Pamje nga Prishtina, rreth debatit mbi Teatrin Kombëtar në Tiranë

Nga Jeton Neziraj

Foto: Slavica Ziener

Teatri Kombëtar i Shqipërisë, i tillë si është tani, është thuajse jo-funksional: i mungojnë kushtet elementare për punë. A mund të rinovohet ky që është tani dhe t’i ruhet arkitektura e jashtme? Them se po, por pyetja shtrohet, përse na duhet një rinovim i këtillë? Nga sa kam lexuar prej specialistëve të arkitekturës që kanë qenë të kyçur në debat, nuk bëhet fjalë për një godinë me vlera arkitektonike.

Por le të themi, bëhet fjalë për një godinë e cila ka vlera të tjera, memoriale e shpirtërore, sepse është si një kujtesë kolektive e një komuniteti artistësh që kanë vepruar e krijuar aty për mbi 50 vite. Dhe këto janë vlera që janë legjitime e që duhet të respektohen dhe të trajtohen me dashamirësi. Por, para se përmes kësaj godine jo-funksionale, kjo memorie shpirtërore kolektive mund të ruhet në forma të tjera, përmes, ta zëmë:

-një dokumentimi/fotografimi/filmimi të godinës aktuale dhe pastaj krijimin e një këndi në teatrin e ri, në të cilin do të mund të ekspozoheshin për gjeneratat e reja krejt këto materiale (video incizime, audio incizime, fotografi etj);

-përmes krijimit të një makete në miniaturë të teatrit aktual dhe e cila maketë mund të ekspozohet pastaj në hyrje ose diku në hollë të teatrit të ri;

– përmes incizimit të disa video e audio-intervistave me disa prej krye-protagonistëve kryesor të teatrit aktual, të themi, 10 video-intervista, e të cilat intervista pastaj do të ngeleshin si pjesë e arkivës digjitale të teatrit të ri dhe në dispozicion për publikun dhe gjeneratat e reja. Ta marrim si shembull: në njërën prej tyre, aktori Ndriçim Xhepa na rrëfen për kthinat e teatrit ekzistues, për skenën, për zhveshtoret, për dërrasat dhe gjithçka tjetër që ai mund ta konsiderojë si të rëndësishme për t’u rrëfyer dhe për t’ia transmetuar një publiku të ardhshëm;

– përmes ruajtjes së një pjese të fasadës/murit të jashtëm të teatrit ekzistues dhe përfshirjes së kësaj fasade/muri në ndërtimin e teatrit të ri;

Dhe natyrisht, duke digjitalizuar e ekspozuar në hollin e teatrit të ri fotografi, posterë, kostume, rekuizita e materiale tjera të rëndësishme nga shfaqjet kult të këtij teatri.

Dhe, së fundi, do të kërkoja që, brenda teatrit të ri, të krijohet një ‘arkivë e qasshme dhe publike’, në të cilën kureshtarët e ardhshëm, studiuesit dhe kushdo tjetër, do të mund të gjenin të arkivuar këtë ‘memorie kolektive’ të këtij teatri.

Teatri i ri duhet të ndërtohet mbi këtë trashëgimi shpirtërore të këtij teatri ekzistues i cili besoj se duhet të shembet. Debati aktual është zhvilluar përtej argumenteve pragmatike. Ai ka qenë, në të shumtën e herëve, debat në të cilin është derdhur mllefi mbi 30 vjeçar për gjendjen e mjerueshme të teatrit shqiptar në përgjithësi. Duke qenë kundër shembjes së teatrit aktual shumë nga artistët sikur kanë dashur t’u hakmerren këtyre mbi 30 viteve të mjerimit teatror në Shqipëri, dhe jo vetëm. Por kjo ‘hakmarrje’ s’duhet ta cenojë idenë për një teatër të ri kombëtar, të dinjiteshëm. Është më i mirë një teatër funksional në një truall më të vogël, sesa një teatër jo-funksional në një truall më të madh. Kur disa herë kemi sjellë shfaqjet tona në atë teatër, derisa aktorët luanin në skenë, nuk është se e kam pasur hallin e truallit mbrapa teatrit! Jo! Hallin e kam pasur tek ato digat e metalta që në çdo moment mund të binin mbi aktorët, hallin e kam pasur tek ajo skenë e shtrembëruar dhe tek ato kushte të mjerueshme që i kemi gjetur në atë teatër./ KultPlus.com

Unë – ai, ti – ajo

Poezi nga Teodor Keko.

Ja, ra mbrëmja. Ti s’je më.
Ku ke shkuar? Unë s’e di.
Ne u prishëm për hiçgjë,
edhe gjatë do mbajmë mëri.

Do harrohen telefonat,
nëpër pellgje sytë do na thahen.
Si prelud do bjerë nga qielli,
një dëborë… kristal i bardhë.

Dhe kështu, gjersa një ditë,
të na thotë jeta ne: Harro!
Do të mbesim anonimë,
do të jemi ne përemra,
Unë “Ai” dhe ti “Ajo”.

Mbi ne ra ndarja si një dëborë,
mbuloi gjithçka: puthjet dhe fjalët.
Dhe vitet shkuan dalngadalë,
ujrat u ndotët, lumejtë u thanë.

Por, qaramanë, jo, s’do të bëhemi,
se na u thye ëndrra ty dhe mua.
Ndonjë ditë nëpër botë,
sytë tanë kur të takohen,
s’do të ketë urrejtje brenda./KultPlus.com

Petrit Çeku hapë sonte “Peja International Guitar Festival”

Peja International Guitar Festival 2018, hapet sonte me performancën e kitarist të njohur Petrit Çeku, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë, shkruan KultPlus.

Në kuadër të festivalit, nesër do të performojë kitaristja Margarita Escarpa nga Spanja duke filluar nga ora 19:00. Më 30 qershor do të performojnë Julia dhe Christian Zelinski nga Gjermania si dhe më 1 korrik Alejandro Cordova nga Meksika.

Po ashtu më 30 qershor në Universitetin Haxhi Zeka në Pejë do të interpretojë duke filluar nga ora 12:30 Ivan simatoviç nga Kroacia. Ai është fitues kryesor i garave të treta ndërkombëtare për kitarë klasike “Ehat Musa”, në vitin 2017.

Në kuadër të festivalit do të organizohen edhe masterklasa së bashku me artistët Ehat Musa, Margarita Escarpa, Petrit Çeku, Thomas Offermann, Pia Gazarek Offermann, Julia Zielinski, Christian Zielinski dhe Alejandro Córdova.

Gjithashtu do të bëhet edhe ndarja e çmimeve për garën ndërkombëtare të kitarës, “Ehat Musa”.

Festivali i cili nisë sonte do të mbahet deri më 1 korrik në Pejë./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës mbyll sezonin nesërmbrëma në Prizren

Nesër në mbrëmje mbahet koncerti përmbyllës i sezonit koncertal i Filharmonisë së Kosovës “Nga bota (e vjetër) e re”, i cili do të mbahet te Lumbardhi në Prizren.

Në këtë koncert orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të performojë me pjesë nga “Gioachino Rossini (Uvertura “William Tell”- Finale ), Rexho Mulliqi (Simfonia Nr. 1 – Allego), Fahri Beqiri (Poema dramatike “Skënderbeu”), Kreshnik Alickaj (Simfonia Nr. 2 – Koha e 3-të), Modest Mussorgsky (Nata në malin e zhveshur), Antonín Dvorak (Simfonia Nr. 9 në e – mol, “Nga bota e re”) me dirigjentët Baki Jashari dhe Hajrullah Syla./ KultPlus.com

“ëmbël” koleksioni më i ri nga “besë” (VIDEO)

Alberina Haxhijaj

Kreatorja Besa Neziri Rugova, e cila jeton në New York dhe njihet për stilin e veçantë që kanë koleksionet e saj, ka zgjedhur që përmes një videoje të paraqes kreacionet e fundit nën sloganin “ëmbël”, shkruan KultPlus.

Videoja është një film i shkurtër që është xhiruar gjatë fotosesionit të fundit në New York e që i paraprinë fotografive të koleksionit të ri.

Kreatorja e cila jeton në New York por që dashurinë dhe shpirtin e mbanë të lidhur fortë me vendlindjen e saj, tregoi për KultPlus se elementet tradicionale vërehen edhe në këtë koleksion ashtu si në koleksionet e saj të kaluara.

“Edhe kësaj radhe kam qëndruar brenda elementeve estetike që e karakterizojnë stilin tim. Bërthamë e çdo koleksioni që krijoj janë kostumet kombëtare, e që tashmë janë bërë edhe vulë e brendit “besë””, tha ajo.

Në këtë koleksion vërehet edhe guximin që ka marrë kreatorja duke luajtur më shumë me forma dhe me kontraste të materialeve.

“Si gjithmonë, në veshjet e mia theksoj sensibilitetin femëror, i cili shprehet si në prerje dhe silueta e po ashtu edhe në materiale. Do të vëreni mitanin si inspirim, mëngët e fryra dhe jakat me plise, pastaj xhubletën të cilën e përsëris në çdo koleksion por gjithmonë i jap forma të reja, pa ja humbur esencën”, u shpreh ajo.

Videoja është bërë në bashkëpunim me fotografin Arton Sefa, me të cilin po punon kreatorja kohëve të fundit si dhe me modelen Erjona Ala.

“Me Artonin kemi gjetur të njëjtën energji pune që është e rrallë dhe e pazëvendësueshme, ndërsa kësaj radhe muzë e kampanjës është Erjona Ala, modele shqiptare me suksese ndërkombëtar, e cila prezanton shumë mirë gruan për të cilën dizajnoj. Erjona me energjinë dhe sharmin e saj i jep shpirt videos dhe veshjeve”, u shpreh kreatorja Besa Neziri.

Për të kompletuar ketë koncept mbi të cilin është krijuar koleksioni dhe videoja e fotosesionit është përdorur edhe kënga “ëmbël” e Vlashent Satës./ KultPlus.com

Në Parkun Kombëtar të Butrintit zbulohet një fragment i dyshemesë së Bazilikës së Madhe

Në Parkun Kombëtar të Butrintit, specialistët nga Instituti i Monumenteve të Kulturës bënë të mundur zbulimin e një fragmenti të dyshemesë së Bazilikës së Madhe, shkruan KultPlus.

Specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në Shqipëri zbuluan një bazilikë trenefëshe me transept (nef tërthor), e cila mendohet të jetë ndërtuar në gjysmën e parë të shek. VI.

Procesi i hapjes së mozaikut u ndoq edhe nga vizitorët e parë, një grup fëmijësh, të cilët asistuan specialistët përgjatë procesit të punës.

Përfshirja e fëmijëve në projektet e tilla po bëhet përmes programeve si: “Edukimi Përmes Kulturës” dhe “Arkeologu i vogël”.

Përfshirja aktive e fëmijëve në këtë program ndikon drejtpërdrejtë në njohuritë e tyre rreth trashëgimisë dhe si rrjedhojë në forcimin e ndërgjegjësimit dhe përkujdesjes ndaj saj.

Mozaiku do të jetë i hapur për të gjithë vizitorët, përgjatë gjithë sezonit veror./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/Imk.gov.al/videos/961477644024037/

Pas marrëveshjes për Teatrin e ri Kombëtar, miratohet Projektligji për shembjen e të vjetrit

Një ditë pasi u njoftua publikisht marrëveshja mes aktorëve dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Qeveria e Shqipërisë ka nxituar për të çuar deri në fund projektin për një Teatër të ri Kombëtar.

Kështu ka kaluar në mbledhjen e djeshme projektligjin për “Përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të teatrit kombëtar”.

Ndërkaq, në vendim theksohet se projektligji i ri pasqyron thellësisht kërkesat e komunitetit të artistëve lidhur me ruajtjen e pronës së teatrit, me standardet e domosdoshme europiane për një teatër dinjitoz kombëtar dhe me pjesëmarrjen e qartë të dy përfaqësuesve të artistëve në procesin e negociimit.

Projektligji siguron transparencën e plotë të negociimit dhe garancinë ligjore të autoritetit më të lartë ligjor të shtetit, theksohet në vendimin e Qeverisë./ KultPlus.com

Vlashent Sata të shtunën ‘ndezë’ Korçën, mbanë koncertin e parë atje (VIDEO)

Alberina Haxhijaj

Më 30 qershor në Voskopojë të Korçës do të mbahet koncerti i artisti Vlashent Sata, shkruan KultPlus.

Të gjithë ata që vikendin dëshirojnë që ta kalojnë në Voskopojë të Korçës do të kenë mundësi që të bëhen pjesë e koncertit të artistit Vlashent Sata, i cili për herë të parë do të luajë në Korçë.

Koncerti është pjesë e festimeve të shumta në Shqipëri të cilat bëhen për të promovuar vlerat dhe kulturën shqiptare, por jo vetëm këto, pasi që me një theks të veçantë këto festa kanë edhe ruajtjen dhe promovimin e kulturave bujqësore e të tjera.

Vlashent Sata, u shpreh për KultPlus, i emocionuar për koncertin pasi që kjo është hera e parë që ai do të luajë në jug të Shqipërisë.

“Është hera e parë që unë luajë në Korçë. Më kanë zgjedh mua për të luajtur në një nga koncerte më të rëndësishme të këtij programi e që hyn në kuadër të disa festa në Shqipëri, ku kjo është pak a shumë më e madhja”, tha fillimisht ai.

Në kuadër të koncertit ai po ashtu do të promovojë edhe këngën e tij të re në frëngjisht e që është pritur mjaft mirë edhe në Francë.

“Jam shumë i lumtur që po ndodh ky koncert pasi që do bëjë bashkë shqiptarë nga Maqedonia, Kosova dhe nga Shqipëria. Jam shumë i lumtur pasi që në një mënyrë më kanë zgjedhur edhe si artist përfaqësues pasi që rizgjoj muzikën shqiptare si me ZaFest si drejtor i tij, apo edhe me muzikën time që luhet gjithandej në botë. S’ka dy javë që jam kthyer nga një festival në Francë “Festival Tons Voisinsku” ku kam promovuar një këngë të re në frëngjisht e që ka ecë mjaft mirë atje e që do e sjell edhe këtu”, pohoi Sata për KultPlus.

https://www.facebook.com/VlashentSata/videos/10155478125262826/

Koncerti fillon nga ora 20:00, ndërsa Vlashent Sata do të shoqërohet edhe nga Gent Rushi, Ermal Rudi dhe Emilian Dhima. Ky koncert mbështet nga Ministria e Bujqësisë dhe Bashkia e Korçës./ KultPlus.com

Letra e Konicës për një të ri që donte të hapte një gazetë

Faik Konica botoi në “Albania” më 15 shtator 1901, këtë tekst për një djalë që donte të botonte një gazetë shqip në Egjipt.

“I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”.

Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën.

Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë.

Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi”./ KultPlus.com

Fara

Poezi nga poetja Mimoza Erebara

Për një lule që udhëtoi nga
Tirana në Haifa, Izrael. Ajo
vazhdon të lulëzojë atje…

E vogël,
E brishtë lulja,
E vogël fara,
Toka s’e mban
Se Qielli i madh i Besimit
E thërret,
Atë,
Farën,
Të lulëzojë përjetë
Në Kopshtin e shpirtrave të etur
Ku Drejtësia Universale
Merr udhë
Njëlloj si Besimi im
Për Ty
Lule e Përjetshme
Energjie reale
Që Botën mban.
Në të brishtat petale…/KultPlus.com

Zbulohen disa nga artistët pjesëmarrës në Bienalen e Venedikut 2019

Tashmë dihen disa nga artistët të cilët kanë konfirmuar që do përfaqësojnë vendet e tyre në Bienalen e Venedikut në vitin 2019, përcjellë KultPlus.

Deri në maj të viti 2019 nuk do të filloj edicioni i radhës i Bienales së Venedikut mirëpo News.artnet.com ka publikuar një artikull ku bënë të ditur disa nga artistët të cilët do të jenë pjesëmarrës.

Australia do të prezantohet nga artistja Angelica Mesiti e cila është e njohur për përdorim të gjuhës kinematografike dhe për performanca me të cilat rrëmon thellë brenda historive të ndryshme që shpalosë.

Pastaj Estonia do të përfaqësohet nga artistja Kris Lemsalu, Finlanda nga grupi i artistëve “Miracle Workers Collective”, Franca nga Laure Prouvost, Britania e Madhe nga Cathy Wilkes, Hong Kong nga Shirley Tse.

Austria do të përfaqësohet nga Renate Bartlmann. Performanca e saj Nusja shtatzëna me çantën e mbledhjes – në të cilën ajo ishte veshur si një nuse shtatzënë dhe i kërkoi publikut të dhurojnë për mirëmbajtjen e një objekti të rëndësishme, e cila doli të ishte një skulpturë e një dildo – u censurua nga Qendra Pompidou më 1979.

Po ashtu tashmë dihet se edhe Islanda do të përfaqësohet nga Hrafnhildur Arnardóttir / Shoplifter, Irlanda nga Eva Rothschild, Lituania nga Nida Art Colony që përbëhet nga Lina Lapelyte, Vaiva Grainyte, dhe Rugile Barzdžiukaite, Luksemburgu nga Marco Godinho.

Kanada do të prezantohet nga Inuit artist collective Isuma, udhëhequr nga regjisori Zacharias Kunuk dhe Norman Cohn. Pjesëmarrja e tyre do të shënojë edhe pjesëmarrjen për herë të parë të Kanadasë në Bienale.

Pastaj Holanda do të përfaqësohet nga Remy Jungerman dhe Iris Kensmil, Zelanda e Re nga Dane Mitchell, Skocia nga Charlotte Prodger, Slovenia nga Marko Peljhan, Zvicra nga Pauline Boudry dhe Renate Lorenz dhe Turqia nga İnci Eviner./KultPlus.com

Rita anulon koncertin në Izrael

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Rita Ora, ka anuluar pjesëmarrjen e saj në festivalin muzikor “Wow” që do të mbahej në Rishon Lezion.

Sipas drejtuesve të koncertit, Rita ka informuar kompaninë organizative se do të mungojë në koncert për shkaqe shëndetësore. Mediat në Jerusalem raportojnë se ajo i ka thënë “Bluestone Group” se i duhet të bëjë një operacion shkaku i problemeve shëndetësore, transmeton Koha.net.

Krijuesja e hitit “Girls” do të performonte më 1 gusht përkrah këngëtarit Jason Derulo. Edhe pse e ka anuluar koncertin në Izrael, Rita pritet të performojë në Britani të Madhe më 28 korrik dhe në Lituani më 3 gusht.

Gjatë muajit maj, Rita Ora anuloi një koncert në Bristol për shkaqe shëndetësore. / KultPlus.com

Kinema-Teatri ‘Nasional’

Kjo është një pamje e vjetër e Kinemasë-Teatrit “Nasional”, kinemaja e parë publike shqiptare, shkruan KultPlus.

Më 22 qershor 1926, u përurua Kinema-Teatri “Nasional”, kinemaja e parë publike në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Një vit më parë Hysen Beshiri, Xhuf Koljaka, Alqi Hobdari dhe Ferit Vokopola, themeluan shoqërinë e parë kinematografike në Shqipëri. Këto ishin dy ngjarje të rëndësishme në jetën artistike të vendit.

Në vitet që pasuan, kinema Nasional dhe shoqëria kinematografike hapen degët e tyre në Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër, duke u bërë kështu shoqëria më e fuqishme në përzgjedhjen, importin dhe shfaqjen e filmave në Shqipëri shkruan Albanian Vintage Photography, people, city, culture and history. /KultPlus.com

“Hana” filmi i artistes kosovare që është nominuar në tri kategori në Festivalin “La Jolla”

Hana Noka është artisja e parë kosovare e cila është duke marrë pjesë në festivalin e filmit të modës në Amerikë që do të mbahet në San Diego. Ajo në këtë festival do të paraqitet me filmin e saj të quajtur, “Hana”.

Hana Noka aktore nga Kosova është artistja e parë kosovare që do të jap premier filmin e saj të shkurtër me titull, “Hana”, në 9-vjetorin e festivalit të filmit ndërkombëtar të modës “La Jolla”, i cili do të mbahet më 19-21 korrik” në vende të ndryshme të La Jolla. Filmi nga producentia Noka është nominuar në tri çmime ndërkombëtare të filmit të modës, atë të Kinematografisë më të mirë, skenari më i mirë dhe muzikën më të mirë, shkruan Insajderi.

Festivali i modës, konsiderohet një nga festivalet më të mira të botës që mbledh një numër të madh të regjisorëve dhe të producentëve të modës e që këtë vit pritet të zbresi në San Diego të Amerikës edhe kosovarja Hana Noka.

Drejtuar nga Luey Nohut, filmi “Hana” nga producentja Noka është frymëzuar nga ish-regjisori Alber Elbaz i shtëpisë së modës në Lanvin, ku citohet të ketë thënë se “Stili është dicka që e pasqyron shpirtin dhe emocionet tona në botën e jashtme”.

https://www.youtube.com/watch?v=oIsxbIHEtsE

Ndërsa me këtë ide Noka ka dashur të krijonte një letër dashurie të bukur në botën e filmit dhe modës, një industri që ka qenë një rrugë për karrierën e saj të suksesshme si një modele me një ndikim mjaftë të madh në mediat sociale.
E në filmin e saj Noka dëshiron të përcjell një emocion ku thotë: “Unë jam kjo që jam”, e kjo është ëndërra e saj me të gjitha të mirat e saj #LivingLaVidaNoka, titull ky që është huazuar na hiti i këngëtarit latin Ricky Martin.

Noka në filmin e saj është e veshur me të gjithë të kuqe, ngjyrë kjo që sheh fuqinë, lirinë dhe më të rëndësishmen, fuqizimin e gruas. Asnjë fjalë nuk është folur, por pamja e erës që fryn nën një grua të veshur me “kuqe të pushtetit”, duke qëndruar në majë të majës piktoreske, ndërsa në sfond është qyteti kroat Split ku është xhiruar edhe filmi.

Noka dëshiron që audiencat të kuptojnë ndikimin e modës në jetën tonë të përditshme, për shkak se nuk është vetëm për veshjet që i veshim – qoftë luksin, qoftë tendin e fundit të modës apo stilin urban. Moda është më shumë se një etiketë në anën e pasme të një veshje, por në vend të kësaj, ajo pasqyron individualizmin, kulturën, statusin, ekonominë dhe politikën. Ajo gjithashtu tejkalon dallimet racore, etnike dhe socio-ekonomike për të pasqyruar pranimin kulturor dhe fuqinë shoqërore të ditës. / KultPlus.com

Mesazhi i Kumbaros pas letrës së 65 artistëve që mbështesin projektin për teatrin e ri

65 artistë të njohur mes të cilëve shumica aktorë dhe regjisorë të Teatrit Kombëtar kanë mbështetur në një letër të hapur ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Letra thekson nevojën për një ndërtesë dinjitoze të teatrit dhe respektimin e një procesi transparent që ruan pronën e Teatrit Kombëtar në funksion të tij.

Artistët i bëjnë thirrje forcave politike të qëndrojnë larg këtij procesi dhe të mos politizojnë betejat e artistëve. Ministria Mirela Kumbaro ka përshëndetur letrën e tyre përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Falenderim me përulje per te 65 artistet dhe figurat e nderuara qe nga i madhi Pirro Mani, shume te dashurit Fatos e Drita Haxhiraj, te nderuarit Pellumb Kulla, Viktor Zhusti, Gezim Kame, Josif Papagjoni, Luftar Paja, Bashkim Hoxja dhe te 65 artisteve, deri te me te rinjte po jo me pak te rendesishem per te sotmen e te ardhmen, te cilët sot mendojne e mbeshtesin bashkepunimin per Teatrine se Ardhmes”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Ambasada e Italisë shpall fituesit e Çmimit “Musine Kokalari”

Në një ceremoni të thjeshtë, Ambasada e Italisë, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë Italiane në Shqipëri ka vlerësuar këtë të mërkurë me Çmimin “Musine Kokalari”, nxënësit më të mirë maturantë të tre seksioneve dygjyhëshe: “Ismail Qemali” në Tiranë, “28 Nëntori” në Shkodër dhe “Themistokli Gërmenji” në Korçë.

Ceremonia e dhënies së çmimit u zhvillua në datën 27 qershor në Rezidencën e Ambasadorit të Italisë, në prani të Institucioneve, të trupës së mësuesve të Shkollave, të Universiteteve shqiptare, të përfaqësuesve të kulturës dhe të shoqërisë civile shqiptare. Tre nxënësit fitues janë Stela Peraj nga Shkodra, Dea Qallimi nga Tirana dhe Kostandina Sidheri nga Korça.

Çmimi mban emrin e Musine Kokalarit sepse ajo ishte e para intelektuale, shkrimtare dhe poete shqiptare e ‘900-s, e ndjeshme ndaj çështjeve të gruas. U u diplomua në Romë, në vitet 1938 – 41, pranë Universitetit La Sapienza. Pasi kthehet në Atdhe dhe angazhohet në ndërtimin e një Shqipërie të re, persekutohet nga regjimi komunist dhe privohet nga liritë themelore deri në largimin e saj nga jeta në vitin 1983.

“Me një vështrim te mprehte mbi realitetin shoqëror dhe politik, si dhe mbi gjendjen e gruas, edhe fale formimit ne Universitetin La Sapienza ne Rome, Musine Kokalari është një grua qe luftoi për drejtësi dhe lirinë ne Shqipëri, duke sakrifikuar edhe jetën e saj. Prandaj do te donim te përfaqësonte per ne dhe per te rinjte nje model kuraje dhe angazhimi civil”, tha Ambasadori Alberto Cutillo gjate aktivitetit.
Në edicionin e dytë të këtij çmimi , shpërblimi do të jetë një udhëtim studimor dhe argëtues në Como, si dy ditë formimi intensiv mbi komunikimin institucional dhe integrimin europian të organizuara nga Universiteti E-campus, i cili do të ofrojë dhe qëndrimin pranë campus-it të Novedrate-s si dhe një vizitë kulturore në qytetin e Milano-s.
Dhënia e Çmimit u realizua falë pjesëmarrjes së Universitetit E-campus, Eco Tirana sha, Etea Group srl dhe Cotonella/Shqipëria Trikot shpk, të cilat ndihmuan në sponsorizimin e aktivitetit.
Tre nxënësit fitues: Stela Peraj, Dea Qallimi dhe Kostandina Sidheri, u përzgjodhën në bazë të notës në provimin e gjuhës italiane (9/10 dhe 10/10) dhe të vlerësimit nga ana e mësuesve, të cilët morën parasysh jo vetëm ambiciet e nxënësve për të ndjekur studimet e gjuhës italiane, por edhe sjelljen e tyre përgjatë gjithë vitit.
Në bazë të kësaj përzgjedhjeje, fituesit u shpallen nga një Komision i përbërë nga Koordinatori i veprimtarive kulturore të Ambasadës së Italisë, Carlotta D’Amico, nga Sekretari i Përgjithshëm Dhomës së Tregtisë Italiane në Shqipëri dhe nga mësuesja e gjuhës italianë në shkollën Ismail Qemali, Pisana Grossi.

Nxënësit fitues, të shoqëruar nga një mësuesi shqiptar, do të nisen për një periudhë të shkurtër studimore dhe argëtuese e cila parashikon një vizitë në Como, dy ditë formimi intensiv mbi komunikimin institucional dhe integrimin europian të organizuara nga Universiteti E-campus, i cili do të ofrojë dhe qëndrimin pranë campus-it të Novedrate-s si dhe një vizitë kulturore në qytetin e Milano-s. Nxënësit e përzgjedhur si ndër më të mirët, por që nuk u shpallen fitues, u pajisen me një çertifikate merite dhe me një libër për shkrimtaren./ KultPlus.com

Era Istrefi tregon se a do të flasë shqip në mes të Rusisë

Këngëtarja Era Istrefi e ka konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë përmbyllëse të Botërorit në Rusi.

Në linjë direkte nga Presidenca e Shqipërisë krah z. Ilir Metës këngëtarja ka pranuar se do jetë në mbyllje.

Pyetur mbi faktin nëse do flasë shqip në këtë performancë për të shfaqur anën shqiptare, Istrefi u përgjigj: ‘Do e gjej mënyrën.

Bazuar në kreativitetin e saj dhe aftësinë për t’u shfaqur me art, do jetë interesante për ta parë se si do sjellë një copëz shqiptare në Moskë, Era Istrefi. /Prive.al

I etur për arsim, Shemsiu 30-vjeçar ulej me nxënësit dyfish më të rinj

56 vjeçari Shemsi Haziri, ishte njëri nga të dëbuarit nga Kosova, i cili tani jeton në Gjermani, ai rrëfen se si ulej në bankat shkollore me nxënës të cilët ishin dyfish më të rinj se ai.

Njerëzit gjithmonë kanë ardhur në Gjermani – sepse ata u dëbuan nga rajoni i tyre, u arratisën nga lufta apo u persekutuan në vendlindje. Për Ditën Botërore të Refugjatëve të para disa ditëve, e përditshmja gjermane “Donau Kurier” ka zgjedhur tre rsate të të arratisurve, në mesin e të cilëve edhe një çift bashkëshortor shqiptar.
“Gjermania më pranoi në gjirin e saj si një familje”. Dhe mu për këtë, Shemsi Haziri është gjithashtu shumë mirënjohës dhe i lumtur.

Shqiptari nga Kosova aktualisht është 56-vjeçar, ndërsa kanë kaluar plot 30 vite që kur u largua nga vendlindja, për tu vendosur në Gjermani. Shemsiu është shumë i lumtur në Pfaffenhofen, ku jeton me gruan e tij Hyrën dhe me fëmijët, Fjolla dhe Fatjoni. Që të dy kanë lindur në Pfaffenhofen.

Në vendlindjen e tij, në Kosovë, Shemsiu kishte studiuar letërsi dhe gazetari, ka shkruar për gazetat dhe ka marrë pjesë në demonstratat kundër serbëve të Sllobodan Millosheviqit. “Deri në periudhën që Tito vdiq, bashkëjetesa në shtetin multietnik të Jugosllavisë ka qenë e mirë”, thotë Shemsi Haziri për “Donau Kurier”, përcjell Albinfo.ch. Tito, i cili e kishte afruar vendin më afër Perëndimit në politikën e jashtme dhe kishte mbajtur lidhje të ngushta ekonomike me vendet kapitaliste, ishte personaliteti integrues i këtij vendi, i cili u karakterizua nga kaq shumë gjuhë dhe kultura. “Pastaj filloi të menduarit nacionalist”. Në fillim të viteve 1980, shumë shqiptarë të Kosovës kërkonin të merrnin statusin e Republikës në Jugosllavi. Propaganda nacionaliste në të dy anët ushqente gjendjen shpirtërore nga të dy anët. “Mbisundonte një ndjenjë e pakënaqësisë dhe shtypjes”, e përkujton atë periudhë Shemsiu. Ai u arrestua tri herë për një kohë të shkurtër, megjithatë lirohej sërish. “Por, e dija: se këtu për mua po bëhej rrezik”. Ishte në vitin 1988. Vetëm dhe vetëm me disa gjësende, ai u nis për në Gjermani. Në vendlindje i la tetë vëllezërit dhe motrat, si dhe dhe prindërit e tij. Një vëlla dhe babain nuk arriti t`i shohë më asnjëherë. Kur mbërriti në Mynih, Shemsiu aplikoi për azil politik dhe u vendos në rrethin Pfaffenhofen, të cilin nuk kishte të drejtë ta linte. Në Manching qëndroi për një vit e gjysmë, duke kaluar natën në një bujtinë. “Në atë kohë nuk më lejohej të punoja dhe as nuk më lejohej të ndiqja një kurs të gjuhës në Ingolstadt”. Pëlqente të bënte të paktën ndonjë punë të vogël sociale apo si mjeshtër i përgjithshëm, por nuk kishte shanse. Caritas vinte një herë në javë dhe ndër të tjera, ndihmonte azilkërkuesit për vizita tek autoritetet. Përndryshe nuk kishte shumë mbështetje tjetër. “Kemi pasur 81 marka si të holla për vetveten”.

Tre vite pas arritjes në Gjermani, më në fund Shemsi Haziri mori lejen e punës. “Në atë kohë unë isha në esencë aq i mirë në gjermanisht, sa jam edhe sot”, thotë ai. Gjuhët janë të tijat, mund të thuhet. Gjermanishtja e tij nuk është me theks, por pa gabime. Ai do të pëlqente të bëhej përkthyes, por zyra e punësimit financoi vetëm trajnimin në sektorin e ndërtimit. “Kjo nuk më shqetësonte”, thotë 56-vjeçari. Si një 30 vjeçar, Shemsiu u ul bashkë me nxënësit 16-vjeçarë në një shkollë profesionale. Si murator, Shemsiu më pas ka punuar për një kohë në Mynih, ndërsa për 15 vite ishte i pavarur.

Në vitin 1993, u takua me gruan e tij Hyrën, e cila gjithashtu është nga Kosova. Njëkohësisht, Shemsi Haziri është gjithashtu edhe shtetas gjerman. Fëmijët 21 dhe 15 vjeçarë, gjuhën shqipe e flasin në mënyrë të përkryer, merita për këtë i takon babait. “Integrimi është shumë i rëndësishëm”, thotë Shemsi Haziri, i cili themeloi një shoqatë kulturore shqiptaro-gjermane në Pfaffenhofen dhe gjithashtu është i përfshirë në Shoqatën ndërkombëtare kulturore të qytetit. “Por në shkollë, fëmijët e mi janë të huaj dhe nëse nuk janë shqiptarë, atëherë ata nuk janë asgjë”.
Ai është shumë i lumtur me jetën e tij në Pfaffenhofen.

“Jam shumë mirë këtu dhe kurrë nuk do ta harroj atë që bëri Gjermania për mua”. Ajo e kishte mbështetur atë për një kohë të gjatë, duke i dhënë para dhe duke i siguruar një çati mbi kokë. “Edhe nëse jeni me të afërmit, ata përfundimisht do t’ju thonë që duhet të largoheni”. Sot, 56-vjeçari përpiqet të japë diçka nga ajo që ka marrë. Vullnetarisht përkthen për shërbimet sociale dhe përpiqet të integrojë të huajt në Pfaffenhofen. Përkundër gjithçkaje, Kosova ka mbetur shtëpia e tij, për çdo pushim i viziton familjarët e tij. “Por, ashtu siç unë jam i huaj këtu, edhe atje jam i hujai. Megjithatë, e di që në atë kohë nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të largohesha nga vendi”.

Kur refugjatët nga Siria u pritën në mënyrë miqësore në stacionin kryesor të Mynihut në vitin 2015, Shemsi Haziri mendoi se ishte “jashtzakonisht bukur”. Por, “jo të gjithë që vinin këtu, kanë qenë të përndjekur dhe disa nuk janë mirënjohës për ate që marrin këtu”. Përveç kësaj, për deportime është dashur shumë kohë. Në këtë pikëpamje, Shemsiu qëndron në një mendim me shumë gjermanë të tjerë. Në të njëjtën kohë, ai shpreson që Angela Merkel do të gjejë një zgjidhje europiane për problemin e refugjatëve.

Spanja detyrohet ta intonojë himnin e Kosovës (VIDEO)

Sot në Spanjë është intonuar dy herë himni i Kosovës, pas fitoreve që kanë shënuar dy xhudistet e Kosovës.

Në Spanjën e cila nuk e ka njohur Kosovën si shtet, sonte dy herë është intonuar himni i Kosovës dhe është ngritur flamuri i Kosovës, pasi Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan medaljet e arat në xhudo në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”.

Komiteti Olimpik i Kosovës e ka publikuar një video me intonimin e himnit të Kosovës dhe ngritjen e flamurit.

Jehona Kastrati, një nga të shpërblyerat e Institutit Francez në Shkup (FOTO)

Instituti Ndërkombëtar i Modës “Izet Curi” për fundin e vitit shkollor sonte ka organizuar ekspozitë me kreacionet e punuara nga studentët, shkruan KultPlus.

Në Galerinë Nacionale të Maqedonisë “Daut Pasha Hamam”, studentët prezantuan punimet e tyre të frymëzuara nga puna e njërit nga mjeshtërit më të mëdhenj të modës Azzedine Alaia. Krahas kësaj në këtë ekspozitë Instituti francez në Shkup ka ndarë 3 çmime për arritjet vjetore të studentëve.

Nga studentët e vitit të dytë për koncept të koleksionit është shpërblyer studentja e talentuar nga Gjilani, Jehona Kastrati kurse nga viti i parë Driada Demiri, po ashtu nga Gjilani është shpërblyer për modelizëm dhe Lumturije Qamili nga Kërçova është shpërblyer për stilizëm.

Komisioni i përbërë nga Drejtori i Insitutit Francez ne Shkup, Emanuel Rember, profesor Nikola Eftimov, gazetarja e modës në Maqedoni, Nadica Gorgieva dhe profesoresha Dominique Brunet kanë qenë i vendosur në Institutin Ndërkombëtar të Modës “Izet Curri” dhe kanë vlerësuar konceptin e koleksionit dhe kreacionet të cilat i kanë punuar studentët me përfundimin e vitit shkollor.

Këto tri studente, si shpërblim kanë fituar një udhëtim në Francë ku do të kenë mundësi ta vizitojnë panairin e materialeve me të gjitha shpenzimet e mbuluara.

Këtë vit ekspozita u organizua për nderë të njërit ndër mjeshtërve më të mëdhenj të modës në shekullin XX, Azzedine Alaia, ndërsa në këtë ekspozitë kanë qenë të pranishëm Ministri i Arsimit te Maqedonisë, Ministri i Kulturës dhe Ambasadori i Francës në Maqedoni.

Ekspozita do të qëndroj e hapur për dhjetë ditë në Galerinë Nacionale të Maqedonisë “Daut Pasha Hamam”./ KultPlus.com

Anija “Marina” sjellë 313 turistë të huaj në Himarë

Anija turistike “Marina” me 313 turistë të huaj në bord ka arritur sot në portin e Himarës.

Bregdeti i jugut është kthyer një atraksion turistik mjaft të preferuar për turistët e huaj dhe këtë e dëshmojnë edhe shifrat në rritje të numrit të turistëve.

Gjeografia e vendeve nga vijnë turistët është zgjeruar tashmë dhe jugun e vendit e vizitojnë turistë nga Italia, Belgjika, Finlanda, Danimarka, Hungaria, Polonia, Anglia, Izraeli etj.

Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spilleja, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea./ata

Edhe Charlie Chaplin me shqiponjë (VIDEO)

Këtyre ditëve kur po diskutohet më shumë se kurrë për shqiponjën – simbolin shqiptar të pranishëm edhe në flamurin kombëtar dhe faktin se si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri me festimin e tyre shkaktuan debat në Evropë, faqe të ndryshme dhe njerëz të ndryshëm me kreativitet po nxjerrin shqiponjën në kontekste të ndryshme jetësore.

Diçka kreative është edhe një shqiponjë e Charlie Chaplinit vite më parë.

UNICEF Innovations Lab Kosovo organizon garën e dytë të kritikëve të rinj

Në kuadër të projektit Ponder, i cili synon fuqizimin e të rinjve përmes shkrim-leximit kritik medial, UNICEF Innovations Lab, tani ka hapur aplikimin për garën e kritikëve të rinj, shkruan KultPlus.

Kjo është garë e hapur për të gjithë të rinjtë nga e gjithë Kosova, të cilët synojnë fuqizimin përmes shkrim – leximit kritik medial. Të gjithë ata të cilët ndonjëherë kanë shkruar apo kanë dëshirë të shkruajnë artikuj dhe krijojnë video bazuar në dëshirën dhe nevojën për të sfiduar stigmatizimet shoqërore, por edhe për të shprehur interesimet e tyre në tema të ndryshme, gara e kritikëve të rinj është rruga që duhet ndjekur.

Duke u bërë pjesë e kësaj gare të rinjtë do të kenë mundësi të sfidojnë kreativitetin e tyre, të zgjerojnë përvojën dhe zhvillojnë aftësitë, të krijojnë lidhje me kritikët tjerë të rinj të cilët ndajnë të njëjtat interesa dhe pasione, të bëhen pjesë e rrjetit të kritikëve të rinj dhe se fundi të hyjnë në këtë garë për të fituar njërin nga tri çmimet (3 Tableta Lenovo Yoga) që do të ndahen për artikullin, videon dhe fotografinë më të mirë.
Për tu bërë pjesë e kësaj gare, ju duhet të shkruani një artikull, krijoni një video apo fotografi mbi një temë të zgjedhjes tuaj dhe ta dorëzoni atë në formën e aplikimit të cilën mund ta gjeni në linkun më poshtë:
http://kosovoinnovations.org/ponder/

Shumë personalitete nga bota po bëjnë shqiponjën

Gjestin e dy futbollistëve shqiptarë po e bëjnë të gjithë ata që i mbështesin, përfshirë edhe figura publike.

Është ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, i cili me duart shqiponjë ka nxitur reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Pas publikimit të kësaj fotoje, Vuciq tha se “kroatët dhe shqiptarët na urrejnë. Veprimet e tyre flasin për ta e jo për ne. Ne duhet të shohim se si të shkojmë përpara, të zhvillohemi. Urrejtja vret atë që urren, jo atë që është objekt i urrejtjes,” i është kundërpërgjigjur Vuçiq ish-presidentit kroat.

Kësaj iniciative i është bashkuar edhe mbështetësi i madh i shqiptarëve kongresmeni amerikan Eliot Engel. Pas marrjes se mandatit në Kongres, Engel ka pozuar me duart mbi gjoks, duke imituar simbolin e shqiponjës.

E ndonëse një ditë më parë nuk deshi të komentojë shumë lidhur me dënimin që FIFA ua dha dy futbollistëve shqiptarë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shihet në një foto me stafin e tij, duke mbështetur djemtë shqiptarë të kombëtares zvicerane të dënuar nga FIFA, raporton KTV.

Mediat zvicerane kanë vazhduar të shkruajnë vazhdimisht për shqiponjat e kombëtares së tyre, derisa e djathta zvicerane nuk ka ndalur sulmet, duke thënë se kjo është mbështetje për Shqipërinë e jo për Zvicrën. E në gjithë këtë debat është përfshirë edhe birra e Luzernit, e cila ka publikuar një foto montazh se si do të dukej ambalazhi me simbolin, i cili ngjall shumë reagime. Por pronari i birrarisë ka thënë se është vetëm montazh, derisa nuk ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të krijohet një ambalazh i tillë.