Fushata “T’i japim vendit ngjyra” synon gjelbërimin e mbarë Kosovës

Organizata joqeveritare “Let’s Do It” dhe Komiteti Olimpik i Kosovës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në kuadër të fushatës “T’i japim vendit ngjyra”, shkruan KultPlus.

Ky bashkëpunim synon që brenda një periudhe 10 vjeçare të bëj mbjelljen e 1.8 milion drunjve në gjithë Kosovën. Në anën tjetër, puna e cila do të bëj gjelbërimin e hapësirave të ndryshme do të filloj më 24 nëntor në Këndin Olimpik.

Poashtu në kuadër të kësaj fushate është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi edhe me Ministrinë e Infrastrukturës për mbjelljen e drunjve përgjatë rrugëve./KultPlus.com

Realiteti i hidhur kosovar vjen nëpërmjet skulpturave të Eroll Muratit

Medina Pasoma

Tri skulpturat e mbështjella me zingjirë bardh e zi të ekspozitës “Skulptura në hapësirë” nga artisti Eroll Murati bënë që qytetarë të shumtë të ndaleshin, fotografoheshin dhe pajtoheshin me mesazhin goditës që përçonin këto vepra arti, shkruan KultPlus.

Të ekspozuara në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit, skulpturat i falnin një pamje të freskët kësaj hapësire publike, duke i bërë të pranishmit të depërtonin në thellësinë e artit. Sytë e qytetarëve kalonin sa nga njëra sa te tjera skulpturë, duke e bërë që interesimi për t’i kuptuar ato të zgjohej edhe më shumë.

Tri pozicionet e ndryshme të skulpturave bashkë me veçantitë krijuese, bënë që të përçonin dromca të realitetit. Në intervistën për KultPlus, Murati tregoj se çdo detaj është i menduar dhe i qëllimshëm, në mënyrë që sa më thjeshtë të kuptohet mesazhi i ekspozitës që do të jetë e hapur deri më 25 nëntor.

Zingjiri i përdorur tregon ashpërsi, ndërkaq e zeza dhe e bardha vjen si një kombinim mes personaliteteve të ndryshme të njerëzve, duke e bërë që veprimet individuale të përfaqësojnë shoqërinë.

“Bardh e zi ka qenë e qëllimshme për shkak që me të zezën e kam paraqitur të errëtin, të keqin e të dobëtin dhe të bardhën e kam përdorur si zemërbardhësi, diçka shumë e mirë”, u shpreh Eroll Murati.

Përderisa qëllimi kryesor mbetet sjellja e skulpturave moderne dhe kreativitetit artistik në hapësira publike, në këndvështrimin e parë ai thekson se nëpërmjet kësaj ekspozite çdo qytetari iu ekspozohet realiteti i hidhur kosovar.

Skulptura e parë e Muratit përbëhet nga një person i vetëm, i cili gjendet në këmbë, me duar të mbështjella me zingjir të zinj, e që kjo tregon një izolim, ku përherë ekziston një tentativë që i miri të mbështjellët me diçka të keqe.

Ndërkaq, krijimi i dytë artistik e kalon rrafshin individual dhe del në pah ndërveprimi social dhe ndikimi i tij. Kësisoj, dy skulptura njerëzish tërësisht të zinj, e thënë figurativisht “të pushtuar nga e keqja” mbajnë në duar të tyre zingjir të cilët dërgojnë te një karrige, e që kjo mund të përkthehet si luftë për pushtet nga çdo hallkë shoqërore.

“Për luftën e karriges mund të shtyhet apo të luftoj dhe një nxënës, student, profesor, deputet dhe gjithkush tjetër”, shprehet artisti Murati.

 Edhe skulptura e tretë është një bashkëveprim social mes dy individëve, veçse kësaj radhe nuk ka një ngjyrë të njëjtë që i mbulon të dyja. Një skulpturë që qëndron në këmbë dhe ka ngjyrë të zezë, shfaqet përballë skulpturës tjetër, e cila është e bardhë. Kjo vjen si një përpjekje e të keqit që t’ia marr edhe pak të mirë që i ka mbetur tjetrit dhe ta shndërroj sikur veten e tij.

“E treta është konsumimi i njeriut të mirë nga i keqi, duke u munduar t’ia merr edhe ata të bardhë që e ka”, shprehet Murati.

Përtej mesazhit të kësaj ekspozite, Murati mendon që shumica e krijimeve artistike të vendit shfaqen nëpër muze, hapësira të mbyllura e vende të tjera kulturore, ndërkaq nëpërmjet zgjedhjes së një hapësire publike, ai ka tentuar të sjell diçka të re edhe në këtë dimension.

Për sa i përket natyrës së ekspozitës “Skulptura në hapësirë”, ai thekson se njerëzit janë mësuar të shohin shfaqje të tilla artistike nëpër media dhe krijime të vendeve tjera, si të Evropës ashtu edhe në pjesët tjera të botës. Ndërkaq, ai ka zgjedhur vendin e tij për një sërë arsyesh.

“Unë desha ta bëj në vendin tim, si vendi i cili më ka bërë krenar dhe më ka frymëzuar. Ta dinë qytetarët se edhe ne kemi artistë shumë të mirë në Kosovë”, tha Murati.

Ndërkaq për relacionin art-hapësirë publike në vendin tonë, ai shprehet se ndjehet i kënaqur për shkak të shfrytëzimit të tyre që një kohë të gjatë.

“Kemi hapësira shumë të bukura që i përshtaten skulpturave moderne, për shembull sheshi “Skëndërbeu” është i madh dhe i mirë”, shprehet autori i ekspozitës “Skulptura në hapësirë”.

Tutje ai thekson se artistët një herë vëzhgojnë terrenin e duhur dhe pastaj vendosin se ku do t’i ekspozojnë veprat e tyre. Ekspozita “Skulptura në hapësirë” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, gjegjësisht Drejtoria e Kulturës./KultPlus.com

Lul Raka: Na pret një dimër i vështirë

Në Kosovë situata epidemiologjike po tregon sinjale të përkeqësimit, pasi të enjten (29 tetor) janë konfirmuar 284 të infektuar me koronavirusin e ri. E nëse vendi vazhdon me këtë trend, Kosovën sipas mikrobiologut, Lul Raka mund ta pres një dimër i vështirë.

“Do të jetë dimër i rëndë. Do ta kalojmë. Bashkë i kemi kalua edhe disa dimra tjerë. Urojmë që ta kalojmë me sa më pak viktima”, ka deklaruar Raka.   

Raka i ftuar në ‘Frontal’ tel Arsim Lani është shprehur se mbyllja totale e vendit mbetet opsioni i fundit. Megjithatë, Raka ka thënë se cilido subjekt afarist, qoftë kafieri që nuk i respekton masat anti-Covid, duhet të mbyllet, transmeton KultPlus.

Ai po ashtu tregon edhe për rastet kur një komunë apo zonë e caktuar paraqet rrezik të përhapjes së Covid-19.

“Kushdo që nuk i respekton masat, duhet të mbyllet. Bordi ka propozuar që të ketë adresim të problemit në mënyrë propercionale. Grupi i parë, nëse janë më pas se 200 raste në 100 mijë banorë brenda një jave atëherë është kategori e gjelbër. Në këtë rast rritet puna e inspektoratit e akterëve të tjerë. Pra rritet mbikëqyrja. Në zonën e portokalltë është nëse brenda një jave janë mbi 200 raste në 100 mijë banorë. Në zonën e portokalltë është Prishtina. Mendojmë se adresimi i masave të parandalimit duhet të jetë proporcional.  Ne kemi propozu që nëse ka përhapje të madhe në komunitet të mbyllen shkollat ku ka raste”, thotë Raka.

 Raka është shprehur se rastet e fundit kanë qenë raste të pritshme. Thotë se këtë situatë ekspertët e kanë paralajmëruar qysh para gjashtë muajve. Thotë se mbyllja totale mbetet opsioni i fundit.

“Ecuria ka shku shumë ma mirë se që e kemi parashikua tek shkollat. Sistemi i tre ngjyrëshit ka shkuar shumë mirë. Përkeqësimi i motit e rritë numrin e rasteve, dhe elementi i tretë është sezoni i gripit. Rritja është e dukshme ditëve të fundit. Rreziku më i madh i përhapjes së Covidit është në kafiteri”, ka deklaruar Raka.

“Ditëve të fundit e kemi pa që edhe në Kosovë që përveç kafiterive, kemi pa që numër të konsiderueshëm të infektimeve me Covid ka pasur edhe në administratë”, ka deklaruar tutje Lul Raka. / KultPlus.com

Lul Raka: Valën e dytë të COVID-19 e kemi kaluar në gusht

Rritja e rasteve të koronavirusit në Kosovë nuk duhet të përbëjë shqetësim, meqë rritja e lehtë e të infektuarve ka dalur si rezultat i rritjes së testimeve në baza ditore, thotë mikrobiologu Lul Raka.

Nga 12 deri më 23 tetor, në Kosovë janë regjistruar 1,412 raste të reja me COVID-19, kurse 12 persona kanë vdekur.

Kosova është duke u përballur me pandeminë tash e 8 muaj, kurse masat parandaluese si bartja e maskës, higjiena e duarve e mbajtja e distancës ende janë në fuqi.

Kosova pikun e pandemisë e ka arritur në muajt korrik e gusht, derisa më pas numri i të infektuarve ka shkuar duke shënuar rënie.

Në dy javët e fundit në vend është vërejtur një rritje e lehtë e numrit të të infektuarve me koronavirus, e që e shkakton sëmundjen e COVID-19.

Megjithëkëtë, mikrobiologu Lul Raka tha se kjo nuk duhet të përbëjë shqetësim as për autoritetet e as për popullatën, meqë rritja e lehtë e të infektuarve ka ardhur si rezultat i rritjes së testimeve në baza ditore.

Ai thotë se përqindja e të infektuarve, karshi të testuarve sillet rreth 12 për qind.

‘’Ka një rritje të lehtë të numrit të të infektuarve, por që është stabile. Nëse krahasohet me dy javët e fundit, në javën e parafundit kanë qenë 3,600 teste të kryera, javën e fundit është rritur ky numër në 6,300 dhe dje kemi pasur mbi 1,200 teste”.

“Pra, rritja e lehtë e të infektuarve nuk duhet të shkaktojë panik, as tek vendimmarrësit e as te populli, por duhet shikuar parametra të rëndësishëm si rritja e të testuarve. Dje (më 22 tetor) kanë qenë 12 për qind të infektuar nga numri i përgjithshëm i të testuarve, dy javët e kaluara kanë qenë rreth 10 për qind dhe nuk ka rritje substanciale. Por, kjo nuk do të thotë që nuk duhet vazhduar me masat parandaluese’’, tha Raka.

Ndryshe, në Evropë, numri i rasteve të reja ka shkuar deri në 100 mijë çdo ditë. Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë situata përbën shqetësim të madh.

Vala e dytë e koronavirusit ka dyfishuar rastet e reja në dhjetë ditët e fundit.

Sipas llogaritjeve të agjencisë Reuters, rajoni ka kaluar 200,000 raste të reja brenda një dite, për herë të parë më 22 tetor.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në kontinent aktualisht qëndron në 5.3 milionë, ndërsa numri i viktimave është afër 205,000.

Maskat i ndihmuan Kosovës

Por, çka ka ndikuar realisht në stabilizimin e gjendjes me infeksionin e koronavirusit në Kosovë? Lul Raka thotë se janë disa faktorë, derisa përmend mbajtjen e maskës si armë kryesore.

‘’Faktorët që kanë ndikuar në stabilitet mendoj se ka shumë, por dy kryesor janë zbatimi i masave nga ana e qytetarëve sidomos nga muaji gusht, në radhë të parë maskat, higjiena e duarve, por edhe fuqizimi i kapaciteteve të inspektimit. Edhe pse në këtë fushë ende ka hapësirë të mjaftueshme për të intervenuar’.

A po e pret Kosovën një valë e re e pandemisë?

‘Kjo valë është valë e re që ndërlidhet me sezonin vjeshtë -dimër, dhe mendoj që valën e dytë e kemi kaluar në muajt korrik e gusht”, thotë ai.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se përkundër inspektimeve për respektimin e masave për kontroll të pandemisë, vetëdija e qytetarëve po del të jetë në nivel, duke e marrë parasysh frenimin e infeksionit.

Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri, bëri të ditur se testimi i njerëzve me simptoma, si dhe rasteve të kontaktit, mbajtja e distancës, e maskës, do të bëjë që pandemia të jetë nën kontroll. Ai tha se tashmë në stok i kanë më shumë se 100 mijë teste në dispozicion për qytetarët e Kosovës.

‘’Ajo që mbetet fokusi kryesor i institucioneve shëndetësore është të ulim numrin e të vdekurve si dhe ta mbajmë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale me një ngarkesë sa më të ulët të të hospitalizuarve. Kjo arrihet me bartje të drejtë të maskës, ruajtjes së distancës”.

“Përtej institucioneve, secili qytetar të bëhet inspektor i vetvetes në mënyrë që të angazhohemi ta mbajmë nën kontroll pandeminë, kur dihet se në gjithë botën kanë vështirësi serioze’’, tha Hoti.

Qytetarët për normalitetin e ri

Gentiana Krasniqi, 29 vjeçare, qytetare nga Prishtina, tha se maska tashmë është kthyer në normalitet dhe në bazë të asaj se çka vlerësojnë zyrtarë të OBSH-së, maska duhet mbajtur deri në zbulimin e vaksinës në gjithë botën, jo vetëm në Kosovë.

Qindra euro për mjekim nga COVID-19

‘’Mendoj që qytetarët janë lodhur sidomos me vendosjen e maskave, ndonëse masat tjera mendoj që nuk janë duke u respektuar me përpikëri. Por, mendoj se qytetarët janë vetëdijesuar që duhet të bartet maska. Në këtë aspekt lufta me COVID-19 bëhet më e lehtë nëse secili e bën kulturë bartjen e maskës, higjienën e duarve dhe mbajtjen e distancës’’, tha ajo.

Nexhmije Ahemti, 43 vjeçare, qytetare nga Prishtina, tha se ka respektuar me përpikëri masat e rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ndonëse thotë se tashmë po ndjen lodhje nga pandemia, pasi ka kaluar një kohë e gjatë.

‘’Vetë vendosja e maskës është njëfar lodhje, por që kur është në pyetje shëndeti dhe mospërhapja e virusit, patjetër që duhet të respektohet, në mënyrë që t’i përballojmë këto vështirësi në respektim të masave”, tha ajo.

Ndërkaq, Jehona, një tjetër qytetare, thotë se ndonëse u bë kohë e gjatë që kur vazhdimisht e bartë maskën, maska vazhdon të jetë e domosdoshme për faktin që të ruhet shëndeti i secilit.

’U bënë më shumë se 8 muaj që nga fillimi i pandemisë dhe natyrisht është pak e bezdisshme bartja e maskës për një kohë të gjatë, por duke e ditur rrezikun që ka virusi është më mirë të bartet maska sesa të rrezikojmë veten dhe familjet tona’’, tha ajo.

Ndryshe, sipas mikrobiologut Lul Raka, masat parandaluese do të zgjasin deri tek zbulimi i vaksinës për COVID-19. Prej rezultateve dhe hulumtimeve të vaksinave në mbarë botën është thënë që periudha optimale do të jetë fundi i vitit. /gazetaexpress/ KultPlus.com

‘Këtë Halloween vishni fëmijët tuaj si super heronj të vërtetë’

Halloween që në Kosovë njihet si “Nata e Shtrigave” e ka filluar të marrë përmasa të mëdha, është festa më popullore në Shtetet e Bashkuara, pas Krishtlindjeve.

“Halloween” është nata mes 31 tetorit dhe 1 nëntorit që festohet kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që kohëve të fundit ka filluar të përhapet me të madhe edhe në Evropë, prej nga e ka edhe burimin.

Tashmë kjo festë më tepër përngjan me karnavalet se sa me zakonet e mëhershme. Shenja dalluese e Halloween-ve është kungulli, e cila e ka prejardhjen në ShBA. Por arsyeja e përdorimit të kungullit me vrima me pamje të jashtme të frikshme dhe njëkohësisht të bukur rrjedh gjithashtu nga koha e Keltëve.

Kosova në vitet e fundit ka nisur që ta festojë këtë datë në mënyrë më të theksuar ku të rinjë e fëmijë maskohen me veshje interesante duke u munduar që të paraqesin një identitet sa më të frikshëm

Në Kosovë, kjo natë shënohet më datë 31 tetor dhe duke qenë afër kësaj date, Center for Equal Opportunities – CEO – Qendra e cila merret me barazinë gjinore dhe të drejtat e grave, ka drejtuar një mesazh drejt qytetarëve, që këtë Hallloween t’i veshin fëmijët si super heronj të vërtetë. Si shembull kanë marrë disa nga gratë më të forta në vend dhe botë. Nënë Teeza, Majlinda Zeka, Uta Ibrahimi, Greta Thunberg, Frida Kahlo, Malala Yousafzai, Margaret Thatcher, Rosa Parks janë shembull ideal për fëmijët tuaj. / KultPlus.com

Ilira Gashi, pop-ylli zviceran me mbi 50 milionë klikime në YouTube

Vështirë të ketë ndonjë këngëtar në Zvicër më të suksesshëm ndërkombëtarisht sesa Ilira Gashi (25), shkruan të dielen gazeta Blick, teksa ka përgatitur një rrëfim për tatuazhet e saja.

Këngët e kësaj këngëtareje të njohur të muzikës pop nga Berni, prindërit e së cilës janë me prejardhje nga Shqipëria dhe Kosova, janë klikuar mbi 50 milionë herë në YouTube.

Me këngën “Fading”, ajo ishte në krye të top-listave gjermane për javë të tëra.

Pas Tina Turnerit (80), Ilira është këngëtarja më e njohur zvicerane në “Spotify”.

Por, si shkruan Blick, Ilira është edhe adhuruese e madhe e tatuazheve.

“Ata janë simbole të identitetit tim krijues”, shpjegon ajo. “Një identitet i formësuar nga gratë e forta”./ KultPlus.com

Çifti kosovar që u njohën në fëmijëri, gjejnë njëri-tjetrin pas 13 vitesh dhe martohen

Marigonë Berisha, ishte vetëm 5 vjeçare kur njohu bashkëshortin e saj.

Ajo jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në Kosovë kishte një shok me të cilin luante kur vinte në pushime.

Ata të dy madje kishin bërë edhe një fotografi bashkë në një dasmë dhe secili prej tyre kishte një kopje të saj.

Por jeta bëri që ata të humbin kontaktet për plot 13 vite.

Katër vite më parë ata gjetën sërish njëri-tjetrin dhe u lidhën bashkë.

Lidhja e tyre u kurorëzua me martesë në gushtin e vitit 2019.

Historinë e saj, Marigona e rrëfeu në rrjetin social Twitter ku edhe mori shumë reagime nga njerëz të ndryshëm.

Ky është postimi i saj i plotë:

Kur isha 5 vjeç, unë kisha një mik në Kosovë me të cilin luaja. Mbaj mend që kemi bërë një foto së bashku në një martesë. Ne i humbëm kontaktet por gjetëm njëri-tjetrin pas 13 vjetësh. Të dy kishim një kopje të fotos. Kanë kaluar 4 vjet, ne sapo festuam përvjetorin e parë të martesës në gusht./ KultPlus.com

AShAK-u shpall zgjedhjet për anëtarë

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka vendosur të shpallë zgjedhjet për anëtarë të saj.

Në një mbledhje e cila është mbajtur më 31 gusht është miratuar Qarkorja për propozimin e kandidatëve për zgjedhjeve e anëtarëve të Akademisë

Siç është bërë e ditur përmes një komunikate për media, qarkorja do t’iu dërgohet të gjithë këshillave të fakulteteve dhe universiteteve publike dhe këshillave shkencorë të instituteve që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Aktualisht Akademia ka 21 anëtarë të rregullt dhe 16 korrespodentë. / KultPlus.com

Psikiatri kosovar: Pandemia ka ndikuar shumë keq, po prishë ekulibrin emocional tek qytetarët

Pasojat e pandemisë së coronavirusit, kanë filluar të vërehen tek njerëzit në Kosovë, në aspekin e problemeve të shëndetit mendor.

Këtë e konfirmon psikiatri i njohur kosovar, Dr. Afrim Cana, i cili në një bisedë për Mediafokus.info, ka thënë se pandemia ka ndikuar në prishjen e ekulibrit emocional tek njerëzit.

“Pandemia, padyshim që ka ndikuar në gjendjen emocionale te njerëzit dhe ka një ndikim të vazhdueshëm në kuptim të prishjes së ekulibrit emocional. Prishja e këtij eukuilibri tërheq pas vete edhe probleme tjera në fushën e shëndetit mendor të individit e që manifestimet e më pastajme janë ktyesisht të karakterit individual”, thotë Dr. Afrim Cana, për Mediafokus.info.

Sipas tij, manifestimet klinike vërehen përmes simptomave me çrregullime të ankthit e depresionit, por edhe ekzacerbim apo përkeqësim të sëmundjeve mendore serioze, sepse, siç tha ai, faktori kohë ka ndikim direkt në manifetsimin e tyre.

“Pandemia në pergjithesi e afekton në tërësi jetën indivudale, por edhe kolektive pasiqë karakterizohet me masa të shumta restriktive-kufizuese, të cilat pastaj prekin shumë sfera në jetën e individit”, shton Cana për Mediafokus.info.

Psikiatri i njohur ka folur edhe për një pjesë të madhe të kosovarëve, të cilët janë deklaruar se nuk besojnë se ekziston virusi COVID-19.

“Në shumicen e rasteve njerëzit kur ballafaqohen me situata të tilla që vlerësohen si kërcënuese, shpeshherë përdorin mekanizma mbrojtës joadekuat. E, një ndër ta, është edhe mekanizmi i mohimit. Pra, individi edhe pse gjendet në një situatë të tillë, ai të gjitha sjelljet dhe qëndrimet e tij i paraqet mohuese karshi ndodhive në të cilat ai gjendet”, ka thënë Cana, për të shtuar se deri te kjo situatë kanë ndikuar edhe ndryshimet në qeveri.

“Pastaj, edhe situata e përgjithshme politike në të cilën vendi ynë ka kaluar gjatë kësaj pandemie, ndryshimet në qeveri, kanë pasur impakt direkt në krijimin e këtyre opinioneve në popullatë, pasiqe mendoj që kur bie besimi në institucione adekuate, atëherë shumë shpesh njerëzit krijojnë stereotipe të ndryshme të cilat nuk përkojnë me realitetin aktual”, ka deklaruar psikiatri Dr. Afrim Cana, që është edhe drejtor i Qendrës së Shëndetit Mendor në regjionin e Gjilanit. / KultPlus.com

Planifikohet ekspozitë me fotografi për përvjetorin e vizitës së parë të senatorit Robert Dole në Kosovë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesin e autorizuar të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i OEAK-ut.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe OEAK-ut në nisma të përbashkëta të cilat janë në interes të dyanshëm dhe në dobi të promovimit të projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme.

Ministrja Dumoshi tha se është e gatshme të bashkëpunojë me OEAK-un në projekte që ndërlidhen ngushtë me fushat që mbulon ministria. Ajo e njoftoi drejtorin Zeka për angazhimet që po ndërmerr MKRS-ja në kohën e pandemisë, duke realizuar aktivitete në distancë në pamundësi për të konkretizuar shumë pjesë që janë paraparë në programin e sivjetmë të ministrisë.

Ndërkaq, përfaqësuesi i OEAK-ut, Arian Zeka, e njoftoi ministren për punën që realizon Oda dhe e informoi për planet që kanë për realizimin e një ekspozite me fotografi për përvjetorin e vizitës së parë senatorit Robert Dole në Kosovë, me ç’rast kërkoi edhe mbështetjen e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi tha se senatori Dole ka bërë aq shumë për Kosovën sa që meriton çdo respekt, mirënjohje dhe falënderim. Një ekspozitë për vizitën e tij në Kosovë do të ishte e mirëpritur dhe do ta përkrahim pa hezitim, tha ministrja.

Ministrja Dumoshi e drejtori Zeka u pajtuan që do të konkretizojnë veprimet për realizimin e ekspozitës në mënyrë artistike e profesionale, e cila planifikohet të realizohet në Prishtinë. / KultPlus.com

Anulohet testi i arritshmërisë në Kosovë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dalë me vendim për anulimin e testit të arritshmërisë për vitin shkollor 2019/20.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID – 19 është marrë vendimi për anulimin e testit të arritshmërisë për nxënësit e klasave të 9-ta shkollore.

 “Marrë parasysh në gjendjen nëpër të cilën është duke kaluar vendi ynë si pasojë e pandemisë COVID-19, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të nxënësve, mësimdhënësve, personelit të institucioneve arsimore dhe gjithë qytetarëve u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në arsyetimin.

Vendimi i MASHT-it është publikuar në Facebook nga drejtoresha për arsim në Prishtinë, Shpresa Shala. / KultPlus.com

Ambasadori gjerman para largimit nga Kosova: Po e pi makiaton e fundit

Ambasadori gjerman, Christian Heldt sot është larguar nga Kosova pasi ka përfunduar misionin e tij diplomatik.

Heldt ka postuar një fotografi në rrjetin social Twitter në aeroportin e Prishtinës, duke shkruar se po e pi makiaton e fundit të mrekullueshme para largimit nga Kosova, raporton Gazeta Express.

“Kjo është kur e di se koha mbaroi. Portreti im në galerinë e ambasadës gjermane së bashku me paraardhësit e mi dhe pierjen e makiatos së fundit kosovare të mrekullueshme në aeroport”, ka shkruar Heldt.

Ai ka njoftuar poashtu se profilin e tij zyrtar në Twitter do t’ia dorëzojë pasardhësit të tij Jorn Rohde që do të arrijë në Kosovë pas pak ditësh./Express/ KultPlus.com

Kosova e para në Evropë për raste të reja me COVID-19 në dy javët e fundit

Në dy javët e fundit në Kosovë ka pasur një rritje të madhe të numrit të të infektuarve me COVID-19. Një gjë e tillë reflektohet edhe në tabelën e ESI (The European Stability Initiative) të cilën e kanë krijuar me të dhënat e marra nga European Center for Dissease Prevention and Control.

Bazuar në të dhënat e  dy javëve të fundit, Kosova është e para në Evropë sa i përket mesatares së rasteve të reja të infektimit me COVID-19 për 100 mijë banor.

Sipas kësaj përllogaritje Kosova për 100 mijë banorë ka 124 raste të reja me COVID-19.

Në vendin e dytë renditet Mali i Zi me 123 raste të reja, i ndjekur nga Luksemburgu me 100 raste.

Maqedonia e Veriut renditet në pozitën e katërt me 94 raste, e ndjekur nga Suedia me 76.

Ndërkohë marrë përgjithësi Ballkanin Perëndimor si rajon, për 100 mijë banorë, raste të reja janë 73.

https://twitter.com/adicerimagic/status/1283412078271901697?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1283412078271901697%7Ctwgr%5E&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fkosova-e-para-ne-evrope-per-raste-te-reja-me-covid-19-ne-dy-javet-e-fundit%2F

Si pasojë e rritjes së madhe të infektimeve me COVID-19, Kosova ka vendosur që të bëjë obligative bartjen e maskës, derisa është në shqyrtim e sipër edhe mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Gjithashtu janë vendosur edhe kufizime të lëvizjes nga 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit dhe orar i veçantë i lëvizjes për personat mbi 65 vjeç. / KultPlus.com

Aplikacioni i muzikës Spotify lansohet edhe për Kosovë

Kompania suedeze për muzikë, Spotify që nga sot mund të përdoret edhe në Kosovë.

Kjo kompani ka shtuar edhe Kosovën mes vendeve, ku mund të përdoret aplikacioni i njohur për muzikë, Spotify, transmeton KultPlus.

Në fakt, Spotify nga sot është lansuar në të gjitha vendet ballkanike si Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Slloveni, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.

Pos këtyre vendeve, Spotify është lansuar edhe në Rusi, Kazakistan e Ukrainë.

Tani, të gjithë të interesuarit mund të abonohen në këtë platformë për të pasur qasje të lehtë në muzikë dhe emisione të ndryshme, përmes telefonit, kompjuterit apo tabletit.

“Spotify” u ofron klientëve të tyre miliona këngë falas, të përshtatshme për çdo situatë, aktivitet apo moment të jetës së tyre. / KultPlus.com

Situatë e rënduar në Prishtinë: 1192 raste aktive me COVID-19, 21 persona kanë vdekur deri tash

Prishtina është qyteti me më së shumti raste aktive me koronavirus në Kosovë. 1 mijë e 192 persona në kryeqytet po përballen me COVID-19. Që nga fillimi i pandemisë, në Prishtinë janë shënuar 1 mijë e 629 raste.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka shkruar në Facebook se përhapja e shpejtë e virusit dhe numri i rasteve të reja me koronavirus, është shqetësuese.

Gashi ka bërë të ditur se nga 20 marsi, në Prishtinë janë shënuar gjithsej 1629 raste pozitive me koronavirus, nga të cilat 1192 janë ende aktive, 416 persona janë shëruar, ndërkaq 21 kanë vdekur.

“Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 1629 raste me #covid19 prej të cilave 1192 raste janë ende aktive. Kemi 416 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 21 raste që kanë përfunduar me fatalitet”, ka shkruar Gashi.

Gashi ka apeluar te qytetarët që t’’i përfillin masat për mbrojtje nga koronavirusi.

“Mbajtja e maskës është një prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë. Të gjithë e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh e të jemi të ndërgjegjshëm. Vazhdoni t’i mbani maskat, dezinfektoni duart dhe mbani distancë”, ka shkruar Gashi. / KultPlus.com

Grenell falënderon ministrin Selimi për lejimin e martesave ndërmjet gjinive të njëjta

Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka përshëndetur prezantimin e Kodit të Ri Civili që u bë dje nga ministri i Drejtësisë Selim Selimi, kod i cili për herë të parë ka hapur rrugën për martesat mes gjinive të njëjta.

Grenell, në një postim në Twitter, ka falënderuar ministrin Selimi, që përmes këtij kodi ka bërë të mundur martesën mes gjinive të njëjta.

“Kosova legalizon martesën ndërmjet gjinive të njëjta. Faleminderit Selim Selimi”, ka shkruar Grenell.

Ndërsa Selimi e ka falënderuar ambasadorin Grenell për përkrahjen dhe i ka thënë se ky është hapi i parë drejt përfundimit të procedurave të Kodit Civil dhe ka paralajmëruar edhe hapa të tjerë, shkruan Reporteri.net.

Ministri Selimi dje në një konferencë për medie ka deklaruar se beson që Kodi Civil do të marrë përkrahjen nga Kuvendi i Kosovës, për çka kërkoi që sa më parë të procedohet në komisionet përkatëse.

Ai tha se ky Kod Civil do i përfshijë pesë libra që do rregullojnë disa çështje që kanë qenë të pazgjidhura për shumë vite në Kosovë. / KultPlus.com

Njoftim për qytetarët që udhëtojnë në Kosovë dhe Gjermani



Nëse këtë verë keni planifikuar një udhëtim për në Kosovë, ju lutemi që së pari të njoftoheni për njoftimet e Organeve përgjegjëse të Kosovës dhe patjetër të merrni në konsideratë se: Ministria e Jashtme e Gjermanisë edhe më tej paralajmëron për të gjitha udhëtimet e domosdoshme (përfshirë pushimet, pushimet në vendlindje, vizitat familjare etj.) për në Kosovë. Kjo vlenë aktualisht deri më 31 gusht 2020. Kosova nga institucionet kompetente gjermane aktualisht kategorizohet si rajon me rrezikshmëri për përhapje të pandemisë Covid-19.

Nëse vendosni të udhëtoni jashtë vendit, përkundër paralajmërimit për udhëtim, ju lutem keni parasysh që ambasadat dhe konsulatat gjermane jashtë vendit nuk mund t’ju ndihmojnë gjatë kthimit për në Gjermani, në qoftë se gjatë qëndrimit jashtë vendit vendosen kufizime të reja të udhëtimit dhe/ose masa për kufizime të jetës publike. Ju lutemi të merrni në konsideratë që në Kosovë nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ndër tjerash ekzistojnë kapacitete tejet të vogla për trajtim mjekësor intensiv dhe mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19.

Në rast të kthimit, karantinë 14-ditore: Nëse tani udhëtoni për në Gjermani – me aeroplan, apo nëpërmjet rrugëve tokësore me autobus ose veturë private – dhe keni qëndruar në Kosovë brenda 14 ditëve të fundit para udhëtimit, jeni të detyruar që menjëherë pas kthimit të lajmëroheni tek insitucioni kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit në Gjermani dhe t’i nënshtroheni një vetë-izolimi/karantine shtëpiake prej 14 ditësh. Detyrimi për karantinë shtëpiake/vetë-izolim vlenë për të gjithë nënshtetasit (edhe për ata gjermanë) dhe pa marrë parasysh qëllimin e udhëtimit.

Gjatë kohës së karantinës shtëpiake ju keni të drejtë të dilni nga banesa vetëm në konsultim dhe me leje të institucionit vendor shëndetësor. Një shkelje e këtij detyrimi mund të ketë për pasojë gjoba të larta. Nëse dhe eventualisht ku është e mundur të bëhet një test për Covid-19 pas hyrjes në Gjermani, i cili do të shkurtonte kohën e izolimit, edhe për këtë vendos institucioni kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit. Në Kosovë aktualisht nuk ka laboratore, të cilët kryejnë teste për Covid-19, të cilat njihen në Gjermani.

Rregullat nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë. / KultPlus.com

Ambasadorja finlandeze kritikon ashpër kosovarët: Askujt s’po i intereson për koronavirusin

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall ka reaguar për numrin e madh të rasteve me kornavirus në Kosovë dhe pakujdesinë e qytetarëve.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ajo ka thënë se askujt nuk po i intereson për këtë situatë.

“Dje kalova nëpër Prishtinë, dhe dukej vërtet qytet festiv. Numrat me coronavirus janë duke u rritur shpejt dhe dukej sikur askujt nuk i interesonte. Kini kujdes, ju lutem, nëse jo për vete, për prindërit, gjyshërit, të afërmit e sëmurë etj. Faleminderit dhe respekt për ata që janë në vijën e parë,” është shprehur Stjernvall.

Ndryshe, ditë më parë të pakujdesshëm qytetarët e Kosovës i ka quajtur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Ndryshe,  Numri i personave të infektuar në Kosovë ka kaluar mbi 3 mijë, kurse mbi 600 raste aktive janë vetëm në Prishtinë.

Ndërsa deri sot janë shënuar 75 viktima. / KultPlus.com

Ushtari britanik ritakohet pas 21 vitesh me dy përkthyesit e tij kosovarë: Ata tani janë të famshëm

21 vite më par bashkë me forcat e NATO’s ishin edhe ato britanike që zbarkuan në vendin tonë me të cilët ishin edhe shumë përkthyes që u bënë pjesë e këtij emocioni.

Martin Browning, ushtarak britanik po kërkonte përkthyesit e tij, Genc dhe Arta, të cilëve mbiemrin nuk ua dinte.

Por nuk ishte vështirë të gjendeshin, ishte fjala për aktoren e famshme Arta Dobroshi  dhe vëllain e saj Genc Dobroshi, transmeton Gazeta Metro

“Ishte e jashtëzakonshëm sepse nuk jam kthyer këtu që nga viti 1999, 21 vite më parë. Ndërsa jam kthyer përsëri pas kaq shumë vitesh dhe e mendova, jam kthyer dhe do t’i gjej”, u shpreh ushtari britanik i kthyer pas 21 vitesh në Kosovë.

“Kam ardhur në janar, dhe kam filluar të pyes, po nuk me kujtohej mbiemri i tre, vetëm, Arta dhe Genc. Ishte vështirë t’i gjeja, pastaj ndodhi pandemia, por me ndihmën e Ardian Ndrecajt, i cili punon në Ambasadën Britanike arritëm të takohemi pothuajse në ditën e 21 vjetorit të çlirimit”, u shpreh tutje Browning.

Kishte menduar se asnjëherë nuk do t’i gjente. Por ishte mahnitur që i kishte takuar përsëri.

Britaniku thotë se kishte njohur vetëm si studentë dhe nuk e dinte për sukseset e tyre në fushën e aktrimit. / KultPlus.com

Shteti italian ndihmon kosovarin që të vihet në kontakt me ushtarin që ishte fotografuar më 1999

Menaxheri  i Qendrës Inovative Kosovare, Shpend Lila, në ditën e çlirimit të Kosovës, në një postim të Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë, kishte publikuar një fotografi me një ushtar italian dhe kishte kërkuar ndihmë për tu vënë në kontakt me të.

Pas gati një jave, Lila ka marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes së Italisë se e kanë gjetur kush është ushtari në foto, dhe i kanë kërkuar informacionet për ta vendosur në kontakt.

“I dashur Shpend, kemi lajme të mira për ju: Ne kemi gjetur ushtarin në foto. Ju lutemi na dërgoni detajet tuaja të kontaktit privatisht, në mënyrë që të viheni në kontakt”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Për një gjë të tillë Shpend Lila është shprehur tejet falënderues për shtetin italian dhe në veçanti ambasadorin në Prishtinë, Nicola Orlando.

Ushtarët britanikë që më 1999 në Kosovë shpëtuan dy vajza nga përdhunimi prej paramilitarëve serbë

Gazeta britanike Mirror i kishte kushtuar ballinën një ngjarje të rëndë në Kosovë.

Dy vajza shqiptare po kërcënoheshin të përdhunoheshin para familjes së tyre, dhe më pas të vriteshin, nga disa paramilitarë serbë.

Por, katër ushtarë britanikë ndërhynë duke shpëtuar vajzat dhe familjen. Gazeta në ballinën e saj nuk tregon se ku saktë ka ndodhur, pasi në Facebook, është publikuar vetëm ballina dhe jo teksti i plotë.

Ngjarja megjithatë thuhet se ka ndodhur më 16 qershor. Gazeta i cilëson këta ushtarë, duke publikuar edhe fotografitë e tyre, si Heronj. / KultPlus.com

21 vjet nga çlirimi i Kosovës

Sot mbushen 21 vjet që nga përfundimi i sulmeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe njëkohësisht nisi largimi i forcave serbe.

Sulmet, që vazhduan për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, Gjenerali Wesley Clark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore të aleancës kishin detyruar Millosheviçin të fillonte tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Më 10 qershor të vitit 1999 tërheqja e trupave serbe nga Kosova bëri që NATO-ja t’i japë fund fushatës së sulmeve ajrore kundër Serbisë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Havier Solana, më 10 qershor 1999 urdhëroi ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 12 44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Pas kësaj rreth 800 mijë refugjatë të dëbuar nga forcat serbe u rikthyen në Kosovë.

10 qershori i viti 1999 shënon edhe fundin e luftës së Serbisë nga Kosova, pas 78 ditësh të bombardimeve ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 12 44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan mbi 37 mijë ushtarë paqeruajtës të KFOR-it nga 36 shtete.

Ndërhyrja e NATO-s u bë pasi Serbia vrau rreth 13 mijë e dëboi nga Kosova mbi 1 milion shqiptarë si dhe luftimeve dyvjeçare të përgjakshme të UÇK-së dhe forcave serbe. / KultPlus.com

Pandemia rëndoi gjendjen e fëmijëve në Kosovë

Gjendja e fëmijëve në Kosovë është rënduar edhe më tej pas përhapjes së pandemisë Covid-19 në Kosovë.

Shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime sociale, ndërkaq shumë të tjerë po shfrytëzohen për punë të rënda, e në raste të tjera edhe po trafikohen. Niveli lokal nuk e ka prioritet një gjë të tillë, ndonëse edhe buxheti që ndahet, nuk mjafton as për subvencionim.

Kështu u tha në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ku KOMF ka publikuar raportin e monitorimit “Komuna ime, e drejta ime sociale”.

Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, fëmijët në këtë ditë ndërkombëtare janë në gjendje edhe më të rëndë.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbime. Po ashtu fëmijët të cilët janë të përfshirë në punët e renda po abuzohen dhe po janë pre e trafikimit. Fëmijët nuk po trajtohen me prioritet as nga qeveria e komunat. Ligji për mbrojtjen e fëmijëve është aprovuar me 29 qershor vitin e kaluar. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi ne korrik. Investimi në fëmijë është i domosdoshëm, në Kosovë gjendja sociale është rënduar. Pikët e dobët mbesin shërbimet sociale sidomos për fëmijët”, tha Kelmendi.

Bukureza Surdulli nga KOMF tha se për këtë raport kanë monituar 7 komuna të Kosovës.

Sipas saj, për shkak të mos implementimit të procesit të decentralizimit, në ministrinë e punës shumë persona mbesin pa shërbime.

“Mos vullneti politik nga niveli qendror dhe lokal, dhe kështu nuk është implementuar procesi i decentralizimit. Komunat nuk ndajnë buxhet për shërbime sociale. Deri më tani nuk është bërë postimi i shërbimeve sociale, kur ndahet buxheti nuk dihet se sa do të jetë shuma në bazë të nevojave. Sa i përket buxhetit të ndarë nga komunat, ndajnë disa fonde ne formë të subvencioneve për OJQ-të që këto shuma janë të pakta dhe nuk mjaftojnë”, tha Surdulli.

KOMF vlerëson se duhet të fuqizohet komunat dhe qendrat sociale dhe se niveli lokal duhet të ketë persona të profilizuar të cilët merret vetëm me qendrat sociale./ KultPlus.com

Nga data 8 qershor rihapen çerdhet në Kosovë

Qeveria në detyrë ka miratuar propozimin e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, që nga data 8 qershor të rihapen çerdhet.

Ai në mbledhjen e Qeverisë ka kërkuar të shfuqizohet vendimi i datës 26 mars.

Vitia gjithashtu ka propozuar të organizohet edhe testi i maturës, ai i arritshmerisë, të lejohet organizimi i provimeve dhe lejimi i orëve praktike.

Vitia ka propozuar gjithashtu edhe hapjen e kufijve tokësorë.

“Të gjithë personat që kanë test negativ jo më të vjetër se 4 ditë, nuk i nënshtrohen proceduarve të izolimit. Ndërkohë, ata që nuk e kanë një test të tillë, do të duhen të vetizolohen për 7 ditë”, ka thënë Vitia. /KultPlus.com