Rama publikon pamje nga festa e hapjes së TKOB: Kushte dinjitoze, artistët do të ndihen të respektuar

Kryeminitri Edi Rama ka postuar një video nga festa e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Një video me emocionet e një mbrëmjeje krejt të veçantë; Festa e Hapjes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit”, shprehet ai.

Rama thotë se teatri është shpresë për vendin dhe artistët duhet të ndihen të respektuar në vendin ku performojnë.

“Prej shumë vitesh, TKOB priste të dilte nga një periudhë e stërgjatë degradimi si rezultat i një kohe të pambarimtë mosndërhyrjeje për mirëmbajtjen apo lërë pastaj rikonstruksionin e vet. Më në fund dita erdhi dhe me një projekt që flet vetë, s’ka nevojë për koment ia dolëm të krijojmë kushte tërësisht të reja, ndryshe, dinjitoze për të qenë në lartësinë e të gjithë atyre zërave të njohur nëpër botë, por gjithë atyre zërave të rinj që ky vend fatmirësisht i nxjerr me shumicë dhe që u ngjitën shumë shpesh në këtë skenë pa pasur mundësinë të ndihen asnjëherë të respektuar dhe në shtëpinë e tyre për shkak të kushteve”, thekson Rama.

Kryeministri u shpreh se “sot ne kemi një Teatër të ri Kombëtar Operas, Baleti, Këngëve dhe Valleve Popullore i cili ofron një skenë ku zërat magjikë të operas shqiptare, por edhe kërcimtarët, valltarët, edhe këngëtarët popullorë jo vetëm të mund të ndihen të respektuar, por të kenë përballë tyre dashamirës, njerëz të pasionuar pas prodhimit të kësaj skene që ulen dhe shijojnë art pa qenë të sulmuar nga i ftohti, lagështira, vapa, zhurmat prej kërcitjeve të të gjitha dërrasave të shtruara prej më shumë se 60 vitesh”.

“E pra, është një krenari dhe kënaqësi që pasi u kapërcye dhe ajo periudhë mallkimi e cila e pamundësoi hapjen e këtij teatri në kohë si rezultat i një tjetër agresioni mbi shëndetin e njerëzve, aktivitetin social, kulturor, ekonomik të COVID-19 të mund të ngremë perden e kësaj skene. Një skene ku kanë kënduar gjithë ata që kanë bërë historinë e këtij teatri, ku kanë luajtur në instrumente të ndryshëm në një orkestër gjithë ata që kanë bërë historinë e muzikës lirike apo muzikës koncertale apo të lehtë”, vijon Rama.

“Brenda kësaj skene nga ku dashamirësit, të apasionuarit pas gjithë aktivitetit dhe krijimtarisë së kësaj godine të mund të shijojnë duke u ndjerë pjesë e të njëjtit komunitet, komunitetit përtej kufijve, të gjithë atyre që ndjekin muzikën koncertale, operistike, të lehtë në teatrot më prestigjioze të botës, në ato teatro ku yjet e Shqipërisë shkëlqejnë fort. Nga momenti i ngritjes së perdes, ne nuk do kemi arsye t’i shohim me zili apo duke bërë vazhdimisht pyetjen kur do të vijë dita që në Shqipëri të kemi një teatër më të njëjtin dinjitet e respekt për ata që japin jetë, qofshin krijues, protagonistë, spirator”, tha Rama. / KultPlus.com

Publikohen dokumente dhe fotografi nga Arkivat e krijimit të TKOB

Pas një mungese për shkak të rikonstruksionit total, dje erdhi mbrëmja gala e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, përcjell KultPlus.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli me këtë rast të dhëna dhe dokumente interesante nga historiku i këtij institucioni unik në vend.TKOB është vendosur në ndërtesën e Pallatit të Kulturës në vitin 1966, ku vazhdon të jetë edhe sot.

Mbetet tempull i muzikës së kultivuar shqiptare dhe ndërkombëtare. Ka prodhuar breza artistësh, të cilët kanë bërë epokë në skenën tonë.Por historia e TKOB fillon në vitin 1950, vit në të cilin u krijua Filarmonia shqiptare.

Arkivat sjellin me rastin e inaugurimit të sotëm, vendimin e Këshillit të Ministrave, mbi ngritjen e filarmonisë së shtetit, ku mes rreshtave thuhet se “Filarmonija Shqiptare” do të përmbledhë: Korin e Shtetit, orkestrën nacionale, baletin e shtetit, artistët lirik, këngëtorët popullor, sazet popullore, të cilat deri tani janë të atashuara Theatrit Popullor”, si dhe disa fotografi të ruajtura në fototekën e AQSH-së të disa shfaqeve të ndryshme të luajtura në skenën e TKOB. / KultPlus.com

“Grand Gala”, rihap dyert i rikonstruktuar Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor rihapi sot dyert pas rikonstruksionit, në një mbrëmje gala, me pjesëmarrjen e legjendës së operas botërore, Placido Domingo dhe sopranos së mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho.

Në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB ishte i pranishëm  kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe përfaqësues të lartë të shtetit, trupit diplomatik, miqve të TKOBAP, etj.

Pas 5 vite mbyllje për shkak të rikonstruksionit, duke filluar nga sot, TKOBAP do të hapet për publikun nëpërmjet shtatë shfaqjeve premierë.

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë. TKOBAP është institucioni i krijimit, prodhimit dhe interpretimit të repertorit më të mirë skenik gjithëpërfshirës, kombëtar e ndërkombëtar.

TKOBAP ka si mision ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave më të mira të teatrit muzikor dhe koreografik, folklorit shqiptar dhe botëror, krijimtarinë e re skenike, ngritjen teknike dhe profesionale, larminë e stileve dhe individualiteteve interpretuese dhe krijuese, edukimin e brezave me veprat më të mira të teatrit muzikor, koreografik dhe folklorik.

Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në lozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975.

Gjendja e përgjithshme e ndërtesës shfaqej e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë nuk ka patur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij.

Në godinën e ristrukturuar të TKOB ka më tepër hapësira për shfaqje, për personelin dhe publikun./atsh/KultPlus.com

Pas pesë viteve, TKOB rifillon aktivitetin artistik

Pas 5 vite mbyllje, duke filluar nga data 15 shtator përmes një sërë aktivitetesh celebruese nën sloganin “Rikonstruksioni – Hapja e TKOB”, do të nisin eventet e inaugurimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Shpallja e ceremonisë së inaugurimit të rikonstruksionit të teatrit u bë sot në përvjetorin e 65-të të krijimit të TKOB.

Në konferencën për shtyp, të organizuar ditën e sotme në TKOB, merrnin pjesë ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Drejtoresha e Përgjithshme Zana Çela.

15 Shtator 2021- Dita e parë e ceremonisë së inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB

Nis me ceremoninë zyrtare të inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB përmes një prezantimi – guidë të ambienteve të rikonstruktuara, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe të gjithë përfaqësuesve të lartë të shtetit, artistëve, miqve të TKOB, medias dhe trupit diplomatik, etj.

19.00-19.30 – RIKONSTRUKSIONI – 2017 – 2020 – Dokumentar premierë.

19:30 – Grand Gala- Hapja e TKOB”
Koncert i madh celebrues me pjesëmarrjen e trupave të TKOB, si dhe artistëve më të mirë shqiptarë të operas, baletit, instrumentit. Me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të artistit më përfaqësues të historisë së sotme të operistikës botërore, Placido Domingo. Me përfaqësuesen më të denjë ndërkombëtarisht, të interpretimit operistik shqiptar, Ermonela Jaho. Me pjesëmarrjen e solistëve yje të TKOB, si: Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Eva Golemi, Armando Likaj, etj.

Programi është i bazuar në titujt e shfaqjeve më të mira të historisë së teatrit dhe produksionet e TKOB në katër vitet e fundit të cilat janë pjesë të repertorit klasik më të njohur nga e gjithë audienca.
Këto tituj do të prezantohen duke u mbështetur në kronologjinë historike të shfaqjeve te tyre në skenën e TKOB./atsh/ KultPlus.com

TKOB: ‘Nusja e shitur’, opera e tretë e vënë në skenën shqiptare

Opera “Nusja e shitur” erdhi premierë në skenë në vitin 1956. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shkruan se 65 vite më parë, më datë 19 maj 1956, trupa artistike shfaqi premierën e operës “Nusja e shitur”.

“Kjo ishte opera e tretë e vënë në skenën shqiptare”, shkruan teatri, që ka publikuar dhe foto nga opera e vitit 1956.

TKOB shprehet se vepra është e kompozitorit Bedrich Smetana, dirigjent Mustafa Krantja, regjisor Milada Jeraskova, piktor Hysen Devolli, mjeshtër kori Kostandin Trako, koreograf Bohumil Çegan, ndërsa ka publikuar dhe emrat e artistëve në role.

“Krushina: Mihal Ciko, Hysen Kurti; Ljudmilla: Gjyzepina Kosturi, Gjenovefa Heba; Marzhenka: Marie Kraja, Ksanthipi Mullisi; Miha: Mentor Xhemali, Koço Timko; Hata: Tefta Çavo, Melpomeni Nelaj; Vasheku: Kristaq Paspali, Zeqir Agolli; Jeniku: Zihni Berati, Maliq Herri; Kecali: Hysen Pelinku; drejtor i cirkut: Dhimitër Jani, Petro Toroveci; Esmeralda: Andromaqi Haderi, Myrvete Kallajxhi; indiani: Haxhi Tafaj. Solistë baleti ishin Gëzim Kaceli, Mihallaq Stoja, Flora Kodra, Vera Mesiti”, shkruan TKOB në faqen Facebook, përcjell KultPlus.

Më herët në datë 18 maj, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shkruante se shkëlqeu në rol artistja Maria Kraja. “Shkëlqen në veçanti Maria Kraja në rolin e Marzhenkës, si për mjeshtrinë e zërit të saj të kulluar dhe plot sentiment, ashtu dhe për interpretimin e rolit që i është besuar. Kujtojmë sot në prag të përvjetorit të operës “Nusja e shitur” të kompozitorit çek Bedrich Smetana, artikujt dhe vlerësimet e kohës, për Maria Krajën, mjeshtren e vokalit operistik shqiptar, pas interpretimit të rolit kryesor në këtë vepër”, shkruante teatri.

Maria Kraja (Zarë, 24 shtator 1911 – Tiranë, 21 nëntor 1999) ka qenë arsimtare dhe këngëtare lirike shqiptare. Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Maria Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj. / KultPlus.com

Mbrëmje emocionuese, artistët e TKOB rigjejnë publikun përmes ‘Ballkoni i Romancave’

Mbrëmja e së premtes ishte e veçantë për publikun dhe për të gjithë artistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Në çelje të sezonit, TKOB u paraqit para publikut me shfaqjen e veprave të kompozitorëve më të mirë shqiptarënë ballkonin përballë sheshit “Skënderbej”.

Që në konceptimin e këtij eventi parashikohej që pjesëmarrja e publikut të ishte e lartë pasi pas një kohe relativisht të gjatë shkëputjeje, institucioni rikthente artistët në skenë për të gjithë spektatorët dhe artdashësit.

Për këtë mbrëmje të veçantë u përzgjodhën si repertor emrat më të njohur të muzikës klasike shqiptare ndër vite.

Gjithashtu u përzgjodhën edhe emrat më të njohur të teatrit të Operas, të cilët interpretuann këto vepra si tenori Denis Skura, tenor Armando Likaj, soprano Shpresa Beka, soprano Ramona Tullumani, soprano Eva Golemi, soprano Renisa Lacka, tenor Armando Likaj, insrumentiste Ingrid Pulizo dhe emra të tjerë të njohur të skenës së teatrit.

Përveç vokalistëve solistë të teatrit, ishin pjesë e koncertit edhe pianistët bashkë me kuartetin e harqeve.

Artistët përjetuan emocione të veçanta në këtë mbrëmje dhe të njëjtën gjë arritën të përcillnin tek spektatorët të cilët të gjithë së bashku kaluan një mbrëmje të bukur.

Koncerti rezultoi një formë e jashtëzakonshme dhe se nëse do të jetë e nevojshme për të qenë afër publikut, artistët do të vazhdojnë të organizojnë edhe koncerte të tjera të këtyre përmasave. /atsh/ KultPlus.com

Sonte mbahet “Soul Performance” nga TKOB

“Opera me pizhama” prezanton sonte mbrëma një grupim të ri iniciativash të disa prej solistëve dhe instrumentistëve të TKOB-së, një tjetër performancë shpirti.

“Performance Soul”, prej perëndimit të diellit të Leonard Dedës e Zef Lekajt, te këngët e rinisë së Agim Krajkës e Zhuljana Jorganxhisë; nga vitet 1900 me “Intermezzo”-n e Manuel Ponce, tek jazz-i i viteve ‘30 me “Dream a little dream of me” (më shumë se 60 versione në të gjithë botën) apo tek paso doble e operas me tre akte “El gato montes” (Macja e egër).

Izolimi në shtëpi dhe iniciativat artistike nga shtëpia, kanë nxitur instrumentistët të gjejnë, krijojnë dhe interpretojnë në mënyrë të veçantë dhe alternative, ndryshe nga skena e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku publiku është mësuar gjithmonë t’i identifikojë me muzikën klasike.

“Performance Soul”, sonte mbrëma, ora 20:30, në kanalin e TKOB-së në youtube dhe livestream në faqen e TKOB-së në facebook. /KultPlus.com

TKOB: Me art kundër dhunës ndaj gruas (VIDEO)

Të frymëzuara nga muzika unike e Mozart, Koncert nr. 23 në kohën e dytë, solistet e trupës së baletit  kanë shprehur tërë emocionet e tyre lidhur me situaten e shkaktuar nga pandemia  e virusit Covid 19. Performanca e artisteve, u shfaq për publikun në YouTube dhe gjithashtu edhe live stream në facebook-un e TKOB-së.

Janë momente që kanë dalë spontanisht nga secila prej tyre. Vërtet kanë xhiruar në kushtet e shtëpisë, por më shumë rëndësi ka ndjesia dhe mesazhi që përcillet duke i zbërthyer në lëvizje e gjuhë trupi. / Koha Jone / KultPlus.com

Artistët e TKOB: Ambienti është komod, por duhet investuar edhe në instrumente

Artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit, sapo shijojnë ambientet e reja në shtëpinë e re.  Ata thonë se komoditetit të ambjenteve duhet t’i shtohet edhe investimi në vegla të reja muzikore, pasi nuk është investuar për to prej 30 vitesh.

Artistët e operas, instrumentistë, solistë dhe balerinë, janë kthyer në shtëpinë e tyre edhe pse ende e pa përfunduar.

Këto janë provat e para që zhvillojnë në studiot e rikonstruktura, përshtypjet e para për ambientin janë këto.

“Një nga gjërat më të mira që ka ndodhur është se studio e orkestrës është një ndryshim shumë cilësor për ne, edhe akustika është e mirë”.

Instrumentisti i parë i operas violoncelisti, Kujtim Vorpsi e cilëson domosdoshmëri investimin në vegla të reja  dhe cilësore.

“Meqenëse për teatrin është bërë gjithë ky investim, investimi i dytë i rëndësishëm është që muzikantët të pajisën me instrumenta kualitativë”.

Shumë artistë instrumentat i kanë personal, por ata do të donin për ambjente të jashtë, violina  të institucionit.

“Kam bërë një kërkesë, pavarësisht se kam vegla perosnale, por duhet të kemi edhe vegla të tjera muzikore”.

Ndërkohë që në studion e baletit, po zhvillohen provat për “Carmina Burana”. Balerinët të cilët po testojnë ambjentet kanë si shqetësim kryesor dyshemenë, e cila është më e fortë se duhet.

“Ndjehemi mirë sepse jemi aty ku duhet të jemi, edhe pse ka disa problematika të vogla. Specifikisht sektori jonë ka problematikën e parketit pasi është pak më e fortë”.

Teatri i Operas dhe Baletit nga data 13 mars deri me 16 mars rikthen operan “La Bohem” në Pallatin e Kongreseve dhe “Carmina Buran” me datat 19 dhe 20 në “Ar Turbinë”. Ndërsa skena e re pritet të hapë dyert për publikun në muajin qershor. /abcnews.al /KultPlus.com

Opera “Carmen” projekt gjigant në TKOB, në skenë do të ngjitet edhe Tinka Kurti

Projekti gjigant që hap sezonin e ri operistik në TKOB, është opera “Carmen”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje ndërthurë ekselencën shqiptare në botë me emra të mëdhenj të muzikës operistike shqiptare. “Carmen” vjen me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa e nën dirigjimin e Ricardo Casero.

Kjo operë që vjen premierë më 30 janar, sjellë në skenë aktoren Tinka Kurti, pastaj i ftuari special, koreografi me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, të ftuar special janë edhe balerinët: Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha.

Mjeshtri Gheorghe Iancu do të jetë koreografi i trupës së baletit të TKOB. Ai sot ka mbërritur në Tiranë që t’i bashkohet stafit të operës “Carmen”. Inacu për dy vite radhazi nga viti 2008 drejtoi trupën e baletit të Operas Shtetërore të Bukureshtit.

Kjo shfaqje gjigante, vjen më 30 janar në Pallatin e Kongreseve me fillim nga ora 19:00. Pas premierës pasojnë edhe reprizat ku e para do të jetë menjëherë më 31 janar, 1, 2 dhe 3 shkurt./ KultPlus.com

Rama: TKOB transformim në një hapësirë dinjitoze dhe europiane për artin dhe kulturën (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në Facebook fotot nga kantieri i transformimit rrënjësor i Teatrit të Operas dhe Baletit.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto pamje nga kantieri i transformimit rrënjësor të Teatrit të Operas dhe Baletit në një hapësirë dinjitoze dhe europiane për artin dhe kulturën”’, shkruan kryeministri Rama në “Facebook”.

Ritmet intensive gjatë ndërhyrjeve pritet te sjellin përfundimin në kohë të projektit. Thënë ndryshe, në vitin 2019 publiku në TKOB do të mund t’i ndjekë shfaqjet në një teatër tërësisht të transformuar dhe modern.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova, shkruan VP./ KultPlus.com

Realizimi i operës “Peshkatarët e Perlave” nëpërmjet fotografive (FOTO)

Tashmë është bërë e ditur se më 22 shtator do të prezantohet opera “Peshkatarët e Perlave, e kompozitorit Georges Bizet, me regjisore dhe protagoniste soparanon me famë botërore Inva Mula, në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, shkruan KultPlus.

Se janë në vlugun e punëve rreth këtij projekti artistik, që ka përreth shumë emra të njohur, Enada e Gerd Vaso , që janë koreografë në këtë projekt, kanë ndarë me fansat fotografi përgjatë provave, ku shihet edhe Inva Mula.

Në këtë premierë , që do të çelë sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, interpretojnë emra të njohur të skenës operistike shqiptare, por dhe të huaj. Me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon, dirigjent Zherar Akokanë, në këtë opera interpretojnë artistë të njohur të skenës shqiptare si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani, etj, ndërsa sopranoja Mula përveç regjisë do të luaj rolin e Lejlës.

Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP. Opera ” “Peshkatarët e Perlave” do të shfaqet edhe në datat 24 dhe 25 shtator po në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Vepra operistike “Peshkatarët e Perlave” është me tre akte. Ajo u dha për publikun francez më 30 shtator 1863. /KultPlus.com