Biblioteka Kombëtarë shënoi 76 vjetorin me hapjen e dy ekspozitave për Anton Çettën

Sot Biblioteka Kombëtar e Kosovës ka mbushur 76 vjet prej kur se është themeluar. Për shënimin e ditëlindjes së Bibliotekës, në hapësirat e objektit të saj është organizuar një ceremoni festive, në bashkëpunim të BKK-së me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në kuadër të ceremonisë u nënshkrua plani 5 vjeçar i ardhshëm i BKK-së dhe nga drejtori i Bibliotekës, Fazli Gajraku u prezantua historiku i punës së institucionit si dhe u organizuan edhe dy ekspozita për nder dhe kujtim të profesor Anton Çettës, shkrimtarit, patriotit, mbledhësit të folklorit dhe pajtuesit të gjaqeve.

Të pranishmit patën rastin që të shohin ekspozitën “Anton Çetta : 100-Vjetori i lindjes” me libra dhe artikuj të/për Anton Çettën në koleksionet e BKK-së. Po ashtu, edhe ekspozitën e fotografisë: “Anton Çetta: 30-Vjetori i pajtimit të gjaqeve” ku u paraqiten fotografi të publikuara për herë të parë për publikun e gjerë.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, kryesuesi i Këshillit Drejtues të BKK-së, Osman Gashi dhe shumë personalitete tjera.

Ministrja Dumoshi tha se sot është një datë e shënuar jo vetëm për BKK-në, sepse nëpërmjet kësaj dite po kujtohen gjithë brezat që kanë dhënë mundin e dijen për këtë institucion të rëndësishëm shtetëror që prej vitit 1944.

“Sot gjendemi në një vend të veçantë, në Bibliotekën Kombëtare, “Pjetër Bodgani”, ky vend është tempull i dijës, ku kanë studiuar gjenerata të tëra intelektualësh të mëhershëm dhe të sotëm, të profileve e fushave të ndryshme të shkencës, kulturës dhe artit”, u shpreh ministrja Dumoshi, e cila tregoi edhe për rritjen e buxhetit të Këshillit të Librit për botimin dhe pasurimin e sa më shumë titujve të librave të rinj, e që ndërlidhet drejtpërsëdrejti me punën që Biblioteka bën.

Ministrja Dumoshi, tha se për shkak të pandemisë, kontakti i lexuesit me librin e bibliotekën ka qenë pothuajse i pamundur, prandaj i është dhënë përparësi digjitalizimit të materialeve dhe fondit bibliotekar ashtu që lexuesi të ketë qasje në materiale të digjitalizuara.

Gjithashtu ministrja foli edhe për muajin e Anton Çettës, që për nder të figurës së tij, Qeveria e Kosovës, muajin nëntor e ka shpallur Muaji i Anton Çettës. “Biblioteka e Kosovës po organizon sot aktivitete për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar, i njohur për ndikimin e tij si mbledhës i folklorit, përkthyes, shkrimtar, e si veprimtar e prijatar i pajtimit gjatë viteve 90-të”.

Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, foli për të ardhmen dhe objektivat që ka Biblioteka në të ardhmen, ndonëse ky vit ka qenë shumë i vështirë, vlerësoi ai. “Në kuadër të bibliotekës digjitale tashmë kemi mijëra materiale digjitale dhe është duke u vazhduar digjitalizimi i njësive fizike duke e pasuruar kështu arkivin digjital”, sqaroi drejtori kur foli për procesin e digjitalizimit të materialeve në bibliotekë.

Osman Gashi kryesues i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, foli për punën e këshillit dhe bashkëpunimin me menaxhmentin e BKK-së dhe ka shtuar se biblioteka ka mbijetuar njëjtë ashtu siç ka mbijetuar Kosova, duke kujtuar dhe vlerësuar rëndësinë që ka luajtur ky institucion i kulturës në Kosovë.

Ndërsa, Rektori i UP-së, Naser Sahiti ka thënë se UP-ja dhe BKK-ja kanë një bashkëpunimi të ngushtë i cili është jetik për institucionet e arsimit të lartë. / KultPlus.com

BKK shënon 76 vjetorin e themelimit me ceremoninë festive ‘Dita e Bibliotekës’

Me rastin e 76-vjetorit të themelimit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” organizon ceremoninë festive ‘Dita e Bibliotekës’, shkruan KultPlus.

Fjalën hapëse do ta bëjë drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ndërsa një fjalë rasti ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

Ndër të tjera do të flasin edhe Naser Sahiti – Rektor i Universitetit Prishtinës “Hasan Prishtina” si edhe Osman Gashi – Kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe një fjalë online do ta mbajë Mark Dahl – Drejtor i Bibliotekës Watzek në Kolegjin Luis dhe Clark në Portland të Oregonit të ShBA-së.

Gjatë kësaj ditë do të bëhet edhe shpërndarja e mirënjohjeve me rastin e 76-të vjetorit të BKK-së.

Gjithashtu në ora 12:40 do të bëhet hapja e ekspozitës “Anton Çetta: 100 Vjetori i lindjes” si dhe ekspozita e fotografisë: “Anton Çetta: 30-Vjetori i pajtimit të gjaqeve”.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në Hollin e Bibliotekës, më 25 nëntor 2020 në orën 12:00.​ / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi Këshillin e ri Drejtues të BKK-së, flitet edhe për themelimin e Qendrës së Librit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në një takim njohës Këshillin e ri Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në përbërje të Osman Gashi, Bejtullah Destani, Bukurije Haliti dhe Feim Hoxha, përfaqësues i MKRS-së.

Në këtë takim u diskutua rreth punës, përgjegjësive dhe bashkëpunimit mes MKRS-së dhe BKK-së. Ndër çështjet që u biseduan ishin, forcimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës, procesi i digjitalizimit, shpërndarja e librit dhe forcimi i mëtejmë i politikave për librin, duke rritur krijimtarinë, cilësinë botuese dhe qarkullimin e librit.

Ndër temat që ministrja Dumoshi përmendi ishte dhe themelimi i Qendrës së Librit, si një institucion në nivel kombëtar, i cili do të ketë në përgjegjësitë e tij, kontrollin e botimeve, aspektin e përkthimit të librit shqip në gjuhë të huaja dhe anasjelltas, ndër shumë përgjegjësi tjera.

Ministrja Dumoshi tha se pret një bashkëpunim me Këshillin Drejtues të BKK-së me qëllim të avancimit të bibliotekarisë në Kosovë. Ajo tha se Këshilli Drejtues janë ura lidhëse mes ministrisë dhe institucionit kryesor të bibliotekarisë në Republikën e Kosovës. Ministrja i njoftoi anëtarët e Këshillit me planet dhe veprimet konkrete që MKRS-ja do të ndërmerr në avancimin e infrastrukturës ligjore e fizike të bibliotekave në vendin tonë.

Nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit Drejtues të BKK-së e falënderuan ministren Vlora Dumoshi për pritjen. Ata shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar konform dispozitave rregulluese që institucionin e bibliotekës ta mbajnë në drejtimin e duhur dhe të rrisin kapacitetin për promovimin, kultivimin dhe ruajtjen e librit. / KultPlus.com

Ekspozita për konservimin e BKK-së hapi Festivalin e Arkitekturës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Sot është bërë hapja e Festivalit të Arkitekturës në Kosovë që cilësohet si eventi më i madh i arkitekturës në vend. Në kuadër të hapjes së këtij festivali është bërë edhe hapja e ekspozitës mbi konservimin e Bibliotekës Kombëtare, shkruan KultPlus.

Përgjatë dy javëve të para të korrikut në Prishtinë do të mbahen 12 ligjërata, 6 punëtori, 5 shfaqje të filmave, 1 ekspozitë, 2 promovime të librave, 1 debat dhe 1 sallon i librit, të gjitha këto në kuadër të Festivalit të Arkitekturës në Kosovë që këtë vit vjen me temën “Witten Architecture” – “Arkitektura e Shkruar”. Ky festival i cili do të zgjat tre muaj do të vazhdoj rrjedhën e tij edhe përgjatë muajit gusht dhe shtator me 2 ekspozita të tjera, 2 punëtori dhe 3 ligjërata.

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës erdhi ekspozita e cila përfshinte rreth dhjetë punime e për planin e konservimit për menaxhimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani, të hartuar nga Fondacioni Kosovar të Arkitekturës (KAF), ndërsa i mbështetur nga fondacioni prestigjioz amerikan “Getty Foundation”.

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës njihet për historinë e saj unike ndërsa stili i ndërtesës është i dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovi. Në këtë ekspozitë vijnë edhe disa fotografi të arkitektit Mutnjakovic menjëherë pas përfundimit të bibliotekës dhe pak më larg vizitorët mund të shihnin dhe një dokumentar që paraqet një intervistë të realizuar me arkitektin Mutnjakovic, po ashtu në një skaj të hollit të Bibliotekës është i vendosur edhe dokumentari tjetër 20-minutësh përfshin procesin e punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Drejtori i Festivalit, Bekim Ramku falënderoi stafin e Bibliotekës Kombëtare për mbështetjen dhe gjithë ata që kanë ndihmuar në realizimin e planit për konservimin dhe menaxhimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

“Kemi qenë shumë me fat që e kemi fituar grantin e Getty Foundation që është më prestigjiozi që jep fonte për arkitekturën moderne. Një pjesë e madhe e fotografive janë të bërë nga arkitekti i njohur Mutnjakovic menjëherë pas përfundimit të bibliotekës dhe disa vizatime nga Fondacioni Kosovar i Arkitekturës”, u shpreh Ramku sot gjatë ceremonisë hapëse të festivalit dhe ekspozitës.

Përfaqësues i Getty Foundation, Antoine Wilmering tha se ndihet i nderuar që erdhi sot ndërsa theksoi se ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është thesar për vendin.

“Kur sheh kupolat, sheh një ndërtesë moderniste. Kjo ndërtesë është e mahnitshme dhe jam tejet i kënaqur që jam këtu. Bekim dhe drejtor Gajraku urime për hapin që e keni ndërmarr në konservimin e bibliotekës dhe pas këtij hapi keni edhe shumë për të bërë dhe gjithçka fillon me hapin e parë kështu që urime dhe faleminderit që më ftuat”, u shpreh Wilmering.


Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku u shpreh se objekti i Bibliotekës Kombëtare është një nga arritjet më kurorëzuese të arkitekturës moderne të Kosovës që ka ardhur për të plotësuar idealet e lirisë së Kosovës, për kulturën e leximit, edukimit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të shkruar dhe të shtypur dhe të regjistruar.
“Me anë këtij projekti të përkrahur nga fondacioni prestigjin Getty Fondation dhe realizuar Fondacioni i Arkitekturës së Kosovës nën drejtimin e Bekim Ramku që ka punuar bashkë me një grup të përzgjedhur të arkitektëve, inxhinierëve, ekspertëve të dokumentimit, historianëve të arteve dhe me punëtorët e Bibliotekës Kombëtare e që kanë bërë ç ‘është e mundu për të vëzhguar , ekzaminuar këtë hapësirë të Bibliotekës”, u shpreh Gajraku.

Gajraku tha se ndihet i nderuar që në këtë ceremoni ishte edhe Antoine Wilmering, të cilin e kishte takuar më parë në Londër ndërsa e kishte ndjerë përkushtimin e tij për ta përkrahur këtë plan. Ai shtoi se ky plan ka arritur që ta kthej Bibliotekën Kombëtare në listën prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, veçanërisht të MKRS-së.

“Unë kam kuptuar peshën time të përgjegjësisë për këtë projekt shumë më shumë pas një trajnimi dhe prezantimi të këtij plani në Londër ku kam dëgjuar se si flisnin me dije e dashuri për projektet e vjetra e flisnin edhe objektin e Bibliotekës Kombëtare si të ishte objekt i vendit të tyre. Ky plan jo vetëm që ka arritur vëmendjen e publikut por edhe ka prioritizuar Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të Qeveria e Kosovës, veçanërisht te Ministria e Kulturës jo vetëm për ta filluar procesin e renovimit por edhe atë të konservimit”, u shpreh Gajraku sot.

Në mbrëmje me fillim prej orës 19:00 fillon cikli i ligjëratave të hapura për publikun në ambientet e Kino Armatës, me ligjëratat e Valentin Kunik, Guillame de Morsie, Ibai Rigby dhe Charlotte Malterre-Barthes./ KultPlus.com

Coca Cola shtron iftar në platonë e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, lejen e ka dhënë Rektorati i UP-së dhe Komuna e Prishtinës

Sonte në Platonë e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, nga Kompania Coca Cola do të shtrohet një iftar, në shenjë të Muajit të Ramazanit, shhkruan KultPlus.

Pavarësisht prej thirrjeve të shumta që ceremonitë fetare të mbahen larg institucioneve shtetërore, kjo kompani, me leje të Rektoratit por edhe të Komunës së Prishtinës, sonte do të shtrojë një iftar për besimtarët mysliman.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Fazli Gajraku ka thënë për KultPlus se për këtë çështje vetëm është njoftuar, por askush nuk ka kërkuar leje nga ai. Por lejen për këtë darkë e ka dhënë Rektorati në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Në një emal të kompanisë Coca Cola drejtuar redaksisë së KultPlus është konfirmuar se një leje e tillë është dhënë nga Rektorati dhe Komuna e Prishtinës.

“Për 5 vitet e fundit, Coca-Cola ka organizuar darkë në Ramazan me qëllim për të mbledhur familje dhe miq, dhe të gjithë qytetarët tanë për të ndarë një vakt së bashku”, kanë thënë për KultPlus nga Kompania Coca Cola.

Ata më tutje kanë sqaruar se duke pasur parasysh numrin e pritur të njerëzve dhe të gjitha aktivitetet e planifikuara, vendndodhja për këtë darkë të posaçme u zgjodh në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës për të qenë hapësira përpara Bibliotekës Kombëtare.

“Ky vendim u miratua zyrtarisht nga sektori i shërbimit publik të Komunës së Prishtinës, si dhe nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës. Ne jemi shumë krenarë që Coca-Cola po e numëron ngjarjen e 21-të të këtij lloji në të gjithë Kosovën, me më shumë se 30,000 njerëz që u mblodhën për të ndarë së bashku dhe shijuar darkën tonë “Coke and meal” në Ramazan. Ne shpresojmë se do të kemi shumë mundësi në vitet që vijnë për të organizuar ngjarje të ngjashme ku mund të sjellim gëzim dhe lumturi për qytetarët e Kosovës”, kanë thënë nga Kompania Coca Cola.

Për këtë vendim të Rektoratit dhe Komunës së Prishtinës, redaksia e KultPlus nuk ka arrit të mësojë nga këto institucione se pse kanë dhënë një leje të tillë mu në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, kurse për këtë veprim historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se ka kohë që shteti laik, i përcaktuar me kushtetutën e Republikës së Kosovës, po nëpërkëmbët nga ata që janë të thirrur ta mbrojnë: pushtetarët si dhe gjyqësori.

“Presidenti, kryetari i parlamentit, Kryeministri dhe liderët kryesor të partive politike, duke e thyer parimin e laicitetit, po i vardisën religjionit. Këtë e bëjnë për dy arsye: për përfitime materiale si dhe për sigurimin e klientelës nga xhamitë! Këto veprime, bëhen edhe më shqetësuese, kur prekin institucionet shtetërore, arsimore dhe kulturore”, ka thënë Buxhovi.

Sipas tij, nëse vazhdon kështu, mund të pritet që gjatë ramazanit të mbyllen edhe shkollat, të pushojë veprimtaria ekonomike me çka shteti laik do t’ia lëshonte vendin shtetit të sheriatit, ndërsa identieti kombëtar do të zëvendësohej me identiet fetar.

“Këtë ka kërkuar dikur Çubrilloviqi dhe ata që kanë bërë elaborate kundër shqiptarëve në mënyrë që ata me gjenocide të përjashtohen nga harta politike dhe shtetërore e Ballkanit me anatemën e “mbetjeve islamike”. Si historian mund të përseris maksimën e njohur: ata që nuk marrin mësim nga historia, ajo i denon poamëshirshëm! Ky dënim, do të shaqej si vetëndëshkim”, ka thënë Buxhovi.

Ndërkohë, për këtë darkë që do të shtrohet sonte në platonë e BKK-së, KultPlus ka provuar të merr një përgjigje edhe nga ministri i MKRS-së Kujtim Gashi, por i njëjti nuk ka dhënë ndonjë koment për këtë institucion që është në varësi të MKRS-së./KultPlus.com

Nxënës të shkollave fillore vizituan BKK-n dhe lexuan krijimet e tyre për Ditën Botërore të Librit

Gili Hoxhaj
“Leximi është e drejta ime”, shkruhej në Amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Në këtë bibliotekë sot u shënua Dita Botërore e Librit, ku fillimisht u fol për rëndësinë e librit për t’u dhënë mundësinë më shumë nxënësve që të shprehin krijimet e tyre.

Salla e amfiteatrit ishte e mbushur përplot me nxënës e mësimdhënës të shkollave fillore “Ismail Qemaili”, “Meto Bajraktari”, “Hasan Prishtina” dhe shkolla “Nazim Gafuri”, shkruan KultPlus.

Udhëheqësja e Departamentit të Arsimimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Ramize Bajraktari ishte ulur në panel së bashku me drejtorët e këtyre shkollave. Ajo fillimisht iu drejtua nxënësve që ishin ulur në sallën e amfiteatrit.
“Ju po e madhështoni Festen e Librit pasi që ju jeni ata lexues të vegjël që kur të rriteni do të vini në këtë Bibliotekë të madhe dhe të lexoni kur të bëheni studentë”, u shpreh Bajraktari.
Ajo tregoi se data 23 prill e cila është përzgjedhur që të jetë Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtave autoriale, ka një kuptim simbolik pasi që 23 prill 1616 janë ndarë nga jeta William Shakespeare që konsiderohet shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave dhe Miguel de Cervantes që ka shkruar librin “Don Kishoti i Mancos”, e që është vepra më e përkthyer në botë.

“Kjo datë ëahtë caktuar t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor”, u shpreh tutje ajo, ndër përfundoi fjalimin e saj me thënien se “njeriu i cili nuk lexon libra të mirë nuk ka përparësi nga njeriu i cili nuk mund të lexoj”.
Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemailo”, Hatmane Demiri tha qe çdo ditë duhet të jetë dita e librit ndërsa kujtoi thënien se “njeriu vdes atëherë kur lexon”, duke bërë thirrje që të lexohet sa më shumë pasi që shteti nuk ecën përpara pa lexim, dije dhe njohuri.
Po ashtu nxehësve të këtyre shkollave iu dhuruan tri pyetje me anë të se cilave do të kuptoheshin njohuritë e tyre për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Krejt në fund atyre iu dhuruan edhe libra.

Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj./ KultPlus.com

Vjen edicioni i 16-të i “Javës së Bibliotekës së Kosovës”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” javën që vjen do të mbaj edicionin e 16-të të veprimtarisë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë” , shkruan KultPlus.

Ceremonia e hapjes “Dita Kombëtare për Vetëdijesimin e Bibliotekave në Kosovë”, do të mbahet në Hollin e Bibliotekës, më 10 prill duke filluar nga ora 12:00.

“Java e Bibliotekës në Kosovë”, do të mbahet për katër ditë rresh, duke filluar nga dita e marte, 10 prill deri të shtunën, më 14 prill./ KultPlus.com

Probleme me ujëra në institucionet kulturore, ministri Gashi në inspektim

Alberina Haxhijaj

Ministri i Kulturës Kujtim Gashi sot ka vizituar Teatrin Kombëtar dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Nga këto institucione ai është prononcuar se ministria do të realizojë projektet të cilat do të hyjnë në buxhetin e ministrisë duke bërë kështu që këto institucione të mos përballen me problemet të cilat i kanë sivjet edhe vitin e ardhshëm, shkruan KultPlus.

Teatri Kombëtar i Kosovës ditë më parë ka pasur probleme me kanalizimin ku nga bllokimi i kanalizimit afër teatrit, ujërat e zeza janë kthyer brenda hapësirave të vet këtij institucioni. Në anën tjetër problem me ujin ka edhe Biblioteka Kombëtare. Hapësirat e Bibliotekës e sidomos katet nën tokë mbushen me ujë kur ka reshje shiu. Po ashtu lagështia e cila krijohet në këto hapësira paraqet rrezik edhe për dëmtim të ekzemplarëve që gjenden aty.

Ministri i Kulturës me të arritur në Bibliotekën Kombëtare është shoqëruar nga drejtori i Bibliotekës Fazli Gajraku në katin minus 2, ku gjatë shirave hynë uji dhe ekzemplarët por edhe hapësira atje pësojnë dëmtime. Drejtori i Bibliotekës Fazli Gajraku sqaroi procedurat të cilat i ndërmarrin për largimin ujit dhe sqaroi për dëmtimet të cilat i pësojnë koleksionet e çmueshme të cilat ruhen në ato hapësira.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi pas takimit me bordin drejtues u shpreh se intervenimi në sanimin e problemeve të tilla si kanalizimi në Teatrin Kombëtar dhe vërshimet e ujit në Bibliotekën Kombëtare do të jenë prioritet i kabinetit të tij.

“Kjo vizitë është në vazhdën e vizitave për shkak të problemeve të ujit. Ne biseduam me menaxhmentin për intervenimet që do ti bëjmë gjatë vitit 2018. Ky objekt nuk ka as kanalizim dhe as sistem për mbrojtje nga lagështia. Ne po punojmë në rishikimin e buxhetit dhe jemi duke shikuar për të investuar në ruajtjen e të gjithë atyre ekzemplarëve”, tha ai duke shtuar se kjo ministri ka trashëguar probleme të mëdha të cilave po përpiqen të ju gjejnë zgjidhje.

“Nga ajo që pamë shihet që është intervenim i kushtueshëm dhe kemi të bëjmë me dy kate nën tokë, do të bëjmë një projekt të përbashkët, në qershor do të bëjmë planin konkret dhe dimri i ardhshëm do ta gjejë të rregulluar. Këto janë probleme nga mos intervenimi i ministrave të kaluar. Do të fokusohemi në intervenime urgjente siç është teatri dhe biblioteka. Po ashtu do të shikojmë sa mjete kemi në dispozicion dhe projekte të cilat nuk janë primare do të anashkalohen në mënyrë që të kemi mjete të mjaftueshme”, tha ai.

Fazli Gajraku drejtor i Bibliotekës Kombëtare tha se është nevojë urgjentë rregullimi i hapësirave në mënyrë që të mos dëmtohen ekzemplarët.

“Mendoj që ky është lajmi më i mire që i jepet kulturës, pra intervenimin në Bibliotekë. Biblioteka i ka dy projekte që duhet të realizoj. Projekti i parë ka të bëjë me rregullimin e ngrohjes, problemit te kanalizimit dhe çështje tjera teknike. Ndërkaq Projekti i dytë është projekti i rinovimit të bibliotekës”, tha ai duke theksuar rendësin e paçmueshme që kanë ekzemplarët e bibliotekës për Kosovën dhe duke theksuar se pikërisht për këtë shkak, më shumë investime duhet që të bëhen në Bibliotekë./ KultPlus.com

Për dhjetëvjetorin e Pavarësisë, BKK prezantohet me “Kosova – nga historia në shtetësi”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të mbajë me rastin e përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës organizimin “Kosova – nga historia në shtetësi”, shkruan KultPlus.

Në kuadër të këtij organizmi do të shfaqen tituj të zgjedhur të koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Libri për historinë e Kosovës 1912 – 2018”. Për të vazhduar me lajme dhe ngjarje të prezantuara në gazetat e Kosovës, “Kosova e 10-të Vjet Pavarësi”.

Gjithashtu do të jetë një ekspozitë e artikujve të gazetave të koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë nën sloganin “Eksodi 1999”.

Pjesë e këtij aktivitet do të jetë edhe ekspozita “Shkruajmë e vizatojmë për Pavarësinë e Kosovës” e nxënësve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Pavarësia”. Ndërsa do të bëhet edhe ndarja e shpërblimeve për fituesit e Konkursit për Esenë për 10-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në Hollin e Bibliotekës, më 17 shkurt në orën 16:00./ KultPlus.com

BKK, hapë ekspozitën me koleksionin e pazbuluar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut (FOTO)

Gili Hoxhaj

Ekspozita me titull “Lirinë e gjeta këtu” kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, sot mblodhi shumë vizitorë të cilët më shumë vëmendje shikonin materialet e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë prezantoi një kronologji të materialeve për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, duke shfaqur një korpus të përzgjedhur të librave, artikujve, citateve dhe fotografive, që po ekspozoheshin për herë të parë dhe që shumë prej tyre pasqyrojnë ndikimin e figurës emblematike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në kulturën dhe dijen në Kosovë.

Ekspozita nxjerrë në pah rëndësinë e kësaj figure emblematike e cila kishte zgjuar interesin e krijuesve nga vende të ndryshme të botës. Gravurat angleze, franceze, gjermane, e italiane kishin zënë vend në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ndërsa artikuj gazetash që qëndronin në anën tjetër të hollit, nxirrnin në pah fakte tejet të rëndësishme lidhur me figurën heroike të Skënderbeut. Ndërsa në hollin sipër ndodheshin një serë botimesh të huaja dhe shqiptare, ku përfshiheshin botimet që nga koha Marin Barletit. Ilustrimet sipër po ashtu tregonin rrugëtimin heroik të jetës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Hapjes së kësaj ekspozite i paraprinë fjalët e drejtorit të BKK-së, Fazli Gajrakut i cili tha se Skënderbeu ishte prirës me të cilin ka filluar dhe ka marrë formë ideja identitetit shqiptar, shtetit shqiptar dhe ideja e bashkimit shqiptar ndërsa shtoi se Gjergj Kastrioti është figura më e madhëruar e shqiptarëve.

“Figura e Gjergj Kastriotit është figura më monumentale që është thirrur në ndihmë gjatë periudhave të vështira. Ne po i zbulojmë këto materiale që të ngjallim kujtesën për lavdinë e një të kaluare të cilën sa më shumë e kujtojmë, aq më mirë i kemi punët. Edhe pas pesë shekujve dalin fakte interesante dhe të pazbuluara ndonjëherë duke u bazuar në monedha, letra zyrtare, pamflete, kronika, regjistra të gjetura në arkiva turke dhe ato evropiane” ka thënë Gajraku sot gjatë hapjes së kësaj ekspozite.

Gajraku tha se ky koleksion tregon se Figura e Gjergj Kastriotit nga koha e Barletit e deri më sot ka tërhequr vëmendjen e politikanëve, historianëve studiuesve të letërsisë së shkruar dhe popullore, të historisë së qytetërimeve, të piktorëve, skulptorëve, regjisorëve e të rapsodëve.

Pas tij fjalën e mori Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi i cili tha se ndihet i nderuar të jetë pjesë e hapjes së kësaj ekspozitë ndërsa tha se figura e Skënderbeut gjatë shekujve të tërë ka qenë frymëzim për gjenerata të tëra se si duhet dashur e ruajtur atdheu, ndërsa theksoi se ai po ashtu ka qenë frymëzim për shumë krijues.

“Skënderbeu me veprimtarinë e tij ka nderuar popullin shqiptar duke u bërë ambasadori më i mirë i mbrojtjes se vlerave civilizuese dhe evropiane. Sa më shumë kohë që do të kaloi figura e Skënderbeut do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme” tha ministri Gashi ndërsa shtoi se kjo ekspozitë është një kontribut i çmuar i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe duhet të mbete si një shembull i mirë që secili nga ne të jap kontribut në ndriçimin e historisë tonë të pasur. / KultPlus.com

Ambasada Amerikane në Kosovë përkrahë projektin ‘Kujtesa e Kosovës: Histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka’

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, nënshkroi grantin e dhënë nga Ambasada Amerikane për realizimin e projektit “Kujtesa e Kosovës: histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka”.

Ky projekt do të bashkëfinancohet nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Ky projekt është hartuar dhe do të realizohet nga Dega e Antropologjisë e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Projekti ka për synim mbledhjen, dokumentimin, publikimin dhe promovimin e historisë gojore të personave të moshuar në Kosovë – mbi 80 vjeç, në mënyrë që rrëfimet dhe kujtimet e popullit të ruhen si histori autentike e jetës në Kosovë.

Projekti “Kujtesa e Kosovës: histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” ka për qëllim krijimin e një modeli dhe një qendre informative e trajnimi për projektet e mëtejme të historisë gojore me anë të të cilave do të arrihet edhe një lidhje më e fuqishme e bashkëpunimit midis Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe studiuesve dhe hulumtuesve të Departamentit të Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Temat që do të trajtohen në historitë gojore të 100 të moshuarve të intervistuar, e që do të botohen si përmbledhje rrëfimesh, do të jenë tema mbi zhvillimin e jetës në të kaluarën, zakonet ekonomike e familjare, marrëdhëniet tregtare brenda dhe jashtë vendit, mbajtjen e fesë, tolerancën, artin dhe zejtarinë, martesat dhe të drejtat e grave në përgjithësi.

Projekti “Kujtesa e Kosovës: histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” do të fillojë më 1 tetor të vitit 2017 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator të vitit 2018. / KultPlus.com