chris Hemsëorth, Christina Applegate, Spike Lee, Laurence Fishburne, Mahershala Ali, Octavai Spencer, Billy Idol, 50 Cent dhe Elvis Costello.

Julia Robert është një nga aktoret më të mëdha të Hollywood, që u ngrit si yll në vitet 1980.

Ajo ka marrë katër nominime për Oskar duke fituar ‘Aktorja më e mirë’ në 2000 për rolin e saj Erin Brockovich.

51 vjeçarja gjithashtu ka fituar tre Golden Globes Awards nga tetë nominime, në një kohë që ishte aktorja më e paguar.

Në të njëjtën kohë që Roberts shkëlqente në ekran, Cindy Crawford u bë ndër supermodelet më të njohura nga sfilatat e saj të shumta dhe daljet në kopertinat e revistave.

53-vjeçarja u bë personalitet i suksesshëm televiziv dhe sipërmarrëse e madhe./Ata.gov.al

Në Shqipëri kanë filluar diskutimet për statusin e artistit, Ministria e Kulturës në fazën e hartimit të ligjit

Ministria e Kulturës është në fazën e hartimit të gjithë kornizës së plotë për statusin e artistëve.

Kështu u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë një interviste dhënë disa minuta më parë. Ajo i konsideroi të drejta kërkesat e artistëve.

“E kam diskutuar edhe me ta. Para pak javësh kemi bërë një takim me sindikatën e artistëve. Ata faktikisht janë të fokusuar më shumë në pjesën e pensionit, pensioni i posaçëm, pensioni i artistit është një nevojë reale sepse një artist, le të themi një balerin nuk mund të dalë në pension në moshën që dalin të gjithë personat e tjerë që kryejnë profesione të tjera dhe kjo është e drejtë. Ka ende për t’u riparë edhe pikat e tjera se deri ku statusi artistit ti jepte një vlerë të shtuar dhe të mos fokusoheshim vetëm tek pensioni. Kemi ngritur një grup të posaçëm për të hartuar më së mirë, për të dalë përpara edhe me statistika pasi për të nxjerrë në pah një projektligj duhet të ngremë një paketë të mirë informuese, jemi duke punuar për këtë por sidoqoftë, që ato kërkesat e para kur shikohen vetëm në aspektin ekonomik me duket sikur nuk janë të shëndosha. Pra, do të donim që në momentin që do donim një nismë të tillë të dilnim me një projektligj që të ishte sa më e kompletuar. Kështu që jemi në fazën e hartimit të gjithë kornizës së plotë”, – deklaroi Margariti.

Ligji për Sponsorizime e dëmton kulturën dhe i drejton sponsorizuesit edhe më shumë kah sporti

Komuniteti artistik po ndihet i diskriminuar nga Ligji për Sponsorizime, i miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për të Ardhurat e Korporatave me 74 vota për dhe me dy abstenime. Artistët po konsiderojnë se ky ligj po u bën padrejtësi, për faktin se sipas Nenit 12 të këtij Ligji,  sponsorizuesit për sponsorizime në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim, kurse sponsorizuesit për sponsorizime në fushën e kulturës dhe të rinisë u njihet zbritja njëzet për qind (20%) nga tatimi në fitim në bazë të Ligjit Nr.05/L-029 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave. Sipas tyre, ky dallim do të ndikojë që sponsorët duke pasur më shumë leverdi të anojnë më shumë kah aktivitetet sportive.

Besa Luzha, nga komuniteti artistik, ka thënë se ky dallim prej 10% lirimi nga tatimi e dëmton kulturën dhe i drejton sponsorizuesit edhe më shumë kah sporti. “Edhe pse shumë e gëzuar që ligji shumë i nevojshëm kaloi, më duhet të shpreh zhgënjimin se deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Ministria vepruan jo në përputhje me parimin kryesor, që mbron Kushtetuta e Kosovës – barazinë.  Barazia në gjini, moshë, status, profesion e të tjera është thelbi i demokracisë. Gjithë respektin për sportistët dhe për të gjitha grupet tjera të shoqërisë. Por në një ligj të vetëm të përfshihen dy kategoritë (sporti dhe kultura) e ato të trajtohen ndaras dhe në mënyrë të pabarabartë (30% me 20%) është paradoks. Por ky vend vuan nga pabarazia në çdo aspekt. E lufta për barazi do të vazhdojë”, tha Luzha.

Në anën tjetër producenti e aktori Fatmir Spahiu ka thënë se megjithëse e diskriminon në përqindje, ky ligj do t’i shërbejë edhe sferës së kulturës. “Ky votim i hap rrugë zhvillimit më të madh të produksioneve private dhe aktiviteteve të tyre në sferën e filmit, të teatrit dhe në përgjithësi të kulturës. E vërteta është se kultura është e diskriminuar për 10% në raport me sportin, por më mirë të fillojë kështu sesa të mos bëhet fare”, ka thënë Spahiu.

Edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë debatit të zhvilluar për këtë ligj në Kuvendin e ditës së enjte tha se ky ligj krijon pabarazi, sepse me të po krijohen kushte që investimet të jenë më të leverdishme në sport sesa në kulturë. “Mendoj se ky nuk është modeli më i mirë dhe një arsye tjetër është se me amendamentin e propozuar po krijohen kushte që investimet të jenë më të leverdishme në sport sesa në kulturë. Pra po krijohet një pabarazi mes sportit dhe kulturës. Nëse do ta votoja këtë amendament do ta votoja vetëm nëse sportistët mendojnë se ky ligj ju ndihmon”, tha Konjufca, duke shtuar se nëse sportistët e konsiderojnë si të duhurin, ai dhe partia e tij do ta votojnë.

Në anën tjetër ministri i Kulturës, i Rinisë e i Sportit, Kujtim Gashi, ka deklaruar se me zbatimin e këtij ligji do të mundësohet që rreth 30 milionë euro të sponsorizohen brenda një viti për zhvillimin e sportit, të rinisë, të artit e të kulturës. “Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës votuan për harmonizimin e Ligjit për të Ardhura në Korporata me Ligjin për Sponsorizim. Kështu nga sot, me fillimin e zbatimit e ligjit në fjalë, do të mundësohet që rreth 30 milionë euro të sponsorizohen brenda një viti për zhvillimin e sportit, të rinisë, të artit e të kulturës. Implementimi i Ligjit për Sponsorizim do të thotë sport më cilësor, prezantim më i suksesshëm i sportistëve në arenën ndërkombëtare e kësisoj promovim i mëtejmë i Kosovës ndërkombëtarisht, më shumë medalje për sportistë e më shumë çmime ndërkombëtare për artistë. Me të marrë drejtimin e MKRS-së kemi hartuar rregulloren përkatëse, Komisionin për Vërtetimin e Sponsorizimit, si dhe kemi lëshuar vërtetimet e para për disa donatorë, pra kemi përfunduar paraprakisht të gjitha obligimet që dalin nga ligji përkatës”, ka deklaruar Gashi.

Nga zyra e ministrit Gashi, ka thënë se ky ligj bën vetëm një favorizim të lehtë ndaj sportit. “Në fakt ky ligj bën një favorizim të lehtë të sportit, por që edhe kultura, edhe rinia do të përfitojnë nga përqindja e liruar për këto dy fusha. Ne besojmë shumë që ky ligj do të ndikojë direkt në përmirësimin e cilësisë në sport dhe njëkohësisht do të ndikojë edhe te kultura e rinia, të cilat për ne si Ministri janë të pandashme”, pati deklaruar Samir Hoxha, këshilltar i ministrit Gashi./Zëri/

Ekspozita lëvizëse “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve”

Ekspozita lëvizëse “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar, u çel pasditen e djeshme në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

Ekspozita fotografike “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” solli për vizitorët 60 fotografi të realizuara nëpër qytete dhe fshatra të Shqipërisë nga oficerë e ushtarakë austro-hungarezë. Nëpërmjet fotografive paraqiten aspekte nga jeta e përditshme ekonomike dhe shoqërore e shqiptarëve të atyre viteve.

Tematika e fotografive të ekspozitës është e ndryshme. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur fotografi nga qytetet e mëdha të Shqipërisë, 15 fotografi nga Tirana, 14 fotografi nga Shkodra, 2 fotografi nga Berati, 2 fotografi nga Fieri, 2 fotografi nga Durrësi dhe një fotografi nga Vlora. Ata kanë realizuar fotografi nga jeta e përditshme.

Në to gjejmë fshatarë me veshje popullore, por edhe zotërinj fisnikë si Prenk Bibë Doda nga Shkodra. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe fotografitë familjare siç është familja e Osman Beqirit nga Peqini. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur 4 fotografi nga Peqini, 2 fotografi nga Kruja, një fotografi nga Rrogozhina etj.

Të gjitha fotografitë janë realizuar gjatë viteve të administrimit austro-hungarez të Shqipërisë 1916-1918. Ky administrim politik, ushtarak e kulturor përvijoi impakte të shumta në sendërtimin e mëvonshëm të shtetit shqiptar, duke pasqyruar zhvillime pozitive në aspektin e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimimit si edhe në jetën social-politike të Shqipërisë së pas Luftës së Parë Botërore.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, Alban Ramohitaj, në praninë e qytetarëve të shumtë të Durrësit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 09 korrik 2019 në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Ish-presidenti francez Sarkozy zbulon sekrete personale në librin ”Pasionet”

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy zbulon te ”Pasionet”, libri që do të dalë në shitje sot, kujtimet e tij në rrugëtimin në politikë dhe në aspektin personal deri në ngjitjen në Elize’ në 2007.

”Më 6 maj 2007, në momentin që shoh foton time të formësohej me 53% të votave të shfaqej në ekran, ishte një vullkan ndjenjash. E gjithë bota bërtiste, kërcente, qeshte, disa madje përloteshin nga gëzimi. Ne ndiheshim kështu. Më në fund gjithçka mbaroi. Unë arrita të fitoj, atë që e kisha qëllimin tim personal prej kaq viteh. Më në fund po bëhem legjitim’’, shkruan Sarkozy.

President mes viteve 2007 dhe 2012, Nicolas Sarkozy e rrëfen të gjatë rrugëtimin e tij politik, që nisi me një takim të ish-partisë Mbledhja për Republikën (RPR) në Nisë (juglindje të Francës) në 1975, pasuar me një takim në Matignon me kryeministrin e atëhershëm, Jacques Chirac, i pranishëm gjatë 360 faqeve të autobiografisë së tij të parë.

Ai tregon me një stil të drejtpërdrejtë ngjitjen drejt presidencës, më konkretisht kalimin në krye të Ministrisë së Brendshme (2002-2004, 2005-2007), pak më shumë se tre vite që ishin më të lumturat për të në aspektin profesional.

‘’Më pëlqen të fitoj. Unë kam luftuar gjithnjë për fitoren, por forca është t’i pranoj vetes që më shumë kam mësuar nga dështimet sesa nga sukseset’’, pohon ish-presidenti, i mundur nga socialisti François Hollande në 2012 dhe autori i një rikthimi pa sukses në parapraket e së djathtës në 2016.

Audioguidë personale në katër gjuhë për turistët në muzeun Ikonografik Onufri

Sezoni turistik këtë vit, ka ardhur me risi në muzeun Ikonografik Onufri, Berat për turistët vendas dhe të huaj.

Turistët përveç shërbimit që jepet nga guida profesionale e stafit të muzeut, ata kanë mundësi që në udhëtimin drejt thesareve të pajisen me audioguidë personale të realizuar në katër gjuhë shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht.

Muzetë e Beratit dhe gjatë këtyre ditëve vijojnë të tërheqin një numër të lartë turistësh ku të huajt e kanë një ndër destinacionet e preferuara.

Këto muze i ofrojnë vizitorëve një itinerar mjaft interesant turistik, një rrugëtim njohës mes historisë dhe objekteve me vlera për trashëgiminë tonë që gjenden në to.

Promovohen dy libra të Xhevdet Bajrës: Poezitë që tregojnë turpin e të qenit njeri

Rrona Jaka

Në një ambient të këndshëm, i shoqëruar nga rakia e shoqëria Xhevdet Bajra ka promovuar dy librat e tij më të fundit, shkruan KultPlus.

Fjalën fillestare të fjalimit e ka marrë miku i tij, Shkelzen Maliqi, njeriu për të cilin vet Bajra tha se i detyrohet gjithë jetën. “Para ca ditësh lexova një shkrim të Fatos Kongolit që e vlerësonte lartë Xhevdetin dhe mendoj që është një vlerësim shumë i saktë, edhe unë veç fjalë të mira mund të them për këtë poet të jashtëzakonshëm që kemi” është shprehur Maliqi.

“Ajo që e veçon Xhevdetin është dedikimi i tij ndaj poezisë, veç poezi shkruan, ky njeri. Me ane të poezisë ai tergon se si shprehet revolta e shoqërisë.” -ka sqaruar Maliqi.

Ai ka shpjeguar se si ka ardhur puna që Xhevdet Bajra të shkojë në Meksikë duke thënë që ai ka gisht në këtë histori sepse ia kishte sugjeruar atij këtë rezidencë. Maliqi ka vazhduar duke thënë që në Meksisë atij i janë ringjallur shqisat për tmerrin në Kosovë, duke e trajtuar çdo aspekt të shoqërisë së vendit në poezitë e tij.

“Poezitë e tij flasin edhe për kohën e Kosoves së lirë që nuk duket që ndryshon shumë nga ajo e okopuara” ka përfunduar Maliqi. Fjalëvë të tij të bukura i është bashkëlidhur edhe Zyrafeta Shala, kryesuse e klubit letrar De Rada në Rahovec. “Këto tri libra janë si tërësi, fillimisht nga permbajtja, koha dhe situata në të cilën janë shkruar. Merren si tërësi sepse çdo vepër fillon me poezinë e fundit të veprës para saj” është shprehur ajo për mikun e saj. Ajo ka treguar që Bajra ka kaluar elementet estetike të kohës duke dalë me një stil të vetin origjinal, duke e tejkaluar mbi të gjitha edhe barrierën linguistike dhe duke hyrë në radhët e poetëve si Neruda. Sipas saj Bajra e ka futur në letërsinë spanjolle edhe letërsinë shqipe, duke i barazuar në të njëjtin nivel.

“Bajra nuk është ai mergimtari të cilin distanca e bën të krenohet për vendlindjen e tij, ai ka zgjedhur të behet kritik duke u berë zëri i shumices të cilët po i përjetojne gjitha këto deformime të klasës që na udhëheq” ka thënë ajo. Ajo e ka përmbyllur më së miri fajlimin e saj duke thënë që poezitë e Bajrës tregojnë turpin e të qenit njeri. Njashtu edhe botuesi i librit, Berat Dakaj, fillimisht e ka falënderuar poetin për bashkëpunimin duke treguar që festën e madhe të promovimit e kanë filluar që në panairin e librit në Prishtinë. Dakaj e vlerësoi shumë mikun e tij duke thënë se shkruan për gjendjen e tij, si ka kaluar në mërgim dhe si ndjehet për Kosoven.

“Ky koleksion poezish është një grumbull skicash fragmentesh dhe idesh te prezantuara ne gjuhen shqipe e spanjolle. Poezia e tij, e shkruar edhe në shqip edhe në spanisht, e nderkombëtarizon edhe çështjen e Kosoves në botë. Për t’i dhënë fund mund të them se poezitë e tij janë dokumentim i historisë se vendit” është shprehur Armagedoni, botuesi i librit. Kurse vet poeti refuzoi të flasë për librin e tij, ndërsa kur iu kërkua nga të pranishmit që ta lexojë poezinë më të mirë që kishte, ai iu përgjigj me shumë modesti – “E lexoj kur ta shkruaj”./KultPlus.com

Ndarja

Poezi nga: Nina Berberova
Përktheu: Faslli Haliti

Një ndarje është si një tregim i tmerrshëm.
Fillon një natë
Dhe s’mbaron më.
Kuajt bënin zjarr me potkonjtë e tyre
Disa fëmijë të pagjumë bërtisnin
Gjeli ngjirej më kot kur shihte një agim të tillë
Në zjarret muzgëllore,
Rruga vraponte pas pluhurit
Dhe ti niseshe. Ndarja
Është si një tregim i tmerrshëm
Kur ikën përtej detit
Nuk mbaron kurrë.

Ndarja është si kërcëllimë nate
I varganit të karrove. Zhduken përgjithmonë
Në hendekë të thellë me ujë, të burgjeve,
Në burgjet e akullt të Bukenvaldit,
Në ferrin tifoid të Ravensbrukut.
Mbaj mend si shqyheshe
Për këtë botë të dashur,
Mbaj mend si qeshje
Si bekoje ata që kishe përreth,
Për mua qielli gjelbërosh,
Qyteti, kalimtarët…
Shpresa, është si kërcitja
E rrotave – mbi zemër.
Shpresa është si një vajtim i gjatë
Që murmurit për dikë:
Është përlotim i rrethimit të Moskës,
Rrethuar si nga një unazë
Nga të shtënat e topave
Mbi monumentet, mbi pallatet,
Mbi kufomat, mbi akullin
Ndërsa atje
Mbi bregun e detit të kaltër
Jetonte një plak dhe plaka e tij…
(Nëna ime shpesh më fshinte sytë
Me cepin e dantellës së saj)
Ndarja është si një vajtim i gjatë
Kurse takimet nuk ekzistojnë.

Sartri, kamerieri dhe alternativat

Po mendon se nuk ke zgjedhje tjetër? Mendo edhe një herë! Shkrimin e gazetarit Oliver Burkeman, Telegrafi ua sjell të plotë më poshtë.

Një nga reflektimet më të famshme (dhe më të neveritshme) të filozofit ekzistencialist Jean-Paul Sartre, ka të bëjë me kamerierin e një kafeneje, sjellja e të cilit ishte disi shumë kameriereske: “U afrohet klientëve të rregullt me një hap pak të shpejtë. Përkulet pak si me padurim. Zëri i tij, sytë e tij, shprehin një interesim pak si shumë të kujdesshëm”.

Pse? “Për të mashtruar vetveten”, përfundonte Sartri.

Kamerieri hidhet tërësisht në rol, sepse donte që ta bindte veten se nuk ka zgjedhje tjetër – se është “një lloj automatoni” esenca e të cilit e ka dënuar të jetë kamerier. Është më mirë të mendosh kështu sesa të ballafaqohesh me realitetin, domethënë se ai ka zgjedh të jetë kamerier dhe se është i lirë të bëjë zgjedhje tjera (edhe pse nuk mund të mos pyesësh veten se si Sartri, i cili praktikisht jetonte në kafene, do t’ia dilte mbanë nëse të gjithë kamerierët e Parisit do të silleshin si ai).

Kamerieri i Sartrit m’u kujtua ditë më parë, duke lexuar një artikull në revistën “Fast Company” që jepte sugjerime se si mund të përdorësh meditimin për t’ia dalë mbanë me stresin që po buron nga shikimi i episodeve të fundit të serisë “Game of Thrones”. Përzgjidhja ishte e qëllimshme, kur dihet se në tetë vitet e fundit Uesterosi i dhunshëm ishte brumë i mirë për shkrime. Megjithatë, dukej se e kapte një element thelbësor për jetën tonë të vitin 2019.

Por, meqë duhej ta shihnim serinë “Game of Thrones”, siç nënkuptonte artikulli, dhe meqë sezoni i fundit ishte emocionalisht irritues dhe rraskapitës, a ka kuptim të gjesh kohë në agjendë për pak meditim relaksues? Në fakt, është një zgjidhje më elegante për këtë problem: të mos e shohësh fare serinë “Game of Thrones”. Por, njëjtë si në rastin e kamerierit të Sartrit, mundësia e kësaj alternative nuk merrej parasysh.

Në të vërtetë, dyshoj se shumë njerëz janë ndjerë vërtetë të detyruar që ta shohin serinë “Game of Thrones”. Shumica prej nesh e bëjnë këtë gabim, në një aspekt apo tjetër. Teknologjia digjitale na ofron një mori shembujsh. Ne e nxisim veten të besojmë se diçka është pjesë e padiskutueshme dhe pandarë e jetës moderne – si të qënit në Facebook, të mbash telefon të zgjuar, të qënit i qasshëm në email gjatë fundjavës, të qënit në rrjedha të lajmeve – dhe kështu kërkojmë mënyrën për të shmangur këto anë negative, në vend se ta pyesim veten nëse ato janë vërtetë të domosdoshme.

E keqja është se disa prej këtyre gjërave janë të detyrueshme: edhe nëse nuk do, cilido mund të gjendet në situatën kur duhet të jetë patjetër i disponueshëm gjatë fundjavës, ose të jetë në Facebook, ose të punojë kamerier. Por, të njëjtat forca ekonomike që na detyrojnë të bëjmë zgjedhjet si këto, duan të na shtyjnë të besojmë se zgjedhjet tona janë më të detyrueshme sesa që janë në të vërtetë.

E vërteta është se sado pak mundësi që ke, ke më shumë alternativa seç mund të besosh. Këtyre ditëve, nëse do ta akuzonte kamerierin për dështim në vlerësimin e një morie të alternativave, Sartrit do t’i thuhej qe t’i shikonte privilegjet e tija dhe kjo do të ishte mjaft e drejtë. Dhe, nuk do t’i shkonte pas kur e ka gabim. Ndoshta nuk ka nevojë të bëjë gjërat që vetes ia ke thënë se duhet t’i bëjë. Ndoshta do të nervozohet e do të dalë nga kafeneja, pa u lodhur se filozofi po kërcet gishtat për një tjetër kafe espreso. /Telegrafi/

Rrëfimet mbi artin e Helidon Gjergjit

Artisti Helidon Gjergji ndodhet këto ditë në Tiranë, për një bashkëbisedim mbi artin, i ftuar nga “Harabel”.

Më 3 korrik, në ora 20.00, Gjergji do të jetë në Kino, në një rrëfim mbi artin dhe mënyrën sesi ai operon në ndërtimin e një koncepti artistik.

Gjatë karrierës së tij, Helidon Gjergji ka punuar me shumëllojshmëri mediumesh, që nga piktura te media-instalacioni dhe arti urban.

Pavarësisht mediumeve të ndryshme, puna e Helidon Gjergjit ka pasur vazhdimisht si pikësynim hulumtimin e brishtësisë dhe depërtimit të kufijve ndërmjet mediumit dhe parametrave të aftësisë individuale.

Gjergji do të paraqesë tri nga veprat e tij: “Trapa Natans Scutariensis”, “Spiced” dhe “Condimentos”, punime të cilat kanë të bëjnë me idenë e të jetuarit në kufi, aty ku kulturat, fetë dhe etnitë ndahen e bashkohen. Të tria projektet nxjerrin në pah konceptin se kufijtë janë artificialë dhe, shpesh, urat ndërlidhëse sulmohen e me gurët e tyre bëhen mure. Këto tri projekte janë pjesë e debatit apo përplasjes mes nacionalizmit e kozmopolitanizmit, çka zotëron diskutimin e sotëm të politikës kombëtare e ndërkombëtare.

Helidon Gjergji ka paraqitur punimet e tij në galeritë dhe organizimet kryesore të artit pamor në botë.

Si u angazhua diaspora shqiptare në SHBA në çështjen çame

Telegrami i Presidentit Truman për Çamët më 25 qershor 1945. “Sot ata ende përndiqen prej qeverisë së sotme greke thjesht sepse ata shikohen si racë e huaj dhe meritojnë zhdukjen”. 

 Agron Alibali

Diaspora shqiptare në Amerikë ka qenë e përfshirë fuqimisht në përpjekjet për ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, sidomos nëpërmjet Federatës PanShqiptare Vatra (The Hearth). Çështja e Kosovës dhe e Çamërisë, gjithashtu, kanë qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes. Veçojmë një telegram të 26 qershorit 1945 drejtuar Presidentit Truman nga Kryesia e Shoqatës Çamëria në SH.B.A., i cili dallohet për guximin dhe qartësinë e veçantë në parashtrimin e çështjes çame. Tekstin po e japim të plotë: “Hartford, Kënektikat, 25 qershor 1945, Harry S. Truman, Shtëpia e Bardhë. “Çamëria, me një popullsi prej 80,000 banorësh që janë shqiptarë të pastër si racë, gjuhë dhe ndërgjegje iu dha Greqisë në përfundim të Luftërave Ballkanike STOP Gjatë intervalit midis vitit 1913 dhe 1940 popullsia e gjithë provincës u persekutua dhe u shpronësua pa proces të rregullt ligjor si dhe asaj iu mohuan të gjitha të drejtat elementare si qenie njerëzore nga ana e qeverisë greke STOP Në luftën e tanishme burrat dhe gratë nga Çamëria rrokën armët kundër fuqive të Boshtit duke luftuar në krah të Aleatëve, por për këtë veprim ato u vranë dhe u përndoqën dhe shtëpitë e tyre u shkatërruan nga italianët, gjermanët dhe forcat monarkiste greke STOP Sot ata ende përndiqen prej qeverisë së sotme greke thjesht sepse ata shikohen si racë e huaj dhe meritojnë zhdukjen STOP Për të gjitha këto arsye ne shtetasit amerikanë që e kemi prejardhjen nga Provinca e Çamërisë ju bëjmë thirrje që ta ngrini zërin tuaj në emër të tyre me qëllim që, së pari, të ndalohen abuzimet e mëtejshme dhe, së dyti, të lejohet mbajtja e një plebishiti nën mbikëqyrjen e aleatëve për të përcaktuar nëse ato dëshirojnë të mbeten subjekte të Greqisë ose të inkorporohen në shtetin shqiptar.

Herri Çeçko [Harry Checko] Kryetar, Veip Demi Sekretar, Bondmore Hotel”. Përgjigja zyrtare nuk u vonua as dy ditë. Me të vërtetë, me 27 qershor 1945, zotit Çeçko i niset përgjigja nga një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. Aty theksohet se Departamenti i Shtetit “mban shënim” pikëpamjet tuaja lidhur me “statusin e popullit të Çamërisë [Chameria]” dhe punonjësit e tij “po i japin vëmendjen e përshtatshme aspekteve të ndryshme të këtij problem”. Duke u krahasuar me reagimin amerikan ndaj ankesave të shumta, në pjesën dërrmuese absurde, të qeverive greke dhe qarqeve të ashtuquajtura “epirotike”, mund të arrihet në përfundimin se përgjigja amerikane, edhe pse në dukje standarde, përmbante gjithsesi një ndryshim themelor.  “Në lidhje me ndryshimet territoriale” – të përmendura në telegramin e përfaqësuesve çamë- , qëndrimi i shpallur zyrtar amerikan ishte se “zgjidhja e këtyre çështjeve duhet të presë marrëveshjen përfundimtare të paqes ku pretendimet e të dyja palëve në mosmarrëveshje do t’u nënshtrohen një procedure dëgjimore të plotë dhe të paanshme”. Me të vërtetë, ky del si dokumenti i parë zyrtar që kemi hasur deri më sot, ku bëhet fjalë për “pretendime të të dyja palëve”, pra ku ka kundërvënie midis pretendimeve greke dhe kërkesave shqiptare.

Raporti Dokumentar i Misionit Amerikan, gusht 1945 – Një Propozim për Shkëmbimin e Minoriteteve

Më në fund, me 16 gusht 1945, Shefi i Misionin Amerikan, Xhejkobs, i nisi qendrës në Uashington raportin e tij të gjerë dhe të hollësishëm për gjendjen në Shqipëri. Titulli i plotë ishte “Raport Dokumentar në Mbështetje të Përfundimeve dhe Rekomandimeve  lidhur me Njohjen e “Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”. Raporti ishte punim kolektiv i gjithë ekipit të diplomatëve dhe zbuluesve amerikanë të inkuadruar në Misionin e Posaçëm të Departamentit të Shtetit në Tiranë, dhe më konkretisht, Xhejkobs [J. E. Jacobs], Shef i Misionit; H. Fulc [Harry T. Fultz], Ndihmës i Posaçëm; W. Lauman [William M. Lauman], Ndihmës i Posaçëm; E. Hofman [Erich W. A. Hoffman], Nënkonsull. Tryeza e tij e Lëndës përfshinte 14 krerë, ku për objektin e studimit tonë ka interes ai për “Marrëdhëniet Ndërkombëtare [VI]” dhe ai për “Udhëtimin në Shqipërinë e Jugut, 12-16 qershor 1945, me komente”. Pikërisht në këtë Raport hasim edhe propozimin e “autorëve” të tij për një zgjidhje të përgjithshme të problemeve midis vendeve fqinje dhe Shqipërisë.

Ai përfshihet në “Pjesën e VI-të [Marrëdhëniet Ndërkombëtare], Kreu IV [Probleme Afatgjata në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Rëndësia e Tyre], Paragrafi 2 [Probleme Kufitare dhe të Minoriteteve]” të Raportit në fjalë. Pjesa tjetër e këtij Raporti, ajo që mbulon marrëdhëniet Greqi-Shqipëri [6.3.7.], jepet në fund si Dokument i posaçëm (ekstrakt).Kjo ka rëndësi të veçantë pasi paraqet qëndrimin e drejtë dhe objektiv amerikan lidhur me pretendimet greke ndaj Shqipërisë, të cilat cilësohen si “të stërtepruara” apo absurde (preposterous). Raporti e rrok problemin kufitar në tërêsi: atë jugosllav dhe atë grek. Nëse ato probleme nuk zgjidhen, paralajmëron Raporti, ndofta mund të kemi një tjetër Luftë Ballkanike. Në lidhje me kufirin shqiptaro-grek, Raporti thekson: “Sipas mendimit të autorëve të këtij raporti, nëse vërtet do të mbetet një Shqipëri e pavarur, është qesharake që t’u jepet vëmendje e favorshme dhënies së çdo pjese të madhe të Shqipërisë së jugut Greqisë, sepse, përveç një zone të vogël (minor region) që përfshin disa mijëra vetë (a few thousand people) të racës greke, në mbarë Shqipërinë e jugut nuk ka asnjë zonë (area) ku popullsia greke mbizotëron në numër (predominantly inhabited).”

Raporti

Raporti më tej deklaron një fakt jashtëzakonisht të rëndësishëm, kuptimplotë dhe me vlerë aktuale: “…Në anën greke të kufirit ka ende minoritete shqiptare, edhe pse këto grupe minoritare janë reduktuar në mënyrë të konsiderueshme nga veprimi i autoriteteve greke që zbuan [driving into] për në Shqipëri më shumë se 20,000 çamë [Chamerians.] Së pari, ky deklarim faktik pohon tërthorazi ekzistencën e minoritetit shqiptar çam jo-mysliman, që u lejua të qëndrojë në Çamëri pas masakrave dhe shpërnguljes së dhunshme. Së dyti, duke përdorur numrin shumës (grupe minoriteti shqiptar) ai pohon edhe ekzistencën e minoritetit shqiptar në Janinë e rrethet e saj, si dhe në rajone të tjera të Greqisë “në jugë të kufirit me Greqinë”. Së treti, Memorandumi vë gishtin tek autorët e vërtetë të tragjedisë çame, d.m.th. “autoritetet greke”. Së katërti, qëndrimi amerikan për mosmbështetjen e pretendimeve “absurde” greke ndaj Shqipërisë së jugut – rezultat i njohjes së thellë dhe objektive të gjendjes në vend – është diametralisht i kundërt me qëndrimin anglez. Amerikanët, p.sh., refuzonin të përdornin termin “Epir i Veriut”, të cilin raportet britanike e përqafonin pa rezervim. Po ashtu, ndërsa pretendimet territoriale greke raportet britanike i quanin si “rikthim” [return], dokumentet zyrtare amerikane i konsideronin si “qesharake” dhe të “stërtepruara”. Një tjetër telegram i z. Xhejkobs – përcjellë në Shtojcën Dokumentare – madje tregon se në tetor 1945 midis dy Aleatëve kishin lindur divergjenca të theksuara lidhur me çështjen e kufirit shqiptaro-grek.

Kuvendi i Dytë në Vlorë, taktika që ndoqën çamët

Në shtator 1945 u mbajt në Vlorë Kuvendi tjetër çam. Ky tubim pati rëndësi të madhe pasi analizoi gjendjen e vështirë të komunitetit çam në Shqipëri dhe përcaktoi objektivat afatgjata dhe strategjinë e tij për kthimin në Çamëri. Njoftimin për këtë Kuvend na e jep Raporti Nr. 15 i Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri. Informacioni jepet fillimisht në trupin e Raportit Kryesor nën sythin “Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë”, kurse në Shtojcën B të tij jepet informacioni për Seancën e Hyrjes.  Sikurse u përmend më sipër, Kuvendi i Dytë Çam i Vlorës i shtatorit 1945 mbahej pas atij të Shalësit, të mbajtur një vit më parë, në fund të shtatorit 1944. Në Shtojcën e tij B, Raporti na jep një përshkrim të plotë, por të ftohtë, të seancës së parë të 23 shtatorit:“Salla e Kongresit ishte zbukuruar me flamujt e Vendeve Aleate si dhe me parulla propagandistike të shumta ku shkruhej “Rroftë EAM”-i, “Vdekje Monarko-Fashistëve Grekë”, “Rroftë Partia Komuniste”, etj. Kryetarë Nderi të Kuvendit u zgjodhën Tre Fuqitë e Mëdha Aleate, Enver Hoxha, Tito dhe Zahariadhi”. Është e kuptueshme që qasja në dukje pro-komuniste ishte për oportunitet politik dhe për të fituar mbështetjen e shtetit shqiptar. Ka rëndësi të theksohet, gjithsesi, deklarimi i hapur dhe i vendosur i komunitetit çam përkrah aleatëve të mëdhenj, SHBA-së, Bashkimit Sovjetik dhe Anglisë. Vetë ky veprim i zgjuar zhvlerësonte në thelb akuzat e padrejta kolektive ndaj çamëve si kinse përkrahës dhe bashkëpunëtorë të nazistëve, gjë që sillej si justifikim për krimet, masakrat dhe shpërnguljen e dhunshme masive të tyre. Kongresin e hapi kryetari i tij, Kasëm Demi, i cili foli “për mjerimin e refugjatëve çamë [Çam refugees] në Shqipëri të shkaktuar prej krimeve të Zervës dhe reaksionarëve të EDES-it”. Mandej u kalua në përshëndetjet e rastit, ku e para ishte Liri Gega në emër të Këshillit Antifashist të Shqipërisë, dhe mandej përfaqësues të ushtrisë, organizatës së rinisë dhe gruas.

Përfaqësuesi i Kryqit të Kuq shqiptar, Abas Shehu, dënoi qeverinë greke, gjeneralin Zerva, etj, ndërsa folës të tjerë “kërkuan kthimin e shpejtë të çamëve [Çams në anglisht] në shtëpitë e tyre nën mbrojtjen e aleatëve” Përsëri këtu del në pah qartësia dhe pjekuria e komunitetit çam, çka shfaqet me kërkesën për t’u kthyer në shtëpi nën mbrojtjen e Aleatëve. Me rëndësi paraqitet edhe propozimi i Dr. Idris Allulli, “çam emigrant”, sipas të cilit hetimi i krimeve kundër çamëve nuk mund të bëhej duke çuar një komision hetimor në Greqi, pasi “atje nuk kishte liri të fjalës. Komisioni duhet dërguar në Shqipëri, ku emigrantët çamë mund të shprehin atë që dëshironin”. Së fundi, Vehip Demi, Kryetar i Këshillit Çam, kërkoi kthimin nga Aleatët të “kriminelit Nuri Dino…i cili shëtiste lirisht në Itali”.Ai deklaroi gjithashtu se “Çamët ishin gati të luftonin krah për krah me ‘forcat shqiptare’ për të shkatërruar mbeturinat e fashizmit”. Në fund ai falënderoi qeverinë shqiptare në emër të refugjatëve çamë për marrëveshjen me UNRRA-n, për të cilën u fol më sipër. Ndër folësit në Kuvend ishte edhe Haki Toska, në atë kohë në funksionet drejtuese në Prefekturën e Gjirokastrës, i cili dha përshtypjet e gjalla të pritjes së refugjatëve çamë në territorin shqiptar. Kuvendi i Dytë Çam ka rëndësi të veçantë pasi pasqyron strategjinë dhe taktikën e udhëheqësve çamë në një moment tejet të vështirë historik të tyre, pikërisht kur ishte kryer spastrimi etnik i popullsisë çame të besimit mysliman. Megjithatë, sikurse u përmend, ata e ruajtën qartësinë dhe tejpamësinë, çka del në parashtrimet dhe kërkesat e tyre.

Ato ishin: Së pari, kthimi në shtëpitë e tyre në Çamëri si objektivi kryesor strategjik, si vullneti i palëkundshëm i refugjatëve të të gjitha moshave, si amaneti i papërmbushur i gjyshërve e prindërve, motrave, vëllezërve, fëmijëve të tyre, viktima të masakrave në Çamëri apo të urisë, sëmundjeve dhe kushteve çnjerëzore gjatë muajve të parë të strehimit të tyre të përkohshëm në Shqipëri. Nga pikëpamja taktike kjo u kërkua të arrihej me ndihmën e Aleatëve, çka ishte veprim i zgjuar diplomatik e politik, paçka se nuk u njëmendësua dot në atë kohë. Së dyti, udhëheqësit çamë kërkonin hetimin e plotë dhe objektiv të masakrave të pashembullta të kryera ndaj minoritetit çam, hetim i cili duhej kryer duke marrë në pyetje dëshmitarët dhe viktimat e drejtpërdrejta të masakrave, të cilët ndodheshin në Shqipëri. Së treti, udhëheqësit çamë e deklaronin veten plotësisht të lidhur dhe të bashkuar me kauzën e Aleatëve të mëdhenj në Luftën e Dytë Botërore dhe ofronin ndihmën e tyre për të shkatërruar mbeturinat e fashizmit.

Ndërhyrjet e organizatave dhe përpjekjet historike për drejtësi

Dokumentet arkivore amerikane dhe burimet e tjera të botuara përcjellin fatin e hidhur të njërës prej popullsive më vitale, por edhe më të persekutuara të kontinentit evropian, minoriteti çam të Greqisë. Kemi të bëjmë me një popullsi autoktone, me cilësi ndër më të rrallat, e cila përbën pasuri të vërtetë për Greqinë e sotme demokratike dhe evropiane. Me kulturë dhe tradita të lashta, minoriteti çam u sakrifikua në Konferencën e Ambasadorëve prej disa Fuqive të Mëdha për të kënaqur orekset shoviniste të Athinës. Pavarësisht nga ndryshimet territoriale, çamët duhet të gëzonin të gjitha të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve të garantuara nga e drejta ndërkombëtare dhe legjislacioni grek. Projekti për ndryshimet territoriale në favor të shtetit grek dhe në dëm të popullsisë çame i përpunuar në Kongresin e Berlinit, u zbatua më vonë me fillimin e Luftërave Ballkanike më 1912, me rënien e Janinës, dhe me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës për nguljen e vijës kufitare në Kepin e Stillos. Megjithë garancitë e dhëna nga qeveria greke për respektimin e të drejtave, zakoneve, dhe interesave të popullsive të territoreve të fituara prej saj nga Perandoria Otomane, ku përfshihej edhe Çamëria, popullsia e kësaj të fundit iu nënshtrua shpejt një terrori të pashembullt, aq sa hyrja e ushtrisë italiane në Çamëri në qershor 1917 u prit si çlirim i mirëfilltë. Në atë kohë patriotët shqiptarë bënë çmos për vendosjen e Çamërisë nën administrimin afatgjatë italian ose të një fuqie tjetër të painteresuar, si dhe zgjidhjen e çështjes çame me plebishit, domethënë në përputhje me vullnetin e lirë të banorëve të saj.  Inkorporimi përfundimtar i Çamërisë në shtetin grek pas Luftës së Parë Botërore dhe konsolidimi gradual i shtetit shqiptar e sollën çështjen çame në kuadrin e të drejtave të minoriteteve, tê marra në mbrojtje nga Lidhja e Kombeve.

Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe pas shpërnguljes së dhunshme të popullsisë çame të besimit mysliman, synimi i lëvizjes çame ishte kthimi në shtëpitë e tyre dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut të minoritetit çam ortodoks në Çamëri. Dokumentet e përmbajtura në arkivat amerikane tregojnë se diplomacia amerikane ka patur njohuri dhe është ndeshur qysh herët me problemin çam. Në përputhje me rrethanat historike të momentit, çështja çame iu paraqit diplomatëve amerikanë fillimisht, sikurse edhe Kosova, si problem i mirëfilltë i tërësisë territoriale. Qeveria amerikane, për arsye të rolit të kufizuar të SHBA-të arenën ndërkombëtare në fillimet e Shekullit XX, nuk ishte palë në tratativat e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, të vitit 1912-1913. Interesimi amerikan për çështjen çame fillon vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore. Dokumentet tregojnë përpjekjet e patriotëve çamë, por edhe atyre në Shqipëri dhe diasporë, për përfshirjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e çështjes çame. Ideja për vendosjen e Shqipërisë nën administrimin e përkohshëm amerikan dhe zgjidhjen e çështjes çame me referendum – e hedhur qoftë nga patriot shqiptarë, dhe qoftë nga ndonjë diplomat amerikan – synonte korrigjimin e vendimeve të Londrës dhe rikthimin e Çamërisë. Dokumentet vërtetojnë se, pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria amerikane mbajti qëndrim neutral, dhe nuk vendosi të ndërhyjë për ndryshimin e kufijve të “Shqipërisë së Londrës”. Ndryshe nga qeveria angleze, me të cilën pati herë-herë divergjenca, qeveria amerikane nuk ka mbështetur ndryshime të kufirit jugor Shqipëri-Greqi përtej atij ekzistues në vitin 1939.

Siç u theksua më sipër, pas Luftës së Dytë Botërore çështja çame mori karakter humanitar dhe të të drejtave të njeriut. Po ashtu, dokumentet tregojnë se qeveria amerikane e pa me shqetësim të madh spastrimin e dhunshëm etnik ndaj minoritetit çam të besimit mysliman në Çamëri të vitit 1944-1945. Sa i takon së sotmes, ndryshe nga pretendimet e disa qarqeve në Greqi për “mosekzistencën” e saj, çështja çame është gur prove në ecurinë e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Zgjidhja e çështjes çame kërkon para së gjithash vullnetin e mirë, të munguar deri më sot nga qeveria greke. Për më tepër, ajo nuk ka – dhe as ka pasur – karakter ngushtësisht dypalësh. Fakti që edhe vetë UNRRA u angazhua seriozisht në vitin 1945 për të furnizuar me ndihma humanitare refugjatët çame në Shqipëri tregon karakterin ndërkombëtar të çështjes çame në një moment kyç të evoluimit të saj. Si çështje e të drejtave të njeriut, çështja çame nuk mund të injorohet më tej, dhe as të lihet jashtë objektit të organizatave ndërkombëtare apo shumëpalëshe si Këshilli i Evropës, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë apo edhe vetë OKB. Po ashtu, duke qenë se pjesëtarët e minoritetit çam janë de facto qytetarë të Bashkimit Evropian dhe shtetas të Greqisë, ata dhe pasardhësit e tyre nuk mund të diskriminohen për shkak të vendlindjes, prejardhjes etnike apo besimit dhe atyre nuk mund t’u mohohen të drejtat e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë brenda BE-së, dhe as e drejta e kthimit në shtëpitë e tyre në Greqinë evropiane.

‘Le Figaro’, Kryeministri shqiptar Ahmet Zogu, viktimë e një atentati

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Qershor 2019

“Le Figaro” ka botuar, të dielën e 24 shkurtit 1924, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me atentatin ndaj Ahmet Zogut, asokohe kryeministër i Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Romë, 23 shkurt.

Na shkruajnë nga Tirana, më 23 shkurt, nëpërmjet Agjencisë Stefani :

“Në momentin kur Kryeministri shqiptar, z. Zogu, hyri në sallën e Asamblesë Kushtetuese, një student me emrin Beqir Valteri, qëlloi tri herë me revolver mbi të, duke i shkaktuar plagë të lehta në dorë dhe në këmbë.

Nuk ka asnjë shqetësim për gjendjen e z. Zogu.

Fajtori u arrestua dhe u dorëzua para drejtësisë.

Qetësia mbretëron kudo.

Asambleja vazhdoi punën e saj. Z. Frashëri u zgjodh President.”

Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 (I)

Shqiptarët e të drejtat e tyne

(100 vjetori 1919 – 2019- fjalimi “Shqiptarët e të drejtat e tyne” në Konferencen e Paqës)

At Gjergj Fishta O.F.M./ Paris 20 qershor 1919

Zotnij

Ç’ me kohë të Luftës turko – ballkanike e tektej zemrat e Shqiptarëve kanë pikue gjak prej dhimbjes e mjerimit, për arsye që Europa e qytetnueme përkuli në Konferencë të Londres së 1913 ma se gjysen e Shqipnisë e plot një milion Shqiptarë, nen zgjedhë të randë t’ anmiqve të tyne kufitarë. E pse këta anmiq të tyne ishin si me numër si me miq ma të fortë, kështu ndodhi që Shqiptarve s’u mbeti ma asnjë rreze shprese, se do të mund të nxirrshin ma kurr atë pre të lotueme prej çapojve të tyne rrëmbyesa e gjithmonë të zhyemun në gjak.

Por çka se, aty ka mbarimi i tetorit të vitit të kaluem (1918), ia mërritën në Shqipni ushtarët tuej trima, të cilët na thanë, se sot e mbrapa çdo popull, sado i vogel që të ishte, do të kishte të drejtë me da ai vetë per vete fatin e vet ekonomik e politik, e se të gjitha tradhtitë e padrejtësitë e bamuna ndonjë kombi nëpër traktate nderkombtare të përparshme, do t’ u ndreqshin e qortojshin në Konferencën e re të Paqës, e cila per së shpejti do t’ u mblidhte në Paris; pse ky kishte kenë, na thojshin ata, ideali ma i parë, për triumf të të cilit, mbi mbarë boten, ata ia kishin hy një lufte, që ma të shemtueme s’e ma mend historia e njeriut në daç për mjete, me të cilat pati nisë, në daç për mënyren, me të cilen u vijue. E kështu tue thanë, na kallxojshin varrët e shtatit ende të përgjakuna.

Në këto fjalë të tyne u trand Shqipnia gëzimit, e me shpnesë se edhe për te do të zbardhshin dikur ditë ma të mira, ku kje hapë e shpërnda u mblodh kuvendi në Durrës, e aty, një mendjeje e një zemre, vendoi me dalë shtet më vete e krejt i pavarshëm, përmbrenda caqeve që asaj natyra, gjuha, interesat e historia ia kishin caktue. Për me lypë, mandej, që t’ u ndreqshin e t’ u qortojshin dhunitë, tradhtitë e padrejtësitë që Kongresi i Berlinit një herë, e ma vonë Konferenca e Londres, sipërpërmendun, ia kishin ba Kombit Shqiptar, dau me nisë për Paris një Dergatë të posaçme, që t’u delte zot të drejtave të saj.

Veç shka se mbasi u kapën me këte të madhnueshmin kryeqytetin tuej – ku sot asht ngrehë Areopagu i rrokull Botës – puna na doli krejt ndryshe se kishte kenë fjala e atyne ushtarëve tuej. Pamë e u vertetuem se anmiqtë tanë, jo veç që nuk ishin tue dashtë me na i kthye viset, që me dhunë na i kishin grabitë, por ma tepër, llastue prej krahut të fuqishëm që po ua mbajnë do nder Pushtete të mëdha të Europës, lypin me shty ma thellë kufinin nder vendet tona e me shkepë krahina të tjera prej Shqipnisë. Pame e u vertetue, se, për me i dalë ma lehtas këtij qellimi, ata rrijshin tue shpifë në një mënyrë krejt të pandershme Kombit Shqiptar. Shka nuk kanë thanë e botue kunder Kombit Shqiptar të mjeruem! Çnjerzimi i tyne në të shpifuna kundër Shqiptarve asht shtye aq larg, sa ndokush nder ta ka mërrijtë me shkrue e me botue në një farë shtypi poshtërsisht të shitun interesave të tyne, se na Shqiptarët edhe fiziologjisht e biologjisht ishim ma poshtë se rodi tjetër i njerzimit. E, madje, me këto të shpifuna të veta kanë mërrijtë me ua marrë mendt botës së qytetnueme, sa që agjencitë telegrafike të këtueshme po na i kthejnë pajtimet tona e fletoret e vendit ose nuk i pranojnë kurrfare artikujt tanë, ose na lypin çmime të çuditshme e per t’u njehë nder përralla – deri në 50.000 Frank për artikull! – veç si me na i mbyllë shtigjet që me u dalë zot të drejtave tona.

Mos u çuditni, pra, zotni, që unë po kam guximin me ju dalë para në këte Atene të përmendun, – kenë gjithmonë dritë e shkelqyeshme qytetnimi e përparimi të vërtetë – e po shpërvjelëm me ju folë me një theks gjuhe të huej e nën një formë krejt të përvujtë ligjerate mbi Shqiptarët e mbi të drejta të tyne. Thika ka mërrijtë në asht; sot po i ndahet fati Botës. Jo veçse asht në rrezik pavarësia, e sipërania e Shqipnisë, por asht në rrezik jeta e Kombit Shqiptar. Sot, a vdekje a metja për Shqipninë e për shqiptarët. Nuk kishe me dijtë me thanë, e vërtetë, se deri ku fjalët e mija kanë me mërrijtë ta mënyrsojnë fatin e Shqipnisë; por bujaria e njohun e zemrave tueja, më jep shpresë të madhe, se, mostjeter, kam me nxjerrë prej jush një fjalë ankimi mbi kobet tona e mbi dhunë e padrejtësi që po i bahet Kombit Shqiptar. Asht disi një farë ngushllimi për të mjeruemin e ngratë me dijtë, se ka në shekull ndonjë zemer që ankon për te. E prandej n’ emen të Dergatës, të qeverisë e të Kombit Shqiptar mbarë i falemnderës Rektorit të përshndritshëm të këtij Universiteti, për mirësinë që pati tue më sjellë mënyren se si me u pjekë e me bisedue me Zotninë tuej.

I

Prej brigjeve gjimuese të Euksinit e në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej bigave bumbulluese të Akrokeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriut, në ato kavaljetet e kalueme, banonte, si zotnia juej mirë e di, ajo familja e madhe Trako-Ilirike, në nam’ e në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot, kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përmrenda gërmazave të pangishëm të gjireve të motit, e s’ mujti ma, ç’ me atë ditë që Gentius, mbreti i mbramë i Ilirëve, në 168 para Krishtit, kandriti triumfin e Lucë Pal Emilit, me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme. Ku shue shqimit, ku shkri e shartue me familje të tjera, ajo sot nuk ka ma nji fizionomi individuale të veten, në shtill të punëve njerzore. Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimshme anieje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familje Trako-Ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë e Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në stom të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët zanë vend a mbas murojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave gratçore dhe të kerthnesta, – banë e përmallshme e hyjnive të moshës prrallëzore. – u banë ballë me fuqi kurr të përkulshme të shpirtit të vet bujar, kjoftë thellimeve të kavaljeteve, kjoftë padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ende këta e flasin atë gjuhë të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshave të vet, e sot, edhe punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të Parët e tyne prehistorikë. E pra, sa kavaljete nuk gjimuen mbi krenat e tyne! Sa ndodhi e ndeshtrasha nuk u shkreh mbi shpinë të tyne! Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë romake; mbi ta u lshue i irun prej mnije e gjithmonë i pabesi sfinksi sllav; rrjesht per katër kavaljete të gjata i ra persipër boena e barbarisë aziatike; por, megjithkëte, ata nuk e vdaren njininë e vet kombtare dhe as që i lshuen doket e idealet e veta. Po; bash ky popull i paperkulun kurr, ende gjindmbi ato zaje të plleshme, ku të Parët e tij mprehshin rrasat, me ba me to armë per me ça rrashtat e anmiqve ose, ma vonë, ata u jepshin uji pallave të hekurta, per me shtrue me to mbarë boten nën kambë të nji Lekës së Madh, – kur mos t’ ishte që me i ba me kja me to, dhimshem vashat e Romës para nji Burri.

E mirë pra, Zotnij të nderuem, ky asht bash ai populli i vogël Shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë! I vjetër sa fosilet, sa stalagtitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, e le të thuesh prej vetë bucave të Shqipnisë, ai asht sot zot autokton e i pakundershtueshëm i tokave të veta.

Ende sllavi nuk kishte dalë prej bjeshtës së thellë t’ Uralit e ende s’ ishte ngjizun e sotmja frotë laramane neohelenike, kur Shqiptari korrte me zagna, fushat e pafund të Ballkanit. Qe kështu, Shqiptari e kishte mbyllë nji periudhë të gjatë të historisë së vet në moshen e rruzullimit. Na thoni, kush para Shqiptarit, i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?

Historinë e kemi aty, Zotnij të mij, e ajo na flet shumë kjartë. E asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare ose gjysëzyrtare: zani i saj i pingrueshem përshkon kavaljetët!

Për në kjoftë, pra, se ka një popull, që nëpër forcë t’nji preskripcioni e t’nji trashigimi të pakputun etnik ka tager me nda vetë per vedi shartet politike, ky asht, padyshim, Populli Shqiptar, i cili vetem mund të levdohet se ka nji preskripcion prehistorik mbi tokë të Ballkanit, si dhe nji Kombsi kryekëput të ndame prej atyne të popujve të tjerë ballkanikë. Prandej, po kje se pernjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor per trajtimin e shteteve e caktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë, që Shqipnia të qitet shtet më vedi, përmrenda kufijve të vet etnikë e gjeografikë.

Por çka se, simbas teorisë vilsonjane, për me mujtë nji popull me u sundue me vetvedi, posë kombsisë, duhet të merret parasysh edhe ndërgjegjja e tij kombtare.

Tash, për në kjoftë se si ndërgjegje kombtare duhet të kuptohet ndjesia për liri, si edhe ai dishir që mund të ketë nji popull të jetojë e të zhdrivillohet me vetvedi, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë thom se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ ia njofin Shqipnisë pamvarsinë, si dhe siperaninë e vet. E njimend: e po cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet, sesa Populli Shqiptar?

A dro asht sllavi i ngadalshem e i ngathtë, që, deri dje, i perkulun mbi shatë, pa nji ukaz të Carit të vet autokrat, të thuesh, as që i bahej me marrë frymë? E po, a thue asht greku, – ajo skilja e vjeter, – që gjithmonë, si nji bimë parazite, ju ngjesh ma të fortit per me gjallue në shpinën e tij? Apo asht Shqiptari, i cili e pështetë gjithë shpnesen në fuqinë e vet e n’ atë t’ armëve të veta: gjithmonë i drejtë me miq, bukëdhanës ndaj të huejt, i rreptë me anmiq, – të cilët, nuk i mninë, veçse i perbuzë, – e që ende, deri më sot, nuk i asht perkulun nji force të huej? Qyshse mbi tokë nisën të derdhen lot, qyshse mbi botë forca ia xuni vendin së drejtës e hipokrizia qeveritare filloi me ua pij gjakun popujve, balli madhështor i Shqiptarit s’ju perkul kurrkujt, perposë Zotit të vet! Kaluen, po, pushtuesit mbi Shqipni, por nuk kjenë kurrë zotnues mbi Shqiptarë! Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinëz e me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrendë drojen e pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurr me thanë se ka sundue aty mbrendë; njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni, pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue Shqiptarët. E mos kujtoni, Zotnij, se unë këtu jam tue ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej të vlertë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipninë: “Zotnimet e hueja kanë përshkue mbi komb shqiptar, pa lanë në te kurrfarë gjurmet, si uji që rrëshet mbi shpinë të rosës”. I ndritshmi zotni Renè Pinon, mandej, – kompetenca e të cilit nder punë të Ballkanit asht fort e çmueshme edhe perjashta Francës, – në nji artikull të vetin mbi Shqipninë, botue në blenin e dhjetorit të 1909 të së perkohshmes “Revue de deux Mondes”, shkruen “Bullgari, atje nder fusha të Maqedonisë, perkulet mbi shatë e punon tokat e turkut, ndersa shqiptari asht mbreti i maleve. Gjuetar, bari, ushtar ose cub; ai s’i nenshtrohet veçse Kanunit të vet e s’pret ndihmë veçse prej armëve të veta.” Për liri të vetën, Zotnij, Shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që Shqiptari, në mes të sa ndodhive dhe ndeshtrashave politike e për nji periudhë aq të gjatë kavaljetesh ka mrrijtë me e ruejt gjuhën, doket e karakterin e vet kombtar, – e këto, jo vetëm në Shqipni, por edhe perjashta, difton çiltas, se ai asht dhe se don me mbetë Shqiptar. E, se prandej ndërgjegjja kombtare ka lëshue rrajë të thella në Shpirt të tij.

Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit Shqiptar për liri dhe pamvarsi kombtare, duket prej historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pamvarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombtare e këtij populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.

Që atje kahë e zbardhmja e të XV qindvjet hanëza përgjakshëm prej Azie kukëzohej mbi hapsinë të Europës. Ishte Zotmadhi i turqve, që në krye të ma s’ rreptes ushtri të botës s’ atëhershme, kapercente Helespontin e në mëni të vet trishtueshëm betohej, se hanëzen për t’a vu kishte mbi Shën Sofi të Stambollit e, në oborr të Sh’ Pjeterit në Romë, do t’i epte tagji kalit të vet. E pse njeri dokrrash e pallavrash ai nuk ishte, perpara tij u rrenuen mbretni, ranë frone e u lëkund në themele të veta mbarë qytetnia përendimore. Shkatrrue Bizanci, nda Europa prej luftash e ngatrresash të përmbrendshme, se kush do të dilte me ua ndalë hovin këtij anmiku të përfelgrueshëm?

Kur qe, se mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrëfeje, me dy sy si gaca e nji mjekër të thijtë, që si shtëllungë gjatë çenave i shtiellet, si re mizore kresë së një shkambi të thepisun. Tmerrshëm përkrenarja i flakon mbi krye, e cila, n’ atë vezullimin e vet të trishtueshëm, danë si kometë zharitëse, sherbëtore e mënisë së perfrigueshme të Perëndisë. Ai asht Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fatosi në za Skënderbeg Kastrioti, që në mendje tue pasë lirinë e të Parëve e të bardhen lumninë e hershme, me sy të vrantë kundron anmikun e rreptë të kombeve të qytetnueme. Në rropamë të mjerueshme të sa froneve, të sa theroreve, hidhet si duhia në shpinë të një kali të trumhasun, që, mal nxjerrë pasmen përpara e fry turijtë përpjetë nuhatë eren e gjakut; rrokë me të djathtën pallen – rrufe e me të majten ngreh flamurin e Atdheut, ngjye kuq e zi: gjak e vdekje. Nji fllad i ambel, i kandshëm – flladi i dashunisë – lehtas e zhvillon flamurin e Atdheut, që i madhnueshëm valvitet nëpër ajr të lirë të Shqipnisë si ajo fleta e zjarrtë e një Kerubini të qiejve: si ai skundilli i petkut të Perëndisë, që bukur ka ndritun me hana, yje e diej, i kallthtërt prej cepave t ‘ amshueshëm i varet gjanë Empirit të pamatun, atëherë ka mbështetë permbi thellim të ushtueshëm të rribës s’ murlanit, vé në sheste boshtin e rruzullimit. Në këte dukë të permnershme force, Skenderbeu, atëbotë, del në vetull të thepisun të karpes krutane e “Eni Shqiptarë!” bulurit, si luan prej fangut të zharitun të shkretisë, “Eni fluturoni, o bijtë e maleve të lira se Atdheu gjendet në rrezik!” E qe, se në atë kushtrim nji çetë e vogel homeridësh – burrash Shqiptarë si lejshin motit, po shterngohet përreth tij, e aty nënhije të Flamurit t’ Atdheut, ban be mbi gurë të vorrit të të Parvet të vet, se një pëllambë tokë të Shqipnisë nuk do t’ ia lëshonte anmikut, po s’ e lau para të tanë me gjak të tij të zi e të përdhosun. Të forcuem me atë bé, të forcuem me Shejtni të të drejtave, e shpresë tue mbajtë por në Zotin e në krah të arenztë të vetin, të bijtë e malevet të Shqipnisë lëshohen fulikare mbi froten e shtojeve t’ Azisë. E lufta titanike ia nisë. Në të ndeshun të rreptë të ushtrive tymi çohet deri mbi rê e perfrigueshëm gjimon toka nen kambë. Gjaku rrymben rrëkajë. Frota aziatike shuhet përdhe. Habitë pushtuesi i rreptë i Stambollit, prej hidhnimit grisë buzen me dhambë, dhe nis me u pendue pse ia kishte hy luftës me Shqiptarët. Rrafsh njëzet vjet ndej tue u pre Shqiptari me turk, per me i dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E në njëzet vjet lufte të tmerrshme, me sa Leka i Madh, me sa Jul Çezari, Skenderbeu s’ mujt me u thye prej ma të rreptit mbret t’ atyne kohëve.

Qe, Zotnij, se si lufton e si mund Shqiptari, kur të jetë puna per me i dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E mos kujtoni, se unë kam ardhë tue zmadhue punët, me qellim që me kthye mendjen tuej në ndihmë të Shqipnisë: Unë nuk kam ba tjeter, veçse me permbledhë në pak fjalë, shka nder libra të randë kanë shkrue mbi kohë të Skënderbeut shkrimtarë në za prej gjithë kombesh t’ Europës: Spanjollë, italianë, anglezë, suedezë, grekë, sllavë, gjerman, e nder të cilët edhe, pak me thanë, nja njëzet francezë.

Por mundet, ndoshta, ndokush me më thanë se Skënderbegu, këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjes kombtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet? Se sa e pathemel kishte me kenë kjo fjalë, duket prej punve të Skënderbegut, i cili, në mos me atë mëni, ai luftoi po me aq trimni kundra venecianëve, sa ç’ pat luftue kundra turqve, atëherë, kur venecianët deshtën të pushtojnë vise të reja në Shqipni – Dejën e Drishtin. – Këtu, disi për rrëshqit, due t’ ua kujtoj Zotnisë suej, edhe nji tjeter punë. Deri sa Shqiptarët luftojshin kundra turkut per liri të Shqipnisë e t’ Europës mbarë, shka bajshin grekët e serbët, ata që sot Konferenca e Paqes asht tue i mbajtë nen stjetull si djelm dishirit? Grekët, si Zotnija juej e din mirfilli, edhe atëherë kur turqit kishin mërrijtë te dera e Stambollit, rrijshin tue u marrë me çeshtje fetare kundra Kishës së Romës. Po kështu edhe Dhespoti i Serbisë, sadoqë kryetar i nji populli trim e luftar, – deri sa gjaku Shqiptar shkonte rrëkajë per liri dhe pamvarsi t’ Atdheut, ai niste krushqi me turq, tue ia dhanë të bijen per grue Sulltanit dhe, pështetë mandej në këte fakt, serbi pengoi bashkimin e ushtrive të Skënderbegut me ato të Huniadit, e per rrjedhojë, u thye ushtria e krishtenë në Varna, tue marrë në qafë ma se gjysen e Europës. E tash, shi këta grekë e këta serbë, janë ata që ma fort se askush tjeter shpifin kundra Shqiptarve, tue thanë se nuk kanë ba kurrgja per liri e pamvarsi të kombit vet! Por unë shpnesoj, se Zotnija e juej, që e di mirë se në ç’ hall ka vojtë Europa mbas kater vjet lufte, ka me e çmue si duhet e sa duhet ndergjegjën kombtare të Shqiptarvet, që për njëzet vjet rresht e mbajtën luften në kambë, veç për mos me bjerrë lirinë e pamvarsinë e vet.

E mos kujtoni, Zotnij, se me dekë të fatosit të lumnueshëm Gjergj Skënderbeut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e Shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha, të cilat, gjatë rrjedhjes së katër kavaljeteve, kombi Shqiptar i bani qeverisë otomane a për me pshtue prej zgjedhës së sajë, a për me e ngushtue që mos t’i bante n’ asgja të drejtat e tija. Edhe pamvarsia e Greqisë asht nji lule e rimun me gjak Shqiptar. Zhavellët dhe Boçarët kanë kenë Shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo, po, Greqinë e kanë lirue shqiptarët e jo grekët, e ma pak e kanë lirue do Pushtete të mëdha, të cilat aso kohe bajshin spekulime mbi Greqi, ashtu si, do Zoti, po bajnë sot mbi Shqipninë. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ua vertetue edhe Venizelosi vetë; por, në mos dashtë me ua thanë ai, ja u kallzon Lamartini, i cili, tue folë mbi pamvarsi të Greqisë, thotë se kjo nuk kje tjetër, veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbrenda Greqisë kundra elementit turk.

Edhe konstitucioni i Turkisë kje nji veper e shpirtit të lirë e të pamvarun Shqiptar.

Shqiptarët, po kjenë ata që ngushtuen Sulltanin me e dhanë e me e shtij në punë konstitucionin në vjetin 1908. E kur Turqit e Rij nisën ta perdhosin dhe ta çorodisin vetë konstitucionin, tue u mundue me e sjellë ate krejt në dobi të veta të veçanta e jo per të mirë e dobi të mbretnisë, Shqiptarët u ngritën e me armë në dorë dhe lypen prej Sulltanit decentralizacionin dhe autonominë e krahinave të mbretnisë. Edhe Sulltani kje gati me ua çue në vend dishiren e tyne. Kur qe, shtetet e vegjel të Ballkanit, – që Shqipninë e kanë pasë mbajtë si nji “trashigimi” të tyne, – tue pa se nëper autonomi Shqipnia po u delte doret njiherë e pergjithmonë, çohen e i qesin luftë Turkisë! Asht e vertetë se nji pjesë e shtypit europjan e pershndeti këte luftë si nji luftë kryqtare per lirimin e popullit kristjan prej zgjedhës otomane; por ajo, në vetvedi, nuk kje tjeter veçse nji luftë rrenimi, çue peshë prej kristjanve të Ballkanit, per me e rrenue Shqipninë dhe me e humbë të mjerin Kombin Shqiptar!

Arsyeja pra, pse kombi Shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vedi, nuk kje puna se atij i mungonte ndërgjegjja kombtare ose ndjesia për liri e pamvarsi, por kje fakti se, shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë, jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se Shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte kenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.

Po e shof, Zotnij, se kjo fjalë në gojën teme disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvedi! Por shka ti bajmë punës, janë faktet që më japin arsye! Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithkëtë, turku ia njofti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qinda mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë kombi hoqi zi e si asht ma zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë: Në vjetin 1912 kërset lufta Turko-Ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. E mirë. Po shka bajnë këta? Njiherë mbysin, pak me thanë, dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue Fenë. grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qinda e qinda katunde, veçse si e si me e farue Kombin Shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombtare, mbas sa intrigash të poshtme, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri, Kombi Shqiptar ka pasë mështetë gjithë shpnesën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë, ata nuk sollën kurrnjisend përsëmari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhjetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të kombit Shqiptar. Gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar, t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çfutnit, nji tagri me shqiptarët, sadoqi, aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë Jugore. Por shka se, në vend të smutoreve, ngrejnë kala; në vend të barnatoreve, ngulin topa e gopedra, në vend të hapave dhe barnave, mjellin mina në det, a thue se dy vjet ma parë, Qeveria Shqiptare nuk e kishte dorzanu integritetin dhe neutralitetin e Shtetit Shqiptar! Në vjetin mbas, 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë, e mbas pak kohet, shi ata që kishin ba gjithë ate zhurmë e poterë per me mkambë Shqipninë shtet në vedi, i proklamojnë popullit Shqiptar se ky do ta kishte autonominë e vet, atbotë kur ky t’ ishte i zoti: si me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë Jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin Shqiptarë. Sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër këto vise, të bahet plebishiti për me caktue kufijt e Shqipnisë. Ironi e helmueme! Prej këtyne punëve, – për mos me folë për të tjera, – duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjanët, se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohë Shqipnisë njifarë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.

Kombi Shqiptar ka tager me kenë njoftë shtet i pamvarshem e sovran, pse asht Komb autokton i viseve ku sot me sot banon, e pse e ka të shquet ndergjegjen lirie e pamvarsie: Si me thanë, se ka në vetvete të gjitha mëndorjet e lypuna që me u njoftë një Komb Shtet më vedi e i pamvarshem. Prandej Konferenca e Paqës asht e detyrueshme para historisë e njerzimit mbarë – per në mos dashtë me u ra mohi parimeve të veta – me na i njoftë këto të drejta tona.

II

Deri këtu kumbona jonë. Tash lypet, që të ndieni edhe atë të anmiqve tanë; pse dishroj që të thelloni me mend sa ma mirë këte çeshtje, për me mujtë masandej me dhanë një gjyq të kthjelltë e të paanshem mbi Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Duhet dijtë, që as anmiqtë tanë nuk e mohojnë vjetersinë e dashuninë e Kombit Shqiptar për liri e pamvarsi; veçse ata mundohen me i kamuflue pretenzionet e veta mbi Shqipninë nën maskë të do shkaqeve të hijshme. Edhe diplomacia e anmiqve tanë thëmelohet , si ajo e botës tjetër, mbi egoizëm e mbi hipokrizi.

Thonë, pra, anmiqtë tonë e do mbrojtësa të tyne, se e vërtetë që Kombi Shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit e se ka nji dashni të gjallë për liri dhe pamvarsi të vet; veçse çka, se megjithkëte, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vedi se Shqiptarët janë:

a) barbarë, b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se,

c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vedi dhe krejt i pamvarun.

E dij, se unë jam tue vue tepër në provë durimin tuej; por mue më duhet domosdo me i qitë poshtë me arsye këto shkaqe, ose ma mirê me thanë, këto të shpifuna tê tyne kunder Kombit Shqiptar, tue kenë se unë i jap një randësi të madhe fort gjyqit që Zotnija e juej mundet me përba me mend mbi të drejtat e Shqiptarëve.

Pra, simbas mendimit të anmiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyne, lypet që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë, për me e sundue dhe për me vu rregull, – meqë shqiptarët janë barbarë e të egjër e nuk janë popull që di me u qitë shtet më vedi, pra me qeverisë.

Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën, me të cilat ka nisë e vijue Lufta e madhe europiane, kishe me thanë se barbaria dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dishirën për liri e pamvarsi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun; që kanë ba me dekë prej ujet e gazepit me mija njerëz të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombtare e njerzore dhe kanë pre në besë me qinda mija rob të ramë në dorë, – e megjithate, sot ata munden me kenë shtete të pamvarun e të lirë; – po atëherë, pse nuk mundet me kenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të dekunit urije, ku ndorja e besa edhe ndaj anmikut janë të pathyeshme?!

Kongresi i Versajës me 1919

Serbët, në kohën e Luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çilë nanave Shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden Shqiptare shi në të XX qindvjetë, ndersa sot, Konferenca e ka menden me ua dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera (kupto: Shqipninë). Pse tash, Shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në vedin e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vedi, i lirë e i pamvarshem?

Por, edhe me pasë për ta marrë barbarinë si gjendje petkore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se Kombi Shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë kenë po me ato mndorje që ka pasë Kombi Shqiptar. E per mos me shkue teper gjatë këtu nuk po ju permend sesi spanjolët kanë mbytë ma se 15 miljon hindjan t’ Amerikës, si e kallxon Imzot De La Casa, në nji relacion që i bani Mbretit të Spanjës; dhe as po e zgjas sesi Arigat e Elizabetët e Anglisë i kanë vue reformat besimtare në mbretni të vet; vetem po due me ju qitë nder mend, kobin e hallin e zi që e mbuloi këte të bukurin vendin tuej, – i cili kje gjithmonë shkolla e lirisë dhe e qytetnisë. – Atëherë kur populli francez, në kryengritjen e vjetit 1789, mërrijti me marrë armët në dorë e me i rrëzue autoritetet e nderueme, Ju Zotnij, e dini fort mirë sesi ky popull francez, që edhe atëherë ishte pasqyra e modeli i elegancës dhe politesës, jo vetem që e lau tanë Francën me gjakun e vllazenve të vet, por nuk i fali as rreshtat e atyne fatosave, të cilët, aq lumni e nderë i kishin sjellë “a la grande nation”; por due me thanë, se i kanë dhunue deri kockat në vorr Martirve të vet. Me këte rast, po due t’ ju qes nder mend sa gjaqe e sa dhuni bahen, shi nder këto kohët tona, n’ atë lulishten e Europës që asht Italia. Shumë e njoftuna, e perkohshmja e Romës “La Civiltá Cattolica”, në numrin e vet të Dhetorit të 1914, botonte nji artikull interesant, të quejtun “Il pericolo interno” ku, me statistika në dorë, thotë se në Itali per njizet vjet rresht, prej vjetit 1894 e deri në 1914, kanë ndodhë nga njiqindmijë vrasje në vjet, pra tre perqind e popullsisë. Kur, pra, në mjedis nji mbretnije të qytetnueme si Italia, që asht vendi i bukurisë e i fisnikisë, e ku ka polici e xhaindarmeri e ushtri e flotë detare, mund të ndodhin kaq gjaqe e vrasje, atëherë, pse Shqipnisë nuk mund t’ ju njifka e drejta e lirisë dhe e pamvarsisë ku, megjithse nuk ka as polici, xhandarmeri, as ushtri kombtare, as gjykatore, as shkolla e institucione tjera kulturore, numri i të vramve, – si dihet prej statistikave, – mezi’ mërrinë në nji perqind në vjet? Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vedi e të pamvarun dhe kjo, jo sepse Shqiptarët na kenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot, nji ushtri e nji flotë të veten, me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose me thanë ma kjartë, u vehet kamba Shqiptarve, vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht, e jo, sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.

Por këtu tash, vjen edhe puna e gjakmarrjes, – la vendetta, – prej të cilit fakt, anmiqtë tonë, si edhe kumbarët… e tyne, duen me e prue si argument per barbarinë e egersinë e Kombit shqiptar. Kurrkush ma fort se unë, – si nji Prelat kishtar, – nuk mund ta dënojnë punen e gjakmarrjes në vetvedi e ta marrin si nji fakt të zhdeshun prej mndorjeve, ndermjet të cilave kjo ndodh. Veç shka se, per me e caktue gjendjen shpirtnore, asht apo nuk asht barbare në nji njeri ose në nji Komb, nuk duhet të merret aq në kujdes fakti, sa shkaku psikik që e shtyn njeriun ose nji Komb, me veprue kështu. Bjen fjala: kanibali mbyt nji njeri, por edhe gjykatsi europjan e mbyt nji njeri. Tash, a mund të thomi se të dy janë njisoj barbarë? Jo; pse kanibali e mbyt njeriun per me i hanger mishin dhe prandej, si rrjedhojë asht barbar. Ndersa gjykatsi europjan e mbyt njeriun, jo me i hanger mishin e as per me e shfrye mëninë e vet mbi te, por per me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm e, bash per këte, nuk asht barbar. Në se e marrim punen pra, nga ana psikologjike, unë tham se çeshtja e gjakmarrjes në Shqipni, nuk asht nji argument i cili sherben per me percaktue barbarinë e egersinë e Kombit Shqiptar, por ky asht si rezultat i disa mndorjeve, të cilat nuk mvaren prej Shpirtit të këtij Kombi.

Mbas Kanunit, i cili asht të shprehunit e Shpirtit të Kombit Shqiptar, çdo vrasje asht e ndeshkueme me dekë. Dihet se, simbas Kanunit, po t’i kishte ra në dorë gjaksi autoritetit ekzekutiv të Kanunit, ky do ta kishte mbytë ate në vend, pa kurrfarë ngurrimit.

Po gjaksi shpesh ikë, lëshon vendin e struket larg, si mik, në mbrojtje të nji Bajraku tjeter, tue i pshtue kështu gjyqit të Bajrakut të vet. Duhet dijtë se në Shqipni, miku asht i patrazueshëm e nuk mund të preket prej kurrkujt. Sepse, po ndodhi që ndokush ia ngau mikun kujt, kjo “dhunë e bame ndaj mikut”, s’ mund të lahet ndryshe, veçse me gjak prej anës së mbrojtësit të tij që e ka marrë ndore. Kështu ndodhi që autoritetet e Bajrakut të gjaksit nuk kanë muejtë me i dhanë ndeshkimin e dekës, tue kenë se po ta kishin vra në ndoren e nji Bajraku tjeter, do të ishte ngrehë luftë ndërmjet këtyne dy Bajraqeve. Per mos me i dhanë shkas pra, nji luftet civile, autoritetet e Bajrakut të gjaksit, ia djegin shtëpinë gjaksit, – i vetmi ndeshkim që, si mbas mndoreve të vendit, mund t’i bahej atij, – e persa i përket ndeshkimit të vdekjes, ua len këte përlim shtëpisë së të vramit, që ta kerkonte e ta vrante gjaksin, por jo si nji Bajrak me tjetrin. Këte punë kanë mërrijtë me e ba autoritetet e Bajrakut, tue kenë se, në sy të tyne, çdo njeri që asht i zoti i armëve, thirret edhe si ushtar i Bajrakut. Per ma teper, duhet dijtë edhe se këto vendime të Kanunit kanë kenë njoftë edhe zyrtarisht prej Sovranit të vendit që ishte, në këte rasë, Sulltani i Stambollit.

Shqiptari pra, tue vra gjaksin e vet, nuk ban gja tjeter, veçse çon në vend nji ligj të cilin ai e mban si të drejtë. Nëse duem të flasim në pikpamje psikologjike, veprimi i atij që merr gjak asht nji veprim i ligjshëm e nuk mund të thirret kurr uhamarrje, vendetta. As xhelati i Luigjit XVI, i cili ia preu kryet Mbretit, nuk pyeti, a ishte e drejtë apo jo me ja pre kryet këtij, por e mbyti se ishte i bindun se ligji ishte i mirë e i bazuem n’ arsye. Qe pse atij nuk iu desht t’i pergjegjej askujt per premjen e kokës së Krajlit Francës dhe, as sot e kësaj ditë, kurrkush nuk thotë se ai kje nji njeri barbar. E se vrasja e gjaksit, nga pikpamja psikologjike nuk asht nji vendetta, danë edhe per faktin se vrasja ndermjet dy familjeve hasme, nuk shtyhet në nji numer të percaktuem, por, nji të vramë gjaksit, dy familjet marrin e japin njena me tjetren, si me të gjitha familjet tjera të Bajrakut, – pak a shumë, aq sa marrin e japin ndermjet tyne, shtetet e mëdha të Europës së qytetnueme, mbas nji Lufte Botnore.

“Zgjoi” sjell bashkëprodhimin e parë zyrtar në mes Kosovës dhe Zvicrës

Filmi “Zgjoi” me regji dhe skenar nga Blerta Basholli dhe producenti Yll Uka mbështetet nga tri fonde të tjera: nga Zvicra – Fondi Shtetëror (Federal office Culture OFC), Cinéforom nga kantoni i Gjenevës si dhe nga Televizioni Nacional Zvicran RTS i cili është njëkohësisht edhe bashkëprodhuesi.

Siç njofton QKK, filmi përcjell Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë.

Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.

Ky është ko-produksioni i parë zyrtar Kosovë-Zvicër, duke qenë njëkohësisht i mbështetur edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia që bën një bashkëprodhim në mes katër shteteve. Producent të tjerë të filmit janë: producenti ekzekutiv Valon Bajgora, bashkë-producentët Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Paskal Semini dhe Agon Uka.

Aktorët në rolet kryesore janë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Kaona Sylejmani, Mal Safqiu, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Blerta Ismaili, Molikë Maxhuni, Valire Zeneli etj./KultPlus.com

‘Hope Of Escape’, filmi më i ri për shqiptarët

“Hope Of Escape” ose “Shpresa për ikje” është filmi më i ri që është duke u xhiruar në Amerikë për shqiptarët. Producent dhe skenarist i këtij filmi është shqiptari nga Kosova Tony Balaj, kurse regjia e filmit është realizuar nga Jon Russell Cring. Drejtor fotografie Tracy Nichole Cring, “Pre-Prodaction” dhe “Administrative Work Lang Ross”.

Balaj njofton se xhirimet do të fillojnë më 1 tetor të këtij viti dhe 90 për qind e aktorëve do të jenë amerikanë e 10 për qind shqiptarë. Sipas tij, është paraparë që dhjetë ditë xhirime do të realizohen në Kosovë në lokacione të ndryshme.

Balaj thotë se me ta prezantuar idenë për realizimin e një filmi të tillë ka pritur shumë diskutime nga çdokush që ia ka prezantuar e më e rëndësishmja për të thotë se është fakti që po pasqyrohet një ngjarje reale, e cila ka ndodhur në Kosovë në vitet 1999. Ai thotë se bashkëpunëtorët amerikanë po emocionohen me historinë, e sidomos kur e shohin që brenda filmit ata janë shpëtimtarët e mirëpresin edhe më shumë.

“Hope of Escape” do t’i mirëpresë edhe tre aktorët e njohur në botën e filmit, siç janë Scot Adkins, The Miz dhe Dolph Londgren, me të cilët Balaj njofton se është duke negociuar tani kohën shkaku i angazhimeve të aktorëve. Por që sipas tij këta janë aktorë të pëlqyer edhe nga shqiptarët dhe janë të përzgjedhur posaçërisht secili për rolin përkatës, që do ta kishte zotëruar më së miri.  Tony Balaj njofton se ideja e cila është prezantuar para aktorëve e para produksionit ka rezultuar si shumë interesant për faktin se ka të bëjë me një histori reale të dy popujve. “Dëshira ka qenë imja që të zbardhen faktet e një populli përmes filmit. Shumë njerëz në vendin ku jetoj unë në Nju-Jork nuk kanë njohuri se ku është Kosova. Përmes këtij filmi rrëfehet një pjesë e historisë kosovare”, thekson ai.  

 “Rol të madh ka një grup shpëtimi i amerikanëve i njësitit special ‘Navy Seal’. Gjatë luftës në Kosovë vajza Linda dhunohet para familjes së saj nga ushtria serbe. Gjatë aktit të dhunimit ushtarët serbë detyrojnë me forcë babanë dhe vëllain e vajzës të shohin aktin duke i poshtëruar njëkohësisht edhe ata. Pasi mbahet peng për disa ditë, Linda e gjen një moment të përshtatshëm kur në mesnatë ia përvëlon fytyrën komandantit (dhunuesit) dhe ikën nga dritarja. I vihen pas shumë ushtarë duke e ndjekur. Pas rrëzimit të aeroplanit amerikan ‘F16’ baza ushtarake amerikane në Maqedoni dërgon një ekip këmbësor shpëtimi të njësitit special për t’i nxjerrë pilotët e tyre, të cilët kanë edhe një ushtar të njësitit special të UÇK-së për t’ia treguar rrugën”, njofton Balaj, i cili në detaje njofton për filmin.

Sipas Balajt, ky film është një prej filmave që do të dëshmojë përsëri krimet e luftës, por në një masë më të gjerë të shikuesve. Kurse për detaje të tjera ai thotë se do të duhej parë filmin. 

“Vdekja e novelës është diçka tepër e egzagjëruar”

“Vdekja e novelës është diçka tepër e egzagjëruar”

Industria e librave ka pësuar një rënie prej 3% në shitjet e librave fiksional, për shkak të tregime të forta e prekëse të kategorisë non-fiction, transmeton KultPlus.

Vdekja e romanit është shqiptuar për më shumë se një shekull, në një seri që shtrihet mbrapa që nga Ëill Self  përmen VS Naipaul deri te Jules Verne. Por rënkimet më të fundit të vdekjes së romanit, të cilat vijnë me mirënjohje për një rënie të shitjeve të veprave fiksionale  në vitin 2018, janë shkarkuar tërësisht nga libri botëror, me libra të rinj nga Margaret Atëood dhe Philip Pullman që pritet të sjellin një kthim në rritje këtë vit.

Shoqata e Botuesve ka sugjeruar këtë javë se shitjet e veprave fiksionale kanë rënë në formatet fizike vitin e kaluar, me një rënie prej 7% në 359 milionë funte. Rënia nuk u kompensua nga një rritje prej 4% në shitjen e fiksionit dixhital, në 229 milionë funte, me shitjet e përgjithshme të veprave fiksionale për 3% në 2018 në 588 milionë funte.

Në të kundërt, shitjet e veprave non-fiction u rritën 1%, me 954 milion funte, me të ardhura digjitale deri në 10% dhe shitjet fizike për pjesën tjetër. Shoqata e Botuesve vuri në dukje një performancë “të çuditshëm” nga jo-fiksioni, ku thuhet se është rritur me pothuajse 30% në pesë vitet e fundit, si dhe rritja “fenomenale” e audiokasetave, duke u rritur 43% midis 2017 dhe 2018.

Stephen Lotinga, shefi ekzekutiv i PA-së, tha se shitjet e veprave fiktive kanë qenë në rënie për disa vite tash – që nga viti 2014, shitjet totale të fiksionit kanë rënë me 4%. Ai shtoi: “Nga të gjitha librat që prodhojmë, fiksioni është më e ekspozuar ndaj kohës së lirë të njerëzve. Nuk e dimë nëse njerëzit po luajnë më shumë lojëra kompjuterike apo po shohin Netflix por dimë që shitjet e veprave fiksionale kanë rënë dukshëm” ka sqaruar ai në një konferencë. Ai ka shtuar gjithashtu se kjo është kjo kohë konkurence dhe libri po e humbet luftën.

“Ne jemi një nga investitorët kryesorë në tregimet origjinale, dhe tregimi është çelësi për të gjitha industritë tona krijuese, sidoqoftë edhe përkthimi i veprave  në mediume të tjera,   nga librat në teatër, film, televizion, ka bërë që të bie shitja dhe leximi”, tha Lotinga.

“Ne e shohim këtë shumë inkurajues, deri dike. Përshtatjet ndodhin dhe kthehet, kështu që është një rreth i mrekullueshëm “.ka shtuar ai.

Lotinga tha gjithashtu ka thënë se lexuesit janë tërhequr nga fiksioni në jo-fiksion gjatë pesë viteve të fundit. Duke përmendur rritjen prej 24% në shitjet fizike të jo-fiksionit që nga 2014.

Si përundim ai ka shtuar që vdekja e romanir apo novelës ështe nje gjë paksa e egzagjëruar pasi nuk ka vdekur, ende ka shkrimtare të jashtëzakonshme të romaneve e tregimeve, veç që ështe ndryshuar mediumi ku bëhet leximi.

Shkruan Alison Flood

Përktheu nga The Gardian: Rrona Jaka/KultPlus.com