Vdiq stilistja pioniere e modës, Vivienne Westwood

Dizajnerja britanike e modës Dame Vivienne Westwood ka vdekur në moshën 81-vjeçare, transmeton KultPlus.

Në një deklaratë në Twitter, shtëpia e saj e modës tha se ajo vdiq “në mënyrë paqësore dhe e rrethuar” nga familja e saj në Clapham, në jug të Londrës.

Westwood bëri emër me stilet e saj të diskutueshme punk dhe new wave në vitet 1970 dhe vazhdoi të vishte disa nga emrat më të mëdhenj të modës.

Bashkëshorti i saj dhe partneri krijues Andreas Kronthaler tha: “Do të vazhdoj me Vivienne në zemrën time. Ne kemi punuar deri në fund dhe ajo më ka dhënë shumë gjëra për të vazhduar”.

Muzeu Victoria dhe Albert, i cili strehon disa nga veprat e saj, e përshkroi Westwood si një “forcë të vërtetë revolucionare dhe rebele në modë”.

Modelet e mëvonshme të Westwood janë veshur shpesh nga fytyrat e famshme. Ato përfshinin modelen Dita Von Teese e cila u vesh me fustanin e saj ngjyrë vjollce për t’u martuar me këngëtaren Marilyn Manson dhe Princeshën Eugenie e cila kishte veshur tre dizajne Westwood për martesën e Princit William dhe Catherine. /KultPlus.com

TasteAtlas e rendit Mrizi Zanave si një nga restorantet më të mira në botë

TasteAtlas është një udhëzues udhëtimi me përvojë për ushqimin tradicional që mbledh receta autentike, komente të kritikëve të ushqimit dhe artikuj kërkimor rreth përbërësve dhe pjatave të njohura, transmeton KultPlus.

Ata e kanë renditur restaurantin shqiptar, Mrizin e Zanave, si një prej më të mirëve në botë.

TasteAtlas kryen një anketë të gjerë të njohësve të ushqimit vendas për restorantet më të mira.

Restorantet më të mira vendase në botë sipas TasteAtlas duhet të plotësojnë disa kritere: duhet të ofrojnë specialitete tradicionale rajonale, të rekomandohen nga audienca vendase, nga ekspertët ose guidat përkatëse dhe nga audienca e përgjithshme.

Vetëm restorantet më të mira dhe më të besueshme lokale mbajnë shenjën e tre mbulesave të tavolinës TasteAtlas, e këtë gjë e ka bërë pikërisht Mrizi i Zanave.

Për të shijuar edhe më shumë traditën shqiptare të ushqimeve, Mrizi i Zanave është pikërisht vendi i duhur për ta bërë këtë gjë. Ky i fundit gjendet në Lezhë, konkretisht 30 km larg nga Kalaja e Rozafës në Shkodër.

Ata ofrojnë akomodim me kopsht, parkim privat falas dhe restorant unik. /KultPlus.com

Mos ma kujto

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto
për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!

Për shembull, më pe në rruge të pire, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

Për shembull, pësova diku një disfate, mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shembull, me pe duke ngrënë e genjyer, mos ma kujto,
Të prishur, të shturur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shembull, në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto,
I turpshëm i drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto! /KultPlus.com

Jeronim De Rada dhe problemi pellazgjik

De Rada lindi ne vitin 1814.

Në vitin 1848 De Rada boton gazetën “L’Albanesi d’Italia”, e cila konsiderohet e para gazetë shqiptare,… Vepra e tij e parë, që i dha famë është poema liriko-epike “Këngët e Milosaos” (1836),… Vepra e dytë e De Radës është Kënga e Serafina Thopisë, princesës së Zadrimës në gjysmën e dytë të shekullit 15,… Në gjuhën italiane ka botuar tragjedinë “Humidi”,… Në vitin 1883 De Rada botoi në shqip revistën “Flamuri i Arbërit”,… Me rëndësi të madhe është edhe vepra e De Radës “Skënderbeu i pafat”,… De Rada ndërtoi të parën gramatikë të gjuhës shqipe dhe u përpoq për të futur në përdorim alfabetin pellazgo/etrusk në gjuhën shqipe, e cila në atë kohë shkruhej me shkronjat te ndryshme arabe etj….

De Rada gjatë gjithë jetës së tij ka punuar nën botëkuptimin e tij të thellë për lidhjen e shqiptarëve me pellazgët, popullin më të vjetër të identifikuar në Europë… De Rada ka mbrojtur me prova të plota faktin, se gjuha shqipe rrjedh nga gjuha e lashtë pellazge dhe shqiptarët janë pasardhës të tyre… De Rada që në rininë e tij ka pasur miqësi dhe marrëdhënie mjaft të ngushta me dijetarin tjetër të madh arbëresh Zef Krispin… Nga idetë revolucionare të Krispit mbi prejardhjen pellazgjike të gjuhës shqipe, i riu De Rada u përfshi shpejt dhe u bë një përkrahës i zjarrtë mbi lashtësinë pellazge të gjuhës shqipe… De Rada në vitin 1840 botoi të parën vepër të tij mbi këtë problem të madh gjuhësor dhe historik nën emërtimin “Divinazioni Pelasghe” (Hyjnitë Pellazge)… Më 1844 De Rada botoi veprën tjetër të tij në këtë fushë “Identita degli Albanesi con i Pelasghi” (Identiteti i shqiptarëve me pellazgët)… Në vitin 1864 De Rada e zgjeroi më tej këtë tematikë me njohuri më të thella në librin mm“Antichita della Nazione Albanese” (Lashtësia e Kombit Shqiptar)… Një studim mjaft i rëndësishëm i De Radës është edhe studimi “Pelasghi ed Elleni” (Pellazgët dhe helenët), që doli në vitin 1885… De Rada është studiuesi i parë, që ka mbështetur mendimin se të gjitha perënditë e lashta kanë prejardhje pellazge… Megjithë se pellazgët kanë qenë aspekt mjaft i rëndësishëm i veprimtarisë së De Radës, me të cilët ai ka lidhur shqiptarët dhe gjuhën shqipe, nga studiuesit e ndryshëm, që merren me veprimtarinë e këtij njeriu të madh, qëllimisht ose nga padija, ky aspekt mjaft i rëndësishëm është lënë në harresë…. Në mënyrë anti shkencore është hequr nga jetëshkrimi i dijetarit të madh arbëresh, e gjithë veprimtaria shkencore, ku De Rada bën fjalë mbi pellazgët, gjuhën dhe hyjnitë e tyre dhe i lidh ata me gjuhën shqipe dhe shqiptarët me pellazgët….

Viti 2014 është dyqind vjetori i lindjes së Jeronin De Radës, njeri nga studiuesit më të mëdhenj të kulturës sonë të shekullit 19. De Rada paraqitet si mësues, poet, publicist e studiues i famshëm arbëresh dhe njëra prej figurave më të shquara të letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare. De Rada në të gjithë qenien e tij na shfaqet sot një atdhetar i shquar, studiues mjaft i thellë dhe përkrahës i zjarrtë i luftës për liri të popullit shqiptar. Ai përkrahu me gjithë forcën e vet Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878 – 1881) dhe kundërshtoi me forcë vendimet e Kongresit të Berlinit, për copëtimin e trojeve shqiptare, sepse ka qenë i lidhur ngushtë me fatet e popullit të vet dhe një luftëtarë i paepur për lirinë e tij.

De Rada lindi në vitin 1840 në Macia Albanese, krahina e Kozencës në Kalabri (Itali) në familjen e një prifti katolik. Arsimin e filloi në vendlindje dhe më pas ndoqi Universitetin e Napolit për drejtësi, duke ndjekur këshillat e të jatit. Megjithë këtë drejtimi i tij në jetë ka qenë gjuha dhe letërsia shqipe. Ai vdiq në vitin 1903.

Shpejt De Rada u bë mbledhës i folklorit shqiptar midis krahinarëve të tij, që i dhanë vrullin e parë në drejtimin e gjuhës shqipe. Në vitin 1848 De Rada boton gazetën “L’Albanesi d’Italia”, e cila konsiderohet e para gazetë shqiptare, që shërbeu për përhapjen e kulturës ndër shqiptarët e Italisë.

Veprimtaria e De Radës mund të ndahet në dy drejtime kryesore:

1- drejtimi artistik i punës së tij e rendit De Radën midis poetëve dhe publicistëve më të shquar arbëresh. Vepra e tij e parë, që i dha famë është poema liriko-epike “Këngët e Milosaos” (1836), përmbledhje e poezisë shqipe të shekullit 15, birit të sundimtarit të Shkodrës. Kjo vepër letrare është vlerësuar shumë lart, të cilën shkrimtari i famshëm francez i kohës Viktor Hygo e ka quajtur “vepër e përkryer romantike”. Pasi u prek nga sëmundja e rëndë e kolerës, që kaloi në këtë kohë, i la studimet dhe u kthye në vendlindje, por shpejt e mori veten.

Vepra e dytë e De Radës është Kënga e Serafina Thopisë, princesës së Zadrimës në gjysmën e dytë të shekullit 15, botuar në Napoli në vitin 1843. Në gjuhën italiane ka botuar tragjedinë “Humidi”, që u pasua më pas nga vepra të tjera letrare. Në vitin 1883 De Rada botoi në shqip revistën “Flamuri i Arbërit”, e cila u përhap në të gjitha trevat shqip folës në Itali dhe Ballkan dhe luajti rol të madh në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare.

Me rëndësi të madhe është edhe vepra e De Radës “Skënderbeu i pafat”, për të cilën harxhoi shumë kohë dhe mundë, ku përshkruan heroin kombëtar Gjergj Kastriotin, Iskanderbeun dhe bëmat e tij në betejat me turqit.

2 – Drejtimi shkencor është fushë tjetër e rëndësishme e veprimtarisë së De Radës, që e bëjnë atë mendimtar dhe historian të madh të gjuhës shqipe. De Rada ndërtoi të parën gramatikë të gjuhës shqipe dhe u përpoq për të futur në përdorim alfabetin pellazgo/etrusk në gjuhën shqipe, e cila në atë kohë shkruhej me shkronjat greke, arabe etj. Abecedari ose alfabeti pellazgo / etrusk është më i lashti në botë dhe e ka zanafillën qysh nga qytetërimi Vinkë-Turdos, i mijëvjeçarit të 6 p.e.s., kur shfaqet për herë të parë. Ashtu si i gjithë qytetërimi romak lindi dhe u zhvillua nga qytetërimi më i lashtë etrusk edhe abecedari pellazgo/etrusk është përdor nga latinët për të shkruajtur gjuhën e tyre, por që gabimisht u quajt alfabeti latin. Në të njëjtën mënyrë ky abecedar është huazuar edhe nga grekët dhe ai që quhet alfabeti cirilik nuk është gjë tjetër vetëm se kopje e abecedarit pellazgo/etrusk. Bashkë me gjuhën latine abecedari pellazgo/etrusk u përhap në të gjithë botën perëndimore dhe përdoret edhe sot.

De Rada gjatë gjithë jetës së tij ka punuar nën botëkuptimin e tij të thellë për lidhjen e shqiptarëve me pellazgët, popullin më të vjetër të identifikuar në histori. Nën këtë botëkuptim shumë të qartë De Rada ka mbrojtur me prova të plota faktin, se gjuha shqipe rrjedh nga gjuha e lashtë pellazge dhe shqiptarët janë pasardhës të tyre. Ky është boshti filozofik i trashëgimisë kulturore që ka lënë De Rada, nga e cila duhet të mësojmë të gjithë.

De Rada që në rininë e tij ka pasur miqësi dhe marrëdhënie mjaft të ngushta me dijetarin tjetër të madh arbëresh Zef Krispin. Zef Krispi ka qenë profesor në Universitetin e Palermos, ku ligjëronte mbi gjuhën shqipe, latine dhe greke. Në vijim të studimit të Iliasit te Omerit dhe të veprave të tjera antike, Krispi në “Ilias”, që përbën veprën e parë letrare te letersise perendimore, zbuloi shumë fjalë dhe shprehje, që gjenin kuptimin në gjuhë shqipe. Në librin e tij të famshëm “Shqipja-nëna e gjuhëve” (Palermo, 1831), Krispi jep shumë fjalë shqipe të ndeshura në Iliasin e 0merit. Kështu Krispi hapi një dritare të re në botën shkencore botërore lidhur me Iliasin, që më pas do të thellohej nga studiues të tjerë, që vepra e parë e letërsisë perendimore “Iliasi” është shkruar fillimisht në gjuhën e lashtë pellazge/shqipe dhe në fakt përbën veprën e parë të letërsisë shqipe.

Krispi i pari ka shquar dhe ka nxjerrë nga Iliasi I Omerit dhe shkrimet e autorëve te tjere antikë shumë fjalë pellazge dhe ndërtoi fjalorin e parë pellazgjisht-shqip. Disa prej këtyre fjalëve janë.ImageFOTO GALERI

Nga idetë revolucionare të Krispi’t mbi prejardhjen pellazgjike të gjuhës shqipe, i riu De Rada u përfshi shpejt dhe u bë një përkrahës i zjarrtë mbi lashtësinë pellazge të gjuhës shqipe.

A nuk duhet, që këto fjalë të bekuara të gjuhës shqipe, të zbuluara në Ilias, ti vlerësojmë lart dhe ti kemi në themel të gjuhës sonë?

Pse gjuhtarët shqiptarë këto nuk i vlerësojnë?

Duke u marrë disa dekada me problemin pellazgjik, jemi mahnitur me këto ide të reja në shkencë të këtyre studiuesve arbëresh, të mbështetura në njohuri të thella shkencore. Këto njohuri të reja të kohës u përqafuan shpejt nga dijetarë të tjerë europianë si Von Han, J. Pokorny, Kreçmer etj., si dhe rilindësit tanë të shquar Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Vaso Pasha etj.

Në këtë rrugë të re studimore De Rada në vitin 1840 botoi të parën vepër të tij mbi këtë problem të madh gjuhësor dhe historik nën emërtimin “Divinazioni Pelasghe” (Hyjnitë Pellazge). Autori të gjitha hyjnitë e lashtësisë, me në krye Zeusin Pellazg dhe që përmenden si perëndi greko-romake, i quan perëndi pellazge. Më 1844 De Rada botoi veprën tjetër të tij në këtë fushë “Identita degli Albanesi con i Pelasghi” (Identiteti i shqiptarëve me pellazgët).

Në vitin 1864 De Rada e zgjeroi më tej këtë tematikë me njohuri më të thella në librin “Antichita della Nazione Albanese” (Lashtësia e Kombit Shqiptar). Në këtë vepër të re De Rada lashtësinë e popullit shqiptar e lidhe ngushtë me pellazgët e lashtë, banorët më të hershëm të identifikuar në histori.

Një studim mjaft i rëndësishëm i De Radës është edhe studimi “Pelasghi ed Elleni” (Pellazgët dhe helenët), që doli në vitin 1885. Në këtë studim De Rada vuri në dukje se të gjithë emrat e perëndive greko-latine shpjegohen vetëm me gjuhën shqipe. Kjo, sipas autorit, ka një domethënie të madhe, sepse të gjitha këto perëndi së pari janë perëndi të popullit pellazg, që është para grek dhe para latin, por që më pas u huazuan nga popullsitë më të reja greke dhe latine dhe u tjetërsuan si perëndi të tyre.

De Rada është studiuesi i parë, që ka mbështetur mendimin se të gjitha perënditë e lashta kanë prejardhje pellazge. Gjatë shekullit të kaluar dhe sot shumica e studiuesve e kanë pranuar këtë fakt, por ende ka falsifikatorë, që perënditë pellazge ja atribuojnë grekëve apo latinëve.

Pellazgët janë populli më i lashtë, që është identifikuar në histori, qysh gjatë gurvonit (neolit) në kulturën pellazge në Vinkë-Turdas-Dispilio, gjatë mijëvjeçarit të 6 p.e.s. Pellazgët janë të parët që përdorën gurin dhe baltën, prodhuan poçerinë e tyre të famshme, ata të parët filluan përdorimin e arave dhe ngritjen e fermave, me të cilat fillon bujqësia. Rruga e ngritje së farmave, qe forma e re dhe më e përparuar, ku në arat e punuara mbillej fara e bimëve (nga fjala pellazge/shqipe FARA erdhi edhe emërtimi i organizimit të ri farma), në krahasim me formën e vjetruar mbledhës-gjuetarit, që kërkonte më shumë forca dhe kohë. Pellazgët të parët bënë tjerrjen e fijes dhe endjen e pëlhurës me vegjët e ndërtuar prej tyre, keshtu u shpik rrota e pare ne histori, përpunuan të parët lëkurën dhe qumështin, prodhuan verën. Ata përmenden se kanë shfrytëzuar të parët mineralin nga MINE (minierat) dhe shkrirjen e metalit-bakrin, më pas arin dhe argjendin, me të cilët bënë jo vetëm armë dhe vegla pune, por edhe zbukurime për gratë e tyre të bukura. Me anijet e tyre Direme dhe Trireme (me dy dhe tri radhë rremash) pellazgët zotëruan detin, prandaj quhen shpesh edhe “Njerëz të Detit”.

Shpikja e shkrimit është një arritja me e madhe e këtyre njerzve të talentuar, me të cilin shkruan gjuhën e tyre: fjalët e para të shkruara në botë janë “UIJ” dhe “DOR”, dy fjalë të zakonshme të gjuhës pellazge/shqipe, ndeshur në enët prej balte në Vinkë dhe Turdas. Prandaj këta njerëz nga Omeri dhe pasues të tij janë quajtur “Pellazgë Hyjnorë”, si njerëz të ardhë nga qielli, të dërguar nga zoti-Zeusi. Me këto dije të mëdha dhe guximin e pa parë, pellazgët pushtuan të gjitha kontinentet e botës dhe i emërtuan sipas gjuhës së tyre.

Megjithë se pellazgët kanë qenë aspekt mjaft i rëndësishëm i veprimtarisë së De Radës, me të cilët ai ka lidhur shqiptarët dhe gjuhën shqipe, nga studiuesit e ndryshëm, që merren me veprimtarinë e këtij njeriu të madh, qëllimisht ose nga padija, ky aspekt mjaft i rëndësishëm është lënë në harresë. Duke mos vlerësuar veprimtarinë shkencore të De Radës mbi prejardhjen e gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve nga pellazgët dhe të hyjnive pellazge të botë së lashtë, këta autorë e ulin shumë vlerën e veprës së De Radës dhe rolin e saj në botën e dijes. Përgjegjësia kryesore për këtë cungim të veprës së dijetarit të madh De Rada bie mbi studiuesit arbëresh, që në mënyrë antishkencore e kanë cunguar veprën e tij dhe padrejtësisht me këtë veprim i kanë zvogëluar shumë meritat e këtij dijetari të madh. De Rada nuk mund të quhet dijetar i madh, siç është në fakt, po ti heqësh këtë veprimtari, që përbën thelbin e veprës së tij.

Francesko Altimari, profesor dhe shef i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, ka shkruar emërtimin “De Rada” në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (vëll. 1, 2008, f. 421-422, bashkë me K. Kodrën dhe J. Kastratin). Në mënyrë anti shkencore është hequr nga jetëshkrimi i dijetarit të madh arbëresh, e gjithë veprimtaria shkencore, ku De Rada bën fjalë mbi pellazgët, gjuhën dhe hyjnitë e tyre dhe i lidh ata me gjuhën shqipe dhe shqiptarët me pellazgët. Altimari kështu i ofron një të pavërtetë publikut mbi përmbajtjen e veprës së De Radës, duke zvogëluar shumë rolin e këtij dijetari të famshëm në fushën e dijes. Nga ana tjetër me këtë akrobaci antishkencore gjuhës shqipe i hiqet privilegji i natyrshëm i gjuhës më të vjetër midis gjuhëve të lashta europiane dhe origjinën e saj natyrale pellazgjike. Kjo i sjell dëm të madh gjuhës shqipe dhe historisë së popullit shqiptar.

Në të njëjtën rrugë jo shkencore vazhdon edhe akademiku shqiptar Kolec Topalli. Në shkrimin e tij “De Rada dhe historia e gjuhës shqipe” (gazeta Telegraf, dt. 10 nëntor 2014) e përmend De Radën si shkrimtar të madh “me kontribut të çmuar edhe në historinë e shqipes”, por ka hequr nga vepra e tij thelbin pellazgjik me marifetin antishkencor. Duke vepruar në këtë rrugë antishkencore edhe në këtë rast De Radës i është hequr thelbi historik i veprës së tij.

Në se të dy profesorët i quajnë të papranueshme tezat pellazgjike në veprën e De Radës, rregullisht duhet të shpreheshin dhe ta kritikonin këtë pjesë të veprës, por rruga e ndjekur nga ata, duke mos e përmendur këtë anë të rëndësishme në veprën e De Radës, përbën shkelje të disiplinës shkencore dhe sjellje të padenjë me veprimtarinë e këtij dijetari të madh arbëresh.

Përgjegjësi mban edhe Akademia Shqiptare e Shkencave, që ka lejuar të botohet në FESh jetëshkrimi i cunguar i De Radës, gjë që duhet rregulluar në ribotimet e kësaj enciklopedie.

Këta lloj vlerësimesh të një anshme të veprës së De Radës vijnë nga mungesa e shikimit profesional të problemit dhe mos njohja e shkoqitjeve të shumta të bëra nga Z. Krispi, J. Han, I. Thomopollo, Z. Majani, N. Vlora, A. Kola, Dh. Pilika dhe shumë autorë të tjerë të shekullit të kaluar dhe bashkëkohorë për historinë e gjuhës shqipe dhe të lidhjes së saj me pellazgët.

Është e çuditshme ndër ne shqiptarët: ata që duhet ta mbrojnë dhe zhvillojnë me shumë fanatizëm gjuhën shqipe, bëjnë të kundërtën: e luftojnë atë me mjete jashtë shkencore, që ajo të mos njihet nga shkenca botërore si gjuha e parë në botë. Vetë asnjë herë nuk e studiuan origjinën e gjuhës shqipe, nuk treguan zotësi as me ilirët ta lidhin atë me provat e duhura, pa le pastaj me pellazgët. Provat që paraqesin studiuesit e tjerë ata as nuk i pranojnë, por as nuk i kundërshtojnë, por në heshtje sabotojnë futjen e të rejave të shkencës në dobi të gjuhës shqipe dhe historisë së popullit shqiptar. Në vendet e tjera këta “lloj studiuesish” do ti kishin larguar prej kohësh nga qendrat studimore, si të mefshtë dhe pa brumë. Shkenca ka rregullat e veta, të cilat secili detyrohet ti zbatojë: një mendim ose tezë e paraqitur ose pranohet ose kundërshtohet dhe hidhet poshtë me prova bindëse. Rrugë të mesme nuk njeh shkenca.ImageFOTO GALERI

Lista e veprave të Jeornim De Radës, mungojnë titujt e librave për pellazgët!

Ata në një kohë, që janë studiues profesionistë të gjuhës shqipe, me veprimin e tyre antishkencor i kanë sjellë dëm të madh gjuhës sonë dhe historisë së popullit shqiptar: gjuhës shqipe i është hequr, me qëllim të keq ose nga padija, rrënja e saj natyrale pellazgjike dhe popullit shqiptar i janë mohuar padrejtësisht stërgjyshat e tij, pellazgët. Me prova bindëse këto janë sprovuar nga mjaft dijetarë dhe mohimi i tyre në rrugën antishkencore, përbën krim të dyfishtë ndaj gjuhës sonë të bekuar.

Se ku e marrin të drejtën të veprojnë në mënyrë antishkencore me veprën e De Radës këta studiues unë nuk e di, por mendoj se problemi duhet të diskutohet thellë në qendrat përkatëse shkencore, ku ata bëjnë pjesë, për tu prerë rrugën abuzimeve të tjera. Le të shpresojmë, që institucionet do të kryejnë detyrën tyre para popullit, që i paguan dhe shkencës, nga e cila kanë marrë gradat dhe titujt e lartë.

Studiuesit e mbledhur këto ditë në Tiranë në Simpoziumin e tretë Ndërkombëtarë: “10 mijë vjet histori: nga Pellazgët tek Shqiptarët”, organizuar për nder të albanologëve të shquar Zef Krispi dhe Spiro Konda, sollën mbështetje të plotë të përkufizimit që: gjuha shqipe është vazhdimi i gjuhës pellazge dhe nga kjo shqiptarët janë të vetmit pasardhës të pellazgëve të lashtë.

Ka qenë ngritur një bust i De Radës në Tiranë, pranë sheshit të sotëm Uillson, në mes të një lulishte të bukur, por nuk është më. Në lulishte u ngrit një pallat i madh. I propozojmë Qendrës Albanologjike të ndërmarrë hapat e duhura për ti ngritur albanologëve të shquar Zef Krispi, Spiro Konda dhe De Radës përmendore, në sheshet e qyteteve të Tiranës dhe Korçës. /LUFTULLA PEZA/KultPlus.com

208 vite nga lindja e rilindasit, Jeronim De Radës

Jeronim De Rada, një ndër figurat më të ndritura të botës arbëreshe, themeluesi i Rilindjes Shqiptare Kombëtare, mësues, botues, folklorist, filolog dhe poet i shquar lindi më 29 dhjetor të vitit 1814 në Kozenca të Italisë, shkruan KultPlus.

De Rada që herët iu përkushtuar çështjes shqiptare.  Aktivitetet e tij publicistike, letrare dhe politike, ishin thelbësore jo vetëm për  ndërgjegjësimin rreth minoritetit Arbëresh në Itali, por edhe për vendosjen e themeleve të një letërsie kombëtare shqiptare.

Veprat e tij, në të cilat mbizotëron dashuria e zjarrtë për prejardhjen e tij, janë një dëshmi e mbijetesës së identitetit shqiptar, i vënë përballë sfidave të shumta gjatë historisë. Në tetor të 1934-s, me dëshirë të babait të tij, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë së Napolit, por fokusi kryesor i tij mbeti mbledhja e materialeve folklorike dhe letërsia.

Pikërisht në Napoli, më 1836 nxori botimin e parë të poemës së tij më të njohur në shqip “Këngët e Milosaos”, me titullin Poezi shqiptare të shekullit XV. Vepra e tij e dytë, Këngë historike shqiptare të Serafina Topisë, grua e princit Nikollë Dukagjini, Napoli 1839 nuk u la të qarkullojë nga autoritetet burbone nën pretekstin se De Rada kishte lidhje me grupet komplotiste gjatë të ashtuquajturit ‘Risorgimento’ në Itali.

Në vitin e revolucioneve në Evropë, më 1848 De Rada themeloi gazetën “Shqiptari i Italisë” (L’Albanese d’Italia), ku u përfshinë artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, me karakter ‘politik, moral e letrar’ e me një tirazh prej 3200 kopjesh, ishte i pari periodik në gjuhën shqipe i botuar ndokund. Më 1883 themeloi revistën mujore dygjuhëshe “Fiamri Arbërit”.

Ky periodik, i botuar në fillim në Macchia e më pas në Kozencë, zgjati deri në nëntor të vitit 1887 dhe me gjithë censurën turke e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan. Më 1892 De Rada u riemërua mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër dhe më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro.

Kishte vdekur më 28 shkurt të vitit 1903./ KultPlus.com

Këngë dashurie

Rainer Maria Rilke

Si ta mbaj këtë shpirtin tim, që
të mos preket në tëndin? Si t’a
ngre tej teje në diçka më të mirë?
Ah sa dëshiroj t’a vë
diku të humbur n’errësirë,
në një vënd të qetë, të huaj nga
s’ndihen dridhje, kur dridhet e jotja thellësirë.
Dhe gjithçka na prek, afër e larg,
na merr së bashku si një hark,
që nga dy tela një tingull të vetëm nxjerr.
Në ç’instrument jemi tendosur vallë?
E ç’violinist na ka në dorë te gjallë?
O këngë e ndjerë. /KultPlus.com

Legjenda e futbollit brazilian, Pele, ka vdekur në moshën 82-vjeçare

Legjenda e futbollit brazilian Pele ka vdekur pas një beteje të gjatë me kancerin, përcjell KultPlus.

Vajza e tij Kely Nascimento postoi një foto në Instagram si një homazh për babain e saj, shoqëruar me një foto të anëtarëve të familjes që e mbanin për dore teksa ai pushonte në një shtrat spitali. “Gjithçka që ne jemi është falë jush,” shkroi Nascimento. “Të duam pafundësisht. Pusho në paqe”, përfundoi ajo.

Pele ishte shtruar në spital që nga nëntori me sëmundje të shumta.

Pele, i parë nga shumë si futbollisti më i talentuar që ka luajtur ndonjëherë këtë lojë, udhëhoqi Brazilin drejt një treshe të titujve të Kupës së Botës në 1958, 1962 dhe 1970.

Ai mbetet golashënuesi kryesor i Brazilit, me 77 gola në 92 ndeshje. /KultPlus.com

Cila është origjina e muzikës?

Instrumenti më i vjetër muzikor në botë është një flaut 60.000-vjeçar, i bërë nga një Neandertal nga kocka e këmbës së majtë të një ariu të ri që jetontenë shpella. Si Neandertalët, ashtu edhe arinjtë e shpellave janë zhdukur prej kohësh, por muzika, me të gjitha konceptet dhe estetikën e saj themelore, jeton ende me speciet tona.

Ndërsa muzika ka sot një rëndësi të madhe, origjina e saj është ende e pa kuptuar, duke qenë një objekt debati midis studiuesve. Gjithsesi ekzistojnë disa ide se si dhe pse u shfaq muzika. Një teori e pranuar gjerësisht, është se muzika mund të ketë evoluar si një formë e shprehjes emocionale apo komunikimit. 

Sipas kësaj teorie, muzika mund ta ketë origjinën si një mënyrë që njerëzit e hershëm  e përdornin për të shprehur ndjenjat dhe emocionet e tyre, si gëzimi, trishtimi ose ankthi. 

Me kalimin e kohës, muzika mund të ketë evoluar për t’u bërë një formë më e sofistikuar e komunikimit, duke i lejuar njerëzit të ndajnë ide dhe emocione komplekse përmes zërit.

Ky koncept mbështetet edhe nga një studim i ri. Studiuesit në Universitetin e Oregonit, SHBA, zbuluan se subjektet që ishin më të aftët në interpretimin e gjendjeve emocionale të njerëzve të tjerë, ishin po aq të aftë në vlerësimin e emocioneve të përcjella nga këngë të ndryshme.

Zakari Uollmark, muzikolog dhe shkencëtar i aftësive njohëse në Universitetin e Oregonit, u tërhoq shumë nga teoria se si muzika dhe empatia, i shërbejnë në thelb të njëjtit rol, duke lehtësuar lidhjen shoqërore përmes një mjeti të shprehjes emocionale. 

Por në vend se t’i pyesnin njerëzit se sa empatikë ishin, Uollmark dhe kolegët e tij kryen një studim të ri në të cilin u treguan pjesëmarrësve video të njerëzve që flisnin për një episod të ngarkuar emocionalisht në jetën e tyre. Po ashtu, ata dëgjuan muzikë në piano që ishte krijuar posaçërisht për të përcjellë një histori të caktuar emocionale.

Më pas, interpretimet e pjesëmarrësve u krahasuan drejtpërdrejt me reagimet e njerëzve të incizuar dhe të vetë muzikantëve. Ata që mund të identifikonin më mirë emocionet e njerëzve të tjerë, ose që mund të identifikonin pjesëmarrësit më empatikë, ishin po aq të saktë në vlerësimin e emocioneve të përcjella nga muzika.

“Nëse muzika evoluon për të na ndihmuar të lundrojmë në mjedisin tonë shoqëror, dhe muzika është para së gjithash një sjellje sociale, atëherë do të prisnim që të kishte një lloj procesi nervor të përbashkët në themel të të dyjave”- thotë Uollmark, që tani është duke punuar me një studim të ri. 

Përmes hulumtimit të sponsorizuar nga “Grammy Foundation”, ekipi i tij do të skanojë trurin e njerëzve për të parë të njëjtat qarqe nervore që aktivizohen nga empatia dhe muzika.

Në përgjithësi, origjina e muzikës është komplekse dhe e vështirë për t’u përcaktuar me ndonjë siguri tëmadhe. Por e qartë është se muzika ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë njerëzore, dhe vazhdon të jetë një forcë e fuqishme në formësimin e kulturës dhe shoqërisë njerëzore deri më sot./ KultPlus.com

10 njerëzit më të kërkuar në Google gjatë vitit 2022

Raporti ” 2022 Year in Search — Themes and Insights ” bazohet në kërkimet që u rritën gjatë një periudhe të qëndrueshme kohore këtë vit.

Johnny Depp

Në krye të klasifikimit është aktori Johnny Depp, i cili në dhjetor zgjidhi paditë e tij për shpifje kundër Amber Heard pas një gjyqi të profilit të lartë në fillim të këtij viti, në të cilin ish-çifti akuzuan njëri-tjetrin për abuzim fizik dhe verbal.

Will Smith

Will Smith bëri bujë këtë vit, jo për aktrimin e tij, por për shuplakën ndaj prezantuesit të Oscars, Chris Rock , pasi komediani bëri shaka me gruan e aktorit, Jada Pinkett Smith.

Incidenti gjithashtu u rendit në vendin e nëntë në kategorinë kryesore të ‘lajmeve’ më trend. Pasojat rezultuan që Smith të ndalohej nga Oscars për 10 vitet e ardhshme.

Amber Heard

Pas gjyqit me aktorin Johnny Depp Heard tha se vendimi për t’u zgjidhur ishte i vështirë: “Unë kurrë nuk e zgjodha këtë,” shkroi ajo në Instagram.

“Kam mbrojtur të vërtetën time dhe duke vepruar kështu, jeta ime, siç e dija, u shkatërrua. Fyerja me të cilën jam përballur në mediat sociale është një version i përforcuar i mënyrave në të cilat gratë riviktimizohen kur dalin përpara.”

Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin u rendit si personi i katërt më i kërkuar në Google, duke reflektuar se si lufta në Ukrainë ka dominuar titujt kryesorë. Globalisht, ‘Ukraina’ ishte lajmi i vetëm më i kërkuar dhe termi i tretë më i popullarizuar i kërkimit.

Chris Rock

Pas përballjes Smith vs Rock , prezantuesi i Oscars Chris Rock është në vendin e pestë në listën e njerëzve më të kërkuar në Google këtë vit në mbarë botën. Ai gjithashtu zuri vendin e katërt si aktori më i kërkuar, ndërsa Jada Pinkett Smith zuri vendin e pestë.

Novak Gjokoviç

Gjokoviç zë vendin e gjashtë, së bashku me të qenit atleti më i kërkuar në Google.

35-vjeçari serb u ndalua të garonte në Australian Open dhe US Open për shkak të mosvaksinimit, por megjithatë fitoi titullin e tij të shtatë të Wimbledon dhe finalet e ATP.

Anna Sorokin (Delvey)

Mashtruesja gjermane me origjinë ruse, Anna Delvey – ose Anna Sorokin – zë vendin e shtatë pasi Netflix i ktheu bëmat e saj në serialin popullor ” Inventing Anna “, i cili u nominua për tre çmime Emmy.

Anna pozoi si një trashëgimtare e pasur dhe u përpoq të mashtronte hotelet, bankat dhe të njohurit në New York City midis viteve 2013 dhe 2017.

Andrew Tate

Interesi për influencuesin dhe kikboksierin britaniko-amerikan Andrew Tate u rrit në gusht kur ai u ndalua nga Instagram, Facebook, TikTok dhe YouTube për shkelje të udhëzimeve të komunitetit të secilës platformë. Vetë-përshkruar “trajneri i suksesit” është kritikuar në internet për atë që shumë e shohin si këshilla mizogjene dhe maskulinitet toksik.

Rishi Sunak

Pas marrjes së postit si kryeministri i Mbretërinë e Bashkuar, pati një stuhi kërkimesh në Google për Rishi Sunak. Ai u bë kryeministri i parë jo i bardhë i Mbretërisë së Bashkuar.

Simon Leviev

Një tjetër mashtrues është në dhjetëshen e njerëzve më të kërkuar në Google në 2022.

Simon Leviev, i njohur më mirë si Mashtruesi i Netflix-it, Tinder, u bë viral në shkurt 2022. Mashtruesi izraelit i dënuar për vjedhje, falsifikim dhe mashtrim. Ai dyshohet se ka marrë rreth 10 milionë dollarë nga viktimat në të gjithë Evropën midis 2017 dhe 2019.

Filmi dokumentar zbuloi se si Leviev mashtroi shumë gra pasi i kishte takuar në aplikacionin e njohur të takimeve./Euronews.al/ KultPlus.com

Kanye West kryeson listën e antisemitizmit të Qendrës Wiesenthal

Retorika e vazhdueshme e reperit amerikan, Kanye West, e mbushur me urrejtje për hebrenjtë, e ka vendosur atë në krye të listës vjetore globale të antisemitizmit të Qendrës “Simon Wiesenthal”.

“West, i cili e quan veten Ye, nuk është vetëm në vendin e parë për përhapjen e deklaratave antisemite dhe teorive konspirative, por për përdorimin e platformës së tij të madhe të medias sociale për të nxitur urrejtjen, fanatizmin dhe injorancën”, deklaroi sot grupi i të drejtave të hebrenjve.

“West kontribuoi në urrejtjen ndaj hebrenjve duke u bërë pjesë e diskursit të zakonshëm në media sociale, tha Qendra “Simon Wiesenthal”.

Gjithashtu, në listën e incidenteve kryesore antisemitike në vitin 2022 janë renditur, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, të cilin Izraeli e akuzon për paragjykim të padrejtë; Autoriteti Palestinez dhe presidenti Mahmud Abbas; sulmet ndaj hebrenjve në SHBA, Britanine e Madhe, Gjermani; dhe platforma e mesazheve Telegram e cilësuar një “pusull” e urrejtjes./atsh/ KultPlus.com

Rona Nishliu sonte me koncert premierë në Mitrovicë

Më shumë se 40 vite kanë shkuar, por fryma JAZZ që i papërsëritshmi, Big Band i Mitrovicës solli për herë të parë në vendin tonë, jeton në kujtimet e pashlyeshme të ngulitura thellë në zemrat e dashamirëve të muzikës në mbarë Kosovën.

Si tribut për magjinë e netëve të paharruara kur Mitrovica ishte jo vetëm zëri por edhe tingulli i Kosovës së re që po lindte, tashmë do të mbahet koncerti premierë i kuruar dhe ideuar nga Rona Nishliu si homazh për traditën e vendlindjes, nën shoqërimin e orkestrit të saj të ri, New Big Band.

Rona Nishliu & New Big Band, me programin e aranzhuar nga profesionistët më të shquar nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, do t’i ngrohin zemrat tona me koncertin e fundit të këtij viti, duke kujtuar me mallëngjim traditën e pasur muzikore të qytetit tonë e duke festuar në frymën e shumë dekadave më parë.

Koncerti do të mbahet sonte me fillim në orën 20:00, në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë.

7Arte me këtë koncert, përmbyll edhe programin vjetor të “Green Fest-12”, i cili është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, si dhe DKRS-Komuna e Mitrovicës. /KultPlus.com


Tjetër protestë para ambasadës serbe në Tiranë: Stop duarve të lyera me gjakun e shqiptarëve

Prej disa ditësh, ashtu sikurse edhe sot, shoqëria civile dhe qytetarë të tjerë, kanë zgjedhur të protestojnë paqësisht përballë ambasadës së Serbisë në Tiranë në kuadër të tensioneve në veriun e Kosovës.

Protesta ka qenë paqësore dhe pjesëmarrësit kanë shfaqur pankarta me mesazhe mbështetëse për Kosovën, ndërsa kanë deklaruar ndër të tjera se “Serbia po nxit luftë” dhe se “Serbia ka qenë gjithmonë satelitit i Moskës në Ballkan”.

Qytetarët kërkuan nga Serbia që të ndalojë provokimet në veri të Kosovës. Madje në shenjë revolte protestuesit u bënë thirrje shqiptarëve që të bojkotojnë përdorimin e mallrave serbe./Express/ KultPlus.com

Koncert e dhurata për fëmijët e policëve dhe ushtarakëve të rënë në detyrë

Një atmosferë e ngrohtë u krijua në sallën e Arturbinës në prag të festave të fundvitit.

Artistët e së nesërmes, balerinët e Shkollës së Baletit dhe zërat e bukur të shkollës së muzikës “Servete Maçi”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhanë një koncert për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, policëve në shërbim dhe ushtarakëve.

“Një festë nga fëmijët, për fëmijët”, shkroi në rrjetet sociale ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ishte e pranishme në këtë aktivitet artistik.

Ministrja tha se, ky koncert është organizuar në shenjë mirënjohjeje për punën dhe sakrificat e përditshme të efektivëve të policisë, për të siguruar jetët tona.

Për t’u shtuar buzëqeshjen, fëmijëve u janë shpërndarë edhe dhurata./atsh/ KultPlus.com

Meliza Krasniqi sjell në shqip librin “Arti i fiksionit” të David Lodge

Pas plot tetë muajve punë, Meliza Krasniqi ka sjell në gjuhën shqipe librin “Arti i fiksionit”, përcjell KultPlus.

“Arti i fiksionit” është libër i shkruar nga profesori, shkrimtari dhe kritiku shumë i njohur, David Lodge.

Për dymbëdhjetë muaj në rubriken e gazetës The Independent on Sunday, Lodge shkroi kolumnën javore të titulluar “Arti i fiksionit” ku trajtoi disa aspekte të romanit, gjithsej pesëdhjetë: Fillimi, Autori i ndërfutur, Skaz-i, Këndvështrimi, Përroi i ndërgjegjes, Monologu i brendshëm, Defamiljarizmi, Personazhi, Përsëritja, Intertekstualiteti, Surrealizmi, Ironia, Motivimi, Titulli, Ideja, Metafiksioni, Struktura narrative, Aporia, etj

“Ky libër është për ata njerëz që preferojnë ta marrin Kritikën Letrare në doza të vogla, libër për t’u shfletuar, por edhe për t’u zhytur në të, libër që nuk përpiqet ta thotë fjalën e fundit për asnjë temë që prek, libër që, shpresoj, do ta rrisë, kuptimin dhe kënaqësinë e lexuesve për prozën fiksionale dhe që atyre u sugjeron mundësi të reja leximi – mbase edhe shkrimi – të kësaj forme letrare të shumëllojshme e të pëlqyeshme.”

Meliza Krasniqi për daljen në dritë të këtij botimi, ka falënderuar edhe botuesin Berat Dakaj.

“Per kete perkthim, falenderoj botuesin Berat Dakaj, pa presionin dhe “kercnimet” e te cilit, libri kish me dale disa jave me vone.

Falenderoj perzemersisht, kolegun dhe mikun tim Gëzim Aliu, pa “doren” redaktuese te te cilit une mbes ne lloq.

E nje falenderim super i vecante shkon per Memli Krasniqi, i cili kur vinte naten vone prej punes e merrte mundimin me e lexu librin bashke me mua dhe ma “kthjellte” perkthimin.

Komentet e tij te llojit: “te lumte ju letraret cfare gajle keni”, me kane bo me qesh sa here i kam lexu kapituj qe trajtojne aspekte te vecanta te letersise.

Une jam kenaq e jam lodh shume edhe ne kete rrugetim, sikurse ne te tjerat.

Shnet’”, shkruan Krasniqi. / KultPlus.com

‘Anonymous’ mesazh Vuçiqit: Ndaloni veprimet e rrezikshme në Kosovë (VIDEO)

Grupi i hakerëve “Anonymous” e ka lëshuar një paralajmërim ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Ky grup përmes një video-mesazhi e ka paralajmëruar Vuçiqin se në rast se ai nuk i ndalon aktivitetet e rrezikshme në Kosovë, populli i Kosovës nuk do të mbetet pa mbështetje, njofton Klan Kosova.

“Ne nuk do të qëndrojmë indiferent përballë këtij terrori. Reagimi ynë si kolektiv do të jetë i prerë dhe i shpejtë”.

“Anonymous nuk është një grup i vogël i pafuqishëm i njerëzve për ta injoruar. Ne jemi të organizuar, globalisht aktivë, kolektiv i individëve me mendësi të njëjtë dhe mesazhi ynë do të jetë i qartë”.

“Nëse nuk i ndaloni veprimet e rrezikshme në Kosovë, njerëzit e Kosovës nuk janë pa mbështetje”.

“Ne jemi Anonymous. Ne jemi Legjion. Ne nuk falim. Ne nuk harrojmë. Në prisni neve”./ KultPlus.com

Konferenca e ‘Vatrës’ për krijimin e Fondit Monetar Kombëtar

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, zhvilloi një konferencë të një rëndësie të veçantë më 29 dhjetor 1918.

Nën kryesinë e Anastas Pandele, përfaqësues të “Vatrës” u angazhuan dhe apeluan për krijimin e një Fondi Monetar Kombëtar, i cili do t’u kushtohej delegatëve të zgjedhur për të mbështetur çështjen e të drejtave kombëtare në Konferencën e Paqes në Paris.

Në përgjigje të thirrjes, emigrantët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mblodhën një shumë prej 150 mijë dollarësh, pjesa më e madhe e së cilës iu dërgua përfaqësuesve të “Vatrës” në Paris, në ndihmë të përpjekjeve të tyre në mbrojtje të pavarësisë dhe të tërësisë tokësore të Shqipërisë.

Më herët në 1918-n, “Vatra” pati bërë të ditur qëndrimin që mbante lidhur me protektoratin italian mbi Shqipërinë, në paraprijë të punimeve të Konferencës së Parisit, e cila do të mbahej më 18 janar 1919.

FIFA: Për herë të parë një palestineze arbitre në Botërorin për femra

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka zgjedhur për herë të parë një palestineze për të gjykuar ndeshjet e ardhshme të Kupës së Botës për femra.

Agjencia palestineze e lajmeve, WAFA ka njoftuar se Heba Saadia do të arbitrojë Kupën e Botës për femra në Australi dhe Zelandën e Re nga 20 korriku deri më 20 gusht 2023.

Edicioni i nëntë i botërorit të femrave, i organizuar nga Australia dhe Zelanda e Re, është i pari që organizohet nga dy shtete dhe i pari me 32 ekipe kombëtare./KultPlus.com

Rita Ora, ndër artistet më të dëgjuara në botë. arrim mbi 6.1 miliardë dëgjime në Spotify

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, vazhdon të jetë ndër artistët më të pëlqyera në botë.

Së fundmi, ajo ka treguar që ka arritur mbi 6.1 miliardë dëgjime në Spotiift nga të gjitha këngët e saj.

Ndërkaq, Ora ka premtuar që vitit 2023 do të shënojë një kapitull të ri në karrierën e saj, ku mes të tjerash do të publikojë edhe albumin e saj të ri në janar. / KultPlus.com

Artisti britanik Bansky gjallëron muret që rrënuan bombat ruse

Artisti britanik i rrugës, Banksy, ka konfirmuar për The Art Newspaper se ka krijuar shtatë murale në vende të ndryshme në Ukrainë, përfshirë kryeqytetin Kiev, periferinë e Irpinit dhe qytetin Borodjanka, që njëherësh janë ndër vendet më të goditura nga bombardimet ruse.

Artisti ka hyrë në Ukrainë mes luftës së vazhdueshme të Rusisë atje.

Banksy ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram një prej muraleve të tij me mbishkrimin “Borodyanka, Ukraine”.

Murali, që tregon një burrë duke larë shpinën në një vaskë, është në katin përdhes të asaj që ka mbetur nga një bllok ndërtesash banimi, të goditur nga sulmet ruse në mars, në Horenka – pjesa veriperëndimore e Kievit.

Teksa po shkojnë kah një dimër i ftohtë, banorët thonë se e vlerësojnë një banjë të ngrohtë në një mural të pikturuar nga artisti i grafiteve, Banksy.

“Për mua do të thotë t’i lash të gjitha papastërtitë. Fëlliqësia e Federatës Ruse…”, tha Tetiana Reznychenko, 43 vjeçe, për Reuters ndërsa bora binte rreth saj.

“Dhe ky vizatim më bën të ndihem sikur jam pastruar nga papastërtitë që na kanë rënë”.

Reznychenko tha se i kishte dhënë ekipit të Banksyt një filxhan kafe në banesën e saj, pasi ishte ftohtë kur artisti erdhi për të pikturuar muralin. Tetiana Reznychenko ka një stufë në banesë, por nuk ka rrymë, ngrohje apo ujë të rrjedhshëm./ KultPlus.com

Akademia e Shkencave promovon librin e Irakli Koçollarit mbi Luftën e Ftohtë

Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u promovua libri “Operacione sekrete-Shqipëria nën Luftën e Ftohtë” me autor Irakli Koçollarin.

Në këtë libër përshkruhen të parat operacione klandestine në historinë e Luftës së Ftohtë, të cilat u drejtuan kundër Shqipërisë, nga viti 1948 gjer në vitin 1954.

I mbështetur kryesisht në dokumentacionin e Arkivit të CIA-s, të Shërbimit Sekret Britanik dhe ato të Sigurimit të Shtetit, në këtë libër autori pasqyron operacionet sekrete të Shërbimit Sekret Shqiptar kundër CIA-s dhe MI 6 në vitet 1949-1953, të cilat njihen si operacionet e para sekrete kundër Perdes së hekurt nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Libri është një hulumtim 14-vjeçar. Autori pohon se koha e gjatë ka shërbyer për të shmangur të gjitha ndikimet apo anësitë e mundshme ideologjike, emocionet që shkaktohen nga ngjarjet e dhimbshme që gjenden ne fletët e arkivave të kohës, dhe krahas tyre është përpjekur të rrijë larg nostalgjive apo urrejtjes që kanë sjell shpesh troshitjet politike të kohës në vendin tonë.

Prof. Pëllumb Xhufi dhe Prof. Fatos Tarifa vunë në dukje rëndësinë që kanë dokumente të cilat shmangin trajtimin bardhë e zi të historisë.

Prof. dr. Koçollari tha se botimi është një kronikë ngjarjesh mbështetur thellësisht në dokumentacionin arkivor kryesisht atë të CIAS, të MI 6 dhe të Sigurimit, pa folur për të gjitha botimet perëndimore dhe lindore, të cilat flasin qartë përse, çfarë dhe si u realizuan operacionet klandestine të spiunazhit gjatë viteve të diktaturës në territorin shqiptar. / atsh / KultPlus.com

Kosova i dërgon presidentit Biden veshjen tonë tradicionale

Në emër të popullit të Kosovës, i janë dërguar dhuratë veshjet tona tradicionale për meshkuj dhe plis/qeleshe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe një komplet të veshjes për gra, zonjës së parë, Jill Biden, bashkangjitur me urimet më të mira për fundvit.

Kështu ka bërë të ditur sot kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, i cili ka treguar se së bashku me veshjet Bidenit dhe bashkëshortes së tij u ka dërguar disa posterë e kartolina dhe një letër falënderimi.

“Media të nderuara ju njoftojmë se para disa dite i kam dërgu në adresë të Shtëpis së Bardhë, Washington DC nga një komplet veshje tonë nacionale për mashkuj me plis/qeleshe dhe një komplet veshje tonë nacionale për femra Nuk e kam publiku lajmin deri sot, për shkaqe sigurie dhe derisa kam kuptu që pakoja ka arrit në SHBA. Së bashku me veshjet i kam dërgu disa lloje posterësh e kartolina ku është edhe fotoja e Presiedentit Joe Biden dhe disa fletëpalosje me aktivitete tona. Poashtu, ia kam dërgu një letër përshëndetëse e falenderimi për veprimet e tija të bëra ndaj nesh e urimi për festat e fundvitit.”, ka bërë të ditur Rexhepi.

Në letër ndër të tjera është shkruar: I dashuri President Joe Biden duke qenë përjetësisht falënderues për veprimet e shumta që ju keni bërë për shtetin e kombin tim në pozicionin e senatorit, nënpresidentit e tash si president i SHBA, dhe duke qenë falënderues ndaj institucioneve të SHBA, për fundvit po ua dërgoj dhuratë juve e zonjës së parë znj. Jill veshjen tonë nacionale që ka traditë mijëra vjeçare. Me këto veshje parardhësit e mi shqiptar kanë punuar, janë rritur e zhvilluar dhe kanë luftuar për me mbrojtë pragun e shtëpisë – vatrat stërgjyshore nga agresorët e shumtë.

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi ka potencuar se dhuratat ia ka dërguar presidentit Joe Biden dhe zonjës Jill Biden së bashku me një pjesë të shpirtit.

“I dashur President unë por edhe pjestarët e kombit tim janë falënderues për rezolutën që ju e senatori tashmë i ndjerë, John McCain e keni inicuar SJ 20. Kjo rezolutë ka qenë një stimulim shumë i madh shpirtëror për kombin tim njëkohësisht ky ishte mesazhi i madh që SHB-në e kemi fuqishëm me ne. Z. President këto dhurata po ua dërgojmë së bashku me një pjesë të shpirtit tonë, me disa posterë ku jeni edhe ju e letër përcjellëse, ngase ju keni dëshmu se jeni personalitet që nuk e duron dhunën, segregacionin, vrasjen e ushtrimin e terrorit e gjenocidit ndaj popujve të shtypur… Veshjet mi sollën dhuratë miqtë Isak e Ismet Islami.”, është shkruar tutje në letër./ Express / KultPlus.com

Si ia dalin arkeologët të zbërthejnë kodin e gjuhëve të lashta

Nga Benjamin Plackett

Deri 200 vjet më parë, askush në epokën moderne nuk mund t’i kuptonte hieroglifetegjiptiane. Në thelb, egjiptianishtja e lashtë ishte një gjuhë e vdekur. Fakti që sot historianët tani mund t’i lexojnë dhe kuptojnë shkrimet hieroglifike, i detyrohet suksesit me një tekst të jurisprudencës shumë të zakonshëm, të gdhendur mbi një gur me famë botërore.

“Viti i ardhshëm shënon 200-vjetorin e deshifrimit të Gurit Rozetës, që ishte një moment vendimtar për egjiptologjinë. Ai është artifakti i vetëm më i famshëm që është përkthyer”- thotë Roland Enmarsh, pedagog i egjiptologjisë në Universitetin e Liverpulit në Mbretërinë e Bashkuar.

Por si arrijnë të deshifrohen gjuhët e lashta? Guri i Rozetës, është një tekst i gdhendur dhe që përmban një shpalljeje të lëshuar në vitin 196 Para Krishtit. Ai u tregua tepër i dobishëm në deshifrimin e hieroglifeve egjiptiane, sepse dekreti përsëritej 3 herë.

E para ishte shkruar me hieroglife, e dyta me shkrim demotik, një formë kursive e egjiptianes së lashtë, e ngjashme në stil me arabishten e shkruar. Versioni i tretë ishte në greqishten e lashtë. Për shkak se greqishtja e lashtë kuptohej, kjo i siguroi arkeologëve një mënyrë të sigurtë për të deshifruar gjuhën e lashtë egjiptiane.
“Nëse keni një shkrim dygjuhësh, dhe njëra prej tyre është në një gjuhë që ju e kuptoni, atëherë kjo është me të vërtetë e dobishme, për sa kohë që përmbajtja e tekstit përsëritet”- thotë Enmarsh.

Përmes kësaj teknike, ju mund të shihni se ku përsëriten seksionet, dhe i përktheni ato pjesë-pjesë. Për fat të keq, përkthimi që doli nga teksti i Gurit të Rozetës, nuk zbuloi asgjë veçanërisht tronditëse. Ai ishte thjesht një pjesë e tekstit administrativ për të shënuar përvjetorin e jubileut të një mbreti, por që siguroi mjetet e nevojshme për të kuptuar tekste të tjera akoma më interesante.

Mënyra tjetër për të ringjallur një gjuhë të vdekur prej kohësh, është përmes përpunimit bazë të të dhënave. “Ne kemi sot disa pllaka argjile që i përkasin viteve 1450-1200 Para Krishtit, dhe që u zbuluan në Greqi. Për dekada njerëzit u përpoqën të kuptonin se çfarë thoshin ato”- thotë Enmarsh.

Gjuha njihet si “linearja B”, dhe i paraprin edhe alfabetit grek. Ndaj shumica e historianëve ranë dakord se ndoshta ajo ishte një gjuhë më vete. Megjithatë, dekoduesit që kishin punuar në thyerjen e kodit gjerman “Enigma” gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishin në gjendje të deshifronin edhe “lineare B”, duke supozuar se ai ishte në fakt një paraardhës i greqishtes së lashtë.

Ata analizuan modelet e variacionit brenda skenarit për të parë nëse kjo mund të ofronte të dhëna. Disa sekuenca simbolesh u shfaqën vetëm në pllakat që u gjetën në ishullin e Kretës, por jo në ato të zbuluara në pjesën e Greqisë kontinentale. Kjo bëri që dekoduesit të supozonin se sekuencat ishin emra vendesh në ishull, gjë që doli të ishte e vërtetë.

Nga kjo ata mundën të punonin për të përkthyer të gjithë tekstin. “Ky është shembulli i vetëm i famshëm i suksesit me përdorimin e kësaj metode”- thotë Enmarsh. Ka disa përpjekje për ta bërë një punë më moderne përkthimin e gjuhëve të lashta. Studiuesit në Universitetin Mekuajër në Australi, bashkëpunuan me ekspertë të Google për të përdorur Inteligjencën Artificiale me synim përshpejtimin e procesit të përkthimit të hieroglifeve të lashta egjiptiane në anglisht dhe arabisht.

“Makineria dallon se ku ka dhe ku nuk ka hieroglife. Dhe kjo është shumë e rëndësishme”-thotë Kamila Di Biaze–Dajzën, pedagoge e egjiptologjisë në Universitetin Mekuajër e cila ishte e përfshirë në projekt. “Problemi është se puna e saj nuk bazohet mbi një pjesë të madhe të të dhënave të marra nga trajnimi. Që të shkrepni një foto nga muri i një varri egjiptian dhe ta përktheni shpejt tekstin, makinerisë do t’i duhen shumë më tepër të dhëna”- shton ajo.

Tani për tani, kërkohet ende shumë kontribut njerëzor për t’u siguruar që rezultati përfundimtar të jetë një përkthim i besueshëm. Por nëse softueri është i ekspozuar ndaj të dhënave të mjaftueshme të mostrës, atëherë është e mundur që deshifrimi i gjuhëve të lashta të bëhet më i aksesueshëm, dhe në të ardhmen mund të mos ketë nevojë për ndihmën e njeriut./ KultPlus.com