WWF: Drerët dhe pinguinët perandorë speciet më të rrezikuara

Drerët dhe pinguinët perandorë janë ndër speciet e përzgjedhura nga organizata e njohur mjedisore WWF për të ilustruar kërcënimet me të cilat përballen mijëra kafshë në mbarë botën.

”Mijëra specie po luftojnë me një rënie të popullsisë dhe një numër në rritje të kërcënimeve”, tha WWF-ja në përmbledhjen e saj vjetore, të publikuar sot.

“Lista e Kuqe Ndërkombëtare tani rendit më shumë se 42 100 lloje kafshësh dhe bimësh si të kërcënuara”, tha organizata, duke iu referuar Listës së Kuqe të Llojeve të Kërcënuara të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës.

”Në vitin 2000, popullsia më e madhe në botë e drerëve të egër në rajonin Taimyr në arktikun rus përbëhej nga një milion kafshë. Sot, vetëm një e katërta e tyre kanë mbetur”, sipas WWF, duke përmendur ndryshimet klimatike dhe gjuetinë pa leje si arsyet kryesore të rënies.

Organizata theksoi gjithashtu gjendjen e vështirë të pinguinëve perandorë duke thënë se asgjë nuk ishte bërë këtë vit për të mbrojtur më mirë këto specie.

“Në nivelet aktuale të emetimit të gazit serrë, midis 80 dhe 100% e të gjitha kolonive të njohura të pinguinëve perandorë janë në rrezik të zhdukjes deri në vitin 2100″, tha WWF.

”Ndërkohë ngordhjet masive të peshqve të kësaj vere në lumin Oder, i cili kalon midis Gjermanisë dhe Polonisë, ishte gjithashtu një pengesë për rifutjen e blirit baltik, pasi mijëra peshq të rinj ngordhën”, tha WWF.

WWF gjithashtu theksoi shembuj pozitivë të ruajtjes së specieve, duke përfshirë popullatën e tigrave në Nepal, e cila po rikuperohej mirë, si dhe balenat me gunga në Australi.

Kafshët ishin hequr nga lista e specieve të rrezikuara për shkak të një rritje të konsiderueshme të popullsisë.

”Sidoqoftë, nevojiten më shumë masa për të mbrojtur balenat nga kërcënimet e tilla si peshkimi, trafiku i anijeve dhe ndotja”, tha organizata./ atsh / KultPlus.com

“Voyaged” e ndjekur nga miliona njerëz, promovon Krujën

Qyteti i Krujës është promovuar nga “Voyaged”, një prej faqeve më të njohura të destinacioneve botërore.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila thekson se “kartolina e mbrëmjes vjen nga @voyaged, faqja e ndjekur nga miliona njerëz nëpër botë, që promovon Krujën tonë”.

“Duke shëtitur në rrugët e Krujës”, shkruan “Voyaged” duke publikuar edhe disa fotografi nga qyteti i Krujës.

Kruja është kthyer tashmë në një qytet me turizëm gjithëvjetor, i favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja gjeografike dhe peizazhi i bukur malor që ofron natyra me bimësi të larmishme.

Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore të turistëve në Shqipëri.

Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.

Krahas Pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet kalaja, apo edhe bujtinat e ndryshme agroturistike që ofrojnë ushqime tradicionale mjaft tërheqëse në ambiente me peizazhe piktoreske. / atsh / KultPlus.com

Drama ‘Gjaku i Martirëve’, historia e klerikut të ekzekutuar nga diktatura

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit në kuadër të kurimit të së shkuarës ka mbështetur dhe zhvilluar një sërë aktivitetesh që i shërbejnë komunikimit të kujtesës.

Autoriteti sjellë në vëmendje dramën “Gjaku i Martirëve të Kombit” ku në qendër është letra e Padër Lazri, një nga klerikët e ekzekutuar nga diktatura komuniste.

“Unë, po ju them, vëllezër, se ju kam falur! Në emër të Krishtit, ai dhe vetëm ai, na ka mësuar se si ta dhurojmë këtë dashuri pa frik se vdes. Pa patur frikë nga plumbi që kërkon të më marrë jetën. Unë, ju kam falur vëllezër, ju kam falur në emër të Krishtit. Rroftë Krishti përjetë”.

Me këto fjalë e mbylli jetën nën breshërinë e plumbave Padër Lazri, një njeri i Zotit që, si shumë të tillë, u pushkatuan gjatë regjimit komunist. Disa statistika numërojnë rreth 360 klerikë të feve katolike, myslimane dhe asaj bektashiane që janë pushkatuar e përndjekur nga regjimi komunist.

Më ftesë të Teatrit Kombëtar, stafi i Autoritetit ndoqi nga afër dramën “Gjaku i Martirëve të Kombit” bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores Zana Tako. Drama është me regji të regjisorit Bajram Torba dhe muzikë të realizuar nga Artur Dhamo.

E interpretuar nga një kastë aktorësh profesionistë, si Bujar Asqeriu, protagonist i dramës në rolin e priftit Padër Lazërit, Marjana Kondi, Erjon Hinaj, Lindar Kaja e shumë të tjerë, drama përcjell mesazhe sa thelbësore, aq edhe jetike.

Janë 15 personazhe që përfaqësojnë karakterin e dhunuesit, viktimave dhe të indiferentit. Nuk mungon as bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit i cili për një pjatë gjellë më shumë, apo për një dënim më të lehtë përgjon, provokon, spiunon se çfarë ndodh në qelinë e errët ku viktimat, të habitura dhe tronditura nga fati i tyre i keq, ende në padituri pyesin: Po çfarë bëmë vallë?!!

Përmbajtja e dramës: Kudo ka terror dhe dhunë! Ushtarët e së keqes, shërbëtorë të dhunës, torturojnë në dhomat e errëta të hetuesisë qenie të pafajshme njerëzore. Po përjetojmë, mes dramës, vite kur edhe dashuria duhej të burgosej, nuk duhej të flitej për të, e aq me tepër të mundoheshe ta përhapje këtë ndjenjë. Errësira ka frikë nga drita, dhe urrejtja ka frikë nga dashuria. Këtë mbolli diktatura në vetvete. Partia ishte Zot, dhe nuk duhej guxuar të besoje në asnjë Zot tjetër. Por, a mund ta pranoj këtë frazë një njeri i Zotit si padër Lazër? Kurrsesi!

Një letër e padër Lazër, lënë si amanet për brezat, u bë shkak për burgosjen e tij. Cila ishte përmbajtja e asaj letre që e çoi padër Lazrin në burgosje, e më pas përpara togës së pushkatimit?

Në qeli, aty ku askush, nuk e dinte se përse ishte akuzuar dhe në kushte dehumanizimi, prifti Lazër propagandonte për dije, dashuri midis njerëzve dhe mbi të gjitha për paqe.

Pikërisht, ky ishte edhe subjekti i letrës, testamenti që duhej përçuar nder breza. Tashmë, letra lexohet nga hetuesi dhe me akuzën se kjo letër ka ardhur nga Vatikani, merret vendimi që Padër Lazri të ekzekutohet.

“Falëm edhe ndaj atyre që kam lënduar, përhapni dashurinë dhe besimin e Zotit”, këtë mesazh la pas vdekja e martirit padër Lazri. Një mesazh sublim mbi dashurinë, paqen dhe mirësinë. Mesazh që kalon jo vetëm burgjet me tela me gjemba të komunizmit, por i reziston çdo kohe dhe shoqërie.

Autoriteti për Informimin me Dokumentet të ish-Sigurimit të Shtetit në përmbushje të misionit të tij, ka si synim krijimin e një platforme gjithëpërfshirëse për kuptimin e së shkuarës komuniste në Shqipëri.

Mbështetja e institucioneve akademike, studiueseve, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të medias, me qëllim promovimin e aktiviteteve shkencore, konferencave, tryezave, shfaqjeve, dokumentarëve, ekspozitave etj., të cilat kanë në thelb trajtimin e të kaluarën komuniste dhe edukimin qytetar të shoqërisë në përgjithësi, është bërë një nga angazhimet parësore të Autoritet.

Autoriteti e sheh me shumë interes shfaqjen e dramave artistike, filmave, dokumentare dhe botimin e librave në fushën e kujtesës si një formë komunikimi me publikun e gjerë që i kalon kufijtë e komunitetit shkencor dhe komunitetit të ish-të përndjekurve.

Për gjatë viti 2022 Autoriteti i Dosjeve ka mbështetur një sërë aktivitetesh që i shërbejnë kurimit të së shkuarës.

Autoriteti ka mbështetur mbështeti realizimin e premierës së dokumentarit “ Flutura” në kinema “Milenium”, më 30 gusht, Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, duke bërë bashkë në sallë qindra të mbijetuar, familjarë, përfaqësues të institucioneve homologe dhe partnere të Autoritetit, përfaqësues të komunitetit artistik në vend, grupe të interesit, përfaqësues të pushtetit qendror e vendor, trupit diplomatik e medias.

“ Flutura” e regjisorit Bujar Alimani ndjek përmes një spiraleje gjithëpërfshirëse historitë e 21 vajzave që i mbijetuan internimeve me breza në Gradishtë e Savër të Lushnjës.

Po në këtë frymë Autoriteti organizoi për publikun, partnerët, ish-të përndjekur politikë, studentë e miq të Autoritetit, shfaqjen e monodramës”Udha e Qumështit” me regjizor Armando Bora dhe interpretim të aktores Egla Ceno. Vepra është ndërtuar mbi një histori tipike në ndodhur në regjimin komunist, kur një gjest i thjeshtë shkakton pasoja të rënda për jetën e qenies njerëzore.  Monodrama ngriti dhe i dha përgjigje dilemës se  “Çfarë është në gjendje t’i bëjë njeriu-njeriut?!”.

Në 15 nëntor shkrimtari Jozef Radi solli në Autoritet librin e tij “Njeriu përball përbindëshit” ky përmes dokumentesh ku, u vlerësua fakti se si njeriu i thjeshtë Musa Sina, i bëri ballë aparatit shtypës diktatorial.Botimi i dosjeve të ish të përndjekurve është një mënyrë relative për të rrëfyer torturën personale, presionin psikologjik, vështirësitë ekonomike, vuajtjen shpirtërore dhe, më pas, vuajtjet fizike të tyre gjatë burgimit, internimit apo dëbimit.

Autoriteti në 28 janar të këtij viti u kujdes gjithashtu që në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan dhe Këshilli Bashkiak, Arkivi Digjital Elbasan dhe Biblioteka Kombëtare, miq e dashamirës të tij të organizonte aktivitetin “Uran Kostreci-jeta, disidenca, vepra, në mjediset e Teatrit “Skampa”. Uran Kostreci, iu prezantua publikut përmes dosjes së përndjekjes, aktivitetit politik, mendimit dhe fjalës së lirë, krijimtarisë letrare, kontributit si mësues dhe themelues i revistës “Liria”. Nxënësit e shkollave morën pjesë aktivisht me recitimin e poezive të Uran Kostrecit.

Aktivitete të tilla i japin frymëmarrje më të gjerë planeve tona në fushën e kujtesës, duke zgjeruar format e komunikimit me publikun, si dhe duke rritur dimensionet e saj, sepse siç shkruan shkrimtari çek Milan Kundera, i cili përjetoi përndjekjen nga regjimi diktatorial, “Betaja e njeriut kundër pushtetit, është beteja e kujtesës kundër honit të harresës”.

Rilke: Katër këshilla për poetët e rinj

Në vitin 1903, duke këshilluar një poet të ri, Rainer Maria Rilke shkroi monumentin e  filozofisë, një manual shpirtëror. Një manual që mund të na drejtojë në rrugën e të shkruarit dhe të ekzistencës. Poeti i famshëm Rilke ishte vetëm 28-vjeç kur filloi t’i përgjigjej Franz Kappus, 17-vjeçar, një poet aspirues dhe kadet në shkollën ushtarake, nga e cila Rilke kishte dezertuar disa vite më parë. Rilke i dërgoi dhjetë letra në harkun kohor prej pesë vjetësh nga Parisi, ku ai ishte sekretar i Rodinit, nga Suedia, Roma, nga rrethinat e Bremenit, ku ai nuk reshti së shkruari. Dhjetë traktate të vogla për filozofinë praktike, dhjetë meditime për vetminë, dashurinë, krijimin.

Përballë ngulmimit të Rilkes, djaloshi Kappus përfundimisht do të zgjedhë karrierën ushtarake. Por, mirënjohës karshi mjeshtrit të ri, ai i botoi mësimet e tij të çmuara në vitin 1929. Dhjetë letrat e Rilkes njohën një sukses të jashtëzakonshëm e të menjëhershëm në mbarë botën. Edhe në ditët e sotme, ato vijojnë të mbeten më të njohura se poezitë e autorit dhe do të mbeten një udhëzues shpirtëror se si të jetojmë, nga të cilat duhet të mbajmë mend të paktën katër mësime.

Mësimi 1: Pranoni seksualitetin tuaj

Tema e seksualitetit është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse në letrat e tij, është e qartë se të shkruarit, të qenit poet, nuk është punë, por para së gjithash është një mënyrë e të qenit. Është një marrëdhënie e caktuar me botën, me vetveten dhe me jetën. Për kohën kur jetoi, Rilke ka përgjigje jashtëzakonisht moderne, kur thotë se energjia seksuale dhe energjia krijuese janë të njëjta. Dhe se duhet t’i pranojmë plotësisht dëshirat, seksualitetin dhe ta çlirojmë veten nga gjithçka që mund ta shtypë atë: moralin. Me idenë se burri modern është i pakënaqur, sepse i është mësuar të jetë i kujdesshëm ndaj seksualitetit, ta ndrydhë atë. Për Rilken është interesant fakti, se si trupi dhe mendja komunikojnë në një seksualitet të marrë në mënyrë autentike.

“Afrojuni natyrës. Përpiquni të thoni, sikur të ishit njeriu i parë i kësaj bote, atë që shihni, atë që përjetoni, çka doni dhe çka humbisni”, – Rilke.

Mësimi 2: Jepni jetën tuaj për të shkruar

Rilke e pyet: “Nëse mendon se mund të jetosh pa shkruar, mos shkruaj”. “Nëse përgjigjja do ishte “Jo, unë nuk do të vdisja”, atëherë nuk kemi të drejtë të shkruajmë”. Pra, siç e shihni, vijoj të jetë shumë ngulmues. Ky është padyshim rasti i tij. Të shkruarit e shpëtoi Rilken nga vetëvrasja ose të paktën, nga kredhja në një situatë psikike shumë serioze.

“Zbuloni shkakun që ju bën të shkruani, vërtetoni nëse rrënjët e saj marrin jetë nga skutat më të thella të shpirtit”, – Rilke.

Nëse mendoni, se nëse nuk shkruani, mund ta vijoni jetën normalisht, nuk ka asgjë pse të hezitoni. Thjesht, në këtë rast, nuk duhet të bëni një jetë gjysmake. As tre të katërtat. Është gjithë jeta. Dhe Rilke bashkon gjestin me fjalën, sepse ai gjeti një mënyrë për të jetuar me asgjë tjetër, për të mos bërë asgjë tjetër, të mos bënte katërcipërisht asgjë përveçse të shkruante. Ai u soll si një lloj prifti i poezisë. Krijimtaria duhet të zërë tërë hapësirën. Edhe nëse të detyron në varfëri, sepse të shpie në varfëri, duhet të jesh gati, kjo është poezia. Kur i jep këshillat poetit të ri, Rilke ia jep vetvetes. Në njëfarë mënyre, duke i shpjeguar tjetrit se çfarë duhet të jetojë, ai kupton njëherazi sesi është jeta e tij.

Mësimi 3: Zbusni vetminë

Largoni çfarëdolloj ideje për sukses letrar. Mjafton të interesoheni për marrëdhëniet që njeriu ka midis vetes dhe vetes, që do të thotë mes vetes dhe asaj që shkruan. Mos prisni miratimin e të tjerëve. Nëse doni të shkruani mos prisni të bëni një jetë normale shoqërore. Të shkruarit të kërkon të jesh vetëm. Rilke ishte jashtëzakonisht i vetmuar. Vetmia ishte kushti i punës së tij. Nga ana tjetër, ai ishte një shkrues i patëmetë letrash, ai shkroi shumë letra. Letra i lejonte t’i mbante larg të tjerët.

“Vështrimi juaj është drejtuar jashtë. Këtej e tutje nuk duhet ta bësh absolutisht diçka të tillë. Askush nuk mund t’u këshillojë apo t’u ndihmojë. Asnjë. Ekziston vetëm një mënyrë: hyni brenda vetes”, – Rilke.

Mësimi 4: Në djall ironia

Në art, në sytë e Rilke, nuk ka vend për gjëra dytësore, nuk ka vend për butësi, nuk ka vend për një art, i cili do t’i trajtonte gjërat në mënyrë sipërfaqësore. Ai ishte mospërfillës edhe ndaj autorëve shumë të famshëm. Nëse jeni krijues, duhet të shikoni në libra të tjerë vetëm atë që mund t’ju ushqejë. Me fjalë të tjera, atje ku mund të gjeni veten, ajo që ju zbulon vetveten. Rilken nuk e shqetësonte fakti të thoshte se nuk e kishte lexuar Shekspirin. Pra, si rrjedhojë, një pjesë e madhe e letërsisë që kishte të bënte me gjërat e lehta, lojën, lojërat e fjalëve… nga aspekti disi sipërfaqësor, për të ishte thellësisht indiferent./Konica.al / KultPlus.com

“All I Want for Christmas Is You” edhe një herë në krye të Billboard Hot 100

U bënë 11 javë që kënga e ikonës së muzikës Mariah Carey “All I Want for Christmas Is You” kryeson listën e këngëve Billboard Hot 100.

Ajo këtë vit kryeson listën për të tretën javë me radhë, ndërkaq ka kryesuar në sezonin e kremtave të fund vitit që prej vitit 2019, duke vlerësuar në total 11 javë.

Kënga “All I Want for Christmas Is You” e Carey së pari u lansua në abumin e saj Merry Christmas në vitin 1994 dhe prej atëherë, kjo këngë shkoi duke u popullarizuar. Në dhjetor të 2017-tës u fut në top dhjetëshen e Hot 100, e në vitin 2018 u vlerësua në top pesëshe.

Në vitin 2019, ajo dominoi këtë toplistë për tri javë me radhë, një vit më vonë dy javë e në vitet 2021 e 2021 nga tri javë.

Kënga e Carey, “All I Want For Christmas Is You” po ashtu theu rekordin për më së shumti shkarkime në ditë në historinë e Spotify, me 21.26 milionë.

Lista e Hot 100 përfshinë këngë të zhanreve të ndryshme. Ato vlerësohen në bazë të transmetimeve në radio, dhe në bazë të shifrave të shitjes së tyre./KultPlus.com

‘Më fal s’e dija se në jetë ti kishe një tjetër’ (VIDEO)

Pirro Çako është i njohur për publikun shqiptar si njëri nga tenorët më të shquar. Ai ka bërë një karrierë mjaft të pasur, duke shkruar tekste dhe duke kompozuar këngë të mrekullueshme dhe shumë të njohura e të dëgjuara për publikun shqiptar.

KultPlus ju sjell këngën e njohur të Pirros ‘Mirëmbrëma si je’, këngë kjo që i dedikohet dashurisë së humbur.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Hej mirmbrëma, vetëm je?
Sonte unë kam dal pa plan
as per te flirtuar s’dua,
a mundet qe te rrimë pak bashkë,
pak…

Veç bakardi dhe cigare dua qe të pijmë ktë natë,
të sfidojmë ne pa komplekse ndoshta do na sjell pak fat,
pak…

Më fal s’e dija se në jetë ti kishe një tjetër,
nuk ke pse trembesh zemër
unë i di shumë mirë limitet,
po dicka ka ndodhur
dhe nga ty sonte s’më iket

Jo jo nuk dua qe ta prish unë jetën tënde,
vec ti pranoje se dicka të frikshme ke në mendje,
sonte ke flirtuar dhe shumë gjëra ëndërrove,
prekjen me gishterinjtë e mi pse lakmove

A do dalësh prapë me mua
kam nevoje për të ndryshuar, për ty është ndoshta maksimumi për mua sapo ka filluar,
ka shum raste kur vetëdija turbullohet nga alkooli
dhe nje reaksion kimik mundet qe shumë shpejt të ndodhi

Me fal s’e dija se në jete ti kishe një tjetër,
nuk ke pse trembesh zemer
unë i di shumë mirë limitet,
po dicka ka ndodhur
dhe nga ty sonte s’më iket

Jo jo nuk dua , qe të prish unë jetën tënde,
vec ti pranoje se dicka të frikshme ke në mendje,
sonte ke flirtuar dhe shumë gjëra ëndërrove,
prekjen me gishterijntë e mi
ti e lakmove

Sapo shijove dhe e pranove.. / KultPlus.com

Emër i paharrueshëm i botës së filmit, Stan Lee

Sot shënohet 100 vjetori i lindjes së krijuesit të superheronjve shumë të njohur, Stan Lee, shkruan KultPlus.

Ai ishte një shkrimtar, redaktor, botues dhe producent amerikan i librave komik. Ai u ngrit në radhët e një biznesi familjar të quajtur Timely Publications, i cili më vonë do të bëhej Marvel Comics.

Lee ishte udhëheqësi kryesor krijues për dy dekada, duke udhëhequr zgjerimin e saj nga një divizion i vogël i një shtëpie botuese në një korporatë multimediale që dominonte industrinë e komikeve dhe filmit.

Lee është krijuesi i “The Fantastic Four” në vitin 1961 e më pas solli edhe tituj të tillë si “Spiderman” apo “The Incredible Hulk”.

Vdiq më 12 nëntor të vitit 2018. /KultPlus.com

Gazeta britanike “Metro” rendit Shqipërinë, si destinacion për t’u vizituar në 2023

Shqipëria, e cila 3 dekada më parë ishte e panjohur për Botën, e me hapjen e kufijve një destiancion për ata më guximtarët, në vitet e fundit ajo po vendoset në krye të listës së operatorëve turistik, ndërsa medie prestigjioze po i bëjë jehonë, bregdetit e alpeve tona.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një shkrim të gazetës britanike “Metro”, e cila rendit vendin tonë në krye të listës së vendeve që duhen vizituar në 2023.

“Edhe gazeta britanike “Metro”, këtë fundvit rendit sugjerimet për vendet që duhen vizituar në vitin 2023, ku natyrisht Shqipëria është pjesë e guidës së rekomanduar. Nga janari deri në nëntor të këtij viti 157 mijë vizitorë anglezë mikpritëm në Shqipëri, 93% më shumë se një vit më pare”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Shqipëria sipas “Metro” është destinacioni i vitit 2023.

“Takoni destinacionin e vitit 2023. Brigjet e tij në ngjyrë karamel dhe ujërat që imitojnë Maldivet, përballueshmëria e këtij vendi jo të Eurozonës mund të jetë e parezistueshme pas faturave të frikshme të energjisë të dimrit”, thuhet në artikull.

“Metro” jep informacion mbi kostot për të mbërritur në bregdetin e Durrësit, përfshirë dhe fluturimin.

“Në prill, për shembull, fluturimet Londër-Tiranë kushtojnë nga 64 paund, nëpërmjet Easy Jet, taksitë për në Durrës fillojnë nga 15 paund dhe në bregdetin e resortit bregdetar, hoteli i mirënjohur “Cosmo” kushton vetëm 57 paund në natë. Kjo do të thotë se fundjavat mund të vijnë nën 200 paund për person, duke përfshirë kostot e tjera të mundshme”, citohet në shkrim. /atsh /KultPlus.com

Gëzim Myshketa dhe Ramë Lahaj shfaqen në ‘OperaVision’ me operën ‘Rigoletto’

Gëzim Myshketa dhe Ramë Lahaj do të bëhen bashkë në skenën për të performuar operën ‘Rigoletto’, ku Myshketa vjen me rolin e Rigolettos ndërsa Lahaj me rolin e Dukës, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur baritoni shqiptar Gëzim Myshketa përmes një postimi në Facebook.

Në vijim gjeni postimin e plotë të Myshketës
Super Lajm, ‘Rigoletto’, kryeroli të cilin e interpretova vitin e shkuar do të shfaqet në OperaVision – televizioni operistik i Evropës me dt 1 Janar 2023 ora 15**

Në rolin e Dukës një tjetër Artist Shqiptar Rame Lahaj./ KultPlus.com

Drama “Gjaku i Martirëve”, historia e klerikut të ekzekutuar nga diktatura

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit në kuadër të kurimit të së shkuarës ka mbështetur dhe zhvilluar një sërë aktivitetesh që i shërbejnë komunikimit të kujtesës.

Autoriteti sjellë në vëmendje dramën “Gjaku i Martirëve të Kombit” ku në qendër është letra e Padër Lazri, një nga klerikët e ekzekutuar nga diktatura komuniste.

“Unë, po ju them, vëllezër, se ju kam falur! Në emër të Krishtit, ai dhe vetëm ai, na ka mësuar se si ta dhurojmë këtë dashuri pa frik se vdes. Pa patur frikë nga plumbi që kërkon të më marrë jetën. Unë, ju kam falur vëllezër, ju kam falur në emër të Krishtit. Rroftë Krishti përjetë”.

Me këto fjalë e mbylli jetën nën breshërinë e plumbave Padër Lazri, një njeri i Zotit që, si shumë të tillë, u pushkatuan gjatë regjimit komunist. Disa statistika numërojnë rreth 360 klerikë të feve katolike, myslimane dhe asaj bektashiane që janë pushkatuar e përndjekur nga regjimi komunist.

Më ftesë të Teatrit Kombëtar, stafi i Autoritetit ndoqi nga afër dramën “Gjaku i Martirëve të Kombit” bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores Zana Tako. Drama është me regji të regjisorit Bajram Torba dhe muzikë të realizuar nga Artur Dhamo.

E interpretuar nga një kastë aktorësh profesionistë, si Bujar Asqeriu, protagonist i dramës në rolin e priftit Padër Lazërit, Marjana Kondi, Erjon Hinaj, Lindar Kaja e shumë të tjerë, drama përcjell mesazhe sa thelbësore, aq edhe jetike.

Janë 15 personazhe që përfaqësojnë karakterin e dhunuesit, viktimave dhe të indiferentit. Nuk mungon as bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit i cili për një pjatë gjellë më shumë, apo për një dënim më të lehtë përgjon, provokon, spiunon se çfarë ndodh në qelinë e errët ku viktimat, të habitura dhe tronditura nga fati i tyre i keq, ende në padituri pyesin: Po çfarë bëmë vallë?!!

Përmbajtja e dramës: Kudo ka terror dhe dhunë! Ushtarët e së keqes, shërbëtorë të dhunës, torturojnë në dhomat e errëta të hetuesisë qenie të pafajshme njerëzore. Po përjetojmë, mes dramës, vite kur edhe dashuria duhej të burgosej, nuk duhej të flitej për të, e aq me tepër të mundoheshe ta përhapje këtë ndjenjë. Errësira ka frikë nga drita, dhe urrejtja ka frikë nga dashuria. Këtë mbolli diktatura në vetvete. Partia ishte Zot, dhe nuk duhej guxuar të besoje në asnjë Zot tjetër. Por, a mund ta pranoj këtë frazë një njeri i Zotit si padër Lazër? Kurrsesi!

Një letër e padër Lazër, lënë si amanet për brezat, u bë shkak për burgosjen e tij. Cila ishte përmbajtja e asaj letre që e çoi padër Lazrin në burgosje, e më pas përpara togës së pushkatimit?

Në qeli, aty ku askush, nuk e dinte se përse ishte akuzuar dhe në kushte dehumanizimi, prifti Lazër propagandonte për dije, dashuri midis njerëzve dhe mbi të gjitha për paqe.

Pikërisht, ky ishte edhe subjekti i letrës, testamenti që duhej përçuar nder breza. Tashmë, letra lexohet nga hetuesi dhe me akuzën se kjo letër ka ardhur nga Vatikani, merret vendimi që Padër Lazri të ekzekutohet.

“Falëm edhe ndaj atyre që kam lënduar, përhapni dashurinë dhe besimin e Zotit”, këtë mesazh la pas vdekja e martirit padër Lazri. Një mesazh sublim mbi dashurinë, paqen dhe mirësinë. Mesazh që kalon jo vetëm burgjet me tela me gjemba të komunizmit, por i reziston çdo kohe dhe shoqërie.

Autoriteti për Informimin me Dokumentet të ish-Sigurimit të Shtetit në përmbushje të misionit të tij, ka si synim krijimin e një platforme gjithëpërfshirëse për kuptimin e së shkuarës komuniste në Shqipëri.

Mbështetja e institucioneve akademike, studiueseve, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të medias, me qëllim promovimin e aktiviteteve shkencore, konferencave, tryezave, shfaqjeve, dokumentarëve, ekspozitave etj., të cilat kanë në thelb trajtimin e të kaluarën komuniste dhe edukimin qytetar të shoqërisë në përgjithësi, është bërë një nga angazhimet parësore të Autoritet.

Autoriteti e sheh me shumë interes shfaqjen e dramave artistike, filmave, dokumentare dhe botimin e librave në fushën e kujtesës si një formë komunikimi me publikun e gjerë që i kalon kufijtë e komunitetit shkencor dhe komunitetit të ish-të përndjekurve.

Për gjatë viti 2022 Autoriteti i Dosjeve ka mbështetur një sërë aktivitetesh që i shërbejnë kurimit të së shkuarës.

Autoriteti ka mbështetur mbështeti realizimin e premierës së dokumentarit “ Flutura” në kinema “Milenium”, më 30 gusht, Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, duke bërë bashkë në sallë qindra të mbijetuar, familjarë, përfaqësues të institucioneve homologe dhe partnere të Autoritetit, përfaqësues të komunitetit artistik në vend, grupe të interesit, përfaqësues të pushtetit qendror e vendor, trupit diplomatik e medias.

“ Flutura” e regjisorit Bujar Alimani ndjek përmes një spiraleje gjithëpërfshirëse historitë e 21 vajzave që i mbijetuan internimeve me breza në Gradishtë e Savër të Lushnjës.

Po në këtë frymë Autoriteti organizoi për publikun, partnerët, ish-të përndjekur politikë, studentë e miq të Autoritetit, shfaqjen e monodramës”Udha e Qumështit” me regjizor Armando Bora dhe interpretim të aktores Egla Ceno. Vepra është ndërtuar mbi një histori tipike në ndodhur në regjimin komunist, kur një gjest i thjeshtë shkakton pasoja të rënda për jetën e qenies njerëzore.  Monodrama ngriti dhe i dha përgjigje dilemës se  “Çfarë është në gjendje t’i bëjë njeriu-njeriut?!”.

Në 15 nëntor shkrimtari Jozef Radi solli në Autoritet librin e tij “Njeriu përball përbindëshit” ky përmes dokumentesh ku, u vlerësua fakti se si njeriu i thjeshtë Musa Sina, i bëri ballë aparatit shtypës diktatorial.Botimi i dosjeve të ish të përndjekurve është një mënyrë relative për të rrëfyer torturën personale, presionin psikologjik, vështirësitë ekonomike, vuajtjen shpirtërore dhe, më pas, vuajtjet fizike të tyre gjatë burgimit, internimit apo dëbimit.

Autoriteti në 28 janar të këtij viti u kujdes gjithashtu që në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan dhe Këshilli Bashkiak, Arkivi Digjital Elbasan dhe Biblioteka Kombëtare, miq e dashamirës të tij të organizonte aktivitetin “Uran Kostreci-jeta, disidenca, vepra, në mjediset e Teatrit “Skampa”. Uran Kostreci, iu prezantua publikut përmes dosjes së përndjekjes, aktivitetit politik, mendimit dhe fjalës së lirë, krijimtarisë letrare, kontributit si mësues dhe themelues i revistës “Liria”. Nxënësit e shkollave morën pjesë aktivisht me recitimin e poezive të Uran Kostrecit.

Aktivitete të tilla i japin frymëmarrje më të gjerë planeve tona në fushën e kujtesës, duke zgjeruar format e komunikimit me publikun, si dhe duke rritur dimensionet e saj, sepse siç shkruan shkrimtari çek Milan Kundera, i cili përjetoi përndjekjen nga regjimi diktatorial, “Betaja e njeriut kundër pushtetit, është beteja e kujtesës kundër honit të harresës”./atsh/ KultPlus.com

“Arti i këndimit” nga Elife Podvorica-Jashari do të promovohet më 30 dhjetor

Libri “Arti i këndimit” nga Elife Podvorica-Jashari do të promovohet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Promovimi do të bëhet më 30 dhjetor me fillim nga ora 20:00.

Ky është libri i parë në gjuhën shqipe për artin e këndimit dhe pedagogjinë vokale.

Libri do të botohet nga Shtëpia Botuese Dukagjini. /KultPlus.com

‘Jashtë është mot i vrenjtur, qielli ngjan si i zgërlaqur plot me re të shpërndara’

Poezi nga Liridon Mulaj

Babait, “krifa” e bardhë
derdhur supeve po i rrallohet.
Dhe nuancat e verdha të nikotinës,
për çudi po ia mveshin të tërën
Tashmë thotë po bëhem biond,
siç nuk kam qënë kurrë, as në ëndrra.
Dhe pa përfunduar fjalën e pyes:
A ke pasur ëndrra?
Nuk qesh babai,
shtrëngon grushtet
kruspullohet si gjarpër shtëpie
e nëpër dhëmbë,
shpall se Po!
-Kam ëndërruar, ndryshe do të
isha i vdekur!
E teksa më vështron me sytë e
ujëzuar ,
nis e qesh duke më thënë serish se po,
tani duhet të qeshim.
(Ka një kohë për të qeshur dhe një kohë për të qarë)
Dhembët e vënë me material industrial
e bezdisin,
duhani ia shkatërron frymëmarrjen,
por ai e puth cigaren e dredhur siç
puthet e dashura e jetës.
(Se di, mamaja apo në mos ndonjë tjetër!)
Ja dhe një tjetër dashuri që vret,
siç vritet hapi ynë drejt amshimit,
që ngjason me theqafjet e fëmijës
në tentativë për të ecur.
Ai nuk e kupton se momenti
i qëndrimit drejt
është çasti kur ia ka prerë vetes biletën
për në humnerë…

Jashtë është mot i vrenjtur
qielli ngjan si i zgërlaqur plot
me re të shpërndara
Një fëmijë në oborr, ha një misër të pjekur
dhe herë pas here fshin qurret me mëngë.
Babai nuk qesh,
bashkë me flokët,
i janë rralluar dhe shokët.
Ndërsa unë ,këtë çast pa asnjë motiv
e kthej në poezi , për të mos ia plasur vajit… / KultPlus.com

Promovohet numri i parë i “Revistës Arkeologjike”

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, promovoi sot, dy botime të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Bëhet fjalë për numrin e parë të “Revistës Arkeologjike”, një botim që hedh dritë mbi punën e një prej sektorëve më të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, që është Shërbimi Arkeologjik. Si dhe revistën “Monumentet”, në numrin e saj të 61-të, që është një dritare jo vetëm për njerëzit e fushës, që shkëmbejnë arritjet më të fundit me njëri-tjetrin, por edhe për studentët dhe një publik më të gjerë me interesa të posaçme për monumentet.

“Revista Arkeologjike” është rezultat i punës së Shërbimit  Arkeologjik, falë punës së të cilit arrihet zbulimi dhe shpëtimi i shumë gjetjeve arkeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe është e rëndësishme që ky aktivitet, zbulimet, dokumentimet, përfundimet të shkojnë edhe te publiku, jo vetëm ai i specializuar.

“Sa i përket “Monumenteve”, kjo revistë ka qenë një guidë në fushën e vet, falë drejtimit të prof. dr. Pirro Thomo dhe bashkëpunimit me emra të nderuar të trashëgimisë kulturore”, u shpreh ministrja.

“Mirënjohja për të gjithë bashkëpunëtorët e kësaj reviste, le të jetë një ftesë për më shumë pjesëmarrje në prezantimin e një pune të përbashkët në ruajtje të pasurisë sonë”, deklaroi Margariti gjatë eventit të mbajtur në sallën “Tefta Tashko Koço” të Ministrisë së Kulturës./atsh/ KultPlus.com

‘E vetmja gjë që nuk e marrim dhe japim mjaftueshëm është dashuria’

Henry Miller është shkrimtar amerikan i shekullit të XX që shkroi një lloj të ri të novelës, e karakterizuar më vonë si një autobiografi e fiksionit.

Veprat tij janë “Tropic of Cancer” (1934), “Tropic of Capricorn” e cila u publikua në vitin 1939. Novela “Black Spring” u botua në vitin 1936 dhe më pas libri i udhëtimeve “The Colossus of Maroussi” (1941).

KultPlus ju sjell thëniet më të famshme të Henry Miller:

Ne vrasim sepse frikohemi nga hija jonë, frikohemi se nëse shfrytëzojmë pakë mendjen do të duhej të pranonim se principet tona të famshme janë gabim.

E vetmja gjë që nuk e marrim mjaftueshëm është dashuria. Dhe e vetmja gjë që nuk e japim mjaftueshëm është dashuria.

Rrëmujë është fjala e shpikur për të treguar një rregull që nuk kuptojmë.

Njeriu që merakoset vazhdimisht për hallet e njerëzimit ose nuk ka halle të vetat ose refuzon të përballet me to.

Qëllimi është në të shndërruarit e jetës në art.

Janë vetëm tre gjëra për të bërë me një grua. Ta duash atë, të vuash për të ose ta kthesh në letërsi. / KultPlus.com

Imazhi i veçantë i Mjegullnajës së largët të Konit mahnit astronomët

Ky imazh i mahnitshëm i mjegullnajës në kufijtë e thellë të hapësirës ka habitur astronomët. Imazhi i Mjegullnajës së Konit u publikua nga Observatori Jugor Evropian (ESO).

Fotoja është marrë nga Teleskopi i Madh i ESO-s për të festuar 60-vjetorin e tij.

Mjegullnaja e konit është pjesë e një kompleksi më të madh 2500 vite dritë larg. Njihet si NGC 2264 në yjësinë Monoceros (Njëbrirëshi).

Kjo mjegullnajë e veçantë duket ndryshe nga disa që mund të keni parë. Nuk shkëlqen me ngjyra nga gazi ndëryjor, por përkundrazi përbëhet nga pluhur i trashë që thith dritën e dukshme.

 “Pamja e saj si shtyllë është një shembull i përsosur i formave që mund të zhvillohen në retë gjigante të gazit molekular të ftohtë dhe pluhurit, të njohura për krijimin e yjeve të rinj”, tha ESO në një mbishkrim që shoqëron foton. /tvklan.al/ KultPlus.com

‘Ka poetë që s’dinë të përkthejnë, ashtu siç ka poetë që s’dinë të bëjnë poezi’

Nga Lasgush Poradeci

S’ka gjuhë që s’mund të përkthejë, por ka poetë që s’dinë të përkthejnë, ashtu siç ka poetë që s’dinë të bëjnë poezi. Po a ka gjuhë më pak poetike se frëngjishtja që i ka të gjitha fjalët oksitone? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë që të nxjerrë poetë aq të mëdhenj? Po a ka gjuhë më pak poetike se anglishtja, me gjithë ato fjalë monosilabike? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë për ata poetë të mëdhenj të Anglisë?

Ku pyet poeti! Dhe ca më pak s’pyet poeti shqiptar! Se shqipja ka mundësira të pakufishme për të krijuar dhe për të përkthyer. Ajo ka fjalë të shkurtra, të gjata, oksitone, paraoksitone, proparaoksitone, ç’të duash ka! Nga mundësitë që krijon gjuha shqipe ua kalon shumë gjuhërave të botës dhe mund të krahësohet me gjermanishten. Prandaj s’ka faj gjuha, po ku është poeti?

(Marrë nga profili i Marie Poradeci) / KultPlus.com

SHBA dhe BE lëshojnë një deklaratë të përbashkët për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, shkruan KultPlus.

Përmes një deklarate të përbashkët, BE dhe SHBA kanë njoftuar se janë të shqetësuar për situatën e vazhdueshme të tensioneve në veri të Kosovës.

Deklarata e plotë:

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar për situatën e vazhdimisht të tensionuar në veri të Kosovës.

Iu bëjmë thirrje palëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të qetësuar pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet apo kërcënimet.

Ne po punojmë me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike për zbutjen e tensionetve dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale.

Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta apo barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, shteti i së drejtës duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin Bashkimin Evropian përmes Misionit të Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e tij, i cili mund të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshin, në veçanti, garancitë për gjykim të drejtë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë të pjesëtarëve të komuniteteve të pakicës në Kosovë.

Ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre.

Të gjitha detyrimet e Dialogut duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesë”, thuhet në deklaratën e tyre. /KultPlus.com

Magjia e saj kudo në skenë elektrizoi publikun në skenat botërore, Lipa: Viti 2022 më ndryshoi jetën

Ylli i skenës botërore, Dua Lipa, ka shënuar një tjetër vit të suksesshëm duke marrë pjesë në skena të ndryshme të njohura në mbarë botën dhe duke e mbyllur kështu vitin në mënyrën më të mirë të mundshme, shkruan KultPlus.

Pandemia COVID-19, ndikoi që turneu i saj “Future Nostalgia” të shtyhet për dy vite dhe “2022-ta” të jetë viti kur Lipa shpërthen.

Përmes një postimi në rrjete sociale, 28 vjeçarja reagoi duke thënë se ky ishte viti që e ndryshoi jetën e saj.

“Future Nostalgia ~ 2022 ~ viti që ndryshoi jetën time. Faleminderit për kujtimet e përjetshme”, shkroi Lipa në Instagram.

Mediat britanike kanë raportuar se Lipa aktualisht është duke punuar në albumin e saj të ri. /KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës triumfoi përkundër sfidave për të përfunduar suksesshëm vitin

Viti 2022 për Teatrin Kombëtar të Kosovës ishte vërtet i lëkundshëm në shumë aspekte. Fillimisht, si pasojë e pandemisë globale COVID-19, ka pasur edhe mungesë produksionesh për një kohë të gjatë, e më pas duke ardhur me lajmin se do t’i nënshtrohet procesit të rinovimit dhe puna do të kryhet në një mjedis tjetër, siç është ai i Amfiteatrit të Ri të TKK-së, shkruan KultPlus.

Me gjithë problemet, TKK shpërtheu për të na dhënë tre shfaqje mahnitëse dhe për të mbyllur kështu vitin e suksesshëm me salla plot.

Përmes një postimi në “Facebook”, Teatri Kombëtar i Kosovës ka listuar të arriturat e këtij viti.

Postimi i plotë:

“Teatri Kombëtar i Kosovës përgjatë vitit 2022

Viti që po lëm pas ishte mjaft i veshtirë për teatrin në gjithë botën ndikuar nga pandemia globale Covid 19 si dhe mungesa e prodhimeve për një kohë të gjatë.

Sidoqoftë, TKK përkunder veshtirësive vitin 2022 po arrijmë ta përmbyllim me sukses, gjithmone duke na motivuar për punë dhe suksese edhe më të medha.

Viti 2022 shënon edhe këto të arritura:

– TKK është bërë pjesë e familjes së madhe të European Theatre Convention duke hapë dyert tona për bashkëpunim dhe prezentim ndërkombëtar! Viti 2023 do të shenojë edhe realizimin e një bashkëprodhimi të madh evropian i cili do të ketë premierën në muajin Tetor!

– Prezentuam TKK-në në konferenca ndërkombëtare teatrore e në Festivalin e Avignionit duke krijuar ura të reja bashkëpunimi!

– Këtë vit u morr vendimi për renovimin e tërsishëm të objektit te TKK-së.

– Këtë vit nisëm një kapitull të ri të bashkëpunimit teatror kombëtar me marrëveshjen e përbashkët me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrin Shqiptar në Shkup duke bërë realitet ëndrrën e kahmotshme: Festivalin e Teatrit Shqiptar – MOISIU. Festivali përfundoi edicionin e parë sivjet në nëntor.

– TKK adaptoi hapësirën e Amfiteatrit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë e shëndrruar në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës! Ndër të tjera, përpos që e krijuam një shtëpi të re për ne, e krijuam edhe një hapësirë teatrore që do të jetoj gjithmonë në Kryeqytet!

– Nga 28 nëntor deri me 21 Dhjetor prezentuam 3 premiera: CLUB ALBANIA (bazuar në Pas Vdekjes) në regji të Fatos Berisha, MOLLY në regji të Sibel Abdiu dhe GRATË ose mëkatet e tyre në patriarkat në regji të Nastazija Domaradzka!

– Reprizat e shfaqjeve tona ishin gjithmonë SOLD OUT

– Nisëm një kapitull të ri të bashkëpunimit në mes të teatrove publike në Kosovë me fillimin e bashkëprodhimit të shfaqjes FAUSTI në regji të Fadil Hysaj bashkë me Teatrin e Qytetit Gjilan dhe Teatrin e Qytetit Prizren!

– Me produksionet tona morrem Çmime në festivale te ndryshme në Rajon e Kosovë si dhe prezentuam produksionet tona nëpër Kosovë, Rajon e Evropë!

E gjithë kjo punë do të ishte e pamundur pa punën e palodhshme të stafit të TKK-së dhe pa profesionalizmin e Aktorëve të Trupes Rezidente të TKK-së dhe të gjithë bashkëpunëtorëve tanë!

Meritë të veçante pa dyshim ka edhe mbështetja e MKRS-së dhe institucioneve tjera me të cilat kemi bashkëpunuar.

Falenderim i veçantë nga TKK i behet publikut tonë besnik.

Mirupafshim në vitin 2023 për të cilin jemi të motivuar të tejkalojmë sukseset e këtij viti!”, thuhet në postimin e tyre.

Shfaqja e fundit që u shfaq në Amfiteatrin e Ri ishte shfaqja “Club Albania”. /KultPlus.com

S’e them dot

Poezi nga Orhan Veli Kanik

Shqipëroi: Alban Tartari

Sikur të qaj a ma dëgjon njeri zërin,
Në vargjet e mia;
A mund t’i prekni
Lotët e mi me duart tuaja?

S’e dija që këngët e tua
ishin kaq të bukura,
dhe fjalët e mia të pamjaftueshme
para se të bija në këtë hall.

Ka një vend, e di;
Ku është e mundur të thuash çdo gjë.
Jam afruar mjaft. Mbaj vesh, më kot;
S’e them dot./ KultPlus.com