55 vite martesë, koronavirusi ndan çiftin shqiptar që “mishëroi ëndrrën amerikane”

Një fund i dhimbshëm ishte ai i një gruaje shqiptare, që humbi jetën në SHBA pas problemeve shëndetësore që pati pas infektimit me koronavirus.

72-vjeçarja shqiptare, ishte emigrante në Nju Jork, historinë e së cilës e ka rrëfyer në CNN e bija e saj.

Nagjija Gjidija dhe bashkëshorti u larguan nga Ballkani në vitet 1970 dhe emigruan në Shtetet e Bashkuara, ku vajza e tyre, Liria, thotë se ata “mishëruan ëndrrën amerikane”.

Çifti Gjidija pati 4 fëmijë, ndërsa nëntorin e vitit të kaluar shënuan edhe 55-vjetorin e martesës. Më 1 prill 2020 fatkeqësisht Nagjija humbi jetën nga një arrest kardiak pasi ishte diagnostikuar me koronavirus.

“Ne ishim drita e jetës së saj, siç ishte ajo drita e jetëve tona. Por ajo nuk donte askënd tjetër më shumë se tim atë”, tregon Liria. “Nuk kalonin kurrë asnjë ditë larg njëri-tjetrit”. / KultPlus.com

Një e ardhme pa shtrëngime duarsh?

Ndërsa disa shtete në SHBA po fillojnë të lehtësojnë masat e bllokimit, e ardhmja e shtrëngimit të duarve mbetet e pasigurt. “Unë nuk mendoj se duhet të shtrëngojmë duart përsëri, që të jem i sinqertë me ju,” tha Dr Anthony Fauci, një anëtar i spikatur i ekipit anti-koronavirus në Shtëpinë e Bardhë, në prill. “Jo vetëm që  parandalon sëmundjen e koronavirusit, por me siguri do të ulte shumë dhe rastet e gripit në këtë vend”.

Udhëzimet për distancimin social ka të ngjarë të qëndrojnë në fuqi për një kohë të gjatë, sipas udhëzimeve të qeverisë amerikane për rihapjen e vendit, veçanërisht për njerëzit në nevojë si të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera shoqëruese, si sëmundjet e mushkërive, mbipesha dhe diabeti.

Kjo mund të krijojë atë që Stuart Wolf, kryetari i asociuar për Integrimin Klinik dhe Operacionet në Dell Medical, e quan një “distopi  fantastiko-shkencore”, ku shoqëria do të ndahej në ata që mund të preken dhe ata që duhet të qëndrojnë të izoluar. Kjo mund të krijojë pasoja të rënda psikologjike, thotë Dr Wolf.

“Zakonet zor se vdesin”, thotë Elke Weber, profesor i psikologjisë dhe çështjeve publike në Universitetin Princeton. “Nga ana tjetër, zakonet dhe normat sociale mund të ndryshojnë kur konteksti social dhe ekonomik dhe, në këtë rast, konteksti shëndetësor ndryshojnë”.

Tashmë ka shumë mundësi jo-kontakti. Për shembull, përkulja është praktikuar shumë gjerësisht në të gjithë botën – dhe është marrë si arsye për më pak vdekje për shkak të koronavirusit në Tajlandë. Pastaj ka sinjale të dorës, tundja e kokës, e qeshura dhe e buzëqeshura që nuk përfshijnë kontakt fizik.

Por Prof Legare vëren se një nga ironitë e mëdha të Covid-19 është se pikërisht kur njerëzit përballen me rrethana stresuese, ata varen nga prekja. “Mendoni për mënyrat se si ne përgjigjemi kur njerëzit janë të hidhëruar pas vdekjes ose diçka të keqe që ka ndodhur, me një përqafim, ose thjesht mund të ulemi pranë një personi dhe ta prekim në shpatull”.

Ndërsa shmangia e sëmundjes është një pjesë thelbësore e mbijetesës njerëzore, po kështu është edhe të jetuarit  e jetës komplekse sociale, thotë Arthur Markman, profesor në departamentin e psikologjisë në Universitetin e Teksasit në Austin.

“Ndoshta do të fillojmë duke u përqëndruar më shumë në rutinat e larjes së duarve, sanitizimin e duarve dhe strategjitë për të mos prekur fytyrën, sesa heqjen dorë nga kontakti,” thotë ai. “Shqetësimi i vërtetë është që ne do të zhvillojmë një normalitet të ri, i cili nuk ka prekje, dhe kështu ne nuk do ta kuptojmë atë që na mungon, duke mos pasur ndonjë kontakt me njerëzit në rrethin tonë social. /bota.al /KultPlus.com

Papa Françesku: Koronavirusi nuk e justifikon shfrytëzimin e punëtorëve

Papa Françesku ka thënë të mërkurën se punëdhënësit duhet ta respektojnë dinjitetin e punëtorëve, veçanërisht të imigrantëve, pavarësisht vështirësive ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi.

“Është e vërtetë se kriza është duke i prekur të gjithë, por dinjiteti i njerëzve duhet të respektohet gjithmonë”, tha ai, duke shtuar se ka pranuar shumë mesazhe më 1 maj për problemet e punëtorëve.

Papa gjithashtu tha se dëshiron t’i mbrojtë të gjithë punëtorët e shfrytëzuar dhe se i fton të gjithë që këtë krizë ta kthejnë në një shembull ku dinjiteti i individit dhe dinjiteti i punës të kthehen në qendër.

Ai i përmendi në veçanti punëtorët e fermave në Itali, shumica e të cilëve janë imigrantë. Javëve të fundit, në Itali ka pasur arrestime të pronarëve të fermave, të cilët punësojnë njerëz në fusha, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Javën e kaluar, tre pronarë fermash dhe një imigrant nga Gambia u arrestuan nën akuzën për shfrytëzim të 50 punëtorëve imigrantë në rajonin jugor të Puljas.

Në një rast tjetër, tre shqiptarë u arrestuan në një punishte vere në Italinë veriore pasi u akuzuan se i kanë detyruar imigrantët që të punojnë deri në dhjetë orë në ditë pa pushim dhe u kanë dhënë paga të vogla. / KultPlus.com

Rrugët dhe pikat turistike të Italisë mbushen përsëri pas 9 javësh

Italianët u rikthyen nëpër rrugë teksa vendi hoqi një nga bllokadat më të ashpra në Evropë duke kaluar në “fazën 2” të krizës së koronavirusit.

Në Venecia rrugët e zbrazura ishin më parë simboli i krizës në Evropë, ndërsa tani sheshi Shën Mark ishte përsëri plot me njerëz dhe tregtarë.

Trenat dhe stacionet ishin mbushur përsëri në metronë e Milanos ndërsa më shumë se 4 milionë punëtorë italianë ishin kthyer në fabrika e kantire ndërtimi. Të tjerë stërviteshin në park dhe vizitonin të afërmit për herë të parë prej javësh.

Qeveria italiane tha se qeveritë vendore janë përgjegjëse për zbatimin e distancimit social në transportin publik, por në disa pamje dukej qartë se kjo ishte më e thjeshtë të thuhej sesa të bëhej.

Në disa rajone të Gjermanisë fëmijët u rikthyen sot në shkolla, duke iu dhënë prioritet më të rritur në përgatitje të provimeve.

Edhe në Portugali u ngrit gjendja e emergjencës duke lejuar hapjen e dyqaneve të vogla, e shoqërur kjo me gjobë €350 kush nuk mban maskë.
Spanja lejoi kthimin e klientëve në disa dyqane specifike si floktoret, vetëm me takime në orar.

Ministri italian i shëndetësisë Roberto Speranza nxiti banorët të jenë të kujdesshëm në këtë fazë.
“Loja ende nuk është fituar dhe përgjegjësia individuale është thlebësore në fazën e dytë”, tha ai. /KultPlus.com

Mbi 1 milion të shëruar në mbarë botën nga Covid-19

Numri i personave të shëruar nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 1 milion, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me rastet dhe vdekjet e shënuara nga COVID-19, nga koronavirusi në mbarë botën janë shëruar 1.000.355 persona.

Vendet me numrin më të madh të rasteve të shëruara në botë janë SHBA-ja me 147.411, Spanja me 132.929, Gjermania me 120.400, Kina me 77.610, Irani me 73.791, Italia me 71.252 dhe Franca me 48.228.

Ndërsa në Turqi deri më tani nga COVID-19 janë shëruar 44.022 persona.

Virusi i cili për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan të Kinës, u përhap në mbarë botën duke u shndërruar në pandemi.

Në të gjithë botën, numri i rasteve me COVID-19 ka shkuar në 3.220.268, ndërsa 228.224 njerëz kanë humbur jetën për shkak të virusit. /KultPlus.com

Prishtina del sonte nga karantina, pasi që ditët e fundit s’pati raste infektimi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se sonte kryeqytetit i hiqet masa e karantinimit.

Postimi i Ahmetit:

“Prishtina hiqet sonte nga karantina. Ju lus edhe më tutje që mos të relaksohemi ne.

Sa më të kujdesshëm, të gjitha masat do të relaksohen më shpejtë. Përkundër relaksimit, rreziku ende nuk ka kaluar. Ky është lajm i mirë! Masat e tjera mbesin në fuqi”.

Prishtina ishte futur në karantinë më 11 prill, pasi ishin paraqitur 20 raste të reja me COVID-19.

Ndërkaq vendimi erdhi pasi ditëve të fundit nuk kishte pasur raste të reja. /KultPlus.com

Kurti paralajmëron lehtësim të masave pas rënies së numrit të personave të prekur me virus

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se pas 50 dite nga rasti i parë me virusin korona, situata në Kosovë është normalizuar.

Kurti ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë në dispozicion për të menaxhuar situatën, përfshirë mjekët, infermierët, policët.

Postimi i plotë:

Sot janë bërë 50 ditë nga rasti i parë i virusit Corona në Kosovë.

Duke ju falenderuar Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, forcave policore, dhe të gjithë mjekëve, infermierëve, dhe vullnetarëve, gjendja epidemiologjike në Kosovë ka filluar të normalizohet, sidomos për shkak të vënies së masave më të fundit parandaluese të 15 prillit.

Edhe pse më shumë teste janë duke u administruar javët e fundit, gjithnjë e më pak qytetarë po rezultojnë të infektuar me virusin Corona. Kemi më pak raste të infektimeve, më shumë raste të shërimeve, dhe si rezultat, numri i rasteve aktive ka marrë kahje të dëshiruar.

Si gjithnjë, vazhdojmë me kujdes dhe pa panik. Rreziku nuk ka kaluar ende. Por falë bashkëpunimit të të gjithëve, jemi në gjendje që të nisim lehtësimin gradual të masave në fuqi. Ju lumtë! /KultPlus.com

Fotografitë mbresëlënëse të qyteteve të zbrazëta (FOTO)

Për javë të tëra në disa vende, dhe me muaj në vende të tjera, më shumë se gjysma e popullsisë së botës është izoluar për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

Si pasojë, vendet që ishin përplot me njerëz mbetën bosh, duke zbuluar një bukuri që më parë mbeti e kishte fshehur.

Imazhet të ndryshme tregojnë vende nga planeti ynë, përfshirë Nju Jorkun dhe New Delhi, si dhe hapësirat e tokës në Kaliforni, Evropë dhe Kinë – rajone që më herët ishin të goditura fort nga ndotja e ajrit.

Të marra pas një mbyllje ndërkombëtare për të frenuar pandeminë, imazhet janë ilustrime të qarta se si veprimtaria njerëzore ndikon në mjedis – dhe e mira që vjen kur ndalemi.

Gjermania do të ndihmojë në shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit

Kancelarja Angela Merkel, ka deklaruar se Gjermania do të ketë një kontribut të rëndësishëm financiar për t’u siguruar se posa të krijohet vaksina kundër koronavirusit, të shpërndahet nëpër gjithë botën.

Në postimin e saj javor, Merkeli ka deklaruar se duhen edhe 8 miliardë për zhvillimin e vaksinës që do të luftonte COVID-19.

Liderët botërorë kanë bërë thirrje për testimin e ilaçeve dhe vaksinave dhe t’i ndajnë ato përmes një iniciative të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndërkaq, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se më 4 maj do të tentohet mbledhja e një fondi prej 7.5 miliardë eurove për të ndihmuar në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e koronavirusit. /KultPlus.com

Kriza e librit në Gjermani, dëmi financiar nga covid-19 arrin gjysmë miliardë euro

Janë përgjysmuar shitjet e librave në Gjermani. Shitjet janë ndikuar pasi që dyqanet e librave kanë mbetur të mbyllura për javë të tëra, shkruan KultPlus.

Që nga 20 prilli, në Gjermani libraritë janë hapur përsëri. Ato u mbyllën detyrueshëm për një muaj përveç disave në Berlin, ku lejohej blerja duke i zbatuar rregullat higjienike.

Megjithatë dëmi financiar për këto javë izolimi është i madh, ai arrin në gjysmë miliardë euro.

Disa nga Shtëpitë Botuese gjermane janë skeptik edhe kur të rihapen libraritë, sipas tyre shitjet s’do të përmirësohen shpejt.

“Njerëzit janë të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe s’ma ha mendja që do të shpenzojnë para për libra”, shprehet Dirk Rehm nga Shtëpia Botuese “Reprodukt”.

Shtëpitë e vogla botuese janë veçanërisht të prekura nga koronavirusi. Anulimi i Panairit të Librit në Lajpcig, si dhe anulimi i festivaleve të leximit kanë ndikuar shumë, dhe i kanë bërë praktikisht librat të padukshëm. /bm /KultPlus.com

Sipas një studimi, koronavirusi mund të përhapet lehtë në ambientet e punës

Të informuar nga shpërthimet e mëparshme të SARS dhe MERS, zyrtarët shëndetësorë të Koresë së Jugut ishin tashmë të njohur me procesin e kontrollit në vend.

Më 9 mars, një ditë pasi u raportuan rastet e para, e gjithë ndërtesa ishte e mbyllur. Testimi u krye pothuajse menjëherë në 1,143 njerëz (punëtorë, banorë dhe disa vizitorë) me rezultate të shpejta në dispozicion të të prekurve dhe ekipit që punonte për të kontrolluar situatën.

Një diagram nga studimi tregon planin e katit të 11-të të një ndërtese në Seul, Koreja e Jugut, që ishte vendi i një shpërthimi të sëmundjes koronavirus në vitin 2020. Hijezimi blu tregon vendet ku punonin njerëzit që u infektuan.

Testimi tregoi se 97 njerëz (8.5%) ishin infektuar. Shumica e rasteve ishin gra në të 30-at dhe pothuajse të gjitha (94 nga 97) kanë punuar në katin e 11-të të ndërtesës, në qendrën e thirrjeve.

Çuditërisht, ndryshe nga shumë shpërthime të raportuara më parë dhe që atëherë, praktikisht të gjithë të infektuarit, në 92% të rasteve, kishin simptoma aktive Covid-19 në kohën e diagnostikimit.

Hetuesit atëherë ndërtuan një hartë të detajuar se kush ishte dhe nuk ishte infektuar, duke demonstruar se shumica dërrmuese e rasteve kishin punuar në njërën anë të katit të 11-të në afërsi jashtëzakonisht të madhe.

Skuadra e Koresë së Jugut testoi familjet dhe familjarët e 97 personave të infektuar. Nga këto, rreth 16% ishin pozitive për Covid-19. Çuditërisht, nuk u diagnostikuan asnjë rast “me para-simptoma” ose pa simptoma. Kjo gjithashtu shkon kundër të menduarit aktual për transmetimin, që ndodh edhe përpara se njerëzit të shfaqin simptoma.

Në diskutimin e tyre, hetuesit e Koresë së Jugut reflektuan mbi efektin që mund të ketë puna për biznesin në Seul. Ata theksojnë se rastet ishin në një “mjedis pune me densitet të lartë” dhe se përhapja ishte kryesisht e kufizuar në një seksion të një kati.

Por ata nuk arrijnë t’i japin vetes kredi për atë që arritën. Po, distanca midis karrigeve dhe kohëzgjatja e ekspozimit janë përcaktues kritik të transmetimit në një moment të vetëm, por lejimi i personave të pa diagnostikuar që të shkojnë në punë, rrit mundësinë që gjithnjë e më shumë njerëz të pa infektuar të kenë një kontakt të ngushtë dhe të qëndrueshëm me ta, duke shkaktuar një valë të dytë.

Sapo të infektohet një biznes, i gjithë komuniteti mund të infektohet shpejt, përveç rasteve nëse ndërmerret një veprim dramatik, siç ndodhi në Seul. /KultPlus.com

Ishin të martuar prej 63 vitesh, çifti i moshuar vdesin nga koronavirusi në të njëjtën ditë

90 vjeçari, Bill Dartnall ka vdekur disa orë pas gruas së tij Mary, 81 vjeçare në Spitalin e Përgjitshëm Southampton të dielën gjatë ditës së Pashkëve.

Të dy kishin dalë pozitiv me koronavirus, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Vajza e tyre Rosemary ka thënë që babai i saj kishte refuzuar trajtimin e mëtutjeshëm pasi kishte kuptuar që gruaja e tij kishte vdekur.

Ajo tha se ai “nuk dëshironte të jetonte pa gruan e tij”.

Çifti të cilët ishin të martuar që 63 vjet, kishin jetuar në një shtëpi të kujdesit në Southampton, kur Dartnall u sëmur dhe u dërgua në spital në fund të marsit.

Dartnall pësoi goditje në tru dhe kur u dërgua në spital ditë më vonë, kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.

Kur korona të ketë ikur…

Kur gjithçka të ketë kaluar, mbase shumë prej nesh do të kenë riprogramuar lumturinë dhe, në këtë pikë, do të na konsiderojnë budallenj që ankohemi aq shumë për gjithçka.

Kur e gjithë kjo të ketë mbaruar, shpresojmë që njerëzimi të ketë mbetur, gjë e cila është një pyetje që ka qenë disi “në hije”. Ne do ta shihemi sërish, do t’i kushtojmë më shumë vëmendje buzëqeshjeve të atyre që duam dhe vështirë se do të gjejmë një bukuri më origjinale.

Kur korona të ketë ikur, ndoshta një stinë e tërë do të ketë kaluar, mbase edhe muaj të tërë mund të kenë kaluar, por dëshira jonë për të jetuar do të mbetet, dhe do të jetë gjithçka.

Kur të ketë kaluar, mund të ketë kaluar një kohë e gjatë para se të kemi dhënë një përqafim të fortë, atyre që na mungojnë kaq shumë. Ndoshta do të jemi ndryshe nga sa kemi qenë më parë.

Ndoshta do t’u kemi mbijetuar gjërave më të frikshme se virusi, siç janë mendimet tona. Kur të ketë kaluar, ne më në fund do të jemi në gjendje të mblidhemi sërish me miq, për makarona dhe një gotë verë në shtëpi, gjë të cilën gjithmonë e kemi shtyrë.

Në fund të fundit, e mësuam në mënyrën më të vështirë se koha është Zoti i Universit dhe se duhet ta bëjmë atë një aleat dhe ta përdorim vetëm me ata që na i bëjnë zemrat të lumtura. /bota.al/ KultPlus.com

Si të parandalojmë impaktin psikologjik të izolimit?

Në pasigurinë e këtyre ditëve, e vetmja gjë e qartë është që ne po përballemi me një urgjencë shëndetësore të paparë në numër dhe forma.

Një nga pasojat është izolimi social i cili duket se është garancia e vetme efektive për të parandaluar infeksionin e mundshëm.

Si mund ta trajtojmë atë nga një këndvështrim psikologjik?

Përqendrohuni tek “këtu dhe tani”

Në një kohë pasigurie si kjo, perceptimi ynë për ngjarjet është përgjithësisht negativ dhe kjo mund të shkaktojë ankth dhe shqetësim.

Eshtë e nevojshme të mos i japim trurit tonë mundësinë për të hyrë në një të ardhme të mbushur me dyshime dhe pyetje, por të sigurohemi që të përballemi me të tashmen në një mënyrë pozitive.

Pranoni situatën

Jemi përballë një periudhe historike të pashembullt dhe duhet domosdoshmërisht të përshtatemi me rregullat e reja të jetës që duhet të ndjekim.

Në këtë proces të adaptimit, duhet të mbajmë në mendje se disa vendime nuk janë nën kontrollin tonë, por janë “imponuar” nga covid-19: prandaj nuk duhet të ndihemi fajtorë nëse nuk mund të jemi pranë anëtarëve të familjes sonë, ose nuk kemi qenë në gjendje t’i themi lamtumirë atyre që na kanë lënë.

Kthejeni frikën në mundësi

Frika është një emocion parësor që na lejon të mbijetojmë nga rreziku dhe, për këtë arsye, të inkurajojmë mbijetesën tonë.

Të kesh frikë është normale, ajo që duhet të bëjmë është të mos lejojmë që frika të marrë kontrollin, duke shndërruar realitetin e sotëm në mendime ekskluzivisht alarmante.

Krijoni një rutinë të re

Sot qëndrimi në shtëpi është një detyrim por nuk duhet t’ju pengojë të vazhdoni jetën tuaj: është çështje e përshtatjes së zakoneve tuaja në një kontekst “të ri”, brenda të cilit të ruani jetën e përditshme të mëparshme.

Për shembull, organizoni mënyra të ndryshme të administrimit të kohës për ditët e javës dhe fundjavave, në mënyrë që të ruani kontrollin për kohën që kalon.

Gjeni kohë për veten tuaj

Eshtë e rëndësishme t’i jepni vetes kohë: të gjeni të paktën 15 minuta në ditë për t’u argëtuar duke zgjedhur aktivitetin që ju pëlqen më së shumti.

Ruani rrjetin tuaj social

Në periudha të vështira është thelbësore të mbështetemi te njerëzit që i duam siç janë familja dhe miqtë dhe, në një situatë të veçantë si kjo, është edhe më shumë e nevojshme.

Nëse nuk keni një rrjet social ose ndiheni vetëm, mund të gjeni, përmes shërbimeve të ndryshme të konsulencës në internet, një psikolog ose psikoterapist, i cili do të jetë në gjendje t’ju ofrojë mbështetje psikologjike për t’u përballur me këtë periudhë.

Ndihmoni të gjitha kontaktet sa më mirë që të keni mundësi

Një mënyrë për të kapërcyer më mirë këto ditë izolimi dhe të ndjeheni afër të tjerët është të ndani lajme pozitive, mesazhe mbështetëse dhe video argëtuese për të përsëritur se “gjithçka do të jetë mirë”. /KultPlus.com

Shteti jugor indian ndërton mure të larta për ta parandaluar përhapjen e Covid-19

Shteti jugor indian i Tamil Nadu ka ndërtuar mure duke vendosur një kufi me shtetin fqinj, Andhra Pradesh, mes frikës për përhapjen e Covid-19.

Muret me lartësi 1.5 metra, u ngritën në dy pikat hyrëse dhe dalëse përgjatë kufirit të dielën e 27 prillit për të parandaluar qarkullimin e makinave dhe të njerëzve, shkruan BBC.

Një zyrtar vendas tha se masa kishte për qëllim edhe të kontrollonte hyrjen e punëtorëve migrantë që ndonjëherë hyjnë në shtet pa një leje të rregullt.

Megjithatë disa autoritete kanë thënë për mediat lokale se kjo është një masë e përkohshme.

Deri më tani në Indi janë shënuar 939 viktima nga Covid-19 dhe janë regjistruar 29,451 të infektuar. /KultPlus.com

Anulohen aktivitetet për Ditën e të Pagjeturve për shkak të koronavirusit

Akademia Përkujtimore në Mejë, Gjakovë dhe Marshi Përkujtimor në Prishtinë, si aktivitete të përvitshme, për shënimin e 27 Prillit – Dita e të Pagjeturve të Kosovës, nuk do të mbahen për shkak të pandemisë COVID-19.

Kjo është bërë e ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe Shoqatën ’27 Prilli 1999 Mejë’.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me KKAFZHDK dhe Shoqatën ’27 Prilli 1999, Mejë, ftojnë familjarët e personave të zhdukur dhe gjithë qytetarët që përkujtimi dhe homazhi për të zhdukurit dhe gjithë të rënët për lirinë e vendit, këtë vit, të bëhet duke respektuar masat e caktuara nga institucionet kompetente në parandalimin dhe luftimin e pandemisë, përmes të cilave ndër të tjera ndalohen edhe tubimet në masë”, thuhet në njoftimin e këtij komisioni.

27 Prilli shënon përvjetorin e Masakrës së Mejës së Gjakovës ku u vranë e zhdukën 376 shqiptarë, por edhe Dita për Persona të Zhdukur, e shpallur me vendim të Kuvendit në nderim të viktimave të kësaj masakre dhe gjithë të zhdukurve si pasojë e luftës në Kosovë, përkujton se në luftë nuk ka humbje më të madhe se sa rrëmbimi dhe zhdukja e më të dashurve.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur premtojnë se do të vazhdojnë të jenë në angazhim dhe përpjekje të vazhdueshme që familjeve të personave të zhdukur t’ua lehtësojmë barrën e pritjes dhe ankthit të pritjes t’i vijë fundi.

“Me këtë rast i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të shtojnë trysnin ndaj Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces, para se gjithash për të hapur arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave dhe për të ofruar informatat mbi fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur.”

Ndryshe, edhe 1641 persona, vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Bill Gates: Nëse vaksina kundër Covid-19 funksionon, do ta paguaj unë për gjithë botën

Fondacioni Bill dhe Melinda Gates ka siguruar që do të kontriubojë për të gjetur paratë e nevojshme, për vaksinën kundër Covid-19.

Lajmin e ka bërë me dije vetë miliarderi dhe filantropi, që vite më parë kishte njoftuar për rrezikun e një pandemie globale dhe që tani e përshkruan atë si “makthin e tij më të madh”.

Themeluesi i Microsoft ka thënë se është në kontakt me të gjithë programet më inovative, duke përfshirë edhe atë me të cilin ai punon në Universitetin e Oksfordit, me pjesëmarrjen e një kompanie italiane.

“Nëse funksionon unë dhe të tjerë në një konsorcium do të sigurojmë një prodhim masiv të vaksinës”, siguroi ai i intervistuar nga Times.

Sipas Gates, virologia Sarah Gilbert, përgjegjëse e Jenner Institute është e “jashtëzakonshme” dhe programi i nisur universiteti i Oksfordit është “një nga përpjekjet më të rëndësishme”. Për momentin, qeveria Johnson iu ka dhënë atyre fonde të mjaftueshme që të vazhdojnë me “vela të hapura”. Ndërsa Gates është duke biseduar me kompanitë farmaceutike që të jenë të afta ta prodhojnë në sasi të mëdha nëse funksionon. “Do ta provojnë mbi njerëzit shumë shpejt… Nëse rezultatet do të jenë ato që urojmë, unë dhe të tjerët do të bëjmë të mundur prodhimin global”. /KultPlus.com

Beyonce dhuron 6 milionë dollarë në luftën kundër Covid-19

Beyonce, ylli i muzikës, po jep ndihmën e saj në betejën kundër pandemisë.

Iniciativa “BeyGOOD” e këngëtares së “Love on Top” do të dhurojë 6 milionë dollarë për fondet e ndihmës për punonjësit dhe njerëzit e prekur nga shpërthimi i koronavirusit.

“Komunitetet me ngjyrë po vuajnë shumë për shkak të pandemisë COVID-19. Shumë familje jetojnë në zona të pamerituara, me shtëpi që e bëjnë të vështirë distancën sociale”, shkroi fondacioni në një deklaratë, transmeton ATSH raportimin e DPA-së.

“Komunitetet që kishin mungesa të fondeve për arsim, shëndetësi dhe strehim, tashmë i duhet të përballen dhe me nivele alarmante të infeksioneve dhe fatalitete. Këtyre komuniteteve i mungon aksesi në testime dhe kujdesi i barabartë shëndetësor”, thuhej në deklaratë.

Në partneritet me iniciativën “#startsmall” të shefit ekzekutiv të Twitter, Jack Dorsey, paratë do të shkojnë në organizata të ndryshme me bazë komunitare, si UCLA dhe Aleanca Kombëtare në Sëmundjet Mendore, për të ofruar nevoja thelbësore dhe shërbime të shëndetit mendor në Nju Jork, Detroit, Nju Orleans dhe Houston, qyteti i lindjes së Beyonce/ DPA. /KultPlus.com

A do të kemi pushime verore këtë vit?

Pushimet kësaj radhe pritet të jenë më ndryshe me masat që duhet të merren edhe në plazh.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ka ndërruar retorikë sa i takon pushimeve verore.

Teksa shumë njerëz po i presin me padurim po dhe në ankth nga pandemia e koronavirusit, sipas shefes së KE-së pushuesit evropianë duhet të jenë optimistë se mund të bëjnë disa ditë pushime verore.

Von Der Leyen deklaroi për mediat portugeze se pushimet mund të bëhen realitet, por duhen gjetur disa zgjidhje të mënçura.

“Do mundohemi të gjejmë zgjidhje të mençura për këto pushime. Ndoshta do të jenë pak ndryshe, me më shumë masa higjiene apo distancimi social, por unë jam optimiste se do të gjejmë alternative”, u shpreh ajo.

Kujtojmë se një javë më parë ajo iu tha miliona qytetarëve të botës që shpresonin për pushime në Evropë, të mos bënin asnjë plan për këtë verë, transmeton Scan.

Autoritetet në Itali ndërkohë po punojnë nga këndvështrimi i akteve administrative dhe rregulloreve të nevojshme për të mundësuar që këtë verë plazhet të rihapen dhe sektori i turizmit të rifillojë punën.

Por këshëria për të shkuar në plazh është aq e madhe saqë një kompani në Modena, në Itali ka projektuar vendrelaksimet e njerëzve; kuti transparente me mure Plexiglas-i dhe profile alumini 4,5 metra dhe dy metra të larta.

Në rastin e çadrave, ato mund të vendosen të paktën 3 m larg nga njëra tjetra kurse në restorante po mendohet që tavolinat të ndahen me xham apo dhe Plexiglas për të mënjanuar sa më shumë kontaktet mes njëri-tjetrit. /KultPlus.com

Kosova në mesin e vendeve përfituese të mbështetjes 3 miliardëshe të Komisionit Evropian

Komisioni Evropian ka planifikuar që të ndajë një fond prej 3 miliardë eurosh në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Në mesin e shteteve të cilat do të përfitojnë nga një fond i tillë do të jetë edhe Republika e Kosovës.

Një gjë të tillë e ka konfimruar, Vladis Dembrovskis, i cili është zëvëndëspresident i Komisionit Evropian.

“Shtete përfituese të propozimit 3 miliardësh të Komisionit Evropian për koronavirusin janë Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Gjerogjia, Jordania, Kosova , Moldavia, Mali i Zi, Tunizia, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina”, ka njoftuar Dembrovskis, raporton Express.

Pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të shkojë për Ukrainën ku do t’iu ndahen 1.2 miliardë, derisa Kosova do të përfitojë 100 milionë euro.

Këto mjete financiare janë ndarë nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar vendet për të investuar mjetet në fushat ku më së shumti ka nevojë aktualisth në kohën e pandemisë, siç është sistemi shëndetësor. /KultPlus.com

Danimarka vazhdon daljen nga izolimi

Danimarka do të lejojë edhe disa biznese, të tilla si parukeritë, sallonet e bukurisë dhe auto-shkollat, të rihapen nga data 20 prill.

Ato dhe të tjera janë mbyllur tash e sa javë për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“Askush nuk dëshiron ta mbajë Danimarkën të mbyllur më shumë seç është e nevojshme”, tha kryeministrja Mette Frederikse.

Vendimi vjen pasi disa vende të tjera evropiane, përfshirë Austrinë dhe Gjermaninë, kanë bërë publike masa të ngjashme për dalje nga izolimi.

Të mërkurën, Danimarka ka rihapur edhe çerdhet dhe shkollat fillore, pasi lakorja e të infektuarve me koronavirus në këtë vend është rrafshuar.

Megjithatë, kufijtë, restorantet dhe baret atje do të mbeten të mbyllura edhe për një kohë.

Danimarka ka rreth 7,000 të infektuar me koronavirus, ndërsa 321 pacientë atje kanë humbur jetën.

Çfarë thotë OBSH-ja për heqjen e masave të izolimit?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar gjashtë kushte për vendet që konsiderojnë relaksimin e izolimit:
Transmetimi duhet të kontrollohet;
Sistemet shëndetësore kanë kapacitet për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;
Rreziqet e shpërthimit në ambiente të veçanta, si objektet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve, minimizohen;
Masat parandaluese ndërmerren në vende të punës, shkolla dhe vende të tjera ku njerëzit domosdoshmërisht shkojnë;
Rastet e importuara menaxhohen;
Komunitetet janë plotësisht të informuara, të angazhuara dhe të afta për t’u përshtatur me “normën e re”. /KultPlus.com

Presidenti i Nikaraguas: Koronavirusi “një shenjë nga Zoti” kundër militarizmit dhe hegjemonisë

Kur të gjitha vendet e prekura nga Covid-19 janë në garë dhe po punojnë për uljen e të prekurëve, Presidenti i Nikaragua thotë se koronavirusi ishte “një shenjë nga Zoti”. Në një fjalimin televiziv të mërkurën në mbrëmje, Daniel Ortega pohoi se Nikaragua kishte pësuar vetëm një vdekje nga pandemia e koronavirusit dhe se tre rastet e konfirmuara të vendit ishin “importuar”.

Nga ana tjetër, Ortega ka refuzuar të miratojë masat për distancimin shoqëror dhe bllokimin, të përdorura në vendet e tjera, dhe në fakt ka inkurajuar shtetasit që të marrin pjesë në tubime masive.

Presidenti nuk komentoi se sa teste janë kryer por ekspertët dyshojnë se ka shumë raste të pazbuluara. Ortega e përdori fjalimin për të kritikuar Shtetet e Bashkuara, duke thënë se po mban migrantë të tyre në kushte të këqija. Ai tha se pandemia ishte “një shenjë nga Zoti” kundër militarizmit dhe hegjemonisë. / Gazeta express / KultPlus.com

Ndërron jetë nga koronavirusi Lee Konitz, artisti i shquar i xhazit

Lee Konitz, një prej artistëve më të mëdhenj në botën e xhazit, ka vdekur në moshën 92-vjeçare në Lenox Hill Hospital të New York-ut nga koronavirusi. I lindur në Chicago në 13 tetor 1927, saksofinisti gjatë karrierës së tij të gjatë ka luajtur me më të mëdhenjtë duke filluar nga Miles Davis, Michel Petrucciani, Ornette Coleman dhe shumë të tjerë.

Ai është i famshëm mbi të gjitha për punën e tij me Mile Davis në vitet 1949 dhe 1950 për albumin “Birth of the Cool”, por karriera e tij filloi një gjeneratë më përparë. Puna e tij e parë e rëndësishme ishte si xhazistin në orkestrën e drejtuar nga Teddy Poëell.

Mentori i tij ishte pianisti i verbër Lennie Tristano. Ai ishte mik dhe koleg me Charlie Parker dhe ka punuar së bashku me muzikantë kalibri si Stan Kenton dhe Claude Thornhill. /KultPlus.com

Gruaja që zbuloi koronavirusin e parë, ishte vajza e një shoferi skocez autobusi

Gruaja që zbuloi koronavirusin e parë njerëzor ishte vajza e një shoferi autobusi skocez, e cila la shkollën në moshën 16-vjeçe.

BBC shkruan se ajo quhet June Almeida e cila vazhdoi të bëhej një pioniere e imazheve të viruseve, puna e të cilës është rikthyer përsëri në fokus gjatë kësaj pandemie aktuale.

Covid-19 është një sëmundje e re por ajo është shkaktuar nga një coronavirus i tipit i identifikuar së pari nga Dr. Almeida në vitin 1964 në laboratorin e saj në Spitalin St. Thomas në Londër.

Sipas BBC, virologia lindi në June Hart në vitin 1930 dhe u rrit në një banesë pranë parkut Alexandra në veri-lindje të Glasgow.

Ajo la shkollën me pak arsim zyrtar, por mori një punë si teknike laboratori në histopatologji në Glasgow Royal Infirmary.

Më vonë ajo u transferua në Londër për të vazhduar më tej karrierën e saj dhe në vitin 1954 u martua me Enriques Almeida, një artist venezuelas.

Çifti dhe vajza e tyre e re u transferuan në Toronto në Kanada dhe, sipas shkrimtarit mjekësor George Winter, ishte Instituti i Kancerit në Ontario që Dr Almeida zhvilloi aftësitë e saj të shkëlqyera me një mikroskop elektronik.

Ajo filloi një metodë e cila vizualizoi më mirë viruset duke përdorur antitrupa për t’i grumbulluar ata.

Z. Winter i tha Drivetime në BBC Radio Skoci se talentet e saj u njohën në Mbretërinë e Bashkuar dhe ajo ishte joshur përsëri në vitin 1964 për të punuar në Shkollën Mjekësore Spitalore St. Thomas në Londër, të njëjtin spital që trajtoi kryeministrin Boris Johnson kur vuante nga Covid-19.

Pas kthimit të saj, ajo filloi të bashkëpunonte me Dr. David Tyrrell, i cili po drejtonte kërkimet në njësinë e zakonshme për ftohjet në Salisbury në Wiltshire.

Winter thotë se Dr. Tyrrell kishte studiuar “larjet e hundës” nga vullnetarët dhe ekipi i tij kishte zbuluar se ata ishin në gjendje të rritnin disa viruse të zakonshëm të shoqëruara nga të ftohtit, por jo të gjithë.

Një mostër në veçanti, që cili u bë e njohur si B814, ishte nga “larja e hundës” e një nxënësi në një shkollë me konvikt në Surrey, në vitin 1960.

Ata zbuluan se ata ishin në gjendje të transmetonin simptoma të zakonshme të ftohjes tek vullnetarët, por ata nuk ishin në gjendje ta rritnin atë në kulturën rutinore të qelizave.

Sidoqoftë, studimet vullnetare demonstruan rritjen e saj në kulturat e organeve dhe Dr. Tyrrell pyeti veten nëse mund të shihej nga një mikroskop elektronik.

Ata dërguan mostra te June Almeida e cila pa grimcat e virusit në ekzemplarë, të cilat ajo i përshkroi si viruse të gripit, por jo saktësisht të njëjta.

Ajo e identifikoi atë që u bë i njohur si coronavirusi i parë njerëzor.

Coronaviruset janë një grup i viruseve që kanë një pamje si kurorë (korona) kur shikohen nën mikroskop.

Winter thotë se Dr Almeida në të vërtetë kishte parë grimca si kjo më parë ndërsa hetonte hepatitin e miut dhe bronkitin infektiv të pulave.

Sidoqoftë, ai thotë se letra e saj për një revistë të rishikuar nga shkencëtarët tjerë u refuzua “sepse gjykuesit thanë se imazhet që ajo prodhoi ishin thjesht fotografi të këqija të grimcave të virusit të gripit”.

Zbulimi i ri nga B814 u shkrua në Gazetën Mjekësore Britanike në vitin 1965 dhe fotografitë e para të asaj që ajo kishte parë u botuan në Journal of General Virology dy vjet më vonë.

Sipas Winter, ishte Dr. Tyrrell dhe Dr. Almeida, së bashku me profesor Tony Waterson, njeriu përgjegjës në St. Thomas, të cilët e quajtën atë coronavirus për shkak të kurorës që e rrethon atë në imazhin viral, transmeton Panorama shkrimin.

Dr. Almeida më vonë punoi në Shkollën Mjekësore Postdiplomike në Londër, ku asaj iu dha një doktoratë.

Ajo e mbaroi karrierën në Institutin Wellcome, ku u emërua në disa patenta në fushën e imazheve të virusit.

Pas largimit nga Wellcome, Dr. Almeida u bë një mësuese e joga-s, por u kthye përsëri në virologji në një rol këshillues në fund të viteve 1980, kur ajo ndihmoi për të bërë fotografi të reja të virusit HIV.

June Almeida vdiq në vitin 2007, në moshën 77 vjeçe.

Tani 13 vjet pas vdekjes së saj, ajo më në fund po merr “njohjen që meriton” si një pioniere, puna e së cilës përshpejtoi të kuptuarit e virusit që aktualisht po përhapet në të gjithë botën. / KultPlus.com