Ti qan

Poezi nga Lord Byron.

Ti qan e loti vetëtin
Qerpikëve të tu;
Elmazi i vesës në agim
Prej vjollcës shket ashtu.
Ti buzëqesh,ç’i ëmbël gaz
shkëndrit në sytë e tu;
Sarifi zbehet n’atë çast
nga flakë e tyre blu.

Purpurn e reve ruan ti,
kur Dielli perëndon
dhe errësira pa kufi
Nis botën e mbulon
Kështu dhe vështrimi yt
Djeg retë e shpirtin tim;
Le t’erret!Brenda meje ndrit
I zjarrti perëndim!

Doli numri i parë për këtë vit i revistës ‘Jeta e re’

Me një vëllim prej 400 faqesh, posa ka dalë numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Ky numër fillon me Basri Çapriqin, poetin dhe studiuesin tonë të mirënjohur, i cili vdiq më 14 janar 2018 në Prishtinë. Në shenjë kujtimi e nderimi, ky autor është prezantuar me një cikël të gjerë poetik, me “Simboli i etnisë”, shkëputur nga libri studimor i tij “Simboli dhe rivalët e tij”, ndërkaq Sali Bashota vjen me një tekst shkoqitës për jetën dhe profilin krijues të Basri Çapriqit.

Në rubrikën Bibliofili, kemi një shkrim mjaft interesant me titullin “Jeta ime e bibliofilit” të shkrimtarit të madh anglez Julian Barnes.

Rubrika e prozës nis me shkrimtarin Henri Böll, fitues i çmimit Nobel. Ai vjen në këtë numër me tregimet “Mbi urë” dhe “Rrëfimi i një gjuetari qensh”, për të vazhduar me tregimet “Shkrimtari është një tip tryeze“ të shkrimtarit italian Achille Campanile, “Balada e dashurisë së parë” të shkrimtarit argjentinas Alejandro Dolina, “Gruaja ime” dhe “Burri im” të shkrimtares së njohur spanjolle Rosa Montero dhe “Skulptura e shpirtit” të shkrimtarit meksikan Marisio Hoze Shvarc. Rubrika vazhdon me një numër prozash të autorëve tanë. Kështu, Ibrahim Kadriu është prezantuar me “Zonja e druve”, Ibrahim Berisha me “E pakuptimtë kur e mendoj errësirën”, Ylljet Aliçka me “Dritëhijet e një kryeqyteti” dhe Balil Gjini me “Dervishi dhe Lejlaja”.

Rubrika e poezisë nis me një cikël poezish të nobelistit Derek Walkot, për të vazhduar me poetin italian Dino Campana, poetin arbëresh Francesko Micielli ( përkthyer nga gjermanishtja), me shkrimtarin dhe studiuesin suedez Kjell Espmark dhe Pier Paolo Pasolinin. Me nga një cikël poezish janë prezantuar edhe autoret tona: Blerina Rogova-Gaxha, Gentianë Paçarrizi dhe Teuta Kadriu.

Në këtë numër kemi një intervistë të gjerë e me interes kulturor me akademik Rexhep Ismajlin, ndërkaq në rubrikën Dossier vjen poeti i njohur amerikan William Carllos Williams. Rubrika nis me një cikël poezish të këtij autori dhe vazhdon me letrën me titullin “Vargu modern imponon besim” dërguar Ezra Poundit, që dëshmon për një miqësi të tensionuar, për të vazhduar gjithashtu me një letër tjetër dërguar poetes Denise Lefertov, me tregimin “Një natë qershori”, pastaj me “Praktika”, pjesë e shkëputur nga libri autobiogafik, për të përfunduar me intervistën me titullin “Artisti është shumë para epokës së tij, prandaj është i vetmuar”.

Në rubrikën e kritikës janë prezantuar një sërë autorësh tanë dhe të huaj. Rubrika nis me tekstin “Zanafilla e kritikës gjenetike” të autorit Almur Grelison dhe vazhdon me “Letërsia krahasimtare dhe kritika letrare bashkëkohore” të Jean Bessiere, “Përfundimi elegjiak i Kanunit të Perëndimit” të Harold Bloomit, “Simboli” të Michel Pastoureau, “Anton Pashku: Primus literarum” të Agron Gashit, “ Zef Zorba: Biografi e poezi” të Viola Isufajt, “Vepër kapitale për letërsinë për fëmijë” të Xhevat Sylës dhe “Semantika e diskursit në poezinë e Rrahman Dedajt” të Antigona Zenelit.

Përkthyesit që kontribuuan për këtë numër janë: Bajram Karabolli, Alfred Beka,.Alket Çani, Arben Idrizi, Ismail Ismaili, Erion Karabolli, Gianni Belluscio, Kujtim Morina, Arif Kutleshi, Rrahime Gashi, Edita Kuçi-Uka dhe Demë Topalli./ KultPlus.com

Eliza Hoxha për fotografitë që iu ndaluan në kufirin serb: Nuk janë të sajuara, janë realitet

Gili Hoxhaj

Sot në Beogradi nisë edicioni i pestë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”. Pjesëmarrësit nga Kosova janë ndalur në kufi në një kontroll të detajuar për rreth gati 2 orë ndërsa tri fotografi të Eliza Hoxhës me pamje nga protestat e viteve te 90’ janë ndalur në kufi.

Fotografitë që paraqesin flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, janë ndalur në kufi dhe ato fotografi nuk do të mund të jenë pjesë e ekspozitës që Eliza Hoxha do ta hapë në kuadër të këtij festivali.

“Në momentin kur e kanë marrë çantën me katalog i kanë parë fotografitë aty filloi tronditja dhe ideja se çfarë ka në punime. Unë i tregova që janë të njëjtat dhe Insistuan që t’i kontrollojnë fotografitë, ata halë në sy e patën fotografinë ku shihet një afishe me mbishkrimin UCK dhe tjetra që shihet me një pankartë me vargun e Ali Podrimës. Dhe e treta punimi që e kam punuar për dhjetëvjetorin e pavarësisë që është loja midis dy flamurëve e që përcillet me këngën Himni im”, ka thënë për KultPlus, Eliza Hoxha, pas ndaljes së fotografive në kufirin serb.

“Nuk është që kam ndonjë pritshmëri, unë fillimisht e kamë pyetur Kushtrimin a e dinë se çfarë ka kjo ekspozitë që do ta dërgosh në Beograd. Un them se këto fotografi nuk janë të sajuara, por është realiteti me të cilin duhet të ballafaqohemi pas 20 vitesh”, ka theksuar Hoxha.

KultPlus, është atje për të ndjekur këtë festival i cili po mbahet për herë të pestë këtë vit. Ndërkaq, janë paralajmëruar protesta për ndalimin e këtij festivali nga partia SRS dhe disa parti të tjera që u janë bashkangjitur atyre me arsyetimin se ky festival po e paraqet Kosovën shtet të pavarur.

Rikujtojmë se vitin e kaluar ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, nuk është lejuar të marrë pjesë në këtë festival pavarësisht lejes së hyrjes në Serbi që e kishte. Ndërsa pjesëmarrësit janë përballur përgjatë 4 ditëve me protesta të njëpasnjëshme nga ana e serbëve.
Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi)./ KultPlus.com

Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinës i lihet në dispozicion arkivi i ish-Sigurimit të Shtetit

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, ka nënshkruar sot një marrëveshje me Institutin e Historisë “Ali Hadri” Prishtinë.

Qëllimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve është puna dhe studimi shkencor për materialet arkivore të dosjeve të spiunëve të sigurimit të shtetit.

Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Institutit të Historisë “Ali Hadri” Prishtinë, u nënshkrua nga kryetarja e Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, Gentiana Sula, dhe drejtori i Institutit, Gjon Berisha dhe në prani të komunitetit të historianëve nga Shqipëria dhe Kosova .

Të dy institucionet do të bashkërendojnë punën për kryerjen e studimeve shkencore në materialet arkivore mbi rolin dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit në shtet dhe shoqëri, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 – 2 korrik 1991, me fokus Kosovën dhe qytetarët e saj.

Përfaqësuesit e Institutit “Ali Hadri” angazhohen në pjesëmarrje dhe kontribut në konferencat shkencore që po organizon AIDSSH, si dhe për organizimin e përbashkët të një serie aktivitetesh shkencore me tematikë nga Kosova./ KultPlus.com

“Gardhi” nga Lendita Zeqiraj në Palm Springs International Short Film Festival

Filmi ‘GARDHI’ nga Lendita Zeqiraj, është përzgjedhur të jetë pjesë e garës zyrtare të edicionit të 24të të Palm Springs International Short Film Festival & Film Market, ku njëherit edhe do të ketë premierën botërore.

Palm Springs International ShortFest & Film Market, mbahet prej 19 – 25 Qershor 2018, në Palm Springs, ndërsa shfaqja e parë e filmit ‘GARDHI’ me prezencë të autores, është planifikuar më datën 21 Qershor 2018.

Palm Springs International ShortFest është festivali më i madhë dhe më i rëndësishëm i filmit të shkurtër në Amerikën veriore, me më shumë se 5000 aplikime cdo vit, nga 100 shtete të ndryshme të botës. ShortFest njërit është edhe festival kualifikues për cmimet Oscar, BAFTA dhe Los Premios Goya, dhe deri tash ka prezentuar mbi 100 filma të shkurtër të cilët janë nominuar dhe/ose shpërblyer me cmimin Oscar.

Festivali poashtu organizon të ashtuquajturin ShortFest Forum, me një varg panellesh, puntori dhe diskusione, të dizajnuara për filmbërës që t’ju ofrojnë njohuri të reja nga industria e filmit botëror./KultPlus.com

Tri fotografi të Eliza Hoxhës ndalohen të kalojnë kufirin serb (FOTO)

Gili Hoxhaj

Pjesëmarrësit e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, janë nisur nga Kosova për në Beograd atje ku sonte hapet edicioni i pestë i këtij festivali, shkruan KultPlus.

Policët në Kufirin e Merdarës kanë shtruar një kontroll të detajuar ndaj pjesëmarrësve të këtij festivali derisa kanë nxjerrë jashtë të gjitha valixhet e udhëtarëve.

Në programin e këtij festivali janë edhe punimet e ekspozitës së artistes Eliza Hoxha, të cilat janë nxjerrë jashtë dhe janë rishikuar një nga një për shkak se përmbajnë pamje të protestave të viteve 90’ në Prishtinë.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi)./ KultPlus.com

Transformimi i Alpeve shqiptare, nga një zonë e braktisur në destinacion turistik (VIDEO)

Kryeministri i vendit ka zgjedhur të urojë mirëmëngjesi të gjithë ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook” përmes një përmbledhje në 120 sekonda të transformimit fantastik të Alpeve shqiptare, nga një zonë e harruar në një destinacion turistik.

“MIRËMËNGJES
dhe me këtë përmbledhje në 120 sekonda të transformimit fantastik të Alpeve shqiptare, nga një zonë e harruar, e braktisur dhe e izoluar, në një destinacion të jashtëzakonshëm turistik gjithëvjetor, ju uroj një ditë të mbarë

Pikat turistike Thethi, Boga, Razma, Vermoshi, Lëpusha, Fushëzeza, Valbona, Rragami, Currajt e Epërm, etj, pjesë e Alpeve shqiptare padyshim kanë magjepsur këdo që i ka shëtitur”, shkruan Rama.

Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë të apasionuar pas tij, ku padyshim kryesojnë turistët të huaj dhe Alpet shqiptare pjesë e harkut alpin europian janë sot hapësira turistike malore më e rëndësishme.

Zhvillimi dhe promovimi i zonave turistike është objektiv i qeverisë shqiptare, e cila ka hartuar një masterplan për ti bërë ato më lehtë të aksesueshme.

Masterplani synon zhvillimin e potencialit turistik të të gjithë rajonit dhe shfrytëzimin e tij në mënyrë të qëndrueshme e në harmoni me natyrën me qëllim që të gjenerohet rritje ekonomike afatgjatë për banorët e zonës dhe pse jo edhe për ekonominë kombëtare.

Me bukurinë e tyre, ndërthurjen në harmoni mes maleve, Alpet shqiptare me të drejtë janë cilësuar nga shumë turistë të huaj ndër më të bukurat në botë.

Por, pavarësisht bukurive që këto zona ofrojnë, mungesa e infrastrukturës i bën ato më pak atraktive. Dhe pikërisht për t’i bërë më të aksesueshme këto zona nëpërmjet këtij masterplani përcaktohen ndërhyrjet e nevojshme dhe investimet për rrugë, ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore, infrastrukturë urbane dhe transport publik.

Po ashtu, po punohet për hartimin e strategjie të mirëfilltë marketingu për hartimin e një oferte të larmishme turistike dhe orientimin e investimeve të biznesit, që të maksimizohen vlerat e zonës edhe nga pikëpamja historike e kulturore. Ndërkohë Banka Botërore dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punojnë bashkë për projektin e ri për lidhjen e rrugëve rajonale dhe rurale.

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi një muaj më parë projektin e ri që do të ketë një financim prej 50 milionë dollarësh dhe që parashikon rehabilitimin e 55 km rrugë me qëllim përmirësimin e aksesit në disa qendra bujqësore dhe turistike në vend. Pjesë e këtij projekti është edhe segmenti rrugor Qafë Thore-Theth./ KultPlus.com

“Rrno për me tregue”, kryevepra e At Zef Pllumit rikthehet në Teatrin Eksperimental

Monodrama “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit me regji nga Milto Kutali dhe interpretim nga aktori Arben Derhemi rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Pas mbrëmjeve në skenën e teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër vepra vjen sërish për publikun në Tiranë.

Vetë aktori protagonist në vepër Arben Derhemi lajmëron se është kryevepra e At Zef Pllumit. “Në data 8-9-10 qershor në orën 20.00 në teatrin “Kujtim Spahivogli” (salla Molier). Për të gjithë ata që nuk kishin rastin ta shihnin kryeveprën e At Zef Pllumit”, shkruan aktori Derhemi në profilin e tij në Facebook.

Komunikimi mes njeriut dhe bimës, njeriut dhe kafshës, dhe pa mundësia që njeriu me njeriun të gjejnë gjuhën e përbashkët, ishte përzgjedhur si pjesë thelbësore e kësaj monodrame është pjesa kryesore e kësaj monodrame.

Mesazhi shkon sidomos për të rinjtë që dijnë pak për një nga periudhat e errëta që kaloi vendi ynë.

Më herët në kohën kur vepra erdhi premierë aktori gjatë prezantimit u shpreh se ,”kjo vepër u vu në skenë sepse kjo shoqëri ka nevojë për këtë katarsis që të kuptojë dhe të gjithë njerëzit, kush në një mënyrë dhe kush në një mënyrë tjetër të kërkojë falje për gabimet.Ndoshta dhe diçka më tepër. Unë mbetem në kuadrin e kërkimit të faljes, sepse duke pasur parasysh llojin tonë ishte më mirë të kërkonin vetëm falje dhe pjesën tjetër t’ua linin njerëzve të tjerë që ta kuptonin vetë se çfarë ka ndodhur në këtë vend dhe çfarë duhet të ndodhë.Liria është një çikë problem, sepse unë nuk e di ka ardhur akoma apo jo”, është shprehur Derhemi.

“Rrno për me tregue” vjen për publikun përmes një skenografie të thjeshtë, me element funksional por me tekst goditës, duke përcjellë emocione të forta tek spektatori.

Charli XCX për këngën “Girls”: Rita ka të drejtë për të rrëfyer historitë e saja biseksuale

Rita Ora ka sjell në bashkëpunim me Cardi B, Bebe Rexhën dhe Charli XCX këngën e shumëpërfolur “Girls”.

Kënga u konsiderua si një zë i biseksualëve dhe kjo bëri që të merr aq shumë kritika sa që këngëtarja ishte detyruar t’i kërkoj falje komunitetit LGBTI.

Pas Cara Delevigne, vajza me të cilën thuhet se kishte një romancë bukuroshja jonë, 27-vjeçares i ka dal në mbrojtje edhe Charli XCX.

“Kënga nuk kishte për qëllim ta lëndonte ndonjë kënd. Asnjë nga autorët e këngës nuk e ka pasur për qëllim ta lëndonte ndonjë person”, tha këngëtarja.
https://www.instagram.com/p/Bi29jMwHxJa/?utm_source=ig_embed
Charli XCX sërish konfirmoi se kënga i dedikohet një eksperiencë të kaluar të këngëtares shqiptare.

“E dija që kur Rita më ftoi që të bëhesha pjesë e këngës, se ‘Girls’ ishte rreth një përvoje të veçantë që ajo kishte me një grua”, tha ajo.

“E di që Rita kishte marrëdhënie jashtëzakonisht kuptimplotë me meshkujt dhe femrat. Ajo ka të drejtë të tregojë historinë e saj, sepse nuk po e bën atë nga pikëpamja shfrytëzuese. Rita ka qenë në lidhje me femrat. Ka marrëdhënie dhe me burra gjithashtu. Nuk e kuptoj pse historia e saj është më pak e vlefshme se çdokujt tjetër”, tha ajo.

Kur Grupi Minatori i këndonte legjendarit Fadil Vokrri (VIDEO)

Fadil Vokrri është shndërruar në personalitetin kryesor të pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Por, fama e tij ka qenë po kaq e madhe edhe në dekadat e kaluara, transmeton Klan Kosova.

Rock grupi Minatori ia kishte kushtuar një këngë Prishtinës dhe Vokrrit në vitet e 1980-a, të cilën mund ta dëgjoni më poshtë.

‘Të dua sa Kosovën’ nga Minatori (VIDEO)

Sonte më shumë se kurrë duhet ta kujtojmë këngën ‘Të dua sa Kosovën’.

Grupi Minatori vite më parë e ka krijuar një hit që sonte bëhet më aktual kur Kosova e Shqipëria bashkohen edhe në lojë futbolli.

https://www.youtube.com/watch?v=e_wQN5SAME4

Këngën më pas e kanë sjellë edhe në versione tjera, por asnjëherë si Minatori.

Sentimenti shqiptar gjithmonë forcohet kur dëgjohet kjo këngën e grupit të njohur, e ne sonte po e sjellim me shkas fitoren e Kosovës në ndeshjen vëllazërore me Shqipërinë, në futboll. / KultPlus.com

Kopjim, kopjim, kopjim…shumë maturantë kopjues në rajonin e Prishtinës

4369 maturantë të rajonit të Prishtinës i janë nënshtruar testit të maturës këtë të martë, raporton KTV.

M këtë rast, 3 prej tyre janë përjashtuar, pasi janë zënë duke kopjuar. Këto janë raportimet e para për përjashtime, pasi që shifrat e sakta, sipas Fatos Osmanit, zyrtar i lartë për arsim në Komunën e Prishtinës, do të dihen të mërkurën.

Nxënësit e përjashtuar janë zënë duke kopjuar me telefon celular. Disa prej testeve edhe janë publikuar nëpër rrjete sociale. Megjithëkëtë, Ministria e Arsimit insiston se testet që po qarkullojnë, nuk janë të njëjta me ato të ditës së testimit.

MASHT-i ka bërë apel te të gjithë nxënësit, që të mos bien pre e “keqpërdoruesve, të cilët pretendojnë se e kanë publikuar testin për ditën e dytë në rrjete sociale”.

Sivjet, testi i maturës është i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e dytë pyetjet do të jenë varësisht nga profili i shkollimit të nxënësve.

Qyteti i lënë varur, Beogradi i Ri

Beogradi i Ri – pjesa tjetër e qytetit serb, ende quhet si qyteti i lënë pezull. Një qytet ku shumëçka është lënë pezull, nisur prej ndërtesave, identitetit, ndërtimeve tjera, lokacioneve, pjesës industriale.

Hapja e Muzeut të Artit Bashkëkohor ka mbetur në gjysmë, njëjtë sikur edhe Hotel Jugosllavia. Calvert Journal – një gazetë e njohur online, shkruan për Beogradin e Ri – këtë pjesë të qytetit në anën tjetër të Danubit, si një vend të bukur por edhe me arkitekturë brutaliste e disi ‘të lënë varur’.

Tensioni në mes të privates dhe publikes është elementi kryesor që e definon kualitetin e hapësirës urbane të Beogradit të Ri, një tenstion ky mes rretheve horizontale dhe drejtkëndëshave vertical.
Rreth 212 mijë banorë janë pjesë e Beogradit të Ri.

Janë gjithsej 72 blloka ndërtesash që quhen ‘blokovi’. Përgjatë viteve secili është zhvilluar në një lagje të vecantë, me mentalitet të vecantë dhe me ndjenjë të ndryshme të përkatësisë. Secili ‘blok’ është ndërtuar në formë të veçantë.


Calvert Journal shkruan edhe për një tjetër element të lënë varur, të suspenduar, të kësaj pjese – Komunitetin ROM.
Vite më parë ata erdhën të jetonin poshtë urës Gizela, në qendër të Beogradit të Ri. Rigjenerimi urban me kohë ata i ka larguar drejt lokacioneve më pak të dalluara, drejt periferisë.

Në këtë pjesë të Beogradit jetojnë kryesisht serbët dhe romët, dhe rreth 200 shqiptarë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011-të. Sllovenët, bullgarët, sllovakët e hungarezët poashtu kanë gjetur jetesë në këtë pjesë, në shifra të ndryshme. / KultPlus.com

Dua Lipa merr një tjetër nominim të rëndësishëm

Dua Lipa është nominuar për një tjetër çmim të rëndësishëm në karrierën e saj.

Bëhet fjalë për një nominim në The South Bank Sky Arts Awards.

Dua vetë e ka treguar këtë nominim në Twitter ku ka treguar se është e lumtur për këtë fakt, shkruan KultPlus.

Ceremonia prestigjioze nderon personazhe në rreth 16 kategori, përfshirë muzikën, librin, dramën, teatrin e artet vizuale.

Në kategorinë e filmave, shembull, janë nominuar “Dunkirk”, “Lady Macbeth” dhe “Paddington 2”.

Çmimet do të ndahen në Londër me datë 1 korrik. / KultPlus.com

Në Beograd do të ekspozohet dhimbja nga lufta në Kosovë

Willem Poelstra ka ekspozuar në Prishtinë hulumtimin e tij mbi luftën.

Një ekspozitë në Beograd do të dërgojë historitë e dhimbshme shqiptare drejt Serbisë. Poelstra nuk ia ka frikën sensitivitetit të fotografive.

Poelstra është një fotograf dokumentar nga Holanda. Fotografitë e tij nga data 25 qershor do të ekspozohen në Parobrod në Beograd, ndërsa tregojnë dhimbjen e shqiptarëve në luftën e fundit ku Serbia masakroi e vrau mijëra kosovarë, shkruan KultPlus.

Vitin e kaluar ai hapi ekspozitën dhe një botim të titulluar ‘For Hanna, Future Stories from the Past’. Pikërisht para Parlamentit të Kosovës këto fotografi zunë vendin dhe emocionin e tyre.

Ai ka fotografuar shtëpi të shkatërruara, të shpëtuar nga lufta, monumente, objekte.

“Gjeneratat e vjetra nuk pres që do të vijnë e ta shohin ekspozitën. Dua që të rinjtë ta shohin historinë dhe ekspozitën në Beograd” thotë fotografi Willem Poelstra që historinë e Kosovës e ka shumë për zemër.
Disa ditë para ekspozitës, një punëtori me disa fotografë nga Kosova e Serbia do të mbahet në Parobrod – galerinë ku do të hapet më pas ekspozita në fjalë. / KultPlus.com

Gardërobë

Wislawa Szymborska, përkthyer nga Elida Buçpapaj

Zhvesh, zhveshim, zhvishni
kapotat, xhaketat, zhiletë, këmishat
e leshta, të pambukta, terital,
fundet, çorapet, mestet, nënveshjet,

duke pozuar, duke i varur, duke i hedhur
mbi mbështetëset e karrikeve, cepat e kanateve;
tash për tash, thotë mjeku, asgjë serioze,
rivishesh, pushon, bën një udhëtim,
sipas rastit, pas drekës, në mbrëmje,

kthehesh pas tre muajsh, gjashtë, një viti,
e shikon, e ti mendoje, e ne druheshim,
e ju hamendësonit, e ai dyshonte;
është tani ora të lidhësh me duar të dridhura
toja, kopsa, mbërthecka, katrama,
rripa, butone, kravata, jakë
dhe nga kuleta, çanta, xhepat të nxjerrësh
– zhubravitur, palosur, me vija, me lule, me katrore – shallin
e ripërdorshëm në afat të zgjatur.

Alban Muja, pjesë e ekspozitës ‘Stranger Than Paradise’ në Pragë

‘Stranger than Paradise’ – apo më e çuditshme se parajsa.

Ky është emri i ekspozitës ku do të marrë pjesë mes artistëve tjerë edhe Alban Muja, artisti i njohur kosovar.

Sado që ekspozita sjellë artistë nga Ballkani, ajo tenton të mos quhet si e tillë – si ekspozitë nga Ballkani, pasi plot të tilla ka pasur që nga fundi i viteve 90-të.

Ekspozita do të hapet me 9 qershor në Pragë.

Tevž Logar dhe Eva Riebová si kuratorë të ekspozitës kanë zgjedhur artistë të ndryshëm për këtë ekspozitë. Jasmina Cibic – artiste e njohur nga Sllovenia, Alban Muja – një prej artistëve më të mirë që ka Kosova, Pavel Brăila, Lana Čmajčanin, Tomislav Gotovac, Vlado Martek, Tanja Ostojić dhe Mark Požlep do të paraqesin projektet e tyre artistike në këtë ekspozitë, shkruan KultPlus.

Muja do të prezantohet në ekspozitë me punën ‘Tonys’ të vitit 2010. Nëntë fëmijë shqiptarë janë emëruar dikur me emrin Tony Blair, duke nderuar personin që ndihmoi shqiptarët e Kosovës të dalin nga lufta e vitit 1999. Të gjithë TonyBlair janë lindur në vitin 1999, pasi Kosova u çlirua.

Mosha të ndryshme brenda ekspozitës, e përbashkëta e punëve është vendimi i artistëve për të ekspozuar deklaratat e tyre shumë intime e personale si pjesë e kushteve të ndryshme specifike sociale, politike e ekonomike. Këto janë vendime radikale por të sinqerta që nuk tolerojnë kompromis.

Ekspozita ‘Stranger than Paradise’ do të qëndrojë e hapur në MeetFactory deri në muajin shtator. / KultPlus.com

Ndahen çmimet për fituesit e Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana 2018” (FOTO)

Mbrëmë është mbajtur Ceremonia Finale e Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana 2018” (Edicioni IV, Seksioni I) ku u shpallën edhe fituesit e kësaj gare, shkruan KultPlus.

Me cmimet e para u shpërblyen Enejda Çullhaj nga gjimnazi “Myslym Keta” në poezi, Danja Nako – gjimnazi “Sami Frashëri” në ese dhe Sindi Bego nga gjimnazi “Ismail Qemali” në prozë/
Çmimet e dyta shkuan për Vangjush Kace nga gjimnazi “Qemal Stafa” në poezi, Andri Peka nga gjimnazi “Qemal Stafa” në ese, Fatime Lika nga gjimnazi “Qemal Stafa” në prozë. Me çmimet e treta u shpërblyen Venera Idrizaj nga gjimnazi “Sandër Prosi” në poezi, Spiro Lezo nga gjimnazi “Arsakeio e Tiranës” në ese dhe Elsa Hima nga gjimnazi “Arben Broci” në prozë.

Festivali Letrar për të Rinj “Tirana 2018” (Edicioni IV, Seksioni I) u realizua si rezultat i bashkëpunimit të Institutit të Librit dhe Promocionit me Bashkinë e Tiranës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Botimeve Toena.

Ky seksion iu dedikua nxënësve të të gjithë gjimnazeve të Tiranës dhe rrethinave, të cilët e panë këtë Festival si një mundësi për t’u qasur drejt fushës së letërsisë.
Fituesit u përzgjodhën nga juria e Festivalit, e përbërë nga personalitete të fushës së letërsisë dhe gazetarisë: Ylljet Aliçka, Diana Çuli, Sonila Meço.

Trofetë iu dorëzuan fituesve nga shkrimtarë të mirënjohur dhe drejtues të Bashkisë Tiranë:
Diana Çuli – shkrimtare, Behar Gjoka – studiues i letërsisë, Ylljet Aliçka – shkrimtar, Zija Çela – shkrimtar, Arta Marku – gazetare, Ana Kove – poete, Abaz Hido – studiues arti (nënkryetar i Bashkisë Tiranë), Julinda Dhame – drejtoreshë e promovimit të qytetit në Bashkinë Tiranë dhe Irena Toçi – organizatore e Festivalit Letrar (Botuesja e Toena-s).

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve fituesit interpretuan krijimet e tyre të shoqëruar nga interpretimi i talenteve të reja që performuan me violinë, kitarë dhe tastierë elektrike. Krijimet e 34 gjysmëfinalistëve u përfshinë në një Antologji./ KultPlus.com

GKK hapë ekspozitën njëditore të Shpresa Faqit “Driving”

Galeria Kombëtare e Kosovës më 7 qershor me fillim nga ora 09:00, hapë ekspozitën një ditore të Shpresa Faqit “Driving”, shkruan KultPlus.

Në vitin 1990 Shpresa Faqi dhe prindërit e saj ikin nga Kosova në drejtim të Gjermanisë. Duke shikuar qytetet dhe pejsazhet jashtë veturës në levizje, ajo e pyeti vetën: „Si është në këtë vend, dhe kush janë njerëzit që jetojnë këtu?“
Tash, pas 28 vite, ajo me veturë përshkon të njëjtën rrugë prej Gjermanisë në Kosovë. Udhëtimin e dokumenton Shpresa Faqi me vizatim tush në letër, instalacione me projektor në vende publike dhe vizatim me llak thonjësh në kapakët e rrotave të cilat gjinden gjatë rrugës nga Kassel (D), Bielefeld (D), Salzburg (A), Ljubljana (SLO), Zagreb (HR), Sarajevë (BIH), Podgoricë (MNE), Ulqin (MNE) dhe Prishtinë. Projeksioni i vizatimeve me tush prezantohet me 1 qeshor në murin e GKK-së pas perëndimit të diellit në ora 21:00.

Kooperacion me: Kasseler Kunstverein, Artists Unlimited, Bielefelder Kunstverein, HDLU, Historical Museum of BIH etj.

Ekspozita hapet më 7 qershor me fillim nga ora 09:00 dhe mbyllet më 7 qershor në orën 11:00./ KultPlus.com

Mbërrin charteri i parë me turistë izraelitë, 4 fluturime në javë Tel Aviv- Tiranë (VIDEO)

Pas bisedimeve midis ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe homologut të tij izraelit, Yariv Levin mbërrin charteri i parë me turistë nga Izraeli.

Avioni i parë u ul në tokën shqiptare në orën 6.30 të mëngjesit të sotëm. Në dalje të aeroportit, për të pritur rreth 100 turistët e parë, ishte edhe ministri Klosi.

Të surprizuar, turistët, ndalën në infopoint Smile Albania. Me urimin e mirëseardhjes, ministri Klosi përshëndeti shumë prej turistëve të kënaqur nga mikpritja e parë.

Pas charterit të parë të drejtpërdrejtë nga Izraeli, javën e ardhshme do të vijë edhe charteri i parë nga kompania Israir, duke çuar në 4 numrin e charterave në javë. Ministri Klosi tha se kompania Albawings nuk është e vetmja që do të sjellë chartera nga Izraeli.

“Po ashtu kompania IsraAir fillon fluturimet javën tjetër duke e cuar në 4 numrin e charterave që vijnë drejtpërsëdrejti nga Izraeli në Rinas dhe po ashtu gjatë gjithë sezonit turistik pritet që të vijnë rreth 300 chartera të cilët do të sjellin turistë jo vetëm nga Izraeli, Skandinavia, Polonia, Çekia, Lituania por edhe nga Anglia, Gjermania dhe priten edhe surpriza të reja të cilat ne do t’i shpalosim ditë pas dite gjatë sezonit turistik”, tha ministri.

Pranë pikës “Smile Albania” turistëve u jepet informacion dhe buzëqeshje duke shënuar kështu edhe inaugurimin e së parës pikë informacioni në një nga pikat hyrëse të Shqipërisë, aeroporti i Rinasit.

Ministri Klosi theksoi se kjo pike, por edhe të tjerat që do të ngrihen në pikat hyrëse do të mirëpresin gjatë gjithë sezonit turistët që do të vijnë në vendin tonë.

“Do të kenë mikpritjen e 1 mijë të rinjve të cilët do t’i informojnë përsa i përket të gjitha pikave turistike të vendit tonë, mundësive që ata kanë për të vizituar Shqipërinë përtej sezonit të plazhit”, tha ministri Klosi./ ata

101 vite nga vdekja e Dom Nikollë Kaçorrit

Sot janë mbushur 101 vite që nga vdekja e patriotit shqiptar dhe figurës së shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Dom Nikollë Kaçorri.

Më 29 maj 1917, vdiq Dom Nikollë Kaçorri, një patriot i vërtetë dhe figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, i cili shërbeu si Zëvendës Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, pas pavarësisë./ KultPlus.com
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10156178574730631&set=gm.1715883038487462&type=3&theater&ifg=1

Para se të dashuroja…

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda.

Para se të dashuroja, e dashur,
Asgjë s’ishte e imja:
endesha rrugëve, midis sendeve
asgjë s’kishte vlerë, as emër nuk kishte:
vetëm ajër që priste ishte bota.
Unë pashë sallone në ngjyrë hiri,
galeri të banuara prej hënës,
hangare të pashpirt në ndarje,
pyetje që ngulnin këmbë në rërë.
Gjithçka ishte bosh, e vdekur, e heshtur,
rrëzuar, braktisur, lëshuar;
gjithçka ishte e huaj, tjetërsim,
e të tjerëve ishte dhe e askujt, –
gjersa bukuria jote dhe varfëria
e mbushën vjeshtën me dhurata.

Filmi gjerman “Back for Good” sonte me premierë, pjesë e kastës edhe aktori shqiptar

“Back for Good”, është filmi i zhanrit tragjiko-komik, që është realizuar nga regjisorja Mia Spengler, ndërsa në kastën e aktorëve të këtij filmi gjerman është edhe aktori shqiptar Ilir Rexhepi, shkruan KultPlus.

Në këtë film që luajnë aktorë të njohur të kinematografisë gjermane si: Kim Riedle, Juliane Köhler, Leonie Wesselow, Nicki von Tempelhoff, Robert Gallinowski, Emma Drogunova, aktori shqiptar Rexhepi, do të sjellë personazhin e një menaxheri të sigurimit.

“Back for Good”, do ta ketë premierën sonte në Stuttgart ndërsa nga data 31 maj do të shfaqet në rrjetin e kinemave gjermane, njofton agjencia e lajmeve gjermane “DPA”.

Xhirimet e këtij filmi kishin përfunduar në vitin 2016 ndërkaq ngjarja zhvillohet me protagonisten Angin, një yll të famshëm televiziv e cila për ta vazhduar karrierën e saj vendos të tërhiqet nga përdorimi i drogës. Ajo nuk ka tashmë menaxher, as shoqëri dhe as banesë, prandaj vendosë që për rehabilitim të kthehet në fshatin e saj të lindjes, ku atje jetojnë nëna dhe motra e saj…

Filmi është shfaqur edhe në Berlinale 2017-të, ndërsa ishte i nominuar edhe për filmin më të mirë gjerman 2018-të./ KultPlus.com

Nga Norvegjia në Divjakë si turistë të natyrës

Parkun Kombëtar të Divjakës e vizituan këtë fundjavë 50 turistë norvegjez, që së bashku me informacionin e marrë rreth këtij parku, bënë të mundur ta vizitonin nga afër dhe të linin përshtypjet e tyre nga më mbresëlënëse.

Në Shtëpinë e Pritjes, në hyrje të parkut, norvegjezët u pritën nga Drejtori Ardian Koçi dhe stafi teknik.

Pasi u njohën me historikun e parkut, florën dhe faunën e tij të rrallë, me të dhëna të tjera turistike, ata u shoqëruan nga guidatorët e parkut në vendet më të kërkuara të tij siç janë Ishulli i Pelikanit, godullat e shpendëve ujorë dhe vija bregdetare e pishave.

Së bashku me turistët norvegjezë, ishin vizitorë edhe 110 studentë të histori-gjeografisë të Universitetit të Elbasanit dhe 60 studentë nga Universiteti i Shkodrës.

Tashmë Parku i Divjakës është kthyer në një atraksion turistik të vizitueshëm në çdo ditë të vitit./ ata