​Nagavci kërkon nga drejtoritë e arsimit punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit që të nisin procedurat e punësimit të 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

Nagavci përmes një postimi në Facebook tha se ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë është prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë sonë.

“Në kuadër të kësaj, sot kam dërguar njoftim me shkrim në Drejtoritë Komunale të Arsimit për procedurat e punësimit të 100 asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara, në mënyre që punësimi i tyre të bëhet në tre mujorin e parë të këtij viti. Në përmbushje të prioriteteve të këtij viti për rritjen e përfshirjes, ofrimit të mësimdhënies dhe mësimnxënies cilësore për fëmijët me nevoja të veçanta në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, në Ligjin Nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës se Kosovës për vitin 2022, janë ndarë normat dhe mjetet financiare për punësimin e 100 asistenteve për fëmijët/nxënësit me nevoja të veçanta”, ka deklaruar ajo.

Ministrja ka shtuar tutje se, tani do të vazhdojnë bashkëpunimin me komunat dhe do ta monitorojnë këtë proces për së afërmi për t’u siguruar që punësimi i tyre të bëhet brenda kohës së paraparë dhe nevojave të identifikuara nëpër komuna.

“Pikësynim i Qeverisë sonë mbetet që deri në fund të mandatit t’i kemi 500 asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkolla. Vitin 2022 e kemi shpallur “Vit të personave me aftësi të kufizuara” dhe mbesim të përkushtuar që fëmijëve tanë t’ua lehtësojmë qasjen në arsim të barabartë dhe cilësor”, tha Nagavci. / KultPlus.com

Ministrja Nagavci kërkon respektimin e masave antiCOVID: Ndërprerja e mësimit s’duhet të përsëritet

Task Forca për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në MASHTI, sot ka dalë me disa rekomandime, me theks të veçantë në respektimin me përpikëri të masave anti-COVID-19 nga të gjithë akterët e përfshirë në sistemin edukativ-arsimor, sipas udhëzimeve të IKSHPK dhe në përputhje me gjendjen epidemiologjike në vend.

Përfaqësuesit e IKSHPK-së, gjatë takimit, kanë ritheksuar nevojën e vaksinimit dhe respektimit rigoroz të masave parandaluese kundër pandemisë, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik dhe të sigurohet mbarëvajtja e mësimit.

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se ndërprerja e mësimit nuk duhet të përsëritet dhe se në këtë drejtim duhet të respektohen masat mbrojtëse.

KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:

Respektimi i masave dhe kujdesi i shtuar sigurojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Që nga shfaqja e COVID-19, fëmijët kanë përjetuar një fëmijëri dramatikisht të ndryshme që do ta mbajnë mend gjatë gjithë jetës së tyre. Kanë humbur orët mësimore, janë përballur me stres e presion të jashtëzakonshëm, ndarjen nga shokët, shoqet e mësuesit/et, dhe janë ballafaquar me mungesën e rutinës ditore. Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe Kosova po vazhdon një vit tjetër shkollor në kushte të COVID-19. Ndërprerja e mësimit s’duhet të përsëritet.

Task Forca për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në MASHTI, sot ka mbajtur takimin e rradhës dhe ka dhënë disa rekomandime, me theks të veçantë në respektimin me përpikëri të masave anti-COVID-19 nga të gjithë akterët e përfshirë në sistemin edukativ-arsimor (prindërit, nxënësit, mësimdhënësit, drejtoritë e shkollave, DKA-të, etj.), sipas udhëzimeve të IKSHPK dhe në përputhje me gjendjen epidemiologjike në vend.

Përfaqësuesit e IKSHPK-së, gjatë takimit, kanë ritheksuar nevojën e vaksinimit dhe respektimit rigoroz të masave parandaluese kundër pandemisë, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik dhe të sigurohet mbarëvajtja e mësimit.

Që fëmijët të vazhdojnë të mësojnë, ne të gjithë duhet të respektojmë dhe zbatojmë masat mbrojtëse për COVID-19. Ky brez nuk mund të përballojë më ndërprerje në arsimin e tyre, prandaj ne duhet t’i mbajmë shkollat ​​hapur. Nga kjo varet e tashmja e fëmijëve tanë, e ardhmja e brezit të ri”, ka shkruar Nagavci në Facebook. / KultPlus.com

Ministrja e Arsimit nuk është optimiste për testin PISA që mbahet sivjet

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se Kosova do të marrë pjesë edhe sivjet në testin PISA ku herën e fundit ishte radhitur gati krejt në fund të listës.

Nagavci, në Klan Kosova, ka thënë se kanë nisur punën për pjesëmarrjen në këtë test, derisa shton se duhet punuar shumë më tepër për të pasur rezultatet e pritura.

“Ne kemi marrë vendimin që edhe sivjet të marrim pjesë në testin e vlerësimit të nxënësve, PISA, i cili do të organizohet në pranverë të këtij viti. Natyrisht të gjitha shtetet pjesëmarrëse sivjet do t’i kenë sfidat e tyre për shkak të situatës së krijuar me pandeminë. Ne kemi pasur goditje të sistemit të arsimit për shkak të pandemisë, prandaj fokusi ynë edhe si ministri ka qenë të rikthehemi me mësim me prani fizike, t’i bëjmë të gjitha ato që janë në kompetencat tona që të ofrojmë një mësimdhënie cilësore për nxënësit dhe t’i rikuperojmë humbjet që janë shkaktuar. Përtej kësaj do të marrim pjesë edhe në testin PISA ku në këtë drejtim ka një planifikim dhe ka një varg aktivitetesh që po ndërmerren në mënyrë që të jemi të suksesshëm në këtë test, por duke i pasur parasysh rrethanat me pandeminë natyrisht se duhet tepër punë që t’i kemi rezultatet e synuara”.

Megjithatë, ajo nuk ka pritshmëri të mëdha se Kosova do të jetë më e suksesshme këtë herë në testin PISA.

Ministrja e Arsimit një pjesë të madhe të fajit për rezultatin e Kosovës, që megjithatë synohet të jetë më pozitiv, ia lë pandemisë COVID-19.

“Mendoj se tani angazhimi i të gjitha palëve të përfshira – mësimdhënësit, menaxhmenti i shkollave, zyrtarët komunalë dhe ata të ministrisë së Arsimit – rreth seriozitetit dhe përkushtimit për pjesën organizative të pjesëmarrjes në testin PISA është në një nivel shumë më të lartë. Ka vëmendje dhe përkushtim që të gjitha obligimet që na takojnë neve të jenë të përmbushura në mënyrën më të mirë të mundshme. Përtej kësaj mendoj që edhe për mësimdhënësit ka qenë shumë e rëndësishme që të punojnë me nxënësit e tyre në mënyrë që të përmirësojnë rezultatet, sepse këtyre rezultateve të fundit iu janë referuar të gjithë kur kanë folur për gjendjen në arsim dhe me të drejtë se kjo është shqetësuese dhe nevojitet që të punojmë shumë për përmirësimin e rezultateve”.

“Nuk mund të them që jam shumë optimiste, edhe për shkak të situatës me pandeminë dhe edhe për shkak të vështirësive të cilat janë evidente edhe janë evidentuar edhe në testin e fundit. Përkundër vullnetit për të punuar dhe për të arritur rezultate më të mira e gjithë bota u godit nga pandemia dhe kjo solli vështirësi të reja, kështu që në përgjithësi nuk pres që në të gjitha vendet do të ketë një nivel më të lartë, por përtej kësaj është obligim i joni që të japim maksimumin tonë duke filluar që nga mësimdhënësit e deri te ne në ministri në mënyrë që të sigurohemi që nxënësit të arrijnë rezultate më të mira në këtë test”. / KultPlus.com

Nagavci preferon që mësimi të mbahet me prani fizike në shkolla

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se për cilësi më të mirë mësimi duhet të zhvillohet me prezencë fizike në shkolla.

“Në mënyrë që të kemi cilësi më të mirë, institucionet shkollore duhet të mbesin të hapura e mësimi të zhvillohet me prezencë fizike dhe kjo kërkon punë e përgjegjësi nga të gjithë ne”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci ka kujtuar se mësimi do të vazhdojë të zhvillohet sipas Udhëzuesit i cili parasheh 4 skenarë.

“Nëse në ndonjë prej shkollave ka rritje të rasteve pozitive me Covid-19, procesi mësimor do të vazhdohet sipas skenarëve, përfshirë mësimin nga distanca, apo me numër të kufizuar të nxënësve, varësisht se si përcaktohet nga Task Forcat në nivel komune”.

Video-mësimet po ashtu do të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), dhe mund të gjenden edhe në kanalin zyrtar të MAShTI.

“Ju ftoj për kujdes të shtuar e respektim të masave mbrojtëse në mënyrë që ta ruajmë shëndetin publik e të kemi mbarëvajtje të procesit mësimor”, ka shkruar ndër të tjera Nagavci./KultPlus.com

MKRS ndan 330,000 euro për trajnimin e 400 nxënësve në sportin e skijimit

Sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, Dafina Gexha, Zëvendësministre e Shëndetësisë, rektorin e UP Naser Sahiti, dekanin e FEFS, Musa Selimi dhe Kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Adrian Telaku nënshkruan memorandum bashkëpunimi që parasheh përfshirjen e rreth 400 nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në projekt të edukimit jo-formal në sportet malore, specifikisht skijimit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 330,000.00 Euro për trajnimin e 400 nxënësve në sportin e skijimit. Për realizimin e aktiviteteve sportivo-edukative, përmes së cilave promovohen benefitet e aktivitetit fizik dhe kapacitetet e  Republikës së Kosovës për zhvillimin e sporteve malore.

Obligim i MASHTI-t do të jetë përzgjedhja e nxënësve dhe stafit përcjellës të tyre. Ministria e Shëndetësisë sipas memorandumit do të sigurojë stafin mjekësor dhe mjetet përcjellëse. Universiteti i Prishtinës, respektivisht FEFS, do të bëjë trajnimin e nxënësve në sportin e skijimit nëpërmjet stafit profesional, të cilin do ta sigurojë. Ndërsa FSSHK-ja obligohet për mbarëvajtjen e organizimit dhe kryerjen e shpenzimeve të realizimit të këtij projekti.

Memorandumi përfshin mbështetjen e aktiviteteve në harkun kohor një vjeçar, përkatësisht në vitet 2021 dhe 2022, ndërsa qëllimi është zhvillimi, avancimi dhe masovizimi i sportit në vendin tonë. / KultPlus.com

Akademi mirënjohjeje për Shyqri Nimanin, artisti unik në fushën e arteve krijuese

Shoqata e intelektualëve ‘Jakova’ ka organizuar një akademi mirënjohjeje me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorit të opusit multidisiplinar të artistit, Shyqri Nimani.

Nga afër këtë ngjarje e përcollën edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Shyqri Nimani njihet për karrierën e bujshme që ka lënë gjurmë artistike në vendin tonë, duke filluar me krijimin e logos së Grand Hotel, Kosova Film, simbolin e Universitetit të Prishtinës, deri tek kaligrafimi me dorë në pergamenë e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar MKRS-ja.

KultPlus ju sjell postimin e tyre të plotë:

Akademi mirënjohjeje për Prof.Dr. Shyqri Nimanin

Në qytetin e Gjakovës u mbajt Akademi mirënjohjeje për Prof.Dr. Shyqri Nimanin, organizuar në 80 vjetorin e tij të lindjes dhe 60 vjetorin e opusit multidisiplinar, nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova” dhe Shoqata ‘’Gjakova-Basel’’.

Përmes bashkëpunëtorëve dhe nga vet Nimani u fol për jetën dhe krijimtarinë e tij.

Një njeri i rrallë, artist unik në fushën e arteve krijuese dhe shembull për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm për shoqërinë.

Shyqri Nimani njihet për karrierën e bujshme që ka lënë gjurmë artistike në vendin tonë, duke filluar me krijimin e logos së Grand Hotel, Kosova Film, simbolin e Universitetit të Prishtinës, deri tek kaligrafimi me dorë në pergamenë e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por gjithashtu për kontributin në arsim e shkencë. Ai është një nga themeluesit e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka botuar disa nga monografitë reprezentative dhe më të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.

Nga afër këtë ngjarje e përcollën edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Punën e tij do ta vlerësojmë dhe çmojmë gjithmonë. / KultPlus.com

Nagavci: Shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen, e të fundit që mbyllen

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për kthim të sigurt të fëmijëve në shkolla.

Nagavci në një mesazh drejtuar mësimdhënësve dhe nxënësve fton t’i respektojnë në përpikëri masat e rekomanduara nga ekspertët shëndetësor për t’u mbrojtur nga COVID-19.

“Mësimdhënës dhe prindër të nderuar, është shumë e rëndësishme bashkëpunimi në mes të gjithë neve, veçanërisht në këtë periudhë pandemie. Është e rëndësishme po ashtu, që të gjithë ne të jemi të vaksinuar. Përqindja e vaksinimit në mesin tonë duhet të jetë 100 për qind. Arsimi cilësor mund të ofrohet vetëm në shkolla, prandaj edhe shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen”, u shpreh ministrja e arsimit.

Për shkak të situatës me pandeminë viti i ri shkollor nuk kishte filluar më 1 shtator, ashtu siç parashihet. Fillimisht viti shkollor ishte shtyrë për dy javë, ndërsa më pas IKSHPK rekomandoi shtyrjen edhe për dy javë tjera.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot do të takohet me përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës sot për të diskutuar për masat e reja anti-COVID.

Në takim pritet që të jepet rekomandimi nga IKSHPK-ja lidhur me hapjen shkollave. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Nagavci: Orët e humbura do të kompensohen

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci për lirimin nga pagesa për vijimin e mësimit në arsimin e lartë, tha se kjo do të krijojë lehtësira për universitetet.

Ajo tha se po shmangin diskriminimin e pabarazinë sociale, duke sqaruar se për këtë vit nga buxheti do të ndahen 1.7 milionë euro për universitetet.

“Studimet pa pagesë për arsimin e lartë ka qenë një nga zotimet tona, me këtë zotim ata lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit dhe po shmangim diskriminimin për shkak të pa barazisë sociale”.

“Në hyrje në fuqi shfuqizohet udhëzimi administrativ i mëparshëm. Në lidhje ne shumën e bursave do të vlejnë të njëjta vlera dhe ne kemi hapur thirrje edhe për 1 000 bursa për vajzat, dhe përtej kësaj kemi ofruar mbështetje për studentët e cila do të vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm”.

Nagavci tha se 18 ditët e humbura të vitit shkollor do të kompensohen, pasi që mësimi është shtyrë deri më 26 shtator me rekomandim të IKShPK-së.

“Sa i përket zhvillimit të mësimit ka qenë rekomandim i IKSHPK-së që të pezullohet deri me 26 të këtij muaji dhe janë 18 ditë të humbura dhe të gjitha do të kompensohen”.

“Sa i përket zhvillimit të mësimit ka disa shkolla që kanë filluar aktivitetet që janë kompensim. Janë të paraparë 4 skenar, i cili do të zbatohet nëse vlerësohet nga Task-Forca”. / KultPlus.com

Nagavci: Vendimi përfundimtar për fillimin e vitit të ri shkollor do të vendoset në mbledhjen e radhës së Qeverisë

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, është njoftuar se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave, andaj do të respektohen rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e radhës së Qeverisë, përcjellë KultPlus.

“Si ministre e Arsimit përgëzoj të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të shkollave, që janë vaksinuar tashmë dhe u bëj thirrje për vaksinim jo vetëm atyre punëtorëve të arsimit të cilët deri tash nuk janë vaksinuar, por edhe prindërve, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sepse vetëm kështu ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve”, ka shkruar Nagavci.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

Të dashur punëtorë të arsimit, të nderuar prindër.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bashkë me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave, i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.
Është rishikuar dhe publikuar “Udhëzuesi për organizimin e mësimit për vitin shkollor 2021/2022 në kushtet e Pandemisë COVID-19” dhe i njëjti është dërguar edhe në drejtoritë komunale të arsimit.
Udhëzuesi, mundëson organizimin e mësimit sipas kushteve epidemiologjike në vend duke përfshirë edhe kushtet e rihapjes së institucioneve edukativo-arsimore me masa të shtuara për shëndetin publik, kushte të mbylljes së pjesshme apo kushte të mbylljes së plotë për shkak të rrezikshmërisë së shëndetit nga COVID-19.
Po ashtu, janë shpërndarë tekstet shkollore si dhe janë përgatitur shkollat për fillimin e procesit mësimor. Siç e kemi thënë edhe më herët, synimi ynë është që institucionet shkollore të hapen sa më parë dhe mësimi të realizohet me prezencë fizike.
Megjithatë, në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, u njoftova se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave. Natyrisht se ne do të respektojmë rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e rradhës së Qeverisë.
Të gjithë jemi dëshmitarë se varianti Delta po shpërndahet shumë më shpejt sesa versionet e mëhershme dhe po transmetohet e po prek edhe moshat e hershme, andaj duhet të respektojmë në përpikmëri të gjitha rekomandimet e masat dhe të sigurohemi se rikthimi i fëmijëve në shkolla të jetë i sigurtë.
Si ministre e Arsimit përgëzoj të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të shkollave, që janë vaksinuar tashmë dhe u bëj thirrje për vaksinim jo vetëm atyre punëtorëve të arsimit të cilët deri tash nuk janë vaksinuar, por edhe prindërve, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sepse vetëm kështu ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve. / KultPlus.com

Nagavci: Jemi gati për fillimin e vitit të ri shkollor, por presim rekomandimet e IKSHPK-së

Përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022 kanë qenë temë kryesore e diskutimit në një takim virtual në të cilin kanë marrë pjesë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përfaqësues të Drejtorive Komunale të Arsimit, përfaqësues të SBAShK-ut dhe ata të Këshillit të Prindërve në Prishtinë.

Sipas njoftimit të MASHTI-t, Nagavci, citohet të ketë thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, megjithatë bazuar në situatën epidemiologjike çdo vendim do të merret duke i respektuar rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë.

Ministrja bëri të ditur se është rishikuar udhëzuesi dhe protokollet për mësim në situatë pandemie derisa shtoi se në vizitat që ka zhvilluar në shkolla është informuar se janë të gatshme për fillimin e vitit shkollor.

Nagavci shtoi se, situata epidemiologjike në javët e fundit ka qenë e rënduar dhe vazhdon të mbetet e tillë, derisa ka përmendur rëndësinë e vaksinimit të mësimdhënësve dhe prindërve.

Besim Avdimetaj, kryetar i Kolegjiumit të DKA-ve, u pajtua që janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, ndërsa tha se vaksinimi i mësimdhënësve tashmë është në një përqindje të lartë, por do të merren për bazë rekomandimet e IKShP-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, u shpreh se apeli i kësaj sindikate dhe MASHTI-t për vaksinim ka ndikuar pozitivisht te mësimdhënësit, të cilët janë të gatshëm për të filluar vitin e ri shkollor, me dëshirën që të krijohen kushte për mësim në shkolla, por nëse e imponon situata atëherë do të japin kontributin e tyre të plotë edhe në skenarin online.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Jeton Demi theksoi se presin që Udhëzuesi të jetë në harmoni me skenarët./KultPlus.com

Zyrtare: Vendoset data për fillimin e vitit të ri shkollor në Kosovë

Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka njoftuar se pas takimit që kanë pasur me drejtorët komunalë dhe me ministren e Arsimit, Arëbërie Nagavci janë dakorduar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillojë me 1 shtator.

Sipas njoftimit, mësimi do të zhvillohet me prezencë fizike në shkolla dhe me orar të plotë.

“Për të diskutuar për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022, sot është mbajtur takimi i Kolegjiumit për Arsim të Asociacionit të Komunave të Kosovës me Drejtorët Komunal të Arsimit, e ku ka marrë pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. Në këtë takim, u konkludua se janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana e Komunave të Kosovës dhe Ministrisë në mënyrë që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator me prezencë fizike në shkollë dhe me orar të plotë. Ministrja Nagavci theksoi se rekomandimet e MSh dhe IKShPK, por edhe praktikat botërore, tregojnë se mësimi këtë vit shkollor po fillon me prezencë fizike në shkollë. Ajo i informoi Drejtorët Komunalë të Arsimit për përgatitjet që janë bërë nga ana e Ministrisë për fillimin e vitit shkollor”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

MËSIMI FILLON ME 1 SHTATOR ME PREZENCË FIZIKE NË SHKOLLA

Për të diskutuar për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022, sot është mbajtur takimi i Kolegjiumit për Arsim të Asociacionit të Komunave të Kosovës me Drejtorët Komunal të Arsimit, e ku ka marrë pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Në këtë takim, u konkludua se janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana e Komunave të Kosovës dhe Ministrisë në mënyrë që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator me prezencë fizike në shkollë dhe me orar të plotë.

Ministrja Nagavci theksoi se rekomandimet e MSh dhe IKShPK, por edhe praktikat botërore, tregojnë se mësimi këtë vit shkollor po fillon me prezencë fizike në shkollë. Ajo i informoi Drejtorët Komunalë të Arsimit për përgatitjet që janë bërë nga ana e Ministrisë për fillimin e vitit shkollor.

Ndër të tjera, Ministrja theksoi se tashmë ka filluar shpërndarja e teksteve shkollore dhe shumë shpejt DKA-të do të kenë edhe protokolet dhe Udhëzuesin e rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.

Ministrja falënderoi drejtorët komunalë, por edhe të gjithë akterët e tjerë që menaxhojnë me situatën pandemike, për punën që kanë bërë deri më tani. Por, ajo theksoi nevojën e bashkëpunimit edhe më të shtuar për fillim të këtij viti shkollor, duke pasur parasysh situatën pandemike në vend.

Ministrja Nagavci, po ashtu, iu bëri thirrje edhe mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve, që të kujdesen maksimalisht, duke zbatuar masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK, në mënyrë që nxënësit të mos humbin edhe mëtutje në procesin mësimor.

Drejtoti Ekzekutiv i Asosiacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Kolegjiumit për Arsim, Besim Avdimetaj theksuan se është lajm i mirë fillimi i vitit shkollor me prezencë në shkollë.

Ndërsa, Drejtorët e DKA-ve thanë se shkollat janë përgatitur për fillim të vitit shkollor, ndërsa sipas statistikave që ata paraqitën, mesatarja e personelit arsimor të vaksinuar me njërën dhe me të dy dozat e vaksinës është rreth 70 përqind deri më tani. / KultPlus.com

Nagavci: Jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ftoj të gjithë punëtorët e arsimit që të vaksinohen

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe akademik, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit që të vaksinohen që të plotësohen kushtet për një fillim sa më të mbarë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook ajo ka njoftuar se sipas të dhënave të IKSHPK-së, numri i stafit arsimor të vaksinuar përfshirë ata në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët është 55.094 derisa dy javë më parë kjo shifër ka qenë 29.878.

Nagavci thotë se po synojnë që viti i ri shkollor dhe akademik të nisë me prezencë fizike.

Postimi i plotë:

 Të nderuar mësimdhënës, drejtorë shkollash e staf tjetër i institucioneve edukativo-arsimore, të dashur studentë.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë e IKSHP-së, numri i stafit arsimor të vaksinuar përfshirë ata në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët është 55.094 derisa dy javë më parë kjo shifër ka qenë 29.878.

Bazuar në këto të dhëna shihet se ditëve të fundit ka pasur një rritje të interesimit për t’u vaksinuar.

Meqë jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe atij akademik, ftoj edhe njëherë të gjithë punëtorët e arsimit që të vaksinohen.

Ne jemi gati për fillimin e vitit të ri shkollor dhe atij akademik dhe po synojmë që ky proces të nis me prezencë fizike.

Meqë jemi në situatë pandemie, paraprakisht duhet t’i plotësojmë kushtet për një fillim sa më të mbarë. Prandaj vaksinohuni.

Suksese të gjithëve e na priftë e mbara!./KultPlus.com

Nagavci thirrje mësimdhënësve që të vaksinohen

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u ka bërë thirrje mësimdhënësve dhe stafit teknik të shkollave të vaksinohen në mënyrë që në shtator të jenë të gatshëm të nisin mësimin me praninë fizike të fëmijëve në shkolla.

Nagavci në një konferencë për media dhe sa janë duke marrë masa që viti të nisë me praninë fizike, duke pasur kujdes për shëndetin dhe duke respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ajo tha se me ofrimin e kohës për fillimin e vitit të ri është rritur interesimi i mësimdhënësve për tu vaksinuar.

“…Do të thotë se kemi rreh 50 për qind të stafit të mësimdhënësve të vaksinuar”, tha ajo.

Nagavci tha se beson që mësimdhënësit do të kujdesen për shëndetin dhe të tjerëve në mënyrë që të jenë imun ndaj variantit Delta që po përhapet më shpejt se variantet tjera të COVID-19.

“Po synojmë që t’i kemi të gjithë mësimdhënësit dhe stafi tjetër edukativo-arsimor të vaksinuar”, tha ajo./ KultPlus.com

Mësimi plotësues vazhdon edhe vitin e ardhshëm

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se për shkak të humbjeve të shkaktuara si pasojë e pandemisë, është e domosdoshme që vitin e ardhshëm shkollor të ketë një angazhim të shtuar në procesin arsimor.

Sipas saj, viti shkollor 2021-2022, do të vazhdojë të jetë me aktivitete e mundësi për ata nxënës që kanë ngecje në të nxënë.

“Bazuar në vlerësimin e përgjithshëm të raporteve komunale, del se mësimin plotësues e kanë vijuar gjithsej 181.630 nxënës nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën (I-XII), apo 61.64% e nxënësve në nivel vendi duke i realizuar gjithsej 100.365 orë mësimore”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka bërë të ditur se mësimi plotësues do të vazhdojë për shkak të humbjeve të shkaktuara për shkak të pandemisë.

“Për shkak të humbjeve të shkaktuara si pasojë e pandemisë, konsideroj se është mëse e domosdoshme që vitin e ardhshëm shkollor të kemi një angazhim të shtuar në procesin arsimor. Viti shkollor 2021-2022, do të vazhdojë të jetë me aktivitete e mundësi për ata nxënës që kanë ngecje në të nxënë”, ka shkruar Nagavci./ KultPlus.com

Nagavci: Nga viti i ardhshëm shkollor hyjnë në përdorim tekstet alternative

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur sot, se nga viti i ardhshëm shkollor do të hyjnë në përdorim edhe tekstet alternative si një element shumë i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë në arsim.

Nagavci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka pasur ankesa të shumta mbi cilësinë e teksteve aktuale mësimore për shkak të gabimeve dhe pasaktësive, andaj nga viti i ardhshëm do të bëhet edhe rishikimi i teksteve mësimore.

“Mësimdhënësit janë ata që do të punojnë me tekste shkollore dhe do të duhej të përdornin ato si një nga burimet për mësimdhënie. Atyre me legjislacionin në fuqi, u njihet e drejta që të zgjedhin tekstet shkollore të cilat pastaj miratohen nga Këshilli i Shkollës. Për këtë arsye, sivjet për herë të parë do të ofrojmë mundësinë që mësimdhënësit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore duke zgjedhur edhe tekste alternative”, ka thënë Nagavci.

Postimi i plotë i Nagavcit:

Nga viti i ardhshëm shkollor, do të hyjnë në përdorim edhe tekstet alternative

Tekstet shkollore janë një element shumë i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë në arsim. Andaj, në agjendën legjislative e kemi paraparë Ligjin për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lekturës shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik. Ne synojmë që përmes ligjit të ri të kemi tekste më cilësore për nxënësit tanë.

Viteve të kaluara me të drejtë ka pasur ankesa të shumta dhe është kritikuar cilësia e teksteve mësimore. Në to janë evidentuar pasaktësi shkencore, gabime përmbajtësore, gabime metodologjike e drejtshkrimore, andaj dhe nga viti i ardhshëm do të rishikojmë tekstet mësimore.

Mësimdhënësit janë ata që do të punojnë me tekste shkollore dhe do duhej të përdornin ato si një nga burimet për mësimdhënie. Atyre me legjislacionin në fuqi, u njihet e drejta që të zgjedhin tekstet shkollore të cilat pastaj miratohen nga Këshilli i Shkollës.

Për këtë arsye, sivjet për herë të parë do të ofrojmë mundësinë që mësimdhënësit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore duke zgjedhur edhe tekste alternative.

Presim që mësimdhënësit të jenë në nivel të detyrës, të analizojnë të gjitha tekstet dhe të vendosin se cilat janë më të përshtatshme dhe me cilësore për arritjen e rezultateve të synuara sipas kurrikulës.

Ndonëse për çdo vit në shkolla janë ofruar tekstet pa pagesë, kemi pasur shumë raste kur prindërit dhe mësuesit kanë blerë vet tekste dhe kanë përdorë tjera prej atyre që i ka dërguar Ministria, andaj përmes tekstit alternativ, do ta eliminojmë edhe këtë problem”, ka shkruar Nagavci.

Ndryshe, Ministria e Arsimit ka vendosur që të ndryshojë datat për përfundimin e vitit shkollor.

Në vendimin të cilin MASHT-i e ka marrë sot, thuhet se parashkollorët, klasat nga e para e deri në të tetën do të përfundojnë mësimin më 2 korrik. Kurse klasat 9,10 dhe 11 do të përfundojnë mësimin me 21 qershor./ KultPlus.com

Ministrja Nagavci: Qeveria ndalon ekskursionet dhe mbrëmjen e maturës

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që të lejohet mbajtja e mbrëmjes së maturës.

“Ka një mungesë serioze të koordinimit të dikastereve të përcaktuara të procesit të vaksinimit. Kërkesa jem për ju është edhe pse arsimi primar është përgjegjësi e komunës mirëpo masat e shtetit që ta bëni një plan të saktë të procesit të vaksinimit të mësimdhënësi. Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë që të organizohet matura dhe ekskursioni dhe është një çështje që ndodh një herë në jetë dhe kërkoj prej jush që t’i shikosh mundësit që të mbahet mbrëmja e maturës”, thekson Tahiri

Ndërsa, Nagavci tha se nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga Asociacioni i Komunave për mbajtjen e maturave.

Ajo tha se vendimi i qeverisë e ndalon, derisa tha se ky vendim është marrë për mirëqenien e nxënësve.

“Provimi i maturës do të mbahet vetëm për një ditë dhe vendimet e mija nuk do të jenë të pabazuara, nuk kam pranuar asnjë kërkesë nga Asociacioni i Komunave, vendimi i qeverisë ndalon ekskursionet dhe maturën dhe kjo për ruajtjen e shëndetit të nxënësve”.

Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë Covid-19. /eo/ KultPlus.com

Nagavci tregon pse do të testohen mësimdhënësit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka folur në lidhje me testimin me shkrim të mësimdhënësve në Kosovë.

Nagavci ka deklaruar se testimi i mësimdhënësve nuk do të bëhet për t’i larguar ata nga puna.

“Punësimi dhe vlerësimin e mësimdhënësve janë dy çështje të ndara. Stafi që është aktual në proces, duhet të ofrohet mundësia për rikualifikim në mënyrë që të mos kemi tejkalim të nevojave apo edhe të tilla raste kur vihet në dyshim çështja e kursimit të buxhetit”, ka thënë Nagavci.

Ministrja e Arsimit ka thënë se përgjegjësia duhet të jetë e atyre që kanë punësuar pa kritere, për të cilët thotë se e kanë keqpërdorur buxhetin e ndarë.

“Vlerësimi i performancës është një çështje tjetër që ka të bëjë me tendencën për t’u përmirësuar cilësia dhe me obligimet që ne i kemi por ne nuk bëjmë vlerësime të tilla me qëllim që dikë ta largojmë prej punës dhe ta zvogëlojmë numrin e nxënësve. Përgjegjësia duhet të jetë e atyre që e kanë bërë punësimin pa kritere dhe shumë shpesh duke keqpërdorur buxhetin e ndarë, p.sh. kemi raste kur në disa komuna ka pasur buxhetin e ndarë për punësuar asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta por kanë punësuar persona të tjerë që as nuk e kanë pasur buxhetin e ndarë”, ka deklaruar Nagavci në Atv. / Gazeta Express / KultPlus.com

Nagavci për rastin e abuzimit seksual me të miturën: Rasti do të trajtohet me prioritet

Pas raportimeve për ngacmimin seksual ndaj një të miture në një shkollë në Prishtinë ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook ajo ka thënë se ende s’kanë informata zyrtare, mirëpo do ta trajtojnë rastin me prioritet dhe kujdes të veçantë.

Nagavci tutje ka shkruar se është me rëndësi të ketë bashkëpunim të plotë mes shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale dhe institucioneve të tjera.

Më poshtë mund ta lexoni statusin e saj të plotë:

Në lidhje me shkrime dhe statuse të shumta që janë publikuar sot rreth një rasti që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të një shkolle në kryeqytet, edhe pse nuk kemi ende informata zyrtare, ju siguroj se do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë. Besoj se njejtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente.

Është shumë me rëndësi që në vazhdimësi të ketë bashkëpunim të plotë në mes të shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale e instucione tjera përgjegjëse. Të gjithë së bashku duhet të punojmë shumë për edukim dhe në mënyrë që t’i eleminojmë dukuritë  negative nga shkollat dhe shoqëria jonë.

Meqë bëhet fjalë për fëmijë të mitur, i ftoj të gjithë që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e tyre./ KultPlus.com

Nagavci ndan mirënjohje për nxënësen Era Syla, fituese e medaljes së argjendtë në EGMO

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, i ka ndarë mirënjohje nxënëses Era Syla, për fitoren e medaljes së argjendtë në Olimpiadën Matematike Evropiane për vajza 2021 (European Girls Mathematical Olympiad-EGMO 2021).

Ministrja tha se është shumë e lumtur që një vajzë e re si Era arrin suksese të tilla, duke shtuar se mirënjohja për këtë nxënëse është mundësi e mirë që të motivojmë të gjitha vajzat dhe djemtë se me angazhim dhe punë arrihen sukseset.

Nagavci theksoi se edhe në programin qeverisës është paraparë mbështetja për të gjitha nivelet dhe se fokusi do të jetë në identifikimin e talentëve të rinj.

Nxënësja Era Syla, e falënderoi ministren Nagavci për mirënjohjen dhe tha se shpreson që pas studimeve në ShBA të kthehet në Kosovë e t’i inspirojë të rinjtë që të ndjekin rrugën e saj.

Ajo po ashtu ka falënderuar Shoqatën e Matematikanëve dhe Institutin Atomi për përkrahjen e fëmijëve me aftësi të jashtëzakonshme.

Në prill të këtij viti është mbajtur Olimpiada e 10-të Evropiane e Matematikës për vajza-EGMO 2021, në të cilën ekipi i Kosovës, përkatësisht nxënësja nga Kosova, Era Syla, fitoi një medalje të argjendtë. Kjo është medalja e parë e argjendtë e Kosovës në një olimpiadë të tillë prestigjioze ndërkombëtare.

Era Syla është atomiste e identifikuar nga Instituti Atomi, e cila edhe vitin e kaluar ka fituar Medalje të Bronztë në EGMO 2020 dhe tashmë është pranuar për të studiuar matematikë në njërin ndër universitetet më të mira të botës, në Massachusetts Institute of Technology (MIT) në SHBA./ KultPlus.com

Merret vendimi: Nga e hëna, të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar vazhdojnë mësimin pa kufizime

Ministrja e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur sot se nga e hëna, më 19 prill, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar mësimi do të vazhdojë pa kufizime për pjesëmarrje fizike të nxënësve në shkolla.

“Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, IKSHPK-në e Ministrinë e Shëndetësisë kemi marrë vendim që nxënësit të rikthehen në objekte shkollore. Komunat dhe shkollat do të vendosin të punojnë sipas njërit nga skenarët A, B ose C, varësisht prej situatës me pandeminë”, thotë Nagavci.

Tutje, ajo ka njoftuar se komunat kanë njoftuar se janë të gatshme të vazhdojnë procesin mësimor sipas këtij vendimi, ndërsa gjatë fundjavës do të vazhdohet me dezinfektimin e godinave shkollore dhe do të jenë gati për vazhdimin e mësimit me pjesëmarrje fizike të nxënësve.

“Ftoj nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe të gjithë akterëve të përfshirë në shkollë, që të respektojnë me përpikëri masat kundër pandemisë”, apelon krejt në fund Nagavci. / KultPlus.com

Nagavci: Mësimdhënia online po vazhdon të përballet me vështirësi, të ndihmohen nxënësit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është deklaruar për fillimin e procesit mësimor, pas pushimit pranveror, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë.

Ajo ka bërë thirrje që të ndihmohen nxënësit të mësojnë nga distanca.

“E di se përkundër përpjekjeve, mësimdhënia online po vazhdon të përballet me vështirësi të ndryshme, por ajo mund e duhet të ketë edhe avantazhet e veta. Andaj bashkë me kujdesin për shëndetin fizik e mendor duhet të punojmë edhe për të arritur rezultate në mësim”, shkruan ajo ndër të tjera.

Postimi i saj i plotë:

Pandemia që na ndau fizikisht na jep dhe një mundësi të punojmë shumë bashkërisht.

Përballja me Covid -19 nuk ka qenë e lehtë, sfidat të shumta, e pasojat duket se do t’i shohim e ndjejmë edhe për një kohë të gjatë. Por, sot ju thërras që të jemi bashkë, ju lus të fokusohemi tek ajo që duhet të bëjmë të gjithë, të angazhohemi për të ndihmuar fëmijët e nxënësit tanë. Sepse për fëmijët duhet të gjejmë rrugën e mjetet për të fituar secilën betejë, edhe ato më të vështirat.

Pas pushimit pranveror, sot në bankat shkollore janë kthyer filloristët. Ata do të vazhdojnë mësimin e rregullt dhe jemi njoftuar se të gjitha objektet shkollore janë dezinfektuar e do të mirëmbahen vazhdimisht duke ofruar kushte të sigurta për mësimdhënie e mësimnxënie. Ndërkaq pjesa tjetër e nxënësve, pra ata të klasave VI-XII, këtë javë mësimin do ta zhvillojnë në distancë.

E di se përkundër përpjekjeve, mësimdhënia online po vazhdon të përballet me vështirësi të ndryshme, por ajo mund e duhet të ketë edhe avantazhet e veta. Andaj bashkë me kujdesin për shëndetin fizik e mendor duhet të punojmë edhe për të arritur rezultate në mësim. Covid-19 na e ndryshoi jetën, andaj natyrshëm se po ndryshon dhe mësimdhënien e mësimnxënien. Nuk kemi analiza e studime të detajuara, por s’do mend se shumë gjëra nuk kanë shkuar ashtu si duhet e si dëshirojmë,  kjo duhet të na motivojë të punojmë më shumë e më mirë.

Kjo është një përvojë e re për shumicën e shkollave gjithandej në botë, por duke mësuar e duke u përballur me të rejat edhe zhvillohemi. Andaj ta shohim si mundësi e të shfrytëzojmë më të mirën e mundshme.

Për të gjithë puna do të jetë me intensitet të shtuar, menaxhmenti dhe gjithë stafi i shkollave, zyrtarët komunal e ata të ministrisë, duhet të jenë në nivelin më të lartë të detyrës. Megjithatë,  mësimdhënësit e prindërit e kanë barrën më të rëndë në këtë proces të mësimit në mënyrë virtuale, duhet shumë punë, duhet bashkëpunim e angazhim  nga të dyja palët e që shpresoj se nuk do të mungojë.

Virusi ka goditur më së shumti grupet e cënueshme të margjinalizuara që hasin në sfida të shumta që duhet adresuar. Shkollimi është së pari edukim prandaj duhet ta shfrytëzojmë masat e rekomanduara për të ndërgjegjësim për shëndetin, për kujdesin për njëri-tjetrin, për respektin e detyrimet që kemi si individ e komunitet.

Jam e vetëdijshme se s’do të jetë gjithnjë e lehtë, por duhet të jetë e mundshme. Mbështetja jonë do të jetë e plotë, ashtu sikurse dhe kërkesa për të qenë në nivelin më të lartë të detyrës.

Të mbështesim fëmijët/nxënësit tanë të jenë sa më të suksesshëm në këtë mësimnxënie e rutinë të re, të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të mos lëmë asnjë prapa me mësime.

Shëndet e suksese në gjysmëvjetorin e dytë! / KultPlus.com

Propozohet pushim pranveror për të gjitha shkollat

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka mbajtur takim ku kanë marrë pjesë zyrtarë të MASh, përfaqësues të Kolegjiumit të DKA-ve, SBAShK-ut, Këshillit të Prindërve, IKShPK-së, drejtorë të shkollave dhe mësimdhënës.

Në komunikatën e MASh-it thuhet se takimi i sotëm është vazhdimësi e takimit të së premtes për të shqyrtuar mundësitë e organizimit të mësimit gjatë ditëve në vijim, respektivisht mundësinë e pushimit pranveror, zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë këtij viti shkollor dhe mësimin plotësues për nxënësit e nivelit fillor dhe atyre që kanë mbetur prapa në mësime.

Ministrja Nagavci theksoi brengën e saj për cilësinë e mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, por theksoi se primar mbetet shëndeti i personelit arsimor dhe i nxënësve.

Ministrja, po ashtu, kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve, në mënyrë që të menaxhohet sa më mirë që të jetë e mundur situata dhe të arrihet cilësi në mësimnxënie për aq sa është e mundur.

Të gjithë pjesëmarrësit në takim u pajtuan se është i nevojshëm pushimi pranveror për shkak të ngarkesës së madhe të mësimdhënësve gjatë punës me grupe, dezinfektimit të shkollave, si dhe për të zbutur situatën aktuale pandemike në arsim dhe atë në përgjithësi, shkruan atv.

Ministrja Nagavci kërkoi nga Kolegjiumi i DKA-ve që të deri nesër të dalin me rekomandime rreth çështjeve që u diskutuan, në mënyrë që të merret një vendim i qartë dhe të gjithë akterët e përfshirë në arsim të informohen me kohë./ KultPlus.com

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar përbërjen e plotë të kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet, përcjell KultPlus.

Në këtë listë Arbërie Nagavci do të jetë Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në legjislaturën e kaluar Nagavci  ka qenë anëtare e Komisionit për Arsim si dhe anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 Nagavci u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës dhe me 26 dhjetor të po atij viti propozohet dhe votohet për Nënkryetare të Parë të Kuvendit të Kosovës. Ajo udhëhoqi delegacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe delegacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s./ KultPlus.com

Si asnjëherë më parë, gratë më të fuqishme të Kosovës

Kryeparlamentarja e Kosovës Vjosa Osmani ka shpërndarë në rrjetin social facebook një fotografi ku shihen gratë më të fuqishme të Qeverisë Kurti, shkruan KultPlus.

Në këtë fotografi shihet kryeparlamentarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, nënkryetarja e këtij institucioni Arbërie Nagavci dhe ministret./KultPlus.com