Autoritet e Federatës Spanjolle te Futbollit kërkuan t’ia marrin flamurin e Kosovës përfaqësuesit të Dardanëve, por nuk ia arritën

Gazetarët dhe disa tifozë të ‘Dardanëve’ që janë të pranishëm në stadiumin La Cartuja të Sevillës, ka zbuluar se kanë pasur disa probleme të vogla para takimit.

Ai ka zbuluar se atyre iu afruan autoritet e Federatës Spanjolle te Futbollit duke kërkuar t’ia marrin flamurin e Kosovës.

Sipas videos së Klan Kosovës shihet që kërkesa e tyre për t’ia marrë flamurin e Kosovës nuk ishte armiqësore, me pretekstin se janë urdhëratë nga lart.

Mirëpo me insistimin e tyre, në veçanti të kryetarit të Dardanëve, Lulzim Berisha, flamuri ka qëndruar./ KultPlus.com

Agim Ademi: Nëse nuk intonohet himni i Kosovës, kthehemi në Kosovë

Nesër, me fillim prej orës 20:45, Kosova do të luajë kundër Spanjës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Qatar 2022”.

Një nga çështjet që u komentua më së shumti ishte nëse Spanja do ta lejojë intonimin e himnit të Kosovës dhe flamurin në këtë ndeshje, pasi që ky shtet nuk e njeh pavarësinë e vendit tonë.

Për këtë çështje ka folur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një lidhje nga Spanja.

Ai deklaroi se nëse nuk do të shfaqet flamuri dhe nuk do të intonohet himni i Kosovës gjatë ndeshjes, Kombëtarja e Kosovës do ta lëshojë fushën dhe do të kthehet prapa.

“Ne i përshëndesim gazetarët tanë dhe referët dhe ikim për Kosovë. Në asnjë mënyrë nuk do të luhet loja. Por, nuk do të ndodhë ajo, sepse protokolli është në përpikmëri”.

Megjithatë, kreu i FFK-së është i bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe ndeshja do të zhvillohet sipas të gjitha protokolleve të përcaktuara nga FIFA dhe UEFA.

“Unë nuk kam dyshuar asnjëherë në Qeverinë e UEFA-s dhe FIFA-s dhe në rregullat dhe protokollet e UEFA-s dhe FIFA-s të cilat sigurisht që po vërtetohen edhe sot – me himn, me flamur dhe me gjithçka sipas protokolleve të FIFA-s”, ka thënë Ademi në Klan Kosovë.

“E dimë që Spanja është një shtet jashtëzakonisht i fortë dhe i lashtë dhe e ka një histori me shqiptarët. Ju e dini që këtu janë varrezat e Asim Vokshit dhe Xhemajl Kadës që kanë dhënë jetën e tyre për çlirimin e popullit spanjoll. Pastaj te historia e re e Kosovës dhe të krijuarit e Kosovës shtet është një burrështetas pikërisht i Spanjës i cili ka dhënë urdhër për bombardimin e NATO-s në favor të Kosovës. Ai është Javier Solana. Po ashtu edhe ushtarët spanjollë janë pjesë e NATO-s dhe KFOR-it që edhe sot janë pjesë në Kosovë”.

“Duke i marrë parasysh këto unë asnjëherë nuk kam dyshuar. Unë i falënderoj shumë Federatën e Spanjës që na ka pritur jashtëzakonisht mirë me protokoll dhe jashtë protokollit në mënyrën më të mirë shoqërore. Ju ka ardhur keq për detajet, sepse ka qenë më shumë mediale sesa politike. Besoj që e keni vërtetuar këtë sepse është deklaruar edhe Ministrja e Jashtme, madje nga federata na kanë kërkuar edhe falje. Nuk ka qenë e nevojshme për mua. Ne kemi qenë në kontakt gjatë gjithë kohës. Ju e dini që kanë qenë edhe dy zyrtarë të UEFA-s pas deklarimeve të mia se nuk do të luajmë pa himn dhe flamur dhe më kanë garantuar edhe nga Federata e Spanjës se gjithçka do të shkojë sipas protokollit. Dhe ja kjo po ndodh”./KultPlus.com

Gazeta spanjolle: Kosova, fëmijët e luftës të cilët vijojnë t’i thyejnë barrierat

Gazeta spanjolle “Diario Sport” ia ka kushtuar Kosovës një shkrim të veçantë për rrugëtimin e saj të vështirë në futbollin ndërkombëtar, në prag të një ndeshjeje kualifikuese për Kupën e Botës kundër Spanjës nesër në mbrëmje.

Kosova do të përballet me Spanjën, njërin prej kundërshtarëve më të mëdhenj të pavarësisë së saj, për herë të parë të mërkurën në Sevillë në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit B Kualifikues për Botërorin Katari 2022, raporton Gazeta Express, përcjellë KultPlus.

Në fakt, shorti për kualifikime për Botërorin e hodhi Kosovën në një grup me tri shtete që s’e njohin pavarësinë e saj, Greqinë dhe Gjeorgjinë, përveç Spanjës. E vetmja në Grupin B që e njeh Kosovës është Suedia.

Duke e rrëfyer tregimin e vështirë të Kosovës për luftën me Serbinë më 1998, deri te pavarësimi më 2008 e deri te pranimi i Kombëtares në UEFA e FIFA më 2016, Sport iu tregoi spanjollëve sesi lojtarët e Kosovës kanë kaluar shumë barriera deri më sot.

Sport e përmendi faktin që shumë prej lojtarëve që do të paraqiten nesër kundër Spanjës ishin detyruar të iknin nga Kosova në vitet 1990, shkaku i terrorit serb, dhe tani janë kthyer për ta çuar përpara atdheun e vet.

Gazeta me bazë në Katalonjë shkroi: “Njëzet vjet  pasi përjetuan luftë të rëndë, fëmijët e Kosovës të cilët u detyruan të iknin nga Kosova për të filluar një jetë të re në Suedi, Gjermani, Norvegji, Zvicër apo shumë vende të tjera në Evropë, u kthyen në rrënjët e tyre falë ekipit kombëtar, i cili pas shumë përpjekjeve për një kohë të gjatë tani mund të garojë si njëri prej ekipeve më të mira. Një ekip që ka kohë që tejkalon pengesa dhe i cili do të tentojë t’i vështirësojë gjërat Spanjës të mërkurën në orën 20:45”.

Edhe takimi me Spanjën ishte barrierë jo e vogël, pasi që prej se shorti i hodhi këto dy ekipe në një grup, polemikat nuk janë ndalur.

Federata e Futbollit e Spanjës i ishte referuar Kosovës si territor fillimisht dhe mediat atje kishin tendencë për të mos e trajtuar Kosovën si shtet, pas pikërisht gazeta e përditshme spanjolle “AS” kishte refuzuar t’ia shkruante emrin shtetit më të ri evropian në tabelën e Grupit B në uebsajtin e vet.

Spanja s’e njeh Kosovën kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

Sidoqoftë, Spanja është tërhequr nga qëndrimi e saj dhe do t’i ofrojë Kosovës pritje si çdo kombëtareje tjetër të mërkurën në Sevillë. Federata spanjolle ka këmbëngulur, megjithatë, se pritja që do t’ia bëjë Kombëtares së Kosovës me himn kombëtar dhe flamur, nuk përfaqëson qëndrimin e shtetit spanjoll.

Verdhekaltrit mbërritën në Sevillë të hënën pasdite dhe sot do ta kryejnë një seancë stërvitore në stadiumin “La Cartuja”.

Grupit B i prin Suedia me gjashtë pikë, e ndjekur nga Spanja me katër pas dy ndeshjeve. Greqia është e treta me një pikë pas një ndeshjeje.

Kosova është pa pikë pas humbjes në ndeshjen hapëse kundër Suedisë, ndërsa Gjeorgjia është e fundit pa pikë pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Vitia: Nesër fillon vaksinimi në Klinikën Infektive dhe tek salla “1 Tetori”

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka mbajtur takim virtual me këshillin e kryetarëve të komunave në lidhje me koordinimin dhe procesin e fillimit të vaksinimit antiCOVID-19.

Vitia njoftoi kryetarët e komunave rreth arritjes së kontingjentit të parë të vaksinave në Kosovë, e që të parët që do të vaksinohen janë personeli shëndetësorë dhe personave mbi moshën 80 vjeçare dhe me sëmundje kronike të mëdha.

Vitia ka treguar se vaksinimi do të filloj të martën në Klinikën Infektive dhe në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ndërsa nëpër komuna vaksinimi do të nis të enjten ose të premten e kësaj jave. Kështu thuhet në komunikatën për media të Asociacionit të Komunave.

Gjatë këtij takimi virtual, ministri Vitia ka kërkuar që të ketë një bashkëpunim sa më të mirë rreth menaxhimit me pandeminë COVID-19.

“Ministri Vitia në këtë takim kërkoj që të kenë një bashkëpunim sa më të mirë rreth menaxhimit me pandeminë, ku kërkoi nga komunat që të vazhdojnë të punojnë në respektim të masave të cilat janë fuqi. Ai poashtu tregoi që është duke u bërë një vlerësim i përgjithshëm i situatës epidemiologjike në vend, të cilën janë duke e bërë së bashku me ekspertët shëndetësorë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe për çfarëdo ndryshim të masave që mund të ketë do ta bëjnë në bashkëpunim me Komunat”, thuhet në komunikatën për media.

Në anën tjetër, Kryetarët e Komunave në këtë takim u shprehen të gatshëm që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe koordinimin sa më të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë rreth procesit të fillimit të vaksinimit por dhe sfidave të tjera me të cilat janë duke u ballafaquar komunat.

Në këtë takim Kryetarët e Komunave kanë adresuar disa probleme me të cilat janë duke u ballafaquar në komuna e që janë, mungesa e stafit shëndetësor, problemet me furnizim me barna nga listat esenciale si dhe probleme të natyrave të ngjashme të cilat i kërkuan nga ministri që të adresohen sa më parë nga ana e ministrisë.

Në fund të këtij takimi i’u kërkua ministrit Vitia, që të shqyrtohet kërkesa e bërë nga komunat për një sasi të testeve rapide prej 100,000 teste e cila është adresuar nga komunat dhe presim të kemi një përgjigje nga ana e Ministrisë. / ATV / KultPlus.com

Arrin në Kosovë kontigjenti i parë i vaksinave anti-COVID-19

Aeroplani bartës i kontingjentit të parë të vaksinave antiCOVID-19 nga COVAX, ka ateruar tashmë në Aeroportin Ndërkombëtar ”Adem Jashari” në Kosovë.

Kjo ardhje e vaksinave, do të përcillet me një ceremoni të organizuar.

Aty pritet të mbajnë fjalë rasti, Kryeministri Albin Kurti si dhe të tjerë përfaqësues zyrtarë të huaj e vendorë./ KultPlus.com

​UNICEF në Kosovë: Vaksinimi i tërë popullatës botërore do të jetë operacioni më i madh në histori

Programi i UNICEF-it në Kosovës përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se vaksina COVAX  është një zgjedhje globale.

Kjo organizatë ka bërë të ditur se do të punojnë që përmes një operacioni të madh të prokurimit  të bëhet furnizimi me vaksina. Po ashtu është bërë e ditur se bashke me partneret po punojnë për të siguruar që asnjë vend të mos mbetet prapa.

Postimi i plotë:

COVID-19 është një problem global dhe COVAX është një zgjidhje globale. Vaksinimi i tërë popullatës botërore kundër kësaj sëmundjeje do të jetë operacioni më i madh i prokurimit dhe furnizimit të vaksinave në histori. #UNICEF, European Union Kosovo dhe partnerët, po punojnë për të siguruar që asnjë vend të mos mbetet prapa.

Është thelbësore që të ketë furnizime adekuate të shiringave tashmë të vendosura para se të vijë vaksina, në mënyrë që vaksina të administrohet në mënyrë të sigurt. 712,800 shiringa💉 dhe 7,125 kuti sigurie për asgjësimin e shiringave janë siguruar përmes mbështetjes së partnerëve. / KultPlus.com

Kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19 mbërrin sot në ora 20:15

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se sot në ora 20:15 kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të marrin pjesë në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19.

Ky kontingjent është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.

Ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, (para terminalit VIP), me fillim nga ora 20:15.

KOHA kishte mësuar se bëhet fjalë për rreth 24.000 doza të vaksinës së “AstraZenecas”, që vijnë përmes programit “COVAX”. / KultPlus.com

Nesër vijnë vaksinat e para në Kosovë, thotë drejtori i OBSH-së për Evropë

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropë, Hans Kluge, ka konfirmuar se nesër do të vijnë vaksinat e para kundër Covid-19 në Kosovë.

Kluge përmes një cicërime në twitter ka konfirmuar shkurt se nesër do të vijnë vaksinat e parë në Kosovë.

Drejtori u pyet se kur do të vijnë vaksinat në Kosovë, derisa përgjigja e tij ishte e shkurtë dhe e qartë “Nesër”.

Kosova është vendi i vetëm në Evropë që deri tash nuk ka pasur vaksina, rrjedhimisht qytetarët kosovarë nuk janë vaksinuar./express/KultPlus.com

Pezullohet përkohësisht greva, nis qarkullimi i autobusëve në Kosovë

Shoqatat e Transportit rrugor të udhëtarëve ka pezulluar përkohësisht grevën.

Kjo thuhet se është bërë në shenjë solidarizimi me qytetarët nga moti ftohtë.

Kryetari i kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj theksoi se pezullimi i grevës dhe protestës nuk do të thotë që heqin dorë nga kërkesat e tyre, por siç tha ai ky vendim ka ardhur për shkak të motit të ligë.

Kjo shoqatë ka paralajmëruar bisedime me Qeverinë e re.

Ndryshe, transporti ndërurban dhe ai periferik urban janë futur në grevë nga të gjitha rajonet e Kosovës.

Greva u bë pas moszbatimit të marrëveshjes nga Qeveria për subvencionimin e këtij sektori. / KultPlus.com

40 vjet nga demonstratat studentore në Kosovë

Më 4 Mars të vitit 1981, studentët e Kosovës organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre, kjo protestë u përcoll me demonstrata të tjera të njohura  si “Demonstratat e punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur, përcjellë KultPlus.

Ishte demonstrata e 11 Marsit, që sot shënon 40 vjet, u shtyp me dhunë nga policia dhe ushtria jugosllave duke sjellë protesta të tjera.

Gjatë gjithë tubimeve të organizuara në vazhdimësi nga studentët në Kosovë, organet shtetërore ndërhynë në mënyrë brutale, dhe ish-armata jugosllave pushtoi rrugët e Kosovës që solli gjendje të jashtëzakonshme e më pas edhe shtetrrethimin.

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit filluan një proces të pakthim për shqiptarët e ish-Jugosllavisë.

Për të shënuar 40 vjetorin e demonstratave të 1981, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës do të hapë ekspozitën “Vullkani” i Republikës, në Mensën e Studentëve në Prishtinë, në orën 11:00. / KultPlus.com

Suade Doko Mekuli, gruaja e parë arkitekte në Kosovë

Suade Doko Mekuli (1931-2010), erdhi nga Ohri i Maqedonisë në Prishtinë në moshë të re dhe sapo e diplomuar. Ishte vajzë e familjes Doko, kamëse dhe arsimdashëse.

Cak i studimeve të Suadës së re, pas përfundimit të shkollës fillore dhe të mesme me sukses të shkëlqyeshëm, ishte Fakulteti Teknik i Shkupit, dega e arkitekturës, ku edhe diplomohet në vitin 1958.Po atë vit arrin në Prishtinë dhe punësohet në Ndërmarrjen ndërtimore ”Ramiz Sadiku”, me formimin e Sektorit të Projektimit, emërohet udhëheqese e tij.

Pastaj kaloi të punojë në kuadër të Byrosë Projektuese ”Kosmetprojekt”, asokohe si projektante përgjegjëse dhe shefe e grupit projektues, nga viti 1962 deri në 1967.

Tani po atë vit, do të fillojë punë në arsim në shkollën e mesme teknike në Prishtinë, duke ligjëruar lëndën ‘Konstruksione ndërtimore’, ndërsa një vit më vonë zgjidhet asistente e lëndës ”Godinari I dhe II”, ndërsa më 1970 emërohet ligjëruese e kësaj lënde.

Profesoresha Suade do të realizojë një numër të madh projektesh në hapësirat kosovare si;

Ndërtesa banimi kolektiv në Prishtinë, në Rahovec, Pejë, Fabrikën e mobilieve në Ferizaj, postën qendrore në Prishtinë, ndërtesën e Fakultetit Filozofik, Ambulancën në Prizren.Ajo poashtu ishte edhe kryetare e Këshillit Krahinor të Arsimit dhe Kulturës, Prodekane për Arsim në Fakultetin Teknik si dhe shefe e seksionit të Arkitekturës në Fakultetin Teknik.

Në Qershor të vitit ’91, kur futen masat e dhunshme në Universitet, arsimi përjeton edhe një sfidë të vështirë, me mungesë të kushteve elementare për punë, nën presion të vazhdueshëm të dhunës policore serbe, si dhe me largimin e Profesorëve nga puna.

Suade Doko Mekuli vdiq në vitin 2010. / KultPlus.com

Kafshët shoqëruese tani e tutje duhet të regjistrohen në Kosovë

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa ka nënshkruar dy udhëzime administrative që kanë të bëjnë me regjistrimin e obligueshëm të kafshëve shoqëruese (qen, mace), kjo si masë për parandalimin e braktisjes së qenve. Kështu kanë bërë të ditur organizata joqeveritare “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”.

“Ministri në detyrë i MBPZHR, z. Besian Xh Mustafa, ka nënshkruar dy udhëzime administrative (MBPZHR 01/2021 & 02/2021), të cilat ua bëjnë të obligueshme mbajtësve (pronarëve) të kafshëve shoqëruese, të bëjnë identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve të tyre. Organizata jonë së bashku me partnerët tanë, si iniciues të këtij procesi, me fasilitimin dhe përkushtimin e madh zv. KM të parë, z. Besnik Tahiri, ka punuar vazhdimisht në grupin punues së bashku me AUVK-në dhe zyrtarët e MBPZHR, për t’i finalizuar këto dy udhëzime administrative”, thuhet në komunikatën për media nga “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”.

Pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve të gjithë personat që mbajnë kafshë shoqëruese duhet t’i identifikojnë dhe regjistrojnë kafshët e tyre, pranë subjekteve veterinare që do të kontraktohen apo autorizohen nga AUVK.

“Më konkretisht, pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve (10.03.2021), të gjithë personat që mbajnë kafshë shoqëruese (qen, mace), duhet të identifikojnë dhe regjistrojnë kafshët e tyre, pranë subjekteve veterinare që do të kontraktohen apo autorizohen nga AUVK. Organizata jonë do të takohet me AUVK-në për të diskutuar planin e zbatimit të këtyre dy udhëzimeve administrative, dhe më pas, do të organizojë fushata informuese për t’i informuar mbajtësit e kafshëve për përgjegjësitë e reja ligjore që ju takojnë për të regjistruar kafshët e tyre”, tregohet në komunikatë.

Tutje në komunikatë thuhet se “Më në fund, edhe shteti ynë ka një bazë ligjore, e cila e obligon regjistrimin e kafshëve shoqëruese, por ç’është më e rëndësishme, të njëjtën kohë, e ndalon dhe e ndëshkon braktisjen e tyre. Kjo, ka munguar për vite të tëra në vendin tonë, dhe jemi të lumtur që më në fund është krijuar baza ligjore për parandalimin e braktisjes së kafshëve shoqëruese”. / KultPlus.com

Prevallë, ringjallja e turizmit dimëror në Kosovë

Kosova nuk ka det për turizëm veror, por malet që gjithnjë e më shumë po ringjallin turizmin dimëror. Një prej këtyre destinacioneve shqiptare është edhe Prevallë, shumë afër Prizrenit.

E ndodhur vetëm 28 km nga Prizreni dhe 12 km nga Brezovica, një tjetër atraksion turistik i Kosovës, është një fshat unik atraktiv, ka një pistë skijimi por mbi të gjitha ndodhet në malet e bukura të Sharrit.

Fshati kufizohet me një pyll të madh. Gjatë verës, është një destinacion i përshtatshëm për rekreacion dhe pushim, ndërsa gjatë dimrit për sportet dimërore sezonale. Ajo shtrihet 1800 m mbi nivelin e detit. Prevalla ndodhet në jug të Kosovës në Malet e Sharrit, në rrugën e cila shkon nga Prizreni nëpërmjet Prevallës në drejtim të Shtërpcës. Prevalla është pjesë e Parkut Kombëtar Malet e Sharrit.

Turistët e vizitojnë fshatin e shtrirë mes maleve me makinat e tyre, por edhe me agjenci turistike, ku qëndrojnë një ditë ose dy ditë. Madje së fundmi Prevallë rekomandohet dhe për turizëm shëndetësor pasi terreni, peizazhet e mrekullueshme dhe ajri i freskët mes pishave, i cili thuhet se është shërues, e bëjnë një prej zonave më të jashtëzakonshme për hiking dhe ecje./ KultPlus.com

Ish-polici serb dëshmon për masakrën e Prekazit: Ishte çmenduri serbe

Më 2009 e 2010 ishte dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë së Serbisë për krime lufte.

Atëherë në dëshminë e tij, Jovan Goluboviq asgjë s’kishte fshehur nga ngjarjet që ky thotë se i pa me sytë e tij në tre luftëra që i ndezi Serbia në Kosovë, Bosnjë e Kroaci.

55 vjeçari, polic në pension, rrëfen për pjesëmarrjen e tij në sulmin e shtetit serb në tre ditë marsi të 1998 mbi familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.

”Ajo çka më së shumti më ka mbetur në kujtesë është se ai aksion në Prekaz të poshtëm në Lagjen Jashari, jo që ka qenë mbi përdorim i forcës por ishte çmenduri serbe”.

”Aty ishte gjoja një terrorist me emrin Adem Jashari i cili posedon armatim të madh dhe njësia jonë duhej të bastiste shtëpinë e tij dhe të procedohet nëse zbulohen armë”, thotë ai.

”Unë çuditesha edhe atëherë pse gjithë ky aksion ku bëhet fjalë për një person. Por ne e kuptuam qysh në fillim se gjërat nuk janë të thjeshta dhe aksioni u urdhërua nga kreu i shtetit direkt nga Sllobodan Millosheviq nëpërmjet Jovica Stanishiqit, shef i Shërbimit sekret të shtetit”.

Urdhrin nga Beogradi për masakrën mbi Jasharët, Goluboviq thotë se e ka zbatuar Goran Radosavljeviq- Guri, shef i xhandarmërisë serbe, që është anëtar i Partisë Përparimtare serbe në krye me Aleksandar Vuçiq.

Goluboviq, kujton se policia vet e provokoi nisjen e sulmit me armë të kalibrave të ndryshme.

”Një makinë policore me megafon nga i cili në gjuhën shqipe është thirrur ‘’Adem Jashari të del dhe të mos bëjë rezistencë’’ sepse kanë ardhur kinse për bastisje. Në një moment dikush nis krismat. Më vonë e kuptuam se dikush nga ana jonë shtiu për të provokuar situatën. Nuk kishte të shtëna nga shtëpitë e Adem Jasharit.”

Në luftimet e Drenicës, Golubovic thotë se mori pjesë personalisht dhe Milorad Ulemek-Legija, kreu i Beretave të Kuqe që ndodhet në burg për vrasjen e Kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.

”Adem Jashari është ekzekutuar me plumba pas shpine. Ai e ka përdorur njëfarë lloj strehe që e kishte në bodrumin e shtëpisë së tij dhe nga aty është vetëmbrojtur. Ai ka qenë pjesë e Ushtrisë së Jugosllavisë në Slloveni dhe posedonte njohuri për luftime. Opinioni serb nuk e di por disa me siguri kanë dijeni dhe unë me sytë e mi e kam parë që Adem Jashari është prerë në fyt”, deklaron ai.

Goluboviq, flet për skenat lemeritëse pas masakrës.

”I kemi  mbledhur trupat e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë, kush e drejtoi, e çfarë tabela kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur”.

Për të mos i parë trupat e të ekzekutuarve nga ekipet e gazetarëve, dëshmitari atëherë i uniformuar thotë se u urdhërua varrimi.

”Urdhri ishte i qartë qysh para nisjes në Prekaz na thanë askush nuk guxon të dal i gjallë nga fshati. I kemi  mbledhur trupat  e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë , kush voziti , e çfarë tabelat kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur. Na u dha urdhri që në një livadh të fshatit ti varrosim. Kemi hapur varret dhe i kemi varrosur 32 trupa. Shteti i Serbisë i ka dhënë arkivolet”.

Goluboviq , mbeti pjesë e njësisë speciale policore deri në fund të luftës së Kosovës dhe pa shumë vrasje e tortura ndaj civilëve.

Burri nga Vlastotinci pohon se e di vendndodhjen e një varreze masive në Jug të Serbisë.

”Një kamion –frigorifer i mbushur me mbi 40 trupa të të vrarëve kryesisht civilë nga 2 deri në 72 vjeç është sjellur për t’u djegur në jug të Serbisë në Komunën e Surdulicës. Djegia nuk u bë dhe u dërgua në një vend tjetër që kufomat të fundosen. Unë dhe disa njerëz saktë e dimë ku është ajo varrezë masive”.

”Kur e kam përmendur këtë në Prokurori më thanë mos flisni për këtë rast, me të do të merremi më vonë. Unë nuk mund të vdes pa e thënë këtë”.

Ai i akuzon udhëheqësit e sotëm në Serbi, presidentin Aleksandar Vuçiq, e kryetarin e Kuvendit Ivica Daçiq se heshtin pranë krimeve që janë bërë sepse sipas Goluboviq, ata janë pjesë e kastës që solli gjithë tragjedinë në ish-Jugosllavi./Klankosova / KultPlus.com

Kosovarët ia mësyjnë Shqipërisë për fundjavë, krijohen kolona në kufi

Nxitur nga temperaturat e ngrohta në Shqipëri, mijëra shtetas shqiptarë nga Kosova kanë vendosur të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të kaluar fundjavën.

Gjatë ditës së sotme mbi 12 mijë kosovarë dhe mbi 4500 mjete kanë kaluar kufirin në doganën e Morinës, ndërkohë që për të hyrë në territorin shqiptar pritjet zgjasin deri në 30 minuta.

Për të përballuar fluksin, policia kufitare po punon me 5 sportele dhe procedurë të përshpejtuar, por radha mbetet sërish shumë e gjatë.

Vetëm këtë javë kanë hyrë në Shqipëri, rreth 20 mijë shtetas kosovarë, të cilët thonë se kufiri mes dy vendeve nuk duhet të ekzistojë. /express/ KultPlus.com

Varianti i ri i COVID-19 paraqitet edhe në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se varianti i ri i COVID-19 është paraqitur edhe në Kosovë.

Ai tha se ditëve të kaluara IKSHPK-ja ka dërguar 35 monstra në Gjermani për variantin e  ri të virusit COVID-19.

Zemaj ka thënë se nga mostrat e dërguara në Berlin, tri prej tyre janë pozitivë me variantin e ri të Covid-19.

“Nga 35 mostra që i kemi dërguar, 3 prej tyre kanë rezultuar pozitivë”, ka thënë Zemaj në konferencë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë thotë se situata epidemiologjikë në Kosovë është stabile dhe e qetë. /Express/ KultPlus.com

Akademitë e Shkencave në Shqipëri dhe Kosovë, me projekte madhore në albanologji

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës zhvilluan sot në Tiranë një takim zyrtar ku diskutuan për projektet madhore në albanologji: “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” si dhe për kuvendin ndërkombëtar të studimeve albanologjike, që do të mbahet sivjet në muajin nëntor.

Akad. Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH, paraqiti në fillim hapat që janë hedhur për këto projekte e nisma, duke përfshirë përgatitjen e platformave paraprake, parashikimin e shpenzimeve, arritjen e dakordësive parimore me ASHAK-un dhe miratimin e një buxheti ekstra nga Këshilli i Ministrave për një shtesë prej 100 milionë lekë të reja.

Kryetari i ASHAK akad. Mehmet Kraja tha se dokumentet paraprake janë diskutuar në Kryesi dhe në seksionin e gjuhësisë dhe kanë marrë pëlqim. Tani duhet t’i paraqiten për miratim kuvendit të ASHAK, në njërën nga dy mbledhjet e rregullta vjetore të tij: në shkurt ose në qershor, që është koha e rishikimit të buxhetit nga Qeveria e Kosovës.

Akademikët u dakortësuan në propozimet për krijimin e grupeve të punës për kuvendin e studimeve shqiptare, enciklopedinë dhe fjalorin që të bëhen e të miratohen në mbledhjen e muajit shkurt.

Përbërja e grupeve të punës do të jetë nga pesë vetë për secilën palë, kurse për fjalorin nga tre vetë.

Gjithashtu në këtë takim, u vu në dukje se puna për fjalorin është më e mundshme për të filluar menjëherë, sepse tashmë leksiku i shqipes së shkruar dhe të asaj të folur në Kosovë është mbledhur, ndërsa në Tiranë kartoteka e leksikut të shqipes përmban 15 milionë njësi leksikore, duke përfshirë dialektet dhe format e tyre.

Akad. Gjinushi theksoi se këto nisma kanë të bëjnë me konceptin që dy akademitë të funksionojnë si në një rrjetëzim shkencor, duke qenë në zgjidhje të përbashkëta programore. /atsh/ KultPlus.com

Kosova e përmbytur nga vërshimet (FOTO)

Vërshimet e fundit kanë kapluar shumicën e qyteteve në Kosovë. Gjakova, Fushë Kosova, Kamenica e Rahoveci, janë vetëm disa nga komunat e prekura nga këto vërshime, shkruan KultPlus.

Dëmet materiale të shkaktuara nga këto vërshime kanë qenë të shumëta.

Agon Nimani, ka publikuar disa fotografi ku shihen qartazi vërshimet e mëdha. / KultPlus.com

Arian Mavriqi, fotografi që bukuritë e botën së egër në Kosovë po ja shpalos edhe botës

Jeta Zymberi

Publiku çdo herë e më shumë kërkon imazhe nga natyra, andaj dokumentimi i formave të ndryshme të jetës së egër po bëhet gjithnjë e më tërheqës.

Në Kosovë dokumentimi i botës së egër është i vonshëm. Por me zhvillimin e teknologjisë dhe me vullnetin e disa fotografëve sot kemi fotografi mbresëlënëse e që nuk janë parë më herët. Këto pamje po vihen edhe para syve të botës duke e bërë kështu vendin tonë sa më tërheqës për turizëm.

Arian Mavriqi është një ndër fotografët e botës së egër në Kosovë që kujdeset të jetë gjithmonë në vendin dhe kohën e duhur e me punën e tij të arrijë të informojë publikun me shumë të panjohura nga kjo botë.

Si fëmijë ai kishte pasion të hulumtonte në natyrë, por ndoshta asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja që një ditë do të ketë mundësi që gjithë ato pamje eksploruese do t’i dokumentonte. Madje, do t’i dukej e pamundur t’i thoje që një ditë fotografia e tij do të komentohej nga gjigandi botërorë Microsoft e të cilin Mavriqi e vlerëson si një sukses kombëtar.

Në një intervistë të veçantë për KultPlus, Mavriqi na flet për pasionin e tij, vështirësitë e të fotografuarit gjallesat, sfidat e kënaqësitë gjatë procesit të punës që shpesh është tejet sfidues. Zbulon speciet që kanë arritur t’i fotografojnë e që nuk kanë ekzistuar as në të dhënat shtetërore. Ai ndër të tjera tregon se si ndikojnë fotografitë për tërheqjen e turistëve dhe sa kanë arritur të ngritin vetëdijen e popullit përmes fotografisë.

Arian Mavriqi

KultPlus: Fillimisht na trego sa kohë keni që i jeni përkushtuar artit të fotografisë më seriozisht, si erdhi inspirimi?

Arian Mavriqi: Që nga viti 2012 jam aktivë në fotografi, dhe inspirimi më erdhi pasi që si fëmijë kam pasur shumë dëshirë të hulumtoj në natyrë, por në atë kohë (para luftës) nuk kisha mundësi të fotografoja apo dokumentoja atë që na rrethonte me fotografi, ajo që bëja ishte vetëm ti shikoja pjesëtarët e faunës, shpezët dhe kafshët por edhe natyrën dhe të kënaqesha duke vrojtuar thuajse gjithë atë që na rrethonte.

KultPlus: Jeni ndër fotografët dhe eksploruesit më të njohur të natyrës dhe faunës në Kosovë, na fol pak për këtë pjesë, si është të jesh fotograf i kësaj fushe?

Arian Mavriqi: Është e veçantë të jesh fotograf i botës së egër, njëherë edhe satisfaksion, pasi që ky lloj i fotografisë është edhe më i vështiri për tu realizuar sepse ka të bëjë me krijesa që nuk e kuptojnë gjuhën e njeriut, mandej duhet të jemi në teren thuajse gjithë kohën që t’i gjejmë ato për t’i fotografuar, nganjëherë edhe në borë e shi, por që vullneti i tejkalon të gjitha vështirësitë.

KultPlus: Sa është e vështirë deri të sjellja e një fotografie të tillë (nga fauna), besoj ju ka ndodhur të prisni me orë apo ditë për një shkrepje të tillë?

Arian Mavriqi: Po, kemi pritur me orë, por edhe me ditë, këtu doja ta veçojë xhirimin e skyfterit Accipete gentilis (Gjeraqina e shkurtes) për të cilën kemi qëndruar deri në tri ditë në të njëjtin vend deri sa ja arritëm qëllimit për të marrë një xhirim që ishte i pari i tillë i realizuar në shqiptari.

KultPlus: A keni arritur të identifikoni ndonjë specie të re në Kosovë, për të cilën nuk keni qenë të informuar më herët?

Arian Mavriqi: Si rezultat i punës sonë, kemi arritur t’i fotografojmë disa specie të reja, ndër to Shqiponja peshkngrënëse (Pandion haliateus) dhe Kojlikun e zi të cilat as nuk gjenden në të dhënat shtetërore, por kemi fotografuar edhe shumë specie tjera që janë në të dhënat shtetërore por nuk kanë qenë asnjëherë të dokumentuara me fotografi.

KultPlus: Sa mendoni që keni arritur që përmes fotografive nga bota e egër të ngritni vetëdijen e qytetarëve për ruajtjen e tyre?

Arian Mavriqi: Jemi të kënaqur me ngritjen e vetëdijes nga ana e qytetarëve tanë, dhe se çdo ditë e më shumë ata po inspirohen edhe nga fotografitë e xhirimet tona, dhe thuajse tashmë ata janë pjesë e jona dhe na ndihmojnë shumë edhe në gjetjen e tyre dhe na japin informacione.

KultPlus: Nga gjitha shkrepjet që keni realizuar, cilën do ta veçoje?

Arian Mavriqi: Do ta veçoja Kaprollin me zogun Trishtili i madh në shpindet e tij që e kam realizuar në Blinajë. Mandej Shqiponjën Osprey si dhe një zog që është i përmendur edhe në Kuran e që quhet Pupëza apo Upupa epops.

KultPlus: Një moment i veçantë për karrierën tuaj besoj ishte edhe komentimi që gjigandi Microsoft i bëri fotografisë tuaj të realizuar në Kamenicë e cila ngjasonte shumë më atë të Ëindosës XP, si është të vlerësohesh nga Microsoft dhe na fol pak për emocionin që të fali suksesi i kësaj fotografie?

Arian Mavriqi: Komenti i gjigandit Microsoft ka qenë deri më tani kulmi në karrierën time pasi që është Kompania më e madhe në botë, dhe ajo nuk është se ishte sukses vetëm i imi, por edhe sukses kombëtar, pasi që ata interesohen më shumë për ne dhe lokacionin e shkrepjes gjithsesi, mandej emocionet kanë qenë nga më të mirat për mua deri më tani dhe sikur të kisha mundësi do ta përsëritja çdo ditë, është thjeshtë satisfaksion të vlerësohesh nga një gjigand si Microsoft.

KultPlus: A mendon që kjo fotografi të dha një vëmendje më të madhe te publiku dhe puna jote filloi të shpërndahet dukshëm më shumë?

Arian Mavriqi: Po, më ka ndihmuar shumë në karrierën time, vëmendja dhe shpërndarja e asaj foto më ka bërë të ndihem krenar me punën time, dhe më dha një vullnet shumë të fortë për të vazhduar akoma më fuqishëm në të ardhmen, sepse nëse punon gjithmonë edhe do shpërblehesh.

KultPlus: Duke qenë se ju vini nga Kamenica, gjithashtu një prej vendeve që ju eksploroni më së shumti, a mendoni që keni arritur tashmë të nxirrni në pah bukuritë natyrore të këtij vendi dhe faunën e pasur që ka, apo keni ende për të na treguar?

Arian Mavriqi: Po, unë jam nga Kamenica, dhe jetoj këtu, njëherit edhe fotot që kam sjellë e kanë bërë qytetin ku jetoj të njihet thuajse në gjithë shqiptarinë sepse njerëzit kishin shumë pak informacione për këtë vend, por akoma kam shumë për të bërë për Kamenicën dhe shqiptarinë në përgjithësi, janë shumë specie tjera që na presin ti fotografojmë dhe t’i dokumentojmë në të ardhmen.

KultPlus: Fëmijët janë ata që gjithashtu zënë shpesh vend në fokusin tënd, ju fal emocion e inspirim pafajësia e tyre?

Arian Mavriqi: Fëmijët janë aq të pafajshëm dhe natyraliteti i tyre na bënë që t’i fokusojmë sepse fotografitë me fëmijë janë emocion në vete dhe gjithmonë dërgojnë mesazhe pozitive në opinion dhe padyshim se vlerësohet shumë më lart edhe në publik, sidomos fotografitë që tregojnë traditat tona dhe fotografitë me kafshë.

KultPlus: Shumë nga bukuritë natyrore të Kosovës kanë dal në pah falë shkrepjeve tuaja, sa ndiheni i përmbushur si fotograf?

Arian Mavriqi: Kemi sjellur shumë fotografi të bukurive natyrore, por ne asnjëherë nuk kënaqemi me vetveten, por gjithmonë jemi në kërkim të ekskluziviteteve të reja dhe se fotografia është një burim shpirtëror i pashtershëm edhe njeriu gjatë gjithë jetës ka çka të ofrojnë në lëmin e fotografisë, sepse vijnë situata të reja, vende të paeksploruara, specie të pazbuluara, njerëz të rinjë pranë fokusit tonë, pra me një fjalë bota nuk ndalet dhe me të nuk ndalemi as ne.

KultPlus: Si e vlerësoni artin e fotografisë në Kosovë, çmohet sa duhet?

Arian Mavriqi: Arti i fotografisë për fat të keq nuk çmohet aq sa duhet, por jemi në rrugën e duhur që të ngrisim vetëdijen dhe të respektohet në nivelin më të mirë të mundshëm pasi që është një pjesë e artit dhe ka një vlerë të jashtëzakonshme.

KultPlus: Duke pas parasysh që e drejta e autorit te ne në Kosovë nuk respektohet sa duhet, hasni në probleme të tilla shpesh?

Arian Mavriqi: Sa i përket të drejtës autoriale kemi shumë shpesh raste të tilla kur merren fotot tona dhe nuk ceket emri i autorit dhe për fat të keq kemi një ligj që nuk zbatohet thuajse fare hiq, prandaj edhe ata që marrin foto të tilla pa e respektuar të drejtën autoriale do të vazhdojnë kështu deri sa të fillon të zbatohet ligji edhe të binden që një shkelje e tillë dënohet shumë rëndë.

KultPlus: Keni menduar hapjen e ndonjë ekspozite së shpejti?

Arian Mavriqi: Po, shumë shpejt do të hapë një ekspozitë personale me disa nga fotot e mia të faunës dhe natyrës të shkrepura në Kosovë e Shqipëri, por jam duke menduar të bëjë diçka të veçantë dhe besoj që kësaj radhe ekspozita do të mbahet diku në Prishtinë, dhe dua që të jetë një prezantim edhe në nivel kombëtar, pra të kemi të ftuar dhe mysafir nga gjitha trojet shqiptare.

KultPlus: A mendon që ndikojnë fotografitë për tërheqjen e turistëve në vendin tonë?

Arian Mavriqi: Fotot ndikojnë shumë në tërheqjen e turistëve të huaj sidomos në Kosovë, pasi që në vende të ndryshme ne akoma kemi një “hije të zezë”, dhe se ata kanë nevojë për më shumë informacione për vendin tonë, sidomos fotografi të bukurive të Kosovës, faunës, traditave tona, arkeologjisë që e kemi gjithandej e që zbulon shumë për historinë tonë, si dhe qyteteve tona që njihen për ruajtjen e pjesës arkeologjike dhe historike.

KultPlus: Si e komentoni shprehjen “Fotografia vlen sa një mijë fjalë”?

Arian Mavriqi: Shprehjen “Fotografia vlen sa 1000 fjalë” do ta komentoja me fotografinë time ku zogu qëndron i qetë në shpinën e kaprollit, mandej kur një qengj qëndron në krahët e një plaku i qetë dhe me shumë dashuri, apo me fotografinë time që ishte zgjedhur për tu pikturuar në Muralin e Kamenicës si dhe me qindra foto me kafshë që i kam realizuar djalin tim Amalit, pra nëse i shikon ato fotografi secila në vete i ka nga 1000 fjalë, prandaj edhe fotografia nuk komentohet shumë, ajo flet vetë. / KultPlus.com

Kosova mbulohet nga bora

Në vise të caktuara të territorit të vendit tashmë ka filluar bora e parë për këtë sezon dimëror.

Njëjtë ka ndodhur edhe në Dragash, Prizren, Lipjan, Prishtinë, Malishevë, e në vende të tjera.

Në disa pamje të publikuara nga Meteo Ballkan, shihet se si tanimë në këto komuna po bien reshje të dendura të borës.

Reshjet e borës rëndom shkaktojnë vështirësi në qarkullimin rrugor, mirëpo që ministria ka njoftuar se aktualisht gjendja e rrugëve është e mirë dhe s’ka ndonjë komplikim,

Për herë të parë në Kosovë dhe Shqipëri hapet shkolla për mësimin e instrumentit të lahutës

Nxënësit që do të vijojnë mësimet në këtë shkollë janë të moshave të ndryshme, nga 7 deri në 70 vjeç.

Është hapur për herë të parë në Kosovë dhe Shqipëri shkolla për mësimin e instrumentit të lahutës nën organizimin e shoqatës joqeveritare “Shkabat” në Prishtinë, raporton Anadolu Agency, transmeton KultPlus.

15 nxënës do të ndjekin mësimet mbi këtë instrumenti të vjetër kombëtar për një periudhë prej rreth 6 muajsh.

Shkolla do të bazohet në tri linja të mësimit të instrumentit muzikor: në teorinë mbi lahutën, legjendën e saj dhe tekstet e këngëve që luhen me lahutë; mësimi praktik i të luajturit me lahutë dhe pjesa ku nxënësit do të mësojnë të gdhendin (formojnë) një lahutë.

Studiuesi i folkloristikës, profesori Zymer Neziri, thotë se lahuta ka qenë instrument që është nderuar lartë tradicionalisht ndër shqiptarët. Ai thotë se përpos dasmave dhe vdekjeve lahutarët dhe lahuta kanë pasur nderim të veçantë edhe në rastet e hyrjes në luftë ku ka shërbyer si motivim për ushtarët.

“Lahuta është një traditë që duhet të mbijetojë në kohën e sotme të jetës elektronike. Duhet të mbijetojë për shumë arsye sepse pjesa e identitetit të etnokulturës shqiptare mbështetet edhe mbi këtë instrument. Domethënë, instrumenti paraqet një identitet kulturor të shqiptarëve, të traditës sonë ndër shekuj, nga periudha ilire e këndej. Dhe tjetra, është një traditë e cila nuk duhet të zhduket, por duhet t’i jepet mundësia që të mbijetojë”, theksoi Neziri.

Nxënësit që do të vijojnë mësimet në këtë shkollë janë të moshave të ndryshme, nga 7 deri në 70 vjeç.

Nxënësi më i vjetër i shkollës, 70-vjeçari me prejardhje nga rrethina e Malishevës, Imer Mleçani, thotë se dëshira është që ta mësojë lahutën në nivelin që babai i tij dikur i binte dhe këtë pret ta mësojë nga mësuesit si Isa Muriqi, një i moshuar i anës së Rugovës dhe ekzekutues tradicional me lahutë.

“Unë gjithmonë kam pasur dëshirë ta mësoj lahutën, por ne e lamë pas dore duke u marrë me vegla të tjera muzikore. Kur e marr tash lahutën më kujtohet së pari babai im dhe kam pasur dëshirë që të vij këtu dhe të mësoj t’i bie lahutës ashtu siç i ka rënë babai im”, theksoi Mleçani.

Ndërkohë, nxënësi më i ri në moshë që është bërë pjesë e kësaj shkolle, Arian Latifi (7), thotë se dëshira për të mësuar lahutën dhe jo ndonjë instrument tjetër i ka lindur për shkak se është një ndër instrumentet më të vjetra shqiptare.

“Unë e kam emrin Arian Latifi, kam dëshirë të bëhem i famshëm dhe më pëlqen lahuta. Lahutën e kam zgjedhur sepse është një nga veglat më të vjetra dhe të preferuara të shqiptarëve”, thotë ai.

15 nxënësit e lajmëruar për ta ndjekur këtë shkollë do të ndahen në tre grupe për shkak të respektimit të masave anti-COVID-19. / KultPlus.com

Hoti pret nga Serbia të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pret që Serbia të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, Hoti përmes Facebook-ut ka kujtuar të zhdukurit nga lufta në Kosovë.

“Sot, si rrallëkush në historinë e vonshme të Evropës, vendi ynë vazhdon të ballafaqohet me plagën e madhe të të zhdukurve. Qindra familje tona ende presim me ankth ndonjë lajm për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët u tretën pa shenjë gjatë krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë, më 1998-’99. Bota e di çfarë ka ndodhur këtu; e di mirë kush ka qenë agresori, e kush viktima! Me gjithë pengesat e mëdha, dëshmitë e këtyre krimeve të kryera në zemër të Evropës, vazhdojnë të dalin në dritë! Prandaj, pohojmë fuqishëm se provat e çmendisë serbe në Kosovë nuk mund të zhbëhen, sepse ato janë parë dhe janë evidentuar nga mbarë komuniteti ndërkombëtar”, shkroi Hoti.

Këtu Hoti ka shtuar se kërkimfalja, është kusht elementar human për të ecur drejt pajtimit mes dy shteteve.

“Duke e mbajtur përherë në kujtesë, tragjedinë që ka përjetuar, Republika e Kosovës është e përkushtuar për të ardhmen paqësore të rajonit dhe integrimin në familjen e kombeve të lira demokratike euro perëndimore. Por, po ashtu, ne presim nga fqinji ynë verior, Serbia, të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer, të kërkojë falje për djegien e kufomave të civilëve shqiptarë, për varrosjen dhe zhvarrosjen e disahershme të tyre. Përveçse një akt moral, kërkim falja është edhe kusht elementar human për të ecur përpara kah pajtimi dhe mirëkuptimi në mes dy shteteve tona”, përfundoi Hoti./ Koha.net / KultPlus.com

Vaksinimi anti-Covid në Kosovë, tek në pranverë

Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Isme Humolli, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se ky proces nuk mund të fillojë para stinës së pranverës.

“Ne po shpresojmë si OBSH që të jetë gjysma e marsit, eventualisht fillimi i prillit. Gjasa për të filluar më herët nuk ka, duke pasur parasysh sasinë e vogël të vaksinave që janë në prodhim dhe kërkesave shumë të mëdha që janë në mbarë botën”, tha ajo, përcjell Albinfo.ch.

Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se Kosova përballet me mungesë të kushteve teknike dhe profesionale për vaksinën e re kundër COVID dhe se janë duke mbështetur autoritetet në përgatitjen e terrenit për fillimin vaksinimit të popullatës.

“Si OBSH e kemi anën teknike, do të thotë do të bëjmë trajnimin e stafit mbi dhënien e vaksinën, për mbikëqyrjen e efekteve të padëshiruarve pas vaksinale, identifikimin e tyre, regjistrimin e vaksinave e kështu me radhë”, tha zonja Humolli.

Qytetarë të anketuar nga Zëri i Amerikës thonë se janë të gatshëm të marrin vaksinën, pasi që kjo të rekomandohet nga institucionet e vendit.

Të hënën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi 519 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi dhe 14 viktima në 24 orët e fundit.

Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se tre muajt e ardhshëm pritet të jenë të vështirë.

“Kemi hyrë në muajt e rrezikshëm kur numri i rasteve është jashtëzakonisht i lartë, por njëkohësisht edhe numri i rasteve të vdekjes, vërehet një rënie e lehtë e lakorës së rasteve të reja, por fatkeqësisht numri i vdekjeve është shumë i lartë dhe mbetet i lartë, pavarësisht a ka ndonjë sëmundje kronike apo jo dhe pavarësisht moshës”, tha zonja Humolli./ Albinfo.ch / KultPlus.com

In this undated photo issued by the University of Oxford, a volunteer is administered the coronavirus vaccine developed by AstraZeneca and Oxford University, in Oxford, England. Pharmaceutical company AstraZeneca said Monday Nov. 23, 2020, that late-stage trials showed its coronavirus vaccine was up to 90% effective, giving public health officials hope they may soon have access to a vaccine that is cheaper and easier to distribute than some of its rivals. (University of Oxford/John Cairns via AP)

Hendbollistja e parë kosovare që theu tabutë e shoqërisë dhe u shpall sportisja më e mirë e kohës

Përbrenda kohëve kur vajzat janë të kufizuara në çdo fushë jetësore, përherë ekziston dikush që del jashtë rregullave të shoqërisë, shkruan KultPlus.

E tillë është edhe hendbollistja e parë kosovare, Kadrije Sllamniku Basha.

Vajza nga Gjilani qysh në moshën 13 vjeçare filloi të merrej me hendboll, duke krijuar një lidhje të fortë shpirtërore me këtë lloj të sportit.

Kadrija qysh para gjysmë shekulli theu tabutë, kur pothuajse gjithçka ishte e ndaluar për vajzat dhe gratë në atë kohë.

Krahas shkollimit, vazhdimin e saj me sport e mbështeti edhe babai i saj Shaipi dhe familja Sllamniku, gjë që i dhanë një shtysë të fuqishme hendbollistes së parë kosovare.

Përkushtimi i saj i madh me hendbollin, e bëri që në vitin 1964 të shpallet “sportisja më e mirë femër” në Kosovë.

Kadrija është martuar me Naim Bashën, profesor dhe atdhetar i çështjes kombëtare, me të cilin kanë 6 fëmijë. / KultPlus.com